28.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Peruja skuadra e fundit e kualifikuar në Botëror

Peruja fitoi 2-0 në ndeshjen e dytë play off me Zelandën e Re dhe kualifikohet në Botëror, duke kompletuar mozaikun prej 32 skuadrash që do të marrin pjesë në eventin më të rëndësishëm sportiv të vitit të ardhshëm në Rusi. Në “Estadio Nacional”, në kryeqytetin Lima, vendasit shënuan nga një gol në cdo pjesë, duke shuar ëndrrën e Zelandës së Re për pjesëmarrjen e tretë në Kupën e Botës. Në minutën e 28-të Farfan, i asistuar brenda zonë nga Cueva, goditi fort duke tundur rrjetën e portës së miqve. Goli i dytë, që i dha goditjen përfundimtare Zelandës së Re u shënua nga Ramos në të 65-ën, në zhvillimet një e një goditjeje këndi. Peruja kualifikohet në Botëror për here të 5-të me rezultatin e përgjithshëm 2-0, pasi takimi i parë i zhvilluar në Zelandën e Re përfundoi në barazim pa gola.

Morata: E kaluara e tij mund të jetë problem

Ylli i Paris Saint-Germain Neymar mund t’i bashkohet Real Madrid-it, por do të jetë shumë e vështirë sipas Alvaro Morata-s. Ndërkombëtari brazilian është përfolur sërish për një transferim të mundshëm te gjigantët e Spanjës dhe Europës. Jo më larg se dje kapiteni i “Los Blancos”, Sergio Ramos tha se dera e Real Madrid-it është e hapur për 25-vjeçarin.
Neymar ka vendosur rekord në merkaton futbollistike, pas transferimit për 222 milionë euro nga Barça te PSG në verë. Deri në këtë pikë të sezonit ai ka shënuar 11 gola në 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet për gjigantët e Ligue 1.
Morata, i cili u largua nga Madridi për te Chelsea në qershor, mendon se do të jetë e vështirë por jo e pamundur që Neymar t’i bashkohet Real-it. “Mendoj se është vështirë për shkak të të kaluarës së tij. Por ne kemi parë që në Madrid asgjë nuk është e pamundur”, u shpreh sulmuesi i Bluve për “El Larguero”. Pas 11 javësh kampionat skuadra e drejtuar nga Zinedine Zidane numëron 8 pikë më pak se kryesuesit e La Liga-s Barcelona me 31.

Lumë ofertash për Modriç

Luka Modriç është një nga mesfushorët më të mirë në botë për momentin. Me formën që ka shfaqur është e pamundur që lojtari i Real Madrid mos të jetë një emër i lakmuar në merkato nga skuadrat e tjera. Sipas mediave në Spanjë, kroati ka marrë disa oferta të rëndësishme nga Manchester United, Paris Saint-Germain apo dhe Juventus. Megjithatë vështirë se Zidane do të lerë të lirë 32-vjeçarin, i cili është pjesë e rëndësishme e ekipit madrilen.

Murinjo refuzon rinovimin

Jose Mourinho tremb drejtuesit e Manchester United. Trajneri portugez ka refuzuar rinovimin e kontratës që i kanë ofruar krerët më të lartë të klubit nga “Old Trafford”. Në fakt “Special One” u ka bërë të qartë edhe arsyet e kësaj zgjedhjeje drejtuesve të United. Mourinho u ka bërë të ditur se është i përqëndruar te puna me skuadrën, duke nënvizuar se dëshiron të përmirësojë më shumë ekipin dhe të fitojë të paktën një titull kampion në Angli gjatë kontratës që ka nënshkruar fillimisht me “Djajtë e Kuq”.
Kështu ka deklaruar trajneri portugez për gazetën “Daily Mirror”. Kontrata aktuale e Mourinhos me Manchester United, skadon në qershor të 2019-s. Gjithsesi aludimet e mediave nuk mungojnë. Sipas shtypit anglez në këtë refuzim të Mourinhos mund të jetë Paris Saint Germain me klubin francez që ka shfaqur interes për luzitanin dhe e ardhmja e Mourinhos mund të jetë në stolin e Parisit.

De Laurentis: Tavecchio të mos bëjë si budalla, por të dorëhiqet

Edhe Antonio De Laurentis nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për mbetjen e Italisë jashtë kampionatit botëror, ndërsa është treguar mjaft i ashpër edhe me presidentin e Federatës Italiane të Futbollit. Presidenti i Napolit ka sulmuar Tavecchion dhe i ka kërkuar që japë dorëheqjen më mirë, se sa të bëjë rolin e budallait.
“Nëse do të isha Tavechio, më mirë do të jepja dorëheqjen, se sa të bëja rolin e budallait. Dështimi i Italisë është së pari dështimi i tij, që nuk diti të mbajë Conten, por edhe që gaboi me zgjedhjen dhe mbrojtjen e Venturës. Ky i fundit është një trajner i zoti, por edhe unë do ta kisha shkarkuar pas disa javësh”, tha me ironi De Laurentis.
Bosi i Napolit duket se nuk e ka pritur aspak mirë edhe lënien në stol të yllit të skuadrës së tij, Lorenzo Insigne, ndërsa nuk ngurron të bëjë sugjerime edhe për teknikun e ardhshëm italian.
“Që të grumbullosh Insignen për disa ditë dhe fillimisht ta aktivizosh jashtë rolit, e më pas ta lësh në stol, kjo nuk është aspak normale. Edhe neve si klub na shkakton një dëm ekonomik të madh dhe për më tepër të kotë. Tekniku i ardhshëm duhet një nga brezi i ri, jo më tepër se 35 vjeç, që të ketë mundësi të fusë një frymë të re në kombëtare”, tha Antonio De Laurentis.

Donarumma pasuesi i Buffon te Italia

Gianluigi Donnaruma pasardhësi i Buffon. Gardiani i portës së kombëtares italiane fill pas përfundimit të takimit ndaj Suedisë, ku të kaltërit nuk mundën dot të siguronin kualifikimin për në Botërorin Rusi 2018, deklaroi se do të tërhiqej nga kombëtarja. Në fjalën e tij, Buffon u shpreh se do të lërë një grup me lojtarë të rinj, të cilët do t’i shërbejnë në lartësinë e duhur skuadrës. Për sektorin e portës, gardiani veçoi emrat e Gianluiggi Donarummas dhe Mattia Perin.
Në Itali mediat shohin portierin e Milanit si pasardhësin ideal të Buffon. Sidoqoftë tashmë është radha e 18-vjeçarit të tregojë pjekuri dhe që është në lartësinë e duhur. Duhet të tregojë se me Buffon nuk ka të përbashkët vetëm emrin, por edhe në performancë ai është njësoj si 39-vjeçari. Në fakt, Donnarumma prej kohësh përflitet si trashëgimtari ideal në portën e të kalrtëve. Gardiani i Juventusit gjithashtu nuk ka nguruar ta cilësojë 18-vjeçarin si një talent, i cili mund ta zëvendësojë. Sidoqoftë përtej fjalëve tanimë radhën e ka fusha. Donnarumma duhet të bindë të gjithë se roli i titullarit në kombëtaren e Italisë është mëse i merituar.

Kushte “të forta”

Federata Italiane e Futbollit mësohet se ka nisur menjëherë nga puna për të bindur Karlo Ançelotin që të marrë drejtimin e Italisë pas shkarkimit të Gian Piero Venturës. Mirëpo arritja e një marrëveshjeje me një trajner të madh, që kërkohet nga shumë klube europiane, por jo vetëm, nuk do të jetë e lehtë. Ançeloti, para se ta pranojë ofertën, dëshiron t’i plotësohen disa kushte, të domosdoshme, sipas tij, për ta ringritur përfaqësuesen e “të kaltërve”. 58-vjeçari kërkon liri të plotë në vendimmarrje, si dhe të ketë stafin e tij (ndoshta Paolo Maldinin si ndihmës ose si manaxher i kombëtares), pa harruar edhe shmangien e keqkuptimeve, duke vënë pikat mbi “I” që në fillim. Ish-trajnerit të Milanit dhe Juventusit në Serinë A nuk i pëlqejnë disa persona që kanë qenë shumë të fuqishëm në periudhën e fundit të futbollit italian. Kushtet e tij do të jenë “të forta”, duke nisur që nga paga që do të përfitojë.
Ançeloti është një trajner që në Europë ka fituar gjithçka, e njeh shumë mirë futbollin e Kontinentit në çdo sektor të tijin, ka simpatinë e tifozëve dhe të lojtarëve, por për ta bindur, duhet t’i plotësosh disa kërkesa shumë të rëndësishme. Vetëm me emërimin e tij trajner të Italisë, Federata Italiane e Futbollit mund të rigjejë qetësinë, pas kritikave të pafundme që erdhën për shkak të mospjesëmarrjes në “Rusi 2018”.
“Goal” ka parashikuar formacionin me të cilin “Don Carlo” mund të luajë nëse pranon drejtimin e axurrëve. Historia ka tregur se 58-vjeçari në vitet e fundit ka përdorur thuajse gjithmonë 4-2-3-1, ose maksimumi 4-3-3. Për momentin, duke lënë mënjanë Chiellini-n (ende nuk është shprehur për kombëtaren), Bonucci është i vetmi që e ka vendin e sigurt. Shoku i tij në qendër të mbrojtjes mund të jetë një mes Rugani-t, Caldara-s dhe Romagnoli-t, që do të kenë kohë për t’u maturuar.
Në krahun e djathtë janë disa opsione, me Florenzi-n, Conti-n dhe Zappacosta-n, vetëm nëse Ançeloti nuk dëshiron të përdorë verdhekuqin në një tjetër rol më të avancuar. Ndërsa në të majtë: Darmian, Spinazzola, Emerson Palmieri dhe Barreca në një të ardhme.
Në mesfushë nuk ka dyshime: një nga dy vendet është për Marco Verratti-n, të cilin Ançeloti e ka stërvitur te PSG në sezonin 2012-2013. Me të duket i pamundur përdorimi i regjisorit të dyfishtë me Jorginho (që gjithsesi do të ishte pjesë e grupit), ndaj më funksionalë lojtarë si Pellegrini, Gagliardini, Barella, Benassi, e ndonjë tjetër… Gjithçka duke pritur kthimin e Claudio Marchisio-s, që pavarësisht moshës 31-vjeçare mundet ende të japë kontributin e tij.
E pamundur që me Ançelotin të mungojë Insigne nga formacioni titullar, në krahun e majtë të sulmit, ndërsa në anën e kundërt do të kishte hapësira për El Shaarawy, Bernardeschi, Candreva, Chiesa ose Verdi. Në 3/4 e fushës është e vështirë të gjendet një numër i pastër 10, por te Bayern për shembull është përdorur shpesh Muller në këtë zonë të fushës, pra një puntë e dytë ose një lojtar si Bernardeschi atë rol mund ta bëjë.
Në sulm, në fund hapësirë vetëm për një mes Immobile-s dhe Belotti-t, duke pritur Zaza-n dhe ndonjë talent tjetër që mund të shfaqet përpara Europianit të 2020-ës.

Khedira: Buffonit i mungon një trofe, e ndihmojmë ta fitojë

Sami Khedira ka deklaruar së ndihet i keqardhur për mbetjen e Italisë jashtë kampionatit botëror, pasi aty luajnë shumë shokë skuadre. Mesfushori i Gjermanisë veçoi mbi të gjithë, portierin Gigi Buffon, që humbi mundësinë të luante edhe një herë të fundit në këtë kompeticion ndërkombëtar.
“Buffon është një legjendë e gjallë, një sportist dhe njeri i mrekullueshëm. Të shohësh atë në lot, nuk është mirë as për italianët, dhe as për të tjerët. Më vjen keq që u eliminuan, mbi të gjitha sepse aty luajnë shumë shokë skuadre. Gjithsesi, kam besim se ata do të dinë të ringrihen shumë shpejt, sepse i kanë bazat për ta bërë këtë”, tha Khedira.
Mesfushori i Gjermanisë dhe Juventusit, theksoi se kapitenit të bardhezinjve i mungon vetëm një trofe, Championsi dhe se skuadra do mundohet ta ndihmojë të realizojë këtë objektiv. “Jam i lumtur që e kam takuar dhe kam fatin ta kem shok skuadre Buffonin. E di që i mungon vetëm një trofe, që është Liga e Kampionëve, ndaj ne të gjithë jemi të gatshëm të japim maksimumin, që ai të realizojë edhe këtë objektiv, para se të tërhiqet nga futbolli i luajtur”, u shpreh mesfushori i Juventusit.

Mediat italiane: Ja pse nuk luajti Insigne ndaj Suedisë

Të gjithë e prisnin titullar në “San Siro”, por vendimin për të mos e hedhur në fushë Lorenzo Insignen, Ventura e kishte marrë që në përfundim të sfidës së parë në Suedi. Ndeshjen në Solna, sulmuesi i Napolit e nisi nga stoli dhe u hodh në fushë pak minuta nga fundi i sfidës, duke zëvendësuar mesfushorin Verratti. Gjithsesi, duket se ndihmësit e Venturës nuk ishin aspak të qartë me udhëzimet e tyre dhe kur Insigne pa që do të zëvendësonte Verratin, u habit. Napolitanit nuk i kishte thënë askush se do t’i duhej të luante në qendër dhe jo në krah, ku ka rolin e tij natyral.
“Tani unë do të luaj në qendër”, mësohet të ketë thërritur i habitur Insigne, sapo ishte futur në fushë, por duket se pikërisht ky veprim e bindi Venturën, që të mos e përfshijë sulmuesin e Napolit, në planet për sfidën e kthimit. Kjo u pa qartë edhe me faktin se Insigne nuk u ngrit për asnjë moment në nxehje, por u la në harresë, në pankinën e ‘ftohtë’ të ‘San Siros’.

Ventura u shkarkua nga lojtarët

“Do të ishim më mirë me Gigi-n (Buffon) në rolin e lojtarit, kapitenit dhe trajnerit. Tani jemi një anije pa komandant, në mes të stuhisë”. Ky është teksti i një mesazhi që ka qarkulluar mes futbollistëve të Italisë, të cilët kanë mbetur të befasuar për zgjedhjet e teknikut italian. Ventura është shkarkuar dhe tani po fillojnë të dalin në skenë prapaskenat e një marrëdhënie aspak të mirë, e bërë e pamundur pas humbjes së shëmtuar të pësuar kundër Spanjës, mes skuadrës dhe trajnerit.
Aktivizimi i Insigne si mesfushor, zemërimi i De Rossi-t, që nuk ka qenë dakord me zëvendësimin, duke bërtitur se duhen sulmues për të shënuar dhe jo mesfushorë për të mbrojtur rezultatin janë emblematike dhe tregojnë se grupi kishte hequr dorë nga ai trajner. Kështu, anekdota e radhës është zbuluar nga “Corriere della Sera” dhe tregon se kualifikimi në Kupën e Botës ishte i pamundur për shkak të një formacioni të çmendur dhe për shkak se trajneri kishte humbur besueshmërinë.
Nata më e errët e futbollit italian ka qenë ajo e “San Siro”-s, por lamtumira ka qenë e gjatë dhe ka filluar muaj më parë. Më mirë me Buffon në rolin e trajnerit. Një slogan që ka filluar të qarkullojë shpesh mes lojtarëve dhe që është kthyer në një lloj muri ndaj trajnerit, i cili nuk kishte më asgjë nën kontroll. Kështu, pas barazimit 0-0 që i kushtoi Italisë Kupën e Botës, ai vendosi të mos jepte dorëheqjen, në pritje të një çeku prej 800 mijë eurosh.
Pas një mbledhjeje që zgjati rreth 2 orë, Federata Italiane e Futbollit ka shkarkuar nga stoli i kombëtares Gian Piero Venturën. Eliminimi në Play-off e Botërorit nga Suedia, me Italinë që nuk u kualifikua në një Kupë Bote pas plot 60 vjetësh i dha fund aventurës së ish-trajnerit të Torinos në stolin e përfaqësues së kaltër. Nuk bëhet fjalë për dorëheqje, por për shkarkim nga detyra. Ndërkohë ka qëndruar në postin e presidentit të federatës, Carlo Tavechio, i cili nuk ka dhënë dorëheqjen. Gjasat janë që pasuesi i Venturës në stolin e Italisë të jetë Karlo Ançeloti, i cili është edhe i preferuari i tifozëve.
Pasi u largua nga stoli i Italisë, duke e lënë kombëtaren jashtë kampionatit botëror, pas 60 vitesh, Gian Piero Venturës i është ofruar një tjetër pankinë. Por këtë herë nuk bëhet fjalë për të drejtuar një tjetër skuadër, por për një pankinë druri, të tregtuar nga kompania gjigante suedeze, IKEA.
Kjo kompani ka gjetur një mënyrë mjaft interesante për të reklamuar njërin prej artikujve të saj, duke ironizuar edhe me ish-teknikun e Italisë, që humbi punën pikërisht, pasi dështoi të kualifikohej përballë Suedisë. “Për t’i kërkuar ndjesë, pankinën Venturës po ia japim ne”, shkruajnë gjigantët suedezë, në reklamën e një ndenjëseje prej druri, postuar në Twitter.