27.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Gazeta zvicerane: Edi Rama i marrë peng, Shqipëria e tronditur nga trafiku i drogës

Nga Jean-Arnault Derens

Prodhimi i kanabisit shpërtheu në Shqipëri, me pjesëmarrjen e dukshme të qeverisë socialiste të Edi Ramës. Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane fillojnë të ngrenë tonin.
Kodrat që rrethojnë fshatin Lazarat në Shqipërinë jugore prej një kohë të gjatë kishin privilegjin për të ushqyer tregun rajonal të kanabisit. Ky monopol u zhduk në vitin 2014, kur policia ndërmori një sulm kundër këtij fshati të madh, një vit, pasi Kryeministri socialist Edi Rama erdhi në pushtet, i cili triumfalisht u rizgjodh qershorin e kaluar. Shkatërrimi i “kështjellës së kanabisit” që ishte në Lazarat pati pasoja të padëshiruara: prodhimi u përhap me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë, deri në luginat e thella në veri të vendit.
Sipas të dhënave nga “Guardia di Finanza”, policisë doganore italiane, e cila ka ndërmarrë misione në Shqipëri qysh nga viti 1997, 743 000 bimë u shkatërruan në vitin 2016 krahasuar me vetëm 46 000 në 2014 dhe, sipas ekspertëve, shkatërrimi prek mesatarisht vetëm 10% të sipërfaqes së kultivuar. Në male, fshatarët braktisën tokat e tyre, duke preferuar të punonin në plantacionet, ku mund të fitonin 20 euro në ditë. Prodhimi pastaj u eksportua masivisht në Itali dhe, në një masë më të vogël, në Greqi.

Një histori e vjetër

Në Shqipëri, prodhimi i kanabisit është një histori e vjetër. Ai ka qenë gjithmonë shumë politik, pasi është zhvilluar në hijen e partive që kanë qenë në pushtet që nga rënia e regjimit komunist më 1991. “Populli i Lazaratit ka një traditë të vjetër antikomuniste dhe ata mbështesin Partinë Demokratike”, pranon Lulzim Basha, kreu i këtij formacioni të djathtë, aktualisht në opozitë, i cili qe ministër i Brendshëm nga 2009 në 2011.
“Strategjia jonë konsistonte për të pakësuar në mënyrë progresive prodhimin, duke i prerë ujin, për të cilin kanabisi është shumë i pangopur dhe duke penguar që malli dilte jashtë fshatit. Kur ata erdhën në pushtet, socialistët preferuan të ndërmarrin një veprim spektakolar, duke e lënë kulturën e drogës të rritet diku tjetër, në mënyrë që të blinin besnikërinë e votuesve të rinj”, thotë ai.
Në fakt, gjatë zgjedhjeve të qershorit 2017, socialistët kanë marrë një shumicë absolute, duke bërë një përparim në komunat, siç janë ato të Lezhës, të cilat kanë një veçanti të dyfishtë, duke qenë bastione tradicionale të PD-së dhe qendra të reja të rëndësishme të prodhimit të drogës. Në raportin e saj për këto zgjedhje, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) njohu shumë raste të drejtpërdrejta të blerjes së votave, por pa arritur të konkludonte se ata do të kishin ndryshuar rrënjësisht vërtetësinë e votimit.

Arrestimi në Itali

“Policia mbron trafikantët, dhe droga eksportohet jashtë vendit nga bazat ajrore dhe detare të ushtrisë”, nuk heziton të avancojë kolonelin Dritan Demiraj, i cili ishte ministër i Brendshëm teknik i qeverisë, përgjegjës për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të qershorit të kaluar. I afërt me PD, ky ushtarak karriere, ish-kreu i njësive speciale të ushtrisë shqiptare në Afganistan dhe Irak, denoncon një sistem që ngjitet deri në nivelet më të larta të pushtetit.
Në fund të tetorit, kushëriri e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u arrestua në Katania, Siçili, me akuzën e importimit të armëve në Itali, si dhe jo më pak se 3.5 ton kanabis. Që atëherë, zyra e Prokurorisë shqiptare ka kërkuar arrestimin e Saimir Tahirit, ende deputet, pasi Partia Socialiste deri tani ka refuzuar t’i heqë imunitetin i tij parlamentar.

“Një siguresë garantuese”

Konfiskimet dhe shkatërrimi i plantacioneve ranë ndjeshëm në vitin 2017 krahasuar me 2016, por kjo rënie shpjegohet kryesisht nga numri i madh i stoqeve të pashitura. “Tahiri nuk është veçse një siguresë garantuese. Nivelet më të larta të PS janë të lidhura me trafikun e drogës”, thotë gazetari investigativ Armand Shkullaku. Në fakt, vëllai i ministrit të ri të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ai vetë është dënuar në Itali në vitin 2008 dhe, sipas gazetarit, “një njëzetëshe deputetësh socialistë” kanë pak apo shumë lidhje të drejtpërdrejtë me trafikun.
Përballë shumëzimit të çështjes, kancelaritë perëndimore, që prej një kohe të gjatë janë paragjykuar nga fjalimet pompoze pro-europiane të Edi Ramës, të cilin e shihnin si një garantues i “stabilitetit rajonal”, kanë filluar ta ngrenë tonin. Në fund të tetorit, ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu, ishte i befasuar që nuk kishte parë gjatë vitit 2016 “asnjë dënim, asnjë arrestim dhe as hetim të peshqve të mëdhenj për organizimin, menaxhimin ose financimin e trafikut të drogës”.

Edi Rama “i marrë peng”

FBI-ja është e angazhuar të mbështesë dhe të trajnojë një forcë të re speciale të destinuar për të luftuar “krimin e organizuar”, por kjo strukturë duhet të mbështetet nga autoritetet. Më 30 tetor, kreu i Shërbimit Sekret shqiptar, Visho Ajazi Lika, dha dorëheqjen: sipas disave, pasi ai ishte nën presion për të hetuar trafikun, ndërsa sipas disa të tjerëve, ai vetë ishte i lidhur me të.
“Edi Rama beson se qëllimi justifikon mjetet. Ai përdori rrjetet e drogës për të ardhur në pushtet dhe për të qëndruar atje, por e gjen veten të marrë peng”, thotë Armand Shkullaku. Shumë raporte tani raportojnë një rritje në trafikimin e drogave të rënda, kokainës dhe heroinës, të cilat vijnë nga Turqia nëpërmjet Maqedonisë fqinje dhe kalojnë tranzit nëpër Shqipëri përpara se të kthehen në të gjithë Evropën.

Ankesa e biznesit: Gjobat, 330 herë më të larta se fatura tatimore

 

Përmes një dokumenti, Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ka bërë me dije se gjatë muajit shtator-tetor nga bizneset janë depozituar 51 kërkesa, ndër të cilat 30 kanë qenë kërkesë/ankesa. Pas këshillimeve dhe gjetjes së hapësirave ligjore për të trajtuar çështjet, ministria njofton se i janë dhënë zgjidhje kërkesave të ardhura nga subjekte të ndryshme.
“Çdo propozim që na mbërrin nga grupet e ndryshme të interesit, sipërmarrësit, apo shoqatat, koordinohet me ministritë përkatëse të parashikuara për zgjidhjen specifike të secilës çështje, ndaj një pjesë e këtyre propozimeve janë në proces përpunimi dhe do të raportohen në vijim”, thuhet në raport.
Në regjistrin e ankesave të trajtuara vihen re 12 kërkesa janë ankesa të trajtuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, si dhe 6 nga Ministria e Energjisë. Të tjera tematika për të cilat bizneset janë ankuar janë trajtuar nga: Drejtoria e Patentave dhe Pronësisë Intelektuale, Fondi i Sigurimit Shëndetësor, Ministria e Bujqësisë, Drejtoria e Metrologjisë, AMA etj.
Ndër tematikat që bizneset kanë dërguar kërkesën e tyre për shqyrtim për zgjidhje, vihet re një kërkesë e datës 8 tetor, në të cilën subjekti raporton vendosje gjobe për pasaktësi në prerjen e kuponit tatimor. “Gjoba është 330 herë më e lartë se vlera e kuponit”, ankesë kjo e trajtuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.
Një tjetër subjekt raporton se është ndëshkuar nga dogana për mospajisje me autorizim për prodhim mallrash akcize. Subjekti raporton se ka një vendim gjykate të formës së prerë i cili duhet zbatuar, duke hequr konfiskimin e makinerive dhe asgjësuar mallin e konfiskuar.
Ndër ankesat e tjera të listuara në dokumentin e mëposhtëm haset: Subjekti raporton problematikë me ERE; mosmbyllje në Q.K.R. Gjobë në tatime që duhej të ishte hequr. Ndërkohë që vërtetimi te Tatimet është pa detyrime; Raportime problematike mbi tarifat vendore si biznes i madh etj.

Raporti: 60% e popullsisë me pasuri nën 10 mijë dollarë

Pasuria për çdo të rritur shqiptar në mesin e vitit 2017 ishte 11,061 dollarë sipas të dhënave të publikuara nga Banka Credit Swisse, në raportin “Të dhënat për pasurinë globale 2017”, ku jepen të detajuara shifrat për pasurinë e të rriturve në vendet e të gjithë botës.
Nga shuma prej 11,061 dollarë, 2,012 dollarë është pasuri financiare dhe 9,801 dollarë është pasuri jo financiare. Në krahasim me një vit më parë, kur ishte 9,997 dollarë, pasuria rezulton në rritje me 10.6%, por këtu është dhe efekti i kursit të këmbimit, teksa dollari është zhvlerësuar ndaj lekut këtë vit.
Pasuria totale e shqiptarëve ishte 24 miliardë USD në mesin e vitit 2017, nga 22 miliardë USD në fund të 2016-ës.
Sipas shpërndarjes së të ardhurave rezulton se për Shqipërinë, 59.3% e personave kanë një pasuri nën 10 mijë dollarë.
Pjesa tjetër prej 40.3% e popullsisë ka një pasuri midis 10 deri në 100 mijë euro.
Por sa milionerë ka Shqipëria? Sipas raportit të Credit Swisse, vetëm 0.3% e popullsisë ka një pasuri mbi 100 mijë dollarë deri në 1 milion dollarë. Në vlerë absolute, me numrin e të rriturve, që sipas raportit është rreth 2.2 milionë persona, në Shqipëri ka vetëm rreth 6500 persona që kanë një pasuri mbi 100 mijë dollarë deri në 1 milion dollarë. Ndërsa raporti thotë se, në Shqipëri nuk ka asnjë person që ka mbi një milion dollarë pasuri, teksa kjo përqindje është zero (shiko tabelën në fund).
Ndërsa kanë një pasuri prej rreth 11 mijë dollarësh, çdo i rritur shqiptar ka një borxh prej 752 dollarësh, deri në mesin e vitit 2017, nga 680 dollarë që ishte borxhi mesatar një vit më parë.
Nga shtetet e rajonit, pasurinë më të lartë mesatare e kanë të rriturit e Kroacisë dhe Malit të Zi.
Pasuria mesatare e një të rrituri në Bosnjë Hercegovinë është 12,516 USD; në Kroaci 25,756 USD; në Maqedoni 9,044 USD; në Mal të Zi 19,607 USD; në Serbi 8,035 USD.
Credit Swisse i mbledh të dhënat nga informacionet kombëtare nga buxheti i familjeve, vrojtime direkte dhe në ato vende ku mungojnë vrojtimet përmes llogaritjeve indirekte ekonometrike nisur nga informacioni mbi pabarazinë e të ardhurave.
Që nga 2010, Raporti mbi Pasurinë Globale nga Instituti i Kërkimeve të Credit Swisse ka qenë referencë, për sa i përket pasurisë së ekonomive familjare në mbarë botën. Raporti përmban gjetjet më të krahasueshme dhe më të përditësuara mbi pasurinë globale për sa i përket të gjithë spektrit të pasurisë, që nga baza e “piramidës së pasurisë”, në të cilën përfshin 3.5 miliardë të rritur që kanë një pasuri poshtë 10 mijë dollarëve, deri tek maja e piramidës, e cila përgjigjet për një pjesë të vogël të popullsisë, por që zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë.

Çudia e qeverisë, tani po monitorin Booking

Kohëve të fundit ka një rritje të atyre që si opsion qiradhënie kanë zgjedhur faqe si Airbnb apo Booking, duke i kthyer ato në struktura akomoduese me orientim turistik. Në këtë valë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka bërë thirrje qytetarëve apo bizneseve që të paguajnë detyrimet tatimore në të kundër do të penalizohen sipas hapësirave ligjore.

Deklarata e Tatimeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju bën me dije se të ardhurat e realizuara nga ofrimi i shërbimeve në strukturat akomoduese nga individët apo tatimpaguesit e regjistruar në Administratën Tatimore nëpërmjet përdorimit të faqeve të rrjetit internet si Booking.com, Airbnb e të tjera të ngjashme, janë të tatueshme, ndërkohë që personat që ushtrojnë këtë aktivitet janë të detyruar të jenë të siguruar për efekt të kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore.
Ju kujtojmë se, informacioni i reklamuar në faqet e mësipërme të internetit, është në monitorim nga Administrata Tatimore, me qëllim identifikimin e atyre individëve, të cilët ushtrojnë këtë aktivitet pa qenë të regjistruar sipas dispozitave të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Çdo person që ofron shërbimin e akomodimit (hotelerisë), brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, kryen një veprimtari ekonomike për të cilën është i detyruar të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Çdo aktivitet ekonomik i ushtruar në mënyrë të paligjshme, apo e ardhur e padeklaruar e siguruar nga ky aktivitet, konsiderohet shkelje dhe penalizohet në bazë të dispozitave të ligjit proçedurial.
Në mbështetje të Nenit 41, pika 2 e Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, bëhet bllokimi i së drejtës për të ushtruar aktivitetin ekonomik e pezullimi i lejes/liçencës për ushtrim veprimtarie për një periudhë gjashtëmujore (për ato subjekte që e disponojnë një të tillë sipas ligjit të turizmit) si dhe vendoset penalitet sipas Nenit 112 të po këtij ligji.

 

Buxhet për oligarkët dhe pastrimin e parave të drogës

Lulzim BASHA

Ishte një herë e një kohë kur Edi Rama nuk linte fjalim e rast pa cituar Papa Françeskun. Ishte koha kur donte t’i mbushte mendjen botës që ecte në rrugën e Zotit dhe të Atit të Shenjtë.
Por si gjithçka tjetër edhe kjo ishte thjesht fasadë. Shpejt e harroi Papën dhe marshoi në rrugën e të keqes, krah për krah me Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe shokë.
Ndaj sot unë dua t’i kujtoj Edi Ramës paralajmërimin e Papa Françeskut për politikanët e verbuar nga etja për pushtet dhe para, të cilat i arrijnë duke shkelur mbi njerëzit, mbi jetën dhe dinjitetin e tyre.
Pak javë më parë, duke folur kundër tundimit të “oportunizmit, dredhive dhe mashtrimit, të cilat bëhen më të rrezikshme nga refuzimi i tyre për të folur për to”. Papa ju drejtua politikanëve me këto fjalë: “Kur mjaftohesh me vetveten, është e thjeshtë të biesh në vetëkënaqësi dhe të pretendosh se ti je standardi i çdo gjëje dhe i çdo njeriu. Kjo është shenja e politikës perverse, e cila është e lidhur me interesat e një pakice dhe ngrihet mbi marrëveshje të errëta. Kështu, mbytet ndërgjegjja, banalizohet e keqja, zëvendësohet e vërteta me gënjeshtrën, ndërsa përgjegjësia publike kthehet në mjet përfitimi”.
Papa ka folur sikur të kishte përpara Edi Ramën: dredharak, manipulator, përherë duke u përpjekur ta shesë të keqen për të mirë, përherë i mbushur me veten dhe i bindur që ai dhe vetëm ai është standardi i të vërtetës dhe të drejtës, duke refuzuar të dëgjojë.
Pak ditë më parë, Edi Rama u shfaq në shtëpinë e një familje të thjeshtë të Bulqizës. Para atyre njerëzve të mirë dhe të varfër, me arrogancën e njeriut që e mendon veten si e vetmja e vërtetë, ai gënjeu para gjithë shqiptarëve, duke i fshirë vuajtjet e fëmijëve të Bulqizës, të cilët mjerimi i ka kthyer në skllevër të kromit për të siguruar bukën e përditshme të familjes. “Sajesë kazanësh mediatikë të Italisë”, e quajti të vërtetën e dhimbshme të fëmijëve të Bulqizës.
A ka dramë më të madhe për një vend se sa kur një gazetare e huaj i përgjërohet Kryeministrit të bëjë diçka për fëmijët e vendit të tij, ky i fundit t’i përvishet e ta quajë kazan!
Këtë e bën vetëm ai njeriu i pashpirt që është shkëputur nga realiteti dhe siç thotë Papa Francesku është izoluar në botën e tij dhe e quan atë botën e të gjithëve.
Atë ditë, një qytetar i Bulqizës, më shkruajti i revoltuar se Edi Rama shkoi në Bulqizë, por karriket i kishte sjellë me vete nga Tirana. Sepse për të Bulqiza është një shfaqje, është vetëm një skenë ku ai interpreton shfaqjen e radhës. Për të çdo gjë është teatër, ndaj kudo ku shkon merr me vete kamerat, prozhektorët, kolltuqet, skenat, figurantët, të gjitha të kuruara me kujdes nga skenaristët e propagandës së mashtrimit dhe vetëkënaqësisë.
Vërtet ky ishte në Bulqizë, por atje nuk pa varfërinë, nuk pa shtëpitë e mjeruara, nuk pa fëmijët që punojnë si skllevër, ashtu siç i zbuluan para gjithë botës gazetarët italianë.
Realiteti i tij është i shkëputur nga njerëzit e thjeshtë të Bulqizës, të Shkodrës, të Dibrës, të Librazhdit, Elbasanit, Korçës, Lushnjës dhe gjithë Shqipërisë.
Nuk ka shprehje më të qartë të kësaj shkëputje totale nga njerëzit se sa projekt-buxheti 2018.
Në këtë buxhet nuk ka asgjë për fëmijët e Bulqizës, fëmijët e Shqipërisë. Nuk ka asnjë politikë kundër varfërisë, nuk ka asnjë politikë për zhvillimin ekonomik, për infrastrukturën, nuk ka asgjë për shqiptarët e ndershëm, nuk ka asnjë shpresë për të ardhmen e vendit. Është një buxhet i ndërtuar vetëm me një qëllim: sigurinë dhe pasurinë e krimit dhe të klientëve.

TVSH tek biznesi i vogël me koncesion për vëlla Olsin

Tre propozime kryesore ka i gjithë buxheti. Të treja në shërbim të krimit dhe klientëvë.
1. I pari është detyrimi pothuajse i çdo biznesi të vogël për të lëshuar faturë me TVSH. Është një masë që nuk do sjellë asnjë përfitim buxhetor, përkundrazi vetëm do të rrisë koston për bizneset e vogla dhe shumë prej tyre do t’i çojë drejt falimentimit. Është një politikë që do dëmtojë mirëqenien e qytetarëve. Pandaj ajo është kundërshtuar nga të gjithë: nga FMN dhe Banka Botërore, nga ekonomistët dhe ekspertët e politikave publike, nga sipërmarrësit e vegjël dhe nga vetë qytetarët.
Po çfarë mund ta shtyjë atëherë një Kryeministër, të ndërmarrë një politikë që dëmton pothuajse këdo e nuk sjell përfitim për askënd dhe që kundërshtohet nga të gjithë?
Përgjigjia është e thjeshtë. Interesat e familjes dhe të klientëve. Olsi Rama ka dy vjet që bashkë me disa klientë përpiqet të marrë me koncesion kontrollin e pagesës së TVSH-së.
Rama thuajse e bëri fakt këtë koncesion, por FMN u bë pengesë e pakalueshme. Ndaj tani ka gjetur dredhinë e duhur: duke futur në skemën e TVSH-së gati 100 mijë biznese, kryeministri do justifikohet se shteti nuk ka mundësi dhe kapacitete të mbikëqyrë një numër kaq të madh biznesesh, prandaj mbikëqyrja e mbledhjes së TVSH-së duhet të jepet me koncesion.
Për pasurimin e tij dhe për klientët e tij, Edi Rama po dënon qindra mijëra familje shqiptare. Mjerimi u takon të papunëve të Bulqizës dhe fëmijëve të tyre. Ndërsa për vëllain dhe miqtë e Kryeministrit përgatiten koncesione dhe pazare, nga zonat e lira ekonomike, tek kullat e larta me stadium në mes të Tiranës, tek koncesioni i TVSH-së.
Shqiptarët e papunë aplikojnë për llotarinë amerikane për të ikur nga sundimi i pashpresë i të vëllait, kurse Olsi Rama la Amerikën për të ardhur dhe jetuar si i papunë në Shqipëri, sapo i vëllai u bë Kryeministër! Ky është ndryshimi mes shqiptarëve të thjeshtë dhe Edi Ramës dhe rrethit të tij të ngushtë.

Lehtësi që paratë e pista të futen tek ndërtimi

2. Masa e dytë e rëndësishme e buxhetit është heqja e tatimit për ndërtimin, heqja e tatimit mbi fitimin dhe ulja e TVSH-së në 6 për qind për të gjitha hotelet luksoze. Natyrisht, se cilët janë hotelet luksoze që do përfitojnë do e caktojë me vendim vetë Kryeministri.
Edhe kjo politikë nuk ka asnjë përfitim ekonomik, edhe kjo politikë ka vetëm kosto. Edhe këtë politikë e ka kundërshtuar FMN-ja dhe Banka Botërore dhe të gjithë ekonomistët dhe ekspertët.
Po pse e ndërmerr Edi Rama këtë politikë?
Përgjigjja është e thjeshtë: Po e merr për të mbështetur Santa Kuarantat e parave të drogës të Balilajve me shokë.
Heqja e taksave për hotelet e luksit do t’i hapë rrugë evazionit fiskal të oligarkëve dhe pastrimit të parave të drogës e krimit. Në këtë mënyrë, paratë e pista mund të investohen në ndërtim dhe administrim hotelesh dhe për to nuk do ketë asnjë mbikëqyrjeje dhe asnjë detyrim fiskal.
Thelbi është ky: një familje e thjeshtë në Valbonë, Orikum apo në Dardhë, e cila e jep me qira një dhomë të shtëpisë për turistët paguan 20 për qind TVSH dhe çdo qindarkë të taksave të tjera, kurse hoteli i Klement Balilit, i ndërtuar me miliona euro të drogës, nuk do të paguajë thuajse asnjë taksë.

Si do ta kthejë paranë e drogës në biznes fitimprurës me koncesionet

3. Masa e tretë dhe më shkatërruesja e buxhetit është programi 1 miliard i PPP-ve. Tingëllon ironike, por në fakt tre P-të përshkruajnë thelbin e programit: Pastrimi i Parave të Pista.
Ky program ka dy qëllime kryesore:
Pastrimin e parave të drogës, të krimit dhe të korrupsionit dhe duke vendosur kështu kontrollin e krimit mbi ekonominë
Privatizimin dhe përqendrimin e infrastrukturës ekonomike dhe shoqërore të vendit në pak duar. Me këtë program do të privatizohen praktikisht spitalet, shkollat, rrugët dhe çdo infrastikturë që do t’i vijë në mendje kryeministrit.
Kanabizimi i vendit ky projekt i qëllimshëm i Edi Ramës ishte mekanizmi që Edi Rama krijoi për të blerë pushtetin dhe për të privatizuar politikën.
Është mishërimi i modelit të tij politik: blerja e pushtetit me para. Edi Rama erdhi në krye të PS-së dhe në krye të qeverisë, duke e blerë pushtetin me paratë e lejeve të ndërtimit, dhe parave të krimit që pastroheshin me ndërtimet në Tiranë.
Me t’u bërë kryeministër, këtë skemë e zbatoi në të gjithë Shqipërinë.
Kanabizimi i vendit është vetëm faza e parë e planit. Për 3 vjet në Shqipëri u prodhua kanabis sa për të furnizuar Evropën për 5 vjet. Siç po shikohet, çdo ditë kapen tonelata me drogë. Ka një vit trafikim pa ndërpreje në sasi të mëdha të drogës, dhe nuk ka të mbaruar.
Tani ka filluar faza e dytë: përdorimi i parave të drogës për të futur në dorë ekonominë, duke shkrirë në një krimin, politikën dhe biznesin. Është objektivi final që synon çdo organizatë kriminale: legalizimin në ekonomi dhe në politikë.
Edi Rama i futi Shqipërisë kancerin e trafikut të drogës dhe tani po mundohet ta kthejë paranë e drogës në një aktivitet fitimprurës ekonomik.
Prandaj sot në Shqipëri ka banka pronarët e të cilave nuk dihen, sepse fshihen në parajsa fiskale. Sikurse ka koncesione me pronarë të fshehur në parajsa fiskale. Siç ka kontrata publike që mbahen sekret ndaj publikut edhe pse paguhen me paratë publike.
Prandaj sot, Kryeministri u bën thirrjeve bankave të bëhen pjesë e marrëzisë së tij kriminale, edhe pse mafia i vret bankierët në mes të qytetit për të pastruar paratë e krimit.
Këtë realitet Edi Rama po mundohet ta fshehë me metodën që paralajmëron Papa: duke e banalizuar të keqen, duke e bërë atë të duket e parëndësishme, duke u përpjekur të bindë se ajo nuk ekziston.
Ashtu siç bëri me kriminelët në politikë, ashtu siç bëri me kanabisin, duke mohuar, duke përqeshur, duke tallur dhe të gjithë ata që guxuan ta denoncojnë, njësoj tani ai përpiqet të përqeshë ata që denoncojnë pastrimin e parave dhe kapjen e ekonomisë nga krimi.
Nëse në vend të këtyre përpjekjeve, ne do të zgjedhim të qeshim, siç kërkon me djallëzi Edi Rama, kjo do të sjellë shkatërrim sot, dhe për shumë vite të tjera në të ardhmen.
Çdo lloj hezitimi përballë të keqes, çdo lloj relativizimi i të keqes, çdo lloj justifikimi i saj, çdo lloj barazimi i drogës dhe krimit me gabimet e zakonshme të politikanëve është shërbim ndaj krimit. Ne të gjithë kemi mëkatet tona, ne të gjithë kemi gabimet tona, por vetëm Edi Rama zgjodhi të qeverisë me krimin.
Sot dallimi është i qartë, ndaj gjuha jonë duhet të jetë e qartë dhe zgjedhja jonë e thjeshtë: ne duhet të ndahemi një herë e mirë nga krimi, nga droga dhe nga rruga e vetëshkatërrimit shoqëror.
Edi Rama më në fund u detyrua të pranojë të vërtetën, që Shqipëria ishte bërë fabrikë e drogës. Por ka harruar të japë një përgjigje:
Ku shkuan paratë e drogës? Po kriminelët që bënë drogën ku janë?
Ky po përpiqet të na mbushë mendjen se kriminelët dhe qindra miliona që atë bënë me drogë janë zhdukur pa lënë gjurmë si me magji!
Por asgjë nuk është zhdukur. Thjesht krimi dhe kriminelët kanë evoluar. Tani krimi nuk është më në plantacionet e kanabisit në male, por është në sheshet e ndërtimit, në koncesionet publike, duke qarkulluar paratë përmes sistemit bankar.
Ky lloj krimi është më i rrezikshëm. Sepse nëse krimi i rrugës është direkt i prekshëm dhe i goditshëm, nëse plantacionet e kanabisit mund të zbulohen me helikopterë dhe të shkatërrohen me policë, krimi që zapton ekonominë dhe politikën bëhet vetë pushteti dhe sundon mbi çdo gjë.
Në fakt ky është projekti i Edi Ramës. Kjo është ajo që ne duhet të ndalojmë.
Edi Rama është i mbaruar politikisht. Ai e di se ka humbur çdo lloj legjitimiteti dhe çdo lloj kapaciteti për të qeverisur.
Tashmë, ai qëndron në pushtet vetëm për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
Nëse lejohet të qëndrojë ai vetëm do të rrisë faturën për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ndaj unë ju ftoj që ta ndalojmë këtë buxhet që thellon varfërinë dhe fuqizon të keqen. Të ndalojmë projektin kriminal të pastrimit të 1 miliard eurove.
Të ndalojmë krimin ekonomik dhe financiar dhe të bëjmë transparencën e koncesioneve dhe të gjitha politikave publike. Kjo do t’i presë rrugën depërtimit të mafies dhe krimit në ekonomi dhe shoqëri.

Flota e trafikantëve të drogës, investime tek hotelet me 5 yje

Basha ka replikuar ashpër me Ramën në seancën e Parlamentit, duke i kujtuar atij se po i ofron të gjitha lehtësitë kartelit të drogës për të investuar në hotelet me 5 yje si dhe duke i kujtuar një “pensionist zvicerian” pa e përmendur me emër.
“Nuk e them kot që ke marrë fund politikisht, por ke marrë fund edhe nga pikëpamja e logjikës, edhe nga pikëpamja e fjalëve. Ky në vetvete nuk do të ishte lajm i keq për Shqipërinë, përveçse faktit që ulesh akoma në këtë karrige.
Vjen këtu e dërdëllit me batuta dhe me diversione për njerëz që t’i vetë i etiketon si votues, si financues të kësaj partie apo të asaj partie.
Unë nuk i ndaj njerëzit në demokratë dhe socialistë. Unë i ndaj njerëzit në të lidhur me krimin dhe të ndershëm, në para të pistë të drogës dhe para të ndershme, të djersës së ballit, të konkurrencës së ndershme, ata që kanë ndërtuar këtë vend. I ndaj ne demokratë dhe socialistë të ndershëm që e duan një vend ku të sigurojnë të nesërmen të tyre, të fëmijëve të tyre me punë të ndershme dhe një grusht horrash kryesisht në partinë, edhe pse dikush mund të ketë qenë përpara në oborrin e partisë time që i ke mbledhur ti për pushtetin tënd dhe për pasurinë tënde. Dhe shndërrimin e këtij vendi, këtij shteti, të këtyre institucioneve në strehë dhe lavatriçe për aktivitetin kriminal.
Nuk i do fjalët e mia?
Merr fjalët e Departamentit të Shtetit, vend kryesor për pastrimin e parave të drogës. Merr indeksin e Bazelit.
Si ndodhi kjo?
Katër vite kryeministër ti që nuk e pe drogën asnjë ditë. Katër vite me radhë nuk shikoje as drogë, as avionët që binin, as radarët që fikeshin, as policët që ngarkonin thasët, as gomonet që iknin, as ministri që merrte miliona, as milionat që t’i sillte për zgjedhjet.
Katër vite u bëre gazi i botës: Ku ka drogë? Nuk ka drogë. Qeshni me drogën. Derisa një mëngjes u çove dhe na the e mposhtëm drogën. Por çfarë droge mposhte ti kur nuk kishte pasur drogë. Paniku të bën qesharak.
Por gabohesh nëse mendon se unë jam këtu për t’u marrë me ty.
Nuk më intereson dhe nuk do të më interesojë kurrë personi yt, më intereson vendi dhe për shkak të vendit dhe përgjegjësisë që kam karshi vendit dhe shqiptarëve të djathtë e të majtë është detyra ime të paralajmëroj ndonjë njeri që ka mbetur me ndërgjegje në këtë krah të sallës, që nuk të ndjek ty si zoombi në greminën ku po e çon vendin, të mos e ngrejë kartonin për këtë buxhet të pastrimit të parave, të mos e ngrejë kartonin për këtë buxhet të varfërimit të shqiptarëve.
Ka hotele me 5 yje në Shqipëri, ti dhe ministrat e t’u i njihni shumë mirë, edhe pronarët e atyre hoteleve i njihni shumë mirë. E di ti e dinë ata, e dimë ne, e dinë gjithë Shqipëria, si janë ndërtuar dhe si do ndërtohen.
Nuk ka investitorë europianë që do të vijë të ndërtojë hotele me 5 yje në Shqipëri.
Është flota e trafikantëve të drogës, me ndonjë pensionist zviceran apo italian që do të ndërtojë një skemë që është diskredituar. Janë përpjekur të tjerë para teje ta ndërtojnë kanë dështuar. Disa kanë përfunduar në Tunizi e Algjeri në ditët e tyre të fundit. Thirri mendjes edhe për veten tënde!
Por siç thashë nuk më intereson aspak ti. Nuk është shqetësimi im ti as qeveria jote, nuk kanë qenë as në ditë të tjera e jo më tani, që keni marrë fund politikisht para syve të çdo shqiptari, edhe të atyre që ju votuan pa u paguar e pa u kërcënuar më 25 qershor.
Ta ndalim këtë buxhet, të shkëpusim lidhjet e krimit me politikë, të bëjmë reformën zgjedhore, t’i kthejmë legjitimitetin kësaj salle dhe përmes legjitimitetit të ndihmojmë shqiptarët e ndershëm, punën e ndershme, paratë e ndershme.
T’i vëmë kufirin tek thana krimit dhe kriminelëve! Kjo fillon duke i vënë kufirin tek thana këtij projekti kriminal dhe propozuesit të tij sot!”, tha Basha.

Do të sekuestrohen 18 mijë biznese

Policia Tatimore,dyqan. Foto / Malton DIBRA.

Drejtoria e Tatimeve ka përditësuar listën e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve Administrata Tatimore, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe ka filluar procedurën e mbledhjes me forcë të tyre.
Sipas tabelës së përditësuar deri në fund të muajit tetor, gjithsej janë 17,931 subjekte që kanë detyrime ndaj tatimeve. Pozitiv është fakti që lista e debitorëve ka filluar të ulet për herë të parë në vitet e fundit. Në krahasim me muajin gusht, lista është reduktuar me 609 biznese, të cilët rezultojnë të kenë paguar detyrimin.
Sipas tatimeve, lista e debitorëve për të cilët është vendosur marrja e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë që u janë sekuestruar bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

74 VIP-at nuk paguajnë

Ndërsa bizneset e tjera, në presionin e tatimeve, që u bllokojnë llogaritë, kanë nisur të paguajnë dhe numri i debitorëve është ulur, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me VIP-at. Në listën e borxhlinjve të tatimeve vijojnë të jenë, pa asnjë ndryshim nga disa muaj më parë, 74 biznese VIP (të regjistruar në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj). Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë kompani nga sektori i naftës dhe ndërtimit dhe janë përfshirë tashmë në një proces falimenti. Por ato do të jenë objekt i detyrimeve tatimore derisa Gjykata e falimentit të marrë vendimin e likuidimit. Në listën e zezë të tatimeve janë emra të njohur të biznesit, si kompania e Përpunimit të Naftës, ARMO, Deveron Oil Albania, TEA Construksion, Çilotaj Group, Filanto, Petrolimpex, ERI Fruit, Transpetrol, Rrajca etj. Ndërkohë pjesë e listës janë të gjitha kompanitë e Grupit “Taçi OIL” tashmë në falimentim. Lista dominohet më së shumti nga biznese të sektorit hidrokarbur, ku spikasin Rira, Anoil, Viloil, FIT-MEK-OIL, Globoil, Petrol impex, Transpetroli, Kuid, Taci Oil.
Tatimet bënë të ditur më herët se, ndërsa borxhi tatimor në total kap vlerën 147 miliardë lekë, vetëm borxhi i ri tatimor nga 1 janari në fund shtator 2017 vlerësohet në 35 miliardë lekë kurse detyrimet e arkëtuara për të njëjtën periudhë janë në masën 15 miliardë lekë.
“Duke marrë parasysh fshirjet e detyrimeve tatimore të zbatuara deri tani gjatë muajit tetor, shuma totale e borxhit zbret në 111.7 miliardë lekë dhe duke zbritur këtu edhe 37.338.391 mijë lekë detyrime në proces shqyrtimi gjyqësor, kjo shumë zbret 74.4 miliardë lekë” pohojnë Tatimet.
Aktualisht kompania me detyrimin më të lartë në tatimeve është OSHEE me 12 miliardë lekë. ARMO ka 9.5 miliardë lekë detyrime (nga 26 miliardë lekë në fund të 2016-ës, pasi ka përfituar nga fshirja). I treti është KESH me 6.9 miliardë lekë. Më pas renditet IRTC (që menaxhon aktualisht ARMO) me 3.8 miliardë lekë.

Poloni, qeveria e izoluar në politikën e jashtme, e vlerësuar në vend

Para dy vjetësh (16.11.15) bëri betimin qeveria nacional-konservatore e Beata Szydlo. Bilanci është i përzier, mendon Bartosz Dudek. Imazhe që janë helm për Poloninë: “Gjak i pastër, kokë e thjellët”, “Europa do të bëhet e bardhë ose e zbrazur nga njerëzit”, “Për një Europë të bardhë të popujve vëllezër” – të tilla pankarta u ngritën të shtunën e kaluar (11.11) në Varshavë në ditën e pavarësisë së Polonisë. Demonstrata ishte organizuar prej ultra të djathtëve nën moton “Ne duam Zotin”. Një kombinim shokues: religjoni kristian i dashurisë për tjetrin përzihet me parrulla urrejtjeje. E kjo në një vend, që ka vuajtur më shumë se asnjë tjetër nën nacionalsocialistët gjermanë dhe marrëzinë racore të tyre. Edhe pse një pjesë e vogël vetëm rreth 60.000 pjesëmarrës mund të klasifikohen si radikalë të djathtë. Imazhet turpëruese nguliten në opinionin botëror.
Ndaj është mirë dhe e drejtë, që Presidenti i Polonisë Andrzej Duda dhe faktikisht pushtetari në vend kryetari i Partisë Nacional-Konservatore që qeveris e vetme, Jaroslav Kazhinynski, i kanë dënuar parullat raciste. Por nuk mund të mohohet, që ka qenë në radhë të parë retorika islamofobe e Kazhynskit, ajo që i ka ngritur në nivelin e gjuhës politike shprehjet raciste, edhe pse vet PiS, partia e tij, nuk është parti ekstremiste e djathtë, nacionalistët radikalë shpesh trajtohen me kudjes prej saj, sikur ajo të dojë të mos i largojë zgjedhësit e saj prej vetes. Një strategji e rrezikshme. Sepse këto lloj aleancash janë të pakalkulueshme, sikurse e ka dëshmuar shembulli i Gjermanisë në fillimin e viteve 1930-të. Le të kujtojmë: Adolf Hitler dhe nazistët gjoja duhej të “inkuadroheshin” prej partive më pak radikale. Por me të hyrë në pushtet ato nuk e shkëputën dot më atë.

E izoluar në politikën e jashtme, por e respektuar brenda vendit
Bilanci i qeverisë së PiS pas dy vjetësh është i përzier. Në politikën e jashtme vendi është izoluar gjithnjë e më shumë në BE. Rikonstruktimi i shtetit në kuadër të revolucionit konservator është bërë nën moton “qëllimi justifikon mjetin”. Konflikti për Gjykatën Kushtetuese, reforma e diskutueshme në drejtësi, transformimi i shfrenuar i mediave publike në instrument propagande të qeverisë i kanë kushtuar Varshavës grindje të ashpra me BE-në. Edhe marrëdhëniet e mira gjermano-polake që nga fillimi i viteve 1990 janë ftohur dukshëm. Pretendimet për reparacione nga Lufta e Dytë Botërore të ngritura nga Kazhynski bëjnë që ai t’i mbajë pas linjës së vet përkrahësit, por ato janë helm për raportet bilaterale. Por askush në Poloni nuk do t’ia dijë, që politika e jashtme është një funksion i politikës së brendshme.
Në politikën e brendshme, qeveria e PiS ka shkaktuar një përçarje dramatike të shoqërisë, e pashembullt kjo që pas vitit 1989. Krisjet kalojnë në mes të familjeve. Fajin për këtë e ka retorika e ashpër e përdorur nga Kazhynski dhe të tjerë politikanë të PiS: Fjala është për terma të tilla si tradhëtarë e maskarenj, “polakë të mirë” e “polak të sojit të keq”.
Nga ana tjetër, qendrojnë sukseset e qeverisë PiS në politikën sociale dhe ekonomike. Aplikimi i parave për fëmijët është një mbështetje për shumë familje të varfëra, që janë humbëset e tranzicionit, e kjo u ka kthyer atyre dinjitetin e tyre. Kjo u bë e mundur, sepse ekonomia është në bum. Përveç kësaj janë bërë më efikase autoritetet financiare dhe korrupsioni po bie. Pikërisht me të tilla suksese e masin zgjedhësit qeverinë e PiS. E kjo llogari duket se del për mbarë: Me 45 për qind të votave PiS është në sondazhe më e mirë se asnjëherë më parë. Ajo përfiton edhe nga opozita e dobët. Me kalimin e Donald Tusk në Bruksel, ajo nuk është më në gjendje t’i bëjë ballë Kazhynskit as sa i përket personelit dhe as me program.
Zhvendosja djathtas, që është bërë në Poloni me qeverinë e PiS, na mëson, se zhvillimi demokratik kërkon kohë. Në të bëjnë pjesë përmbysje, gabime e kriza. Eshtë naive të besosh, se mund t’i kapërcesh procese të caktuara demokratike e shoqërore. Problemi thelbësor ka të bëjë, se Europa Lindore dhe ajo Perëndimore jo vetëm ekonomikisht, por edhe mentalisht në aspektin social-politik ndodhen në shkallë të ndryshme zhvillimi: në sfondin e historisë së Europës Lindore e asaj Qendrore, kjo është e kuptueshme.

Arroganca dhe moralizmi janë pa vend
Ndaj vendet perëndimore të BE-së – veçanërisht Gjermania – duhet të jenë të kujdesshme, që të mos reagojnë vetëm me arrogancë dhe duke ngritur gishtin tregues. Ka qenë edhe politika e Berlinit, ajo që ka kontribuar, që në nëntor 2015 në Poloni ndodhi zhvendosja djathtas. Kjo ka të bëjë nga njëra anë me ndërtimin e linjës së gazit në Detin Baltik nga Rusia përkundër kritikave të Polonisë, e në radhë të parë me vendimin e mëvetësishëm nga Angela Merkel për të hapur kufijtë për qindra mijëra refugjatë në zonën Shengen.
Edhe pse qeveria e PiS nga këndvështrimi perëndimor duket se jeton në një epokë tjetër: Polonia si komb meriton respekt, sepse ajo ka dhënë një kontribut të madh në kulturën dhe historinë e Europës. Veçanërisht gjermanët kanë shumë arsye për të qenë mirënjohës. Sepse pa vullnetin e polakëve për liri, pa Papa Gjon Palin e II dhe pa Leh Valesën e Solidarnostin nuk do të kishte Gjermani të ribashkuar. Edhe nëse ne na indinjojnë parullat ekstremiste të djathta në rrugët e Varshavës, nuk duhet të harrojmë: Kjo nuk është e gjithë Polonia.

 

Merkel: Gjermania u përmbahet objektivave për klimën

Kancelarja e Gjermanisë Merkel në Konferencën Botërore për Klimën në Bon, COP23, paraqiti objektivat e Gjermanisë për mbrojtjen e klimës. Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm luan reduktimi i përdorimit të qymyrit.
Në Konferencën Botërore për Klimën, kancelarja Angela Merkel theksoi rëndësinë e pakësimit të energjisë së qymyrit për mbrojtjen e klimës në Gjermani. Qymyri dhe veçanërisht linjiti duhet të japin një “kontribut të qenësishëm” për përmbushjen e objektivave për klimën, tha Merkel, para të deleguarve në Bon. “Por se sa e saktë është kjo, këtë do të duhet ta diskutojmë në mënyrë më precize së bashku në ditët e ardhshme”, tha ajo. Kjo temë është ndër më të diskutuarat në bisedimet aktuale për krijimin e koalicionit qeverisës të përbërë nga tri parti: CDU/CSU, FDP dhe ekologjistët në Berlin.
COP23: Kush e paguan shpëtimin e klimës?
Mjetet financiare dhe strategjia afatgjatë e planit gjerman për mbrojtjen e klimës deri më 2050 janë hapi tjetër, duhet ndjekur për ta plotësuar këtë plan me “masa konkrete”, tha kancelarja. Edhe në një vend të pasur si Gjermania kjo nuk është e thjeshtë. Objektivat gjermane për klimën për vitin 2020 janë “një qëllim ambicioz”, për arritjen e të cilit “ende ka shumë për të bërë”. Pikërisht ky objektiv nënkupton një sfidë të madhe, tha kryetarja e Partisë Kristiandemokrate, CDU. Deri në vitin 2020, Gjermania do ta ulë me 40 për qind emetimin e gazrave që krijojnë efektin serë. “Ne e dimë, që Gjermania si një vend që ende përdor në masë të madhe qymyrin, kryesisht atë linjit, duhet të japë një kontribut të qenësishëm për t’ia arritur këtij qëllimi.

Macron: Europa duhet të ndihmojë
Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi, që Europa të plotësojë boshllëkun në finacimin e punës së këshillit për klimën IPCC, që krijohet pas deklarimit të SHBA-së për t’u tërhequr. Franca do të japë kontributin e vet. Ai garantoi, që IPCC-së më 2018 nuk do t’i mungojë asnjë euro, për të bërë punë efikase.
Macron kërkoi gjithashtu të mbështetet mbrojtja e klimës, duke vendosur rregulla për ndotjen nga emetimet në BE dhe një çmim prej 30 eurosh për çdo ton dioksid-karboni të çliruar në atmosferë. Ndërkohë ky çmim është shumë më i ulët. Shtetet e BE-së dhe Parlamenti Europian javën e kaluar ranë dakord për reformën e tregut të të drejtave për emisionet e dëmshme për mjedisin, në mënyrë që të krijohen më shumë stimuj për mbrojtjen e klimës.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare më shumë mbrojtje të klimës edhe pas SHBA-në. Marrëveshja historike e vitit 2015 në Paris duhet të mbetet e pakthyeshme, tha Steinmeier në hapje të fazës vendimtare të Konferencës Botërore për Klimën, COP23 në Bon. Në Paris, bashkësia ndërkombëtare ra dakord për uljen nën dy gradë të ngrohjes së Tokës. Por premtimet për mbrojtjen e klimës të vendeve të veçanta nuk mjaftojnë për këtë. SHBA-ja nën presidentin Donald Trump – pas Kinës si producenti i dytë i madh i gazrave të efektit serë – ka deklaruar shkëputjen nga kjo marrëveshje.

Guterres kërkon më shumë përkushtim
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje pjesëmarrësve të Konferencës Botërore për Klimën në Bon që të ndjekin një politikë më ambicioze për klimën. “Ndryshimi i klimës është rreziku përcaktues i kohës sonë”, tha Guterres në Bon. “Ne duhet të avancojmë bashkë edhe më tej dhe më shpejt”. Apeli i tij vlen për pakësimin e emisioneve të dëmshme për klimën, ashtu edhe për marrjen e masave të nevojshme dhe ndihmat financiare për viktimat më të dobëta të ndryshimit të klimës. Guterres kritikoi në fjalimin e tij, që vitin e kaluar përafërsisht janë shpenzuar 825 miliardë dollarë për lëndë djegëse fosile. Këto janë “investime jo në dobi të një të ardhmeje të qendrueshme”, një rikonstruktim konform normave të ruajtjes së klimës mund t’u japë një shtysë më të fortë ekonomive kombëtare.
Konferenca Botërore për Klimën në Bon zyrtarisht i mbyll punimet të premten (17.11). Qëllimi i saj është t’i avancojë bisedimet deri sa të mundësojë që në konferencën pasuese vitin e ardhshëm në Katovicë të Polonisë të mund të miratohet i ashtuquajturi libri i rregulloreve për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për Klimën si dhe vendime të tjera të rëndësishme.

Britania përgatitet të transferojë mbi 500 mln dollarë në Iran

Gazeta britanike “Telegraph” raporton se qeveria britanike është duke përgatitur transferimin e mbi 527 milionë dollarëve në Iran, për të ndihmuar lirimin e një punonjëseje iraniano-britanike të ndihmës.
Britania ia ka borxh fondet Iranit, si rezultat e një marrëveshjeje të diskutueshme për armë gjatë viteve 1970 dhe ka kërkuar këshilla ligjorë, nëse mund t’i transferojë paratë në Republikën Islamike.
Raporti i “Telegraph”-it, duke cituar burime të qeverisë britanike dhe diplomatë, thotë se Britania nuk dëshiron ta lidhë drejtpërdrejt pagesën me lirimin e punonjëses së burgosur të ndihmës, Nazanin Zaghari-Ratcliffe.
Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, është zotuar se do të bëjë “gjithçka” të mundur për të liruar Zaghari-Ratcliffen, e cila është arrestuar në Teheran në prill të vitit 2016 dhe është dënuar me pesë vjet burgim, nën akuzat se ka bërë komplot për të rrëzuar establishmentin klerik të Iranit.
Zaghari-Ratcliffe, menaxhere projekti në Fondacionin “Thomson Reuters”, i ka hedhur poshtë akuzat.

BB: Kosova me rritjen ekonomike më të madhe në rajon

Rritja ekonomike në Kosovë këtë vit pritet të arrijë në 4.4 për qind, kurse në dy vitet e ardhshme kjo rritje pritet të arrijë në 4.8 për qind, është thënë në prezantimin e raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore.
Sipas raportit, rritja ekonomike në Kosovë është nxitur kryesisht nga investimet, konsumi dhe eksporti.
Marrë në përgjithësi trendi i rritjes ekonomike në Kosovë ka treguar performancë më të mirë sesa vendet e rajonit, tha Agim Demukaj, ekonomist i Bankës Botërore në zyrën në Prishtinë.
Sipas Demukajt, Banka Botërore ka vërejtur se në të gjitha vendet e rajonit, punësimi është kryer në nivelet e para vitit 2008, pra, para krizës globale financiare.