Seanca gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të rivlerësuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj Orest Sotës është shtyrë. Bëhet e ditur se shkak është bërë mbingarkesa e gjyqtares që ka çështjen. Masa e sigurisë ndaj Sotës u caktua fillimisht nga Gjykata e Elbasanit, pastaj çështja i kaloi Krimeve të Rënda.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 25-vjeçarin në makinën e të cilit në datën 1 nëntor Policia e Elbasanit gjeti 863 mijë euro dhe dy patenta mjetesh lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Krimet e Rënda kërkojnë të cilësohet i ligjshëm ndalimi i të riut për akuzën e pastrimit të parave. Sipas grupit hetimor, ka dyshime se Sota nuk justifikon paratë dhe ka dyshime se janë produkt i aktivitetit kriminal. Orest Sota u la në burg në 4 nëntor nga Gjykata e Elbasanit për akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë, drejtim pa leje të mjetit, fshehje e të ardhurave dhe pastrim parash. Por duke qenë se në makinën e 25-vjeçarit u gjetën patenat e ish-ministrit Tahiri, dosja iu bashkangjit çështjes Tahiri-Habilaj, e cila po hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda.
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor, por policia e mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në njoftimin e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen e dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese në emër të Tahirit në makinën e Sotës. Policia deklaroi se; “Më datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi O.S., sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën një shumë eurosh”.
863 mijë eurot dhe patentat e Tahirit, shtyhet seanca ndaj Orest Sotës
Korrupsioni me tenderat, ish-vartësi fundos Zoton: Të solla 20 milionë lekë në zyrë
Korrupsioni me tenderat e ushqimeve në burgje ka vënë përballë për herë të parë ish-drejtorin e këtij institucioni, Artur Zoto dhe zëvendësin e tij, Iljaz Labi. Në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Zotos, ka dëshmuar ish-numri dy i Burgjeve. Labi ka deklaruar në gjykatë se korrupsioni me tenderin e ushqimeve kishte ndodhur dhe për këtë 20 milionë lekë ia kishte dorëzuar Artur Zotos. Dy ish-funksionarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të akuzuar për korrupsion me tenderat e ushqimeve janë vënë përballë njëri-tjetrit në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Ish-drejtori Artur Zoto dhe ish-zv/drejtori Iljaz Labi, janë vënë përballë njëri-tjetrit për herë të parë pas prangosjes nën akuzën e korrupsionit. Seanca u zhvillua e tensionuar, ku është dashur ndërhyrja e gjykatës për të qetësuar situatën mes familjarëve të të pandehurve. Labi ka deklaruar se për sa i përket tenderit të vezëve, nuk ka qenë asnjëherë kryetar i Komisionit, por me këtë çështje është marrë administrata.
Gjatë dëshmisë së tij para trupës gjykuese, Labi ka deklaruar se ka marrë 20 milionë lekë nga biznesmeni Shemsi Sinani, të cilat ia ka dorëzuar në zyrë Artur Zotos. Labi tha se Zoto i kishte kërkuar të fliste me një biznesmen për tenderin e vezëve dhe bylmetit dhe kërkonte 20% të shumës. Sipas Labit, biznesmeni Sinani ia kishte dhënë 20 milionë lekë te një lokal tek Blloku dhe ato ia kishte çuar në zyrë Zotos.
Labi i kërkoi Zotos ta pranonte korrupsionin ashtu si dhe ai. Ndërsa Zoto nga ana e tij i kërkonte ish-vartësit vetëm detaje në lidhje me takimet dhe a kishte kamera në momentet kur ishin takuar.
Rama emëron drejtor Porti në Shëngjin mikun e Arben Ndokës
Kryeministri Edi Rama ka emëruar drejtor të Portit të Shëngjinit mikun e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Qeveria ditën e djeshme shkarkoi nga detyra drejtorin e Portit të Shëngjinit, Gjovalin Tusha, i cili e ka mbajtur këtë post për katër vite, ndërsa në vend të tij është emëruar Ermal Pacaj, kryetar i FRESSH për Lezhën.
Pacaj është i njohur si nga njerëzit e afërt të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, të cilin ambasadori amerikan e ka përmendur si një nga zyrtarët më të lartë të kapur nga krimi dhe korrupsioni.
Lidhur me deklaratën e ambasadorit Donald Lu, reagoi edhe Ndoka përmes një shënimi në ‘Facebook’, duke thënë se në politikë është futur për të ndihmuar njerëzit. Nga ana tjetër, kryetari i FRESSH-it dhe njëkohësisht drejtori i ri i Portit të Shëngjinit, deklaratën e bërë nga Ndoka në Facebook, e ka shpërndarë në rrjetin e tij social.
Mirëpo, ky nuk është postimi i vetëm. Nëse kundron me vëmendje postimet e bëra nga Ermal Pacaj në profilin personal në ‘Facebook’, vë re një mbështetje shumë të fortë ndaj ish-deputetit Ndoka.
Në një tjetër postim që mban datën 30 qershor, Pacaj e krahason ish-deputetin Ndokaj me një personazh të njohur të letërsisë botërore, me Zhan Valzhanin e Viktor Hygojt.
“T’gjithë e njohim dhe e duam Valzhanin e Hygoit, personazhi i veprës monumentale “Të Mjerët”, të cilin Zhaveri e hetoi, e ndoqi dhe e luftoi, por nuk e mundi dot. Dhe me të njëjtën babëzi si të Zhavierit, të padrejtët në emër të drejtësisë, hajdutët në emër të ndershmërisë dhe politika në t’pa emrin e saj e luftuan edhe Benin”, shkruan Pacaj në Facebook.
Rama ka vendosur që të mos i shkëpusë lidhjet me njerëzit e inkriminuar, duke i emëruar ata në poste të rëndësishme qeveritare.
I vihet zjarri me benzinë një lokali bastesh në Vlorë
Një lokal bastesh është djegur gjatë natës me benzinë në Vlorë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen “15 Tetori”, në një lokal bar kafe eurolloto. Policia dhe shërbimi zjarrfikës shkuan në vendngjarje dhe mundësuan fikjen e flakëve të zjarrit. Pas verifikimit paraprak nga policia, ka rezultuar se në lokalin në pronësi të një 25-vjeçari janë djegur plotësisht televizorë, kompjutera dhe printer. Policia dyshon për zjarrvënie të qëllimshme. Grupi hetimor po punon për përcaktimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
Humb jetën minatori 20-vjeçar në minierën e Bulqizës
Humb jetën tragjikisht në minierën e Bulqizës një 20-vjeçar, teksa ishte duke punuar në zonën D. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme. Minatori, i cili ka humbur jetën është Eduard Dama, i cili është zënë nga një masiv shkëmbor gjatë kohës që ndodhej në galeri.
Po ashtu, në të njëjtën galeri humbi jetën edhe një tjetër minator dy javë më parë, Eris Keta 30 vjeç. Si Dama ashtu edhe Keta kanë qenë punonjës të të njëjtës firmë mineralnxjerrëse. Shkak për aksidentet me pasoja fatale në miniera është mungesa e sigurisë, pasi prej vitesh në galeritë nuk investohet nga firmat që i shfrytëzojnë.
Banorët e Zharrëzës dalin sërish në protestë: Rama na mashtroi!
Banorët e Zharrëzës ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet për shtëpitë e shkatërruara. Të gënjyer nga qeveria, një grup prej tyre kanë dalë në protestë sot për paratë e premtuara. Shumë prej banorëve të fshatit Zharrëz vazhdojnë të jetojnë në godinat e dëmtuara nga tronditjet, ndërsa burokracitë kanë bllokuar procesin e dëmshpërblimeve. Qeveria urdhëroi Bankers Petroleum më 20 dhjetor 2016, që të ndërpriste injektimin e ujit teknologjik në puset e lokalizuara rreth fshatit Zharrëz.
Në shkurt 2017, banorët e Zharrëzës zhvilluan një grevë urie dhe marshuan 126 kilometra nga Fieri në Tiranë, duke kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre të rrënuara. Qeveria Rama premtoi dëmshpërblimin dhe zhvendosjen e banorëve, por asgjë nuk ka ndodhur.
Vrasja e komisarit Cuku, Shallari tërhiqet nga dëshmia
Mikel Shallari, autori i dyshuar i vrasjes së Komisar Artan Cukut, në Prill të këtij viti, tërhiqet nga dëshmia e tij, ku fillimisht pranoi krimin. 19-vjeçari, me anë të avokatit të tij ka dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dje një kërkesë ku kërkon lirimin nga qelia.
Shallari sqaron në kërkesë se dëshminë e dhënë përprara grupit hetimor, ku ai pranoi autorësinë e ngjarjes, e kishte sajuar për shkak të presionit dhe frikës. Në dëshminë fillestare pas arrestimit, 19-vjeçari u kishte treguar oficerëve se kishte qenë ai që vrau oficerin e policisë dhe se për të kryer krimin ishte paguar 18 mijë euro nga porositësi. Por pavarësisht kësaj dëshmie, policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda besojnë se autor i vrasjes së Artan Cukut është Mikel Shallari. Për grupin hetimor ka prova shkencore të cilat faktojnë se ai është autor.
Në afërsi të vendin të ngjarjes janë gjetur prova, të cilat janë krahasur me ADN -në e 19 – vjeçarit nga Kuçova dhe përputhen plotësisht. Gjurmë të gishtave të Shallarit u gjetën në disa rroba, të cilat ai i hodhi disa metra larg vendit të krimit. Këto gjurmë u krahasuan me disa nga gjurmët e gishtave të Shallarit, të lëna në Zvicër, ku ai ka qenë i arrestuar për trafik droge. Gjithashtu, janë gjetur edhe armët, të cilat dyshohet se janë përdorur në vrasjen e Artan Cukut.
Raporti i DASH, 2017: Shqipëria në rrezik nga pastrimi i parave
Në datën 14 mars, Departamenti i Shtetit publikoi raportin vjetor “Raporti i Strategjisë për Kontrollin e Narkotikëve-Pastrimi i Parasë dhe Krimet Financiare”, ku Shqipëria bashkë me Serbinë dhe Bosnjen është futur në listën e vendeve kryesore në botë që pastrojnë para. “Vendi mbetet në rrezik të konsiderueshëm për pastrimin e parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Shqipëria ka një ekonomi të madhe në cash dhe të sektorit informal, me prurje të mëdha të parave nga jashtë në formën e remitancave.
Të ardhurat më të mëdha të gjeneruara nga krimi në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra të kontrabanduara, dhe kontrabanda është lehtësuar nga kontrollet e dobëta kufitare dhe procedurat doganore.
Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marijuanë, kryesisht për përdorim europian, dhe është një vend tranzit për heroinën afgane dhe kokainën, duke shërbyer si një portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Evropën”, vlerëson raporti i Departamentit të Shtetit.
Në vitin 2015, agjencia FATF e Këshillit të Europës (Financial Action Task Force) vendosi ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve që pastrojnë para. Asokohe, edhe ministria jonë e Financave u mburr me këtë vendim dhe e paraqiti si sukses të reformave ligjore dhe bllokimit të qarkullimit të parasë së pisët në vend.
“Dalja nga procedura aktuale e monitorimit është me rëndësi të veçantë për vendin tonë, pasi së pari konfirmon efektivitetin e masave të ndërmarra tashmë nga autoritetet shqiptare në parandalimin e pastrimit të parave dhe krijon një bazë solide për ecurinë e mëtejshme të vlerësimit të vendit tonë”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Financave në shtator 2015.
Çfarë ka ndodhur në 2 vite, ose më saktë në 1 vit (duke qenë se raporti i DASH publikohet në 2017, por përshkruan situatën në 2016)?
Asgjë më pak e asgjë më shumë se ajo që dihet publikisht nga opinioni, paraja e pisët që ka qarkulluar si rezultat i trafikut të drogës gjatë vitit të kaluar ka qenë në nivele rekord.
Plantacionet e mbjella në vitet 2015-2016 i dhanë “frytet” maksimale pikërisht vitin e kaluar. Avionë dhe pista të dedikuara për trafikun e drogës, qindra tonelata drogë të kapura (po sa të pakapura?) në Shqipëri, Itali dhe Greqi reflektohen në treg.
Çuditërisht euro është zhvlerësuar gjithnjë e më shumë dhe sipas specialistëve, kjo i kushtohet pikërisht fluksit të parasë informale që vjen nga Europa, tregu kryesor dhe ndoshta i vetëm i hashashit shqiptar.
SHBA-BE: Shqipëria në listën e zezë të pastrimit të parave
Skema që denoncoi Lulzim Basha nga oborri i Partisë Demokratike, sipas të cilës Programi “1 miliard për Rindërtim” është një nga shtyllat e pastrimit të parave të kanabisit, u prit me ironi dhe humor nga Edi Rama. Kërkesa e Bashës që FBI dhe DEA amerikane të marrin në dorë buxhetin e Shqipërisë si provë për implikimin e qeverisë në pastrimin e parave të drogës ngjan e ekzagjeruar, por përgjigjia që i dha Rama opozitës lë hapësirë për dyshime.
Rama mblodhi bankierët në takim dhe ia nisi nga humori dhe batutat. “Ju të gjithë këtu jeni në duart e krimit”, duke vazhduar “Edhe ata me kufje, madje ata me kufje janë më shumë”.
Bankierët kanë shumë arsye për të qeshur. Jo thjesht se Kryeministri i Shqipërisë është gati të bëjë bufonin me një çështje delikate si ajo e pastrimit të parave, por edhe se në 6 muajt e parë të vitit 2017, bankat kanë arritur fitime rekord në Shqipëri, të panjohura që nga viti 1999. Por për t’i qetësuar se paratë që qarkullojnë shqiptarët janë të pastra, kryeministri shkoi më tej, duke dalë garant se, “në aspektin e luftës kundër pastrimit të parave, Shqipëria është një vend me të gjitha standardet më të larta të Bashkimit Europian”, se “nuk ka asnjë shans që të pastrohen para në Shqipëri përmes sistemit bankar” dhe se “nëse ka një sistem ku ekonomia informale apo ajo e zeza nuk ka shans të penetrojë, ky është sistemi banker”. Për të kuptuar më mirë të vërtetën e këtyre deklaratave, ia vlen t’i rikthehesh raporteve të Shteteve të Bashkuara dhe të Këshillit Europian për pastrimin e parave në Shqipëri. Të dhënat nuk mungojnë për vitin 2017, por në këto raporte Shqipëria nxin, si një nga parajsat e pastrimit të parave të pista.
SHBA: Institucionet, transaksione nga paratë e drogës
1)Departamenti amerikan i Shtetit e riktheu Shqipërinë në listën e vendeve kryesore të botës, sa i përket pastrimit të parave për vitin 2016, ndërkohë që një vit më parë vendi ynë nuk bënte pjesë në të. Raporti i DASH bëri lidhjen direkte të lëvizjes së parave të pista nga Shqipëria me trafikun e drogës dhe korrupsionin.
Sipas SHBA, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia kanë hyrë në listën më të re të shteteve kryesore që pastrojnë para në botë, pasi institucionet e tyre financiare janë të përfshirë në transaksione në valutë, që përfshijnë të ardhurat të konsiderueshme nga trafiku i drogës.
“Shqipëria mbetet një vend i rëndësishëm burimi për marijuanë, si dhe një rrugë tranzite për kokainë dhe heroinë e destinuar për tregjet evropiane. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra të kontrabanduara dhe kontrabanda lehtësohet nga kontrollet kufitare dhe procedurat doganore të dobëta. Shqipëria shërben si një bazë e operacioneve rajonale për organizatat e krimit të organizuar. Të ardhurat e paligjshme mund të pastrohen lehtë”, shkruhej në raportin e publikuar në mars të këtij viti.
Instituti i Bazelit: Në 15 vendet me rrezikun më të lartë në botë për pastrim parash
2) Instituti i Bazelit e riktheu Shqipërinë në verën e këtij viti, në listën problematike të 15 vendeve me rrezikun më të lartë për pastrim parash. Në tabelat e raportit, Shqipëria renditet mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore, së bashku me Bosnjë Hercegovinën e Serbinë.
Instituti i Bazelit për Qeverisje publikoi të dhënat si çdo vit, pasi mori në analizë 146 vende mes të cilëve edhe Shqipërinë. Indeksi mati rrezikun e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste, pazuar në të dhëna publike.
KE: Trafikantët po investojnë paratë në biznese të ligjshme
3) Një raport i Këshillit të Europës i publikuar disa ditë më parë shpjegoi në mënyrë të detajuar burimin e parave të pista në Shqipëri, duke vënë në dukje se, dënimet dhe sekuestrimi i aseteve të krimit janë të pakta. Sipas tij, në sistemin financiar dy janë rrugët kryesore, transaksionet brenda sistemit dhe hapja e llogarive bankare në emër të personave të afërm të familjes, ose rrethit shoqëror. Sipas Këshillit të Europës, një pjesë e parave pastrohen, duke bërë blerje të bizneseve të ligjshme, ose duke hyrë në partneritet me to. Paralelisht blerja e pasurive të patundshme si trojet, apartamentet, hotelet dhe stacionet e karburanteve janë po ashtu metoda gjerësisht të përdorura, siç është edhe ajo e blerjes së mallrave të luksit.
Për të kuptuar më mirë raportet e huaja, vlen të kujtohet se nga buron paraja e pisët në Shqipëri. Sipas deklaratës së ambasadorit të OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borchardt në Shqipëri qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para e pisët që vjen nga trafiku i drogës. Diplomati e shprehu shqetësimin në mars të këtij viti.
Një e dhënë tjetër, janë raportet e Guardia Di Finanza. Në dy vitet e fundit, italianët u bombarduan nga lumenjtë e drogës që vinin nga Shqipëria. Drejtuesit e Guardia di Finanza raportojnë se në Shqipëri u mbollën gati 219 mijë hektarë me kanabis. Sasitë gjigante të drogës që u trafikuan e kanë vënë shtetit italian në dilemë, ta legalizojë apo jo marijuanën.
Duke lexuar raportet e SHBA dhe BE, duke dëgjuar Guardia di Finanza-n dhe duke ditur historinë e implikimit të qeverisë në trafikun e drogës, natyrshëm del në përfundimin se garancia që i dha Edi Rama bankierëve për paratë e krimit, e implikon atë vetë të parin. Për më tepër, vlen të kujtohet se garancia se paratë e shqiptarëve janë të pastra, nuk është hera e parë që dëgjohet në Shqipëri dhe herën e parë që u tha, dihet si përfundoi.
Tenderi sekret për arkivën e MPJ, KLSH: U paracaktua fituesi
Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur se Ministria e Punëve të Jashtme ka paracaktuar fituesin në një tender sekret për “Rehabilitimin e ambiente të arkivit historik”. Sipas KLSH, tenderi është zhvilluar në 30 shtator të vitit 2015 me negocim pa shpallje të kontratës, dhe ndonëse janë ftuar tre shoqëri për të marrë pjesë, Ministria ka kualifikuar vetëm një prej tyre, pasi të tjerave nuk kanë mundur të pajisen me çertifikatën e sigurisë. “Kjo mënyrë veprimi ka shmangur konkurrencën në kundërshtim me ligjin për Prokurimin Publik, pasi qysh në periudhën para dërgimit të ftesave, shoqëritë duhet të përzgjidheshin nga lista “sekret” e miratuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar,” konstaton raporti i KLSH. Duke zgjedhur vetëm një shoqëri nga lista sekrete e DSIK, Ministria e Jashtme, praktikisht ka paracaktuar fituesin e tenderit, pasi shoqëritë e tjera të cilat janë ftuar nuk mund të merrnin pjesë në tender për shkak të mungesës së Çertifikatës së Sigurisë. Ky veprim ka sjellë një abuzim prej mbi 55 mijë dollarësh në kurriz të taksapaguesve. “Nga auditimi rezultoi se, shpenzimet e paraqitura nga kompania fituese janë në kundërshtim me manualin e çmimeve të ndërtimit, duke sjellë rritjen artificiale të kostos nga 24 milionë lekë në 30 milionë lekë”, konstaton KLSH. “Si përfundim nga veprimet e mësipërme ka ardhur si pasojë rritja padrejtësisht e çmimeve në kundërshtim me dokumentet e tenderit dhe shoqëria Dolçka ka përfituar padrejtësisht vlerën prej 6 milionë lekësh”, përfundon raporti i KLSH-së.