Ndrekë Ismailaj, kreu i Shoqatës së Personave Para dhe Tetraplegjikë, ka lëshuar akuza të forta në drejtim qeverisë lidhur me gjendjen në të cilat ndodhet prej vitesh kjo kategori, ku shteti nuk ka bërë të mundur as pajisjen e tyre me karroca. Ismailaj, duke iu drejtuar përfaqësuesve të qeverisë në Komisionin e Shëndetësisë, ka kërkuar që shteti të mos i mashtrojë më me premtime si dhe t’u kthejë detyrimet e prapambetura, duke bërë dhe një apel të fortë: “Më lini të jetoj vitet që me kanë mbetur”. Ndrekë Ismailaj: “Qeveria shqiptare nuk hap asnjë fond megjithëse e ka të sanksionuar me ligj, VKM, për të pajisur Para e Tetraplegjikët me mjete ndihmëse lëvizëse dhe prej 18 vitesh, unë akoma nuk kam marrë një karrocë, por jemi bërë si lypësit nëpër kisha e xhamia, apo donatorë të ndryshëm. Mos na mashtroni me këtë fond social, se na keni nxirë jetën. Është që në 2002 që flitet për këtë fond social dhe nuk është bërë kurrë e nuk ka për t’u bërë kurrë. Mos mashtroni. E keni të shkruar në ligj, nëse një person del paraplegjik i përshtatet banesa ju nuk merreni fare me të. Mos shikoni i majtë apo i djathtë. Jam paraplegjik, në karrocë. Më ka ndodhur një fatkeqësi në moshën më të bukur të jetës time, sapo kisha nisur jetën. S’po më lini të jetoj dhe 10-15 vitet që më kanë mbetur”.
Kadiu: Projekti 1 mld euro i qeverisë, verifikim burimit të parave
Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, ka ngritur disa shqetësime në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2018 gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Kadiu i drejtoi disa pyetje guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili ishte i ftuar për të dhënë opinionin e BSH-së për projektbuxhetin.
Duke marrë fjalën në mbledhje, deputetja e opozitës u shpreh se duke konsideruar qëllimin primar të Bankës së Shqipërisë që është suportimi i nivelit të çmimeve dhe stabiliteti i tyre, shqetësimi i parë që të lind lidhet me normën e inflacionit, por sigurisht jo duke e konsideruar atë si një problem apo si një qëllim në vetvete.
“Unë dua të di nëse përveç 3 instrumenteve që njihen tashmë që duhen për të ndikuar në normën e inflacionit që janë: furnizimi me likuiditet, ulja e normës së interesit, apo përdorimi i politikave të informimit a parashikon Banka e Shqipërisë politika të tjera që mund të ndërhyjnë në nivelin dhe normën e inflacionit”, tha Kadiu, e cila i drejtoi edhe një pyetje direkte Guvernatorit lidhur me verifikimin e burimit të parave që do të përdorë qeveria për projektin e famshëm prej 1 miliard eurosh.
“A parashikon Banka e Shqipërisë masa të cilat do të parandalojnë hyrjen e parave të drogës, të pista, mund t’i quajmë si të doni ju, ose e thënë ndryshe a është në gjendje BSH që të njihet me burimin e këtyre parave që i përkasin projektit 1 miliard eurosh në buxhetin e shtetit shqiptar?”, ishte pyetja që Kadiu i drejtoi Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Sejko, i cili pranoi se banka nuk është në gjendje të verifikojë burimin e këtyre parave.
Rritet deri në 40 për qind taksa e banesës
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë taksa për banesat e tyre, nga janari 2018. Qeveria Rama ka propozuar, në paketën fiskale 2018, që tatimi mbi banesat të jetë përqindje e vlerës së tyre dhe jo një taksë në shumë fikse si deri më tani.
Ky ndryshim do të sjellë të paktën një rritje prej 1500 deri në 3000 lekë në vit për çdo familje. Të ardhurat nga kjo taksë do të mblidhen nga pushteti lokal. Le të marrim një shembull konkret për të kuptuar më qartë ndryshimin në taksën e shtëpisë:
Taksa sot
Aktualisht, taksa për shtëpinë është 15 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar para vitit 1993, dhe 30 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar pas vitit 1993. Pra, një familje që jeton në një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, kudo në Tiranë, paguan 1500 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar para vitit 1993, ose 3000 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar pas vitit 1993. Kjo taksë paguhet e ndarë në 12 muajt e vitit.
Taksa sipas paketës fiskale 2018
Në variantin e paketës fiskale 2018 që po diskutohet aktualisht në komisionet parlamentare, Qeveria Rama parashikon që taksa për shtëpitë të jetë sa 0,05 për qind e çmimit mesatar fiskal. Ky çmim është përcaktuar nga qeveria Rama gjatë procesit të rivlerësimit të shtëpive, proces i përfunduar në maj të këtij viti. Këto çmime reference ndryshojnë në zona të ndryshme të Tiranës dhe janë çmimet që përdoren nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastet e shit-blerjeve të banesave.
Më konkretisht Tirana ndahet në 11 zona të ndryshme, të cilat brenda tyre kanë disa nën ndarje sipas zonave kadastrale, dhe çmimet e referencës variojnë nga 60 mijë lekë në 190 mijë lekë për metër katrorë. Pra, një familje që jeton në një apartament 100 metra katrorë të ndërtuar pas vitit 1993, tek zona Komuna e Parisit (ku çmimi i referencës është 107 mijë lekë për metër katrorë), më parë paguante 3000 lekë në vit, ndërsa tani do të paguajë 5350 lekë, pra 2350 lekë më tepër.
Vetëm në rastet kur qytetarët e Tiranës banojnë në një apartament 100 metra katrorë në ato zona ku çmimi i referencës është 60 mijë lekë (Porcelan, Kinostudio, Linzë, Bregu i Lumit, Allias, “5 maji”) taksa e shtëpisë shkon 3000 lekë në vit, pra e barabartë me taksën aktuale për shtëpitë e pas vitit 1993. Për të gjithë banorët e zonave të tjera, taksa e shtëpisë në vitin 2018 do të rritet.
Taksa mbi TVSH, mbi 22 mijë biznese drejt rrënimit
Tashmë është zyrtare. Duke filluar nga data 1 prill e vitit të ardhshëm, bizneset që kanë qarkullim vjetor më të madh se 2 milionë lekë do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Vendimi u mor nga Këshilli i Ministrave në fund të javës së kaluar dhe parashikon, që “Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik”.
Të vetmet kategori që nuk do të përfshihen në pagimin e TVSH-së, sipas vendimit të qeverisë janë subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë. Edhe për prodhuesit bujqësorë që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Vendimi nuk parashikon përjashtime për profesionet e lira dhe subjektet që ofrojnë shërbime (p.sh. parukeri etj.).
Nga ky vendim pritet të hyjnë menjëherë në skemë rreth 22 mijë biznese që sot deklarojnë qarkullim vjetor më të madh se 2 milionë lekë dhe presioni do të jetë i lartë edhe për 25 mijë biznese të tjera që deklarojnë nën 2 milionë lekë, por vlerësohet që e kalojnë këtë kufi. Pra në total rreth 47 mijë biznese do të duhet të paguajnë TVSH nga gjysma e parë e vitit të ardhshëm. Nga 73 mijë biznese që sot nuk paguajnë TVSH, vetëm rreth 26 mijë prej tyre pritet që të vijojnë të mbeten jashtë TVSH-së. Por, çfarë do të ndodhë me avokatët, pasi së fundmi Gjykata Kushtetuese kishte miratuar pjesërisht kërkesën e tyre, sipas së cilës avokatët kanë detyrimin për llogaritjen dhe pagesën e TVSH i nënshtrohen vetëm ata avokatë apo zyra avokatie, niveli i xhiros vjetore të të cilëve e kalon shumën e 5 milionë lekë të reja në vit. (më herët Këshilli i Ministrave, caktonte se avokatët detyrohen të llogarisin, të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH në vleftën 20% të çmimit të shërbimit të kryer, pavarësisht xhiros vjetore të realizuar).
Nga të dhënat formale, rreth 70-80% e rreth 73.000 bizneseve të vogla kanë një xhiro të deklaruar për më pak se 2 milionë lekë në vit, që me një llogaritje të përafërt me rreth 300 ditë pune në vit, përkthehet në një xhiro ditore prej 6-7 mijë lekë. Sipas këtyre të dhënave, të paktën 22 mijë biznese do të hyjnë në skemën e TVSH-së, por presioni do të jetë i lartë edhe për subjektet që deklarojnë më pak se 2 milionë lekë në vit. Sipas z. Kazazi, në terma shumë të përafërt, mendohet që rreth 50% e bizneseve të vogla realisht nuk janë të tilla, pasi faktikisht e tejkalojnë kufirin e xhiros, por pa e raportuar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte shprehur fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së për bizneset e vogla. “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime.
Veliaj, miliona euro tendera për të mbyllur dosjet hetimore në Prokurori
Skandali thellohet edhe më tej, pasi as njoftimet e shpalljes së dy tenderave, nuk janë publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, një detyrim ligjor ky për të qenë transparentë për fondet publike
Dokumentet e siguruara nga Tpz.al, nxjerrin në pah shkeljet e Bashkisë së Tiranës, e cila nuk ka hapur garë për tenderin e pastrimit të pjesës perëndimore (330 milionë lekë) dhe ndërtimin e këmbëve të urës Menik (154 milionë lekë). Zyrtarët e Bashkisë kanë negociuar direkt me firmën Fusha Sh.p.k, një kompani “e preferuar” e Erion Veliajt. Skandali thellohet edhe më tej, pasi as njoftimet e shpalljes së dy tenderave, nuk janë publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, një detyrim ligjor ky për të qenë transparentë për fondet publike. Kjo rrëzon përtokë edhe çmimin fals të fituar nga Bashkia e Tiranës, ku vlerësohej për transparencë ndaj publiku. Për t’u rikthyer tek problemi, Tpz.al investigoi disa procedura prokurimi, të zhvilluara nga Bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për dy tendera të lidhura si kontrata në muajin korrik të këtij viti, me negocim të drejtpërdrejtë (pa garë) me kompaninë Fusha Sh.p.k.
Pastrimi i Tiranës
Pak javë më parë, në një nga buletinët e Agjencisë së Prokurimit Publik, u publikua edhe fituesi i tenderit për pastrimin e qytetit të Tiranës (një nga lotet). Sipas dokumentit të siguruar nga Tpz.al, Bashkia e Tiranës kishte realizuar procedurën e prokurimit “Procedurë me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Objekti i prokurimit ishte pastrimi i pjesës perëndimore numër 2 të qytetit të Tiranës”, ku vlera totale e kontratës, duke përfshirë lotet opsionet dhe nënkontraktimin, shkonte në 33.026.076 lekë me TVSH.
Bashkia njoftonte se lidhi kontratë me firmën Fusha Sh.p.k, me adresë në Sauk, Tiranë. Në dokument thuhet se, në e rastin e përdorimit të procedurës së prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontrates”, firma duhet të plotësojë edhe disa të dhëna. Megjithatë, kjo procedurë, pra negocim pa shpallje, sipas ligjit të prokurimit, bëhet në disa raste tepër të veçanta ose emergjente, kur ka zjarre apo tërmete. Fatmirësisht, në Tiranë, gjatë kësaj kohe nuk ka pasur as zjarre (në qendrat e banuara) apo edhe tërmete, për të shpejtuar një tender të tillë.
Ura e Menikut
Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tjetër tenderi, ku nuk është bërë garë, por i janë dhënë lekët “kesh” firmës së preferuar të Bashkisë. Sipas të dhënave, në javët e fundit, Bashkia e Tiranës hapi sërish procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës për tenderin “Ndërtimi i këmbëve të Urës Menik mbi lumin Erzen”. Vlera totale e përfundimit të kontratës është 15,405, 521 lekë me TVSH. Përfituesi është sërish firma Fusha Sh.p.k. Pra, edhe kësaj herë, nuk është bërë tender, por vetëm është negociuar çmimi!
“Klientët” e z.Veliaj
Fusha Sh.p.k, është kompani e vjetër në fushën e ndërtimit, megjithatë me fitoren e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, ajo pësoi një rritje të ndjeshme ekonomike, falë tenderave publik. Të dhënat e siguruara nga Tpz.al, nga thesari i Shtetit, bëjnë me dije se Fusha Sh.p.k, ka 3 fishuar punën përgjatë viteve 2015-2017, në krahasim me vitet e 3 vitet shkuara.
Pagesat nga Thesari i Shtetit për Fusha Sh.p.k:
Viti 2012 – 2013
1,268,240,289.00 lekë
Viti 2014
1,216,813,613.00 lekë
Viti 2015-2017
3,801,503,582.00 lekë
Përgjatë 2 viteve të fundit, Fusha Sh.p.k arriti të fitojë të 3 tenderat për ndërtimin e sheshit “Skëndërbej”, me vlerë totale 12.6 milionë euro. Ndryshe nga tenderat e publikuar sot, për sheshin e kryeqytetit u zhvillua një garë, por “mungonin” konkurrentët përballë Fusha Sh.p.k.
Fusha Sh.p.k rezulton fituese edhe një sërë tenderash nga qeveria qendrore, mes tyre edhe Rikonstruksionin e Ministrisë së Brendshme, dy tunele të mëdha nëntokësore në Durrës dhe kulmon me koncesionin super të majmë të fituar para pak ditësh, atë të hidrocentralit të Kalivaçit, me vlerë 125 milion euro. Kjo e fundit i 15 fishon të ardhurat nga punët publike, të Fusha Sh.p.k, në 3 vitet e fundit.
Fusha Sh.p.k është në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Fusha (në foton kryesore), i cili është edhe i afërm i kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha./TPZ
Si po i shpëton hetimit të skandaleve Veliaj
Në janar të një viti më parë, në media një fotografi ku dukej Veliaj, duke u ushqyer në një restorant me një prokuror të Tiranës, të quajtur Petrit Fusha. Meqenëse lajmi shkaktoi mjaft bujë, Veliaj u mundua të justifikojë këtë takim me faktin, që ai dhe prokurori në fjalë janë të njohur. Por “rastësisht” ky prokuror rezultoi se ishte ai personi që po hetonte Veliaj për të paktën 4 çështje, të cilat në mënyrë të çuditshme vazhdojnë të flenë në zyrën e tij dhe të kolegëve, raporton Citynews.
Por përtej kësaj, portali i mësipërm sjell një fakt tjetër që thellon më tej skandalin e Veliajt me prokurorin e Tiranës:
Firma “Fusha” është subjekti që ka “fituar” ndërtimin e Sheshit “Skënderbej” në vlerën 12 milionë eurove në datën 27 dhjetor në vitin 2016. Një tender tjetër që është fituar nga firma “Fusha” rezulton në 17 tetor të vitit të kaluar dhe kap vlerën 1.5 milionë dollarë.
Tenderi i fundit për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej” është çelur në datën 5 dhjetor 2016 dhe është mbyllur, pra shpallur fituesi në datën 27 dhjetor 2016, tre ditë pas publikimit të fotove nga Citynews. Shpallja e këtij tenderi është bërë publike në buletinin e fundit të Prokurimeve Publike. Firma “Fusha” rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Shkëlqim Fusha, i cili është njeriu i afërt i Prokurorit të Tiranës, Petrit Fusha. Tenderi është vulosur pikërisht në datën 27 dhjetor të vitit 2016, tre ditë pas takimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj me prokurorin e Tiranës, Petrit Fusha. Sipas investigimit të mësipërm, fotove të publikuara, rezulton se prokurori i Tiranës, Petrit Fusha, është takuar me Erion Veliajn tre ditë përpara shpalljes së fituesit të tenderit në një lokal në kryeqytet, ku kanë drekuar gjatë së bashku. Fituesi i tenderit për Sheshin “Skënderbej” është shpallur në datën 27 dhjetor, fituesi është firma “Fusha” dhe pronari i kësaj firme është Shkëlqim Fusha. Veliaj pretendon se ka drekuar me një ‘mik’ siç është kryeprokurori i Tiranës, por ky ‘mik’ rezulton se është personi që po heton të paktën katër raste të kryebashkiakut dhe ky ‘mik’ rezulton të jetë i afërt i pronarit të firmës që figuron se ka fituar tenderin.
Dreka Veliaj-Fusha
Dreka mund të ketë qenë për Ardit Gjoklaj, për hetimet e Veliajt, por dreka mund të ketë qenë edhe për miliona dollarët e fituara nga firma “Fusha”. Veliaj e quan prokurorin e Tiranës që ka në dorë dosjet e tij hetimore mik dhe askush nuk mund të thotë se Veliaj nuk i shpërblen miqtë. Dreka e Erion Veliajt me Petrit Fushën është për vrasjen e Ardit Gjoklajt dhe hetimet e Prokurorisë apo drekë me një mik për miliona dollarët e tenderit të shpallur pak ditë më vonë? Mikun e kemi të konfirmuar nga Veliaj publikisht, miliona dollarët dhe dosjet hetimore janë pikërisht në duart e “mikut” që është Petrit Fusha kryeprokurori i Tiranës.
Elvis Rroshi pas mafies së tokave

Pas arrestimit të 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Hipotekave në Kavajës, dalin edhe emrat e përfshirë në këtë skemë mashtruese. Këta persona përmes falsifikimit të dokumentave dhe marrjes së rryshfeteve kanë përfituar sipërfaqe të ndryshme toke nga disa shtetas të tjerë. Pas një hetimi 9-mujor, rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën funksionale, kanë falsifikuar dhe tjetërsuar 36 hektare tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Spille Kavajë. Mësohet se, pasi këta persona janë bërë pronarë të këtyre tokave, duke e regjistruar me dokumente false në Hipotekë, ata ua kanë shitur tokat e tyre kompanive ndërtuese për zhvillimin e tyre. Personat që kanë përfituar nga kjo skemë janë familjarë të afërt të ish-drejtuesve lokalë në Kavajës, duke filluar nga ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi dhe ish-kryetari i degës së PS, Gentjan Daja, si dhe familjarë e të afërm fisnorë të nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja, e ish-kryetarit të Komunës Kryevidh, Nezir Leçini. Ndërkohë, një prej dy personave të shpallur në kërkim është edhe ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, Seid Çikalleshi, i cili është edhe vjehrri i ish-kryetarit të PS-së në qytet, Gentian Daja. Ai ka qenë drejtori i Hipotekës së Kavajës, ndërsa tani mban postin e drejtorit të Ujësjellësit të Kavajës. Për të tashmë është lëshuar edhe një urdhër-arresti, ndërsa vetë Çikalleshi nuk dihet ku ndodhet. Sipas hetimeve, vjehrri i ish-kryetarit të PS-së Kavajë, Seid Cikalleshi ka qenë në majë të këtij abuzimi me pronat publike, të cilat falsifikoheshin si toka bujqësore me pronarë të hershëm dhe më pas u shiteshin në mënyrë të jashtëligjshme disa personave që do t’i shfrytëzonin.
Hetimet dhe arrestimet e 10 zyrtarëve
Arrestimi, ndalimi dhe procedimi i këtyre personave, është bërë për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, “Falsifikimit të Dokumenteve” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim.
Zyrtarët e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën, kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë ndryshimin e zërit kadastral për një sipërfaqe prej 36 hektare tokë në vijën bregdetare Spille Kavajë.
Në parcelat me numër pasurie 1, 35, 37, 178, duke e tjetërsuar nga “Tokë pa frut” në tokë “Arë”, dhe më pas kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundraligjshme të kësaj sipërfaqe toke, në interes të tyre dhe personave të tjerë.
Gjatë hetimeve paraprake, dokumentohet bashkëpunimi kriminal midis ish-punonjësve të Komunës Kryevidh, dhe punonjësve të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë.
Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë krijuar në mënyrë fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2013-2016 dhe kanë realizuar tjetërsimin dhe ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore.
Të arrestuarit Dashnor Çullhaj iu gjetën dhe sekuestruan 37 çertifikata pronësie, 14 kontrata shitblerje pasurie toke, 6 prokura të posaçme, akt i pjestimit vullnetar të pronësisë, shkresa origjinale për drejtorinë e pyjeve.
Të arrestuarit Behxhet Pjeci ju gjetën 7 plane rilevimi, disa kërkesa për regjistrim prone, 3 praktika regjistrim prone, disa AMTP etj.
Të arrestuarit Ilir Kaja në bagazhin e makinës private ju gjetën gjatë kontrollit 8 praktika për institucionet shtetërore, 6 harta topografike të Spilles, një plan rilevimi etj.
Dritan Kazazit ju gjetën në banesë 23 AMTP, 1 kartelë pasurie dhe 5 kontrata shitblerje pasurish.
Këto dokumente të sekuestruara lidhen me sipërfaqen e tjetërsuar nga tokë shtet në tokë arë.
Ky grup kriminal, për arritjen e qëllimit, ka vepruar në këtë mënyrë:
• Përpara se të përpilonin çertifikatat e pronësisë, fillimisht identifikonin banorët e mirëbesuar, të cilët do të përfitonin padrejtësisht tokën.
Më pas, identifikohej blerësi dhe bëhej regjistrimi i menjëhershëm në hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë.
Këto akte në shumicën e rasteve, kryheshin pa u vënë në dijeni banorët në emrat e të cilëve përpiloheshin dokumentat e pronësisë.
• Shtetasi Ilir Kaja me detyrë Agronom i Komunës Kryevidh dhe ish-kryetarët e komunave, Fatos Kaja dhe Bexhet Pjeçi, duke patur dijeni mbi gjendjen faktike të tokës pa frut shtetërore, kanë organizuar fiktivisht komisione të ndarjes së tokës në mënyrë të jashtëligjshme dhe kanë plotësuar fiktivisht AMTP, në emër të banorëve, duke u firmosur nga anëtarët e komisioneve si, Agron Xhelezi, Nezir Leçini, Dashnor Çullhaj dhe Bajram Dorzi, etj.
Komisionet fiktive të ngritura në kundërshtim me ligjin vepronin:
• Përpilonin Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP-t) të falsifikuara sikur kjo tokë ishte ndarë që në vitin 2000-2003 dhe i dërgonin në ZVRPP Kavajë.
• Përpilonin dhe plotësonin listat fiktive me AMTP-të, sikur ishin plotësuar gjatë viteve 2000-2003, kur aplikohej Ligji 7501.
• Bënin pagesat bankare në emër të personave që do të përfitonin tokën.
Pas dërgimit të AMTP-ve në ZVRPP Kavajë, regjistruesi S.C., hartografi Dritan Kazazi, juristi Andi Gjeci dhe protokollistja A. Gj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprimet e kundraligjshme në regjistrimin e pasurive nga tokë shtetërore në tokë arë, në dëm të interesave të shtetit.
Të gjitha veprimet e kundraligjshme janë ndjekur vazhdimisht nga regjistruesi S.C., si protokollimi i shkresave të ish-Komunës Kryevidh në ZVRPP Kavajë, dërgimi i shkresave fiktive në Këshillin e Qarkut, protokollimi i përgjigjeve fiktive të ardhur nga Këshillit të Qarkut në ZVRPP Kavajë.
Regjistruesi në ZVRPP Kavajë, mbi bazën e këtyre shkresave fiktive ka urdhëruar regjistrimin e pronave të sipërpërmendura në mënyrë të jashtëligjshme.
Nga ky regjistrim abuziv, kanë përfituar tokë të paktën 108 shtetas të ndryshëm, një pjesë e të cilëve as nuk kanë dijeni se kanë marrë tokë, dhe nuk kanë bërë asnjë kontratë shitje.
Ndryshimi i zërit kadastral dhe ndarja e tokës është bërë në kundërshtim të plotë me:
• Ligjin Nr. 7501 të vitit 1991 “Për ndarjen e tokave”, pasi janë pajisur me tokë banorë që nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesëtarë të ish-Komunës Kryevidh.
• Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.230, datë 22.7.1991 “Për krijimin e komisioneve të tokave”, pasi janë ngritur komisionet e ndarjeve të tokës dhe kanë ndarë tokë, jashtë juridiksionit që ata mbulonin.
• Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 255, datë 2.8.1991 “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”, pasi janë pajisur me tokë shtetërore në bregdet përveç kryefamiljarëve dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.
Policia e Shtetit vijon punën për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë, e në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë falas në numrat 112 dhe 129, kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Emrat e përfshirë në skemën mashtruese
Të afërm të Elvis Roshit (ish-kreu i Bashkisë Kavajë)
4300 m2
Hide Ismail Elmadhi
Azem Selman Rrroshi (Babai i Elvisit)
Nasije Abdulla Rroshi
Renato Abdyl Kodra
4200 m2
Xhemile Mersin Çullhaj
Elton Hamdi Rroshi
2400 m2
Xhemal Kasem Hoxha
Shpëtim Ferhat Kaja
Shqipe Ymer Kaja
Servete Ferhat Rroshi
Mustafa Selman Rroshi
Të afërm të Gentian Dajës (ish-kryetari i PS për Kavajën)
4300 m2
Fatmir Muharrem Daja
Të afërm të Fatos Kajës (nënprefekt i Tiranës)
2300 m2
Reshit Nezir Kaja
4100 m2
Kaje Rustem Kaja
Shaban Ndrilli
Lule Ndrilli
Shkëlqim Guma
Pranvera Guma
Irisa Shkëlqim Guma
Nefsa Selman Berberi
2500 m2
Florin Kaja
500 m2
Dyzena Kaja
3800 m2
Durim Kaja
Shaban Ibrahim Ndrilli
Lule Isat Ndrilli
2400 m2
Xhemal Kasem Hoxha
Shpëtim Ferhat Kaja
Shqipe Ymer Kaja
Servete Ferhat Rroshi
Mustafa Selman Rroshi
1150 m2
Nevruz Kaja
Shkëlqim Liman Gjoni
Subjekti : “Ë…G…”
1000 m2
Vlash Dhori Prnci
Marjus Nazmi Kaja
Çelik Behxhet Pjeci
3040 m2
Nazmi Kadri Kaja
Arkida Besnik Gjihani
Dritan Nazmi Kaja
Freskida Fatmir Hysaj
2080 m2
Fatos Nazmi Kaja
Armand Ymer Xhafa
3050 m2
Marius Nazmi Kaja
Dyzene Hamdi Kaja
Nazmi Kadri Kaja
Aqif Ramazan Lusha
Ledio Rrolamnd Lusha
Aqif Rroland Lusha
2535 m2
Arben Nazmi Kaja
Fluriena Gjoni
2025 m2
Lorenc Nazmi Kaja
Qemal Latif Çelislami
Zeliha Ramazan Çelislami
Luan Qemal Haka
Hasan Haxhi Mazari
2000 m2
Semiha Remzi Kaja
Kleanthi Sokrat Manastirliu
2500 m2
Hekuran Abdyl Kaja
Muharrem Ramazan Kollçaku
Vesel Beu
Mynyr Rrapush Beu
Agim Rrapush Beu
Manushaqe Zyber Gjoci
Luan Ramzan Lushka
500 m2
Mario Arben Kaja
Agron Shyqyri Xhelezi
Armando Osman Haka
Valbona Petrit Haka
2500 m2
Hekuran Kaja
300 m2
Hekuran Kaja
Adrian Tahir Kadiu
Bledar Azem Habili
Zenel Fadil Dulla
Neriman Fatbardh Dulla
1000 m2
Hekuran Kaja
Isuf Bajram Bulku
1200 m2
Hekuran Kaja
Zamir Skënder Rosa
SHOQERIA ‘sh…” SHPK
1000 m2
Astrit Nazmi Kaja
Haziz Fezi Buci
Vjollca Daut Buci
2400 m2
Arben Nazmi Kaja
Manushaqe Hatem Roci
Shaziman Zyhdi Hoxha
Fluriena Halil Gjoni
Elsa Shefqet Spahiu
Subjekt UA…. shpk
2400 m2
Pranvera Kaja
2400 m2
Reshit Nezir Kaja
PJECI
4900 m2
Mereme Mustafa Pjeci
3260 m2
Makbule Bisha Pjeci
Elton Viktor Rrapi
Romina Mexhit Rrapi
Gezim Jonuz Çeka
Sajmir Nezir Leçini
1000 m2
Vlash Dhori Prnci
Marjus Nazmi Kaja
Çelik Behxhet Pjeci
2000 m2
Behxhet Pjeci
1000 m2
Lindita Pjeci
2560 m2
Behxhet Kasem Pjeci
Artur Athanas Ziu
Freskida Fatmir Hysaj
4000 m2
Kasem Sulejman Pjeci
Shkelqim Xhavit Bernaca
Durim Xhavit Bernaca
Julian Medi Dyrmishi
Bledi Xhavit Hoxha
LECINI
500 m2
Jolanda Tafa
Defrim Lecini
Admirim Sulejman Ferra
800 m2
Reshat Elmadhi
Fatbardha Qerim Lecini
Elisabeta Rexhep Dyrmishi
Mexhit Çanaku
Bakushe Çanaku
3800 m2
Myslim Ramiz Elmadhi
Nezir Isat Lecini
Fatbardha Qerim Lecini
Blerim Skënder Rosa
Në Serbi lihen të lirë autorët e djegies së ambasadës amerikane
Një gjykatë në Serbi i dënoi katër veta me kusht dhe la të lirë tre të tjerë, që akuzoheshin se i kishin vënë zjarrin ambasadës amerikane në Beograd, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Tre nga të akuzuarit, Dejan Vuçkoviç, Dragan Marinkov dhe Marko Novitoviç, u dënuan me nga gjashtë muaj heqje lirie më kusht për dy vjet, ndërsa Milan Tomash, u dënua me pesë muaj heqje lirie.
Aktgjykimi i sotëm pasoi rikthimin e çështjes në rigjykim, pasi që në shtator të vitit 2015, shtatë veta qenë dënuar me nga 5 deri në dhjetë muaj heqje lirie. Në nëntor të vitit 2016, Gjykata e Apelit në Beograd vendosi rigjykimin.
Një person kishte humbur jetën, kur ambasada amerikane dhe disa ambasada të tjera perëndimore u sulmuan nga grupe protestuesish që hodhën gurë e mjete të tjera të forta dhe i vunë zjarrin ambasadës amerikane në shenjë kundërshtimi ndaj mbështetjes perëndimore ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall më 17 shkurt të vitit 2008.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.
Ende nuk ka pasur ndonjë reagim ndaj vendimit të sotëm të gjykatës serbe, por diplomatët amerikanë kanë kërkuar vazhdimisht nga Beogradi që të vërë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin mbi ambasadën amerikane.
Ambasada amerikane në Beograd: Vendim vështirë i kuptueshëm”
Ambasada amerikane në Beograd, tha se është “vështirë e kuptueshme se janë dashur nëntë vjet për të arritur tek një aktgjykim në një rast që lidhet me dëme prej gati gjysmë milioni dollarësh dhe me vdekjen e një njeriu dhe që përfundimi është se asnjëri nga shtatë të akuzuarit, katër prej të cilëve në prani të përfaqësuesve ligjor pranuan se kanë marrë pjesë në veprimet serioze, nuk mori dënim me burg”.
Në një komunikatë dërguar mediave në Serbi, ambasada thekson se sipas së drejtës ndërkombëtare, vendi mikpritës është përgjegjës për mbrojtjen e përfaqësive diplomatike, ndërsa policia serbe në vitin 2008 ishte tërhequr nga vendqëndrimet e zakonshme në afërsi të ambasadës amerikane, vetëm pak çaste para sulmit.
Diplomatët amerikanë kanë kërkuar vazhdimisht nga Beogradi, që të vërë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin mbi ambasadën amerikane.
Prokurori i SHBA, Sessions: Nuk gënjej për Trump me Rusinë

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Jeff Sessions hodhi poshtë të martën akuzat se ai kishte gënjyer ligjvënësit gjatë një dëshmie të mëparshme, në të cilën kishte thënë se nuk kishte dijeni për ndonjë kontakt mes ekipit zgjedhor të zotit Donald Trump dhe operativëve rusë vitin e kaluar.
Zoti Sessions i tha Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve, se nuk i kujtohej një takim i vitit 2016 me ndihmësin e fushatës Trump, George Papadopoulos, i cili i kishte folur për kontaktet e tij me njerëz, që thoshin se mund të organizonin një takim midis zotit Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin, ndërkohë që njoftimet e medias thoshin se ishte vetë zoti Sessions që e kishte kryesuar takimin.
“Në gjithë dëshminë time, unë vetëm mund të përpiqem me sa mundem për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve tuaja ashtu siç i kuptoj dhe me aq sa më lejon kujtesa. Por nuk do t’i pranoj dhe i refuzoj akuzat se kam gënjyer ndonjëherë”, tha ai.
Që nga paraqitja e tij e fundit përpara një Komisioni të Kongresit në mes të tetorit, media njoftoi se Papadopulos ishte deklaruar fajtor në fillim të tetorit se kishte gënjyer agjentët federalë që hetonin lidhjet e fushatës Trump me Rusinë.
Në seancën e tij të konfirmimit në janar për t’u bërë prokuror i përgjithshëm, posti më i lartë i zbatimit të ligjit në SHBA, zoti Sessions tha se, ai nuk ishte në dijeni të komunikimit midis fushatës Trump dhe Rusisë, por më vonë e pranoi se ai vetë ishte takuar me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington, Sergei Kislyak.
Senati dhe përdorimi i armëve bërthamore

Komisioni i Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë hapi të martën një seancë mbi autoritetin e presidentit për të urdhëruar një sulm bërthamor kundër një vendi tjetër.
Seanca vjen ndërkohë që Presidenti Donald Trump vazhdon të shkëmbejë fyerje me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili zotëron programe të armëve bërthamore dhe raketave, të cilat kanë ecur më shpejt se sa parashikonin shumica e ekspertëve.
Për herë të parë në më shumë se katër dekada, Kongresi po shqyrton autoritetin e presidentit për të ndërmarrë luftë bërthamore. Procedurat ekzistuese kërkojnë që presidenti të konsultohet paraprakisht me udhëheqësit ushtarakë dhe civilë, por vendimi përfundimtar merret nga presidenti.
Senatori Bob Corker, padyshim kritiku më i zëshëm republikan i zotit Trump, kryeson seancën. Zoti Corker tha se një numër ligjvënësish kanë ngritur pyetje rreth procesit dhe dislokimit të arsenalit bërthamor të SHBA.
“Ky diskutim duhet të ishte bërë shumë kohë më parë”, tha zoti Corker kur njoftoi seancën.
Dy ligjvënës demokratë, Ted Lieu dhe Ed Markey, kanë paraqitur secili projektligje që do të ndalonin presidentin të urdhëronte një sulm bërthamor parandalues pa një deklaratë lufte nga Kongresi. Megjithatë, projektligjet nuk kanë përparuar në axhendën e Kongresit që kontrollohet nga republikanët.
Corker tha në një intervistë me gazetën “New York Times” se retorika e nxehtë e presidentit ndaj Koresë së Veriut mund të përshkallëzohet më tej tensionet që mund të çojnë në një luftë të tretë botërore, duke bërë që disa ekspertë të armëve bërthamore të shprehnin mbështetje për mbajtjen e seancës.
Një gjeneral në pension i Forcave Ajrore i tha Senatit se një urdhër nga Presidenti Donald Trump ose ndonjë prej pasardhësve të tij për të lëshuar armë bërthamore mund të refuzohet nga oficeri më i lartë në Komandën Strategjike amerikane, nëse ky urdhër gjykohet si i paligjshëm.
A do të largohen nga Shkupi përmendoret që irritojnë Athinën?
Përmendoret kontestuese që janë pjesë e projektit kundërthënës “Shkupi 2014”, përfshirë edhe atë të Aleksandrit të Madh në sheshin kryesor të qytetit, pritet të diskutohet nga qeveria pas një propozimi të një grupi të ekspertëve për largimin e tyre. Kreu i grupit, Mirosllav Gërçev thotë se ngritja e shumë përmendoreve është bërë në kundërshtim me Ligjin për përmendoret, ndërsa sipas tij, janë bërë edhe keqpërdorime të shumta financiare që dëshmojnë krimet e pushtetit të kaluar.
“Ne kemi propozuar që këto përmendore të çmontohen, pasi janë në kundërshtim me Ligjin për përmendoret. Tani i mbetet qeverisë që të sjellë vendimin. Pra, ne vetëm se kemi evidentuar problemet. Të gjitha këto përmendore, një njërën apo mënyrën tjetër, janë fryt i një krimi të rëndë shtetëror, i bërë nga regjimi i VMRO-DPMNE-së gjatë 11 viteve të qeverisjes me vendin. Pra, janë përmendore të krimit dhe të shkeljes të rëndë të së drejtës ligjore”, thotë Mirosllav Gërçev, udhëheq i grupit të punës për shqyrtimin e përmbajtjes së projektit “Shkupi 2014”.
Por, sipas njohësve të çështjeve politike dhe ndërkombëtare, pas nismës për largimin e disa përmendoreve kontestuese, qëndrojnë qëllime të tjera që kanë të bëjnë me zbutjen e toneve me Greqinë për çështjen e emrit.
Alajdin Demiri, ish-diplomat, ndalet te përmendorja e Aleksandrit të Madh, por edhe tek Aeroporti i Shkupit me të njëjtin emër. Ai thotë se, njoftimet gjatë ngritjes së kësaj përmendoreje janë bërë shkelje ligjore, janë vetëm se arsyetime për të larguar atë për shkak të reagimeve të vazhdueshme të Greqisë, e cila kishte akuzuar Shkupin për irredentizëm, për shkak të tendencave të vazhdueshme për të përvetësuar apo për identifikimin e maqedonasve të sotëm me maqedonasit antikë.
“Ky pushtet mundohet në mënyra të ndryshme që të zëvendësojë ose të zbusë kërkesën greke ose nevojën e brendshme me çështjet teknike se është ndërtim pa leje, vendosje pa leje, e arsye të tjera. Por, vlerësoj se këto janë arsyetime teknike për të realizuar qëllimin, i cili ka të bëjë me atë se këto gjëra apo përmendore duhet të zhbëhen për të krijuar kushte më relaksuese dhe më të afërta për bisedime lidhur me kontestin e emrit. Kjo, veç tjerash është edhe një pajtim me historinë se këta maqedonasit e sotëm me Maqedoninë Antike dhe kjo pa dyshim se do të relaksonte raportet me Greqinë”, thotë Demiri.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, gjatë vizitës të hënën në Slloveni, ka thënë se qeveria do të bëjë çmos për hapjen e një faqe të re me Greqinë, por pa përmendur çështjen e përmendoreve, që janë kritikuar në vazhdimësi nga Athina zyrtare.
“Ne do të ndërtojmë raporte miqësore me Greqinë dhe në atmosferë të tillë miqësore, unë sinqerisht besoj se mund të gjendet zgjidhje për çështjet e vështira. Kështu që Maqedonia po bën një përpjekje, e cila shpresoj se do të përcillet me synimin përfundimtar, zgjidhjen e problemit të cilin Greqia e ka me emrin tonë kushtetues”, ka thënë Zaev.
Nga VMRO-DPMNE-ja kanë kundërshtuar nismat për rrënimin e përmendoreve, ndërsa është ndalur në nismën gjatë qeverisjes së saj për të ndërtuar një përmendore të lartë të Nënës Terezës. Nga partia e Nikolla Gruevskit kanë thënë se, me “nismën për ndërprerjen e punimeve, qeverisja e LSDM-së po shkatërron figurat që përfaqësojnë etnitete të ndryshme, siç është ajo e Nënë Terezës, e cila është krenari edhe e shqiptarëve edhe e maqedonasve”.
Por, sipas analistëve ndryshimet eventuale në projektin kundërthënës “Shkupi 2014”, në veçanti ato për përmendoren e Aleksandrit të Madh, të cilin maqedonasit e llogarisin si paraardhësin e tyre dhe të Aeroportit të Shkupit me të njëjtin emër, mund të ndikojnë në masë të madhe në raportet mes dy vendeve dhe afrimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, proces ky që është bllokuar pikërisht për shkak të kontesteve të pazgjidhura me Greqinë.