18.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Paraja, simbol i vetëm i statusit social?

Nga Gëzim Tushi

Shoqëria shqiptare po kalon turbulenca të thella ekzistenciale, që kanë sjellë përmbysje apokaliptike të rregullave sociale dhe kodeve morale të dikurshme. Ajo është jo vetëm është moderne në kuptimin e mirë të fjalës, por tashmë është përfshirë nga shumë anomali sociale e fenomene që janë tipike dhe unike të postmodernitetit. Për pasojë, çfarëdo dëshirash të formulojmë apo kërkesa utopike të ëndërrojmë, shoqëria dhe jeta e njerëzve tanë është e mbërthyer dhe nuk mund të dalë nga traseja deterministe e ekonomisë së tregut dhe idolatrizimi i paimagjinueshëm i rolit, veçanërisht të rëndësishëm të parasë në jetën sociale dhe ndikimin e saj në ndërtimin e “statusit individual” të njeriut.

Është vetë natyra kompozicionale dhe funksionale e botës moderne, që ka në qendër të saj dhe vlerëson si prioritare, të gjitha marrëdhëniet që lidhen me paranë, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Tani në krahasim me shoqërinë e kaluar kolektiviste dhe “armiqësore me paranë”, gjërat kanë ndryshuar në favor të individualizmit dhe parasë, të cilat kanë prekur themelet e rendit moral dhe social të shoqërisë shqiptare. Ky realitet që është bërë dukuri universale, tashmë është i shfaqur “lakuriq” me të tërë gamën e plotë dhe diapazonin bashkëshoqërues të problemeve dhe pasojave, të natyrshme dhe të kundër natyrshme. Nuk duhet të jesh në rregull nga mendtë, ose duhet të jesh plotësisht jashtë realitetit, që të mos kuptosh realitetin e shfaqur në mënyrë banale të omnipotencës së parasë, të mos diktosh rolin e veçantë të saj në jetën e shoqërisë, në mënyrën e jetesës së njerëzve tanë.

Patjetër, ne pak kohë kemi që jemi përzier me “botën e parasë” dhe mbase nuk jemi deri në fund të qartë dhe të qetë për këtë fuqi gati “të mbinatyrshme” të saj në shfaqjen e problematikave të reja sociale në shoqërinë tonë. Asnjëherë në historinë e shoqërisë sonë, paraja nuk ka qenë në këtë apogje të vlerësimit pa kushte të fuqisë sociale të saj, në këtë sundim të përgjithshëm social si forcë gati e vetme, determinuese përballë të gjitha vlerave dhe fuqive të tjera. Askush nuk mund të ndihet i izoluar apo i shkëputur nga fuqia determinante e parasë dhe presionet e ekonomisë së tregut. Madje, deri në nivelin e frikshëm, kur sikurse po duket në shoqërinë shqiptare ka filluar të shfaqet sindroma e “sigurimit të simboleve të caktuara të statusit” politik, intelektual e social përmes ndërmjetësimit të parasë. Por sipas mendimit tim, nëse vlerësojmë me realizëm atë që po ndodh në terrenin social të shoqërisë shqiptare, të duket se paraja nga pikëpamja e “fuqisë instrumentale” nuk është më në pozitë të barabartë me forcën e pushtetit.

Pavarësisht disa defekteve që kemi si shoqëri apo të anomalive politike, që bëhen shkak që ende e bëjnë pushtetin me ca fuqi të tepërt, që më shumë se “ligj i kohës” është anomali e demokracisë shqiptare, nga ana tjetër duket qartë se “forca instrumentale” e parasë është më e madhe edhe se ajo e pushtetit. Kjo do të thotë që realitetin duhet ta shikojmë pak më ndryshe nga optika tradicionale e paritetit të barabartë të pushtetit dhe parasë. Duket se është në pozitë kritike formula që e bënte të pranueshme “ekuacionin tradicional” të pushtetit dhe parasë, sipas lidhjes klasike deterministe që “pushteti sjell para dhe paraja të jep pushtet”. Ne jetojmë në një shoqëri moderne, e cila ka rregullat dhe logjikën e saj funksionuese, në qendër të së cilës, duam apo nuk duam, është paraja si masë e vlerës, statusit, suksesit, dështimit, performancës pozitive apo e skarcitetit profesional. Sepse fuqia e parasë në shoqëri është bërë pothuaj “forcë më vete” e pavarur nga realiteti, madje ajo është në pozitë shumë të privilegjuar. Filozofi i kohës sonë, Jurgen Habermas, e konsideron paranë si “levë drejtuese” e ekonomisë, administratës dhe institucioneve të saj.

Por nuk mund të mos shikojmë që sundimi i parasë, konsiderimi saj si masë e vetme për të gjitha vlerat e njeriut, po krijon probleme sociale të thella, po sjell dukuri që janë jashtë orientimit dhe “kontrollit” të shoqërisë. Të gjithë filozofët dhe sociologët e modernitetit janë të shqetësuar, përpiqen të analizojnë situatën, të japin rekomandime sociale rregullatore, edhe pse e ndiejnë veten të pafuqishëm të ndikojnë në këtë agresion omnipotent të fuqisë kolosale dhe pushtetit të papërballueshëm të parasë mbi njeriun. Ndikimi kontradiktor i saj ka bërë që të hapen “hulli të thella në sipërfaqen e jetës shoqërore”. (Habermas). Natyrisht, nuk mund të mohohet fakti që paraja është bërë “ideal i përgjithshëm” i të gjithë njerëzve. Do të ishim të pavërtetë, nëse do të themi se ka në kohën tonë njerëz, që nuk e kanë të përqendruar vëmendjen te paraja, te realizimi me çdo kusht i qëllimeve financiare.

Dominimi gati absolut i parasë është një realitet që, me sa duket, nuk mund të frenohet në ekspansionin e vet të pandalshëm Madje, dimensionet e forcës dhe fuqisë së parasë duken “të përbindshme”. Siç po tregon realiteti, “beteja për para” që po udhëheq individualisht njeriun e ka bërë atë kaq të mbyllur e të izoluar nga të tjerët, saqë mund të thuhet se është fare e vështirë që të themi se në këtë shoqëri, përveç betejës për të siguruar para, do mund të ketë edhe hapësirë të mjaftueshme për “mirëkuptim dhe konsensus” njerëzor jashtë lidhjes dhe pavarësisht “botës së parasë”. Ajo e ka kapur edhe shoqërinë tonë “për fyti”. Fuqia e saj është shtrirë pa asnjë kufizim cep më cep të saj. Është e vështirë sot të kërkosh që shoqëria të jetë sociale, humane apo e virtytit. Paraja i ka “thyer në mes”, madje i ka dërrmuar jo vetëm këto, por tërë sistemin e vlerave që në të kaluarën kanë qenë shumë të pavarura nga paraja, apo që nuk kanë qarkulluar patjetër dhe domosdoshmërish nëpër “kanalet” e bardha e të zeza të saj. Shoqëria e vjetër ka marrë fund në thelbin e saj tradicionalist dhe në marrëdhëniet e kontrolluara e të disiplinuara me paranë, sepse gjithnjë e më shumë “tërmeti parasë” i ka shkërmoqur paradigmat e vjetra të shoqërisë së solidaritetit egalitarist, kornizat e asaj shoqërie që funksiononte pothuaj jashtë parasë (në kuptimin që ka sot).

Paraja ka sjellë paradigma të reja sociale e morale zëvendësuese, bazuar te “shoqëria e lakmisë”, e njeriut që gjithnjë e më shumë është me thelb egoist, individualist dhe lakmitar. Pushteti i parasë dhe “vrima e zezë” e egoizmit, lakmisë për para e pasuri, ka marrë nën zotërim të gjitha vlerat, kënaqësitë, masën e vlerësimeve humane dhe kënaqësisë njerëzore. Njerëzit janë dhënë së tepërmi pas saj, pse kënaqësia materiale është bërë qëllimi më i parë dhe më kryesor i jetës. Shoqëria është mbështjellë në “guaskën e materialitetit”, duke reduktuar tërë dimensionin e jetës njerëzore, në dispozicion të “shoqërisë së qejfit” dhe jetës së vënë tërësisht në dispozicion të kënaqësive personale, pa asnjë kontroll moral mbi të. Kjo situatë e ka zgjeruar epideminë dhe pandeminë e parasë, madje deri në nivele ekscentrike maksimale. Epidemia e parasë është produkt i faktit që në shoqërinë shqiptare është ulur këmbëkryq koncepti reduksionist i mirëqenies, i reduktuar tashmë totalisht vetëm në themelin e materialitetit të saj.

Padyshim, anët e mira të ideologjisë, filozofisë dhe mentalitetit të parasë si “masë e suksesit” dhe tregues i vlerësimit të “vitalitetit të njeriut” në treg, nuk mund të shërbejnë si maskë për të mbuluar anët e errëta të saj. Pas epidemisë së parasë po fshihen shumë plagë të rënda sociale të shoqërisë sonë, të shoqëruara me shumë deformime strukturore dhe sociale, prishje të thella të sistemit të vlerave, që pambarimisht në kohën e sotme nëpërkëmben nga tregu apo që nuk vlerësohen nga kanalet e saj, për shkak të mungesës së materialitetit të tyre të drejtpërdrejtë dhe imediat. Kjo ka bërë që të ndodhemi në atë situatë që, siç thotë filozofi spanjoll Ramoneda, “…në atë vërshim paturpësie që vë në lëvizje paraja, gjithçka banalizohet”. (Joseph Ramoneda, “Fundi i pasionit politik”, f. 85)

Jetojmë në një epokë në të cilën njeriu jeton përballë dhe bashkë me paradoksin e parasë, e cila në vend që t’i shërbejë, po e nënshtron, e “shtyp” me peshën e saj të madhe. Nuk ka dyshim që tashmë po bëhet ide sunduese, logjikë dominante, logjika e parasë, madje deri në atë dimension pushteti mbi njeriun, siç thotë filozofi Emmanuel Mounier, “që e nënshtron në vend që t’i shërbejë”. Por, fuqia e parasë në kohën tonë ka kaluar çdo kufi të arsyeshëm, sepse ajo është bërë i vetmi mjet universal që krijon, mundëson dhe ndërmjetëson realizimin e ndjenjave të kënaqësisë si e tillë. Në të vërtetë filozofët dhe njerëzit e mençur të kohëve të tjera, kanë qenë të sinqertë me veten dhe shoqërinë e tyre kur kanë thënë se paraja nga njëra anë është “ndërmjetësues i kënaqësive”, por që, sipas tyre, ajo nuk të sjell lumturinë, por ama është e sigurt se të ndihmon që ta arrish atë më lehtë. Në kohën tonë kënaqësitë kanë marrë karakter të deformuar, sepse shumica e njerëzve kanë mendimin materialist për kënaqësinë, e cila konsiderohet si “ngopje e dëshirës”.

E vetmja gjë që po bëhet dëshirë sunduese për të gjithë njerëzit që kanë mundësi, është vetëm zotërimi dhe akumulimi i parasë. Pa dyshim, askush nuk mund të mohojë vlerën universale të parasë në çdo shoqëri, veçanërisht në atë që është tërësisht e orientuar dhe e vendosur në binarët e ekonomisë së tregut. Është e vërtetë që pa para njeriu nuk realizon dot shumicën e nevojave, sidomos të atyre që janë me karakter material, që realizohen vetëm nëpërmjet tregut. Për fat të keq, duket se asgjë tjetër nuk ndiqet me më shumë pasion se sa paraja. Shoqëria është vënë në trekëndëshin “fatal” para, konsum, seks. Por të gjithë jemi dëshmitarë okularë dhe shoqërisht të shqetësuar, që paraja po shoqërohet me nihilimin dhe mungesën e vlerave, të cilat pavarësisht parasë, konsumit apo mirëqenies, po e bëjnë shoqërinë “sterile”. Obsedimi i “verbër” pas parasë, kthimi në qëllimin e vetëm të jetës, po bëhet sëmundje sociale e përhapur në shoqëri, e cila nën presionin e vetëm të parasë, ka filluar të neglizhojë, mohojë dhe ndërrojë vlerat morale, si “gomat e vjetra të një makine.

“Partia Demokratike kuptohet se ka rënë pre e lidershipit të vjetër”/ Berisha e la Shqipërinë pa opozitë

Nga Spartak Ngjela

Një vend apo shtet që drejtohet politikisht dhe pushteti politik vendoset nga vota e lirë, nëse nuk ka opozitë, ky shtet, në thelbin e tij teoriko-praktik, është diktaturë.

Sot në Shqipëri nuk ka opozitë.

Atëherë, pse nuk ka një opozitë dhe ku realisht jemi, në cilën situatë politike po ndodhet sot Shqipëria?

I.

Për këtë çështje, pyetjet që mund të ngrihen janë këto:

Pse sot në Shqipëri nuk ka një opozitë politike me personalitet shoqëror?

Po personaliteti shoqëror, çfarë është?

Pse e ka humbur personalitetin shoqëror sot opozita shqiptare?

Humbja e personalitetit shoqëror të Partisë Demokratike është paaftësi e lidershipit, është një konflikt i brendshëm në luftën për kreun e partisë, apo është një mospranim shoqëror që ia ka bërë PD-së elektorati shqiptar?

Të gjitha këto duhet të trajtohen me objektivitet nga vetë Partia Demokratike, sepse kriza e kësaj partie ka sjellë një impakt negativ dhe dëshpërim në opinionin publik dhe politik në Shqipëri.

II.

Gjendja politike sot në Shqipëri është një stanjacion historik, dhe kjo gjendje po e dëmton shumë perspektivën shoqërore të gjithë shoqërisë shqiptare, edhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Kjo vjen sepse tani në Shqipëri prej rreth 10 vitesh po drejton një parti e vetme.

Si pasojë e kësaj…

Zhvillimi i shoqërisë shqiptare ka ngrirë, sepse një parti e vetme që nuk sheh asnjë rrezik për ta humbur pushtetin, psikologjikisht krijon një monotoni në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik kombëtar. Kjo ndodh, sepse lidershipi i kësaj partie nuk i pranon idetë e reja, dhe ekonomia kombëtare hyn në një gjendje që nuk i përgjigjet dot zhvillimit.

Asnjë zhvillim të ri nuk ka sot në Shqipëri, sepse zhvillimi filozofikisht është lufta e të kundërtave, dhe kur të kundërtat nuk janë në luftë, zhvillimi në atë shoqëri ka ngrirë.

Ja, këtu jemi.

III.

Po cila është arsyeja e mpirjes politike të Partisë Demokratike?

Partia Demokratike kuptohet se ka rënë pre e lidershipit të vjetër. Lidership i vjetruar konceptualisht i një partie është ai lidership i cili, pasi ka pasur suksese të mëdha në një shoqëri, vjen një kohë historike që ky lidership, nga një burim suksesi, si pasojë e rënies së tij në opinionin publik, kthehet në një burim regresi.

Partia Demokratike ka humbur tre zgjedhje politike rresht. Është shumë kjo për psikologjinë shoqërore.

Atëherë…

Pikërisht kjo është gjendja që konstatohet në Partinë Demokratike.

Nuk ka zhvillim të brendshëm, por vetëm monotoni.

Kjo që konstatohet është monotoni politike e një partie që lufton për pushtet politik në një proces zgjedhor. Por kjo monotoni reflekton drejtpërsëdrejti në opinionin publik, dhe sigurisht edhe në përkrahjen shoqërore, por, mbi të gjitha, influencon negativisht edhe në funksion të zhvillimit kombëtar.

IV.

Po pse ndodh kjo gjendje politike e një partie në zhvillimin e saj të brendshëm?

Ky është një fenomen i njohur në politikën moderne në lidhje me partitë politike. Kurse monotonia politike e një partie të madhe vjen si pasojë e mungesës së ideve të reja, dhe është i njëjti zë individi që flet pareshtur, por duke përsëritur vetveten.

Në thelb fjala monoton ka ardhur nga greqishtja e vjetër ( mono-tonos) për zërin e një këngëtari që nuk ndryshon në tonalitet dhe është gjithmonë i njëjti;  por ky koncept tani shtrihet edhe tek idetë apo fjalimet politike, kur këto janë gjithmonë të njëjtat.

E pra, si pasojë e krizës së lidershipit të Partisë Demokratike, gjendja shoqërore në Shqipëri është në staniacion. Kjo sepse, për të gjitha ato që thamë, Partia Socialiste e ndien veten të sigurt dhe, për pasojë, ka ndaluar zhvillimin. Sigurisht që kjo historikisht quhet monotoni historike në zhvillimin e një vendi.

Pse?

Sepse PS sot është e sigurt që nuk ka ende një opozitë që ta rrezikojë në pushtetin e saj, edhe në të katër vitet e tjerë që do vijnë nga zgjedhjet politike që po priten.

Ja, kjo është sot detyra historike e Partisë Demokratike: ajo duhet ta shpëtojë shoqërinë shqiptare nga monotonia socialiste.

Dhe nuk duhet të harrojmë se Partia Socialiste e Shqipërisë vjen drejtpërsëdrejti nga Partia e Punës së Shqipërisë, e cila monotoninë e saj e kishte ngarkesë ideore të drejtimit shoqëror, duke thënë në 45 vite resht të njëjtat ide ekonomike, politike dhe ideologjike njëherësh.

Dhe kjo lloj praktike në politikë dhe në zhvillimin e një shteti, quhet staniacion – domethënë një mbetje në vend.

Ura pasarelë e Vodicës e amortizuar, banorët braktisin fshatin: Nuk jetohet në izolim

Fshati Vodicë i Bashkisë së Selenicës është duke u shpopulluar për shkak të urës së amortizuar që lidh këtë fshat. Ura tip pasarelë e cila ka më shumë se 44 vite që është ndërtuar për të lidhur banorët e fshatit Vodicë me pjesën tjetër të komunës Kotë, është amortizuar duke rrezikuar banorët që kalojnë mbi të.

Kavot mbajtëse të urës janë ndryshkur nga koha, pjesa poshtë , llamarinat po ashtu, dërrasat e kalbura janë rreziku i përditshëm i banorve.

Fiks Fare transmetoi 1 javë më parë pamjet e gjendjes aktuale të kësaj ure. Bashkia ndërhyri duke çuar 40 copë dërrasa ,por gozhdët e tyre rrezikojnë t’u çajnë gomat e makinave banorëve.

Dikur fshati ka patur 180 banorë, ndërsa sot jetojnë rreth 80 banorë. Ura pasarelë është ndërtuar në vitin 1976 nga një banor i cili nuk ka qenë specialist dhe e ka bërë në mënyrë amatore, dhe banorët ankohen se nuk është vënë dorë fare për rregullimin e saj. Edhe ndërhyrja më e fundit e bashkisë me dërrasat që u kanë dalë gozhdët nuk ka dhënë zgjidhje për banorët. Ata tregojnë se janë ankuar në Bashkinë Selenicë ku prej saj kanë marrë si përgjigje që është miratuar fondi dhe ura do u bëhet e re ” se kur nuk dimë gjë” pohojnë banorët.

Fillimisht kjo urë pasarelë është ndërtuar me qëllimin e kalimit të këmbësorëve dhe kafshëve të punës dhe ka pasur një gjerësi prej 120 cm. Diku nga vitet 1992-1993 ura u zgjerua në 180 cm për të bërë të mundur dhe kalimin e makinave të vogla. Banorët thonë se këto i kanë bërë vetë dhe mirëmbajtjen po ashtu. Por kavot e urës kërkojnë grasatim çdo vit gjë e cila për banorët është e pamundur.

Pas ankesës së banorëve Fiksi iu drejtua Bashkisë Selenicë për problemin e urës pasarelë. Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Selenicë thotë se janë në dijeni të problematikës madje kanë edhe një projekt për të dhe shpresojnë të shpallen fitues për implementimin e tij. “Është hapur një thirrje nga Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe jemi duke hartuar një projekt, për të ndërtuar një urë të re, një urë monolite. Inshallah, na shpallin fitues që ky problem të zgjidhet” përfundon drejtori.

Me indiferentizmin tonë po “vrasim” politikën!

Nga Alban Daci

Dikur politika konsiderohej si aktiviteti i më të aftëve, të urtëve dhe të fortëve, që këto cilësi të dhëna nga natyra dhe rrethanat sociale i konsideronin si potenciale e përgjegjësi edhe për ata që ishin më të dobët, më pak të aftë dhe me shumë agresivë. Pra, cilësitë e mira dhe dalluese individuale ishin jo për t’i përdorur për dominim ndaj shumicës, por si përgjegjësi që kjo pakicë me këto cilësi të mira individuale vendosej në interesin e “publikes” ose të asaj që ishte e përbashkët.

Nëse dikush ishte më i fortë, më i zoti apo më i urtë për shkak të natyrës apo rrethanave sociale, ai duhet t’i vendoste këto cilësi në shërbim për të mbrojtur ata që ishin më të dobët, më pak të mbrojtur dhe me rrethana sociale më të rrezikuara. Të paktën ky ishte kuptimi fillestar i politikës.

Gjërat kanë ndryshuar me komplikimin e realiteteve sociale, qoftë nga dimensioni apo nga kompleksi i rrethanave. Lindja e partive të masave ose koncepti i “masës”, bëri që të ndryshonte edhe koncepti i politikës. Bërja e mundur e votimit të “sufraxhit universal”, u zgjerua pjesëmarrja e qytetarëve në jetën politike, qoftë përmes votës, por edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë si aktor politik falë edhe revolucionit të dytë industrial, duke krijuar kështu mundësinë e grumbullimit të shumë personave (punëtorëve) në një fabrikë të vetme e kështu u rrit ndjeshmëria për të mbrojtur ose për të avancuar një optikë më të gjerë të mbrojtjes të drejtave e lirive themelore të njeriut që lidheshin kryesisht me kushtet e punës, oraret dhe pagesat.

Me konceptin e ri të “masës” të organizimit social, lindën partitë klasike të quajtur të “masave” që ishin të lidhura ngushtë me ideologjinë, qoftë të Majtën (socializmi/komunizmi), por edhe të Djathtën si një tentativë për të konservuar disa status quo sociale me privilegje të krijuar në disa gjenerata si rezultat i avancimit të revolucionit industria lindën edhe populizmat e parë dhe lider populist. Fjalë realitetit të rë masave, çdo demagog mjafton të merrte fjalën në një fabrikë ose në një bar dhe kishte menjëherë përballë qindra e pse jo mira fansa. Ky model i ri social me bumin e zhvillimit urban që falë revolucionit industrial u krijuan qytete nga zeroja, nuk kishte nevojë për të bërë kilometra në këmbë nëpër fshatra edhe me pak shpi për të gjetur votues apo mbështetës politike.

Sigurisht Lufta e I dhe II ishin dy eksperienca katastrofale dhe pasojat e para të liderëve populist që dolën në skenë për shkak të pasojave dhe ndryshimeve të menjëhershme sociale që solli revolucioni industrial duke krijuar tronditje sociale që shpejt dolën jashtë kontureve të vetëkontrollit. Periudha e Luftës së Ftohtë u karakterizua nga një status quo e qartë, sepse ideologjitë kishin arritur formën e tyre maksimale të pjekurisë, kishin kufijtë e tyre dhe dominimet e tyre dhe u bo njëfarë “pakti social” për një paqe të qëndrueshme sociale. Kjo lidhet edhe me periudhën që karakterizohet nga një klasë politike që nuk ishte pjesë e populizmit, sepse ishte rezultat i një faze pjekurie të forcave populiste që kishin nisur në fillim të viteve nëntëqind.

Kjo mund të konsiderohet edhe periudhave e liderëve të mëdhenj që vinin nga vinin nga shkolla të mirënjohura politike.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, “pakti social” që lidhej me këtë periudhë u prish, sepse u dëmtua njëra nga dy ideologjitë që ishte palë garantuese e pikërisht komunizmi/socializmi mori një goditje të rëndë që u finalizua me rënien e Murit të Berlinit dhe prishjen e Bashkimit Sovjetik. Prishja e paktit social dhe zbehja e ideologjisë krijuan nevojën për një valë të re populizmit duke krijuar lider populistë me të njëjta potenciale rrezikshmëri sociale ashtu si ato të mbarimit të Luftës I Botërore dhe të II.

Kantieri më i madh i ideologjizmave dhe populzimave sigurisht që mbetet Europa për shkak se është një laborator gjigand me diversitete dhe me përplasje sociale edhe për faktin se disa faktorë lidhen me historikun e saj. Kur shikojmë lider aktual edhe në vendin tonë, por edhe në shumë vende të Europës që duke i krahasuar me ato që ishin gjatë Luftës së Ftohtë na vjen natyrshëm pyetja: Çfarë mëkatesh kemi bërë që duhet të identifikohemi me këta? Rritja e kohezionit social, rënia e mureve mes vendeve të BE, rritja e kualifikimit dhe mundësitë më të mëdha të tregut të punës ka bërë që njerëzit e kualifikuar dhe profesionistët të largohen nga politika e shpesh të kenë edhe një antipati ndaj angazhimit politik.

Ky boshllëk i krijuar nga largimi i dëshirës për tu angazhuar nga “intelektualët”, kriza e ideologjisë, konsumimi i elitave klasike si pasojë edhe e krizës së linjës ideologjike ka që kjo hapësirë boshe të zihet menjëherë nga populistë që nuk kanë vizione të qarta, që flasin me gjuhën e qytetarëve, por që qëllim final kanë marrjen e pushtetit dhe sapo ta marrin atë ka shumë gjasa që të kthehen në një establishment të ri ndoshta më i keq se ai që kemi dhe nga ai që kemi pasur më parë.
Prandaj, të rinjtë, “intelektualët” nuk duhet ta braktisin angazhimin politik, por duhet ta konsiderojnë si përgjegjësi ndaj angazhimit publik dhe si një shërbim ndaj vendit.

Është momenti që në Shqipëri politika të bëhet aktiviteti i më “të mirëve” ose i të “mirëve” që reflektojnë nivelin mesatar shoqëror dhe aspiratën e shumicës të qytetarëve. Me antipatinë tonë ndaj politikë ose me mosinteresimin tonë ndaj saj këtë aktivitet kaq të rëndësishme që varet fatet e shoqërisë dhe të vendit po ua dhurojnë njerëzve me formim “minal” që shpesh nuk përfaqësojnë vetë veten dhe jo më të mbrojnë “publiken” apo edhe fatin e të tjerëve.

Paralajmërimi i Komisionit Europian: Mund të rikthehet kriza e çmimeve në Shqipëri

Vala e krizës së çmimeve në Shqipëri mund të rikthehet. Paralajmërimi për një jetesë edhe më të vështirë që vjen nga Komsioni Evropian në raportin e vjeshtës për ekonominë.

“Inflacioni mesatar vjetor parashikohet të jetë nën objektivin prej 3% në 2024, të rritet pak mbi të në 2025 dhe më pas të mbetet i qëndrueshëm afër objektivi i bankës së Shqipërisë”, shkruan Komisioni Evropian.

Komisioni Evropian nuk parashikon ditë të mira jo vetëm për qytetarët, por për ekonominë e vendit në përgjithësi.

Nga 3.8 për qind këtë vit, “komisioni” pret që rritja ekonomike e Shqipërisë të zbresë në 3.6 për qind në 2025-n dhe 3.5 për qind në 2026-n.

“Pas katër vitesh me ritme të larta rritjeje, zgjerimi i PBB-së pritet të zvogëlohet pasi konsumi familjar dhe ai publik mund të ngadalësohet. Kjo perspektivë diktohet nga luhatshmëritë e kursit të këmbimit, mungesa e fuqisë punëtore e rënduar nga emigracioni dhe rishfaqja e mundshme e presioneve inflacioniste”.

Në raportin e vjeshtës, Komisioni Europian parashikon se rritjen më të madhe ekonomike këtë vit në Ballkanin Perëndimor do ta kenë Serbia dhe Mali i Zi me 3.9 për qind. Rritjen më të ulët pritet ta kenë Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut me 2.3 dhe 2 për qind.

Rusia ndërpret furnizimin me gaz për Austrinë, kancelari Nehammer: Nuk mund të shantazhohemi! Ne kemi kapacitet…

Rusia e ka njoftuar Austrinë se do t’ia ndërpresë furnizimin me gazë nga 16 nëntori, që është shenjë se furnizimit me gaz rus në Evropë po i vjen fundi shpejt.

Ndërprerja e furnizimit me gaz nënkupton se Rusia tani do t’i furnizojë me sasi të mëdha gazi vetëm dy vende evropiane, Hungarinë dhe Sllovakinë. Para se ta niste pushtimin e Ukrainës më 2022, gazi rus plotësonte 40 për qind të nevojave të furnizimit me gaz në Bashkimin Evropian.

Kancelari, Karl Nehmmer, tha të premten se Austria ka alternativa të garantuara të furnizimit me karburant dhe se “askush nuk do të kete ftohte këtë dimër, asnjë shtëpi nuk do të jetë e ftohtë”.

“Magazinat tona të gazit janë të mbushura dhe ne kemi kapacitete me bollëk për të marrë gaz nga rajonet e tjera”, tha Nehammer.

“Ne nuk mund të shantazhohemi”, shtoi ai.

Austria ishte vendi i parë nga Evropa perëndimore që filloi të blinte gaz nga Bashkimi Sovjetik më 1968.

Këtë vit, ky furnizim do të marrë fund pas mospajtimeve mes kompanisë ruse ta gazit, Gazprom, dhe asaj austriake OMV.

OMV-ja njoftoi se Gazpromi ia ka bërë me dije se do ta ndalë furnizimin me gaz nga e shtuna.

Gazprom nuk e ka komentuar lajmin ende.

Austria ka qenë njëra nga vendet e pakta evropiane që vareshin akoma nga gazi rus, pasi shumica e vendeve të kontinentit i ulen importet e gazit rus pasi Moska e nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

OMV-ja tha se ka qenë duke u përgatitur për ndërprjen e pritshme të gazit rus dhe shtoi se ende mund t’i furnizojë me gaz myshterinjtë e vet përmes importit nga Gjermania, Italia dhe Holanda./REL

Braktisja e ndeshjes nga Kosova pas thirrjeve anti-shqiptare, ja kush mori vendimin për të dalë nga fusha

Ndërprerja e ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës pas thirrjeve antishqiptare dhe atyre “Serbi, Serbi:” që vinin nga tribunat, nuk erdhi me vendim nga Federata e Futbollit të Kosovës e cila zakonisht duhet të koordinonte veprime të tilla që padyshim kanë pasoja.

Në minutën e 95-të, kur nga tribuna vërshuan sharjet, ishte kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i ai cili iu drejtua gjyqtarit danez Morten Krogh, duke i komunikuar vendimin për të dalë nga fusha dhe braktisur ndeshjen.

U duk sikur Rrahmani mori këtë vendim pas një komunikimi të shkurtër me disa nga shokët e skuadrës. Por ishte ai gjithsesi lojtari më i vendosur dhe që u bëri me dorë edhe të tjerëve që të largoheshin nga fusha e lojës, mes habisë së trajnerit Franko Foda.

Të dëmshme për tretjen dhe shëndetin, dy ushqimet që nuk duhet t’i kombinoni kurrë bashkë për mëngjes

Vezët janë një nga zgjedhjet më të zakonshme për mëngjes për shkak të përmbajtjes së tyre të pasur me proteina. Megjithatë, nëse ju pëlqen të pini kafe me mëngjes, është e rëndësishme të dini se ky kombinim mund të ndikojë negativisht në trup.

Ekspertët shpjegojnë se kafeja pengon përthithjen e lëndëve ushqyese nga vezët. Përveç kësaj, kombinimi i këtyre ushqimeve mund të shkaktojë shqetësime në sistemin tretës.

Rekomandohet të pini kafe të paktën një orë pas ngrënies, raporton Huffington Post. Nëse nuk mund të bëni pa kafe gjatë mëngjesit, është e rëndësishme të pini shumë ujë për të ruajtur ekuilibrin dhe për të mbrojtur shëndetin tuaj.

Pjesëmarrja e Çuçit në ceremoninë e Universitetit të Vlorës/ Gjergji Nika: Përdorimi i universiteteve për propagandë bie në kundërshtim me ligjin

Kreu i degës së Demokratëve Euroatlantikë në Vlorë, Gjergji Nika, ka reaguar në lidhje me vizitën e drejtuesit politik të PS, Bledi Çuçi në ceremoninë e 30-vjetorit të Universitetit “Ismail Qemali.

Në një postim në facebook, Nika ka ngritur disa pyetje, duke vënë theksin tek paradoksi që një zyrtar i qeverisë mban fjalën në një Universitet publik që qeveria po e mbyll.

Gjithashtu, Nika thekson se përdorimi i universiteteve për agjitacion dhe propagandë bie në kundërshtim me ligjin dhe bën thirrje për denoncimin e kësaj praktike në organet e drejtësisë.

Postimi i plotë i Gjergji Nika:

Me çfarë tagri Drejtuesi Politik i një force të caktuar politike “përshëndet” në 30- vjetorin e krijimit të një universiteti shtetëror, të cilin qeveria e tij po e mbyll?

Me çfarë të drejte shfrytëzohen auditoret e universiteteve për kapital politik?

Në cilin nen të Kushtetutës apo ligj të Arsimit të Lartë përdoret për agjitacion dhe propagandë një institucion i depolitizuar?

Mirë që nuk dinë, por pse nuk pyesin? Apo arroganca u ka errur sytë?

Kjo situatë a nuk duhet denoncuar sipas ligjit në organet e drejtësisë?

“Nuk heqim dorë nga çështja e vulës”, Pampuri: Demokratët Euroatlantikë po përgatiten për zgjedhje

Në një intervistë të dhënë në emisionin “Ekspres” në RTSH, deputetja e Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Oriola Pampuri, theksoi se partia është e angazhuar intensivisht me qytetarët dhe strukturat e saj, duke përgatitur kandidaturat për zgjedhjet e ardhshme. Ajo nënvizoi se aktualisht po finalizohen 20-30 kandidatura për deputetë, duke shtuar se “jemi vazhdimisht në terren dhe në takime me qytetarët”.

“Ajo që vlen në këto momente, jemi shumë pak muaj para zgjedhjeve është fakti që a jeni ju pranë qytetarëve, a jeni ju në terren? Po ne jemi vazhdimisht në terren, ne jemi vazhdimisht në takime me strukturatdhe aktualisht jemi në finalizimin e propozimeve për 20-30 kandidaturave të para për kandidatët për deputetë” – tha Pampuri.

Pampuri u ndal edhe te vendimi i rëndësishëm që partia ka marrë lidhur me qëndrimin ndaj kolegëve që u larguan nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ajo shpjegoi se nuk kanë ndjekur këtë hap, pasi kanë pasur diskutime të vazhdueshme me forumet e brendshme dhe kanë vendosur të presin një vendim të drejtë nga Gjykata e Lartë për një çështje që po shqyrtohet. Deputetja theksoi se nuk mund të kenë një “standard të dyfishtë” dhe janë angazhuar që çështjen ta ndjekin deri në fund, për të siguruar një vendim të drejtë.

“Padiskutim fakti që jemi pjesë, që nuk bëmë atë hapin që disa kolegë tanët u larguan nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ne këtë hap nuk e bëmë, sepse patëm diskutime të vazhdueshme me forumet tona që janë shumë të rëndësishme dhe vendosëm që në momentin që kemi një çështje në gjykatë, nuk mundemi që të kemi një standart të dyfishtë. Sepse nga njëra anë largohemi nga grupi parlamentar dhe nga ana tjetër presim një vendim të rëndësishëm të Gjykatës. Duke oarë që ishte një vendim jo drejtë, duke parë që ishte jë vendim i ndikuar, ne vendosëm ta çonim çështjen në Gjykatën e Lartë. Dhe padiskutim presim që në momentin e parë që kjo gjykatë do të jap një vendim, padiskutim që do të jetë shumë positive” – tha deputetja.

Ajo theksoi se Demokrati Euroatlantikë janë të angazhuar për një drejtësi të paanshme, të paprekshme nga politika, dhe të pacenuar. Më tej Pampuri siguroi se ky grupim do të jetë një alternativë e fortë dhe konkurruese në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht vendimit apo vonesave të gjykatës.

“Por nuk mund të jemi peng të një vendimi gjykate sepse ju e keni parë, ne jemi për reformën në drejtësi, e kemi mbështetur reformën në drejtësi. Por padiskutim e para ka ecur shumë ngadalë, dhe e dyta ka patur dhe ndikimet e veta. Sepse mos harroni, plotë herë gjykatat kanë pasur një ndikim dhe ndaj themi që duam një drejtësi të paprekshme nga politika, një drejtësi të paanshme dhe të pacenuar. Ka qenë e cënuar dhe kjo ka qenë arsyeja që kemi thënë do t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund, por pa cenuar punën që të shkojmë drejt zgjedhjeve që në çdo variant Demokratët Euroatlantikë do të jenë një alternativë në zgjedhje” – u shpreh më tej Pampuri.