21.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Juvja ëndërron dyshen gjermane Goretzka dhe Emre Can

Goretzka dhe Emre Can, këta janë dy objektivat kryesorë të Juventusit në merkaton e janarit. Dy emrat në fjalë janë në skandencë kontrate me skuadrat respektive, Schalke 04 dhe Liverpool, por konkurrenca për të siguruar shërbimet e tyre është e madhe. Për Juventusin paraqitet një mundësi që nuk duhet humbur. “Janë dy lojtarë luksi me parametër zero, nuk mund ta fsheh që po e studiojmë me shumë kujdes situatën, si shumë skuadra të tjera”.
Kështu u shpreh Beppe Marota, një ditë më parë. Të vëzhgosh nuk të pengon njeriu, por në këtë rast duhet të dish të hidhesh në sulm në momentin e duhur. Juventusi, gjithsesi, ka treguar se di të tregohet një skuadër oportuniste. Për dy mesfushorët e Kombëtares gjermane interesimi është i madh nga klubet më në zë në Europë. Në janar apo në verë me parametër zero, kjo mbetet për t’u parë. Precedentët te Juvja janë të shumtë, që nga Pirlo, Pogba, Llorente, Evra, Khedira e Dani Alves.

Griezman tek Barcelona?

Mediat spanjolle raportojnë se sulmuesi i Atletikos së Madridit, Antoine Grizman, ka filluar bisedimet me Barcelonën, për një transferim të mundshëm. Francezi është në krye të listës së dëshirave të katalanasve në merkaton e janarit. 26-vjeçari mori oferta deri në 100 milionë euro verën e kaluar, por transferimi i tij ishte i pamundur për shkak se merkato e Atletikos është pezulluar nga FIFA deri në janar të 2018-ës. Futbollisti rinovoi qershorin e shkuar kontratën me Atléticon e Madridit, që në teori do të ketë shërbimet e lojtarit deri në vitin 2022, me klauzolën e shitjes që nga 200 milionë euro, tashmë është përgjysmuar në shtator.
Mungesa e harmonisë mes lojtarit dhe klubit reflektohet edhe në deklaratat publike të numrit një të shoqërisë madrilene. Presidenti i “Los colchoneros”, Enrique Cerezo, iu kundërpërgjigj gazetarëve, duke i akuzuar se nuk arrijnë të kuptojnë notat e humorit të Grizmannit, por pavarësisht deklaratës së tij, nuk është sekret se marrëdhënia ndërmjet sulmuesit dhe skuadrës së Simeones është e tensionuar.
Sezoni 2017/18 nuk e ka gjetur në lartësinë e viteve të mëparshme lojtarin francez, i cili ka shënuar vetëm 2 gola deri në javën e 11-të të kampionatit spanjoll. Përveç Barcelonës që mendohet të ketë nisur negociatat me përfaqësuesit e sulmuesit, edhe Manchester United-it është përfolur se është i interesuar për të nënshkruar me 26-vjeçarin.
Çelësi i marrëveshjes është arritja e një kompromisi me Atléticon, që mesa duket nuk ka ndërmend të marrë parasysh asnjë ofertë nën shifrën e klauzolës së shitjes, por blaugranat besohet se janë gati të ofrojnë 100 milionë eurot e domosdoshme për transferimin e asit francez.

Tetë bashki takim me investitorë britanikë, organizuar nga ABCCI

Drejtuesit e lartë të Bashkive të Shkodrës, Kukësit, Beratit, Sarandës, Tropojës, Pukës, Urës Vajgurore, Kuçovës parashtruan projektet e tyre prioritare. Ata u dorëzuan investitorëve britanik planet përkatëse të fizibilitetit dhe propozimet e detajuara në fusha si turizmi malor, infrastruktura, urbanistika, bujqësia, transporti, nafta, agro-industria, mbetjet urbane, ndërtimi i fabrikave…

Dhoma Shqiptare Britanike e Tregtisë dhe Industrisë (ABCCI) organizoi dje në Tiranë takimin e parë mes investitorëve britanik dhe disa Bashkive të vendit. Në mesazhin e tij Presidenti Zenel Hoxha vlerësoi mundësinë që i krijohet pushtetit vendor për të lidhur marrëveshje direkte me disa prej emrave më të respektuar të biznesit britanik. Zoti Zenel Hoxha nënvizoi se:” Dhoma ndihet e realizuar që krijoi mundësinë që bashkitë t’i anashkalojnë burokracitë dhe të vendosin lidhje konkrete me biznesin britanik. Financimi britanik i projekteve të tyre do t’i japin shtysë punësimit të të rinjve dhe komuniteteve, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetesës së tyre”. Drejtuesit e lartë të Bashkive të Shkodrës, Kukësit, Beratit, Sarandës, Tropojës, Pukës, Urës Vajgurore, Kuçovës parashtruan projektet e tyre prioritare. Ata u dorëzuan investitorëve britanik planet përkatëse të fizibilitetit dhe propozimet e detajuara në fusha si turizmi malor, infrastruktura, urbanistika, bujqësia, transporti, nafta, agro-industria, mbetjet urbane, ndërtimi i fabrikave etj.

Investitorët britanik përfaqësoheshin nga Zonja Chandni Ruparelia, me ekspertizë të gjerë në fushën e projekteve të energjisë dhe të pasurive të paluajtshme; Zoti Ravi Goonesena avokat korporate prej më shumë së 30 vjetësh dhe këshilltar i disa prej kompanive me autoritare britanike, institucioneve financiare e qeverive për investimet e huaja; si dhe Neil Budd i specializuar në energjinë e rinovueshme, personalitet që ka këshilluar zhvillues në shumë vende në të gjitha fushat e këtij sektori dinamik. Ata u ftuan nga Dhoma Shqiptare Britanike nën ombrellën e firmës autoritare Shakespeare Martineau, ndër më të rëndësishmet në Britani për investime jashtë vendit; me një turnover mbi 100 milionë euro në vit. Ata u shprehën pozitivisht për investime në disa sektor. Njëri prej tyre Z. Ravi Goonesena tha:” Ndihemi optimist, pasi disa projekte të propozuara sot nga Bashkitë, edhe pse kanë nevojë për konkretizime të mëtejshme dhe njohje të terrenit, përkojnë me interesat e bizneseve britanike që përfaqësojmë. Ne do të kthehemi shpejt për nënshkrimin e marrëveshjeve”. Të gjithë të pranishmit, vlerësuan përpjekjet dhe angazhimin serioz dhe profesional të Dhomës dhe Presidentit të saj, që krijoi mundësinë e parë, qysh prej vendosjes së pluralizmit, për fillimin e bashkëpunimit direkt mes Bashkive dhe investitorëve britanik.

Më e madhja në historinë e Botërorëve!

Legjenda e Argjentinës, Diego Armando Maradona, e ka cilësuar dështimin e Italisë në eliminatoret e Kupës së Botës si “një nga mungesat më të mëdha” në historinë e futbollit ndërkombëtar. Katër herë kampionët e botës nuk arritën të marrin një vend në fazën finale, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Rusi, pasi u eliminuan nga Suedia në “play off”, me rezultatin e përgjithshëm 1-0. Kanë kaluar 60 vjet nga hera e fundit, që Italia nuk ka luajtur në një kampionat botëror.
“Më vjen shumë keq, që Italia nuk do të jetë në Kupën e Botës. Italianët e bëjnë shumë tërheqëse këtë veprimtari dhe mendoj se kjo është një nga mungesat më të mëdha në historinë e kampionateve botërore, deklaroi Maradona. E pashë ndeshjen. Italia luajti ashtu si donte Suedia, me krosime. Suedezët kishin qendërmbrojtës gjigantë. Eshtë shumë e trishtë që nuk do e shohim Italinë në Rusi. Kjo tregon se eliminatoret po bëhen gjithnjë e më të vështira”, u shpreh Maradona.
Gjest përgjegjësie apo deligjitimimi i trajnerit? Ajo që Daniele De Rossi bëri gjatë sfidës Itali-Suedi, ku mesfushori i Romës refuzoi të hynte në fushë, duke kërkuar që në vend të tij të luante dikush që mund të shënonte, ka ngjallur diskutime.
Në mbrojtje të De Rossi-t ka ndërhyrë pikërisht një emër i madh i trajningut botëror, Joachim Low. Drejtuesi i Gjermanisë kampione në fuqi e botës ka komplimentuar lojtarin axurr: “Lexova se kishte refuzuar të hynte në lojë, sepse Italisë i duhej një sulmues, është treguar i madh”.
Trajneri i “Die Mannschaft”, në të kundërt nga Ballack që ironizoi eliminimin e Italisë, pranon: “Më vjen keq, që nuk do të jetë në Botëror. Mendoj se është diçka e trishtuar, por përgëzoj suedezët. U mbrojtën mirë. Për Italinë, ky mund të jetë një fillim i ri, disa lojtarë po e mbyllin karrierën e tyre, kam respektin më të madh për Buffon-in, Bonucci-n apo vetë De Rossi-n”.
Vetë protagonisti i ngjarjes, De Rossi, duke rishikuar veprimin e tij në fund të ndeshjes ka kërkuar falje: “I thashë trajnerit që duhet të fitonim, dhe përmenda emrin e Insigne, sepse në atë moment nevojiteshin sulmues, nuk e kisha me trajnerin, në fund bëra nxehmjen dhe mund të hyja edhe në fushë. Asnjë problem”.

Në Itali të gjithë duan Karlo Ançelotin

Pas skualifikimit zhgënjyes në “San Siro”, i gjithë opinoni sportiv në Itali projekton një emër shumë të dashur për stolin e Kombëtares Italiane, pikërisht atë të Karlo Ançelotit. Por rruga që do të çonte drejt një po-je nga ana e 58-vjeçarit has në disa pengesa të vogla. Siç raporton e përditshmja “La Gazzeta Dello Sport”, vetë tekniku italian nuk do ta refuzonte kurrë rolin e “shpëtimtarit” për kombëtaren e vendit të tij dhe as do ta trajtonte atë si një çështje financiare, edhe pse, duke hipotezuar, një pagë prej 4 milionë eurosh sërish do të ishte një shifër shumë më e vogël nga ç’mund të fitonte në stolin e ndonjë klubi europian.
Gjithsesi, pengesë mund të jetë fakti se, tekniku është i prirur ta vijojë karrierën në Angli, ku ka patur sinjale nga Arsenali dhe Chelsea, opsione shumë joshëse për Ançelotin. Sidoqoftë, vështirësia e vërtetë nuk qëndron te trajneri, por tek fakti se për ta ringritur këtë kombëtare njeriut që do të marrë drejtimin e saj do t’i nevojitet një projekt dhe ide të reja.

“Çmendet” Ventura

Fillimisht premtoi se do të dorëhiqet, më pas e përgënjeshtroi. Por jo vetëm kaq, thotë madje se është trajneri më i mirë i Italisë në 40 vitet e fundit. I kontaktuar nga “Le Ienne” (gazetarët e një emisioni investigativ në Itali), gjatë fluturimit të tij nga Milano drejt Barit, Gian Piero Ventura nuk dëshiron të flasë, por diçka i shpëton nga goja. “Botërori pa Italinë? Po, do të jetë i shëmtuar, por unë çfarë mund të bëj? Për fat të keq, nuk u kualifikuam. E kam thënë edhe më parë, u kërkoj falje të gjithë italianëve për rezultatin sportiv. Statistikat e mia janë më të mirat e 40 viteve të fundit, kam humbur vetëm 2 ndeshje në dy vjet”, u shpreh Ventura.
Në realitet janë 3 humbje, 9 fitore dhe 4 barazime, sepse, përveç disfatës 3-0 në “Bernabeu” me Spanjën dhe humbjes 1-0 në ndeshjen play off me Suedinë, është edhe dështimi 1-3 me Francën në miqësoren e zhvilluar në Bari në debutimin e tij në krye të Kombëtares. “Kam shkruajtur historinë në njëfarë mënyre? Për fat të keq, po! A do të dorëhiqem? Po”, tha Ventura.
Giampiero Ventura ka marrë kohë, në pritje për t’u këshilluar me presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Taveçhio, një tjetër që ka vendosur gjithashtu të marrë kohë. Pas konferencës për shtyp ku i ka kërkuar falje italianëve për rezultatin negativ, trajneri i Italisë, në një video me gazetarët e “Le Iene”, ka pranuar se do të jepte dorëheqjen, por më pas ka përgënjeshtruar gjithçka. Por tani ka filluar të qarkullojë në internet një video, e realizuar në 2009-ën, me protagonist Giampiero Ventura. Në videon në fjalë, trajneri i “axurrëve”, në atë kohë në drejtim të Barit është në studiot e stacionit televiziv “Antenna Sud” për t’iu përgjigjur pyetjeve të tifozëve. Një nga pyetjet ka qenë nëse do të donte që një ditë të bëhej trajner i Italisë. Përgjigja e tij është ironike dhe emblematike: “Unë, trajner i Italisë? Do të duhej të arrestoheshin të gjithë ata të federatës…”. Një video kjo që merr një domethënie të veçantë pas dështimit kolosal të ekipit të Ventura-s. Një dështim, i parashikuar nga vetë trajneri.

Australia në Botëror, ikën Hondurasi

Australia është përfaqësuesja e 31-të që siguron kualifikimin në finalet e Botërorit “Rusi 2018”. “Socceros” fituan 3-1 ndaj Hondurasit në sfidën e luajtur në “ANZ Stadium” të Sidney-t, teksa takimi i parë kishte përfunduar në barazim pa gola. Në pjesën e parë të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme për të mos pësuar gol, por diferenca u bë në pjesën e dytë, me vendasit që kaluan në avantazh në minutën e 54-t me Jedinak direkt nga goditja e lirë. I njëjti autor shndërroi në gol një 11-metërsh në minutën e 72-të dhe, për të kompletuar një ndeshje të madhe për kombëtaren e tij, realizoi edhe golin e tretë në minutën e 85-të, po me 11-metërsh. Në minutat shtesë, Hondurasi realizoi golin e nderit me Elis, por që nuk vlejti për asgjë. Kjo është herë e pestë që Australia merr pjesë në finalet e Botërorit.

Ja 31 skuadrat e kualifikuara deri tani në finalet e Botërorin “Rusi 2018”:
Europa:
Rusia, Belgjika, Gjermania, Anglia, Spanja, Polonia, Islanda, Serbia, Portugalia, Franca, Kroacia, Suedia, Zvicra, Danimarka.
Amerika e Jugut:
Brazili, Uruguai, Kolumbia, Argjentina.
CONCACAF:
Meksika, Kosta Rika, Panamaja.
Afrika:
Egjipti, Senegali, Maroku, Tunizia, Nigeria.
Azia:
Irani, Japonia, Koreja e Jugut, Arabia Saudite.
Oqeania:
Australia.

Festime të çmendura për kualifikimin

Pas kualifikimit në Botërorin, Rusi 2018, kombëtarja e Suedisë e ka festuar pafund këtë moment tepër të veçantë dhe të rëndësishëm e për më tepër një kualifikim me peshë përballë një kundërshtari të madh. Festa nisi që në fushën e blertë, fill pas vërshëllimës së gjyqtarit.
Më pas, momentet e festimit u spostuan në dhomat e zhveshjes. Sigurisht në momente të tilla nuk mund të llogaritësh dëmet që mund të shkaktosh, sepse normalisht është gjëja e fundit që të shkon në mendje. Sidoqoftë gjesti i bërë nga ana teknikut të Suedisë, Janne Andersson është me të vërtetë për t’u duartrokitur.
Mediat e huaja kanë arritur të fotografojnë 55-vjeçarin teksa pastron dhomat e zhveshjes mbeturinat që kishin lënë pas lojtarët e tij në dhomat e zhveshjes. Sigurisht, pjesë e festimeve ka qenë edhe ai, por gjesti i bërë është vërtet i habitshëm. Një gjest ky për t’u duartrokitur. Veprim i radhë ku ndoshta shumë prej kolegëve të tij do të kishin hezituar ta bënin.
Europa ka përcaktuar mbrëmjen e sotme skuadrën e fundit që do të marrë pjesë në kampionatin botëror ‘Rusi 2018’, Danimarkën.
Sfida e luajtur në Dublin, mes Irlandës vendase dhe Danimarkës, përfundoi me fitoren 1-5, për këtë të fundit, me mesfushorin e Tottenhamit, Eriksen, që shënoi 3 herë në portën e irlandezëve.
Irlanda e nisi mjaft mirë sfidën, teksa gjeti avantazhin që në minutën e 6’, me anë të qendërmbrojtësit Duffy, që dërgoi në rrjetë topin, pas një rrëmuje në zonën e danezëve.
Gjithsesi, Danimarka nuk e humb toruan dhe fillon një presing mbytës ndaj vendasve, deri sa gjen golin e barazimit në minutën e 29’, kur irlandezi Christie dërgon topin në portën e tij.
Vetëm 2 minuta më pas fillon Eriksen-show, që shënon fillimisht golin e avantazhit dhe në pjesën e dytë shënon edhe 2 gola të tjerë, duke siguruar përfundimisht kualifikimin për në botëror.
Në minutën e parë shtesë, nuk mungoi as firma e Niklas Bendtner, që shndërroi në gol, një 11-metërsh të fituar nga danezët dhe vulosi rezultatin final 1-5.
Kështu, Danimarka shënon në Irlandë, golat që nuk arriti t’i realizojë në Kopenhagen dhe bëhet skuadra e 30, që siguron biletën për në botërorin ‘Rusi 2018’.
90′ – Lord Bendtner lë shenjën e tij në këtë sfidë. Sulmuesi danez fiton një penallti, të cilën e shndërron po vetë në gol dhe vulos rezultatin final 1-5.
74’ – Eriksen nuk ndalet. Tregolësh për danezin dhe kualifikim për Danimarkën, në ‘Rusi 2018’.
63’ – Sërish Eriksen, Danimarka kryeson 1-3. Mesfushori i Tottenhamit ka ndëshkuar sërish irlandezët me anë të një kundërsulmi dhe ka hipotekuar kualifikimin.
32’ – Danimarka përmbys gjithçka dhe prek kualifikimin. Christian Eriksen shënon një super gol, pas një supergoli dhe i jep avantazhin danezëve.
29’ – Barazohet sfida në Dublin. Pas minutash të tëra në kërkim të golit, Danimarka e gjen atë, pas një autogoli të pafat të mbrojtësit irlandez Christie.
06’ – Duffy kalon Irlandën në avantazh. Qendërmbrojtësi i vendasve shfrytëzon një rrëmujë në zonë, pas ekzekutimit të një faulli dhe dërgon topin në rrjetë dhe Irlandën në botëror (momentalisht).

TI: Shqipëria në krye të listës për korrupsionin qeveritar

 

“Transparency International” ka publikuar së fundmi një raport me titull; njerëzit dhe korrupsioni; zëri i njerëzve nëpër botë. Ky raport fokusohet në gjetjet e barometrit global të korrupsionit. Transparency International i kategorizon shtetet e botës në 9 rrethe, po aq sa ç`janë edhe ato të ferrit të Dantes. Shqipëria rezulton në rrethin e gjashtë, si asnjë vend tjetër i rajonit. Serbia dhe Bosnje Hercegovina janë në rrethin e 5-të. Maqedonia dhe Kosova në të tretin dhe Mali i Zi në rrethin e katërt. Në Europë ndërkohë, Rusia dhe Ukraina janë në të njëjtin rreth me ne, ndërkohë që Moldavia është në të shtatin.
Rrathët i referohen përqindjes së qytetarëve që kanë paguar ryshfet në administratën publike në 12 muaj e fundit. Rrethi i gjashtë, ku edhe klasifikohet Shqipëria, i referohet një përqindje nga 30% deri në 40%, që është relativisht e lartë dhe flet për një nivel korrupsioni alarmant. Transparency International është një ndër organizmat më prestigjioz në nivel global për matjen e korrupsionit dhe ofron çdo vit të dhëna mjaft interesante që mundësojnë edhe krahasimin mes vendeve të ndryshme të botës për një ndër plagët më të mëdha të shoqërisë sonë; korrupsionin.
Të njëjtin shqetësim konfirmon edhe Banka Botërore në lidhje me nivelin e korrupsionit qeveritar në Shqipëri.
Media ekonomike italiane ‘IlSole 24Ore’ ka përpunuar të dhënat e fundit të Bankës Botërore për indeksin e qeverisjes, duke u përqendruar në treguesin e korrupsionit dhe zbatimit të ligjeve, dy tregues që lidhen ngushtësisht me njëri-tjetrin, ku dhe rezulton që Shqipëria çalon dukshëm.
Indekset e Bankës llogariten duke marrë një vlerë maksimale prej 2.5% dhe minimale prej -2.5%. Në Shqipëri, treguesi më negativ është ai i korrupsionit, që merr -0.398 pikë, duke bërë që vendi ynë të hyjë në listën e shteteve që nuk e kontrollojnë dot këtë fenomen, së bashku me vende si Tajlanda, Brazili, Indonezia.
Nga vendet e rajonit, më mirë se ne janë Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Serbia, Maqedonia, ndonëse të gjitha renditen në zonën negative. Pothuajse në të njëjtin nivel me Shqipërinë është Kosova dhe pak më keq renditet Bosnjë-Hercegovina, shteti që ka problem të shumat për shkak të ndarjes etnike.
Shteti që nuk arrin të kontrollojë më shumë korrupsionin në botë është Somalia, që e ka këtë tregues -1.68, ndërsa vendi më pak i korruptuar është Zelanda e Re, i ndjekur nga shtetet nordike, përkatësisht Finlanda, Suedia, Norvegjia, Suedia.
Në indeksin total të qeverisjes, publikuar pak kohë më parë nga Banka Botërore, i cili mat gjashtë elemente (kontrolli i korrupsionit, efikasiteti i qeverisjes, stabiliteti politik dhe mungesa e dhunës, cilësia e ligjeve, zbatimi i ligjeve, liria e shprehjes), Shqipëria renditet në vend të 100, duke lënë pas Kosovën, Maqedoninë, Bosnjën, ndërsa pak më mirë është Serbia. Treguesi tjetër ku Shqipëria ka marrë pikë negative është ai i zbatimit të ligjeve, ku merr një pikëzim negativ prej -0.347, që është më i keqi në rajon, së bashku me Kosovën. Në këtë tregues paraqitet më pozitiv edhe Bosnja, që është shteti më problematik në Ballkan.
Në një tregues që zbatimi i mirë i ligjeve lidhet ngushtësisht me nivelin e ulët të korrupsionit, shtetet që kanë zbatimin më të mirë të ligjeve në botë janë ato që kanë dhe korrupsionin më të ulët, pra sërish kryesojnë në këtë indeks shtetet nordike, ku e para është Suedia, e ndjekur nga Norvegjia dhe Finlanda.

Denoncimi: Doganierët kalojnë kamionin kontrabandë dhe arratisen në Greqi!

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka postuar në rrjetin social denoncimin e një qytetari i cili shprehet se doganierët në Doganën e Sarandës kanë kaluar një kamion kontrabandë dhe janë arritisur në Greqi.

Postimi i plotë

Lexoni mesazhet e qytetareve dixhital! sb

“Si kalove z.doktor?
Po ju bej me dije se dje kane kapur nje kamion me mallra kontraban ne aksin qaf-bot sarande.kamioni ka kaluar nga pika doganore qaf-bot.personi kryesore ne kete mega kotraban qe ka kohe qe vazhdon esht pergjesi i turnit endri dafa i cili ka nje ceshtje ende te pa mbyllur ne ne prokurorin e fierit me skandalin e naftes qe eshte bere publike nga criën axhens.endri gjithashtu esht miku i ngusht i mirjan priftit.gjithashtu i ndihmuar dhe drejtori i kufirit perparm xhafer i cili mer pjesen rregullisht nga endri dafa.gjithashtu dhe miku i ngusht i cakos.te pershendes!
Dhe dicka tjeter shum pikante,i qith turni i doganes qaf-bot jane aratisur ne greqi”

“Mirdita.
Nje fakt shume i rende ne kufirin e doganes se Sarandes.
Policia e krimit ekonomik te Sarandes dje sekuestroi nje kamion plot me televizora kontrabande qe sapo u futen nga dogana e Q.Botes.
Kamioni i kaluar kontrabande nga doganieret e ndrikulles se doganave u kap ne flagrance.
Behet fjale per nje grup te organizuar dhe qindra miliona leke.
Por hetuesit e doganave duan ta mbyllin dhe ta fshehin kete fakt trondites ku kalon kamioni diten per diell pa asnje dokument.
Prokuroria po kerkon doganieret qe u arratisen menjehere ne token greke.”