29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Rritja me 40 % e çmimit të ujit i shërben aferës korruptive për privatizimin e Ujësjellësit të Tiranës

 

“Bashkia e Tiranës po rrit çmimin e ujit si një dhuratë për pronarët e ardhshëm të Ujësjellësit të Tiranës, që do ta privatizojnë këtë kompani publike, me siguri për të ndarë bashkë fitimet me Erion Veliajn dhe Edi Ramën”. Ky është paralajmi i bërë dje nga Partia Demokratike, ku Akil Kraja, anëtar i Këshillit Bashkiak të PD deklaroi dje se i vetmi qëllim i rritjes së çmimit të ujit në Tiranë i shërben planit për privatizimin apo dhënien e UKT me konçesion dhe ndarjen e miliona eurove mes Ramës, Veliaj dhe konçesionarit, klient të tyre. “Me vendimin për rritjen e çmimit të ujit me 40%, Bashkia e Tiranës po u merr edhe më shumë para familjeve dhe bizneseve të kryeqytetit pa u dhënë një shërbim më të mirë. Nëse një familje paguan mesatarisht 10 mijë lekë në muaj vetëm për ujin, tani do të paguajë, 14 mijë lekë. Nëse një biznes paguan mesatarisht 50 mijë lekë në muaj vetëm për ujin, tani do të paguajë 70 mijë lekë. Rritja me 40% e çmimit të ujit nga Bashkia e Tiranës është e pajustifikuar dhe të gjitha të dhënat tregojnë se është një rritje për një aferë të madhe korruptive, privatizimin e Ujësjellësit të Tiranës. Prej 2 vitesh, ekspertët nuk pranojnë të çertifikojnë bilancet e Ujësjellësit të Tiranës për shkak të abuzimeve dhe keqmenaxhimit. Aktualisht, Ujësjellësi i Tiranës faturon vetëm 1 në 3 litra që prodhon, por për shkak të mungesës së investimeve, rezulton me fitim vjetor 5 milionë euro. Të gjitha të dhënat të çojnë në një konkluzion. Bashkia e Tiranës nuk po e rrit çmimin e ujit për të përmirësuar furnizimin me ujë. Ajo dështoi me këtë politikë kur rriti çmimin e biletës së autobuzëve”, u shpreh Kraja.

Çfarë fshihet pas rritjes së çmimit të ujit?

Në gusht të vitit 2016 një lajm i dhënë nga “Top Channel”, lajmëronte shitjen e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë. Lajmi kaloi pa shumë bujë, në mes të vapës së gushtit dhe zallamahisë që kishte pushtuar opinionin publik në lidhje me Reformën në Drejtësi, por mesazhi ishte i qartë. Ujësjellës Kanalizmet shumë shpejt do të shiteshin ose jepeshin me konçesion dhe për këtë janë ofruar sipas lajmit “janë vetëofruar kompani të huaja”, të cilat kanë shprehur dhe interes për të investuar në to. Pas këtij konçesioni duket se nuk qëndrojnë vetëm fitimet marramendëse prej gati 38 milionë euro në vit me çmimin e ri, por dhe lënia në dorë e të gjitha burimeve ujore të kurorës së Dajtit, por dhe të çdo kurore tjetër që njihen për cilësinë e tyre të lartë të ujit. Pra çështja është më e thellë se aq, ka të bëjë me “biznesin e së ardhmes” që është pikërisht ai i ujit. Veliaj jo vetëm që rëndon xhepat e qytetarëve, por grabit dhe pasurinë e përbashkët që janë burimet ujore. Ishte pikërisht paralajmërimi i asaj çka do të ndodhte një vit më vonë, dhe lajmi ka dalë siç pohon dhe vetë televizioni nga zyrat e Bashkisë. Më poshtë, ja se çfarë raportonte “Top Channel” në kronikën e tij të datës 23 gusht 2016: “Ujësjellësi i Tiranës po shkon drejt shitjes. Muajt e fundit janë ofruar disa kompani të huaja mes tyre dhe një kineze për të blerë Ujësjellësin e Tiranës, e cila aktualisht është SH.A dhe menaxhohet pjesërisht nga shteti dhe privati. Burime pranë Bashkisë së Tiranës konfirmojnë për “Top Channel” ofertat e mbërritura. Kjo, sipas tyre, falë perfomancës pozitive të 6 muajve të fundit të Ujësjellës-Kanalizimeve investimeve të bëra në përmirësimin e rrjetit si dhe në rritjen e arkëtimeve nga qyetarët. Ndonëse nuk bëhen publike emrat e kompanive të ofruara, burime pranë Bashkisë thonë se investitorët e huaj që janë vetëofruar për blerjen e UKT janë kompani serioze që operojnë në fushën e ujësjellësit, si dhe kanë shprehur dëshirën për të investuar edhe më shumë në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës dhe në përmirësimin e mëtejshëm të rrjetit ekzistues të Ujësjellës-Kanalizimeve. Të njëjtat burime pohojnë se këto oferta po merren në konsideratë nga Bashkia e Tiranës, pasi sipas tyre, Bashkia vetëm do të përfitonte nga shitja e një kompanie, e cila për vite me radhë ka rezultuar me humbje për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet nga qytetarë apo biznese, të cilët vidhnin ujin e pijshëm për të vaditur tokat ose për lavazhe. Sipas Bashkisë, në Tiranë është shtuar furnizimi me ujë të pijshëm në 12-13 orë në ditë dhe aktualisht nuk ka më zona që furnizohen me autobote nga ujësjellës-kanalizimet dhe arkëtimin e të ardhurave”.

Monopoli i shitjes së ujit të ambalazhuar

Por duket se pas shitjes qëndron dhe monopoli i shitjes së ujit të ambalazhuar. Shitja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka qenë si ide e Rama-Veliajt që përpara se ky të merrte detyrën. Jo më kot po këtë vit më datë 6 korrik, Rama do ngrinte një strukturë, e cila do të quhej Agjensia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila që në raportin e saj të parë evidentoi faktin se, “çmimi i ujit është shumë i ulët”. Eshtë një aferë korruptive e pastër. Veliaj me aktin e tij të ngritjes së çmimit me 45% ska bërë gjë tjetër vetëm se i ka hapur rrugë fitimeve marramendësë që sjell ky sektor. Sepse çështja nuk është vetëm tek mbledhja e faturave, aspak. Ndërrmarja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë është menaxhuesja dhe pronarja si të thuash e të gjitha biurimeve ujore për Qarkun e Tiranës, dhe e ardhmja e biznesit dihet që është uji. Kjo ndërrmarje ka në pronësi të saj dhe burimet e Shën Mërisë, Selitës, Shën Gjergjit, Zonës së Dajtit, deri në kufi me Burrelin që njihen për ujin e tyre me cilësi të lartë. Pra duket se pas privatizimit të ujësjellësit të një qarku që ka rreth 85 mijë banorë (një treg jashtëzakonisht i madh, sa thuajse 40% e tregut vendas) fshihet dhe një biznes tjetër, që është po aq fitimprurës sa i pari. Këtu në këtë raport nuk janë përfshirë dhe burimet e fshehura ujore të Tiranës dhe rrethinave të saj, e cila është e mbuluar me kurora malesh. Me sa duket studimi është bërë dhe fitimi është nxjerrë më parë.

Ujësjellësi, ndër kompanitë më fitimprurëse në vend, pse po shitet?

Por, duket se Erion Veliaj gënjen kur thotë se kemi të bëjmë me një ndërrmarje që del me humbje, dhe siç ka deklaruar para një viti kjo është arsye se përse duhet ta shesë atë. Për shembull në vitin 2015, Ujësjellësi i Tiranës u fut në 200 kompanitë më të mëdha të vendit, i cili realizioi një fitim bruto prej 23% ose e thënë më saktë 5 milionë euro të thata, ndërsa xhiroja vjetore ishte rreth 25 milionë euro. Kjo duke hequr shpenzimet, dhe me çmimin prej 45 lekë metri kub i ujit. Ky fitim vjen në një moment, kur 67% e ujit shpërdorohet dhe ujësjellësi nuk arrin dot të mbledhë të ardhurat, por sërish mbetet një prej sektorëve më fitimprurës. Në rast se do menaxhohej mirë, shifra prej 5 milionë fitim do të ishte rreth 20 milionë euro, ndërsa xhiroja vjetore duhet të ishte diku tek 100 milionë euro. Pra, duhet thjeshtë menaxhim. Ja çfarë raportonin mediat në vitin 2015 për këtë çështje. “Ujësjellësi i Tiranës zuri vendin e 22 në renditjen e 200 kompanive me fitime më të mëdha në vend për vitin 2015 dhe vendin e katërt ndërmjet kompanive me kapital shtetëror. Sipas të dhënave nga tatimet, vetëm kompanitë shtetërore të energjetikës, OSHEE, KESH dhe OST patën vlera më të larta fitimi se Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës. UKT sh.a., Tiranë realizoi xhiro vjetore rreth 3 miliardë lekë më 2015 ose 22 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet. Normën e fitimit bruto të Ujësjellësit të Tiranës prej rreth 23% për vitin 2015, do t’ia kishin zili edhe kompanitë private, që mesatarisht fitojnë 10-15%, apo dhe shumë më pak (2-5%) për kompanitë e mëdha të naftës apo të distribucionit. Bashkia e Tiranës zotëron 82.5% të aksioneve të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, 14.6% i ka Bashkia e Kamzës dhe 2.9% Bashkia e Vorës. Sipas bilancit 2014, vlera e aktiveve afatgjata materiale të Ujësjellësit është 11.3 miliardë lekë, apo rreth 80 milionë euro. Ujësjellësi ka një hua afatgjatë prej 5.7 miliardë lekësh. Kapitali i saj ishte 6.7 miliardë lekë (48 milionë euro) në fund të 2014-ës (përfshirë dhe fitimin e 2014). Ujësjellësi i Tiranës është operatori më i madh i fushës.

Historia e burimeve ujore të Tiranës

Tirana deri në vitin 1939 është furnizuar me ujë nga puset vetiake. Në vitin 1939, me përfundimin e qendrës së Tiranës (ndërtimin e ministrive dhe shëtitores “Dëshmorët e Kombit”), u vu në punë impianti i Pastrimit të Ujit në Brar, i cili merrte ujë në lumin e Tiranës pranë kataraktit me prurje 40 litra për sekondë së bashku me rrjetin që furnizon objektet e ndërtuara. Në vitin 1951, qytetit të Tiranës, përveç impiantit Brar iu shtuan edhe Burimet e Selitës, të cilat pasi përpunohen në Hidrocentralin Lana-Bregas, shpërndahen në depot e Tiranës. Me rritjen e numrit të konsumatorëve shtohen kërkesat për ujë. Në vitin 1964, Tiranës i janë shtuar burime të tjera: Burimi i Bovillës me prurje Q=140-420 l/sek dhe Burimet e Shën Mërisë me prurje Q=600 l/sek. Në vitin 1988, Tiranës i shtohen burime të reja me ngritje mekanike Bërxull dhe Pishinat. Me rritjen e kërkesave, po në vitin 1988, me fonde të përbashkëta nga Ministria e Bujqësisë dhe Komunale, u krye studimi për ndërtimin e Digës së Bovillës me kapacitet 80 milionë m³/ujë dhe aftësi përpunuese 40 milionë m³/ujë. Diga e Bovillës përfundoi në vitin 1999, e në funksion të saj u ndërtua impianti i Pastrimit të Ujit, me kapacitet përpunues prej 1800 l/sek. Në janar të 2007-ës, Shoqëria Strategjike Ujësjellës Kanalizime Tiranë, u transferua në pronësi të njësive vendore të zonës së shërbimit që përbëhet nga 3 bashki dhe 16 komuna. Licenca e fundit e shoqërisë është rinovuar nga Komisioni Kombëtar Rregullator i Ujit në mars të 2010-ës, pas një procesi monitorimi dhe vlerësimi të përmbushjes së të gjitha kërkesave për këtë licencë nga Enti Rregullator i Ujit.

 

Si u grabit ARMO me bashkëpunimin e qeverisë

Në dhjetor të vitit 2013, Engjell Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, u emërua nga ministri i atëhershëm i Ekonomisë Arben Ahmetaj anëtar i Këshillit Mbikqyrës të ARMO-s, si përfaqësues i shtetit. Ai u dorëhoq në nëntor 2014, dhe qendroi në detyrë deri kur u zëvendësua nga Klodian Mene në 2015.
Kjo ikje e papritur ndodhi për shkak se ai kuptoi biznesin e vërtetë të ARMO-s dhe vendosi të ikë për të mos lënë gjurmë kompromentuese. Sidoqoftë, para se të ikte ai miratoi bilancin e vitit 2013 të ARMO-s, me rreth 24 miliardë lek humbje. Ai qe gjithashtu në dijeni të detyrimeve të pashlyera të ARMO-s: 24 miliardë ndaj nënkontraktorëve dhe bankave, 10,3 miliardë ndaj furnitorëve, 4,3 miliardë ndaj shtetit dhe 8,9 miliardë ndaj palëve të tjera, për një borxh total prej 47,5 miliardë lek ose rreth 350 milionë euro.
Më pas, borxhi u rrit më shumë—gjatë vitit 2014 u shtuan rreth 25 milionë euro, ndërsa në vitin 2015 u shtuan edhe rreth 120 milionë euro të tjera borxh, duke e çuar totalin e borxhit të ARMO-s në pothuajse gjysëm miliardë euro.
Këto detyrime u grumbulluan në kushtet kur të ardhurat e ARMO-s në vitin 2013 ishin rreth 25 milionë euro, që do të thotë se borxhet ishin afërsisht sa të ardhurat e 20 vjetëve të kompanisë.
Ndërkohë, kompania Trading Petrol and Drilling (TP&D), në pronësi reale të një biznesmeni shumë të afërt të Kryeministrit Rama, kishte marrë me qira rafinerinë e Fierit nga ARMO—teorikisht me kapacitet përpunues 500 mijë ton naftë të papërpunuar në vit—për një pagesë prej 136,5 milionë lek në muaj (sipas pagesës së muajit dhjetor 2013). Ndërkohë ARMO, biznesi i vetëm i së cilës ishte rafinerimi, kishte shpenzime direkte operative prej 285 milionë lek në muaj, pra, rreth 3,4 miliardë lek në vit, përveç kostove të mëdha financiare dhe administrative. Kjo do të thotë se nafta e kompanisë TP&D rafinohej në ARMO nën kosto, pra duke u subvencionuar direkt nga ARMO dhe indirekt nga qeveria.
Sigurisht, deri në këtë moment, dëmet e mëdha në ARMO ishin krijuar nga menaxhimi i gabuar i Rezart Taçit, i mundësuar nga qeveria demokrate, por situata kur Edi Rama erdhi në pushtet ishte e qartë. Ish-avokati penalist Engjell Agaçi, si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të ARMO-s dhe ministri i atëhershëm i Ekonomisë Arben Ahmetaj, si pronar në emër të shtetit i 15 për qind të ARMOS, sado pak të kuptonin nga ekonomia dhe e drejta tregtare, duhet ta kishin vënë menjëherë nën administrim të jashtëzakonshëm ARMO-n me anë të një ligji të veçantë, duke përjashtuar prej saj ortakët azerë, dhe duke vazhduar me rikapitalizimin e kompanisë nga shteti ose likujdimin e saj në bazë të procedurave të ligjit të falimentit.
Të drejtosh një organizatë ose një qeveri, shpesh përfshin detyrën për të marrë vendimet të vështira.
Përkundrazi, siguria e të qenit i pandëshkueshëm, përforcuar nga ligjet e paqarta dhe të pasakta dhe kontrolli politik mbi informacionin e zbatimit të ligjit, i shtyu “heronjtë” e rinj të përfitojnë nga arkitektura grabitqare, në atë kohë e vënë në veprim nga kompania TP&D, që i mundësonte asaj përdorimin e rafinerisë duke ja lënë koston në kurriz ARMO-s. TP&D arriti që një pjesë të detyrimeve të saj doganore dhe fiskale për naftën në pronësi të saj por të përpunuar në rafinerinë e ARMO-s t’ja linte pjesërisht detyrim ARMO-s.
Nga ai moment, loja ishte e thjeshtë: blihej naftë e papërpunuar (brenda ose jashtë Shqipërisë), përpunohej në impiantet e ARMO-s dhe pastaj rishitej, ndoshta pa paguar tatimin e akcizës dhe duke ja lënë detyrimet e tjera fiskale ARMO-s, e cila nuk mund të falimentonte sepse ishte në bashkëpronësi të shtetit dhe “kompani strategjike”.
Monopol faktik dhe përjashtim faktik nga taksat—e çfarë mund të ëndërrojë më shumë një biznes!
Përfitimit të madh politik (sidoqoftë të paligjshëm) nga monopoli i furnizimit me naftë iu shtua edhe përfitimi (i paligjshëm) nga akciza e paderdhur nga ARMO. Kështu, ARMO u transformua, nga një kompani e privatizuar në mënyrë grabitqare nga Rezart Taci, por që të paktën formalisht zbatonte rregullat administrative, në një kufomë pa zot të vërtet, që përdorej në mënyrë të fshehtë për të vjedhur thesarin e shtetit dhe për të kontrolluar tregun shqiptar të naftës.
Çdo gjurmë zhdukej në errësirën e mungesës së plotë të informacionit, falë mosveprimit të funksionarëve shtetëror me detyrën për të mbikqyrur pronat e shtetit, atyre përgjegjës për mbikqyrjen e tregjeve dhe funksionarëve të përgjegjëshëm për mbledhjen e akcizës.
Në fakt, pa bashkëpunimin e Ministrit të Financave kjo lojë është e vështirë për t’u luajtur gjatë, por në atë kohë administrata tatimore dhe doganore i jepte llogari direkt Kryeministrit duke anashkaluar ministrin kokëfortë Shkëlqim Cani, “pengesë” e cila u hoq fare në shkurt 2016, kur Arben Ahmetaj mori në dorë ministrinë e Financave. Që nga ai moment loja ishte fare e thjeshtë.
Por dy kompanitë mbulesë të futura në lojë, TP&D—që kishte marër me qera rafinerinë e Fierit nga 20 shtator 2013 deri më 31 dhjetor 2015—dhe Deveron Oil—që kishte marrë me qera rafinerinë e Ballshit nga 10 janar 2014 deri më 1 mars 2016— ishin afër mbarimit të kontratës dhe nuk e mbanin dot më ngarkesën.
Deverin Oil ishte shumë e përfshirë më azerët dhe të tjera subjekte të çuditshme të ardhura nga Rusia, ndërsa TP&D ishte në gjendje të vështirë financiare. Për më tepër, në mes të vitit 2015 ortaku i vetëm i TP&D-së u arrestua si pjesë e një rrjeti të trafikimit të drogës (sikur të mos i mjaftonin fitimet nga nafta dhe duhej të shtone edhe fitime nga droga).
Në këto kushte, duhej gjetur një tjetër subjekt për të shërbyer si “rregullator” i tregut të naftës. Në verën e vitit 2016, i gjithë sistemi u riorganizua duke përdorur si mbulesë amerikanin e falimentuar Harry Sergeant III dhe kompaninë e tij të regjistruar offshore IRTC, e cila regjistroi një degë në Shqipëri, jo rastësisht me seli dhe administrator të dhënë nga nga kompania TP&D.
Vetë Arben Ahmetaj, tashmë Ministër i Financave, nxitoi drejt Fierit, nën shoqërinë e amerikanit Sergeant dhe zëvendës kryeministrit Peleshi, për të marrë meritat politike për “shpëtimin” e ARMO-s. Nga Fieri, Ahmetaj paralajmëroi veprime të tjera të dyshimta për disa burime nafte në jug të vendit, ndoshta për të ri-investuar në to përfitimet e mëdha nga veprimtaria e ARMO-s. Exit.al e ka mbuluar në thellësi këtë lajm.
Kështu loja rifilloi si fortunë—ARMO i vuri rafineritë e saj në shërbim të klientit të ri, IRTC, që ndërkohë kishte mbyllur një kontratë për të blerë sasi të mëdha nafte të papërpunuar nga Bankers Petroleum, duke ulur kështu ndjeshëm eksportet. “Investitori” i ri vazhdoi të shtonte detyrimet e ARMO-s ndaj shtetit, ose më mirë ndaj Ministrisë së Financave, borxhe të cilat qeveria dhe ministri i Financave, nuk i kanë kërkuar kurrë, sikurse nuk kanë ndaluar kurrë shtimin e tyre.
Ndërkohë, situata financiare e shkatërruar e ARMO-s dhe mungesa e fuqisë paguese i detyroi dy bankat kryesore debitore, Credins dhe Raiffeisen, të vënë në lëvizje zyrat ligjore për të marrë garancitë për huatë që i kishin dhënë ARMO-s. Pas shumë manovrimesh, vetëm Credins arriti të nxjerrë në ankand rafinerinë e Ballshit dhe të marrë atë në pronësi si ofruesi i vetëm, në shkëmbim të një pjesë të huasë, ndërsa Raiffeisen mbylli me ARMO-n një marrëveshje misterioze për ristrukturimin e huasë, dhe duket se, në mënyrë të pashpjeguar vuri nën kontroll edhe rafinerinë e Fierit.
Këto veprime nxorën jashtë loje institucionet shtetërore (tatime, dogana, sigurime shoqërore, bashki, Albpetrol) të cilat duhet të garantonin shlyerjen nga ARMO të taksave e detyrimeve të papaguara. Kërkesat e këtyre institucioneve për sekuestrimin e pronave të ARMO-s nuk u ekzekutuan nga zyrat shtetërore, ndërkohë që kërkesat për sekuestrim nga bankat Credins dhe Raiffesien këto zyra i zbatuan menjëherë.
Pra, Credins dhe Raiffeisen arritën të mbrojnë dhe të marrin mbrapsht shumat e huave të tyre, kurse qeveria (që në teori duhet të ishte e privilegjuar nga ligji) nuk ja doli dot të bënte të njejtën gjë për shkak të gabimeve (ose veprimeve të qëllimshme) nga ana e funksionarëve të saj.
Për këto arsye, në fund të nëntorit 2016, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani shkarkoi shefin e hipotekës së Ballshit dhe juristin e hipotekës dhe urdhëroi hetimin e zyrave përkatëse të hipotekës dhe përmbarimit shtetëror.
Ky hetim zbuloi një sërë parregullsish të cilat çuan në nxjerrjen në ankand të 54 pronave të patundshme të ARMO-s për llogari vetëm të bankave, duke injoruar krejtësisht të gjitha institucionet qeveritare (tatimet, doganat, komuna, bashki) ndaj të cilëve ARMO kishte gjithashtu detyrime të papaguara dhe të cilat kishin kërkuar bllokimin e pasurive të ARMO-s, urdhëra që nuk u zbatuan nga hipoteka e Mallakastrës.
Pra, shteti nuk arriti të mbledhë detyrimet e tij nga një kompani ku qeveria është bashkëpronare, ndërsa një bankë private arriti të mbrojë huatë e saj duke marrë rreth 750 mijë metra katrorë tokë dhe ndërtime mbi të.
Raporti iu dorëzua Ministrit Manjani përprara fundit të dhjetorit 2016. Por në fund të janarit 2017, ministri Manjani u pushua nga Kryeministri Rama, pa asnjë mbrojtje nga Ilir Meta.
Në të njejtën kohë, Ministri i Energjisë ndërhyri për të shmangur prerjen nga OSSHE të furnizimit me energji elektrike të ARMO-s, të cilën kompania nuk e paguante prej vitesh edhe pse ARMO administrohej nga e njejta Ministri nga e cila varet OSSHEE.
Një raport i brendshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë i 4 shkurtit 2016 (teksti i së cilës u botua nga reporter.al) zbulonte se se borxhet e ARMO-s kishin kapur shumën 595 milionë dollarë, nga të cilat rreth 25 milionë ishin krijuar në vitin 2014 dhe 137 milionë në vitin 2015. Nga ky borxh, 205 milionë dollarë ishin detyrime ndaj shtetit: 20 milionë dollarë akcizë e papaguar dhe 185 milionë dollarë taksa të tjera të papaguara (TVSH, tatim fitimi, sigurime shoqërore, etj.).
Para disa muajsh, Ministria e Energjitikës sqaroi për Reporter.al se rafineritë e naftës në Ballsh dhe Fier tani janë pronë e dy bankave, tani në pronë të Credins dhe Raiffeisen, të cilat i kanë dhënë ato me qera për kompani të treta.
Sipas Reporter.al, “administratori” i ri i të dy rafinerive, kompania RTC— e kontrolluar nga i njejti grup personash të lidhur me TP&D—kishte krijuar deri në korrik të vitit 2017 rreth 22 milionë euro borxhe të reja kundrejt shtetit, ndërsa sipas revistës Monitor, në fund të shtatorit 2017, borxhi i shtuar që nga koha kur rafineritë u morën nga bankat private, arriti në 28,5 milionë euro.
Gjithmonë sipas Reporter.al, që citon burime anonime nga Banka e Shqipërisë, pas shitjes në ankand tek Credins dhe Reiffeisen të rafinerive, kompania ARMO nuk klasifikohet borxhlie e keqe dhe nuk është më në listën e debitorëve të mëdhenj të pakthyeshëm—pra, në listën e 35 kompanive misterioze të cilat kanë rreth 65 për qind të gjithë volumit të kredive të këqija ndaj sistemit bankar—por është një nga 7 kompanitë e mëdha debitore që ka ristrukturuar huatë e marra.
Përgëzime, por… po kreditorët e tjerë jo bankarë? Po shteti?
Në fakt, pyetja e rëndësishme është se çfarë përfaqëson sot ARMO, nëse rafineritë e saj kanë kaluar në pronësi të bankave? Çfarë fiton kompania për të shlyer borxhet kundrejt bankave të tjera dhe debitorëve privatë jo bankarë?
Kredia e Raiffeisen rezulton e ristrukturuar sipas një marrëveshje pagesash me këste, por duket që Raiffeisen është praktikisht që tani pronarja e rafinerisë së Fierit, të cilën ajo ia ka dhënë në “mirëbesim” (apo me “qira”) IRTC-së. Po me çfarë do t’i paguajë, në këto kushte, ARMO këstet ndaj Raiffeisen?
Si është e mundur që ARMO mund të krijojë borxhe të mëdha ndaj shtetit, duke mos paguar taksat, dhe askush nuk ia kërkon t’i shlyejë, ndërkohë që qeveria arreston edhe tregtarët e vegjël për mungesë kase fiskale, mbyll restorante sepse nuk japin faturë tatimore për çdo porosi më vete nëpër tavolina, madje ul në mënyrë të dëmshme edhe kufirin e TVSH për biznesin e vogël?
Si mundet që përfaqësuesit e shtetit në këshillin e ARMO-s, në fillim Engjëll Agaçi dhe më pas Klodian Mene, të mos kenë konstatuar gjë, të mos kenë lajmëruar për gjendjen alarmante shefin e tyre direkt, Ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj?
Si mundet që ministrat e Ekonomisë, Arben Ahmetaj e më pas Milva Ekonomi, të mos kenë ditur gjë, pikërisht ndërsa në media flisnin për “shpëtimin” e ARMO-s?
Si mundet që ministrat e Financave, Shkëlqim Cani e më pas Arben Ahmetaj, dhe drejtoreshat e një pasnjëshme të tatimeve dhe doganave, të mos kenë vënë re që një nga kompanitë më të mëdha shqiptare nuk paguan thuajse fare taksat dhe akciz?
Akoma më e rëndësishme, ku kanë përfunduar paratë e shumta të fituara me këtë sistem, duke qenë se të gjitha kompanitë e përfshira rezultojnë përherë pa asnjë lloj aftësie paguese, dhe vazhdojnë të sekuestrohen nga përmbarimi për llogari të kreditorëve të ndryshëm?
Çfarë mbrojtje politike gëzojnë këta persona që gërshetojnë narkotrafikun e pandëshkuar, kontrabandën e naftës dhe evazionin fiskal?
Çfarë u përshkruan më sipër nuk janë një seri e rastësishme shpërdorimesh të detyrës, por shkelje të vazhdueshme dhe sistematike të ligjit, të kryera me qëllim sigurimin e përfitimeve të paligjshme dhe evazionit sistematik fiskal nga një grup kompanish dhe personash mbulesë, që kanë administruar për vite të tëra një biznes shumë fitimprurës, duke përfituar nga një monopol faktik i paligjshëm, i fshehur pas shoqërive të falimentuara dhe kompanive të fshehura në parajsat fiskale, që ka prodhuar të ardhura të vështira për t’u gjurmuar.
Si mundet që qindra funksionarë të qeverisë dhe të sistemit të drejtësisë, zyrtarisht me detyrën e luftës kundër korrupsionit, kontarabandës dhe evazionit fiskal, të mos e kenë vënë jo vetëm realitetin e ARMO-s por as artikujt dhe zërat që e kanë denoncuar këtë realitet kohët e fundit?
Exit.al

Bankat tek pastrami i parave? Tabaku-Sejkos: Na trego pronarët e ABI-Bank në parajsat fiskale

  1. U bene disa vite qe inflacioni eshte vazhdimisht nen objektivin tuaj. Ndersa sipas Instat rritja ekonomike eshte e larte. Papunesia po ulet. Si  shpjegoni kete? Pse nuk po rritet inflacioni duke iu përgjigjur kësaj ecurie?
  2. Nga vjen gjithe ky fluks valute pse kemi nje zhvleresim te lekut? A ka lidhje me parate e droges?
  3. Sipas raportit te BSH kemi dy investime te huaja direkte qe kane peshen kryesore ne ekonomi, Ne 2016 nga 953 mln euro 700 mln euro ishin TAP dhe Devoll. Mendoni se do kete goditje bilanci i pagesave kur keto te perfudnojne dhe duke qene se nuk ka asnje investim te ri.
  4. Ne tremujorin e fundit pati nje rritje te forte te sektorit te ndërtimit, si per ndërtimet infrastrukturore dhe per ato rezidenciale. A jane te cuditshme levizjet ne sektorin rezidencial? Kishte vite qe sektori ishte ne stagnacion dhe nderkohe ka sjelle 19 perqind rritje tek rritja ekonomike. Ne raportin tuaj te parafundit thoni shprehimisht qe kompanite po ndertojne te pakredituara nga bankat, duke përdorur burimet e veta.

Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit. (ku e kanë burimin keto para)

Ne 5-6 vitet e fundit nuk ka patur nje kerkese te tille kaq te larte per ndertim. Bankat duhet te kishin qene burimi kryesore i financimit. Normat e interesit kane qene vazhdimisht ne ulje. Kane qene stimul nga banka e shqiperise per bankat e nivelit te dyte qe te  kreditohet biznesi por kjo ska ndodhur. Une mendoj se ky duhet te jete nje faktor  shqetesues per Banken e Shqiperise dhe per ne si komision ekonomie?

  1. Banka Abi Bank eshte licensuar nga BSH edhe pse ka aksionere kompani offshore, me shume pak aktivitet financiar. (duke e bere jo transparante burimin e financimit). Mqs jeni ne komision per here te pare mbasi eshte bere publik ky infomacion. A keni kontrolluar ju se cilët janë personat qe po futen ne sistemin tone bankar? Sa serioze ju duken këta aksionere?

Bashkia Kamëz nis pastrimin e kolektorit të Valiasit, asnjë financim nga qeveria

Kryebashkiaku Xhelal Mziu inspekton punimet për pastrimin e kolektorit kryesor në Valias 1.2 km i gjatë si dhe do të ndërhyhet edhe në kolektorët e tjerë

Kolektori i Valiasit në Kamëz i lënë në harresë prej 28 vitesh tashmë ka nisur të pastrohet nga Bashkia Kamëz. Edhe pse qeveria formalisht i ka kaluar kompetencat e Bashkisë Kamëz, ajo nuk ka ofruar asnjë lloj ndihme financiare apo në mjete. Çudia më e madhe është se edhe pse qeveria mori 61 ekskavatorë dhe i shpërndau pushtetit lokal, Bashkisë Kamëz nuk i ofroi asnjë!. Ky është një diskriminim që Rama dhe sejmenët e tij në qeveri i bëjnë kësaj bashkie dhe këtij komuniteti!.

Megjithatë, Bashkia Kamëz fal ndihmës së firmave në zonë ka mundur të sigurojë eskavatorë dhe të nis punën për pastrimin e të gjithë kolektorëve tashmë që shirat janë në prag duke i ardhur në ndihmë komunitetit. Një punë e shkëlqyer po bëhet këto ditë për thellimin, pastrimin dhe sistemimin e kolektorëve kryesorë në territorin e Bashkisë Kamëz. Kjo ka bërë që të ndihet një impakt mjaft i rëndësishëm jo vetëm për fenomenin e përmbytjes, por edhe të ambientit.

Në kryerjen e punimeve ka qenë i pranishëm dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu, i cili vlerësoi pa asnjë mëdyshje rezultatin tashmë të pritshëm për të vënë në gatishmëri të gjitha kapacitetet e mundshme për të kryer vepra të tilla në ndihmë të komunitetit. Pas 28 vitesh është realizuar një kryevepër e tillë, falë këmbënguljes së z. Mziu për të rritur kapacitetet e shërbimit në infrastrukturë, por edhe në mbrojtjen e kësaj infrastrukture në ndërhyrje të menjëhershme në kolektorët ku derdhen sasi të mëdha ujrash. Është punuar në një distancë prej 1.2 km gjatësi dhe me parametrat e ndërtimit fillestar të kolektorit për të përcjellë drejt lumit të Tiranës në territorin e Valiasit të gjitha mbledhjet e ujërave sipërfaqësore dhe ato nëntokësore drejt destinacionit të fundit.

Puna e filluar do të vazhdojë deri në arritjen e pastrimit përfundimtar dhe do të ketë një vëmendje të vazhdueshme për të ruajtur të njëjtin standard të punimeve me fazën e parë. Ky, pa dyshim, do të jetë një investim me punime me mjete të rënda që do të ndikojë thellësisht edhe në përmirësimin e mjedisit jo vetëm të zonës ku kryhen punimet, por edhe të zonave përreth. Kryebashkiaku Mziu gjatë inspektimit të këtyre punimeve vuri theksin se të tilla punë do të jenë të planifikuara në të gjithë territorin e Bashkisë Kamëz.

Nga Banka e Lindës, tek koncesionet e naftës dhe shëndetësisë, të gjitha në parajsat fiskale

Duke nisur nga kompanitë e krijuara enkas nga ortakët e tij e të regjistruara në ishujt e parajsave fiskale e deri tek koncesionarë të lidhur me klientelën apo direkt me Ramën, çdo koncesion i dhënë e që prek miliona euro mbart dyshime të forta në mënyrën se si është dhënë dhe kompanisë që i është dhuruar

E plotë ne versionin print të gazetës “RD”

Helikopteri i drogës, 10 ulje në fshatin Gotull të Ishmit

Një helikopter ka bërë 10 ulje në fshatin Gotull të Ishmit paraditen e djeshme. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të një qytetari nga Sukthi. Banori i ka dërguar Berishës edhe videon ku duket helikopteri që fluturon mbi fshatin Gotull. “Helikopteri viziton fshatin Gotull? Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Dr. Në fshatin Gotull të Adriatikut, afër Ishmit një helikopter ka më shumë se një orë ka bërë 10 ulje”, shkruan qytetari. Dyshohet se helikopteri është ulur për t’u ngarkuar me drogë për ta transportuar drejt Italisë.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, një avion i vogël me drogë ngeci në Ishëm. Avioni ngeci për shkak të ngarkesës së madhe me drogë. Trafikantët kishin ngarkur 3 tonë drogë, një ngarkesë shumë e madhe, të cilën nuk e përballonte avioni i vogël. Për këtë shkak, avioni nuk arriti të ngjitej në fluturim. Prej kohësh, aty ishte hapur një pistë për uljen e avionëve dhe mbushjen me drogë. Banorët e zonës bënë të ditur se, prej disa netësh kishin parë zjarre të ndezura afër pistës në Ishëm, ku trafikantët orientonin uljen e avionëve të drogës.
Më 30 tetor të këtij viti, katër avionë të rinj droge janë ulur dhe ngritur ditën në lagunën e Patokut dhe në Gjirin e Lalzit. Edhe në këtë rast, denoncimi u bë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve dhe videove të dërguara nga qytetarët dixhitalë. Fillimisht, Berisha publikoi në mesditë mesazhin e një banori nga Patoku, ku e informonte për dy avionë të vegjël që ishin ulur në lagunën e Patokut. Qytetari shkruante se dy avionë të vegjël në distancë maksimale 1000 metër në veri të Patokut erdhën nga deti në një lartësi jo më të madhe se 50 ose 60 metër mbi nivelin e detit. Gjithçka është parë nga gjithë njerëzit që janë ulur këtu. Avionët dukeshin me ngjyrë jeshile të errët. Disa orë më vonë, ish-Kryeministri Berisha publikoi një video, ku duken disa avionë të vegjël që fluturojnë ulët në Gjirin e Lalzit.
Dy vitet e fundit, janë kapur dy avionë të vegjël të mbushur me drogë në Divjakë dhe në Ishëm. Opozita denoncoi para tre vitesh trafikun e drogës me avionë nga Shqipëria drejt Italisë, por qeveria deklaronte se nuk janë avionë droge, por avionë të vegjël që spërkatin pyllin e Divjakës për mushkonjat.
Më 10 maj 2014 u zbulua avioni i parë që transportonte drogë drejt Italisë. Ishte një defekt në avionin e mbushur me drogë në Divjakë, që piloti nuk mundi ta ngrejë në fluturim avionin drejt Italisë. Një avion i vogël me një pilot italian është rrëzuar në plazhin e Divjakës, duke nxjerrë zbuluar qeverinë për trafikun e drogës edhe nga ajri. Disa metra më larg avionit u gjetën disa thasë me drogë, ndërsa brenda në avion ishin edhe dy çanta të mbushura me drogë të fortë, kokainë e heroinë.
Avioni u rrethua menjëherë nga forca të shumta policore, duke mos lejuar median që të afrohet. Edhe pse trafiku i drogës me avion u kap në flagrancë, Rama e mbylli këtë skandal, duke mos vënë para përgjegjësisë asnjë nga zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë trafik droge.
Droga dyshohej se ishte e Habiljave, ndërsa për trafikimin e saj ata bashkëpunonin edhe me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vetëm pas publikimit të përgjimeve të Antimafias italiane të Habilajve u vërtetua se, Tahiri bashkëpunonte me Habilajt për trafikun e drogës drejt Italisë.
Ndonëse opozita denoncoi me fakte, duke publikuar video të avionëve që uleshin dhe ngarkoheshin me drogë e niseshin drejt Italisë, Rama dhe zyrtarët e tij i cilësonin si “mushkonja”. Të gjitha ngarkesat e avionëve me drogë bëheshin me dijeninë e zyrtarëve të lartë, ndaj dhe nuk bllokoheshin nga qeveria.

R.POLISI

Droga në Vilun, një tjetër i arrestuar

Një tjetër person i shpallur në kërkim gjatë operacionit për sekuestrimin e 1.5 ton drogë në Vilun të Velipojës është arrestuar ditën e djeshme. Ai është Gjovalin Ndoj, 30 vjeç nga Lezha. Ndoj akuzohet për bashkëpunim me të arrestuarit e tjerë, të cilëve iu sekuestruan 1502 kg lëndë narkotike kanabis sativa në një vilë në Vilun të Velipojës. Tani në kërkim është vetëm një person, ndërkohë që pesë persona u arrestuan momentin e finalizimit të operacionit.
Personi i gjashtë në kërkim u kap disa orë pas arrestimeve të para, kurse Ndoj mëngjesin e kësaj të marte. Materialet i janë referuar Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
Ndërkohë, një nga 7 të arrestuarit për 1.5 tonët e kanabisit sekuestruar në Vilun, ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë. Emri i tij bëhet publik nga grupi hetimor, por sqarohet se mbi dëshminë e tij është zbardhur roli i të prangosurve dhe personave të shpallur në kërkim. Sipas këtij deponimi, droga sigurohej në Vlorë, Tepelenë dhe Përmet.

 

Dalin emrat e trafikantëve shqiptarë që u kapën në Napoli me heroinë

Mediat italiane kanë publikuar emrat e 21 të arrestuarve dhe 5 personave në kërkim në lidhje me operacionin “Smoke Snake”, që u zhvillua dje në Napoli nga policia italiane. Tre shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, ndërkohë që katër të tjerë janë të shpallur në kërkim. Shqiptarët e arrestuar janë Luan Çika alias Luan Hyseni, 36 vjeç, Everton Ndreraj, 26 vjeç dhe Eduard Shehaj, 39 vjeç. Ndërkohë, katër shqiptarët e tjerë në kërkim janë Arian Demiri, 30 vjeç, Altin Xoxa, 47 vjeç, Mirjan Xhemalaj, 56 vjeç dhe Xhimi Isiu, 33 vjeç.
Heroina dhe kanabisi trafikohej në Napoli të Italisë nga Turqia dhe Holanda. Konkretisht, heroina nga Turqia dhe kanabisi nga Holanda. Ky hetim ka nisur nga pala italiane që në qershor të vitit 2016 dhe prej një viti janë sekuestruar 8 kg heroinë dhe 38 kg marijuanë të kësaj organizate. Ndërkohë, policia thotë se janë sekuestruar edhe 500 mijë euro pasuri të këtij grupi kriminal, që janë 2 apartamente, 1 makinë, 65 llogari bankare 18 mijë euro në cash dhe 3 kompani.
Hetimet nisën në maj të vitit 2016, kur efektivët e Kompanisë së Guardia di Finanza të Marcianise vunë nën vëzhgim të rreptë një rrjet shpërndarësish droge që vepronte në zonat e Marcianise, Capodrise, Macerata Campania dhe Portico di Caserta. Kjo fazë e parë u mbyll me sekuestrimin e mbi 250 dozave heroinë të llojit “Cobret” dhe arrestimin e 4 shpërndarësve, pjesë e grupit kriminal.
Duke u nisur nga gjetjet e para, me koordinimin e Prokurorit të Napolit – Antimafia, u arrit të ngjitej në kanalet nga ku kalonte droga, duke zbuluar një përbërje kriminale shumë më të artikuluar dhe më të gjerë.
Nga hetimet e mëvonshme, doli se në zonën midis Casandrino, Grumo Nevano, Melito dhe Acerra vepronte një rrjet i vërtetë trafikantësh që bashkëpunonin mes tyre për të importuar heroinën nga jashtë. Një kartel i vërtetë prej 4 grosistësh që binin dakord të vendosnin kapitalin e nevojshëm për të bërë blerje kumulative dhe pastaj të ndanin sasitë që do të shpërndaheshin në territorin nëpërmjet ekipeve të tyre me pakicë.
Një sistem furnizimi i kolauduar që garanton një fluks të vazhdueshëm të drogës që vinte nga Turqia dhe Holanda, dhe që hynte në Itali gjithmonë përmes Shqipërisë. Për këtë arsye, Prokuroria e Napolit ka aktivizuar menjëherë një kanal bashkëpunimi gjyqësor me Prokurorinë shqiptare, që lejoi marrjen e shpejtë të informacioneve të rëndësishme rreth grupit kriminal që vepronte atje, që ishte ndërkohë duke u hetuar nga Prokuroria e Tiranës.

Gjykata lë në burg sekserin e gjyqtarit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Kujtim Mirin, kushëririn e dytë të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri. Kujtim Miri akuzohet për korrupsion, pasi dyshohet se ka qenë njëri prej sekserëve të marrëveshjes 30 mijë euroshe mes Shkëlqim Mirit dhe të kërkuarit Gentian Doda, për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Matit, që i kualifikoi veprën penale të dënuarit, duke sjellë edhe lirimin e tij. Seanca u zhvillua ditën e djeshme te Gjykata e Krimeve të Rënda, ku Kujtim Miri nuk preferoi që të fliste në sallën e gjyqit. Sipas dosjes hetimore, Kujtim Miri ka takuar disa herë Alban Buçin, i afërm të Gentian Dodës, për aferën e korrupsionit.
Buçi është i afërm i Gentian Dodës dhe ka qenë personi negociator për shumën që duhet të paguante i akuzuari te Shkëlqim Miri, që ky i fundit të votonte pro lënies në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë të Matit. Mësohet se takimet janë zhvilluar në një lokal në Fushë-Krujë. Në këtë kohë, Gentian Doda vuante dënimin për “vrasje me paramendim” në burgun e Fushë-Krujës. Kujtim Miri u ndalua një ditë pas arrestimit të gjyqtarit, por nuk ka preferuar të flasë për organet ligjzbatuese. Ndërkohë, vazhdojnë të jenë në kërkim Gentian Doda dhe Alban Buci.