Prokuroria e Tiranës regjistron procedimin penal për punësimin e më shumë se 3 mijë personave në administratën shtetërore gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit. Hetimet kanë nisur nga Prokuroria e Tiranës pas kallzimit të ish zv/kryeministres teknike, Ledina Mandia.
Pas regjistrimit të procedimit penal, drejtuesja e seksionit të Task Forcë në Prokurori ka vendosur të zgjerojë verifikimet, duke dërguar një kërkesë për informacion në Drejtorinë e Tatimeve dhe të Sigurimeve Shoqërore.
Kërkesa është dërguar zyrtarisht në adresë të tatimeve javën që kaloi. Grupi i hetimit kërkon të dhëna për shtimin apo heqjen e personave në listat e kontributeve shoqërore e shëndetësore në periudhën përpara dhe gjatë fushatës elektorale.
Dyshimet e Prokurorisë janë se përpara fushatës në muajt maj e qershor, drejtues të drejtorive në administratën shtetërore kanë bërë punësimin e përkohshëm ose të përhershëm të shtetasve të ndryshëm në këmbim të votës.
Për këtë arsye, organi i akuzës, pasi ka përcaktuar drejtoritë ku janë bërë punësime ka kërkuar të dhëna për praktikën e ndjekur lidhur me këto raste. Burime të Prokurorisë thanë se, në këtë procedim penal janë në hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, një numër i konsiderueshëm zyrtarësh në nivel drejtorë drejtorish.
Kallzimi penal është bërë më 18 gusht 2017 nga ish zv/kryeministrja Ledina Mandia, e cila drejtoi Task Forcën e monitorimit të punësimeve në administratën zgjedhore. Prokuroria ka nisur verifikimet dhe javën e fundit është vendosur regjistrimi penal dhe mbledhja e dokumentacionit në cilësinë e provës materiale.
Prokuroria hap dosjen për 3014 punësimet në fushatën zgjedhore
863 mijë eurot dhe 2 patentat e Tahirit, Orest Sota sot te Krimet e Rënda
Orest Sota pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për vlerësim të masës së sigurisë ditën e mërkurë. Prokuroria mësohet se ka kërkuar arrest me burg për 25-vjeçarin në makinën e të cilit në datën 1 nëntor Policia e Elbasanit gjeti 863 mijë euro dhe dy patenta mjetesh lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Krimet e Rënda kërkojnë të cilësohet i ligjshëm ndalimi i të riut për akuzën e pastrimit të parave. Sipas grupit hetimor, ka dyshime se Sota nuk justifikon paratë dhe ka dyshime se janë produkt i aktivitetit kriminal. Orest Sota u la në burg në 4 nëntor nga Gjykata e Elbasanit për akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë, drejtim pa leje të mjetit, fshehje e të ardhurave dhe pastrim parash.
Por duke qenë se në makinën e 25-vjeçarit u gjetën patenat e ish-ministrit Tahiri, dosja iu bashkangjit çështjes Tahiri-Habilaj, e cila po hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda.
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor, por policia e mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në njoftimin e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen e dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese në emër të Tahirit në makinën e Sotës. Policia deklaroi se; “Më datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi O.S., sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën një shumë eurosh”.
Gjenden sende personale të avokatit të zhdukur
Mbetet mister zhdukja e avokatit Besnik Muço, ngjarje e denoncuar 10 ditë më parë nga bashkëshortja e tij Rajmonda në Itali dhe i vëllai Viktor Muço në Shqipëri. Mëngjesin e djeshëm, policia gjeti në tragetin e linjës Bari- Durrës, sende personale të tij. Ato janë një çantë të cilën e mbante me vete, një xhup dhe një leje qëndrimi italiane. Menjëherë pas gjetjes së tyre me urdhër të Prokurorisë së Durrësit ato iu dorëzuan tek autoritetet italiane. Kjo pasi në policinë italiane bashkëshortja e avokatit Rajmonda Muço ka bërë edhe denoncimin.
Ndërkaq, duke qenë se një procedim është regjistruar edhe në Prokurorinë e Durrësit, kjo e fundit mësohet se ka autorizuar policinë për të kryer disa veprime hetimore në interes të kësaj çështjeje. Hetimet e policisë italiane dhe asaj shqiptare po drejtohen në pistën e rrëmbimit dhe zhdukjes së personit.
Muço jetonte mes Shqipërisë ku kishte punën e tij si avokat, por edhe Italisë, ku kishte familjen. Pista e dytë për të cilën po hetohet është ajo e një vetëvrasjeje të mundshme, për shkak të problemeve që avokati mund të ketë pasur. Deri në vitin 1997, ai kishte punuar si prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa më pas kishte vijuar në profesion të lirë si avokat.
Akuzat penale kundër Kryeministrit Edi Rama
Nga Erl Kodra
Prokurori i Përgjithshëm, ose çdo prokuror i thjeshtë në Republikën e Shqipërisë, mund të proçedojë penalisht Kryeministrin Edi Rama. Në të vërtetë, pavarësisht se kush është sot Edi Rama dhe çfarë fuqie politike përfaqëson ai, kjo iniciativë penale në emër të Republikës së Shqipërisë, është plotësisht e realizueshme. Realisht, unë besoj se kjo është e mundur; madje nuk ka dhe nuk mund të ketë pengesë ligjore që mund ta ndalojë këtë ushtrim të detyrës për ndjekje penale nga Prokuroria, sa kohë që provat e falsifikimit të fakteve ekzistojnë, në disa forma;
1. Prova në formën e Raporteve Zyrtare të Agjensive Ligjzbatuese, SHISH, Prokurori e Përgjithshme në lidhje me përhapjen masive të kultivimit dhe trafikimit të drogave në të gjithë territorin e vendit,
2. Prova filmike televizive, me zë dhe figurë, ku Kryeministri Edi Rama i mohon publikisht ekzistencën e faktit,
3. Prova se Kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, nuk ka dhënë asnjë urdhër ose nuk ka vënë në zbatim asnjë nga mekanizmat ligjorë për të penguar përhapjen masive të kultivimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ngarkon Kryeministrin e vendit me detyra dhe përgjegjësi ligjore. Mos përmbushja e këtyre detyrimeve kushtetuese nga Kryeministri i vendit, përbën shkeljen më të rëndë ligjore, të ligjeve kushtetuese dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Pasojat e jashtëzakonshme për jetën e çdo qytetari të Republikës (pasoja të përgjithshme) si dhe pasojat individuale për qindra mijëra persona të kriminalizuar si të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin drogave. Për më tepër, krimet kundër jetës (vrasjet, plagosjet) e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, si pasojë e përhapjes masive të kultivimit dhe trafikimit të drogave.
Faktet
1. Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) është Agjensia Kryesore përgjegjëse për Sigurinë Kombëtare, e cila informon me anë të raporteve periodike Kryeministrin dhe Presidentin për çdo rrezik eventual që i kanoset vendit. Sipas informacioneve të provuara edhe publikisht, SHISH ka informuar me anë të Raporteve të njëpasnjëshme Kryeministrin e vendit dhe Presidentin e Republikës për situatën reale në terren lidhur me kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. SHISH ka hartuar edhe lista me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Këto Raporte përbëjnë faktin dhe provën kryesore, që provon se Kryeministri i vendit ka qenë në dijeni në kohë reale se çfarë po ndodh në të gjithë vendin lidhur me kultivimin dhe trafikimin e drogës.
2. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thirrur nga Presidenti i Republikës ekzaktësisht për këtë çështje të jashtëzakonshme është injoruar publikisht nga Kryeministri Edi Rama. Injorimi dhe denigrimi i një institucioni kushtetues, siç është Këshilli i Sigurisë Kombëtare, si institucioni më i lartë përgjegjës për sigurinë e vendit, mospjesëmarrja në mbledhjen e thirrur nga Presidenti i Republikës për këtë çështje, qëndrimet publike injoruese ndaj çdo raporti, të dhënë, qëndrimit të opozitës, akuzave konkrete për emra konkretë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, informacioni publik dhe mediatik, të vendit dhe të huaj, tregon qartë se Kryeministri Edi Rama me vetë dije të plotë, ka konsumuar veprën penale të “falsifikimit të faktit” nisur nga pozitat e Kryeministrit.
3. Raportet periodike të SHISH si dhe Raportet e njëpasnjëshme të disa shërbimeve të inteligjensës së vendve aleate janë prova të pakundërshtueshme se Kryeministri Edi Rama ka qenë në dijeni të plotë të faktit. Këto raporte janë zyrtare, me numër protokolli dhe faqesh, të sigluara dhe të firmosura nga krerët e këtyre institucioneve. Mbi bazën e këtyre Raporteve duhej të veprohej menjëherë, të hartohen plane operacionale, të përcaktohen detyra dhe prioritete. Në të vërtetë nga ana e Kryeministrit Edi Rama nuk është vepruar, përkundrazi, qëndrimi i tij ka qenë injorues dhe mohues ndaj faktit.
Për këto arsye, Kryeministri Edi Rama duhet të shkarkohet menjëherë nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dërgohet për ndjekje penale, me akuzën:
1. Shkelje e rëndë, për qëllime të caktuara e rendit dhe sigurisë publike,
2. Shkelje e rëndë e Sigurisë Kombëtare, në bazë të neneve 213, 214, 215, 217, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Masakra në Malin e Tomorrit nga guroret në pronësi të deputetëve
Fiks Fare denoncoi shkatërrimin e Malit të Tomorrit nga guroret e mermerit, në afërsi të fshatit Mëlovë, në Skrapar. Banorët e pakët të këtij fshati ankohen për kushtet e vështira të jetesës si pasojë guroreve të mermerit, të cilat xhirojnë miliona euro. Ata pretendojnë se guroret u kanë prishur shtëpitë, të mbjellat dhe gjithçka përreth. Lejet e para për shfrytëzimin e mermerit në këtë zonë janë dhënë në vitin 2005, ndërsa deri më sot janë dhënë 12 leje.
Mali i Tomorit është shpallur park kombëtar me një vendim të Këshillit të Ministrave më datë 18 korrik 2012. Ndërkohë, në vitin 2015, sërish me VKM, u krijua Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila bëri edhe kufizimet. Guroret e fshatit Mëlovë dhe në grykën e Dëvrisë u lanë jashtë parkut, megjithëse janë pjesë e Malit.
Rruga që të çon në këtë fshat kalon pranë një Monumenti të Natyrës, që është Karsti në Qafën e Dëvrisë. Zona është e mbrojtur me ligj, ndërkohë që janë dhënë leje për shfrytëzimin e mermerit para dhe pas këtij monumenti.
Fshati i braktisur
Banorët thonë se guroret i kanë disa firma shqiptare, greke, indiane etj. Sipas tyre, mali i Tomorrit është shkatërruar. “Dëvria është vend i bukur, por po shkatërrohet. Në këtë fshat kanë qenë mbi 80 familje, tani kanë mbetur vetëm 4”, thonë ata. Sipas tyre, gurorja e Dëvrisë është hapur në vitin 2007, ndërsa tregojë se në këto vende kanë ardhur edhe politikanë të rëndësishëm, të cilët kanë lidhje me administratorët e guroreve. Ata thonë se, guroret u kanë bërë dëm të madh. Fillimisht janë ankuar. “U tërhoqëm, s’e kapim ne dot ‘peshkun e madh'” thonë ata, ndërsa njëri shton se djemtë i ka në Greqi, ndërsa indiani merr paratë në malin e tyre. Në lidhje me politikanët, ata pohojnë se ata kanë shkuar, por vetëm te guroret. “Këtu te ne s’i plas njeriu. Po të presë njëri lëndë ndërtimi, këtu dënohet, ndërsa për ata nuk u marrka masa fare”, thotë një tjetër. Kryeplaku Jonus Jaupllari pohon se në këtë fshat mund të mbetet vetëm ai, pasi i ka rënë një hall. Për pronarët e guroreve shton se, “zëra mund të ketë firma e këtij e atij. Jo deputetë, jo të larguarit që këtej, që janë bërë deputetë. Këta nga zona e Skraparit”.
Leje në monumentin e natyrës
Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Berat. Drejtori Fatos Nako thotë se, parku i Tomorit, është shpallur me VKM 2012 dhe gjatë shpalljes është studiuar në lidhje me komplet sipërfaqen. Këto pjesët ishte dhënë licenca nga AKBN-ja janë hequr nga territori i parkut.
Fiks Fare i dërgoi një kërkesë zyrtare Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për guroret në Malin e Tomorit. Ministria na ktheu përgjigje se leja e fundit është dhënë në datën 13 qershor 2017, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare. Leja ishte në zonën që njihet si “Qafa e Dëvrisë”, e cila është monument natyre. Firma që do shfrytëzojë këtë vend është “Gulf Miningmaterials Al”, me përfaqësues z.Elidon Kasaj.
Sipas Nakos, në qafën e Dëvrisë ndodhet edhe një monument natyre, që është Karsti i Palogjenit në Grykën e Dëvrisë, i cili është shpallur me VKM-në përkatëse. “Aty një subjekt që ka marrë licencën ka bërë një rrugë kalimi, e cila afrohet këtij monumenti, më afër se 50 metra, gjë e cila ndalohet me ligj. Kam bërë dokumentacionin përkatës dhe ia kam çuar në Inspektoriatin e Mjedisit dhe Pyjeve. Çështja është në Prokurori”, thotë ai. Fiksi pyeti edhe në këtë inspektoriat, ku specialisti Ergert Laçka thotë se këtë rast e kanë referuar në Prokurori, pasi kishte punime në afërsi të këtij monumenti.
Fiksi kontaktoi edhe me administratorin e firmës “Gulf Miningmaterials Al”, z.Elidon Kasaj. Ai thotë se “kam raport që nuk është prekur, asnjë milimetër. U ngrit grup pune, dyshohej se ishin prekur 2 metra, po fare. Erdhi grupi, dyshohej për dy metra. Unë kam dhe vendimin”, thotë ai. Gazetarët i kërkuan këtë vendim, ndërsa z.Kasaj tha se do të flasë me pronarin. Më tej shton se, ka vendime nga AKZM Berat që duhet të vazhdojnë punimet.
Fiksi pyeti sërish drejtorin e AKZM Berat, Fatos Nako, i cili tha se kjo lejë është shumë afër monumentit natyror. “Ne nuk jemi pyetur. Atij monumenti i humbasin shumë vlerat. Ai që do të shkojë ta shikojë, do të kalojë në një sipërfaqe të dëmtuar pastaj do shikojë një bukuri”, vijon ai. Më tej tregon hartën ku janë guroret, ku ajo zonë ka qenë me pyje, shkurre me lajthi. “Subjekti do punojë në të dyja krahët. Ka bërë edhe rrugën. Rruga i afrohet më pak se 50 metër. Nëse s’do ishin guroret, parku do ishte edhe pjesa e gurores. Pjesët e gurores janë si gadishuj. Të dyja futen në pjesë të parkut”, thotë ai. I pyetur nëse duhet të ishin dhënë lejet, ai tha se “zona është një vend me resurse për turizmin, mendimi jo si natyralist jo”. Në fund, i pyetur si mund të koordinohen institucionet për të ndaluar këtë shkatërrim, tha se “është vullneti politik”.
“Mermeri i Skraparit, flori”
Mali ishte gërryer, ndërsa zona është bërë shkallë-shkallë nga nxjerrja e mermerit. Një punonjës thotë se mermeri pritet me fill diamanti, ndërsa thotë se do të vazhdojnë deri sa të ketë mermer. Sipas tij, një pjesë e mallit shkon në Greqi.
Ndërkohë, në një gurore tjetër, punëtorët thonë se janë me origjinë nga Kukësi dhe marrin 700 mijë lekë pagë.
Nënkryetari i Bashkisë Skrapar, Shkëlqim Çuku, thotë se me një vendim të VKM të qeverisë, fondi pyjor kullosor iu transferua Bashkisë Skrapar. “Këto subjekte, kanë marrë leje dhe aktualisht ky fond pyjor nuk është hequr. Deri në një 1 ha, e heq ministri, nga 1 ha – 100 ha e heq qeveria. Mbi 100 ha me ligj nga Parlamenti. Ata s’duhet të kishin filluar punë pa u hequr nga fondi”, thotë Çuku. Ai thotë se, Bashkia merr vetëm një përqindje të vogël nga renta minerare nga ky mermer. Më tej, Çuku flet edhe për shkatërrimin e zonës, pikërisht në Qafën e Dëvrisë. Ai thotë se në atë zonë ka shkuar dikush dhe e ka studiuar. “S’po pyet më njeri o burrë i dheut. E di si thonë?-Skrapari ka flori. Ne kujtonim si ai floriri se ku e çuan. Jo more jo. Floriri është mermeri. Ka një hartë që atje kishte mermer, tani floririn po na i merr greku dhe indiani”, vijon nënkryetari.
“Marrëveshja e fshehtë”, Farage shpërthen në Parlamentin Europian ndaj Soros
Ish-lideri i Partisë për Pavarësinë e Britanisë së Madhe dhe lideri i Brexit, Nigel Farage, ka deklaruar se ndërsa Rusia është akuzuar për financimin e fushatës së ‘Largimit’ të Britanisë nga BE-ja, donacioni i fundit prej 18 miliardë dollarësh i George Soros për fondacionin pro-BE-së, ‘Shoqëria e Hapur’, ka shpëtuar pa u shqyrtuar.
“Pikërisht këtu qëndron marrëveshja e fshehtë e vërtetë në përmasa ndërkombëtare”, tha Farage.
Duke folur në Parlamentin Europian në Strasburg të martën, Farage u tha eurodeputetëve, se ai beson se kur bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare të fshehta, ‘ne po shohim në vendin e gabuar’. Ai tha se ndikimi i Soros në Bruksel është ‘me të vërtetë i jashtëzakonshëm’, duke shtuar ‘kam frikë se mund të shohim nivelin më të lartë të marrëveshjes së fshehtë ndërkombëtare dhe politike në histori’.
Farage, kreu i Grupit të Europës për Liri dhe Demokraci të Drejtpërdrejtë, beson se Soros ka shpenzuar miliarda në BE për të minuar shtetin kombëtar.
“Kur flasim për para në parajsat fiskale, kur flasim për subversion politik, kur flasim për bashkëpunime të fshehta, pyes veten nëse po shikojmë në vendin e duhur. Dhe unë e them këtë për shkak se George Soros, kohët e fundit i dha ‘Shoqërisë së Hapur’, e cila sigurisht mbështet fushatat për lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe strukturat mbikombëtare si Bashkimi Evropian, 18 miliardë dollarë. Dhe ndikimi i tij këtu dhe në Bruksel është me të vërtetë i jashtëzakonshëm”.
Farage tha se, ‘Shoqëria e Hapur’ mburret se mbajti 42 takime në vitin 2016 me Komisionin Evropian dhe ka publikuar një libër të miqve ‘të besueshëm’ në Parlamentin Europian. ‘Ka 226 emra në listë’, tha ai.
Farage u tha eurodeputetëve se do t’u shkruante atyre emrave të përmendur, për të parë nëse ata kishin pranuar para ose ndihmë nga investitori miliarder dhe mbështetësi i fushatave liberale, Soros.
“Nëse do të kemi një debat dhe do të flasim për transparencën e plotë, politike dhe financiare, atëherë le ta bëjmë atë. Kështu që unë do t’u shkruaj sot ju të gjithëve, 226 emrave, duke ju pyetur për disa gjëra mjaft të drejta dhe të ndershme: A keni marrë ndonjëherë fonde direkt ose indirekt nga Shoqëria e Hapur? Në sa prej veprimtarive të saj keni marrë pjesë? A mund të na jepni një listë të të gjithë përfaqësuesve, përfshirë George Soros”?
Ai gjithashtu i ka kërkuar Parlamentit Evropian të ngrejë një komitet të posaçëm për të shqyrtuar çështjen në fjalë.
“E them këtë në një kohë, kur përdorimi i parave dhe implikimet që mund të ketë pasur në rezultatin e Brexit ose zgjedhjen e Trump, ka kapur histerinë virtuale. Vetëm javën e kaluar, Komisioni Zgjedhor nisi një hetim për të parë nëse fushata e ‘Largimit’ u financua nga paratë e ardhura prej parajsave fiskale apo nga paratë ruse. Kjo erdhi si rezultat i pyetjeve të bëra në Dhomën e Përbashkët nga njëfare Ben Bradshaw, i cili është i lidhur me një organizatë të quajtur ‘Shoqëria e Hapur’”.
Në tetor, Soros transferoi pjesën më të madhe të pasurisë së tij tek Fondacioni “Shoqëria e Hapur”, konfirmoi ai. Duke shkruar në faqen e tij të internetit, financieri tha: “Suksesi im në tregjet financiare më ka dhënë një shkallë më të lartë pavarësie se shumica e njerëzve të tjerë. Kjo më lejon të qëndroj në çështje të diskutueshme: në fakt, më detyron mua ta bëj këtë, sepse të tjerët nuk munden”.
“Hashtag.al”
Intervista, Rama: Puna ime ka kosto mendore
Kreu i qeverisë thotë në “Studio e Hapur” se është i stresuar dhe se “kosto e punës së tij në krye të qeverisë ka edhe kosto mendore”. Për të parën herë Rama pranon publikisht se përse shpërthimet e tij naj gazetarëve, qytetarëve apo kundërshtarëve politikë duhet të mirëkuptohen sa kohë ai është në stres dhe ka kosto mendore në punën e tij. “Lexoj shumë nga miqtë e mi në facebook që më thonë e plako ti e ke në rregull, ti je rehat fare. Në fakt ata nuk e dinë se puna që unë bëj ka shumë stres dhe kosto mendore brena saj”, tha Rama.
Betonizimi nuk ndalet, Rama miraton kulla të reja nga 25 kate
Nga Vincent Van Gerven Oei
Në heshtje të plotë dhe mungesë transparence, pa asnjë dokument të botuar në faqen e vet zyrtare (e pa rifreskuar që nga korriku), Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) i kryesuar nga Kryeministri Rama, miratoi të premten ndërtimin e një tjetër grupi kullash në qendër të Tiranës, nga studiot e arkitekturës dhe firmat e ndërtimit të lidhura ngushtë me qeverinë Rama dhe me skandale të shumta.
Ndërtesa e parë e miratuar është një kullë “multifunksionale” 24 katëshe-një tjetër qendër tregtare me apartamente në pjesën e sipërme-e cila do të ndërtohet përgjatë rrugës së “Kavajës”, në vendin ku ndodhej ish-Muzeu i Shkencave të Natyrës, pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”. Ndërtesa, e cila sipas përshkrimit “ruan kujtimin e natyrës”, përfshin pemë në fasadë dhe krijon një imazh të ngjashëm me atë të “pyjeve të varura të Babilonisë”, apo me pyllin vertikal të ndërtuar nga Stefano Boeri në Milano.
Për fat të keq, pretendimet se këto ndërtesa janë “ekologjike” dhe “të qëndrueshme”, aq të ekzagjeruara mediatikisht, janë provuar se janë të tej fryra:
Dëshironi të bëni një kullë shumëkatëshe të duket moderne dhe e qendrueshme? Vendosni një pemë mbi të. Ose më mirë akoma, dhjetëra prej tyre. Shumë projekte për kulla të larta janë të mbushura me pemë. Në tarraca, në ballkone të stërmëdha, në qoshe, në të çara apo në çdo dalje tjetër të mundshme. Praktikisht kudo, në çdo sipërfaqe horizontale dhe disa metra mbi tokë. Por, më duhet të them se arkitektët thjesht i vizatojnë ato dhjetëra pemë, sepse ende nuk kam parë ndonjë nga këto kullat “e gjelbërta” në jetën reale.
Ka shumë arsye shkencore se përse kullat nuk kanë dhe, ndoshta, nuk do të kenë pemë, të paktën jo në lartësitë që propozojnë shumë arkitektë. Jeta është e padurueshme atje lart. Për ty, për mua, për pemët, praktikisht për çdo gjë përveç skifterëve grabitqarë. Është ftohtë, nxehtë, ka erë, shirat përplasen tek ti dhe bora dhe lloha të godasin me vrull. Jeta në qytet për pemët është mjaftueshëm e vështirë. Nuk mund ta imagjinoj se si do të jetë në 150 metra në lartësi, ku çdo ndryshim klimaterik është më i skajshëm se në nivelin e rrugës. Pemët thjesht nuk janë bërë për këto kushte.
Nëse dikush dëshiron të krijojë një pemë që mund të mbijetojë në majë të një kulle, them se mund ta provojë. Por mendoj se ka plot gjëra më të mira, në të cilat duhet të përqendrojmë përpjekjet dhe kohën, si ruajtja e vendeve në tokë, ku ka pemë që rriten ose mbjellja e më shumë pemëve në rrugët që kanë nevojë për to.
Për të mos thënë, që krahasimi mes renderit në kompjuter të ndërtesës së Boerit dhe ndërtesës së vërtetë të realizuar është i madh dhe “pylli” vertikal duket më shumë si ballkone të stërmëdha me disa pemë të vogla.
Duket se studio e arkitekturës Archea Associati thjeshtë po i bashkohet valles së Boerit, sepse në Tiranën e Erion Veliajt çdo gjë që duket e gjelbër është “ekologjike” dhe “e qëndrueshme”, pa menduar për ciklin e plotë të karbonit, i cili përfshin edhe dioksidin e karbonit që prodhohet nga këto ndërtime masive dhe të panevojshme betoni.
Përveç këtij projekti, studioja Arche Associati e italianit të dënuar për korrupsion Marco Casamonti, është gjithashtu studioja projektuese e dy prej projekteve më të korruptuara në Shqipëri. Njëri prej tyre është stadiumi i ri kombëtar, që përfshin shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe transferimin e dyshimtë të pronës publike në një partneritet publik-privat të përjashtuar nga procedurat e tenderimeve dhe nga llogaridhënia përpara qytetarëve.
Projekti tjetër i Casamontit është Sheshi Veliera në Durrës, i cili ka shkatërruar në mënyrë të përhershme trashëgiminë e lashtë arkeologjike të qytetit, përfshirë vendbanimet bizantine, në shkelje të plotë të ligjeve që mbrojnë monumentet.
I njëjti arkitekt është gjithashtu përgjegjës për një nga sygërvishtësit më të mëdhenj në Tiranë, kulla e pambaruar dhe e falimentuar “4EverGreen Toëer” përballë Katedrales Ortodokse-deri tani e vetmja “kryevepër” e Casamontit në qytet.
Guvernatori në shërbim të koncesioneve
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko ka kërkuar nga bankat e nivelit të dytë që të financojnë ato projekte që janë fizibël, duke lënë të kuptohet se bëhej fjalë për koncesionet e qeverisë. Përfaqësuesit e bankave janë shprehur se do të ishte e udhës të shikojnë me kujdes projektet që paraqiten në lidhje me koncesionet, duke mos iu përgjigjur direkt pozitivisht kërkesës së Guvernatorit.
Në konferencën ‘Bankat dhe rritja ekonomike në Shqipëri”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka bërë me dije se një ndër problemet në portofolin e bankave, ai i kredive të këqija, ka pësuar ulje me 10 pikë përqindje, krahasuar me kulmin e vitit 2010.
“Treguesi i kredive me probleme është ulur vazhdimisht me 10 pikë përqindje më të ulët se kulmi në vitin 2010. Sistemi bankar është më i qëndrueshëm me likuid në gjendje më të shëndoshë”, tha Sejko.
Guvernatori tregoi më tej se bankat janë më të gatshme të japin kredi.
“Bilancet e bankave janë pastruar dhe gjendja e tyre është e shëndetshme. BSH kërkon që bankat të studiojnë kërkesat fizibël për kredi. Ka ardhur koha që kreditimi të zërë vendin që i takon në ekonomi”, vijon të deklarojë në fjalën e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, thekson Guvernatori Sejko, evidentohet një rritje të kërkesës për kredi, siç ka treguar vrojtimi i aktivitetit kreditues të BSH.
Guvernatori Sejko iu drejtua bizneseve, duke iu thënë që të shfrytëzojnë mundësi për plane biznesi të mbështetura me financim.
“Pikërisht për këtë arsye, ne si Bankë Qendrore kërkojmë që brenda niveleve të logjikshme të prudencës, të shfrytëzoni çdo mundësi dhe hapësirë për të identifikuar projekte dhe plane biznesi që meritojnë të mbështeten. Ka ardhur momenti që kredidhënia të zërë vendin që i takon në mbështetjen e ekonomisë, dhe kjo kërkon profesionalizëm, energji, integritet dhe përkushtim. Industria bankare disponon një sërë instrumentesh dhe përkrah nevojës për rigjallërimin e kreditimit, si ndër më të rëndësishmin prej tyre, në vijim dua të prek edhe disa tregues të tjerë si, shkallën e zhvillimit të sistemit financiar dhe përfshirjen e edukimit financiar. Këto përbëjnë disa elementë të tjera, mjaft të rëndësishme dhe me ndikim në aktivitetin ekonomik të vendit”, tha Sejko.
Revolucioni teknologjik, sipas guvernatorit, ka hequr barrierat, ka lehtësuar aksesin në sistemin bankar, si dhe ka rritur cilësinë e shërbimeve, duke ulur kostot. Sistemet financiare të pazhvilluara janë të ekspozuara drejt rreziqeve të natyrës sistemike dhe krijojnë çrregullime e sfida për efektivitetin e politikës monetare dhe stabilitetin financiar të vendit, theksoi Sejko.
“Fatmirësisht, jetojmë në një kohë kur inovacioni financiar ka sjellë risi të shumta në modelet e biznesit, si në procese ashtu dhe në produkte. Edhe në Shqipëri, ne duhet t’i përqafojmë ato. Revolucioni i madh teknologjik ka eliminuar barrierat fizike, duke bërë gjithnjë e më të lehtë aksesin e individëve në tregun financiar, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, moshës, kualifikimit, formimit kulturor apo traditës. Përveç aksesit më të lehtë, edhe kostot dhe shpejtësia në kryerjen e shërbimeve janë përmirësuar dukshëm. Të gjitha këto janë elementë që sistemi ynë bankar duhet jo vetëm t’i shfrytëzojë, por edhe t’i zhvillojë më tej”, tha Guvernatori.
Guvernatori Sejko, në vijim të fjalës së tij, duke theksuar elementin e përfshirjes në sistemin bankar, tregoi se shqiptarët janë ende mbrapa me vendet e tjera të OECD lidhur me pajisjen me llogari bankare, me kartë debiti, si dhe krediti.
“Në vitin 2014, vetëm 38% e popullatës kishte një llogari në sistemin financiar të licensuar, ndërkohë që 22% e të rriturve zotëronin kartë debiti dhe vetëm 6% e tyre kartë krediti. Kjo tregon një hendek të madh mes nesh dhe vendeve të OECD-së, ku 92% e popullatës ka një llogari financiare, ndërkohë që 80% e të rriturve kanë kartë debiti dhe 40% kanë kartë krediti. Roli i bankave është mjaft i rëndësishëm dhe deri-diku i pazëvendësueshëm edhe përsa i përket edukimit financiar. Thellimi dhe zgjerimi i njohurive financiare të klientëve tuaj jo vetëm që ka një impakt social të lartë, por njëkohësisht u shërben edhe vetë bankave, për të rritur më tej një potencial, i cili do të jetë konsumatori i produkteve dhe shërbimeve bankare”, tha guvernatori.
Së fundmi, Guvernatori i BSH u ndal edhe tek kontributi i sektorit bankar në luftën kundër informalitetit, i cili mund të konsiderohet një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.
“Edhe në këtë drejtim, roli i sistemit bankar është tejet i rëndësishëm. Përdorimi i të dhënave të çertifikuara nga autoritetet, si përsa i takon bilanceve të kompanive, ashtu edhe aktorëve të tjerë ekonomikë, është kthyer në një domosdoshmëri. Mbi të gjitha, ato janë masa prudenciale, të cilat rrisin nivelin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë, veçanërisht në fushën e kredidhënies. Reforma ndaj informalitetit është ndër më prioritaret për autoritetet shqiptare dhe sektori bankar, – me rrjetin e tij, ekspertizën dhe njohuritë që shumë prej jush i mbartin me vete nga vendet e origjinës të grupit bankar, të cilit i përkasin, – duhet të ofrojë ndihmesën e tij në këtë qëllim të përbashkët. Thënë sa më sipër, ju ftoj që debati apo analizat tuaja në këtë konferencë njëditore të përqendrohen në këto linja, duke shpresuar që ky takim të krijojë një konvergim idesh dhe konkluzionesh në lidhje me gjallërimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik. Mbështetja e Bankës së Shqipërisë do të jetë e pakushtëzuar në këtë drejtim. Ashtu si në të kaluarën, ne vazhdimisht do të jemi në kërkim për të adoptuar strategji dhe rregulla që synojnë një sistem bankar të shëndetshëm financiarisht dhe të aftë të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit. Jam besimplotë se bashkëpunimi në të ardhmen mes të gjithë aktorëve: industrisë bankare, ekzekutivit shqiptar dhe Bankës së Shqipërisë, do të thellohet më tej, në të mirë të prosperitetit ekonomik dhe financiar të vendit”, tha në fund Guvernatori Sejko.
Banka thotë se plakja e popullsisë është një rrezik për ekonominë
Ekonomia e vendit vijon të rritet poshtë potencialeve të saj dhe me shumë gjasë ky fenomen do të vijojë edhe në periudhën në vijim.
Banka e Shqipërisë referoi në raportin e fundit për zhvillimet ekonomike të tremujorit të tretë se, plakja e popullsisë, fenomeni i emigracionit dhe rritja e dobët e produktivitetit, do të vazhdojnë të jenë faktorë frenues në përshpejtimin e normave të rritjes potenciale.
Banka thotë se, me gjithë tendencën përmirësuese, në terma afatmesëm, norma e rritjes potenciale do të vijojë të mbetet nën nivelin e para vitit 2009.
Në fillim të vitit 2017, popullsia ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare. Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç, ku tkurrja ka qenë me 10 mijë të rinj më pak sesa pritej. Në të kundërt, të moshuarit po rriten me shpejtësi. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011, kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të krejt totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.
Pas një dekade, kur 50-vjeçarët e sotshëm do të dalin në pension, forca e punës do të pësojë tkurrje të madhe, duke bërë, që ekonomia e vendit të mos ketë përparësi në këtë drejtim. Këto zhvillime do të diktojnë shumë shpejt tendencat e konsumit dhe shpenzimeve publike.
Shitjet me pakicë do të duhet të orientohen për shërbimet e moshave të vjetra, që nga ushqimet, veshjet dhe akomodimi, teksa shpenzimet e qeverisë nevojitet të zhvendosen nga shkollat tek qendrat e kujdesit social për të moshuarit.
Banka e Shqipërisë referon se, rritja potenciale rezultoi e reduktuar nga 6% në periudhën 2002-2009, në rreth 3% pas kësaj periudhe.
Gjithashtu, vlerësimet treguan se ekonomia u rrit nën potencial pas vitit 2008 dhe se hendeku negativ i prodhimit u thellua me kalimin e viteve, duke arritur diferencën maksimale në mesin e vitit 2015.
Thellimi i hendekut të prodhimit u shoqërua nga një rritje e normës së papunësisë mbi atë natyrore, nga një ngadalësim i investimeve dhe nga kontribute mjaft të ulëta të produktivitetit në rritjen ekonomike.
Vlerësimet kanë treguar se reduktimi i ritmit të rritjes ekonomike ishte kryesisht një fenomen strukturor. Si i tillë, ai u shkaktua nga ngadalësimi i ritmit potencial të rritjes ekonomike, si pasojë e kushteve financiare të pafavorshme dhe e nevojës për ndryshime të thella strukturore në ekonomi.
Ndërkohë që reduktimi reflektonte vetëm pjesërisht një fenomen ciklik, të shkaktuar nga kërkesa agregate e pamjaftueshme për të nxitur shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese të vendit, teksa fenomeni i plakjes së popullsisë dhe emigracioni shihet të kenë një rol madhor në shfrytëzimin e potencialeve ekonomike të vendit.