Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, në një reagim në lidhje me rritjen e çmimit të ujit ka akuzuar ERRU, e cila sipas tij “çuditërisht vendos të rrisë çmimin e ujit në Tiranë”. Sipas Bozdos nëse UKT i ka humbjet në rrjet mbi 70%, do të mjaftonte reduktimi i këtyre humbjeve që çmimi jo vetëm të mos rritej, por madje të ulej. ERRU, si rregull, duhet ta detyrojë UKT më parë të ulë humbjet. “Pavarësisht se UKT i ka humbjet në rrjet mbi 70%, do të mjaftonte reduktimi i këtyre humbjeve që çmimi jo vetëm të mos rritej, por madje të ulej. ERRU, si rregull, duhet ta detyrojë UKT më parë të ulë humbjet. Por ERRU i bën fresk politikës së ditës, jo qytetarëve. Në qoftë se UKT do të kishte një plan biznesi serioz, çdo bankë do ta financonte, pa patur nevojë të rritet aspak çmimi i ujit. P.S. Ndërkaq Veliaj ka dy vjet që mburret se e ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e UKT. Por qartazi gënjen! Mesa duket, do ta japin me koncesion. Por më parë po e kthejnë në fitimprurëse….sigurisht me lekët tona”, e përfundon Bozdo reagimin. Ndërkohë “Rilindja Demokratike” ka raportuar më parë duke iu referuar dhe ekspertëve të fushës se me 45 lekë për metër kub, ujësjellësi ka një fitim neto prej rreth 30 lekësh (shifra mendohet të jetë më e madhe, pasi me shumicë uji ka një çmim prej 12 lekësh). Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë. Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujërave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë euro. Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do duhej të mblidhte UKT, por që do dalë nga xhepat e qytetarëve. Në fakt shuma është e përafërt se këtu nuk llogariten bizneset që kanë një tarifë tre herë më të lartë. Shkurt një biznes që do e kishin zili dhe kompanitë e mëdha që operojnë në bursë. Plani i biznesit i firmosur nga drejtori i UKT, Redi Molla, nuk bën parashikime se sa do të rriten të ardhurat nga rritja e tarifave në mënyrë kaq të lartë. Aty flitet vetëm për “të ardhura të dëshirueshme”, të cilat për vitin 2018 janë 4 miliardë lekë ose 17 për qind më shumë se sa të ardhurat e pritshme 2017 ose 29 për qind më shumë se sa të ardhurat e vitit 2016.
LSI: Rama po tenton pastrimin e parave të drogës përmes buxhetit
Qeveria po tenton të pastrojë paratë e kanabisit përmes buxhetit të shtetit. Akuza u artikulua nga deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, sipas të cilit paratë e pista mund të injektohen në ekonomi përmes investimeve në rrugë, porte apo vepra të tjera.
“Fakti që ka pasur bum të hashashit, fakti që këto para ekzistojnë, mund të injektohen edhe në ekonomi. Unë këtë plan e shoh edhe si paqartësi të qeverisë. Erdhën pa asnjë program, është zgjidhje copy paste e disa ekspertëve të financave pa dhënë asnjë projeksion. Për derisa këto para ekzistojnë mund të injektohen”, tha Spahiu për “Report tv”.
Sipas tij, nëse këto para janë realizuar në këto tregti të zezë, ose injektohen ose mbahen cash, ose transferohen jashtë. “Investime në ndërtim, në rrugë, ose porte. Transferimi jashtë i këtyre parave është kthyer në stres mesa duket, mbajtja në shtëpi, rrezikon ti humbësh. Prandaj injektohen në ekonomi. Nëpërmjet këtyre instrumetave PPB, nëse sjellin siç duhet sjellin zhvillim për ekonominë. E thashë dhe më herët, mënyra se si Rama i trajton çështjet, si tek fëmijët në Bulqizë deri tek plani 1 miliard eurosh, pra ka një situatë ironie që e përdor. Edhe raportet ndërkombëtare thonë që riskojmë nga kjo situatë”, theksoi Spahiu.
Më tej ai theksoi se, “Sistemi bankar, është një sistem privat, pasi sa më shumë të ketë qarkullim leku, aq më mirë është për ta, por ky lloj qarkullimi vret paranë e ndershme, por nuk ka një plan afatgjatë. Ne si opozitë i kemi kërkuar transparencë për të gjitha këto. Unë them se duhet të shfrytëzojmë kompanitë ndërkombëtare, me paketa fiskale që janë serioze dhe me kapital dhe jo kompani fantazmë. Nëse kemi zgjedhje reale, kjo rregullohet e gjitha me paratë e pista dhe me kultivimin e hashashit”. Ndërkohë që i pyetur në lidhje me largimin e FMN ai tha: “Mos harro se ne kemi një kredi disa miliona eurove, absolutisht ishte një qeveri që vinte me borxhe nga e kaluara. Natyrisht kishte nevojë të merrte fonde, them që pa kaluar në teori konspirative, në ekonomi hashashi, ndaj dhe FMN, nuk ka dashur të jetë pjesë në këtë proces. Mes kësaj që po ndodh dhe asaj që ndodhi që unë jam borxh, më mirë të jemi borxh kompanive shtetërore, jo të jemi borxh ndaj ekonomive të partneritetit publik privat, kjo është e rrezikshme. Personalisht është një vendim juridik, kryeministri ynë kërkon që t’i kapë të gjithë, kjo është një mënyrë se nuk e di ku do ta çojë”.
Nuk ka rritje rrogash, as pensionesh dhe as investime
Në Komisionin e Ekonomisë, ku po diskutohet projektbuxheti 2018, nënkryetarja demokrate e Komisionit, Jorida Tabaku, vuri në dukje 10 defektet kryesore. Tabaku ka vënë në dukje mungesën e fondeve për rritje pagash dhe pensionesh, ndërsa ka vënë në dukje se ajo që deklaroi Rama për një qeveri të vogël rezulton një mashtrim në një kohë kur numri i punonjësve në administratë është rritur. Ndërsa është ndalur tek çështja e ndihmës ekonomike, Tabaku ka bërë të ditur se ndihma ekonomike vijon të jetë e njëjtë pa asnjë fond shtesë apo rritje.
“Nuk ka rritje pagash. Nga 5,5 mld lekë, fondi tani është 1 mld lekë. Nuk ka rritje pensionesh. Nga 2,5 mld lekë, fondi tani është 1,8 mld lekë. Nuk ka qeveri të vogël. Numri i punonjësve është rritur. Nga 81 617 punonjës, bëhet 81 660. Nuk ka fonde as për indeksim pagash e pensionesh. Ndihma ekonomike nuk shtohet. Ishte 20 miliardë, është 20 miliardë lekë” është shprehur Tabaku.
Nga ana tjetër, ajo ka vënë në dukje se edhe kompensimi i ish-të përndjekurve politik mbetet në vend numëro, ndërkohë që qeveria edhe për këtë zë nuk ka bërë asnjë rritje fondesh.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me fondet e arsimit dhe shëndetësisë, në një kohë që të dy këto sektorë janë ndër më të rëndësishmit.
Tabaku ka vënë në dukje gjithashtu stopimin e investimeve publike dhe atyre strategjike, ndërsa ka denoncuar shpenzimet e luksit dhe koncesionet abuzive.
“Nuk rritet kompensimi i të përndjekurve, shqetësim që Partia Demokratike e ka ngritur vazhdimisht.. Ishte 2 mld lekë, është 2 miliardë lekë. Me këtë ritëm duhen 20 vjet të përfundojë pagesa për ish-të përndjekurit.
Investimet janë në vlerën 86 miliardë, por siç është praktikë e kësaj qeveria nuk do të zbatohen. Në këtë shumë përfshihen 9,4 miliardë lekë koncesione, 1,8 miliardë lekë shpenzime luksi.
Investimet kryesore strategjike janë braktisur, duke filluar nga rruga e “Arbrit” që jepet me koncesion, duke vazhduar me shkollat e shëndetësinë që përsëri jepen me koncesion.
Arsimi është në minimumin e mundshëm të fondeve me 3,6 mld lekë, ku nuk përfshihet as kërkesa e opozitës për libra falas.
Shëndetësia është 1,98 miliardë lekë, duke përfshirë dhe koncesionet në shëndetësi. Në minimumin historik”, ka bërë të ditur Tabaku.
Paratë e pista, 5 miliardë dollarë qarkullojnë nga droga dhe krimi i organizuar në Shqipëri
Mbi 5 miliardë dollarë janë paratë e drogës që qarkullojnë në vend dhe që pritet të pastrohen përmes projektit të Ramës 1 miliard euro koncesione. Dorjan Teliti, këshilltar i Partisë Demokratike, ka zbardhur shifrën në lidhje me paratë e pista që qarkullojnë në Shqipëri si dhe metodën se si do të pastrohen nga qeveria përmes bankave.
“Nuk po flasim më për para të pista, por janë miliarda euro që qarkullojnë prej drogës. Afërsisht 5 mld dollarë qarkullojnë nga droga dhe krimi i organizuar. Ata që i kanë këto para do mundohen t’u futin në ekonomi. Në vendet e tjera, aty ku synohet është sektori i ndërtimit. Këto para do futen me projektin e famshëm ‘1 mld euro’ që do implementohet nga qeveria për të injektuar para në Republikë që janë jashtë sistemit, sepse nuk janë para të pastra, nuk janë të deklauara”, është shprehur Teliti për “Report tv”.
Teliti ka sqaruar dje skemën se si do të funksionojë pastrimi i parave përmes trekëndëshit të denoncuar nga Basha Politikë-krim-banka.
“Qeveria do të bëjë disa kontrata me investitorë private për projektin 1 miliard euro. Investitori do marri kredi për projektin në banka, qeveria atë vlerë, plus fitimin, plus interesat bankare do t’ua kthejë. Është një skemë e dështuar, si në Greqi. Paraja është në të zezë dhe e padeklaruar, nuk e justifikojnë dot vlerën e punimeve me paratë që kanë në gjendje, ndaj do t’i drejtohen sektorit bankar. E përgëzoj Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë që u bëri thirrje të gjitha bankave që PPP-ja të bëhet brenda ligjit. Ne do auditojmë praktikat”, përfundoi Teliti.
Teliti tha se, ky buxhet godet të varfërit dhe favorizon bizneset dhe oligarkët pranë qeverisë, si dhe anëtarët e krimit të organizuar që bashkëpunojnë me shtetin. “Qeveria është e delegjitimuar dhe nuk mund të hartojë diçka që është në interes të publikut” , u shpreh ai.
Për të shpjeguar më në detaje se çfarë parashikon buxheti i 2018-ës, Teliti tha: “Kush është biznes i vogël, qytetar i thjeshtë, vazhdon të ngarkohet më shumë barra. Kush është biznes i fuqishëm i afërt me qeverinë, me pastrimin e parave, do të marrë thjeshtësira për futjen e parave të jashtëligjshme në sektorin e ekonomisë shqiptare”.
I pyetur se cilat janë propozimet e Partisë Demokratike, propozime PD për buxhetin, Teliti u përgjigj: “Buxheti është propozim nga mazhoranca, e cila në zgjedhje kishte vetëm një premtim, atë se do të bëjmë shtet dhe vetëm një instrument: na jepni ne timonin. Është e habitshme që kemi një qeveri që nuk ka program qeverisës. PD ka bërë dhe bën një recens të fortë me argumenta ndaj të gjitha propozimeve të qeverisë. Propozimet që ne kemi janë reale dhe i kemi shprehur. Jemi kundër futjes së TVSH-së për mijëra biznese, jemi kundër rritjes së taksave, kundër favorizimit të disa bizneseve. Kundër uljes së taksave të hoteleve me 4-5 yje”.
Edhe pse qeveria ka argumentuar se ulja e taksave për hotelet me 5 yje ka qëllime strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit, Teliti thotë: “Qytetari që ndërton një hulli ka taksë, nuk ka lehtësira. Lehtësira kanë bizneset e lidhura me qeverinë, lista e tyre do të përcaktohet nga qeveria me anë të një vendimi të saj, pra, ka një orientim drejt oligarkisë. Kush e ha drekën te Santa Quaranta do paguajë TVSH 6%, ai ngjitur do ta ketë 20%. Në parim, jemi pro uljes së çdo takse dhe tatimi, filozofia jonë ka qenë për taksa të ulta për të gjitha shtresat. Disktumi është pse nuk ja ul dhe të tjerave, por favorizon një grup biznesesh që kanë interesa me qeverinë. Të tëra të jenë 6%. Hotelet e mëdha, një pjesë e mira e tyre janë të lidhura me krimin e organizuar, e kemi faktuar. Kush është i ndershëm do të ngarkohet më shumë me taksa nga qeveria, kush është i pandershëm, i lidhur me qeverinë dhe oligarkinë, do të marri lehtësira më tepër”.
Lufta propagandistike në Europë
Rusia përpiqet ta dobësojë BE-në dhe përhap qëllimisht desinformacion, kryesisht në Ballkanin Perëndimor. Për këtë janë të bindur shumë kritikë në Bruksel. Tani po bëhen përpjekje për hartimin e një kundërstrategjie. “Sputnik” në Serbi: është dega e medias RT për raportimin online dhe radiofonik e financuar nga Kremlini. U përdorën tone dramatike në mes të tetorit, kur ministrat e Jashtëm të tetë vendeve anëtare të BE-së – Kroacisë, Çekisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar – në një letër drejtuar Federica Mogherini-t bënin fjalë për përhapjen e dezinformacioneve dhe propagandës “gjithnjë e më të rafinuar dhe më të intensifikuar” nga “aktorë të jashtëm”. Qëllimi i tyre, sipas ministrave është “ngjallja e mosbesimit dhe pakënaqësisë me rendin demokratik si dhe për diskretituar BE-në dhe vendet partnere të BE-së me qëllim që të dobësojnë unitetin europian”.
Njëkohësisht 65 ekspertë europianë të sigurisë dhe parlamentarë nga 21 vende të BE-së nënshkruan një deklaratë, në të cilën shprehimisht bëhet përgjegjëse ministrja e Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, që ajo nuk ka ndërmarrë masat e duhura kundërvënëse dhe nuk e pëcakton Rusinë si burimin kryesor të dezinformatave armiqësore. Për këtë fushatë dezinformimi mediet si “Sputnik” dhe shtëpia mediatike “RT” (Russia Today) përdoren qëllimisht si instrument propagande.
Në fokus Europa Lindore dhe ajo Juglindore
Se si mund të kufizohet influenca e mediave ruse, për këtë diskutoi në Bruksel Këshilli i Punëve të Jashtme (FAC). Veçanërisht në fokus janë vendet e Europës Lindore dhe Juglindore. Që në vitin 2015 mbi bazën e një nisme të Këshillit Europian u krijua një Task Force për Komunikim Strategjik (StratCom), për të zbuluar dhe luftuar “fushatën deiinformuese ruse”. Si përmirësimi më i ri në vjeshtë të këtij viti u vu në funksionim njësia StratCom Western Balkans.
“Ekipi për Ballkanin Perëndimor punon, për të promovuar BE-në dhe politikën e vlerat e saj opinionin publik në rajon”, thotë Maja Koçijançiç, zëdhënëse e së ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme, Mogherini. Me këtë synohet të plotësohet zbraztia e informacionit. “Qëllimi është, që avantazhet e integrimit në BE t’u përçohen njerëzve në vendet e Ballkanit Perëndimor e po ashtu edhe vendeve anëtare të BE-së”, tha Koçijançiç.
Financim modest
Por pas nismës me emërtimin StratCom Westbalkan, aktualisht qendrojnë vetëm dy punonjës, të cilët bashkëpunojnë ngushtë me StratCom East, një Task-Force e ngjashme për vendet anëtare të BE-së në lindje të Europës. Ato së bashku krijojnë një njësi të vetme të BE-së, që është përgjegjëse për fushatën e supozuar të dezinformimit nga Kremlini. Gjithsej kjo njësi përfshin vetëm 16 punonjës. Ndaj ekspertë në BE druajnë, se ky ekip është i pamjaftueshëm për t’i bërë ballë influencës ruse në pjesë të ndryshme të Europës përfshi edhe Ballkanin Perëndimor.
Ndaj ekspertët dhe politikanët e sigurisë kërkojnë forcimin e punës strategjike të komunikimit në BE, duke përfshirë edhe Referatin për Ballkanin Perëndimor të StratCom. Financimi për kufizimin e propagandës ruse duhet të trefishohet në të paktën një milion euro. Për krahasim: një Task Force e ngjashme në SHBA, Qendra Global Engagement, ka ndërkohë 80 punonjës me një financim prej 60 milionë dollarësh.
Lidhje tradicionale
Rusia tradicionalisht ka marrëdhënie të mira me vendet e Europës Lindore dhe ato të Ballkanit e po ashtu ajo ka interesa të fuqishme gjeostrategjike në këtë rajon. Moska mbështetet në këto rajone nga minoritetet e fuqishme ruse, veçanërisht në shtetet e Baltikut, po ashtu ajo u referohet lidhjeve historike me bashkësinë slllavo-ortodokse në vendet e Ballkanit Perëndimor si Serbia, Maqedonia e po ashtu edhe Bullgaria.
Mesazh pozitiv
“Lidhjet ruse në këtë rajon janë forcuar prej shekujsh dhe janë tradicionalisht shumë të ngushta. Por BE-ja e ka strategjinë si dhe instrumentat më të mira, për të vënë diçka në lëvizje”, thotë Angelina Eichhorst, drejtore për vendet e Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. “Ne ekzistojmë si strukturë, sepse mendojmë, që si për njerëzit në këtë rajon ashtu edhe për BE-në është e rëndësishme të punohet bashkarisht, për të arritur paqen dhe mirëqenien si dhe për t’i ruajtur ato”, nënvizon Eichhorst.
Dënimet për djegien e ambasadës amerikane në Beograd

Një gjykatë në Serbi i dënoi katër veta me kusht dhe la të lirë tre të tjerë që akuzoheshin se i kishin vënë zjarrin ambasadës amerikane në Beograd, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Tre nga të akuzuarit, Dejan Vuçkoviç, Dragan Marinkov dhe Marko Novitoviç, u dënuan me nga gjashtë muaj heqje lirie me kusht për dy vjet, ndërsa Milan Tomash, u dënua me pesë muaj heqje lirie.
Aktgjykimi i sotëm pasoi rikthimin e çështjes në rigjykim, pasi që në shtator të vitit 2015, shtatë veta qenë dënuar më nga 5 deri në dhjetë muaj heqje lirie. Në nëntor të vitit 2016, Gjykata e Apelit në Beograd vendosi rigjykimin.
Një person kishte humbur jetën, kur ambasada amerikane dhe disa ambasada të tjera perëndimore u sulmuan nga grupe protestuesish që hodhën gurë e mjete të tjera të forta dhe i vunë zjarrin ambasadës amerikane në shenjë kundërshtimi ndaj mbështetjes perëndimore ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall më 17 shkurt të vitit 2008.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.
Ende nuk ka pasur ndonjë reagim ndaj vendimit të sotëm të gjykatës serbe, por diplomatët amerikanë kanë kërkuar vazhdimisht nga Beogradi që të vërë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin mbi ambasadën amerikane.
May: Aksionet ruse e kanë “kërcënuar rendin botëror”
Përpjekjet e Rusisë për të shkaktuar përçarje në Perëndim, nuk do të kenë sukses dhe ato tashmë kanë ndikuar që aleatët perëndimorë të punojnë së bashku për ta kundërshtuar përzierjen e Moskës, tha mbrëmë vonë në Londër, kryeministrja e Britanisë, Theresa May.
Mëtutje, zonja May i ka cituar aksionet aktuale të Rusisë për të cilat ajo tha se, “e kanë kërcënuar rendin ndërkombëtar”, duke filluar prej aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014 e deri te përpjekjet aktuale për shfrytëzimin “e informacionit si armë” nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe rrjedhjeve të informacioneve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Moska “po vendos organizata mediale të udhëhequra nga shteti për të plasuar tregime të rrejshme” dhe fotografi të përpunuara me programe digjitale “në përpjekje për të shkaktuar mosmarrëveshje në Perëndim dhe për shkatërrimin e institucioneve tona”, tha Theresa May.
“Prandaj e kam një mesazh të thjeshtë për Rusinë: ne e dimë se çka po bëni dhe ju nuk do të keni sukses”, tha zonja May dhe ka shtuar se “Londra “do të ndërmarrë aksione të domosdoshme për ta kundërshtuar aktivitetin rus”, nëpërmjet aleancës së NATO-s dhe lidhjeve të tjera.
“Mbretëria e Bashkuar do të mbetet pakushte e përkushtuar për ruajtjen e sigurisë së Evropës”, tha Theresa May.
UNESCO mund të braktisë Venecian, qyteti drejt fundosjes
Çdo ditë ankorohen në Venecia transoqeanikë e vërshojnë me mijëra turistë. Turizmi i pakontrolluar po e kërcënon lagunën e famshme të Italisë. Venecia rrezikon të humbasë statusin “Trashëgimi e Kulturës Botërore”.
Venecia tani për tani sërish mund të marrë frymë – me sa duket, sepse UNESCO e ka shtyrë vendimin e saj për 2019. Fjala është, nëse qyteti lagunë do të klasifikohet “trashëgimi e kulturës botërore”. Ky do të ishte një rast precedent, sepse Venecia rrezikon ta humbasë mbrojtjen prej UNESCO-s, pasi qyteti tregohet i pakujdesshëm me trashëgiminë kulturore. 30 milionë turistë në vit, gati 500 anije transoqeanike me turistë kalojnë çdo vit pranë San Marco-s. Qyteti e ka shitur veten. Protesta e popullsisë është e madhe. Shumë prej 55.000 venecianëve kërkojnë një turizëm konform normave për ta mbrojtur më shumë qytetin. Ata nuk tërhiqen, edhe pse interesat ekonomike vazhdojnë të jenë po kaq të mëdha.
Paolo Patuzzo, shoqërues turistësh, sa herë kalon urën Rialto habitet. Ai është i preokupuar për atë, se çfarë ka mbetur nga sharmi i këtij qyteti, ku çdo vit mësyjnë miliona turistë?! Si mund të mbrohet Venecia nga ky fluks vizitorësh?! Kjo trashëgimi kulturore nuk mund të mbijetojë vetëm si dekor për fotografi, për këtë është i bindur Paolo. “Nga dashuria për këtë qytet unë kërkoj vende dhe njerëz, të cilët e mbajnë ende në jetë Venecian. Sepse ka shumë njerëz, të cilët shkojnë kundra rrymës dhe duan t’i japin një drejtim të ri këtij qyteti”.
Gjithçka në kurthin e industrisë së turizmit
Paolo vet jeton prej turizmit, ashtu si pothuajse të gjithë venecianët. Kjo është edhe dilema e tij. Me guida të posaçme turistike, ai do të tërheqë vëmendjen për problemet – si në lagjen e tij, ku qiratë rriten për shkak të shtëpive që jepen me qira për turistët, e prej nga vendasit gjithnjë e më shumë po largohen.
Në lokalin e tij të preferuar temë e rëndësishme e bisedave është rënia e Venecias dhe shuarja e venecianëve. Ata shprehin keqardhje për humbjen e zejtarisë me traditë në qytet. Një klient i përhershëm i këtij lokali vëren: “Para njëzet vitesh këtu gumëzhinte prej zejtarëve. Për popullsinë prodhohej ende që nga dyshekë e jorganë, e po ashtu punonin këtu edhe rrobaqepës, këpucarë, zdrukthtarë, libralidhës, bravandreqës – sot të gjithë janë zhdukur. Askush nuk bën më dyshekë, apo riparon këpucë”. Kjo u cënon krenarinë venecianëve. Çfarë ka mbetur prej metropolit dikur më të pasur të Europës?
Paolo na tregon tregun e fruta-zarzavateve. Edhe ky treg ka rënë në kurthin e turizmit, në një qytet, ku banojnë e jetojnë vërtetë gjithnjë e më pak njerëz. “Këtu ka gjithnjë e më shumë turistë, që fotografojnë, se sa klientë që blejnë. Kjo është provokuese, ndaj disa shitës peshku po mendojnë që të fitojnë para, duke u angazhuar si statistë apo aktorë në një mjedis turistik”.
Problemi kryesor transoqeanikët
Një problem gjigant janë transoqeanikët turistikë. Stefano Micheletti është i shokuar. Prej vitesh këta gjigantë jo vetëm zbarkojnë këtu turistë ditorë në masë, por ato rrezikojnë edhe themelet e qytetit lagunë.
Stefano Micheletti është aktiv në nismën qytetare “Jo më transoqeanikë” “Helikat e mëdha të anijeve kanë efektin e pistonave dhe e turbullojnë të gjithë tabanin, gjë që bën që zhavor e baltë të derdhen në det të hapur”. Pasoja është: Venecia, që është ndërtuar me palafite të drunjta të zhytet gjithnjë e më shumë e një ditë mund të mbulohet nga uji.
Stefano Micheletti nuk dorëzohet. Iniciativa e tij qytetare ia ka dalë, që transoqeanikët të mos lejohen më të lundrojnë pranë qytetit. Stefano Michelettit: “Kur një anije e tillë kalon pranë brigjeve, në kanalet përreth niveli i uji ulet me rreth 20 centimetra dhe më pas rritet sërish, për shkak të zhvendosjes. Këto janë forca të jashtëzakonshme, që lenë gjurmë në themelet e pallateve, kishave dhe urave”.
Me angazhimin e tij, Stefano Micheletti nuk ka vetëm miq. Autoriteti portual i Venecias ka investuar miliona në terminalet moderne të transoqeanikëve. Por për shkak të protestave të popullsisë mund të përdorë tani vetëm gjysmën e tyre. Galliano di Marco, nga terminali i pasagjerëve të Venecias thekson: “Që prej katër vjetësh ne dëgjojmë për këto frikëra, që madje anijet mund edhe të përplasen më objektet në qytet. Unë vetëm se mund t’ju siguroj, se rreziku është zero, madje edhe me një anije transoqeanike!”
Kështu industria e transoqeanikëve vazhdon të bëjë reklamë për lundrime pranë San Markos, si diçka unikale në botë, duke fituar miliona prej kësaj. Por fronti kundër transoqeanikëve po rritet – edhe për shkak të gazrave që ato emetojnë prej oxhaqeve të tyre. Gjithnjë e më shumë venecianë dyshojnë, nëse ky është kursi i duhur që duhet të ndjekë qyteti?! Shoqëruesi i turistëve Stefano Micheletti, thekson: “Projektet e mëdha të ndërtimit deri më tani vendosen nga shoqëritë e mëdha të aeroporteve dhe porteve. Bëhet fjalë për rritje ekonomike, gjithnjë e më të madhe. Për të mirën e qytetit mungojnë strategjitë”.
55.000 banorë çdo vit përballen me 30 milionë turistë. Kundër kësaj tendence është e nevojshme një strategji radikale. Aktivistët besojnë, se turizmi në Venecia sërish duhet drejtuar në dimensione normale. Për ta shpëtuar qytetin e tyre, venecianët duhet të heqin dorë nga një pjesë e biznesit të madh.
Puigdemont: Marrëveshje mes Katalonjës dhe Spanjës
Ish-presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, e konsideron të mundshme një zgjidhje të konfliktit të Katalonjës pa e shkëputur rajonin nga Spanja. Këtë politikani i shkarkuar katalonjas e theksoi në një intervistë.
“Unë jam edhe tani për një marrëveshje”, tha ish-presidenti rajonal i Katalonjës Carles Puigdemont për gazetën belge “Le Soir”. Gjatë gjithë jetës, sipas tij, ai është angazhuar për pavarësinë dhe ka punuar 30 vjet për një ndryshim të pozicionit të Katalonjës brenda Spanjës. Por: “Unë jam i gatshëm, e kam qenë gjithmonë i gatshëm, që të pranoj një tjetër marrëdhënie me Spanjën”, nënvizon më tej në Bruksel, Puigdemont.
Puigdemont – i lirë por me kusht
Se si duhet të jetë saktësisht kjo marrëdhënie, sipas përfytyrimeve të tij, ai nuk e shpjegoi. Puigdemont edhe më parë pat theksuar, se deklarata e pavarësisë së Katalonjës duhej të shërbente si bazë për bisedime politike me kryeministrin e Spanjës Mariano Rajoy.
Pavarësisht ndalimit nga Gjykata Supreme e Spanjës, qeveria katalonjase më 1 tetor zhvilloi referendumin për pavarësinë nga Spanja. Madridi vendosi shkarkimin e qeverisë rajonale dhe shpalli zgjedhje të reja për më 21 dhjetor në Katalonjë. Rajoni në fakt autonom tani ndodhet nën administrimin direkt të qeverisë qendrore.
Disa anëtarë të qeverisë së shkarkuar rajonale, ndërkohë mbahen në arrest. Drejtësia spanjolle i akuzon ata për rebelim, kryengritje, shpërdorim të financave publike, akuza këto ndaj të cilave parashikohet deri në 30 vjet burg. Puigdemont me disa ish-ministra u zhvendosën në Bruksel, për t’i shpëtuar arrestimit nga Spanja. Atje ata janë të lirë, por me kusht. Madridi kërkon ekstradimin e tyre bazuar në një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Bie mbështetja për qeverinë spanjolle
Kryeministri i Spanjës, Rajoy e mbrojti qëndrimin e tij kundër Puigdemont. Gazetës gjermane “Handelsblatt”, Rajoy i tha, se me Puigdemont nuk ishte e mundur një zgjidhje politike. Çdo vend mbron integritetin e vet territorial. “Unë kam siguruar një mbështeje të gjerë politike të partive të tjera në Spanjë, për të reaguar ndaj kësaj krize”, vëren kryeministri. Sikurse thotë, ai llogarit me humbjen e mbështetjes për separatistet në zgjedhjet e 21 dhjetorit.
Por në fakt qeveria e minorancës nën Rajoy është duke humbur mbështetje në elektorat për shkak të krizës së Katalonjës. Sipas një sondazhi të gazetës “El Pais” 55 për qind e të anketuarve në Spanjë preferojnë zgjedhje të reja, ndërkohë që në tetor, kjo kuotë ishte 49 për qind. Mandati i kësaj qeverie vazhdon deri më 2020. Rajoy pas zgjedhjeve të fundit nuk ia doli që të krijojë një koalicion me mazhorancë në Parlament. Kjo e vështirëson legjislativin.
OKB: Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot debatohet për zhvillimet në Kosovë në periudhën tremujore, prej 16 korrikut e deri më 15 tetor të këtij viti.
Në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili do të shërbejë si bazë për diskutim të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, theksohet, pos tjerash, se lavdërohen “përpjekjet e institucioneve të Kosovës për ta mbajtur ambientin paqësor në periudhën e gjatë të paqartësisë politike pas zgjedhjeve legjislative më 11 qershor”.
Mëtutje, në raport theksohet se një pjesë e rëndësishme e realizimit të synimeve është edhe “progresi i qëndrueshëm në normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Në raportin e publikuar në faqen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Internet, po ashtu, thuhet se në dialogun politik Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, “kërkohet vendosmëri në përkushtim dhe pranimi se implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara në vitin 2013 shpeshherë është vonuar”.
“Marrëveshjet e nivelit të lartë, ato të vjetrat dhe të rejat, kanë kuptim vetëm nëse mbështeten nga përkrahja me bazë të gjërë dhe aksion nga të dy palët”, thekson raporti.