31.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Skandal me koncesionin, kompania merr 4.8 mln euro nga qeveria pa nisur investimin

Nga 11 nëntori i vitit të kaluar deri në shtator të këtij viti, kompania Integrated Technology Waste Treatment Fier, që ka të drejtën e koncesionit për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Fierit, ka përfituar 4.8 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit, edhe pse problemi i tokës ku do të zhvillohet investimi ende nuk është zgjidhur e për pasojë, investimi nuk ka nisur.

Kompania kaloi një kalvar konfliktesh me komunitetin në Qarkun e Fierit, të cilët me protesta agresive nuk lejuan ndërtimin e impiantit në vendin që ishte planifikuar fillimisht në Mbrostar.

Avancimi i punimeve në lidhje me impiantin që do të përpunojë mbetjet nëpërmjet metodës së djegies me incinerator u pengua edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti. Për kreditë elektorale, funksionarët lokalë të Fierit premtuan se projekti për mbetjet mund të pezullohej, ndërkohë kompania është në kërkim të një vendi ku mund të zhvillojë investimin.

Por nga ana tjetër, qeveria e ka nënshkruar një kontratë me kompaninë Integrated Technology Waste Treatment,  e cila ka 70 për qind të aksioneve, ndërsa pjesën tjetër prej 30%  e ka Ndërtim Montimi Patos. Kontrata nuk është publike.

Integrated Technology Waste Treatment në 10 muajt e fundit mori 663 milionë lekë financime ose 4.8 milionë euro. Gjithsej janë bërë 11 pagesa dhe e fundit është alokuar më 7 shtator 2017, sipas të dhënave nga sistemi online i pagesave të Buxhetit të Shtetit.

Gjatë vitit që vjen, qeveria ka programuar të financojë Integrated Technology Waste Treatment Fier edhe me 660 milionë lekë të tjera, teksa problemi i tokës ku do të bëhet investimi ende nuk është zgjidhur.

Ekspertët e mjedisit janë duke hedhur alarmin se po krijohen mbiinvestime në ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve me incinerator. Ndërkohë funksionimi i tyre është me kosto të larta në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve.

Së pari, këto impiante emetojnë CO2 në mjedis më nivel më të lartë se aktiviteteve të tjera. Por përpunimi nëpërmjet djegies me incineritim krijon mbetje të rrezikshme që nuk kalojnë për trajtim të mëtejshëm dhe depozitimi i tyre është rrezik.

Rama jep leje për një kullë të re 25 katëshe në Rrugën e Kavajës

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar të paktën 16 vendime të reja në takimin e fundit, që sipas rendit të ditës është mbajtur në datë 10 nëntor. Ajo që bie në sy është miratimi i një sërë projekteve të reja në ndërtim, si dhe disa hidrocentrale.

Konkretisht janë miratuar dy leje zhvillimore, për kompaninë Invest Society sh.p.k ku e para është një godinë Polifunksionale Europiane Blloku, si dhe një godinë Polifunksionale “Ëest Residence”, me vendndodhje në Rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë.

Përveç këtyre, këshilli ka miratuar një leje ndërtimi për “Godinë polifunksionale 2, 4, 16 dhe 24 kate “Garden Building”, me vendndodhje në Rrugën e Kavajës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Tirana 1 Konstruksion” sh.p.k.

Hidrocentrale të reja dhe ekzistues

Në axhendën e Këshillit Kombëtar të Territorit duket se kanë qenë edhe katër hidrocentrale të rinj, për të cilët u dhanë lejet e ndërtimit. Konkretisht u miratua leje Ndërtimi për hidrocentralin “Kalis”, në ujërat e rrjedhës së lumit të Shmilit, degë e lumit Shkumbin”, Bashkia e Librazhdit, Qarku i Elbasanit”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Erdy Energy” sh.p.k.

Një leje ndërtimi u dha për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentralit “Antena”, në lumin e Zallittë Shtamës, Bashkia Mat, Qarku i Dibrës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Derbi – E” sh.p.k. Po kështu ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentralit “Letaj”, në përroin e Thekrës dhe në dy degët e tij, Bashkia e Bulqizës, Qarku i Dibrës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Asi-Tre” sh.p.k si dhe ndërtimi i hidrocentralit “Kamenica”, në përroin e Kamenicës, degë e lumit Dunavecit, degë e lumit Devoll, Bashkia e Korçës, Qarku i Korçës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Favina 1” sh.p.k.

Për hidrocentralin Sekë dhe Zais në pellgun ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe zallit të Melthit, në Bashkinë e Matit, Qarku i Dibrës dhe Bashkinë e Mirditës, Qarku i Lezhës është dhënë leje zhvillimi. Për hidrocentralin “Dragobia”, Komuna Margegaj, Qarku i Kukësit”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Dragobia Energy” sh.p.k është bërë shtyje e lejes ekzistuese.

Prokuroria dhe partnerët të hetojnë pastrimin e parave me koncesionet dhe kapjen e ekonomisë nga krimi

Pak orë pasi kryeministri Edi Rama bëri thirrje për të mos marrë seriozisht akuzat e opozitës për pastrim parash me anë të pr/buxhetit 2018, Basha doli në një deklaratë për median ku nuk ndryshoi qëndrim.
Nga selia blu, kreu i PD-së Basha është shprehur se Shqipëria është në 3 vendet kryesore ku pastrohen paratë e pista të krimit.

Deklarata e plotë e kryetarit Lulzim Basha

Në mars të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë, e cila quhet zyrtarisht “Lista e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave”.

Është hera e parë që Shqipëria përfshihet në këtë listë që përditësohet çdo vit.

E gjeni në faqen 8 të raportit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve që Departamenti i Shtetit i dërgon zyrtarisht Kongresit Amerikan.

Qeveria amerikane e harton listën bazuar në këtë përcaktim: vend kryesor i pastrimit të parave është ai vend ku bankat bëjnë transaksione parash që përfshijnë shuma të konsiderueshme të të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve.

Në gusht 2017, një tjetër raportim ndërkombëtar për pastrimin e parave që quhet Indeksi i Bazelit Kundër Pastrimit të Parave, e renditi Shqipërinë si një ndër tre vendet kryesore me rrezikun më të lartë të pastrimit të parave në Europë. Ky indeks, po kështu tregoi një përkeqësim të thellë për Shqipërinë krahasuar me vitin paraardhës.

Janë me qindra milionë Euro të prodhuara nga droga në duart e kriminelëve, të cilët duan t’i qarkullojnë dhe t’i pastrojnë këto para. Nuk ka dyshim se bumi i beftë i ndërtimit, kur vendi është në krizë dhe ka mijëra apartamente të pashitura, është rezultat i parasë që vjen nga droga.

Nuk ka dyshim se ato konçesione që jep Edi Rama kur emrat e konçesionarëve fshihen në parajsa fiskale mund të jenë skema të pastrimit të parave të drogës.

Nuk ka dyshim që kontratat e konçesioneve që Edi Rama i negocion dhe i mban të fshehta mund të jenë pastrim parash të drogës.

Ka një parim themelor ekonomik: “Paraja e pistë, përzë paranë e ndershme.”

Në Shqipëri paraja e ndershme po largohet. Prej katër vjetësh nuk ka asnjë investim të ri të huaj, ndërsa investimet e brendshme private po kështu janë në rënie. Ndërkohë që lulëzon droga dhe trafiqet. Paraja e pistë përzë çdo ditë paranë e ndershme nga tregu dhe nga Shqipëria.

Dhe mos harroni, paratë nuk i pastrojnë vetëm kriminelët por edhe politikanët që marrin para nga kriminelët.

Qeveritarët blejnë vila dhe pasuri të patundshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.

Edi Rama sot i ftoi shqiptarët që të mos i marrin seriozisht akuzat për pastrimin e parasë dhe kapjen e ekonomisë nga krimi. Nuk e ka për herë të parë që i fton shqiptarët të qeshin me gjëmat e tij.

Për katër vjet me radhë ai u kërkoi shqiptarëve të qeshnin me akuzat se në Shqipëri mbillej kanabis dhe trafikohej drogë.

Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin se opozita ngatërronte mushkonjat me avionët.

Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin me opozitën që e thërrisnin Elvisin, Ervin.

Edi Rama ulej me fshatarët dhe i pyeste me sy shkelje a keni mbjellë kanabis? Ç ‘thotë kanabisi?

Edi Rama ftoi shqiptarët të qeshnin me akuzat e opozitës se Saimir Tahiri ishte trafikant droge.

Herën e fundit që Edi Rama i ftoi shqiptarët të qeshnin me denoncimet e opozitës, Shqipëria u kthye në një hambar droge dhe zonë e lirë e krimit.

Tani po na fton përsëri të qeshim. Në fakt është koha të ndalim tani kapjen e ekonomisë nga krimi.

Projekti 1 miliardë Euro duhet të ndalet tani.

Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të hetohet me transparencë në çdo detaj.

Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të në çdo akt koncensioni dhe tenderi qeveritar.

Depërtimi i krimit në ekonomi, kapja e ekonomisë së shqiptarëve nga krimi duhet ndalur tani!

Tani është koha t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në ekonomi dhe në politikë!

Pyetje: Cili është qëndrimi juaj për kërkesën e Ramës për shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri dhe për shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Mallakastrës, Kapllanaj?

Basha: Edi Rama është gati të zhvishet lakuriq për t’iu shmangur pyetjes: Pse e mbrojti Sajmir Tahirin? Pse nuk flet një fjalë për paratë e drogës dhe patentat e lundrimit të Sajmir Tahirit të kapura? Ke dy javë që hesht dhe bën gjithçka për t’iu shmangur këtyre pyetjeve. Dhe përgjigjja për pyetjen që sapo shtruat është në këtë kontekst. Po bën e do të bëjë gjithçka, por nuk do t’ia dalë.

Courrier des Balkans: Zemërimi i gazetarëve dhe heshtja e BE

Louiss SILLER

Në një sallë të tejmbushur me rreth 250 gazetarë, u organizua takimi rajonal “Ditët e Medias në Ballkan”, i organizuar nga Komisioni Evropian për Zgjerim. Ky takim u hap ditën e enjte më 9 nëntor në Tiranë nga Komisioneri për Zgjerim Johaness Hahn.

Në hapjen e këtij takimi foli edhe Kryeministri Rama, i cili duke njohur rëndësinë e lirisë së shtypit, foli për shqetësimet e tij për një sektor që ka nevojë për pavarësi.

Tëitteri i tij shumë i çuditshëm – “Fjalët vrasin të parat, plumba vijnë më pas”, një citim i marrë nga gazetari Adam Michnik — nuk arriti të hedh hije mbi ofendimet e tij të fundit ndaj gazetarëve shqiptarë, përkundrazi ai shkaktoi reagimin e kundërt.

Pas largimit të zyrtarëve, diskutimet u drejtuan nga korespondenti i The Econimist Tim Judah, i cili vazhdoi me trenin e tij: një lumë i gjatë dhe i qetë me deklarata të dakorduara.

Duhej pothuajse një orë që korrektësia politike të prishej pas ndërhyrjes së Branko Çençit i Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Serbi (CINS). Gazetarë të veshur me bluzë të zezë i bënë thirrje Bashkimit Evropian të bëjë më shumë – #EU duhet të bëjë më shumë – rreth pesëmbëdhjetë gazetarë kujtuan situatën dramatike të medias së pavarur në Serbi nga Aleksandër Vuçiç.

“Llogaria në Tëitter e një prej portaleve më kritike të qeverisë së Rama, Exit.al, u bllokua në këtë takim. Si e justifikoni?”

Shqetësimi i Alida Karakushit, gazetare shqiptare, drejtuar Shefes së Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Bisedimet e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera, kaloi në heshtje dhe debati vazhdoi. Ankesat e gazetarëve pikturuan një pamje shumë të errët të medias në rajon. Ata u shprehën se shumë vëzhgues të huaj janë pak të vetëdijshëm për situatën.

Diskutimet ndërmjet gazetarëve vazhduan jashtë sallës, duke thënë se “Përsëritja e e diskutimeve mbi epokën dixhitale apo mbi tranzicionin nuk i jep zgjidhje problemeve të gazetarëve”

Një botues kosovar u shpreh se “organizimi i takimeve të këtilla është hedhje e parave nga dritarja, ato mund të shërbejnë shumë më mirë në vende të tjera”.

Zyrtarët e Komisionit Evropian të zënë ngushtë nga deklaratat e gazetarëve të rajonit u shprehën se “Ju duhet të na ndihmoni se si t’i përdorim më mirë fondet tona të përcaktuar për rajonin.”

“Gazetarët paguhen me rreth 300 euro në muaj dhe shkarkohen nga puna vetëm më një mesazh në telefon”.

Në përfundim të këtij takimi, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, vijëzoi një portret realist të gazetarëve në vend.

Por nuk jam i sigurtë se sa ky ndërgjegjësim i papritur do të qetësojë shqetësimet e gazetarëve. Në deklaratën e tij të fundit Hahn deklaroi se “Media duhet të ndihmojë në ndërtimin e urave se sa të thellojë ndasitë.”

Udhëheqësit e rajonit do ta vlerësojnë.

 

Luftë mes policisë italiane dhe trafikantëve për 2.2 tonelatat e drogës nga Shqipëria

2.4 ton drogë nga Shqipëria u sekuestrua nga policia italiane në Ravenna. Operacioni çoi në arrestimin e tre shqiptarëve dhe një shtetasi italian. Mediat italiane shkruajnë se, kapja e 2.4 tonëve drogë konsiderohet si një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në historinë e Ravennas.
Policia italiane zbuloi bandën e trafikantëve të droges, të cilët ishin duke transportuar ngarkesën me një furgon. Ata nuk ndaluan pas thirrjes së policisë dhe ajo iu vu nga pas, por pasagjeri u hodh, ndërsa makina ishte në ecje e sipër dhe ia mbathi me vrap. Policia bllokoi shoferin e furgonit, një italin 26-vjeçar, dhe brenda mjetit u gjet sasia e 2.4 ton marjuanë, 62 kilogram hashash dhe 4 kilogram vaj hashashi.
Policia italianë bëri të ditur se, arrestoi edhe tre shqiptarët, Bledar Danaj 21 vjeç, Erald Alidervishi, 26 vjeç dhe Alfred Kamberaj, 48 vjeç. Të gjithë të arrestuar janë dërguar në burg në akuzën e transportit të drogës.
Operacioni është zhvilluar mes të enjtes dhe të premtes nga policia, por është mbajtur sekret për shkak të hetimeve. Një patrullë ka kapur rreth orës 04:30 minuta një furgon përgjatë rrugës “Romea Sud”, në zonën Savio në drejtim të Ravennas. Në bordin e mjetit kishte dy persona, të cilët kanë shtuar shpejtësinë me të pikasur forcat e rendit. Brenda furgonit të drejtuar nga shtetasi italian u gjetën 2.4 tonë marijuanë, 62 kilogramë hashash dhe 4 vajra hashashi.

Përplasja me armë

Gjatë operacionit antidrogë një nga shqiptarët ka qëlluar me armë, duke plagosur një oficer policie. Me kërkesën e dokumentave u bë një përplasje, gjatë së cilës një nga individët nxori armën e zjarrit. Forcat e policisë arritën të neutralizojnë personin e armatosur.
Mediat italiane shkruajnë se, komandanti i Savios, Giorgio Tantimonaco pikasi dy makina të dyshuara, një “Alfa” dhe një “Fiat”, në një postbllok tjetër. Në kohën që i ndaloi patrulla, pasagjerët nisën sherrin dhe njëri prej tyre nxori armën. Tantimonaco arriti ta bllokojë, por ai e shkrepi pistoletën dhe shefi mbeti i plagosur, duke marrë një plumb në trup dhe u rrëzua. Autori më pas u tha se ishte shqiptar.
Ndërkohë që patrulla merrej me shefin e rënë përtokë, dy shqiptarët ia mbathën, fillimisht me makinë e më pas, e braktisën dhe ikën në këmbë. Arratia nuk shkoi gjatë, pasi u pikasën nga veshjet tërë baltë dhe u vunë në pranga.

Arratisja

Pas përplasjes, dy personat ikën me njërën prej makinave, duke lënë në vend “Alfa 147”. Menjëherë filloi gjuetia e kërkimit të tyre, ku u angazhuan edhe karabinierët nga Cervia dhe Milano Marittima si dhe një helikopter. Makina e përdorur nga të dy të arratisurit, një “Fiat Punto”, u gjet menjëherë, jo shumë kilometra nga vendi, ku është konsumuar episodi, në Lido di Classe, ndërsa të arratisurit kanë vijuar rrugën në këmbë.
Gjatë krehjes së zonës, në një lokal janë dalluar tre persona të dyshuar. Mediat italiane shkruajnë se policët i dalluan të dyshuarit, pasi veshjet e tyre ishin me baltë. Më pas, një prej shefave të policisë kishte konfirmuar se njëri nga të ndaluarit ishte pasagjeri i furgonit me kanabis, që u kap në mesnatë.
Policia tha se, 26-vjeçarit italian iu gjetën disa shënime ku mbante emrat, shifrat dhe numrat e telefonit. Dyshohet se droga ishte shkarkuar gjatë natës dhe ishte ngarkuar në furgonin që u ndalua nga policia.

Hetimet nisën pas një kontrolli të territorit

Hetimet e para nisën pas një kontrolli të territorit realizuar mesnatën e së enjtes në provincën e Ravenës. Patrulla ka ndaluar një furgon rreth orës 4:30 të mëngjesit, i cili po shkonte drejt Ravena-s. Në furgon ndodheshin dy persona, të cilët fillimisht bënë rezistencë, por pas një ndjekjeje të shkurtër arritën të ndaloheshin.
Fillimisht u arrestua 26-vjeçari italian, ndërsa kapja e pjesës tjetër u bë ditën e dielë. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar origjinën e sasisë së madhe të narkotikëve. Paraprakisht dyshohet se droga ka mbërritur nga deti para se të ngarkohej në bordin e furgonit.
Kanabisi ishte transportuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë në rrugë detare, ndërsa vijon hetimi për persona të tjerë që janë të përfshirë në trafik. Sasi të përmasave të tilla është vështirë që të transportohen me motoskafë apo gomone, pasi për këto pesha duhen mjete lundrimi më të mëdha. Ndaj dyshimet janë se për këtë trafikim të përdoren anije, apo peshkarexha.

R.POLISI

I penduari rrëfen klanin e drogës së Vilunit, hoteli 500 euro në natë

Një nga 7 të arrestuarit për 1.5 tonët e kanabisit sekuestruar dy ditë më parë në Vilun ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë. Emri i tij bëhet publik nga grupi hetimor, por sqarohet se mbi dëshminë e tij është zbardhur roli i të prangosurve dhe personave të shpallur në kërkim. Sipas këtij deponimi, droga sigurohej në Vlorë, Tepelenë dhe Përmet.
Të arrestuarit e operacionit “Viluni Beach”, Enriko Zyle, Arbër Bozhanaj, Sokol Ujka, Genti Dano, Dervish Gjolekaj, Fation Merko dhe Jaho Berdo do të dalin përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda ditën e martë. Prokuroria do të jetë e prerë në qëndrimin e saj përpara trupës gjykuese, duke kërkuar të njëjtën masë sigurie për të gjithë, atë të arrestit me burg, për shkak edhe të provave që disponon mbi rastin në fjalë, 1.5 ton drogë e kapur, automjeti tip “Furgon”, vila ku fshihej një pjesë e lëndës narkotike, telefonat celularë të sekuestruar të këtyre shtetasve etj.
Megjithëse gjatë marrjes në pyetje, ato kanë mohuar lidhjet me njëri-tjetrin dhe përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të drogës, janë përgjimet ato që i fundosin, por edhe dëshmia e njërit prej tyre, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke dhënë detaje në lidhje me trafikun.
Ndërsa një tjetër i pandehur 20-vjeçari Jaho Berdo, ka theksuar se do të flasë në një moment të dytë për të gjithë ngjarjen. I riu që rezulton të jetë pronari i furgonit, ku u kap sasia më e madhe e drogës, sipas burimeve policore dispononte edhe një patentë skafi dhe me gjasa, ai do të ishte drejtuesi i gomones që do të dërgonte lëndën narkotike në Itali.
Punonjësi i policisë, Enriko Zyle, i dalë garant ndaj trafikantëve, nuk ju ndalua policisë ditën e ngjarjes, e madje ka tentuar të korruptojë kolegët e tij. Por një prej dëshmive të të arrestuarve e rëndon edhe më shumë pozitën e tij, pasi ai i ka thënë policisë se, Zyle ka paguar hotelin në Velipojë plot 500 euro për një natë ku do të përpunohej droga. Hoteli në pronësi të Petrit Vuksanit që jeton në Itali, administrohej nga fqinji i tij, Sokol Ujkaj edhe ky i arrestuar nga policia brenda shtëpisë, ndërsa aty kishte edhe makinën e tij tip “Merdes Benz” me targë AA 388 ME.
Sokol Ujka dhe Enriko Zylo janë të vetmit që janë arrestuar në afërsi të vendit të ngjarjes. Emri i bashkëpunëtorit që ka folur deri më tani për policinë mbahet i fshehtë, por ai pritet të jetë një shtysë më shumë në hetimin e ngjarjes.

Policia e Shkodrës u shmang nga operacioni

Operacioni, Drejtoria e Policisë së Shkodrës nuk u njoftua për operacionin e drogës në Vilun të Velipojës nga frika e dekonspirimit. 1.5 ton drogë u sekuestrua në zonën e Vilunit. Operacioni u zhvillua nga FNSH pas kërkesës së Prokurorisë. Prokuroria shmangu nga operacioni Policinë e Shkodrës nga frika e dekonspirimit të operacionit. Në trafik ishin të përfshirë edhe drejtues të lartë të Policisë së Qarkut të Shkodrës. Operacioni është mbajtur sekret për një pjesë të drejtuesve të Policisë së Shkodrës, nga frika e dekonspirimit.
Gjatë operacionit, Policia arrestoi punonjësin e policisë Enriko Zylo dhe Sokol Ujkajn, banues në Velipojë, i cili kishte në administrim vilën, që ishte në pronësi të një emigranti, i cili jeton në Itali. Banesa shfrytëzohej nga grupi si magazinë e përkohshme për drogën që trafikonin në Itali. Ndërsa efektivi i Policisë, Enriko Zylo, sipas burimeve, është parë afër shtëpisë ku u gjet droga me makinën e tij tip “Golf”, me targë AA 355 SL, ndërsa brenda mjetit ishte dhe Gjovalin Ndoji nga Velipoja.
Zylo nuk i është bindur postbllokut të Policisë dhe ka tentuar të largohet. Efektivët i janë vënë në ndjekje, derisa e kanë arrestuar te vendi i quajtur “Harku i Bërdicës”, pasi makina e Zylos doli jashtë rrugës nga shpejtësia. Edhe pse ka kundërshtuar, policia e ka arrestuar, ndërsa Gjovalin Ndoji mundi t’i shpëtojë prangosjes.
Në vijim të operacionit u arrestuan dhe Arbër Bozhanaj, Genti Dano dhe Dervish Gjolekaj, të tre nga Vlora, që dyshohet se janë poseduesit e kanabisit, si dhe Fation Merko, banues në Përmet. Gjatë marrjes në pyetje, të gjithë, përveç “bashkëpunëtorit”, kanë mohuar të kenë lidhje me njëri-tjetrin. Por, nga tabulatet e telefonave të tyre rezulton se të arrestuarit kanë pasur komunikime me njëri-tjetrin.
Nga hetimet rezulton se nuk ka qenë Bendo, ai që ka drejtuar furgonin, por Fation Merko. 32-vjeçari ka bërë rolin e shoferit, duke drejtuar furgonin me drogë nga Vlora në Velipojë. Ndërsa Enriko Zylo, punonjës Policie në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë, ishte në rolin e garantit dhe i ka shoqëruar gjatë udhëtimit.
Furgoni i ngarkuar me drogë është ndaluar në një moment nga efektivët e Policisë ende pa mbërritur në bregdetin e Velipojës, por më pas Merko është lënë i lirë të kalojë, por është mbajtur në vëzhgim nga policia në mënyrë që të zbuloheshin dhe pjesëtarët e tjerë.

Oficeri i arrestuar, i dënuar në Itali, Tahiri e futi në polici

Polici i arrestuar për 1.5 tonët e drogës së kapur në Vilun të Velipojës ka qenë i dënuar në Itali, ndërsa u u fut në radhët e policisë nga Tahiri me urdhër të Habilajt. Denoncimi është nga kryetari i PD, Basha, i cili deklaroi se, Prel Enriko Zyla ka qenë i dënuar për trafik dhe shpërndarje droge në Romë dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Rebibbias.
Basha shkruan në një postim në Facebook se, Prel Enriko Zyla ka qenë i dënuar për trafik dhe shpërndarje droge në Romë dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Rebibbias. “Polici mbrohej nga Habilajt në kohën e Tahirit dhe pas ardhjes së Fatmir Xhafës kaloi nën mbrojtjen dhe shërbimin e vëllait të Xhafës, Agronit”, shkruan Basha.
Burime të sigurta informojnë se: “Prel Enriko Zyla ka qenë i dënuar për trafik dhe shpërndarje droge në Romë, Itali, dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Rebibbias.
Partnerët e kanë ngritur disa herë këtë çështje, por personi ashtu si shumë të inkriminuar të tjerë në Polici mbrohej nga Habilajt në kohën e Tahirit dhe pas ardhjes së Fatmir Xhafës kaloi nën mbrojtjen dhe shërbimin e vëllait të Xhafës, Agronit”, shkruan Basha.

Garanti i drogës në Vilun, vëllai i zv/shefit të Kufirit

Oficeri i Policisë, Enriko Zyle, vëllai i cili është vëllai i zv/shefit të Komisariatit të Kufirit të Shkodrës, kishte dalë garant për transportin e drogës. Arrestimi i policit është kryer gjatë aksionit ku u sekuestruan 1.5 ton kanabis në Vilun të Velipojës, pranë plazhit. Droga ishte në një furgon dhe do ngarkohej në një gomone për t’u trafikuar drejt Italisë.
Enriko Zyle, jo vetëm ishte i përfshirë në trafikun e drogës, por në momentin e arrestimit, ka tentuar të korruptojë me para kolegët e tij, që do t’i vinin prangat. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se, Zyle, punonjës në Drejtorinë e Kufirit dhe të Migracionit Tiranë i ka premtuar një shumë të hollash komandantit të FNSH-së, Shkodër që të tërhiqte forcat e policisë, pasi në të kundërt këtë histori do t’ia kthente në personale.
Fillimisht punonjësi policisë, kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Golf”, në afërsi të hotelit ku u gjet lënda narkotike, por u kap pasi humbi kontrollin dhe ra në kanal. Por, burime nga organi i akuzës pohojnë se, paligjshmëria e 42-vjeçarit Zyle ka shkuar deri në nxjerrjen e armës. Zyle u shoqërua forcërisht, duke mospranuar të prangoset dhe duke mos e dorëzuar armën e shërbimit. Enriko Zyle është vëllai i zv/komandantit të Kufirit në Shkodër Ndrek Zyle. Sipas hetimeve të deritabnishme, lënda narkotike ishte mbledhur, magazinuar në zonën e Vilunit, duke u bërë gati për t’u transportuar në rrugë detare drejt brigjeve italiane.
Bëhet e ditur se droga do të transportohej me skaf drejt Italisë Jaho Berdo. 20-vjeçari Berdo u kap vetëm pak orë pas operacionit të sekuestrimit të kanabisit, në qytetin e tij të Orikumit. Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka thënë se do të flasë në një moment të dytë dhe as nuk ka pohuar dhe as mohuar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.
Berdo, përveçse kishte në përdorim furgonin ku u gjet droga, mësohet se disponon edhe një patentë skafi. Policia dyshon se është pikërisht 20-vjeçari, ai që do të bënte transportimin me skaf të drogës prej 1.5 tonësh nga Viluni i Velipojës drejt Italisë.

R.POLISI

Si do pastrohen paratë e mafias

Buxheti i qeverisë për vitin 2018 është një skemë e pastër e pastrimit të parave të drogës që janë në qarkullim. Rama ka gjetur mekanizmin për t’i futur paratë në ekonomi. Trekëndëshi, krim, qeveri, banka është ai i kthimit të ekonomisë në një ekonomi kriminale.
“Këto janë javët e krimit dhe të drogës dhe buxheti është i krimit dhe i drogës, është buxheti i pastrimit të parave të drogës. Njëkohësisht është buxheti i varfërimit deri në palcë të shqiptarëve. Edi Rama do ta përdorë 2018-ën për të pastruar miliardat e drogës, të konsorciumit politiko–kriminalo-oligarkik.
Pra është një trekëndësh, në qendër është Edi Rama dhe qeveria, është një trekëndësh, shtet i kriminalizuar-narko shtet, karteli i drogës (ata që bëjnë kultivimin dhe trafikun e drogës) dhe ekonomia që po kriminalizohet, e përbërë nga oligarkë që pastrojnë paratë e drogës dhe trafikantë që blejnë bizneset e ndershme me paratë e drogës.
Javën e kaluar ndamë me gjithë shqiptarët nga Kuvendi, fazën ku ndodhet krimi i organizuar në Shqipëri. E nisi me kultivimin e kanabisit. Nuk është më kultivimi i kanabisit, veprimtaria kryesore. Jo. Me paratë e drogës të vitit 2015, 2016, krimi i organizuar ka kaluar në dy fusha të tjera. Fusha e parë që konfirmohet edhe sot nga raportet e BE, është trafiku i heroinës dhe kokainës dhe fusha e dytë më e rrezikshmja për shqiptarët, është kafshimi i ekonomisë publike dhe private të shqiptarëve. Që do të thotë se, krimi po zhvendoset në sheshet e ndërtimit në mes të Tiranës, po zhvendoset në bankat e Shqipërisë, pra në sistemin financiar të Shqipërisë”, është shprehur Basha.

Taksat u hiqen Balilëve dhe u shtohen 20 mijë bizneseve të vogla

Baronët e drogës dhe bizneset që kanë lulëzuar me paratë e tyre nuk do të taksohen. Ato do të jenë në skemën e të privilegjuarve të qeverisë. E kundërta do të ndodhë me 80 mijë bizneset e vogla, të cilave do t’u vendoset TVSH-ja duke i çuar drejt falimentimit masiv. Përfundimi i asaj që synohet nga Rama është që e gjithë ekonomia të kontrollohet nga oligarkët dhe baronët e drogës dhe shqiptarët të kthehen në skllevër të tyre.
“Krimi tashmë nga parcelat e kanabisit në majë të maleve apo në mes të fushave, po zhvendoset në mes të shesheve të Tiranës dhe në të famshmin projekt: “Një miliard euro” të Edi Ramës. Çfarë po ndodh? Shikoni çfarë thotë buxheti. Një biznes që fërgon peshq, që i blen nga peshkatari i zonës në qoftëse kalon xhiron prej 20 milionë lekë të vjetra në vit, do të futet në xhiron e TVSH. Pra biznesi që fërgon, skuq peshqit në zgarë, nëqoftëse bën xhiron 2,1 milionë do të paguajë TVSH. Ndërsa Klement Balilaj, Santa Quaranta dhe dhjetëra Santa Quaranta që do të ndërtohen nga baronët e drogës dhe oligarkët e lidhur me ta, hotelet me pesë yje, për dhjetë vjet nuk do të paguajnë tatim fitimin dhe TVSH do e paguajnë 6%
Nga baronët e drogës dhe oligarkët e lidhur me ta, hotelet me 5 yje për 10 vjet nuk do të paguajnë tatim-fitimi dhe TVSH-në do e paguajë 6%.
Që të hash peshkun e zgarës tek ai biznesi i vogël që mban frymën gjallë duhet të paguash 20% TVSH me këtë buxhet.
Që të hash aragostën apo ngjalën tek Santa Quaranta apo tek hotelet me 5 yje që duan të ndërtojnë oligarkët me baronët e drogës do të paguash vetëm 6% TVSH dhe për 10 vite, ata s’do të paguajnë as tatim-fitimi.
Ky është buxheti që tregon më qartë se çdo gjë tjetër se Edi Rama ka përgjegjësinë dhe është aksioner i drejtpërdrejtë i kartelit kriminalo politik.
Ja çfarë po bën; pasi e mbushi Shqipërinë me drogë, pasi e ktheu në delen e zezë të Europës, pasi mbylli derën e integrimit europian, pasi e zhyti në kolaps ekonominë, duke përfshirë fakir-fukarenjtë që i zhyti në biznesin e drogës dhe që sot e shesin më lirë se çajin. Tani paratë e drogës do t’i pastrojë për veten e tij dhe për miqtë e tij”, u shpreh Basha.

Betejë në të gjitha frontet

Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje votën kundër buxhetit të 2018, ndërsa deklaroi se opozita bashkë me partnerët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë projektin e nisur nga Rama përmes këtij buxheti, i cili parashikon pastrimin e parave të drogës, pasurimin e oligarkëve pranë Ramës dhe sigurisht varfërimin e mëtejshëm të shqiptarëve.
Basha i kujtoi Ramës se ditët e tij në qeverisje janë të numëruara dhe se ora e fundit të tij po vjen me shpehtësi marramendëse.
“Natyrisht, vota jonë do të jetë kundër, por ky është vetëm fillimi i një beteje, e cila do të zhvillohet në të gjitha frontet dhe do të rrëzojë, siç po rrëzon një nga një gurët e shahut. Tahirët dhe ata që janë pas tahirëve do të përgjigjen përpara drejtësisë dhe ora për këtë po afron me shpejtësi marramendëse”, tha Basha pas mbledhjes së grupit të PD.

Pse Guvernatori s’mund të heshtë

Guvernatori i Bankës duhet të prononcohet mbi rrezikun e përfshirjes së bankave në skemën e pastrimit të parave të qeverisë. Ajo që duhet të bëjë Seiko është ajo që ka bërë edhe FMN, e cila ka deklaruar zyrtarisht rrezikun që i kanoset sistemit bankar nga futja në skemë e Bankës së Linda Ramës, e cila ka si skemë të vetme pastrimin e parave. Guvernatori duhet të kujtojë se është aty për të siguruar bankat dhe depozitat e shqiptarëve dhe jo për ti bërë ato njësh me mafian.

Çmenduria e Bashkisë, 60 milionë euro për 14 shkolla, skema pastrimi

Mjafton të shohësh projektin e Bashkisë Tiranë 60 milionë euro për ndërtimin e 14 shkollave për të kuptuar se kjo është një skemë e mirëfilltë pastrimi parash në vetëm një nga projektet e shpallura për dhënien me koncesion. Me 60 milionë euro do të ndërtoheshin minimalisht 30 shkolla, ndërsa me projektin e Rama-Veliaj do të ndërtohen vetëm 14 shkolla.
“E dyta është projekti 1 miliard euro. Projekti 1 miliard euro i konçesioneve nuk është gjë tjetër, veçse pastrimi i parave tanimë jo vetëm në ekonominë private, por edhe në ekonominë publike, që do të thotë tendera të rrugëve, shkollave, spitaleve, tashmë do të jenë konçesione, ku do të pastrohen paratë e drogës, pa tender, pa konkurrencë, pa transparencë, do t’i jepen disa kompanive, të cilat ose vetë ose përmes marrëdhënieve të nëndheshme, do të pastrojnë paratë e drogës.
Si do t’i pastrojnë? Marrim një shembull. 14 shkolla të Tiranës, 60 milionë euro, është një buxhet i tejfryrë. Me 60 milionë euro, mund të ndërtosh 30 shkolla. Mund të ndërtoheshin minimalisht 25 shkolla të mira. Përse ndërtohen vetëm 14? Dhe përse Bashkia duhet të paguajë dyfishin e interesit që do të paguante normalisht në qoftë se do t’i ndërtonte vetë ato shkolla? Sepse me këtë projekt, sikundër me projektet e kocesioneve në rrugë dhe kudo tjetër, shqiptarët do të paguajnë dyfish çmimin e rrugës, do të paguajnë dyfish qiranë e borxhit dhe do të paguajnë 10 fish pastrimin e parave të drogës. Çdokush tjetër do të humbasë. Më pak para për shtresat në nevojë, në ndihmë ekonomike, më pak para për pensionistët, për buxhetorët. Rritja e rrogave do të jetë minimale, nuk do të plotësojë dot as indeksimin për inflacionin. Më pak para për fermerët, për biznesin e vogël dhe të mesëm, për investimet, për shëndetësinë. Gjithçka tregon që ky do të jetë një buxhet i rrënimit dhe i gërmimit të xhepave për shqiptarët, nga shtresa e mesme deri te shtresat më të varfëra, nga fermerët tek biznesi i vogël. Të vetmit që do të përfitojnë do të jenë lordët, baronët e drogës, sepse me këtë buxhet do të pastrohen paratë.
Skema e parë është skema fiskale, projekti fiskal. Uli taksat për investimet e luksit, për hotelet me 5 yje që në të gjithë botën, mjafton të bëni një kërkim sado modest, në të gjithë botën një nga rrugët kryesore për pastrimin e parave janë ndërtimi dhe tek ndërtimi kategoria kryesore e pastrimit të parave janë hotelet luksoze. Për këta, për pastrimin e parave do të ulë taksat, për të gjithë të tjerët do të rrisë taksat, do të fusi në nivelin e TVSH-së”.

Buxheti të hetohet nga Prokuroria, DEA dhe FBI

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se buxheti i shtetit 2018 duhet të hetohet dhe të administrohet ligjërisht nga Prokuroria, DEA dhe FBI si dhe nga organet e akuzës së Italisë e Gjermanisë si një provë e lidhjeve të Ramës me trafikun e drogës. Basha paralajmëroi Ramën se as opozita dhe as partnerët ndërkombëtarë nuk do ta lejojnë atë që të varfërojë shqiptarët, duke pasuruar baronët e drogës pranë tij. “Shqiptarët do të zhyten në mjerim. Baronët e drogës, oligarkët dhe Edi Rama, do të pasurohen marramendshëm vetëm se tani paratë do t’i nxjerrin nga skutat, ku i kanë futur dhe do t’i qarkullojnë në mënyrë të ligjshme nëpërmjet këtyre dy skemave; ndërtimet, ndërtimeve luksoze, turizmit dhe hoteleve të drogës nga njëra anë dhe kalimit të parasë së pisët të drogës për ndërtimin e veprave infrastrukturore me dyfish çmimin dhe dyfish interesa. Projekt-buxheti i 2018-ës jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht, duhet të administrohet nga Prokuroria shqiptare, nga FBI, nga DEA, nga Prokuroria italiane, gjermane, si një provë ligjore e implikimit të Edi Ramës në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave të drogës. Një gjë është e sigurt, për këdo që ka bërë hesape që përmes këtij projekt-buxheti të nisë pastrimin e parave të drogës, të mendojë mirë. Themelet e kësaj ngrehine, sapo kanë filluar të shkunden. Nuk do të lejojë as Europa, as opozita shqiptare, as shqiptarët e ndershëm që të vazhdojë varfërimi i tyre me këtë projekt-buxhet, ndërkohë që vazhdon pasurimi i oligarkëve dhe i baronëve të drogës”, u shpreh Basha.

Enton DACI

Si Pjerin Ndreu emëroi vëllain zv/drejtor të Portit Durrës

Një kapiten në Portin e Durrësit denoncon zv/drejtorin e Portit, Paulin Ndreu, vëllai i deputetit të PS, Pjerin Ndreu. Në një mesazh drejtuar ish-Kryeministrit Berisha, kapiteni shkruan se, Ndreu u bën presion dhe shantash një kapiteni për të dhënë dorëheqjen që të zëvendësojë me një mikun e tij për të bashkëpunuar në trafiqe. “Të dhëna tronditëse për Paulin Ndreun, vëllain e deputetit kanabist, ish polic-banditit Pjerin Ndreu! Lexoni mesazhin e kapitenit dixhital. Këto të dhëna tregojnë se si e keqpërdor Rama, Pjerinin në Parlament, duke e marrë peng me dosjen e Paulinit”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor! Kapiteni dixhital denoncon. Fakte dhe prova mbi mashtrimin dhe zbulimin e të vërtetës të emërimit, shkeljeve dhe vjedhjeve që ka bërë dhe po bën Paulin Ndreu konfidenti i ndrikull Albana Koçiut, vëllai i deputetit të PS, Pjerin Ndreu …
Në këtë valë nxjerrjesh të vërtetash mbi abuzimet, vjedhjet, shkeljet që bën manjaku Paulin Ndreu dje ndodhi abuzimi i radhës. Thërret në zyrën e tij Kapitenin e Portit të Durrësit dhe i bën shantazh dhe presion që të firmosë dorëheqjen. Kapiteni i Portit të Durrësit me një karierë në të paktën 30-vjeçare jep direkt dorëheqjen. Sepse Paulini kërkon të riemërojë në atë detyrë ushtarin e tij, Tauland Allka me diplomë masteri falco. Paulini kërkon të bëhet drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare që të vjedhë, të vejë gjoba, sepse kërkon të rikuperojë lekët që ka hedhur në fushatë (kështu thotë )…..
Ju lutem bëji thirrje autoriteteve të ndalojë revanshin këtij njeriu dhe të hetojë:
1) Emërimin në pozicionin e zv/drejtorit të Përgjithshëm dhe Kapiten i përgjithshëm me dokumenta falco të Paulin Ndreut. Të kërkohet praktika në Drejtori si dhe në DAP. Të hetohet si ky njeri ka marrë çertifikatën TND. Eshtë lehtësisht e verifikueshme që ky njeri, pasi ka mbaruar fakultetin nuk ka punuar as një ditë të vetme në Detari….Në këto kushte ky nuk mund të intervistojë kuadro që kanë tërë jetën që punojnë në Detari.
2) të hetohet praktika e mos largimit nga nëpunësi civil pas rekomandimit nga KLSH të ushtarit dhe gjobvënësit të tij Tauland Allka, sepse Paulin Ndreu me ndrikull Albana Koçiun i ka bërë shantazh komisionit për mos zbatimin e rekomandimin e KLSH.
3) të hetohet komisioni i ngritur për shefin e zyrës së PSC (Kontrolli Shtetëror Portual) Tomor Harrizi, i cili ka kryer shkelje shumë të rëndë. (dokumentat janë në Drejtori). Presioni që ju bë anëtarëve të komisionit nga Paulin Ndreu për mos largimin e tij, sepse Tomori si dhe Taulandi i mbushin xhepat me dollarë dhe euro Paulinit.

 

Korrupsioni, 6 mijë euro për një legalizim banese

Korrupsioni në qeverinë e Ramës është kthyer në sistem. Vetëm për një legalizim banese zyrtarët e Ramës marrin 6 mijë euro. Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar arrestimin e drejtorit të ALUIZNI-t Laprakë, dy zyrtarëve publikë dhe të një sekseri, pasi kanë marrë një shumë prej 6 mijë eurosh për legalizimin e një banese në zonën e Laprakës në Tiranë. Në pranga përfunduan shtetasit M. Bezhani, përgjegjës zyre ALUIZNI, Laprakë, Tiranë, B.Belli, punonjëse e ZVRPP (Hipoteka) Tiranë, K.Sala, punonjëse policie (aplikante) si dhe shtetasi S.Musallaj, i cili ka shërbyer në rolin e sekserit.
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se shtetasja M.Sala, kishte aplikuar në vitin 2014 për legalizimin e banesës dhe që prej atëherë nuk kishte marrë asnjë përgjigje për aplikimin. Nga hetimet ka rezultuar se kësaj shtetase i është kërkuar një shumë 6 mijë euro për legalizimin.
“S. Musallaj ka vendosur kontaktet ndërmjet të interesuarës, K.Sala dhe një punonjësve të Hipotekës së Tiranës, B. Belli. Kjo e fundit, pasi ka konsultuar letrat e aplikimit të bëra nga nëna e K.Salës, ka thënë se nuk ishte punë që e mbulonte institucioni i saj (Hipoteka). Gjithsesi, punonjësja e Hipotekës i ka thënë të interesuarës se kishte një mikun e saj te ALUIZNI-i i Tiranës, dega Laprakë, e konkretisht, shtetasin M.Bezhani”, sqaron Prokuroria.
Nga hetimet rezulton se shuma e parave është dorëzuar një ditë më parë (12 nëntor 2017) nga shtetasja K.Sala e bija e shtetases që ka aplikuar për procesin e legalizimit, me profesion punonjëse policie (aplikante).
Prokuroria sqaron se punonjësja e policisë kishte krijuar njohje me shtetasen B.Belli, punonjëse e Hipotekës, me të cilën është takuar pasditen e së dielës bashkë me shtetasin B.Bezhani, drejtues i degës së legalizimit në zonën e Laprakës.
Pas dorëzimit të shumës një ditë më parë, shtetaset Sala kanë marrë sot (13 nëntor) dokumentin e legalizimit.
Këta shtetas ishin vënë nën hetim nga Prokuroria dhe janë arrestuar sot menjëherë pas legalizimit të ndërtesës.

Hetimet e Prokurorisë

“Për t’u interesuar për ecurinë e aplikimit, është interesuar vazhdimisht edhe vajza e aplikueses, shtetasja K. Sala, e cila është efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në sallën operative. Kjo e fundit është njohur me shtetasen S.Musallaj, e cila i ka siguruar se kishte njohjet e duhura për të mbaruar punën me dokumentet.
S.Musallaj ka vendosur kontaktet ndërmjet të interesuarës, K.Sala dhe një punonjëse të Hipotekës së Tiranës, B.Belli. Kjo e fundit, pasi ka konsultuar letrat e aplikimit të bëra nga nëna e K.Salës, ka thënë se nuk ishte punë që e mbulonte institucioni i saj (Hipoteka). Gjithsesi, punonjësja e Hipotekës i ka thënë të interesuarës se kishte një mikun e saj te ALUIZNI-i i Tiranës, dega Laprakë, e konkretisht, shtetasin M.Bezhani.
Pas disa komunikimeve ndërmjet personave të mësipërm, është rënë dakord që e interesuara, shtetasja K.Sala, të paguante shumën prej 6 mijë eurosh tek shefi i ALUIZNI-t për Laprakën, M. Bezhani. Shuma e parave, në formë rryshfeti, është dorëzuar nga shtetasja K.Sala tek punonjësja e Hipotekës, B.Belli, ditën e djeshme (dt. 12.11.2017).
Shtetasja B.Belli është takuar pasditën e së dielës me shtetasin M.Bezhani, duke i dorëzuar shumën e parave. Në vijim të kësaj “pagese”, ditën e hënë (dt. 13.11.2017), aplikuesja K.Sala ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014.
Prokuroria e Tiranës ka qenë në ndjekje dinamike të kësaj situate dhe, pasditen e sotme, ka kryer ndalimet e shtetasve K.Sala, punonjës policie (aplikante), B.Belli, punonjëse e ZVRPP (Hipoteka) Tiranë, M. Bezhani, përgjegjës zyre ALUIZNI, Laprakë, Tiranë dhe S. Musallaj.