Kryetari i PD, Basha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili shkruan se, Rama dhe Xhafa kanë zhdukur provat e krimit të ish-ministrit Tahiri nga zyra që ka patur tek Garda. “Rama-Tahiri-Xhafa në ethe për të zhdukur provat dhe fshehur gjurmët e krimit”, shkruan Basha në një postim në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Zoti kryetar, një ditë pasi ju publikuat në FB denoncimin tim për praninë me orë të tëra të Saimir Tahirit dhe zonjës së tij në dy zyrat që Tahiri administron te Garda, kanë ndodhur dy ngjarje:
Të mërkurën më 8 nëntor në ora 12:00 në mesditë, ka mbërritur një grup drejtuesish të Policisë dhe të Gardës, të cilët kanë kontrolluar zyrat.
Të nesërmen, ditën e enjte 9 nëntor, nga ora 9:00 deri në orën 12:00 zyrat janë boshatisur tërësisht nga bashkëpunëtorë të Saimir Tahirit të ndihmuar nga punonjës të policisë dhe të Gardës. Tre automjete janë ngarkuar me kuti të mëdha të mbushura plot: një furgon i bardhë me targë MB 403 AA, një kamionçinë ushtarake me targë MB 019 AA, dhe një “Golf 5” ngjyrë vishnje me targë AA 258 KS.
Pasi i boshatisën zyrat, i pastruan dhe ndryshuan dhe emërtimin në dyert e dy zyrave dhe u larguan. E gjitha kjo ndodhi vetëm një ditë, pasi ju publikuat denoncimin tim për ardhjen dhe qëndrimin disa orësh të Tahirit dhe të zonjës së tij në dy zyrat që Tahiri administron te Garda”, shkruan qytetari.
Rama-Xhafa zhdukin provat e krimit nga zyra e Tahirit te Garda
Kapen me drogë dhe armë në Itali dy gra shqiptare
Dy gra me origjinë shqiptare janë arrestuar nga karabinierët në Itali, pasi në shtëpinë ku ata banonin janë gjetur drogë të llojeve të ndryshme dhe armë. Sipas agjencisë italiane të lajmeve “ANSA”, shqiptaret e moshave 71 dhe 21-vjeçare u arrestuan pas kontrolleve në shtëpinë e tyre në Santeramo në Colle, në Bari. ANSA nuk thotë nëse gratë kishin lidhje farefisnore apo jo.
Në dhomën e gjumit u gjetën 4.3 kilogramë heroinë, kur karabinierët bastisën shtëpinë. Në sallon po ashtu u gjetën 500 gramë kokainë dhe dy armë, njëra prej të cilave e vjedhur në muajin shkurt në Leccese. Ndërsa në kuzhinë, karabinierët gjetën 8 gramë marijuanë, matës dhe shirita të përdorur për ndarjen e paketimin e lëndëve narkotike.
Fëmijët qajnë në shkollë pse hoqën mësuesen
Ish-kryeministri Berisha ka publikuar një video, ku fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Koli Sako” në Divjakë shihen duke qarë. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari nga Divjaka, i cili thotë se është hequr mësuesja e klasës së pestë, që i kishte nga klasa e parë nxënësit dhe i njihte problemet e tyre. Sipas tij, prindërit nuk kanë qenë dakord, pasi ajo është zëvendësuar me një të paaftë dhe të mbështetur nga pushteti.
“Revolta e fëmijëve! Shikoni se si i traumatizojnë fëmijët në shtetin e Noriegës, duke ua larguar mësuesen. Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e prindit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje zoti Berisha, po ju drejtohem si e vetmja shpresë për veten dhe fëmijën tim. Kam vajzën në klasë të pestë në shkollën 9-vjeçare “Koli Sako”, Divjakë, më datën 2 tetor zëvendësuan mësuesen që i kishte nga klasa e parë e në vazhdim, arsyeja që dhanë ishte justifikim banal jo objektiv, ne protestuam duke mos i dërguar fëmijët në shkollë për dy javë rresht, i bëmë peticion Drejtorisë së Shkollës dhe Zyrës Arsimore Lushnjë, asgjë nuk u mor parasysh, shumë nga ata fëmijë janë me probleme dhe mësuesja që i kishte i njihte mirë dhe jepte ndihmën që ata donin. Klasa është jashtë kontrollit tani, mësuesja është një e paaftë që ka përkrahje pushtetin, Kokoneshin, madje mësimi filloi si pasojë e kërcënimeve të kryetarit të Bashkisë. Këto verifikohen lehtë! Po ju dërgoj dhe disa video ku shihet reagimi i fëmijëve dhe debati ynë me mësuesen që morì klasën. Flm”, shkruan qytetari.
VOA: Investimet “strategjike” në turizëm mbi prona të kontestuara
Plani i ri i zhvillimit të bashkisë Himarë i hap rrugën ndërtimit të resorteve në bregdetin e jugut nëpërmjet ligjit për investimet strategjike, por njolla e këtyre projekteve shpesh shtrihet në prona me probleme pronësie. Materiali që do të ndiqni në vazhdim është një bashkëpunim i Zërit të Amerikës me Rrjetin e Gazetarisë investigative, BIRN.
Ndërtimi i karabinave në plazhin e Palasës në jug të Shqipërisë thuajse ka përfunduar, një vit pasi kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, firmosi lejen për ndërtimin e resortit turistik “Green Coast.”
Ky resort është vlerësuar nga qeveria shqiptare si një investim strategjik në turizëm, çfarë i siguron investitorit mbrojtje shtesë ligjore deri në shpronësim për interes publik ndaj pretendimeve mbi pronësinë e tokës ku po ndërtohet.
Kjo mbrojtje e ofruar nga qeveria për investitorin e përzgjedhur prej saj shihet si një padrejtësi e madhe nga banorët e bregut si Aleko Lati, i cili pretendon se një pjesë e tokës që është përcaktuar zonë për investime strategjike në turizëm, i përket familjes së tij dhe është tjetërsuar nëpërmjet falsifikimeve- të cilat janë hetuar dhe provuar edhe nga Task Forca e ngritur nga qeveria për tjetërsimin e paligjshëm të pronave në jug.
“Pretendues këtu dalin një tiranase dhe një tepelenas të cilat kanë blerë tokën në bazë të një dokumenti fallco-gjithë kjo sipërfaqe që nga delta e përroit,” tha Aleko Lati.
“Këtu bëhet një biznes i pastër dhe kemi një shndërrim të firmave piramidale të 97’-ës në firmat piramidale të pronave të bregdetit,” shtoi ai.
Resorti që do zgjerohet mbi tokën që pretendon Aleko Lati nuk është i vetmi investim strategjik i planifikuar në Riverën shqiptare.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm në Palasë janë planifikuar tre investimeve strategjike. Ndërkohë, plani i përgjithshëm vendor për bashkinë e Himarës, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit me 16 Tetor përfshin në total 7 zona për investime strategjike në turizëm, të cilat shtrihen në një sipërfaqe totale pre 365 hektarësh.
Pak kilometra më tutje në Dhërmi, në zonën e quajtur Perivolo, Irini Bua shikon çdo ditë se si në pronën që ajo thotë se e ka trashëguar nga të parët, po ndërtohet me firmën e kryeministrit një resort tjetër turistik i quajur ‘Ionian Olea’ -i vendosur gjithashtu në një zonë për investime strategjike në turizëm.
Edhe pse Bua ka bërë padi në prokurori për pronën dhe ka një urdhër gjykate që ndalon tjetërsimin e saj deri në përfundim të hetimeve, ajo shprehet se shitjet kanë vazhduar.
“Mbas vendimit të gjykatës që bllokon pronën deri në shqyrtimin e çështjes këtu janë bërë shumë shitblerje, prona është tjetërsuar komplet,” tha Bua.
Bua endet prej vitit 2002 dyerve të gjykatave dhe thotë se nuk do të heqë kurrë dorë nga e drejta e saj mbi pronën e trashëguar, ku ka si shpresë të fundit Gjykatën e Strasburgut.
Të pyetur nga BIRN, drejtori i projektit “Green Coast”, Ervin Kajno si dhe investitorët e projektit “Ionian Olea” Mirela Papuli dhe Artan Dumi, thanë se janë në dijeni te pretendimeve për pronësisë e tokës ku ato po ndërtojnë.
Investitorët shtuan se ata nuk janë pronarë të tokës, por kanë nënshkruar kontrata zhvillimore me subjektet që kanë pasur dokumente të certifikuara, të cilat nëse hidhen poshtë nga gjykatat ose institucionet e tjera shtetërore, ata do t’i respektojnë duke i kaluar përqindje të projektit tek personat që do të arrijnë ta argumentojnë ligjërisht pronën e tyre.
“Ne nuk kemi blerë asnjë pronë tashmë, pasi jemi në dijeni të problematikës që ka zona sa i përket çështjeve të pronësisë, qoftë për shkak të mbivendosjeve ashtu dhe të konflikteve që kanë palët me njëri- tjetrin,” tha Ervin Kajno.
“Për këtë arsye ne po nënshkruajmë vetëm kontrata zhvillimore me personat që kanë dokumente të certifikuara. Po kështu, në rast se nesër, personat me të cilët ne po nënshkruajmë kontrata zhvillimore do të atakohen me vendime gjykate apo dhe nga institucionet e tjera shtetërore, ne jemi të hapur që përqindja e interesit t’i kalojë individit që arrin të argumentojë ligjërisht pronën e tij,” shtoi ai.
Investitorët e projektit ‘Ionian Olea’, mbajtën një qëndrim të ngjashëm.
“Jemi më dijeni të konflikteve, ne si kompani nuk kemi blerë prona, ndaj dhe nuk jemi pronarë të tokës, por kemi kontrata zhvillimore, që do të thotë se nga zhvillomi i zonës në bazë të marrëveshjes pronarët do të përfitojnë përqindjet e tyre sapo objekti të vihet në punë,” tha Mirela Papuli për BIRN.
Përveç Palasës dhe Dhërmiut, plani i ri vendor i Himarës ka vendosur njolla për investime strategjike në turizëm në gjiret më të bukura të bregdetit të jugut, si në Jalë, Porto Palermo dhe Kakome. Gjiri i Kakomesë ka qenë piketuar që në vitin 2004 për ndërtimin e një resorti turistik, por ky projekt nuk u realizua pasi konfliktet e pronësisë midis banorëve dhe investitorëve mbeten akoma pa u zgjidhur.
Për më shumë se një dekadë, banorët e fshatit Nivicë kanë bërë betejë ligjore dhe protesta, për fituar të drejtën e pronësisë për plazhin e Kakomesë, që tashmë rezulton i regjistruar në emër të një shtetasi bullgar.
Ish kreu i komunës Lukovë Vladimir Kumi, shprehet se pa një marrëveshje me banorët e fshatit, çdo investitor që do të pretendojë të ndërtojë në Kakome, qoftë ky strategjik apo jo, do të pritet me protesta.
“Juridikisht deri sa unë isha drejtues i komunës Lukovë ky proces mbeti në koma, por më pas u mbyll pasi unë nuk kam legjitimet më për ta ndjekur atë çështje,” tha Kume.
“Duhet një drejtues i pushtetit vendor për ta ndjekur. Eksperienca ka treguar që jo vetëm protesta por mund të shkoj dhe më keq akoma,” shtoi ai.
Jorgo Goro, kryetari i bashkisë Himarë shprehet se pushteti vendor ka pak zë kur vjen puna tek investimet strategjike. Megjithatë, Goro shton se çdo investitor që do të vijë dhe të ndërtojë në Rivierë, bën mirë që më parë të zgjidhë problemet e pronësisë me banorët.
“Në bazë të strategjisë që ka qeveria shqiptarë ne jemi të detyruar të hedhim mbi planin tonë të gjitha investimet strategjike që në territorin tonë,” tha Goro.
“Aty ku kanë filluar çështja e pronës është e zgjidhur. Atje ku do të fillojnë, patjetër, detyrimisht duhet të zgjidhjet çështja e pronës sepse investitori strategjik nuk mund të hyj në një zonë që çështja e pronës nuk është e zgjidhur,” shtoi ai.
Ligji për investimet strategjike u miratuar nga Kuvendi në vitin 2015. Ai i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar gjithashtu 10 vendime me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë, duke i mundësuar konsolidimin e titujve të pronësisë.
Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.
Ndryshe nga investitorët strategjikë, banorët e Bregut nuk i gëzojnë këto lehtësi. Megjithatë, ata shprehen se e drejta e pronës është e garantuar nga Kushtetuta dhe se ata do të vazhdojnë të luftojnë me çdo mjet ligjor dhe demokratik në mbrojtje të saj.
Xhaçka i jep Uzinën e Mjekësit bashkëshortit
Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje një status në Facebook, ku denoncon një aferë të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Sipas qytetarit dixhital të Berishës, konçesioni i saj i fundit, të cilin ajo e konsideroi si sukses, në fakt është një “bashkëpunim” fitimprurës me bashkëshortin. Sipas qytetarit dixhital, Tan Gaçi fshihet pas PPP-së të Uzinës së Mjekësit.
“Ndrikull Xhaçka dopio lumturim burrit, edhe si bashkëshort, por edhe si biznesmen! Aferim!! Këtij i thonë partneritet publik privat me burrin (PPPB)!
Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Doktor ju përshëndes! Ministrja e Mbrojtjes e quajti sukses kalimin me PPP Uzinën e Mjekësit një kompanie ushtarake italiane. “Beretta”, thonë. Prapa gjithë kësaj historie është Tan Gaçi, burri i ministres dhe Pelikani Security për aferat e veta, duke lënë me gisht në gojë banorët e zonës! Ky është PPP me burrin, doktor”, shkruan qytetari.
Mjekësi, atje ku bëhet demontimi I municioneve
Në dhjetë vjeçarin e fundit të shekullit të XX, kjo uzinë nuk funksionoi më për prodhimin e lëndëve plasëse, por në vitin 2001 u angazhua në demontimin e municioneve të tepërta që ka vendi. Projekti i parë ka qenë projekti 2001-2002, projekt i minave antipersonel, ku uzina ka demontuar 1 milion e 600 mijë copë. Projekti i dytë ka filluar në vitin 2003-2004, kur është bërë demontimi i granatave me bisht druri, dhe janë demontuar rreth 2 milionë copë. Po në vazhdim të projektit ka qenë dhe ai i demontimit të municioneve të armëve të lehta siç kanë qenë fishekët me model 56, 12.7 dhe 14.5 milimetra. Uzina me këtë projekt ka punuar përreth dy vjet dhe ka demontuar rreth 5 mijë ton. Gjithsej gjatë proçesit të demontimit uzina ka demontuar rreth 8500 ton. Mbas daljes së urdhërit të Ministrisë së Mbrojtjes, Uzina e lëndëve plasëse në Mjekës u angazhua në ngritjen e një linje të re demontimi, pikërisht në ngritjen e linjës së demontimit të predhave të murtajës 160 milimetra, një linjë e ngritur me forcat e stafit të uzinës, me mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin 2005 e deri në muajin shtator të vitit 2007, uzina ka demontuar 104.825.354 fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa sërisht në vitin 2005 u krye edhe investimi i madh prej 3.000.000 ku u bë e mundur vendosja e furrës së djegies, e cila është më e madhja që ka sot vendi, mundësuar nga N.A.M.S.A.S.
34 mijë ton municione në 2016
Ka përfunduar në tetorin e vitit të kaluar në Mjekës të Elbasanit proçesi i demontimit të 34 mijë ton municioneve.
E pranishme në ceremoninë e rastit, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se, shkatërrimi i municioneve përbën një arritje të rëndësishme për sigurinë kombëtare.
Kodheli: Pas përpjekjeve shumëvjeçare ia dolëm të çlirojmë vendin tonë prej një rreziku me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen dhe sigurinë e popullsisë. Shkatërrimi i municioneve të tepërta është arritje e rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe për sigurinë e stabilitetin rajonal.
Këto municione ishin një bombë me sahat, e cila prej dekompozimit apo vetëndezjes një ditë mund të shpërthenin dhe dëmtonin popullsinë dhe mjedisin. Këto armatime rrezikonin të binin në duart e keqpërdoruesve, trafikantëve, krimit të organizuar dhe terroristëve.
Buxheti i Bashkisë, në duart e motrës
Kompania e vëllait të Vangjush Dakos, “3-D Sh.p.k”, ka përfituar miliona lekë nga punët publike, por gjithmonë si palë e kontraktuar nga të tjerët. Kjo skemë e mirëmenduar, ka shmangur debatet dhe konfliktin e interesit, se kryebashkiaku favorizon familjarët për tenderat publikë.
Sëfundmi, “3-D Sh.p.k” po kryen punimet e një projekti të quajtur Veliera, një pllakë betoni që po ndërtohet mbi rrënojat arkeologjike të Dyrrahut 2600-vjeçar. Por gjatë këtij skandali, doli në pah një fenomen tronditës. Valbona Qirjako, e cila është motra e kryebashkiakut Vangjush Dako rezulton të jetë shefe e Sektorit të Buxhetit në Departamentin Ekonomik në Bashkinë e Durrësit. Pra, fondi për betonizimin tek “Veliera” akordohet me firmën e Valbona Qirjakos.
Rrethi i ngushtë që ka krijuar Vangjush Dako, në bizneset dhe bashkinë e tij, deri më sot e kanë bërë atë që të mos ekspozohet së tepërmi ndaj skandaleve të këtyre përmasave.
“El Nino”, dhe lavanderia e Dakos
Ishte viti 1997, ku tre vëllezërit, Vangjush, Artan dhe Edmond Dako vendosën të futeshin në botën e ndërtimit dhe të biznesit. Ata themeluan një kompani të quajtur “3-D Sh.p.k” (3 Dako), e cila kishte si objekt një sërë veprimtarish, që nga materialet e ndërtimit e deri tek import-eksport i produkteve ushqimore. Situata e rëndë ekonomike në atë kohë, nuk e favorizoi kompaninë e vëllezërve Dako.
I gjendur në këtë situatë, në vitin 2001, Vangjush Dako vendos të largohet nga kompania për të nisur karrierën në administratën shtetërore. Ai ia la të gjitha aksionet e kompanisë, vëllait të tij, Artan Dakos. Ky i fundit humb jetën në një aksident rrugor, dhe si rrjedhojë frenat e kompanisë i merr përfundimisht vëllai tjetër, Edmond Dako.
Në vitet, 2001-2002, Vangjush Dako bëhet drejtor i Policisë Ndërtimore në Qarkun e Durrësit, një post ky që do t’i shërbente edhe ish-kompanisë së tij të ndërtimit, që tashmë është në emër të Edmond Dakos.
Në vitet 2004-2005, Dako merr një tjetër pozicion të rëndësishëm, atë të drejtorit të Hipotekës, për Qarkun e Durrësit. Për çudi, gjatë kësaj periudhe, kompania e vëllait të Dakos, “3-D Sh.p.k”, zmadhon me 265 herë kapitalin e saj fillestar, nga 100,000 lekë që ishte prej 1997, arrin vleren 26,500,000 lekë (të reja).
Dukej se kompania e vëllait të Dakos ishte futur në linjë, duke bërë ndërtime të mëdha, kryesisht në sektorin privat. Një vit më pas, në 2006, kompania “3-D Sh.p.k” rrit sërish kapitalin e saj, duke e çuar në 36,000,000 lekë. Tpz.al, disponon bilancet e kësaj kompanie, vetëm nga viti 2006 e më mbrapa, të depozituara pranë Qendrës Kombëtar të Biznesit. Sipas bilanceve, në vitin 2006, kompania e vëllait të Dakos, regjistron një xhiro vjetore 603.162.242 lekë (të reja). Por fryrja me fatura të prapambetura apo me detyrime artificiale, e ka reduktuar fitimin në një shifër qesharake, prej 419.527 lekë (të reja).
Të njëjtën skemë, vijon edhe në vitin 2007, ku kompania “3-D Sh.p.k”, bën një xhiro prej 403.694.211 lekë (të reja), ndërsa fitimi ishte tepër modest, 652.025 lekë (të reja). Pra, një kompani në fushën e ndërtimit, qarkullon mbi 1 miliard lekë brenda 2 viteve, dhe nuk fiton më shumë se 10 milionë lekë (të vjetra).
Pas pak vitit 2007, e cila përkon me zgjedhjen e Vangjush Dakos si Kryetar të Bashkisë së Durrësit, kompania e të vëllait merr përmasat e një biznesi tepër të madh. Me vetëm 20 punëtorë, kompania e Edmond Dakos, rrit edhe kapitalin fillestar, duke e çuar 45.000.000 lekë (të reja). Megjithatë, skema e fshehjes së milionave lekë fitim nga kompania, vijon edhe në vitet pasardhëse. Në vitin 2009, edhe pse kompania “3-D Sh.p.k” deklaron fitime qesharake, ajo arrin të blejë plot 31 automjete të llojeve të ndryshme. Në të njëjtin vit, kompania e vëllait të kryebashkiakut të Durrësit, shton kapitalin duke e çuar 60.000.000 lekë (të reja). Por duket se ky veprim për të shtuar automjetet për llogari të kompanisë, ka ngjallur dyshimet për fshehje të të ardhurave disa qindra milionëshe. Për të korrigjuar këtë “gabim”, 1 vit më pas, në 2010, “3-D Sh.p.k” i ç’regjistron të 31 automjetet nga kompania.
Në vitin 2011, kompania në pronësi të vëllait të Dakos, vijon të zmadhojë kapitalin, në 140.000.000 lekë (të reja), rreth 1.2 milionë dollarë. Të ardhurat për këtë vit, janë 651.588.169 milionë lekë (të reja) rreth 5.5 milionë dollarë, por nëpërmjet shpenzimeve apo detyrimeve fiktive, kompania arrin të lërë mënjanë vetëm 12.605.637 lekë (të reja) fitime, ose afro 100 mijë dollarë.
Ndërkohë një vit më vonë, në 2012, “3-D Sh.p.k” qarkullon rreth 319.207.789 lekë (të reja), ose afro 3 milionë dollarë. Por pavarësisht, kësaj, në bilancet e publikuara rezulton se kompania ka fituar vetëm 8.080.326 lekë (të reja) ose 70 mijë dollarë.
E njëjta skemë fiktive përdoret edhe në vitin pasardhës, në 2013. Kompania “3-D Sh.p.k”, qarkullon 374.495.259 lekë (të reja), pra rreth 3.3 milionë dollarë, ndërsa fitimi është sërish modest, 3.352.848 lekë (të reja) ose 30 mijë dollarë.
Kompania e vëllait të Vangjush Dakos, vijon të ketë rritje në qarkullimin e miliarda lekëve në vit, por fitimi mbetet sërish i njëjtë, duke ngritur dyshime të forta se bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme të fitimeve dhe shmangie të taksave.
Viti 2014
Xhiro vjetore: 230.829.758 lekë ( të reja), rreth 2 milionë dollarë
Fitimi vjetor: 1.813.826 lekë (të reja), rreth 15 mijë dollarë
Viti 2015
Xhiro vjetore: 236.500.270 lekë (të reja), rreth 2 milionë dollarë
Fitimi vjetor: Kompania del me humbje, – 1.127.679 lekë (të reja), rreth 10 mijë dollarë
Viti 2016
Xhiro vjetore: 190.600.036 lekë (të reja), rreth 1.6 milionë dollarë
Fitimi vjetor: 796.603 lekë (të reja), rreth 6 mijë dollarë
E gjithë kjo skemë fshehje ndër vite, tashmë mund t’i japë një shpjegim aseteve të kryebashkiakut Vangjush Dako. Pasuritë e këtij të fundit janë marramendëse, duke nisur nga një pallat 11 katësh me vlerë 720 milionë lekë (të vjetra), disa parcela toke në zona të ndryshme, një magazinë prej 300 m2 si dhe një apartament tjetër rreth 130 m2.
Ndërkohë vëllai i tij, Edmond Dako, edhe pse me fitime të “vogla” të deklaruara përgjatë këtyre viteve, ai ka shtuar disa aktivitete të rëndësishme. Një nga këto është edhe biznesi në fushën e hidrokarbureve (karburanteve), e themeluar në vitin 2014.
“El nino”, bosi i vogël Dako
Në moshën 22-vjeçare, çdo i ri sapo mbaron studimet dhe vrapon për të gjetur një punë të parë. Por, ndryshe ndodh me djalin e Vangjush Dakos. I riu, Xhulio Dako, i datëlindjes 1995, rezulton aksioner i dy kompanive, njëra në fushën e lavanderisë dhe tjetra në tregtimin e produkteve ushqimore me bazë detin.
Në kompaninë e parë, të quajtur “DB Wash International”, Xhulio Dako është shtuar si aksioner, tek themeluesi 54-vjeçar Tomi Ismailati, ndërsa ortakë janë edhe 5 shtetas italianë. Nuk dihet lidhja e djalit të njomë të Dakos me këta shtetas të mëdhenjë në moshë, por sipas bilanceve të siguruara nga Tpz.al, rezulojnë se kenë qarkulluar qindra miliona lekë në harkun e 3 viteve të fundit.
Në deklaratën e pasurisë, të dorëzuar nga ILDKPKI, Xhulio Dako është zotërues i 20% të aksioneve të shoqërisë “DB Wash International”, me kapital 20 000 lekë. Edhe aksionerët e tjerë kanë deklaruar vlera qesharake në kapital, por bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve flasin për tjetër gjë.
Tpz.al publikon fitimet të kompanisë “DB Wash International”, të nxjerra nga bilancet që vetë kjo kompani ka deklaruar.
Fitimet e kompanisë e “DB Wash International” e krijuar 25/03/2014:
Viti 2014: 22.876.057 Lekë (të reja)
Viti 2015: 56.850.124 Lekë (të reja)
Viti 2016: 72.101.360 Lekë (të reja)
Pra, një kompani e sapo krijuar në vitin 2014, ka arritur të nxjerrë fitime deri në 1.4 miliardë lekë, ku pjesë është edhe djali 22-vjeçar, i Vangjush Dakos. “DB Wash International” është gjithashtu edhe përfituese e fondeve publike, ku në Thesarin e Shtetit rezultojnë 3 transaksione financiare ndaj kësaj kompanie, me vlerë 484.000 lekë (të reja).
Pas suksesit me kompaninë e parë, 22-vjeçari Xhulio Dako lidhet ngushtë me 54-vjeçarin Tomi Ismailati. Të dy këta, bashkë me dy italianë të tjerë hapin një biznes në vitin 2016, “Artic Group”, kësaj here në fushën e tregtimit të produkteve ushqimore, molusqeve dhe frutave të detit. Djali i Vangjush Dakos, bëhet 35% aksioner, ndërsa brenda vitit të parë, arrijnë të qarkullojnë 34.233.202 lekë (të reja), rreth 300 mijë dollarë nga shitjet dhe shpenzimet.
Mesa duket fati i ka buzëqeshur 22-vjeçarit, Xhulio Dako, jo për aftësitë e tij, por sepse ai është djali i kryebashkiakut të qytetit të dytë më të madh në Shqipëri, Durrësit. Xhulio njihet mirë në qytetin bregdetar, jo për bizneset e tij, por për jetën luksoze që ai bën, me makina të shtrenjta dhe shumat marramendëse që shpenzon në jetën e natës.
Kjo është dinastia “Dako”, e cila nuk njeh limit në pasurimin e fshehur me bizneset e betonit, lavanderisë dhe tregtisë ushqimore
“TPZ.AL”
Skandali me masakrën Dako, si po zvarritet procesi Veliera në Gjykata
Pas më shumë se 2 orësh në seancën që u zhvillua dje në mesditë në Gjykatën Administrative, (e cila ndodhet ngjitur me Velierën), përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe avokatët e saj u shprehën për vonesat disamujore dhe zvarritjet në marrjen e një vendimi, çka sipas tyre bëhet për të humbur kohë. Sot Gjykata vendosi 4 dhjetorin si ditën për seancën e ardhshme. “Trupi gjykues më kryesor gjyqtarin Ergys Gashi u dha kohë përfaqësuesve të Bashkisë të njihen me përfundimet e ekspertëve, që ka caktuar Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në procesin paralel që po zhvillohet atje, tha avokatja Mirela Jorgo, njëkohësisht veprimtare e Shoqërisë Civile. Sipas znj. Jorgo, këto janë dy çështje krejtësisht të pavarura, me kërkesa të ndryshme, përkatësisht për një çështje penale dhe për një çështje civile. Më i ashpër në qëndrimin e tij, Sazan Guri, i cili i konsideroi vonesat e Gjykatës të kota. “Pavarësisht nga rezultati, ne do ta kërkojmë të drejtën e popullit të Durrësit edhe në Gjykatën e Strasburgut, u shpreh Sazan Guri, kryetar i Zyrës Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit. Guri vlerësoi se dëmtimet në zonën A të rriskut arkeologjik gjatë punimeve për hapjen e themeleve të projektit “Veliera” janë të dukshme, dhe e vetmja mënyrë për ta shpëtuar zonën është rikthimi i gjendjes së parë, pra siç ishte përpara se të niste ndërtimi. Në seancën e sotme, ra në sy mungesa e palëve të treta, të interesuara për çështjen, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, Ministria e Kulturës, etj.
Saga 11-mujore e gjykimit
Rreth 11 muaj më parë në lulishten para godinave të Drejtorisë së Portit Detar të Durrësit nisën punimet për zbatimin e projektit të shumëdiskutuar “Vela”, që më pas u njoh me emrin “Veliera”. Në projekt, bashkë me shëtitoren pedonale, Bashkia synonte edhe zgjidhjen e problematikën e qarkullimit të automjeteve në pjesën më të ngarkuar gjatë sezonit turistik. Shoqëria Civile, shumë e ndjeshme që në momentin e parë, e konsideroi zbulimin e mureve fortifikuese mesjetare, si një mundësi për ta bllokuar vazhdimin e punimeve dhe me kallëzimin penal të 2 shkurtit 2017 e paditi Bashkinë e Durrësit për “Ndërtim të paligjshëm”. Një muaj më vonë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv,…duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për pjesën e projektit që shtrihet në zonën A” të rriskut arkeologjik në Durrës. Megjithë ankimimin e Bashkisë së Durrësit, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë gjeti mbështetjen e Gjykatës së Apelit, i cili e la në fuqi atë. Për disa javë radhazi, arkeologët e Institutit të Arkeologjisë, me mbështetjen e Agjencisë së Shpëtimit Arkeologjik dhe Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, vijuan punimet për zbulimin e disa elementëve të rëndësishëm, mes të cilëve dy topa ushtarakë dhe rreth 40 gjyle të mesjetës së vonë, që shërbenin për mbrojtjen e qytetit. Gjithçka u krye nën vështrimet kureshtare të qytetarëve dhe mediave, një rast i paprecedent në gërmimet e mëparshme, kur dëmtimet e objekteve arkeologjike kanë qenë të shumta. Prof. as. Dr. Eduard Shehi, tha për BIRN se, në raportin që iu drejtua Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, “rekomandimet nga ana e arkeologëve kanë qenë që gjithçka të ruhet dhe asgjë të mos hiqet nga vendi i vet”. Shehi shtoi se, pas disa muaj studimesh të materialit arkeologjik, tashmë është dërguar për botim një artikull, i cili, bazuar te rezultatet e gërmimeve, rimerr në trajtim të gjithë linjën fortifikuese juglindore të qytetit si dhe evolucionin e tyre kronologjik, duke dhënë vlerësime dhe datime krejtësisht të reja”. Ndërkaq, me vendimin 144 të dt 31.07.2017 Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik u shpreh për “ruajtjen dhe integrimin e strukturave më përfaqësuese të zbulimit”, por pa harruar të nënvizojë “se do të miratojë projekt-propozimin për ndryshimin e projektit të rehabilitimit në sheshin para hyrjes së portit”. Kjo pjesë e vendimit ka marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë si dhe të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Ideja e bashkëjetesës së veprës arkitektonike me vlerë 6 milionë USD me muret fortifikuese mesjetare dukej se po gjente mbështetjen edhe të organizmave shkencore për trashëgiminë kulturore, pra edhe të Ministrisë së Kulturës. Ndërkaq proceset paralele gjyqësore bënin përpara me shumë ngadalësi. Më 29 shtator 2017, gjyqtari Petraq Çuri, në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë, nuk e pranoi kërkesën e Bashkisë së Durrësit “për heqjen e sekuestros preventive” dhënë 6 muaj më parë. Vendimi i kundërt do t’i jepte mundësi investitorit të vijonte punimet edhe në zonën e zbulimit arkeologjik, me synim realizimin e plotë të projektit “Veliera”. Ndërkaq firma ndërtuese “Everest” ka vijuar punimet në të gjithë pjesën që del jashtë perimetrit të zonës së zbulimit arkeologjik. Por në seancën e 29 shtatorit të kaluar, gjyqtari Çuri në të njëjtën kohë vlerësoi se, “KKA dhe KKR kanë miratuar vetëm projekt-propozimin e Bashkisë, ndërsa para tyre nuk është paraqitur projekti i zbatimit, çka tregon se këto dy institucione shtetërore nuk janë serioze”. Në vendimin e nënshkruar nga gjyqtari Petraq Çuri, të cilin BIRN e posedon, trajtohet edhe problematika e ngritjes së një grupi ekspertësh, kërkuar më parë edhe nga Prokuroria. Gjyqtari kërkoi edhe ekspertë të fushës së ndërtimit dhe të urbanistikës, të cilët së bashku me ata të arkeologjisë duhet të “përcaktojnë nëse kemi elementë të figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës”. Proceset gjyqësore në të dy gjykatat kanë ecur me ritme të ndryshme. Gjykata Administrative që nga maji i këtij viti bllokoi seancat e procesit të Velierës për shkak të mungesës së emrave të dy gjyqtarëve të tjerë, të cilët në kushtet e fillimit të Reformës në Drejtësi duhet të zgjidheshin nga institucione të tjera, duke nisur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Seanca e mesditës së sotme ishte e para pas një vonese gati 6-mujore, por ajo nuk zgjati shumë në pritje të vendimit të kolegëve të Gjykatës së Shkallës së Parë, i la të pakënaqur përfaqësuesit e Shoqërisë Civile. Ndërkaq, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile shprehen të shqetësuar për investimet e tjera që pritet të nisin në qytet. Sipas znj. Mirela Jorgo, projekti që pritet të zbatohet pranë sheshit të Mauzoleut të Dëshmorëve, mund të rrezikojë në të njëjtën mënyrë nëntokën arkeologjike të qytetit antik. Zbulimi i dyshemesë së një terme të periudhës romake në lulishten e Mauzoleut gjatë një sondazhi të verës së kaluar është tregues i pasurisë arkeologjike të zonës.
Koncesionet 1 miliard euro, rreziku më i madh që i kanoset buxhetit
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, e ka konsideruar të papranueshme rritjen e faturës së koncesioneve me ritëm shumë të lartë, duke e konsideruar paaftësi të qeverisë që shumë shërbime po i kalon tek privati. “Fatura e koncesioneve është totalisht e papranueshme, rritja me këtë ritëm kaq të lartë duke pasur parasysh se janë të gjitha kontrata shërbimesh, që nuk keni aftësinë juve t’i zbatoni dot si qeveri. Dhe detyrimi që do të lindë në kontratën prej 1 miliard, që opozita ka shqetësimet e saj se nga do të financohet, paratë e drogës dhe hashashit që përmenden shpesh do të futen në ekonomi nëpërmjet kësaj kontrate, janë rreziku më i madh që i kanoset buxhetit të vitit 2018”, u shpreh Tabaku. Seanca e këtij komisioni mbi koncesionet është shoqëruar me debate, sidomos për mënyrën e funksionimit apo kostot që i japin buxhetit të shtetit këto marrëveshje. Ndër më të debatuarit ishte koncesioni i check-up, markimi i karburanteve, skanimi dhe ai i pullave fiskale. Ndërkohë që deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, në një postim në Facebook shprehet se 1 miliard euro të PPP-ve janë paratë e drogës dhe të krimit që qeveria po i kthen në motorin e ekonomisë së vendit, ku pasojat sigurisht i mbajnë vetëm xhepat e çdo shqiptari. “Ministria e Financës nuk përfshin në listën e koncesioneve shumën prej 1 miliard euro, duke mos e përllogaritur atë në nivelin e borxhit të shtetit. Pavarësisht nëse MF i përllogarit ato apo jo, ato janë borxhe që do t’i paguajnë fëmijët tanë. 1 miliard euro të PPP-ve që janë paratë e drogës dhe të krimit, qeveria po i kthen në motorin e ekonomisë së vendit, ku pasojat sigurisht i mbajnë vetëm xhepat e çdo shqiptari”, shprehet Kadiu.
Tabaku: Qeveria mashtron, më 2018 s’do ketë rritje pagash e pensionesh
“Nuk ka rritje pagash, pensionesh dhe ndihmë ekonomike”. Kështu e nis statusin e saj në Facebook, deputetja e PD, Jorida Tabaku ku ndër të tjera ka renditur edhe disa fakte pse nuk do të ndodhë një rritje e tillë gjatë vitit 2018, duke e cilësuar premtimin e qeverisë si një propagandë. Sipas Tabakut, vitin e ardhshëm buxheti ka rezervuar 1 mld lekë shtesë në paga, që është 4.5 mld lekë më pak se viti sivjetshëm elektoral, ndërkohë vitin e ardhshëm qeveria ka parashikuar 1.86 mld lekë rritje fondesh pensioni nga 2.5 mld lekë në vitin aktual, ku sipas saj nuk llogarit dështimin e skemës së pensionit në fshat. Sa i takon ndihmës ekonomike, Tabaku shprehet se qeveria nuk ka “asnjë lek” shtesë për ndihmën ekonomike, ndonëse sipas saj shqiptarët taksa progresive i ka bërë gjithnjë e më të varfër. “1. Fakti është se për vitin e ardhshëm buxheti ka rezervuar 1 mld lekë shtesë në paga, që është 4.5 mld lekë më pak se viti sivjetshëm elektoral. 2. Fakti është se për vitin e ardhshëm, qeveria ka parashikuar 1.8 mld lekë rritje fondesh pensioni nga 2.5 mld lekë në vitin aktual. Pa llogaritur dështimin e skemës së pensionit në fshat. 3. Fakti është se qeveria nuk ka asnjë lek shtesë për ndihmën ekonomike, megjithëse shqiptarët taksa progresive i ka bërë gjithnjë e më të varfër. Kjo është e vërteta e buxhetit 2018 që nxjerr zbuluar propagandën e qeverisë. Ose kanë në plan të përgjysmojnë numrin e përfituesve ose kanë në plan të zbrazin Shqipërinë!”, shkruan Tabaku në rrjetin social FB.