32.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Skema e taksimit progresiv mbi të gjitha llojet e tjera të të ardhurave

Sipas skemës së re, paga e një individi dhe të gjitha të ardhurat e tjera që ai merr do të bashkohen në një bazë të vetme, mbi të cilën do të zbatohet taksa progresive. Për ekspertin e Ekonomisë, Selami Xhepa, kjo skemë do të rrisë barrën fiskale veçanërisht për shtresën e mesme të popullsisë, duke reduktuar të ardhurat e tyre. Selami Xhepa: Ajo që është e gabuar është koncepti, sepse në qoftë se paga merret si shpërblim për punën që kryen individi çdo ditë, shpërblimi apo bonusi që dikush merr i dedikohet punës për një periudhë të gjatë kohore. Nuk bën sens që kjo të konsolidohet me të ardhurën e atij muaji dhe për rrjedhojë t’i nënshtrohet normës më të lartë tatimore që është 23%. Nga pikëpamja e mënyrës se si do të realizohet kjo është e gabuar parimisht dhe pa dyshim që do të ketë efekte shumë të mëdha, sidomos te ajo kategori e qytetarëve apo të punësuarve që një pjesë të të ardhurave të tyre i kanë në formën e bonuseve, qoftë nëpunësit e bankave apo punonjësit e kërkimeve shkencore, ata që merren me profesionet e lira. Sipas Profesor Xhepës, edhe skema aktuale e tatimit progresiv ka dështuar, pasi mijëra të punësuar nuk janë të deklaruar me pagat reale. Selami Xhepa: Të gjithë sipërmarrësit, punëdhënësit apo edhe punëmarrësit kanë interes që të shmangin mënyrën e raportimit të të dhënave, duke përfituar nga parashikimet që ka vetë ligji që të ardhurat mund të fragmentarizohen në burime të ndryshme dhe për rrjedhojë të shmangin pagimin e plotë të barrës fiskale. Kjo ka bërë që efektivisht regjimi i politikës së taksimit progresiv të konsiderohet i dështuar në këndvështrimin e efekteve që duhet të prodhonte në ekonomi, që duhet të siguronte më shumë të ardhura për buxhetin. Së dyti, është provuar edhe me studime empirike që kjo barrë ka goditur më shumë të ardhurat e shtresës së mesme të qytetarëve. Në këto kushte, Xhepa pohon se skema e tatimit të sheshtë mbi pagat është më efektive. Selami Xhepa: Mënyra më e thjeshtë është tatimi i sheshtë, sepse pavarësisht se do të mbledhësh së bashku pagën me shpërblimin apo do t’i ndash veç e veç, kjo është thjesht proporcionale dhe shmang çdo lloj devijimi. Së dyti, për të mbrojtur të ardhurat e qytetarëve për atë kategori të popullsisë që mund të ndikohet negativisht nga taksa e sheshtë mundet të rritet pragu përjashtues, për një kategori të ardhurash të ulëta, të cilat mund të përjashtohen fare nga tatimi. Aktualisht, qeveria takson progresivisht vetëm pagat, ndërsa të ardhurat e tjera, si qiraja, shpërblimet, apo e drejta e autorit taksohen me normë fikse, 15 për qind.

Pasiguria, bankat e huaja po tërhiqen nga Shqipëria

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit për parashikimin ekonomik rajonal të titulluar “Europa prek hapat e saj”, publikuar sot, i ka kushtuar një kapitull të veçantë efektit të tërheqjes së bankave mëmë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, me në fokus sjelljen e bankave greke. Filialet e bankave të huaja nga vendet e Bashkimit Europian (BE) që kanë përjetuar një stres financiar të dukshëm, përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të sistemeve bankare në Ballkanin Perëndimor, thotë raporti. Nga fundi i vitit 2015, pretendimet e bankave italiane dhe greke, për shembull, përbënin një mesatare prej më shumë se 18 për qind të PBB-së në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe Serbi. Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë ekspozime domethënëse. Aktualisht shqetësimet lidhen me disa banka greke, thotë FMN. Filialet e bankave greke janë nën presionin e prindërve që kanë pasur probleme likuiditeti gjatë viteve të fundit. Turbullirat financiare të Greqisë në vitin 2015 nxitën një tërheqje të depozitave ndaj filialeve të bankave greke në Maqedoni. Filialet greke në Serbi përjetuan gjithashtu një humbje të depozitave, por në nivele më të ulëta. Autoritetet në rajon u përballën me sukses me presionet nëpërmjet një game të gjerë mjetesh, duke përfshirë monitorimin e ngushtë të vendosjeve të bankave në bankat mëmë në Greqi apo filialet e tjera jashtë shtetit; inkurajimin e filialeve greke për të eliminuar gradualisht ekspozimet ndaj Greqisë; vendosjen e miratimeve paraprake për transaksione të mëdha; futjen e kontrolleve të rrjedhjes së kapitalit që synojnë parandalimin e bizneseve në pronësi greke nga huamarrja nga bankat vendase dhe transferimin e fondeve në Greqi; dhe vendosjen e masave për transferimin e kapitalit për të parandaluar bizneset me pronësi greke që të merrnin hua nga bankat lokale dhe të transferonin fondet në Greqi. Ndërsa telashet janë zbehur, hapi tjetër do të jetë menaxhimi i tërheqjes së bankave greke nga rajoni, këshillon FMN. Planet e ristrukturimit të paraqitura nga bankat greke si pjesë e paketës së shpëtimit të udhëhequr nga BE parashikojnë një tërheqje graduale nga aktivitetet e tyre jashtë vendit. Piraeus, banka më e madhe e Greqisë në aspektin e aseteve, planifikon të shesë filialet e saj në Shqipëri (në Shqipëri, Pireaus zotëron Tirana Bank-shënim i Monitor) dhe Serbi (përveç atyre në Bullgari, Rumani dhe Ukrainë). Huadhënësi i dytë më i madh i Greqisë, Banka Kombëtare e Greqisë, mund të duhet të shesë filialet e saj në Europën Juglindore deri në qershor 2018, duke përfshirë ato në Shqipëri (NBG Albania), Maqedoni dhe Serbi. Banka Kombëtare e Greqisë ra dakord në fillim të gushtit për të shitur degën e saj në Serbi në OTP me bazë në Hungari. Alpha Bank njoftoi 31 janar 2017 se ka rënë dakord me Grupin MK të Serbisë për shitjen e 100 për qind të aksioneve të saj në kapitalin aksionar të Alpha Bank Srbija, thuhet në raportin e saj.

Raporti BE: Nga Shqipëria, kanabis, kokainë dhe tranzit për heroinën

Shqipëria është shndërruar në një shqetësim serioz i trafikut të drogës në kancelaritë e Bashkimit Europian. Të dhëna të frikshme ka nxjerrë Qendra Europiane e Drogave dhe e Varësisë së Drogave (EMCDDA) në raportin Shqipëria, Raporti Kombëtar për Drogat 2017 (Albania, National Drug Report 2017) në analizën që ka bërë për situatën e Drogave dhe Varësisë së Drogave në vend ka dhënë dhe një panoramë të tregut të jashtëligjshëm. EMCDDA është një agjenci e pavarur e Bashkimit Europian, e cila me rret me monitorimin e trafikut të drogës në territorin e Europës.
E konsideruar si një vend prodhues i kanabisit, EMCDDA ngre shqetësimin se vendi pas kanabisit e kokainës, së fundmi po kthehet në një nyje të trafikimit të heroinës dhe se një pjesë e drogave të forta mbetet në vend. Si janë çmimet në vend dhe sasitë e zëna ndër vite.
Shqipëria konsiderohet një vend prodhues i kanabisit, thuhet në raport. Vendet kryesore të furnizimit me kanabis nga Shqipëria janë vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor dhe ato të Bashkimit Europian. Për të luftuar këtë fenomen, Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë plane vjetore veprimi. Produktet e kanabisit janë ndër drogat të kapura më shpesh në Shqipëri. Nga viti 2012, ka pasur një numër në rritje të identifikimit dhe të shkatërrimit të plantacioneve me kanabis.
Në vitin 2015, Policia shqiptare raportoi një numër rekord të sasisë së zënë të kanabisit prej 1198 plantacionesh dhe shkatërrimin e 797422 rrënjëve. Shtuar kësaj, janë kapur gjithashtu sasi të mëdha të kanabisit të presuar. Sipas të dhënave sasia e zënë e kanabisit nga u rrit nga 310 tonë në 2010, në 1093 tonë në 2014, ku një sasi rekord prej 102 tonësh u kap. Nga viti 2014 deri në 2015, tre laboratorë të prodhimit të vajit të kanabisit u shpërbënë.
Duke qenë pjesë e degëzimit jugor të rrugës ballkanike, Shqipëria është vendi tranzit i trafikut të heroinës. Rrugët kryesore që përdoren janë Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. Heroina transportohet në Shqipëri me kamionë, autobusë, makina etj. Të dhënat e disponueshme tregojnë se, destinacionet kryesore të trafikimit të heroinës nëpërmjet Shqipërisë janë Italia dhe Greqia, por një pjesë e sasisë së trafikuar mbetet në vend për konsumatorët në Shqipëri.
Në vitet e fundit, sasia e zënë e heroinës ka qenë disi e qëndrueshme, por sasia e zënë ka variuar nga viti në vit. Sipas të dhënave të disponueshme sasia e zënë në Shqipëri ka qenë më e ulët nga 2010 në 2011 (respektivisht janë kapur 15.5 kg dhe 21.4 kg), ndërsa në 2012-ën sasia e zënë e heroinës u katërfishua në 87.7 kg. Në 2013-ën në total pati 95 raste të sasisë së kapur, ku u sekuestruan rreth 74.3 kg heroinë. Në 2014 kishte 81 raste dhe 73.5 kg të zëna, ndërsa në 2015 87 raste dhe 36.9 kg heroinë e zënë.
Kokaina (pluhur) duket se hyn në Shqipëri në sasi të vogla, kryesisht nëpërmjet korrierëve apo shpërndarjeve postare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Amerikës së Jugut, të njohura për prodhimin e kokainës. Në vitet e fundit, të dhënat tregojnë se rastet e transportimit me anë të konteinerëve janë shtuar. Një laborator i përfshirë me nxjerrjen dytësore të kokainës u identifikua dhe u shpërbë në 2015-ën.
Ky operacion rezultoi me zënien e 20 kg kokainë pluhur, e cila ishte e destinuar për në Gjermani. Pjesa më e madhe e kokainës së trafikuar në vend mendohet të jetë për përdorim të brendshëm, por droga trafikohet edhe më tej, kryesisht në Greqi dhe në Itali. Që nga 2010, numri i rasteve dhe sasia e zënë janë në trend rritës. Në 2015, pati një numër rekord të rasteve të ndaluara. 71, dhe të sasisë së zënë prej 27.1 kg, të cilat u raportuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Drogat sintetike nuk janë të shpeshta në tregun shqiptar të drogave.
Të dhënat tregojnë se çmimi në tregun e zi për një gram kanabis në 2015-ën ishte 1-1.3 euro, në 2012-ën, çmimi në tregun e zi i heroinës varjonte nga 21 deri në 25 euro për gramë. Pastërtia e heroinës në tregun e zi përllogaritej rreth 4 për qind. Çmimi për 1 gram kokainë në 2012 varionte nga 50-100 euro për gram, ndërsa pastërtia ishte rreth 27 për qind. Kanabisi i kultivuar në vend vijon të mbetet droga kryesore në tregun shqiptar të drogave. “Shqipëria është gjithashtu vend tranzit i heroinës dhe së fundmi dhe i kokainës”, përfundon raporti.

Rrugët që ndjekin trafikantët e heroinës dhe kokainës për të hyrë në Shqipëri

Në lidhje me kokainën dhe heroinën, raporti tregon se janë dy rrugë të cilat ndjekin trafikantët për të hyrë në shqipëri. E para ëhstë Turqi-Bullagri-Maqedoni-Shqipëri dhe e dyta Turqi-Bullagri-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. Një vit më parë, raporti i 2016-ës i Qendrës Evropiane të Monitorimit të Lëndëve Narkotike, theksonte se rritja e kultivimit të kanabisit në Shqipëri po ndryshon rrugët e trafikimit të kanabisit në gjithë shtetet e Bashkimit Evropian.
Duket se në harkun kohor të një viti, Shqipëria ka rritur rolin e saj dhe në trafikimin e kokainës dhe heroinës.
Disa nga pikat kryesore të raportit të vitit 2017 janë:
Kanabisi i kultivuar në vend vijon të mbetet droga kryesore në tregun shqiptar të drogave. Shqipëria është gjithashtu vend tranzit i heroinës, e së fundmi dhe i kokainës.
Shqipëria është një vend ku prodhohet kanabis. Përfituesit kryesorë të kanabisit shqiptar janë vendet fqinjë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.
Duke qenë pjesë e daljes jugore të Rrugës Ballkanike, Shqipëria është vend tranzit për trafikimin e heroinës. Rrugët kryesore të përdorura për transportimin e heroinës janë Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri.
Heroina transportohet anembanë Shqipërisë në kamionë, autobusë, makina, etj. Të dhënat në dispozicion tregojnë se, Greqia dhe Italia janë vendet kryesore të destinacionit për heroinën e kaluar përmes Shqipërisë, por një sasi heroine ruhet dhe për konsumatorët vendas.
Kokaina (pluhur) arrin në Shqipëri në të vogla sasi, kryesisht nga korrierët ose dërgesat postare nga SHBA dhe vendet e Amerikës Jugore, të njohura tradicionalisht për prodhimin e saj.
Në vitet e fundit, janë shtuar dhe rastet e transportimit të kokainës përmes konteinerëve.
Një laborator që përpunonte ekstraktin dytësor të kokainës u zbulua nga policia dhe u shkatërrua në vitin 2015. Gjatë këtij operacioni u kapën 20 kilogramë kokainë pluhur, e destinuar për t’u transportuar në Gjermani.
Shumica e kokainës e trafikuar besohet të jetë për përdorim vendas, por kokaina shpërndahet nga Shqipëria edhe në vende të tjera, kryesisht në Greqi dhe Itali. Që nga viti 2010, si numri i rasteve ashtu dhe sasia e kapur, janë në trend rritës.

“Monitor”

Hotelet e luksit do përjashtohen nga taksat në 2018, FMN, kundër

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për turizmin, ku përcaktohen kriteret që hotelet me 4 dhe 5 yje të marrin statusin special.
Sipas projektligjit, lehtësitë fiskale i përfitojnë hotelet me 4 yje për vlerë investimi të paktën 8 milionë euro dhe për hotelet me 5 yje të jetë të paktën 15 milionë euro.
Statusi special do të jepet nga Ministria e Ekonomisë, por kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, duke i lënë fuqi të madhe në dorë këtij të fundit.
Paketa fiskale ka përcaktuar më herët se hotelet me status special do të përjashtohen nga tatim fitimi për 10 vitet e para, ndërsa hotelet me 5 yje nuk do paguajnë as taksën e infrastrukturës.
FMN është shprehur kundër këtyre lehtësive, pasi ka “Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin, që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiskal”.
“Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë. Nuk është e qartë se si përjashtimet nga taksat do të ndihmojnë për t’i lehtësuar këto kufizime”, ka deklaruar FMN.

Drafti

Drafti përcakton që Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin, jep statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, për subjektin që plotëson të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) Është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, në Republikën e Shqipërisë, të çertifikuar si e tillë nga struktura përgjegjëse sipas këtij ligji.
b) Vlera e investimit është të paktën 8 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Aplikimi për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” dhe marrëveshja me investitorin
Kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.
Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, vlera e projektit, ndalimet për tjetërsimin e pronësisë së strukturave të ndërtuara apo pjesëve të tyre, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella”.

Si po krijohet hetuesia e diktaturës

Në një paraqitje publike nga Ministria e Brendshme të aksionit të quajtur Forca e Ligjit, qeveria lajmëroi nxitimthi krijimin e një Task Force kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ajo do të veprojë pranë Ministrisë së Brendshme, duke koordinuar institucione të ndryshme shtetërore (Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Shërbimet Sekrete, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mbrojtjes) dhe do të jetë përgjegjëse për hetimet kundër krimit të organizuar.
Sipas zërave të njëjtë dhe deklaratave të ngatërruara, duket se brenda kësaj Task Force do të punojnë agjentë të FBI-së amerikane, Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Italisë.
Media të ndryshme kanë publikuar skemën e organizimit të kësaj Task Force, e cila lë të dyzuar këdo që ka kujtesë dhe kulturë juridike minimale.
Lexuesit e vëmendshëm mund të kujtojnë se në fillim të qeverisjes në vitin 2013, Kryeministri lajmëroi krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit-një institucion hetimor nën shembullin e Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-ve, por opozita u ngrit kundra, duke u shprehur se kjo strukturë hetimi, për shkak të parimeve kushtetuese, nuk mund të ishte nën varësinë e qeverisë, por duhet të varej nga Prokuroria e Përgjithshme.
Si zakonisht, kur sheh qëndresë, Rama e la të hidhej poshtë këtë propozim dhe pas një udhëtimi në Turqi dhe një këshillim me Erdoganin, hodhi në qarkullim idenë e projektit radikal të Reformës në Drejtësi, e cila shpejt çoi në debatet e famshme mbi vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe solli netët luftarake parlamentare gjatë verës së vitit 2016.
Reforma në Drejtësi e zgjidhi problemin, duke krijuar një Prokurori Kombëtare Speciale antikorrupsion, me detyrën për të hetuar të gjitha veprat e krimit të organizuar dhe të korrupsionit përmes një Njësie të Pavarur të Hetimit, por gjithmonë nën mekanizmin e Prokurorisë, të rregulluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Në këtë mënyrë, u ruajt pavarësia e Prokurorisë nga qeveria.
Por pak ditë më parë, ministri i ri i Brendshëm, më parë ministër i Drejtësisë dhe tre vitet e fundit koordinator i Reformës në Drejtësi, propozoi me zhurmë të madhe një strukturë të quajtur Task Forcë, në varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Sipas organigramës së publikuar, ajo do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, si në nivel kombëtar dhe në nivel vendor, duke shkëmbyer informacion me prokuroritë, shërbimet sekrete, zyrën e taksave dhe hipotekave e me radhë.
Në këtë mënyrë duket se Task Forca është një institucion i destinuar të zëvendësojë, të paktën në nivelin operativ, Prokurorinë Speciale (SPAK)-strukturën speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të parashikuar nga Reforma në Drejtësi.
Një detaj nga skema e publikuar nënkupton një shpjegim dramatik.
Në faqen e quajtur struktura e Task Forcës, parashikohet që Prokuroria e Krimeve të Rënda të jetë pjesë e organizimit të Task Forcës, por jo në krye të saj sikurse kërkohet nga Kushtetuta. Fatkeqësisht për qeverinë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ekzistonte në kohën e propozimit të krijimit të Byrosë së Hetimit, por nuk ekziston më pas Reformës në Drejtësi.
Ky detaj sugjeron se, e gjendur ngushtë nga kërkesat e komunitetit ndërkombëtar dhe, në veçanti, nga qeveria italiane dhe duke dashur të tregojë sa më parë se po vepron në drejtimin e treguar nga ndërkombëtarët, qeveria ka ricikluar projektin e vjetër të Byrosë së Hetimit, pa e vrarë mendjen të korrigjojë atë detaj grafik.
Pra, do të jetë vetëm tym dhe propagandë për ndërkombëtarët, me shumë misione komode dhe të shtrenjta të asistencës teknike për të “kënaqur” funksionarët e tyre.
Alternativa tjetër është më e rëndë, pra, që Xhafaj po përpiqet të përqendrojë në duart e qeverisë policinë dhe drejtësinë, njësoj sikurse ishte në periudhën më të errët të diktaturës dhe njësoj siç donte të bënte Rama, kur propozoi Byronë Kombëtare të Hetimit. Duket se ata e kanë vendosur krijimin e Task Forcës pa e çarë kokën për parimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë të përcaktuar në Kushtetutë, pa e shpërfillur fare organizimin institucional të krijuar nga Reforma në Drejtësi, dhe nga nxitimi, pa e kaluar as në Kuvend.

“Exit.al”

Kriza e ujit apo kriza e turpit?

“Monitor”

Në Europë, Tirana është kryeqyteti i vetëm i shqiptarëve që me ujë të pijshëm furnizohet rrallë dhe me ndërprerje. Edhe në Prishtinë nuk ka 24 orë ujë të pijshëm, por kufizimet janë vetëm gjatë natës dhe në tarracat e shtëpive në Kosovë nuk ka depozita. Ndërsa në Tiranë, furnizimi është vetëm dy herë në ditë, nga dy orë për çdo herë. Në të gjithë Shqipërinë, vendi që kërkon të hapë momentalisht negociata për anëtarësimin në BE, panorama është më dramatike.
Instituti i Statistikave jep të dhëna se gati 3% e popullsisë nuk ka asnjë mundësi të furnizohet me ujë. Rreth 30% e gjithë popullatës, ose nuk kanë ujë ose në rastin më të mirë kanë vetëm një çezmë jashtë godinës, kurse në fshat jeton në të tillë mjerim rreth 50% e banorëve.
Prej dekadash, uji për shqiptarët është një legjendë dhe qeveritë që prej ish-drejtuesit të fundit komunist Ramiz Alia, kanë udhëtuar me dështimin.
Ditët e fundit, qeveria e fundit e socialistëve, është shprehur e gatshme të fillojë t’i japë përgjigje problemit. Kryeministri, zoti Rama, i tha publikut se qeveria e tij nuk do të lejojë askënd që të mos paguajë ujin që konsumon, duke paralajmëruar një aksion me forcë ndëshkimi të ngjashme si me energjinë elektrike. Ata po përpiqen të na shpjegojnë në këtë mënyrë se nyja e madhe e problemit është dhe do të fillojë të shplekset nga mbledhja e faturave të papaguara dhe ndërprerja e lidhjeve të paligjshme.
Në dukje, çështja është financiare. Por nëse vlerësojmë faktet reale do të shikojmë më qartë se rruga që qeveria propozon ka doza demagogjie që kërkojnë ta damkosin me njollën e turpit popullatën si përgjegjësen e problemit dhe, nga ana tjetër, të krijojë alibinë politike se kriza e ujit lind nga shqiptarët “e paedukuar” që nuk janë mësuar të paguajnë për çka konsumojnë.
Qeveria thotë se, ka argumente, pasi 65% e ujit të lëshuar në tubacione nuk faturohet se vidhet ose një pjesë tjetër nuk paguhet. Por pyesim: nëse i gjithë uji që del nga ujësjellësit paguhet, a do të ketë më pas furnizim pa ndërprerje për çdo familje dhe cilësia e ujita do të jetë e tillë që mund ta pish nga rubineti?
Në Tiranë, çmimi i ujit për familjarë është 45 lekë/metër kub ose 0.045 lekë/litër. Çmimi mesatar në të gjithë vendin (pasi ndryshon në varësi të tarifave të vendosura në çdo njësi të pushtetit vendor) është rreth 0.04 lekë/litër. Nga të dhënat zyrtare rezulton se konsumi mesatar mujor për një familje me katër anëtarë është 12 mijë litra në muaj dhe fatura arrin në rreth 480 lekë në muaj, pa tarifat e tjera dhe taksat.
Por faktet e mbledhura nga e përditshmja e jetës shqiptare dhe beteja e mundimshme me ujin na tregojnë se një familje bën shpenzime të tjera për ujin që përdor për të pirë, të paktën 1500 lekë në muaj, duke konsumuar 150 litra ujë të ambalazhuar. Pra, tre herë më shumë se fatura e ujësjellësit dhe gati 80 herë më pak litra ujë!!! Kaq pa logjikë financiare jemi, sa të paguajmë më shtrenjtë një mall në treg kur mund ta marrim disa herë më shumë dhe disafish më lirë nga ujësjellësit?
Vetë Enti i Ujit ka llogaritur që duke përfshirë shpenzimet për depozita, pompa, konsum energjie, mirëmbajtje (pa llogaritur kostot për kurimin nga sëmundjet që shkaktohen nga uji i depozitave), çmimi i paguar nga një familje arrin deri 250% e faturës së Ujësjellësit.
Këto llogari rrëzojnë etiketimet se shqiptarët nuk paguajnë për ujin e pijshëm. Përkundrazi, paguajnë shtrenjtë, rreth 1 dollar/metër kub ose më shumë se banorët e Podgoricës (0.65 USD/litër) që kanë ujë pa ndërprerje dhe e konsumojnë direkt nga rubineti.
Ka diçka që duket se nuk shpjegohet, pse shqiptarët janë të gatshëm të paguajnë kaq shtrenjtë në treg në krahasim me tarifat shtetërore dhe nuk e paguajnë atë tek entet publike?
Fatura e ujit që nuk paguhet është fatura e refuzimit ndaj paaftësisë së shtetit dhe mospajtimit me gjendjen ku ata jetojnë prej vitesh: ujë 1-2 herë në ditë dhe me cilësi shpeshherë të rrezikshme për jetën e tyre. Jo më kot, edhe shifra e mospagesës përafron me numrin e popullatës që sot s’kanë fare ujë ose kanë një rubinet të përbashkët jashtë ndërtesës!
Ndaj kriza e ujit nuk është kriza e faturës, por kriza e turpit që shqiptarët po vazhdojnë të paguajnë shtrenjtë. Ajo është fatura e besimit të rrëzuar nga vjen bindja shumëvjeçare se veprimi politik për zgjidhjen e problemit duket po aq i amortizuar sa dhe investimet e bëra për ujin.

Mesi: Patëm durimin për të shkuar në Rusi

Icardi? Higuain? Aguero? Cili do të jetë numri 9 titullar te Argjentina në Botërorin e Rusisë 2018? Një zgjedhje shumë e komplikuar për Jorge Sampaoli, por trajneri e di që ka në dispozicion të tij tre sulmues të mëdhenj, pavarësisht se cili prej tyre do të qëndrojë në qendër të ofensivës së bardhekaltërve të Argjentinës. Pikërisht në lidhje me këtë çështje kaq të nxehtë dhe delikate, në përfundim të ndeshjes miqësore që Argjentina diskutoi kundër Rusisë, ishte vetë Lionel Messi ai që tha fjalën e tij.
“Kun, Pipa dhe Mauro, janë sulmues të ndryshëm mes tyre dhe të rëndësishëm, vendimi i përket trajnerit”, deklaroi Messi, i cili më pas theksoi se si skuadra ka rifituar qetësinë, pasi siguroi kualifikimin për në Kampionatin Botëror, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Rusi. “Në pjesën e parë e shfaqëm. Luajtëm shumë të qetë krahasuar me herët e tjera, nuk sulmuam të shfrenuar si në ndeshjet e kaluara kundër Venezuelës ose Perusë. Patëm durimin për të krijuar raste”, komentoi Messi.
Një tregolësh i Leo Messit kundër Ekuador ka kualifikuar Argjentinën në Botërorin Rusi 2018, duke detyruar Perunë që të shkojë në play-off. Kualifikueset për në Rusi 2018 kanë qenë vërtetë të vuajtura dhe shumë të dhimbshme për përfaqësuesen argjentinase, që si nënkampione e botës në fuqi ka rrezikuar fuqishëm eliminimin. I intervistuar nga “Fox Sports” në prag të miqësores ndaj Nigerisë, Messi është rikthyer të flasë në lidhje me emocionet e atyre ditëve, pa mohuar se emocioni që dominonte ishte frika.
“Në vigjilje të ndeshjes kundër Ekuador e bëmë në brekë… Ndjenim presionin e paevitueshëm të momentit. Pasi nuk kishim shfrytëzuar shanset kundër Venezuelës dhe Perùsë, që do të na kishin evituar të diskutonim gjithçka në ndeshjen e fundit, e dinim që nuk mund të gabonim më. Të mbeteshim jashtë Botërorit do të ishte absurd”, tregon Messi.
Por, tani që u arrit kualifikimi, nevojitet të jesh mes protagonistëve: “Sa më shumë ndeshje kalojnë, aq më shumë mësohemi me atë që na kërkon trajneri Sampaoli. Në lojën e tij, anësorët janë shumë të rëndësishëm, ndërsa ne ishim mësuar të luanim me tre në sulm. Fatkeqësisht te kombëtaret nuk ke kohë në dispozicion, aq më pak kur duhet të ndryshosh filozofi. Duhet të përfitojmë maksimalisht nga të gjitha momentet dhe ndeshjet, për të krijuar një amalgam sa më të mirë”, përfundoi ylli i Barças dhe Argjentinës, Leo Messi.

Barça hap thesin

Katalanasit tashmë i kanë fiksuar 2 objektivat primarë, të cilët janë Philippe Coutino dhe Antoine Griezmann. Të dy futbollistët kanë një të përbashkët, që është vullneti i tyre për të ndryshuar ambient. Plani i katalanasve është i qartë, në janar do të fillojë sulmi për të transferuar në ‘Camp Nou’ Philippe Coutinhon.
Katalanasit pretendojnë se Liverpooli ka kërkuar 200 milionë euro për të lënë të lirë lojtarin, shifër kjo disi e ekzagjeruar, por pavarësisht kësaj situata nuk duket dhe aq e vështirë. Braziliani nuk ka më të njëjtin raport me teknikun Jurgen Klopp dhe ky i fundit gjithashtu nuk ka më besimin e dikurshëm tek sulmuesi. Barcelona pritet të ofrojë sërish të njëjtën shumë, 130 milionë euro, por këtë herë duhet të bëjë kujdes, pasi në garë pritet të përfshihet dhe PSG-ja.
Nëse në janar do të kërkohet me çdo kusht transferimi i Coutinhos, në verë Barcelona do të kërkojë të kryejë dhe një tjetër super goditje në merkato. Bëhet fjalë për Antoine Griezmann, i cili duket se nuk dëshiron më të jetë pjesë e Atleticos së Madridit dhe në verë pritet që të kërkojë largimin. Klauzola e Griezmann kap vlerën e 100 milionë eurove, por dhe për 26-vjeçarin situata nuk paraqitet edhe aq e thjeshtë. Manchester United, një kandidat i hershëm është në garë, ndërkohë që pritet t’i bashkohet dhe kësaj piste PSG-ja, në rast se nuk arrin dot te Coutinho.
Siç shihet, kemi të bëjmë me 2 emra me një kosto totale prej gati 230 milionë eurosh dhe me një rivalitet të lartë për të siguruar shërbimet e tyre. Si në rastin e Coutinhos, ashtu edhe në atë të Grizmann, rivali kryesor i katalanasve vijon të mbetet PSG-ja, që pasi i rrëmbeu Neymarin, nuk ka ndërmend t’i lerë të qetë as në objektivat e merkatos.
Ndërkohë, PSG-ja mbetet qendra e të gjitha thashethemeve këto ditë. Pak ditë më parë u shfaqën informata që treguan marrëdhënien e keqe mes Neymar dhe Unai Emery, e cila pasoi të enjten me thashethemet për ardhjen e mundshme të Jose Mourinho në stolin e gjigantëve parizienë. Sot, të premten, ka dalë në qarkullim emri i Antonio Conte. Sipas gazetës “Le Parisien”, e cila zakonisht merret me informacion shumë të saktë të PSG-së, trajneri italian është kandidati kryesor për të zënë stolin e liderit të “Ligue 1”, në rast se nuk vazhdon Unai Emery, i cili e përfundon kontratën më 30 qershor, por ka një klauzolë automatike të rinovimit edhe për një vit tjetër, nëse arrin gjysmëfinale të Champions-it. Informacioni i gazetës pariziene siguron se kontaktet e para midis PSG-së dhe Conte tashmë kanë ndodhur, megjithëse italiani ka një kontratë deri në vitin 2019.

400 milionë euro më shumë vjedhje në 2016

Më datë 31 tetor, Kontrolli i Lartë i Shtetit prezantoi në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit dhe përpara qytetarëve Raportin e tij për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2016. Është viti i shtatë radhazi që ky institucion synon të përçojë tek ligjvënësit dhe tek opinioni publik problemet reale të ecurisë së programeve qeveritare gjatë një viti financiar. Edhe pse vëmendja e opinionit publik është përqendruar sot në tensionet politike të vendit, këmbanat që u bie fort KLSH për ecurinë e parave të të gjithëve janë me rëndësi për t’u dëgjuar dhe për t’u kuptuar.

Hendeku në programimin buxhetor afatmesëm

Sipas KLSH, programimi i të ardhurave dhe parashikimi i treguesve ekonomikë mbeten pika më e dobët e Qeverisë në menaxhimin e financave publike, duke ndikuar edhe në rishikimin e nivelit të shpenzimeve. Duke iu përshtatur ndryshimeve të nevojshme buxhetore, kuadri makroekonomik dhe ai fiskal e humbasin rolin e të qenët mjete strategjike dhe pika reference për Programimin Buxhetor Afatmesëm dhe vjetor.
Raporti i KLSH-së evidenton në mënyrë të detajuar se Programi Buxhetor Afatmesëm plotësohet në mënyrë formale, duke vënë në dyshim standardet dhe saktësinë e programimit të produkteve. Me këtë mënyrë të vepruari, Programimi Buxhetor Afatmesëm nuk mund të realizojë qëllimin e tij, inkurajimin e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit në kryerjen e shpenzimeve publike, lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet prioriteteve strategjiko-politike të qeverisë me shpërndarjen e burimeve publike dhe në kryerjen e shpenzimeve publike, si dhe promovimin e disiplinës fiskale.
Programi buxhetor vijoi të preket nga ndryshimet e buxhetit me Akte Normative, praktikë që gjatë viteve të fundit është konsoliduar, duke cenuar kredibilitetin e Buxhetit të Shtetit. Rishikimi i treguesve të parashikuar me Ligjin nr.147/2015 “Për buxhetin e vitit 2016”, me dy akte normative, është fakt që tregon se zërat e shpenzimeve dhe të të ardhurave janë programuar mbi baza jorealiste, për të mos thënë tejet optimiste për të ardhurat, e shoqëruar kjo me një proces jo të kujdesshëm dhe të pamonitoruar siç duhet nga strukturat respektive në qendër dhe në bazë. Akti i fundit Normativ lidhur me buxhetin është propozuar nga qeveria në ditët e fundit të muajit dhjetor 2016 (miratuar nga Kuvendi në janar 2017).
KLSH konstaton se, ndryshe nga sa Qeveria është angazhuar në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020, parashikimet tejet optimiste mbi të ardhurat dhe PBB-në kanë vazhduar të ndikojnë ndjeshëm proceset e buxhetimit dhe planifikimit gjatë vitit 2016. Institucioni vlerëson se përmbushja e synimeve të Strategjisë kërkon angazhim gjithëpërfshirës dhe nuk është përgjegjësi vetëm e ministrit dhe e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të cilët koordinojnë këtë proces, por edhe e Ministrave dhe ministrive të tjera të linjës dhe e institucioneve të pavarura.
Për të plotësuar hendekun në programimin buxhetor, KLSH ka rekomanduar krijimin e menjëhershëm të Këshillit Fiskal, si një autoritet i cili duhet të mbikëqyrë përputhshmërinë me rregullat fiskale, monitorojë konsolidimin fiskal, përfshirë saktësinë e parashikimeve makroekonomike, cilësinë e planifikimit buxhetor afatmesëm, si dhe të japë rekomandime që lidhen me qëndrueshmërinë fiskale dhe makroekonomike.
Përzgjedhja e këtij Këshilli duhet t’i largohet praktikave formale të konstatuara gjatë formimit të bordeve të ngjashme, ndërkohë që KLSH kërkon që kriteret e përzgjedhjes së personave duhet të jenë të larta, referuar kapacitetit profesional dhe integritetit personal, ku kusht me rëndësi është përvoja e konsoliduar në menaxhimin e financave publike. Institucioni rekomandon që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me dokumentet e buxhetimit afatmesëm, të publikojë edhe analiza sasiore dhe faktoriale, për ndikimet që kanë shkaktuar ndryshimet mes parashikimeve. Një Program Buxhetor Afatmesëm i hartuar saktë nga institucionet buxhetore do të sjellë jo vetëm konsolidimin e procesit buxhetor afatmesëm, por gjithashtu do të disiplinojë edhe parashikimin e detyrimeve kontraktuale me efekt financiar përtej vitit buxhetor. Në terma vjetorë, duhen publikuar shpjegimet dhe shkaqet e ndryshimeve në planifikim, me qëllim rritjen e cilësisë së parashikimit dhe shmangien e gabimeve. Kjo do të sjellë hartimin e buxheteve kredibël.

Gremina e borxhit tatimor

Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 cilëson se do të vazhdojnë përpjekjet për të forcuar menaxhimin e të ardhurave, duke rishikuar politikën e taksave dhe duke reformuar administratat tatimore dhe doganore, për të rritur eficiencën e tyre në mbledhjen e të ardhurave dhe për të zvogëluar hendekun tatimor. Në të, qeveria është angazhuar që të përmirësojë menaxhimin e borxhit tatimor dhe doganor.
Në lidhje me këtë angazhim, KLSH ka konstatuar se të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit si rezultat i rritjes së detyrimeve që subjektet kanë për t’i paguar Administratës Tatimore dhe Doganore është një nga faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në performancën fiskale të vitit raportues.
Përveç rritjes së Borxhit Tatimor dhe Doganor në vlerë nominale me 41.1% në krahasim me 2015, rezulton se pesha e këtij borxhi si përqindje ndaj PBB-së, nga 8.5% e PBB-së në fund të 2015 ka arritur në 11.7% e PBB-së në fund të 2016. KLSH shprehet, me shqetësim, se stoku i borxhit tatimor është i përqendruar, ku 1.4% e numrit total të subjekteve zënë 77% të stokut të borxhit. Në fund të vitit 2016, detyrimet tatimore të subjekteve buxhetore dhe enteve publike zënë 17% të totalit të stokut të borxhit.
Nga auditimi i Borxhit Tatimor dhe analiza e të dhënave rezultoi se, kemi një rritje me shifra alarmante të këtij borxhi për vitin 2016 (përfshi këtu dhe borxhin e raportuar nga DPT në lidhje me sigurimet shoqërore në vlerë 14.1 miliardë lekë), i cili në fund të vitit arriti në masën 147 miliardë lekë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë vitit 2016 vlera e borxhit është rritur për shumën 46.7 miliardë lekë ose 46.5% të gjendjes së borxhit në fillim të vitit 2016. Ndërkohë që numri i subjekteve debitorë në fund të vitit 2016 është 146,650, me një rritje prej 63,366 subjektesh në krahasim me një vit më parë.
Në ndarjen e stokut të borxhit sipas madhësisë, në fund të vitit 2016 subjektet me borxh më të madh se 5 milionë lekë (2,067 subjekte ose 1.4% e numrit total të subjekteve) zënë 77% të stokut të borxhit ose 113.8 miliardë lekë në total. Në fund të vitit 2016, detyrimet e subjekteve buxhetore dhe enteve publike zënë 17% të totalit të stokut të borxhit. Borxhi Doganor dhe borxhi i akcizës gjatë vitit 2016 rezulton me një ulje të lehtë të numrit të rasteve (94 raste më pak), por me një rritje të vlerës së borxhit të përgjithshëm me 3,3 miliardë lekë ose 15.5%.
Rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore për vitin 2016 është në vlerë 52.2 miliardë lekë ose 383 milionë euro dhe përbën mungesë direkte të ardhurash për buxhetin e shtetit. Në vitin 2015, rritja e këtij borxhi ka qenë në vlerë 21.4 miliardë lekë.
Shpenzimet buxhetore për vitin 2016 janë realizuar më pak se viti 2015 me 3.6 miliardë lekë, ose 95.7% krahasuar me planifikimin fillestar. Impaktin më të madh në këtë rënie e ka mosrealizimi i shpenzimeve për interesa si dhe shpenzimet për buxhetin vendor. Mosrealizimi i të ardhurave, në kushtet e treguesve makroekonomikë, ka ndikuar në nënrealizimin e planit të shpenzimeve për vitin 2016.

13.5 milionë euro janë detyrimet e reja të prapambetura

Në lidhje me shpenzimet e buxhetit të pushtetit vendor, KLSH sjell në vëmendje se mungesa e performancës në mbledhjen e të ardhurave si dhe mosefektiviteti i kontrollit të angazhimeve të shpenzimeve, ka bërë që institucionet buxhetore të gjenerojnë detyrime të prapambetura për kontratat e lidhura (detyrime për të cilat nuk ka një shifër të saktë,) faktorë, të cilët përbëjnë rrezik për disiplinën fiskale. Asnjë nga bashkitë nuk ka një strategji fiskale afatmesme në lidhje me kontraktimin dhe ripagimin e huave për zhvillimin e infrastrukturës, zgjerimin e të ardhurave, si dhe likuidimin e detyrimeve të prapambetura ekzistuese të shpenzimeve.
Si pasojë e keqpërdorimit të fondeve në vitet e kaluara dhe përdorimit të buxhetit të këtij viti në shlyerjen e investimeve të periudhave të mëparshme, këtë vit sipas raportimeve të Ministrisë së Financave, janë krijuar detyrime të reja të prapambetura në shumën rreth 1.8 miliardë lekë ose mbi 13.5 milionë euro.
Në total, efektet negative në buxhetin e vitit 2016 llogariten në vlerën 109.5 miliardë lekë ose 820 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015, kjo shifër është rreth 53.3 miliardë lekë, ose 400 milionë euro, më e lartë.
Nga auditimet në zbatim të buxhetit 2016, KLSH ka konstatuar shkelje të ligjshmërisë financiare konsideruar si dëme ekonomike për buxhetin e shtetit në vlerën 19.9 miliardë lekë ose 149 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015, kjo shifër është rreth 5 miliardë lekë, ose 37.5 milionë euro, më e lartë.
Dëmet më të mëdha janë evidentuar në Albpetrol Sh.A. me 9.1 miliardë lekë, OSHEE me 4.9 miliardë lekë, projektet e “ndërtimit të aksit Tiranë–Elbasan” dhe “ndërtimit të By-Pass-it Fier–Vlorë” në vlerë 2.2 miliardë lekë, dhe Sistemin Doganor në vlerë 1.4 miliardë lekë.

Strategji për ta ulur borxhin publik nën 60% të PBB-së

Borxhi Publik për vitin 2016 rezultoi në vlerën 1.07 triliardë lekë me një rritje nga niveli prej 1.04 triliardë lekë i realizuar për vitin 2015. Vlera relative e borxhit publik e raportuar është 71.01% e PBB-së.
KLSH gjykon se kjo mënyrë vlerësimi nuk është bazuar në vlerën më të fundit të PBB-së të raportuar në World Economic Outlook (Perspektiva Ekonomike Botërore), sikurse është përcaktuar në ligjin “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në RSH”. Bazuar në këtë metodologji, stoku i borxhit në fund të vitit 2016 rezulton 72.4% e PBB-së.
KLSH vlerëson se niveli i borxhit publik (si % kundrejt PBB) nuk tenton drejt parametrave të synuar, pasi për vitin 2015, niveli i borxhit publik është rritur në nivelin 72.71% (ose më saktë 73.06%), kurse për vitin 2016, niveli i borxhit publik ka arritur në 71.01% (ose më saktë 72.4%) dhe është larg përmbushjes së synimit të vendosur në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020, për një nivel borxhi në fund të vitit 2017 në 65.5% të PBB-së dhe larg objektivit prej 60% të PBB-së, që KLSH ka rekomanduar në pesë vite rresht, si nivel në të cilin duhet të luhatet Borxhi Publik. KLSH, në Raportin e tij për zbatimin e buxhetit 2016, rithekson se Qeveria duhet të angazhohet maksimalisht që të përmbushë objektivin e vendosur në këtë Strategji për ta ulur borxhin publik nën 60% të PBB-së brenda një periudhe afatmesme.
Institucioni konstaton se borxhi i brendshëm përbën 52.7% dhe borxhi i jashtëm zë 47.3% të stokut të borxhit në fund të vitit 2016. Borxhi i brendshëm rezultoi me një rritje me 1.73%, ndërsa ai i jashtëm rezultoi me një rritje me 2.7%. Duke qenë borxhi publik një tregues i rëndësishëm dhe me peshë në qëndrueshmërinë e financave publike dhe projeksionet ekonomike të së ardhmes, KLSH sjell në vëmendje ekspozimin ndaj risqeve që krijon niveli i rritur i borxhit të jashtëm.

Klopp zbulon arsyen përse refuzoi Manchester United

Manchester United ka provuar të tundojë Jurgen Klopp në 2014-ën, kur ai ishte akoma në drejtim të Borussia Dortmund, duke e përshkruar veten si “versioni i rritur i Disneyland”. Trajneri gjerman është përfolur shumë për një transferim në “Old Trafford”, teksa skuadra ka qenë në vështirësi nën drejtimin e David Moyes. Sipas biografisë së Klopp, që do të dalë shumë shpejt në treg, drejtuesi i United, Ed Woodward, ka shkuar në Gjermani të takohet me Klopp pak javë para shkarkimit të Moyes. Gjithsesi, Klopp është çuditur kur ai e ka krahasuar United me Disneyland dhe për këtë arsye vendosi të qëndronte te Dortmund
Në një pjesë të librit, të publikuar nga “Daily Mail”, lexohet: “Drejtuesi i United, Ed Ëoodëard, shkoi të takohej me Klopp në Gjermani. Aventura e shkurtër e Moyes në ‘Old Trafford’ ishte drejt fundit dhe Klopp ishte kandidati i zgjedhur nga klubi për ta zëvendësuar. Woodward i tha Klopp se ‘Teatri i Ëndrrave’ ishte ‘si një version për të rritur i Disneyland’, një vend mitik ku, siç sugjeronte pseudonimi i përdorur, argëtimi ishte marramendës dhe ku ëndrrat ktheheshin në realitet”.
“Klopp nuk u bind nga ai përshkrim, por nuk e refuzoi menjëherë propozimin”. Ai u takua më vonë me drejtuesin e Dortmund, Hans-Joachim Watzke për të konfirmuar si kishte vendosur të qëndronte dhe se do të refuzonte ofertën e United. Manchester shkarkoi Moyes dhe ia besoi stolin përkohësisht Ryan Giggs deri në fund të sezonint 2013/’14, para se Louis van Gaal mori drejtimin e ekipit atë verë. Klopp qëndroi te Dortmund deri në 2015-ën dhe iu bashkuar rivalëve të United, Liverpool në tetorin e atij viti, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare.