Skuadra skoceze, Rangers ka shkarkuar trajnerin Pedro Caixinha dhe është vënë menjëherë në lëvizje për të gjetur një tjetër teknik për stolin e saj. Një nga emrat favoritë është edhe ish-trajneri i Interit, Frank de Boer, i cili është pa punë që nga muaji shtator, kur u shkarkua nga Crystal Palace.
Holandezi bëri një punë të shkëlqyer te Ajaxi, por vjen pas dy eksperiencash negative te Interi dhe skuadra angleze, ndërsa kërkon të rifillojë me një tjetër mundësi. Frank de Boer, së bashku me vëllain e tij Roland, kanë luajtur pikërisht për Rangers, në vitin 2004 dhe tani ish-trajneri i Interit ka mundësinë të rikthehet, por me një tjetër rol.
Shans i ri për De Boer, e kërkon Rangers
Emre Can qëndron në Angli
Emre Can e ka bërë zgjedhjen për të ardhmen. Mesfushori gjerman nuk do të rinovojë kontratën me Liverpoolin, që skadon në qershorin e ardhshëm dhe as nuk do të transferohet te Juventusi, që e kërkon prej 1 viti. 23-vjeçari preferon të qëndrojë në Premier League dhe ka zgjedhur Manchester Cityn e Guardiolës, si destinacionin e radhës, por transferimi mund të përshpejtohet edhe në janar, nëse dy klubet gjejnë gjuhën e përbashkët për kartonin e lojtarit.
Ramires, gati të vihet në dispozicion të Spallettit
Braziliani Ramires do të jetë me shumë mundësi afrimi i parë i Interit, në merkaton e janarit. Ish- mesfushori i Chelsea-t, aktualisht luan për Jiangsu Sunning, skuadër me të njëjtin pronar si Interi dhe pritet të kalojë të zikaltrit në huazim, të paktën deri në fund të sezonit. Kampionati kinez ka përfunduar, ndërsa braziliani është rikthyer në Londër, ku ka rifilluar përgatitjet në qendrën sportive të Chelsea-t. Ramirez pritet që të udhëtojë në fillim të dhjetorit në Milano, ku do të stërvitet me futbollistët e Spallettit, për të qenë plotësisht i gatshëm për të zbritur në fushë, në muajin janar.
Nëpërmjet zikaltërve, Ramires dëshiron të luajë edhe një herë shanset e grumbullimit në botëror, me kombëtaren braziliane, ku mungon prej 3 vitesh. Mesfushori pëlqehet edhe nga Spalletti, pasi shikohet si një lojtar që mund të luajë në disa pozicione dhe është një alternativë mjaft e mirë edhe në stol.
200 ditë pa BBC-në
Dje u plotësuan 200 ditë pa e parë bashkë BBC në njëmbëdhjetëshin e Real Madridit. Shfaqja e tyre bashkë (Benzema, Bale dhe Cristiano) daton më 23 prill 2017, në një klasike të kujtesës së keqe për të bardhët: Barça fitoi 2-3, me një gol të realizuar nga Messi në frymën e fundit, dhe Bale, i cili i tha Zidanes se është 100%. Në fakt, uellsiani vuajti nga një problem në “soleusin” e majtë dhe u largua nga fusha pas gjysmë ore. “Ai më tha se ishte në rregull dhe kërkonte për të luajtur”, ka thënë Zidane, për të cilin uellsiani nuk luajti as në finalen e Cardiff-it, qytetin e lindjes. Pas më shumë se gjashtë muajsh, që nga koha kur Real Madridi ka pasur për herë të fundit e në formacion “tridentin” (BBC), mundësia e kthimit të tij në ekipin startues është në derbin e 18 nëntorit, në “Wanda Metropolitane”.
Rrethanat e secilit (Ronaldo është liruar nga Portugalia, Real Madrid ka rënë dakord me Uellsin që të mos e telefonojë Bale, ndërsa Benzema është jashtë kombëtares franceze që nga rasti “Valbuena”) e lejojnë trajnerin Zidane të punojë me të tre gjatë gjithë pushimit ndërkombëtar. Bale, me sa duket u shërua nga problemi i tij në “soleusin” e majtë, por mbetet për t’u parë nëse Zidane e zgjedh atë, pavarësisht se nuk luan që nga 26 shtatori. BBC po kalon sezonin e pestë në Madrid dhe shifrat nuk e mbështesin atë si alternativa më e mirë: me të Real Madridi fiton më pak lojëra (65 nga 94, 69.1%) se pa të (118 nga 156, 75.6%).
Trump për Rusinë: Koha që t’i kthehemi shërimit të botës
Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një serie të postimeve në rrjetin Twitter gjatë ditës së dielë, ka shkruar se duke pasur raporte pozitive me Rusinë, është “gjë e mirë” dhe se Moska mund të “ndihmojë shumë” për zgjidhjen e krizave në Ukrainë, Korenë Veriore dhe Siri, dhe po ashtu, në luftën kundër terrorizmit global.
Gjatë qëndrimit të dielën në Hanoi të Vietnamit, në kuadër të turneut të tij nëpër Azi, në një konferencë për shtyp, ai i ka aktualizuar sanksionet kundër Rusisë, duke thënë se Moska është nën “sanksione shumë të rënda” dhe se “tash është koha që t’i kthehemi shërimit të botës, që është e shpartalluar dhe e thyer”.
Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione kundër Rusisë, për përzierjen e dyshuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.
Por, Presidenti Trump theksoi se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “ndien se ai nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet tona”.
“Besoj se Presidenti Putin me të vërtetë ndien – dhe ai ndien fuqishëm – se ai nuk është përzier në zgjedhjet tona”, tha Presidenti Donald Trump, gjatë konferencës së të përbashkët për shtyp në Hanoi, me Presidentin e Vietnamit, Tran Dai Quang.
Në përgjigje ndaj komenteve të Presidentit Trump lidhur me përzierjen ruse në zgjedhje, anëtari i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Ben Cardin, që është njëri prej kritikëve më të ashpër të Rusisë, e ka dhënë një deklaratë ku theksohet se “refuzimi i fakteve është shqetësues”.
“Presidenti Trump i beson ish-agjentit të KGB-së ndaj 17 agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara. Kjo është shokuese”, tha demokrati Ben Cardin, anëtar i Komitetit të raporteve të jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Senatori republikan, John McCain, po ashtu, shpeshherë kritik i ashpër i Presidentit, e ka publikuar një deklaratë duke thënë se “nuk ka asgjë me Amerikën së pari, kur merren fjalët e kolonelit të KGB-së mbi ato të komunitetit të inteligjencës amerikane”.
Lidhur me çështjen e përzierjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, Trump theksoi se u beson agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara për vlerësimin se Rusia ishte përzier në zgjedhje.
Në këtë aspekt, ai theksoi:
“Unë jam me agjencitë tona, veçanërisht derisa ato aktualisht janë kompletuar me udhëheqje. Besoj në agjencitë tona të inteligjencës. Kam punuar me to shumë fuqishëm”, tha Trump në Hanoi.
Ai theksoi se, ajo që ai ka thënë më herët ishte se besonte se Putini ishte i sinqertë në refuzimin e tij lidhur me zgjedhjet, e jo se ai, Donald Trump, domosdo i beson asaj që e thotë Putin.
“Çka ai beson është ajo që ai beson”, tha Trump.
Po ashtu, Uashingtoni u është bashkuar shteteve të tjera perëndimore në imponimin e sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Trump nuk ka shpjeguar më tutje për komentet e tij lidhur me sanksionet kundër Rusisë ose në mënyrë specifike lidhur me mundësinë e lehtësimit të tyre.
Në komentet e tij në rrjetin Twitter, Presidenti amerikan i ka sulmuar “të gjithë urrejtësit dhe budallenjtë”, që e kanë kritikuar përpjekjen e tij për lidhje më të mira me Rusinë dhe veçanërisht me Putinin.
“Kur të gjithë këta urrejtës dhe budallenj do ta kuptojnë se duke pasur marrëdhënie të mira me Rusinë është gjë e mirë, e jo gjë e keqe”, ka shkruar Trump.
“Aty çdoherë ka rol politika dhe kjo është e keqe për vendin tonë. Dëshiroj t’i zgjidhi çështjet për Korenë Veriore, Sirinë; Ukrainën, terrorizmin, dhe Rusia mund të ndihmojë shumë”, theksoi Trump.
Në një postim tjetër në rrjetin Twitter, zoti Trump ka pohuar se rivalja e tij në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton, “e ka lutur Rusinë që të bëhet mik i joni”, kur ajo ishte Sekretare e Shtetit, ndërsa ish-Presidenti, Barack Obama, po ashtu, ishte përpjekur t’i përmirësonte raportet me Moskën, por “kishin pasur zero raporte me Putinin”.
Trump: Kina do të ashpërsojë sanksionet ndaj Koresë së Veriut
Në prag të samitit në Manila, Presidenti amerikan Trump bëri publike disa të dhëna interesante. Ai foli për raportet me Kinën, por edhe për takimin me Putinin.
“Presidenti i Kinës, Xi tha se do t’i zgjerojë sanksionet kundër Koresë së Veriut”, lajmëroi Donald Trump me Twitter, gjatë udhëtimit të tij në Azi. Pas pjesëmarrjes së tij në samitin Apec në Da Nang të Vietnamit, Xi tha se do të dëshironte që Koreja e Veriut të “denuklearizohet”. Trump ka vizituar më parë edhe Kinën, ku tha se shpreson që Kina do të veprojë shpejt në konfliktin me Korenë e Veriut, sepse ka mbetur shumë pak kohë.
Korea e Veriut ka bërë muajt e kaluar disa teste me raketa atomike dhe ka sfiduar mbarë botën, në radhë të parë SHBA. Trumpi dhe Kim Jong Un kanë shkëmbyer fjalë të rrepta mes vete. Ata të dy kanë folur madje edhe për konfliktet ushtarake.
Tendosjet me Kimin
Të dielën, Trumpi e ka ofenduar sërish Kimin me fjalët “trashalluqi i vogël”. “Pse Kim Jong Un do të më fyente mua me fjalët se jam “plak”, kur unë kurrë nuk do t’i thosha se ai është “trashalluq i vogël”?, shkruan Trump në Twitter. Ai tha se po përpiqet shumë që të jetë mik i tij – “që ndoshta një ditë do të ndodhë!” Trumpi reagoi kështu ndaj një lajmi në mediat koreanoveriore ku ai quhet si “nxitës lufte” dhe “plak i marrë”. Hanoi është stacioni i parafundit i udhëtimit të tij gati dyjavor në Azi. Presidenti amerikan e ka vizituar më parë edhe Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën. Ndërsa stacioni i fundit do të jetë në Filipine.
Me ftesën e presidentit Rodrigo Duterte në këtë vend të dielën mblidhen presidentët dhe kryeministrat e 20 vendeve në Manila. Në samitin vjetor të ASEAN-it do të jenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres dhe kryeministrat e Kinës, Japonisë dhe Rusisë. Ata janë mbledhur të dielën, ndërsa të hënën zhvillohen bisedimet politike.
Trumpi do të ketë raporte të mira me Moskën
Presidenti amerikan është deklaruar në Hanoi edhe për raportet me Rusinë. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e raporteve të mira me Rusinë dhe sulmoi ashpër kundërshtarët e tij politik me fjalët: “Kur do ta kuptojnë këta urrejtësit dhe budallenjtë se raporti i mirë me Rusinë është një gjë e mirë dhe jo e keqe”.
Trumpi kritikoi kundërshtarët e tij me fjalët se duan ta shfrytëzojnë të ashtuquajturën aferë ruse për përfitime politike, por “kjo është e keqe për vendin tonë”. Ai tha se do të donte që konfliktet në Siri, Korenë e Veriut dhe Ukrainë të zgjidhen me ndihmën e madhe të Rusisë.
Në SHBA po zhvillohen aktualisht hetimet e prokurorit special Robert Mueller për “ndërlidhjet e ekipit të Trumpit dhe Rusisë gjatë fushatës elektorale”. Trumpi shumë herë i ka quajtur këto hetime si “gjah i shtrigave”. Të shtunën, Trumpi është takuar me Putinin në kornizat e samitit APEC. Ai tha se nuk i konteston fare përgënjeshtrimet e Putinit për përzierje në fushatën elektorale në SHBA.
Trumpi me këto pohime vihet në kundërshtim me pohimet e shërbimeve sekrete amerikane, të cilat kanë konstatuar se Moska është përzier në fushatën elektorale në SHBA. CIA ka kundërshtuar të shtunën pohimet e Trumpit, me fjalët se “gjërat nuk kanë ndryshuar”.
Nacionalistët polakë protestojnë në Varshavë
Dhjetëra-mijëra nacionalistë morën dje pjesë gjatë gjithë ditës në një demonstratë të organizuar nga grupet e së djathtës së skajshme në Varshavë, ndërsa polakët festonin Ditën e Pavarësisë. Marshimi i së djathtës së skajshme, bëhej në një ditë kur Presidenti Andrzej Duda drejtoi ceremoni shtetërore me rastin e pavarësisë, ku mori pjesë edhe presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ish-kryeministër i Polonisë. Por marshimi ishte ngjarja më masive e Ditës së Pavarësisë në vitet e fundit, duke lënë në hije festimet shtetërore dhe patriotike.
Disa nga pjesëmarrësit shprehën simpati për ide ksenofobiste dhe supremaciste dhe në një banderolë ishte shkruar “Evropë e bardhë e vendeve vëllazërore”. Organizatorët folën kundër liberalëve dhe për mbrojtjen e vlerave të krishtera. Sipas policisë pjesëmarrja ishte 60,000 vetë, duke u bërë ndër më masivët e këtij lloji në Evropë.
Vendet e BE-së me marrëveshje të përbashkët për siguri
Gjatë një takimi në Bruksel, ministrat e Mbrojtjes të Francës, Gjermanisë dhe 21 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar një akt të ashtuquajtur Bashkëpunim i strukturuar i përhershëm për siguri dhe mbrojtje, i njohur si PESCO.
Shefja për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka lavdëruar nënshkrimin e dokumentit, duke e quajtur këtë si “moment historik”.
“Ky është fillimi i një pune të përbashkët. Pjesëmarrja e njëzetetri shteteve dhe bashkëpunimi i tyre në hapa operacional dhe në kapacitete është diçka e madhe”, ka thënë Mogherini.
Kjo iniciativë pritet të zyrtarizohet nga liderët evropianë në takimin e tyre në kryeqytetin e Belgjikës, më 14-15 dhjetor.
Kjo marrëveshje është përpjekje e Gjermanisë dhe Francës, për të shtyrë përpara lidhjet në fushën e sigurisë si një mënyrë për të ripërtërirë blloku pas referendumit për shkëputje të Britanisë.
Tensione mes Arabisë Saudite dhe Iranit
Tensionet mes Arabisë Saudite dhe Iranit janë rritur javët e fundit. Pas Jemenit, me gjasa edhe Libani mund të bëhet viktimë e një lufte brutale të përfaqësuar mes rivalëve sauditë e iranianë. Për viktimat nuk pyet kush.
Para pak ditësh, udhëheqja saudite duhet të pranonte, se lufta në Jemenin fqinj nuk përqendrohet vetëm aty. Në fund të javës së kaluar me gjasa një raketë e rebelëve Huthi u ngrit në Jemen për të marrë kurs drejt Arabisë Saudite e kryeqytetit Riad. Por para se të shkaktonte dëme, ajo u kap nga një sistem antiraketor amerikan dhe u shkatërrua në ajër. Autoritetet saudite kuptuan se edhe kësaj here mbretëria shpëtoi. Presidenti Trump deklaroi, se falë amerikanëve raketa jemenite nuk shkaktoi dëme të tjera. Ai la të kuptohej se nga vinte raketa, “nga Irani, sipas mendimit tim”.
Por “mendimin” e presidentit amerikan nuk e pranoi Mohamad Ali Dshafari, kryekomandant i gardave iraniane të revolucionit. Pretendimi i Trumpit, sipas Dshafarit, nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër e zakonshme”. “Trump ka thënë shumë gjëra që nuk qëndrojnë, dhe i ka bërë Iranit akuza që nuk kanë asnjë bazë”.
Shkallëzim i retorikës
Dshafari mori mbështetje nga kreu i shtetit, Presidenti iranian, Hasan Ruhani. Forcat saudite e sulmuan Jemenin “pa asnjë shkak”, tha ai. “Si mund të reagojë Jemeni ndaj një breshërie bombash? Sauditët thonë, jemenitët nuk duhet të përdorin armë? Por për këtë duhet që ata të ndalin bombardimin, e të shohin, nëse nga Jemeni vjen apo jo ndonjë reagim pozitiv”. Ruhani reagoi pas deklaratave kritike të ministrit të Jashtëm saudit, Abdel Al-Jubeir. “Ne e shohim sulmin një akt luftarak”, tha ai. “Irani nuk mund të nisë raketa në drejtim të qyteteve saudite dhe të presë që ne të mos bëjmë gjë”.
Politika e destabilitetit
Deklaratat nga të dyja palët nënkuptojnë: Lufta e përfaqësuar, që të dyja palët po kryejnë në Jemen, ka kaluar në një stad të ri. Irani mohon se i furnizon me armë rebelët Huthi, dhe agumenti kryesor i iranianëve është-forcat saudite kanë krijuar përreth Jemenit një bllokadë tokësore dhe detare. Prandaj Irani as nuk mund të dërgojë dot armë në Jemen. Kjo duket e kuptueshme, por ende mbetet e hapur, se si ka mbërritur në duart e rebelëve Huthi armë të teknologjisë së lartë.
Fakt është që Arabia Saudite qëndron në krye të një aleance ushtarake që sipas të dhënave të OKB-së, ka shkaktuar një katastrofë humanitare. Nëse populli jemenit nuk ndihmohet menjëherë, bota ndodhet para një prej katastrofave më të mëdha. Dy milionë vetë mund të vdesin nga uria. Sulmet janë inicuar nga princi trashëgimtar e ministër i Mbrojtjes, Mohamed bin Salman. Analisti për çështjet politike, Jochen Hippler nga Instituti për Zhvillimin dhe Paqen (UNEF) në Universitetin e Duisburgut thotë se “e dimë që politika e Mohamed bin Salmanit është shumë më tepër rrezikuese dhe konfrontuese se më parë”. Ai thekson se, kjo lidhet “si me Katarin, Jemenin dhe Iranin. Këtu ekziston madje frika, se kjo politikë e rrezikshme të çon në destabilizim”.
Triumf për Iranin
Prej vitesh Arabia Saudite dhe Irani qëndrojnë në një gjendje lufte përballë njëri-tjetrit. Arabia Saudite mbështeste forcat sunite islamiste, në një kohë që Irani me forcat e gardave të revolucionit dhe Hezbollahun luftoi në krah të Asadit. Me Rusinë, një aleat tjetër, ky regjim bëri të tërhiqeshin forcat xhihadiste me në krye ato të të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. Në fund të kësaj jave, ushtria siriane mori qytetin e fundit të IS-it, Albu Kamal. Me fitoren ushtarake të Asadit, Irani fiton influencë në rajon.
Një shenjë tjetër e rritjes së tensionit mes dy vendeve është edhe deklarata e dorëheqjes së kryeministrit libanez, Saad Hariri. Hariri që prej disa kohësh qëndron në Arabinë Saudite, dha fundjavën e shkuar dorëheqjen nga qeveria e koalicionit. Ai akuzoi forcat e milicëve shiitë të Hezbollahut se po nxisin trazira. Por nga ana e tij, Hezbollahu akuzoi Arabinë Saudite, se e ka detyruar Haririn të japë dorëheqjen dhe të qëndrojë në Arabinë Saudite. Madje kreu i Hezbollahëve, Hasan Nasrallah në një fjalim televiziv akuzoi qeverinë saudite, se po kërkon të nxisë Izraelin të ndërmarrë sulm kundër Libanit.
Por Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, deklaroi se nga Arabia Saudite ai ka garancinë se Hariri e ka vendosur vetë dorëheqjen dhe se nuk sheh ndonjë shenjë, se ai po mbahet kundër vullnetit të tij në Arabinë Saudite.
Grushti në xhep
“Spiralja e shkallëzimit po vazhdon dhe ka arritur një pikë të re”, thotë Sebastian Sons, ekspert për Lindjen e Afërt në “Shoqërinë Gjermane për Politikën e Jashtme”. “Në të vërtetë asnjë nga këto vende nuk duhej të kishte interes për një luftë të tillë. Sidomos sauditët, pasi megjithëse ata janë mjaft të armatosur, nuk mund ta fitojnë dot një luftë të tillë. Prandaj besoj se vërtet gjërat do të mbesin në retorikën luftarake, e nuk do të kalojnë në betejë në terren”. Një shpresë që e ndajnë edhe kryeqytetet perëndimore, që kërkojnë të lëvizin të dyja palët për më shumë lëshime. Por ato ende e mbajnë grushtin në xhep.
Janë çmendur, 11 milionë euro koncesion për 5 shkolla
Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat për koncesionin e ri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e shkollave në Tiranë. Ky është koncesioni i dytë brenda 10 ditësh dhe fondi limit i tij llogaritet në rreth 11 milionë euro, duke e çuar totalin e deritanishëm për Zonën 1 dhe Zonën 2 në Tiranë në 25 milionë euro. Referuar njoftimit në këtë procedurë parashikohet që të ndërtohen të paktën pesë objekte të tjera arsimore.
“Bashkia e Tiranës në rolin e ‘Autoriteti Kontraktor’, fton Operatorët Ekonomikë në një procedurë ndërkombëtare Koncesioni/ Partneriteti Publik Privat për projektimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 2, mobilimin dhe mirëmbajtjen e tyre të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, mbikëqyrjen dhe kolaudimin në përputhje me procedurat dhe kushtet e përcaktuara në këto dokumente tenderi dhe me kushtet e kontratës.
Kostoja e vlerësuar e projektit është 1.574.138.127 (një miliard e pesëqind e shtatëdhjetë e katër milion e njëqind e tridhjetë e tetë mijë e njëqind e njëzetë e shtatë) lekë pa TVSH”, nënvizon Bashkia në njoftimin e saj në APP.
Kompania, e cila do të fitojë koncesionin duhet të llogarisë maksimalisht një marzh fitimi maksimumi 6.28%. Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin dhe pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin, si dhe vënien në funksion të tyre.
Objektet arsimore duhet të ndërtohen, si dhe të jenë funksionalë në një afat prej 18 muaj nga data e lidhjes së kontratës. Pas ndërtimit dhe vënies në funksion të objekteve arsimore, koncesionari/PPP do të mirëmbajë objektet për një periudhë 7-vjeçare. Pas përfundimit të ndërtimit, Autoriteti Kontraktor do t’i paguajë koncesionarit/PPP një shumë të caktuar vjetore deri në përfundim të plotë të shumës së investuar.