21.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Kryeministri spanjoll viziton Katalonian

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ishte sot në Katalonia, vizita e tij e parë që kur Madridi vendosi kontrollin e drejtpërdrejtë në rajon. Vizita e tij në Barcelonë vjen një ditë, pasi lëvizja e pavarur e Katalonias mbajti një protestë masive në qytet, duke kërkuar lirimin e udhëheqësve të burgosur dhe njohjen e Republikës së Katalonias.
Kryeministri Rajoy i bëri thirrje katalonasve që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme rajonale për të “risjellë normalitetin” pas dy muajsh paqëndrueshmëri politike.
“Ne duam që në zgjedhjet e 21 dhjetorit të ketë një pjesëmarrje masive në mënyrë që një fazë e re politike të vihet në lëvizje për të sjellë paqe, normalitet dhe bashkëjetesë, respekt për rregullat dhe gjithashtu për të sjellë rigjenerim ekonomik”, tha ai.
Një ditë para vizitës së tij, qindra mijëra njerëz mbushën rrugët në qendër të qytetit të Barcelonës për të kërkuar lirimin e udhëheqësve separatistë të burgosur dhe njohjen e Republikës së Katalonias.
Të afërmit e tetë anëtarëve të qeverisë rajonale të shpërbërë dhe të të dy aktivistëve të shquar që janë në burg, kryesuan marshimin, duke mbajtur banderola me portretet e tyre.
Të burgosurit pa të drejtën me lirim me kusht përfshijnë nënkryetarin katalonas Oriol Junqueras.
Në një mesazh me video të shfaqur të dielën, udhëheqësi i rrëzuar katalonas, Carles Puigdemont i tha pjesëmarrësve të tubimit pro-separatist të jenë “shumë aktiv”.
“Ne kemi nevojë që të jeni shumë aktivë. Duam ta ndiejmë zërin tuaj, si ne në Bruksel ashtu edhe ata në burg. Faleminderit shumë”, tha ai.
Shumë nga protestuesit bartën flamujt “estelada” pro pavarësisë, me yllin e tij të bardhë dhe trekëndëshin blu të vendosur mbi ngjyrat tradicionale katalonase kuq dhe verdhë.
Kryetarja e Parlamentit rajonal, Carmen Forcadell, nuk mori pjesë në marshim, pavarësisht lirimit të saj nga burgu të premten pas tërheqjes së qëndrimit të saj separatist para gjykatësve spanjollë. Ajo tha se votimi i pavarësisë ishte “simbolik”.
Policia e Barcelonës tha se 750,000 njerëz morën pjesë në tubim.
Qeveria qendrore e Spanjës imponoi sundim të drejtpërdrejtë në Katalonia menjëherë, pasi Parlamenti i saj rajonal votoi për pavarësi më 27 tetor. Qeveria spanjolle arrestoi dhjetëra politikanë pro-ndarjes, duke shkaktuar largimin e Carles Puigdemont-it në Belgjikë.

Eurostat: Shqiptarët transferuan drejt vendeve të BE 113 milionë euro në 2016

Transfertat hyrëse dhe dalëse të individëve në Shqipëri me vendet e Evropës, ato të BE dhe jashtë saj, arritën në vitin 2016 me mbi 1 miliard euro. Nga këto 900 milionë euro ishin hyrje valutore në vendin tonë dhe 113 milionë euro ishin dalje nga Shqipëria raportoi INSTAT.
Në vitin 2016, flukset e parave të dërguara nga banorët e Bashkimit Evropian (BE) në vendet jashtë BE, të referuara si transferta personale arritën në 30.3 miliardë euro krahasuar me 31.3 miliardë euro në 2015. Eurostat sqaron se, shumica e transfertave përbën fluksin e parave të dërguara nga emigrantët në vendin e tyre të origjinës. Suficite më të mëdha në transferimet personale u vunë re në Poloni dhe Portugali, ndërsa deficiti më i madh në Francë.
Midis shteteve anëtare për të cilat janë publikuar të dhënat, daljet e transfertave personale në vitin 2016 ishin më të larta në Francë (10,0 miliardë euro), e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (7,1 miliardë euro), Spanja (6,8 miliardë euro) dhe Italia (6.2 miliardë euro).
Në të kundërt, hyrjet më të larta u regjistruan në Portugali (3.3 miliardë euro, Poloni (3.0 miliardë euro), Mbretëria e Bashkuar (2.5 miliardë euro) dhe Rumani (2.4 miliardë euro).
Tepricën më të madhe nga hyrje daljet e ka pasur Kosova, Polonia, Portugalia dhe Rumania, ndërsa Franca shënon deficitin më të madh – 9.4 miliardë euro), e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me – 4.6 miliardë euro, Gjermania me – 4.2 miliardë euro dhe Italia me – 4.0 miliardë euro.
Proporcioni më i lartë i hyrjeve dhe daljeve brenda BE ishte Sllovaki. Hyrjet jashtë BE-së ishin më së shumti në Francë dhe daljet jashtë BE-së në Slloveni.
Në vitin 2016, në Sllovaki u regjistruan nivelet më të larta të hyrjeve nga vendet e tjera anëtare të BE-së (99%. Nga hyrjet jashtë BE rreth tre të katërtat e hyrjeve totale shkuan për Francën.
Në metodologjinë e Eurostat sqarohet se, transfertat personale përbëhen nga të gjitha transfertat në mjete monetare ose në natyrë midis familjeve rezidente dhe jorezidente, duke shpërfillur burimin themelor të të ardhurave, marrëdhëniet midis familjeve ose qëllimin e transferimit.

Tetë policë të vrarë nga një sulm taleban

AppleMark

 

Një zyrtar afgan ka njoftuar se një sulm i dyshuar taleban, në provinën perëndimore të Farah, ka vrarë tetë policë.
Zëdhënësi i guvernatorit të provincës, Mohammad Naser Mehri, ka thënë se militantët sulmuan policët në një pikë kontrolli më 13 nëntor.
Ai ka shtuar se një polic është plagosur dhe është arrestuar nën dyshimet se kishte lidhje me talebanët.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Në fund të tetorit, nëntë ushtarë afganë ishin vrarë, kur militantët kishin sulmuar një pikë të sigurisë. Në këtë sulm talebanët e kishin marrë përgjegjësinë.

Macron dhe Strategjia e Madhe për Fuqinë Europë

Në një diskutim të gjatë të mbajtur në Sorbonë, Presidenti francez Emmanuel Macron ka shpalosur listën e tij të gjatë të dëshirave për Europën që do të vijë. Bëhet fjalë për thënie të përgjithshme, pothuajse të privuara nga indikacione operative dhe nuk ka sesi të mos ishte ndryshe. Problem qendror është se, “Europa e Re” e Macron mund të jetë praktikisht një strukturë me shumë shpejtësi apo rrathë koncentrikë, me jo pak kritika. Por objektiv final duket se është krijimi i një megablloku gjeostrategjik, më pak policentrik se ky aktuali.
“Kam ardhur të flas për Europën. Akoma? Do të thonë disa. Do të duhet të mësohen, sepse do të vazhdoj, sepse është kjo që na jep një të ardhme”, ka debutuar Macron. Ka vazhduar pa hyrë në detaje. Nuk ka as shifra, as funksione për buxhetin e përbashkët europian, as detyra të sakta për ministrin Europian të Financave, as demarkim të kontrollit të thelluar demokratik që Parlamenti Europian duhet të zhvillojë në këtë rrethanë. Më mirë të mos trazohen gjermanët dhe opinioni publik i tyre, sidomos në funksion të menaxhimit jo të lehtë të qeverisë së katërt Merkel, me një liberal në vendin e Wolfgang Schauble.
Gjithsesi, Macron ka një pikë shumë të qartë: Bashkimi Europian duhet të “mbrohet” nga kërcënimet e jashtme të përfaqësuara nga fuqitë e mëdha ekonomike. Shkalla e konkurrencës globale detyron krijimin e kampionëve kontinentalë, duke e bërë në fakt patetik dimensionin kombëtar. Agregimi Siemens–Alstom në fushën e hekurudhave shkon pikërisht në këtë drejtim: të kundërshtojë fuqinë planetare e kinezëve të CRRC-së dhe shton, për koiçidencë, në ditën ku Shtetet e Bashkuara i japin një shuplakë një megatakse mbi avionët e Bombardier në emër dhe për llogari të Boeing, duke i sinjalizuar Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar se e ardhmja u përket hiperfuqive tregtaro – industrialo – ushtarake dhe jo vendeve të veçanta, sado smart që të jenë.
Edhe kundërshtimi i praktikave të pakapshme të “Over The Top” amerikane, që është pjesë e programit elektoral të Macron (në të cilën synohet pikërisht në taksimin e faturimit) është i realizueshëm brenda kornizës të një blloku ekonomik që ka forcë goditëse, sigurisht jo i ndjekshëm nga një vend i veçantë. Pa harruar fuqinë planetare të Antitrust-it komunitar, që e njohim nga koha e çështjes epike, Mario Monti kundër Microsoft dhe që sot Margretehe Vestager po e ringjall kundër Apple dhe Google.
Do të na duhet t’i themi lamtumirë liberalizimit të konkurrencave pakashumë të përsosura, që ekziston vetëm në librat e shkollës neoklasike, e zëvendësuar nga lufta midis megablloqeve gjeopolitike, në të cilën një sistem shtet–biznes lë të pashqetësuar oligarkët në drejtim dhe herëpashere merret dhe preokupon edhe krahun e punës, me rishpërndarje të vogla, për të shmangur revolta të rrezikshme sociale. Kështu që në Europë është fatale të tejkalohet dimensioni kombëtar, përballë këtij evolucioni të kuadrit kompetitiv global. Ka të ngjarë që edhe gjermanët e kanë të qartë konceptin, sidomos në momentin në të cilin Trump rezulton të jetë pararojë e këtij lloji dinamikash, bazuar mbi raportet e forcës dhe do ut des shpesh ekstraekonomikë.
Macron duket se synon në një lloj shfuqizimi të Komisionit Europian, duke ia reduktuar efektivat në vetëm 15 anëtare kundrejt 28 aktualë. Instancë lidhur me të cilën mund të konvergojë Gjermania, megjithëse për motive krejtësisht të ndryshme. Presidenti francez, siç është e njohur dhe e qartë qysh nga koha e fushatës elektorale, do që Franca ta rikapë Gjermaninë si performancë ekonomike, për të mundur rezistencën gjermane në rilindjen e një direktorati Paris–Berlin që të jetë i bazuar mbi themele ekonomike dhe nuk duket vetëm si tutelë anakronike politike franceze ndaj Gjermanisë. Edhe këtu, do të duhet të kuptohet nëse gjermanët do të duan të bëhen më konfidentë në skenën globale apo nëse do të tentojnë të ndjekin vetëm vizionin e tyre tregtar dhe merkantilist. Duke parë evolucionin e kuadrit gjeopolitik, vështirë se kjo rrugë e dytë do të mbesë e përshkrueshme për një kohë të gjatë.
Shumë më kontradiktor është propozimi macronian për të harmonizuar bazat e taksueshme dhe kontribuese në nivel europian. Shtetet që e bëjnë kompetivitetin fiskal (shpesh jo shumë i rreptë) levën e tyre strategjike, nuk do ta pranojnë kurrë dhe është e vështirë se mund ta pranojë edhe një qeveri gjermane si ajo që mund të shikojë dritën e diellit pas disa javësh. Veç në mos entente Macron–Merkel për të krijuar supershtetin e kampionëve kontinentalë të çojë në mposhtjen e këtyre rezistencave, me të mirat e më të këqiat. Por këtu jemi në aspektin e të parashikueshmes.
Vetë ideja e Macron për të arritur më së fundi që t’i japë jetë ushtrisë europiane, për të mos qenë të ekspozuar ndaj kapriçove të “fuqive të huaja” si Shtetet e Bashkuara nëpërmjet NATO-s shkon në drejtimin e raportit të ri midis blloqeve, përveçse prodhon një injektim të fuqishëm kërkese të agreguar në sistemin ekonomik. Këtu rezistencat do të vijnë nga vendet e Lindjes, që e shikojnë me dyshim në rritje atë që vendoset e diskutohet në pjesën perëndimore të Bashkimit Europian dhe për të cilët ombrella NATO ndaj Rusisë mbetet e padiskutueshme.
Diskutim i ngjashëm për reformën e Politikës së Përbashkët Bujqësore i përcjellë nga Macron pa kurrfarë detaji dhe që sheh, për shembull Poloninë rurale ndër përfituesit më të mëdhenj të transferimeve intrakomunitare. Krijimi i një lloj “tarife” komunitare mbi importet e energjisë ekstra Bashkim Europian, përfaqëson një formë të butë proteksionizmi dhe është edhe burim të ardhurash të shpenzueshme për projekte “sociale”, ndoshta të destinueshme për bashkëpunim ndërkombëtar, ku Europa pothuajse po e humbet Afrikën prej kinezëve. Por edhe në këtë rast, vendet e Lindjes europiane do të kundërvihen me forcë, pasi ndikimi i kostove energjetike ndaj ekonomive të tyre është shumë i madh sesa ai i ndikimit në vendet e zhvilluara të perëndimit të Bashkimit Europian.
Përmbledhtazi: Macron promovon një vizion realist të konfrontimit midis blloqeve të mëdhenj gjeoekonomikë dhe strategjikë, i destinuar që të ashpërsohet në vitet në vazhdim. Krijimi i një “Fuqie Europë” shërben për të shmangur gjendjen të shtypur midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, përveçse për të luajtur një rol aktiv, duke u futur në konfrontimin midis këtyre dy makrozonave. Nëse Macron do t’ia arrijë në ndërmarrjen e tij, do ta ketë ndryshuar thellësisht fatin e Bashkimit Europian, duke e aktualizuar me kushtet e ndryshuar të kontekstit global. Ama që ta arrijë këtë objektiv natyrisht që duhet të ketë me vete Gjermaninë, sidomos në rastin po të ishte e nevojshme (pothuajse e pashmangshme, për hir të së vërtetës) të mposhteshin rezistencat e vendeve të “vogla” në Europë. Kështu, ajo e Macron është një Grand Strategy (Strategji e Madhe) në kuptimin gjeopolitik të fjalës. Një sfidë e guximshme dhe me rrezik shumë të lartë dështimi, duke parë numrin e lojtarëve të pranishëm në Europë.
Gjithsesi, ajo që del qartë nga ky vizion (që sigurisht do të ngjallë tmerr tek ata që e lexojnë) është se vendet e veçanta do të kenë hapësira gjithnjë e më të vogla manovre dhe autonomie. Ndoshta do të mund të mbesin formalisht “autonomë”, respektivisht një kuadri aleancash ekonomike dhe politike, por realiteti do të jetë gjë krejtësisht tjetër, dje shoqërizimi i tyre me makrozonën e përkatësisë, me të mirat apo me të këqijat, do të jetë në rendin natyral të gjërave. Nuk është një lajm i mirë për Mbretërinë e Bashkuar dhe funksionet e saj prej mundësi të lirë pasBrexit. Por as lajme të mira, të themi për Zvicrën, “pavarësia” e të cilës është më shumë formale sesa substanciale, duke parë marrëveshjet bilaterale me Bashkimin Europian, fuqia e të cilave është e destinuar të rritet me kalimin e kohës.
Mirëserdhët në botën e megablloqeve.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Benzema shigjeton trajnerin Deschamps

“Kisha zhvilluar një sezon madhështor, por gjithsesi nuk u grumbullova për Kampionatin Europian të vitit 2016, dhe as m’u dha më i vogli sqarim. Unë nuk kam patur kurrë probleme me Deschamps, por e di që për sa kohë do të jetë ai trajneri i kombëtares, unë nuk do të grumbullohem asnjëherë”, deklaroi sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, në lidhje me të ardhmen e tij në përfaqësuesen e Francës.
Benzema nuk e vesh më fanellën e kombëtares franceze që nga tetori i vitit 2015, kur shpërtheu skandali për çështjen e videove me drita të kuqe të asaj që u cilësua asaj kohe si një zhvatje e mbetur në tentativë, në dëm të ish-shokut të tij të kombëtares, Mathieu Valbuena. “Të shpresoj për Botërorin? Futbolli të obligon të besosh gjithmonë, por nuk jam në kombëtare prej dy vitesh e gjysmë dhe nuk jam budalla që të gënjej veten”, shtoi Benzema në deklaratën e tij për “Canal Football club”.
Benzema mendon se Cristiano Ronaldo është më egoist se ai, por shton se punojnë të dy për të mirën e Real Madridit dhe nuk ka asnjë problem me shokun e tij portugez. Ish-francezi ndërkombëtar kanë luajtur me Ronaldon për gati një dekadë, pjesë e gjigantëve të La Liga-s. Benzema ka pasur shumë sukses gjatë kohës së tij në Spanjë, edhe pse beson se arritjet e tij janë lënë në hije nga Ronaldo. Megjithatë, ai nuk ka asnjë problem me këtë, ndaj thotë se ai dhe portugezi kanë një marrëdhënie të mirë. “Te Real Madridi unë shënoj, por kur djaloshi që është pranë teje shënon 50 gola në sezon, ti nuk mund të bësh asgjë, i tha Benzema “Canal +”. Është ndryshe nga mënyra se si luaja te Lyon. Më pëlqejnë titujt e fituar me skuadrën. Po argëtohem. Ronaldo dhe unë vazhdojmë mirë.
Më pëlqen të luaj me të. Ai pëlqen të luajë me një prekje të topit. Është më egoist se unë, por kjo është normale. Kjo nuk më shqetëson. Së fundi, është mirë për Real Madridin. Nuk e imagjinoja se do të qëndroja në ‘Bernabeu’ për nëntë vite. Kur isha te Lyon imagjinoja vetëm të shkoja te Reali për të fituar tituj. Gjëja më e vështirë në Madrid është presioni. Debati rreth meje? Është për të shitur gazetat. Unë përqendrohem te futbolli. Me moshën, kam mësuar të qëndroj i qetë”.
Benzema, gjithashtu, diskutoi kohën e tij nën drejtimin e trajnerit aktual të Manchester United, Jose Mourinho, i cili e trajnoi Real Madridin nga viti 2010 deri më 2013. “Mourinho më ndihmoi shumë. Është karakteri i tij. Ju inspiron çdo herë që ju hedh në fushë. Është një trajner i mirë”, përfundoi Benzema.

“Lista e zezë” e PSG

Me shpenzimet e pabesueshme të kësaj vere, 222 milionë euro për Neymar, shto edhe ato të verës së ardhshme, ku Mbappe do të kushtojë 180 milionë euro, PSG-ja është e detyruar të kërkojë të ardhura. Klubit francez i duhet të anashkalojë “fair play”-in financiar dhe mos ta ekspozojë veten karshi ndonjë ndëshkimi nga UEFA. Dhe në këtë kuptim, një nga formulat është që të shesë lojtarët me çmimin më të mirë. Për këtë arsye, klubi parisien dëshiron të bëjë daljet e mëdha në merkaton e dimrit, teksa drejtori sportiv, Antero Henrique, thuhet se ka hartuar tashmë një “listë të zezë” me emrat që duhet të largohen nga skuadra e Unai Emery. Bëhet fjalë për operacione të realizueshme në janar, nga të cilat presidenca e sheikëve nga Katari shpreson të marrë një ndikim të konsiderueshëm financiar. Di Maria, Lucas Moura dhe Pastore janë lojtarët, nga shitja e të cilëve PSG-ja pret një çmim të mirë.
Di María, më i çmuari
Argjentinasi, i rekrutuar nga Manchester United në vitin 2015 për 63 milionë euro, pothuajse, siç pranohet edhe nga ai vetë, ishte duke e lënë PSG-në dhe do të shkonte te Barcelona gjatë kësaj vere. Por, klubi parisien e bllokoi atë, kur mori ofertën prej 40 milionësh, e pamjaftueshme. Me aktivizim të përhershëm para ardhjes së Mbappe, këtë sezon ai e ka humbur hierarkinë në formacion. Trajneri Emery, i cili dëshiron të mbajë atë, nuk mund t’i rezervojë një vend titullari, ndaj pista e shitjes duket e mirë për të gjitha palët. Problemi i madh është se Di Maria nuk është “punë jashtë”, pasi ka luajtur në Champions, çka e dëmton mundësinë e largimit në dimër. Milani dhe Interi do ta dëshironin, por argjentinasi është shumë i shtrenjtë për të dy klubet italiane.
Lucas, “klani” i Neymar
Mik i ngushtë me Neymar, braziliani ka shkuar nga të qenit një nga më të përdorurit e Unai Emery sezonin e kaluar, për të luajtur më pak pas ardhjes së Draxler në janar. Ai shpesh qëndron në stol dhe vlerësimi për të po zbret nga dita në ditë. Lucas kushtonte 40 milionë euro në vitin 2013, por PSG-ja ka për qëllim të shesë me 30 milionë euro. Atë, gjithashtu, e kufizon fakti se nuk i përket merkatos së BE-së, por së shpejti mund të kërkojë shtetësi franceze. Kërkesa për brazilianin ka, por çdo gjë do të varet nga fakti nëse Neymar do të lejojë të humbasë një nga anëtarët më të dashur të “klanit” të tij.
Pastore, zëvendësuesi luksoz
Argjentinasi ishte simboli i parë i madh i presidencës nga Katari të PSG-së. Ai u bashkua me projektin parisien në verën e vitit 2011 për 43 milionë euro, një shumë e madhe në atë kohë. Sot, megjithatë, karriera e tij në Paris duket se ka “perënduar”. Pastore i ka dyert e aktivizimit të mbyllura plotësisht nga blerjet e reja dhe klubi do të mirëpriste largimin e lojtarit 28-vjeçar. Talenti i tij i pamohueshëm nuk mjafton në konkurrencën që ka skuadra e Unai Emery, ndaj është bërë një zëvendësues luksoz, të cilin klubi nuk mund ta përballojë më financiarisht. Paga e tij është më e larta dhe PSG-ja do ta shesë për 20 milionë euro.

Marotta: Dua Championsin me Juven, kurrë në klub tjetër

Drejtori sportiv i Juventusit ka treguar fiksimin e bardhezinjve për të fituar Championsin, në një intervistë për mediat italiane. Marotta ka shkuar edhe më tej, duke i premtuar besnikëri Juventusit, ndërsa është shprehur se edhe kur të largohet nga bardhezinjtë, nuk do të shkojë në asnjë klub tjetër. “Cikli im nuk ka përfunduar ende, sepse duam të arrijmë me çdo kusht Championsin. Më pas nuk e di ç’do të bëj, por kur Agnellit të mos i duhem më, e sigurt është që nuk do të më shihni në asnjë klub tjetër”, tha Marotta.
Drejtori sportiv i bardhezinjve foli edhe për nevojën e ndërhyrjes në merkato, ku evidentoi mbrojtjen si repartin ku skuadra e Allegrit duhet të përforcohen në verën e ardhshme. “Kemi blerë Caldarën, që është një mbrojtës i mirë dhe do të na bashkohet në verë, por do të tentojmë të afrojmë edhe ndonjë futbollist tjetër, për të qenë të plotë në repartin e mbrojtjes”, tha ai.
Beppe Marotta tregoi se largimi i Bonuccit nuk lidhej aspak me Allegrin, ndërsa tha se Juventusi është skuadër e ndërtuar për të fituar titullin kampion. “Largimi i Bonuccit nuk lidhet aspak me Allegrin dhe për këtë ju siguroj. Ne do të kërkojmë fitoren, sepse jemi ndërtuar për të marrë titullin dhe nëse nuk ia dalim, do të jetë dështim. VAR do të legjitimojë edhe më tepër fitoren tonë, pasi shpesh jemi përfolur për favore nga ana e gjykimit”, tha drejtori sportiv i bardhezinjve.

Neymar përlotet në konferencë

Neymar shpërthen në lot. Ylli i kombëtares së Brazilit gjatë konferencës për shtyp pas përfundimit të takimit miqësor me Japoninë e gjeti veten përpara një numri të madh gazetarësh, të cilët gjatë gjithë kohës e pyesnin atë në lidhje me zërat që po qarkullojnë se marrëdhënia e tij me shokët e skuadrës tek PSG dhe trajnerin Unay Emeri nuk është nga më të mirat.
Për Neymar këto janë thjesht spekulime mediatike, ndërkohë që në mbrojtje të sulmuesit del tekniku i Barazilit, Tite i cili komplimetoi lojtarin, si dhe hodhi poshtë zërat se mes tyre ka patur kontradita. “Ne njihemi prej kohësh me njëri-tjetrin. Është thënë që mes nesh ka patur probleme dhe të tregohem i sinqertë jam i lodhur të dëgjoj të përsëritet shpeshherë e njëjta gjë. Mes nesh kurrë nuk ka patur asnjë lloj debati. Neymar ka një zemër të madhe dhe është një lojtar fantastik”, u shpreh Tite. Pas fjalëve të trajnerit Tite, Neymar emocionohet, përqafon 56-vjeçarin dhe largohet nga salla e konferencave.

“Goal” zbulon sot më të mirin

Të martën do të zbulohet nga “Goal” lista vjetore (2017) e 50 lojtarëve më të mirë në botë. Cristiano Ronaldo pretendoi çmimin e vitit të kaluar dhe është në “grindje” për ta mbajtur kurorën e tij. Por, sa shumë, në të vërtetë, ka shënuar ai në vitin 2017? Interesant, jo aq shumë sa Lionel Messi, Robert Lewandowski apo Harry Kane. Në të vërtetë, ylli i Barcelonës dhe Argjentinës, Leo Messi, ka shënuar më shumë se çdo lojtar tjetër këtë vit, 51 gola për klubin dhe kombëtaren, në vetëm 56 ndeshje.
Lewandowski grumbulloi 47 gola në vetëm 46 paraqitje me Bayern Munich dhe Poloninë, çka nënkupton se mesatarisht ka realizuar më shumë se një gol për ndeshje në vitin 2017. Megjithatë, raporti më i mirë mes golave dhe ndeshjeve në mesin e 20 më të mirëve të “Goal” i takon lojtarit në vendin e tretë, heroit të Tottenham dhe Anglisë, Harry Kane, i cili ka shënuar 45 gola në vetëm 42 ndeshje. Ronaldo ka shënuar po aq gola sa 24-vjeçari anglez, por në nëntë ndeshje më shumë. Mesatarja e tij e ulët do të thotë që portugezi duhet të vendoset në vendin e katërt. Edinson Cavani renditet i pesti, me 44 gola të realizuar në 51 ndeshje, çka do të thotë se sulmuesi i PSG-së dhe Uruguajit është me të vërtetë në kulmin e formës së tij.
Vendin e gjashtë dhe të shtatë e zënë dy lojtarë ndoshta të panjohur për shumicën e lexuesve, Dragan Boskoviç dhe Jaja Coelho, të cilët kanë shënuar lirshëm për Bangkok United dhe Buriram United këtë vit. Pierre-Emerick Aubameyang merr vendin e tetë, gjë që e bën më të mistifikuar, sepse ka pasur një rënie pas verës, sapo gabonezi ndërkombëtar pjellor mori vesh se Borussia Dortmund ishte e gatshme ta shesë. Sulmuesi i Lazios, Ciro Immobile dhe ai i Sporting, Bas Dost, mbyllin “top 10”, duke shijuar periudhat më pjellore të karrierës së tyre si futbollistë.
Kujtojmë se “Goal 50” është një çmim vjetor, që i njeh dhe rendit 50 futbollistët më të mirë të 12 muajve të kaluar. Redaktorët kryesorë dhe korrespondentët nga 37 botimet e “Goal” në mbarë botën hedhin votat e tyre, me kandidatët e gjykuar në nivelin e tyre të konsistencës gjatë vitit të kaluar të veprimit, shfaqjet e tyre të mëdha në lojë, trashëgiminë e futbollit dhe suksesin e ekipeve të tyre, si në rang klubi, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Skema e buxhetit në funksion të pastrimit të parave të drogës

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se Rama po përdor buxhetin 2018 për të pastruar miliardat e drogës.

Lulzim Basha:

Këto janë javët e krimit dhe të drogës dhe buxheti është i krimit dhe i drogës , është buxheti i pastrimit të parave të drogës. Nëkohësisht është buxheti i varfërimit deri në palcë të shqiptarëve.

 

Edi Rama do ta përdorë 2018-ën për të pastruar miliardat e drogës, të konsorciumit politiko –kriminalo- oligarkik.

 

Pra është një trekëndësh, në qendër është Edi Rama dhe qeveria, është një trekëndësh, shtet i kriminalizuar – narko shtet, karteli i drogës (ata që bëjnë kultivimin dhe trafikun e drogës) dhe ekonomia që po kriminalizohet , e përbërë nga oligarkë që pastrojnë paratë e drogës dhe trafikantë që blejnë bizneset e ndershme me paratë e drogës.

 

Javën e kaluar ndamë me gjithë shqiptarët nga Kuvendi, fazën ku ndodhet krimi i organizuar në Shqipëri. E nisi me kultivimin e kanabisit . Nuk është më kultivimi i kanabisit, veprimtaria kryesore. Jo. Me paratë e drogës të vitit 2015, 2016, krimi i organizuar ka kaluar në dy fusha të tjera. Fusha e parë që konfirmohet edhe sot nga raportet e BE, është trafiku I heroinës dhe kokainës dhe fusha e dytë më e rrezikshmja për shqiptarët, është kafshimi i ekonomisë publike dhe private të shqiptarëve. Që do të thotë se krimi po zhvendoset në sheshet e ndërtimit në mes të Tiranës, po zhvendoset në bankat e Shqipërisë, pra në sistemin financiar të Shqipërisë.

 

Krimi tashmë nga parcelat e kanabisit në majë të maleve apo në mes të fushave, po zhvendoset në mes të shesheve të Tiranës dhe në të famshmin projekt: “Një Miliard euro“ të Edi Ramës. Çfarë po ndodh? Shikoni çfarë thotë buxheti. Një biznes që fërgon peshq, që i blen nga peshkatari i zonës në qoftëse kalon xhiron prej 20 milion lekë të vjetra në vit, do të futet në xhiron e TVSH. Pra biznesi që fërgon, skuq peshqit në zgarë, nëqoftëse bën xhiron 2,1 milion do të paguajë TVSH. Ndërsa Klement Balilaj , Santa Quaranta dhe dhjetëra Santa Quaranta që do të ndërtohen nga baronët e drogës dhe oligarkët e lidhur me ta, hotelet me pesë yje, për dhjetë vjet nuk do të paguajnë tatim fitimin dhe TVSH do e paguajnë 6 %

Nga baronët e drogës dhe oligarkët e lidhur me ta, hotelet me 5 yjë për 10 vjet nuk do të paguajnë tatim-fitimi dhe TVSH-në do e paguajë 6%.

Që të hash peshkun e zgarës tek ai biznesi i vogël që mban frymën gjallë duhet të paguash 20% TVSH me këtë buxhet.

Që të hash aragostën apo ngjalën tek Santa Quaranta apo tek hotelet me 5 yje që duan të ndërtojnë oligarkët me baronët e drogës do të paguash vetëm 6% TVSH dhe për 10 vite ata s’do të paguajnë as tatim-fitimi.

Ky është buxheti që tregon më qartë se çdo gjë tjetër se Edi Rama ka përgjegjësinë dhe është aksioner i drejtpërdrejtë i kartelit kriminalo politik.

Ja çfarë po bën; pasi e mbushi Shqipërinë me drogë, pasi e ktheu në delen e zezë të Europës, pasi mbylli derën e integrimit europian, pasi e zhyti në kolaps ekonominë duke përfshirë fakir-fukarenjtë që i zhyti në biznesin e drogës dhe që sot e shesin më lirë se çajin. Tani paratë e drogës do t’i pastrojë për veten e tij dhe për miqtë e tij.

Çdokush tjetër do të humbasë. Më pak para për shtresat në nevojë, në ndihmë ekonomike, më pak para për pensionistët, për buxhetorët. Rritja e rrogave do të jetë minimale, nuk do të plotësojë dot as indeksimin për inflacionin. Më pak para për fermerët, për biznesin e vogël dhe të mesëm, për investimet, për shëndetësinë. Gjithçka tregon që ky do të jetë një buxhet i rrënimit dhe i gërmimit të xhepave për shqiptarët, nga shtresa e mesme deri te shtresat më të varfra, nga fermerët tek biznesi i vogël. Të vetmit që do të përfitojnë do të jenë lordët, baronët e drogës sepse me këtë buxhet do të pastrohen paratë.

Skema e parë është është skema fiskale, projekti fiskal. Uli taksat për investimet e luksit, për hotelet me 5 yje që në të gjithë botën, mjafton të bëni një kërkim sado modest, në të gjithë botën një nga rrugët kryesore për pastrimin e parave janë ndërtimi dhe tek ndërtimi kategoria kryesore e pastrimit të parave janë hotelet luksoze. Për këta, për pastrimin e parave do të ulë taksat, për të gjithë të tjerët do të rrisë taksat, do të fusi në nivelin e TVSH-së.

E dyta është projekti 1 miliard euro. Projekti 1 miliard euro i konçesioneve nuk është gjë tjetër veçse pastrimi i parave tanimë jo vetëm në ekonominë private, por edhe në ekonominë publike, që do të thotë tendera të rrugëve, shkollave, spitaleve, tashmë do të jenë konçesione, ku do të pastrohen paratë e drogës, pa tender, pa konkurrencë, pa transparencë, do t’i jepen disa kompanive, të cilat ose vetë ose përmes marrëdhënieve të nëndheshme, do të pastrojnë paratë e drogës.

 

Si do t’i pastrojnë?

Marrim një shembull. 14 shkolla të Tiranës, 60 milionë Euro, është një buxhet i tejfryrë. Me 60 milionë Euro, mund të ndërtosh 30 shkolla.

Mund të ndërtoheshin minimalisht 25 shkolla të mira. Përse ndërtohen vetëm 14?

Dhe përse Bashkia duhet të paguajë dyfishin e interesit që do të paguante normalisht në qoftë se do t’i ndërtonte vetë ato shkolla? Sepse me kët projekt, sikundër me projektet e koçensioneve në rrugë dhe kudo tjetër, shqiptarët do të paguajnë dyfish çmimin e rrugës, do të paguajnë dyfish qeranë e borxhit dhe do të paguajnë 10 fish pastrimin e parave të drogës.

Shqiptarët do të zhyten në mjerim. Baronët e drogës, oligarkët dhe Edi Rama, do të pasurohen marramendshëm vetëm se tani paratë do t’i nxjerrin nga skutat ku i kanë futur dhe do t’i qarkullojnë në mënyrë të ligjshme nëpërmjet këtyre dy skemave; ndërtimet, ndërtimeve luksoze, turizmit dhe hoteleve të drogës nga njëra anë dhe kalimit të parasë së pisët të drogës për ndërtimin e veprave infrastrukturorë me dyfish çmimin dhe dyfish interesa.

Projekt-buxheti i 2018-ës jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht, duhet të administrohet nga Prokuroria shqiptare, nga FBI, nga DEA, nga prokuroria italiane, gjermane, si një provë ligjore e implikimit të Edi Ramës në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave të drogës.

Një gjë është e sigurt, për këdo që ka bërë hesape që përmes këtij projekt-buxheti të nisë pastrimin e parave të drogës, të mendojë mirë. Themelet e kësaj ngrehine, sapo kanë filluar të shkunden. Nuk do të lejojë as Europa, as opozita shqiptare, as shqiptarët e ndershëm që të vazhdojë varfërimi i tyre me këtë projekt-buxhet, ndërkohë që vazhdon pasurimi i oligarkëve dhe i baronëve të drogës.

Natyrisht, vota jonë do të jetë kundër, por ky është vetëm fillimi i një beteje e cila do të zhvillohet në të gjitha frontet dhe do të rrëzojë, siç po rrëzon një nga një gurët e shahut.

Tahirët dhe ata që janë pas tahirëve do të përgjigjen përpara drejtësisë dhe ora për këtë po afron me shpejtësi marramendëse.