Gjykata e Tiranës shtoi me 20 ditë të tjera afatin 20 ditor të masës “arrest në burg” të dhënë më herët për Nezar Seitin për qëllime ekstradimi. Sipas dosjes së Prokurorisë së Katanias, Seiti dyshohet të jetë “financieri” i grupit të Habilajve. Ndërkohë që ndaj tij rëndon edhe një masë sigurie e dhënë nga Krimet e Rënda, Prokuroria e Tiranës kërkoi shtimin e afatit me 60 ditë.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga Gjykata, e cila pranoi kërkesën e avokatit për shtim të afatit me 20 ditë. Përmes avokatit të tij Detar Hysi, i arrestuari Seiti ka ridhënë para Gjykatës pëlqimin e tij për ekstradim drejt shtetit italian.
Ndonëse kërkesa e autoriteteve italiane nuk ka mbërritur, ekstradimi i Seitit duket një mision i pamundur. Të mërkurën, Krimet e Rënda vendosën një masë “arrest në burg” pa afat për të, për llogari të procedimit penal të nisur ndaj tij nga drejtësia shqiptare.
Nazer Seiti u arrestua nga policia shqiptare, si pjesë e bandës së Moisi Habilajt. Në seancat për masën e arrestit, i burgosuri përsërit me ngulm kërkesën për t’u ekstraduar drejt Italisë.
Por Prokuroria e Krimeve të Rënda synon ta mbajë me çdo kusht në Shqipëri, Nazer Seitin, me shpresën se italianët do të sjellin materiale të tjera përgjimi që kanë bërë mes trafikantëve. Në këto materiale, prokurorët shpresojnë të zbulojnë biseda mes anëtarëve të bandës, që mund të implikojnë persona të tjerë të përmendur.
Prokurorët kërkuan zgjatjen e masës së arrestit me 60 ditë, por Gjykata vendosi që Nazer Seiti të qëndrojë në burg edhe për 20 ditë të tjera. Nazer Seiti u arrestua gjatë një aksioni të beftë, të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku u kapën gati 3 ton kanabis në një magazinë në Babicë. Nazer Seiti dyshohet të jetë njeriu që mbante paratë e Habiljave dhe konsiderohet si financier i bandës.
Gjykata shton edhe 20 ditë burg për krahun e djathtë të Habilajve
Lëvizje në prokuroritë e rretheve
Kryeprokurori Adriatik Llalla ka bërë disa ndryshime të rëndësishme në prokuroritë e rretheve. Kështu mësohet se, Prokurori i komanduar si drejtues i Prokurorisë së Vlorës, Ramadan Troci kthehet në Tiranë me një detyrë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në Vlorë komandohet Ardian Ylli, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Fierit.
Ndërkohë në Fier komandohet Pali Decolli, aktualisht zv. Drejtues i kësaj prokurorie.
Granit Shahu, drejtues i Prokurorisë së Shkodrës kthehet prokuror në Tiranë. Në vend të tij komandohet Anton Martini, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
10 gjyqtarë dhe prokurorë në hetim për fshehje pasurie
Nuk është vetëm gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri. Burime nga Krimet e Rënda bëjnë të ditur se, 10 gjyqtarë dhe prokurorë po hetohen për fshehje pasurie. Hetimet janë të shtrira në 9-mujorin e parë të vitit 2017, ndërsa të dhënat janë siguruar nga një raport sekret i Prokurorisë. “Report Tv” disponon emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë në hetim, por për arsye të hetimeve nga organi i akuzës nuk i publikon.
Mbrëmë u ndalua nga Policia, gjyqtari Shkëlqim Miri, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dhe sekuestruan rreth 34 milionë lekë, ndërsa akuzohet se i ka marrë ryshfet 20 mijë euro Gentian Dodës për t’i ndryshuar akuzën nga vrasje në plagosje.
Doda ishte akuzuar për dy vrasje në 1997, ndërsa u dënua me 20 vite burg. Ai u arratis në SHBA, por u kap dhe në 2012 u ekstradua në Shqipëri. Procesi gjyqësor ndaj tij kaloi në të gjitha hallkat, por në Apel gjyqtari Miri i ndryshoi akuzën, duke e liruar nga burgu, ndërsa vetë përfundoi në qeli.
Zhduket prej një jave avokati, u nis me traget për në Itali
Avokati Besnik Muço rezulton i zhdukur prej disa ditësh. Denoncimin në polici e ka bërë bashkëshortja e tij. Sipas saj, ai ishte nisur në Itali më datën 2 nëntor me linjën Adria, por nuk ka zbritur në Portin e Barit. Në Itali, avokati do të takohej me bashkëshorten, pasi aty jeton familjarisht prej vitesh. Dijeni për vendndodhjen e tij nuk kanë as miqtë apo të afërmit në Shqipëri. Policia ka nisur hetimet, ndërsa pritet të sekuestrojë kamerat e sigurisë së tragetit, për të parë të gjitha lëvizjet e avokatit.
Policia e Durrësit ka nisur hetimet sa i takon zhdukjes së avokatit Besnik Muça. Balkan Web, duke iu referuar burimeve nga Policia e Durrësit, në sistemin TIMS rezulton se avokati Muça ka bërë check in në Portin e Durrësit mbrëmjen e 2 nëntorit, por nuk dihet me saktësi ku mund të jetë zhdukur.
Nga dëshmia e vëllait të tij, mëson se Bujar Muça kishte dokumente të rregullta në Itali, ku prej vitesh jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa kohët e fundit, ai kishte nisur punën si avokat i lirë në Tiranë. Ai udhëtonte të paktën dy herë në muaj nga Porti i Durrësit në Bari për të shkuar në Macerata, aty ku e priste familja.
Në bisedën e fundit që kishte bërë me vëllain, Muça nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim të dukshëm, thjesht e kishte informuar se do shkonte disa ditë të qëndronte pranë familjes, ashtu si edhe herët e tjera. Sipas vëllait, avokati dyshohet të jetë nisur rreth orës 23:00 nga Porti i Durrësit, ndërsa celulari i tij ka qenë i fikur që pas atij momenti.
Dy shqiptarë kapen me 32 kg kokainë në Itali
Policia italiane sekuestroi 32 kg kokainë në Romë dhe arrestoi dy trafikantë shqiptarë droge. Sipas mediave italiane, shqiptarët me inicialet M.A dhe V.A të moshave 50 dhe 36 vjeç u ndaluan gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në Romë. Atyre iu sekuestruan 32 kg kokainë si dhe 60 mijë euro kesh.
Operacioni u zhvillua në orët e vona të së martës në zonën e quajtur Ponte di Nona. Ata u kapën në një garazh nëntokësor, që e kishin shndërruar në magazinë të lëndëve narkotike. Ndalimi i tyre u bë në momentin kur ata po ngarkonin sasinë e kokainës në një automjet, për ta transportuar për shtije. Drogën e kishin ndarë në disa pako dhe e kishin fshehur në bagazh. Në pjesën e kroskotit, policia gjeti të fshehur një shumë prej 60 mijë eurosh, si dhe një pistoletë e gatshme për t’u përdorur, që rezultoi e vjedhur dy vite më parë në Romë.
Në garazh, ata mbanin edhe automjete të tjera që i përdornin për transportin e drogës. Kontrolle u ushtruan edhe në banesat e tyre. Vlera e drogës së sekuestruar arrin një vlerë tregu prej disa milionë euro.
Mediat italiane thonë se bëhet fjalë për një prej operacioneve më të rëndësishme antidrogë të kohëve të fundit në Romë. Lajmi u bë publik dy ditë me vonesë për arsye hetimore. Aktualisht policia është në kërkim të të tjerë bashkëpuntorëve të dy shqiptarëve të arrestuar, të cilët dyshohet të jenë pjesë e një grupi të gjerë kriminal.
Përplasje me armë në zonën e Bllokut
Një përplasje me armë mes disa personave ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pranë një prej lokaleve më të njohura për jetën e natës në kryeqytet. Policia tha se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:05, në rrugën “Brigada e 8” dhe ka patur të shtëna me armë. Si pasojë e konfliktit ka mbetur i dëmtuar shtetasi Erlis Duka, 27 vjeç, banues në Tiranë, i cili nuk ka dëmtime me armë zjarri, por dyshohet të jetë dëmtuar nga goditje me grushta.
Shtetasi Erlis Duka, është dërguar për ndihmë mjekësore, ku më pas është arrestuar për veprën penale “Moskallëzim Krimi”. Gjatë konfliktit njëri prej shtetasve të përfshirë në konflikt ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja arme zjarri.
Janë shoqëruar në ambientet e policisë 15 persona për sqarime dhe verifikime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Hidhet në erë me tritol makina e një gruaje në Vlorë
Një makinë është hedhur në erë me tritol në Vlorë. Bëhet e ditur se, automjeti tip ‘Benz’ i shtetases Vejushe Dalipaj, 42 vjeç ishte i parkuar pranë banesës së saj në lagjen ‘Uji i Ftohtë’ i cili ka shpërthyer me eksploziv në orët e para të mëngjesit. Policia tha se, rreth orës 05:20 është njoftuar nga vetë pronarja e mjetit se ka dëgjuar një zhurmë në formë shpërthimi.
Shërbimet policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se, mjeti tip “Benz”, ka qenë i parkuar përpara banesës së shtetases Vejushe Dalipaj në vendin e quajtur “7 Pallatet”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, dhe se ka dëmtime në pjesën e përparme të tij. Dyshohet se dëmtimet në mjet të jenë si pasojë e një shpërthimi me lëndë eksplozive që mund t’i kenë vendosur. Grupi hetimor po punon për përcaktimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Tahiri telefonoi Qaton: Largo patentat nga makina e Sotës
Ish-ministri Saimir Tahiri ka marrë në telefon drejtorin e Policisë së Elbasanit, Altin Qato dhe i ka kërkuar që të zhdukë patentat e tij nga makina e Orest Sotës. Deklarata e fortë është bërë nga ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, në emisionin “360 gradë” në “OraNews”. Demiraj është shprehur se, në momentin që po kryeheshin veprimet e policisë, Tahiri i ka telefonuar Qatos dhe i kë thënë; të lutem largo patentat. “Në ato momente kur po kryheshin veprimet e policisë, ish-ministri Tahiri i ka telefonuar Qatos; të lutem largo patentat. Ndoshta nuk i ka telefonuar nga telefoni i vet. Merrni verifikoni tabultatet nëse zotit Qato nuk i është kërkuar të largojë patentat. Kjo është e konfirmuar nga policët që ishin aty”, u shpreh Demiraj.
Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është shprehur më tej se, në makinën e Orest Sotës u bllokuan 863 mijë euro, por ishin 2-3 herë më shumë dhe kjo është konfirmuar edhe nga policët që ishin në vendin e ngjarjes. “Në automjet ishin disa herë më shumë para, 2 ose 3 herë më shumë. Prerjet e mëdhaja u morën nga personi i dytë që ishte në makinë, ishin prerje 500 dhe 200 euroshe”, tha Demiraj. Duke iu referuar policëve që kanë bërë kontrollin e makinës, ish-ministri i Brendshëm tha se ata kanë deklaruar se paratë ishin të shpërndara në makinë.
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor, por policia mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në njoftimin e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen e dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese në emër të Tahirit në makinën e Sotës. Policia deklaroi se; “Më datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi O.S., sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën një shumë eurosh”.
Dy ditë më parë drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato u thirr në një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Qato është futur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në orën 14:00 të ditës së enjte dhe ka qëndruar aty për më shumë se një orë. Burimet bënë të ditur se, Qato është pyetur për arrestimin e biznesmenit Orest Sota në Elbasan dhe për 863 mijë eurot dhe për 2 patentat për mjete lundrimi në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri që u gjetën në makinë.
Hetimet e Prokurorisë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbuluar se paratë e sekuestruara nga policia në makinën e Orest Sotës në 1 nëntor nuk janë tërhequr nga ndonjë llogari bankare. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, shuma e eurove të sekuestruara në makinën e Orest Sotës nuk përmbante shiritat përkatës sikundër ndodh në rastet e tërheqjes së shumave të tilla. Prokuroria i ka kërkuar bankave të nivelit të dytë informacion zyrtar nëse një shumë e tillë është tërhequr nga biznesmeni apo familjarë të tij nga këto institucione dhe ka rezultuar se, Sota dhe të afërm të tij nuk kanë tërhequr shuma të mëdha parash në asnjë bankë. Gjithashtu konfirmohet se, në automjetin e Sotës janë gjetur 3 patenta, dy në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe një tjetër në emër të bashkëshortes së tij.
Burimet theksojnë se po verifikohen gjithashtu marrëdhëniet mes biznesmenit dhe kompanisë “Kurum”, nëse mes tyre ka pasur apo jo bashkëpunimeve të mëparshme dhe si janë kryer pagesat. Bëhet e ditur se, prokurorët kanë sekuestruar librin e shitjeve të “Kurum”, ku regjistrohen të gjitha raportet tregtare mes kompanisë dhe bizneseve të ndryshme. Verifikimi i këtij libri pritet të çojë prokurorët në konkluzionet nëse mes firmave të biznesmenit Sota ka pasur apo jo marrëdhënie tregtare me kompaninë “Kurum”.
Për ngjarjen e ndodhur rreth 10 ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka shmangur çdo koment apo sqarim publik, ndërsa një ditë më parë Dritan Demiraj, i cili drejtoi Ministrinë e Brendshme për rreth 4 muaj, tha se nga punonjës të Policisë së Elbasanit ka mësuar se sasia e parave në automjet ishte 2-3 herë më e madhe sesa ajo e sekuestruar. Gjithashtu Demiraj tha se ish-ministri Tahiri i ka kërkuar kreut të Policisë së Elbasanit, Altin Qato, që të fshihte patentat e gjetura në automjet.
R.POLISI
Krasta: Kanabizimi i vendit u bë me qëllim, ata që e bënë të mbajnë përgjegjësi
“Nuk ka një ngjarje Tahiri sepse kanabizimi i vendit nuk është vepër e një individi. Ai vendim është marrë diku dhe dikur me një qëllim të caktuar për të bërë para”, është shprehur gazetari Krasta, i cili ka kërkuar që ata që e kthyen vendin në kanabizim duhet të mbajnë përgjegjësi. Sipas Krastës kanabizimi është një skandal kombëtar.
Shqipëria në emergjencë kombëtare

Albana VOKSHI
Të shkuara z. Beqa.
Suksese Spitalit Privat që të bëri si kokrra e mollës. Këtë fat s’e kanë të gjithë. Shumica e qytetarëve falë teje dergjen spitaleve publike me infrastrukturë të rrënuar, pa barna, kura, pajisje. Spitale që na i lë trashëgim nga puna jote e palodhur …por në avullimin e fondeve drejt koncesioneve që sajove ti.
Ishalla nuk të del ndonjë patentë, sepse ty as mjeti lundrimit 100 ton nuk do të të mjaftonte.
Prapë kryeministri akuzoi mediat sot për cenim të të drejtave të politikanëve, për cënim të imazhit të zyrtarëve. E bëri këtë me guxim dhe pa asnjë ndrojë para Komisionerit Hahn dhe të gjithë ekspertëve të Brukselit që kanë zbritur sot në Tiranë për një konferencë për çështjet e lirisë dhe zhvillimit të një medie të pavarur.
Zoti Rama nuk ta kanë fajin gazetarët pse transmetojnë zbardhjet e dosjeve të shërbimeve italiane apo atyre ndërkombëtare që nxjerrin zbuluar ministrat apo njerëzit e t’u të përfshirë në trafiqe.
Nuk e kanë fajin mediat pse publikojnë skandalet që kanë pushtuar këtë qeveri.
Mediat nuk mund t’i konsiderosh armiq të popullit apo aq më tepër armiq të demokracisë, sepse janë pikërisht ata që e mbrojnë sistemin dhe të drejtat e publikut. Mos ishin mediat sistemi yt do konsiderohej diktatura më e egër në Europën e shekullit 21.
E për ironi e për turpin tuaj, në kohën që po zhvillohej konferenca për lirinë e fjalës, lirinë e mediave, këtu në Parlament, Kryetari na heq fjalën edhe për procedurë. Që në fjalën e dytë, me një inteligjencë jashtëtokësore, Kryetari e kuptoi për çfarë unë do flisja. Z. Kryetar, më keni impresionuar.
Arbëri nga Italia, që kishte ndjekur seancën më shkruan: “U ndjeva keq kur ju mohua e drejta e fjalës. Nëse ju mohohet juve si deputetë, po në popullit ç’mund të na bëhet??”
Është e turpshme, është e patorlerueshme!! Turp për këtë mazhorancë, turp për këtë qeverisje, turp për këtë Kuvend për mënyrën se si po drejtohen!!!
Ju Zoti Kryetar i Kuvendit, nuk mund të keni dy standarde, njërën të veçantë për KM e tjetrën për deputetët e opozitës. Pozicioni juan nuk ju jep tagrin të gjykoni aq më pak të paragjykoni për kontentin e fjalës së deputetit. Është e patoletueshme, e pakonceptueshme të lini mikrofonin hapur kur KM flet dhjetëra minuta me fjalorin më banal të mundshëm e t’u mohoni të drejtën e fjalës edhe për procedurë deputetëve të opozitës. E ka bërë Kuvendin për pullë të kuqe, nuk i lëmë dot fëmijët para TV për shkak të fjalorit banal të KM.
Por ju siguroj z. Kryeministër, z. Kryetar, që nuk do heshtim para krimit që ka kapur shtetin, para narkotrafikut të mbështetur nga Qeveria. Nuk do heshtim para këtij krimi shtetëror që po shkatërron gjithçka të mirë që ka ky vend.
Sot po diskutojmë për një projekt investimi të rrugës së lumit të Vlorës. Sigurisht që një investim është një ngjarje shumë e rëndësishmë për të gjithë Qarkun. Sigurisht që opozita s’mundet veç të falenderojë Fondin e Kuvajtit dhe Fondin Saudit për këtë financim që s’u bë kurrë nga Qeveria. Por, në të njëjtën kohë ngre shqetësimin për monitorimin e implementimin e këtij projekti të rëndësishëm. Duhet monitorim i vazhdueshëm që fondet të mos tjetërsohen e që projekti të implementohet ashtu siç është parashikuar e planifikuar dhe projektuar.
Pse e ngrej këtë shqetësim???
Në 4 vite nuk është ndërtuar asnjë centimetër rrugë.
Në 4 vite asnjë shkollë e re!!
4 vite asnjë spital i ri apo qendër shëndetësore
4 vjet asnjë ujësjellës.
4 vjet – Rama deputet i Vlorës dhe Kryeministër një gjë e bëri, jeshiloi Shqipërinë e kanabizoi vendin, e ky është “suksesi” më i madh i tij që as miqtë më të ngushtë, të brendshëm apo jo, s’po munden ta mbrojnë dot më.
4 vjet abuzim marramendës me fondet e buxhetit që avullonin xhepave të klientelës sponsorizuese përmes formulës së famshme PPP.
Kredia 30 milionë dollarë, e miratuar nga Fondi Saudit për Zhvillim për financimin e rrugës nga By Pass-i i Vlorës deri në Superstradën Levan Tepelenë është një inkurajim për investimet në infrastrukturë, nxitje për punësim, zhvillim…
Tani që zëri i buxhetit të drogës një prej klaneve më të fuqishme pikërisht në Qarkun Vlorë, është dekonsipruar, do kërkojnë të gjejnë burime të tjera për të blerë gjykimin e tyre dhe jetën jashtë qelisë….
E ky projekt duhet t’i shërbejë ekoturizmit e jo ekokanabisit.
E meqë flasim për ekoturizmim, turizmin e kulturën, është për të ardhur keq që Rama i zgjati duart deri në Butrint…? Veç korrupsionit ka edhe një arsye me mesazh…
Butrinti njihet si një mikrokozmos i historisë së Mesdheut që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotruar në rajon. Ky perandori ynë po kërkon të ndërtojë me korrupsion fortesën e tij, por që në fund këtu do jemi, do të përfundojë në fortesë kartoni…nga ajo që vihet te thembrat e këpucëve…!
Ministrja, si Kryetare e Bordit për Menaxhimin e Butrintit si pronë e Trashëgimnisë Botërore është urdhëruar të bllokojë gazetarët, t’i censurojë ata, që të mos investigojnë se pse po shkatërrohet Butrinti….Po dezinformon UNESCO-n…për të fshehur një nga skandalet më të mëdha të kësaj Qeverie. Shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe botërore.
Zona arkeologjike prehistorike në Butrint, afro 20 km nga Saranda, pjesë e Qarkut të Vlorës deputetit Kryeministër vizitohet nga afro 200 mijë turistë në vit. Të ardhurat afro 1 milion dollarë… Po edhe aty i zgjat duart pashai kryeministër…I zgjat sepse, mendon se është Zot i këtij vendi…
Me keqardhje konstatoj që sot mazhoranca u mundua të shuante e të mbulonte skandalin me ndërtimin ne Butrint. Ju sot më hoqët të drejtën e fjalës, sepse që nga ai pozicion po mbroni interesat e mafies!!!
Sot shpresova që ministrja do fliste hapur për llaçin e betonin. (foto)
Sot ministrja duhet të fliste në mënyrë të sinqertë për komunikimin me UNESCO-n.
E meqë ministrja edhe sot devijoi shumë nga e vërteta, për hir të detyrimit të informimit të publikut, dua të ndalem në vetëm një komunikim:
(shkresa dt 9 tetor- përkthimi)
(Intervista e Dr së Trashëgimisë Kulturore)
Me sa duket zotërinj deputetë e keni keqkuptuar votën që keni marrë më 25 qershor me dhunë, krim e drogë.
Kriminalizuat qeverisjen, kriminalizuat administratën, kriminalizuat ekonominë e së fundmi votën. E tani po shkatërroni edhe ato vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Mos mendoni që do heqim dorë nga e vërteta, nga mbrojtja e këtyre vlerave botërore,
Ky është krim kulturor e duhet ndalur sa më parë. Ndaj ju ftoj të hiqni dorë urgjentisht!!!
Tërhiquni, sa s’është vonë. Bëjini një nder vetes dhe vendit.
z. KM
Sot po flasim për një investim shumë të rëndësishëm për Qarkun Vlorë. Por Vlorën e bukur e të bekuar nga Zoti, e kthyet që qendën e bandave dhe krimit të organizuar. Vutë çdo gjë në funksion të tyre. Në Vlorë nuk sundoi ligji këto vitet e fundit, por sunduan Habilajt e Balilajt. Nuk mendoi kush për kushtet, për fëmijët në shkolla, një pjesë e mirë pa kushtet më minimale infrastrukturore e pa ngrohje edhe tani në prag të dimrit. Edhe ato të rikonstruktuarat rrinë bosh, presin sa ti teket Ramës të shkojë të presë shiritin me brekushe e të bëjë propagandë.
Nuk u mendua asnjë ditë për Vlorën dhe qytetarët e saj… por për tonelatat që dilnin çdo ditë nga Vlora në drejtim të vendeve fqinje. Vlora, për fat të keq, tani përmendet jo për turizmin, ekoturizmin as për trashëgiminë kulturore, por për ekohashashin. Çdo gjë në funksion të ekohashashit: në funksion të mbrojtjes së mbjelljes, kultivimit, përpunimit dhe transportit/eksportit të drogërave. Në një çmenduri, edhe ambulancat u vunë në funksion të transportit të drogës në Vlorë. Nëse një i sëmurë kishte nevojë urgjente për shërbimin e ambulancës, prit një çik se ashtu është një muhabet…se kemi një sasi që duhet të transportojmë, me porosi nga shefi…ai me syze…me makinë zyrtare e me patenta lundrimi nga 20 t deri 100 t.
I kam këshilluar kolegët e mi të PS në Komisionin që unë drejtoj. Një pjesë e mirë e tyre njerëz të nderuar e të ndershëm për atë çka përfaqësojnë e nga vijnë. I kam këshilluar të heqin dorë nga mandatet e tyre të deputetit. Çdo ditë vërtetohet që një pjesë e mirë e këtyre mandateve janë blerë me para droge e para krimi. I kam këshilluar të distancohen sa më parë, para se të jetë vonë!! Të ndahen përfundimisht nga kjo Qeverisje e nga ky Kryeministër e nga kjo Qeveri. Që kur orteku i klaneve të krimit të organizuar e trafikut të bjerë, të mos i zërë edhe ata brenda. Ndahuni nga këta që kanë bllokuar integrimin në BE. Falë tyre sot është rritur numri i deputetëve holandezë që po i kërkon Parlamentit të rikthejë vizat me Shqipërinë…
Një këshillë kam për zonjat deputete, distancohuni nga kjo qeveri e qeverisje e kjo mazhorancë e dhunshme. Mbroni të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve. Mos bëni show të porositur, mos kërkoni platforma, strategji. Aleanca grash kur nuk guxoni në ngrini zërin kur kolegëve tuaja ju shkelen të drejtat kushtetuese edhe në foltoren e Kuvendit.
Këto ditë kemi kaluar orë e orë të gjata dëgjesash për Buxhetin 2018.
Kemi diskutuar me shumë seriozitet, kemi ngritur shqetësime e problematika të shumta, të gjithë deputetët e të gjitha Partive politike. Buxheti është ngjarja më e rëndësishme në një vit parlamentar.
Por, ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, e që doja ta ndaja dhe me ju, është dëgjesa me Akademikët e Shkencave. Dëgjuam Akademikët e shquar e të nderuar që erdhën më shumë finsikëri, e me lutje, për një buxhet minimalist. Erdhën me lutje për Kryeministrin për t’i takuar, për t’i dëgjuar. Madje kërkuan edhe ndërmjetësim nga ne…
A e kuptoni ku ndodhemi??? Një KM që në vend që të mbajë në krah e të nderohet më ata që janë elita e vendit, as nuk i pret në takim, e i përçmon, i refuzon!! Po mbase ne e kemi shumë gabim, e kemi gabim kur pretendojmë që Kryeministri të kuptojë ç’është shkenca, të kuptojë ç’është akademia e shkencave, të kuptojë cilat janë përgjegjësitë dhe kompetencat. Është shumë mbase për të kërkuar nga një KM që filozofinë e vetme ka: përça e sundo. Përça breza, që ai të sundojë si mbret i plotfuqishëm.
I përçmoi akademikët– ata heshtën.
I fyeu – nuk reaguan
I ftuam t’i dëgjonim në Komision – erdhën madje pritën orë të tëra, pasi ju dhëmb Akademia, shkenca, e ardhmja e kombit më shumë se Kryeministrit tonë.
Sot unë kërkoj nga Kryeministri të proponcohet për Akademinë e Shkencave, të tërhiqet nga ato që ka thënë, e t’u kërkojë ndjesë akademikëve të nderuar.
Sot në rendin ditës do të diskutojmë për një financim të një projekti të rëndësishëm për Qarkun Vlorë.
Po për cilin financim duhet të flasim sot??? Të flasim për atë në letra??? Apo atë pa letra??? Për financime nga buxhetii i shtetit apo financimet ilegale të “hashashit”? Për financime nga buxheti i taksave tona të cilin e shpërdoruat dhe abuzuat sa mundët??? Apo “financimet nga krimi dhe narkotrafiku” me të cilin keni blerë të gjitha zgjedhjet që kurse hipët në pushtet (të Korçës, lokalet 2015, Dibrës, Ersekës e së fundmi parlamentaret e 25 qershorit, duke shkelur edhe marrëveshjen e famshme të 18 majit).
Jam shumë e shqetësuar presionin që Kryeministri, deputetë të mazhorancës kanë ushtruar këto ditë mbi organet e drejtësisë.
Jam shumë e shqetësuar për presionin që KM ushtron mbi gazetarët e analistët.
Jam e shqetësuar për presionin që po ushtron në radhët e akademikëve, sepse ai i urren të mençurit e të diturit. Dhe kjo është një formë censure. presionet mafioze mbi ta janë tronditësë dhe argument i bazuar për të shtypur butonin e “kodit të kuq” në Demokraci!
Akademikët, artistët, gazetarët në një shoqëri duhet të jenë rojtarët e sistemeve demokratike.
Çdo ditë vihen re përpjekje të sponsorizuara nga mafia që rrezikojnë sistemin demokratik në Shqipëri. Transkriptet e përgjimeve të Antimafias italiane janë sinjale për t’ju thënë hapur shqiptarëve se jeni në rrezik.
Parlamenti, qeveria dhe të gjitha institucionet, ekonomia, vota janë bërë pis me lekët e drogës dhe krimit. Ko mazhorancë u vërtetua përfundimisht që nuk është legjitime. Në këtë situatë kritike ku ndodhet vendi, askush nuk mund të qëndrojë duarlidhur, të gjithë duhet të reagojmë. Të kërkojmë largimin nga pushteti të përfaqësuesve të krimit dhe mafias e të hapim rrugë për krijimin sa më parë të një qevërie Antimafia.
Duhet të jemi bashkë për ngritjen e një sistemi drejtësie dhe shteti ligjor në vend.
Jam e vetëdijshme që varfëria, pasiguria e punës dhe mungesa e sigurisë publike mbase trembin për reagim. Por të gjithëve bashkë nuk mund të na rezistojnë.
Ju po kërkoni të braktisni Shqipërinë pa bërë revolucionin që ju takon. Është detyrë qytetare të reagojmë për padrejtësitë. Por sot jemi në një emergjencë kombëtare për të shpëtuar Shqipërinë nga mafia, kriminelët, trafikantët. Nuk mund të largohemi nga vendi dhe t’ju lëmë në dorë atyre atdheun tonë, sepse nuk do të mund të kthehemi më kurrë.