24.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Afera ruse e Ramës me “Gunvor” të Putinit

FBI-ja i kishte bërë të ditura detajet e këtij skenari dhe në fund shkoi pikërisht ashtu si kishin parashikuar agjentët amerikanë. “Mashtrimi i madh” shqiptar i Harry Sargeant III, naftëtari i falimentuar mbi të cilin po hetojnë autoritetet amerikane ka zbarkuar në Rusi, duke u ndërlidhur me një tjetër pistë hetimi të hetuesve amerikanë, atë të “thesarit” të Presidentit Vladimir Putin.
Le ta nisim nga një e dhënë zyrtare: rafineria e Ballshit – e cila i është besuar nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij “investitorit tepër serioz amerikan” Harry Sargeant III në këmbim të premtimeve ekonomike që nuk janë mbajtur – ka kaluar në pronësi të grupit të naftës “Gunvor”, i cili ka marrë tashmë në dorë kontrollin. Dhurata që Rama i ka bërë sipërmarrësit “made in USA” nuk është aspak në favor të nevojave të shtetit, por vetëm, në favor të xhepave të zbrazura të Harry Sargeant III dhe të oreksit miliarder të të korruptuarve të tij.
Mjaftuan vetëm gjashtë muaj në krye të rafinerisë nga ana e themeluesit të International Trading Company (kompani që është shpallur e falimentuar në shkurt të vitit 2016 nga ana e gjykatës amerikane për një borxh prej 100 milionë dollarësh), për ta kthyer atë në sipërmarrjen më të madhe të pastrimit ndërkombëtar të parave që ka parë ndonjëherë “vendi i shqiponjave”.
Sergeant duhet të kishte investuar 52 milionë dollarë në Shqipëri dhe të shlyente me kalimin e kohës sasitë e jashtëzakonshme të borxheve të shoqërisë ARMO, kompania që kontrollon fabrikën e rafinimit të naftës. Sipërmarrësi kishte deklaruar edhe se do të investonte edhe 100 milionë dollarë të tjera në “Transatlantik”, një tjetër kompani shqiptare financiarisht e shkatërruar. Të gjitha ishin broçkulla, që qeveria shqiptare dhe Edi Rama i kanë marrë për të mirëqena.
Sipas FBI-së dhe Departamentit amerikan të Shtetit, ish-piloti luftarak i marinës Harry Sergeant, ka shërbyer vetëm piketë për të mbajtur hapur vendin deri në ardhjen e Putinit, për të shmangur kështu çdo “rezistencë” politike apo kontroll ligjor.
“Gunvor”, deklarojnë publikisht hetuesit amerikanë, është një nga asetet kryesore të “thesarit” të Presidentit rus, Vladimir Putin. Agjentët e FBI-së, të cilët pas embargos ndërkombëtare kanë hetuar një për një pasuritë e fshehta të Putinit, citojnë dëshminë e një ish-këshilltari të tij, Stanislav Belkovski, i cili prej kohësh është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me hetimet ndërkombëtare dhe ka deklaruar se një pjesë prej 75 për qind e pasurisë së Putinit përfaqësohet nga “Gunvor”, 37 për qind nga grupi i naftës Surgutneftegaz dhe 4,5 për qind nga Gazprom.
Vladimir Putin, deri para pak kohësh, përfaqësohej në kompaninë “Gunvor” nga Gennady Timchenko, një ish-kolonel i KGB-së, i cili jeton në Gjenevë dhe që prej viteve 1980 njihet si një nga personat më të besuar të presidentit rus.
E themeluar në vitin 1997, brenda 10 viteve “Gunvor” u kthye në kompaninë numër 3 në botë për tregtimin e naftës dhe “shërbimeve” nga Europa drejt Lindjes. Aktualisht ajo drejton plot 30 për qind të eksporteve të Rusisë. Në krye të kompanisë, faqja zyrtare evidenton zyrtarisht një operator suedez, Torbjom Tornqvist, konsull nderi i Zvicrës në Gjenevë.
Me seli në Gjenevë, Amsterdam dhe Qipro, “Gunvor” po përhapet si njollë vaji nëpër botë, tashmë edhe në Shqipëri falë shërbimeve të Harry Sargeant III, eksperti i parajsave fiskale dhe të aleancave “të çmendura”.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndoshta nuk është në dijeni të faktit që të gjitha shoqëritë e Sergeantit, përfshirë edhe ato “offshore”, për të cilat Departamenti amerikan i Shtetit ka në dorë një hartë të detajuar, janë në listën e zezë të qeverisë amerikane dhe sipas një dekreti, nuk mund të operojnë në administratën publike.
Gjykata amerikane, për aktet e korrupsionit ndërkombëtar, i ka përshkruar aventurat e fundit të naftëtarit në fjalë si “forma më e keqe e përfitimit nga lufta”, që është hetuar ndonjëherë dhe në të njëjtin konkluzion kishte arritur edhe një komision special i Kongresit më parë. Sergeant, gjatë konfliktit në Irak, kishte arritur të siguronte një kontratë me Departamentin e Mbrojtjes për furnizimin me karburant të ushtrisë amerikane.
Ndërkohë, Harry Sergeant II drejtonte transportin e karburanteve nga Jordania në Irak në kushte tërësisht monopoliste, pasi kishte korruptuar me dhjetëra miliona euro një prej anëtarëve të familjes mbretërore jordaneze, i cili i siguroi ekskluzivitetin e sektorit dhe përzënien me forcë të çdo konkurrenti që mund të afrohej.
Pas tre kontratave të para me Departamentin amerikan të Mbrojtjes, Sergeant vendosi të ekzagjeronte me të katërtën. Në rastin e një marrëveshjeje prej 2,7 miliardë dollarësh, vendosi të përjashtonte ortakun e tij që i siguronte licencën e transportit në këmbim të ndarjes së përfitimeve. Me pak fjalë, ish-marinsi vendosi t’i kanalizonte ndryshe përfitimet për të anashkaluar palën jordaneze.
Në vitin 2008, djali i mbretit të Jordanisë, Mohammed al-Saleh, ortaku i tij, vendosi të niste një procedim penal në Gjykatën e Apelit të Floridës, kundër Sergeant për veprën penale të mashtrimit dhe në vitin 2011 fitoi: 29 milionë dollarë dëmshpërblim dhe 3,5 milionë të tjera interesa. Ndërkohë, gjatë debateve gjyqësore dolën në pah edhe aktet e korrupsionit, të dokumentuara për të paktën 50 milionë dollarë, për të cilat nisën hetimet përkatëse.
Në vitin 2016 i shpall falimentim nga ana e Gjykatës së Falimentimit të Shteteve të Bashkuara. Rasti bëri bujë të madhe, sepse Sergeant ishte atëherë një prej financuesve kryesorë të Partisë Republikane dhe mbështeste ekonomikisht fushatën elektorale të Mitt Romney dhe John McCain. Pas hetimeve të FBI-së doli në pah gjeografia ndërkombëtare e kompanive të Sergeant në parajsat fiskale dhe një mal me miliarda të fshehura nga autoritetet fiskale.
Më pas, e pabesueshme, por e vërtetë, Harry Sergeant III mbërrin në Tiranë pikërisht gjatë muajve më të errët të falimentimit të plotë. Deri më sot, sipërmarrësi amerikan nuk ka investuar asnjë qindarkë të vetme në Shqipëri. Ndërkohë, kalimi i sipërmarrjes tek kompania “Gunvor” ishte programuar kohë më parë. Provat e këtij kalimi gjenden tek transfertat që “Gunvor” ka bërë në një bankë europiane me filial në Shqipëri në favor të rafinerisë. Po tani, çfarë do të bëjë Prokuroria shqiptare? A është e mundur që “investitorët” e huaj të tallen me institucionet ligjore të një shteti në mënyrë kaq të hapur? Si do të sillet politika përballë kompanisë ruse me lidhje të drejtpërdrejtë me Presidentin rus, me vlerë 40 miliardë dollarë dhe e sjellë në Shqipëri falë ish-pilotit nga Amerika?

“Pianeta Italia”

Basha: Rama po nxit krimin të sulmojë gazetarët

Kreu i PD, Lulzim Basha ka denoncuar ashpër dje sulmet e paprecedenta të Ramës ndaj mediave, ndërsa i cilësoi ato si frymëzim i Ramës për krimin e organizuar që të agresojë e sulmojë gazetarët. “Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur për ditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin.
Klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin. Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë me të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë dhe të mos heshtin përballë kësaj sjelljeje kriminale të kryeministrit. U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që të dënojnë këtë gjuhë urrejtje dhe të dhunshme të kryeministrit”, shprehet Basha.

Veliaj hap tenderin prej 11 milionë euro, edhe pesë shkolla të tjera me koncesion

Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat për koncesionin e ri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e shkollave në Tiranë. Ky është koncesioni i dytë brenda 10 ditësh dhe fondi limit i tij llogaritet në rreth 11 milionë euro, duke e çuar totalin e deritanishëm për Zonën 1 dhe Zonën 2 në Tiranë në 25 milionë euro. Referuar njoftimit në këtë procedurë parashikohet që të ndërtohen të paktën pesë objekte të tjera arsimore.
“Bashkia e Tiranës në rolin e ‘Autoriteti Kontraktor’, fton operatorët ekonomikë në një procedurë ndërkombëtare koncesioni/ partneriteti publik privat për projektimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 2, mobilimin dhe mirëmbajtjen e tyre të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, mbikëqyrjen dhe kolaudimin në përputhje me procedurat dhe kushtet e përcaktuara në këto dokumente tenderi dhe me kushtet e kontratës.
Kostoja e vlerësuar e projektit është 1.574.138.127 (një miliard e pesëqind e shtatëdhjetë e katër milion e njëqind e tridhjetë e tetë mijë e njëqind e njëzet e shtatë) lekë pa TVSH”, nënvizon Bashkia në njoftimin e saj në APP.
Kompania, e cila do të fitojë koncesionin duhet të llogarisë maksimalisht një marzh fitimi maksimumi 6.28%. Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin dhe pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin, si dhe vënien në funksion të tyre.
Objektet arsimore duhet të ndërtohen, si dhe të jenë funksionalë në një afat prej 18 muajsh nga data e lidhjes së kontratës. Pas ndërtimit dhe vënies në funksion të objekteve arsimore, koncesionari/PPP do të mirëmbajë objektet për një periudhë 7-vjeçare. Pas përfundimit të ndërtimit, autoriteti kontraktor do t’i paguajë koncesionarit/PPP një shumë të caktuar vjetore deri në përfundim të plotë të shumës së investuar.
Bashkia kërkon të ndërtojë 17 shkolla fillore dhe të mesme. E gjithë kostoja e projektit do të paguhet nga qytetarët e Tiranës përmes taksës speciale të arsimit që ka vendosur Bashkia Tiranë dhe një fondi që do të marrë nga qeveria po nga taksat e qytetarëve.
Asnjë analizë si është arritur në këtë propozim, asnjë e dhënë teknike për projektin, asnjë argumentim dhe justifikim ligjor, politik, administrativ apo teknik nuk u është bërë e ditur paraprakisht këshilltarëve bashkiakë që do të duhet të marrin vendimin. Gjithçka është paravendosur dhe Këshilli Bashkiak duhet vetëm të vulosë formalisht një vendim të kryebashiakut Veliaj dhe Kryeministrit Rama.

Ekonomia në greminë, stoku i borxhit do shtohet me 246 mln euro më 2018-n

Stoku i borxhit publik pritet të zgjerohet vitin që vjen me rreth 246 milionë euro, me synimin për të arritur në 68.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave më 2018. Stoku i borxhit publik total, përfshirë borxhin shtetëror të garantuar, vlerësohet të arrijë në 1,135,620 milionë lekë, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit.
Stoku i borxhit publik në raport me PBB-në është vënë në trajektore rënëse, por gjithsesi ulja është e sforcuar dhe nuk i ka qëndruar parashikimeve të qeverisë shqiptare më 2014 që me shtrëngimin fiskal, treguesi i borxhit në raport me PBB-në të zbriste në nivelin 64% më 2019.
Deficiti buxhetor për vitin 2018 planifikohet të jetë në nivelin 2.0% të PBB. Për të tretin vit radhazi, balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.6%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse për të dytin vit radhazi. Sipas Ministrisë së Financave, ky nivel deficiti garanton trendin rënës të borxhit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.
Financimi i deficitit do të realizohet nëpërmjet huamarrjes së brendshme dhe asaj të huaj, e cila do të bazohet tek huatë me terma pjesërisht të favorshme në kuadër të financimit të projekteve prioritare të qeverisë, huatë me terma të favorshme në kuadër të mbështetjes së politikave zhvillimore të ndërmarra nga qeveria dhe huamarrja me terma tregtare, në rast se kushtet e tregjeve financiare do të jenë optimale.
Në bazë të ligjit organik të buxhetit, në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të planifikohet më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Në përputhje me këtë dispozitë (rregull fiskal) ligji vjetor i buxhetit 2018 targeton një nivel të borxhit publik total në 68.8% të PBB nga niveli prej 69.1% e PBB i targetuar për vitin 2017.
Vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto për vitet buxhetore që planifikohen dhe për vitin pararendës, nuk mund të jetë më e lartë se vlera respektive e parashikuar ose e vlerësuar në raportin “Perspektiva ekonomike botërore” (World Economic Outlook), të Fondit Monetar Ndërkombëtar, më i fundit i publikuar në kohën kur ligji vjetor i buxhetit dorëzohet për miratim në Kuvend.
Në përputhje me këtë dispozitë (rregull fiskal) të LOB, ligji vjetor i buxhetit 2018 bazohet në projeksionet e mëposhtme të PBB nominale, të cilat paraqiten në mënyrë krahasimore kundrejt projeksioneve të raportit “Perspektiva ekonomike botërore” (World Economic Outlook), të Fondit Monetar Ndërkombëtar, më i fundit i publikuar më tetor 2017″.

Kryemadhi-Hahn: Luftë krimit dhe drogës qeveritare

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn. Takimi u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit ku të pranishëm ishin dhe ambasadorja e BE, znj. Vlahutin, si dhe kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Kryemadhi i shprehu falënderimet Bashkimit Europian për mbështetjen e Shqipërisë në ecurinë e procesit të integrimit europian, si dhe për asistencën financiare ndër vite për reformat integruese. Në mënyrë të veçantë kryetarja e LSI ka vlerësuar investimin e partnerëve ndërkombëtarë, BE dhe SHBA për reformën në drejtësi, por ka denoncuar bllokimin nga ana e mazhorancës aktuale të ngritjes së strukturave të Vettingut, të cilat janë shtylla kryesore të reformës.
Kryemadhi i parashtroi komisionerit faktet për situatën e rënduar politike, ekonomike dhe sociale, ku theksi është vendosur te influenca direkte e krimit të organizuar në zgjedhjet e 25 qershorit, si dhe aktualisht në instancat shtetërore apo në qeverisje. Kryetarja e LSI kërkoi nga Bashkimi Europian hapjen sa më të shpejtë të negociatave, si garanci për të luftuar bashkërisht krimin, drogën dhe korrupsionin qeveritar, për të rikthyer stabilitetin, ringritjen e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Znj. Kryemadhi ndër të tjera theksoi nevojën për një rol më aktiv, denoncues dhe paralajmërues ndaj qeverisë nga Bashkimi Europian, ku në këtë situatë ku është Shqipëria është vendimtare jo për fatin politik të opozitës, por për fatin e vendit dhe shqiptarëve.

Bylykbashi: Me Reformën Zgjedhore fund shitblerjes së votës

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi njëkohësisht bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore deklaroi se, përmes kësaj reforme duhet t’i jepet fund përgjithmonë shitblerjes së votës. Dje, ka nisur punën Komisioni i Reformës Zgjedhore. Gjatë diskutimeve deputeti demokrat, Bylykbashi kujtoi shqetësimet dhe rekomandimet e OSBE në lidhje me shitblerjen e votës dhe përfshirjen e strukturave të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve.
“Më së fundi po fillojmë Reformën Zgjedhore. Është për të ardhur keq, që ne sot jemi këtu për të trajtuar 3 raporte të OSBE. Është e papranueshme që në një legjislaturë të plotë shkeli angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Për herë të parë që nga viti 2001 dhe kjo nuk është në nderin e këtij Parlamenti OSBE-ODIHR kërkon ngritjen e një Komisionit për Reformën Zgjedhore. Vullenti politik është themeli për Reformën Zgjedhore. Ka vullnet bëhet, nuk ka nuk bëhet.
Të luftohet shitblerja e votës, sepse OSBE e ka parë me fakte si zgjedhjet janë blerë me paratë e krimit dhe drogës. Përdorimi i abuziv i shtetit për të ushtruar presion mbi zgjedhjet ka detyruar OSBE-ODIHR të nxjerrë këtë raport. Mazhoranca ka bërë atë që dihet nga të gjithë shqiptarët. Ka legjitimitetin e vet mbi shitblerjen e votës për të bërë presion mbi zgjedhësit, këto i thotë OSBE- ODIHR.
Ne sot jemi këtu sëbashku, sepse nëse nuk rregullohen standardet e zgjedhjeve, shqiptarët nuk do të kenë një qeveri legjitime. Do të kemi kohën për të diskutuar për votimin elektronik, që mos blihet vota, mos manipulohet votimi. Pra një sistem votimi elektronik përtej duarve të 40 mijë komisionerëve politik. Kjo duhet të jetë kryefjalë. Votimi i emigrantëve nuk do të jetë i sukseshëm nëse nuk vendosim standardin sot këtu. Është qesharake votimi me postë. Ju keni detyrimin t’i qëndroni Reformës Zgjedhore”, tha Bylykbashi.

Kryemadhi: Rama, një telekomandë në duart e krimit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me strukturat e Fierit të LSI-së, deklaroi edhe një herë se shqiptarët po vuajnë çdo ditë e më shumë nga gjendja e keqe që ka kapur vendin. Sipas saj, kryeministri Edi Rama, është një vegël në duar e krimit të organizuar dhe bandave. Ajo theksoi se ka ardhur momenti që shqiptarët të zgjohen dhe të vënë në vend dinjitetin dhe krenarinë që ua ka marrë Rama dhe e ka shtruar përtokë. ‘Sot jemi në një moment shumë të vështirë për Shqipërinë, prandaj zgjodhëm të jemi në opozitë, për të qenë zemra e shqiptarëve. Atë atdhedashuri dhe atë krenari që shqiptarët kanë dhënë jetën për ta mbrojtur, sot Rama e ka shtrirë në tepsi për ta lënë në dorë të bandave dhe krimit. Para disa muajsh ishim krenarë para miqve ndërkombëtarë për Shqipërinë. Ju e patë dhe vetë se çfarë publiciteti i bëri Papa Françesku Shqipërisë.
Edi Rama sot është telekomanda në duart e krimit të organizuar dhe bandave. Ne nuk ndihemi krenarë, prandaj kemi vetëm një rrugë, atë të zgjimit të shqiptarëve për të ndryshuar këtë realitet’, deklaroi Kryemadhi. Deklarata e kryeministrit Edi Rama, për vendosjen e matësve për të gjithë ata që kanë puse uji, indinjoi jo pak qytetarët shqiptarë, por pati reagim të ashpër dhe nga opozita. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë takimit me strukturat e LSI në Fier, tha se është për të ardhur keq, kur dëgjon kryeministrin që flet për matësa për puset e ujit, kur ai s’ka vënë matësa për puset e naftës, një pasuri kombëtare që po vidhet çdo ditë. Rama do të vendosi matësa për puset e ujit. Por ju në Fier e dini shumë mirë, se ai nuk ju ka vendosur taksa puseve të naftës, e cila është një pasuri kombëtare që po vidhet çdo ditë’, tha Kryemadhi.

Banorët ngrihen në protesta kundër HEC-ve mbi Valbonë

Aktivistë e banorë të Luginës së Valbonës do të protestojnë sot kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë. Pas rrëzimit të padisë së banorëve për të ndalur ndërtimet nga Gjykata Administrative e Tiranës, banorët shprehen të vendosur për të vazhduar luftën e për të mos lejuar shkatërrimin në mënyrë të përhershme të luginës. Banorët kërkojnë ndalimin dhe pezullimin e ndërtimeve të hidrocentraleve në Valbonë, respektimin dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Valbonës, si dhe ndalimin e “manipulimit nga ana e Qeverisë, e cila vendosi fitimet e një firme private para interesit publik”. Ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë është kundërshtuar vazhdimisht, herë me protesta e herë me koncerte, nga banorët e zonës, aktivistë të mjedisit e dhjetëra artistë. Hidrocentralet mbi lumin e Valbonës po ndërtohen nga kompania “Gener2”, bazuar në kontratën koncesionare nënshkruar me Ministrinë e Energjisë në vitin 2009. Banorët shprehen se ndërtimi i qoftë edhe një HEC-i të vetëm, do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme Luginën e Valbonës dhe turizmin në këtë zonë. Ata në mënyrë të vazhduar janë shprehur se qeveria po qeveris me arrogancë, pa u interesuar për qytetarët, mjedisin apo turizmin e po jep me konçesion çdo lumë e luginë për të ndërtuar hidrocentrale. Lugina e Valbonës me një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh është shpallur Park Kombëtar që në vitin 1996 dhe çdo vit vizitohet nga qindra turistë. E gjithë krahina ka investuar në aktivitete lidhur me turizmin, prej të cilit sigurojnë të ardhurat për të jetuar. Por pak kohë më parë, qeveria dha me konçesion ndërtimin e 11 hidrocentraleve në rrjedhën e lumit, ç’ka do të thotë betonizim e shkatërrim të florës e faunës së zonës dhe shkatërrimin e një prej pikave turistike më të vizituara nga turistë vendas e të huaj.

Debati Rama-“Top Channel” për të devijuar vëmendjen nga krimi

Kreu i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar për debatin e krijuar së fundmi mes Edi Ramës dhe disa mediave në vend, ku veçohet përplasja e fundit me “Top Channel”. Vasili e konsideron debatin për median shfokusim të qëllimshëm të Edi Ramës për drogën dhe krimin. “Mos u merrni me marrëzitë e tij, do të krijojë muhabete pa vlerë thjesht për ta devijuar vëmendjen”, shprehet Vasili duke paralajmëruar se në Shqipëri do të ketë media të ndershme që do të denoncojnë krimin në pushtet. “Të përgjigjet kryeministri për drogën dhe krimin, debati për median shfokusim i qëllimshëm i tij. Kryeministri u shqye më dysh që të bëjë protagonistin duke goditur mediat. Nuk ka asnjë merak ky, as për të drejtat e njeriut e as për liritë, sepse ky veç i shet e i blen ato. Kryeministri dhe parimi (parimet) janë të kundërtat e njeri-tjetrit. Ky duhet të përgjigjet deri më një për drogën dhe krimin që mbolli në Shqipëri, që e damkosi si askush tjetër këtë vend. Sa për mediat të blejë sa të dojë…Po ‘France International’, ‘Frankfurter Alegmaine Zaitung’, ‘Corriere della Sera’, ‘New York Times’, ‘The Telegraf’, a i blen dot?! Mos u merrni me marrëzitë e tij, do të krijojë muhabete pa vlerë thjesht për ta devijuar vëmendjen. Të përgjigjet kryeministri përpara task-forcës së tre milionë shqiptarëve për drogën dhe krimin epidemik. Sa për mediat, media të ndershme e me integritet në Shqipëri e në botë ka plot, që do të tregojnë çdo gjë sot e çdo ditë për pushtetin e krimit dhe krimin në pushtet”, shprehet Vasili.

Debat në Komisionin e Ekonomisë, nga po vjen rënia e euros

Gjatë gjashtë mujorit të parë të 2017-ës, euro arrit në tregun vendas nivelin më të ulët të nëntë viteve, duke u këmbyer në 27 qershor (dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare) në nivelin e 131.9 lekëve. Sipas opozitës kursi i këmbimit, i cili u reflektua edhe në uljen e borxhit, u ndikua prej aktivitetit të jashtëligjshëm në vend. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, Edmond Spaho, deputet i Partisë Demokratike, tha se në buxhetin faktik të 2017-ës niveli i borxhit do të arrijë në 71 për qind. Për 2018-ën, një ndër rreziqet që ndikonin në nivelin e borxhit, sipas ministrit Ahmetaj, ishin luhatjet e kursit të këmbimit. Për t’u mbrojtur nga ky rrezik, ministri argumentoi se borxhi në valutë do të mbahej në nivelet optimale, pa kaluar nivelin e 55 për qind të totalit të borxhit. Por sipas zotit Edmond Spaho, ulja e nivelit të borxhit publik në gjashtë mujorin e parë të 2017-ës në nivelin e 68 për qindëve nuk ishte asgjë tjetër, përveç se reflektim i rivlerësimit të borxhit me kursin e këmbimit. Ministri Ahmetaj e argumentoi me nivelin e mbivlerësuar të dollarit.