25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Me një këmbë në botëror

Kanë përfunduar 2 sfidat e para të fazës Play Off të botërorit, ndërsa Kroacia dhe Zvicra kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt Rusisë. Kështu kroatët kanë fituar me rezultatin e thellë 4-1, në derbin e Ballkanit, ndaj Greqisë. Pjesa e parë ishte vërtetë spektakolare, me Kroacinë që gjeti shumë shpejt avantazhin me anë të kapitenit Modriç.
Grekët kthyen një top te portieri Karnezis, por ky i fundit e kontrolloi keq dhe iu rrëmbye nga sulmuesi kroat Kaliniç. Portieri grek detyrohet të shkaktojë faull dhe gjyqtari italian akordoi penallti për vendasit, të cilën e dërgoi në rrjetë mesfushori i Realit të Madridit.
Vetëm pak minuta më vonë, kroatët dyfishojnë avantazhin me anë të Kaliniç, që gjendet i vetëm në zonë dhe devijon në rrjetë një pasim të ardhur nga Striniç. Grekët zgjohen dhe pas 2 tentativash, arrijnë të gjejnë golin e parë, por vetëm kaq, sepse 2 minuta më pas, Kroacia shënon golin e 3-të me anë të mesfushorit të Interit, Ivan Perisiç.
Në fillimin e pjesës së dytë është sërish mbrojtja greke që gabon në kthimin e topit dhe i dhuron kroatëve golin e 4-t, të shënuar nga Kramariç. Me fitoren 4-1, Kroacia mund ta kthejë në një shëtitje takimin e të dielës në mbrëmje, në Athinë, sepse vështirë se Greqia mund të surprizojë.
Fitore minimale, por shumë të rëndësishme mori edhe Zvicra në transfertën ndaj Irlandës së Veriut. Skuadra e drejtuar nga Petkoviç kontrolloi lojën dhe krijoi disa mundësi shënimi, por golin e gjeti vetëm në minutën e 58’.
Gjyqtari i takimit akordoi një 11-metërsh të kontestuar nga vendasit, ndërsa mbrojtësi i Milanit, Rodriguez u tregua i saktë përballë portierit dhe zhbllokoi rezultatin. Kjo fitore është mjaft e rëndësishme për Zvicrën, që gjithsesi nuk mund të qetësohet deri të dielën në mbrëmje, kur do të presë në shtëpi irlandezët.
Faza Play Off do të vijojë nesër takimin e parë të sfidës Suedi-Itali dhe të shtunën me sfidën mes Danimarkës dhe Irlandës.
58’ – Zvicra gjen avantazhin. Pas një loje mjaft të mirë, zviceranët gjejnë edhe golin e avantazhit. Mbrojtësi i majtë i Milanit, Rodriguez, ekzekuton saktë një penallti të fituar nga skuadra e tij.
49’ – 4-1. Mbrojtja greke gabon sërish dhe sërish kroatët nuk falin. Kramariç shënon golin e 4-t, me portën e boshatisur.
33’ –Është mesfushori i Interit, Ivan Perisiç, që shënon me kokë, pas një krosimi të ardhur në zonën e grekëve.
30’ – Greqia shënon dhe rihap sfidën.
19’ – Kroacia dyfishon avantazhin. Një aksion mjaft i bukur i kroatëve, me Striniçin që zbret nga e majta dhe gjen të zbuluar sulmuesin e Milanit, Kaliniç. Ky i fundit nuk fal, duke goditur me thembër dhe shënuar golin e dytë.
12’ – Modriç kalon Kroacinë në avantazh, nga pika e penalltisë. Grekët kthejnë një top te portieri Karnezis, por ky i fundit e kontrollon keq dhe i rrëmbehet nga sulmuesi kroat Kaliniç.

Paratë e drogës, mbipopullim me pallate, ulen çmimet e apartamenteve

Banka e Shqipërisë ka konfirmuar atë që kishte paralajmëruar më herët, mbi rënien e çmimit të banesave në treg, një tendencë kjo e shfaqur në pjesën e parë të vitit, por e lakuar edhe nga ndërtuesit. Gjithsesi ritmi i rënies ka qenë më i ulët sesa periudha janar-qershor 2017.
Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e tretë të këtij viti nënvizon se rënia vjetore e indeksit të çmimit të banesave ishte 2.8% krahasuar me 5.9% dhe 11.5% në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit.
Tremujori i tretë i vitit ka shënuar një pikë kthese për indeksin tjetër që lidhet me qiratë e banesave. Ky i fundit ka qenë në rritje për katër tremujorë rresht, por që për korrik-shtator ka regjistruar rënie me 5.3 për qind. Tendenca e rënies që qirave duket se lidhet me një ofertë të bollshme në treg. Tradicionalisht ka një pritshmëri për çmime më të kripura sidomos në shtator për shkak të studentëve, të cilët nisin vitin shkollor në tetor.
Banka Qendrore nënvizon se zhvillimet më të fundit në çmimet e tregut të banesave e kanë afruar raportin e çmimeve ndaj qirasë me mesataren afatgjatë të dhjetë viteve të fundit.
Aktualisht, çmimet e apartamenteve brenda Unazës në Tiranë variojnë nga 1000-2000 euro për metër katror, por ka dhe disa zona elitare si tek Televizioni Shqiptar, ku çmimi i apartamenteve ka arritur në 3,000 euro për metër katror. Kryeqyteti shqiptar ka shumë të lirë periferinë, me rreth 500 euro për metër katror, ndonëse kanë shënuar një rritje prej 15-20% së fundmi.

Tirana, ndër më të shtrenjtat për të blerë një apartament

Luhatjet në indeksin e çmimit të banesave që ndryshojnë herë pas here, nuk ndryshojnë dot faktin se Shqipëria mbetet ndër vendet, ku përballimi i blerjes së një apartamenti matur me fuqinë blerëse është i vështirë duke renditur Tiranën në vendin e 241 nga 267 qytete, apo e katërta më e shtrenjtë në Europë.
Të dhënat bëhen të ditur nga Numbeo, që rendit 267 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).
Ndonëse në vlerë absolute, një apartament mesatar në Tiranë kushton 70 apo 100 mijë euro, duke pasur parasysh të ardhurat e ulëta, duhet një kohë shumë e gjatë për t’u bërë pronar i tij, në krahasim me një apartament në Vjenë, Paris, Nju Jork, Milano, Firence, Lisbonë, Barcelonë, Stamboll, Gjeneve etj.
Në Tiranë, sipas këtij indeksi, duhen 18.3 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Paris, një familjeje i duhen 16.4 vite, në Vjenë 12.9 vite. Në Nju Jork duhen 10 vite, në Zyrih 10.1, në Milano 17.8 vite. Në Barcelonë mjaftojnë 13.1 vite.

 

Basha-Ramës: Tani je një autokrat i zhytur në drogë, krim e korrupsion, pa lidhje me publicistin

Lulzim BASHA

 

Edi Rama si nje censurues i dobët shtrembëron qëndrimet e mija për mediat. Nuk ka dhe nuk ka për të patur kurrë sulm timin kundër gazetarëve. Ka patur dhe do të ketë kritika për ata pronarë që nuk lejojnë gazetarët të raportojnë te vërtetën.
Nga publicisti i dikurshëm Edi Rama nuk ka mbetur asgjë. Ai tani është një autokrat i zhytur në korrupsion, drogë dhe krim, që sulmon gazetarët dhe mbron e promovon kriminelët. Vreri dhe urrejtja që ai nxjerr përditë kundër gazetarëve, bën kontrast jo vetëm me pazaret dhe favoret për disa nga pronarët e medias, por në vecanti me mbrojtjen dhe kujdesin që shpreh me fjalë e me vepra për Roshët dhe Tahirët me shokë.
Krimi, korrupsioni dhe kapja e shtetit janë problemet që po e shkatërrojnë Shqipërinë. Gazetarët që ngrenë zërin kundër tyre dhe i kërkojnë llogari kryeministrit, i shërbejnë njerëzve dhe të ardhmes së vendit. Zëri i tyre duhet mbrojtur, zërit të tyre duhet t’i bashkojmë zërat tanë për të denoncuar dhe ndalur të keqen.

“Radio France Internationale” : Rama i kapur nga baronët e drogës, Lu nuk ka shanse të dëgjohet

Jean-Aranult Derens

Jo vetëm policia mbronte prodhimin e kanabisit, por edhe bazat ajrore dhe detare të ushtrisë janë përdorur për të eksportuar drogën, ndërkohë që paratë e fituara janë përdorur për të financuar fushatën elektorale të PS së Edi Ramës.
Rreth 20 deputetë socialistë kanë qenë të dënuar në të kaluarën për trafik droge ose për lidhje me trafikun e drogës. Në fund të tetorit, kushurinj të ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, janë arrestuar në Sicili, ndërkohë që Prokuroria shqiptare ka kërkuar arrestimin e ish-ministrit të brendshëm, por Edi Rama dhe partia socialiste kanë refuzuar heqjen e imunitetit.
Gjithashtu edhe trafiku i heroinës e kokainës përmes Shqipërisë, së ardhur nga Turqia dhe tranzituar në Maqedoni, është rritur. Ka të dhëna që klanet shqiptare janë duke marrë tregun e drogave të forta që më parë kontrolloheshin nga serbët dhe malazezët.
Gjithashtu edhe trafiku i heroinës e kokainës përmes Shqipërisë, së ardhur nga Turqia dhe tranzituar në Maqedoni, është rritur. Ka të dhëna që klanet shqiptare janë duke marrë tregun e drogave të forta që më parë kontrolloheshin nga serbët dhe malazezët. Për një kohë të gjatë ambasadat perëndimore në Tiranë kanë mbyllur sytë, ndërkohë që Shqipëria prej disa vitesh ka hapur negociatat për anëtarësim në BE. Në fakt ato nuk donin të vinin në vështirësi Edi Ramën, të cilin e vlerësonin për retorikën e tij pro-europiane i cili ishte perceptuar gjithashtu si një garant i stabilitetit të Shqipërisë dhe Ballkanit. Por dimensioni që ka marrë kjo kultivimi dhe trafikimi i drogës j e ka tronditur rëndshëm këtë pozicion të Shqipërisë. Raportet e fundit të Guardia di Financa dhe të policisë doganore italiane janë të tmerrshme si edhe studimet më konfidenciale të shërbimeve sekrete të vendeve perëndimore.
Këto ditët e fundit ambasadori amerikan Lu ka ngritur tonin duke kërkuar “rezultate konkrete” në luftën kundër krimit të organizuar, por ky mesazh nuk ka shanse të dëgjohet. Në 30 tetor shefi i shërbimit sekret shqiptar ka dhënë dorëheqjen sepse ai nuk kishte mundur të suportonte presionet politike që i bëheshin për të penguar hetimin e trafiqeve të drogës.
Pyetja që shtrohet është nëse kryeministri Edi Rama është ende i aftë të shkëputet nga kapja e rrezikshme prej kriminelëve dhe baronëve të drogës”.

Pse Hahn largoi Vlahutin nga takimi me Bashën

Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn nuk e kishte parashikuar që takimi me Lulzim Bashën do të zgjaste më shumë se dy orë në zyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike. Mendohej se takimi do të ishte një takim diplomatik rutinë, me rastin e vizitës së tij në Shqipëri. Por në një moment të takimit, Hahn i ka kërkuar Bashës që biseda të vazhdojë vetëm për vetëm. Në këtë moment delegacioni që e shoqëronte është larguar dhe Hahn ka vazhduar takimin me Bashën për të qëndruar për rreth 2 orë me këtë të fundit. Në vizitën në selinë e PD-së, Hahn shoqërohej nga Romana Vllahutin, shefja e delegeacionit të BE-së në vendin tonë. Ajo u largua shumë më herët nga selia e PD-së, sesa Hahn thanë burime pranë PD-së.

Një takim kokë më kokë, Lulzim Basha e pati disa ditë më parë me Ministrin e Brendshëm italian, Marko Miniti, që erdhi në Tiranë pas arrestimit të bandës së Habilajve. Mesazhi i Marko Minitit ishte një nxitje e policisë për të arrestuar të paprekshmit. Ajo që mund të thuhet është se Basha po shikohet gjithnjë dhe më shumë si partneri kryesor në Shqipëri i Uashingtonit dhe Brukselit dhe se zgjidhja e krizës politike po afron gjithnjë dhe më shumë partnerët me Bashën. Kërkesa e Hahn për të biseduar kokë më kokë me Bashën pa praninë e Ambasadores është një shenjë që flet jo vetëm për raportin e ri të Brukselit me kreun e opozitës, por edhe për raportet e ndryshuara me Ramën.

Po ikin, drejtues i Policisë së Vlorës largohet me 6 milionë euro

Narko-qeverisë i është dhënë kohë për t’u larguar? Zyrtarë të lartë të qeverisë po ikin dhe të tjerë janë bërë gati për tu larguar nga vendi.
Një drejtues i Policisë së Vlorës është larguar nga Shqipëria me 6 milionë euro para të siguruara nga trafiku i drogës dhe krimi i organizuar. Ngjarja dihet tashmë nga autoritetet zyrtare dhe është e konfirmuar zyrtarisht largimi i tij nga vendi përmes hyrje daljeve në sistemin Tims.
Bëhet fjalë për një drejtues policie në zonën ku kishin aktivitetin kryesor të trafikut të drogës grupi i Habilajve dhe Tahirit. Pikërisht nga kjo zonë tani Policisë së Shtetit i mungon një drejtues policie. Ministri i Brendshëm nuk ka përse të fshehë këtë ngjarje të rëndë, por duhet të bëjë transparencë të plotë të kësaj historie me sfond të dukshëm të lidhjeve të krimit të organizuar me policinë. Ministria e Brendshme duhet të sqarojë ku ka shkuar drejtuesi i policisë? Si është larguar nga Shqipëria dhe nëse ka qenë në hetim?
Faktet janë bërë publike mbrëmë në emisionin “Opinion” nga gazetari Basir Çollaku.
Fakte të tjera janë publikuar po ashtu në lidhje me makinën e Orest Sotës, njeriut të Tahirit, i cili u kap me 863 mijë euro. Paratë janë gjendur në dy thasë.
Gazetari Basir Çollaku ka këmbëngulur se ka detaje të reja lidhur me arrestimin e Orest Sotës. Sipas tij, Sota e ka blerë “Land Roverin” 5 ditë para arrestimit dhe nuk është në emrin e tij, por në emrin e një subjekti ndërtimi. Çollaku ka shtuar se mjeti prej kohësh ka qenë nën përgjim dhe operacioni është dekonspiruar.
“Përpjekja e policisë për të mos i dhënë njoftimet reale se me çfarë mjeti ka lëvizur personi i ndaluar, sepse ka qenë në përgjim të autoriteteve të huaja dhe ajo që unë di, ka të bëjë me faktin që operacioni është lënë në mes dhe është dekonspiruar. Paratë që janë gjetur janë kusur dhe mjeti ishte nën vëzhgim për të parë se ku do të shkonin këto para.
Në mjet kanë qenë 4 persona. Personat që janë larguar kanë marrë sasinë më të madhe të parave, kur janë larguar. Në mjet ka qenë edhe një nga personat në kërkim, pjesë e grupit kriminal të trafikut, duke shoqëruar ngarkesën e parave”, tha Çollaku.
Gazetarja Klodiana Lala në studion e emisionit “Opinion” ka shkuar më tej, kur ka dhënë qëndrimin e saj mbi vrasjen e një shqiptari pasditen e së mërkurës në Ekuador. Ky është rasti i dyti i ekzekutimit të një shqiptari në këtë vend, për çështje të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës.
E pyetur nga drejtuesi i emisionit, nëse këta persona janë njerëz të njohur në Shqipëri, Lala u përgjigj: “Unë besoj që janë pjesë e atyre familjeve mafioze që përmendi ambasadori amerikan. Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar në studion e emisionit “Opinion” se, një zyrtar i lartë në qytetin e Elbasanit është duke u hetuar për çështje pasurie.
E pyetur nga drejtuesi i emisionit, nëse ai është një zyrtar i zgjedhur apo i emëruar, Lala ka konfirmuar se është një zyrtar i zgjedhur. Nuk dimë nëse është fjala për kryebashkiakun sikurse dikush nga të ftuarit në panel aludoi, apo ndoshta ndonjë nga deputetët e zonës. Kjo mbetet për t’u parë.

Vettingu, 20 efektivëve të lartë u refuzohet rinovimi i çerfikatës së sigurisë

 

Vettingu në polici do të startojë në janar, ndërsa në “sitën” e organeve që do të verifikojnë pastërtinë e figurës së efektivëve do të kalojnë fillimisht drejtuesit e lartë, duke nisur me kryepolicin Haki Çako. Komisionet e Vlerësimit pritet të jenë të ngjashëm me ato për vetingun e gjyqësorit. “Ai është modeli që do të ndjekim, por këtë kemi të bëjmë me një forcë sigurie, jo një pushtet siç është gjyqësori. Ideja është që organet e vetingut të jenë të pavarura nga Ministria e Brendshme apo qeveria”, thotë Julian Hodaj, zv/ministër i Brendshëm.
Ashtu si në operacionin “Forca e ligjit”, edhe në këtë proces, ekspertët e huaj do të jenë të pranishëm. “Ata do të kenë rol monitorues dhe këshilluar për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent”, shpjegon Hodaj. Por vetingu në polici duket se ka nisur para janarit. Sipas burimeve rreth 20 efektivëve të lartë i është refuzuar rinovimi i çerfifikatës së sigurisë për njohjen e informacioneve të klasifikuara, për arsye të paqarta.
Po ashtu, gjurmët e gishtave të gjithë trupës së Policisë, Gardës së Republikës dhe punonjësve të shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesave, u janë dërguar Interpolit dhe Europolit për të zbuluar indivitë me të shkuar kriminale jashtë vendit. Gjatë vetingut nuk përjashtohet mundësia që për raste specifike të përdoret edhe poligrafi apo siç njihet ndryshe makineria e së vërtetës.

Prokuroria, hetim me ligjin Antimafia llogarive dhe pronave të Tahirit

Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bazë të ligjit Antimafia, nisi zyrtarisht dje hetimin pasuror për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili dyshohet për përfshirje në grupin kriminal “Habilaj”. Burime pranë organit të akuzës thanë se, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së pasurisë së personit nën hetim dhe personave të lidhur me të, iu janë dërguar shkresa bankave të nivelit të dytë, Tatimeve, Doganave dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Raportim është kërkuar edhe nga Drejtoria e Transportit Rrugor për makinat që janë në emër të ish-ministrit. Të dhëna Prokuroria ka kërkuar edhe OSHEE, por pa specifikuar se për çfarë do të shërbejnë në hetimin e kësaj dosje.
Krimet e Rënda me këtë veprim hetimor kërkojnë që të hedhin dritë mbi dyshimet që ata kanë se Saimir Tahiri ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës që kryente grupi “Habilaj” dhe për këtë, ai ka përfituar shuma të ndryshme monetare.
Burimet konfirmuan nisjen e hetimit pasuror edhe për biznesmenin Orest Sota, i cili u arrestua pak ditë më parë në Elbasan, pasi në makinën luksoze me të cilën udhëtonte iu gjetën 863 mijë euro, dy patenta për mjete lundruese të ish-ministrit të Brendshëm dhe një e bashkëshortes së këtij të fundit.
Në fakt, hetimi pasuror ka nisur për të gjithë emrat që përmenden në dosjen “Habilaj” dhe jo vetëm. Dosja ndaj Sotës fillimisht po hetohej nga Prokuroria e Elbasanit, por tashmë është kaluar për kompetencë të Krimeve të Rënda. Kjo pasi mbi të rëndojnë dyshimet për pastrim parash, ndërsa po verifikohen dhe lidhjet e tij të mundshme me ish-ministrin e Brendshëm. Prokurorët pritet të marrin dëshminë e shoferit të Tahirit, me të cilin 25-vjeçari ka deklaruar se ka miqësi dhe mund të jetë ai personi që ka harruar dokumentat në automjet.

Destabilitet nëse Rama nuk largohet nga pushteti

 

Kreu i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje se vendi do të përfshihet nga destabiliteti në rast se Rama nuk largohet nga pushteti e bashkë me të krimi që sot ka kapur ekonominë dhe qeverisjen e vendit. Basha u bëri thirrje qytetarëve, deputetëve dhe gjithë shoqërisë të mos heshtin, por të reagojnë me forcë ndaj asaj që po ndodh sot në vend, ku krimi i organizuar dhe mafia e drogës kanë kapur qeverinë e po drejtojnë vendin. Basha u bëri thirrje të gjithë socialistëve të hapin sytë e të shohin të vërtetën në sy, atë se çfarë po ndodh vërtet me vendin dhe se cilat janë qëllimet e vërteta të Ramës në mbajtjen dhe ndarjen e pushtetit me krimin. Basha paralajmëroi Ramën se fundi i tij dhe pushtetit të tij me krimin do të jetë shumë i afërt, ndërsa deklaroi se beteja e opozitës në largimin e tij do të vijojë deri në fitoren e saj. “Dy janë aleatët më të mëdhenj të krimit dhe të së keqes: heshtja dhe vetmia. Ndaj së pari, nuk duhet të heshtim. Heshtja ndaj drogës, heshtja ndaj kriminelëve në Kuvend, heshtja ndaj Saimir Tahirit, është një nga arsyet që droga mori përmasa të jashtëzakonshme. Ndaj nuk duhet përsëritur më kurrë e njëjta gjë. Siç këshillonte gjyqtari hero i luftës kundër mafias, Paolo Borsellino: ‘Flisni për krimin. Flisni në radio, flisni në televizion, flisni në gazeta. Flisni kudo, por flisni. Flisni kundër tyre që heshtën. Flisni kundër atyre që u përpoqën të mbyllin gojët e ndershme. Flisni kundër atyre që u bënë vegla për mbrojtjen e drogës’. Së dyti, nuk duhet të ndiheni të vetmuar, të shkëputur e të ndarë nga njëri-tjetri. Në shoqëri, në politikë qëllimi i të gjithë shqiptarëve që nuk janë përfshirë me krimin është një: një Shqipëri të çliruar nga krimi, ku sundon ligji, një Shqipëri ku ka drejtësi, ku ka liri dhe konkurrencë të ndershme. Ndaj pavarësisht ndarjeve që mund të kemi për shumë gjëra, në këtë betejë duhet të jemi bashkë, duhet të mbështesim njëri-tjetrin.
Që ta arrijmë këtë duhet së pari të pranojmë të vërtetën. Leonardo Sciascia që shkruajti kundër mafias thoshte: ‘E vërteta është në fund të pusit: vështron në një pus dhe sheh diellin dhe hënën, por kur futesh brenda nuk ka më as diell dhe as hënë, kjo është e vërteta’. Ju që deri më sot heshtët; ju që deri dje besuat tek Edi Rama; ju që deri më sot u joshën; duhet të shihni të vërtetën në fund të pusit. E vërteta është e thjeshtë: në Shqipëri nuk do të ketë as stabilitet, as rend, as drejtësi, as liri, as demokraci, as përparim me Edi Ramën në krye të qeverisë. Shqipëria dhe politika shqiptare ka njerëz të ndershëm dhe të zotë. Vetë Partia Socialiste ka njerëz të ndershëm dhe të zotë. Ndaj për politikën shqiptare, por edhe për vetë Partinë Socialiste është e pafalshme që ia kanë dorëzuar pushtetin Edi Ramës.
Sot është koha që shoqëria, politika, por edhe vetë Partia Socialiste të shohin të vërtetën në sy dhe të kuptojnë se Edi Rama është simptoma e një kanceri në trupin e vetë shoqërisë tonë, i cili do t’i prekë, herët a vonë të gjithë njerëzit, demokratë, socialistë a çfarëdo preference politike apo jopolitike të kenë. E vërteta tjetër e madhe është se e vetmja arsye pse Saimir Tahiri është i lirë dhe Edi Rama është ende në pushtet është se ne nuk kemi reaguar. Kur ne të bëhemi të gjithë bashkë, mijëra shqiptarë të bashkuar përballë Edi Ramës, përtej ngjyrimeve politike, përtej paragjykimeve, atë çast pushteti i Edi Ramës merr fund. Dhe bashkë me të edhe pushteti i krimit. Kjo ditë do të vijë. Shpejt”, tha Basha.

Koha kur populli duhet të ngrejë zërin

Në emër të PD dhe opozitës, Basha ftoi dje gjithë shoqërinë shqiptare që të ngrihet dhe të reagojë, të ngrejë zërin e saj kundër krimit në pushtet dhe largimin e tij nga qeverisja e vendit. “Largimi i krimit nga pushteti do të fillojë vetëm ditën kur Edi Rama të largohet nga zyra e kryeministrit. Nëse ikën ai, pas tij do të ikin të gjithë me radhë, të gjithë politikanët e lidhur me krimin dhe e gjithë shpura e tyre kriminale. Largimi i Ramës nga zyra e kryeministrit do të jetë akti më i madh antimafie dhe antikrim që ka ndërmarrë ndonjëherë Shqipëria. Çdo ditë që ai qëndron në pushtet është një ditë e mjeruar për Shqipërinë dhe një ditë e shkëlqyer për krimin. Ndaj, sot është koha për të ngritur zërin të gjithë si shoqëri. Nëse duam të jemi një shoqëri europiane duhet të fillojmë të sillemi si një shoqëri europiane. Asnjë vend europian, asnjë popull europian nuk mund të pranojë politikanë të inkriminuar si Edi Rama”, theksoi Basha.

Rama polici sekrete për mbrojtjen e vetes e peshkaqenëve pranë tij

Është skandaloze nisma e ndërmarrë nga Rama për t’i dhënë strukturës së tij të re policore atributet e Prokurorisë, ndërsa kërkon të bëjë vetë arrestimet e personave që pengojnë rrugën e qëllimeve të tij. Basha tha se i vetmi qëllim i kësaj nisme nga Rama është mbrojtja e lidhjeve të tij me krimin, si dhe mbrojtja e njerëzve pranë tij të lidhur ngushtë me trafikun e drogës për llogari të Ramës. “Edi Rama nuk duhet lejuar as të mashtrojë më popullin dhe as t’i shpëtojë më drejtësisë, siç po përpiqet të bëjë. Po, po. Dy ditë më parë, zëvendësi i Fatmir Xhafajt njoftoi se ata do të bëjnë arrestime. Në fakt ministri i Brendshëm dhe zëvendësi i tij bënin arrestime dhe pushkatime në fazën e parë të karrierës të Fatmir Xhafajt, jo sot. Sot arrestimet i bën Prokuroria. Po pse deklaron zëvendësministri politik se ata do të bëjnë arrestime? Sepse, kjo kupolë politike do që t’i japë të drejtën të bëjë policin gjyqësor, prokurorin dhe gjyqtarin. Shikoni! Është e njëjta kupolë politike që refuzoi t’i hiqte imunitetin skafistit me patentë 100 tonëshe, Saimir Tahirit të kapur gafil nga përgjimet e antimafias, e njëjta kupolë që e mbrojti Tahirin, që tani njofton aksione politike me arrestime. Dhe nuk bëhet fjalë për të arrestuar Tahirin apo Xhafajn (të voglin) apo Sejdinin apo dyshen Dako-Çela apo politikanët e kriminalizuar dhe korruptur.
Jo! Synimi është që këta të mbrohen. Këta janë të paprekshmit. Këta janë peshkaqenët në oqeanin e krimit dhe të korrupsionit shqiptar. Këta duhet të mbrohen. Se ndryshe shkon steka lart. Te shefi i madh në Tiranë, siç thonë kriminelët në përgjimet e antimafias. Kapja e drejtësisë ka qenë synimi kryesor i Edi Ramës, sapo erdhi në pushtet. Partia Demokratike dhe opozita nuk e lejoi atë ta kapte sistemin përmes reformës në drejtësi. Kjo ishte një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët dhe për vendin. Imagjinoni për një moment sikur opozita të mos kishte reaguar dhe të ishte krijuar Byroja e Hetimit në Ministrinë e Brendshme në varësi të Saimir Tahirit?! Në varësi të kryetrafikantit me pushtet ministri. Do të ishte rrezikuar jo vetëm rendi dhe siguria publike në Shqipëri, por edhe siguria e aleatëve tanë euroatlantikë. Ndaj ishte arritje e madhe që Byroja e Hetimit do të jetë nën Prokurorinë e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Basha.

Rama po tenton të krijojë Prokurori private dhe kapjen e drejtësisë

Përpjekjet e Ramës dhe Xhafajt për të dubluar punën e Prokurorisë duke ngritur një strukturë me qëllimin e një Prokurorie private janë cilësuar dje nga Basha si një tentativë e pastër e Ramës për të kapur Prokurorinë. Kreu i PD, Basha e cilësoi si të pavlerë nismën e Ramës për të ngritur një polici sekrete, ndërsa tha se e vetmja polici që do të mund të luftojë krimin do të jetë policia e depolitizuar pa Ramën në qeverisje, si dhe një drejtësi e pavarur. “Por tani që i kanë dalë petët lakrorit, tani që skandali Tahiri-Habilaj e ka ekspozuar para hetimeve që sapo kanë nisur, Edi Rama do që të krijojë Prokurorinë e tij private. Nën drejtimin politik të Fatmir Xhafës, kjo do të ishte një mburojë për të dhe shpurën e tij dhe një mashë për të kërcënuar, shantazhuar dhe persekutuar këdo që bëhet pengesë për të dhe kupolën e tij. Nëse doni të dini si do të funksiononte kjo Prokurori private e dyshes Rama-Xhafaj, mjafton të kujtoni Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Saimir Tahirit. Ishin agjentët e hetimit të brendshëm ata që rrëmbyen në mënyrë mafioze në mes të natës Dritan Zaganin me urdhër politik dhe e flakën në qeli pa asnjë akuzë, pa asnjë provë, pa asnjë fakt. Krimin mund ta luftojë vetëm një polici e depolitizuar, një Prokurori e pavarur dhe një gjykatë e ndershme. Krimin mund ta luftojë vetëm një polici që merr urdhra nga ligji dhe jo nga politika. Një polici që nuk i përkulet politikanëve dhe nuk u shërben politikanëve.
Heronjtë kundër krimit nuk janë figurantët që i mbledh si tufë kryeministri për t’u mbajtur fjalime delirante që ata i dëgjojnë në heshtje. Krimin nuk e luftojnë policët që bëjnë politikë, por profesionistët e papërkulur që e përndjekin krimin në rrugë, në sheshe, në laboratorë, në patrulla dhe aksione. Në Shqipëri ka patur përherë, ka dhe do të ketë gjithmonë policë të zotë dhe të ndershëm që i shërbejnë ligjit dhe atdheut dhe jo krimit dhe politikës së lidhur me krimin. Ata dhe vetëm ata janë garancia për një të nesërme më të mirë. Por që këta policë të bëjnë punën e tyre, duhet që qeverisja të çlirohet nga politikanët që i shërbejnë krimit. Njerëz si Saimir Tahiri e kanë vendin në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Brendshme. Këta njerëz duhet të kenë në duar prangat e drejtësisë dhe jo çelësat e pushtetit. Kanabisi dhe krimi mori këto përmasa para së gjithash për shkak të lidhjes së këtij kryeministri dhe kupolës së tij me krimin. Kur krimineli arrin të hyjë në Kuvendin e Shqipërisë, çfarë vështirësie ka që ai të mbjellë parcela droge në male, kodra apo edhe fushat e vendit. Kur krimineli kontrollon Kryeministrin, ç’vështirësi ka ai që të blejë një doganier të kufirit apo një polic apo kryepolicët apo vetë ministrin e Brendshëm? Nëse politika furnizohet me vota dhe para nga krimi, Shqipëria dhe Europa do të furnizohen me drogë. Çdo trajtim i problemit të krimit të organizuar në Shqipëri thjesht si problem teknik nuk e ndihmon Shqipërinë. Çdo strategji teknike për luftën kundër krimit do të jetë dështim i sigurt. Krimi në Shqipëri është problem politik dhe zgjidhja e tij mund të fillojë vetëm nga politika. Ditën që Edi Rama hyri në godinën e kryeministrisë, në Shqipëri erdhi krimi në pushtet”, u shpreh kreu i PD.

A.Shahini