Drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato ka zhvilluar dje një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për 863 mijë eurot që u gjetën në makinën e biznesmenit Orest Sota në Elbasan si dhe për 2 patentat për mjete lundrimi në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri. Burimet bënë të ditur se takimi mes drejtorit të Policisë së Elbasanit dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda ka nisur në orën 14:00. Bëhet e ditur se në takim është folur për arrestimin e Sotës dhe për 863 mijë eurot dhe dy patentat në emër të Tahirit të gjetura në makinë
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe 2 leje drejtimi për mjete lundruese në emër të Saimir Tahirit. Policia mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në deklaratën e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen në makinën e Sotës të dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese të Tahirit. Sota tha se shumën e parave e kishte për të shlyer disa pagesa në kompaninë “Kurum”, ndërsa patentat i kishte harruar shoferi i Tahirit me të cilin ai kishte miqësi. Ndërkohë, Administratorja e kësaj kompanie e marrë në pyetje nga Prokuroria ka rrëzuar versionin e Orest Sotës se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e tij, ai do t’i linte garanci në këtë kompani. Financierja e kompanisë “Kurum” ka deklaruar se, Kompania “Kurum” nuk priste të merrte para nga kompania e Orest Sotës apo babait të tij, Lefter Sota.
Prokuroria e Krimeve të Rënda nëpërmjet Drejtorisë së Pastrimit të Parave po kryen verifikimin e pasurisë së Orest dhe Lefter Sotës. Veprimet nisën pas arrestimit të 25-vjeçarit Sota në qytetin e Elbasanit pak ditë më parë, ku në automjetin e tij, tip “Land Rover”, u gjendën patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si edhe shuma prej 863 mijë eurosh. Sipas burimeve, veprimi i parë që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte sekuestrimi i regjistrave të shitblerjes pranë kompanisë së Çelikut “Kurum” në Elbasan. Emri i biznesmenit Lefter Sota dhe djalit të tij Orest, nuk ka figuruar të paktën nga janari i 2017-ës e në vazhdim në regjistrat financiarë të kompanisë së hekurit.
Gjithashtu, organi i akuzës ka kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë në vendin tonë, nëpërmjet Njësisë së Inteligjencës Financiare, për të parë nëse 863 mijë euro kanë qenë të depozituara më parë në sistetmin bankar shqiptar. Prokurorisë i duhen prova për të përcaktuar kohën kur shuma e eurove është tërhequr nga Orest Sota ose babai tij Lefteri.
Orest Sotës iu kanë sekuestruar 2 aparatet celulare me qëllim për të mësuar nëse ka pasur komunikim me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë kohëve të fundit. Ndërkohë, pasdrekën e së enjtes, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka qenë i pranishëm edhe drejtori i komanduar në Drejtorinë e Policisë vendore të Elbasanit, Altin Qato. Ende nuk dihet nëse ky takim u krye me kërkesë të organit të akuzës që lidhet me çështjen Sota, apo çështje të tjera që janë nën hetim.
Asetet pasurore po hetohen edhe për 25-vjeçarin Orest Sota, i arrestuar pak ditë më parë në Elbasan, pasi nuk i ndaloi policisë në një kohë, që në automjet iu sekuestruan 863 mijë euro dhe dy patenta lundrimi të Tahirit.
Dosja e Sotës i është bashkëngjitur çështjes Habilaj, por prokurorët po kërkojnë informacione jo vetëm për burimin e kësaj shume, e cila justifikohet nga Lefter Sota, se janë fitimet në vite nga bizneset e tij.
Në hetimin pasuror për familjen Sota, prokurorët kanë kërkuar të gjithë tenderat e fituar nga shoqëritë e familjes, si edhe transaksionet bankare me Kurum, duke qenë se Orest Sota pretendon që këtë shumë do ta dorëzonte si garanci për blerje hekuri.
Drejtori i Policisë së Elbasanit, në Prokurori për 863 mijë eurot
2 mijë euro për 1 vend pune, arrestohet ushtaraku
Një zyrtar i Policisë Ushtarake i ka marrë 2 mijë euro një qytetari për ta punësuar. Bëhet e ditur se është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, Deraldo Kamberi 23 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë punonjës i Policisë Ushtarake në Vlorë. Po kështu është arrestuar edhe sekseri Erlind Varfi, 23 vjeç, banues në Vlorë.
Të dy këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë marrë një shtetasi, një shumë vlerash monetare prej 2000 euro me premtimin se do ta ndihmonin të punësohej në Strukturën e Forcave të Armatosura. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën e vlerave monetare prej 2000 euro.
Lirohet nga burgu një tjetër i dënuar për vrasje dhe përdhunime
Ilir Paja është liruar sot nga Gjykata e Krujës, teksa i kishte mbetur edhe një vit nga vuajtja e dënimit. Personazhi i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet italiane ishte dënuar me 6 vjet burg nga Gjykata shqiptare si fajtor i “plagosjes së rëndë me dashje” të një polici, gjatë operacionit për arrestimin e tij, në mars 2008, në Tiranë.
Prokuroria për Krimet e Rënda i kishte kërkuar Gjykatës dënimin e të pandehurit Ilir Paja me 25 vjet burg dhe 3 milionë lekë gjobë, por për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar në Gjykatën për Krimet e Rënda e uljes që përftohet prej tij, përfundimisht Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 16 vjet e 8 muaj heqje lirie dhe 2 milionë lekë gjobë.
Sipas organit të akuzës, Paja akuzohej për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.
Dosja në fjalë është plotësuar me materiale dhe prova të mbërritura me letërporosi nga ana e autoriteteve italiane të hetimit. U mësua se në dosje ndodhen procesverbalet e marrjes në pyetje të 19 personave në Itali, si edhe provat e mbledhura nga hetuesit italianë, në lidhje me ngjarjet e shënuara nga Paja në një hark kohor prej tri ditësh. Referuar kërkesës për gjykim, të depozituar më 15 korrik në Gjykatën për Krimet e Rënda, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja, janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali.
Bëhet fjalë për kohën ndërmjet arratisjes së tij të parë të qershorit 2006 nga paraburgimi i Perugias dhe deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Sipas organit të akuzës në këtë periudhë, Paja dyshohet të jetë autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj.
Referuar hetimeve, Paja kishte qëlluar me pistoletë dhe ka plagosur shtetasit Gonzalo Ramirez dhe plagosur Enrike Erelana, ndërsa i pari ka ndërruar jetë një ditë më pas. Një tjetër episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.
Mësohet se vendimi për Pajën, të cilit i kishte mbetur më shumë se një vit dënim, është dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila liroi pak ditë më parë Genc Tafilin, duke ngritur diskutime dhe polemika në opinionin publik.
Afera e Ishmit, Xibraka dhe tre milionë eurot
Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbardhur dje në Parlament se Saimir Tahiri i ka çuar në zyrë Ramës 3 milionë euro për t’i shpëtuar burgut. “Si shpëtoi Saimir Trafiku burgut do thoni ju? I dërgoi 3 milionë euro në zyrë Noriegës tuaj, ja kështu shpëtoi”, tha Berisha. Berisha deklaroi mënyrën se si Rama udhëhiqet në vendimet e tij nga paratë e drogës. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Berisha bëri të ditur se Edi Rama nuk e shkarkoi Saimir Tahirin nga detyra e ministrit të Brendshëm gjatë kohës që droga transportohej me avionë, pasi Tahiri i çonte atij në zyrë miliona euro nga paratë e drogës.
Berisha ka treguar edhe dosjet me të cilat Tahiri po shantazhon Ramën dhe ato nuk janë pak, por janë prova me të cilët Tahiri ka bërë që Rama të ndryshojë mendim për imunitetin e Tahirit.
“Erdhi dosja, tashmë jo nga opozita, por nga Franko Roberti, një nga prokurorët më të shquar të Italisë. Çfarë ndodhi të nderuar socialistë? Kanabistët në Parlament hodhën poshtë dosjen. Edi Rama, i cili momentin e parë pasi e kishin njoftuar italianët, e lëshoi në humnerë Saimir Tahirin. Por kur i tregoi kokën e Olsit, Tahiri, i nxorri Xibrakën, i nxorri dhe eurot që i kishte dhënë për Ishmin, i nxorri dhe aferat e tjera dhe Rama tha dale se ky është burrë i mirë nuk është burrë i keq, dhe mbylli provat. Bllokuan për herë të parë në 27 vite heqjen e imunitetit. Po pse e bllokuan? Sepse shumica prej tyre këtu kanë ardhur me pare kanabisi. Pra e bllokuan drejtësinë në një akt unik në 27 vite”, tha Berisha.
“Po ju drejtohem juve socialistë, që nuk jeni të kanabizuar. Juve që nuk e shikoni të ardhmen me krim. Unë u drejtohem juve sot i detyruar, sepse ata të cilët që duhet të ishin këtu kanë një javë që fshihen. Ata po fshihen se kanë mashtruar për shumë vite në këtë sallë dhe kudo dhe kanë frikë nga vetja e tyre. A nuk kemi denoncuar ne Saimir Trafikun, se në vitin 2013 ishte i pari që importoi skafin?
Edi Rama nuk e mori parasysh dhe do t’i jepte atij portofolin më të rëndësishëm. A nuk jemi ne që denoncuam, pasi oficeri Zagani zbuloi lidhjen me Habilajt? Ishte makina e tretë më e rëndësishme në vend që përdorej nga Habilajt për trafik, por Edi Rama e mbrojti përsëri. Ai e shpalli ministrin më të suksesshëm. A nuk jemi ne që denoncuam avionët me drogë. Cila ishte përgjigja e Ramës? Halucinacione dhe mushkonjat ju duken avion”, tha Berisha. Si shpëtoi Saimir Trafiku burgut do thoni ju? I dërgoi 3 milionë euro në zyrë Noriegës tuaj, ja kështu shpëtoi”, tha Berisha.
Por të njëjtën akuzë Berisha e përsëriti edhe për paratë e drogës që Tahiri i çonte në zyrë Ramës nga paratë e drogës. Madje, ai përmendi rastin e kapjes së avionit të drogës në Ishëm, ndërsa tha se, Tahiri edhe kësaj here i ka shpëtuar shkarkimit përmes një shume prej 3 milionë eurosh që i ka çuar Ramës në zyrë. “Opozita denoncoi rënien e avionit në Ishëm, por jo vetëm aty. Edi Rama i përgatiti shkarkimin, por nuk e bëri, pasi Saimiri i çoi në zyrë 3 milionë euro”, tha Berisha, ndërsa bëri të ditur se me qindra herë opozita denoncoi rastet e trafikut të drogës. Sipas ish-kryeministrit, Rama i injoroi akuzat dhe denoncimet e PD-së, madje e shpalli Tahirin si ministrin më të suksesshëm.
Ish-Kryeministri Berisha tha se kreu i qeverisë nuk ka folur asnjë fjalë për paratë e sekuestruara biznesmenit dhe dy patentave të ish-ministrit. “Pse Rama nuk thotë një gjysmë fjale për eurot e sekuestruara. Pse nuk thotë gjysmë fjale për dy patentat. Pse zhduket nga Parlamenti ai? Ka një javë. Kjo ndodh, sepse po i ngushtohet rrethi, jo Saimir trafikut, por Noriegës, Olsi trafikut. Po mos qe Edi me Olsin, Saimirit nuk do ia mbante kurrë, jo të jepte makinën, jo të blinte skafet, po as se mund të gjendej në këtë situatë. Në këto kushte, ku janë? Ikja dhe mbathja janë zgjidhja? Është e afërt dita, kur ju të gjithë do të skuqeni, duke parë se cili është Rama i vërtetë. Ka krijuar narko-shtetin dhe do të jetë viktimë kryesore e tij. Kjo ngrehinë e ndërtuar mbi drogë, do të zërë Ramë, Olsi, Saimir trafikun dhe të gjithë ata që ndërtuan ngrehinën”, vijoi Berisha.
Pse hesht Rama për 863 mijë eurot?
Kjo është pyteja që Berisha i drejtoi deputetëve të PS.
“A nuk po vrapon e shoqja e tij nga pesë orë nëpër zyra në Gardë. Zonja Tahiri nuk duhet ta bënte kurrë atë veprim, sepse zonja Tahiri duhet ta dijë mirë se çdo hap i saj vetëm sa shumëfishon dyshimin se po prishin provat. Prandaj ka një javë që ai kreu juaj ja mbathë. Mirë me italianin ja gjetën se s’kishte asgjë dosja, por 850 mijë euro dhe dy patentat e jahtit, e 100 dhe 20 tonëshit, a mund të më thuash pse nuk e çel gojën Saimiri? Po Edi Rama pse nuk flet për të?
Pse nuk flet një fjalë Edi Rama, ka një javë rresht, pse nuk thotë gjysmë fjale Pandeli, për 850 mijë euro, pse nuk thotë çerek fjale për dy patentat?
Pse zhduket nga Parlamenti ai, ku është? Ka një javë në çdo aktivitet dhe ja mbath, zhduket, sepse po i ngushtohet rrethi. Jo Saimir Trafikut, por Noriegës, jo vetëm Noriegës, por edhe Olsi Trafikut. Po të mos ishte Edi me Olsin, Saimirit nuk do ja mbante kurrë, jo t’u jepte makinën, jo t’u blinte skafet, por as ja mbante të mendonte që të ishte në këtë situatë.
Pra, në këto kushte ikja dhe mbathja është zgjidhja? Të gjitha këto po dëshmojnë se ky është Edi Rama.
Është e shkurtër dita, është e afërt koha, kur ju të gjithë do skuqeni duke parë se cili është Edi Rama i vërtetë. Do të vijë ajo ditë dhe Shqipëria do të shpëtojë nga situata dramatike në të cilën ndodhemi. Nuk i dilet me të ikur, nuk i dilet me sulme kundër mediave apo opozitës, nuk i dilet me mashtrime. Ka krijuar narko-shtetin dhe do jetë viktima kryesore e narko-shtetit. Kjo ngrehinë e ndërtuar mbi drogën do të zërë Edi Ramën, Olsi Ramën, Saimir Trafikun dhe të gjithë ata që ndërtuan grehinëndhe dy patentat e jahtit, a mund të më thuash pse nuk e çel gojën Saimiri, por Edi Rama pse nuk flet për të”, tha Berisha
Apeli e lë në burg, turku arratiset
Vazhdon odiseja e çështjes së shtetasit turk të arrestuar në Durrës rreth një muaj më parë, i cili u kap me pasaportë false gjatë kalimit në kufi dhe që akuzohet nga Turqia për pjesëmarrje në organizatën terroriste FETO. Muhammet Yasir Aydogmus u ndalua së bashku me gruan dhe dy fëmijët e mitur në datë 8 tetor në Portin e Durrësit, ndërsa po tentonte të udhëtonte drejt Italisë me dokumente false.
Pas kësaj ngjarje, ai u dërgua në dhomat e paraburgimit. Në procesin e parë gjyqësor të mbajtur në Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi ndjekjen e tij në gjendje të lirë me detyrim paraqitje.
Në vendimin e Gjykatës së Durrësit thuhet se: “Urdhërohet shtetasi turk Muhammet Yasir Aydogmus të paraqitet të hënën e parë e të tretë të çdo muaji para oficerit të Policisë Gjyqësore nga ora 11:00-12:00.
Sipas vendimit të Gjykatës ndaj shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus janë caktuar dy masa sigurimi shtrënguese për efekt të procedimit të zhvilluar në Shqipëri, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Kalimit të paligjshëm të kufirit”. Masa e sigurimit “Arrest në burg”, e cila mund të konvertohet në “Garanci pasurore” nëse brenda datës 14 tetor 2017 i arrestuari do të paguante si garanci shumën prej 150.000 lekë.
Ndërkohë në seancën e mbajtur ditën e sotme, Gjykata e Apelit të Durrësit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” të shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus. Nga burime konfindenciale rezulton se Yasir Aydogmus ka ikur nga kampi i refugjatëvë në Babrru. që në datën 30 tetor. Edhe pse tashmë kanë kaluar 10 ditë prej ikjes së tij nuk ka asnjë informacion paraprak mbi vendndodhjen e shtetasit turk.
Ambasada e Turqisë pak ditë më parë reagoi në lidhje me këtë çështje, duke treguar se Turqia i ka dhënë një vëmendje të madhe rastit në fjalë.
Prokuroria: Sota dhe Tahiri i ndërruan makinat në kufi
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka përdorur të njëjtën skemë me Orest Sotën, si me Habilajt për trafikun e drogave të forta. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar sistemin TIMS dhe ka zbuluar se, Tahiri ka udhëtuar me makinë drejt Malit të Zi së bashku me Orest Sotën, i cili u kap para pak ditësh nga Policia në Elbasan me 863 euro dhe dy patenta të Tahirit në makinë. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, nga pika e Muriqanit ka dalë me makinën e tij Orest Sota, në të njëjtën ditë ka dalë me makinën e tij edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas të njëjtave burime, nga verifikimet në TIMS është zbuluar se në kthim, ish-ministri i Brendshëm, Tahiri ka hyrë në territorin shqiptar nga pika kufitare e Muriqanit, duke përdorur automjetin në pronësi të Orest Sotës. Ndërsa Sota, sipas burimeve nga Prokuroria, ka hyrë në territorin shqiptar nga pika e Murriqanit, duke përdorur automjetin e Saimir Tahirit.
Pritet që në ditët në vijim, Prokuroria të kryejë dhe një sërë veprimesh të tjera shtesë. Sipas Prokurorisë, do të verifikohen edhe udhëtimet e Tahirit dhe Sotës në Portin e Durrësit. Ish-ministri Saimir Tahiri ka deklaruar publikisht para disa kohësh se, nuk ka në pronësi të tij asnjë makinë, ndërsa Prokuroria ka zbuluar se Tahiri ka udhëtuar me makinën e tij drejt Malit të Zi, ndërsa në kthim ka ndërruar makinën me Sotën.
Kjo skemë është përdoruar disa herë nga Tahiri për të trafikuar drogat e forta jashtë vendit. Edhe nga verifikimet e sistemit TIMS pas përgjimeve të Habilajve nga Prokuroria e Katanias, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë zbuluar se, Tahiri, pasi ka shitur makinën tek Artan Habilaj, e ka ripërdorur këtë makinë disa herë për të udhëtuar jashtë kufijve. Madje, në njërin prej rasteve, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ishte vetë Artan Habilaj, ai që udhëtoi me makinën në fjalë drejt Greqisë, për t’u kthyer me të njëjtën makinë vetë ministri i Brendshëm, Tahiri.
Prokurorët e Krimeve të Rënda kryen verifikimet në sistemin TIMS për hyrje-daljet e Sotës dhe ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri pas deklaratës së kryetarit të PD, Basha se, Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar së bashku jashtë vendit. Në një postim në Facebook, Basha shkruante se, sa më shumë përpiqet Edi Rama të mbrojë Tahirin, aq më shumë i del boja si i lidhur me krimin dhe përfitues i tij. “Rama po gënjen prapë për llogari të Tahirit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten e tij. Tahiri dhe Sota janë bashkëpunëtorë në trafikun e milionave të drogës dhe po përpiqen çdo minutë të fshehin provat.
Burime të sigurta informojnë se, Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar bashkë për në Itali, me datë 2 gusht 2016 nga Porti i Durrësit. Ata janë larguar nga Italia bashkë dhe janë rikthyer në Shqipëri me datë 7 gusht 2016 me të njëjtën linjë. Në 1 shtator 2017, Tahiri dhe Sota janë larguar bashkë nga Shqipëria nëpërmjet Muriqanit dhe janë kthyer bashkë më datë 3 shtator 2017 po nëpërmjet Muriqanit. Në 6 shtator 2017, Orest Sota ka dalë nga Shqipëria, duke përdorur makinën e Tahirit.
Fakte të tjera tronditëse pritet të publikohen së shpejti. Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi. Largimi i tyre është imperativ kombëtar”, deklaroi Basha. Orest Sota kishte lidhje jo vetëm me Tahirin, por edhe kryeministrin Rama dhe vëllain e tij Olsin.
Hetimi: Sota nuk ka blerë hekur në kompaninë “Kurum”
Orest Sota dhe babai i tij, biznesmeni Lefter Sota, nuk figurojnë në regjistrat financiarë të kompanisë së hekurit “Kurum”. 25-vjeçari pretendoi se 863 mijë eurot që iu gjetën më 1 nëntor në makinë kishin për qëllim blerjen e disa mijërave ton hekur në këtë kompani. Pretendimi i Orest Sotës se sasia e madhe e parave ishte për të blerë hekur tek “Kurum” u hodh poshtë pak ditë më parë edhe nga menaxherja e kësaj kompanie, e cila deklaroi në prokurori se “Kurum” kryen transaksione me shifra deri në 150 mijë euro. Shuma që parave që kishte Sota në makinë ishte disa herë më e madhe.
Sekuestrimi i regjistrave të shit-blerjes ishte veprimi i parë që kreu Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të verifikimit të pasurisë së Orest Sotës dhe familjes së tij. Njësia e inteligjencës financiare po gjurmon origjinën e 863 mijë eurove që iu kapën të riut, sëbashku me tre patentat e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij.
R.POLISI
Ministri i Ramës, 100 mijë euro për të emëruar vrasësin drejtor
Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri ka marrë 100 mijë euro ryshfet për të emëruar vrasësin drejtor në Aviacionin Civil! Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazhit të marrë nga një zyrtar. Gjiknuri ka emëruar Krislen Kerin në krye të Aviacionit Civil, ndërsa zyrtari i shkruan Berishës se, babai i Krislen Kerit është pronari i karburantit në Golem, ku u aksidentuan një vit më parë një nënë me dy fëmijët e saj të vegjël.
Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, u zhvillua një konkurs fals për këtë post, dhe që u “fitua” nga një person i dënuar më parë për vrasje. “Gjiknuri merr 100 mijë euro ryshfet dhe emëron vrasësin drejtor në Aviacionin Civil! Lexoni mesazhin tronditës të nëpunësit dixhital. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me përparësi akuzat e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje. Në Ministrinë e Infrastrukturës u zhvillua konkursi për drejtorin e Aviacionit Civil! Ky konkurs i stisur përfundoi duke nxjerrë fitues, vrasësin e një nëne edhe dy fëmijëve të vegjël tek karburanti i babait të tij në Golem! Gjiknuri legjitimon edhe njëherë një vrasës, i cili ka gënjyer në CV-në e tij, duke mos plotësuar asnjë nga kushtet e kërkuara, edhe duke e lënë Aviacionin Civil në duart e mafias! Bashkangjitur keni listën e fituesve edhe kërkesat e kërkuara gjasme nga ministria, këto pikë u kontestuan nga të gjithë anëtarët e garës, por asnjë në ministri nuk ka ndërhyrë pasi zoti Gjiknuri ka marrë mbi 100 mijë euro për pozicionin në fjalë! Ju lutem anonim, për arsye profesionale, ju faleminderit!
Siç edhe mund të shikoni, anëtarët e garës janë të gjithë njerëz të respektuar, me historik në aviacion! Ju lutem, ngrijeni si çështje. Këto janë konkurset e Edi Ramës! Kërkoni për këtë Krislen Kerrin në Google, rezultatet flasin vetë!”, shkruan zyrtari.
Aksidenti tragjik ndodhi për karburantin e Kerit
Aksidenti tragjik ku humbën jetën dy fëmijë të moshave 3 dhe 5 vjeç, ndodhi më 8 maj të vitit 2016 në aksin Golem Kavajë. Nëna me fëmijët po udhëtonte me makinë, por u përplas me ndarësen e rrugës për shkak të mos vendosjes së mbrojtëseve metalike anës rrugës për të favorizuar pikën e karburantit të babait të Krislen Kerit. Pas hetimeve, Prokuroria e Kavajës doli në konkluzionin se, dy kalime nga autostrada Plepa-Golem në rrugën dytësore në krah të djathtë janë lënë qëllimisht për të favorizuar këtë pikë karburanti. Prokurorët, dyshojnë se kjo ka qenë arsyeja që Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka marrë në dorëzim rrugën edhe pse ishte cënuar një element i rëndësishem i sigurisë rrugore.
Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni që po hetohet për këtë rast. Burime nga Prokuroria konfirmuan se, është regjistruar procedimi penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi ka dyshime se ky institucion nuk ka zbatuar rregulloren në aksin rrugor ku ndodhi aksidenti. Burimet sqarojnë se ka mungesë të thesuar të sinjalistikës rrugore çka ka sjellë dhe aksidentin fatal.
Mbrojtësja metalike, sipas Prokurorisë së Kavajës, nuk duhet të ishte e ndërprerë në asnjë rast, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometër në orë. Por edhe sinjalistika në lidhje me shpejtësinë po hetohet. Vetëm në vendin ku mbrojtësja nuk është vendosur, shpejtësia është 60 kilometër në orë.
Gruaja po shkonte në Burgun e Rrogozhinës për të takuar të shoqin së bashku me tre fëmijët, i cili ishte burgosur për ndërtim të paligjshëm. Mirëpo pësoi aksident me makinën e saj dhe si pasojë, dy fëmijë humbën jetën. Dy fëmijët që humbën jetën ishin të moshave 3 dhe 5 vjeç, ndërsa fëmija 1 vjeç fatmirësisht mundi të mbijetojë së bashku me të ëmën.
“Sekretet e Luftës”, një libër për të panjohurat historike
Gazetari dhe studiuesi Erald Kapri promovoi të mërkurën librin “Sekretet e luftës”, bazuar mbi një mori dokumentash të nxjerra për herë të parë nga arkivat britanike, që i sjellin në dritë ngjarjet aq shumë të debatuara. Ky botim erdhi falë Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, i drejtuar nga historiani Uran Butka.
Në libër, autori rrëfen arsyen thelbësore të fshehjes së këtyre sekreteve nga qeveria komuniste. Kapri tha se, bëhet fjalë për 150 dokumente të rrallë, të cilët flasin për raportin gjatë luftës. Britanikët kanë një farë rëndësie të madhe për Shqipërinë, për shkak se aty erdhën 150 oficerë britanikë që luftuan për një vit e gjysëm dhe sollën një sasi parash dhe ndihmash në mënyrë kolosale.
Prof.Dr Romeo Gurakuqi vlerësoi këtë botim. “Përmbledhja dokumentare, “Sekretet e Luftës”, Shqipëria tjetër në dokumentet britanike”, e studiuesit Erald Kapri, është një botim shumë i rëndësishëm, që do të ndihmojë në kuptimin dhe saktësimin e ngjarjeve historike të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe viteve menjëherë pas saj. Erald Kapri është ndër njohësit më të mirë të Historisë së periudhës nga pranvera 1943 deri në instalimin e plotë të diktaturës komuniste. Kaprin gjithashtu e vlerësoj si njeri, si një studiues serioz dhe bashkëpunues, të hapur për debat shkencor dhe të karakterizuar nga një mirësi e spikatur për kohën tonë. Botimi i këtij dokumentacioni, përbën një ngjarje të rëndësishme shkencore”, tha Gurakuqi.
Historiani Uran Butka e vlerësoi botimin si një ngjarje të rëndësishme për historinë shqiptare. Deputeti Agron Shehaj, i cili është mbështetësi i Institutit “Lumo Skëndo”, tha se, ky institut do të vazhdojë të mbështesë studiuesit shqiptarë për të zbardhur të vërtetën historike, si një kontribut që i jepet shoqërisë shqiptare.
Gjatë promovimit morën pjesë personalitete të njohura të politikës shqiptare, si kreu i opozitës Lulzim Basha, ish-Presidenti Nishani, Princi Leka, historianë, studiues, gazetarë, etj.
Në vitet ‘43 dhe ‘44, 150 ushtarakë britanikë morën pjesë në misione në Shqipëri. Ata shpenzuan dhe dhanë shpërblime rreth 120 mijë monedha ari, që nëse i konvertojmë sot, janë mbi 30 milionë paund britanikë. Mbi 2300 tonë ndihma materiale ushtarake. Ndihma britanike përcaktoi fituesin në Shqipëri, sepse pjesën më të madhe të tyre e mori lëvizja komuniste.
Rasti shqiptar vijon të jetë ende i debatuar në historiografinë britanike. Si ndodhi që Britania financoi dhe mbështeti luftën guerile në Shqipëri nuk arriti ta përdorë këtë kapital? Pse Britania e Madhe nuk mundi të ndajë qartazi Shqipërinë nga blloku i Lindjes? Dokumentacioni britanik në këtë botim jep një panoramë të plotë të kësaj enigme historike.
Këto dokumente hedhin dritë për disa ngjarje që ende sot mohohen apo thuhen me gjysëm zëri. Në Shqipëri nuk ka pasur vetëm luftë nacionalçlirimtare, por ka pasur luftë, e madje edhe luftë civile. Kjo e pohuar nga dokumentacioni britanik i kohës.
“Sekretet e Luftës janë një përpjekje 4-vjeçare kërkimi dhe leximi të mëse 20 mijë faqeve dokumente të Arkivit Britanik. Janë përfshirë 150 dokumente dhe fotografi, të cilat japin një panoramë të plotë të ngjarjeve kryesore të luftës. Dokumente të zyrës së kryeministrit Çurçill, të ministrisë së Jashtme britanike, të Ministrisë së Luftës, të Shërbimeve Sekrete dhe të SOE-s, zyrës speciale që ngriti kryeministri britanik për luftën në prapavijë”, tha Kapri.
Britanikët mbajnë në arkivin e tyre një dokumentacion thelbësor për të kuptuar luftën shqiptare. Ky botim ka të plotë shënimet e Çurçillit për Shqipërinë ku jepen disa të vërteta tronditëse. Në takimin më të rëndësishëm të shekullit të kaluar, Konferenca e Moskës, ku perëndimi ndau me Moskën influencë në Ballkan, Shqipëria u harrua. “E keni menduar ndonjëherë se, Enver Hoxha kishte kontakte me gjermanët dhe të kishte një marrëveshje me ta? Po që Stalini kërkonte që Mbreti Zog të mos shkelte më në Shqipëri? Po që britanikët vlerësonin lart figurat nacionaliste që zgjodhën të ngrinin një qeveri nën pushtimin gjerman? Këto dokumente janë pjesë e këtij botimi”, tha Kapri.
Dokumente që hedhin dritë për ngjarje që ende sot mohohen
Erald KAPRI
Kur në vitin 2012 qendrova një vit në Londër në Universitetin Westminster, si fitues i bursës Chevening, pak e mendova se kureshtja fillestare për arkivat britanike, dhe vajtjet e para në atë godinë të madhe e imponuese, do të ktheheshin në një zakon.
Londra ka një pafundësi mundësish për argëtim e për të kaluar fundjavat. Po ajo që zbulova në arkivat britanike për Shqipërinë, më robtoi, dhe çka nisi si një ngacmim për ndonjë shkrim në gazetë, ja ku është sot në formën e këtij libri 530 faqe.
Lufta e Dytë Botërore është ngjarja që ka shenjuar më shumë se çdo gjë tjetër historinë e Shqipërisë. Temat e saj janë ende prezente në diskursin politik e madje shumë më gjerë në shoqëri. “Që të njohësh shqiptarët e sotëm, duhet të njohësh shqiptarët e luftës”, thotë historiani amerikan Bern Fisher.
Sekretet e Luftës janë një përpjekje 4-vjeçare kërkimi dhe leximi të mëse 20 mijë faqeve dokumente të Arkivit britanik. Janë përfshirë 150 dokumente dhe fotografi, të cilat japin një panoramë të plotë të ngjarjeve kryesore të luftës. Dokumente të zyrës së kryeministrit Çurçill, të ministrisë së Jashtme britanike, të Ministrisë së Luftës, të Shërbimeve Sekrete dhe të SOE-s, zyrës speciale që ngriti kryeministri britanik për luftën në prapavijë.
Mund të bëja një monografi, por zgjodha që këto dokumente të botohen të plota, të shpjeguara në kontekst për shkak të përmbajtjes së rrallë që ato kanë.
Dikush mund të thotë pse jo ato italiane, apo gjermane. Si asnjëherë më parë, britanikët kanë investuar për luftën në Shqipëri. Në vitet ‘43 dhe ‘44, 150 ushtarakë britanikë morën pjesë në misione në Shqipëri. Ata shpenzuan dhe dhanë shpërblime rreth 120 mijë monedha ari, që nëse i konvertojmë sot, janë mbi 30 milionë paund britanikë. Mbi 2300 tonë ndihma materiale ushtarake. Mes tyre mund t’u përmend vetëm një detaj, 56 mijë palë këpucë për luftëtarët shqiptarë. Ndihma britanike përcaktoi fituesin në Shqipëri, sepse pjesën më të madhe të tyre e mori lëvizja komuniste.
Ndaj, britanikët mbajnë në arkivin e tyre një dokumentacion thelbësor për të kuptuar luftën shqiptare. Ky botim ka të plotë shënimet e Churchillit për Shqipërinë, ku jepen disa të vërteta tronditëse. Në takimin më të rëndësishëm të shekullit të kaluar, Konferenca e Moskës, ku Perëndimi ndau me Moskën influencë në Ballkan, Shqipëria u harrua. Po po, u harrua.
Ndonëse e papërfillshme dhe me peshën më të vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria përmban disa detaje interesante që shpesh u bënë kryelajm botëror, siç ishte kapja rob e gjeneralit britanik Dejvis në mes të janarit 1944.
E keni menduar ndonjëherë se Enver Hoxha kishte kontakte me gjermanët dhe të kishte një marrëveshje me ta? Po që Stalini kërkonte që Mbreti Zog të mos shkelte më në Shqipëri? Po që britanikët vlerësonin lart figurat nacionaliste që zgjodhën të ngrinin një qeveri nën pushtimin gjerman? Këto dokumente janë pjesë e këtij botimi.
Po ashtu, gjejmë arsyet e plota të prishjes së marrëveshjes së Mukjes nga komunistët, ndikimin e jugosllavëve në lëvizjen komuniste, shpjegimet e plota të Mid’hat Frashërit për rolin e Ballit Kombëtar, ndikimin e lëvizjes Zogiste dhe Mbretit Zot, lufta e kryezinjve në Veri të Shqipërisë, arsyet e dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre, instalimi në pushtet dhe terrori komunist në ditët e para.
Për britanikët, Shqipëria do të mbetej një lloj pengu, që pavarësisht investimit të madh, nuk ia dolën që ajo të mbetet pjesë e influencës perëndimore. Rasti shqiptar vijon të jetë ende i debatuar në historiografinë britanike. Si ndodhi që Britania financoi dhe mbështeti luftën guerile në Shqipëri nuk arriti ta përdorë këtë kapital? Pse Britania e Madhe nuk mundi të ndajë qartazi Shqipërinë nga blloku i Lindjes? Dokumentacioni britanik në këtë botim jep një panoramë të plotë të kësaj enigme historike.
Këto dokumente hedhin dritë për disa ngjarje që ende sot mohohen apo thuhen me gjysëm zëri. Në Shqipëri nuk ka pasur vetëm luftë nacionalçlirimtare, por ka pasur luftë, e madje edhe luftë civile. Kjo e pohuar nga dokumentacioni britanik i kohës.
Unë shpresoj që ky libër mund të vlejë për të hapur një dritare më shumë në njohjen dhe studimin e luftës, e cila është ende e pazbardhur në shumë elementë të saj. Debati polemizues nuk i ka lënë vend metodikës për të studiuar luftën. Ndaj ky botim me dokumente autentike britanike hedh sado pak dritë për vitet e zhurmshme të luftës shqiptare dhe mes shqiptarësh.
Duke e mbyllur, dua të falënderoj familjen time për mbështetjen e saj. Historianin Uran Butka që mori përsipër që ky botim të realizohej nën logon e Institutit “Lumo Skëndo”, pa ndihmën e të cilit, ky botim nuk do të arrihej.
Gazetarja në Bruksel: Gjermania, e para kundër afrimit të Shqipërisë në BE me Ramën
Gazetarja në Bruksel Erisa Zyka deklaroi se Gjermania është vendi më agresiv kunër afrimit të Shqipërisë në BE me Ramën. Arsyeja sipas gazetares Zyka ka të bëjë me faktin se Gjermania është më e informuara për atë që po ndodh në Shqipëri. Vendi i dytë sipas gazetares që reflekton qëndrime kundër afrimit të Shqipërisë në BE është Italia dhe vendi i tretë është Greqia. Informacioni që këto vende kanë në lidhje me Shqipërinë sipas gazetares ka lidhje me krimin e organizuar dhe trafiqet e drogës. Ajo tha se nga burimet e saj të informacionit ka një bashkërendim ndërkombëtar në hetimin ndaj Tahirit.