27.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Kapja e shtetit, e shoqërisë dhe e tregut

Carloalberto ROSSI

Falë mbiprodhimit të kanabisit gjatë viti 2016, më shumë se të vërë në zbatim një strategji të ndryshimit, qeveria Rama dhe ministri i Brendshëm Xhafaj, arritën të lavdojnë përpara homologut italian Minniti, fitoren në luftën kundër kultivimit të përhapur të kanabisit.
Ndërkohë, sikurse bëri me dije Gjenerali Toschi, Komandant i Përgjithshëm i Guardia di Finanzës, fronti i luftës është zhvendosur në trafikun ndërkombëtar ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut, atje ku policia italiane vazhdon të sekuestrojë sasi të mëdha droge shqiptare, mesa duket nga të korrat e vitit 2016.
Por problemi nuk zgjidhet kaq thjeshtë.
Edhe nëse qeveria shqiptare do dhe di si të ndërhyjë në mënyrë efikase dhe të mundë përfundimisht trafikun ndërmjet dy brigjeve, ende nuk do ta kemi zgjidhur problemin e ndërlikuar shoqëror në Shqipëri të gjeneruar nga droga.
Sigurisht ligji mbi dekriminalizimin e politikës do të largojë pak nga pak nga Kuvendi, nga organet vendore, nga administrata publike shumë personazhe të përfshirë në të shkuarën në aktivitet kriminal, por megjithatë edhe kjo, ende nuk mjafton.
Ndërkohë e dimë që bandat shqiptare menaxhojnë tashmë trafikun e drogave të rënda drejt për drejt nga qytetet kryesore të Evropës dhe përdorin Shqipërinë si vend të sigurtë, si bazë dhe si fshehje. E do të vazhdojnë të vijnë këtu, dhe tregojnë pasurinë e tyre të pamerituar, të korruptojnë ndonjë nënpunës për t’u pajisur me dokumenta falso dhe të rekrutojnë të rinjë të verbuar nga fitimet marramendëse.
Por efekti më i madh i drogës në Shqipëri mbetet pezull në ajër, dhe për ta fshirë do të nevojiten sakrifica të shumta dhe dhjetëvjeçarë të tërë.
Efekti më i madh është që sot në Shqipëri kemi një sasi jo të matshme paraje të pisët e krijuar nga aktiviteti kriminal ose korrupsioni. Kjo para pjesërisht është investuar në kompani të rregullta që punojnë me humbje, duke çuar në falimentim ato kompani të krijuara me djersë; pjesërisht është e depozituar në banka dhe përdoret si garanci për të marrë pjesë në tendera publikë; pjesërisht është investuar për të kontrolluar qendrat tregtare, gazetarët, televizionet dhe institucionet financiare; dhe pjesërisht është investituar edhe në sistemin e arsimit privat.
Në fakt kemi një gjeneratë të tërë narkokapitalistësh të mësuar me një sistem të qarkullimit të parasë që ndot dhe shkatërron çdo mundësi për të krijuar një treg, edhe pse të vogël, por normal dhe të rregullt.
E këto narkokapitalistë (dhe këto kleptokratë, si politikanët, gjyqtarët dhe funksionarët) janë kampionët e vërtet të tregut të lirë në Shqipëri, treg për më tepër në pjesën më të madhe i ushqyer me të ardhura e tregtisë së drogës. Ato i gjen në sallonet më të mira dhe në tribunat e nderit të stadiumeve, frekuentojnë lokalet më luksoze nëse nuk i zotërojnë ato. Dhe ndoshta me kompanitë e tyre dhe me mediat ushtrojnë pushtet, duke prodhuar opinione dhe tendenca. Ndërkohë fëmijët e tyre, drejtojnë pa patentë makina lluksi plot me para të thata.
Këtë e bëjnë në një vend tashmë moralisht të rënë në përkëdheljen e padalluar të parasë dhe të pushtetit të saj, në mohimin e njerëzimit të tij, në triumfin e luksit injorant të shfrenuar dhe të pajustifikuar.
Cili sistem drejtësie, cila polici dhe me cilën ligjshmëri, mund të rikthejnë ndonjëherë një gjendje shoqërore normale? Sa kohë do të nevojitet?
Mund të besojmë se me të vërtetë politika, e cila sapo ka përfunduar së mbrojturi narkotrafikantët e ndryshëm dhe që deri më dje mohonte në mënyrë kategorike ekzistencën e problemit të drogës, sot me ndihmën e dy agjentëve të dhënë hua nga FBI-ja të mund të vërë gjithçka në rregull?
Sërish, gjendja është tragjike, por jo serioze.

Diplomacia Dixhitale si mjet i realizmit të politikës së jashtme

Eraldo MEÇALLA

Marrëdhëniet ndërkombëtare historikisht janë bazuar në komunikimin diplomatik ndërmjet shteteve por sot jetojmë në një botë globale dhe informacioni qarkullon me “shpejtësin e zërit”, prandaj me daljen në skenë të internetit dhe teknologjisë së informacionit gjithçka ka ndryshuar edhe në këtë drejtim. Kryeministri dhe Sekretari i Jashtëm Britanik, Lordi Palmerston kur mori mesazhin e pare telegrafik në vitin 1850 reagoi duke thënë: “O zot, ky është fundi i diplomacisë!”. Por sot çfarë duhet të themi kur dëgjojmë terma si diplomaci dixhitale, e-diplomaci, diplomaci kibernetike, tëiplomacy?
Normalisht mendja të shkon tek interneti, media sociale, teknologjia, inovacioni por gjithmonë në drejtim të politikës së jashtme, krijohet një lidhje e drejtëpërdrejtë me Ëebsite, Tëitter, Facebook, Youtube, Flickr, LinkedIn, Instagram, Blog, Google + dhe Selfies që sot gjejnë një përdorim të gjërë në mesin e Presidentëve, Kryeministrave dhe Ministrave sidomos atyre të Jashtëm të të gjithë botës. Diplomacia ende kryeht kryesisht në formën tradicionale midis qeverive dhe shteteve sepse ato kanë përgjegjësitë ligjore dhe kanë pushtetin për të mundësuar realizimin në praktikë të politikave të jashtme të shtetit dhe në këtë mënyrë realizojnë objektivat, prandaj është shume e rëndësishme diplomacia ballë për ballë sepse rrit nivelin e besimit dhe lejon vendim-marrjet, por gjithmonë në përshtatje me zhvillimet e fundit moderne që ndikojnë në politkë dhe ekonomi si rasti i Diplomacisë Dixhitale.
Çfarë është Diplomacia Dixhitale ? Nëse e analizojmë kemi dy shkolla mendimi në lidhje me Diplomacinë Dixhitale, nga njëra anë shihet si mjet për zhvillimin e Diplomacisë Publike dhe nga ana tjetër shihet si element që rrit aftësinë për të bashkëvepruar me publikun e huaj. Zyra e Jashtme dhe Komonuelthit në Britaninë e Madhe e përkufizon diplomacinë dixhitale si “zgjidhje e problemeve të politikës së jashtme duke përdorur internetin”, ndërsa Departamenti i Shtetit të SH.B.A përdor termin “Arti i qeverisjes së shekullit të 21”. Përkufizimi më i saktë mbetet se, Diplomacia Dixhitale është përdorimi në rritje i Teknologjisë së Informacionit dhe Mediave Sociale nga një vend për të arritur qëllimet dhe realizmin në praktikë të politikës së jashtme dhe Diplomacisë Publike.
Sipas Ben Scott Këshilltar për Inovacionin i ish Sekretares së Shtetit të SH.B.A Hillary Clinton, kemi tre komponentë të diplomacisë dixhitale: 1. Diplomacia Publike, duke përfshirë dhe përdormin e platformave online. 2. Ndërtimi i ekspertizës në politikat e teknologjisë dhe kuptimin e mënyrës se si interneti ndikon në zhvillimet ndërkombëtare si lëvizjet politike. 3. Ndikimi në politikat zhvillimore dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit mund të përdoret në mënyë më efektive për të nxitur rritjen ekonomike në të gjithë botën.
Diplomacia dixhitale është veçanërisht e dobishme në diplomacinë publike në fushën e mbledhjes dhe përpunimit të informacionit, në fushën e aktiviteteve konsullore dhe për komunikimin gjatë emergjencave dhe fatkeqësive. Sot mediat sociale e kanë ndryshuar krejtësisht mënyrën se si individët komunikojnë me njëri-tjetrin, kjo ka ndikuar edhe në mënyrën se si zyrtarët shtetëror komunikojnë me qytatarët. Përdorimi i internetit dhe i teknologjive të reja të komunikimit të informacionit për të arritur qëllimet diplomatike mbi konceptin shtet me shtet por duke future edhe marrëdhënien shtet dhe shoqëri civile. Ky fakt bën të mundur që qytataret e një shteti të komunikojnë, shkëmbejn mendime, drejtojnë pyetje ose të shprehin kërkesa drejtëpërsëdrejti tek ministritë, ambasadat dhe diplomatët. Një shtet pavarësisht fuqisë, madhësisë apo rëndësisë në arenën ndërkombëtare nëse përdor Diplomacinë Dixhitale me anë të platformave dhe mediave sociale mund të arrijë objektivat e politikës së jashtme por edhe të menaxhojë në mënyrë të sukseshme imazhin dhe reputacionin e vendit. Konkretisht me këtë punë brenda shtetit merret Ministria e Jashtme ndërsa jashtë merren Ambasadat e akredituara në shtetet e caktuar, në këtë mënyrë realizohet edhe politika e jashtme e shtetit por njëkohësisht promovohet dhe imazhi i vendit në drejtim të historisë, kulturës, vlerave, traditave.
Sot Ministritë e Jashtme, Ambasadat dhe Diplomatët janë pjesë e rrjeteve sociale, kjo është një mënyrë efektive e komunikimit ndërmjet politikbërësve dhe qytetarëve, kjo të jep mundësinë e një qasje të drejtëpërdrejtë me qytetarët brenda dhe jashtë vendeve të tyre. Si çdo gjë tjetër edhe kjo ka anët e saj pozitive dhe negative, ku pozitiv eshtë fakti se qeveritë dhe diplomatët mund të komunikojnë shpejt në të gjithë botën, problemet mund të zgjidhen më shpejt, qytetarët mund të komunikojnë drejtëpërdrejtë pa çensura, por sidoqoftë komunikimi online mund edhe të përdoret për veprime negative të cilat mund të jenë të rrezikshme, prandaj duhet të jemi gjithmonë vigjilent. Gjeneratat e reja të zyrtarëve, diplomatëve dhe qytetarëve duhet të praktikohen dhe zhvillohen në përdorimin e mediave sociale sepse ne jetojmë në epokën e internetit dhe teknologjisë së informacionit që duhet të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet qeverive dhe qytetarëve.

Skema 1 miliard euro, qeveri-krim-banka

Një skemë e mirëmenduar për pastrimin e parave është organizuar nga Rama dhe njerëzit e tij, plani i së cilës është projekti i 1 miliard eurove koncesione. Kreu i PD, Lulzim Basha e denoncoi dje këtë në Parlament teksa bëri të ditur se pjesë e kësaj skeme është një trekëndësh i mirëfilltë bashkëpunimi politikë-krim-sistem bankar.
Kreu i PD paralajmëroi se ky është një projekt në të cilin është parashikuar që të riciklohen dhe do të pastrohen miliardat e drogës dhe të krimit, duke përdorur autoritetin e qeverisë dhe paratë e buxhetit.
Basha ngriti shqetësimin mbi greminën ku Rama sot ka hedhur ekonominë e vendit dhe ekonominë e çdo familjeje shqiptare, ndërsa tha se sot krimi është i vetmi që ka pushtet absolut mbi ekonominë e vendit. Ai përmendi rritjen e bizneseve kriminale, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt e gjithë ekonomia do të jetë tërësisht në duart e krimit.
“Çdo gjë do të thellohet me projektin 1 miliard, një projekt kriminal që do të shkrijë në një, krimin, biznesin dhe politikën. Projekti 1 miliard është rruga e konsolidimit të konsorciumit politiko-kriminal, i cili ka për synim: të sundojë Shqipërinë për dekada. Është formalizimi i trekëndëshit kriminal: qeveri-sistem bankar-krim i organizuar. Është një projekt, në të cilin do të riciklohen dhe do të pastrohen miliardat e drogës dhe të krimit, duke përdorur autoritetin e qeverisë dhe paratë e buxhetit.
Justifikimi për projektin është diabolik. Pasi e ka shkatërruar ekonominë dhe vetë shtetin, Edi Rama deklaron se, shteti nuk ka para. Dhe e vërteta e hidhur është se në të vërtetë sot vetëm krimi ka para. Krimi është më i fortë se shteti dhe se bizneset e ndershme. Sepse këto katër vjet krimi është pasuruar, kurse Shqipëria është varfëruar.
Rrënimi ekonomik i vendit është avantazhi më i madh që ka sot krimi. Ndërsa bizneset nuk kanë para për të investuar, krimi ka pafund. Ndaj krimi po sposton gradualisht bizneset e ndershme nga tregu dhe shumë shpejt e gjithë ekonomia e vendit do të jetë në duart e krimit. Për të kuptuar këtë kontrast, mjafton një krahasim domethënës. 863 mijë eurot e Saimir Tahirit që u gjetën në makinën e ortakut të tij, janë gati sa i gjithë buxheti vjetor i Gjykatës Kushtetuese.
863 mijë eurot e Saimir Tahirit janë sa 85 për qind e buxhetit të investimeve të Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo shumë është vetëm një thërrime nga paratë që ka sot krimi në Shqipëri. Kanabizimi i vendit ka qenë një projekt i qëllimshëm anti-kombëtar i Edi Ramës. Në këtë projekt, ai derdhi gjithë urrejtjen dhe mllefin që ka ndaj shqiptarëve.
Kriminelët me pushtet dhe droga ishte hakmarrja ndaj të gjithëve e një njeriu të dështuar, për të cilën ai fajëson këdo, familjen, shoqërinë, atdheun, por kurrë veten e tij. Prandaj, të lesh fatet e vendit në duart e Edi Ramës do të thotë të lesh Shqipërinë në dorë të krimit dhe të shkatërrimit”, u shpreh Basha.

Aktivitetet kriminale në sheshet e ndërtimit dhe sistemin bankar

Me tone të ashpra, Basha denoncoi dje shtrirjen e gjerë dhe të fuqishme të krimit të organizuar në të gjithë sektorët më jetikë të ekonomisë si është ndërtimi, i cili vitet e fundit po njeh një bum të jashtëzakonshëm ashtu si edhe sistemi bankar. Dy nga sektorët në fakt ku pastrimi i parave është ndër më efikasët.
“Por evoluimi më i rëndësishëm i krimit është kapja e ekonomisë. Aktivitetet kryesore kriminale në Shqipëri nuk zhvillohen më në parcelat mes maleve, por në sheshet e ndërtimit dhe bankat në qendër të Tiranës. Riciklimi dhe pastrimi i parave dhe kapja e ekonomisë është sot aktiviteti kryesor i grupeve kriminale që u fuqizuan dhe pasuruan në mënyrë marramendëse nga trafiku i drogës. Forma më e rrezikshme e krimit nuk është një grup kriminelësh me armë në dorë që grabisin me forcë apo transportojnë drogën, por kur bëhen bashkë krimineli, qeveritari dhe bankieri dhe bien në ujdi për të plaçkitur dhe kontrolluar një vend të tërë. Kjo është faza ku ka hyrë krimi në Shqipëri.
Ndërkohë, krimi është fuqizuar dhe sofistikuar dhe ka evoluar në mënyrë të shpejtë. Mijëra ton drogë e prodhuar në periudhën 2015-2016 në përmasa marramendëse, sot gjendet në tunele, depo, magazina dhe prej andej trafikohet çdo ditë drejt Italisë dhe vendeve të tjera perëndimore. Tani preferenca e krimit është bërë heroina dhe kokaina. Të fuqizuar me miliarda euro nga tregtia e kanabisit, duke shfrytëzuar të njëjtat rrugë, të njëjtën infrastrukturë dhe të njëjtat lidhje politike që krijuan me kanabisin, krimi i organizuar tani po vë nën kontroll trafikun dhe shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në të gjithë Europën.
Çdo javë, në Europë kapen sasi heroine dhe kokaine nga grupet kriminale shqiptare. Vetëm në Itali, gjatë vitit të shkuar janë kapur qindra kilogramë heroinë dhe kokainë kaluar përmes Shqipërisë. Ndërkohë, që në Holandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar shqiptarët tashmë kontrollojnë shpërndarjen e heroinës dhe kokainës.

Qazim Sejdini me agjensi doganore që po hetohet për trafik droge

Lidhjet e njerëzve të Ramës me trafikun e drogës janë të frikshme. Qazim Sejdini është një nga emrat më të përmendur së fundmi për korrupsion dhe inkriminim në ngjarje të ndryshme që lidhin atë dhe familjarët e tij. Dje një tjetër denoncim i kreut të PD, Basha zbardhi faktin se Sejdini disponon një agjenci doganore, e cila është nën hetim për organizimin dhe zhvillimin e trafikut të drogës.
Ndërsa denoncoi njerëzit e Ramës të lidhur me trafikun e drogës, Basha u ndal konkretisht tek kryebashkiakët e Ramës. Kreu i PD, Basha e lidhi denoncimin e tij me vet emërimet e Ramës në qeveri e Parlament, ndërsa përmendi Elvis Roshin, Qazim Sejdinin apo Vangjush Dakon, të korruptuar e të inkriminuar tre kryebashkiakë që kanë bërë kërdinë në afera.
Basha u ndal konkretisht tek një nga kryebashkiakët më të korruptuar të inkriminuar të Ramës, Qazim Sejdini, ndërsa bëri të ditur se aktualisht kryebashkiaku i Ramës ka një agjenci doganore, e cila po hetohet për trafik droge.
Nuk është rastësi që paratë dhe dokumentat që nuk donte që t’ja kapte Prokuroria, Saimir Tahiri ja dha në ruajtje një biznesmeni, të cilit i kishte dhënë më parë edhe tendera publikë. Nuk është rastësi që Qazim Sejdini ka një agjensi doganore që po hetohet për trafik droge. Nuk është rastësi, që Elvis Roshi është ndërtuesi më i madh në zonën e Kavajës. Nuk është rastësi, që Vangjush Dako është njëkohësisht, kryebashkiak, biznesnmen dhe kryekapobanda i Durrësit. Nuk është rastësi, që familjarët e pushtetarëve duke nisur nga i pari i qeverisë e me radhë, befas kanë pasion për bankat. Apo që gjysmën e ditës e kalojnë me kriminelë dhe gjysmën tjetër me bankierë. Dhe nëse kjo vazhdon, nuk kemi parë gjë akoma.
“Njerëzit e kanë provuar Ramën me dhjetëra herë. Prova e tij është Elvis Roshi. Prova e tij është Klement Balili. Prova e tij është Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, dyshja Dako-Çela, Qazim Sejdini. Për të mos folur për Ilir Beqajn, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn. Edi Rama nuk do që të largohen ata, ai thjesht po përpiqet të gjejë çdo hile, çdo manovër çdo truk të mundshëm për të mos ndryshuar fatin e Roshëve, Tahirëve, Dakove dhe natyrisht fatin e tij. “Të ndryshojmë çdo gjë për të mos ndryshuar asgjë”, siç thotë siçiliani i famshëm.
Nëse duam që gjërat të mbeten siç janë, gjërat duhet të ndryshojnë”. Askush nuk i ka zbatuar më mirë se Edi Rama këto fjalë legjendare të siçilianit Xhuzepe Tomasi i Lampeduzës.
Ky që kur ulej me fshatarët i pyeste me vetëkënaqësi si shkonin me kanabisin, duke ju dhënë të gjithë shqiptarëve mesazhin shkatërrues se është mirë të kultivosh kanabis; Ky që përkëdhelte Elvis Roshin para gjithë shqiptarëve, duke e quajtur “krimineli im i dashur”, duke i dhënë çdo krimineli mesazhin se për ta ka vetëm dashuri; Ky që Saimir Tahirin nuk e largonte nga krahu i tij i djathtë, duke u thënë trafikantëve se policia dhe qeveria ishte e tyrja; Ky që solli dhe strehoi në Kuvend e në krye të bashkive më shumë kriminelë të rrezikshëm se në burgjet e vendit;
Pikërisht ky, Edi Rama, Sot po shfaqet nëpër të njëjtat tribuna dhe studio, ku deri dje ulërinte se në Shqipëri nuk ka as kanabis dhe as krim. Tani që e vërteta për kanabizimin e vendit dhe kriminalizimin e qeverisjes ka marrë dhenë, Edi Rama po përpiqet të ndryshojë çdo gjë në sipërfaqe, për të mos ndryshuar asgjë në thelb. Duke provuar t’i mashtrojë edhe një herë, për të disatën herë, shqiptarët e ndershëm, shqiptarët e mjeruar nga krimi dhe korrupsioni, shqiptarët që zbatojnë ligjin e rregullat, shqiptarët që ende shpresojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.
Pasi i mashtroi me shëndetësinë falas; duke e privatizuar atë tek klientët; Pasi i mashtroi me vendet e punës, duke i shtyrë të emigrojnë për bukën e gojës; Pasi i mashtroi me drejtësinë, duke liruar kriminelët nga burgjet; Pasi i mashtroi me rilindjen e Shqipërisë, të cilën e ktheu në rilindje të krimit dhe pasurimit privat dhe personal të një grushti pushtetarësh dhe oligarkësh;
Tani po mundohet të verë në skenë një mashtrim edhe më të madh. Në një sallë luksoze, me ekrane të mëdhenj e drita të shkëlqyeshme, i rrethuar me policë që shërbejnë si figurantë, Edi Rama deklaroi se do ta çlironte Shqipërinë nga krimi. Ata që bashkë me të, për katër vjet i gënjyen dhe i mashtruan shqiptarët për kanabisin, për Saimir Tahirin, për kriminelët e lidhur me Edi Ramën, duartrokitën. Me zor dhe me sytë poshtë.
Sepse tani njerëzit dinë dhe kuptojnë fare mirë se çfarë ka ndodhur. Tani të gjithë e kanë parë, se Edi Rama është gjithmonë në krah të kriminelëve dhe jo të njerëzve të thjeshtë, është gjithmonë në anën e krimit dhe jo të ligjit”.

 

Trafiku shqiptar i drogës ngrihet si shqetësim serioz në Parlamentin e Holandës

Pas një lajmi në programin Nieuwsuur të Televizionit Kombëtar të Holandës, në të cilin shefi i policisë së Rotterdamit, Frank Paauw lajmëroi se në tre vitet e fundit mafia shqiptare ka rritur ndjeshëm aktivitetin e saj në Holandë, deputetët e Partisë Liberal-Konservatore (VVD), Foort van Oosten dhe Malik Azmani, i kanë dërguar Parlamentit holandez një sërë pyetjesh për Ministrin e Drejtësisë dhe Sigurisë, Ferdinand Grapperhaus.
Sipas Nieuwsuur, aktiviteti kriminal shqiptar në Holandë është trefishuar-nga 300 ngjarje kriminale në vitin 2015 në një mijë në vitin 2016. Shefi i policisë së Rotterdamit deklaroi se:
Kokaina dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë biznesi i tyre kryesor. Ato kanë një rol të spikatur dhe bashkëpunojnë me grupe të etnive të tjera. Kriminelët shqiptarë si brenda dhe jashtë Evropës, po rriten si grup në trafikimin e drogës në Holandë.
Deputetët hollandezë Van Oosten dhe Azmani kanë kërkuar sqarime nga ministri në lidhje me deklaratat e bëra nga Paauw, dhe nëse është e kujdesshme të presësh raportin e monitorimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili do të publikohet në dhjetor, për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë.
Pyetjet e dy deputetëve liberal-konservatorë, pasojnë pyetjet e tre deputetëve kristian-demokratë të drejtuar po ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë, në fund të gushtit, pasi gazeta “De Telegraff” ngriti alarmin për rritjen e pranisë së mafias shqiptare në Holandë.
Ky fuqizim përkoi me periudhën, kur Shqipëria ra pre e kultivimit masiv të kanabisit nën mbrojtjen e hapur të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kohët e fundit është akuzuar për lidhje me organizatat shqiptare të trafikimit të drogës me veprim në Itali.
Atëherë, përgjigjia mospërfillëse e ambasadores së Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi shkaktoi jo pak zemërim, dhe tani duket se faktet nuk mund të shpërfillen më.
Tani që dy partitë liberal-konservative-VVD, partia e Kryeministrit Mark Rutte, dhe CD, partia e opozitës kristian-demokrate-kanë folur hapur mbi rivlerësimin e përjashtimit të Shqipërisë nga lëvizja pa viza, duket se është krijuar një platformë e gjerë dhe me gjasa një shumicë e tillë që Parlamenti holandez të vendosë për rifutjen e regjimit të vizave.
Sikurse Exit.al ka sqaruar, sipas ndryshimeve të fundit të BE-së, një shumicë e thjeshtë e vendeve të BE-së mund të kërkojë vendosjen e përkohshme të regjimit të vizave për zonën Shengen, dhe të detyrojë Komisionin Evropian të rinegociojë me vendin në fjalë.
Duke konsideruar faktin se Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Hollanda të gjitha kanë raportuar fuqizimin serioz të krimit shqiptar, kjo masë nuk mund të përjashtohet, megjithatë do të varet shumë nga monitorimi i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

SHBA dhe BE për Ramën, Yee kërkoi izolim, Junker e fton?

Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, i angazhuar nga afër së fundmi me Ballkanin Perëndimor, thotë se Perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre:
“Është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Uashington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve”.
Zyrtari i lartë amerikan nuk ka folur me emra për udhëheqësit e korruptuar të Ballkanit, të cilët nuk duhet të priten në takime në BE, por një saktësim të tillë e jep Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit. Ky raport përcakton qartë se kush janë këta udhëheqës në Ballkan të korruptuar. Dy raportet e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit deklarojnë se, “Korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjithë degët e qeverisjes”. Kjo është një akuzë direkte për Ramën dhe pa dorashka, që nëse i bashkëngjitet deklaratës së djeshme të Yee për udhëheqësit e Ballkanit, të cilët duhet të izolohen nga BE, atëherë bëhet e qartë se në drejtim të kujt është drejtuar apeli amerikan.
Vetëm një ditë pas kësaj thirrje të ashpër të zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Rama ka deklaruar se ka marrë një ftesë për të takuar Junker në muajin dhjetor pa përcaktuar një datë të saktë. Është e paqartë se çfarë po ndodh në aksin Bruksel-Uashington, vetëm se duket se nuk kemi një linjë të njëjtë politike për qëndrimet që duhen mbajtur ndaj liderëve të korruptuar sipas Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni po kërkon izolin, Brukseli i mban në prehër.

Ozil te United në janar për 34 milionë euro?!

Arsenali duket se ka hequr dorë nga gjermani, nga rinovimi i kontratës së tij, e cila përfundon më 30 qershor 2018, ndaj ai do të jetë i gatshëm të dëgjojë ofertat qysh në merkaton e dimrit. Siç është publikuar të enjten në “Daily Star”, ekipi i Londrës po kërkon në janar rreth 30 milionë paundë (34 milionë euro) për të parandaluar mesfushorin të largohet verën e ardhshme falas. Kjo gjë do të hapte dyert e Manchester United, me Jose Mourinhon që e dëshiron mesfushorin me origjinë turke.
Ne kujtojmë se, “Special One” është një admirues i madh i Özil, të cilin tashmë e ka trajnuar te Real Madridi. Me lojtarin e kombëtares gjermane, Mourinho është përpjekur të nënshkruajë në më shumë se një rast, por gjithmonë pa sukses. Një faktor tjetër në favor të nënshkrimit të Mesut me “Djajtë e Kuq” është se ai mund të regjistrohet në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve, pasi Arsenali merr pjesë këtë sezon në Ligën e Europës.

Mourinho trondit Barcelonën

José Mourinho duhet të përforcojë mbrojtjen e Manchester United dhe shtypi anglez tashmë përparon me emrin e futbollistit të përzgjedhur nga “Special One”. Sipas “The Mirror”, Samuel Umtiti i Barcelonës është emri që trajneri portugez e ka vënë në tryezën e drejtuesve të ekipit anglez për ta transferuar. Mbrojtësi qendror francez i Barcelonës është i fundit i listës së gjerë të nënshkrimeve të mundshme të Mourinhos, i cili duket i pakënaqur me punën e suedezit Lindelof (përforcim i kësaj vere, erdhi nga Benfica për 30 milionë euro) dhe besimin e varfër që ofron Chris Smalling.
23-vjeçari Umtiti ka një kontratë me Barcelonën deri në vitin 2021 dhe një klauzolë përfundimi të saj prej 60 milionë eurosh. Nga ana tjetër, rikthimi te Umtitit do të supozonte, gjithashtu, dorëzimin e Mourinhos për nënshkrimin e tij më të kërkuar mbrojtës, i cili nuk është tjetër, përveç Raphael Varane. Mesfushori francez ka qenë prej kohësh dëshira kryesore e trajnerit portugez, por Real Madridi refuzon të negociojë për një lojtar të vendosur përfundimisht në mbrojtje të ekipit të Zidanes, pas largimit të Pepe.

Bayerni në gjueti

Bayerni i Mynihut po punon mjaft intensivisht për të piketuar emrat që do të afrojë në merkaton e verës së ardhshme, pasi krahas përforcimeve do të duhet të mendojë edhe për të zëvendësuar lojtarët që do të largohen, apo ata të cilën nuk ofrojnë shumë garanci për shkak të moshës. Kështu, emri i parë i piketuar është ai i Julian Draxlerit të PSG-së, që shikohet si zëvendësuesi ideal i Franck Ribery-së, në të majtë të sulmit. Por bavarezët janë në kërkim edhe të një sulmuesi me peshë, që të marrë vendin e Lewandowskit, me polakun që e ka shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar në fund të sezonit, me destinacion Madridin.
Emri më i preferuar nga gjermanët, është ai i kapitenit të Interit, Mauro Icardi, futbollist mjaft i ri në moshë dhe me një nuhatje të jashtëzakonëshme për golin. Icardi luan te Interi prej 2013-ës, por në rast se zikaltrit nuk ia dalin të kualifikohen në Champions këtë sezon, atëherë ai do të kërkonte largimin drejt një skuadre ku ka mundësi të fitojë trofe. Vera është ende larg, por që tani parashikohet të jetë mjaft e nxehtë edhe përsa i përket merkatos në futboll.
Bayern Munich është në kërkim të një zëvendësuesi për veteranin e krahut të djathtë, Franck Ribery, teksa Julian Draxler i PSG-së shpallet si një kandidat i çuditshëm. Sipas “France Football”, bavarezët po e konsiderojnë nënshkrimin e lojtarit të krahut të Gjermanisë verën e ardhshme, kur skadon kontrata e Ribery. Në fakt, kishte zëra që verën e kaluar se Bayern Munich donte të nënshkruante me Draxler. Por, me Ribery, Arjen Robben, James Rodriguez, Kingsley Coman dhe Thomas Muller në skuadër, bavarezët ishin pak të shkurtër në krahë dhe sulmuan mundësitë e mesfushës. Në fund të gushtit, presidenti Uli Hoeness i tha “SportBild”:
“Nuk është e qartë se Draxler është një lojtar, i cili do t’i përshtatej Bayernit, por tani nuk duam të shesim asnjë nga lojtarët tanë”. Me kontratat e Ribery, 34 vjeç, dhe Robben, 33 vjeç, duke përfunduar, situata pritet të jetë ndryshe në fund të sezonit 2017-2018. I pyetur së fundmi nëse klubi do të zgjasë kontratën e Ribery, Karl-Heinz Rummenigge i tha “Sky”: “Sot nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, seriozisht. Ai është një lojtar që ka bërë shumë për klubin, që ka shumë simpati në klub dhe në grupin tonë. Por, në fund, futbolli është një sport konkurrent dhe duhet të pyesim veten nëse Franck Ribery është e ardhmja, apo kemi nevojë për një lojtar të ri”.