Dick Advoccat ka paralajmëruar se nuk do të vazhdojë të jetë më trajneri i kombëtares së Holandës. Pasi nuk arriti dot t’i siguronte kualifikimin për në botërorin “Rusi 2018” kombëtares së “tulipanëve”, Advoccat ka vendosur të mos e vazhdojë më aventurën e tij në krye të stolit të kësaj skuadre. Gjithçka do të përfundojë, pasi të jenë zhvilluar dy miqësoret e fundit, kundër Skocisë dhe Rumanisë.
70-vjeçari mori drejtimin e “portokallinjve” pas shkarkimit nga detyra të Danny Blind për shkak të rezultateve të dobëta, ku më shumë peshoi moskualifikimi në europian. Sidoqoftë, edhe nën drejtimin e Advoccat, Holanda nuk pati ndonjë përmirësim të dukshëm, përkundrazi situata vazhdoi të ishte e njëjtë, duke mbylluar fazën kualifikuese në vendin e tretë në Grupin A. Për Advoccat, kjo ishte eksperienca e tretë në krye të Holandës. Më herët, ai ka drejtuar ekipin në periudhat 1993-1995 dhe 2002-2004. Përsa i përket emrit që do të zëvendësojë teknikun 70-vjeçar ende nuk ka ndonjë kandidaturë konkrete.
Ndërkohë, Fabio Cannavaro rikthehet në drejtimin e Guangzhou Evergrande. Pas eksperiencës me Tianjin Quanjian, kampioni i Botës me Italinë në vitin 2006, ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me klubin ku ishte asisten i Marcello Lippit në vitin 2015, ndërkohë që e drejtoi skuadrën si trajner i parë për disa ndeshje. Cannavaro pason në postin e trajnerit të Guangzhou Evergrande, ish-teknikun e Brazilit, Luiz Felipe Scolari.
Dick Advoccat do të largohet nga Holanda
Venger i propozon PSG-së shkëmbimin Sanchez-Draxler

Arsenali duket se ka hequr dorë nga gjermani, nga rinovimi i kontratës së tij, e cila përfundon më 30 qershor 2018, ndaj ai do të jetë i gatshëm të dëgjojë ofertat qysh në merkaton e dimrit. Një tjetër prej lojtarëve të Arsenalit, që mund të largohet nga Londra këtë dimër, është Alexis Sánchez. Kilianit, gjithashtu i përfundon kontrata më 30 qershor 2018 dhe nuk duket i gatshëm të rinovojë. Për të, Wenger mund të pranojë të hapë derën e largimit.
Me këtë rast, destinacioni më i mundshëm do të ishte Manchester City, i cili ishte gati të nënshkruante me të verën e këtij viti, edhe pse trajneri francez do të preferonte të mos përforconte një rival direkt, ndaj do të ishte i interesuar të trokiste në dyert e PSG-së për të propozuar një shkëmbim me Julian Draxler. Do të shohim se si do të zhvillohet kjo histori. Ajo që është e sigurt është se, Arsenali do të përjetojë një merkato dimërore nga më të nxehtat…
Vidal në udhëkryq te Bayern
Kanë kaluar më shumë se dhjetë sezone, që kur Arturo Vidal debutoi në Bundesliga. Pas aktivizimit me Bayern Leverkusen, në 2011-ën kiliani u transferua te Juventus-i në Torino përpara se t’i bashkohej Bayern Munich-ut. Që nga vera e 2015-ës, mesfushori vesh fanellën e kampionëve të Gjermanisë, por kritikat ndaj tij sa vijnë dhe shtohen. Tashmë në moshën 30-vjeçare, Vidal po i afrohet fundit të karrierës, por fundi te Bayern mund të vijë më përpara se sa ishte parashikuar. Këtë e beson gjermania “Kicker”, sipas së cilës mesfushori kilian nuk po i justifikon më pritshmëritë e bavarezëve. Edhe skadenca në 2019-ën e kontratës së lojtarit nuk e lehtëson situatën.
Dy janë opsionet përpara Vidal. Largimi në merkaton e verës 2018, ose një zgjatje e kontratës. Nëse palët nuk bien dakord, ai do të largohej si lojtar i lirë verën e ardhshme. Interi ka shfaqur ndërkohë interes për kilianin, i cili ka dhuruar ditë të bukura te Juventusi. Por problemi qëndron në faktin nëse Vidal do të pranojë të fusë më pak para në xhepin e tij.
Oferta e re e Barcelonës
Barça tashmë po negocion përsëri për Philippe Coutinho. “10” e Liverpool është objektivi numër një në tregun e dimrit për katalanasit. Ernesto Valverde i ka kërkuar klubit të nënshkruajë me brazilianin. Sekretariati teknik Blaugrana është në ndjekje të ligave kryesore europiane, duke kërkuar elementë të rinj, që mund të ndihmojnë në ndërtimin e lojës sulmuese. Ata janë të rinj, të pranishëm dhe me një çmim më të volitshëm, por, në çdo rast, të gjitha opsionet në sfond të çojnë te Coutinho. Klima negociuese ka ndryshuar ndjeshëm në lidhje me luftën e ftohtë dhe mungesën e harmonisë së verës. Barcelona ka filluar një raund të ri bisedimesh, duke shpresuar se kësaj here do ta përfundojë gjithçka pozitivisht. Në mënyrë që Coutinho të bashkohet me “Camp Nou”, klubi katalanas ka vendosur si një kusht të domosdoshëm uljen e çmimit të transferimit dhe përmirësimin e kushteve të pagesës, gjë që nuk është një detaj i vogël.
Merkatoja e dimrit, tradicionalisht është më bombastike se e verës. Dhe, në rastin e Coutinho, pavarësisht se është një yll i klasit botëror, ekziston faktori i mosfunksionimit të fazës vendimtare të eliminimit të Ligës së Kampionëve. Për këtë aksion negociues, Barça ka bashkëpunimin e brazilianit, i cili ka vënë në dispozicion gjithçka nga ana e tij që operacioni të mbyllet në janar. Braziliani ka kërkuar nga përfaqësuesit e tij të injorojnë çdo ofertë që u vjen atyre. Njëra prej tyre është ajo e PSG-së, e cila i ka kërkuar lojtarit që të mos nënshkruajë me Barçën dhe të presë për verën e ardhshme. Më pas, sheikët nga Katari besojnë se do të krijohen kushtet e duhura të “fair-play financiar”, pavarësisht se duhet të paguajnë transferimin e Kylian Mbappé. Oferta prej 120 milionë eurosh është një deklaratë e qëllimeve të klubit, që tregon se ndihet fuqimisht për të reduktuar kushtet financiare të dëshiruara nga “Reds”.
Hahn-Ramës: Keni deficite me drogën, ndalni refugjatët

Një tjetër mesazh i fortë nga ndërkombëtarët pas deklaratës së ambasadorit Donald Lu për arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’ në fillim të 20018-ës.
Ishte Komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, i cili në një konferencë me kryeministrin Rama theksoi me tone më të buta se procesi i vettingut duhet të japë rezultatet e para në fillim të vitit.
Vlerësimi ynë varet nga evidencat, provat, vlerësimet dhe vetëm këto kanë rëndësi. Është e rëndësishme të arrijmë tek qytetarët dhe të flasim për arritjen që ka bërë Shqipëria;
Në veçanti, kemi një histori të re për të treguar në lidhje me progresin për shembull për sa i përket luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës apo për uljen në mënyrë të konsiderueshme të numrit të azilkërkuesve;
Është e rëndësishme që të ndryshohen disa deficite në reputacion, pasi ato ekzistojnë dhe nuk ka kuptim që t’i përfillim, por është e rëndësishme që të përballemi me to;
Një nga rezultatet e para që presim të marrim është rezultati i procesit të vettingut, që sapo ka filluar dhe unë pres që rezultatet e para t’i shikojmë në fillim të vitit. Kemi të bëjmë edhe në ato që njihen si pesë prioritetet kyçe.
Të gjitha këto janë në rrugën e duhur dhe do të thosha që është një gjë që dua ta theksoj: Shqipëria është në rrugëtimin e duhur. Aspirata evropiane duhet të jetë objektiv kombëtar që mbështetet nga të gjitha forcat, elementet, media, shoqëria civile.
Të gjithë partitë politike në vend e duan këtë gjë [integrimin e Shqipërisë], por kjo duhet treguar me një veprim të përbashkët kombëtar.
Sapo të kemi tregues se si një raport pozitiv i tillë nga ana jonë do të merret në konsideratë nga vendet anëtare, atëherë jam shumë i gatshëm ta lançoj një raport të tillë. Megjithatë, mendoj se isha tejet i qartë që ka progres pozitiv. Por si çdo gjë në jetë, puna vjen në momentin e duhur.
Duke u bazuar në fjalimin e Presidentit Juncker në lidhje me të ardhmen e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne do të nxjerrim një strategji për BP në muajin shkurt dhe do të kemi raportet përkatëse për secilin shtet.
Kjo tregon qartë angazhimin e BE në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm dhe të ardhmen evropiane të BP.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu në prezantimin e rezultateve të operacionit “Forca e Ligjit” në Ministrinë e Brendshme bëri një apel tjetër të fortë dhe kërkoi rezultate në luftën ndaj krimit. Ai tha se, ka ardhur koha që të kapen sa më parë peshqit e mëdhenj dhe se rezultatet duhet të shihen që në fillim të 2018-ës. “Të ndiqen penalisht peshq të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë. Së fundmi, ju keni një shprehje në gjuhën shqipe: “Dielli duket që në mëngjes”. Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve penale. Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Ky problem ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit. Asnjë nuk është mbi ligjin. Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”, për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh”, tha Lu.
Hahn: Liria e mediave, kusht i BE
Liria e medias është kusht i panegociueshëm për çdo vend që synon të bëhet pjesë e BE-së. Mesazhin e tij për pushtetin e katërt, Johanes Hahn e përcolli në Ditën Ndërkombëtare të Medias, kur foli për njëanshmëri politike apo “fake news”, lajmet e rreme.
“Raportimi i pavarur dhe i lirë është një faktor kyç për të ndërtuar dhe forcuar demokracinë, mirëqeverisjen dhe për komunikimin e duhur të reformave. Ne po monitorojmë sfidat me të cilat përballen gazetarët në Ballkanin Perëndimor. Është vënë re keqpërdorim i informacionit dhe njëanshmëri politike. Raportimi kritik është shumë i rëndësishëm në një demokraci. Të shmangen sulmet personale dhe nevojitet besueshmëri. Mediat duhet të kontribuojnë për të ndërtuar ura dhe jo për të thelluar ndasitë. Gazetaria profesionale po përballet me një konkurrencë nga ata që prodhojnë lajme të rreme”, deklaroi Hahn.
Kritik, siç ka qenë përgjatë javëve të fundit ndaj medias, edhe këtë herë kryeministri nuk ngurroi të flasë sërish me të njëjtën gjuhë ndaj medias shqiptare.
Kumbaro fshehu letrën e UNESCO-s për mbulimin e masakrës së Butrintit
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka mbajtur të fshehtë një letër të UNESCO-s, ku institucioni ndërkombëtar i kërkonte asaj në mënyrë eksplicite të ndalte menjëherë çdo punim dhe ndërhyrje ne Butrint. Letra e mbërritur nga UNESCO është dërguar për autoritetet shqiptare më datën 9 tetor dhe është bërë publike sot nga deputetja demokrate Albana Vokshi. Në letër UNESCO shpreh shqetësimin se nuk ishte njoftuar fare për ndërhyrjet dhe se ka mësuar për çfarë po ndodhte vetëm nga mediat. Më pas, UNESCO kërkon që t’i vihen në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare që kanë justifikuar këtë ndërhyrje. Në fund të letrës drejtuesja e UNESCO-s, Mechtild Rossler shkruan: “Për t’u siguruar se do të mbrohen vlerat universale të Butrintit, do ju kërkoja me dashamirësi që autoritetet kompetente të ndërpresin menjëherë çdo punim deri në rishikimin profesional të projektit nga ana e bordit drejtues të ICOMOS-UNESCO. Ministrja Kumbaro më herët ka deklaruar se kishte njoftuar UNESCO-n për punimet që do kryheshin dhe se i kishte vendosur në dispozicion të gjithë projektin paraprakisht. Por e-maili i zbuluar sot, tregon se UNESCO është alarmuar, kur ka mësuar nga mediat mbi punimet. Ministria ka ofruar dokumentacionin vetëm, pasi UNESCO është ankuar me letër zyrtare. Në brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit kanë filluar punimet për ndërtimin e një objekti në brendësi të zonës së mbrojtur. Po ashtu është planifikuar që të ndërtohet edhe një lokal tjetër mbi shkallët e Amfiteatrit antik të Butrintit. Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. Ndërtimi i lokalit po bëhet ngjitur me murin prehistorik, që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në këtë kantier nuk ka tabelë për punimet, ndërsa punëtorët kanë frikë të flasin. As ata nuk e dinë se çfarë po ndërtohet. Punëtorët hedhin tulla e beton dhe kyçin gojën për çfarë po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit. Një zyrtar nga Bashkia e Sarandës bëri të ditur se, lokali që po ndërtohet në Butrint është i një njeriu të afërt të kryeministrit Rama ndaj dhe e gjithë zona është rrethuar me policë dhe nuk lejohet askush të futet në Butrint. Pak ditë më parë, një qytetar nga Saranda i dërgoi një mesazh ish-Kryeministrit Berisha dhe fotot e ndërtimit të lokalit në mes të Parkut, duke shkruajtur se ndërtimi që po ngrihet është i Kryeministrit. Sipas UNESCO, brenda Parkut Arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë për dhënien e lejes së ndërtimit në Parkun e Butrintit. Të gjitha qytetet, parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar jo vetëm turistik, por edhe historik. Por ndryshe ndodh në Shqipëri me Parkun Antik të Butrintit. Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në këtë Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO, punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton.
Ndërtimi i lokalit në Butrint është kundërshtuar edhe nga këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Sarandës. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar spjegime se përse nuk ndërhyhet për të ndalur betonizimin në Parkun e Butrintit, por këshilltarët socialistë janë përgjigjur se, “ndërtimi në Park po bëhet me leje nga Ministria e Kulturës dhe nuk mund të ndalohet”. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar që të ngrihet një komision nga Këshilli Bashkiak për të ndaluar këtë masakër, por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga të majtët.
Për këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pasi ka vënë në dukje anën skandaloze të vendimeve të Mirela Kumbaros për të ndërtuar një lokal në Parkun e Butrintit, njofton se do të njoftojë me një letër Sekretariatin e UNESCO-s.
PSG-së i duhen 80 milionë
Trapp, Pastore, Ben Arfa, por mbi të gjithë Draxler, Lucas dhe Di Maria: 194,5 milionë euro gati për t’u rivënë në qarkullim në merkaton e janarit për arsye bilanci. Blerjet e çmendura të bëra në verë, që i kanë kushtuar Paris Saint-Germain 238 milionë euro, nuk mund të mos kishin pasoja. Pavarësisht mbështetjes nga një shtet me burime ekonomike pa limit si Katari, “Fair Play” Financiar nuk kursen asnjeri dhe PSG është i detyruar të rrisë të ardhurat e klubit me 80 milionë euro, për të shmangur sanksionet e UEFA-s.
Në dosjen e paraqitur para komisionit të FPF-së 5 tetorin e kaluar, klubi i Nasser Al-Khelaifi-t ka prezantuar një strategji me tre faza për të mbuluar shpenzimet e mëdha të bëra në merkaton e verës. Më shumë se të ardhurat nga të drejtat televizive, do të jetë thelbësore të thjeshtohet organika që ka në dispozicion trajneri Unai Emery, i cili do të jetë i detyruar të lërë të largohen lojtarë që, në një situatë tjetër, do të ishin të paprekshëm. Lojtarë si Julian Draxler, i marrë më pak se një vit më parë për 40 milionë euro nga Wolfsburg dhe gati të kthehet në Bundesligë të Bayern Munich, me këta të fundit që e shikojnë si zëvendësuesin ideal të Ribery. Pas tij vjen Di Maria, për të cilin do të kërkohet një sistemim në Kinë.
Ndërkohë, pas zbarkimit në Paris të një ylli botëror si Neymar dhe një talenti premtues si Mbappe, do ta lejojë klubin francez të kërkojë shpërblime më të mëdha nga Nike dhe Emirates, dy sponsorët kryesorë të skuadrës, që derdhin respektivisht në arkat e klubit 25 dhe 30 milionë euro në sezon. Në fund, janë të drejtat televizive, “market pool” dhe Monaco, rivali kryesor i PSG-së në sezonin e kaluar, që mund të bëhet një aleat i çmuar. Eliminimi i mundshëm nga faza me grupe e Champions League do të dërgonte në arkat e Paris SG një shumë më të madhe se 75 milionë euro të llogaritura nga UEFA për skuadrat franceze. Vrapi kundër kohës ka nisur, por në Paris janë të bindur se mund të përgënjeshtrojnë të gjithë ata që kanë folur për një skandal pas blerjeve të Neymar dhe Mbappe. Edhe pse ky përgënjeshtrim mund t’i kushtojë një Draxler dhe një Di Maria.
“Trazira” me Neymar
Sergio Ramos tha se, dera e klubit galaktik, ku bën pjesë, është e hapur për ish-yllin e Barcelonës, Neymar, nëse braziliani dëshiron të shkëmbejë PSG-në me kampionët spanjollë dhe europianë në fuqi. Neymar u bashkua me gjigantët e “Ligue 1” kësaj vere, për një marrëveshje rekord botëror me vlerë 222 milionë euro, por tashmë flitet për “trazira” me brazilianin ndërkombëtar. Sipas raporteve mediatike, Neymar është i pakënaqur me jetën te PSG, nën drejtimin e trajnerit Unai Emery, duke nxitur spekullimin e një rikthimi sensacional në La Liga, konkretisht te fituesit e Ligës së Kampionëve në dy edicionet e shkuara.
I pyetur për Neymar, kapiteni Sergio Ramos tha për “Cadena Ser” se, dera e Real Madridit është e hapur për Neymar. “Më pëlqen të kem më të mirët në skuadër dhe është e qartë se, Neymar është një prej tyre. Ndoshta ishte më e lehtë për të që të shkonte te PSG-ja, në vend që të vinte drejtpërdrejt te Real Madridi. Ato janë vendime personale, nuk e dini kurrë se çfarë mund të ndodhë, sepse futbolli nuk parashikohet shumë. Unë tashmë e kam derën hapur për të, nëse dëshiron të vijë. Kam gjithashtu një marrëdhënie të mirë me të”, tha ai.
Neymar ka shënuar shtatë gola në tetë ndeshje në “Ligue 1”, këtë sezon, për ta ndihmuar PSG-në të lëvizë katër pikë para kampionit francez, Monaco, gjatë këtij pushimi ndërkombëtar. Ai ka shënuar edhe katër gola në Ligën e Kampionëve, për ta drejtuar PSG-në drejt kualifikimit në 1/16 finale të këtij kompeticioni, me dy ndeshje të mbetura për t’u luajtur në fazën e grupeve.
Neymar nuk është i motivuar për të luajtur në disa ndeshje të caktuara të Ligue 1 dhe kjo thuhet se ka qenë arsyeja e mungesës së tij në ndeshjen e fundit të kampionatit francez, ku PSG fitoi 5-0 ndaj Angers, ditën e shtunë. Braziliani ka dashur të jetë i freskët për ndeshjet miqësore që do të luajë me përfaqësuesen e tij. Neymar ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 6 asiste në 8 ndeshje që ka luajtur deri tani në Ligue 1, ndërsa ai nuk ka munguar në asnjë nga katër ndeshjet e Champions League, duke shënuar 4 gola dhe duke dhënë 3 asiste.
Trajneri Unai Emery tha se, futbollisti i blerë për 22 milionë euro kishte pasur një shqetësim të vogël muskulor dhe në një konsultë me mjekët kishte vendosur ta linte pushim, por shtypi pohon se Neymar ka kërkuar të mos aktivizohet në ndeshjet pa rëndësi të kampionatit, duke e ruajtur veten të freskët për në Champions League. PSG kryeson kampionatin me katër pikë avantazh.
Megjithatë, gazeta spanjolle “Sports” shkuan se, ndeshja me Angers ishte një nga ato sfida të kampionatit që Neymar ka kërkuar të pushojë. Ai do të jetë në formacionin e Brazilit për ndeshjen miqësore që do të zhvillojë kundër Japonisë, të premtën në Lilë, ndërsa më 14 nëntor Neymar do të luajë kundër Anglisë në “Wembley”.
Di María: Isha afër Barcelonës
Disa muaj pasi ishte në gjendje të bëhej lojtar i Barçës, Ángel di María ka folur për herë të parë hapur për këtë mundësi. Ai e ka bërë atë nga Rusia, ku është i përqendruar me ekipin e tij kombëtar, bashkë me Messin dhe Mascheranon. Argjentinasi, në deklaratën e bërë për “ESPN”, ka pranuar se “isha afër kalimit te Barcelona, afër dhe larg në të njëjtën kohë. Është e vështirë për të shkuar në kësi klubesh. Kjo nuk ndodhi, por jeta vazhdon…” Në këtë mënyrë, ai konfirmon se ishte në gjendje për t’u bërë lojtar i Barcelonës dhe e lë një derë të hapur për ta realizuar këtë në të ardhmen.
Pavarësisht nga e kaluara e tij te Real Madridi, Di Maria bëri të qartë se ka vetëm një klub, ku ai nuk do të luajë: “Unë jam një tifoz i Rosario Central dhe natyrisht, që nuk do të luaja kurrë me Newell, por më vonë mund të bëhem pjesë e çdo ekipi”. Një ditë ai shpreson të kthehet në Argjentinë dhe ta përfundojë karrierën e tij në klubin e zemrës. “Tifozëve të Central u them që t’i mbajnë shpresat e tyre. Gjithmonë e kam pasur në kokën time që të tërhiqem nga futbolli si pjesë e Central”, tha DiMaria.
Gabigol do largimin nga Benfica
I ardhur me bujë te Interi verën e kaluar, Gabriel Barbosa po vuan shumë ambientimin e tij në futbollin europian. Këtë verë zikaltrit vendosën ta huazojnë brazilianin te Benfica, por edhe atje ai nuk po gjen dot hapësira për të luajtur, për shkak edhe të një debati që pati me trajnerin. Së fundi futbollisti, bashkë me klubin zikaltër, kanë vendosur që të mos qendrojë më te Benfica, por të huazohet në një tjetër klub. Ofertat e para janë nga ish-klubi i tij në Brazil, Santosi, PSV-ja në Holandë dhe Genoa.
Vetë Gabriel Barbosa është shprehur tërësisht kundër rikthimin te Santosi, ndërsa ka refuzuar edhe pistën holandeze. Më ndryshe ka qenë qëndrimi i tij në lidhje me huazimin te Genoa, ndonëse do të preferonte ndonjë klub tjetër në Serinë A. “Dua të shkoj në një klub të Serisë A, ku të luaj dhe të gjej formën time, me qëllim që në verë të rikthehem dhe t’i shërbej Interit. Te Benfica jam i zhgënjyer, sepse nuk më aktivizojnë dhe askush nuk më jep arsyet se pse nuk luaj. Jam stërvitur maksimalisht dhe jam i bindur se kam formën e duhur për të luajtur”, tha Gabigol.