Karriera e Paulo Dybala-s mund të kishte marrë një drejtim krejt tjetër në verën e 2015-ës. Asokohe ishin të shumta klubet që interesoheshin për golashënuesin e ri të Palermo-s, i cili u ble nga Juventus-i për 40 milionë euro. Roberto Mançini në eksperiencën e tij të dytë me Inter-in në 2014-2016-ën rrëfen se drejtuesit zikaltër ishin kundër blerjes së argjentinasit për të bërë dyshen e sulmit me bashkëkombësin e tij Mauro Icardi.
Gjatë një interviste për “Corriere dello Sport”, trajneri italian aktualisht në drejtimin e Zenit Saint-Petersbourg në Rusi ka shfaqur keqardhje për mosardhjen e Dybala-s në Lombardi: “Ishte një gabim nga ana e Inter-it që nuk e bleu Dyabala-n për 35 milionë euro”.
Mançini: Inter gaboi që nuk e bleu Dybala
Guardiola, gati ofertën për futbollistin e Lazios
Manchester City është skuadra europiane me ecurinë më të mirë në këto javë të para të sezonit, por gjithsesi drejtuesit e klubit vijojnë punën për ta përforcuar edhe më tej ekipin. Pep Guardiola duket se ka mbetur i mahnitur nga forma e mesfushorit serb të Lazios, Milinkoviç-Saviç dhe ka kërkuar që t’ia sjellin në Manchester sezonin e ardhshëm. Presidenti i Lazios ka vendosur një çmim prej 70 milionë eurosh për kartonin e futbollistit, por duke pasur parasysh ankandin që është hapur për shërbimet e Milinkoviç-Saviç, drejtori Igli Tare mund të synojë shumë më tepër. Mediat angleze raportojnë se drejtuesit e Manchester City-t janë të gatshme të paguajnë shumën e kërkuar, për t’i plotësuar dëshirën trajnerit Guardiolës.
Skandali i trukimeve në Greqi
Një skandal trukimesh ka përfshirë futbollin grek, teksa këshilli i 28 Gjyqtarëve të Lartë ka ngritur akuza për plot 28 persona. Ndaj këtyre personave rëndon akuza e përfshirjes në rastet e ndeshjeve të trukuara, në kampionatin grek. Emri më i bujshëm në këtë listë është Evangelos Marinakis, presidenti i skuadrës greke Olympiacos-it të Pireut. Krahas Marinakisit, në këtë listë ka edhe zyrtarë të Federatës greke të Futbollit, arbitra, trajnerë, apo ish-futbollistë të klubeve që militojnë në Superligën greke.
Ndaj biznesmenit Marinakis, pronar anijesh tregtare dhe një prej njerëzve më të pasur në Greqi, do të vazhdojnë të ekzistojnë kushtet kufizuese që ka vendosur Prokuroria për të, si ndalimi i largimit jashtë shtetit, 200 mijë euro garanci, paraqitje në rajonin më të afërt të policisë, si dhe ndalimi i çdo pjesëmarrjeje që ka të bëjë me aktivitetet futbollistike të vendit.
Tjetër rritje e çmimeve për qytetarët në muajin tetor
Inflacioni në muajin tetor pësoi një rritje të lehtë, duke u ngjitur në nivelin e 1.9 për qind, ku 1,5 për qind ose 80 për qind e krejt rritjes ka ardhur nga ushqimet.
INSTAT referon se, rritja vjetore e çmimeve në muajin tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,53 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,53 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.
Shqiptarët i bëjnë lekët ilaçe, çfarë rrezikojnë nga blerjet e tepruara

Kujdesi për shëndetin zë një peshë të ngjashme në buxhetin e familjeve shqiptare me atë të familjeve në vendet e BE-së, por struktura e këtyre shpenzimeve ka dallime të dukshme, pasi në Shqipëri 75 për qind e tyre e shkojnë për ilaçe.
Familjet shqiptare 3.4 për qind të buxhetit të tyre mujor ja dedikojnë kujdesit për shëndetin, ndërsa familjet në Europë 3.9 për qind.
Në Shqipëri sipas INSTAT, 75.4 për qind të shpenzimeve për shëndetësinë familjet i çojnë për konsumim medikamentesh, ndërsa pjesa tjetër shkon për shërbime mjekësore. Në Europë, sipas të dhënave të OECD-së, ky raport përmbyset. Në vendet e BE shpenzimet për ilaçe zënë 7-15 për qind të shpenzimeve për shëndetësinë. Por përqindja vjen e rritet në vendet që janë anëtarësuar më vonë në BE, të tilla si Hungaria, Greqia, Lituania etj., ku përqindja e shpenzimeve për medikamenteve zë mbi 20 për qind të shportës së shpenzimeve për shëndetësinë.
Shqipëria bën përjashtim në rang europian, pasi ende ekziston një kulturë e konsumimit të lartë të tyre dhe për më tepër shumë barna mund të blihen në farmaci pa recetën e mjekut, duke e bërë vendin tonë me një nivel të lartë shpenzimesh për medikamente.
Nga ana tjetër, tendenca e konsumimit të ilaçeve po vjen në rritje edhe pse popullsia po shkon drejt tkurrjes.
Gjatë periudhës janar-gusht 2017 importet e produkteve farmaceutike pësuan një rritje vjetore 14% në vlerë dhe 7% për qind në sasi.
Sipas të dhënave të INSTAT gjatë 8-mujorit u importuan 3374 tonë produkte farmaceutike në krahasim me 3128 tonë në 8-mujorin 2016. Në të njëjtën periudhë të vitit 2015 ishin importuar 2702 tonë medikamente.
Ndërsa shpenzimet për importin e medikamenteve arritën në 15.9 miliardë lekë gjatë janar-gusht 2017, nga 13.9 miliardë lekë që ishin më 2016, me një rritje 14%.
Në lidhje me këto zhvillime farmacistët dhanë disa arsye, duke pohuar edhe trendin në rritje të konsumit të ilaçeve. Plakja e popullsisë, rezistenca në rritje ndaj medikamenteve dhe rritja e sëmundshmërisë janë tre shkaqet kryesore që sipas farmacistëve në pikat e pakicës kanë rritur konsumin e medikamenteve.
Farmacistët pohojnë gjithashtu se, gjithashtu numri i personave që po bëhen rezistencë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje konsumon më shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo dhe jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave.
Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se, antibiotikët merren në 24 për qind të rasteve pa recetë mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre.
Në veçanti, 73% e individëve gabimisht konsideruan se dhimbjet e fytit mund të trajtohen me antibiotikë. Për më tepër, 69% e pjesëmarrësve deklaruan se, ftohjet e zakonshme dhe gripi duhet të trajtohen me antibiotikë. Gjithashtu, 41% dhe 34% të individët konsiderojnë të përshtatshme përdorimin e antibiotikëve për dhimbje të përgjithshme të trupit dhe të kokës respektivisht.
Kriza, po falimentojnë 38 biznese në ditë
Ka arritur në mbi 112 mijë numri i bizneseve që kanë kaluar me statusin pasiv, sipas listës së përditësuar të tatimeve deri në datën 8 nëntor. Listës i shtohen përditë subjekte të reja. Vetëm në javën e parë të nëntorit janë mbyllur 148 biznese.
Në total, sipas të dhënave të përpunuara nga lista e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, subjektet të cilat kanë kaluar në statusin pasiv gjatë periudhës janar-8 nëntor 2017-ës janë 11,200. Me këtë ritëm, afërsisht 38 subjekte në ditë kanë pezulluar aktivitetin e tyre nga fillimi i vitit deri tani.
“Monitor” kontaktoi disa nga subjektet që kanë kaluar në status pasiv në nëntor për t’i pyetur për arsyet, që i kanë çuar në mbylljen e bizneseve. Arsyet janë nga më të ndryshmet, nga largimi jashtë vendit, mbyllja për efekt sëmundje, por ajo që mbizotëron është kriza, si rrjedhojë e rënies së konsumit, qirave të larta, shpenzimeve të mëdha, por edhe konkurrencës së dyqaneve të vogla nga zinxhirët e supermarketeve në sektorin e tregtisë, që ka dhe numrin më të madh të bizneseve të vogla dhe të të vetëpunësuarve.
Dyqani ushqimor i Aida Lulit, mbrapa Drejtorisë së Policisë në qytetin e Durrësit u pezullua këtë të hënë. Aida e kishte çelur aktivitetin në janar të 2016-ës. Deri në gushtin e vitit 2016, Aida tregoi për “Monitor” se dyqani kishte pasur ecuri pozitive. “Të paktën nxirrte shpenzimet e veta. Më pas puna në dyqan ra, xhiroja ishte e ulët dhe ata që blinin nuk paguanin paratë, por shënonin emrin në listë,”- tha zonja Luli. Çdo muaj kisha shumë shpenzime dhe nuk mund të mbuloja qiranë dhe taksat. Mora edhe kredi, tha ajo për “Monitor” kur u pyet për arsyet e pezullimit të aktivitetit.
Sipas zonjës Luli edhe dyqane të tjera, në të njëjtën fushë veprimtarie kishin mbyllur aktivitetin në të njëjtën zonë, shumë pranë qendrës së qytetit të Durrësit.
Edhe Matilda Celami, tatimpaguese në Drejtorinë Rajonale të Tiranës, kishte pezulluar aktivitetin e saj në 2 nëntor. Zonja Celami ushtronte aktivitetin si dedektive private. Ajo tha për “Monitor” se shkak për mbylljen e aktivitetit u bënë taksat, pasi sipas saj profesionet e lira nuk janë të rregulluara mirë me ligj.
Një tjetër aktivitet i mbyllur në 3 nëntor është edhe dyqani i këpucëve i zonjës Marsilda Këllëçi. Zonja Këllëçi tha për “Monitor” se xhiroja e dyqanit, në Bulevardin “Bajram Curri”, nuk përballonte dot qiranë.
Pjesa më e madhe e subjekteve që kanë pezulluar aktivitetin në nëntor është në Tiranë e Durrës. Ata janë kryesisht persona fizikë, që kanë hapur aktivitet në emrin e tyre.
Sipas tatimeve, një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:
– nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
– nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
– deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar.
“Monitor”
A mund të rikthehet Berlusconi?
Në zgjedhjet rajonale në Siçili fiton një aleancë, që dikur e ka farkëtuar ish-kryeministri Silvio Berlusconi. Kjo aleancë mund të ketë shanse edhe në zgjedhjet në mbarë Italinë, që zhvillohen së shpejti. Një kufomë e politikës është ringjallur. “Berlusconi jeton”, titullonte e përditshmja “La Verità” artikullin e saj, dhe një karikaturë në “Corriere della Sera” e tregon Berlusconin, duke dalë nga një varr si Llazari në Testamentin e Ri. 81-vjeçari ka qenë katër herë kryeministër dhe ka lënë pas një sërë skandalesh, afera seksuale dhe një gjykim për evazion fiskal. E megjithatë, influenca e tij në politikën italiane është sërish e pranishme. Ai vet nuk kandidonte në zgjedhjet rajonale në Siçili. Sidoqoftë Berlusconi në sfond është përpjekur që kampi i qendrës së djathtë me Nello Musumeci të ketë një kandidat të përbashkët e ai ka bërë reklamë për të. Musumeci fitoi zgjedhjet me 40 për qind. “Siçilia, ashtu sikurse e kam kërkuar unë, ka votuar për rrugën e ndryshimeve”, shprehet i entuziazmuar Berlusconi në një mesazh me video në Facebook.
Vërtetë Siçilia tradicionalisht zgjedh në mënyrë konservatore, por kryeministri i deritanishëm socialdemokrat ishte një përjashtim. Ndërsa aleanca e Musumecis është më shumë se sa konservatore. Ajo bashkon partinë e moderuar të djathtë të Berlusconit Forza Italia me Lega Nordin, ksenofobe si dhe me një parti tjetër të ekstremti të djathtë me emrin “Vëllezërit e Italisë”. Musumeci konsiderohet si “postfashist”.
Partia më e fortë si parti më vete doli lëvizja kritike ndaj Europës Pesë Yje me rreth 35 për qind, ndërsa socialdemokratët janë ndëshkuar ashpër nga zgjedhësit. Kampin e qendrës së majtë e ka dëmtuar jo vetëm bilanci i dobët i politikës rajonale, por edhe përçarjet brenda vetes. Kjo vlen edhe në nivelin kombëtar. Tek e fundit pjesëmarrja e ulët në votime pasqyron frymën në ishull: më pak se një në dy zgjedhës ka votuar.
Problemet e Siçilisë janë problemet e Italisë
Në thelb problemet e Siçilisë janë edhe problemet e të gjithë Italisë, vetëm se më keq: borxhe të larta, papunësi e lartë (tek të rinjtë është i prekur më shumë se një në dy vetë), rritje e dobët ekonomike, influencë e mafies. Këtyre u shtohet edhe kriza e refugjatëve prej afërsisë me Afrikën. Partitë e djathta në luftën elektorale ngrinin zërin kundër migrantëve – e me sa duket me këtë temë kanë tërhequr elektorat. Ndaj edhe zgjedhjet rajonale konsiderohen si test për zgjedhjet parlamentare në maj të vitit të ardhshëm në mbarë Italinë.
Nëse i referohesh rezultateve në Siçili, Italia ndodhet para një zhvendosjeje të qartë, larg socialdemokratëve dhe drejt lëvizjes Pesë Yjet ose aleancës së re të qendrës së djathtë si në Siçili. Kandidati kryesor i Pesë Yjeve Luigi di Maio është aq i sigurt për kauzën e partisë së tij, sa ai e “konsideron të vdekur politikisht” ish-kryeministrin socialdemokrat Matteo Renzi.
Berlusconi, për të penguar Pesë Yjet?
Por një tjetër yll është ngjitur tani në qiellin politik, e ky është sërish Silvio Berlusconi. Ai e reklamon aleancën e djathtë sociale si një alternativë serioze kundrejt Pesë Yjeve. Ai, personifikimi i skandalit, u premton siçilianëve pas fitores “kthesë rrënjësore, të ndershme, konstruktive bazuar tek ndershmëria, kompetenca dhe përvoja”. Maurizio Gasparri, kryetari i Grupit parlamentar të Forza-Italia-s në senat tha: “Humbja e socialdemokratëve është evidente. Aleanca e qendrës së djathtë me programin e saj të arsyeshëm, që është projektuar nën kujdesin e Berlusconit, ka gjetur mbështejen e zgjedhësve”.
Por përse kjo ringjallje e Berlusconit të zhytur në skandale? Historiania Anna Foa në një intervistë me agjencinë e lajmeve “Reuter” konstaton me dëshpërim: “Ky është një vend, në të cilin fiton votat e zgjedhësve, duke shkelur rregullat”. Ndërsa kolegu i saj Giovanni Orsina mendon: “Berlusconi është si një makinë e përdorur me garanci. E di se çfarë merr”.
Tani për tani nuk duket sikur socialdemokratët në pushtet do të mund t’i rifitojnë zgjedhjet vitin e ardhshëm. Nëse lëvizja Pesë Yjet nuk fiton, atëherë do të jetë aleanca e qendrës së djathtë nën drejtimin e Berlusconit, ajo që do të vijë në pushtet. Deri tani Berlusconi pas dënimit duket se nuk do të mund të bëhet më kryeministër. Por 81-vjeçari shpreson, që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut deri atëherë do ta rrëzojë vendimin. Por edhe sikur ai të mos bëhet kryeministër, nëse fiton aleanca e tij e Forza Italia-s, Lega Nord-i dhe “Vëllezërve të Italisë”, Berlusconi do të jetë burri i fuqishëm në sfond. Ky do të ishte një Comeback i pashembullt.
Vizita fitimprurëse e Trumpit në Kinë
Në kuadër të vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump me homologun kinez, Xi, koncernet amerikane kanë përmbyllur kontrata miliardëshe me Kinën.
Pa u lodhur presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar deficitin tregtar amerikan mes SHBA-së dhe Kinës. Tani tonet e tij mund të zbuten: Koncernet amerikane kanë nënshkruar këto ditë marrëveshje ekonomike me sipërmarrjet kineze në vlerë prej 250 miliardë dollarësh. Vetëm të mërkurën kur Trump filloi vizitën në Kinë u përmbyllën marrëveshje në vlerën e 9 miliardë dollarëve.
Trump ka bërë shprehimisht Kinën fajtore për deficitin aktual tregtar. Por gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve, Trump është shprehur “kush mund të kritikojë një vend, që përpiqet të bëjë më të mirën për qytetarët e tij”. Trump ka kritikuar qeveritë pararendëse në Uashington.
Trump: Bashkëpunim më të ngushtë me Kinën
Në kontratat e reja bëhet fjalë për marrëveshjen me koncernin e avionëve, Boeing në vlerën e 37 miliardë dollarëve, raportoi televizioni shtetëror kinez. Rivali i Siemensit, General Electric arriti të nënshkrujë marrëveshje në vlerë 3,5 miliardë dollarë.
Pas takimit me presidentin kinez, Trump u shpreh për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Të dy vendet janë në gjendje të zgjidhin problemet në botë, tha Trump. Trump dhe presidenti kinez besojnë se edhe për Korenë e Veriut ka një zgjidhje. SHBA kërkon që Kina të përdorë influencën e saj ndaj Koresë së Veriut. Presidenti kinez u shpreh, se ai i mbetet qëllimit të tij për një gadishull korean pa armë atomike. Këtë, Kina do ta arrijë me rrugën e dialogut.
ISIS humb bastionin e fundit të madh në Siri
Ushtria e Sirisë dhe aleatët e saj kanë rimarrë kontrollin e Albu Kamalit, bastionit të fundit të madh të grupit militant Shteti Islamik (IS).
“Çlirimi i qytetit Albu Kamal është shumë i rëndësishëm, sepse sinjalizon rënien e përgjithshme të organizatës terroriste në rajon”, thuhet në deklaratën e komandës ushtarake.
Me humbjen e Albu Kamalit, militantët e Shtetit Islmaik nuk kanë më kontroll të madh territorial në Siri dhe Irak dhe besohet se ata janë duke u shpërndarë nëpër shkretëtira në Perëndim dhe Lindje të Lumit Eufrat.
Javën e kaluar, Shteti Islamik ka humbur Deir al-Zorin në Siri dhe Al-Kaimin në Irak.
Kush po rrezikon një krizë ekonomike shkatërrimtare
Agjencia “Standard & Poor’s” ka nxjerrë një njoftim, ku renditen pesë ekonomitë më të brishta midis vendeve në zhvillim.
Pesë më të mirët dhe pesë më të këqinjtë, sipas Standard & Poor’s.
Pesë të Brishtët dhe Pesë të Mrekullueshmit, është titulli i zgjedhur nga agjencia amerikane e vlerësimit për renditjen e re të ekonomive në formë, dhe atyre në rrezik, mes vendeve në zhvillim. Nga njëra anë, lista e “djemve të këqinj”, ata që rrezikojnë të pësojnë krizat e ardhshme, në skenarin e ri ekonomik botëror, në anën tjetër virtuozët.
Turqia shfaqet në vendin e parë. “Turqia është e vetmja ndër kombet sovrane që është gjithmonë ndër më të rrezikuarat, pavarësisht nga variabli i zgjedhur”, thotë shënimi shoqërues i agjencisë. Vendi i udhëhequr nga Erdogan konsiderohet në rrezik për shkak të manovrimit të njëkohshëm, të vënë në zbatim nga bankat qendrore kryesore të botës.
Rritja e normave të interesit vë në rrezik Turqinë
Federal Reserve, Banka e Anglisë, Banka Qendrore Evropiane, por edhe Banka e Japonisë, janë në fakt duke lëvizur nga një periudhë e zgjerimit të madh monetar, tek një rritje në normat e interesit. Sipas agjencisë së vlerësimit, ky veprim i përbashkët i botës perëndimore do të përbënte një rrezik jo të vogël ndaj ekonomive në zhvillim. Sipas CNBC, ekzistojnë dy rreziqe kryesore që ekonomitë, si ajo turke, ekspozohen. Së pari, kostoja në rritje e dollarit, për ekonomitë me monedha të dobëta (aktualisht 1 lirë turke ka vlerë 0.26 dollarë amerikanë), mund të ketë pasoja për investimet në dollarë, të bëra nga Ankaraja.
Së dyti, rritja e normave do të shtynte investitorët amerikanë që të kthenin në shtëpi (SHBA) portofolet e tyre, me qëllim që të mbrojnë paratë e tyre, në funksion të kësaj manovrimi ekonomik. Këto dy rreziqe konkrete ndikojnë mbi variablat e shqyrtuara nga Standard & Poor’s, duke përfshirë buxhetin e shtetit, PBB dhe përqindjen e borxhit në valutë të huaj. Variabla që do ta penalizonin Turqinë.
Në fakt, ekonomia turke ecën me ritme të larta
Megjithatë, në shtatorin e 2017, Zyra Statistikore Kombëtare e Ankarasë raportoi se ekonomia turke po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Në tremujorin e dytë të vitit, PBB-ja turke u rrit me 6.5% kundrejt 4.9% në tre muajt e parë të vitit 2017. Një rekord, para të cilit është vetëm rritja 7% e regjistruar në vitin 2015. Tendencë e njëjtë pozitive mund të regjistrohet për sa i përket papunësisë, që ra nga 11.7% në 10.5%, mes pranverës dhe verës.
Kjo gjë pra, ngre jo pak dyshime në lidhje me kriterin e përdorur nga agjencia për të përshkruar Turqinë si delen e zezë të vendeve në zhvillim. Në listë ka hapësirë edhe për Argjentinën, Pakistanin, Egjiptin dhe Katarin.
Edhe Katari në shënjestër të Standard & Poor’s
Mbi të gjitha është prania e emiratit, që shkakton habi. Në po të njëjtin shënim shoqërues, thuhet se “disa vëzhgues mund të thonë që, për shkak të rezervave të veta, Katari nuk duhet të jetë në listën e Pesë të Brishtëve. Në fakt, Katari është i dyti pas Arabisë Saudite, për bilancin e fortë të pagesave me jashtë”.
Eshtë e çuditshme pra, që pikërisht në periudhën kur dy vende, Turqia dhe Katari, po largohen nga sfera e influencës e politikës amerikane, të dy “dënohen” nga gjykimi i një agjencie amerikane vlerësimi.
Një agjenci aspak e paanshme
Në lidhje me besueshmërinë e vlerësimeve të Standard & Poor’s ishte shprehur tashmë Adusbef, shoqata e mbrojtjes së konsumatorëve, duke dënuar mungesën e paanshmërisë. Edhe Shtëpia e Bardhë nuk i ka kursyer kritikat, duke përmendur gjykimin e agjencisë në vitin 2013, që shkaktoi krizën e kredive subprime.
Vizioni amerikano-centrik i agjencisë konfirmohet edhe nga futja e Kinës dhe Rusisë në grupin e vendeve në zhvillim, kur të gjithë vëzhguesit kryesorë bien tashmë dakord se mbi të gjitha Kina, po fiton parësinë ndaj SHBA në ekonominë botërore. Edhe një herë është e mundur të shihet se si vlerësimet ekonomike të Standard & Poor’s, në dukje neutrale, mund të jenë në të vërtetë instrumenta të rafinuar të gjeopolitikës.
Il Giornale