Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe disa diplomatë të tjerë nënshkruan një deklaratë të mërkurën, e cila dënon përdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane ndaj shtetasve të saj.
Ajo pason një raport të hetuesve të Kombeve të Bashkuara që zbuluan se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad shkeli ligjin ndërkombëtar kur përdori gazin sarin në qytetin Khan Sheikhoun të kontrolluar nga rebelët, më herët gjatë këtij viti.
“E dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhe kërkojmë që regjimi sirian të ndalë menjëherë përdorimin e armëve kimike. Gjithashtu Siria, duhet t’i bëjë të ditur Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, të gjitha armët kimike që posedon”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Sekretarit amerikan të Shtetit, Tillerson, me ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë.
Zoti Tillerson dhe diplomatët e tjerë thanë se është e rëndësishme që të mbahen nën vëzhgim rastet e përdorimit të armëve kimike në Siri dhe i kërkuam Kombeve të Bashkuara të ruajnë Mekanizmin e Përbashkët Hetimor (JIM) të krijuar në bashkëpunim me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).
Sipas deklaratës, hetuesit e JIM-it kanë raportuar se një sulm tjetër me gaz sarin ka ndodhur “më shumë gjasë” në qytetin sirian të Al Lataminah-it, vetëm një javë para sulmit në Khan Sheikhoun.
“Një reagim i fuqishëm ndërkombëtar tani është thelbësor në mënyrë që përgjegjësit të japin llogari, për të kërkuar drejtësi për viktimat e këtyre sulmeve të neveritshme dhe për të parandaluar që ato të ndodhin përsëri”, thuhet në deklaratë.
Muajin e kaluar, përpara lëshimit të raportit më të fundit mbi armët kimike, Rusia përdori veton e saj në Kombet e Bashkuara për të bllokuar një rezolutë për t’i zgjatur mandatin hetuesve të JIM-t.
Gjetjet e raport ishin politikisht të turpshme për Rusinë, një aleat i vendosur i presidentit sirian.
Në Siri, qeveria është e vetmja palë në konflikt e pajisur me kapacitete ajrore. Zyrtarët rusë patën pohuar më parë, se gazi ishte lëshuar nga një bombë në tokë dhe jo nga ajri.
Dënohet përdorimi i armëve kimike nga Siria
Trump dhe Putin mund të takohen në Vietnam
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin mund të takohen gjatë kësaj jave, ndërsa do të marrin pjesë në një takim të nivelit të lartë që zhvillohet në Vietnam, sipas një njoftimi të sotëm të Kremlinit.
Këshilltari për çështjet e jashtme i presidentit Putin, Yuri Ushakov tha se, “ka çështje për t’u diskutuar dhe se Moska është gati për këtë takim”.
Ai tha se të dy udhëheqësit do të takohen mes sesioneve të forumin vjetor të Bashkëpunimit Ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit, që fillon të premten në Danang të Vietnamit.
Ai tha gjithashtu se, në një moment presidentët Trump e Putin mund të zhvillojnë një takim më “të gjerë” kokë më kokë, por për këtë nuk është caktuar ndonjë datë.
Gjatë kësaj jave, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov i tha agjencisë ruse të lajmeve RIA se, nëse dy udhëheqësit takohen “do të ketë shumë mundësi” që ata të diskutojnë lidhur me Korenë e Veriut.
Megjithatë ai tha se aktualisht, nuk ka bashkëpunim mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Korenë e Veriut.
Sulm vdekjeprurës kundër policisë në Pakistan
Katër policë të Pakistanit, përfshirë një inspektor të lartë, janë vrarë në një sulm të talibanëve në qytetin Kueta.
Sulmuesi vetëvrasës ka pasur në shënjestër makinën që po transportonte zëvendësin e inspektorit të përgjithshëm, Hamid Shakeel, tha policia.
Tre oficerë të tjerë që kanë qenë duke udhëtuar me Shakeelin janë vrarë po ashtu, thanë zyrtarët pakistanezë.
Shakeel ka luajtur rol të rëndësishëm në arrestimin e militantëve dhe të pjesëtarëve të grupeve të vogla separatiste në vitet e fundit, tha policia.
Kueta është kryeqytet i provicës Baluçistan, e cila ka qenë skenë e një kryengritjeje të vogël të grupeve separatiste Baluç. Militantët islamikë po ashtu operojnë në rajon.
Stërgjyshja e kundër revolucionit rus
Ajo njihet si stërgjyshja e kundër-revolucionit rus. Korrespondenti i Shërbimit Rus të “Zërit të Amerikës”, Vadim Massalsky u takua me Natalia Clarksonin për të zbuluar se si iu dha asaj ky emërtim dhe për të folur për kujtimet e saj.
Stërgjyshja e kundër-revolucionit rus jeton në Uashington, Natalia Yurievna Clarkson është stërmbesë e gjeneralëve të perandorisë ruse, bijë e një oficeri të Ushtrisë së Bardhë që luftoi bolshevikët pas revolucionit rus dhe një veterane e gazetarisë amerikane.
“… Ai po kthehej në hotel pas një loje brixhi. Ishte shumë vonë. Ishte momenti kur filloi sulmi ndaj Pallatit të Dimrit. Ai nuk dëgjoi asgjë. Përshkoi rrugën Nevsky Prospekt, shkoi në hotel dhe ra të flinte. Në mëngjes kamerieri i sjell mëngjesin dhe i thotë ‘Kemi një qeveri të re’. Dhe ja kështu, ai ishte në gjumë, ndërsa ndodhte revolucioni. Dhe nuk i dëgjoi të shtënat. A kishte apo nuk kishte të shtëna. Për këtë po debatojnë njerëzit”.
Natalia Clarkson kujton historinë e të atit, Yuri Konstantinovich von Meyer, një dëshmitar i Revolucionit të Tetorit në Petrograd dhe më pas një oficer i Ushtrisë së Bardhë udhëhequr nga gjenerali Denikin. Natalia Yurievna vetë lindi në Beograd dhe u rrit në Gjermani. Ajo u njoh me Alexander Kerenskyn në Mynih në fillim të viteve 1950. Kur i tregoi gjyshes për takimin, ajo u befasua:
“… Hyra me vrap në dhomë ‘mami, nëna, takova Kerenskyn!’ Gjyshja më hodhi një vështrim të ftohtë dhe më tha: ‘Shko në banjë dhe laj duart’”.
“… “Sa i pafytyrë! Ndërsa më fliste, i kishte vënë këmbët mbi tavolinë dhe po rrufiste një gotë me qumësht. E merr dot me mend? Gjyshja ime nuk mund t’ia falte kurrë këtë”.
Dita e Revolicionit të Tetorit nuk ishte ndonjëherë ditë feste për familjen e saj të madhe ruso-amerikane. Por në vitin 1987, Natalia Yurievnas, që atëherë ishte drejtore e Shërbimit Rus të “Zërit të Amerikës”, papritur i lindi ideja që të festonte 7 nëntorin.
“… Mendova: po sikur në përvjetorin e atij që ishte një grusht shteti bolshevik, jo një revolucion, të rrëfejmë historinë e revolucionit të vërtetë rus? Më demokratike. Ai që ndodhi në shkurt 1917”.
Në atë kohë, Aleksander Solzhenicin botoi një vëllim tjetër të romanit të tij epik “Rrota e kuqe” për Rusinë në vitet 1914-‘17. Mbesa e gjeneralëve caristë arriti të realizonte atë që nuk mund ta bënin gazetarët amerikanë: ta bindte që të inçizonte personalisht një seri fragmentesh nga romani i tij për “Zërin e Amerikës”.
“Faleminderit zotit, ai ra dakord. Shkuam në Vermont dhe inçizuam 36 kapituj. Dhe gjashtë muaj më pas i bëmë publike…”
Një nga gazetarët sovjetikë e quajti Natalia Clarksonin, stërgjyshen e kundër-revolucionit rus. Natalia Yurievna nuk mendon se meriton një kompliment të tillë dhe vazhdon të jetë përkrahëse e palëkundur e evolucionit paqësor demokratik.
“Asnjëherë revolucioni nuk është diçka e këndshme, pavarësisht nga entuziazmi. Unë vetë si ruse tipike, kur kam emocione të forta, i shpreh në vargje:
Mërmërite mes turmës, gjëmime dhe shushurima nga jashtë
O zot, sa e tmerrshme është të jesh në pushtet në këtë vend të tmerrshëm!
Vdekje e diçkaje që duket e pavdekshme. Luftë në vend të apatisë,
O Zot mos e lejo erën të kthehet në rrathët e tu!”.
Ish-shefi i FBI rekomandoi uraniumin te rusët, sot heton rusët!
Mueller dhe Deep State
Siç është dëgjuar të flitet shumë këto ditë, një prokuror special i quajtur Robert Mueller po grumbullon “prova” se, Vladimir Putin ka influencuar mbi presidencialet amerikane, duke bërë të zgjidhet Trump, se Trump është në bashkëpunim me Putinin dhe interesat e Rusisë, armike e Shteteve të Bashkuara. Ka inkriminuar një njeri të quajtur Paul Manafort, dhe nga ky po i zgjeron hetimet, të cilat e kërcënojnë gjithnjë e më shumë presidentin aktual. Ama ekzistojnë dhe shtohen provat e pakontestueshme, se në fakt ka qenë Hillary Clinton, ajo që ka favorizuar interesat ruse. Domethënë se është ajo të cilës i duhen drejtuar akuzat dhe hetimet e një prokurori special. Po dalin dokumenta dhe dëshmitarë që po flasin, si Donna Brazile, ish-shefja e Komitetit Kombëtar Demokrat, por asgjë nuk po e tund narrativën e sajuar: është Trump bashkëpunëtori i Putinit. Domethënë është tamam e kundërta e së vërtetës, ajo që ka zënë vendin kryesor në narrativën mediatike amerikane.
Le t’u bëjmë një përmbledhje fakteve. Në vitin 2009, teksa Hillary ishte Sekretare Shteti, një kompani kanadeze, e quajtur Uranium One, e kontrolluar nga një mik dhe donator i çiftit Clinton, arrin që të marrë kontrollin e 20% të minierave amerikane të uraniumit. Një komision special, që ka detyrën e verifikimit të vlefshmërisë së shitjeve të aseteve kombëtare të huajve, jep të gjitha autorizimet e kërkuara. Pjesë e këtij komiteti (Committee on Foreign Investment in the United States) janë Sekretari i Shtetit ose një përfaqësues i tij, ministri i Drejtësisë, një delegat i Shtëpisë së Bardhë, ekspertë dhe teknikë. Ata kanë dhënë autorizimin e shitjes së uraniumit kanadezëve, vetëm pas rekomandimit të shefit të FBI-së, që në atë kohë nuk ishte kush tjetër përveçse Robert Mueller! Domethënë i njëjti prokuror special që sot kërkon ta kapë Trump me akuzën e bashkëpunimit me Moskën.
Tashmë është sqaruar se, kompania “kanadeze” ishte në të vërtetë vetë fasada mbrojtëse e një kompanie ruse, degë e kompanisë shtetërore Rosatom, e kryesuar nga një mik i Putinit. E dinte qysh atëhere mjaft mirë FBI-ja, e cila kishte të gjitha provat sesi kjo kompani që kishte paguar tanxhente në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Bile më shumë: një informator i FBI-së kishte infiltruar Uranium One dhe u jepte raporte federalëve lidhur me atë që bënte vërtet kompania. Megjithatë, ky informator ka marrë urdhërin që të heshtë. Nga kush? Nuk mund të mos e ketë marrë veçse nga Mueller, atëbotë shefi i FBI-së dhe sot akuzues i Trump, ose nga Eric Holder, ministri i Drejtësisë i Obamës. Tani ministri i Drejtësisë së Trump i ka dhënë leje informatorit që të flasë përpara Komisionit të Drejtësisë së Senatit dhe të Dhomës, por se ky i fundit nuk tregon aspak nxitim që ta dëgjojë.
Fakt është se administrata Obama ishte mjaft mirë në dijeni të faktit që kompania kanadeze ishte një fasadë e Rosatom-it. Por pavarësisht kësaj, Hillary Clinton qe midis atyre që dhanë autorizimin për shitjen e uraniumit amerikan. Menjëherë më pas, Presidenti i kësaj kompania “kanadeze” bëri një donacion për të famshmin Clinton Foundation, entin “pa qëllim fitimi”. Sa ishte shuma e dhuruar? Shifra modeste e 145 milionë dollarëve. Domethënë një tanxhente milionëshe, e dhënë indirekt gruas nëpërmjet burrit. Sot dihet se Clinton Foundation është përdorur si mbledhës tanxhentesh të kësaj natyre, nga ana individësh dhe shtetesh sovrane (për shembull arabe) për të pasur një sy të favorshëm ndaj aferave të tyre nga ana e Departamentit të Shtetit. Mbi të gjitha, sapo është dhënë autorizimi për shitjen, ish-Presidenti Bill Clinton është ftuar në Moskë për të mbajtur një konferencë: prapa shpërblimit të majmë prej gjysmë milioni dollarësh vetëm për 30 minuta, të paguar nga një bankë e rëndësishme ruse e afërt me Kremlinin. Bile Bill u prit deri nga Vladimir Vladimiroviçi personalisht.
Kujdes: nuk bëhet fjalë vetëm për një rast gjigantesk korrupsioni në përfitim të çiftit Clinton. Pasi korrupsioni ka pasur të bëjë me shitjen e një aseti strategji kombëtar, siç nënvizon analisti Charles Gave, akuza mund të jetë për tradhëti në favor të një vendi të huaj armiqësor, gjë që të çon tek dënimi me vdekje: qe ajo akuza që ju komunikua çiftit Rosenberg, të dërguar në 1953 në karrigen elektrike pse i kishin dhënë Stalinit sekretet e prodhimit të bombës bërthamore.
Është shumë interesante të listohet se sa dhe çfarë personalitetesh mund të thirren për të vërtetuar se Hillary ka kryer tradhëti: Ministri i Drejtësisë i Obamës (Eric Holder), vetë Obama (nuk ka sesi të mos e dinte) dhe Robert Mueller, kreu i atëhershëm i FBI-së që dinte gjithçka dhe i tha informatorit të FBI-së që të mos thonte asgjë. Po ky Mueller, nuk lodhemi ta përsërisim, që është akuzuesi special i Trump për të ashtuquajturën Russiagate. Tani Donna Brazile, që ka pasuar Debbie Wasserman Schultz, e njohur si fajtore pse ka favorizuar në mënyrë të padrejtë Hillary kundër kandidatit tjetër demokrat, Bernie Sanders, në primaret demokrate) po e shkarkon çiftin Clinton, padronët e partisë, tashmë të rrezikshëm. Veç gjërave të tjera, tani dihet: Lidhur me dosjen famëkeqe që zbulonte sesi në një udhëtim në Rusi Trump kishte pasur takim me prostituta në Moskë që e bënin të shantazhueshëm dhe të shantazhuar nga rusët. Ish-ambasadori britanik në Moskë do të ia jepte këtë dosje kaq kompromentuese kujt? Senatorit John McCain, armiku i betuar i Trump. McCain më pas do t’ia kalonte atë James Comey, Drejtori i atëhershëm i FBI-së (ka pasuar Mueller); Comey do tía tregonte Obamës dhe më pas Trump. Menjëherë dosja është bërë e ditur nga mediat, të cilat nuk kanë munguar ta shpërndajnë. Ia vlen të kujtohet se kjo dosje është hartuar nga një britanik me emrin Christopher Steele, ish-agjent i MI6-ës, prej vitesh i dërguar nga shërbimet britanike në Moskë, në pas i kthyer të drejtojnë zyrën e Rusisë në MI6. Pasi ka dalë privat dhe ka krijuar agjencinë e tij private të informacionit, Steele kontaktohet që të fabrikojë pikërisht një dosje kompromentuese lidhur me Trump, gjë që personazhi e bën, ka mundësi duke dëgjuar kontaktet e tij në shërbimet ruse.
Tani e dimë se kush ia ka komisionuar dosjen Steele, bile edhe ia paguar: Hillary Clinton dhe ortakët e saj në krye të Partisë Demokrate. E kanë bërë nëpërmjet një studioje avokatësh, për të shmangur normat që e ndalojnë një kandidat që të përdorë të huaj për fushatën e tij elektorale. Është një truk, kujton Charles Gave, të cilin Hillary e ka përdorur tashmë. Për shembull në vitin 1992, kur përdori një studio avokatie për të përhapur shpifje lidhur me një numër të mirë femrash që e kishin akuzuar për përdhunim Bill Clinton. Ka qenë një ndodhi që sot të kishte një interes të madh për mediat, nëse do të donin të investigonin, në valën e të akuzuarit tjetër për ngacmime seksuale nga artiste të famshme, ai Harvey Weinstein që është mik i madh, donator dhe mbledhës fondesh për fushatën e Hillary. Është interesante të dihet edhe se Kevin Spacey, aktori që sot zbulohet si pedofil “grabitqar”, bashkë me çiftin Clinton ka qenë mysafir prej vitesh i avionit privat të financierit Jeffrey Epstein, të ashtuquajturin “Lolita Express”. I gjykuar fajtor pse ka dhunuar të paktën 100 vajza 13-vjeçare dhe i dënuar me dënime të buta pse a shpërblyer viktimat me para, Epstein i sillte mysafirët e tij me “Lolita Express” e tij si në ishullin e tij privat Little St. James në Karaibe, ashtu edhe në lokalitete të Virgin Islands apo afrikane, ku mysafirët mund të shfrynin epshet e tyre të sëmura mbi djem dhe vajza, të siguruar nga çdo pasojë e mundshme penale. Domethënë do të ishte një linjë hetimi, me ankthin (për çiftin Clinton) e “Pizzagate” në sfond.
Por asgjë. Mediat nuk e vrasin mendjen farë. Nuk interesohen as për lajmin që ish-Drejtori i FBI-së Comey, kur mori nga McCain dosjen e Steele, i dha ish-agjentit të MI6-ës 50000 dollarë që të vazhdonte të gërmonte për vese të supozuara të Trump në Moskë – kur tashmë Trump ishte zgjedhur dhe dosja dukshëm që ishte plot falsitete. Kurse mediat e kanë paraqitur Comey si një shërbëtor të devotshëm të shtetit verën e kaluar, kur Trump, tashmë president, e ka shkarkuar nga posti i drejtorit të FBI-së dhe Comey është kërkuar menjëherë në seancë dëgjimore nga Kongresi, ku ka shpifur për Trump dhe ka rikonfirmuar se sipas tij ka pasur një “ndërhyrje masive ruse” në zgjedhjet amerikane, nënkuptohet që në favor të Trump, ndërkohë që kemi parë se nëse ka patur një të tillë, ajo ka qenë në favor të Hillary Clinton. Kujdes: fakti që Comey ka paguar një agjent të huaj (Steele) për të manipuluar situatën politike amerikane është në vetvete një krim federal që meriton 30 vjet burg, sidomos nëse kryhet nga kreu i FBI-së. Në të vërtetë, e dimë sepse e ka thënë vetë Comey, motivi i vërtetë për të cilin Trumo e ka shkarkuar: në janar, i sapo zgjedhur, Presidenti e thirri Comey për darkë në Shtëpinë e Bardhë dhe i kërkoi besnikëri: “Pres besnikëri, kam nevojë për besnikëri”. Është minimumi që një President mund të kërkojë dhe Comey ia refuzoi impenjimin.
Por në të njëjtën kohë po asistojmë në vetëshkatërrimin e dinastisë Clinton, të Partisë Demokrate, të qarqeve globaliste që e mbështesin, të përfshirë nga furtuna e akuzave për vese seksuale të ndyra, që nuk shpëtojnë askënd. Pas Weinstein përdhunues brutal, zbulohet se një ish-trader i Soros Fund Management, 62-vjeçari Howie Rubin, i martuar me 3 fëmijë, është akuzuar nga ish-vajza kopertina të “Playboy” se i ka përdhunuar dhe torturuar. Të tërhequra nga një festë në superpapafingon 8 milionë dollarëshe të Manhattan, vajzat zbulonin se padroni ishte i tipit BDSM (Bondage – Dominant – Submission – Masochist): i fuste në një dhomë të transformuar në një dhomë sekrete, plot me zinxhirë dhe objekte të tjera torture, i lidhte, i mbyllte gojën dhe i rrihte fort, pastaj i përdhunonte tërbimshëm, duke ju ulëritur: “Të përdhunoj siç përdhunoj vajzën time!”. Njëra prej vajzave u rrah aq shumë, sa që “gjiri i djathtë i bërë i shpërtheu”. Rubin e ka dëmshërblyer me 20000 dollarë, duke e parë të nënshkruajë një NDA, Non Disclosure Agreement. Një avokat ortak me financierin milioner i vinte vajzat që ta nënshkruanin këtë dokument përpara takimeve. Një detyrim ligjor për të heshtur. Vajzat “paguheshin nga 2000 në 5000 dollarë”.
Është një tërmet moral e material që trondit “thuajse të gjitha satrapitë dhe të fuqishmit e Deep State, mediat, makinën e destabilizimeve të quajtur Soros, sistemin monolotik të unifikuar të quajtur “bipartizam”, aparatin e riciklimit të quajtur Las Vegas, rrjetin e drogës, luftës kulturore, prostitucionit dhe shantazhit të quajtur Hollywood. Bile në Uashington ka që thonë se botimi i disa dokumentave lidhur me vrasjen e Kennedy është një prej shpatave të shumta të Damokleut, që qëndron mbi ta”.
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Gazetari malazez, Ivanoviç: Fjalime si ai i Ramës prodhojnë vrasje
Në ditën ndërkombëtare të medias, në vijim të panelit dhe interaktivitetit me gazetarët në sallë, erdhi reagimi i fortë i gazetarit malazez Zeljko Ivanovic.
Sipas tij, fjalimi i kryeministri Edi Rama ishte skandaloz teksa fliste për mediat. Gazetari i ‘Vijesti’ theksoi se kreu i qeverisë shqiptare foli siç do fliste Aleksandër Vuçiç.
FJALIMI I ZELJKO IVANOVIÇ
Fillimisht dua te flas për fjalimin që beri zoti Rama në panelin e parë. Unë mendoj se ishte vërtete një skandal ajo çka ai tha. Për 25 minuta ai foli për kredibilitetin e medias dhe të gazetarëve. Ndërsa për gati 5 minuta kryeministri Rama foli për rendësinë e lirisë së shtypit. E njëjta gjë do kishte ndodhur po të ishte këtu me Vuçiç apo presidenti Trump. U ndjeva totalisht si ta them i sulmuar.
Për 13 vite me radhe, tre herë në ditë redaktori bërtët: ‘Mbledhje!!!’ ku flasim dhe diskutojme per besueshmerine e burimeve, per historite qe do mbulojme te nesermen. Tre here ne dite kjo per kaq shume vite, e pas kesaj nje Kryeminister del ketu sic doli zoti Rama per 25 minuta e na thote sesi media duhet te jete e besueshme. Sigurisht qe duhet te jete e tille. Ne jemi te besueshem. Por problemi ka ate beje me politikanet. Psh; ne Malte ndodhi nje vrasje, dhe keto lloj fjalimesh prodhojne keto vrasje. Kryeministri atje per vite i thoshte gazetares qe nuk kishte besueshmneri. Dhe me ne fund ajo u ekzekutua nga mafia.
Drejtori i Policisë së Elbasanit thirret në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për 863 mijë eurot
Pas arrestimit të biznesmenit Orest Sota në Elbasan pak ditë më parë, të cilit iu gjetën 863 mijë euro si dhe 2 patenta në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri, drejtori i policisë së Elbasanit Altin Qato ka zhvilluar një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me këtë çështje.
Burimet bëjnë me dije se takimi mes drejtorit të policisë dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda ka nisur në orën 14:00.
Kujtojmë se biznesmeni Orest Sota tha se shumën e parave e kishte për të shlyer disa pagesa në një kompani, ndërsa patentat i kishte harruar shoferi i Tahirit me të cilin ai kishte miqësi.
Berisha denoncon planin antishqiptar Rama-Vuçiç ndaj Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit
Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar një skenar mes Ramës dhe Vuçiç kundër shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.
“Denoncuam me ashpërsinë më të madhe qëndrimet albanofobe të Aleksandër Vuçiç dhe Edvin Kristaq Ramës ndaj shqiptarëve të Preshevës. Në këtë periudhë mjalti midis këtyre të dy zyrtarëve me të lartë të vendeve respektive, regjimi i Vuçiç ka ndërmarrë masa anti-shqiptare ndër më të egrat që ka njohur Presheva, Medvegja e Bujanovci ndonjëherë në historinë e tyre. Ai synon ripopullimin e këtyre trevave të pastra shqiptare me refugjatë nga territore të tjera të Ballkanit dhe jo vetëm të Ballkanit. Për këtë qëllim, në dhunim të ligjeve, Kushtetutës dhe të gjitha konventave ndërkombëtare, regjimi i Vuçiç ka zëvendësuar udhëheqësit legjitimë të shqiptarëve të Preshevës me vasalë të tij, të cilët arrijnë të marrin vetëm në një mbledhje 50 e ca vendime të diktuara që të gjitha nga Beogradi, të miratuara plotësisht nga Edvin Kristaq Rama, i cili është i angazhuar në një betejë për jeta a vdekje për ekzistencën e tij në mbrojtje të trafiqeve të tij, të aferave të tij skandaloze”, u shpreh Berisha.
Për ish-Kryeministrin ngjarja e Kumanovës ka qenë një plan i shërbimeve sekrete të Shkupit, Beogradit dhe me siguri edhe ato ruse.
“Forca albanofobike dënojnë me 750 vjet burg shqiptarët në procesin e Kumanovës, një proces i stisur tërësisht nga shërbimet sekrete të Shkupit, Beogradit dhe me siguri edhe ato ruse, me të cilin me ngjarjen tragjike të Kumanovës, albanofobët nuk kishin qëllim tjetër veçse të shpopullonin qytetin përjetësisht shqiptar të Kumanovës. Kam kërkuar dhe kërkoj një hetim ndërkombëtar, ndëshkimin me forcën më të madhe të ligjit të të gjithë atyre albanofobëve, sllavë apo shqiptarë qofshin ata që inskenuan një skenar tragjik që kushtoi kaq shumë jetë dhe tani vazhdon me 750 vjet burg mbi shqiptarët. Natyrisht, këtu kam një qeveri, e cila ka shpallur se ka zero probleme me fqinjët, në të vërtetë ka zero interes kombëtar”, tha Berisha.
Paralizë totale të shtetit ligjor nga narko-shteti
Ish-Kryeministri deklaroi se, shteti ligjor është në paralizë të plotë si pasojë e të qenit në krye të qeverisë të Ramës. “Qeveria e Edi Ramës është qeveria e zero interesit kombëtar. Kjo qeveri ka interes vetëm pasurimin e paligjshëm me çdo gjë të klikës në pushtet. Shqipëria, si asnjë vend tjetër është ngërthyer në bllokimin e drejtësisë, është ngërthyer në paralizën totale të shtetit ligjor nga narko-shteti dhe kjo vetëm e vetëm se në krye të saj ndodhet Noriega. Një gazetar i njohur do shprehej këto kohë se kur kishte parë filmin Narkos mendon se, çfarë sajimesh arrinte të bënte Hollivudi për të servirur një gjendje dramatike të narko-trafiqeve. Por kur po shoh skenarët e Edi Ramës, shoh se ata kanë qenë diletantë në krahasim me Noriegën shqiptar, i cili është i aftë të sajojë çdo skenar”, tha Berisha.
Edi Rama kërkon të mbrohet duke ia mbathur nga Parlamenti
Mbathja e Ramës nga Parlamenti dëshmon panikun e tij nga përballja me opozitën dhe një mënyrë prej dështaku për të mbrojtur veten e tij ndaj akuzave që rëndojnë mbi të.“A mund t’u thuash shqiptarëve se pse Noriega po braktis çdo arenë. Bëhet takimi zyrtar i Policisë dhe FBI, ikën si djalli nga temjani. Bëhet takimi tjetër, përsëri po kaq i rëndësishëm, ia mbath. Bëhet diskutimi këtu për drogën dhe 850 mijë eurot, përsëri ia mbath. Në këtë mënyrë ka vendosur të mbrohet zotëria e tij? Nuk mbrohet dot, nuk ka shpresë. I thuaj të vijë këtu!!”
Të deklasifikohet mbledhja e një viti më parë e Këshillit të Sigurisë për Drogën
Deputetët e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim u janë drejtuar këtë të mërkurë Presidentit Ilir Meta me një kërkesë, për deklasifikimin e mbledhjes së 11 nëntorit 2016, të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë mbledhje u diskutua për problematikën e drogës dhe kanabisit. Deputetët opozitarë thonë se, kërkesa e tyre ‘vjen si ndjeshmëri për situatën e rëndë të krijuar me përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës dhe pas skandalit të dalë në media, ku rezulton nga hetimet e Prokurorisë së Katanias se ish – ministri i Brendshëm, ka pasur lidhje direkte me aktivitetin kriminal të bandës së Habilajve’. Në kërkesën e tyre, të siguruar nga “TV Klan.al”, vlerësohet me interes publik që të dihen të dhënat e asaj kohe dhe mbi të gjitha angazhimet e marra nga institucionet dhe nga qeveria në atë mbledhje për luftën ndaj drogës dhe për të bërë një ballafaqim me rezultatet e dhëna. I pari, që bëri thirrje për publikimin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte ish – Kreu i Shtetit Bujar Nishani, në atë mbledhje President i Republikës. “Më 11 nëntor të vitit 2016 është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare nën drejtimin e Kreut të Shtetit në atë kohë, z. Bujar Nishani, lidhur me problematikën e mprehtë të drogës dhe kanabisit.
Në atë mbledhje, ka pasur raportim nga institucione të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në vend, mbi situatën e drogës. Është me interes publik të dimë sot të dhënat e asaj kohe dhe mbi të gjitha angazhimet e marra nga institucionet dhe nga qeveria në atë mbledhje, për luftën ndaj drogës dhe për të bërë një ballafaqim me rezultatet e dhëna. Për këtë arsye, ne deputetët e opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kërkojmë që të deklasifikohet materiali i diskutuar në atë tryezë dhe të bëhet publike.
Kërkesa jonë vjen si ndjeshmëri për situatën e rëndë të krijuar me përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës dhe pas skandalit të dalë në media, ku rezulton nga hetimet e Prokurorisë së Katanias se ish-ministri i Brendshëm ka pasur lidhje direkte me aktivitetin kriminal të bandës së Habilajve.
Në këto rrethana, do t’i shërbente publikut dhe interesit kombëtar dhe Komisionit tonë parlamentar të Sigurisë, qasja ndaj mbledhjes së 11 nëntorit 2016, për të kuptuar angazhimin e institucioneve në kohën kur kanabizimi i vendit ishte në kulmin e tij. Kërkesa jonë bazohet në nenin 13 të Ligjit për informacionin e klasifikuar “Sekret Shtetëror” thuhet në kërkesën e publikuar në media.