30.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Burg pa afat për krahun e djathtë të Habilajve

Disa prova të reja të paraqitura nga Prokurorët për Krimet e Rënda bindën Gjykatën të japë një masë të re sigurie për Nezar Seitin, i dyshuar si financieri i grupit të Habilajve. 6 ditë para skadimit të masës izoluese me afat 20 ditor ndaj tij, Gjykata e Krimeve e la dje në “arrest në burg” deri në përfundim të hetimit. Prokurorët e bazuan kërkesën e tyre në prova të ardhura nga Prokuroria e Katanias, kryesisht përgjime ambientale, që faktojnë bashkëpunimin e Seitit dhe Moisi Habilajt në pazaret e drogës.
Referuar akteve të përcjella nga hetuesit italianë, emri i Moisi Habilajt ka dalë në skenë në vitin 2012, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Odesa”. Guardia Di Finanza në këtë aksion bllokoi qindra kilogramë drogë dhe arrestoi një skafist. Në përgjimet, Moisi Habilaj del si drejtuesi i grupit dhe furnizues me shumicë i grupeve kriminale me kanabis në Italinë e Jugut. Në këtë operacion është arrestuar Elson Zhurda, i njohur me nofkën “Maloku”. Hetimet kanë zbuluar se një nga kontaktet më të shpeshta telefonike të tij ishin me Moisi Habilajn. Sipas prokurorëve, të dyshuarit janë zënë mat nga përgjuesit e vendosur në mjetet e tyre.
Në një bisedë pas arrestimit të një prej anëtarëve të grupit, Florian e Moisi Habilajt dhe Nezar Seitit diskutojnë për një shumë parash, që do ia japin avokatit të tij. “Janë 200 mijë euro, ku do i fusim”, shprehej Seiti. Në një tjetër bisedë të përgjuar Seiti i shpreh shqetësim Moisi Habilajt se mos u del ndonjë problem. “Pa merak”, e qetëson Habilaj. Sipas prokurorëve, të dyshuarit në vijimësi kanë patur dyshime mos ishin në përgjim. Për këtë shkak, ata kanë kontrolluar herë pas here mjetet, por pa mundur të gjejnë përgjuesit.
Prokurorët shpjeguan se, në të paktën 8 raste, kur konstatohej se Nezar Seiti dhe Moisi Habilaj, vizitonin vende në bregdetin italian, në 72 orët në vijim aty bllokohej sasi droge që vinte me gomone nga Shqipëria. Përgjimet ambientale, autoritetet italiane i kanë kryer në një makinë në pronësi të Moisi Habilajt. Ata diskutojnë mbi shumat e parave që kanë fituar nga trafiku i kanabisit dhe mbërritja e ngarkesave të reja në brigjet italiane. Në një rast, Nazer Seiti është përgjuar me Florian Habilajn, për një sasi droge që do të mbërrinte në Itali. Një ditë më pas, policia e vendit fqinj, në atë vend që po diskutonin ata, kapi 800 kilogramë kanabis.
Nezar Seiti u arrestua në Vlorë në 19 tetor në zbatim të një urdhër-arresti të Gjykatës së Katanias. Ndaj tij u nis një procedim penal edhe nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Aktualisht ndaj Seitit ekzistojnë dy masa sigurie, si edhe një masë “arrest në burg” me afat 20 ditor për qëllime ekstradimi.

Policia kreu vepër penale për Sotën

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një juristi, i cili thotë se, policia ka kryer vepër penale me lirimin e personit që ndodhej në makinën e Orest Sotës. “Me lirimin e personit që ndodhej në makinën e Orest Sotës, policia kreu vepër penale! Juristi dixhital denoncon”, shkruan Berisha në Facebook.
“Doktor, cilido që të ishte personi në makinë me Orest Soten ai duhej të ishte ndaluar, pasi ka konsumuar veprën penale.
Neni 301 i Kodit Penal thotë:
Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Faktikisht, ai nuk u ndalua fare. Policia jo pa qëllim e la të lirë, duke shkelur ligjin. Doktor, ju përshëndes dhe ju uroj punë të mbarë”, shkruan juristi.

 

863 mijë euro në makinën e Sotës, Prokuroria sekuestron regjistrat e “Kurum”

Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi regjistrat e shitblerjes së kompanisë së çelikut “Kurum” në Elbasan, në kuadër të hetimeve për origjinën e 863 mijë eurove të gjetura në makinën e Orest Sotës disa ditë më parë. Synimi është të kontrollohet e gjithë praktika e shitjeve të kësaj kompanie, për të mësuar nëse i arrestuari Orest Sota dhe babai i tij, Lefter Sota, kanë blerë hekur në këtë kompani dhe nëse kanë detyrime financiare ndaj kësaj kompanie ose jo.
Orest Sota deklaroi pas arrestimit se, shuma e parave në makinë kishte për qëllim blerjen e disa mijërave ton hekur në kompaninë “Kurum”. Pavarësisht se babai i Sotës ka pretenduar se sasia e eurove i përket atij, ai ende nuk është paraqitur në Prokurori dhe të verë në dispozicion dosjen me pretendimet e tij.
Në dobi të këtij hetimi dhe për të hedhur dritë mbi origjinën e parave dhe misterit se si kanë përfunduar në makinën e Orest Sotës tre patentat e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij, Prokuroria pritet të pyesë ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri dhe shoferin e tij, Gentian Ceka. Sipas Orest Sotës, patentat e ish-ministrit e bashkëshortes së tij ishin në makinën që po udhëtonte, pasi shoferi i Tahirit i kishte harruar aty, pasi ata kishin miqësi. Bëhet e ditur se, Prokuroria do të verifikojë edhe pozicionin e Gentian Cekës më 1 dhe 2 nëntor, kur u arrestua Sota, nëse ka qenë në detyrë pranë Gardës së Republikës apo jo.

Maskat terror në Urën Vajgurore, dhunojnë e grabisin çiftin në banesë

Të maskuar dhe me armë disa persona sulmuan një shtëpi në Donofrosë të Urës Vajgurore. Aty ndodheshin vetëm çifti Osmën dhe Drita Baxhia. Bëhet e ditur se, maskat sapo kanë hyrë brenda kanë kërkuar njërin nga djemtë e çiftit që sapo ishte kthyer nga Anglia. Burrë e grua u qëlluan me tytën e armës. Ata kërkuan në çdo ambjent të shtëpisë, por dhe pse aty kishte para nuk i kanë prekur. Me vete morën vetëm dy celularë që gjetën në kuzhinë. Ngjarja ka ndodhur në kohën, kur në fshat është ndërprerë energjia elektrike. Banorët tregojnë se, çifti Baxhia ka dy djem emigrantë në Angli dhe njëri i sapokthyer nuk ndodhej për momentin në shtëpi.
Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje shkuan forca të shumta policie, të cilët kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën. Dyshohet se maskat duhet të kenë patur ndonjë konflikt me djemtë e familjes Baxhia, megjithatë akoma nuk janë sqaruar rrethanat e sakta.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e shtetasit O.B., 57 vjeç. Ky i fundit dhe bashkëshortja e tij shtetasja D.B, 55 vjeçe, janë dhunuar nga grabitësit me sende të forta. Ata kishin dëmtime të lehta në pjesën e kokës dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetim.
Policia ka marrë në pyetje çiftin, i cili ka thënë se disa persona të maskuar dyshohet të armatosur kanë hyrë në banesën e tyre. Pasi kanë hyrë në banesë janë konfliktuar me çiftin, duke e goditur shtetasin O.B në kokë me qytë të armës. Bashkëshortja e tij ka ndërhyrë, ku dhe kjo ka pësuar dëmtime të lehta. Shtetasit ende të pa identifikuar kanë kontrolluar banesën, ku kanë marrë dy aparate celular dhe janë larguar menjëherë.

Kontrabanda e cigareve, jep dorëheqjen drejtori i Portit të Durrësit

Drejtori i Drejtorisë Operacionale në Portin e Durresit, Fatjon Sulaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra që mbante. Lajmi për dorëheqjen e tij vjen një ditë pas skandalit me kontrabandën e cigareve në Portin e Durrësit. Sulaj vinte nga radhët e LSI, dhe ka mbajtur këtë detyrë për 4 vite.
Kujtojmë se një ditë më parë, Drejtoria e Doganave bllokoi një sasi prej 6100 koli cigare me vlerë 610 mijë euro në Portin e Durrësit, pasi dyshohet se do hynin kontrabandë. Pas kontrollit të 5 konteinerëve, u gjetën 6100 koli ose 3,050,000 paketa cigare, të cilat nga kontrolli rezultuan të papajisura me pulla fiskale.
Ish-kryeministri Berisha, ka denoncuar një ditë më parë një tjetër vjedhje të madhe që po bëhet në doganën e Durrësit. Berisha ka postuar në Facebook mesazhin e një doganieri, i cili thotë se, zyrtarët po vjedhin 5 milionë dollarë në Doganën e Durrësit. Doganieri i shkruan Berishës se në këtë skandal është përfshirë edhe drejtoresha dhe drejtori i Antikontrabandës. “Ja si po i vjedhin zyrtarët 5 milionë dollarë në Doganën e Durrësit! Lexoni mesazhin i doganierit dixhital!”, shkruante Berisha.
“Mirdita Dr, jam doganier në Durrës. Prej mëse 3 muajsh në Portin e Durrësit kanë ardhur 5 konteinerë me cigare pa pullë fiskale. Këto erdhën në periudhën e zgjedhjeve me porosi të burrit të drejtoreshës, Bedis dhe Androkliut. Për t’i kaluar do t’i kalonte klani i tyre në dogana, drejtori i Antikontrabandës, z.Prifti me atë të Hetimit, z.Brahja, në pikën e konteinerëve ku është përgjegjës turni miku i tyre z. Beshiku. Por meqë ranë në sy, i kaluan në magazinën doganore dhe këto dy ditë po përpiqen me të gjitha mënyrat, por askujt nga ne nuk ja mban të firmosë, sepse bëhet fjalë për 5 milionë USD evazion fiskal. Kuptohet që edhe policia i ka mbyllur sytë me kohë. Paskan dy ditë se i mbaron afati dhe nuk dinë nga t’i çojnë”, shkruante doganieri.

Atentati mafioz në Vlorë, si shpëtuan babë e bir nga plumbat

Një video është publikuar dje nga televizionet ku duket atentati i 1 tetorit në Vlorë, ku u plagosën Ferdinand Llanaj, djali i tij 8-vjeçar dhe Dritan Bega, pas të shtënave me breshëri kallashnikovi nga një makinë tjetër. Në video duket momenti kur makina “Mercedez Benz” e Ferdinand Llanajt afrohet për t’u futur në rrugën Transballkanike, ndërkohë që një “BMW” i pret rrugën. Në këtë çast nisin të shtënat nga makina BMW, ku dallohen dy persona, të cilët qëllojnë me kallashnikov. Nga video që “Report TV” disponon duket Ferdinand Llanaj, i cili ndodhet në vendin e pasagjerit, hap derën dhe del nga makina për t’i shpëtuar plumbave.
Edhe Dritan Bega braktis makinën dhe shikohet teksa rrotullohet në rrugë dhe fshihet në krah të automjetit “Benz”. Ndërkohë fëmija 8-vjeç i Ferdinand Llanajt nuk del nga makina, duke mbetur i plagosur. Dy autorët qëllojnë me breshëri dhe brenda 10 sekondave drejt mjetit “Mercedez Benz” është qëlluar 20 herë, me qëllim për të vrarë Ferdinand Llanaj.

Gjimnazisti i jep fund jetës duke u hedhur nga ura e Bushtricës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje fshatin Qukës të Librazhdit, ku një 18-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga lartësia e Urës së Bushtricës dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 12:00. Sipas policisë, i riu që u hodh nga ura është Fation Feci në vitin e tretë në gjimnazin e Qukësit. Një nga miqtë e viktimës tha se i riu ishte një djalë normal dhe nuk kishte shfaqur shenja të dukshme se mund të ndërmerrte aktin e tillë. Sipas tij, ngjarja ka qenë e papritur dhe shokuese për të gjithë të afërmit dhe miqtë.
Ndërkohë nëna e të riut, sot në mëngjes i kishte rrëfyer mësueses se i biri ditët e fundit kishte qenë i mbyllur dhe duhet të kujdesej pak për të. Nga ana e saj, mësuesja thotë se nuk ka vënë re ndonjë shqetësim tek 18-vjeçari. Paraprakisht hetuesit nuk kanë gjetur shenja dhune në trupin e të riut.
Mira Golikja, drejtoresha e gjimnazit “Dilaver Nezha” që frekuentonte 18-vjeçari Fatjon Feçi u shpreh se, “Fatjoni ishte fëmijë i mrekullueshëm. Na ra si bombë lajmi, nuk na besohet ende”. Golikja shprehet me fjalët më të mira për Fatjonin dhe familjen e tij. Ashtu si të gjithë ata që e njihnin edhe ajo nuk gjen arsye për këtë vdekje, ende të paqartë dhe të pabesueshme.
“Fatjoni kishte një familje të mirë, vetë ishte më i rregullti, fëmijë i urtë. Nuk di çfarë të them”, thotë ajo. Drejtoresha mohon çdo përfshirje të Fatjonit në ndonjë konflikt apo sherr në shkollë.
“Nuk largohej kurrë nga orët e mësimit. Ishte i qetë. S’ka pasur konflikte dhe ne nuk kishim vënë re asgjë të dyshimtë apo të ndryshme në sjelljen e tij”, shprehet drejtoresha Golikja. Ajo thotë më tej se mësuesi kujdestar dhe mësues të tjerë kanë dhënë dëshminë e tyre për policinë për të qartësuar rrethanat e ngjarjes dhe motivin që çoi në vdekjen e të riut.

U shisnin drogë gjimnazistëve, shkatërrohet banda e shqiptarëve

Dhjetë persona, midis të cilëve tetë shqiptarë dhe dy grekë kanë rënë në prangat e policisë greke si pjesë e një bande që u shiste drogë nxënësve nëpër gjimnazet e Athinës. Të arrestuarit janë të moshës nga 18 deri në 26 vjeç. Dy shqiptarë, njëri 24 vjeç dhe tjetri 26 vjeç besohet se kanë luajtur rol drejtues. Ata e merrnin lëndën narkotike nga Shqipëria dhe e fshihnin në një nga shtëpitë e tyre.
Më pas droga shpërndahej tek anëtarët e tjerë të grupit kriminal, të cilët më pas e shisnin për nxënësit në katër zona të ndryshme të Athinës, në Zografu, Kaisariani, Vironas dhe Pangrati. Autoritetet u shprehën se janë duke kërkuar edhe për disa bashkëpunëtorë të tjerë që mendohet se janë të gjithë shqiptarë.
Sipas mediave greke, çmimi për një gram kanabis shitej pesë deri në tetë euro. Për tre muajt e fundit mendohet se banda ka shitur rreth 12.5 kilogramë duke fituar përafërsisht rreth 100.000 euro. Pas kontrolleve në shtëpitë e të arrestuarve autoritetet sekuestruan 1.5 kilogramë kanabis, 8.000 euro, një armë dhe 12 celularë. Gjithashtu, ata bllokuan tre makina dhe një motor, të cilat përdoreshin nga grupi kriminal.

Dy shqiptarë para gjykatës në New York, vodhën rreth 15 mijë dollarë

Dy shqiptarë do të përballen me disa padi nga një gjykatë federale në Providence të New York, pasi akuzohen se kanë hyrë nga një dyqan për të vjedhur një bankomat dhe disa ilaçe nga një farmaci. Ngjarja ka ndodhur në tetor dhe padia akuzon Epirot Krasniqin, 26 vjeç dhe Liridon Gashin, 32 vjeç për tentativë vjedhjeje të një institucioni financiar, vjedhje banke, tentativë për të vjedhur ilaçe të kontrolluara dhe vjedhje të ilaçeve.
Sipas padisë, pak kohë para se të mbyllej dyqani midis datës 9 dhe 10 tetor, Krasniqi dhe Gashi, të pajisur me dy radio dore dhe disa pajisje çanë tavanin e dyqanit dhe hapën me forcë një bankomat. Shqiptarët vodhën afërsisht 14.720 dollarë nga bankomati.
Autoritetet lokale shkuan menjëherë në vendngjarje pas alarmit për vjedhje dhe i gjetën shqiptarët të fshehur lart në tavan, ku kalojnë tubacionet e ajrit të kondicionuar. Fillimisht, Krasniqi dhe Gashi ishin akuzuar nga një gjykatë shtetërore e Rhode Island, por më vonë u liruan me kusht. Epirot Krasniqi u arrestua të martën në New York, ndërsa për Liridon Gashin është lëshuar urdhër arresti federal.

Si djali i Arta Dades masakroi kreun e Hipotekës për ‘Vollgën’

Zbardhet dëshmia si djali i Arta Dades, Alban Dabulla kërcënoi me armë dhe dhunoi kreun e Hiptekës në zyrë për ish-hotel “Vollgën”. Një ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dëshminë e Drejtoreshës Juridike të Hipotekave, Merita Qatos e kërkuar nga Prokuroria në procesin ndaj Shullazit. Dëshmitarja tregoi se për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” është informuar pasi është kthyer nga pushimet verore të 2014-ës. Më tej, ajo tregoi se pezullimi i veprimeve të mëtejshme ishte vendosur, pasi për këtë çështje kishte konflikte, ndërkohë që nuk përmendi emra, ndërsa shtoi se nuk njihte asnjërin nga të pandehurit.
Dëshmitarja mbajti qëndrim tjetër nga ai i dhënë prej saj në qershor 2016, në të cilin tregonte se pala e konfliktit përfaqësohej nga shtetasi Alban Dabulla. Për këtë arsye, prokurorët e pyetën Qaton a i kishte njohur apo jo personat që ishin në takim me kryeregjistruesin Ilirjan Muho, duke marrë përgjigje negative prej saj.
Kur Merita Qato u largua, prokurorët kërkuan kundërshtim të thënieve të saj, me arsyetimin se dëshmitarja më herët ka dhënë një dëshmi të detajuar. Në procesverbalin e mbajtur nga grupi hetimor, që disponon “Top Channel”, dëshmitarja ka deklaruar se, pas pushimeve ishte thirrur në takim nga kryeregjstruesi Ilirjan Muho, ku dhe ka gjetur Jurgis Çyrbjen, në atë kohë kreu i Hipotekës së Durrësit dhe pas 25 qershorit deputet i Partisë Socialiste.
Bashkë me ta ndodhej edhe një person tjetër për të cilin dëshmitarja tregon: “Kur mbërrita në zyrën e tij konstatova se aty kishte plasur një debat i madh deri në zënka fizike. Ky personi që unë nuk e njihja, më vonë mësova të ishte Alban Dabulla, që po i bërtiste Jurgis Çyrbes, duke e kërcënuar. Në një moment, Albani ishte ngritur dhe Jurgisi ishte ulur dhe Albani e rrëzoi nga karrigia. E pashë që e goditi Jurgisin. Unë menjëherë ndërhyra dhe e kapa Albanin nga dora, duke i thënë; çfarë bën në zyrat e shtetit”, ka deklaruar ajo.
Pas pyetjes se për çfarë ishte ky debat, dëshmitarja tregon se, bëhej fjalë për regjistrimin e ish-“Vollgës” për të cilin kryeregjistruesi i kishte kërkuar në këtë takim që të anulonte veprimet, pasi sipas pretendimeve të shtetasit Dabulla, çështja ishte nën gjykim.
“Pretendimi i personit që u prezantua si përfaqësues i shtetasit, Zamnir Hasa ishte se nga zyra qëndrore ishte lëshuar një shkresë që ishte në kundështrim me ligjin. Kryeregjistruesi më tha të përgatisja një shkresë pezullimi”, dëshmoi Qato.
Më herët për kërcënimet ka dëshmuar edhe ish-kreu i Hipotekës së Durrësit, Jurgis Çyrbja, aktualisht deputet i PS, i cili tregoi se kishte marrë një SMS nga një person me emrin Alban, që i thoshte; “kontrollo në Google se kush jam unë”.

Gjyqi ndaj Shullazit

Në seancën e radhës, Gjykata do të lexojë rrëfimin e shtetasit Jani Zaka, i cili pretendon se është kërcënuar nga Shullazi, ndërsa sipas sistemit TIMS, ai rezulton të jetë larguar nga Shqipëria, pasi ka treguar se është kërcënuar nga grupi i Shullazit.
Biznesmeni i mbrojtur, Ylvi Beqja ka deklaruar se, Emiliano Shullazi e ka kërcënuar dhe marrë shuma të mëdha parash në formë gjobëvënie.. Në dëshminë e dhënë para Gjykatës dëshmitari i Beqja ka treguar se është kërcënuar me armë nga Shullazi dhe u detyrua t’i ofronte shuma të mëdha parash. “Jam detyruar t’i jap pronën sapo kemi shkuar te noterja A. Spahiu, pasi aty Shullazi ka mësuar për shitjen e një pjesë të ish-“Vollgës”, te çifti Kodra. Pas kërcënimit që më bëri me pistoletë dhe me fjalë të ndryshme, një ditë më pas kam shkuar te noterja A. Spahiu, duke i kërkuar që t’i jepte Shullazit 30 për qind të pronës, dhe jo 20 për qind siç kishim rënë dakord”, ka pohuar në Gjykatë biznesmeni Ylvi Beqja. Gjithashtu ai ka deklaruar edhe për një shumë prej 700 mijë eurosh, që i kishte dhënë Shullazit dhe miqve të tij nëpërmjet kërcënimit.
Akuzat e ngritura nga Prokuroria për Emiljano Shullazin janë disa: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.