24.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

‘Takova shefin e madh’, sekuestrohet libri i takimeve të Tahirit në Ministri

Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë sekuestruar librin e takimeve në Ministrinë e Brendshme nga viti 2013 deri në 2017. Bëhet fjalë për periudhën kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri, të cilit do t’i rishikohen në lupë edhe emrat e personave që ka pritur në zyrë. Ky veprim hetimor po kryhet për të verifikuar përgjimet e italianëve të njërit prej të dyshuarve në grup, shtetasit Florian Habilaj.
I njohuri ndryshe si “Lolo”, në një nga përgjimet e Prokurorisë së Katanias thotë se, ishte në Tiranë dhe ka takuar shefin e madh. Sipas asaj që përshkruan Prokuroria shqiptare, roli i Saimir Tahirit në trafikun e drogës ishte ajo e njeriut që mbronte bandën dhe garantonte imunitet nga Policia. Pikërisht këtë rol kishte “Shefi i madh” një person ende i paidentifikuar, por që ka dalë nga përgjimet e telefonatave të Habilajve nga italianët. Kështu, ndërsa Moisi Habilaj merrej me mafiozët italianë të Katanias, vëllai i vogël, Floriani kishte nën kontroll situatën në Shqipëri. Ai është përgjuar pas një vizite në Tiranë, ku kishte takuar “Shefin e madh”, që dyshohet se është Saimir Tahiri.
Por ka pak mundësi që prokurorët të gjejnë emrin e Habilajt në librin e hyrje-daljeve në Ministrinë e Brendshme. Kjo, thonë burimet, për arsye se aksesi në ministri nuk bëhej vetëm nëpërmjet portës kryesore. Zyra e ministrit të Brendshëm komunikon nëpërmjet një korridori dhe një dere të posaçme me BunkArt2, i ndërtuar në vendstrehimin e dikushëm sekret të Ministrisë së Punëve të Brendshme të kohës së diktaturës. Ish-ministri Tahiri, thanë të njëjtat burime e përdorte këtë zyrë për ‘takimet informale’, edhe për shkak të aksesit me një hyrje-dalje të veçantë.
Pas sekuestrimit të disa bizneseve dhe shtëpive të banimit të Habilajve në qytetin e Vlorës pak ditë më parë, Prokuroria Krimeve të Rënda iu është drejtuar me nga një shkresë të dytë Drejtorisë së Tatimeve, Doganave, Hipotekave si edhe Drejtorisë së Portit Detar të Durrësit.
Këto infromacione shtesë nga akuza, bëhen për të vërtetuar dyshimet e hetuesve italianë, se grupi kriminal i “Habilajve” ka gjeneruar të ardhura të shumta nëpërmjet trafikut të narkotikëve drejt brigjeve italiane. Po kështu, Prokuroria dyshon se janë regjistuar mjete lundruese që përdoreshin për transport droge, në emër të të afërmeve të Habilajve, dosje e cila po hetohet tashmë në mënyrë të imtësishme. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se, në kërkesën e dytë ishtë përfshirë edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Hetimi pasuror, ka nisur në bazë të Ligjit “Antimafia”. Në sitë janë edhe familjarët e Tahirit, për të cilët pritet të verifikohen pasuritë e paluajtshme e llogaritë bankare, për të mësuar nëse ata i justifikojnë apo jo këto pasuri. Në shkresën e Prokurorisë që iu dërgua institucioneve të tjera për verifikim, thuhet që përgjigja të jepet sa më shpejt të jetë e mundur, por pa saktësuar një datë përfundimtare.
Ndërkohë, dosjes “Habilaj” do t’i shtohet edhe Orest Sota, i prangosur pak ditë më parë në qytetin e Elbasanit, me dy patenta të Saimir Tahirit dhe me 863 mijë euro në bagazhin e automjetit tip “Land Rover”. Aktulisht, procesi ndaj vëllezëve “Habilaj”, zhvillohet në Gjykatën e Katanias, ndërsa pjesa tjetër e grupit, si Nezar Seiti dhe Armando Kaçorri po gjykohen tek Krimet e Rënda.

 

Një vit më parë, kur Trump mposhti i vetëm establishmentin

Si sot një vit më parë, amerikanët zgjodhën Donald Trumpin si presidentin e tyre të 45-të. Zgjedhja e papritur e zotit Trump shkaktoi tronditje në gjithë vendin dhe mbarë botën, por nëntë muajt e tij të parë në detyrë kanë qenë kaotike. Trump ka përmbushur disa nga premtimet e tij zgjedhore, por ka dështuar në disa të tjera.
Nata e zgjedhjeve, një vit më parë. Donald Trump çuditi botën me fitoren e tij presidenciale që pak e prisnin.
“Republikanë, demokratë dhe të pavarur në mbarë vendin. Ka ardhur koha të bashkohemi”, – tha presidenti.
Në inaugurimin e tij, Trump u bëri një premtim votuesve të shtresës punëtore që e ndihmuan mjaft fitoren e tij.
“Politikanët u pasuruan, por vendet e punës dhe fabrikat u mbyllën. Kjo masakër e amerikanëve merr fund këtu dhe përfundon tani”, tha presidenti.
Zgjedhja e tij nënkuptonte një zhvendosje sizmike për politikën amerikane, thotë analisti John Feehery.
“Mendoj se votuesit republikanë të bazës janë tani votues të zotit Trump dhe e shohin çdo përpjekje të republikanëve për të penguar Presidentin Trump si një sulm të drejtpërdrejt kundër tyre”.
Por presidenca e zotit Trump pati një fillim të vështirë me protesta masive dhe polemika mbi përmasat e turmës që mori pjesë ditën e inaugurimit.
“Ishte audienca më e madhe që ndiqte një inaugurim dhe pikë – si për nga prania në vend edhe nga ndjekja televizive në mbarë botën”,tha zëdhënësi i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
Presidenti shënoi një fitore të hershme me konfirmimin e gjykatësit Neil Gorsuch për në Gjykatën e Lartë.
Ai vlerësohet për situatën ekonomike, me rritjen e tregut të aksioneve dhe për fitoret e shënuara në luftën kundër Shtetit Islamik.
Por presidenti Trump dhe aleatët e tij republikanë pësuan një sprapsje me humbjen e votimit në Senat për të zëvendësuar ligjin e shërbimit shëndetësor.
Kjo e ka lënë të bllokuar planin e punës së presidentit, thotë analisti Allan Lichtman.
“Asnjë parti në pushtet me kontroll të unifikuar të qeverisë, kurrë nuk ka dalë aq bosh sa administrata Trump dhe republikanët që kontrollojnë Kongresin e Shteteve të Bashkuara”.
Zakoni i presidentit me Twitterin tërhoqi mjaft vëmendje, ashtu si edhe disa deklarata të debatueshme pas protestave të dhunshme në Çarlotsvillë të Virxhinias.
“Në protesta kishte njerëz shumë të mirë nga të dyja palët”, tha presidenti duke iu referuar protestuesve rivalë.
Trazirat dhe mungesa e suksesit në Kongres kanë bërë që niveli i miratimit për punën e presidentit të jetë i ulët, thotë analisti Larry Sabato.
“Një shumicë e madhe e amerikanëve besojnë se Donald Trump po bën një punë të dobët si president. Ata nuk e miratojnë punën e tij dhe ky mendim po përkeqësohet”.
Por tubimet e stilit të fushatave dhe përdorimi i Twitterit e kanë mbajtur të ndezur bazën e tij – dhe i kanë siguruar besnikëri mes shumicës së republikanëve në Kongres, thotë Matthew Dallek:
“Ai ka një mbështetje prej 35 apo 38 përqindësh në anketa dhe kjo e bën të vështirë për republikanët që kontrollojnë Kongresin që ta sfidojnë hapur presidentin”.
Megjithatë aktakuzat e fundit kriminale në hetimin për Rusinë kërcënojnë gjithashtu të hedhin hije mbi Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar pasigurinë për të ardhmen e presidencës Trump, thotë analisti Sabato:
“A mund të dalë i paprekur nga kjo? Po. A mund të rizgjidhet? Sigurisht. Ndonjëherë është e vështirë të zgjidhesh vetëm herën e parë. Por ai po e bën këtë të vështirë, si për miratimin e axhendës së tij dhe për të mbajtur Kongresin në duart e republikanëve ashtu edhe për t’u rizgjedhur”.
Zgjedhja e Trumpit ishte një moment përcaktues në politikën amerikane, por ndikimi i kësaj në vend dhe në botë, mbetet ende për t’u parë.

Seferi

Edison YPI

Seferi lindi në Pacomit pranë Vjosës, përballë me Dhëmbelin dhe Nëmërçkën. Kur ishte fëmijë, një ditë kqyrte laryshinë e njerëzve, ditën tjetër shtrihej përmbys në tokë me orë të tëra shihte i mahnitur ecejaket e milingonave, strategjitë e tyre të mbijetesës. Seferi mahnitej gjithashtu me pyllin, fletët e dushqeve, të cilat, kur era i kthente mbrapsht, bëheshin të kuqërremta dhe Seferit i dukej sikur pylli në faqe të malit merrte zjarr, shndrrohej në det i ndezur me dallgë.
Një vëlla i Seferit doli partizan. U kthye nga partizanllëku pas tre ditësh. Kishte parë në Mokër disa partizanë që kishin shkuar në hell një ballist. Erdhi i lemeritur. Ra përmbys mbi shtrat. Nuk u ngrit. As hëngri as piu. Vdiq pas pak ditësh. Seferi, djalë Beu, thoshte i tmerruar; Kush ka, do. Kush nuk ka, urren.
Partizanët që s’kanë nuk mund ta duan Shqipërinë më tepër se Bejlerët që kanë. Një ditë, i tha Seferit një zengjin, -Do dal partizan. -Pse do dalësh partizan? -Sepse më dhimbset fukaraja. Shqiptarët duhet të bëhen të barabartë. -Mos u mundo zotrote deri në mal, ku edhe mund të gjesh belanë. Bëj një gjë më të kollajtë. Fale pasurinë.
Bëji shqiptarët të barabartë me shembull personal. Fill pas “luftës”, i tmerruar nga yxhymi i partizanëve, Seferi e nuhati që po të rrinte në fshat do ta kishte pisk. Në Tiranë, Seferi bëri jetë të veçuar. Fiksimi i përhershëm i Seferit ishte urrejtja e pafundme ndaj absurdit komunist. Seferi gdhihej, ngrysej, fliste, pyeste, përgjigjej, zgjohej, flinte, ëndërronte, me urrejtje të pafundme për regjimin dhe dreqërit që e mbanin gjallë. Jetoi i strukur në një qoshe të shtëpisë. Tymoste duhan të dredhur. Nën jastëk mbante gjithmonë një roman.
E lexonte aq i përqendruar romanin e poshtë-jastëkut sa pas ca kohësh e dinte të gjithin përmendësh. Pastaj merrte romanin tjetër, e kështu me rradhë. Seferi i mahniste mysafirët e besuar duke u rrëfyer dromca nga jeta e vet dhe fragmente të zgjedhura nga romanet që lexonte. Sipas Seferit, shkrimtarët më të mëdhenj të botës ishin Shekspiri, Kadareja, Shollohovi, Balzaku, Turgenievi. Artistët më të shquar Fred Astaire dhe Ginger Rogers. Tema e përhershme e bisedave të Seferit ishte natyra paradoksale e sistemit.
Veçanërisht ligësitë, pabesitë, krimet e diktatorit. Seferi qe përsosmërisht i bindur se diktatori “ishte” qenia më frikacake mbi fytyrë të dheut, egocentristi më i neveritshëm. Shtaza që nuk i interesonte asgjë. Shqiptarët jo e jo. As familjarët, dhe askush tjetër. Vetëm vetja. Vetëm 1 metër katror Shqipërie, sa katër pllakat e dyshemesë ku mbështeste këmbët. Ndërsa lidhur me “çfarë bëri” Seferi thoshte; Mori bujkun e mbrehu në parmendë e vuri të tërhiqte plugun. Kaut i dha në dorë hostenin të detyronte bujkun të çante arën.
Seferi e mbante veten antikomunistin më të madh të botës, pas Çurçillit. Seferi thoshte se Shqipëria ishte, jo Ferri, por bërthama e zjarrtë e Ferrit, ku flakët e verdha të squfurit djegin gjithçka. Thoshte Seferi për diktatorin; Po të më bjerë në dorë një herë të vetme ai fëlliqësirë, do ja pres fytin me biçak, do ja nxjerr sytë me një gozhdë të skuqur në zjarr, do ja coptoj mishin me sëpatë do ua hedh qenve. Do ta vras atypëraty.
Një çast më vonë, ai plehër sajon një gënjeshtër dhe ma prish mendjen, më rrëshket nga duart, më ikën. Një variant i zgjeruar i masakrimit të diktatorit ishte ky; Do thërres dhjetë mjekët më të mirë të botës. Do t’i urdhëroj t’ja xhveshin lëkurën copa-copa me pinca. Nga koka te këmbët t’ja lyejnë mishin me kripë të imët. T’ja veshin përsëri lëkurën dhe tja qepin me gjylpëryer e spango. Do t’u jap mjekëve dhjetë ton flori shpërblim. Me kusht që pas xhveshjes së lëkurës dhe kriposjes së mishit, ndyrësira të mbetet gjallë dhe të vuajë torturën e merituar me brisk, xhveshje lëkure, kripë, spango, gjilpërë. Përndryshe, nëse pas kësaj kure shpëtimtare gjarpëri do ngordhi, dhe rrjedhimisht nuk do vuaj më, të dhjetë mjekët do i var në litar.
Një ditë Seferi tha: Sot nuk do dal nga shtëpia. Do rri brenda. Nuk i shoh dot me sy surretërit e deformuar të shqiptarëve të sotëm, pamjen e tyre të mjerë, kokat e tyre të ulura si skllevër. Seferi nuk doli nga shtëpia as të nesërmen, as të pasnesërmen, as pas një jave, e as pas një muaji. Familja, farefisi, miqtë, u bënë merak. Me këtë rast, një nip i Seferit kujtoi principin “Lartësim përmes Rrëzimit”.
Seferi u lut të mos ja prishnin qefin e të ndenjurit brenda përderisa duke mos parë me sy turma, kënde të kuq, banderola, parakalime, brohorima, sytë dhe veshët i kishin rënë rehat, shikimi dhe dëgjimi i ishin përmirësuar, zemra i rrihte më mirë, dhe rrjedhimisht ndejtja brenda i ishte bërë e dashur. E mirëkuptuan. Në kthinën ku Seferi gdhihej e ngrysej, rrëfente me gjallëri dhe stil ngjarje të pafundme plot me dromca të këndëshme, gjithmonë me të njëjtën temë; Çudinë kriminale që e rrethonte.
Kur ngordhi diktatori dhe ishin bërë vite që Seferi nuk dilte nga shtëpia për shkak se nuk e shihte dot me sy lëvritjen e turmës, zbukurimet për festa, veçanërisht spiunat që trokisnin te dera për të thirrur për punë vullnetare, për të votuar etj., pikërisht pra kur njerëzit prisnin që Seferi të qe mërzitur dhe të hiqte dorë nga vetburgosja, Seferi arriti në përfundimin se qoshja ku ishte strukur nuk ishte mjaftueshëm e fshehtë dhe e thellë për të bërë jetën që i përshtatej, atë me romane, miq, biseda të rrezikshme, prandaj i duhej të zhvendosej në një kthinë të dytë më të thellë dhe më të fshehtë se kthina e parë. Edhe këtë herë e mirëkuptuan.
Në kushtet e reja logjistike, bashkë me arsenalin e romaneve, Seferi tërhoqi edhe miqtë e bisedave, të cilët, pas fundosjes së dytë të Seferit u entuziazmuan dhe shprehën dëshirën për ta ndjekur Seferin ku të donte Seferi, edhe në fund të botës, edhe prapa diellit. Seferi nuk u tund nga kthina e dytë edhepse jashtë kërcisnin fitoret, gjëmonin kongreset, ulërinin mbledhjet, bënin kërrdinë plenumet.
Shembjen e regjimit, shpalljen e pluralizmit, ndryshimet demokratike, që Seferi i kishte pritur me ankth gjithë jetën, Seferi nuk i pëlqeu, por as nuk i refuzoi. Pavarësisht nga ky qëndrim jo fort i kuptueshëm që u interpretua me kompleksitetin e karakterit të Seferit, familjarë e miq thanë se tashmë Seferi nuk kishte arsye të rrinte brenda. Mirëpo pikërisht atëhere, kur prej pothuaj 30 vitesh jetonte i mbyllur në shtëpi nga kthina në kthinë, daja im Seferi, bashkë me romanet seriozë, miqtë besnikë, bisedat e rrezikshme, u fut në një kthinë të tretë, edhe më të thellë edhe më të fshehtë se dy kthinat e para, prej nga nuk lëvizi më deri në frymën e fundit, kur Ylli i zi i vetmohimit heroik u përpi nga qielli i ndritur i qesharakizmit demokratik shqiptaresk.

Ministri britanik: Duhet një qeveri e pastër, jo me krim të organizuar

Ministri i shtetit britanik për Europën dhe Amerikën, Alan Duncan deklaron nga Tirana se Shqipërisë i duhet një qeveri e pastër nga lidhjet me krimin e organizuar. Megjithëse i rezervuar në deklaratat e tij, ministri britanik përmblodhi në një fjali të vetme qendrimin e Britanisë së Madhe në lidhje me atë se çfarë po ndodh në Shqipëri, përsa i përket kanabizimit të vendit dhe forcimit të pushtetit të krimit të organizuar në lidhjet e tij me politikën: Zhdukje të këtyre lidhjeve. Në një intervistë për “Ora News”, ministri britanik flet për situatën në Shqipëri teksa shpreh shqetësimin për rritjen e krimit të organizuar e nga ana tjetër ka shprehur shqetësimin edhe për klimën e biznesit në Shqipëri, ku ministri britanik thekson rëndësinë e mosfutjes së hundëve nga politika.

-Para së gjithash, cili është qëllimi i vizitës suaj në Tiranë?
Shqipëria ka një rëndësi të veçantë për Mbretërinë e Bashkuar, marrëdhëniet tona janë shumë të mira. I gjithë rajoni ka rëndësi për ne dhe po bëhemi gati për të pritur Samitin e Vendeve të Ballkanit vitin tjetër, pra kam qenë në disa vende të tjera dhe ishte shumë e rëndësishme të vija këtu personalisht dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu.

-Patët ndonjë takim interesant?
Në fakt isha shumë i kënaqur të flisja në një konferencë mbi strategjinë për të luftuar krimin e organizuar, gjë e cila është shumë e rëndësishme. MB ka qenë shumë afër qeverisë në betejën kundër krimit të organizuar, pra ishte mirë që isha atje personalisht.

-Me çfarë po e ndihmoni Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar? Me logjistikë apo para?
Po punojmë me qeverinë mbi krimin që në fakt nuk gjendet kurrë vetëm në një shtet. Zakonisht i kalon kufijtë midis shteteve, pra na prek gjithashtu edhe ne. Ne punojmë ngushtë për sa i përket bashkëpunimit policor dhe të sigurohemi se ky vend është i pajisur mirë për të goditur seriozisht krimin e organizuar dhe jo ta injorojë si një problem të tjetërkujt.

-Krimi i organizuar është shndërruar në debatin kryesor në Parlament, siç ju e dini mendoj. Çfarë rekordesh apo rezultatesh ka Shqipëria në luftën kundër tij?
Nuk dua të gjykoj, por ajo që dua të shoh është që MB, BE dhe SHBA të punojnë ngushtë me qeverinë, dhe sigurisht që qasja të jetë e drejtë, vendosmëria të jetë e fortë për ta zgjidhur problemin. Strategjia që u prezantua është një hap inkurajues për t’i bërë të gjithë të punojnë bashkë, ta trajtojnë këtë si një problem serioz dhe të sigurohemi se kriminelët nuk do të shpëtojnë.

-A jeni i informuar për akuzat për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në krimin e organizuar?
Sigurisht që jam i informuar për akuzat, për zhvillimet, por kjo është një çështje e sistemit të drejtësisë shqiptare, shtetit tuaj të së drejtës. Sigurisht ne vëzhgojmë, por nuk na takon ne të përfshihemi dhe t’ju tregojmë se çfarë duhet të bëni.

-Po për sa i përket imazhit të Shqipërisë?
Mendoj se imazhi i Shqipërisë po rritet që është gjë e mirë. Mendoj se lidhja me MB është shumë e fortë. Mendoj se roli juaj në rajon është shumë i rëndësishëm, pra ne po presim që ju të luani një rolin tuaj në Samitin e Ballkanit që shpresojmë ta mbajmë vitin tjetër në Londër.

-A jeni të shqetësuar se politikanët shqiptarë mund të jenë të përfshirë në krimin e organizuar?
Unë nuk jam në pozicionin të gjykoj. Nuk i di të gjitha veprimtaritë në Shqipëri, por ajo që mund të them është që ne duam të punojmë me qeverinë për t’u siguruar që nëse ka njerëz që bëjnë gjëra të gabuara, të mos ia hedhin paq, të përjashtohen nga sistemi dhe jo të bëhen pjesë e sistemit. Pra, ajo që ne duam është që në Shqipëri, ku krimi i organizuar nuk është parë ndonjëherë në partneritet me qeverinë, bizneset apo me këdo, duhet të zhduket tërësisht nga vendi dhe kultura e tij në mënyrë që ju të keni qeveri të pastër, biznes të pastër dhe jo krim të organizuar, sepse nëse keni krim të organizuar, ai dëmton njerëzit e mirë, dëmton reputacionin e vendit dhe në fund të gjithë vuajnë.

–Ju përmendët më parë procesin e Berlinit që do të mbahet në MB vitin tjetër. Si po i ndihmon ky proces vendet e Ballkanit të integrohen në Bashkimin Evropian dhe a po përfitojnë këto vende nga ky proces?
Ka shumë këndvështrime mbi këtë proces, ka të bëjë me përmirësimin ekonomik dhe politik dhe sigurisht kur një vend kërkon të bashkohet me BE, ka një proces pranimi ku vendi aplikant duhet të provojë se i përmbush kriteret për ta bërë të mundur t’i bashkohet BE. Kjo është midis BE dhe këtyre vendeve. Ne po dalim nga BE, por derisa jemi në BE, ne e mbështesim plotësisht, nuk duam të shohim një BE të dobët dhe nëse vendet duan t’i bashkohen, le t’i ndihmojmë me procesin në mënyrë që të jenë të gatshëm për t’iu bashkuar, arsye kjo për të cilën ne po bëjmë këtë që po bëjmë për drejtësinë, në sektorin e krimit, është për t’iu ndihmuar me reformat që do t’jua bëjnë më të lehtë anëtarësimin në BE.

-Ka një kriter të rëndësishëm për sa i përket integrimit në BE që është procesi i vetingut apo Reforma në Drejtësi. Si po ecën ajo sipas jush, sepse ka ngecur që prej një viti?
Ne duam të bashkëpunojmë plotësisht me ju për të përmirësuar sistemin tuaj, që të gjithë të shohin nga Shqipëria dhe të thonë, Po ata e luftuan krimin e organizuar, e zgjidhën. Kanë një shtet ligjor që respektohet nga të gjithë njerëzit në të gjitha fushat, ku askush nuk mund të mendojë se shteti i së drejtës është për njerëzit e tjerë, teksa vetë bëjnë gjërat e gabuara. Pra, ne jemi këtu për të ndihmuar dhe inkurajuar dhe jemi shumë optimistë për Shqipërinë.

-A e ka mbështetjen e MB Shqipëria për integrimin në BE? Edhe pse ju po dilni nga BE?
Po, ne gjithmonë kemi qenë mbështetës. E di që është paksa paradoks, ku ne po shkojmë në rrugë tjetër dhe ju në një tjetër, por gjatë kohës që jemi pjesë e BE, jemi plotësisht mbështetës për vendet që duan të anëtarësohen. Ne sapo mbajtëm referendumin dhe njerëzit vendosën që mos të qeveriseshin nga një Parlament tjetër në Bruksel apo nuk donin të kishin aq shumë emigracion sa të mos kontrollonin dot kufijtë. Ne nuk duam të shohim një BE të dobët, ne duam të vazhdojmë të punojmë me BE në një mënyrë që të jetë e suksesshme.

-A ka ndonjë shans Shqipëria për të hapur negociatat prillin që vjen?
Përsëri nuk më takon të gjykoj. Nga perspektiva e MB ne duam të inkurajojmë, por ne nuk kemi kontroll në këtë. Ka lidhje me procesin e pranimit midis BE dhe ju si Shqipëri, por nëse mund t’ju ndihmojmë të arrini në pozicionin ku BE thotë po, “mund të hapim këtë kapitull”, “jami dakord që i keni përmbushur kriteret”, atëherë ne do ta shohim këtë si një lajm të mirë.

-A është Shqipëria një vend i mirë për biznesmenët për të investuar? A ka një klimë biznesi të përshtatshme?
Mendoj që po. Ju keni një papunësi të lartë te të rinjtë që është një problem ekonomik, por nëse ka papunësi, do të thotë se ka fuqi punëtore. Shpresoj që njerëzit ta shohin Shqipërinë si një vend tërheqës për të investuar dhe e gjithë përpjekja për ta bërë veten tuaj tërheqës tek investitorët, përfshin të njëjtët kritere, ato që ju duhet të bëni mirë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian dhe nëse i bashkoheni do të keni mundësi të mira për investime dhe për t’ia shitur tregut të fqinjëve.

-Po për sa i përket MB, cilat janë fushat që investitorët britanikë janë të interesuar për të investuar në Shqipëri?
Për sa i përket biznesit, me gjasë funksionon më mirë kur politikanët nuk i fusin hundët. Është më mirë kur nuk janë politikanët që të thonë se çfarë të bësh, por është më mirë që të jenë individët të shohin një mundësi biznesi, ta kapin atë mundësi dhe detyra jonë si politikanë dhe detyra e politikanëve këtu në Shqipëri, është të krijojnë kushtet në të cilat vendimet individuale të biznesmenëve të lulëzojnë dhe të jenë të suksesshme.

-Jeni i pari që për sa i përket biznesit nuk përmendët drejtësinë si kriter për të investuar?
Sigurisht e përmenda kur fola për shtetin ligjor. Kjo e përfshin sistemin e drejtësisë më gjerësisht. Bëre mirë që më pyete se më dhe mundësinë për ta forcuar këtë pikë.

-Si po shkon Brexit? Është një proces i vështirë?
Është shumë kompleks, do të marrë kohë, do të kërkojë negociata të ndërlikuara dhe të detajuara me BE dhe një ndryshim legjislacioni në Parlamentin tonë që do jetë i vështirë, por po ecën dhe do ta shtyjmë deri sa të kemi një marrëveshje të suksesshme shkëputjeje nga BE.

-Pyetja e fundit, çfarë është Qendra Teknologjike MB-Shqipëri?
Ka të bëjë me të rinj, me shumë ide teknologjike këtu në Shqipëri që është një gjë e mirë dhe kjo mundëson një mundësi të mirë për të rinjtë të nisin biznesin e tyre dhe të bëhen të pasur, për të përmirësuar veten dhe vendin e tyre.

-Pra pjesëmarrësit kanë mundësinë për të shkuar në MB dhe të fitojnë kontrata atje?
Nëse fitojnë marrëveshje të mira, jam i sigurt që do të shkojnë në MB dhe nëse ndodh është gjë e mirë.

Marrë nga “Ora News”

Asnjë rritje pagash e pensionesh për 2018

Ridvan Bode, ish-ministër i Financave të PD-së në 8 vitet e qeverisjes së saj, deklaroi sot se buxheti i vitit 2018 do të rëndojë në xhepat e shqiptarëve rreth 48 milionë euro taksa të reja. Bode deklaroi se, për vitin që vjen qeveria nuk pritet të rrisë pensionet apo pagat e qytetarëve, por t’i godasë ata me më shumë taksa, duke bërë që në linjën e përgjithshme konsumi të pësojë rënie. “Qeveria vjen me një paketë fiskale që në thelbin e saj rrit taksat. 48 mln dollarë taksa shtesë neto. Në total, po t’i marrim këto 5 vite janë 5 mln dollarë taksa shtesë për qytetarët, pasi janë taksa konsumi, që janë shtuar gjatë kësaj periudhe. Qeveria e sheh se nuk ka si të rrisë konsumin. Kjo taksë e re që vendoset godet konsumin, pasi rëndojnë qytetarët e thjeshtë. Kemi rritje po ashtu të disa taksave që cilësohen si taksa mbi konsumin. Qeveria ka deklaruar se do shkojë deri në tavanin poshtë 20 mijë lekë të reja në vit. Qeveria i kontribuon në mënyrë negative konsumit, dhe rritja e pensioneve nuk deklarohet qartë. Shuma e vendosur në buxhet do të jetë e mjaftueshme për shtesat e reja. Nuk mendoj se për 2018 të bëhet rritje pensionesh apo pagash. Mendoj se është vënë në qendër të goditjes nga pikëpamja e taksave. Thesi nga e cila qeveria do të nxjerrë të ardhura shtesë është buxheti i konsumit familjar”, tha Bode, i ftuar në “News24”. Nga ana tjetër, ish-ministri i Financave, u ndal te borxhi që qeveria parashikon të marrë për të kryer investime, por paralajmëron se borxhet e padeklaruara dhe të shtrira në periudha të gjata do të sjellin efektin e kundërt, pra do të dëmtojnë kurbën e rritjes ekonomike. “E kam denoncuar idenë për të filluar marrjen e një borxhi të padeklaruar, me shuma të mëdha dhe me periudha afatgjatë. Mund të përfitojë një rritje të përkohshme, por nuk përfiton dot. Nuk mund të themi se është investim i shëndetshëm që po lufton papunësinë. Këto krijojnë iluzione të gabuara, pasi duket sikur kemi rritje ekonomike. Nuk mendoj se është sektori që mund të mburret që po rrit ekonominë. Janë të tjera politika që japin një rritje të qëndrueshme. Forcimi i barrës së taksave dhe rritja e represionit të qeverisë janë shenja të këqija që i kontribuojnë shtimit të pasivizmit. Burimet hidrike janë në minimumin e tyre, i gjithë rajoni i përfshirë nga thatësira. Kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike”, theksoi ai.

Kosovë, konfuzione rreth numrit të njohjeve

 

Publikimet në media, fillimisht në ato serbe, se Republika e Surinamit “ka tërhequr njohjen” ndaj Kosovës, si dhe përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, se ajo nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për ndonjë tërheqje eventuale të njohjes nga Surinami, ka nxitur sërish konfuzion lidhur me numrin e saktë të njohjeve formale që ka marrë Kosova.
Në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës figurojnë 114 njohje, përfshirë edhe Republikën e Surinamit.
I paqartë mbetet numri i këtyre njohjeve edhe për anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.
Nënkryetarja e këtij komisioni, Time Kadrijaj, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo brenda koalicionit qeverisës, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, shpjegon se edhe në mandatin e kaluar të legjislativit është kërkuar nga ekzekutivi i mëparshëm që numri i njohjeve të Kosovës të bëhet publik.
Sipas saj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë një përgjigje rreth numrit të saktë të njohjeve nga ministri i Punëve të Brendshme. Por, tash për tash, siç thotë ajo, numri i njohjeve besohet të jetë ai që është në listën e njohjeve të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të vendit.
“Ne nuk mund të themi se na ka njohur një shtet nëse nuk na ka njohur. Kjo (lista e njohjeve) na u ka servir dhe e dimë se gjithçka është bërë publike. Megjithatë, mund të kërkojmë edhe zyrtarisht që ta dimë saktë se sa është numri i njohjeve, në mënyrë që ta kemi parasysh që me cilat vende duhet të aranzhojmë e të zhvillojmë takime dhe të lobojmë për njohje të reja të Kosovës”, është shprehur deputetja Kadrijaj.
Anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Dukagjin Gorani, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo opozitare, thotë për Radion “Evropa e Lirë”, se dëshira e madhe që Kosova të ketë sa më shumë njohje, ka prodhuar një situatë të paqartësisë formale dhe teknike.
“Pra, ekziston një bindje që numri i njohjeve nuk i nënkupton vetëm shtetet që e kanë formalizuar njohjen, por edhe shtetet që kanë qenë në proces të formalizimit ose që eventualisht e kanë shprehur mundësinë e njohjes në të ardhmen. Mirëpo, prej dëshirës së madhe, si duket, e ndoshta edhe papërgjegjësisë, Ministria e Jashtme e Kosovës (në mandatet e deritashme), pra ministrat e caktuar, gjatë gjithë kohës nuk e kanë qartësuar përfundimisht se cilat njohje janë të formalizuara dhe cilat janë në proces”, thekson deputeti Gorani.

Rama jep edhe armët me koncesion

Pas dhënies me koncesion të shumë prej shërbimeve në sistemin shëndetësor, rrugor dhe arsimor, metoda e punës “Partneritet-Publik-Privat” do shtrihet dhe në sektorin e prodhimit të municioneve. Lajmin e ka bërë të ditur, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në Komisionin e Sigurisë. Uzina e Mjekësit në Elbasan do të bëhet funksionale përmes partneritetit me privatit.
Xhaçka tha se ky është një lajm i jashtëzakonshëm. Vlera e investimit kap vlerën e 25 milionë dollarëve dhe punësimin e 150 personave. “Kemi rastin e parë që do të konkretizohet në Mjekës. Ky është një investim që shkon në rreth 25 milionë dollarë dhe do të punësojë rreth 150 persona në një fazë të parë. Mendoj se është një lajm i jashtëzakonshëm. Kjo është një firmë lider në Europë për prodhimin e armëve dhe municioneve dhe do të ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të rivitalizuar uzinën e armëve të Mjekësit”, u shpreh ministrja Xhaçka. Ajo foli për interesimin e një kompanie italiane, por nuk e specifikoi, cila kompani do të jetë flamurtare e këtij projekti. /Hashtag.al

Jahn: Të hapen dosjet e komunizmit, të zbardhen përgjegjësit

Roland Jahn, i lindur në Jena, në vitin 1953, ka qenë një nga disidentët më të shquar të periudhës së diktaturës në Gjermaninë Lindore. Sot, ai është shefi i entit që ruan dosjet e ish-Sigurimit të RDGJ-së. Në një intervistë për DW, Jahn shprehet se mendoj se më e rëndësishmja është zbardhja e periudhës së diktaturës dhe e emrave të personave përgjegjës. “Askush nuk duhet të lirohet nga përgjegjësia. Por personat përgjegjës nuk mund të dënohen përjetësisht. Edhe atyre duhet t’u jepet mundësia të bëhen pjesë e kësaj demokracie. E rëndësishme është që të zbardhim të shkuarën, që të njohim mekanizmat e kësaj diktature, për të kuptuar se si disa njerëz arrijnë t’u rrëmbejnë të drejtat të tjerëve. Ne duam t’i japim Shqipërisë nga përvoja jonë e përballjes me diktaturën komuniste. Kohët e fundit shqiptarët kanë nisur të përballen më mirë me të shkuarën. Por një gjë është e rëndësishme: Hapja e Dosjeve. Hapja e Sosjeve të Sigurimit, që të mos na mbysë më helmi i tyre. Secili vend ka kushtet e veta konkrete, por është e rëndësishme që të mësojmë nga përvojat. Ne, gjermanët, mund të themi se dosjet duhen hapur, duhet zbardhur e shkuara, në mënyrë që të vihet në vend e drejta dhe të rehabilitohen viktimat. Dhe mendoj se edhe në Shqipëri ekziston një shans për ta zbardhur të shkuarën, sado e largët qoftë”, shprehet ai.

-Zoti Jahn, Gjermania feston sërish ditën e rënies së Murit të Berlinit. Ku ishit ju më 9.11.1989?
Unë punoja si gazetar në televizion, në Berlinin Perëndimor, dhe e komentova rënien e Murit në studio. Me të mbaruar emisioni u nisa menjëherë te prindërit në vendlindje.
-Zoti Jahn, ju keni qenë disident në RDGJ. Për çfarë luftonit ju atëherë?
Ne donim liri dhe vetëvendosje. Donim që të vendosnim vetë për jetën tonë. Por nuk na lejonte diktatura komuniste.

-Dikur u arrestuat dhe më pas u liruat. Kishte paguar Gjermania Perëndimore për lirimin tuaj?
Për mua nuk u pagua. Por Gjermania Perëndimore angazhohej gjithmonë për të burgosurit politikë dhe arrinte t’i lironte nga burgjet duke paguar për ta. Mua më liruan, sepse pati jehonë të madhe në shtypin perëndimor.

-Gjermania Lindore ju ekstradoi në Perëndim të lidhur me zinxhirë në një vagon mallrash. Kur ju patë që ndodheshit në Perëndim, ju u sulët drejt kufirit për t’u kthyer në Lindje. Përse?
Ishte atdheu im, doja të jetoja aty ku isha rritur, doja ta transformoja shoqërinë e atjeshme, por ajo nuk më lejoi, më nxori jashtë me dhunë. Bëja herë pas here përpjekje për t’u kthyer, por kjo u bë e mundur vetëm kur u rrëzua Muri.

-Si e përjetuat rënien e Murit?
Rrëzimi i Murit ishte një ndjenjë shpërblimi. Ishin vetë njerëzit, lëvizja qytetare, që e rrëzuan me një revolucion paqësor.

-Nëse do të bënim një krahasim mes kushteve të punës suaj si disident në Gjermani dhe një disidenti në Shqipëri, cila qe përparësia e disidencës në Gjermani?
Kushtet e disidencës në Shqipëri ishin specifike, sepse Shqipëria ishte krejtësisht e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Ne, në Gjermaninë Lindore, kishim përparësinë që kishim Gjermaninë Perëndimore që paguante për lirimin e të burgosurve, që informonte opinionin. Sidomos informacionet që fusnin mediat gjermano-perëndimore në Lindje, ishin shumë të rëndësishme për ne. Ato e çuan përpara revolucionin.

-Pra, ju nuk ishit heronj?
Jo. Ne ishim të rinj dhe donim të vetëvendosnim.

-Keni qenë asokohe vetë i persekutuar, çfarë raporti keni sot me persekutorët tuaj të dikurshëm?
Mendoj se më e rëndësishmja është zbardhja e periudhës së diktaturës dhe e emrave të personave përgjegjës. Askush nuk duhet të lirohet nga përgjegjësia. Por personat përgjegjës nuk mund të dënohen përjetësisht. Edhe atyre duhet t’u jepet mundësia të bëhen pjesë e kësaj demokracie. E rëndësishme është që të zbardhim të shkuarën, që të njohim mekanizmat e kësaj diktature, për të kuptuar se si disa njerëz arrijnë t’u rrëmbejnë të drejtat të tjerëve.

-Disa përfaqësues nga institucionet që merren me zbardhjen e së kaluarës në Shqipëri aktualisht ndodhen në Gjermani. Cila është këshilla juaj për ta?
Ne duam t’i japim Shqipërisë nga përvoja jonë e përballjes me diktaturën komuniste. Kohët e fundit shqiptarët kanë nisur të përballen më mirë me të shkuarën. Por një gjë është e rëndësishme: Hapja e Dosjeve. Hapja e Dosjeve të Sigurimit, që të mos na mbysë më helmi i tyre.

-Mendoni se Shqipëria e ka më të vështirë se Gjermania përballjen me të shkuarën?
Secili vend ka kushtet e veta konkrete, por është e rëndësishme që të mësojmë nga përvojat. Ne, gjermanët, mund të themi se dosjet duhen hapur, duhet zbardhur e shkuara, në mënyrë që të vihet në vend e drejta dhe të rehabilitohen viktimat. Dhe mendoj se edhe në Shqipëri ekziston një shans për ta zbardhur të shkuarën, sado e largët qoftë.

Zv.ambasadori i SHBA-të rinjve: Mos prisni ndryshimin, bëjeni vetë!

Zv.ambasadori i SHBA-së në Tiranë, David Muniz ka zhvilluar një takim me të rinjtë e qytetit të Beratit, të cilëve u ka kërkuar të bëhen pjesë e ndryshimit që po ndodh në Shqipëri. Muniz ka theksuar se Shqipëria është një vend me mundësi të mëdha dhe se të rinjtë janë shpresa për ndryshim. Ai u bëri thirrje që të mos presin që ndryshimi t’u jepet nga lart, sepse kanë një fuqi të jashtëzakonshme në këtë demokraci.
“Është kënaqësi të kthehem në Berat. Ky është i dyti ndër shumë takime që do të mbajmë me të rinjtë në qytete anembanë Shqipërisë. Kur më pyetën se ku doja të flisja me të rinjtë, përgjigjja ime e parë ishte: në Berat – i cili është ndoshta qyteti im i preferuar në Shqipëri (por, mos ia thoni njeriu!). Muajin e kaluar, ambasadori mbajti takimin e parë të kësaj serie bisedash me të rinjtë në Rrëshen. Shumë njerëz na pyetën: ‘Pse po e bëni këtë?’.
Arsyet janë të thjeshta: Shqipëria është vend me një të ardhme jashtëzakonisht të shkëlqyer. Ju jeni udhëheqësit e ardhshëm të Shqipërisë. Ju keni shumë më tepër fuqi se sa mendoni. Prandaj, edhe pse takojmë shpesh politikanë dhe drejtues biznesesh në kryeqytet, e dimë se është po aq e rëndësishme që të lidhemi edhe me ju.
Më kanë bërë kaq shumë përshtypje mundësia dhe burimet e jashtëzakonshme të Shqipërisë – bukuria natyrore dhe gjeografike, fuqia punëtore e arsimuar dhe e aftë, epërsia bujqësore dhe burimet e saj natyrore. Mundësia i këtij vendi është me të vërtetë e madhe. Mua më pëlqen të udhëtoj nëpër Shqipëri, por ajo që më pëlqen më shumë është të takohem me të rinj si ju. Në fund të fundit, arsyeja pse kam kaq shumë shpresë në të ardhmen e Shqipërisë jeni ju.
Shqipëria është drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të gjithë ju, fëmijët dhe nipërit tuaj do të jetoni si qytetarë të Evropës me të gjitha të drejtat dhe privilegjet e anëtarësimit në BE. Ky ndryshim dhe shumë të tjerë po vijnë. Mos e humbisni mundësinë për të qenë pjesë e tyre. Ju jeni udhëheqësit e rinj të këtij vendi. Por, nuk keni nevojë të prisni që të jeni pjesë e ndryshimit këtu. Nuk keni nevojë të prisni që ndryshimi t’ju jepet nga lart. Ju keni fuqi të jashtëzakonshme në këtë demokraci. Presim me kënaqësi ditën kur ju të jeni udhëheqësit e Shqipërisë. Ne e dimë se brezi juaj do të jetë më i mirë se brezi i tanishëm në drejtimin e Shqipërisë drejt të ardhmes së saj evropiane”, tha ai.

VOA: Për kë vjen FBI në Shqipëri

 

“Zëri i Amerikës” ka komentuar zhvillimet më të fundit në Shqipëri, lidhur me krijimin e një Task Force kundër organizatave dhe grupeve kriminale, një strukturë e posaçme, e cila do të ketë mbështetjen edhe të ekspertëve të huaj, të FBI-së amerikane e të njësive antikrim të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe. Në shtjellimin që i jep ardhjes së strukturave të huaja që luftojnë krimin në Shqipëri, “Zëri i Amerikës” ndër arsyet jep faktin se, “Të paktën 40 për qind e grupeve shqiptare rezultojnë të kenë lidhje me organizata kriminale jashtë vendit. Kjo është dhe një nga arsyet pse në këtë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar do të ketë dhe një njësi të posaçme me ekspertë ndërkombëtarë, nga FBI-ja amerikane dhe strukturat e antikrimit të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë”.