30.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Noka akuza Xhafës: Fshehët ngjarjen e Sotës për të mbuluar Tahirin

Deputeti i PD, Flamur Noka ka kërkuar sqarime nga ministri Fatmir Xhafaj se përse Policia e Elbasanit e fshehu ngjarjen ku u arrestua biznesmeni Orest Sota dhe në makinë iu sekuestruan 863 mijë euro dhe dy patenta të Tahirit. “Kam disa pyetje. Pse nuk është Haki Çako në prezantimin e buxhetit? Policia që ju drejtoni, a është policia që duam? Para disa ditësh u hoq një mini jaht pasi plasi skandali i Tahirit. I kujt ishte? A mund të na bëni një koment për fshehjen nga policia të skandalit të Elbasanit, ku u gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta? Ju do të merrni patentë skafi se qeveria e rilindjes e ka bërë traditë?”, tha Noka.
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar se ka ngarkuar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe Ankesave për të hetuar ngjarjen ku u arrestua biznesmeni Orest Sota dhe përgjegjësitë që ka policia në këtë rast. Fatmir Xhafaj u shpreh gjithashtu se hetimet e SHÇBA do të vlerësojnë mënyrën si është sjellë policia, ndërsa shtoi se e gjithë ngjarja është e regjistruar dhe tashmë përgjegjësinë e ka Prokuroria.

Debatet në komision

Debatet e forta kanë përfshirë dje edhe Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohej buxheti i institucioneve të drejtësisë. Ka qenë deputeti i PD, Eduard Halimi, që i ka kërkuar kryetarit të komisionit, Ulsi Manja, të mos bëjë kamikazin e kryeministrit Rama. Halimi i tha Manjës se bëri gabim që sulmoi dy ditë më parë Prokurorinë për çështjen CEZ, duke i kërkuar të mos e neverisë më shumë politikën.
Në kundërpërgjigje, Manja tha se Halimi është në anën e krimit, ndërsa ai në anën e shtetit, duke shtuar se nuk i merr leje deputetit demokrat se çfarë do të bëjë.
Halimi: E gjithë kjo është për t’i dhënë institucioneve gjithçka që ata kërkojnë, që mos të kenë alibi që nuk i futëm dot në burg kriminelët se s’kishim fonde. Bëre gabim që sulmove dje Prokurorinë.
Manja: S’ka asnjë vlerë, nuk të marr leje ty se çfarë do të bëj, këtu jam kryetar, atje jam si deputet.
Halimi: S’të lejohet ty si kryetar të bësh kamikazin për Kryeministrin.
Manja: Vazhdo me buxhetin. Mos e ndërprit fjalën, vazhdo se këtë punë ka ky.
Halimi: Ne jemi profesionistë të dy.
Manja: Ti ke qenë në anën e krimit, unë në anën e shtetit.
Halimi: Boll e neveritshme është bërë politika, mos e neverit më, me gjithë këto neveri që po dalin çdo ditë. Jemi këtu që të mbështesim institucionet e pavarura që të luftojnë krimin.

Mungojnë 39 gjyqtarë, sistemi drejt krizës

Buxheti i Administratës Gjyqësore ka sjellë debate të ashpra në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Përfaqësuesit e opozitës akuzuan se në sistemin tonë të drejtësisë mungojnë plot 39 gjyqtarë dhe se emërimi i tyre mbahet peng nga qeveria. Përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së kërkuan që Administratës Gjyqësore t’u plotësohet çdo kërkesë për fonde.
Relatori i draftbuxhetit, Bashkim Fino tha se, kërkesa e Administratës Gjyqësore për 72 punonjës shtesë është e pajustifikuar, duke qenë se duhen plotësuar fillimisht postet vakante të gjyqtarëve.
Komisioni parlamentar i Ligjeve mori në shqyrtim draftbxhetin e sistemit gjyqësor, ku është parashikuar edhe një shtesë fondesh e cila do përdoret vetëm për nevojat e procesit të Vetting-ut.

Buxheti, Rama 18.4 milionë dollarë për shpenzime luksi

Projektbuxheti për vitin 2018 nuk parashikon rritje pagash, e as pensionesh, parashikon rritje taksash për qytetarët e nga ana tjetër krijon një hapësirë të majme për shpenzime luksi e qeveritare.
Plot 18.4 milionë dollarë të këtij projektbuxheti do të shkojnë pikërisht për zërin e shpenzimeve të luksit.
Gjatë diskutimit për shpenzimet dhe investimet, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, theksoi se koncesionet po gërryejnë ekonominë. Ndërkohë që transferimin e investimeve publike në koncesione, Tabaku e ka cilësuar si një paaftësi të qeverisë për të bërë investime publike dhe për të menaxhuar buxhetin.
“U rritën me 30% nga viti i kaluar shpenzimet për koncesionet, duke kapur vlerën e 9,4 mld lekë dhe këtu nuk është llogaritur projektin 1 miliard euro për infrastrukturën. Qeveria ka dëshmuar se është e paaftë të realizojë investime publike dhe e orientuar nga praktikat korruptive, prandaj po i jep me koncesion. Qeveria është e paaftë për të bërë investimet publike dhe të gjitha investimet publike është duke i transferuar nëpër koncesione ose partneritete publik-privat siç keni dëshirë t’i quani ose siç preferoni ta quani. Koncesionet janë duke e gërryer buxhetin e shtetit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe koncesionet janë duke u bërë diskutimi primar parësor edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe këtu i referohem FMN-së”, tha Tabaku.
Nënkryetarja e Komisioni të Ekonomisë, Tabaku theksoi se qeveria në këtë projektbuxhet vazhdon të mos parashikojë rritje pagash, ndërkohë që rrit me 48 mln dollarë taksat. Një pjesë e mirë e të ardhurave që do të sigurohen nga rritja e taksave do të shkojnë për shpenzime. “Rriten me 15 mln USD shpenzimet e qeverisë ‘operative dhe mirëmbajtje’, 3.7% më shumë sesa viti 2017. Ulet me 19 mln USD fondet për infrastrukturën vendore dhe rajonale, një vlerë që është 21% më e ulët se sa vlera e alokuar për vitin zgjedhor 2017. Të njëjtin fat kanë edhe shpenzimet sa i takon investimeve për kanalet ujitëse dhe kullimit, të cilët janë ulur me 13% në raport me një vit më parë, pra 2.1 mln USD më pak”, tha Tabaku.
Qeveria ka parashikuar 18.4 mln dollarë rritjen e shpenzimeve për rikonstruksione zyrash, pajisje zyrash dhe makinash. “Sipas një llogarie të thjeshtë me 18.4 mln USD që qeveria mund të kishte kursyer në këtë zë luksi mund të sigurohej 2 vjet e gjysmë pagesë papunësie, 92% e fondit vjetor për pagesat e ish të-përndjekurve politikë dhe rritja e pagave”. Zonja Tabaku ngriti shqetësimin dhe për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, të cilët qeveria i përdor për show sa herë është në vështirësi. “Të përndjekurit politikë vazhdojnë të jenë grupi i harruar i qeverisë, ato vazhdojnë të marrin një vlerë prej 20 mln USD, një vlerë e cila edhe sipas raportit të KLSH është e pamjaftueshme dhe e zhvlerëson detyrimin që shteti jonë ka ndaj tyre. Sipas llogarive të KLSH, me këto hapa do të duhen rreth 16 vjet për ta shlyer vetëm detyrimin monetar ndaj tyre”, tha Tabaku.

INSTAT: 80% e rritjes së çmimeve në tetor erdhi nga shtrenjtimi i ushqimeve

Inflacioni në muajin tetor pësoi një rritje të lehtë, duke u ngjitur në nivelin e 1.9 për qind, ku 1,5 për qind ose 80 për qind e krejt rritjes ka ardhur nga ushqimet. INSTAT referon se rritja vjetore e çmimeve në muajin tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,53 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,53 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje. Ndryshimi mujor i indeksit është + 0,04%. Krahasuar me muajin shtator 2017 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Veshje dhe këpucë” me 1,6%, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 0,8%, “Shërbim arsimor” me 0,3%, etj. Ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Transporti” me 0,3%, pasuar nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,1%.

 

Pensionet, fshati braktis skemën

Në vitin 2016, ecuria në skemën e pensioneve u karakterizua nga një seri zhvillimesh të rëndësishme, ku mes të tjerave një tkurrje me 40% e kontribuuesve të fshatit. Referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për zbatimin e buxhetit faktik, rezulton se vitin e kaluar, kontribuues nga fshati ishin 53,168, duke shënuar rënie në raport me 2015. “Rezultati financiar i degës së pensionit të fshatit mbetet problematik për shkak të numrit të vogël të të siguruarve në bujqësi dhe nivelit të ulët të pagës minimale. Kështu, deficiti financiar i degës së pensioneve të fshatit ka rezultuar 11,593.2 milionë lekë, nga 10,716.3 milionë lekë që ishte një vit më parë, ose 8.2% më shumë se një vit të parë”, thuhet në raportin e KLSH. Kjo situatë ka përkeqësuar edhe raportin e mbulimit, ku të ardhurat nga dega e pensionit të fshatit mbulojnë vetëm 22% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 28% një vit më parë. Situata paraqitet më mirë në qytet, ku kemi një rritje të mbulimit. Në fund të vitit 2016, të ardhurat nga dega e pensionit të qytetit mbulojnë 80.7% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 77.7% një vit më parë. Në total, e gjithë skema duket se ka një ulje të deficitit, i cili ka ardhur si efekt i rritjes së të ardhurave me 10.4% dhe uljes së shpenzimeve me 6.3% në raport me një vit më parë. Efekt pozitiv duket se ka dhënë rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj çdo vit. Në vitin 2016, efekti i kësaj mase llogaritet në 400 milionë lekë.

Qytetarët kanë paguar miliona euro për energji të pashpenzuar

Nga vitit 2012 e deri më tani, konsumatorët në pjesë të tjera të vendit kanë paguar nga mbi 8 milionë euro për humbjet komerciale në veri të vendit. Sipas statistikave, vetëm në veri, humbjet komerciale shkojnë deri në 4.5 për qind, ndërkaq shuma totale e kësaj pagese shkon në mbi 40 milionë euro, që nga viti 2012. Por, përveç veriut, me humbjet komerciale konsumatorët janë edhe më keq. Në total sipas ZRRE-së, humbjet komerciale të energjisë elektrike shkojnë në 16.65 për qind. Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë matematikore, del se humbjet në pjesën tjetër të vendit, pa veriun janë 12 për qind, e nga viti 2012 për këto humbje komerciale konsumatorët janë ngarkuar me 24 milionë euro në vit.
Pra në total, vetëm për humbje komerciale, konsumatorët janë ngarkuar me energji të pa shpenzuar për një periudhë rreth 10- vjeçare me 240 milionë euro. Ndërkaq, nëse i llogarisim bashkë, si humbjet komerciale edhe ato të paguara për rrymën e shpenzuar në veri, i bie që konsumatorët e rregullt të kenë paguar 280 milionë euro fatura të energjisë, të pa shpenzuar nga ata.
Humbjet komerciale janë treguar problem shqetësues edhe për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Këto humbje, sipas një draft-raporti të këtij institucioni për vitin 2016, të cilin e ka siguruar Telegrafi, shkojnë në 16.65 për qind në tërë vendin.
“Shqetësuese mbeten humbjet komerciale, që janë mjaft të larta, të cilat përbëjnë 16.65% të konsumit total në shpërndarje. Nga kjo, energjia e pa faturuar në pjesën veriore të Kosovës (252 Gwh) përbën rreth 5.24% të kërkesës së shpërndarjes, pjesë kjo ku dominon minoriteti serb, ndërsa krahasuar ndaj humbjeve komerciale në shpërndarje përbënë 31.5%”, thekson Draft raporti i ZRRE-së për vitin 2016.
E, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për “Telegrafin” ka thënë se është e padrejtë që qytetarët të ngarkohen me diçka që nuk e kanë shpenzuar. Sipas tij, çdo ngarkesë që i është bërë qytetarëve me fatura të energjisë elektrike duhet kompensuar. “Do të duhej që ky kompensim për pagesën e bërë t’u kthehej qytetarëve. Kam tentuar që të kursej qytetarët dhe këtë e kam marr (si obligim) si avokat i popullit për të bërë padi, në kompensimin e dëmit që është shpenzuar. Kjo barrë që i është bërë qytetarit t’i kompensohet në faturat e ardhshme”, ka thënë Jashari.
Deri në shqyrtimin përfundimtar, sipas tij, vendimi gjyqësor për pezullim do të duhej të gjente zbatim të menjëhershëm nga ZRRE-ja. “Vendimi i pezullimit nga Gjykata do duhej të merrte zbatim të menjëhershëm, sepse ka marrë formën e prerë, kuptohet në ankimim dhe procedurë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari. Se konsumatorët ngarkohen në mënyrë të paligjshme e pranojnë edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në profilin tij në Facebook, ka thënë se nuk pajtohet që konsumatorët të ngarkohen paligjshëm me faturimin e energjisë elektrike nga mos pagesa në veri. Por mos pagesa sipas tij, nuk duhet t’u faturohet konsumatorëve, të cilët paguajnë faturat.

48 milionë euro më shumë taksa për 2018

Viti 2018 do të nisë me acar për xhepat e qytetarëve shqiptarë. Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave, plot 48 milionë euro më shumë do të paguajnë shqiptarët nga xhepat e tyre nga paketa e re fiskale që sapo është kaluar. Në një intervistë për “RD”, deputetja demokrate njëkohësisht nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, bën një skaner të paketës së re fiskale të qeverisë, ndërsa ngre shqetësimet mbi rëndesën e kësaj pakete në buxhetet e familjeve shqiptare si dhe në ekonominë e vendit në tërësi.
– Qeveria ka përgatitur paketën e re fiskale, si përkthehet kjo paketë në buxhetet familjare të shqiptarëve?
Paketa Fiskale 2018 është tjetër akt në abuzimin tragjik që kjo mazhorancë, njësoj si e shkuara, po luajnë mbi ekonominë dhe xhepat e shqiptarëve. Përgjatë katër viteve, qeveria rëndoi xhepat tanë me 1.5 mld USD dhe këto para nuk i ka shpenzuar për asnjë investim serioz. Të dhënat makro të vendit tregojnë një varësi të rritjes ekonomike nga IHD-të, ndërkohë që burimet tona ekonomike dhe ndërtimi i një ekonomie stabël nuk është prioritet i qeverisë.
Gjatë vitit të ardhshëm do të kemi lehtësi për pjesën e oligarkëve të qeverisë, ndërkohë që pjesa tjetër vazhdon të rëndohet për të paguar borxhet që qeveria merr për lyerje fasadash apo edhe për projektin e madh të koncesioneve.

– Sa do të jetë barra fiskale që do të prekë çdo familje shqiptare?
Sipas të dhënave që kemi përpara paketa fiskale për vitin e ardhshëm do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve dhe bizneseve me 3,3 miliardë lekë ose 25 milionë euro, kjo shifër nuk përfshin vlerën që do të mbledhë qeveria, nëse vendos TVSH-në për bizneset e vogla nga 2 mln lekë. Nëse shtojmë edhe këtë shtesë, atëherë do të kemi një shtesë prej 11 mln euro, pra në total xhepat e shqiptarëve do të paguajnë 36 mln euro më shumë, pa llogaritur efektin zinxhir që ka vendosja e TVSH në rritjen e çmimeve dhe rënien e konsumit.
Rritja e taksave përkthehet gjithashtu edhe në rritje të faturës së koncesioneve që ne do të paguajmë për paratë që fitojnë bizneset pranë qeverisë. Sipas tabelës së pasqyruar nga Ministria e Financave, pesha e koncesioneve në buxhet rritet me 30% dhe kjo përkthehet në rreth 70 milionë euro.

– Çfarë do të sjellë kjo paketë fiskale në ekonominë e vendit?
Taksat e rritura do të thotë më pak biznese dhe sipërmarrje të reja, vendosja e TVSH-së për bizneset që nga 2 mln lekë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj sipërmarrjes dhe me gjasë do të shoqërohet me mbylljen e aktivitetit të shumë bizneseve dhe rritjen e papunësisë. Mos harrojmë rreth 100 mijë biznese të vogla kanë të punësuar rreth 40% të shqiptarëve, politika sulmuese ndaj bizneseve të vogla do të prodhojë më shumë kaos dhe një rritje të papunësisë. Duket se qeveria nuk do të vrasë mendjen për mirë administrimin fiskal dhe as e ka fare në mendje politikat incentivuese, ajo ka vendosur gjithë potencialin e saj në shërbim të bizneseve pranë saj.

– Cilat janë problemet më akute të ekonomisë shqiptare?
Ne kemi një paketë fiskale shumë komplekse dhe taksat më të larta në rajon, bizneset nuk mund të zhvillojnë dhe shfrytëzojnë resurset tona natyrore për t’i përkthyer në fuqi ekonomike. Kjo prodhon një situatë kaotike, aq sa qeveria është e gatshme për pak investime të huaja të krijojë ligje të veçanta, ndërkohë që për bizneset edhe sipërmarrjet vendase imponon taksa të larta dhe shkatërrimtare. Sipas BB-së vendi sot varet tërësisht nga IHD të ardhura në kohën e qeverisë Berisha 2, ndërkohë që qeverisja Rama 1 dhe as Rama 2 nuk kanë firmosur ende një projekt ambicioz dhe serioz. Investimi i tyre ka qenë vetëm fasada dhe rëndim fiskal.

– A keni shifra të cilat tregojnë se si qeveria Rama ka degraduar performancën ekonomike në vend?
Qeveria ka disa ditë që lëvdon aksionet anti informalitet dhe se si këto aksione po ndihmojnë biznesin vendas, mirëpo sipas KLSH bizneset në vend krijuan të paktën 59 miliardë lekë detyrime të papaguara tek Tatimet në dy vitet e fundit. Të ardhurat në Buxhetin e Shtetit sa i takon mbledhjes së tyre janë njësoj sa në vitin 2012, pra 28% e PBB-së, duke mos pasur asnjë rritje përpos rritjes që ka ardhur si pasojë e rritjes së taksave.
Varfëria është gjithnjë e më e madhe dhe hapësira mes të pasurve dhe të varfërve sipas raportit të BB, “Migration and Mobility”, 6.3% e shqiptarëve jetojnë me 3 USD/ditë (pra diku tek 181 mijë persona), 20 mijë shqiptarë jetojnë me 1.9 USD/ditë dhe pjesa e madhe e shqiptarëve jetojnë me 5.5 USD/ditë. Kjo është një situatë më e rënduar se sa katër vjet më parë dhe vjen natyrisht edhe si pasojë e drejtpërdrejtë e politikave shtrënguese fiskale. Përqendrimi i parave në pak duar dhe një qeveri e angazhuar në mbrojtje të të paligjshmes janë shkaqet kryesore të kësaj gjendje të rënduar.

Arben Shahini

Bugajski: Në Shqipëri vazhdon trashëgimia e komunizmit

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, thotë se në Shqipëri nuk ka patur një mbështetje të mjaftueshme në favor të njerëzve që e kundërshtuan komunizmin dhe vuajtën nëpër burgje. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, zoti Bugajski thotë se trashëgimia e komunizimit vazhdon edhe sot në forma të ndryshme.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada e gjysmë nga rënia e komunizmit në Evropën Lindore dhe duket qartë se trashëgimia komuniste në këto vende vazhdon të ekzistojë në një formë a në një tjetër. Si do ta krahasonit Shqipërinë me vende të tjera të Evropës Lindore në këtë aspekt?

Kjo trashëgimi vazhdon në të gjitha vendet, por në shumë aspekte ajo është më e thellë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Evropës Juglindore. Ndoshta këtu ka të bëjë edhe e kaluara para komuniste e Shqipërisë me qeverisjet autoritare, plus që ka qenë një vend shumë i varfër. Kur Shqipëria u vu nën kontroll nga komunistët, ajo filloi nga një nivel shumë i ulët ekonomik. Përsa i përket trashëgimisë komuniste, kjo shfaqet mes të tjerash tek gjëra të tilla si varësia nga shteti për punë dhe ndihmë, tek një farë tolerance ndaj shtypjes shtetërore, tek vazhdimi i lidhjeve dhe interesave speciale që vazhdojnë qysh nga koha e komunizmit dhe tek përfshirja e pamjaftueshme e publikut në aktivitetet shoqërore, pra publiku ende nuk e sheh veten si subjekt por si objekt politik dhe kjo duhet ndryshuar.

Në Shqipëri ka njerëz që thonë se diktatura ishte një e keqe më e vogël sesa korrupsioni i sotëm. A shihni një lidhje mes të dyjave?

Çështja është se ata që thonë kështu nuk e kanë jetuar diktaturën. Sa shqiptarë vuajtën, sa u vranë, sa u burgosën ose u internuan? Ky ishte ndoshta njëri ndër regjimet komunistë më shtypës në qendër të Europës dhe as që mund të bëhet një krahasim me të sotmen. Cilëtdo qofshin politikanët e korruptuar sot, ata nuk mund të arrestojnë njerëz sipas dëshirës. Në një farë mënyre do të thosha se kemi të bëjmë me një frikë nga liria e aktivitetit të sotëm ekonomik.

Anketat tregojnë se shumë njerëz në Shqipëri besojnë se jeta ishte më e mirë nën komunizëm, se kishte më shumë siguri, punë, shërbim shëndetësor e të tjera. Cili është komenti juaj?

Kjo është një nostalgji si të thuash kronike, kur njerëzve u duket sikur gjërat kanë qenë më mirë. Ndoshta atyre u kujtohet ndonjë gjë që për ta ka qenë e mirë, për shembull fakti që nuk kishin nevojë të punonin shumë apo të kërkonin punë, sepse u garantohej një farë minimumi jetese. Por, nga ana tjetër, njerëzve u duhej të sakrifikonin për këtë. Ata harrojnë për shembull se në atë kohë nuk mund të udhëtonin apo të lëviznin lirisht, nuk mund të flisnin lirisht dhe nuk mund të organizoheshin apo të krijonin parti politike. Pra, është e pakrahasueshme gjendja në kohën e komunizmit me të tashmen.

Megjithëse në Shqipëri ish-të përndjekurit politikë vazhdojnë të kompensohen me para, a mendoni se ekziston nevoja për një rehabilitim moral të tyre? Sepse ish përndjekësit e tyre ende shëtisin të lirë në rrugët e Tiranës.

Absolutisht po. Sidomos siç edhe ju thatë, ish shtypësit e tyre shëtisin të lirë, ndërsa këta njerëz vazhdojnë të përjetojnë pasojat e traumave që pësuan nëpër burgje. Mendoj se ata kanë nevojë për më shumë njohje të këtyre vuajtjeve, jo vetëm financiare por edhe politike. Duhet të jepet më shumë informacion rreth asaj që hoqën këta njerëz, se si vuajtën ata për Shqipërinë.

Shumë nga ish anëtarët e nomenklaturës komuniste në Shqipëri vazhdojnë të publikojnë kujtimet e tyre, disa prej të cilave shtypen gjerësisht nëpër gazeta. A e shihni një dukuri të tillë në vendet e tjera të Evropës Lindore?

Jo në atë shkallë, por e kam parë në disa vende të Evropës Lindore dhe jugore. Kjo shihet sigurisht në disa ish-republika sovjetike. Sipas meje, kjo flet për faktin se nuk ka patur një shtytje të mjaftueshme në favor të njerëzve që e kundërshtuan komunizmin dhe për të vënë në dukje heroizmin që treguan këta njerëz gjatë periudhës së shtypjes. Mendoj se duhet të ketë më shumë vemendje nga media dhe nga sistemi arsimor, më shumë informacion publik rreth atyre që vuajtën nën komunizëm.

Kryeprokurori holandez: Shqiptarët, zotër të trafikut të drogës në Holandë

“Shqiptarët janë kthyer në zotër të trafikut të drogës në Holandë dhe kontrollojnë portin më të madh në Europë”. Shqetësimin për rritjen e kriminalitetit shqiptar në vendin e Bashkimit Evropian e ngre kryeprokurori i Roterdamit, Marc van Nimwegen. Në një intervistë për “Vizion Plus”, ai thotë se rrjetet e organizuara kriminale të shqiptarëve kanë arritur të kontrollojnë pikat kyçe në importimin e kokainës që nga burimi në Amerikën Latine duke furnizuar më pas vendet e Bashkimit Evropian.
“Më lejoni së pari t’ju them se Roterdami është një qytet multinacional dhe ne kemi një nga portet kryesore të botës. Është një port gjigant me logjistikë të madhe dhe gjithashtu përdoret nga kriminelët për trafiqe ilegale. Kemi probleme të krimit multinacional me organizata kriminale nga e gjithë bota.
Vitet e fundit kemi parë se disa rrjete fluide të kriminalitetit shqiptar kanë arritur të sigurojnë pozicion shumë të fortë e rëndësishëm në Portin e Roterdamit. Fillimisht, ata ishin në Belgjikë, në Antwerp dhe tashmë kanë arritur një pozicion ekonomik të paligjshëm në Portin e Roterdamit. Ata duket se janë të aftë të kontrollojnë pikat e tyre në importimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Roterdam dhe më pas nga Roterdami duke furnizuar Europën”, deklaroi Marc van Nimwegen, prokuror i Përgjithshëm i Roterdamit, Holandë.
Van Nimwegen shprehet se nga kontrolli i trafikut të lëndëve narkotike në Antwerp të Belgjikës tashmë trafikantët shqiptarë janë përqendruar në zonat me influencë ekonomike si portet, ku shqetësim është pastrimi i parave.
Shqetësimin për kriminalitetin në rritje, por dhe grupeve të strukturuara në trafikimin e qenieve njerëzore delegacioni i nivelit të lartë ia raportoi dhe autoriteteve shqiptare gjatë vizitës 4 ditore në vendin tonë.
“Ne gjithashtu kemi disa shqetësime për rrjete të ndryshme, të cilat krijojnë lehtësira në trafikimin e qenieve njerëzore. Të tilla grupe sigurojnë dokumente të falsifikuara dhe fitojnë mjaft nëpërmjet tyre, i fusin njerëzit në konteinerë frigoriferikë duke i rrezikuar jetën. Këto janë arsyet e vizitës sonë në Shqipëri, për të ndarë problemet tona dhe diskutuar me autoritetet shqiptare.
Ne e bëmë diçka të tillë. Gjithashtu jemi këtu për të parë mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit tonë me organet ligjzbatuese”, tha zoti Van Nimwegen.
Vetëm përgjatë dy viteve të fundit lufta mes bandave rivale të shqiptarëve në Holandë ka lënë pas 7 viktima. Kryesisht sipas autoriteteve të këtij vendi shkaqet janë konfliktet për trafikun e drogës.

Di Matteo përgatit rikthimin në stol

Roberto Di Matteo është gati të rikthehet në stol. Trajneri italian që në vitin 2012 fitoi Champions League me Chelsea, është pa skuadër që prej tetorit të 2016-ës, pas përfundimit të eksperiencës me Aston Villa. Ish-lojtari, në një intervistë për mediat britanike deklaroi se ka marrë shumë oferta gjatë muajve të fundit dhe se është thjesht çështje kohe që të marrë drejtimin e ndonjë klubi. Di Matteo theksoi se pas 1 viti pushim, e ndjen të nevojshme rikthimin në detyrë.