33.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Dembele gati për “El Clasicon”

Ousmane Dembele po bën hapa të mëdhenj përpara drejt riaftësimit nga dëmtimi që pësoi që në fillim të sezonit, duke këputur tendinën e kofshës së majtë. Rikthimi i tij në fushën e blertë mund të ndodhë brenda 2017-ës, madje, nuk përjashtohet mundësia që të grumbullohet për El Clasicon e 23 dhjetorit. Të paktën ky është parashikimi i mjekëve të Barcelonës, që po ndjekin me shumë kujdes fazën e riaftësimit të ish-futbollistit të Borussias së Dortmundit.
“Rikuperimi po ndodh më shpejt se parashikimi. Dembele kërkon të kthehet sa më shpejt, por nuk e di se sa do të jetë e mundur. A do të mund të luajë kundër Realit të Madridit. Edhe po, edhe jo, nuk mund të flasë me siguri për këtë”, u shpreh doktor Sakari Orava.
“Tani po stërvitet në zonën e plazhit, që zotëron Barca, ndërsa nga mesi i nëntorit do të nisë ushtrimet me topin”, tha ai. Gjithsesi, në konferencën për shtyp për ndeshjen me Sevillan, trajneri Valverde theksoi se, riaftësimi i lojtarit po shkon sipas parashikimeve, por kurrsesi nuk ka ndërmend t’i djegë etapat dhe ta aktivizojë para kohe.
Mbrojtësi algjerian i Napolit pësoi një dëmtim të rëndë, që do ta mbajë jashtë fushave të lojës për disa muaj, ndaj drejtuesit e Napolit janë vënë në lëvizje për të gjetur një zëvendësues për të.
Emri konkret, për të cilin po punohet është mbrojtësi Sime Vrsaljko, që aktualisht është pjesë e Atleticos së Madridit. Kroati nuk gëzon besimin e Diego Simeones dhe ka luajtur shumë pak minuta në Spanjë, ndaj do të mirëpriste një rikthim në Serinë A, atje ku edhe spikati fillimisht.
Napolitanët janë gati të marrin mbrojtësin në huazim 6-mujor me të drejtë blerjeje në verë, ndërsa madrilenët do të pranonin të shkarkoheshin nga paga e një futbollisti, të cilin e përdorin shumë pak.
Aktualisht në krahun e majtë të mbrojtjes, në skuadrën e Sarrit po luan mbrojtësi Elseid Hysaj, por me ardhjen e Vrsaljkos, shkodrani pritet të rikthehet në rolin e tij natyral, në krahun e djathtë.

Shekulli i përgjakur i komunizmit

Stephen Kotkin

Këtë javë, një shekull më parë, komunizmi sundoi perandorinë ruse, shteti më i madhi në botë në atë kohë. Lëvizjet e majta të llojeve të ndryshme kanë qenë të zakonshme në politikën europiane shumë kohë përpara revolucionit të 25 tetorit 1917, (i cili u bë 7 Nëntori i kalendarit të reformuar rus), por Vladimir Lenini dhe bolshevikët e tij ishin të ndryshëm. Ata nuk ishin vetëm fanatikë në bindjet e tyre, por fleksibël në taktikat që përdorën–dhe me fat për ata kundërshtarë të dobët që patën.
Komunizmi hyri në histori si një dënim i egër, por idealist i kapitalizmit, me premtimin e një bote më të mirë. Përkrahësit e tij, sikurse edhe të tjerë në të majtë, fajësuan kapitalizmin për kushtet njësoj të mjerueshme që prodhonte për punëtorët edhe për fshatarët, si dhe për shkallën masive të përdorimit të punës së skllevërve e veçanërisht të fëmijëve. Komunistët e konsideruan masakrën e Luftës së Parë Botërore si rezultat të drejtpërdrejtë të konkurrencës së ashpër midis Fuqive të Mëdha për tregjet botërore.
Por përvoja e një shekulli me komunizëm në pushtet – me disa mangësi ende tani në Kubë, Korenë e Veriut dhe Kinën – e ka bërë të qartë koston njerëzore të një programi politik të vendosur në përmbysjen e kapitalizmit. Në mënyrë të përsëritur e të vazhdueshme, përpjekjet për të eliminuar tregjet dhe pronën private sollën vdekjen e një numri të jashtëzakonshëm njerëzish. Që nga viti 1917, në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Mongoli, Europën Lindore, Indokinë, Afrikë, Afganistan dhe pjesë të Amerikës Latine – komunizmi u ka marrë jetën të paktën 65 milionë njerëzve, sipas studimeve të kujdesshme të demografëve.
Mjetet e shkatërrimit të komunizmit kanë përfshirë dëbimet e internimet masive, kampet e detyruara të punës dhe terror të Policisë së Shtetit – një model i ndërtuar nga Lenini dhe sidomos nga pasardhësi i tij, Joseph Stalin. Ky model është imituar gjerësisht. Ndonëse komunizmi ka vrarë një numër të madh njerëzish në mënyrë të qëllimshme edhe shumë prej viktimave të tij kanë vdekur nga uria si rezultat i projekteve mizore të planifikimeve sociale.
Për këto krime epike, Lenini dhe Stalini kanë përgjegjësi personale, ashtu si Mao Ce Duni në Kinë, Pol Poti në Kamboxhia, dinastia Kim në Korenë e Veriut dhe një numër tiranësh komunistë më të vegjël. Por nuk duhet të harrojmë idetë që i nxitin këta njerëz të këqinj të vrasin në një shkallë kaq të gjerë, ose kontekstin nacionalist në të cilin i përqafuan këto ide. Antikapitalizmi ishte tërheqës për ta në të drejtën e vet, por gjithashtu shërbeu si një instrument në mendjet e tyre, që vendet e prapambetura të hidheshin në radhët e Fuqive të Mëdha.
Revolucioni komunist tani mund të konsiderohet i kaluar, por 100-vjetori i tij, si çështja më e madh antikapitaliste, ende kërkon llogaridhënien e duhur.
Në shkurt të vitit 1917, Cari Nikolla II dha dorëheqjen nën presionin e gjeneralëve të tij, të cilët menduan se marshimet e bukës dhe protestat në kryeqytetin e Shën Peterburgut do të dëmtonin e zbehnin fuqinë e luftës kundër Gjermanisë dhe aleatëve të saj. Nga Revolucioni i Shkurtit, siç u bënë të njohura këto ngjarje, u formua një qeveri të përkohshme e pazgjedhur, e cila zgjodhi të sundojë pa Parlamentin e zgjedhur. Fshatarët filluan të zaptonin toka dhe sovjetikët (ose këshillat politikë) nisën të formohen midis ushtarëve në front, siç kishte ndodhur më parë midis grupeve politike nëpër qytete.
Atë vjeshtë, ndërsa lufta po vijonte, Bolshevikët e Leninit nisën një kryengritje të armatosur që përfshinte ndoshta jo më shumë se 10,000 vetë. Ata e drejtuan grushtin e shtetit jo kundër qeverisë së përkohshme, së cilës po i vinte fundi, por kundër sovjetëve kryesorë në kryeqytet, të cilët dominoheshin nga të tjerë socialistë më të moderuar. Revolucioni i Tetorit filloi si një grusht shteti nga radikalët kundër pjesës tjetër të të majtëve, anëtarët e të cilëve i denoncuan bolshevikët për shkelje të të gjitha normave dhe më pas u larguan nga sovjetët.
Bolshevikët, si shumë nga rivalët e tyre, ishin përkrahës të Karl Marksit, të cilët e panë luftën e klasave si motorin e madh të historisë. Ajo që ai e quajti feudalizëm do t’i hapte rrugën kapitalizmit, i cili do të zëvendësohej nga socializmi dhe, në shkallë të fundit, prej utopisë së largët të komunizmit. Marks parashikoi një epokë të re të lirisë dhe bollëkut, dhe parakushti i saj ishte të shkatërronte “skllavërinë e pagave” dhe shfrytëzimin e kapitalizmit.
Ndërsa ai dhe bashkëpunëtori i tij, Friedrich Engels deklaruan në Manifestin Komunist të vitit 1848, se “teoria jonë mund të përmblidhet në një fjali të vetme: Heqja e pronës private”. Pasi erdhën në pushtet në fillim të vitit 1918, bolshevikët e riquajtën veten Partia Komuniste dhe kërkonin të detyronin Rusinë drejt socializmit dhe, eventualisht, drejt fazës përfundimtare të historisë. Miliona njerëz u përpoqën të jetojnë në mënyra të reja. Askush, megjithatë, nuk e dinte me saktësi sesi duhej të dukej shoqëria e re. “Ne nuk mund të japim një karakterizim të socializmit”, pranoi Lenini në mars të vitit 1918. “Çfarë do të jetë socializmi kur të arrijë formën e tij përfundimtare, ne nuk e dimë, nuk mund të themi”.
Por një gjë ishte e qartë për ta: Socializmi nuk mund të ngjajë me kapitalizmin. Regjimi do të zëvendësonte pronën private me pronën kolektive, tregjet me planifikimin dhe parlamentet “borgjeze” me “fuqinë e njerëzve”. Në praktikë, megjithatë, planifikimi shkencor ishte i paarritshëm, siç pranuan edhe disa komunistë në atë kohë. Sa i përket kolektivizimit të pronës, ajo nuk i fuqizoi njerëzit, por shtetin.
Procesi i vënë në lëvizje nga komunistët përfshinte zgjerimin e madh të një aparati sekret policor për të bërë arrestimet, internimet e brendshme dhe ekzekutimin e “armiqve të klasës”. Shpronësimi i kapitalistëve gjithashtu e pasuroi një klasë të re të funksionarëve shtetërorë, të cilët fituan kontroll mbi pasurinë e vendit. Të gjitha partitë dhe pikëpamjet jashtë doktrinës zyrtare u shtypën, duke eliminuar politikën si një mekanizëm korrigjues.
Qëllimet e deklaruara të revolucionit të vitit 1917 ishin bollëku dhe drejtësia sociale, por angazhimi për të shkatërruar kapitalizmin krijoi struktura që e bënë të pamundur arritjen e këtyre qëllimeve.
Në zonat urbane, regjimi sovjetik tërhiqte punonjës të armatosur të fabrikave, anëtarë të etur për partinë dhe policinë sekrete, si dhe të rinjtë të paduruar për të ndërtuar një botë të re. Megjithatë, në fshatra, fshatarët – rreth 120 milionë shpirtra – kishin kryer revolucionin e tyre, duke hedhur poshtë fisnikërinë e vogël dhe duke krijuar de facto pronësinë e tokës fshatare. Me një vend të shkatërruar në prag të urisë, Lenini detyroi kuadrot e palëkundur të partisë që të pranonin për momentin revolucionin e veçantë fshatar. Në fshatra, për shkak të kundërshtimeve të puristëve komunistë, një ekonomi kuazi-tregu u lejua të vepronte.
Me vdekjen e Leninit në vitin 1924, ky lëshim u bë problemi i Stalinit. Në 1928, jo më shumë se 1% e tokës bujqësore të vendit ishte kolektivizuar vullnetarisht. Deri atëherë, fabrikat kryesore ishin kryesisht në pronësi të shtetit dhe regjimi ishte angazhuar për një plan pesëvjeçar për industrializim. Revolucionarët shqetësoheshin tani që Bashkimi Sovjetik kishte sisteme që nuk përputhen: socializmin në qytet dhe kapitalizmin në fshat.
Stalini nuk u përkul. Ai imponoi kolektivizëm shtrëngues nga Deti Baltik në Oqeanin Paqësor, madje edhe përballë rebelimit masiv të fshatarëve. Ai i kërcënoi zyrtarët e partisë, duke u thënë atyre se, nëse ata nuk ishin seriozë në lidhje me çrrënjosjen e kapitalizmit, ata duhet të ishin të përgatitur për t’ia dorëzuar pushtetin borgjezisë rurale në rritje. Ai nxiti luftëra klasore kundër “Kulakëve” (fshatarë në Rusi që ishin aq të pasur sa për të zotëruar një fermë) dhe të gjithë atyre që i mbronin ata, duke imponuar kuota për arrestime masive dhe dëbime të brendshme.
Stalini ishte i qartë në arsyetimin e tij ideologjik. “A mund të zhvillojmë bujqësinë sipas modës kulake, si ferma individuale, sipas modelit të fermave të mëdha” të ngjashme me ato në “Amerikë e kështu me radhë”, shtroi pyetjen ai. “Jo, nuk mundemi. Ne jemi një vend sovjetik. Ne duam të zbatojmë një ekonomi kolektive, jo vetëm në industri, por edhe në bujqësi”.
Dhe ai kurrë nuk u kthye prapa, edhe kur, si rezultat i politikave të tij, vendi u zhyt në një fazë tjetër urie nga viti 1931 deri më 1933. Kolektivizimi i detyruar gjatë atyre pak viteve do të përkthehej në 5-7 milionë jetë.
Precedenti i tmerrshëm i Bashkimit Sovjetik nuk bëri asgjë për të penguar revolucionarët e tjerë komunistë. Mao Ce Dun, një njeri i fortë si Stalini, ishte vënë në krye të lëvizjes kineze dhe, në vitin 1949, ai dhe shokët e tij dolën fitimtarë në luftën civile kineze. Mao e pa humbjen kolosale të jetëve në eksperimentin sovjetik, si thelbësor për suksesin e tij.
Lëvizja e tij “Hapi i Madh Përpara”, një fushatë e dhunshme nga viti 1958 deri në vitin 1962, ishte një përpjekje për të kolektivizuar rreth 700 milionë fshatarë kinezë dhe për të përhapur industrinë në të gjithë fshatrat. “Tre vite të forta pune dhe vuajtje, dhe një mijë vjet prosperitet”, u bë një slogan i shquar i kohës.
Raportet e falsifikuara të korrjeve triumfale dhe fshatarëve të gëzuar përmbysën kompleksin e mirëpajisur të elitës komuniste në Pekin. Në realitet, programi i Maos rezultoi në një nga krizat e urisë më vdekjeprurëse të historisë, duke pretenduar midis 16 dhe 32 milionë viktimave. Pas katastrofës, referuar nga të mbijetuarit si “era komuniste”, Mao bllokoi thirrjet për një tërheqje nga kolektivizimi. Siç tha ai, “fshatarët duan ‘lirinë’, por ne duam socializmin”.
As kjo nuk e shteroi repertorin e brutalitetit komunist në emër të kapitalizmit të përmbysur. Me pushtimin e Kamboxhias në vitin 1975, Pol Pot dhe Khmer Rouge të tij, çuan miliona njerëz nga qyteti drejt fshatit për të punuar në kolektiv dhe në projektet e punës së detyruar. Ata kërkuan të kthenin Kamboxhian ne një shoqëri pa klasa, vetëm agrare.
Pushteti i Khmer Rouge hoqi paranë, ndaloi peshkimin komercial dhe persekutonte budistët, myslimanët dhe pakicat etnike vietnameze dhe kineze si të “infiltruar”. Regjimi i Pol Pot gjithashtu kapi fëmijët që të parandalonte infeksionin ideologjik nga prindërit “kapitalistë”.
Si përfundim, ndoshta deri në 2 milionë kamboxhianë, një e katërta e popullsisë, u zhdukën si pasojë e urisë, sëmundjes dhe ekzekutimeve masive gjatë katër viteve të makthit të sundimit të Pol Pot. Në disa rajone, kafka mund të gjendet në çdo pellg.
Analiza e luftës së klasës së Marks e mohoi legjitimitetin ndaj ndonjë opozite politike, jo vetëm nga elementet “borgjezë”, por edhe nga vetë lëvizjet komuniste, sepse kundërshtarët “objektivisht” i shërbenin interesave të rendit kapitalist ndërkombëtar. Logjika e pamëshirshme e revolucionit antikapitalist vuri në dukje një lider të vetëm në majë të një sistemi të vetëm partiak.
Nga Rusia dhe Kina në Kamboxhia, Koreja e Veriut dhe Kuba, diktatorët komunistë kanë ndarë tipare kyçe. Të gjithë janë përshtatur, pak a shumë, me tipin Leninist: një bashkim ideologu militant dhe intrigantë të paskrupujt. Dhe të gjithë kanë pasur një vullnet ekstrem – parakusht për arritjen e asaj që mund të sjellë vetëm gjakderdhja e papërshkrueshme.
Komunizmi nuk ishte i vetmi gjatë shekullit të kaluar në kryerjen e masakrës së madhe. Shtypja e nazizmit dhe luftërat e shfarosjes racore vranë të paktën 40 milionë njerëz, dhe gjatë Luftës së Ftohtë, antikomunizmi nxiti shpërthimet e dhunës groteske në Indonezi, Amerikë Latine dhe gjetkë. Por, si dëshmitë e tmerreve të komunizmit u shfaqën gjatë dekadave, ajo tronditi me të drejtë liberalët dhe të majtët në Perëndim, të cilët ndanë shumë nga synimet egalitare të revolucionarëve. Disa e mohonin Bashkimin Sovjetik si një deformim të socializmit, duke atribuuar krimet e regjimit në prapambetjen e Rusisë ose veçoritë e Leninit dhe Stalinit. Sidoqoftë, Marksi kurrë nuk i mbrojti vrasjet masive ose kampet e punës të Gulagut. Askund nuk argumentoi se policia sekrete, dëbimi me makinat e bagëtive dhe vdekjet masive nga uria duhet të përdoren për të krijuar ferma kolektive.
Por nëse mësojmë një mësim nga shekulli komunist, është ky: Që të zbatojmë idealet marksiste duhet t’i tradhtojmë ato. Kërkesa e Marksit “për të hequr pronën private” ishte një thirrje për veprim dhe një rrugë e pashmangshme për krijimin e një shteti shtypës dhe të pakontrolluar.
Disa socialistë filluan të pranonin se nuk mund të kishte liri pa tregje dhe pronë private. Kur ata bënë paqen e tyre me ekzistencën e kapitalizmit, duke shpresuar që të rregullojnë më tepër sesa të heqin, ata fillimisht u akuzuan si tradhtarë. Me kalimin e kohës, më shumë socialistë përqafuan shtetin e mirëqenies, ose ekonominë e tregut me rishpërndarje. Por thirrja e sirenës për të kapërcyer kapitalizmin vazhdon ende midis disa të majtëve.
Ajo mbetet ende gjallë, megjithëse jo më në modën ortodokse marksiste, në Rusi dhe në Kinë, fortesa e madhe e shekullit komunist. Të dy vendet vazhdojnë të mos besojnë atë që ndoshta është më e rëndësishme për tregjet e lira dhe pronën private: kapacitetin e tyre për të dhënë pavarësi veprimi dhe mendimesh për njerëzit e zakonshëm, duke ndjekur interesat e tyre siç e shohin të arsyeshme, në jetën private, në shoqërinë civile dhe në sferën politike.
Por antikapitalizmi shërbeu edhe si një program për një rend alternativ në botë, në një të atillë ku mund të realizohen, synimet nacionaliste të shtypura prej një kohe të gjatë. Për Stalinin dhe Maon, trashëgimtarë krenarë të qytetërimeve antike, Europa dhe SHBA përfaqësonin joshjen dhe kërcënimin e një Perëndimi superior. Komunistët i caktuan vetes detyrën të barazonin dhe të kapërcenin rivalët e tyre kapitalistë dhe të fitonin për vendet e tyre, një vend qendror në arenën ndërkombëtare.
Kjo luftë revolucionare e lejoi Rusinë të përmbushte kuptimin e saj shekullor të një misioni të posaçëm në botë, ndërkohë që i dha Kinës një pretendim për të qenë edhe një herë Mbretëria e Mesme. Rezistenca e Vladimir Putinit ndaj Perëndimit, me përzierjen e tij të veçantë të nostalgjisë sovjetike dhe ringjalljes ortodokse ruse, bazohet në precedentin e Stalinit. Nga pikëpamja e saj sigurisht, Kina mbetet gjiganti i fundit komunist, ashtu si Pekini nxit dhe përpiqet të kontrollojë një ekonomi tregu kryesisht. Nën sundimin e Xi Jinping, vendi tani përqafon si ideologjinë komuniste dhe kulturën tradicionale kineze, në një përpjekje për të përforcuar qëndrimin e saj si një alternativë ndaj Perëndimit.
Shekulli i përgjakshëm i Komunizmit ka përfunduar, dhe ne mund të festojmë të shkuarën e saj. Por aspektet shqetësuese të trashëgimisë së saj zgjasin ende.

“Wall Street Journal”

*Kotkin është profesor i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Princeton dhe anëtar i lartë në Institutin Hoover të Stanford-it. Libri i tij i fundit, “Stalini: Pritja për Hitlerin, 1929-1941”, u botua muajin e kaluar nga Penguin Press.

Gati ndaj Turqisë!

Skuadra kombëtare hyn në ritëm të plotë stërvitor në kuadër të ndeshjes miqësore të 13 nëntorit me Turqinë në Antalya. Ekipi kuqezi me disa prurje të reja në listën e Panuccit është akomoduar në një resort turistik, ku zhvillon dy seanca stërvitore në ditë. Trajneri është fokusuar në punën me repartet e ndara, pasi mbrojtja ka punuar e veçuar, po ashtu edhe mesfusha e sulmi.
Këto ditë i shërbejnë Panuccit për të njohur sa më shumë skuadrën që ndryshe nga ndeshjet zyrtare, do të testojë disa emra të rinj si Kamer Qaka, apo futbollisti tjetër Astrit Ajdareviç. Një vëmendje të veçantë, Panucci i ka kushtuar edhe aspektit fizik, pasi 90 minutëshi ndaj Turqisë kërkon energji të mëdha fizike dhe një pjesë e madhe e lojtarëve vijnë me minuta të shumta në këmbë. Seancat stërvitore zhvillohen paradite dhe pasdite, pranë kompleksit ku është akomoduar kombëtarja.
Ekipi kuqezi kishte një program të veçantë për mbrojtjen dhe më pas u vijua me grupin tjetër, atë të pjesës ofensive, të mesfushës dhe sulmit. Me kombëtaren, që nga dita e djeshme në stërvitje ka dalë edhe futbollisti i sapogrumbulluar, Kamer Qaka, së bashku me futbollistin tjetër, Astrit Ajdareviç. Pas aspektit taktik, ekipi kaloi në disa ushtrime fizike.
Trajneri italian e nisi aventurën e tij në stolin e Kombëtares Shqiptare pa mundur të bëjë një test të mirëfilltë. Një angazhim në fundin e fushatës kualifikuese për Botërorin rus, ku Panuccit i duhej të përballej me 4 takime zyrtare rradhazi, konkretisht sfidat me Lihtensteinin, Maqedoninë, Spanjën dhe Italinë. Edhe pse shanset për kualifikim ishin sfumuar, një ndeshje zyrtare që vë në plan të parë padyshim rezultatin, sidomos kur bëhet fjalë për fqinjët ballkanas, me të cilët diskutonim vendin e tretë në grup, apo më tepër përballë kolosëve si Italia e Spanja.
Trajneri ka bërë lëvizjet e tij në këto ndeshje, por, gjithsesi, duke qenë i kufizuar në masën e eksperimentit. Kundër Turqisë, 44-vjeçari do të ketë shansin për të guxuar pa dyshim më tepër, pasi bëhet fjalë për një miqësore të siguruar pikërisht për këtë qëllim. Tekniku, në bilancin e 4 ndeshjeve të tij të para në drejtimin e kuqezinjve, shfaqi hapur synimin për një Shqipëri më sulmuese dhe më guximtare në fushën e lojës, prirje që e ka shfaqur edhe në takimet e fundit.
Tani, kundër Turqisë mund të nisë zyrtarisht projektin e misionit për t’u kualifikuar në Europianin e vitit 2020. Gjak i ri, por edhe ide të reja në kombëtare, aty ku janë afruar së fundmi dhe Kamer Qaka, Ylber Ramadani apo Astrit Ajdareviç, me trajnerin që ka mundësi ta përgatisë sfidën me Turqinë në qetësi të plotë në Antalia. Përballë kombëtares së drejtuar nga një “ujk” i vjetër i stolave si Mircea Lucescu, Panuci më në fund mund të nisë të ndërtojë pa presionin e rezultatit Shqipërinë e tij.

U-21, Ndoj dhe Ramadani: Duam vendin e dytë në grup!

Shpresat e Shqipërisë po vijojnë përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese të “Euro 2019”, që do ta luajnë të premten, në orën 18:00, ndaj Irlandës së Veriut, në “Selman Stermasi”. Në konferencë për shtyp, për të folur për këtë ballafaqim, por edhe aspekte të tjera kuqezi, kanë dalë sot në mesditë Emanuele Ndoj dhe Ylber Ramadani, të cilët luajnë jashtë Shqipërisë, në Itali dhe Danimarkë, respektivisht. Ramadani do të jetë pjesë e Shqipëria U-21 për këtë kualifikuese, më pas do të udhëtojë drejt Turqisë, për t’iu bashkuar kombëtares së madhe për ndeshjen miqësore.
Në fjalën e tij, Ramadani nënvizoi: “Që nga dita e parë që kemi ardhur këtu kemi menduar vetëm për të fituar. Çdo lojtar pret që të luajë me kombëtaren. Një minutë, një minutë, vetëm të luajë. Unë do të vazhdoj të bëj punën time. Nëse e fitojmë ndeshjen të premten, mund të kemi shanse për kualifikim. Unë nuk do të kursehem aspak në fushë, pasi U-21 më ka dërguar në kombëtaren e parë. Duhet ta qarkullojmë topin sa më shpejt, pasi kundërshtarët luajnë me pasime të gjata. Objektivi ynë është vendi i dytë në grup, ndaj do të futemi në fushë për të fituar. Ndeshja është në Tiranë, ndaj dua të ftoj të gjithë shqiptarët që të na përkrahin në stadium”.
Nga ana e tij, Ndoj u shpreh: “Ne kërkojmë fitoren, sepse duam të shkojmë në Europian. Jemi përgatitur mirë dhe ishalla me fitore kundër Irlandës. Isha dëmtuar me kombëtaren e madhe dhe tashmë jam mirë fizikisht. Uroj të fitojmë kundër Irlandës. Këtë ndeshje duhet ta luajmë të përqendruar. Është një test për të gjithë lojtarët e rinj. Për mua duhet të kishim pasur më shumë pikë. Kemi demonstruar një lojë të mirë. Kemi humbur shumë raste, por ishalla marrim pikë me Irlandën”.

FIFA gjobit Serbinë, UEFA “mbyll sytë”?

Dy institucione dhe dy standarde të ndryshme. Çështja e parullave dhe koreve me përmbajtje politike, të tifozëve serbë në ndeshjen Partizani i Beogradit-Skënderbeu, mund të shkaktojë një përplasje mes dy institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror, FIFA dhe UEFA.
“Kosova është Serbi” ishte shprehja më e dëgjuar në shkallët e stadiumit të Beogradit, gjatë ndeshjes së luajtur pak ditë më parë në kryeqytetin serb dhe sipas zyrtarëve të skuadrës së Partizanit, ishte vetë UEFA që nuk kishte shfaqur kundërshti për parulla të tilla. Sipas tyre, mjaftonte që tifozët të mos përmendnin emrin shqiptar.
Një qëndrim deri diku me doza racizmi, pasi në këtë rast u bë një dallim i madh mes një shteti dhe një shteti tjetër dhe në këtë rast u lejua që Kosova të përfshihej në koret ofensive të tifozëve vendas.
Por një vendim i orëve të fundit, i marrë nga FIFA, kundërshton gjithë këtë logjikë të përdorur nga UEFA, që gjithsesi nuk ka dalë ende me një vendim për këtë problematikë. FIFA ka gjobitur me 160 mijë franga zvicerane Federatën Serbe të Futbollit, pikërisht për koret dhe banerat e tifozëve serbë në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018 kundër Austrisë dhe Gjeorgjisë.
“Banera me përmbajtje politike dhe diskriminuese”, shkruan FIFA në vendimin e zbardhur, që i adresohet pikërisht shprehjes “Kosova është Serbi”. Një standard i vendosur nga FIFA, që prej shumë vjetësh dhe në rast se UEFA nuk mban të njëjtin qëndrim ndaj Partizanit të Beogradit, atëherë përplasja mes institucioneve mund të jetë e paevitueshme, madje edhe më e rëndë, konfliktuale, pasi në këtë rast faktet janë bërë publike tashmë dhe fjalën e fundit duhet ta thotë selia me qendër në Nyon.

Efekti “Skënderbeu”!

Mund të quhet ndryshe efekti Skënderbeu. Korçarët tashmë nuk janë vetëm skuadra që po bën ligjin në futbollin shqiptar, por janë edhe një ekip me fytyrë europiane. Pjesëmarrja në grupet e Europa League do të thotë shumë dhe nëse je aktualisht pjesë e Skënderbeut e ke shumë të thjeshtë të grumbullohesh edhe nga ekipet kombëtare. Këtë e dinë shumë mirë emra të tillë si Jashanica, Aliti, Lilaj, Sowe dhe sëfundmi Sahiti, pa harruar që më herët pjesë e kombëtareve respektive kanë qenë edhe futbollistë të tjerë të Skënderbeut si Shehi, Osmani, Berisha e Latifi.
Grumbullimi i Jashanicës dhe Alitit nga përfaqësuesja e Kosovës në kualifikueset e Botërorit rus u ka hapur rrugën shumë të tjerëve. Cristian Panucci ka grumbulluar Sabien Lilajn për miqësoren ndaj Turqisë, Kosova ndërkohë për duelin ndaj Letonisë në mungesë të Jashanicës, që është i dëmtuar ka thirrur dy lojtarë të korçarëve, Fidan Alitin që e ka grumbullimin e dytë dhe sëfundmi Suad Sahitin që edhe pse është një lojtar stoli te skuadra e Dajës ka marrë ftesën e parë nga përfaqësuesja e vendit të tij, një sinjal ky se trajnerët e skuadrave kombëtare e shohin me tjetër sy faktin që lojtarët luajnë te një klub si Skënderbeu.
Sowe ndërkohë falë formës së treguar me bardhekuqtë ka fituar grumbullimin me kombëtaren e Gambias. Pas tyre rradhën për të qenë pjesë e përfaqësueseve respektive mund ta kenë emra të tillë si Gavazaj, Nimaga apo edhe i riu i talentuar Demte, e gjithë kjo meritë e një klubi model që i ka dhënë një tjetër dimension futbollit shqiptar në arenën europiane, duke vënë në dukje edhe cilësitë e futbollistëve.

Hoyt Yee: E turpshme që udhëheqës të korruptuar në Ballkan mirëpriten në kryeqytete evropiane

Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, i angazhuar nga afër së fundmi me Ballkanin Perëndimor, thotë se perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre:
“Është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Uashington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve”.
Zyrtali i lartë amerikan nuk ka folur me emra për udhëheqësit e korruptuar të Ballkanit të cilët nuk duhet të priten në takime në BE, por një saktësim të tillë e jep raporti i Departamentit amerikan të Shtetit. Ky raport përcakton qartë se kush janë këta udhëheqës në Ballkan të korruptuar. Dy raportet e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit deklarojnë se “Korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjithë degët e qeverisjes”. Kjo është një akuzë direkte për Ramën dhe pa dorashka që nëse i bashkëngjitet deklaratës së djeshme të Yee për udhëheqësit e Ballkanit, të cilët duhet të izolohen ng BE, atëhere bëhet e qartë se në drejtim të kujt është drejtuar apeli amerikan.
Rryma të rrezikshme janë shfaqur në Ballkan që kërkojnë një angazhim më aktiv dhe më të dukshëm të Shteteve të Bashkuara për të mos lejuar zhbërjen e sukseseve të shënuara që nga ndalja e konflikteve të përgjakshme të viteve 1990. Me paralajmërime për rrezikun që paraqet ngecja e reformave, ambicjet gjeostrategjike ruse dhe penetrimi i islamizmit radikal, njohës të zhvillimeve ballkanike, ndër ta edhe Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee, ofrojnë alternativa për angazhimin amerikan në të ardhmen në një diskutim të organizuar nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.
Është koha që Ballkani të trajtohet si një përparësi për politikën e jashtme amerikane, shprehet analisti Daniel Serwer, profesor në Universitetin “Johns Hopkins”. Një Evropë e preokupuar me presione të brendshme në Bashkimin Evropian, e rënduar nga një krizë e gjatë ekonomike dhe nën presionin e rrymave të ekstremit të djathtë, nuk ka arritur të bëjë sa duhet për të ndihmuar Ballkanin në rrugën e reformave, shprehet zoti Serwer.
Ai propozon një angazhim të profilit të lartë në administratën amerikane.
“Propozoj që të ngarkohet zyrtarisht nënpresidenti amerikan me detyrën e portofolit ballkanik”, thotë Daniel Serwer.
Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, i angazhuar nga afër së fundmi me Ballkanin Perëndimor, thotë se Perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre:
“Është për të ardhur turp, se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Uashington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve”.

Ku cënohet partneriteti i SHBA me Shqipërinë

Lidhur me Reformat në Drejtësi që po ndërmerr Shqipëria, diplomati i lartë thotë se ka rëndësi rezultati:
“Ne nuk do të kënaqemi si partner i Shqipërisë me një zbatim të pjesshëm ose me mungesë zbatimi, prandaj do të vazhdojmë të kërkojmë nga qeveria, partitë politike, anëtarët e Parlamentit, që të mbajnë zotimet për të zbatuar amendamentet. Synimi nuk është që të kënaqen Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, por vendosja e sundimit të ligjit, arritja e statusit të pavarësisë për gjyqësorin”.
Pas vizitës së fundit në Ballkan, komentet e zyrtarit të lartë që Serbia nuk mund të ulet në “dy karrige”, duke nënkuptuar Perëndimin dhe Rusinë, ngjallën reagime të shumta. Zoti Yee i sqaron edhe një herë komentet e tij.
“Me rëndësi për Serbinë është që, nëse vërtetë synimi i saj strategjik është futja në Bashkimin Evropian, atëherë duhet ta ndjekë këtë synim në një formë që nuk le asnjë dyshim mbi aspiratat e saj të vërteta. Ajo nuk duhet të lërë përshtypjen se tërhiqet nga dy forca njëkohësisht: njëra në Lindje, tjetra në Perëndim. Ka rëndësi të pranojmë se, Rusia ka një vizion krejt tjetër për Ballkanin, përfshirë Serbinë, se sa Perëndimi. Këto vizione nuk përputhen”.
Zyrtari i lartë amerikan shprehet se, Kosova dhe Serbia mund të dërgojnë një mesazh të qartë se kanë vullnetin politik për të marrë vendimet e vështira politike që nevojiten për të dyja vendet, në takimet e ardhshme mes palëve në kuadër të dialogut dypalësh. Yee thotë se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë procesin e dialogut, por shton se përgjegjësia e parë është mes dy qeverive në Beograd dhe Prishtinë.
Në Kosovë, ashtu si kudo tjetër në Ballkan, e ardhmja është në duart e shoqërive ballkanike, shprehet Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee. Ai shprehet se politikat amerikane në të ardhmen duhet t’i shërbejnë rritjes së kërkesës së llogarisë ndaj udhëheqësve në Ballkan për të përmbushur rolin që kanë marrë përsipër para qytetarëve të tyre.
Analisti Daniel Serwer paralajmëron se Amerika nuk mund të vazhdojë të ndjekë kursin aktual, pasi Rusia e ka bërë të qartë se ka ambicje për influencë në Ballkan dhe po mbështet rryma dhe individë që kërcënojnë paqen në rajon.
“Duhet të pengojmë tendencat keqbërëse të Rusisë, duke ulur vartësinë e Ballkanit tek gazi rus dhe duke ndëshkuar ata që financojnë udhëheqës ballkanikë, të cilët kërcënojnë paqen”, thotë zoti Serwer.
Analisti flet me shqetësim edhe për mundësinë e ndërhyrjeve ruse në proceset zgjedhore në Ballkan. Zoti Serwer thotë se Amerika duhet të ofrojë konsulencë për këto vende që të mbrojnë integritetin e zgjedhjeve. Një tjetër sfidë që kërkon vëmendje të menjëhershme: propaganda ruse:
12:50:00 “Prej vitesh është folur për të mbyllur shërbimet e gjuhëve ballkanike të “Zërit të Amerikës”, por është koha të kuptojmë se kemi një problem serioz në sferën mediatike, si rezultat i aktivitetit rus dhe duhet të kemi aftësinë të përgjigjemi”.
Zoti Serwer diskuton një numër nismash diplomatike, me kosto relativisht të ulët, por që kanë dëshmuar sukses deri tani, ndër to lidhje direkte me institucione e struktura amerikane, si forcimimin e lidhjeve mes gardës kombëtare të Ajovas dhe Kosovës. Ai flet gjithashtu për rëndësinë që të kishte një traktat tregtar mes Shteteve të Bashkuara dhe rajonit, për t’u dëshmuar popullsive të Ballkanit se ky rajon mbetet me rëndësi për Amerikën.

 

Tirana, ndër më të shtrenjtat në botë për të blerë një apartament

Kryeqyteti shqiptar renditet në vendin e 241 nga 267 qytete në botë për sa i përket përballimit të blerjes së një apartamenti, të matur sipas fuqisë blerëse, duke qenë ndër më të shtrenjtët në botë dhe e katërta më e shtrenjtë në Europë. Të dhënat bëhen të ditur nga Numbeo, që rendit 267 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).
Ndonëse në vlerë absolute, një apartament mesatar në Tiranë kushton 70 apo 100 mijë euro, duke pasur parasysh të ardhurat e ulëta, duhet një kohë shumë e gjatë për t’u bërë pronar i tij, në krahasim me një apartament në Vjenë, Paris, Nju Jork, Milano, Firence, Lisbonë, Barcelonë, Stamboll, Gjenevë etj. Në Tiranë, sipas këtij indeksi, duhen 18.3 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Paris, një familjeje i duhen 16.4 vite, në Vjenë 12.9 vite. Në Nju Jork duhen 10 vite, në Zyrih 10.1, në Milano 17.8 vite. Në Barcelonë mjaftojnë 13.1 vite.
Edhe në krahasim me 5 vjet më parë, duhet shumë më tepër kohë për të blerë një apartament në kryeqytetin shqiptar. Sipas së njëjtës renditje të Numbeo në vitin 2012, kur raportohen për herë të parë të dhënat për kryeqytetin shqiptar, Tirana renditej në vendin e 104 dhe duheshin 12.5 vite për t’u bërë pronar i një shtëpie. Rritja e çmimeve të shtëpive me ritme shumë më të shpejta sesa e të ardhurave ka bërë që të bëhet gjithnjë e më e vështirë të blesh një apartament (në krahasim me 10 vjet më parë çmimet janë dyfishuar).
Më i shtrenjti në rajon është Serbia, ku duhen më shumë se 22 vite për t’u bërë pronar shtëpie. Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Sarajeva, me 13.3 vite. Në Shkup ky tregues është 15.1. Në Athinë, ku çmimet kanë rënë ndjeshëm që pas krizës që rrezikoi daljen e vendit nga euro, duhen rreth 10 vjet për të blerë një shtëpi. Në Europë, më të shtrenjtë sesa Tirana janë vetëm tre qytete: Roma, Beogradi, Londra. Më i shtrenjti është Londra, ku do të duheshin 24 vite të ardhura për të blerë një apartament. Qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament është Hong Kongu, ky do të duhej gati gjysma e jetës (38 vjet) për t’u bërë pronar.

Çmimet në rajon

Aktualisht, çmimet e apartamenteve brenda Unazës në Tiranë variojnë nga 1000-2000 euro për metër katror, por ka dhe disa zona elitare si tek Televizioni Shqiptar, ku çmimi i apartamenteve ka arritur në 3,000 euro për metër katror. Kryeqyteti shqiptar ka shumë të lirë periferinë, me rreth 500 euro për metër katror, ndonëse kanë shënuar një rritje prej 15-20% së fundmi. Nivelin më të lartë të çmimeve në rajon për qendrën e ka Beogradi, me mesatarisht 2000 euro për metër katror, por për hyrjet luksoze arrin edhe në 4000 euro, sipas Eurobank Property Services. Çmime mes 1500-2000 euro/m² ka dhe Podgorica. Në Shkup, çmimi i banesave është rreth 1000 euro për metër katror. Rajoni ka periferinë më të shtrenjtë, ku minimumi është 800 euro/m².

Trump-Koresë së Veriut: Mos na vër në provë!

Presidenti Donald Trump u rezervua të martën, duke mos folur me termat e forta që ka përdorur në të kaluarën në adresë të Koresë së Veriut, por duke përcjellë një mesazh vendosmërie dhe optimizmi gjatë vizitës në Korenë e Jugut. Presidenti shprehu bindjen se, “çdo gjë do të zgjidhet”, kur është fjala për kërcënimin bërthamor nga Pheniani.
Pas një dite të mbushur me takime dhe aktivitete publike me Presidentin Moon Jae-in në Seul, Presidenti Trump tha se është shënuar përparim diplomatik për të ulur tensionet në rajon.
“Uroj që të lulëzojë liria dhe paqja në këtë gadishull”, tha presidenti gjatë darkës shtetërore të shtruar për nder të tij. “Së bashku, vendet tona do t’i kujtojnë botës se për kombet që zgjedhin lirinë në vend të tiranisë, ekziston një potencial i pamasë”.
Presidenti Moon tha se, “paqja e vendit tim” është e kërcënuar, por ai shtoi se aleanca e gjatë mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Koresë shoqërohet me një “fuqi superiore” që “do ta bëjë Korenë e Veriut të heqë dorë nga provokimet e saj të pamatura dhe të kthehet në dialogun e çmilitarizimit bërthamor”.
“Nuk duhet të lejojmë rikthimin e luftës në Gadishullin Korean”, tha zoti Moon.
Ndërkaq, komentet e Presidentit Trump shënojnë një largim nga toni i postimeve në Twitter gjatë javëve të fundit, kur është shprehur se bisedimet për të zgjidhur krizën bërthamore me Phenianin ishin “një harxhim i kotë kohe”.
Retorika e ndezur nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut ka shtuar shqetësimet për një ballafaqim të mundshëm bërthamor në Gadishullin Korean.
Më parë, Presidenti i SHBA tha se Uashingtoni dhe Seuli po punojnë së bashku për një zgjidhje paqësore të situatës me Korenë e Veriut, duke shtuar se, “besoj që është në interes të Koresë së Veriut të ndërmarrë hapat e duhur”, duke u kthyer në tryezën e bisedimeve. Por ai shtoi gjithashtu se, Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura “të mbrojnë veten dhe aleatët, duke përdorur të gjithë spektrin e kapaciteteve tona të pakrahasueshme ushtarake, nëse është e nevojshme”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, zoti Trump dhe homologu i tij, Moon, thanë se është e papranueshme që një vend tjetër të ndihmojë për armatosjen dhe financimin e regjimit të Kim Jong Unit. Zoti Trump shtoi se, programi koreano-verior i armëve bërthamore dhe raketave balisitike përbën një “kërcënim mbarë global që kërkon veprime globale”.
Zoti Trump tha se, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut nuk mund të lejojnë që Pheniani “të kërcënojë të gjitha ato që kemi ndërtuar” që nga lufta e Koresë gjashtë dekada më parë.

Korea e Veriut të mos nënçmojë Amerikën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka tërhequr vërejtjen liderit të Koresë Veriore, Kim Jong Un, që të mos e testojë vendosmërinë amerikane, duke i thënë se bota “nuk mund të tolerojë rrezikun e regjimit të papërgjegjshëm, që kërcënon me shkatërrim atomik”.
Mëtutje, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin e Koresë Jugore, zoti Trump tha se armatimet atomike, të cilat i zhvillon Pheniani, “nuk ju bëjnë juve më të sigurt, ato e rrezikojnë shumë regjimin tuaj”.
“Mos na nënçmoni neve dhe mos na provoni”, tha Trump në adresë të Koresë Veriore, gjatë fjalimit të tij, ku ka përdorur edhe shprehjet deri tani më të ashpra kundër Phenianit. Presidenti Trump, ka arritur në Kinë, që është shteti tjetër që ai e viziton në kuadër të turneut të zgjeruar aziatik, i cili filloi me vizitën në Japoni.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se, Trump do të bëjë presion ndaj Pekinit hezitues, për ta rritur trysninë kundër Koresë Veriore, për tërheqje nga ambicjet bërthamore.

SHBA: OKB të ndërmarrë aksion kundër Iranit lidhur me Jemenin

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kombet e Bashkuara (OKB) ta mbajnë Iranin përgjegjës për furnizimin e dyshuar të kryengritësve në Jemen me raketa, që janë lansuar kundër Arabisë Saudite, që është mbështetësi kryesor i Qeverisë së Jemenit në luftën civile trevjeçare në këtë vend.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, tha dje se Arabia Saudite ka paraqitur informacion që tregon se raketa e lansuar në muajin korrik ishte e tipit Qiam të Iranit, të cilën ajo e ka përshkruar si “lloj i armatimit që nuk ishte i pranishëm në Jemen, para konfliktit”.
Ambasadorja Haley tha se, një raketë balistike ishte rrëzuar nga Arabia Saudite më 4 nëntor, që shkaktoi përshkallëzim të ashpër të tensioneve ndërmjet Riadit dhe Teheranit këtë javë, “mundet, po ashtu, të jetë me origjinë nga Irani”.
Zonja Haley tha se, duke i furnizuar me armatim kryengritësit shiitë huthi në Jemen, Garda Revolucionare e Iranit i ka shkelur dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara, njëra e cila ia ndalon Teheranit furnizimin me armatim pa miratim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe tjetra, e cila e ndalon furnizimin me armatim për disa liderë të kryengritësve huthi.
“Ne i inkurajojmë Kombet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë që të ndërmarrin aksion të domosdoshëm për ta mbajtur regjimin iranian përgjegjës për këto shkelje”, tha ambasadorja amerikane, Nikki Haley, dhe ka shtuar se, “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i ndalur aksionet destabilizuese të Iranit dhe nuk do t’i mbyllin sytë ndaj këtyre shkeljeve serioze të së drejtës ndërkombëtare nga regjimi iranian”.
Irani, derisa hapur i mbështet kryengritësit huthi, i ka hedhur poshtë pohimet për armatimin e tyre.
Ministria e Mbrojtjes dhe Garda Revolucionare e Iranit i kanë hedhur poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.
Më herët, Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Muhammad bin Salman, e ka akuzuar Iranin për furnizim me raketa të kryengritësve huthi, duke e përshkruar këtë si “agresion direkt ushtarak nga regjimi iranian”, i cili “mund të konsiderohet si akt i luftës”, ka raportuar “Press Agency” e Arabisë Saudite.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që e mbështet Qeverinë e Jemenit me anë të fushatës shkatërruese të bombardimeve kundër kryengritësve prej vitit 2015, e ka ashpërshuar bllokadën ndaj territoreve të kontrolluara nga kryengritësit në Jemen, në pëgjigje të lansimit të raketës gjatë fundjavës. Këtë bllokadë e ka shpjeguar me përpjekjet për ndaljen e kontrabandimit të armatimit për kryengritësit në Jemen.
Nga ana tjetër, kryengritësit huthi në Jemen janë kërcënuar me sulme në porte dhe aeroporte, jo vetëm në Arabinë Saudite, por edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, që është anëtar i koalicionit ushtarak.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Qassemi, në adresë të Arabisë Saudite, tha se “insinuatat janë të rrejshme, destruktive, të papërgjegjshme dhe para së gjithash, provokuese”.
Mëtutje, ai është shprehur se në vend të përkeqësimit të situatës me këto “akuza absurde”, sauditët duhet të kërkojnë përfundim të dhunës në Jemen nëpërmjet kanaleve diplomatike.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka vlerësuar se përshkallëzimi aktual i tensioneve ndërmjet dy fqinjëve dhe rivalëve në Lindjen e Mesme, është “ektremisht i rrezikshëm” dhe ka kërkuar nga të dy palët të qetësohen dhe të synojnë “një terren të përbashkët minimal”.
Arabia Saudite dhe Irani i mbështesin palët kundërshtare jo vetëm në luftën civile në Jemen, por edhe në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe rajone të tjera.