27.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Shqiptari kapet në Greqi me 41 kg drogë

Një shtetas shqiptar është arrestuar të martën në aksin rrugor Janinë-Arta. Ai u ndalua për kontroll dhe brenda në mjetin që drejtonte u gjetën 39 paketa me kanabis, me peshë të përgjithshme 41.2 kilogramë. Gjatë verifikimit të personit u konstatua se ndaj tij ishin nxjerrë dy urdhra arresti. Një nga Prokuroria e Athinës, me akuzën për vrasje në tentativë dhe një nga Prokuroria e Korfuzit për vepra penale që lidheshin me narkotikët.
Gjithashtu 31-vjeçari ishte dënuar në mungesë me 27 muaj burg nga një Gjykatë e Athinës, për armëmbajtje pa leje dhe përdorim arme. Përveç drogës dhe automjetit që i përkiste një tjetri shtetasi shqiptar që po kërkohet, u sekuestruan 1.300 euro, 1.000 lekë dhe dy telefona celularë.
Në një operacion tjetër, në ishullin Rodos, u arrestuan dy shtetas shqiptarë, të moshës 32 dhe 34 vjeç, ndërsa po merrnin në dorëzim një sasi kokaine, që u ishte dërguar me shërbimin currier nga Athina.
Sipas policisë, droga ishte fshehur në një aparat DVD që ishte futur në një valixhe. Brenda aparatit kishte 20 paketa të vogla, me peshë të përgjithshme 507 gramë kokainë. Gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën dhe u sekuestruan edhe 100 gramë kokianë, një shumë prej 240 eurosh dhe një peshore precizioni. Policia po vazhdon hetimet për gjetjen e dërguesve të drogës.

Florian Habilaj në makinë me Sotën, mbushi çantën me euro

Florian Habilaj ka qenë në makinë me Orest Sotën dhe në momentin që është afruar policia, ai ka mbushur çantën me euro dhe është larguar. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve të marra nga qytetarët e Elbasanit.
“Xhafa dhe Çako i drogës vazhdojnë mashtrimin për skandalin Tahiri-Sota! Qytetarët dixhital denoncojnë: Mashtrimin e Xhafës dhe Çakos me Leonard Almetën, si dëshmitar të paguar. Sipas tyre, në makinë me Orestin nuk ka qenë Leonard Almetaj, por Florian Habilaj, i cili ka marrë gjysmën e eurove, i patrazuar nga policia. Eurot e shpërndara në sediljen e fundit të makinës tregojnë se dikush me shpejtësi i ka futur duart në to!”, shkruan Berisha.
“Prsh doktor, përse nuk del realiteti i Elbasanit. Orest Sota ka qenë me Florian Hbilajn në makinë, por kanë paguar Leonard Almetën 150 mijë euro për të thënë që ka qenë në makinë me Orestin. Ka dëshmitarë që e kanë parë Florian Habilaj me një çantë sportive të mbushur, duke u larguar nga “Land Rover”, por kanë frikë të denoncojnë. Me respekt doktor”, shkruan qytetari.
“Mirëmëngjes. Policia po bën çdo gjë për të fshehur të vërtetën. Personi që ka qenë me Orest Sotën është larguar me një çantë të madhe nga makina dhe policia e ka lejuar dhe ajo e di se kush është. Po të keni parasysh foton e makinës që tregonte se eurot ishin të shpërndara me tufa në sediljen e pasme të makinës dukej qartë se një person tjetër ka qenë në makinë dhe ai në largim e sipër ka marrë ato që ka mundur. Policia nxori emrin e personit të tretë vetëm pas katër ditësh çka do të thotë se ky Leonardi është thjesht beden. Në Policinë e Elbasanit përshpëritet se ka qenë shoferi i Saimir Tahirit. Prandaj kërkoni të hetohet Policia e Elbasanit për mashtrimet e saj. Anonim ju lutem”, shkruan qytetari.

Prokuroria do të thërrasë përsëri Tahirin

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se, në ditët në vijim prokurorët do të thërrasin përsëri për të dëshmuar ish-ministrin Tahiri dhe shoferin e tij. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmojnë se, hetimi penal i Orest Sotës do t’i bashkohet dosjes voluminoze për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe grupin e Habilajve. Ka indicie dhe të dhëna që këto hetime lidhen me njëri-tjetrin dhe fakti më domethënës është gjetja e dy patentave të Tahirit në makinën e Sotës.
Ndërsa hetimi pasuror është marrë në dorë nga Njësia Antikorrupsion e Krimeve të Rënda. Tanimë Orest Sotës i bie barra e provës për të justifikuar 863 mijë eurot që iu gjetën. Grupi hetimor në ditët në vijim pritet të marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë në kompaninë “Kurum”. Gjithashtu do të ripyetet Orest Sota dhe persona e tjerë të përmendur nga ai, ndër ta dhe shoferi i ish-ministrit Tahiri.
Prokuroria bëri të ditur se, në procesverbalin e sendeve të sekuestruara në makinën e shtetasit Orest Sota janë gjetur katër çanta me euro, ndërkohë në kontrollin fizik të Orest Sotës janë gjetur dy telefona dhe në xhep 700 euro. Nga numërimi i 863.100 euro ka rezultuar se 15.800 prerje kanë qenë të kartëmonedhave 50 euro, ndërsa pjesa tjetër prej 70.000 euro janë prerje të ndryshme si 20 apo 100 euro.
Ndërkohë, Prokuroria ka marrë dje në pyetje edhe financieren e kompanisë Kurum. Ajo ka deklaruar se, Kompania Kurum nuk priste të merrte para nga kompania e Orest Sotës apo babait të tij, Lefter Sota. Administratorja e kësaj kompanie e marrë në pyetje nga Prokuroria ka rrëzuar versionin e Orest Sotës se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e tij, ai do t’i linte garanci në këtë kompani.
Financierja e Kurum i ka qëndruar versionit të dhënë nga kryefinancieri i kompanisë Arif Shkalla, i cili tha se kompanitë e Orest dhe Lefter Sotës nuk ishin klientë të tyre. Këto dy dëshmi kompromentojnë alibinë e 25-vjeçarit, i cili pretendon se paratë ishin për pagesë në ketë kompani, siç deklaroi publikisht edhe babai i tij Lefter Sota. Këto deklarime dhe të tjera detaje kanë bërë që hetimi ndaj Orest Sotës të merret në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi Prokuroria e Elbasanit shpalli moskompetencë të çështjes.

R.POLISI

Zyrtarët vjedhin 5 milionë USD në doganën e Durrësit

Ish-kryeministri Berisha, ka denoncuar një tjetër vjedhje të madhe që po bëhet në doganën e Durrësit. Berisha ka postuar në Facebook mesazhin e një doganieri, i cili thotë se, zyrtarët po vjedhin 5 milionë dollarë në Doganën e Durrësit. Doganieri i shkruan Berishës se në këtë skandal është përfshirë edhe drejtoresha dhe drejtori i Antikontrabandës. “Ja si po i vjedhin zyrtarët 5 milionë dollarë në Doganën e Durrësit! Lexoni mesazhin i doganierit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Mirdita Dr, jam doganier në Durrës. Prej mëse 3 muajsh në Portin e Durrësit kanë ardhur 5 konteinerë me cigare pa pullë fiskale. Këto erdhën në periudhën e zgjedhjeve me porosi të burrit të drejtoreshës, Bedis dhe Androkliut. Për t’i kaluar do t’i kalonte klani i tyre në dogana, drejtori i Antikontrabandës, z.Prifti me atë të Hetimit, z.Brahja, në pikën e konteinerëve ku është përgjegjës turni miku i tyre z. Beshiku. Por meqë ranë në sy, i kaluan në magazinën doganore dhe këto dy ditë po përpiqen me të gjitha mënyrat, por askujt nga ne nuk ja mban të firmosë, sepse bëhet fjalë për 5 milionë USD evazion fiskal. Kuptohet që edhe policia i ka mbyllur sytë me kohë. Paskan dy ditë se i mbaron afati dhe nuk dinë nga t’i çojnë”, shkruan doganieri.
Në Doganën e Durrësit nuk bëhet vetëm kontrabandë, por kalon edhe droga pa asnjë problem drejt Italisë. Një prej punonjësve të Doganës së Durrësit denoncoi tre ditë më parë drejtuesit e doganave se, si në mënyrë të vetëdijshme kalojnë pa skanuar kamionët që transportojnë drogë. Edhe këtë radhë, punonjësi i doganave iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, i cili shkruante se, drejtuesit e doganës dhe Qibini, njeriu i Tahirit e doganave përjashtojnë nga skanimi kamionët me drogë. “Eshtë e vërtetë që skanimi në Doganën e Durrësit, deri kur u kap sasia e madhe e drogës në Ankona, bëhej me përzgjedhje manuale me urdhër të Besmir Qibinit, njeriu i Tahirit në Doganë, dhe të drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave aktuale.
Vetëm pas kësaj goditje, u dha urdhëri i skanimit 100% në Portin e Durrësit, për të fshehur gjurmët nga Prokuroria. Akoma edhe sot, qëllimisht, moduli i riskut në sistemin kompjuterik të doganave për përzgjedhjen e mjeteve që duhet të skanohen, për eksportet nga doganat e brendshme dhe tranzitet ndërkombëtare, nuk funksionon. Për këto vite, ky ka qenë “shtegu” i lirë nga kanë kaluar tonelatat e drogës, deri sa u godit në dy raste nga policia italiane. Kjo procedurë është lënë në heshtje qëllimisht nga drejtuesit e doganës edhe sot e kësaj dite, për t’u përdorur përsëri”, shkruante punonjësi i doganës së Durrësit.
Kontrabanda e orave të shtrenjta dhe ilaçeve në Rinas
Edhe drejtuesit e Doganës së Rinasit janë të përfshirë në rrjetin e kontrabandës. Një doganier i shkruante ish-Kryeministrit Berisha dy ditë më parë se, drejtori i Doganës së Rinasit është përfshirë në rrjetin e kontrabandës së orave të shtrenjta dhe ilaçeve. “Kohët e fundit në doganën e Rinasit janë t’u kalu mallra me vlera marramendëse si celularë, ora, çanta edhe ilaçe farmaceutike. Po ju bëj me dije se drejtori i Doganës se Rinasit, Vlad Ladi ka vendosur nja dy përgjegjësa turni edhe një Moza, Moza që është te skaneri që sa herë vijnë tregtarë me probleme, kjo Moza bën sikur i sheh në skaner.
Në datën 15 shtator, tregtari Ervin Lloshi që është t’u shit te tregu i Medresesë brenda këpucë e atlete me emra falco. Ky Ervin Lloshi ka filluar me shit ora firmato të shtrenjta e shumë artikuj të tjerë. Në datën 15 shtator, ka qenë ditë e dielë, ky Ervin Lloshi ka kaluar 10 çanta me ora e celular të markave të ndryshme. M’u s’më lanë me i pa çfarë kishin çantat mrena.
Por ajo që isha t’u pa që doganierja Moza si kaloi në skaner me i pa çantat. Por, aty i mori përgjegjësi jonë bashkë me tregtarin Ervin Lloshi. Këtij tipi, drejtori i merr përsipër me i kalue edhe dollarët mbi 100.000 $ në xhep në të zezë mos me e kontrollue policia. Por nuk është vetëm ky që kalon në doganën e Rinasit sikur e ka pronën e vet, por është edhe rivali i tij, Artur Dano që edhe ky është t’u shit në treg të Medreses: ora, çanta, portofola, rripa me emra falco. Ky Artur Dano është nga Fieri edhe i ka lidhjet me drejtorin e Hetimit Doganor, Ervin Brahja, që e ka edhe gruan drejtoreshë të vipave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ky bashkë me Androkliun edhe burrin e drejtoreshës Blendisin e kanë në dorë gjithë gjërat që janë t’u kalu në Rinas”, shkruante doganieri.

R.POLISI

Makina ku u kapën eurot dhe patentat e Tahirit, e një ndërtuesi të lidhur me pushtetin

Një tjetër detaj i rëndësishëm zbardhet nga çështja Sota, në makinën e të cilit u gjendën patentat e Saimir Tahirit dhe 863 mijë euro. Gazetari investigativ Basir Çollaku ka bërë të ditur dje se, policia mbajti të fshehtë një tjetër detaj të ngjarjes, pronësinë e makinës ku udhëtonte Sota. Sipas Çollaku makina “Land Rover”, e përmendur në njoftimin e policisë vetëm për tipin e saj dhe jo për targat dhe pronësinë nuk është e Orest Sotës, por e një ndërtuesi të fuqishëm pranë Ramës dhe pushtetit. “Apo të sjellim një fakt tjetër që na bëri përshtypje, është Orest Sota që u kap me 863 mijë euro? Unë vë re një tjetër gjë që nuk përmendet, janë target e mjetit të ndaluar në të cilin u gjenden paratë. “Land Rover”-i ka disa të dhëna. Policia është më e informuar për misionin e kësaj transparence të munguar. Ai ka një “Audi” Q7. Ky “Land Rover” nuk është i Sotës. Ky mjet është i një subjekti që ka lidhje me Tahirin, ka lidhje me pushtetin, është një kompani ndërtimi, e cila po ndërton shëndetshëm në bashkëpunim me institucionet”, u shpreh Çollaku.

Antimafia, a do hetohet pasuria e Tahirit?

Njësia Antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të nisë hetimin pasuror ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjithçka do të bazohet referuar gjetjes së dy patentave në emrin e Tahirit në sekuestrimin e mbi 860 mijë eurove, që iu gjetën në makinë Orest Sotës, pak ditë më parë. Por çfarë pritet të nxjerrë ky hetim? Nëse i referohemi ligjit Antimafia, barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit të hetuar. Kjo do të thotë se, nëse Prokuroria arrin të provojë që ish-ministri i Brendshëm ka qoftë edhe 1 lek më shumë sesa janë deklaruar, atëherë ai duhet të provojë se është fituar në mënyrë të ligjshme. Referuar Ligjit Antimafia, nuk është Prokuroria ajo që do të provojë paligjshmërinë e vënies së pasurisë, por do të jetë individi, i cili duhet të provojë të kundërtën përpara Gjykatës me prova dhe fakte konkrete sesi e ka vënë pasurinë, përfshi këtu edhe rastet e korrupsionit. Nëse në rastin e hetimit pasuror të ish-ministrit të Brendshëm do të veprojë ky ligj, atëherë ai bëhet zyrtari i parë i lartë, që do të ketë barrën e provës për të provuar dyshimet që mund të ngrihen nga organi i akuzës për pasurinë që zotëron ai apo familjarë të tij. Sikundër raportohet hetimi i Prokurorisë do të përfshijë jo vetëm anën monetare, por edhe pronat e paluajtshme dhe çdo objekt tjetër që do të cilësohet me vlerë nga ana e organit të akuzës. Syri.net

Vasili: Rama, kryeministër i kazanit të krimit

Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili përmes një statusi në Facebook e cilëson kryeministrin e vendit Edi Rama si përdoruesin dhe frymëzuesin e krimit.
Reagimi i Vasilit vjen pas mesazhit të fortë që bëri dje Ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë për shkëputjen e lidhjeve të krimit me politikën.
Sipas Vasilit, kryeministri nuk guxon të shkarkojë ata policë që e kthyen krimin në epidemi, madje shkon deri aty sa pengon hetimin e krimit, duke sjellë në vëmendje rastin e ish-ministrit Tahiri.
“Kryeministri është përdorues dhe frymëzues i kazanit të krimit, dënglat e tij janë lojë.
Kryeministri riciklon kazanët e krimit dhe nuk i lufton ato.
Kryeministri :- e përdor krimin,- i jep vetes kurajo me kriminelët,- nuk ka as guximin më të vogël të ndryshojë dot asnjë nga ata në polici që e bënë krimin epidemik.
– E pengon krimin të hetohet siç bëri me ish ministrin – e përmbyti vendin me drogë e trafikantë.
Ky është thjesht kryeministër i kazanit të krimit, përdorues dhe frymëzues i tij, këtë e di edhe njeriu më i zakonshëm.
Dënglat dhe llafazanët histerikë janë lojë….edhe kjo në favor të krimit.

Kë takonte Saimir Tahiri nga dera sekrete në zyrën e tij ministrore?

Ministrinë e Brendshme dhe pushtetin e saj me dijeninë e plotë të Ramës, Tahiri jo vetëm e shndërroi në funksion të mbarëvajtjes së trafikut të drogës, por ka dyshime se në godinën e ministrisë Tahiri priste përmes tuneleve sekrete anëtarë të bandave të trafikut. Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj konfirmoi dje ekzistencën e një dere sekrete në zyrën e Tahirit, kur ai ishte ministër i Brendshëm. Përmes një dere të dytë, Tahiri kishte mundësinë të zbriste në tunelet e godinës. “Nuk është një derë sekrete, të gjitha ministritë kanë pasur një derë emergjence, e cila të nxirrte poshtë në tunele. Unë nuk mund të konfirmoj se për çfarë është përdorur”, është shprehur Demiraj. I pyetur në lidhje me deklaratat e djeshme të ambasadorit Lu, Demiraj tha se një pjesë e drejtuesve të policisë që ishin të pranishëm në aktivitetin e Donald Lu, janë pjesë e kupolës së krimit të organizuar. “Nuk dua të paragjykoj ambasadorin Lu, por unë nuk besoj që peshqit e mëdhenj t’i kapin disa peshq që kanë qenë të përfshirë në trafikun e drogës. Nuk mund të kapin ato peshq që lëvizin në të njëjtat ujëra. Ajo që po them unë dhe të gjithë e dinë, është se një pjesë e drejtuesve të policisë që ishin prezent aty kanë qenë drejtues edhe gjatë viteve 2015-2016, si pjesë e kupolës drejtuese. Unë nuk mund të besoj që, lufta kundër krimit bëhet me propagandë”, deklaroi Demiraj, në lidhje me bashkëpunimin e tij dhe ambasadës së SHBA gjatë kohës që ai ishte ministër. Demiraj foli për një bashkëpunim në luftën kundër krimit dhe trafiqeve. “Ministria e Brendshme ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me qeverinë e SHBA dhe me Ambasadën e SHBA. Padyshim dhe unë gjatë periudhës që kam qëndruar në ministri kam pasur bashkëpunim shumë të mirë me vartësit e Ambasadorit Lu, kryesisht në lidhje me çështjet e krimit dhe trafiqeve”, tha ai. I pyetur në lidhjen me listën e personave të implikuar në trafikun e drogës dhe a ka qenë në dijeni Ambasada në këtë listë Demiraj nuk u prononcua, por tha: “Ajo listë është një listë që ka ardhur si rezultat i hetimeve dhe përgjimeve të agjencive ligjzbatuese në kohën, kur kanabisi në 2015 dhe 2016 ishte në kulmin e tij”. Demiraj tha se, padyshim që Tahiri është një nga peshqit e mëdhenj, për të cilët po flet Ambasadori ose ai nuk ka vepruar i vetëm, por ka pasur mbi kokë edhe Ramën si përgjegjësin kryesor. “Në gjykimit tim në rast se Tahiri është i përfshirë padyshim që është një nga peshqit më të mëdhenj. Padyshim që është një nga peshqit më të mëdhenj. Në rast se dyshimet mbi të vërtetohen, ai është një nga peshqit e mëdhenj, por ai nuk ka vepruar vetëm. Ka pas dikë, i cili e ka mbështet në veprimtarinë e tij”, thotë Demiraj. Ai thekson se dosja Habilaj dhe rasti i Orest Sotës kanë lidhje me njëra-tjetrën. “Padyshim që kanë një lidhje me njëra- tjetrën. Vërtetojnë të gjitha akuzat që opozita prej katër vitesh bën për sasi të mëdha droge, avionë droge, për pista, përfshirjen e strukturave të policisë me emra e mbiemra, me sasi e 30%”.

Dëshmitë e katër oficerëve: Rama pengon kapjen e bandave

Janë të paktën katër dëshmi të dhëna nga oficerë policie, të cilët trgojnë se si Rama, kryeministër dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kanë penguar përmes urdhrave të tyre të posaçëm çdo nismë të policisë apo agjentëve përkatës për të shkuar pas bandave, për t’i gjurmuar apo goditur ato. Gazetari investigativ, Basir Çollaku ka bërë të ditur dje, se në fillim të javës tjetër, ai do të publikojë një dosje investigative në të cilën do të zbardhen emra edhe më të rëndësishëm se Saimir Tahiri për lidhjet me drogën, duke targetuar në mënyrë indirekte kryeministrin Rama. “Një peshk i madh bie në rrjetën amerikane. A janë lidhjet e tij me krimin e organizuar, shkaku? Cilat janë lidhjet e kryebashkiakut me bandat kriminale të Durrësit e veçanërisht me Lul Berishën? A është negociuar në zyrën e Dakos procedura e konfiskimit të pallatit tek UTV në pronësi të Lul Berishës, në 2010? Pse? Cili ishte roli i Dakos? Cili ish-deputet i PS ka qenë ndërmjetës? Për këto e shumë të tjera, kam siguruar premtimin e një ish-funksionari të lartë të kohës, përgjegjës për konfiskimin, për të folur… me dëshmi, dokumente dhe fakte … më në fund. Prisni, nuk keni parë gjë akoma. Saimir Tahiri do duket cironkë, pas kësaj. Së shpejti” paralajmëroi Çollaku. Ndërkohë në një intervistë mediatike dje në mbrëmje, Çollaku foli mbi këtë dosje që pritet të publikohet javën e ardhshme.

-Mbajeni mend së fundmi për deklaratat e ish-oficerëve që kanë denoncuar lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm me trafikun e drogës. Ju keni bërë një status ku thoni pas deklaratave të ambasadorit amerikan ku thoni që Tahiri do të duket si një cironkë pas fakteve të reja…..
Krimi i organizuar në këtë vend ska lënë hapësira për institucionet. Aferat janë çështje me dëshmira, dokumenta institucionale, nuk janë gjëra anonime. Unë mendoj se është një punë ende e pambyllur besoj se do të jetë në fillim të javës do të jetë gati për t’u publikuar.

-Pse jeni i bindur që Saimir Tahiri do duket si cironkë?
Unë ushqej bindjen që edhe në këtë histori të trafikut të drogës Saimir Tahiri nuk është aktori kryesor është një nga aktorët. Në gjithë këtë katrahurë narkotike në Shqipëri eprori i z.Tahirit dhe bashkëeprorët e tjerë të tij nuk ka qenë symbyllur. Kanë pasur besimin për të bërë këtë gjë.

-E keni fjalën për kryeministrin?
Po sigurisht e kam për kryeministrin. Nuk besoj se ka kaluar 24 orshin qeveritar symbyllur në këto tonelata që trafikohej në brigjet e Italisë, Greqisë e shumë vende të tjera të Bashkimit Europian.
Unë e kam sjellë këtë histori në shtator-nëntor të vitit 2015. Atëherë dukej si një shaka. Rikthimi i kësaj historie me përputhshmëri të lartë maksimale nga Antimafia italiane e bëri serioze. Ndërkohë që ne e kishim këtu. Hetimi ndaj tyre është bërë në 2013. Shmangia e drejtësisë tregon ndikimin e politikës.
Shumë oficerë të policisë thonë se ne nuk u afrohemi dot bandave dhe klaneve të mëdha mafioze që përmendi ambasadori.

-Janë shumë oficerë?
Janë të paktën katër prej tyre e mbase edhe të tjerë. Ajo që më bën përshtypje është fakti se janë oficerë policie që kanë qendruar nga 6 muaj apo një vit në burg dhe Prokuroria nuk ka vajtur t’u marrë dëshmi. Përse janë arrestuar? a ka një mendim oficeri i policisë me 10 apo 15 vite përvojë? Ata thonë se nuk u afrohen bandave, sepse do më dalë eprori, do më dalë ministri, apo edhe kryeministri dhe nuk i lënë që të shkojnë.
Përfaqësuesi i grupit të strukturuar kriminal i thotë oficerit të policisë mos u lodh kot se përgjimet që ti ke në zyrë, unë i kam në shtëpi. Dhe nuk flasim për këto barishtet e mullarit të barit, por për heroinë dhe kokainë.
Këto histori sjellin fakte që Prokuroria është mirë t’i marrë në konsideratë. T’i pyesë njëherë këta oficerë policie.

-Zoti Çollaku si e gjykoni çështjen Tahiri?
Kanë ardhur agjentët e FBI, edhe prokurorë dhe hetues nga Antimafia italiane, kanë ardhur nga Gjermania. Kjo tregon se krimi këtu është ndërkombëtar dhe i organizuar. Është një listë prej 124 personash që janë drejtues të trafikut të drogës në Shqipëri. Prokuroria duhet të kishte lëvizur.

“Dinakëria” domethënëse e ministrit…

Carloalberto ROSSI

Misioni ishte i vështirë, për të mos thënë i sikletshëm: të shkosh në Shqipëri, i ftuar nga një qeveri që para pak muajsh ka hequr ministrin e Brendshëm, i cili mbështetej prej kohësh nga misioni diplomatik dhe teknik italian në vend, nën peshën e akuzave për bashkëpunim me narkotrafikun-akuza, madje të dala pikërisht nga dokumentat gjyqësorë të Italisë-dhe të kesh në dorë informacione që “tregojnë”, edhe një herë tjetër, se qeveria shqiptare po lufton me të vërtetë kultivimin e kanabisit.
Pra, të mbështesësh publikisht, me të dhënat e marra nga misioni i Guardia di Finanza, të njëjtat argumente që në të shkuarën e afërt i kishin deklaruar disa funksionarë të vetë ministrisë së tij, pavarësisht se lajmet e përditshme të kronikës i bënin ato të pambështetshme.
Një budallallëk mund të thuhet një herë, por ta thuash për herë të dytë rrezikon shumë, mbi të gjitha kur flet institucioni e jo individi-dhe këtu fliste ministri i Brendshëm i Republikës së Italisë, jo ndonjë punonjës i çfarëdoshëm, i parëndësishëm i gjendur rastësisht në një mision ndërkombëtar.
Por Marko Miniti, aviator nga një dinasti aviatorësh, është dikush që e ka kaluar gjysmën e jetës së tij politike, duke drejtuar ose kontrolluar strukturat e sigurisë kombëtare, ato që sot bëjnë politikën e jashtme dhe në fund të fundit edhe diplomacinë. Paraqitja e rezultateve të fluturimeve ajrore të antidrogës ishte një rast që aviatori Minniti nuk mund ta humbiste, edhe për të treguar edhe një herë se ai është në gjendje të manovrojë ato patatet e nxehta që jeta i shfaq shpesh përpara një njeriu të qeverisë.
Eksperienca politike, zanat i inteligjencës dhe kulturës diplomatike i shërbyen më së miri qëllimit, pavarësisht rrëfenjës dhe skenografisë të organizuara për ta bërë të thoshte diçka tjetër.
Përpara një platea të madhe policësh dhe diplomatësh, e mbajtur në gatishmëri për gati gjysëm ore në pritje që ministri Miniti të përfundojë takimin e tij me Presidentin Meta, del një gjeneral i Guardia di Finanza që shpalos me saktësi dhe detaje shifrat e kontrolleve ajrore, duke dhënë rezultatet për çdo vit, por, ndryshe nga ata që ishin në vendin e tij një vit më parë, rezultatet i shpreh në shifra plantacionesh të zbuluara-janë 304 në 2013, 815 në 2014, 1368 në 2015 dhe në vitin 2016 “vit rekord”, thekson Gjenerali, “janë zbuluar 2086 plantacione”.
Ndërsa, këtë vit tendenca është përmbysur, vetëm 90 plantacione. Por ndërkohë, mu përpara atij që në vitin 2016 thoshte se problemi nuk ekzistonte, Gjenerali e përfundon detyrën e tij, duke konfirmuar, në fakt për herë të parë, rritjen e padiskutueshme.
Pas tij, e ka radhën Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, i cili hap një tjetër kapitull të dhimbshëm, atë të trafikut dhe të sekuestrimeve në Itali, nga 12 tonë në vitin 2016 në 33 tonë gjatë këtij viti, dhe pikërisht këtu qëndron edhe mesazhi: problemi juaj nuk ka mbaruar, bëtë mirë që ndaluat prodhimin, por lufta vazhdon, tani duhet të ndaloni trafikimin edhe të asaj që keni në magazinë.
Në këtë pikë i takon të ftuarit të nderit, i cili, i qeshur dhe tinëzar, fillon me këngën e vjetër të emocioneve që ka ndjerë në rrugën e aeroportit, ku gjithçka kishte ndryshuar, që tregon se kur do mund të bësh gjëra. Pastaj me fjalë prej babai u drejtohet shumë policëve të rinj “ju ishit fëmijë” për të theksuar të drejtën e tij për të folur dhe përvojën e tij të padiskutueshme, dhe lavdërimin e zakonshëm për bashkëpunimin ndërkufitar dhe sukseset e përbashkëta.
Ndokush në sallë, ose më mirë në regji, mendonte me vete që edhe kësaj here italianët u përdorën, kur, me një mjeshtëri në rritje, mbërriti goditja e papritur.
“Tani duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që drejtojnë trafikun, duhet të godasim të paprekshmit, sepse në Itali, në Shqipëri dhe në Evropë nuk ka të paprekshëm. Mendoj që ky është një objektiv i rëndësishëm për të cilin duhet të punojmë bashkarisht”.
Dhe duke njoftuar, ose ndoshta për dikë duke kërcënuar, që i gjithë sistemi italian, nga policët tek gjyqtarët do të jetë i përfshirë në këtë çështje.
Në fund lë edhe detyra shtëpie, duke treguar tre sfida të mëdha për të cilat duhet “një bashkëpunim ndërkombëtar i plotë dhe i vetëdijshëm”: narkotrafiku, emigracioni i paligjshëm dhe terrorizmi.
Pas tij. homologu shqiptar Xhafaj nënvizon se pas lulëzimit të kanabisit në vitin 2016, të ndodhur ndoshta nga “euforia ose nga paaftësia”, ka nisur shfarosja që në mars 2017 që ai kishte premtuar, e sot tregon se e ka bërë, dhe betohet se, me ndihmën e italianëve, do ta bëj edhe në të ardhmen.
Pas duartrokitjeve, Minniti ka ende kohë për të takuar Bashën, i cili në mënyrë të matur nuk komenton.
Pra, fajin duhet ta mbajë Tahiri, dhe ndoshta ndonjë tjetër që, pavarësisht deklaratave të paqendrueshme të shtypit të regjimit, nuk gjendet në sallë dhe që, për shkak të shtyrjes së papritur të vizitës nga Miniti, as nuk e ka takuar për foton e zakonshme.
Duket se i duhej të largohej për në Marok, një tjetër vend i madh prodhues i kanabisit, për një nga ato konferencat e organizuara nga organizata joqeveritare, ndoshta për të dhënë mësim se si luftohet dukuria.
Sigurisht, nëse ai do të ishte i pranishëm në sallë, ashtu sikurse shumë do të kishin dashur, efekti do të kishte qenë një tjetër, dhe mbi të gjitha më pak i besueshëm, por pikërisht për këto gjëra Marco Miniti konsiderohet një dhelpër.
Në orën tetë të darkës këngëtarët e Rilindjes ende nuk gjenin fjalët, ndërsa nga ana tjetër e bulevardit, dhe jo vetëm aty, dikush po hapte shampanjën.

Paradiese papers dhe furtuna e pritshme ballkanike

Enver Bytyçi

Vetëm një administrator i një forme ofshore të Paradiese Papers realizon një xhiro vjetore prej 100 milionë dollarë amerikanë dhe ka të punësuar 470 punëtorë. Si kjo janë me qindra kompani ofshore, të cilat operojnë në bankat panameze e deri libaneze, malteze, të Singaporit, Qipros e më gjerë si kontraktorë të parave të pista që vijnë nga droga, korrupsioni, abuzimi me fondet publike, shpërblimet për shërbime spiunazhi e të tjera shpërblime jo ligjore. Dy janë kategoritë e atyre që kanë dërguar paratë e tyre në parajsën fiskale, kategoria e kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve me krimin e organizuar dhe kategoria e atyre që i fshihen taksave në vendet e tyre. Janë jo pak, por 13.4 milionë dokumente, të cilat tashmë gjenden në duart e mediave. Në këto dokumente dëshmohet se dhjetëra e qindra politikanë, sipërmarrës, yje të Hollivudit, personalitete të mëdhenj janë përfshirë në skandalin e fshehjes së parave në kompanitë e parajsës fiskale.
Gazeta gjermane “Sueddeutsche Zeitung” përmend gjithashtu emrin e ish-kancelarit Gerhard Schroeder, si një nga politikanët kryesorë të këtij vendi të përfshirë në skandalin e Paradiese Papers. Bie në sy fakti se shumë prej politikanëve të implikuar kanë lidhje me politikën dhe oligarkët rusë. Njëri prej tyre është Schroeder. Ish-Kancelari gjerman është i vetmi në historinë e këtij vendi që krijoi një lidhje shumë të ngushtë me Kremlinin e personalisht me presidentin rus, Vladimir Putin. Duket se ai ka vënë para të paligjshme dhe për këtë shkak ka përdorur kompanitë ofshore për pastrimin e këtyre parave të pista.
Por Schroeder ishte para dy vitesh edhe në Shqipëri për të takuar kryeministrin tonë, zotin Rama. Më pas, ai i bëri një shërbim të radhës zotit Rama, duke dërguar në Tiranë ushtarin e tij të bindur, Gabriel Sigmar, me qëllim që ta ndihmonte politikisht Edi Ramën në fushatën elektorale të 25 qershorit 2017. Kjo lidhje e dyshimtë midis Schroeder, kryeministrit Rama dhe përmes tij edhe Vladimir Putin, nuk është thjesht një lidhje politike dhe aleancë e fshehtë për interesa okulte, por edhe një pjesëmarrje në veprimtarinë e paligjshme tek Paradise Papers.
Para disa javësh analistë me emër në botën e politikës perëndimore kanë paralajmëruar se nëpërmjet zbulimit të skandaleve në Paradiese Papers, qytetarët e vendeve ballkanike do të duhet të përballen me oligarkinë e këtyre vendeve në pushtet e për pasojë duket se nuk do të kemi për disa muaj ditë të qeta. Një tronditje sociale në Shqipëri e vendet rreth nesh do të ndodhë. Protestat për rrëzimin e qeverive të inkriminuara janë të pashmangshme.
Kutia e pandorës u hap. Sot, mediat europiane dhe amerikane filluan botimin e informacioneve nga Paradiese Papers dhe derisa të zbulohen këto miliona dokumente ne do të mësojmë shumë emra si dhe shifra të paimagjinueshme të parave që janë depozituar në bankat e parajsës fiskale. Më së shumti, emrat në Shqipëri e në Ballkan i përkasin elitës politike të korruptuar e të inkriminuar, ndërsa shumat marramendëse që do të dalin në dritë, do të jenë paratë e korrupsionit, shpërdorimit të fondeve publike, të trafikut të lëndëve narkotike e të qenieve njerëzore, ku janë implikuar politikianët ballkanas e shqiptarë. Ato 863 mijë eurot e Saimir Tahirit do të duken si gjethe dushku përpara miliona, dhjetëra milionave e qindra milionave që do të dalin në emër të politikanëve tanë ose familjarëve të tyre.
Furtuna ballkanike dhe ajo shqiptare duket se nuk do të vonojë. Faktet që u zbuluan këto javë në adresë të Habilajve dhe ish-ministrit Saimir Tahiri, janë thjesht pjata e servirur për apetit. Antipasta do të serviret nga Paradiese Papers-i. Vërtet nuk paskemi parë gjë akoma. Llogaritet që në oazin fiskal të kenë përfunduar 7.9 bilionë dollarë amerikanë. Se cila do të jetë pjesa e VIP-ve të Ballkanit e të Shqipërisë do ta mësojmë në ditët e javët e ardhshme. E sigurt është se këto para janë djersa, mundi dhe gjaku i qytetarëve të thjeshtë, të cilët përfundojnë në qelitë e burgut për mospagesën e energjisë elektrike, ndërkohë që dhunuesit e tyre në pushtet do të dalin me emër e mbiemër të implikuar në krimin e pastrimit të parave të drogës e të krimit.
Dokumentet qëndrojnë në duart e 380 gazetarëve dhe po publikohen së paku nga 96 media në 67 vende të botës. Mesazhi i këtyre publikimeve është një: -Asnjë politikan, asnjë koncern, asnjë shkelës i sanksioneve ndërkombëtare, asnjë fshehës i taksave në vendin e tij, asnjë veprimtari kriminale e fshehtë nuk do të mundet më të bëjë tregëti me para të pista e të fshehura, sepse edhe në qoshet më të errëta të botës financiare në çdo kohë do të ndizet dritë. Ky është një shans i madh që të ketë dritë edhe për Shqipërinë e shqiptarët, me qëllim që të marrë fund babëzia e politikanëve kriminelë, të cilët thithin gjakun tonë për t’u pasuruar e në momentin kur zbulohen nisin e qajnë me “aman se kam fëmijë”!