22.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Shifra skandaloze, 42% e tenderave në 2016 u dhanë në tavolinë

Agjencia e Prokurimit Publik u ka rekomanduar institucioneve që të përdorin sa më shpesh marrëveshjet kuadër në lidhje me shërbimet apo produktet e vazhdimësisë. Kjo do të thotë që, institucionet të kenë marrëveshje me sa më shumë operatorë ekonomikë, të cilët funksionojnë brenda një sistemi të mbyllur, por që kjo mundëson zgjidhjen e emergjencave me kosto më të ulët.
Në rastet kur ka nevojë për blerje emergjente, institucionet preferojnë procedurat e negocimit pa shpallje paraprake, pra institucioni zgjedh operatorin që i intereson dhe negocion në tavolinë për çmimin. Marrëveshja kuadër, nga ana tjetër, bën që në garë të jenë dy ose më shumë operatorë, me të cilët mund të negociohet, duke rritur kështu konkurrencën.
“APP thekson se në mënyrë kategorike nuk duhet të përdoret procedura e prokurimit. “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” nga autoritetet kontraktore për mallrat dhe shërbimet e vazhdueshme, të cilat duhet të fillohen menjëherë me procedurat e prokurimit për të lidhur Marrëveshje Kuadër.
Gjithashtu APP tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që të marrin masat për planifikim sa më të mirë të nevojave të tyre për vitin në vijim, me qëllim prokurimin e tyre në kohë dhe shmangien në mënyrë kategorike të përdorimit të procedurës së prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, thuhet në rekomandimin e APP.

Produktet apo shërbimet pjesë e marrëveshjeve kuadër

Marrëveshjet kuadër mund të përdoren për një seri produktesh dhe shërbimesh nga ana e institucioneve.
Të tilla janë: pajisje kancelarie, përfshirë letër për përdorim në zyrë, mobilim zyre standard, telefona dhe/ose komunikimi, materiale/ vegla të instalimeve elektrike, pajisje fotokopje, printerë, skanerë, makineri shumëfunksionale, makina për përdorim zyrtar/pjesë këmbimi, pajisje IT, materiale ndërtimi, p.sh. tuba për ujërat e zeza, dritat e rrugëve, elemente ndërtimi, produkte farmaceutike, shërbime të konsulencës, shërbime pastrimi, shërbime të mirëmbajtjes dhe të riparimit, shërbime të udhëtimit.
Gjatë këtij viti, dominuese në procedurat me negocim pa shpallje paraprake kanë qenë sidomos produktet farmaceutike.

Procedurat me negocim zunë 42% të totalit në 2016

Në vitin 2016, raporti vjetor i APP nënvizoi se rreth 42% e procedurave të zhvilluara nga ana e autoriteteve kontraktore ishte me negocim pa shpallje paraprake. Edhe pse një shifër e lartë, kjo në raport me numrin total të procedurave, sërish në aspektin e vlerës që përmbajnë këto procedura janë vetëm 7.5% e totalit, pra vetëm 8 miliardë lekë.

Tabaku: Qeveria ka varfëruar shtresën e mesme

Deputetja e PD, Jorida Tabaku deklaron se qeveria po varfëron shtresën e mesme, si dhe do të rrisë evazionin në mbledhjen e kësaj takse
“Qeveria është duke shpikur mënyra të reja se si të rrisë të ardhurat nga rritja e taksave. Duke qenë se ka ezauruar të gjitha mundësitë për rritje taksash, duke qenë që kemi nivelin më të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale, të tatimit mbi fitimin në rajon, është duke konceptuar mënyra të reja se si mundet që të taksojë sa më shumë qytetarët. Kjo nuk është gjë e re, sepse është një politikë që ka ndodhur gjatë këtyre katër viteve, por kjo do të vazhdojë do të penalizojë akoma dhe më shumë shtresën e mesme, e cila për momentin është shtresa që paguan taksat më të larta në rajon. Tatimi nga të ardhurat personale është një taksë që ka pasur nën performim të paktën gjatë 4 viteve të fundit dhe ka treguar që rritja e vazhdueshme e taksave nuk prodhon rritje të të ardhurave. Rritja e vazhdueshme e taksave ka prodhuar dhe ka nxitur evazionin”.
Gjatë diskutimit në Kuvend të buxhetit dhe paketës fiskale të vitit të ardhshëm, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, bëri publike idenë e tatimit progresiv të integruar të të ardhurave. Kjo nënkupton se të gjitha të ardhurat e individit (paga + të ardhurat nga dividenti +të ardhurat nga qiratë si dhe çdo e ardhur tjetër) të tatohen në total në përqindjen e përcaktuar në shkallën e tatimit progresiv.

Euro bie sërish, po i afrohet 133 lekëve

Monedha vendase është forcuar sërish gjatë ditës së sotme në raportet e këmbimit me euron, duke u luhatur në nivelet më të ulëta që nga fillimi i shtatorit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej sot me 133.29 lekë, 0.07 lekë më pak se një ditë më parë. Monedha e përbashkët ka qenë në territor rënës të paktën prej tre javësh.
Dy janë arsyet kryesore të kësaj tendence, sipas aktorëve të tregut valutor. Së pari, euro ka qenë e dobët në bursat ndërkombëtare. Ditën e sotme një euro u këmbye me 1.156 USD duke rënë ndjeshëm në raport me 1.18 USD që këmbehej në fund të muajit tetor. Euro mbetet nën presion edhe pse të dhënat e Gjermanisë treguan për një rritje të lartë të besimit të investitorëve. Negativisht kanë ndikuar deklaratat e Bankës Qendrore Europiane në fund të tetorit se do të reduktojnë programet e blerjes së obligacioneve. Euro ka rënë për tre javë radhazi kundrejt dollarit.
Krahas euros së dobët në bursa, faktori kryesor që ka ndikuar në rënien e tij në tregjet shqiptare lidhet me ofertën e lartë për valutë dhe kërkesën e dobët për monedhën vendase. Aktorët e tregut pohojnë se qarkullon shumë valutë në treg, ndërsa aktiviteti tregtar duket i dobët, në një tregues të konsumit të dobët, çka ka bërë që euro të bjerë vazhdimisht. Një euro e dobët është në favor të të gjithë atyre që kanë për të paguar kredi në valutë dhe të ardhurat i kanë në lekë. Për të gjithë ata që duan të kalojnë festat e fundvitit jashtë, kursi është më i favorshmi në 9 vitet e fundit (vetëm dy vjet më parë për një euro duheshin rreth 140 lekë, sot duhen 7 lekë më pak).
Më të humbur janë ata që kanë pagat në valutë dhe do të duhet t’i kthejnë në lekë, si dhe eksportuesit, që i kanë të ardhurat në valutë. Humbje të mëdha kanë dhe të gjithë ata që kanë kursimet në euro, që janë zhvlerësuar automatikisht me 5.2% gjatë dy viteve të fundit.

Paloka: “Peshku i madh” i krimit në Shqiperi është Rama

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, njëherëz edhe nënkryetar i Kuvendit, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë nga Ambasadori amerikan Donald Lu, sipas të cilit në janar do të nisin arrestimet e peshqve të mëdhenj. Përmes rrjeteve sociale, Paloka shkruan se peshku i madh i krimit në Shqipëri është një dhe vetëm një, ai quhet Edi Rama. “Peshq të vegjël, peshq të mëdhenj. Kush ha e kush do ta hajë? Unë nuk mund të ç’kodifikojë kodet e askujt, po unë dhe gjithë shqiptarët dimë shumë mirë se, “peshku i madh” i krimit në Shqiperi është një dhe vetëm një e quhet Edvin Kristaq Rama. Sa të vazhdojë të jetë ai kryeministër; një vit, një muaj, një javë, një ditë apo dhe një orë, krimi në Shqipëri do të vazhdojë vetëm të rritet e fuqizohet…”, shkruan Paloka në rrjetet sociale.

Inkriminimi në Parlament, Pjerin Ndreu kërcënon me dhunë deputetin demokrat

Pyetja e deputetit demokrat Ervin Salianji drejtuar ministres Olta Xhaçka në lidhje me buxhetin e 2018 për Ministrinë e Mbrojtjes, ka shkaktuar debate me dy deputetët socialistë, Pjerin Ndreu dhe Paulin Stërkaj. Salianji pyeti Xhaçkën nëse duhet më shumë buxhet për të kontrolluar ish-repartet ushtarake që përdoren për magazinim droge? “A ju duhet më shumë buxhet për të vendosur në funksion radarët…
Pjerin Ndreu: Rri more urtë se je bërë provokator i keq, rri more urtë nuk e shikon çfarë është bërë në të kaluarën.
Salianji: Nuk pyes dhe s’kam frikë nga asnjë bandit me ose pa pushtet.
Pjerin Ndreu: Mos i provoko të gjithë se do hash dajak. Ty do të rrah njëherë. Do të shkund në dru.
Ervin Salianji: Me mua e ke?! Me kë e ke, me mua?
Pjerin Ndreu: Me ty.
Ervin Salianji: Mua do më rrahësh ti? Ki kujdes kur më drejtohesh mua, ki kujdes.
Paulin Stërkaj: Unë bëj mundje, boks edhe karate. Mos më bëj mua presion.
Salianji: Askush s’mund t’i mbyllë gojën opozitës
Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar lidhur me kërcënimin që i kanë bërë dy deputetët e PS në Komisionin e Sigurisë, Paulin Stërkaj dhe Pjerin Ndreu, pasi ai iu drejtua me një pyetje, ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. “Kjo qeveri është e kapur në krim, në drogë dhe në përfshirje me grupe të strukturuara kriminale. Sot, ishte një fakt tjetër i provuar, i asaj që ne kemi thënë prej vitesh, që Rama fle dhe zgjohet me krimin. Që Rama banditët i ka futur në Parlament dhe në institucione. Që Rama kërkon që nëpërmjet banditëve të mbajë pushtetin, por të harrojë që banditë me ose pa pushtet të mbyllë gojën opozitës. Nuk kam pasur frikë nga punonjësit e tyre, kur kam hyrë në mes të parcelave me kanabis, për t’i denoncuar, e jo më nga njerëz, të cilët për shkak të asaj që përfaqësojnë si personalitet njerëzor, janë qesharakë dhe do të ishte një ngjarje qesharake, por për shkak të asaj që përfaqësojnë për shqiptarët, është një ngjarje e rëndë e parlamentarizmit, ku deputetë me preçedentë ne këtë situatë, ndërhyjnë dhe tentojnë t’i mbyllin gojën opozitës në momentin kur, pyes ministren e Mbrojtjes, nëse duhet buxhet shtesë që Ministria e Mbrojtjes të kontrollojë dhe të vendosë në funksion radarët që të mos qarkullojnë drogë. Nëse i duhet buxhet shtesë Ministrisë së Mbrojtjes, për të kontrolluar depot, ish-repartet ushtarake apo tunelet, të cilat përdoren për magazinimin e drogës, dhe nëse i duhet buxhet shtesë për të kontrolluar hapësirën ajrore, ish-aeroportet ushtarake që të mos përdoren për transport droge?

Icardi përmirësohet nga dëmtimi

Lajme të mira nga infermieria e Interit rreth gjendjes fizike të Mauro Icardit, i cili humbi madje edhe grumbullimin me Argjentinën pas një problemi në gju, që fillimisht u mendua serioz. Ekzaminimet më të specializuara kanë përjashtuar ndonjë këputje të mundshme të tendinës, por thjesht ka enjtje të pjesës së përparme të gjurit të djathtë, shkaktuar gjatë një përplasjeje në ndeshjen e të dielës me Torinon. Sulmuesi argjentinas do të punojë për 4-5 ditë i veçuar, nën kujdesin e fizioterapistit, për t’u vënë më pas nën urdhrat e Luçiano Spallettit. Kapiteni do të jetë i gatshëm për takimin e 19 nëntorit kundër Atalantës së Etrit Berishës.
Lajmet e fundit në lidhje me lëvizjet e Inter në merkaton e janarit tregojnë, se klubi milanez ka një strategji të qartë: asnjë çmenduri, investime të llogaritura, në pritje të thesarit që mund të vijë nga kualifikimi në Champions League. Kështu, ata që presin një Inter shumë aktiv në merkaton e ardhshme mund të mbeten të zhgënjyer.
Por është një lojtar që zikaltrit e ndjekin prej kohësh dhe që është një ‘fiksim’ i vjetër i Walter Sabatini-t. Bëhet fjalë për Javier Pastore, ish-fantazisti i Palermo-s, aktualisht te Paris Saint-Germain. Karakteristikat e tij do të ishin perfekte për të skemën 4-2-3-1 që po përdor trajneri Luçiano Spalletti. Kontrata e tij me PSG-në skadon në 2019-ën dhe, sipas “Transfermarkt”, vlera e tij në tre është 20 milionë euro, po drejtuesit francezë e vlerësojnë 10 milionë euro më shumë.
Këtyre shumave u duhet shtuar edhe rroga 6.5 milionë euro në sezon. E pamundur të ketë të njëjtin shpërblim edhe te zikaltrit, por për këto detaje do të flitet vetëm nëse do të krijohen kushtet e një transferimi. Shtypi francez, ndërkohë, shkruan se Pastore nuk është aspak i kënaqur me zgjedhjet e trajnerit Emery, i cili e ka aktivizuar në vetëm 8 ndeshje në këtë sezon. Një situatë kjo që nuk pëlqehet nga lojtari, i cili mund të largohet në janar. Inter do të provojë të bindë klubin francez, duke i ofruar atyre të fundit portugezin Joao Mario, i cili ka përfunduar jashtë planeve të Spalletti-t.

Duhet përmirësim

Marcelo, mbrojtësi brazilian i Real Madrid, beson se e vetmja arsye pse tifozët vërshëllejnë lojtarët është se këta të fundit duhet të përmirësojnë lojën e tyre. “Viktima” e fundit e këtyre vërshëllimave ka qenë sulmuesi francez, Karim Benzema, loja e të cilit kundër Las Palmas, ndeshje e fituar 3-0 nga “Los Blancos”, nuk është pëlqyer nga mbështetësit madrilenë. Skuadra e Zidane është kthyer te fitorja pas dy humbjeve të pësuara kundër Girona dhe Tottenham, por Benzema dhe Ronaldo kanë patur përsëri vështirësi për të gjetur golin të dielën në mbrëmje.
Benzema ka humbur dy raste të pastra dhe është vërshëllyer nga një pjesë e tifozëve të pranishëm në “Santiago Bernabeu”, me sulmuesin francez që ka realizuar vetëm dy gola në 12 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet këtë vit.
“Nuk mund të flas për një padrejtësi, sepse të gjithë ne jemi vërshëllyer”, ka thënë Marcelo. “Nëse ata të vërshëllejnë, do të thotë se duhet të përmirësosh diçka. Është e vështirë të luash kur të vërshëllejnë, por duhet të stërvitesh si Benzema dhe të përballesh me këtë situatë siç bën ai. Vërshëllimat janë pjesë e futbollit. Nuk mund të shkojë gjithçka mirë”. Braziliani ka shtuar edhe se Benzema me Ronaldon janë të parët që zemërohen me veten e tyre kur nuk shënojnë. “Ata kanë punuar për ekipin, i kam parë të luajnë mirë. Janë shumë të zemëruar, sepse nuk kanë shënuar, por kanë qenë të lumtur për fitoren”.
Cristiano Ronaldo nuk duket të jetë shumë i shqetësuar për statistikat e tij në këtë sezon të La Ligas, por edhe nëse është, ka bindjen e plotë që do ta kthejë situatën në favorin e tij. Mediat spanjolle kanë zbuluar se në përfundim të ndeshjes me Las Palmasin (sfida e radhës ku portugezi nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës), ai u është drejtuar shokëve të skuadrës, duke u premtuar se në fund do të jetë golashënuesi më i mirë i Primera Division.
Një “bast” shumë i vështirë për t’u fituar nga CR7, që në 11 javët e para të kampionatit ka mundur të realizojë vetëm një gol, në fitoren 1-2 ndaj Getafes, ndërkohë që rivali i tij i madh, Lionel Mesi, ka arritur shifrën e 12 finalizimeve. Cristiano shpreson që të nisë ndryshimin e kësaj tendence shqetësuese për të që në takimin e radhës, në derbin me Atleticon, në Wanda Metropolitano. Një përplasje e veçantë kjo për të, pasi do të luajë për herë të parë në këtë stadium të ri.
Sipas “El Chiringuito”, portugezi beson se klubit është duke i munguar sulmuesi anësor, Gareth Bale. Bale gjatë katër viteve në kryeqytetin spanjoll ka munguar shpesh për shkak të problemeve me lëndime dhe momentalisht është jashtë për shkak të një dëmtimi në kofshë. Uellsiani mungon tash e 40 ditë dhe thuhet se, Ronaldo mendon se mungesa e Bale e dëmton performimin e klubit dhe të tijën në veçanti. Por, lajmi i mirë për Realin dhe Ronaldon është se Bale siç duket do të kthehet për ndeshjen derbi ndaj Atletico Madridit, e cila do të zhvillohet në “Wanda Metropolitano” pas ndeshjeve të kombëtareve.

Historia e Rashford, kur ëndrra bëhet realitet

“Shpresoj që e ardhmja ime të jetë brilante, në shkollë dhe jo vetëm. Veçanërisht në karrierën time si futbollist. Dua të kem një jetë ndryshe dhe ta bëj familjen time të lumtur dhe të tjerët të ndihen krenar për mua. Kam vetëm një objektiv në jetën time dhe ajo është të bëhem një futbollist profesionist dhe shpresoj që kjo të ndodhë te Manchester United”.
Kjo ishte ëndrra e Marcus Rashford, e ruajtur në një copë letër, të cilën e shkruajti kur ishte 11 vjeç. Ambiciet e një futbollisti fare të ri në moshë u bënë realitet, sepse ai sot është një nga futbollistët më të vlerësuar nga Jose Mourinho. “Djali i Mrekullueshëm”, siç e therrasin të gjithë, pak ditë më parë festoi 20-vjetorin.
Sulmuesi është rritur në akademinë e Manchester United, skuadër të cilën e ëndërronte që fëmijë. Debutim ëndrrash për Rashord në atë mbrëmje në Eurupa League, përballë Midtylland, e më pas ndaj Arsenalit. Njeriu i duhur, në vendin e duhur e në momentin e duhur.
Vite më parë 20-vjeçari ka vuajtur nga një problem shëndetësor, që nuk e linte atë të rritej, por e kaloi shumë shpejt. Nuk rritej dot fizikisht, por talentin e tij askush nuk e pengonte dot të zhvillohej. Maturimi erdhi në të gjitha kuptimet, jo vetëm në atë trupor, por edhe atë profesional, nga United në Kombëtaren angleze. Fjalëpak e punëshumë, si në shkollë ashtu dhe në fushë. Qëndron larg zhurmave mediatike, sepse puna për të vlen më shumë se gjithçka. Ky është Marcus Rashford, “Wonderboy” i “Djajve të Kuq”.

Besiktas kërkon Fellainin

Besiktas shpreson të nënshkruajë me Marouane Fellaini nga Manchester United, sipas një anëtari të bordit drejtues të kampionëve turq. Mesfushori i kombëtares së Belgjikës është jashtë kontratës në fund të sezonit 2017-2018 dhe ishte i lidhur me një lëvizje te kolegët e Besiktas, gjigantët e “Super Lig”, Galatasaray, para këtij sezoni. Jose Mourinho i hodhi shpejt poshtë ato thashetheme, edhe pse spekulimet rigjykuan shkurtimisht javën e kaluar, kur pamjet në mediat sociale treguan një burrë që përputhej me kokën e veçantë të Fellainit, duke kaluar kohë në Stamboll.
Më vonë ndodhi që vëllai i Fellainit, Mansour, u kap edhe në kamera me Metin Albayrak, një anëtar i bordit ekzekutiv të Besiktas. Klubi turk ka konfirmuar se po mban një fokus mbi 29-vjeçarin. “Fellaini është në listën tonë, ne kemi bërë përpjekje të nënshkruajmë me belgun, por jo vetëm me atë, thuhet në mediat turke. Ai nuk është i vetmi lojtar që ne e kemi ndjekur. Planet e transferimit nuk përfundojnë kurrë, ne gjithmonë punojmë. Ne po mbajmë skeda mbi disa lojtarë”.

Jep dorëheqjen drejtori teknik i Chelsit

Michael Emenalo ka dhënë dorëheqjen si drejtor teknik i Chelsea-it. Ai ka qenë një figurë kyçe në mekanizmat e klubit londinez nën drejtimin e Roman Abramovich, por ka qenë nën një presion të madh për shkak të luftës së brendshme që po zhvillohet mes Marina Granovskaia, krahu i djathtë i Abramovich, dhe trajnerit Antonio Conte. E ardhmja e këtij të fundit te londinezët nuk është aspak e sigurt, por ai, sipas shtypit anglez, nuk është arsyeja për largimin e nigerianit.
Kështu, pas pakënaqësive të verës për një merkato të varfër dhe një fillim sezoni aspak të mirë, te Chelsea ka rënë koka e parë. Dhe tani mund të fillojë revolucioni: pas 10 vitesh, drejtuesi historik i epokës Abramovich, Michael Emanolo, është larguar nga klubi. Ka qenë një vendim personal i tij dhe lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi. Duke filluar nga Abramovich, të gjithë e kanë përshëndetur ish-drejtuesin, duke përfshirë këtu edhe Marina Granovskaia me Antonio Conte, i cili ka thënë: “Më vjen shumë keq që largohet, më ka dhënë shumë këtu. I uroj më të mirat”.