22.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Bashkia e Kamzës prezanton projektin për sheshin e ri dhe pedonalen e qytetit

I gjendur perballe vetos qeveritare, kryebashkaiku Xhelal Mziu do ta bëjë këtë investim sërish me të ardhurat e bashkisë

Kamza së shpejti do të ketë një pamje të re. Bashkia pritet të nisë punimet për ndërtimin e sheshit të ri të qytetit Kamëz si dhe të pedonales. Ky projekt ishte gati dhe punimet mund të nisnin për t’u realizuar që vitin e kaluar, teksa Bashkia Kamëz priste financim nga qeveria, me qëllim që fondet e buxhetit me të ardhurat e veta të shkonin për të tjera investime në qytet. Pavarësisht shkresave me 135 projekte konkrete të dërguara në qeveri, Rama nuk ka financuar asnjë, duke i diskriminuar politikisht banorët e Kamzës. Bashkia ka pasur si prioritet të saj përmirësimin e infrastrukturës dhe këtë e ka treguar me qindra km rrugë të asfaltuar ndër vite. Vetëm në vitin 2017, janë 60 projekte në infrastrukturë që po realizohen në Kamëz dhe Paskuqan, përfshirë këtu edhe rrugën prej 7 km nga ura e Institutit deri në Babrru, e cila po përfundon.

Gati sheshi i qytetit dhe pedonalj

Së shpejti pritet të nisen punimet për ndërtimin e sheshit të ri të qytetit si dhe pedonalja. Është kryer tenderimi i projektit me vlerë 97.901.555 lekë dhe tashmë vetëm pritet të nisin punimet, afati i të cilave do të jetë 180 ditë nga data e lirimit të ndërtimit.

Sheshi i qytetit

Ndërtimi i sheshit të ri në qendër të qytetit, pranë Pallatit të Kulturës, me sipërfaqe 3936 metra katrorë, është një nga investimet e shumta që janë pjesë e financimeve të buxhetit të Bashkisë. Zbatimi i këtij projekti përbën fazën e parë të ndryshimit të pamjes së qytetit, e cila promovohet në një kohë kur Bashkia është në një fazë të zbatimit të shumë projekteve që kanë lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve të Kamzës. Përveç gjelbërimit (që përfshin mbjelljen e pemëve dekorative dhe luleve) dhe ndriçimit të bollshëm do të ketë një shatërvan, çezmë uji, kosha mbeturinash etj. Ky projekt tregon edhe një herë vizionin e qartë që ka kreu i Bashkisë për intensifikimin e punës për përmbushjen e premtimeve të dhëna qytetarëve gjatë fushatës së fundit elektorale.

Pedonalja

Veç sheshit të qytetit do të bëhet edhe ndërtimi i pedonales përgjatë Bulevardit Blu. Kjo pedonale do të shtrihet nga qendra e qytetit deri në kryqëzimin me rrugën “Londra”. Me realizimin e këtij investimi, do të krijohet një rikualifikim urban në shërbim të qytetit, që do të ketë një sipërfaqe 4936 metra katrorë në shëtitore për mbarë qytetarët e Kamzës. Përveç lehtësimit të lëvizjes për qytetarët, pedonalja do të ofrojë edhe hapësira të tjera në dispozicion të tyre atyre. Pedonalja, e cila do t’i japë një panoramë krejt ndryshe qytetit të Kamzës, do të sjellë përpara qytetarëve vizionin e Bashkisë jo vetëm thjesht për të ndryshuar pamjen. Pedonalja do të sjellë ndryshimin e duhur në infrastrukturë, nëpërmjet një projekti me të gjithë parametrat e nevojshëm dhe bashkëkohorë, ku përfshihen shtresat me pllaka dekorative, stola, ndriçim, gjelbërim me pemë dhe lule, kosha mbeturinash etj. Pedonalja me të gjitha elementet infrastrukturore të ndërthurura në segmentin e saj, do të jetë një atraksion i vërtetë për të gjithë qytetarët e Kamzës, por edhe për ata që do të jenë të mirëpritur për të shëtitur në të.

Kamer Qaka zëvendëson Abrashin

Kamer Qaka është lojtari më i ri që i bashkohet Kombëtares Shqiptare. 22 vjeç, i lindur në Kosovë nga ku emigroi me familjen drejt Norvegjisë kur ishte ende në moshë të mitur. Mesfushori aktualisht luan në Ligën 1 rumune, elita e futbollit në shtetin ballkanas me Politehnica Iași, ku është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, me 15 ndeshje të luajtura deri në këtë pjesë të sezonit, ku në 14 raste ka qenë titullar.
Kamer Qaka u grumbullua në Përfaqësuesen Kuqezi nga trajneri Panucci, për të zëvendësuar Amir Abrashin, i cili ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi dhe nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës për miqësoren e 13 nëntorit me Turqinë.
E ndërsa Abrashi do të vijojë fazën e rehabilitimit te klubi i tij, Freiburg, Qaka do t’i bashkohet Kombëtares në Antalia, me ekipin që ka nisur grumbullimin pasditen e kësaj të hëne. Mesfushori 22-vjeçar e ka nisur karrierën në Norvegji te Valerenga, ndërsa edicionin e kaluar luajti në elitën e futbollit të vendit skandinav me ngjyrat e Kristiansund.
Kamer Qaka ka luajtur edhe me përfaqësueset e 17 dhe 19-vjeçarëve të Norvegjisë, por përfaqësimi i ngjyrave kuqezi duket zgjedhja më natyrale. Lojtari i talentuar i shtohet prurjeve të reja në epokën Panucci, pas mesfushorëve Astrit Ajdareviç, Ylber Ramadani dhe Sabien Lilaj. Ai do të stërvitet për një javë me skuadrën në Antalia, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai të debutojë për disa minuta në miqësoren me Turqinë.

 

Barça kishte marrëveshje për Mbappe

Televizioni i revistës franceze “L’Equipe” ka zbuluar në një dokumentar që fati i Kylian Mbappe mund të ketë qenë shumë i ndryshëm nga ai që ne tashmë e dimë. Sulmuesi francez arriti te PSG-ja në formë huazimi verën e këtij viti, me një opsion për t’u blerë rreth 180 milionë euro. Megjithatë, Real Madridi dhe Barcelona kanë qenë në gjurmët e tij, duke u përpjekur ta rrëmbejnë atë deri në minutën e fundit, kur Monaco nuk kishte dhënë ende dritën jeshile, në mungesë të një dite për ta mbyllur merkaton e transferimit (klubet spanjolle kishin diferencë me një ditë për të nënshkruar me lojtarët).
Pagesa e klauzolës së përfundimit të kontratës së Neymar e kishte vënë në vështirësi ekonomike PSG-në për përballimin e blerjes së Mbappe dhe respektimit të “Fair Play Financiar” (më 1 shtator, UEFA njoftoi se do të hetojë ekipin parizien për këtë çështje). Monaco, e vetëdijshme se operacioni mund të dështonte në qoftë se PSG-ja nuk kishte likuiditet, ka kërkuar alternativa të tjera, ndaj dakordoi parimisht me Barcelonën. Klubi katalanas, madje, zbulohet se kishte arritur një marrëveshje për një shumë të hollash, por nuk ka dhënë shifra.
Përveç kësaj, në operacion ishte përfshirë edhe turku Arda Turan, i cili më në fund nuk mori asnjë “dalje” nga Barcelona merkaton e verës. Drejtuesit e Monacos kishin planifikuar që avioni të ulej në Boruget, futbollisti të bashkohej me klubin katalanas (Barça tashmë kishte punësuar Dembele) dhe të nënshkruante marrëveshjen. Mirëpo, PSG-ja, më në fund, gjeti një formulë që bindi klubin Monegasque, huazim me opsionin e blerjes. Ama, Mbappé ishte bërë gati për t’u transferuar te Barcelona.

Ventura: Shkojmë në Botëror

Gian Piero Ventura dha Konferencën e parë për shtyp pas nisjes së grumbullimit të Italisë për përballjen e dyfishtë me Suedinë në fazën play-off të Botërorit. 69-vjeçari i ka të qarta vështirësitë që paraqet përballja me një kundërshtar fizik si Suedia, por ai thekson se, Italia s’mund të mungojë në Rusi.
“Do të jetë një sfidë e vështirë, por ne duam të shohim përpara. Këtu ka futbollistë që mund të nisin apo të mbyllin një cikël, duke shkuar në Botëror, pra mund të ndryshojë fati i karrierës. Italia patjetër që duhet të jetë pjesë e “Rusi 2018”, u shpreh Ventura.
Nga risitë e listës, është Jorginho, por përse nuk është grumbulluar më parë? “Sepse e penalizonte moduli i lojës. Tani është thirrur, sepse jemi para një përplasjeje të dyfishtë shumë të rëndësishme. Luhet për gjithçka dhe mund të bëjmë zgjedhje për çdo rol. Më shumë se moduli, në këtë rast vlen dëshira për të fituar. Zaza? Është rritur shumë muajt e fundit dhe ftesën e ka merituar. Është pjekur shumë nga Europiani, sidomos në aspektin psikologjik. Mbetet një vlerë e shtuar për ne”, tha trajneri i Kombëtares së Italisë.
Belotti dhe Immobile, që janë pika referimi në fazën sulmuese, kanë shqetësime fizike. “E them edhe me ton egoist që, për fat të mirë, Immobile nuk luajti në ndeshjen mes Lazios dhe Udineses. Gara është kaq delikate se këto janë problemet e fundit që më shqetësojnë”, përfundoi Ventura.

Ideja “e çmendur”

Edhe pse transferimi i tij është ende i freskët e vijon të bëjë jehonë si më i bujshmi në historinë futbollit, mësohet se babai i “Princit” të Parisit, siç është pagëzuar braziliani Neymar, ka nisur nga puna për marrëveshjen që e projekton të ardhmen e “yllit” të PSG sërish në Spanjë. Siç raporton e përditshmja spanjolle “El Mundo Deportivo”, burime pranë klubit të Nasser Al Khelaifit bëjnë me dije se, presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, dhe i ati i Neymar kanë zhvilluar disa biseda lidhur me një kthim të mundshëm të sulmuesit 26-vjeçar në La Liga. “Los Blancos” dështuan dikur për të përfituar shërbimet e ish-“yllit” të Santosit, më saktësisht në vitin 2013. Në atë kohë, ai u transferua te katalanasit e Barcelonës, por dyert e “Bernabeut” qëndrojnë gjithnjë të hapura për talentin me famë ndërkombëtare.
Marrëveshja, në fakt do të ishte shumë më konkrete në rast të një largimi të mundshëm të Cristiano Ronaldos, kontrata e të cilit përfundon në vitin 2021. Deri atëherë, Neymar do të ketë në dispozicion kohën e mjaftueshme për të shijuar të gjithë madhështinë që i ka falur hierarkia e vendosur te klubi i Parisit, pas marrëveshjes faraonike prej 222 milionë eurove. Në të vërtetë, vetë Neymar duket se po e shijon jetën në Francë dhe synimi i tij është trofeu i Champions Leagues me skuadrën e re. Gjithsesi, pas incidentit me Edinson Cavanin, në Francë kanë nisur spekulimet se edhe marrëdhënia me trajnerin Emery ka pësuar krisje. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë drejtimi do të marrë “telenovela” më e re me protagonist futbollistin më të shtrenjtë në botën e futbollit.

David Moyes emërohet trajner i ri i West Ham

David Moyes është emëruar si trajneri i ri i West Ham. Klubi i Premier League ka njoftuar se ish-trajneri i Evertonit, Manchester United dhe Sunderland, 54-vjeçari Moyes, caktohet si pasues i Slaven Biliç, i cili u shkarkua të hënën. Bilic kishte pritur të kalonte gjithë sezonin me “Hammers”, por u shkarkua nga kryetarët e përbashkët, David Sullivan dhe David Gold, pas humbjes 4-1 në shtëpi nga Liverpool, të shtunën. Klubi nuk ka zbuluar kohëzgjatjen e kontratës së Moyes.
“Unë jam me të vërtetë i gatshëm të takoj përkrahësit dhe të jem në stadium me ta, tha Moyes në një intervistë të parë, të botuar në Twitter-in e klubit. Kemi nevojë për mbështetje, ne kemi nevojë për të gjithë. Është një punë e madhe që kemi në dorë tani, por jam i sigurt që të gjithë sëbashku mund të marrim rezultatet e duhura”. Moyes ka qenë jashtë menaxhimit, që kur dha dorëheqjen nga drejtimi i Sunderland, në fund të sezonit të kaluar, duke dështuar për t’i shpëtuar ata nga rënia një kategori më poshtë. Emërimi i tij është parë me skepticizëm nga disa tifozë “Hammers”, pas eksperiencave zhgënjyese me Manchester United dhe “Black Cats”, si dhe një përvoje të pakëndshëm në Spanjë, me Real Sociedad.

Mourinho ka nevojë për kohë te Manchester

MANCHESTER, ENGLAND - AUGUST 13: Jose Mourinho, Manager of Manchester United shows appreciation to the fans after the Premier League match between Manchester United and West Ham United at Old Trafford on August 13, 2017 in Manchester, England. (Photo by Dan Istitene/Getty Images)

Tifozët e Manchester United duhet të mbeten të durueshëm me Jose Mourinhon, ndërsa ai e formon skuadrën sipas dëshirës së tij, thotë Marcel Desailly. Skuadra e Mourinhos u mund 1-0 në “Stamford Bridge”, të dielën, për të rënë tetë pikë prapa liderëve të Manchester City në garën e titullit të Premier League. Portugezi ka lavdinë e “Kupës EFL” dhe “Europa League” në sezonin e tij të parë, në “Old Trafford”, por forma shkatërruese e fqinjëve të Manchester City i ka lënë “Djajtë e Kuq” të “zvarriten” në sezonin 2017-2018. Dhe Desailly beson se, Mourinho duhet të mbetet i vërtetë në stilin e tij, pasi lufton me një staf që ende nuk është plotësisht në përputhje me kënaqësinë e tij.
“Duhet të qëndrojë si Mourinho, ai e di cilësinë e ekipit të tij, tha Desailly për “Omnisport”, duke folur përpara “Golden Foot Hublot”, çmimit në Monako. Ai duket sikur nuk kishte ekipin e vërtetë që dëshironte, krahasuar me Pep Guardiolën, i cili zgjodhi çdo lojtar që dëshironte brenda dhe jashtë. Mourinho, ende ka të bëjë me disa lojtarë, që nuk do t’i dëshironte sistemi i tij. Mourinho është duke bërë mirë, kështu që shpresoj që Manchester United të shkëlqejë sikur në atë kohë me Alex Ferguson. Por është e vështirë, çdo herë, çdo lojë, ka një histori të madhe në supet e të gjithë lojtarëve dhe mbi trajnerin. Pra, le t’i japim kohë Mourinhos”.

Unai Emery drejt largimit

PSG-ja mendon për Jose Mourinho. Nuk ka vend për megaprojekt në duart e Unai Emery. Njësia ekonomike pariziene është duke kërkuar për një trajner të ri. Dhe ky nuk është askush tjetër, përveç portugezit të Manchester United. Sipas raporteve të “The Sun”, përfaqësuesit e Mourinhos kanë mbajtur kontakte me PSG-në. Në Angli besojnë se drejtuesi sportiv i njësisë galike, Henrique Antero, mund të luajë një rol kyç në bindjen e Mourinhos, pasi ai ka punuar me trajnerin portugez në fazën e drejtimit prej tij të Portos. E vërteta është se në javët e fundit trajneri ka flirtuar me gjigantin francez. Megjithëse ka theksuar gjithmonë angazhimin e tij ndaj Manchester United, ka ende një vit e gjysmë kontratë, deri në qershor 2019, portugezi nuk ka hezituar t’i fshehë disa vështirësi.
Ai e la veten të ekspozohej drejt Parisit vetëm tri javë më parë, kur në një intervistë për televizionin francez TF1 justifikoi se djali i tij kishte preferuar për të shkuar në një ndeshje të PSG-së, në vend të Manchester United, sepse klubi parizien “është diçka e veçantë, magjike, cilësore, e re, fantastike”. Dhe ndërsa shtypi britanik spekulon me të ardhmen e tij në PSG, José Mourinho e vë në pritje Manchester United nëpërmjet rinovimit të tij. Në “Old Trafford” janë të gatshëm t’i ofrojnë atij një kontratë afatgjatë dhe portugezi, si homologim, kërkon një rritje të dukshme të pagës: tre milionë paundë më shumë (rreth 3.5 milionë euro) për t’ua shtuar 10 milionë eurove që tashmë merr në vit.
Klubi francez duket se do ta shkarkojë Unai Emeryn në fund të këtij sezoni, nëse ky i fundit nuk e fiton Ligën e Kampionëve. Jose Mourinho, momentalisht trajner i Manchester United, dhe ai i Chelsea, Antonio Conte, janë në mesin e emrave që lidhen me bankën e PSG-së, por Mundo Deportivo pohon sot se, Massimiliano Allegri, i cili është në krye të Juventus, i është shtuar listës së fundmi. Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, është opsion po ashtu. PSG-ja e ka fituar ligën franceze katër herë në pesë sezonet e kaluara, por deri më tani nuk ka qenë në gjendje të ketë ndikim të vërtetë në Ligë të Kampionëve.
Për momentin “Special One” ndihet mirë te Manchester United, por Mourinhos do t’i pëlqente që një ditë të drejtonte klubin nga “Parc des Princes” dhe kjo ditë mund të jetë shumë e afërt sesa e ka parashikuar tekniku luzitan. Edhe pse ka kontratë me United deri në qershor të 2019-ës, Mourinho mund të largohet nga “Old Trafford” që gjatë verës së vitit të ardhshëm.

Larje hesapesh në Riad?

Ka qenë një fundjavë me tension të lartë dhe bujë të madhe ajo që sapo lamë prapa në Lindje të Mesme, që për motive dhe situata të ndryshme e ka vendosur Arabinë Saudite në qendër të syrit të madh mediatik të politikës ndërkombëtare.
Fillimisht lajmi për raketën balistike e interceptuar dhe e shkatërruar në afërsi të aeroportit të Riadit dhe i lëshuar nga Jemeni, nga zonat veriore afër kufirit saudit të kontrolluar nga rebelët houthi. Pak orë më pas, ka ardhur lajmërimi – akuzë tronditës dhe në shumë aspekte i papritur i Kryeministrit libanez Saad Hariri, i cili gjatë një vizite zyrtare në kryeqytetin saudit ka formalizuar dorëheqjen e tij nga ekzekutivi libanez, duke sulmuar formalisht Iranin dhe Hezbollahun, fajtorë sipas tij se kanë tentuar ta eliminojnë fizikisht, siç i ndodhi babait të tij Rafi, dhe se duan ta zhysin vendin në kaos dhe – ndoshta kjo është edhe frika më e madhe – drejt një konflikti të ri rajonal me Izraelin.
Së fundi, gjatë natës është përhapur lajmi për një seri arrestimesh ndaj princave (11) dhe ministrave të ndryshëm të mbretërisë (rreth 40), në kuadër të një operacioni antikorrupsion të drejtuar nga komisioni i ri ad hoc i krijuar pak orë më parë nga i kudondodhuri Princ Trashëgimtar Mohammed bin Salman (MbS). Midis të arrestuarve të njohur janë filantropi dhe afaristi, Princi Alwaleed bin Talal, aksionist i Citigroup, NewsCorp e Twitter, titullari i Ekonomisë Adel Fakeih, por mbi të gjitha kreu i Gardës Kombëtare, Princi Mutaib bin Abdallah, personalitet influent në sferat e larta saudite, pse jo edhe referim i rëndësishëm i ish-Princit Trashëgimtar dhe ish-ministrit të Brendshëm, Mohammed bin Nayef, i larguar dhe i vendosur në arrest shtëpie nëpërmjet një edikti mbretëror të firmosur nga monarku Salman në muajin qershor.
Një sulm në të gjithë fushën, që prek shumë nivele paralele interesash dhe që ka dy objektiva: një legjitimin i plotë dhe i fortë i MbS në planin e brendshëm dhe një forcim të konfliktit rajonal me Iranin. Por le të ecim me ngadalë dhe të provojmë të shikojmë kuptimin e këtyre iniciativave kaq të ndryshme e kaq të rëndësishme, duke kërkuar të nënvizojmë karakterin e kontinuitetit politik në termat e dimensioneve operative dhe të korelacioneve brenda – jashtë.
Është e pamohueshme që iniciativat e fundit të Princit janë sa të bujshme, aq edhe praktikisht të rëndësishme, përveçse shënojnë në mënyrë të qartë një tentativë modernizimi të shtetit e të shoqërisë saudite, ato përfaqësojnë në fakt një tentativë ndryshimi të paradigmës sociale, jo pa kontradikta, për sa sjell nevojën e ripërkufizimit të një “kontrate sociale” të re në kuptimin më demokratik. Por në optikën saudite dhënia e privilegjeve ndaj nënshtetasve nënvizon praninë e disa aspekteve politike të prirur nga njëra anë që të krijojnë simpati jashtë në mënyrë që të ushqejnë një imazh të pastruar të mbretërisë dhe, nga ana tjetër, të forcojnë strategjitë afatgjata e trashëgimtarit të fronit në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Arrestimet e personaliteteve të rëndësishme kanë mundësuar që të pastrohet fusha e MbS-së nga dy konkurrentë të rëndësishëm në planin ekonomik e politik, dimensione në të cilat trashëgimtari i fronit po luan dy ndeshjet më të rëndësishme për sa i përket legjitimitetit dhe përgjegjësisë.
Nëse në planin e brendshëm është e nevojshme të shtrëngohen radhët, kompaktësimi i opinionit publik dhe eliminimi i kundërshtimit nëpërmjet një procesi modernizimi të temperuar të shtetit e të shoqërisë, në frontin rajonal e ndërkombëtar, aksioni politik i sovranit të ardhshëm mbështetet mbi një shtyllë të vetme: një politikë e fortë armiqësie ndaj Iranit. Në një farë kuptimi, kjo fazë përfaqëson planin e jashtëm të strategjisë të MbS-së, një vizion politik i bazuar mbi frenimin e kundërshtarit, gjithsesi në vijueshmëri në mënyra dhe në afate respektivisht paraardhësve të tij. Elementi i risisë qëndron si në ripërkufizimin e karakterit të konfrontim – përplasjes me Iranin, ashtu edhe në zgjerimin e skenarëve të krizës. Takimet në Riad me përfaqësuesit shiitë irakenë, si Kryeministri Haider al-Abadi dhe Moqtada al-Sadr, sugjerojnë një tentativë të establishmentit saudit për ta shikuar nga frenimi iranian, duke e vënë theksin më shumë mbi krijimin e një koalicioni të mundshëm mbi bazën e origjinës së përbashkët arabe më shumë sesa një faktor thjesht fetar, duke shkuar – të paktën në dukje – përtej dikotomisë klasike sunizëm – shiizëm. Zgjedhja nuk është e diktuar nga një qetësim i papritur ndaj besimtarëve shiitë, sesa më shumë e diktuar prej mundësisë së kufizimit të influencës iraniane në rajon duke e copëzuar kampin kundërshtar. As llogaritja jo shumë e fshehur (gjeo)politike saudite bazohet mbi dëshminë se duke mos arritur apo duke mos mund ta dobësojë drejtpërsëdrejti aksionin politik iranian në Lindje të Mesme, parasëgjithash synohet që të ushqehen përçarjet në kampin kundërshtar në tentativën e kompaktësimit të frontit tënd. Një rivalitet i ushqyer ndër vite dhe i rrënjosur kudo në rajon, nëpërmjet atyre të ashtuquajturëve skenarë proxy (si për shembull Siria apo Jemeni), në të cilët grindja iraniano–saudite pasqyron dimensione që shkojnë përtej përfaqësimit të thjeshtë fetar të konfrontimit midis shiitëve dhe sunitëve.
Në këtë kuptim, nëse gjeopolitika dhe teatra rajonalë bëhen edhe një herë akoma çelësat interpretues për të analizuar, të paktën pjesërisht, ndeshjen midis Riadit e Iranit, tensionet në Liban ofrojnë kontekstin ideal në të cilin futet lufta në rritje për pushtet midis Iranit dhe Arabisë Saudite në rajon. Në fakt, dorëheqja e bujshme e Hariri, përveçse thërmon spektrin tashmë të brishtë dhe jashtëzakonisht të ndryshueshëm politik libanez dhe e fut vendin në një klimë pasigurie dhe, potencialisht, paralize të zgjatur politike, mund të çojë në një pjesëmarrje të rinovuar të Hezbollahut, lëvizja lokale shiite, në qeverisjen e re. Një prej partnerëve më të besuar të Teheranit në Lindje të Afërt, Hezbollahu është një aktor kyç në luftërat në Siri e në Jemen, aq sa të kontribuojë me mbështetjen e tij politike dhe ushtarake në favor të regjimit të al Assad dhe te rebelët houthi në Jemen për ta dobësuar levën saudite në rajon. Por nëse shënjestra quhet Hezbollah, objektivi final mbetet Irani. Prandaj, edhe një herë akoma, Libani rrezikon de facto të bëhet viktimë jo vetëm e tensioneve iraniano–saudite, por edhe të shërbejë, me shtytjen e njërës palë apo të tjetrës, si instrument për një konflikt të ri midis Hezbollahut dhe Izraelit, me pasoja të drejtpërdrejta e të paparashikueshme në të gjithë Lindjen e Mesme.
Mbi bazën e këtyre konsideratave të shkurtëra mund të deduktohet se zgjedhjet politike të hartuara nga drejtuesit e rinj sauditë rrezikojnë që ta përmbysin gjithçka, duke ripërcaktuar aleanca dhe strategji gjeopolitike në brendësi të kufijve kombëtarë e rajonalë. Situata këto të pritura që të thellojnë më tej të çara historikisht të pazgjidhshme, pse jo edhe të favorizojnë përhapjen e tendencave të reja e më të rrezikshme.

Një aksion i shumëfishtë në shumë fronte që synon të ridimensionojë faktorin fetar

Duke shfrytëzuar kërkesat e shtresave popullore më të reja (70% e popullsisë së përgjithshme është nën 30 vjeç dhe mbi 30% e saj vuan papunësinë rinore), MbS-ja po kërkon një angazhim të vështirë me një shtresë të saktë dhe shumë të gjerë të 32 milionë nënshtetasve – qytetarëve sauditë, që në rast të një rezultati pozitiv mund t’i mundësojnë që të shndërrohet në emblemë dhe simbol të një “revolucioni” kulturor e social. Kjo do të përfaqësonte një sukses personal të jashtëzakonshëm për t’u shpenzuar në planin e brendshëm në termat e stabilitetit të mbretërisë, pse jo edhe të prestigjit dhe të autoritetit të tilla sa t’i garantonin një betejë të mundshme finale me ato sfera të larta civile e fetare të shtetit saudit akoma kundër tij.
Në këtë kuptim, aktivizmi i Princit synon që ta pastrojë fushën nga interferenca në proveprimin e tij, por njëkohësisht synon të ridimensionojë rolin fetar dhe/ose të të gjithë atyre që mund të interferojnë me ambiciet/iniciativat e tij. Faktikisht, në vijueshmëri me sa është bërë nga Mbreti Abdallah (2005-2015), monarku i mëparshëm, synon që të prishë atë balancë pushteti të markës saudite që shikon kryesisht një zhbalancim të pushteteve ndaj klerikëve, vartës të sferës fetare, por edhe njerëz që i njohin familjes al-Saud një legjitimitet politik dhe shpirtëror si gardianë e vendeve të shenjta të islamit. Një aksion i shumëfishtë në shumë fronte që synon të ridimensionojë faktorin fetar, duke e destrukturuar dhe duke e paraqitur si instrument të nënshtruar ndaj dimensionit politik.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Japoni, Trump diskuton çështjen e Koresë së Veriut

Koreja e Veriut ka dominuar dy ditët e bisedimeve mes kryeministrit japonez Shinzo Abe dhe presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri Abe u tha gazetarëve se të gjitha opsionet janë në tryezë për t’iu përgjigjur programit të armëve të Koresë së Veriut, ndërsa presidenti Trump ritheksoi se qeveria amerikane qëndron në solidaritet me aleatët në rajon, veçanërisht Japoninë.
Duke qëndruar përkrah presidentit amerikan në Pallatin Akasaka në Tokio, kryeministri japonez tha se, tani “dialogu me Korenë e Veriut nuk ka kuptim” dhe se ka ardhur koha për të ushtruar presion maksimal ndaj Phenianit.
“Së bashku me presidentin Trump, konfirmuam se qëndrojmë plotësisht të bashkuar në çështjet që lidhen me situatën në Korenë e Veriut. Japonia dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku për të biseduar me vendet e tjera, përfshi Kinën dhe Rusinë, për të shtuar presionin nga bashkësia ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut”, tha kryeministri Abe.
Presidenti Trump i quajti provat bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike nga Koreja e Veriut mbi territorin japonez, kërcënim për paqen dhe qëndrueshmërinë ndërkombëtare.
“Ne nuk do ta tolerojmë këtë. Periudha e durimit strategjik ka mbaruar. Disa njerëz thonë se, retorika ime është shumë e fuqishme, por shikoni çfarë ka ndodhur me retorikën shumë të dobët të 25 viteve të fundit”, tha presidenti Trump.
I pyetur për popullin e Koresë së Veriut, presidenti amerikan shprehu shpresën për një zgjidhje të situatës.
“Ata jetojnë nën një regjim shumë shtypës dhe me të vërtetë mendoj se në fund të fundit, shpresoj se kriza do të zgjidhet. Do të jetë më mirë për të gjithë”, tha presidenti.
Presidenti Trump vuri në pah gjithashtu, mijëra trupat amerikane të vendosura në Japoni dhe tha se, pret që qeveria japoneze të blejë sasi të mëdha pajisjesh ushtarake amerikane që do të ndihmojnë në mbrojtjen kundër raketave të Koresë së Veriut.

Takimi me biznesmenët
Në komentet e tij të drejtpërdrejta, këtë herë ndaj biznesmenëve japonezë, Presidenti amerikan, Donald Trump u bëri thirrje atyre të prodhojnë më shumë në Amerikë, duke u ankuar se “Japonia ka dalë fituese” në tregtinë me Shtetet e Bashkuara për dekada të tëra.
“Tani për tani tregtia jonë me Japoninë nuk është e drejtë apo e hapur”, tha presidenti në një mëngjes pune ku morën pjesë udhëheqës të 18 korporatave më të mëdha japoneze dhe 9 kompanive amerikane. “Por unë e di që kjo do të ndodhë”, tha presidenti.
Trump parashikoi se tani, pa Partneritetin e Paqësorit (TPP), mes të dy vendeve do të ketë më shumë tregti se më parë.
Por ish-drejtori i Departamentit të Shtetit për Japoninë, Kevin Maher tha: “Nuk është koha e duhur për të folur për një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë Japoni-SHBA. Është shumë e vështirë të imagjinohet se, japonezët do të shkonin më larg sesa ishin nën një marrëveshje TPP, veçanërisht në çështjet e ndjeshme si bujqësia dhe makinat”.
Sektori amerikan i bujqësisë është dëmtuar nga tërheqja e marrëveshjes TPP, i tha “Zërit të Amerikës”, zoti Maher “Anëtarët e tjerë të marrëveshjes TPP do të përfitojnë nga standardet më të mira që do të paraqesin japonezët”.
Presidenti Trump, qysh në ditën e tij të parë të plotë në detyrë, i dha fund pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen TPP. Marrëveshja ishte negociuar nga administrata e mëparshme e Presidentit Obama me 11 vende të tjera dhe shihej si një dokument i fortë për të lidhur më ngushtë Shtetet e Bashkuara me Azinë Lindore në klimën e një Kine në rritje.
Presidenti gjithashtu bëri thirrje për rritje të prodhimit në Shtetet e Bashkuara nga prodhuesit japonezë të automjeteve.
“Përpiquni të ndërtoni makinat tuaja në Shtetet e Bashkuara në vend që t’i transportoni ato”, tha ai. “A është kjo një kërkesë e pasjellshme?”
Ishte sigurisht një koment i habitshëm për prodhuesit japonezë të automjeteve që e ngritën uzinën e tyre të parë në tokën amerikane në vitin 1982, kur Honda filloi prodhimin në shtetin e Ohajos. Dy vjet më vonë Toyota hapi një fabrikë të përbashkët me General Motors në Kaliforni që zgjati deri në vitin 2010.
Japonia ka një prani mbresëlënëse të prodhimit të automobilëve në Amerikën e Veriut. Numri i makinave që prodhohen nga tre prodhuesit më të mëdhenj japonezë të makinave në Shtetet e Bashkuara për disa vite ka tejkaluar atë të tre prodhuesve më të mëdhenj amerikanë të automjeteve. Në total, kompanitë japoneze prodhojnë rreth katër milionë automjete në vit në Amerikën e Veriut – rreth 75 për qind të të gjitha makinave japoneze të shitura në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump gjithashtu bëri thirrje për më shumë makina amerikane në rrugët e Japonisë. Vetëm 20 mijë automjete të prodhuara në Shtetet e Bashkuara shiten çdo vit në Japoni.
“Pothuajse asnjë makinë nuk shkon nga Shtetet e Bashkuara në Japoni”, tha presidenti, duke shtuar se për këtë do të duhet të negociohet “në mënyrë miqësore”.
Trump, i cili zhvilloi një ditë të dytë bisedimesh me kryeministrin Shinzo Abe, ka ndërtuar një marrëdhënie miqësore me udhëheqësin japonez. Ata flasin shpesh në telefon dhe të dielën diskutuan rreth shtimit të armëve bërthamore dhe kërcënimeve të Koresë së Veriut, si dhe mbi tregtinë gjatë një ndeshjeje golfi dhe më pas gjatë darkës me bashkëshortet e tyre në një restorant në Ginza të Tokios.
Pas raundit të parë të bisedimeve të hënën, Trump u tha gazetarëve: “Ishte me të vërtetë një takim i mirë dhe kryesisht lidhej me tregtinë, Korenë e Veriut dhe disa tema të tjera që prekëm. Ne po bëjmë përparim të jashtëzakonshëm, besoj për tregtinë në veçanti, duke ulur deficitet dhe duke pasur një tregti të drejtë dhe të barabartë. Dhe mezi pres që të përfundojmë diskutimet.
“Fokusi i vërtetë i këtij udhëtimi është në fakt çështja e sigurisë”, thotë Maher, tani një konsulent ndërkombëtar i biznesit. “Por zotit Trump i duhej të fliste edhe për çështjet tregtare”.