24.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Gjermani, Të Gjelbrit të gatshëm për të bërë kompromis për klimën

Partia e Të Gjelbërve afron qendrimin në një pikë të rëndësishme me partitë konservatore dhe liberalët e FDP-së në mosmarrëveshjen për klimën. Ata do të tërhiqen nga kërkesa e tyre për ta eliminuar deri në vitin 2030 motorin me djegie të brendshme. “Për mua është e qartë, që të vetëm ne nuk do të mund ta arrijmë ndalimin e motorëve fosilë me djegie të brendshme deri në vitin 2030”, tha kryetari i partisë, Cem Özdemir në intervista me “Stuttgarter Zeitung” dhe “Stuttgarter Nachrichten”.
Por e nevojshme është një deklaratë e qartë, se do të bëhen të gjitha përpjekjet, që automjetet e së ardhmes të jenë të ndërlidhura, të automatizuara dhe pa shkarkime CO2. Edhe në politikën ndaj braktisjes së shfrytëzimit të qymyrit, të Gjelbrit sinjalizuan gatishmëri për kompromis.
Të përgatitura nga krerët e partive, të hënën nisi faza e dytë e negociatave të CDU, CSU, FDP dhe të Gjelbërve për të formuar qeverinë federale. Në rend të ditës janë ndër të tjera temat e Evropës, të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes si dhe arsimi dhe digjitalizimi. Deri tani janë sqaruar vetëm pozicionet dhe thuajse nuk ka pasur dakordime parimore, ndërsa tani diskutimet do të jenë më konkrete. Kancelarja Angela Merkel synon që negociatat t’i përfundojë deri në mes të nëntorit.

Me taksat më të larta mbi pagat në rajon

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka paralajmëruar se do të përgatitet një projektligj i ri për taksimin progresiv, ku do të përfshijë edhe të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo siç janë tani të fragmentuara. “Çdo e ardhur do të kalkulohet si një e tërë për periudhën tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma. Progresiviteti do të ruhet”, ka pohuar Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë.
Kjo do të thotë automatikisht rritje e tatimit mbi të ardhurat e larta, (pasi do të mblidhen të gjitha të ardhurat dhe do të tatohen me normë maksimale), ndryshe nga premtimi i qeverisë në prag të zgjedhjeve për uljen e tatimit mbi pagat 130 mijë lekë nga 23% në 18%.
Edhe pa këtë rritje, Shqipëria ka normën më të lartë të taksimit mbi pagat e larta dhe të ardhurat e tjera.
Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.
Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.
Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.
Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).
Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Të ardhurat nuk janë rritur

Pavarësisht rritjes së normës progresive, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë pasur një ecuri të dobët (edhe për faktin se një pjesë e madhe e individëve deklarojnë paga të ulëta, për të shmangur normën e lartë progresive). Për 9-mujorin e këtij viti, të ardhurat e këtij viti, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave ishin 24.5 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0.5% me bazë vjetore, ndërsa rezultuan 3.7% më të ulëta se plani.

Skema e shmangies

Tatimi mbi pagat e larta ka nxitur vitet e fundit një skemë të shmangies ndaj taksave, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Kontabilistët pohojnë se, individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë, (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Janë kryesisht doktorë në spitale private, konsulentë, apo individë të tjerë me të ardhura të larta, përfshirë edhe të huaj, që duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të viteve të fundit po bëhen subjekt i shmangieve fiskale.
Aktualisht, ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla, çka lë shtigje të shumta për shmangie.
Për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (tatimi mbi të ardhurat personale-TAP) është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë, TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë.
Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5%. Mbi 8 milionë lekë bizneset kategorizohen si i madh dhe paguajnë 15% tatim fitimi.
P.sh., një individ me një pagë 300 mijë lekë në muaj (3.6 milionë lekë në vit) do të paguajë vetëm si tatim mbi të ardhurat nga paga (pa përfshirë sigurimet) rreth 52 mijë lekë në muaj (625 mijë lekë në vit). Nëse ai faturon si biznes i vogël, e vetmja gjë që paguan janë sigurimet si i vetëpunësuar, rreth 6500 lekë në muaj.

NATO rrit numrin e trupave në Afganistan

Aleatët e NATO-s do të vendosin të enjten për rritjen e numrit të trupave në misionin trajnues të aleancës në Afganistan, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai tha sem në Afganistan do të dërgohen rreth 3,000 trupa shtesë dhe se rreth gjysma e tyre do të jenë nga Shtetet e Bashkuara.
“Rreth 13,000 trupa nga 39 shtete të ndryshme shërbejnë aktualisht në Misionin tonë Mbështetës në Afganistan. SHBA-ja tashmë po e rrit angazhimin, në kuadër të strategjisë së re për Azinë Jugore. Shumë aleatë dhe partnerë të NATO-s do të dërgojnë po ashtu më shumë trupa, për të mbështetur përpjekjet e Afganistanit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, tha Stoltenberg për gazetarët në Bruksel.
Ai shtoi se, “javët e fundit në Afganistan kanë qenë të vështira dhe me një numër sulmesh brutale dhe të pakuptimta”.
Vetëm sot, dy njerëz janë vrarë dhe së paku 20 janë plagosur nga një sulm i armatosur në ndërtesën e një televizioni privat në Kabul.
Përgjegjësinë për këtë sulm e kanë marrë militanët e grupit të Shtetit Islamik.

Kosovë, konfliktet mes presidentit dhe qeverisë

Kryeministri ka paralajmëruar, se marrëveshja për kufirin me Malin e Zi mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Presidenti e quan kauzë të rreme pretendimin, se Kosova humbet territor me marrëveshjen aktuale.
Qëndrime të kundërta së fundi janë shfaqur ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Presidenti Hashim Thaçi e ka vënë në dyshim punën e komisionit të ri për demarkacionin të emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj, pas marrjes së postit në krye të qeverisë. Një ditë më parë, kryetari i komisionit për demarkacionin me Malin e Zi, Shpëtim Bulliqi, tha se “komisioni ka mbledhur prova të mjaftueshme, që dëshmojnë se Kosova ka humbur territor me versionin aktual të demarkacionit”. Sipas tij, nga dëshmitë e siguruara dhe disa materialeve që janë marrë në Kroaci dhe Slloveni, do ta dëshmojnë këtë.
“Ato çfarë kemi siguruar, dëshmojnë se shënjimi i vijës kufitare nga komisioni i kaluar është bërë gabim. Unë shpreh habinë time se si ish-anëtarët e komisionit të kaluar nuk kanë kërkuar për këto fakte në dy vendet mike të Kosovës, siç janë Kroacia e Sllovenia”, thotë Shpëtim Bulliqi.
Kjo deklaratë e ka zemëruar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vazhdon të besojë se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015, e cila e përcakton vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull.
“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik. Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinioni publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar”, shkruan në profilin e tij, presidenti Hashim Thaçi.
Për më shumë presidenti thotë, se nëse institucionet shtetërore do të vazhdojnë të mbeten peng të trillimeve individuale, pasojat për shtetin e Kosovës mund të jenë të rënda. Presidenti bën thirrje që institucionet e Kosovës të marrin vendim për çështjen e demarkacionit.
“Nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, thotë presidenti.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij, vazhdon të besojë që demarkacioni me Malin e Zi është bërë gabim dhe ai pret që këtë ta argumentojë komisioni shtetëror, që e emëroi vet në krye me Shpëtim Bulliqin.
Mirëpo, është qeveria e Malit të Zi, ajo që tashmë disa herë ka deklaruar se për këtë shtet çështja e demarkacionit me Kosovën ka përfunduar, sepse ata tashmë e kanë ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi. I ndodhur në këtë situatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se Marrëveshja për Demarkacionin mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit po qe se nuk arrin të rinegociohet me shtetin fqinjë Malin e Zi.
“Për demarkacionin sikurse e dini, nuk është një temë që po fle. Sa më shpejt që t’i kemi rezultatet, do të lëvizim. Kjo çështje mund të përfundojë në Arbitrazh për shkak se versioni ekzistues nuk i ka votat dhe nuk ka përkrahje”, thotë Haradinaj. Komisioni i ri për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sipas njoftimit zyrtar të tyre, është fokusuar në tri segmente: Në të drejtën ndërkombëtare të delimitimeve dhe demakrimeve, punën në terren dhe hulumtimi i materialeve faktografike. Te konstatimet e këtij komisioni sipas udhëheqësit Bulliqi, të faktuara do t’i dorëzohen qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës më së largu deri në fund të këtij muaji.
Pastaj është Kuvendi i Kosovës ai që vendos, se si do të procedohet më tutje. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është njëri nga kriteret e fundit që kërkohet nga Komisioni Evropian në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

FMN kundër qeverisë për taksat

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ka shprehur hapur pakënaqësitë që ka në lidhje me Paketën Fiskale që ka miratuar Këshilli i Ministrave dhe që pritet të diskutohet në Kuvend. Ulja e kufirit të TVSH-së, lehtësitë për hotelet me 4 dhe 5 yje dhe, sidomos fakti që Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, janë disa nga shqetësimet që ngre Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, në një intervistë të posaçme për “Monitor”.
Ai shton se nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë, teksa vendi ka probleme me infrastrukturën dhe të drejtën e pronësisë. Përfaqësuesi i FMN-së ka përsëritur thirrjen për të pasur kujdes me projektet e Partneritetit Publik Privat, që ato të zgjidhen sipas një analize të qartë kosto-përfitime dhe të raportohen sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmanget borxhi i fshehur.

-FMN, në raportin e fundit për Pasqyrën Ekonomike të Tetorit, uli parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2018-n me 0.4 pikë përqindjeje, në 3.7%. Cilat janë arsyet e kësaj uljeje?
Ne presim që rimëkëmbja ekonomike do të vazhdojë dhe që rritja vjetore e PBB-së do të arrijë në 4% në afatin e mesëm. Vitet e fundit, rritja është nxitur nga Investimet e Huaja të mëdha Direkte. Cikli i tyre i investimeve do të fillojë të ngadalësohet në 2018-n. Por, rimëkëmbja e kredisë private, zgjerimi në investimet publike dhe një rritje e besimit pritet që të mbështesin rimëkëmbjen e vazhdueshme.

-Qeveria shqiptare sapo ka publikuar projektbuxhetin për vitin 2018 dhe Paketën Fiskale. Në një vështrim të përgjithshëm, si i vlerësoni këto dy dokumente?
Ne e mirëpresim faktin që qeveria mbetet e angazhuar për konsolidimin fiskal dhe ka vazhduar me reformën e taksës së pasurisë, por theksojmë se disa ndryshime specifike në politikën e taksave janë faktor për rrezik.
Në veçanti, ndryshimet në kufirin e TVSH-së dhe trajtimi preferencial për sektorin e hoteleve duket se e minojnë barazinë e sistemit të taksave.
Ne jemi dakord që ka një nevojë për të rritur investimet publike, por duhet të marrim në konsideratë se problemet me zbatimin dhe jo financim kanë kufizuar shpenzimet për investime gjatë viteve të fundit. Si rrjedhojë, qeveria duhet të investojë në kapacitetin e saj për të përzgjedhur, për të planifikuar dhe për të zbatuar investimet, ndërkohë që siguron që të gjitha projektet e investimeve, përfshirë PPP-të, janë subjekt i të njëjtave standarde.

-Ministria e Financave ka ndërmarrë nismën për uljen e kufirit të regjistrimit të TVSH-së në 2 milionë lekë, nga 5 që është sot, si një mjet për të luftuar evazionin, teksa detajet do të vendosen nga Këshilli i Ministrave. Si e vlerësoni këtë lëvizje, sa do të arrijë ajo që ta luftojë evazionin?
Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime.
Ne e kemi këshilluar gjithashtu qeverinë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (p.sh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale).

Mos e ulni pragun e TVSH për biznesin e vogël

-Sipas jush, cili do të ishte kufiri më optimal për TVSH-në, që do të mundësonte një kontroll më të mirë të zinxhirit të faturimeve dhe do të ofronte nxitës për bizneset që të vetëformalizohej?
Ne nuk shohim asnjë problem me kufirin aktual të TVSH-së. Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së taksave duhet të shmangen, pasi ato komplikojnë administrimin e taksave dhe mund të bëjnë konfuz taksapaguesit. Si rrjedhojë, ne rekomandojmë që të mbahet kufiri i TVSH-së në nivelet aktuale, ndërkohë që administrata i përqendron përpjekjet te taksapaguesit e mëdhenj.

-Si e vlerësoni propozimin në Paketën Fiskale për përjashtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje nga tatimfitimi për 5 vjet dhe lehtësi të tjera që ofrohen për kategoritë e hoteleve që do të klasifikohen me status special? Sa i përafrohet kjo përqasje potencialit të zhvillimit të turizmit në Shqipëri dhe si mund të kontrollohet shmangia që mund të vijë nga këto përjashtime (p.sh. që një resort të marrë lehtësi fiskale dhe më pas të shesë vila)?
Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë. Nuk është e qartë se si përjashtimet nga taksat do të ndihmojnë për t’i lehtësuar këto kufizime.
Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiskal.

-Në deklaratën e fundit përmbyllëse të ekipit të FMN-së për konsultimin sipas Nenit IV për vitin 2017, shprehët shqetësimin lidhur me projektet e Partneritetit Publik Privat. Nisur nga projektet konkrete të projektbuxhetit 2018, sa vlerësoni se janë marrë parasysh rekomandimet tuaja dhe çfarë shikoni konkretisht si rreziqe në afatin e shkurtër?
Ne e pranojmë nevojën për të përshpejtuar investimet publike dhe vazhdojmë t’u përmbahemi rekomandimeve tona të mëparshme: të gjitha projektet e investimeve duhet të jenë subjekt i prioriteteve transparente dhe procesit të përzgjedhjes si dhe t’i nënshtrohen një analize kosto-përfitime. Kjo duhet të përfshijë jo vetëm projektet e financuara nga buxheti, por të gjitha PPP-të, përfshirë propozimet e pakërkuara. Gjithashtu, detyrimet që i takojnë shtetit nga PPP-të duhet të regjistrohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, çka do të thotë që PPP-të kontribuojnë në borxhin publik. Praktikat aktuale në planifikimin dhe ekzekutimin e investimeve nuk i plotësojnë këto standarde, duke rritur rrezikun që të përzgjidhen projekte të varfëra dhe që rreziqet fiskale të nënvlerësohen.

Intervistoi: “Monitor”

Hollësitë e masakrës së Teksasit

APTOPIX Church Shooting Texas

Zyrtarët amerikanë e cilësuan vrasjen e 26 vetëve në një kishe të Teksasit nga një njeri i armatosur, si ngjarjen më të rëndë të këtij lloji në historinë e shtetit.
Personi i armatosur, i identifikuar si 26-vjeçari Devin Kelley hapi zjarr të dielën paradite gjatë një ceremonie kishtare në komunitetin e vogël Sutherland Springs.
Zyrtarët në Teksas thanë se, Kelley i dërgoi mesazhe kërcënuese me tekst vjehrrës së tij, e cila ndodhej në kishë, dhe se ngjarja erdhi si pasojë e problemeve familjare dhe nuk kishte motive racore apo fetare.
Autoritetet thonë gjithashtu se, provat në vendngjarje i bëjnë të besojnë se Devin Patrick Kelley vdiq nga një plagë me armë zjarri të shkaktuar prej vetë atij, pasi përplasi makinën kur po ndiqej nga disa civilë të armatosur.
Ata thanë se, Kelley i telefonoi të atit për t’i thënë se ishte qëlluar me armë dhe nuk mendonte se do të mbijetonte.
Viktimat ishin të moshave nga 18 muaj deri në 77 vjeç. Sipas autoriteteve, Kelley kishte punuar më parë në një bazë ajrore dhe në makinën e tij u gjetën armë të shumta, por nuk duket të kishte lidhje me ndonjë grup të organizuar terrorist.
Dhjetë persona ndodhen në spital në gjendje të rëndë. Ata janë të moshave nga 5 deri në 73 vjeç.

Tragjedia në Sutheland Springs

Mes lotëve dhe lutjeve, familjarët e viktimave u mblodhën për të mësuar mbi fatin e njerëzve të tyre.
“Nuk ka fjalë për ta përshkruar. Sepse këto gjëra ndodhin në Nju Jork, në qytetet e mëdha”, thotë një grua.
Një ceremoni e zakonshme kishtare në këtë qytet të vogël të Teksasit u shndërrua papritur në një tragjedi.
Zyrtarët thanë se, një person i armatosur me pushkë hapi zjarr jashtë kishës Baptiste në Sutherland Springs dhe vazhdoi të qëllonte, ndërsa hynte brenda saj.
Guvernator i Teksasit, Greg Abbott u shpreh: “Është ngjarja më e rëndë e këtij lloji në historinë e shtetit tonë, thotëGreg Abbott, Guvernator i Teksasit. “Janë kaq shumë familje që kanë humbur njerëzit e tyre, baballarë, nëna, bij dhe bija. Tragjedinë e rëndon më shumë fakti që, ajo ndodh në një kishë, në një vend lutjesh”.
Njeriu i armatosur u gjet më vonë i vrarë në automjetin e tij pas një konfrontimi me një civil.
Presidenti Donald Trump, i cili ndodhej në Japoni, ndalesa e parë në udhëtimin e tij në pesë vende të Azisë, shprehu ngushëllime.
“Ne bashkojmë duart, bashkojmë krahët dhe, përmes lotëve dhe trishtimit, qëndrojmë të fortë, shumë të fortë!” tha zoti Trump.
Në Teksas, pjesetarët e komunitetit thonë se nuk heqin dorë nga besimi, ndërsa luftojnë me humbjen e rëndë.
“Është diçka mjaft e rëndë për ne dhe për komunitetin tonë, por Zoti ende është në kontroll”, thotë pastori Paul Buford.

Arabia Saudite akuzon Iranin për “agresion”

Princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, akuzoi Iranin për akt të “agresionit të drejtpërdrejtë ushtarak”, duke furnizuar me raketa rebelët Huthi në Jemen.
“Një gjë e tillë mund të konsiderohet akt i luftës”, i tha princi sekretarit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, në një bisedë telefonike.
Të shtunën, Riadi ka qenë shënjestër e një rakete balistike, por ajo është penguar përpara se të arrinte në cak.
Mediat e lidhura me rebelët kanë thënë se, Huthit kanë hedhur raketë balistike Burakn H2 në Aeroportin Ndërkombëtar Mbreti Khaled, i cili është rreth 850 kilometra larg kufirit me Jemenin dhe rreth 35 kilometra në Verilindje të Riadit.
Arabia Saudite ka thënë se mbrojtja e saj raketore e ka kapur raketën në fluturim, porse copëza të saj kanë rënë brenda zonës së aeroportit. Nuk është raportuar për viktima.
Irani mohon armatosjen e rebelëve Huthi, të cilët luftojnë një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite. Koalicioni mbështet Qeverinë e Jemenit, përballë rebelëve.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka thënë të hënën se, “luftërat e agresionit” të Arabisë Saudite dhe “ngacmimet e saj rajonale” kërcënojnë Lindjen e Mesme.

Sulmohet televizioni Shamshad në Kabul

Persona të armatosur sulmuan ndërtesën e një stacioni televiziv në Kabul, duke vrarë së paku një person.
Tre sulmues hynë në ndërtesën e Televizionit Shamshad, pasi kanë shpërthyer eksplozivë, tha policia.
Një roje dhe një nga sulmuesit raportohen të vrarë, ndërsa operacioni i sigurisë është në vazhdim e sipër.
Grupi militant Shteti Islamik, përmes ueb-faqes Amaq, tha se është përgjegjës për sulmin.
Televizioni citoi një komandant të forcave speciale afgane të ketë thënë se të gjithë pjesëtarët e stafit brenda ndërtesës janë shpëtuar.

Çfarë fshihet pas mashtrimit të Ramës me 80 “agjentët e FBI”?

Krijimi i së shumëpërfolurës Byrosë Kombëtarë të Hetimit, asistencës së FBI-së për luftën kundër krimit të organizuar, duket se po del një intrigë e korridoreve bizantine të politikës shqiptare. Kryeministri Edi Rama, dhe altervocet e tij mediatike, kanë ngritur zërin se shumë shpejt organet e vettingut dhe byroja kombëtare e hetimit do të asistohen nga një numër i madh i agjentëve të FBI-së.
Ministria e Brendshme ka krijuar hapësirat e nevojshme të punës së këtyre “agjentëve” në një kohë që në ndihmë të këtyre hetuesve do të vijnë edhe strukturat e Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe baza e të Dhënave e TIMS. Gjithçka “në kuadër të transparencës me partnerët tanë amerikanë”.
Po sa e vërtetë është kjo ushëtimë lajmesh gjoja të vërteta, që po serviren si mbështetje e qeverisë amerikane për atë shqiptare në luftën kundër zyrtarëve të korruptuar. Flitet për 80 agjentë të FBI-së të vijnë në Shqipëri, a thua se çfarë rëndësie globale paska krimi i organizuar shqiptar, zyrtarët e korruptuar në cënimin e sigurisë globale.
Vetë lideri i opozitës Lulzim Basha, disa ditë më parë hodhi dyshimet se agjentët e FBI-së që do të vijnë në Shqipëri janë ish- agjentë të dalë në pension. Por çfarë e bënë këtë deklaratë të vërtetë dhe çfarë politikash ndjek SHBA për të sjellë agjentë të FBI-së në vendin tonë?
Fakti është i thjeshtë. Që Byroja Federale e Hetimeve (FBI) të operojë në një shtet të huaj për qëllime asistence, operacionaliteti, i nevojitet një autorizim dhe agjentët e ardhur në këtë shtet konsiderohen Atashe Ligjor (LEGAT). Në faqen e FBI-së, çështjet e krimit të organizuar dhe terrorizmit që lidhen me informacionin dhe aktivitetet e asistencës dhe operacionalitetin e FBI-së, mbulohen nga Legat Sofia e vendosur në Bullgari. Edhe kjo e dhënë gjendet në faqen ueb të FBI-së.
Por si ka mundësi që një mëysmje kaq e madhe e prej 80 agjentësh, të mos pasqyrohet fare në faqen e FBI-së apo qoftë edhe në komunikime me publikun të agjencive qeveritare amerikane? Bëhet fjalë për një dyndje “agjentësh” për të pastruar Shqipërinë në fund të fundit, një vend i vogël aleat me problematikë thelbësore në sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Madje numri më i madh që nuk ka përfshirë as zbarkimin në rastet kur objektivat e sulmeve terroriste kanë qenë shtetas amerikan, e jo më në një rast si Shqipëria.
Një gjë është e sigurt se të përfolurit si 80 agjentë të FBI-së, nuk janë agjentë apo nëpunës të administratës amerikane. Madje nuk ekziston asnjë marrëveshje e tillë ndërqeveritare midis dy vendeve që të mundësojë praninë e tyre në vendin tonë. E vetmja marrëveshje që ka nënshkruar ish-minsitri Tahiri, tashmë i akuzuar për narko trafik nga Prokuroria shqiptare, është “Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shkëmbimin e Informacionit mbi Verifikimin e Terrorizmit”, nënshkruar më 14.4.2016, hyrë në fuqi më 14.9.2016. Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është nxitja e shkëmbimit të informacionit për verifikimin e terrorizmit, me qëllimin e vetëm të rritjes së përpjekjeve efikase në luftën kundër terrorizmit. Dhe në këtë kuadër, Qeveria e SHBA-së ka mundësuar një sistem të komunikimit të të dhënave. Pra në asnjë rrjesht të tekstit të kësaj marrëveshje nuk ka asnjë angazhim të palëve për asistencë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo pranisë së FBI-së në vendin tonë.
Ndërkohë vetë Kryeministri Rama ka deklaruar se “Do të vijë një agjent prestigjioz i FBI. Mbërrin dhe një agjent tjetër për të mbështetur policinë kundër krimit të organizuar. Po diskutojmë me një kompani hetimesh që drejtohet nga ish-agjentë të FBI-së dhe do të vijnë këtu. Do sjellin eksperiencë që ne nuk e kemi, fuqi motivuese, por do sjellin dhe instrumentet e tyre operacionale për vetingun në Policinë e Shtetit. Nuk do ketë drejtues policie që nuk do të kalojë testin. Ka dhe një instrument për sinqeritetin, poligrafi. Të gjitha këto do të jenë këtu”.

Paga e një agjenti të FBI 200 mijë USD në vit, kush i paguan?

Ndërkohë nga mënyra se si operon qeveria e SHBA-së kosto e përfaërt e një agjenti shkon në minimalisht 200,000 USD në vit, në një kohë që për këtë kosto nuk ka asnjë angazhim kontraktual nga qeveria e SHBA-së apo madje as edhe ndonjë politikë udhëzuese për sjelljen e agjentëve.
Por sikur kjo shumë të shumëfishohet me 80 që është numri i përfolur i agjentëve, shkon në një shumë që tejkalon buxhetin e gjithë institucionit që angazhohet çdo ditë në luftën kundër krimit, në rreth 16 milionë USD. Nga ana tjetër vetë kryeministri pohon se do të kontraktojë një kompani me ish-agjentë të FBI-së, por në rastin se kjo kompani që do të sjellë ekspertizën më të mirë, nga kush do të paguhet?