Shqipëria ka peshën më të lartë të të vetëpunësuarve në Europë, me rreth 35% të totalit të punonjësve, teksa pas saj është Greqia, me rreth 30%. Por gjithashtu vendi ynë ka përqindjen më të lartë në këtë kategori, që deklarojnë se vetëpunësohen, pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër për punë.
Një studim i ndërmarrë nga Bashkimi Europian për punësimin dhe perspektivat e tij në Europë ka gjetur se 63% e të anketuarve kanë deklaruar se e bëjnë këtë zgjedhje, pasi nuk kanë alternativë tjetër. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Europën, teksa pas nesh është Serbia, me 53% të totalit. Nivel të lartë të vetëpunësimit “nga halli” kanë dhe shtetet e tjera të rajonit, si Mali i Zi e Maqedonia (shih grafikun).
Arsyet janë krejt të ndryshme në vendet e zhvilluara, ku vetëpunësimi tashmë është një zgjedhje personale.
Për shembull, në Suedi 86 për qind e të vetëpunësuarvë kanë zgjedhur të jenë të tillë për shkak të komoditetit dhe të ardhurave që sjell ushtrimi i një profesioni në gjendje të lirë. “Freelance” është një kategori shumë e përhapur në këto vende.
Por, duke parë arsyet pse njerëzit vetëpunësohen, shihet se grafiku nis e zhbalancohet tek vendet më pak të zhvilluara të Europës dhe ato në zhvillim.
Për shembull në Turqi dhe në Rumani vjen e rritet numri i personave që vetëpunësohen se nuk shohin alternativa të tjera punësimi. Por në mesin e 36 vendeve europiane, Shqipëria renditet e para për numrin e lartë të personave që vetëpunësohen nga mungesa e mundësive për të punuar me rrogë.
Në Shqipëri, numërohen sipas të dhënave nga tatimet 80 mijë biznese të vogla që nuk janë të përfshira në pagesën e TVSH-së. Pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve përfaqësohet nga të vetëpunësuarit kryesisht në sektorin e tregtisë dhe në atë të shërbimeve. Kjo kategori zë rreth 76 për qind të totalit të bizneseve në regjistrin aktiv të ndërmarrjeve. Prandaj, Shqipëria është kaq e pazakontë në njësitë e shitjes me pakicë ku dyqanet e veshjeve apo ato të ushqimeve dominojnë në të gjitha rrugët dhe lagjet e qendrave urbane.
Ndërsa sipas të dhënave të INSTAT, statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri për vitin 2015, shprehin se, 99,9% të ndërmarrjeve aktive e zë kjo kategori. Sektori i tregtisë mbizotëron në numrin e ndërmarrjeve aktive me 43,1%, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 19,3%.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri angazhojnë 81,3% të totalit të të punësuarve. Tre janë sektorët që punësojnë mbi 50% të të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; sektori i tregtisë mbizotëron me 24,5%, i ndjekur nga sektorët e shërbimeve të tjera me 16,0% dhe sektori i industrisë përpunuese me 14,2%.
Mirëpo, sektori më i madh i punësimit në vend rrezikon të shkojë në kolaps për shkak të zhvillimeve në tregjet e pakicës. Hapja me shpejtësi i qendrave tregtare vitet e fundit dhe supermarketeve nga njëra anë dhe nga rënia e konsumit prej krizës ekonomike të vitit 2008 nga ana tjetër e ka vënë biznesin e vetëpunësimit në vështirësi. Tre vitet e fundit bizneset e vogla po kalojnë me shpejtësi në regjistrin pasiv të biznesit. Që nga maji i vitit të kaluar, kur lista e bizneseve pasive u publikua për herë të parë 18 mijë biznese kanë pushuar aktivitetin. Numri total i bizneseve pasive arriti në 109,099 biznese sipas përditësimit të muajit të kaluar. Përllogaritjet tregojnë se, çdo muaj kanë kaluar së paku 1200 biznese në regjistrin pasiv. Mbi 95 për qind në regjistrin pasiv janë mikronjësi. Por, nëse qeveria jetëson në janar të vitit që vjen një nismë për përfshirjen e tyre në pagesën e TVSH-së, do të jetë goditja më fatale për të vetëpunësuarit.
63% e shqiptarëve: Asnjë mundësi punësimi
Prodhuesit shqiptarë: Qeveria të përmirësojë klimën e biznesit
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në një takim me ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, kanë diskutuar rreth përmirësimit të klimës së biznesit, si dhe fokus të bisedës ka qenë edhe ulja e informalitetit.
Kërkesat e parashtruara ministres Sonila Qato, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, në kuadër të përmirësimit të sektorëve të ndryshëm të prodhimit vendas ishin:
– Përmirësimi i klimës së biznesit nëpërmjet përforcimit të mekanizmave të dialogut publik-privat duke kërkuar përfshirjen e këtij organizmi në grupe pune, tryeza teknike, komitetet dhe këshillat që do të marrin në shqyrtim ekonominë dhe çështjet e sipërmarrjes prodhuese. Si një masë paraprake u kërkua ndërhyrja në Ligjin për Konsultim Publik, duke kërkuar vendosjen e penaliteteve për nëpunësit ose zyrtarët publik, të cilët nuk e respektojnë këtë Ligj.
– Ulja e informalitetit nëpërmjet shtrirjes së inspektimeve edhe te subjektet informale. Mbështetja e futjes së skemës së TVSh-së dhe në tregun e shitjes në pakicë. Rishikimi i legjislacionit për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, duke formalizuar dhe përsosur më tej strukturën organizative, në nivel lokal dhe kombëtar. Hartimi dhe implementimi i regjistrit elektronik të fermës, kartës elektronike të fermerit, si dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Agrobiznesit.
– Rritja e standardizimit dhe konkurrueshmërisë si faktor kyç për Sfidën Evropiane dhe atë Ballkanike. Analizë të situatës aktuale të ekonomisë në krahasim me rajonin dhe për të parë avantazhet krahasuese. Propozim për ngritjen e një grupi pune me ekspertë nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe me përfaqësues nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, ku të diskutojnë dhe të japin zgjidhje problematikave të hasura nga sipërmarrësit prodhues vendas në sektorë të ndryshëm. Nxitja e eksporteve me vlerë të shtuar, rishikimi i tarifave për shërbimet portuale etj.
Më shumë se gjysma e shqiptarëve jep ryshfet në sektorin shëndetësor
Më shumë se gjysma e shqiptarëve jep ryshfet në sektorin shëndetësor, thotë “Barometri i Ballkanit 2017”, një raport i përvitshëm që publikohet në formën e anketës. Kjo anketë tregon se 54% e të pyeturve deklarojnë se, gjatë 12 muajve të fundit kanë dhënë ose personalisht, ose njohin familjarë të tyre të afërt që kanë dhënë para nën dorë në shëndetësi. Ashtu siç duket mjaft qartë nga ky grafik, Shqipëria nuk ka të krahasuar me asnjë vend tjetër në rajon në këtë drejtim. Shëndetësia përfaqësohet në grafik nga ngjyra portokalli e fortë. Për të ilustruar diferencën me fqinjët mjafton të themi që në vend të dytë për korrupsionin në shëndetësi është Maqedonia, me vetëm 9% të qytetarëve që deklarojnë se kanë dhënë ryshfet. Në vend të dytë në vendin tonë për prevalencën e ryshfetit është gjyqësori, me thuajse një në pesë persona që deklarojnë se, kanë dhënë para nën dorë gjatë 12 muajve të fundit. Edhe në këtë drejtim nuk na afrohet asnjë vend tjetër i rajonit. Më pas ndjek arsimi, policia, tatimet, dhe shërbimet e tjera që lidhen kryesisht me pronën. Në asnjë nga 7 drejtimet ku shkon paraja nën dorë, ndonjë prej vendeve të tjera të rajonit është më keq se Shqipëria. Në të 7-ta këto drejtime, shqiptarët janë ata që paguajnë më shumë ryshfet. Ky përfundim thuhet edhe mes rreshtave në raport. Situata ndërkohë ndryshon ndjeshëm, kur shqiptarët pyeten se ku besojnë ata se korrupsioni është më i përhapur. 90% e të anketuarve i thonë po gjyqësorit, 89% partive politike dhe 87% administratës doganore.
FMN kundër vendosjes së TVSH-së tek biznesi i vogël
Që në fillim të vitit 2014, Ministria e Financave në kohën kur drejtohej nga Shkëlqim Cani, ka pasur në plan që të fuste në skemën e TVSH-së të gjithë biznesin, si rrjedhojë e presionit nga subjektet e mëdha. Këto të fundit gjithnjë e kanë kërkuar këtë masë, si një mjet për të nxitur faturimin në të gjithë zinxhirin e tregtimit dhe shërbimeve. Ky ishte një plan për t’u zbatuar, që në vitin 2015, si një masë për të luftuar informalitetin, teksa sipërmarrjet me xhiro 5 dhe 8 milionë lekë nuk pranonin faturë kur ofrohej ky prag, ndërsa të mëdhenjtë autofaturonin biznesin e tyre, duke krijuar TVSH kaskadë.
Por, ekspertë që kanë punuar në atë kohë pohojnë se Ministria u tërhoq, për shkak të kostove të larta të administrimit fiskal që do të rezultonin nga futja e menjëhershme në skemën e TVSH-së së mbi 80 mijë bizneseve (sa është aktualisht numri i subjekteve që nuk janë në skemën e TVSH-së, sipas tatimeve). Një tjetër problem ishte dhe kosto e shtuar për mbajtjen e kontabilitetit për këto biznese.
Kjo lëvizje, thonë ekspertët, nuk gjeti as mbështetjen e FMN-së, që është e mendimit se nuk është eficiente ulja e pragut, pasi kjo rrit kostot administrative dhe sjell shumë pak të ardhura shtesë në buxhet. FMN është pro rikthimit të tatimit fiks mbi biznesin, që u hoq në fillim të vitit 2015, por nuk e ka mbështetur shtrirjen e TVSH-së tek biznesi i vogël.
Edhe më parë ka pasur përpjekje për të azhornuar një nismë të tillë. Sherefedin Shehu, që ka qenë zëvendës/ministër Financash në kohën e qeverisjes të së djathtës pohoi për “Monitor” se, kapacitetet administrative dhe teknike nuk e kanë mundësuar aplikimin e TVSH në nivelin zero.
Ekspertët: Shtrirja e TVSH-së ka më shumë kosto sesa sjell të ardhura
Kasem Seferi, me një përvojë të gjatë në sistemin tatimor, është i mendimit se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së vetëm sa do ta ngarkojë sistemin me kosto të panevojshme, ndërsa nuk do i japë zgjidhje problemit të informalitetit dhe as do të ketë efekt në shtimin e të ardhurave në buxhet. Kjo lëvizje, thotë ai, i heq biznesit kohën e punës, rrit çmimet, ul fuqinë blerëse, teksa shoqëria harxhon më shumë kohë për inproduktivitet sesa për produktivitet, në një vend me popullsi të varfër.
Seferi pohoi se, kur u zbatua për herë të parë TVSH në vitin 1996, kufiri ishte 2 milionë lekë. Më pas, ky kufi i rrit në 5 milionë lekë e më pas në 8 milionë lekë, për të zbritur sërish para pak vitesh në 5 milionë lekë. Kur kufiri ishte 5 milionë lekë (për herë të parë), tregon ai, FMN hartoi një studim, ku rezultoi se Administrata Tatimore shpenzonte më shumë para, duke u marrë me biznesin e vogël, sesa arkëtonte të ardhura.
Administrata Tatimore ka vetëm 1600 punonjës, që nuk do të arrijnë të kontrollojnë 80 mijë biznese, pohon ai.
Seferi sjell në vëmendje piramidën e të ardhurave, sipas të cilës 1% e tatimpaguesve sjellin rreth 65% të të ardhurave, ndërsa biznesi i vogël nuk sjell më shumë se 10% të të ardhurave.
Seferi pohon se, nuk ka nevojë të futet në skemën e TVSH-së, pasi biznesi i vogël mund të kontrollohet, duke i kërkuar atij faturat e blerjes. Ai rekomandon që evazioni të luftohet me stimuj dhe jo me masa që dëmtojnë një nga segmentet më të rëndësishme në ekonomi përsa i përket punësimit.
Shqipëria, të ardhurat më të ulëta në rajon nga TVSH
Të ardhurat nga TVSH në fund të vitit 2016 ishin 8.7% e PBB-së në fund të vitit 2016. Ky është niveli më i ulët në rajon, ku Maqedonia ka rendimentin më të mirë, në rreth 14% të PBB-së, ndërsa mesatarja është në 11-12%. Viti më i mirë ka qenë 2008, ku buxheti arkëtoi deri në 10% të PBB-së dhe më pas, me ngadalësimin e rritjes ekonomike, të njëjtën linjë ndoqi dhe TVSH-ja, që është tregues direkt i konsumit në ekonomi.
“Monitor
S’përballojmë faturat, as ngrohjen e pushimet
Barometri i Ballkanit, i publikuar ditën e djeshme nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka anketuar publikun në 6 vende të Ballkanit (Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja, Kroacia, Maqedonia) edhe lidhur me situatën e tyre të jetesës dhe përballueshmërinë e nevojave të përditshme.
Nga anketimi rezulton, siç theksohet edhe në raport, se nga pesë pyetje të bëra lidhur me përballueshmërinë e nevojave të përditshme, Shqipëra rezulton me një përqindje të lartë të atyre që shprehen se nuk janë në gjendje të përballojnë të gjitha elementët që përfshihen në pyetje. Në Shqipëri rreth 39% e familjarëve nuk ishin në gjendje të paguanin faturat e dritave, ujit, dhe të paktën 43% nuk ishin në gjendje të mbanin shtëpinë e tyre mjaftueshëm të ngrohtë, përqindje këto shumë më të larta sesa vendet e tjera (shih grafikun).
30% deklaruan se nuk ishin në gjendje të paguanin këstet e huasë, edhe kjo përqindja më e lartë në rajon.
30% e familjarëve deklaruan se nuk ishin në gjendje të përballojë blerjen e ushqimeve, veshjeve dhe furnizimeve të tjera bazë. Shteti i dytë pas Shqipërisë me përqindjen më të lartë të këtij treguesi është Serbia me 19%, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit përgjithësisht shprehen se arrijnë të përballojnë blerjen e ushqimeve dhe veshjeve.
Shqipëria ka dhe përqindjen më të lartë të atyre që thonë se nuk janë në gjendje të përballojnë të paktën një javë pushime larg shtëpisë (në rast se do të donin), me 70% të të anketuarve. Kjo përqindje është shumë më e lartë se mesatarja rajonale, ku pas nesh renditet Serbia, me rreth 50%.
Është interesante që Bosnja dhe Kosova, që kanë të ardhura për frymë të ngjashme me Shqipërinë, duke u renditur ndër më të fundit në Europë, nuk japin përgjigje kaq negative kur vjen puna te pyetja që lidhet me sigurimin e nevojave elementare.
Në një tjetër pyetje të sondazhit, 25% e të anketuarve shqiptarë shprehen se nuk e kanë të sigurt që do ta ruajnë vendin e punës në 12 muajt e ardhshme, sërish përqindja më e lartë në rajon. 53% e të anketuarve shqiptarë janë përgjigjur se një i njohuri i tyre ka humbur vendin e punës në 3 vitet e fundit.
Pyetjes se sa njerëz në familjen tuaj që janë në gjendje të punojnë janë të papunë, 70% e të anketuarve shqiptarë i janë përgjigjur të paktën një ose më shumë, përqindja e dytë më e lartë në rajon pas Kosovës. 86% e shqiptarëve mendojnë se, diferenca mes të pasurve dhe të varfërve po rritet në ekonomi. Në këtë pyetje rekordin e mban Kroacia, me 94%. Shqiptarët renditen nga fundi edhe kur pyeten se sa të kënaqur janë me situatën e tyre financiare, ku sërish 53% thonë se janë të pakënaqur (tërësisht ose kryesisht), përqindja më e lartë nga gjithë Ballkani. Edhe në lidhje me situatën ekonomike, sërish ka një nivel të lartë pakënaqësie, me 67% të të anketuarve që janë të pakënaqur (kryesisht ose tërësisht), duke lënë pas Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjën. Shtetasit më të kënaqur me ekonominë e tyre janë malazezët. Problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët janë papunësia (59%), situata ekonomike (47%) dhe korrupsioni (38%). Ndërsa besimi i publikut është pak mbi mesataren e rajonit, ndryshe është situata për bizneset. Në indeksin tjetër të besimit të biznesit, të publikuar po nga RCC, në total Shqipëria është vlerësuar me 56 pikë, më e ulëta së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi (nga 62 që është mesatarja rajonale). Edhe ky indeks përbëhet nga situata aktuale dhe pritshmëritë. Sa i takon vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria ka 49 pikë, më e ulëta në rajon, nga 57 pikë që është mesatarja rajonale. 40% e bizneseve të anketuar mendojnë se situata është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit, përqindja më e lartë pas Bosnjës (45%). Vetëm 27% presin që numri i të punësuarve në kompanitë e tyre të rritet gjatë 12 muajve në vijim, sërish më i ulëti në rajon. 31% e bizneseve shqiptare u përgjigjën se situata e tyre është përkeqësuar 12 muajt e fundit (nga 17% që është mesatarja rajonale)) dhe 33% thanë që është përmirësuar (40% mesatarja rajonale).
Çfarë sjell largimi i Schäuble nga Eurogrupi
Pas tetë vjetësh në Eurogrup po largohet një ujk i sprovuar në luftë, ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble. Por, në BE ata që duan të marrin më shumë borxhe janë gëzuar para kohe, mendon Bernd Riegert.
A ju kujtohet mësuesi i vjetër i latinishtes, që ua merrte frymën me teste për fjalët latine dhe me komentet e tij të shkurtra? Sa i madh qe lehtësimi kur shpëtoje nga mësuesi i latinishtes ose kur ai dilte në pension. Por kur e hedh vështrimin pas, në takimet me shokët e klasës, të kujtohet pak me mall plaku pa humor, por që me disiplinën e tij të hekurt kishte vendosur gurin bazë për sukseset e tua të mëvonshme në jetë. Një tip i tillë është Wolfgang Schäuble.
Kursimet çuan në synimin e duhur
Ministri gjerman i Financave nguli këmbë për tetë vite me radhë në Eurogrup për t’u treguar të disiplinuar në shpenzime, për të pakësuar borxhet dhe për t’ju qendruar besnikë rregullave. Ai ua “ngrinte nervat” kolegëve, siç pohonte ai vetë. Por në fund, edhe vetë delegatë grekë pranojnë që Schäuble, herë me më pak e herë me më shumë presion dhe kokëfortësi, imponoi atë që duhet. Vendet e Eurozonës u penguan që të mos fundosen, me ombrella shpëtimi që nuk kishin ekzistuar kurrë më parë. Ato u shtrënguan që të ndërmarrin reforma, të cilat vetë nuk do t’i kishin ndërmarrë kurrë. Në plan afatgjatë, nga kjo përfituan të gjithë. Vetëm në Greqi punët zgjasin më shumë, sepse kriza është tepër e thellë, qeveritë tepër të paafta dhe rezistenca kundër disiplinës së nevojshme qe tepër e madhe.
Me mënyrën e tij nganjëherë të ashpër dhe mendjemadhe, Wolfgang Schäuble e mbajti të bashkuar Eurozonën. Ai pengoi që Eurozona të shndërrohej krejtësisht në një bashkësi që mban përgjegjësi për të tjerët. Këtë ai nuk e bëri vetëm. Edhe Holanda, Finlanda, Shtetet Baltike, Sllovakia, Austria dhe shpesh edhe Franca e Italia e mbështetën në mënyrë aktive politikën e shpëtimit. Politika e rreptë e kursimeve nuk është shpikje e Schäubles, ulja e shpenzimeve shtetërore ishte e pashmangshme, për ta shmangur kolapsin.
Meritat e Schäuble-s
Në vështrim të parë mund të jetë e saktë, që disa ministra financash nga shtetet jugore të BE tani marrin frymë të lehtësuar që mësuesi i latinishtes po largohet. Por më pas do të shihet, që mënyra e Schäubles për të imponuar politikën, ka ndihmuar shumë vetë. Ai nuk kishte frikë nga rreziku, kur arriti që me kërcënimin se do ta nxirrte nga Eurozona, ta sillte në vete qeverinë greke që po vraponte në amok. Ajo që mendonin të tjerët për të, pllakatat që pikturonin për të, nuk kishte rëndësi për Schäublen. Ai kishte rregullat dhe parimet e tij.
Schäuble e çoi përpara në mënyrë të konsiderueshme luftën kundër parajsave fiskale dhe u angazhua për një bashkim bankar me kuptim, i cili rreziqet e njërit nuk i kthen në rreziqe të të gjithëve. Krejt në fund, ai paralajmëroi që kriza e financave, eurokriza nuk është kapërcyer: ne ndodhemi në mes të punimeve të pastrimit dhe nuk na lejohet që ta ulim tani ritmin, ky është mesazhi i tij. Ndalimi i borxheve të reja, zeroja pozitive, ky është amaneti i tij, një shtet, i cili nuk thyhet në mes nga barra e borxheve, është politika më e zgjuar ekonomike.
Mendja e tij karakteristike ndoshta do të mungojë, por vendimtare tani do të jetë politika që do të imponojë në Bruksel qeveria e re gjermane. Edhe pa Schäublen, ajo nuk do të ecë në mënyrë dramatike në drejtim të shtimit të shpenzimeve. Eurogrupi do ta mbijetojë edhe pa Schäuble-n krizën e ardhshme. Por dikush nga të pranishmit në një rast të tillë mund të pyesë: Çfarë vendimi do të kishte marrë në këtë rast burri i vjetër me përvojën e tij të pasur?
Bashkëjetesa CDU-CSU në Gjermani
Matje politike forcash midis Angela Merkelit (CDU) dhe Horst Seehofer (CSU). Në fund, të dy e gjejnë daljen e emergjencës, mendon Volker Wagener. Si arrin ujku të ngopet, pa e prekur delen? – Fare thjesht: me anë të politikës! Ujku bavarez Horst Seehofer, i kthyer në mënyrë asgjësuese në kuota normale mbështetjeje nga zgjedhësit, që i hoqën 10 për qind në zgjedhjet e fundit, arriti me të vërtetë që ta sigurojë prenë e tij. “Kufiri i sipërm”, fjala e ndaluar për limitin vjetor për refugjatët, tani është gjë e vendosur për unionistët. Dakord, tani nuk quhet më kështu. Për këtë do të flasim pak më vonë.
CSU nuk dëshiron askënd djathtas vetes
Ja që kështu janë punët pas zgjedhjeve: gjithçka ripërshtatet. CSU humbi vendçe në zgjedhjet parlamentare, megjithatë është në gjendje të shtrojë kërkesa. Jo vetëm, sepse Merkelit i duhet patjetër motërza e vogël nga Gjermania Juglindore. Jo, por edhe sepse e ka humbur fuqinë një thënie e moçme me autoritet e CSU-së. Që djathtas CSU-së duhet të jetë vetëm muri – e parë politikisht dhe ideologjikisht. Franz Josef Strauß, dikur ikona e kristiansocialëve në Republikën e vjetër Federale Gjermane e kishte gdhendur dikur në gur këtë parullë. Por që prej 24 shtatorit të këtij viti, AfD-ja e zhvendosi murin. Ajo tani ndodhet djathtas CSU-së. Këtë do dhe duhet ta korrigjojë Seehoferi.
Dakordimi i unionistëve në Berlin, jo vetëm që të përmendet, por të fiksohet edhe në procesverbal koncepti i diskutueshëm për pranimin e refugjatëve, është një shembull klasik për atë se sa pragmatike mund të jetë politika, kur personat që veprojnë e kanë me plotë kuptimin e fjalës thikën në fyt.
Kufiri i sipërm dhe Kushtetuta
Nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese, kjo me kufirin e sipërm nuk vete fare. E drejta për azil nuk njeh kufi të sipërm, këtë Merkeli e ka përsëritur pa pushim dhe e ka mbajtur si një monstrancë para vetes. Pra duhet të gjendej një zgjidhje në përkufizim. Kufiri i sipërm tani nuk vlen vetëm për azilkërkuesit. Në një miksturë migrimi, refugjatësh dhe imigrimi personash të kualifikuar tani duhet të përmblidhet, ajo që më parë quhej krejt ftohtë “kufi i sipërm”.
Po kjo nuk ka rëndësi, me këtë Horst Seehoferi mund të jetojë. Për të ka rëndësi përmbajtja materiale e asaj për të cilën u ra dakord, dhe ai e quan rezultatin një “libër kursi” për politikën ndaj refugjatëve të viteve të ardhshme.
Pas kësaj dy gjëra dihen me siguri: nga njëra anë, partitë unioniste mund të shfaqen siç e sugjeron edhe emri i tyre. Pikërisht si parti të motrave që janë dakord. Dhe: CSU-ja mund t’i vihet menjëherë punës për të mbledhur gjithçka që ndodhet djathtas saj dhe “ka legjitimitet demokratik”. Në Bavari, vitin e ardhshëm janë zgjedhjet për Parlamentin e Landit. CSU-ja do ta rikuperojë njollën e turpit në zgjedhje, ku mori rreth 38 për qind dhe t’ia marrë “zgjedhësit që janë ngatërruar” së ardhurës rishtas, AfD-së.
Municion për zgjedhjet e landit
Angela Merkelit iu desh të gëlltitet për herë të parë, në rrugën për të ngritur të vetmin koalicion qeveritar të mundshëm, aleancën me FDP dhe të Gjelbrit. Po si u arrit që Angela Merkel të mbetet pa u prekur dhe që Horst Seehoferi të ngopet? Kancelarja qe në gjendje që ta shmangte konceptin e “kufirit të sipërm”, por pranoi një shifër. Më shumë se 200.000 refugjatë, azilkërkues ose imigrantë në vit nuk duhet të ketë. Kjo i duhej bavarezit. Ai ka zgjedhje para vetes, të cilat Merkeli sapo i la pas. Seehoferi mund t’i deklarojë CSU-së se arriti ta marrë me luftë kufirin e sipërm. Dhe Merkeli mund të pohojë edhe më tej: e drejta për azil nuk njeh kufi të sipërm.
Kaliforni, dhjetë të vdekur nga zjarret
Nga zjarret në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara e kanë humbur jetën dhjetë vetë.
Të ndihmuara nga erërat e fuqishme, zjarret i kanë detyruar më se 20 mijë njerëz që të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa janë shkatërruar qindra shtëpi dhe biznese.
Guvernatori i Kalifornisë, Jerry Brown, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajonet në Karolinën Veriore, që janë të njohura për prodhimin e verës, Napa, Sonoma dhe Juba.
Zjarret dhe tymi e kanë përfshirë gjithë rajonin.
Patrulla e Autostradave në Kaliforni tha se një numër i rrugëve janë mbyllur.
Rusi: Arrestohet shefi i Fondacionit Antikorrupsion
Roman Rubanov, drejtor i Fondacionit Antikorrupsion të politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, sot është arrestuar për një kohë të shkurtër dhe është urdhëruar që pas tri ditësh të paraqitet në agjencinë e zbatimit të ligjit për t’u marrrë në pyetje.
Rubanov ka shkruar në rrjetin Twitter se ishte arrestuar nga oficerët afër ndërtesës ku banon në Moskë.
Ai tha se oficerët i kishin thënë se është arrestuar lidhur me hetimin për refuzimin e Fondacionit Antikorrupsion që t’i tërheq postimet, që ishin urdhëruar për shkak të një ankese për shpifje nga ana e pasanikut, Alisher Usmanov, që është i ndërlidhur me presidencën e Rusisë.
Në muajin maj të këtij viti, një gjykatë në Moskë ka urdhëruar Fondacionin e Navalnyt që t’i largoj publikimet, ku ishte përmendur Usmanov dhe të kërkoj falje.
Rubanov i tha faqes në Internet, Meduza, se arrestimi i tij ishte përpjekje për ta frikësuar atë dhe Navalnyn.
Objektivat e rinj të presidentit Trump
Qeveria e Presidentit të SHBA, Trump do t’i japë fund “luftës kundër qymyrit”. Me “Clean Power Plan” të paraardhësit të Trumpit, Obama, synohej të pakësohej nxjerrja e gazrave të efektit serë. Drejtori i Autoritetit të Ambjentit EPA, Scott Pruitt bëri të ditur në një takim në shtetin federal Kentucky, se do të nënshkruajë një projektligj për eliminimin e të ashtuquajturit Clean Power Plan, të qeverisë paraardhëse. “Ky është mesazhi i Presidentit: lufta kundër qymyrit mori fund”, tha Pruitt.
Plani për “energjinë e pastër” i Obamas parashikonte që nxjerrja e dioksidit të karbonit të termocentraleve deri në vitin 2030 të ulej me 32 për qind, nën nivelin e vitit 2005. Veç kësaj, lëndët e djegshme fosile do të zëvendësoheshin gjithnjë e më shumë me energji të ripërtëritshme.
Kartë e kuqe nga Gjykata e Lartë
Por Gjykata e Lartë i bllokoi këto plane në vitin 2016. Më shumë se një dyzinë shtetesh të drejtuara nga senatorë republikanë dhe shumë sipërmarrje nga sektori i energjisë i patën hedhur këto plane në gjyq, në vende të ndryshme. Pruitt, në atë kohë prokurori kryesor i Oklahomas, ishte njëri nga arkitektët e rezistencës juridike.
Alternativat? I kërkon kot
EPA argumenton se Obama i ka kaluar me planin në fjalë kompetencat e tij. Një propozim, si mund të kufizohen në të ardhmen emisionet, me sa duket autoriteti i ambientit nuk ka në plan të paraqesë. Këtë Supreme Court e paraqiti si kusht në vendimin e tij të vitit 2016. Në vend të kësaj, në bazë të një projekti, EPA ka në plan të mbledhë propozime nga ekonomia dhe shoqëria, për mënyrën si mund të zëvendësohet ky plan.
Largim nga strategjia e klimës e Obamas
Trumpi i dha detyrë në mars Autoritetit të Ambjentit, që ta verifikojë strategjinë për klimën të Obamas. Trumpi dhe shumë republikanë dyshojnë që sjellja njerëzore ndikon në ndryshimin e klimës. Në qershor, Trumpi shpalli se do të largohet edhe nga Marrëveshja e Parisit për Mbrojtjen e Klimës.
Strategjia e emigracionit
Presidenti Donald Trump e bëri të qartë se do të këmbëngulë për ndryshimin e sistemit të lejeve të përhershme të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, të ashtuquajturat karta jeshile, do të punësojë 10 mijë zyrtarë të rinj të emigracionit, si dhe do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit jugor të vendit. Ai i parashtroi këto si kushte për arritjen e një marrëveshjeje me demokratët për statusin e të ashtuquajturve “ëndërrimtarët”, personat që kanë ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.
Muajin e kaluar, Presidenti Trump njoftoi se synon t’i japë fund programit DACA të periudhës së ish-Presidentit Obama që mbron qindra mijëra të rinj që u sollën ilegalisht në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë.
Kërkesa e Presidentit për ndërtimin e një muri kufitar ishte ndër pjesët kyçe të suksesit të fushatës së tij për në Shtëpinë e Bardhë dhe ai e përsëriti këtë kërkesë muajin e kaluar kur mohoi se pati arritur një marrëveshje me udhëheqësit demokratë për këtë çështje.
“Po punojmë për një plan për programin DACA, që do të shoqërohet gjithashtu me një sistem kontrolli masiv të kufijve. Njerëzit duan që kjo të ndodhë. Kemi 800 mijë të rinj që janë sjellë këtu, jo për fajin e tyre, kështu që do të punojmë për një zgjidhje”, deklaroi Presidenti Trump.
Objektivat e Presidentit Trump për politikat e emigracionit synojnë edhe kufizimin e dhënies së kartave jeshile të afërmve të shtetasve amerikanë dhe atyre me qëndrim të përhershëm, si dhe për krijimin e një sistemi pikësh.
Por, demokratët kundërshtojnë me forcë shumë prej këtyre objektivave.
Gjatë një deklarate të përbashkët, udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe ai në Senat, Chuck Schumer thanë se këto kërkesa “shkojnë shumë përtej të arsyeshmes”.
Por, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions nuk është dakort. Në një deklaratë të fortë të qarkulluar dje, zoti Sessions tha se kërkesat e Presidentit Trump “janë propozime të arsyeshme” dhe se “ato do të rezultojnë në një sistem emigracioni me integritet, për të cilin do të krenohemi”.
Presidenti Trump i ka dhënë Kongresit gjashtë muaj kohë për të hartuar një projektligj që do t’i mbronte “ëndërrimtarët” nga deportimi.