39.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Pse po kërkohet anulimi i koncesionit të lojërave të fatit?

Koncesioni i lojërave të fatit duket se është kthyer në problem për Ministrinë e Financave. Në harkun e pak muajve, për këtë çështje janë regjistruar dy padi në gjykata të ndryshme, që kërkojnë anulimin e koncesionit, edhe pse palët e interesit që kanë ngritur këto padi janë komplet të kundërta.
Në fund të muajit tetor, në Gjykatën Administrative të Apelit është regjistruar një çështje, ku paditës është Bashkimi i Shoqërive Qualysoft GmbH, Comtrade d.o.o, Startsat-Albanian sh.p.k. dhe Communication Progress sh.p.k. E paditur rezulton Ministria e Financave dhe palë e tretë, Bashkimi i Shoqërive Admiral Sportwetten GMBH, ATSI Spolka Akcyjna dhe MC Networking sh.p.k., Avokatura e Shtetit.
Konkretisht kompania që ka dorëzuar çështjen kërkon shfuqizimin e Njoftimit të Autoritetit Përgjegjës, Ministrisë së Financave, për klasifikimin në vendin e dytë të ofertës së Bashkimit të Shoqërive Qualysoft GmbH, Contrate d.o.o, Strarsat – Albania sh.p.k. dhe Communication Progress sh.p.k, përfaqësuar nga Qualysoft GmbH.
Po kështu, kërkohet që të shfuqizohet edhe vendimi që njofton kompaninë e renditur si e para për këtë procedurë. Në kërkesën e radhës sanksionohet që kontrata të lidhet pikërisht me operatorin e skualifikuar. “Lidhjen e Kontratës për ndërtimin e Sistemit Qendror të Monitorimit Online (SQMO) të lojërave të fatit me Bashkimin e Shoqërive Qualysoft GmbH, Comtrade d.o.o., Strarsat – Albania sh.p.k. dhe Communication Progress sh.p.k, përfaqësuar nga Qualysoft GmbH”.

Përplasje, edhe te Kushtetuesja

Në muajt e parë të këtij viti, Ministria e Financave do të shpallte kompaninë fituese që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit Online të lojërave të fatit. Por që nga ajo kohë e deri më tani, duket se numri i atyre që kundërshtojnë këtë vendim ka ardhur në rritje.
Në datë 6 qershor 2017, në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar një kërkesë nga Shoqata e Shoqërive që Operojnë në Fushën e Lotove dhe Basteve Sportive. Në objekt të kërkesës qëndrojnë tri pika që në linja të përgjithshme japin qartë kundërshtimin e vendimit të qeverisë, që industria e lojërave të fatit të paguajë tarifë shtesë që do shkojnë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit.

Por cilat janë tri pikat që përmblidhen në objekt të çështjes:

1) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 48, pika 2 shprehja “si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” të nenit 70 pika 12 shprehja “tarifa e mirëmbajtjes së tij që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara e Ligjit nr.155, datë 21.12.2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.
2) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të fjalisë së fundit të pikës 1 të dispozitave të përgjithshme, të pikës 2 dhe 3, të kreut IV të mirëmbajtjes së sistemit të vendimit Nr. 647, datë 14.09.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës dhe kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit Online (SQMO) si dhe autoritetin përzgjedhës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”.
3) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e pikës 1, të vendimit Nr. 331 të Këshillit të Ministrave, datë 12.04.2017 “Për miratimin e tarifës së mirëmbajtjes së sistemit qendror të monitorimit online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”, në lidhje me tarifat e mirëmbajtjes për kategorinë e basteve sportive.
Seanca në këtë Gjykatë ishte parashikuar në 19 shtator, por ende nuk është marrë një vendim.

Agolli: Tërheqjen nuk e kam menduar

Lënia jashtë e kapitenit të kombëtares shqiptare Ansi Agolli nga trajneri Christian Panucci për miqësoren ndaj Turqisë bëri jo pak bujë në media. Për të sqaruar situatën ka menduar vetë mbrojtësi i Qarabagut dhe kapiteni i kuqezinjve, i cili i ftuar në emisionin “Zona Gol” në Supersport ka shuar çdo polemikë.
“Panucci më telefonoi dhe më shprehu besimin e tij. Për të unë vazhdoj të jem pjesë shumë e rëndësishme e kombëtares. Trajneri ka një projekt afatgjatë te Shqipëria dhe kërkon të provojë sa më shumë lojtarë, kjo është arsyeja kryesore që unë nuk jam pjesë e këtij grumbullimi, pasi bëhet fjalë thjeshtë për një ndeshje miqësore. Tërheqja ime nga kombëtarja? Këtë nuk mund ta them, në futboll nuk mund të bësh parashikime, nuk e di edhe për sa kohë do të luaj. Unë gjithsesi ndihem i kompletuar për ato çfarë kam arritur me Shqipërinë. Jam kapiteni i kombëtares dhe kam luajtur në një kampionat europian, pasi përsa i përket trofeve, me Shqipërinë kjo gjë është e pamundur”, u shpreh Agolli.
Edhe pse është 35 vjeç te Qarabagu, Ansi Agolli po përjeton një rini të dytë. Pak ditë më parë, ai u përfshi në formacionin më të mirë të javës në Champions League. Agolli nuk e fsheh kënaqësinë, ndërsa shpreson të vazhdojë të luajë gjatë me skuadrën azere. Për momentin, kapiteni i kuqezinjve as që e mendon rikthimin në Kategorinë Superiore. “Deri tani kemi bërë paraqitje shumë të mira me skuadrën e Qarabagut në Champions League, normalisht është një kënaqësi më vete të japësh më të mirën tënde, në mënyrë që ekipi të arrijë ato objektiva që ka. Sigurisht që u ndjeva mirë që e pashë veten në formacionin e javës në Champions. Unë te Skënderbeu? Kam kontratë me Qarabagun, ndihem mirë te klubi ku jam dhe dua të qëndroj sa më gjatë aty”, tha ai.
Agolli nuk ka asnjë peng nga karriera e tij e deritanishme, ndërsa ëndërron që në të ardhmen të festojë edhe një tjetër titull kampion me Tiranën. “Nuk kam asnjë peng nga karriera ime e deritanishme. Për fat të mirë i kam arritur të gjitha ato që kam dashur dhe për të cilat kam luftuar, gjithmonë bëhet fjalë brenda mundësive. Megjithatë, kam edhe një dëshirë të fundit përpara se të var këpucët në gozhdë, të fitoj edhe një tjetër titull kampion me Tiranën, pasi ndjesitë dhe emocionet që kam përjetuar kur kam qenë pjesë e bardhebluve nuk do t’i harroj kurrë. Kam kaluar një periudhë të bukur te Tirana dhe kam ndjesi të veçanta për atë skuadër”, përfundoi Agolli.

Nuk ka paqe!

Jose Mourinho nuk deshi t’i shtrëngonte duart me Antonio Conte, pasi Manchester United u mund 1-0 nga Chelsea të dielën. Çifti ka mbajtur një marrëdhënie të vështirë, që kur Conte mbërriti në Premier League dhe temperamentet u ndezën në sezonin e kaluar, kur italiani u akuzua se si festoi gjatë një përplasjeje të humbur 4-0 nga “Djajtë e Kuq”. Të dielën, gjithashtu, Mourinho u anashkalua nga Conte në bilbilin përfundimtar, pasi trajneri i Chelsea shkoi drejt e në fushë për të përshëndetur lojtarët e tij, duke e lënë “Special One” me anëtarët e stafit të tij me “gisht në gojë”.
Trajneri i Manchester United, megjithatë, këmbënguli se nuk kishte asnjë problem mes të dyve, kur u pyet për shtrëngimin e duarve, që mungoi. “Doni që unë të shkoj dhe ta ndjek atë në mes të fushës? Unë isha atje. I shtrëngova duart me njerëzit që ishin atje, u tha portugezi gazetarëve pas ndeshjes. Unë mendoj se njëri prej tyre ishte vëllai i tij, asistenti, kështu që ndjej se duke i shtrënguar duart e vëllait dhe asistentëve të tjerë, e kam bërë detyrën time. Nuk mund të shkoj e të vrapoj për ta ndjekur Conten. Pse duhet të pres në tunel? Ai nuk duhet të presë. Nuk kam problem me të fare. Ju jeni gjithmonë të shqetësuar me këto gjëra, por nuk ka problem”.
Mourinho shtoi se, Manchester United deshi të marrë diçka larg shtëpie, në një ndeshje që u vendos përfundimisht nga goli i Alvaro Morata. “Ishte një ndeshje e madhe në mënyrë taktike, emocionale, fizike. Sigurisht që na mungonin disa lojtarë të rëndësishëm, që nuk ishin në dispozicion. Ne treguam iniciativë, kurajë dhe patëm rastin të barazojmë, gjë që do të ishte një rezultat i drejtë”.
Antonio Conte fiton sfidën me Murinho-n, ndërsa Chelsea mund Manchester United në ndeshjen e javës së 11 të kampionatit anglez. Në “Stamford Bridge”, ndeshja mes këtyre dy skuadrave u mbyll me rezultatin e ngushtë 1-0 me Chelsea, që kishte edhe mundësi të tjera për shënim, ashtu sikurse i pati edhe United në portën e Courtois.
Ai që vendosi sfidën në favorin e “Bluve” ishte një njohje e vjetër e Mourinho, Alvaro Morata, i cili e shënoi golin e fitores për kampionët e Anglisë në minutën e 55 të ndeshjes. Ai që u gëzua më shumë për fitoren e Chelsea-t ishte Pep Guardiola, trajneri i Manchester City-t, që pas fitores 3-1 me Arsenalin e ka çuar në 8 pikë diferencën me rivalët e United në vendin e dytë.
Manchester City po tregon një formë fantastike këtë sezon në Premier League, duke arritur fitore pas fitoreje, madje edhe ndaj rivalëve kryesorë. Këtë herë ishte radha e Arsenalit të dorëzohej përballë skuadrës së drejtuar nga Guardiola, e cila fitoi 3-1. De Bruyne realizoi që në minutën e 19-të, duke i dhënë një drejtim të pakthyeshëm sfidës, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Aguero i çoi shifrat në 2-0 me golin e tij të 179-të me fanellën e City-t. Lacazzete rihapi përkohësisht takimin në minutën e 69-të, pasi 5 minuta më vonë, Gabriel Jesus realizoi të tretin për ekipin e tij dhe të fundit të sfidës.

Ronaldo: Neymar iku nga Barça për të njëjtën arsye që ika unë

Ronaldo, legjenda e futbollit brazilian, ka sugjeruar se Neymar mund të jetë larguar nga Barcelona për shkak të problemeve që ka patur me bordin drejtues, siç i ka ndodhur atij në 1997-ën. “Fenomeni” ka qenë i papërmbajtshëm në sezonin e tij të vetëm me katalanasit, duke realizuar 34 gola në 37 ndeshje të luajtura në kampionat, por u transferua tek Inter, pasi negociatat për rinovimin e kontratës dështuan. Largimi i Neymar nga Barcelona ka qenë po aq i zhurmshëm, me të dy palët që kanë kërcënuar se do t’i drejtoheshin Gjykatës, teksa “O Ney” ka shkuar te PSG për një shifër rekord (222 milionë euro) gushtin e kaluar.
“Largimi i Neymar nga Barcelona ka qenë i ngjashëm me largimin tim. Unë shkova tek Inter, kur kampionati italian ishte më i fortë nga sa është ai francez tani”, ka thënë Ronaldo për “Veja”. “Nuk i di detajet dhe nuk e di se çfarë është thënë gjatë negociatave. Ndoshta, ai ka patur probleme me bordin drejtues të klubit, siç ndodhi në rastin tim. Unë do të bëja përsëri të njëjtën gjë”. Më parë është thënë se, Neymar zgjodhi të largohej nga Barcelona, sepse donte më shumë para dhe për të mos qëndruar më në hijen e Mesi-t.

Pochettino: Tottenhami, klubi më i mirë në botë

Emri i Mauricio Pochettinos ka përfunduar në listën e dëshirave të drejtuesve të Realit të Madridit, për të pasuar Zinedine Zidane-n, në stolin e skuadrës. Gjithsesi argjentinasi shprehet se është 100% i fokusuar në drejtimin e Tottenhamit, që për të është klubi më i mirë në botë. Pak orë para sfidës me Crystal Palace-n, trajneri i ‘Spurs-ave’, sqaroi se për momentin nuk e çon ndërmend largimin nga Tottenhami, për asnjë klub në botë. “Jam 100% i përqendruar në drejtimin e Tottenhamit dhe nuk kam ndërmend të largohem. Mund t’ju them me siguri se, Tottenham është klubi më i mirë në botë, ku unë ushtroj qetësisht detyrën time dhe ndjesia e emocioni që marr këtu, më lidhin akoma më shumë me këtë ambient”, tha Pochettino, duke shuar zërat që e lidhin të ardhmen e tij me klubin madrilen.

Kriza e Këlnit nuk ka fund

Kolni konfirmoi formën e dobët të këtij fillimsezoni, teksa pësoi humbjen e 9-të sezonale, këtë radhë 0-3 në shtëpi nga Hoffenheimi. Skuadra mike u tregua e pamëshirshme, teksa shënoi që në minutën e 10-të me Geiger. Megjithë përpjekjet e Kolnit për të ndryshuar rrjedhën e lojës, miqtë gjetën edhe golin e dytë me Wanger me 11-metërsh, ndërsa “vulosën” shifrat në 0-3 po me Wagner, 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Kjo disfatë e mban Kolnin në vendin e fundit në Bundesligë, ndërsa Hoffenheimi ngjitet në vendin e 5-të me 19 pikë.
6 gola u shënuan në ndeshjen mes Wolfsburgut dhe Herthës së Berlinit, por kjo sfidë nuk nxorri fitues. Ibiseviç shënoi për miqtë që në minutën e parë, por “ujqërit” realizuan dy herë në fund të pjesës së parë me Mallin dhe Gomez (ky i fundit kishte humbur një 11-metërsh). Barazoi Rekik në fillim të fraksionit të dytë, por sërish Wolfsburgu mori avantazhin me Origin. S’ishte e thënë që të kishte një fitues në “Volkswagen Arena”, pasi Hertha barazoi me Selke në minutën e 83-të.

Bonuçi: Kapitulli i Juventusit u mbyll

Duke folur për mikrofonat e “Domenica Sportiva”, pas fitores së Milanit ndaj Sassuolo, Leonardo Bonucci ka marrë pak kohë për të ndarë një shaka me drejtorin menaxhues të Juventusit, Beppe Marotta, i pranishëm në studio si mysafir. Këto janë fjalët e ish-mbrojtësit të Juventusit: “Sinqeritet maksimal në atë që ka ndodhur në shtatë vitet e kaluara së bashku, pastaj i dhashë fund një pjese të karrierës sime. Unë nuk kam asnjë problem me Juventusin, as me drejtorin. Kështu që nuk mund ta ndihmoj, por e falenderoj Juventusin, sepse në sajë të tij u bëra lojtari i admiruar. E kaluara është e mbyllur, ajo që ka qenë, ishte një pasojë normale e asaj që ndodhi, por unë nuk dua të kthehem pas. Kapitulli i Juventusit u mbyll, s’do të kthehem te motivet”.

Te Reali jam falë babit tim!

Real Madrid's Karim Benzema celebrates after scoring against Xerez during their Spanish first division match at the Santiago Bernabeu stadium in Madrid September 20, 2009. REUTERS/Paul Hanna (SPAIN SPORT SOCCER)

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka folur mbi fëmijërinë dhe babanë e tij në një intervistë për revistën “Les Inrockuptibles”. Revista franceze zbulon se si ishin fillimet e tij të ashpra dhe rolin e rëndësishëm që kishte suksesi i tij nga karakteri i rreptë i babait, i cili nuk e lejoi kurrë të heqë dorë. “Unë jam te Real Madrid prej tij, tha Karim gjatë intervistës. Unë mendoj se një foto e babait tim më përsëritet përditë në kokë. Vij nga një vend i vështirë dhe kam qenë me fat që babai im ishte gjithmonë pas meje. Deri në 18 ose 20 vjeç, nuk më është ndarë”. Ngurtësia e karakterit të babait të tij nuk e ka penguar që lojtari të mbetet i afërt me familjen: “Sot, marrëdhëniet tona janë më të qeta. Babai është personi i vetëm në familjen time, që vjen të më shikojë në Madrid, merr pjesë në trajnim, në ndeshje, është shumë i pranishëm”.
Benzema, i cili pretendon se nuk ka kujtime të mira për disa faza të fëmijërisë së tij, gjithmonë ka luajtur futboll: “Fillova të luaja shumë herët, fillimisht jetonim në një lagje, ku nuk kishte stadium. Dy pemë të mëdha u përdorën në rolin e shtyllave të portës, ku shënoja golat. Në moshën 8 vjeç u zhvendosa në Bron-Terraillon, në periferi të Lionit, ku ishte një fushë futbolli. Ajo ishte e vendosur dhjetë metra larg nga shtëpia. Unë kam qenë shumë i lumtur që të luaja aty”. Lojtari francez, i cili ka rinovuar me Real Madridin deri në vitin 2021, foli edhe për vitet e tij në Sain-Luis: “Ishte me të vërtetë diçka rigoroze, nuk kam kujtime të mira, por nuk kam pasur tjetër zgjedhje. Në moshën 15-vjeçare arrita të bashkohesha me qendrën e trajnimit të Olympique de Lyon”.

Vrasja më e rëndë masive në gjithë historinë e Teksasit

APTOPIX Church Shooting Texas

Një burrë hapi zjarr në një kishë afër San Antonios në Teksas të dielën, duke vrarë 26 besimtarë dhe duke plagosur të paktën 20 të tjerë. Viktimat janë nga pesë deri në 72 vjeç.
Sulmuesi është vrarë po ashtu dhe tani për tani nuk dihet asgjë për motivet e tij.
Agjentët federal, përfshirë ata të FBI-së tashmë janë në qytezën e vogël Sutherland Springs, rreth 50 kilometra nga San Antonio.
Presidenti Donald Trump, e cilësoi ngjarjen si një “akt të së keqes” dhe bëri thirrje për lutje. Ai urdhëroi që flamujt amerikanë në ndërtesat federale të ulen në gjysmë shtizë deri të enjten. Presidenti po e ndjek situatën nga Japonia, ndalesa e tij e parë në vizitën gati dyjavëshe në Azi.
“Nuk mund ta përshkruajmë me fjalë dhimbjen dhe pikëllimin që ndjejmë ne të gjithë dhe nuk mund të përfytyrojmë vuajtjen e atyre që humbën më të dashurit. Zemrat tona janë të thyera”, tha Presidenti Trump.
Guvernatori i Teksasit, Gregg Abbott, tha se kjo është vrasja më e rëndë masive në historinë e Teksasit. Ai tha se ka shumë “copëza të një enigme të ndërlikuar” që duhet mbledhur.
Ajo çfarë dihet tani për tani, sipas zyrtarit të sigurisë publike në Teksas, Freeman Martin, është se sulmuesi që u përshkrua si një i bardhë i ri i veshur në të zeza dhe jelek antiplumb, hapi zjarr para kishës baptiste dhe vazhdoi të qëllojë brenda saj.
Freeman tha se një banor lokal iu kundërvu sulmuesit me armën e tij, duke bërë që ai të lëshojë armën dhe të largohet me makinë. Qytetari ndoqi sulmuesin dhe më pas policia u bashkua në ndjekje. Freeman tha se i dyshuari përplasi makinën e tij në dalje të kontesë dhe u gjet i vdekur me plagë nga arma e zjarrit. Nuk është e qartë nëse ai vrau veten apo u qëllua nga qytetari.
Sherifi i kontesë Wilson, Joe Tackitt, tha se policia gjeti edhe armë të tjera në makinën e të dyshuarit.
Zëdhënësja e Forcave Ajrore, Ann Stefanek, i tha “Zërit të Amerikës” të dielën vonë se sipas të dhënave, Devin P. Kelley, kishte shërbyer më parë në kuadër të Forcave Ajrore amerikane nga viti 2010 deri në vitin 2014.
Kelley ishte shkarkuar nga Gjykata Ushtarake pas akuzave për sulm mbi bashkëshorten dhe mbi fëmijën e tyre.
Dy nga viktimat e tij u qëlluan në oborr, ndërsa të tjerët brenda kishës.
Një dëshmitar, veteran i luftës së Vietnamit, i tha “Zërit të Amerikës” se, “nuk kishte parë një masakër të tillë që nga Vietnami’.
Ndonëse viktimat ende nuk janë identifikuar publikisht, pastori i kishës baptiste, Frank Pomeroy, u tha mediave se e bija 14- vjeçare, Annabelle Renee Pomeroy, është në mesin e të vrarëve.
Sherifi Tackitt, tha se kisha postonte lutjet javore në YouTube, prandaj është e mundur që masakra të jetë regjistruar në kamera.
Ngjarja e së dielës ndodhi vetëm pak javë pas vrasjes masive në Las Vegas, më 1 tetor. Në atë rast, Stephen Paddock, hapi zjarr mbi turmën në një koncert, duke vrarë 58 dhe duke plagosur mbi 500 veta. Edhe më tej, hetuesit po punojnë në ndriçimin e motiveve të sulmit.

Presidenti Trump shprehet nga Japonia
Presidenti i SHBA, Donald Trump u informua gjatë qëndrimit në Tokio për krimin e përgjakshëm. Ai shkroi në Twitter: “I lutem Zotit që të jetë pranë njerëzve në Sutherland Springs(…) Po e ndjek gjendjen që nga Japonia”.
Vetëm para një muaji, një vrasje tjetër shkaktoi tmerr në të gjithë botën, kur në Las Vegas (Nevada) një burrë hapi zjarr nga dritarja e një hoteli mbi vizitorët e një festivali muzike dhe vrau 58 prej tyre – më shumë se 500 të tjerë u plagosën. Dorasi vrau veten. Ishte masakra më e rëndë në historinë më të re të SHBA. Motivi është edhe më tej i paqartë.
Të shtëna në një kishë pati edhe në vitin 2015 në Charleston (Karolina e Jugut). Një 21-vjeçar vrau atëherë për motive raciste nëntë besimtarë me ngjyrë. Atë e dënuan me vdekje.

Trump: Asnjë diktator të mos nënvlerësojë vendosmërinë amerikane

Presidenti Donald Trump paralajmëroi se, asnjë diktator nuk duhet të nënvlerësojë Shtetet e Bashkuara. Ai foli nga baza ajrore amerikane në Japoni, në ndalesën e parë të udhëtimit të tij në Azi, që pritet të dominohet nga kriza bërthamore e Koresë së Veriut.
Presidenti Donald Trump u prit me brohoritje nga personeli ushtarak i bazës ajrore Yokota, në perëndim të Tokios, ndërsa ai u shfaq me një xhaketë të pilotëve të avionëve bombardues.
“Askush, asnjë diktator, asnjë regjim apo vend, nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë amerikane. Na kanë nënvlerësuar herë pas here në të kaluarën. Nuk u doli mirë apo jo? Nuk ishte e këndshme për ta”, tha Presidenti Trump.
Presidenti Trump shtoi se SHBA-ja “nuk do të dorëzohet kurrë, nuk do të lëkundet dhe nuk do të reshtë” së mbrojturi “popullin tonë, lirinë tonë dhe flamurin tonë të mrekullueshëm amerikan”.
“Historia ka provuar në mënyrë të përsëritur se udha e tiranëve është një marshim i vazhdueshëm drejt varfërisë, vuajtjeve dhe nënshtrimit. Por, shtegtimi i kombeve të forta dhe i popujve të lirë, të bindur për vlerat e tyre dhe me besim tek e ardhmja e tyre, është një rrugëtim i sprovuar drejt prosperitetit dhe paqes”, tha Presidenti Trump.
Pas fjalimit në bazën Yokota, Presidenti udhëtoi me helikopter drejt klubit Kasumigaseki.
Ndërsa anëtarët e klubit drekonin, Presidentët Trump dhe Abe, firmosën kapele të bardha me mbishkrimin “Donald dhe Shinzo e bëjnë aleancën sërish madhështore”.
Presidenti Trump mbërriti në Japoni pas një ndalese në Hawai ku ai vizitoi memorialin në Pearl Harbor, vendi ku sulmi befasues i marinës japoneze në vitin 1941 tërhoqi SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore. Për Presidentin Trump u organizua atje edhe një seancë informimi me të dhëna sekrete nga Komanda Ushtarake amerikane për Paqësorin.