24.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Masakra në Butrint, ministrja do të përgjigjet në Parlament

PD do të thërrasë në seancë dëgjimore të mërkurën në Kuvend ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro për skandalin e ndërtimit të një lokali që po bëhet në Parkun Kombëtar të Butrintit. Kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja e PD, Albana Vokshi u shpreh se, ministrja Kumbaro do të thirret të mërkurën në orën 17:00 të raportojë dhe të shpjegojë lejen e ndërtimit në Parkun e Butrintit të mbrojtur nga UNESCO. “Media ka reaguar për ndërtimin e një lokali që po bëhet në Parkun e Butrintit. Zona ku po ndërtohet në Parkun e Butrintit është edhe në UNESCO, duhet që për çdo ndërtim të jetë edhe në bazë të standardeve. Unë i kam dërguar shkresë për informacion ministres, por nuk ka patur asnjë reagim nga ana e saj. Prandaj të kemi kërkuar që të vijë të mërkurën në orën 17:00 për të raportuar. Do i kërkojmë që paraprakisht të na dërgojë pjesën e legjislacionit, të gjitha hapat që janë ndërmarrë për këtë ndërtim dhe do i kërkojmë edhe komunikimin që ka pasur me UNESCO, pasi tha në media se, ka pasur komunikim”, deklaroi Vokshi.
Në brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit kanë filluar punimet për ndërtimin e një objekti në brendësi të zonës së mbrojtur. Po ashtu është planifikuar që të ndërtohet edhe një lokal tjetër mbi shkallët e Amfiteatrit antik të Butrintit. Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. Ndërtimi i lokalit po bëhet ngjitur me murin prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në këtë kantier nuk ka tabelë për punimet, ndërsa punëtorët nuk kanë frikë të flasin. As ata nuk e dinë se çfarë po ndërtohet. Punëtorët hedhin tulla e beton dhe kyçin gojën për çfarë po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit.
Një zyrtar nga Bashkia e Sarandës bëri të ditur se, lokali që po ndërtohet në Butrint është i një njeriu të afërt të kryeministrit Rama ndaj dhe e gjithë zona është rrethuar me policë dhe nuk lejohet askush të futet në Butrint. Pak ditë më parë, një qytetar nga Saranda i dërgoi një mesazh ish-Kryeministrit Berisha dhe fotot e ndërtimit të lokalit në mes të Parkut, duke shkruajtur se ndërtimi që po ngrihet është i Kryeministrit. Sipas UNESCO, brenda Parkut Arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë për dhënien e lejes së ndërtimit në Parkun e Butrintit.
Të gjitha qytetet, parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar jo vetëm turistik, por edhe historik. Por ndryshe ndodh në Shqipëri me Parkun Antik të Butrintit. Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në këtë Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO, punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton.
Ndërtimi i lokalit në Butrint është kundërshtuar edhe nga këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Sarandës. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar spjegime se përse nuk ndërhyhet për të ndalur betonizimin në Parkun e Butrintit, por këshilltarët socialistë janë përgjigjur se, “ndërtimi në Park po bëhet me leje nga Ministria e Kulturës dhe nuk mund të ndalohet”. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar që të ngrihet një komision nga Këshilli Bashkiak për të ndaluar këtë masakër, por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga të majtët.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pasi ka vënë në dukje anën skandaloze të vendimeve të Mirela Kumbaros për të ndërtuar një lokal në Parkun e Butrintit, njofton se do të njoftojë me një letër sekretariatin e UNESCO-s.

R.POLISI

Kumbaro manipulon transfertat, aferat me tenderat e Ministrisë për klientin e saj

Mirela Kumbaro, ministrja e Kulturës manipulon zërat e transfertave nga institucioni i saj, duke dhënë në shkelje të plotë të udhëzimeve që nxjerr vetë projekte te kompanitë e biznesit që nuk kanë asnjë lidhje me artin.
Portali “Shuplaka” ka zbuluar dje listën e pafund të projekteve që znj.Kumbaro i ka dhënë kompanisë së biznesit “Albania Experience” të biznesmenit Gazmend Haxhia, i njohur për pronësinë edhe të 8 kompanive të tjera.
Marrëdhënien e “frytshme” me këtë kompani, të cilën e ka fuqizuar shumë gjatë këtij viti, Kumbaro e ka nisur që në 2015-ën, duke i dhënë brenda ligjit shërbime biletash, të cilat, si me magji, u transferuan në projekte milionëshe, nën zërin “Të tjera transferta për institucionet jo-fitimprurëse”, ndërkohë që kompania është tërësisht fitimprurëse.
“Albania Experience” është kompani e mirëfilltë biznesi, funksionale, me statusin aktiv në QKR, duke mos patur asnjë lidhje me artin apo sportin.
“Shitje bileta avioni, trageti dhe treni në të gjitha destinacionet që menaxhojnë shoqëritë përkatëse, udhëtime turistike në të gjitha destinacionet turistike në Shqipëri dhe në botë, paketa turistike, Trekking, peshkim, gjueti, etj. Makina me qera, transport me automjete dhe me shoferë, asistencë profesionale për organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera në fushën e biznesit, kulturës, sportit etj. Pagesë e shërbimeve me para në dorë, me xhirim bankar, me kartë krediti etj. Reklama, pasuri e paluajtshme, marketing, tregti mallrash, shërbime konsulence, menaxhim hotelerie, shërbim këmbim parash. Agjent detar. Spedicioner. Organizim konferencash, eventesh. Printime, kancelari. Pajisje përkthimi, mikrofoni, përkthime. Shërbime Kateringu. Shitje librash dhe veprimtari të tjera që lidhen me librin”, ky është objekti i kësaj kompanie. A mund të ketë lidhje me artin kjo kompani me këtë objekt?!

Projektet e majme

Mbi 170 milionë lekë, Kumbaro i ka derdhur në llogarinë e kompanisë së biznesmenit për projektin e ‘Bienales së Artistëve” të Rinj nga Europa dhe Mesdheu. E ndarë në disa zëra, siç edhe paraqesin të dhënat e kërkuara lehtësisht në “Open Data”, për këtë projekt ministrja ka bërë edhe 2 transferta të tjera. 8 transferta të tjera janë bërë për projekte të paspecifikuara, ndërkohë që të tjera detaje dalin në pah.
Projekti “Argjiro Open dhe kampionati i 9 botëror i fluturave të lira”, mbi 27 milionë lekë të vjetra, për të cilin Alket Islami tha publikisht se qe një nga organizatorët ka kaluar pagesën nëpërmjet kompanisë së Haxhisë. Po kështu, kjo kompani ka realizuar edhe një konferencë kombëtare mbi “Trashëgiminë motor zhvillimi, UNESKO”, ku i është paguar në prill të këtij viti 60% e vlerës sipas kontratës.
Udhëzuesi i Kumbaros përcakton qartë, që jo vetëm kompanitë e biznesit nuk mund të marrin projekte, por edhe shoqatat përfituese nuk mund ta kalojnë pragun e 20 milionëshit për projekt. Vetëm shoqata ose individë mundet të fitojnë projekte në ministri.
Skandali thellohet edhe më shumë, kur shikon se në listën e projekteve fituese për 2017-ën, vit kur u mbajtën edhe zgjedhjet e përgjithshme me fushatën elektorale, “Albania Experience” nuk rezulton gjëkundi (Shiko Linkun e Ministrisë ku janë shpallur projektet fituese)

Kush është Gazmend Haxhia

Ortaku i vetëm i “Albania Experience” është Gazmend Haxhia që figuron në disa biznese të tjera si “ACMS”, “Albania Health and Safety Center”, “Albania Venture”, “Albanian Ventures Real Estate I”, “ASG”, “Noshi”, “Motown” etj.

Shuplaka

Qazim Sejdini, para dhe presion të aksidentuarit për t’i mbyllur gojën

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini aksidentoi me makinën e tij një qytetar në Labinot Fushë dhe u largua nga vendngjarja pa i dhënë ndihmë të plagosurit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e të dielës, rreth orës 14:30 në aksin rrugor Librazhd-Labinot. Sejdini po kthehej me makinë për në Elbasan, pasi kishte drekuar në një lokal në afërsi të Librazhdit me tre njerëz të tij. Në Labinot Fushë, makina që drejtohej nga shoferi i tij përplas një të ri që po ecte me biçikletë në anë të rrugës. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, Sejdini ka lënë një person aty dhe vetë është larguar me makinë pa i dhënë ndihmë të plagosurit. Kanë qenë banorët e zonës që i kanë ardhur në ndihmë të riut, i cili më pas është dërguar në Spitalin e Elbasanit nga dy të afërm të tij.
Dëshmitarë nga vendngjarja bëjnë të ditur se, personi që kreu i Bashkisë së Elbasanit ka lënë tek i plagosuri ka qenë Aurel Kaja, punonjës i INUK-ut të Elbasanit, që ishte sëbashku me Sejdinin në lokal. Skandali thellohet edhe më shumë, pasi Sejdini nuk e ka lënë “ushtarin” e tij për t’i dhënë ndihmë të plagosurit, por për t’i bërë presion që të mos fliste për aksidentin dhe të mos e përmendte emrin e Qazim Sejdinit. Po ashtu, bëhet e ditur se Sejdini ka paguar para për t’i mbyllur gojën të plagosurit që ndodhet i shtruar në spital.
Plagosja e qytetarit nga kreu i Bashkisë së Elbasanit u denoncua fillimisht nga një qytetar nga Elbasani, i cili iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Qytetari shkruante se, makina e Qazimit me atë brenda, pasi ka dalë nga një lokal ku ka drekuar ka përplasur në rrugën e Labinotit Fushë një motor me drejtues A. Allushi. Ai shkruante më tej se, personi është dërguar urgjent ne spital. Ngjarja mbahet e fshehtë dhe familjarëve u është ofruar një shumë parash dhe bërë presion të mos flasin. “Policia fsheh krimin! Don Lala aksidenton me makinën e tij të riun A. Allushi. Bëhen përpjekje për të mbyllur me para aksidentin”, shkruante Berisha në një postim në Facebook.
Pas publikimit të lajmit nga ish-Kryeministri Berisha, reagoi edhe Policia e Elbasanit, e cila mori në mbrojtje kryebashkiakun Sejdini. Policia deklaroi në një njoftim për shtyp se, aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, pranë fshatit Labinot Fushë rreth orës 14:30. Po ashtu, policia pranon se makina ka qenë e Bashkisë së Elbasanit, por nuk e përmend emrin e kreut të Bashkisë Qazim Sejdini që ndodhej në makinë. “Një mjet tip “Benz” me targa AA 359 NK drejtuar nga 51-vjeçari Xh.F në Elbasan, në pronësi të një kompanie dhe marrë me qira në përdorim nga Bashkia Elbasan, ka aksidentuar motorçiklistin A.A., 32 vjeç banues në Labinot Fushë”, tha policia në një njoftim.
Po ashtu, ka reaguar edhe vetë Sejdini, duke u shprehur se, ia ka lënë drejtësisë që të bëjë punën e saj. Por qytetarët e pranishëm në vendngjarje kanë sjellë prova dhe fakte, duke rrëzuar versionin e policisë. Denoncimi i qytetarëve është bërë sërish publik nga ish-Kryeministri Berisha. “Qytetari dixhital ka një pyetje për don Lalën: Pse nuk u ndale të kujdeseshe për viktimën tënde?”, shkruante Berisha në një postim në Facebook.
“Mirmbrëma doktor. Dëgjova deklaratat që Qazim Sejdini ia ka lënë drejtësisë që të bëjë punën e vet. Një pyetje kam për don Lalën, si mund të veprojë drejtësia ku vetë don Lala, natyrisht i shoqëruar me eskortën e tij shtyp një person në rrugë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, duke lënë aty ushtarin e tij, Aurel Kaja, (Leli INUK-ut të Elbasanit) bashkë me dy badigardë. Në fillim mendova se do ta ndihmonin të plagosurin, por arsyeja e ndalimit ishte t’i bënin presion qytetarit që të mos fliste dhe të harrohej ky incident, duke mos u interesuar për asnjë sekond për shëndetin e personit të lënduar. Kjo është drejtësia e don Lalës???”, shkruante qytetari nga Elbasani.
Policia e Elbasanit fillimisht e mbajti të fshehtë këtë ngjarje të rëndë dhe më pas u detyrua të japë një njoftim për shtyp vetëm pas publikimit të lajmit nga ish-Kryeministri Berisha. Edhe pse policia pranon se aksidenti është shkaktuar nga makina e Bashkisë së Elbasanit nuk thotë asnjë fjalë se në makinë ndodhej edhe kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini. Në këtë mënyrë, policia fsheh krimin e shkaktuar nga kreu i Bashkisë.
Prej disa ditësh, mediat kanë publikuar lajme se si Qazim Sejdini mbështet bandën kriminale në Elbasan që sulmoi me makinë nëndrejtoprin e policisë. Sipas mediave, banda Çela që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit ka mbledhur vota me kallash në dorë, duke kërcënuar qytetarët që të votonin Sejdinin.

I vihet zjarri makinës së oficerit të policisë në Vlorë

Policia e Vlorës njoftoi se në orët e para të ditës së djeshme, rreth orës 02:50, ka marrë një thirrje në sallën operative, se makina e një ndihmës specialisti zone në Komisariatin e Policisë Vlorë është përfshirë nga flakët. Automjeti i policit Dhimitraq Nuraj ishte i parkuar poshtë pallatit, kur është përfshirë nga flakët. Në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë, grupi hetimor si edhe shërbimi zjarrfikës që mundësoi shuarjen e flakëve. Të njëjtat burime saktësuan, se po hetohet për shkaqet e rënies së flakëve të zjarrit në makinën e oficerit të policisë.

Turqia, drejt normalizmit të marrëdhënieve me Gjermaninë

Pas kryeministrit turk, është ministri i Jashtëm Mevlüt Cavusoglu, ai që kërkon normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë. “Nuk ka asnjë arsye për probleme mes Gjermanisë dhe Turqisë”, ka thënë Cavusoglu në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel”.
“Nëse ju afroheni një hap, ne do të afrohemi dy hapa”, ka thënë ai. Turqia vetë asnjëherë nuk e ka kërkuar konfrontimin me Gjermaninë, ka thënë ministri i Jashtëm turk. Sipas tij, Presidenti Erdogan vetëm i është përgjigjur sulmeve që kanë ardhur nga Gjermania.
Turqia është e gatshme të punojë edhe me një ministër të Jashtëm si Cem Özdemir, ka thënë Cavusoglu. Kreu i Të Gjelbërve është kritiku më i ashpër i Erdoganit. Ministri i Jashtëm turk është përpjekur të justifikojë se krahasimet e bëra me nazistët, kanë qenë “një përgjigje ndaj armiqësive” të ardhura nga Gjermania. “Qeveria gjermane duhet të mësojë të respektojë Turqinë”.

Gjermanë në burgjet turke

Në rastin e gazetarit turk, Deniz Yücel, Cavusoglu i është referuar pavarësisë së drejtësisë në Turqi. “Për ne ai është një qytetar turk që ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimit për një vepër të caktuar”, tha Cavusoglu për “Spiegel”. Drejtësia vendos për pafajësi ose fajësi. Sa më shpejt që të fillojë procesi, aq më mirë, ka thënë ministri turk. Sipas Cavosoglu në Gjermani rasti Yücel është fryrë tej mase. “Opinioni turk nuk interesohet për të”. Ministri i Jashtëm turk e hodhi poshtë akuzën, se Yücel mbahet për arsye politike në paraburgim.
Ndërkohë, ai theksoi se për aktivistin gjerman, Peter Steudtner është angazhuar që të përshpejtohen procedurat. Qeveria gjermane kërkon lirimin e gjermanëve të arrestuar për arsye politike. Kryeministri turk, Binali Yildirim, kërkoi javën e kaluar hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet me Berlinin si edhe “përmirësimin” e marrëdhënieve.

BE, projekt për një Prokurori europiane

Pas bisedimesh që kanë zgjatur me vite, ministrat e Drejtësisë të 20 vende anëtare patën rënë dakord për projektin e një Prokurorie Europiane. Tani edhe Parlamenti i BE-së në Strazburg e miratoi projektin për krijimin e një Prokurorie Europiane. Deputetët miratuan me shumicë të madhe krijimin e këtij organi të ndjekjes penale, që i financuar nga BE-ja në vendet e veçanta anëtare do t’u kundërvihet mashtrimeve.
Prokuroria Europiane (EPPO) do të veprojë jo vetëm kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe abuzimeve me paratë e BE-së, por edhe p.sh. kundër mashtrimeve me taksën mbi vlerën e shtuar në nivel ndërkufitar. Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së vendeve anëtare vetëm prej abuzimeve me TVSH-në të paktën 50 miliardë euro të ardhura nga tatimet në vit.

EPPO do ta ketë selinë në Luksemburg

Ky autoritet i ri do ta ketë selinë në Luksemburg dhe do të nisë nga puna nga viti 2020. Përveç kësaj, secili nga vendet pjesëmarrëse do të emërojë të paktën një prokuror të deleguar, i cili do të jetë aktiv në vendin e tij, por do të bashkëpunojë me Prokurorinë Europiane.
Tetë vende të BE-së nuk e përkrahin këtë nismë, ndër to edhe Polonia dhe Hungaria, që marrin veçanërisht shumë para nga BE-ja. Njëzëri u miratua ky autoritet i ri nga Gjermania. Ministri gjerman i Drejtësisë, socialdemokrati Heiko Maas, vlerësoi, se hetimi dhe ndjekja penale në nivel kombëtar dhe europian tashmë do të “harmonizohen dhe kësisoj do të bëhen shumë më efektive”. Politikani i ekologjistëve Jan Philipp Albrecht në intervistë për radion kombëtare “Deutschlandfunk”, e cilësoi këtë si një “sukses gjigand” në një fazë të vështirë për Europën. Ndoshta, theksoi ai, mandati i EPPO më vonë mund të zgjerohet edhe në fusha të tjera si p.sh. në luftën kundër terrorit.

Beteja me mafien nuk mund të ketë kthim pas

Bujar NISHANI

Sulmi agresiv i bandës së Elbasanit mbi policinë konfirmoi faktin e dhimbshëm, se krimi i organizuar në Shqipëri ka arritur formën më të lartë të organizimit, mafien. Në historinë botërore të këtij organizimi konfirmohen të njëjtat karakteristika. Pasuri miliardëshe nga trafiku i drogës, korruptimi i policisë, lidhjet me nivelet e larta politike përmes mbështetjes elektorale, marrja e aseteve dhe pasurive publike dhe kulmon me agresionin arrogant ndaj vetë shtetit. Në Shqipëri, trafiku i drogës mori përmasat e biznesit miliardësh gjatë dy viteve të fundit. Në 2016-2017, sasia e parave të përfituara nga kjo veprimtari kriminale e kalonte buxhetin vjetor të shtetit. Në vende të tilla si Kolumbia, Meksika apo të tjera të Amerikës së Jugut, të cilat kanë qenë dhe epiqendra botërore të trafikut të drogës, ky biznes kriminal kapte miliarda, por jo të tejkalonte buxhetin e vetë shtetit. Rasti ynë duket më i dhimbshëm.
Një nga trafikantët më të mëdhenj në Meksikë, Amado Carrillo Fuente, mori pseudonimin “Zoti i Qiejve” për shkak të transportit të drogës me avionë të mëdhenj. Në Shqipëri transporti i drogës me avionë u bë një fenomen masiv dhe përgjegjësit për luftën ndaj tyre talleshin “live” me shqiptarët, duke ju treguar kaçatorrët që dezinfektonin mushkonjat.
Për Joauqin “El Chapo” Guzman kryetrafikant në Meksikë, tregohen shumë histori që ndihmonte të varfërit, apo paguante faturën e të gjithë personave që ndodheshin në restorantin ku ai hante. Në Shqipëri, shëtitja e deputetëve nën shoqërinë e gangsterëve gjatë fushatës elektorale, market më market, duke paguar listat e gjata të borxheve të qytetarëve zëvendësoi pothuajse totalisht takimet elektorale me qytetarët, ku të paraqiteshin apo diskutoheshin programet qeverisëse.
Pablo Escobar në Kolumbi, pasi korruptoi pa fund policë, prokurorë e politikanë, pasi provoi edhe vetë për një kohë të shkurtër karrrierën politike vendosi t’i sulej me tank dhe blind stacioneve të policisë.
Në Elbasan mafia e drogës ju vërsul me makinë të blinduar forcave të policisë gjatë ushtrimit të detyrës prej tyre.
Krimi i rëndë i Elbasanit në vend që të nxirret më shumë në dritën e diellit që t’i jepet shans drejtësisë të bëhet po merr investim të madh që të fshihet dhe harrohet. Tentativa agresive e shumë operatorëve për ta transferuar ngjarjen nga sulmi mafioz ndaj shtetit në betejën mes grupeve kriminale është po ashtu investim i mafias. Në Elbasan, natën e 18 shtatorit nuk pati luftë midis bandave. Jo. Për fat, atë e panë të filmuar të gjithë shqiptarët. Atë natë, banda e Elbasanit ju vërsul me mjet të blinduar policisë. Ajo nuk guxoj të reagoj. Kaq e thjeshtë ishte ajo që ndodhi, por shumë e thellë dhe komplikuar arsyeja dhe pasoja e saj.
Banda e Elbasanit nuk është e vetmja që ka arritur formën e lartë të organizimit kriminal, atë mafioz. Banda të tilla kemi parë në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër etj. Ky ishte dhe dështimi më i madh i shtetit. Shqipëria nuk mund të lejohet të kthehet përfundimisht në vendin, ku anëtarët e klaneve mafioze të kapardisen rrugëve, restoranteve, kafeneve të qyteteve tona. Me armë në brez të gjobisin çdo biznes dhe trafikojnë çdo vajzë që piketojnë. Të kryejmë ekzekutime dhe përvetësojnë pasuritë publike. Jo! Shqipëria duhet të jetë vendi i turistëve që mëngjezi i gjen në Valbonë e mbrëmja në Llogara. E hëna në Berat dhe fundjava në bregun e Jonit. Ku shqiptarët e thjeshtë dhe jo mafia, të bëjnë biznes me bukuritë që ofron Thethi e Boga, Voskopoja e Kelmendi, Tomorri dhe Butrinti.
Shqipëria nuk mund të kthehet në hambarin e drogave drejt Evropës, por në mundësinë e fermerëve që eksportojnë gjithë vitin. Këto janë plotësisht të mbërritshme. Por që të ndodhin duhet mundur mafia. Beteja me të tani është betejë që nuk mund të ketë kthim pas. Ajo nis e mbaron tek pasuritë e paligjshme të saj. Tek paratë e pista që lehtësisht sekuestrohen. Veç duhet vullnet politik që të bëhet ajo. Nëse nuk bëhet, kjo atëherë nuk ka luftë kundër mafies. Kush do ta ofrojë këtë vullnet politik, kush do godasë pasuritë e vëna përmes krimit dhe që vihen në shërbim të krimit do mund ta bëjë këtë betejë dhe do ta fitojë atë.

 

“Bashkëqeverisja” si kozmetikë e simbiozës me krimin

Sokol GJONI

E artikuluar së fundi si një koncept që tejkalon dogmat populiste të kryeministrit, “bashkëqeverisja” është artifici pas së cilit Rama po përpëlitet në zallishten e mundësive të tij për të shpëtuar nga derexheja e fundosjes që ka ngërthyer anijen qeverisëse. Qytetari shqiptar, nga skaji më i largët e deri në zemër të qyteteve të mëdha, ka arritur të kuptojë dhe të ndiejë rolin dhe trysninë e klientelës qeverisëse, e afirmuar metodologjikisht si pushtet me interesa okulte në dëm të interesave qytetare.
“Dora e ngrohtë” e pushtetit është shtrirë në zaptimin e pronave publike, në grabitjen e vijës bregdetare, në ndërtimet dhe në betonizimin pa asnjë kriter të shesheve dhe të hapësirave të gjelbërta në çdo cep të vendit, në prerjet masive të pyjeve, në diferencimin dhe arbitraritetin ndaj qytetarëve, në paligjshmërinë dhe prepotencën e zyrtarëve të krimbur në allishverishe, e deri tek dhunimi i vullnetit të lirë të qytetarëve, që prodhoi si derivat një qeveri të komanduar dhe të pengmarrë nga klanet me veprimtari kriminale.
Përballë kësaj zullumnaje që e fundos në moçalishten e lidhjeve të tij me grupet kriminale që e sollën dhe e mbajtën në pushtet, Rama, domosdoshmërisht pritet të lançojë një retorikë kërcëllitëse që do të pasohet me veprime teatralizuese, duke u sforcuar të sfumojë sadopak damkosjen e tij si të lidhur me krimin.
Nuk është e rastit, se ai menjëherë pas “fitores” së thellë që arriti në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, u leqendis si teveqel shesheve me të ashtuquajturat “dëgjesa”, duke u përpjekur t’jua mbushë mendjen ndërkombëtarëve se rezultati ishte produkt i mbështetjes ndaj politikave qeverisëse. Por, induksioni i tij ishte i gabuar, pasi vendet partnere dhe miqtë tanë, të cilët asistojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj përafrues, e kishin pikasur prej kohësh busullën e tij orientuese. Vazhdimisht, janë lëshuar nga organizmat monitoruese ndërkombëtare sinjale të forta në drejtim të keqdrejtimit të vendit, si dhe janë dhënë mesazhe të qarta për pasojat e mendësisë qeverisëse që reflektone Rama dhe të qasjeve të tij ndaj vlerave dhe standardeve të demokracisë.
Kokëçarjet e kryeministrit tashmë janë evidente, pasi përveç halleve të shumta që i vringëllojnë mbi kokë nga blerja masive e votës, është shpërfaqur në horizontin e shkëlqimtë të “fitores” së tij plebishitare gjëmimi dhe buçitja e ambasadorit Lu, duke e anatemuar si të lidhur, dhe pse jo, në ortakëri me krimin e organizuar.
Nuk mund të ishte ndryshe,veçse kështu, fillimi i fundit të një kryeministri që karrierën dhe fatet e tij politike i ndërtoi të lidhura ngushtësisht me individë dhe struktura të botës kriminale, të cilët do të përvijonin mbështetjen e tyre pa rezerva në investiturën e Edi Ramës, e cila medoemos do të përkthehej në “shpërblesa” dhe “haraçe”.
Përtej zymtësisë së situatës në të cilën ndodhet aktualisht realiteti politik i vendit, imperative mbetet vokacioni opozitar si shpresë dhe mundësi e daljes nga kthetrat e oligarkisë oktapodiane që ka mbërthyer Shqipërinë, duke rrezikuar ta gremisë të ardhmen e vendit në honet e errëta të botës së krimit dhe të tentakulave të tij.
Tollumbacet stilizuese të Ramës, që vijnë dhe shpërfaqen mediatikisht si flluska sapuni përmes butaforizmit dhe groteskut të “sebepeve” dhe idiomave me “bashkëqeverisje”, përsëri nuk e atrofizojnë tek opinioni publik peshën dhe përgjegjësinë që ka Rama për këtë situatë, sa të paprecedentë, aq dhe të rrezikshme për ecurinë e reformave shtetformuese, të kërkuara me shumë ngulm nga bota demokratike.
Çdo ditë e më shumë pushteti okult i klaneve kriminale po e zhyt turielën e tij në palcën e Shqipërisë, duke rrezikuar të bëjë të tijin dhe të përvetësojë vlerat dhe asetet burimore më të çmueshme të vendit. Në kushtet e deformimit masiv të vullnetit të zgjedhësve, ku shitblerja e votës përmes falangave të krimit që u rreshtuan si tabor luftarak mori përmasat e degradimit total të procesit zgjedhor, si dhe në kapitullimin e shtetit të së drejtës në duart e klaneve mafioze dhe të grupeve me veprimtari kriminale, zgjidhja mbetet, pamëdyshje, largimi i Ramës si “bateria” dhe ushqyesi i këtyre grupacioneve me ndikim të fuqishëm në dëm të interesave kombëtare.
Përtej kozmetikës me të cilën përpiqet të kurojë qeverisjen e tij me “dëgjesa…” dhe sajesa të çorollepsura në funksion të davaritjes së opinionit publik mbi simbiozën e tij me krimin, prapëseprapë Rama nuk do të mundet të shpëtojë nga ky rreth vicioz në të cilin është ngujuar.

Shehu në Asamblenë e KE: OSBE konstatoi blerjen e zgjedhjeve të 25 qershorit

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka mbajtur dje një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Fjalimi i Shehut është përqendruar në konstatimet e raportit të OSBE/ODHIR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, të mbajtura në 25 qershor. Ai theksoi se, raporti i OSBE/ODHIR-it shprehej mbi cënimin e rëndë të shumë standardeve bazë në zgjedhjet e 25 qershorit. “Raporti i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të KiE ashtu si edhe Raporti Final i OSCE/ODIHR‎ për zgjedhjet parlamentare të 2017, kanë konstatuar përkeqësimin serioz të standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri.
Ndërsa në vitin 2009 zgjedhjet u cilësuan se kishin arritur shumicën dërrmuese të standardeve ndërkombëtare, zgjedhjet e vitit 2017 kanë cenuar rëndë një numër të standardeve bazë. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konstatuar shitblerje masive të votës nëpërmjet përdorimit të parave kriminale që vijnë nga trafiqet e drogës dhe korrupsioni galopant. Shpesh, ky fenomen është përdorur për të supresuar pjesëmarrjen në votim të votuesve të opozitës, kundrejt marrjes me anë të pagesës të dokumentit të identitetit të nevojshëm për votim, duke penguar në thelb të drejtën për të votuar‎. Vëzhguesit kanë konstatuar numër të lartë të presionit ndaj zgjedhësve për të marrë pjesë në fushatë dhe për të votuar në favor të partisë në pushtet, Partia Socialiste, nëpërmjet ‎kërcënimit me humbje të vendit të punës në administratën publike.
Për herë të parë këto kërcënime janë konstatuar edhe në sektorin privat. Kjo cenon standardin e lirisë për të votuar pa frikë nga reperkusionet, është shprehur Shehu. Ai ka theksuar në fjalën e tij se shitblerja e votës dhe presioni janë kryer në bashkëpunim me një rrjet të gjerë kriminal që kontrollon kultivimin dhe trafikun e kanabisit si dhe të drogave të tjera të forta. “Vëzhguesit kanë konstatuar abuzim masiv me ‎burimet dhe asetet publike në favor të partisë në pushtet. Shërbime publike dhe lëshim titujsh pronësie janë përdorur gjerësisht për të ndikuar në votën e zgjedhësve. Kjo cenon parimin e ndarjes së shtetit nga partitë politike. Po ashtu është konstatuar në shumë raste cenimi i sekretit të votës në qendrat e votimit, presion mbi zgjedhësit dhe komisionerët brenda tyre, votim familjar, në grup apo proxy. Për të gjitha këto, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë nxjerrë për herë të parë rekomandime prioritare. Që pas vitit 2013 kur erdhi në pushtet, PS nuk ka lejuar të kryhet reformë zgjedhore. Si rrjedhojë rekomandimet e 2013 dhe 2015 nuk janë trajtuar ende. Kjo përbën shkelje të angazhimeve të Shqipërisë para KiE dhe OSBE. Rekomandimi i parë i ODIHR kërkon kryerjen pa vonesë të reformës. Kjo është e paprecedent. Qeveria socialiste nuk ka vullnet për të zhvilluar zgjedhje me standarde, sepse nuk do të fitonte në kushtet e korrupsionit, kriminalitetit dhe trafiqeve ‎galopante të drogës. Në këto kushte, forcimi i monitorimit nga kjo Asamble e nderuar është themelore për rikthimin e bazave të demokracisë në Shqipëri”, është shprehur Shehu në fjalën e tij.

Kreu i FRPD në Gjermani, mbështetje nga CDU e Merkel për opozitë të fortë

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka marrë pjesë në punimet e Forumit Rinor të Partisë CDU të kancelares Merkel në Gjermani, ku ka takuar drejtues dhe anëtarë të forumeve rinore të CDU/CSU. Gjatë punimeve të Deutschlandtag 2017, Kongresit të Junge Union, Forumit Rinor të CDU/CSU, pata kënaqësinë të takohem me drejtues të forumeve dhe organizatave partnere të FRPD. Në një postim në FB, Këlliçi shkruan mbi zhvillimet e forumit dhe takimet e zhvilluara atje. “Me Kryetarin e Junge Union, Paul Ziemiak, diskutuam mbi intensifikimin e bashkëpunimit mes dy forumeve si dhe e falenderova përzemërsisht për mbështetjen e pakursyer që i ka ofruar FRPD dhe PD, në mënyrë të veçantë për fjalën e tij në ‘Çadrën e Lirisë’. Ziemiak na garantoi se Junge Union sëbashku me Fondacionin “Konrad Adenauer” Stiftung, do të japin ndihmesën e tyre në adoptimin e praktikave më të mira të të rinjve të CDU/CSU, për rritjen dhe fuqizimin e FRPD si dhe në funksion të përgatitjes së alternativave dhe një opozite të fortë e konstruktive ndaj një qeverie që ka shkatërruar çdo mundësi për të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Gjithashtu, pata mundësinë të diskutoj me Kryetarin e komunitetit të të rinjve demokratë në Europë (DEMYC), Javier Hurtado Mira dhe me Kryetarin e Unionit Ndërkombëtar Demokrat të të rinjve në botë (IYDU), Bashir Wardini, për praktikat më negative që qeveria e Edi Ramës ka implementuar me qeverisjen e tij që nga promovimi i kriminelëve, trafikantëve, mashtruesve e deri tek lehtësirat që i ka krijuar kultivuesve të drogës, që kanë përmbytur vendin dhe Europën me marijuanë “Made in Albania”. Partnerët tanë u informuan mbi rrezikun e madh të një eksodi tjetër masiv të shqiptarëve, për shkak të gjendjes së rëndë të kriminalitetit në vend si dhe pas implementimit të rritjes së taksave të parashikuara nga qeveria, e cila do të prekë çdo biznes e çdo familje shqiptare. I garantova ata se FRPD së bashku me PD do të bëjnë një opozitë të fortë dhe pa kompromis kundër qeverisë së lidhur me krimin dhe me të korruptuarën që ka pasur ndonjëherë vendi ynë. Deutschlandtag 2017, i cili këtë vit u organizua në Dresden, pati si folës kryesore ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Dr. Thomas de Maiziere, Sekretarin e Përgjithshëm të CDU, Dr. Peter Tauber, Komisionerin Europian për Buxhetin, z. Günther H. Oettinger dhe kulmoi me fjalën e Kancelares gjermane, Dr. Angela Merkel”.