37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

500 euro për person, asgjesohet rrjeti që trafikonte shqiptarët

Policia greke ka asgjesuar një grup kriminal të trafikut të emigrantëve klandestinë, kryesisht nga Shqipëria. Në zona të ndryshme të Janinës janë arrestuar deri tani 7 shtetas shqiptarë dhe 4 grekë.
Mes tyre, kreu i rrjetit, një shtetas shqiptar me moshë 40 vjeç si dhjetë pjesëtarë të besuar të tij. 6 shtetas shqiptarë, tre meshkuj dhe tri femra, si dhe katër shtetas grekë, tre meshkuj e një femër.
Dosja penale e hartuar përfshin dhe 11 persona të tjerë: 8 shqiptarë, një tjetër drejtuese të rrjetit, shtetase greke, si dhe dy grekë të tjerë që aktualisht ndodhen në burg për çështje të tjera.
Pjesëtarët e rrjetit gjenin persona që interesoheshin të kalonin në Greqi dhe pasi binin dakord për pagesën, që zakonisht ishte 500 euro për person, bëhej kalimi i tyre nëpërmjet pikave të caktuara të kufirit të gjelbër. Pasi kalonin me këmbë kufirin, ata hipnin në makina, që i çonin në destinacion, në zona të ndryshme të Greqisë.
Sipas komunikatës së policisë, janë verifikuar deri tani 77 raste, ku janë trafikuar 180 persona, kryesisht nga Shqipëria. Policia vlerëson gjithashtu se rrjeti ka gjeneruar në gjithë këto raste një shumë prej 90.000 eurosh.
Gjatë procesit të hetimeve janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë automjete, një prej të cilave taksi, një pistoletë e kalibrit 8 mm, katër armë gjahu, 99 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një radio dore marrëse dhënëse, një shumë parash prej 3.885 euro si dhe 217 USD, një shkop gome, tre thika dhe 15 telefona celularë.

800 mijë eurot dhe patenta e Tahirit për anije 100 tonëshe

Dy leje qarkullimi për mjetet motorike ujore (skaf) të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe një shumë prej 800 mijë eurosh janë gjendur në makinën e një të riu biznesmen, 25-vjeçar, i cili teksa po përpiqej t’i shpëtonte postbllokut të policisë sot është nën arrest. Prej tre ditësh, me urdhër të Ramës, policia ka mbajtur të fshehtë këtë skandal në të cilin përfshihet direkt Saimir Tahiri.
Denoncimi i bërë publik dje nga kreu i PD, Lulzim Basha solli dhe konfirmimin e policisë për ngjarjen e më pas të vet biznesmenit Sota për lidhjet e tij me Tahirin.
Më datën 1 nëntor, ditën e martë, postblloku i policisë teksa po kryente kontrolle rutinore është përpjekur të ndalojë një makinë të tipit “Land Rover”, e cila nuk iu bind urdhrit të saj, duke mos ndaluar. Kjo shtoi më shumë dyshimet e policisë për ta ndjekur deri në kapjen e tij.
Drejtuesi i automjetit ishte Orest Lefter Sota, dhe gjatë kontrollit të makinës së tij u gjetën një shumë e madhe parash prej 800 mijë eurosh e pa shoqëruar me dokumentat përkatës si dhe dy patenta për drejtim mjetesh motorike lundruese në emër të Saimir Tahirit. E gjendur përballë një situate të tillë, policia ka arrestuar dhe ka shoqëruar menjëherë të riun, por nga ana tjetër asnjë komunikatë nuk u shpërnda në media në lidhje me skandalin në fjalë.
Menjëherë forcat operacionale kanë urdhëruar eprorët, dhe këta të fundit ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në lidhje me ngjarjen ku u sekuestruan në flagrancë 800 mijë eurot dhe dy patentat e Tahirit. Xhafaj ka informuar Ramën dhe ky i fundit i ka dhënë urdhër atij që policia të mbajë të fshehtë ngjarjen dhe të mos nxjerrë asnjë njoftim për shtyp.
Mbrojtja fanatike e Ramës ndaj Tahirit në vijim të skandalit të hapur të tij në dosjen Habilaj tregon qartë për panikun e kryeministrit dhe zbardhjen e lidhjeve të tij me bandat e drogës.

Policia reagoi pas deklaratës së Bashës

Policia ka regauar me dytë vonesë nga dita kur ka noddhur ngjarja. Arsyeja pse policia reagoi publikisht me vonesë ka pasur ë bëjë me faktin se policia e inkriminuar ka shpresuar se ngjarja nuk do të binte në sytë e publikut dhe në këtë rast ishte më e lehtë për ta mbyllur me një dalje të thjeshtë në gjykatë.
Çfarë tha Basha në reagimin e tij: “Burime të sigurta informojnë se: “Me datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi Orest Lefter Sota, sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në automjet i janë gjetur dhe sekuestruar 800 mijë euro dhe dy dëshmi aftësie për drejtim automjeti në emër të Saimir Tahirit.
Ky rast nuk është bërë publik në njoftimet që bën policia. Duke dënuar ashpërsisht fshehjen e kësaj ngjarje kriminale nga Haki Çako dhe Fatmir Xhafa me urdhër të Edi Ramës, i kërkoj Prokurorisë të hetojë e të mos shmangë nga përgjegjësia autorët dhe urdhëruesit e këtij akti mafioz.

Çfarë fshehu policia në ngjarje?

Policia nuk jep emrin e të arrestuar, por vetm inicialet. Policia fsheh patentat e Tahirit për drejtim anijesh 100 tonëshe. Policia palë me mafien fesh edhe shumën e parave të kapuar në makinën e Orest Sotës.
Pas akuzës së Bashës, Policia konfirmon ngjarjen por fsheh patentat e Tahirit
Pasi kreu i PD nxorri në media skandalin e kapjes në flagrancë të 800 mijë eurove dhe dy patentave të Tahirit, policia zyrtarisht konfirmoi ngjarjen në fjalë, por sërish përmes një njoftimi gjysmak. Policia konfirmon se Orest Sotës iu sekuestrua një shumë e madhe eurosh.
Zyrtarisht, Policia njofton se: Më datë 02.11.2017, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O.S 25 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat sh.p.k, pasi më datë 01.11.2017, në rrugën nacionale, në fshatin Balldren, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin “Land Rover” dhe nga kontrolli në mjet ju gjetën e bllokuan një sasi e madhe eurosh, i cili pretendonte se do t’i përdorte për likuidimin e faturave, por të pa shoqëruara me dokumentin e origjinës. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për Veprat Penale parashikuar nga nenet 291, 242 e 180 të Kodit Penal”.
Po përse policia mban ende të fshehtë ngjarjen dhe e zbardhi dje e detyruar pjesërisht atë? Përse nuk përmendi në komunikatën e vonuar për shtyp edhe dy lejet e qarkullimit të Tahirit për skafin, i cili është akuzuar me dhjetëra për përdorim për trafik droge drejt Italisë.

Dëshmia e biznesmenit: Kam lidhje me Tahirin

Pas bërjes publike të skandalit, lidhjet e tij me Tahirin i ka pohuar vetë biznesmeni 25-vjeçar, Orest Sota në dëshminë e dhënë për policinë. Mediat zbardhën dje detaje të kësaj dëshmie, sipas të cilës, Sota ka pranuar lidhjet e tij me Tahirin megjithëse në mënyrë indirekte.
Ai ka rrëfyer në polici se paratë ishin të babait të tij për një pagesë. Në lidhje me dy patentat e Tahirit, biznesmeni ka thënë se i kishte harruar shoferi i tij, që ishte mik me të. “Paratë ishin të babait tim për një pagesë për blerje hekuri në Elbasan. Ndërsa për sa iu përket patentave në emrin e ish-ministrit, ato i harroi shoferi i tij, që është mik i imi. Ne lëvizim shpesh bashkë”, ka rrëfyer biznesmeni.

Nga audi tek anija, skema e Tahirit për trafikun e drogës

Ku i mori kaq shumë para një djalë 26 vjeç edhe pse ia ka vënë emrin vetes ‘biznesmen’? Kush e lejon të mbajë rreth 1 milionë euro të pa deklaruara dhe në mënyrë informale? Cili është burimi i parave?… Të gjitha ‘hetimet’ të çojnë te trafiku i drogës. Moisi Habilaj deklaronte se Saimir thahiri fiton 5 milionë euro në ditë… U çuditët? Ja që 1 milionë po i sillte me makinë ky djalosh elbasanas…
Biznesmeni 26 vjeç i arrestuar para dy ditësh, mbante me vete dy patenta në emrin e Saimir Tahirit, për ‘drejtim mjetesh lundruese’. Del në dritë edhe fakti që Saimir tahirit i duhej patenta për lundrim sepse kishte jaht ose edhe gomone. Këtë fakt e mohuan deri edhe para prokurorisë… Po pse vallë dy patenta? Njërën për jahtin, tjetrën për gomonen…, ndryshe nuk mund të regjistroheshin ën emër të tij dy mhyetet lundruese.
Ose edhe një arsyetim tjetër: Ministri Tahiri, si ministër, mund të nxirrte shumë patenta, sa të duash! Jo sa të duash!, por sa të duheshin për trafikantët… Ua ndante trafikantëve dhe i sigurionte se në det ‘po lundronte ministri’, askush nuk mund t’i ndalonte…
Sa shumë fakte dhe lidhje!…
Ka edhe më shumë. Siç ministri Tahiri u jepte makinën e tij për transport droge anëtarëve të bandës ‘Habilaj’, po kështu u jep lejen e lundrimit (patentë) disa trafikantëve të tjerë. Domethënë u jep lejen shtetërore për të trafikuar drogë dhe armë…
Ka lidhje të tjera:
Gjatë qëndrimit në qeli, Orest Sota po pyetet dhe po përgjigjet… Si u përgjigj kur i thanë ‘pse i ke patentat e Saimir tahirit?”. Edhe po të ketë gënjyer, përsëri nxori një provë. “I ka lënë këtu shoferi i Saimir Tahiri, sepse e kam mik, rrimë shumë bashkë”. Domethënë ministri Tahiri i jep në përdorim shoferit dokumentet e tij të identifikimit… Domethënë edhe se njeriu i 800 mijë euorve, i arrestuar, është shok i ngushtë me shoferin e Tahirit.
Dhe lidhja e fundit!… Do t’u duket ‘kulmore’, do t’u duket se ‘sa u mbush kupa!”, se ‘paska qenë mahisur keq puna!”. Ja prova: I ndaluari Orest Sota, ka deklaruar se avokati i tij është Artan Hajdari. Artan Hajdari është avokat i përbashkët edhe me Saimir Tahirin… E keni parë në seancën hetimore në Komisionin Parlamentar?…

Dy patentat e Tahirit

Të dyja patentat e sekuestruara në makinën e të riut me emrin e Saimir Tahirit janë të dyja leje drejtimi për anije me tonazh të rëndë 100 tonësh. Dy patentat e Tahirit në makinën e Sotës ishin leje qarkullimi për mjetin e tij lundrues (Skafin) rrëzojnë deklaratat e bëra publike disa herë të Tahirit mbi mos pasjen e një automjeti lundrues. “Lapsi.al” publikoi dje foto të dy lejeve të drejtimit për mjet lundrues që disponon Saimir Tahiri. Burime thonë se këto patenta për mjet lundrimi, ku Tahiri ka nivelin ‘Skipper’ (kapiten) u gjetën në makinën e një personi me emrin Orest Sota, i cili u arrestua nga Policia e Elbasanit dy ditë më parë. Sotës iu gjetën në makinë edhe 800 mijë euro. Për këtë ngjarje denoncoi i pari kreu i PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij, Policia e Shtetit me urdhër të Edi Ramës e mbajti të fshehtë ngjarjen. Pak pas këtij denoncimi të Bashës, ka reaguar Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media, ku konfirmohet ngjarja, por nuk përmenden fare dy lejet e drejtimit në emër të Saimir Tahirit, që u gjetën në makinën e shtetasit Orest Lefter Sota dhe as shuma prej 800 mijë eurosh. Policia thotë vetëm që iu gjet një shumë e madhe parash, por pa bërë publike vlerën e saktë. Siç shihet në foton e publikuar janë dy leje drejtimi, tek të cilat Tahiri ka nivelin ‘Skipper’ (kapiten)’. Ato ndryshojnë nga njëra-tjetra tek tonazhi i lejuar i mjetit. Nuk është e qartë ende se çfarë donte në makinën e Orest Sotës patentat e Saimir Tahirit dhe shuma prej 800 mijë eurosh. A është në dijeni ish-ministri i Brendshëm se këto patenta i kishte Orest Sota? Kujtojmë që në deklarimet e ditëve të fundit, Saimir Tahiri është shprehur se nuk kishte pasur mjet lundrues, por pa saktësuar nëse kishte apo jo leje drejtimi për këto mjete.

Xhaxhai i Orest Sotës, komandant i RENEA¬-s

Në makinë e biznesmenit 25-vjeçar, Orest Sota është gjendur edhe patenta e bashkëshortes së Saimir Tahirit, po ky fakt nuk është publikuar nga policia. I ndaluari Sota ka shpjeguar në polici se ka raporte miqësie me shoferin e Tahirit dhe se ky i fundit i ka harruar këto dokumente në makinën e tij. Përsa i përket shumës së madhe të parave prej 800 mijë eurosh, ai ka deklaruar se i ka marrë nga i ati për të blerë hekur në Elbasan.
Tahiri ka patur njohje të hershme me biznesmenin Orest Sota. Sota është pronar i firmës “Eco Construction & Parntners” shpk, e cila është themeluar në vitin 2015 në Tiranë dhe ka rikonstruktuar Komisariatin Nr.6 të Policisë në Tiranë.

Jahti 600 mijë euro që trafikantët i blenë Tahirit

Një denoncim i publikuar dje nga ish-kryeministri Berisha nxjerr të dritë të dhëna tronditëse mbi faktin se, skafi në pronësinë e Saimir Tahirit ka qenë një dhuratë që trafikantët i kanë bërë atij dhe ky mjet ishte nën kujdesin e Policisë së Durrësit për t’u mirëmbajtur. Ish-Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë për këtë akuzë të bazuar të qytetarit dixhital’
Ja mesazhi i plotë: “Doktor Berisha, ajo që thua për gomonen e Saimir Tahirit s’është asgjë. Sajmja ka mbi një vit që ka ble jaht ultra që pa frikë ka kushtu 500-600 mijë euro. Ia kan ble ushtarët e vet që ka te Kufiri në Durrës dhe të tjerë që janë edhe ushtarët e Gjushit.
Kanë shti paret dhe ja kan ble në Mal të Zi thuhet. Jahti megjithëse nuk e kishte në emër të tij rrinte te Kalata Zero e portit në Durrës, aty ku rrijnë vetëm skafet e policisë dhe anijet e Mimit. Eshtë ai jahti që denoncoi Lul Basha me foto. Kamerat e sigurisë të portit me siguri e kanë filmu Sajmen dhe të shoqen se vinin personalisht me inspektu punimet e mirëmajtjes së jahtit. Nuk ka rob në port që nuk e di këtë punë. Nuk ka shonc njeri tjetër me majt as një gomone aty te Kalata Zero jo mo jaht veç Sajmes. Ia runte policia e vet.
Me atë Saimiri ka pas dal edhe vet jashtë vendit thojnë,por kushërinjtë e përdornin rregullisht për transport droge. Sa e nxorri Basha foton e jahtit, e hoqën menjëherë me trajl, natën për gjithë natën. Me siguri është filmu e gjitha nga kamerat, po qe se si kanë fshi. Ku është kjo Prokuroria mër Doktor? Njerëzve të shkret i bi bretku gjithë ditën, del ky Saje Qorri dhe bohet me jaht. Të lutem shumë mos ma nxirr emrin se me këta është bela e të fluturojnë nga puna”.

Berisha publikon foton e Tahirit me biznesmenin Orest Sota

Ish-kryeministri Berisha ka publikuar një foto të qytetarit dixhital ku shfaqet biznesmeni Orest Sota së bashku me ish ministrin Saimir Tahiri. Sipas mesazhit të qytetarit dixhital, fotoja është bërë në komisariatin numër 6 në Tiranë. “Sajmir Tahiri me Orestin e 1 milion dollareve cash! Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital.”, shkruan Berisha në Facebook.
“Foto e fundit Sajes me Orestin në komisariati nr.6. I kapur me mbi 1milion dollar kesh në Elbasan dhe dy patenta të Saimir Tahirit e që policia e mban të fshehtë. Administratori përftues i tenderave për të pastruar paratë e krimit. Nuk justifikon dot burimin e parave”, shkruan qytetari. Biznesmeni Orest Sota ishte ndaluar më 1 nëntor nga policia por vetëm dje, arrestimi i tij u bë publik nga kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili akuzoi policinë për fshehjen e ngjarjes dhe i kërkojë Prokurorisë të hetojë. 25-vjeçari deklaroi në polici se paratë i kishte për likuidimin e faturave për blerje hekuri nga babai i tij dhe se patentat i kishte harruar në makinën e tij shoferi i Tahirit. Orest Sota deklaroi se ishte mik me Tahirin dhe udhëtonin shpesh bashkë.

Dosja që solli në Tiranë ministri i Brendshëm Italian

Marko Miniti solli në Tiranë një dosje të detajuar, me të dhëna konkrete për kokat e trafikut të drogës nga brigjet shqiptare drejt Italisë. Fatmir Xhafaj preferoi ta presë i vetëm në zyrë homologun italian. Informacioni u mbajt i fshehtë për Haki Çakon.
Mosbesimi për Policinë e Shtetit nuk është risi. Ra në sy edhe në aksionin e Babicës, kur u godit magazina e kanabisit të Habilajve. Përgjimet iu dërguan ekskluzivisht Prokurorisë.
Mbetet për t’u parë si do të reagojë qeveria shqiptare pasi u njoh me materialet që solli Marko Miniti në Tiranë.
Dilema për t’i goditur apo jo kokat e trafikut të drogës, që mbushën Italinë me kanabis u vu re edhe në fjalimin e Fatmir Xhafajt sot. Ministri ynë i Brendshëm i tha italianëve se fajin për trafikun e miliona eurove drogë, e kishin fermerët e gënjyer dhe policët që heshtën.
Vetë Edi Rama nuk preferoi të njihet me materialet që solli Marko Miniti në Tiranë. Kryeministri fluturoi në Marok, për “në edicionin e 10-të të Konferencës së Politikave Botërore”.
Por mungesa e Ramës ka qenë e parashikuar. Lulzim Basha u ftua në rezidencën e ambasadorit italian në Tiranë. Një kopje e dosjes ishte përgatitur edhe për kreun e Partisë Demokratike.
Loja është e qartë; Nëse qeveria nuk vepron, në media priten të dalin të tjera përgjime dhe prova që implikojnë njerëz të rëndësishëm pranë Ramës.
Pikërisht për këto foli edhe Marko Miniti para policëve shqiptarë kur i tha se “në Europë, Itali, Shqipëri, nuk ka të paprekshëm”

Tahiri nuk pranon që të flasë për skandalin e ri

Ish-ministri i Brendshëm është mjaftuar evtëm me një fjali pyetjes së bërë nga televizioni Klan se cili ishte komenti i tij për dy patentat e jahteve dhe të anijeve që u kapën në automjetin e mikut të tij se bashku me 800 mijë euro. “Nuk kam gjë për të thënë tani|” është përgjigjur Tahiri, i cili duket se po pret zhvillimet e mëtejshme të hetimeve.
Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda është shprehur se është informuar për rastin e arrestimit të biznesmenit në Elbasan, por nuk pranoi që të japë më shumë detaje.
“Nuk kam asnjë koment derisa të zbardhet dhe të kuptojmë realisht. Sot ka qenë një ditë e ngarkuar për mua për shkak të aktiviteteve. Jam informuar shumë shkurt, por nuk mund të jap detaje”, – u shpreh Voda në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv
Orest Sota u arrestua Elbasan, pasi iu sekuestruan 800 mijë euro dhe dy patenta emër të Saimir Tahirit.

Sot masa e arrestit për Sotën

Orest Sota, biznesmeni i arrestuar në Elbasan pritet të dalë nesër para gjykatës për t’u njohur më masën e sigurisë.
Sipas policisë, Orest Sota akuzohet për 3 vepra penale: Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt; Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik; Fshehja e të ardhurave.
Sota nuk i ndaloi postbllokut dhe pastrim parash, pasi për shumën 800 mijë euro që iu gjet në makinë nuk kishte asnjë dokument.
Biznesmenit i janë gjetur përpos 800 mijë eurove edhe dy lejet për drejtim të mjete lundruese në emër të ish¬ministrit, ku Tahiri ka nivelin ‘Skipper’

Arben SHAHINI

Ky është biznesmeni 25 vjeçar që u kap me 800 mijë euro në xhep dhe dy patentat për anije të Tahirit

Kjo është foto e biznesmenit 25-vjeçar të arrestuar, Orest Sota pasi u kap me 800 mijë euro në xhep dhe dy patentat e Saimir tahirit për drejtim jahti 20 tonësh dhe anijeje 100 tonëshe. Sota është në njëtën kohë edhe njeriu që rikonstruktoi komisariatin nr.6 në Tiranë, tender që ju dha nga miku i tij Saimir Tahiri.

Kreu i Kartelit të drogës ka mbyllur gojën për skandalin e ri të Tahirit

Rama ka mbyllur gojën dhe nuk ka bërë asnjë reagim deri tani në lidhje me skandalin e fundit ku ëhstë përfshirë i besuari i tij, Tahiri. Rama nuk ka bërë asnjë status dhe asnjë deklaratë për të mundur të mbulojë sado pak kapjen e 800 mijë eurove dhe dy patentave të Tahirit për drejtim jahti dhe anije 100 tonëshe. Ai ka marrë arratinë për të shpëtuar edhe nga porositë e ministrit të BRendshëm Italian, Minniti.

Duket sikur shteti në 2016 nuk ka ekzistuar!

Jorida Tabaku

• Investimet e Huaja në stagnacion dhe në 983 milione euro investime vetëm TAP dhe Devoll janë 700
milionë, por përsëri me vendet e rajonit mbetet i ulët.
• Qeveria ka akumuluar një rritje të borxhit që e ka fshehur atë duke e çuar borxhin real për vitin 2016 sa
73% e PBB-së. Vlera e borxhit të papërfshirë llogaritet në 33.2 mld lekë (300 mln euro)
• Gjatë vitit 2016 është vërejtur një rritje e ekonomisë kriminale. Faktor kyç ka qenë mbjellja e drogës në
vend dhe kriminalizimi i ekonomisë përmes futjes së parave të pista në treg.
• KLSH ka raportuar se dëmi ekonomik është 820 mln euro për vitin 2016. Në total dëmi ekonomik për
vitet 2014-2016 ështe 2.5 mld euro, një dëm i barabartë me buxhetin e shtetit faktit të vitit 2016.
• Qeveria ka grumbulluar 8.4 mld lekë më pak të ardhura për vitin 2016 nga ku kryesojnë Akciza e cila
ndonëse u rrit në vitin 2016 arkëtoi 27 mln USD më pak njësoj si në vitin 2013.
• Qeveria vendosi taksën mbi primin e siguracionit (që e paguan qytetarët), taksën mbi makinat e luksit
dhe ndryshoi mënyrën e llogaritjes së rentës minerare, duke llogaritur mbi 1.4 mld lekë plus në buxhet.
Por megjithëse rriti me 1.45 mld lekë taksa shtesë në zërin e taksave nacionale për vitin 2016, ajo
grumbulloi 1.5 mld lekë më pak po tek i njëjti zë. Shembulli përkorë i eficencës në qeverisje.
• Në total nga paketa e parë fiskale e rilindjes, viti 2014, e deri në vitin 2016 shqiptarëve u janë rritur
taksat me 46.78 mld lekë (364 mln USD) progresivisht. Por megjithëse taksat janë rritur me 364 mln
USD të ardhurat e Buxhetit 2016 janë vetëm 3% më të larta se sa ato të vititt 2013 në raport me PBB.
• Viti 2016 ka qenë më i varfëri në shpenzime kapitale dhe infrastrukturore shënojnë vlerën më të ulët të
financuar për periudhën 2008-2016, ato janë sa 4% e PBB-së më të ulëta se sa viti 2013.
• Të kursyer në investime për publikun dhe të pakursyer në luksin e ministrive kanë shpenzuar në 2016
rreth 45 mln USD për rikonstruksion godinash.
• Politikat e pagës në qeveri prodhuan për herë të parë në dhjetë vjet një rënie të pagës reale me -0.4%.

Kryemadhi: Rama përfaqëson katër familje mafioze të denoncuara edhe nga Lu

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një mbledhje me strukturat e partisë në Gjirokastër, nuk i kurseu akuzat për qeverinë, ndërsa risolli në vëmendje deklaratën e ambasadorit Donald Lu. Mes të tjerash ajo tha se, shumë kush pyeste para zgjedhjeve se pse LSI nuk bëri sërish koalicion me PS, ndërsa shtoi se presioni ka qenë shumë i madh. “Presioni ka qenë shumë i madh, para zgjedhjeve, Vangjeli e di. Pjesa më e madhe e di dhe ndiheshin në presion. Deklaratat e Luan Ramës, e Ylli Manjanit, që ngrinin zërin për kanabizimin e Shqipërisë. Ndoshta se bënim dot menjëherë ngritjen e zërit, por e bëmë çdo ditë e më shumë. Tashmë kemi një qeveri të rënë moralisht dhe politikisht. Kemi një qeveri që përfaqëson 4 familjet mafioze, siç e ka thënë dhe ambasadori Lu. Situata është e vështirë, por ka një element shumë pozitiv, shqiptarët janë ndërgjegjësuar. Njerëzit janë të frikësuar dhe nuk vinë në selitë e partive, por shkojnë dhe falen tek bandat kriminale. Edhe pse grua, nënë me detyrime në familje, dua që ta çoj deri në fund misionin e LSI”, tha Kryemadhi. “LSI jo vetëm është pozicionuar qartë dhe prerë në anën e qytetarëve, por ka vendosur që të jetë zëri dhe fjala e tyre”, u shpreh dje Krytarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në mbledhjen e Kryesisë së LSI. Kryemadhi theksoi se, LSI e ka deklaruar vazhdimisht se, qeveria e Ramës nuk është qeveria e zërit të njerëzve, por zëri i krimit të organizuar. Sipas saj, gjithçka që LSI kishte paralajmëruar që gjatë fushatës së zgjedhjeve lidhur me kriminalizimin e jetës politike po konfirmohet shumë më shpejt nga sa e kishim parashikuar, krimi dhe qeverisja tashmë janë bërë një. Sipas saj, mungesa e një perspektive të qartë të zhvillimit ekonomik, rritja e papunësisë, shkurtimi i vendeve te punës, mungesa e investimeve serioze dhe e investitorëve të fuqishëm e të besuar, transferimi i autoritetit shtetëror tek koncesionet e dyshimta e klienteliste të qeverisë janë tabloja reale e situatës në vend”. Në këto, theksoi Kryemadhi, LSI, jo vetëm është pozicionuar qartë dhe prerë në anën e qytetarëve, por ka vendosur që të jetë zëri dhe fjala e tyre, përballë arrogancës që buron nga injoranca dhe kapja e qeverisë nga krimi dhe trafiqet. Motoja jonë qytetari i pari, na bën të jemi jo vetëm të qartë e të vendosur, por edhe të bindur në mbrojtje të kauzës tonë të drejtë. Ajo tha se, krimi dhe qeverisja tashmë janë bërë një dhe se kanabizimi i vendit si strategji e qeverisjes së kriminalizuar i parapriu zgjedhjeve, paratë e drogës së grupeve kriminale të lidhura me kryeministrin, me ministra e përfaqësues të mazhorancës u përdorën për të blerë votat. “Grupe të njohura kriminale si suport i Rilindjes e të angazhuar në fushatën e saj si në Shkodër, Lezhë, Berat, Elbasan, Fier, arritën që me mbështetjen e policisë të deformojnë drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve; E kapur nga krimi, mazhoranca e ka kthyer edhe Parlamentin në mburojë të krimit dhe parlamentarizmin e ka zëvendësuar me vasalizëm ndaj krimit, duke veshur atë me mburojë politike, siç qe edhe rasti më i fundit i Saimir Tahirit, rast i paprecendent në të gjithë rajonin tonë ku një ministër i Brendshëm akuzohet si lidhje e bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës”, tha Kryemadhi. “Në çdo vend tjetër normal e demokratik, një situatë e tillë do të çonte në dorëheqjen e qeverisë. “Mirëpo, të kapur prej krimit, Edi Rama dhe shpurra e tij e korruptuar nuk kanë rrugë tjetër, veçse ta hedhin vallen sipas ritmeve që imponon orkestra e krimit! Dhe në fakt ata këtë gjë po bëjnë. Mjafton vetëm fakti që ish-ministri i Brendshëm rezulton pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal sëbashku me kushërinjtë e tij trafikantë, për të kuptuar se cili është perceptimi që kanë qytetarët tanë, por edhe qytetarët europianë për vendin tonë, të cilët nuk mund ta imagjinojnë se si një situatë e tillë jo vetëm nuk shoqërohet me dorëheqjen e Kryeministrit, po përkundrazi Kryeministri bëhet mburojë e drurëve të tij të shtrembër e të kriminalizuar. Në qershor, ne fituam numrin më të madh të vendeve në Parlament e numrin më të madh të votave në historinë e partisë sonë të re. Ne e arritëm këtë, pavarësisht veprimeve të Ramës dhe shokëve të tij që kërcënuan votuesit dhe përdornin paratë e drogës për të prishur dhe deformuar zgjedhjet”.

Bumçi: Vizita e Minnitit për shkak të pushtetit të drogës në Shqipëri

Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi ka theksuar se deklarata e ministrit Xhafaj ditën e djeshme se policia ka vepruar ndaj fenomenit të drogës vitin e fundit tregon në mënyrë indirekte se policia ka qenë e përfshirë, duke lënë të nënkuptohet se më parë nuk ka vepruar me qëllim. Ai tha se ndërkombëtarët bënë gabim që nuk folën në kohën e duhur, por në këtë mandat ata po flasin dhe kanë tjetër marrëdhënie me Ramën. Ai tha se sot në marrëdhëniet me ndërkombëtarët Shqipëria përmendet vetëm për drogën dhe krimin.
“Ajo që tha Xhafaj se policia ka më pak se një vit se ka reaguar për drogën, pra ai e pranoi se policia nuk ka luftuar, por është bërë pjesë e drogë, më vjen keq ta them që sot Shqipëria njihet si vendi kryesor që prodhon drogën. Minniti (ministri italian) ka folur në një moment shumë të rëndësishëm pas hetimeve disavjeçare, ku flitet për një organizatë që ka trafikuar dhjetëra tonë drogë dhe nga përgjimet është i përfshirë ministri i Brendshëm. Ardhja e ministrit italian ka ndodhur se është i shqetësuar, sasia e kapur nga forcat e rendit është tre herë më shumë se më 2016. Ai tha duhen luftuar organizatat kriminale, krerët, por ne kemi arrestuar fshatarë. Italia është vendi që përballet me shqetësimin më të madh, është porta për të hyrë droga në Europë. Nuk janë goditur organizatat kriminale dhe ai e tha këtë kur tha duhet të goditen të paprekshmit. Përhapja e kanabisit nuk është mungesë profesionalizmi apo kapacitetesh, por përfshirje e shtetit.
Një mik si Italia ka qenë mbështetës kryesor për të hequr vizat. Prokurori i Leçes para tre vitesh tha se Adriatiku është kthyer në autostradë droge. Nuk janë goditur të paprekshimit. Këto hetime nuk mund të niseshin nga Shqipëria. Nëse pati një mbështetje nga partnerët, partnerët nuk folën për kanabizimin, ky mandat ka nisur ndryshe. Kemi raportin e Departamentit amerikan të Shtetit që e paraqet si bazë të zhvillimit rajonal, kemi shqetësime nga Holanda, Gjermania, Franca. Ky mandat ka nisur me drogën dhe krimin. Kjo është e vetmja marrëdhënie që Brukseli po shqyrton me Shqipërinë. Kanabisi dhe Shqipëria janë dy emra të pandashëm”, tha Bumçi për “Fax News”.

HEC-et në Valbonë nuk ndalen, Gjykata rrëzon banorët

Gjykata Administrative e Tiranës ka dhënë sot verdiktin e saj mbi çështjen e Hidrocentraleve mbi lumin e Valbonës. Pas shtyrjes së vendimit, ditën e mërkurë, trupa gjykuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën e banorëve të zonës dhe Shoqatës “Toka”, duke lejuar në këtë mënyrë vijimin e punimeve për ndërtimin e dy HEC-ve. Kjo gjykatë kishte nisur shqyrtimin e çështjes në fillim të muajit tetor, pas rrëzimit të kërkesës së palës paditëse në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Në padi, 27 banorë të fshatrave përreth kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve për ndërtimin e Hidrocentraleve, ndërsa ka rënë në sy edhe mbështetja e shumë organizatave të tjera vendase e të huaja, por edhe e Trupit Diplomatik si ambasada gjermane. Krahas dëmit ekologjik banorët kishin shprehur shqetësimin se puna për ndërtimin e HEC-ve ka vazhduar me ritme të shpejta dhe shpërthimet e dinamitit tronditin çdo natë shtëpitë, ndërkohë që shtrati i lumit është tharë.

Koncesionet për HEC-e do të jepen me procedurë të përshpejtuar

Ndërtimi dhe shfrytëzimi i burimeve të energjisë së rinovueshme me kapacitet të instaluar mbi 2MW, të cilat kanë vlerë investimi mbi 100 milionë euro do të përjashtohen nga procedurat aktuale të dhënies me koncesion apo partneritetit publik-privat. Gjithçka përcaktohet në një projektligj, i cili ka mbërritur në Kuvend e që i hap rrugën përshpejtimit të procedurave për dhënien e këtyre lejeve. Sipas relacionit shoqërues, në këtë kategori mund të shqyrtohen në mënyrë specifike ndërtimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga hidrocentralet apo termocentralet, ndryshe nga legjislacioni aktual, i cili për HEC-et me kapacitet të instaluar mbi 2 MW, kërkonte zbatimin e procedurave së dhënies me koncesion. Sipas relacionit, sektori energjetik shqiptar aktualisht ka nevojë për ndërtimin e objekteve të reja gjeneruese, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë, por kuadri ligjor aktual parashikon procedura të zgjatura për miratimin e kontratës. Gjithashtu, në dokument thuhet se ky përjashtim do të mundësojë thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase, pasi deri më tani, shumë investitorë që kanë pasur interes për të investuar në sektorin elektroenergjetik, janë tërhequr pas konstatimit se kuadri ynë ligjor për koncesionet dhe PPP-të kërkon një kohë të gjatë prej më shumë se dy vjetësh, për finalizimin e kontratës koncesionare.

Gati protestat mbarë popullore

“Të paktën nga informacionet që kemi ne llogaritet që të ketë të paktën 100 tonelata drogë vetëm në Durrës që presin të kalojnë drogën. Vazhdojnë ta ruajnë të magazinuar drogën dhe për një periudhë tjetër planifikojnë të vijojnë riprodhimin”
“Protestat janë një nga mënyrat që po përgatisim dhe do ta realizojmë. Nuk mund të them afate të përcaktuara se është një proces i tërë që po përgatisim së bashku me opozitën me qëllim që të ketë rezultat final”
Opozita është duke u përgatitur për ngritjen në protesta mbarëpopullore me qëllim rrëzimin e Ramës dhe shkëputjen e lidhjeve të krimit dhe bandave të drogës ndaj qeverisjes e shqiptarëve. Nënkryetari i PD, Paloka paralajmëroi dje se Partia Demokratike do të përshkallëzojë qëndrimin e saj për rastin “Tahiri” si dhe lidhjet e qeverisë. Nënkryetari Edi Paloka konfirmon se, opozita po përgatitet për protesta, qëllimi final i të cilave është rrëzimi i Edi Ramës.
“Të gjitha faktet, jo vetëm ato që kemi denoncuar gjatë fushatës apo pas fushatës, por edhe konfirmimet e fundit që vinë nga Antimafia italiane tregojnë qartazi që, vetëm zgjedhje nuk ka pasur në Shqipëri, por ka pasur një aktivitet kriminalo-mafioz që rezultoi pastaj me rivendosjen e Ramës kryeministër. Kështu që sot jemi në një situatë që absolutisht duhet ndryshuar. Jo se ne nuk e dinim, jo se nuk kemi reaguar edhe më parë, por siç është bërë zakon për fat të keq në Shqipëri, kur diçka e thonë të huajt atëherë bëhet edhe më e besueshme. Dhe këtë herë janë arsye në fakt që të besojmë, se kemi të bëjmë me fakte të Antimafias italiane për kokat e qeverisë, duke nisur nga Saimir Tahiri e duke përfunduar tek Edi Rama. Nuk ka qenie mediokre apo inteligjente në Shqipëri të besojë që gjithçka e ka bërë Saimir Tahiri pa bekimin e Edi Ramës, për këtë arsye jemi në këtë situatë, për këtë arsye PD kërkon rrëzimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një qeverie Antimafia. Sigurisht nuk presim që Edi Rama ta bëjë me vullnet të tillë, protestat janë një nga mënyrat që po përgatisim dhe do ta realizojmë. Nuk mund të them afate të përcaktuara se është një proces i tërë që po përgatisim së bashku me opozitën me qëllim që të ketë rezultat final”, shprehet Paloka për.
Saimir Tahiri nuk do jetë i vetmi ish-zyrtar i lartë nën akuzë. Edi Paloka paralajmëron skandale të tjera për të tjerë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të qeverisë Rama. “Minimalisht duhet të kishte shkarkuar dhe çuar para drejtësisë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, me gjithë këto fakte që kanë dalë, me gjithë këto akuza që janë ngritur jo nga opozita, por edhe nga partnerët. Shohim që përveç mbrojtjes që i bëhet krimit dhe mafias me të cilin kjo qeveri ka ardhur dhe mbahet në pushtet, nuk ka asnjë reagim tjetër. E thashë, nuk presim reagim, për këtë arsye, synimi ynë është rrëzimi i kësaj qeverie. Funksionarë të lartë dhe ish-ministra të tjerë janë të implikuar në raste korrupsioni, kjo është çështje tjetër që lidhet me të tjera informacione me të tjera ngjarje që do vijnë më pas”, thekson Paloka.
Partia Demokratike po përgatit një nismë ligjore për heqjen e plotë të imunitetit e politikanëve. Numri dy i Partisë Demokratike konfirmon se i gjithë grupi parlamentar është parimisht dakord, por ekspertët po kujdesen për detajet që një nismë e tillë të mos keqpërdoret nga mazhoranca. “I kam parë informacionet që kanë dalë në media, nuk është e vërtetë. Nuk ka qenë asnjë kundër parimisht në grup, të gjithë jemi në mbështetje të kësaj nisme. Kemi diskutuar për disa çështje teknike që duhet të reflektohen në ligj, sepse me një kryeministër të tillë që mbron krimin dhe sulmon opozitën duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk duhet asnjë deputet, jo vetëm opozita të hidhet si pre e kryeministrit. Por, absolutisht i gjithë grupi ka qenë dakord me këtë lëvizje politike në parim. Specialistët tanë po shohin detajet teknike që pastaj të kemi nismë konkrete”, sqaron nënkryetari demokrat.

Vetëm në Durrës ndodhen në pritje për trafik 100 ton drogë

Nënkryetari demokrat Edi Paloka në një prononcim për median menjëherë pas raportit të Guardia di Finanzia, deklaroi se u konfirmuan akuzat e opozitës. Sipas tij, se droga u kultivua me porosi qeveritare. Për nënkryetarin e PD-së ka informacione se vetëm në Durrës ndodhen në pritje për trafik 100 ton drogë. “Të paktën nga informacionet që kemi ne llogaritet që të ketë të paktën 100 tonelata drogë vetëm në Durrës që presin të kalojnë drogën. Vazhdojnë ta ruajnë të magazinuar drogën dhe për një periudhë tjetër planifikojnë të vijojnë riprodhimin. Edhe deklaratat e sotme të ministrit italian dëshmojnë se kjo qeveri është e lidhur me krimin. Sado Rama të përpiqet të shpëtojë ish-ministrin e tij të Brendshëm është e kotë, pasi do të ketë vetëm një fund, për Saimir Tahirin dhe fund për Ramën.