30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

KLSH: 820 milionë euro dëmi dhe të ardhura të munguara në 2016

Më datë 31 tetor, Kontrolli i Lartë i Shtetit prezantoi në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit dhe përpara qytetarëve Raportin e tij për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2016. Është viti i shtatë rradhazi që ky institucion synon të përçojë tek ligjvënësit dhe tek opinioni publik problemet reale të ecurisë së programeve qeveritare gjatë një viti financiar. Edhe pse vëmendja e opinionit publik është përqendruar sot në tensionet politike të vendit, këmbanat që u bie fort KLSH për ecurinë e parave të të gjithëve janë me rëndësi për t’u dëgjuar dhe kuptuar.

Hendeku në Programimin buxhetor afatmesëm

Sipas KLSH, programimi i të ardhurave dhe parashikimi i treguesve ekonomikë mbeten pika më e dobët e Qeverisë në menaxhimin e financave publike, duke ndikuar edhe në rishikimin e nivelit të shpenzimeve. Duke iu përshtatur ndryshimeve të nevojshme buxhetore, kuadri makroekonomik dhe ai fiskal e humbasin rolin e të qenit mjete strategjike dhe pika reference për Programimin Buxhetor Afatmesëm dhe vjetor. Raporti i KLSH evidenton në mënyrë të detajuar se, Programi Buxhetor Afatmesëm plotësohet në mënyrë formale, duke venë në dyshim standardet dhe saktësinë e programimit të produkteve. Me këtë mënyrë të vepruari, Programimi Buxhetor Afatmesëm nuk mund të realizojë qëllimin e tij, inkurajimin e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit në kryerjen e shpenzimeve publike, lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet prioriteteve strategjiko-politike të Qeverisë me shpërndarjen e burimeve publike dhe në kryerjen e shpenzimeve publike, si dhe promovimin e disiplinës fiskale. Programi buxhetor vijoi të preket nga ndryshimet e buxhetit me Akte Normative, praktikë që gjatë viteve të fundit është konsoliduar, duke cënuar kredibilitetin e Buxhetit të Shtetit. Rishikimi i treguesve të parashikuar me Ligjin nr.147/2015 “Për buxhetin e vitit 2016”, me dy akte normative, është fakt që tregon se zërat e shpenzimeve dhe të të ardhurave janë programuar mbi baza jo realiste, për të mos thënë tejet optimiste për të ardhurat, e shoqëruar kjo me një proces jo të kujdesshëm dhe të pa monitoruar siç duhet nga strukturat respektive në qendër dhe në bazë. Akti i fundit normativ lidhur me buxhetin është propozuar nga qeveria në ditët e fundit të muajit dhjetor 2016 (miratuar nga Kuvendi në janar 2017).
KLSH konstaton se, ndryshe nga sa Qeveria është angazhuar në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020, parashikimet tejet optimiste mbi të ardhurat dhe PBB-në kanë vazhduar të ndikojnë ndjeshëm proceset e buxhetimit dhe planifikimit gjatë vitit 2016. Institucioni vlerëson se përmbushja e synimeve të Strategjisë kërkon një angazhim gjithëpërfshirës dhe nuk është përgjegjësi vetëm e ministrit dhe e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të cilët koordinojnë këtë proces, por edhe e ministrave dhe ministrive të tjera të linjës dhe e institucioneve të pavarura.
Për të plotësuar hendekun në programimin buxhetor, KLSH ka rekomanduar krijimin e menjëhershëm të Këshillit Fiskal, si një autoritet, i cili duhet të mbikëqyrë përputhshmërinë me rregullat fiskale, monitorojë konsolidimin fiskal, përfshirë saktësinë e parashikimeve makroekonomike, cilësinë e planifikimit buxhetor afatmesëm, si dhe të japë rekomandime që lidhen me qëndrueshmërinë fiskale dhe makroekonomike. Përzgjedhja e këtij Këshilli duhet t’i largohet praktikave formale të konstatuara gjatë formimit të bordeve të ngjashme, ndërkohë që KLSH kërkon që kriteret e përzgjedhjes së personave duhet të jenë të larta, referuar kapacitetit profesional dhe integritetit personal, ku kusht me rëndësi është përvoja e konsoliduar në menaxhimin e financave publike. Institucioni rekomandon që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me dokumentet e buxhetimit afatmesëm, të publikojë edhe analiza sasiore dhe faktoriale, për ndikimet që kanë shkaktuar ndryshimet mes parashikimeve. Një Program Buxhetor Afatmesëm i hartuar saktë nga institucionet buxhetore do të sjellë jo vetëm konsolidimin e procesit buxhetor afatmesëm, por gjithashtu do të disiplinojë edhe parashikimin e detyrimeve kontraktuale me efekt financiar përtej vitit buxhetor. Në terma vjetorë, duhen publikuar shpjegimet dhe shkaqet e ndryshimeve në planifikim, me qëllim rritjen e cilësisë së parashikimit dhe shmangjen e gabimeve. Kjo do të sjellë hartimin e buxheteve kredibël.

Gremina e borxhit tatimor

Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 cilëson se do të vazhdojnë përpjekjet për të forcuar menaxhimin e të ardhurave, duke rishikuar politikën e taksave dhe reformuar administratat tatimore dhe doganore, për të rritur efiçiencën e tyre në mbledhjen e të ardhurave dhe zvogëluar hendekun tatimor. Në të, qeveria është angazhuar që të përmirësojë menaxhimin e borxhit tatimor dhe doganor.
Në lidhje me këtë angazhim, KLSH ka konstatuar se të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit si rezultat i rritjes së detyrimeve që subjektet kanë për t’i paguar administratës tatimore dhe doganore është një nga faktorët e rëndësishëm që ka ndikuar në performancën fiskalë të vitit raportues. Përveç rritjes së Borxhit Tatimor dhe Doganor në vlerë nominale me 41.1% në krahasim me 2015, rezulton se pesha e këtij borxhi si përqindje ndaj PBB-së, nga 8.5% e PBB-së në fund të 2015 ka arritur në 11.7% e PBB-së në fund të 2016. KLSH shprehet, me shqetësim, se stoku i borxhit tatimor është i përqendruar, ku 1.4% e numrit total të subjekteve zënë 77% të stokut të borxhit. Në fund të vitit 2016, detyrimet tatimore të subjekteve buxhetore dhe enteve publike zënë 17% të totalit të stokut të borxhit.
Nga auditimi i Borxhit Tatimor dhe analiza e të dhënave rezultoi se kemi një rritje me shifra alarmante të këtij borxhi për vitin 2016 (përfshi këtu dhe borxhin e raportuar nga DPT në lidhje me sigurimet shoqërore në vlerë 14,131 milionë lekë), i cili në fund të vitit arriti në masën 147,068 milionë lekë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë vitit 2016 vlera e borxhit është rritur për shumën 46,695 milionë lekë ose 46.5% të gjendjes së borxhit në fillim të vitit 2016. Ndërkohë që numri i subjekteve debitorë në fund të vitit 2016 është 146,650, me një rritje prej 63,366 subjektesh në krahasim me një vit më parë. Në ndarjen e stokut të borxhit sipas madhësisë, në fund të vitit 2016 subjektet me borxh më të madh se 5 milionë lekë (2,067 subjekte ose 1.4% e numrit total të subjekteve) zënë 77% të stokut të borxhit ose 113.8 miliardë lekë në total. Në fund të vitit 2016, detyrimet e subjekteve buxhetore dhe enteve publike zënë 17% të totalit të stokut të borxhit. Borxhi Doganor dhe borxhi i akcizës gjatë vitit 2016 rezulton me një ulje të lehtë të numrit të rasteve (94 raste më pak), por me një rritje të vlerës së borxhit të përgjithshëm me 3,3 miliardë lekë ose 15.5%.
Rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore për vitin 2016 është në vlerë 51,175 milionë (52.2 miliardë) lekë ose 383 milionë euro dhe përbën mungesë direkte të ardhurash për buxhetin e shtetit. Në vitin 2015 rritja e këtij borxhi ka qenë në vlerë 21.4 miliardë lekë.
Shpenzimet buxhetore për vitin 2016 janë realizuar më pak se viti 2015 me 3.6 miliardë lekë, ose 95.7% krahasuar me planifikimin fillestar. Impaktin më të madh në këtë rënie e ka mosrealizimi i shpenzimeve për interesa si dhe shpenzimet për buxhetin vendor. Mosrealizimi i të ardhurave, në kushtet e treguesve makroekonomikë, ka ndikuar në nënrealizimin e planit të shpenzimeve për vitin 2016.
Në lidhje me shpenzimet e buxhetit të pushtetit vendor, KLSH sjell në vëmendje se mungesa e performancës në mbledhjen e të ardhurave si dhe mos efektiviteti i kontrollit të angazhimeve të shpenzimeve, ka bërë që institucionet buxhetore të gjenerojnë detyrime të prapambetura për kontratat e lidhura (detyrime për të cilat nuk ka një shifër të saktë,) faktorë të cilët përbëjnë rrezik për disiplinën fiskale. Asnjë nga bashkitë nuk ka një strategji fiskale afatmesme në lidhje me kontraktimin dhe ripagimin e huave për zhvillimin e infrastrukturës, zgjerimin e të ardhurave, si dhe likuidimin e detyrimeve të prapambetura ekzistuese të shpenzimeve.
Si pasojë e keqpërdorimit të fondeve në vitet e kaluara dhe përdorimit të buxhetit të këtij viti në shlyerjen e investimeve të periudhave të mëparshme, këtë vit sipas raportimeve të Ministrisë së Financave, janë krijuar detyrime të reja të prapambetura në shumën 1,803,600 mijë lekë (rreth 1.8 miliardë lekë ose mbi 13.5 milionë euro).
Në total efektet negative në buxhetin e vitit 2016 llogariten në vlerën 109,546 milionë (109.5 miliardë) lekë ose 820 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015 kjo shifër është rreth 53.3 miliardë lekë, ose 400 milionë euro, më e lartë.
Nga auditimet në zbatim të buxhetit 2016, KLSH ka konstatuar shkelje të ligjshmërisë financiare konsideruar si dëme ekonomike për buxhetin e shtetit në vlerën 19,909 milionë (19.9 miliardë) lekë ose 149 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015, kjo shifër është rreth 5 miliardë lekë, ose 37.5 milionë euro, më e lartë.
Dëmet më të mëdha janë evidentuar në Albpetrol Sh.A. me 9.1 miliardë lekë OSHE me 4.9 miliardë lekë, projektet e “ndërtimit të aksit Tiranë-Elbasan” dhe “ndërtimit të by-pass-it Fier Vlore” në vlerë 2.2 miliardë lekë, dhe Sistemin Doganor në vlerë 1.4 miliardë lekë.

Borxhi publik dhe shërbimi i tij

Borxhi Publik për vitin 2016 rezultoi në vlerën 1,066,566 milionë (1.07 triliardë) lekë me një rritje nga niveli prej 1,043,212 milionë (1.04 triliardë) lekë i realizuar për vitin 2015. Vlera relative e borxhit publik e raportuar është 71.01% e PBB-së. KLSH gjykon se kjo mënyrë vlerësimi nuk është bazuar në vlerën më të fundit të PBB-së të raportuar në World Economic Outlook (Perspektiva Ekonomike Botërore), sikurse është përcaktuar në Ligjin “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në RSH”. Bazuar në këtë metodologji stoku i borxhit në fund të vitit 2016 rezulton 72.4% e PBB-së .
KLSH vlerëson se niveli i borxhit publik (si % kundrejt PBB) nuk tenton drejt parametrave të synuar, pasi për vitin 2015 niveli i borxhit publik është rritur në nivelin 72.71% (ose më saktë 73.06%), kurse për vitin 2016 niveli i borxhit publik ka arritur në 71.01% (ose më saktë 72.4%) dhe është larg përmbushjes së synimit të vendosur në Strategjine për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 për një nivel borxhi në fund të vitit 2017 në 65.5% të PBB-së, dhe larg objektivit prej 60% të PBB-së, që KLSH ka rekomanduar në pesë vite rresht, si nivel në të cilin duhet të luhatet Borxhi Publik. KLSH, në Raportin e tij për zbatimin e buxhetit 2016, rithekson se Qeveria duhet të angazhohet maksimalisht që të përmbushë objektivin e vendosur në këtë Strategji për ta ulur borxhin publik nën 60% të PBB-së brenda një periudhe afatmesme.
Institucioni konstaton se borxhi i brendshëm përbën 52.7% dhe borxhi i jashtëm zë 47.3% të stokut të borxhit në fund të vitit 2016. Borxhi i brendshëm rezultoi me një rritje me 1.73%, ndërsa ai i jashtëm rezultoi me një rritje me 2.7%. Duke qenë borxhi publik një tregues i rëndësishëm dhe me peshë në qëndrueshmërinë e financave publike dhe projeksionet ekonomike të së ardhmes, KLSH sjell në vëmendje ekspozimin ndaj risqeve që krijon niveli i rritur i borxhit të jashtëm.
Për të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, si dhe menaxhimin e borxhit publik, KLSH rekomandon që:
Ministria e Financave dhe Ekonomisë të marrë të gjitha masat për përmirësimin e metodologjisë së përdorur për parashikimin dhe zbatimin e programit të të ardhurave buxhetore, në mënyrë që të eliminoje devijimet e shumta ndërmjet të ardhurave të vlerësuara në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2016-2018 (Faza e parë) dhe të ardhurave të mbledhura nga Administrata Tatimore dhe Doganore.
Realizimi i të ardhurave buxhetore kundrejt planifikimit do të bëjë të mundur edhe një planifikim të mirë të shpenzimeve buxhetore si dhe do të këtë një rol kyç në plotësimin e nevojave të vendit, në përmirësimin e shërbimeve publike dhe njëkohësisht në rritjen e investimeve dhe nxitjen ekonomike. Në këtë mënyrë, konsolidimi fiskal do të arrihet përmes rritjes së të ardhurave dhe jo me frenim të shpenzimeve publike.
Përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike do të ndikonte në ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe mbajtjen nën kontroll të saj. Prioritet duhet të kenë investimet të cilat kanë ndikim të shpejtë në rritjen ekonomike, punësimin dhe uljen e varfërisë. Të gjitha këto për të mbajtur në nivelin e dëshiruar dhe të pranueshëm treguesit kryesorë në kontekstin e garantimit të konsolidimit fiskal.
Të merret në konsideratë që në raportimin mbi raportin e borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, vlera e cila do të përdoret për llogaritjen e PBB-së të jetë konsistente dhe në bazë të një përcaktimi zyrtar të pandryshueshëm, për kryerjen e analizave në të njëjtën bazë krahasuese dhe moslënien e hapësirave për interpretim të këtij treguesi.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë të evidentojë nevojat reale për huamarrje në realizimin e projekteve të reja të investimeve dhe të ketë raportim të ndarë për realizimin e investimeve të reja gjatë vitit buxhetor në mënyrë që të gjykohet në lidhje me përdorimin e shtesës së borxhit të marrë. Borxhi i ri i marrë të jetë në koherencë me objektivat e tjerë strategjikë të Ministrisë për përmirësimin e treguesve fiskalë nëpërmjet impaktit pozitiv që këto investime të reja për të cilat duhet të merret borxhi kanë për ekonominë kombëtare.

Problematika e mprehtë në qeverisjen vendore

Nivel i ulët i të ardhurave të mbledhura. Në 21 subjektet e audituara, KLSH konstaton se niveli i borxhit tatimor paraqitet në vlerën 1,4 miliardë lekë, duke ardhur gjithmonë në rritje nga viti në vit dhe duke reflektuar nivelin e lartë të të ardhurave të munguara në buxhetet e njësive vendore. Pavarësisht se disa herë kanë dalë akte ligjore për faljen e taksave dhe tarifave vendore, përsëri niveli i borxhit tatimor paraqitet në rritje, pasi kalimi i aktivitetit të subjekteve nga ish-komunat në bashki, listat apo dosjet e bizneseve, nuk është bërë në kujdesin e duhur dhe bazuar në kërkesat ligjore.
Detyrime të prapambetura në nivel shqetësues. Nga auditimet e ushtruara, rezulton se në mjaft njësi të vetëqeverisjes vendore, është akumuluar një borxh i konsiderueshëm, nëpërmjet krijimit të faturave të palikuiduara ndër vite, për arsye të kryerjes së punimeve apo shërbimeve pa u siguruar më parë fondet e nevojshme për kryerjen e tyre.
Kontrolli dhe administrimi i territorit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Edhe pse Njësive të Vetëqeverisjes Vendore ju janë transferuar pjesa më e madhe e pronave, kullotave dhe pyjeve, ende nuk janë kryer inventarizimet dhe regjistrimet në zyrat e regjistrimit (ZVRPP), me justifikimin e mungesës së hartave përkatëse. Për kontrollin e territorit në pjesën më të madhe të bashkive janë krijuar dhe funksionojnë strukturat e Inspektorateve të Mbrojtjes Territorit (IMTV), ka raste që këto struktura nuk janë plotësuar me specialistë të fushës, duke mos zbatuar kërkesat e Ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.
Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin. Në njësitë vendore nuk njihen dhe nuk funksionojnë sistemet e kontrollit të brendshëm, fakt që reflekton nivel të ulët të efektivitetit dhe eficencës në shpenzimin e fondeve në dispozicion.

Këmbana e Sigurimeve Shoqërore

Në skemën e Sigurimeve Shoqërore, në fund të vitit 2016, të ardhurat nga dega e pensionit të fshatit mbulojnë vetëm 22% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 28% një vit më parë. Rezultati financiar i degës së pensionit të fshatit, vazhdon të mbetet problematik. Kështu, defiçiti i degës së pensioneve të fshatit ka rezultuar 8.2% më i lartë se një vit më parë. Për vitin 2016 rezultuan 53,168 kontribues fizikë të siguruar, ndërkohë që në vitin 2015 ky numër ka qenë 89,572 persona. KLSH i ka rekomanduar strukturave drejtuese të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të kryejnë studime të mirëfillta e të veçanta për degën e pensioneve të fshatit, për të minimizuar defiçitin e kësaj skeme.

Dëmet në skemën e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor

Pavarësisht ndryshimeve që u bënë në tetor, me VKM Nr. 721, datë 12.10.2016, të cilat konsistonin në zgjerimin e fashës së grupmoshave që kryejnë kontrollin bazë dhe përfshirjen në set të dy ekzaminimeve shtesë sërish numri i kontrolleve të realizuara ngelet i ulët dhe nuk është arritur të ofrohen iniciativat e nevojshme për të ftuar popullatën për realizimin e kontrollit bazë. Konkretisht, KLSH ka konstatuar se nga një minimum prej 39,583 kontrolle të parashikuara në muaj sipas kontratës, gjatë vitit 2016 janë realizuar mesatarisht 27,500 kontrolle me një diferencë prej 12,083 kontrolle më pak në muaj, me një përqindje realizimi prej 69.4%. Gjithashtu, institucioni vëren se ka një trend në ulje për këtë shërbim krahasuar me një vit më parë. Kështu, për vitin 2015 janë realizuar mesatarisht 29,870 kontrolle në muaj nga 39,583 të parashikuara sipas kontratës, me një përqindje realizimi prej 75%. Po të ishte vepruar sipas rekomandimit të lënë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë vitit 2016, dhe koncesionari të ishte paguar vetëm për vlerën e shpenzimeve fikse për çdo kontroll bazë dhe jo për vlerën e shpenzimeve variabël për kontrollet e pakryera, llogaritur në rreth 400 lekë (pa TVSH) (pasi koncensionari nuk ka kosto materiale për këto raste), do të ishte ulur kosto për buxhetin e shtetit në vlerën 58.2 milionë lekë (për 145,440 * 400 lekë).
Nga auditimi mbi rregullshmërinë e faturimit dhe likuidimit të paketës së “Check-up” u konstatua se për vitet 2015-2016 janë pranuar dhe kryer likuidime për faturat tatimore mujore të lëshuara prej konçesionarit në vlerën totale 1,394,912,342 lekë. Në këtë vlerë faturimi të shërbimit shëndetësor nëpërmjet paketave të kontrollit mjekësor, është përfshirë edhe TVSH në shkallën 20% mbi vlerën e shërbimit shëndetësor, veprim që bie në kundërshtim me përcaktimet ligjore në Nenin 51 pika c) e Ligjit Nr. 92/2014 datë 24.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH”, i ndryshuar i cili përcakton: “Përjashtimi i disa veprimtarive me interes të përgjithshëm”, pika c): furnizimi i shërbimeve shëndetësore dhe veprimeve të lidhura ngushtë me to, që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të shtetasve, përfshirë parandalimin, diagnozën, trajtimin, kurimin e sëmundjes apo çrregullimeve shëndetësore dhe rehabilitimin, nga institucionet shëndetësore publike ose private, të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shëndetësor”. Marrja nga Fondi e shërbimit si një shërbim i tatueshëm me TVSH, krijon një kosto shtesë që vetëm për periudhën e trajtuar llogaritet në shumën 232,4 milionë lekë.
KLSH ka rekomanduar që Fondi për Sigurimin e Detyrueshëm të Kontrollit Shëndetësor (FSDKSH) t’i propozojë ministrit të Shëndetësisë ndryshimin e Vendimit Nr.185, datë 2.4.2014 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së realizimit të kontrollit mjekësor bazë, duke u shtrirë fashën e përfituesve të këtij shërbimi në grupmoshën mbi 35 vjeç”. Kjo ndërhyrje të shoqërohet edhe me vendosjen e mekanizmave për një monitorim të cilësisë së shërbimit të ofruar, duke synuar rritjen e besueshmërisë së popullatës, në mënyrë që ky koncesion të përmbushë objektivat për të cilin u ofrua nga qeveria.
Nga auditimi në FSDKSH, përveç efekteve negative për buxhetin e shtetit të përllogaritura në rreth 1.8 miliardë lekë, KLSH vlerëson se FSDKSH nuk ka një sistem të kontrollit të brendshëm efektiv për të garantuar përputhshmërinë me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë aktivitetin e institucionit.

Veliaj hap megatenderin, 2 miliardë lekë për ortakët

Bashkia e Tiranës ka hapur ditën e premte procedurat për tenderin e ndërtimit të 5 shkollave të reja në kryeqytet. Pjesë e programit “1 miliard”, projekti kap vlerën 1.94 miliardë lekë pa TVSH dhe do të jepet në formën e koncesionit me Partneritet Publik-Privat. Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin, pajisjen me laboratore, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të pesë objekteve mësimore.
Vetëm pas përfundimit të ndërtimeve, Bashkia do t’i paguajë kompanisë fituese një shumë të caktuar vjetore, deri në përfundimin e plotë të shumës së investuar brenda afateve të kontratës, 7 vite e 18 muaj. Tenderi do të qëndrojë i hapur deri më datë 27 dhjetor, ndërsa oferta ekonomike do të luajë një rol kryesor në përcaktimin e fituesit.
Objektet mësimore që do të ndërtohen janë si më poshtë:
Shkollë për arsimin 9-vjeçar në NJA nr. 9 pranë lagjes “Don Bosko”, me një kapacitet prej 600 nxënësish dhe 20 klasash.
Shkollë për arsimin 9-vjeçar në NJA nr. 11 brenda kompleksit universitar të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me kapacitet prej 900 nxënësish dhe 30 klasash.
Shkollë 9-vjeçare në NJA nr. 11 pranë rrethrrotullimit të Doganës, me kapacitet prej 900 nxënësish dhe 30 klasash.
Shkollë e mesme në NJA nr. 9 pranë lagjes Don Bosko, me kapacitet prej 630 nxënësish dhe 21 klasash.
Shkollë e mesme brenda kompleksit universitar të UBT, me kapacitet prej 630 nxënësish dhe 21 klasash.
Ndërtimi i këtyre objekteve përputhet me objektivat e Ministrisë së Arsimit, bashkëfinancuese në këtë tender, për lehtësimin e kapaciteteve në shkolla, duke reduktuar numrin e nxënësve për klasë.

Koncesioni për të gjitha shkollat

Mbi 460 mijë lekë të vjetra për metër katrorë. Kaq ka llogaritur projektuesi i Veliajt për koston e ndërtimit të shkollave. Mbi 54 miliardë lekë të vjetra do të kushtojë ndërtimi për 17 shkollat (5,406,768,353 lekë të reja).
“Bazuar në relacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, nr.prot. 21407/2, datë 09.08.2016, kostoja për ndërtimin e shkollave është 46,331.67 lekë/m2, ndërsa për ndërtimin e kopshteve është 54,380.83 lekë/m2. Llogaritur gjithashtu edhe kostot e tjera të projektit, si kostoja e mobilimit, kostoja e mirëmbajtjes, studim projektimi, mbikëqyrja e punimeve, kolaudimi, oponenca teknike, mbrojtja ndaj zjarrit dhe leja mjedisore. Në total, kostoja direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është përllogaritur 5,406,768,353 lekë”, thuhet në relacionin e kontratës TIP.
Si do të punohet me koncesionarin? Fare thjeshtë sipas llogarive të bashkisë: për 7 vjet do të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë që i përdor bashkia.
“Duke qenë se koncesionari do të paguhet me këste vjetore nga Bashkia Tiranë për një periudhë 7-vjeçare, atëherë ai do të duhet të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë. Për këtë arsye si marzh fitimi kemi marrë si tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7-vjeçare fikse, e cila është përllogaritur 6,28%”, thuhet më tej.
Mendoni se 54 miliardë lekë është kostoja totale? Jo! Asaj do t’i shtohen miliarda të tjera.
“Pas 7 vjetësh, në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kostoja totale e skemës së koncesionit/partneritetit publik privat do të jetë 7,997,517,960 lekë”, sqarohen miliardat “stratosferike”, mbi 79 miliardë lekë të vjetra.

Farsa e dosjes anti-Trump

Scott Ritter

Hetimi i drejtuar nga prokurori Robert Mueller për përplasjet ndërmjet fushatës së Donald Trump dhe qeverisë ruse ka hyrë në një fazë të re dhe po përqendrohet tashmë në akuzat e pastrimit të parave. Ditën e hënë, u bënë padi kundër ish-kreut të fushatës së Trumpit, Paul Manafort dhe bashkëpunëtorit të tij Rick Gates.
Po dalin ndërkohë edhe fakte të reja që mund ta shtyjnë historinë e Rusisë në një drejtim tërësisht të ri, se dosja e famshme e krijuar nga ish-spiuni i Shërbimit të Inteligjencës Britanike, Michael Steele, është blerë dhe paguar nga firma ligjore Perkins Coie, e cila punonte për llogari të fushatës së Hillary Clintonit dhe Komitetit Kombëtar Demokrat.
Debatet aktuale nuk janë shumë për përmbajtjen e dosjes, pasi pavarësisht sa është raportuar, asnjë nga pretendimet nuk mund të verifikohet. Problemi tani është se si opozita ka bërë kërkime nga burime të huaja dhe i ka paguar nga fushata e Hillary Clintonit dhe Komiteti Kombëtar i Inteligjencës dhe se këto kërkime kanë influencuar vendimin për të përgatitur Vlerësimin e Komunitetit të Inteligjencës (ICA) në janar 2017 në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Përmbajtja e kësaj dosje pra ka influencuar këtë vlerësim dhe hetimet e mëpasshme nga Kongresi i SHBA-ve dhe Prokuroria.
Ende nuk dihet saktësisht deri në çpikë e ka influencuar dosja hetimin e Mueller. Në janar, komuniteti amerikan i Inteligjencës publikoi vlerësimin ICA, i cili buroi nga raportet e Inteligjencës dhe vlerësimet e drejtuara nga FBI-ja, CIA dhe NSA. Shumë nga akuzat të bëra në raportin ICA pasqyrojnë qartë përmbajtjen e dosjes Steele. Ngjashmëritë mes të dyjave janë aq të mëdha, sa disa republikanë pretendojnë se raporti ICA është një kopje e dosjes Steele që tregon lidhje me shërbimet e Inteligjencës së huaj që kanë pasur akses në të, apo me burimet e tjera që janë përdorur nga Steele.
Sipas Robert Litt, i cili ka shërbyer si këshilltar i përgjithshëm i ish-drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, këto ngjashmëri nuk janë gjë tjetër veçse rastësi. “Vetë dosja”, shkroi Litt në një blog ligjor kohët e fundit, “nuk ka luajtur asnjë rol në vlerësimin e koordinuar të inteligjencës që tregon se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. Vlerësimi, i cili është deklasifikuar në janar, por që përmbante më shumë detaje në versionin e klasifikuar nga sa i ëshë paraqitur Kongresit, është bazuar tërësisht në burime dhe analiza të tjera”.
Më tej, thekson Litt, vendimi i dhjetorit 2016 për të informuar presidentin e zgjedhur Donald Trump për ekzistencën e dosjes Steeele dhe për t’i dhënë atij një përmbledhje prej dy faqesh të dokumentit, nuk tregonte se komuniteti i Inteligjencës ishte bazuar në të dhe nuk është bërë asnjë vlerësim në lidhje me verifikueshmërinë e informacioneve që ndodhen aty. Kjo, sipas Litt, ishte një nevojë për të informuar Trumpin se dokumenti ekzistonte dhe se do t’i kalohej Kongresit dhe mediave.
Një ekzaminim i lidhjes ndërmjet dosjes dhe publikimit të dokumentit rus ICA, tregon se Litt nuk është treguar aspak i sinqertë në mohimet e tij. Materialet nga dosja Steele ishin shpërndarë tek FBI dhe komuniteti i Inteligjencës në qershor të vitit 2016 dhe duket se kanë qenë burimi kryesor i informacioneve të inteligjencës që kanë ofruar të ashtuquajturit Banda e të Tetëve që kanë shërbyer si shtysë për hetimin e përzierjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe më pas u transformua në vlerësimin ICA të vitit 2017.
Më tej, teksa Perkins Coie mbante në dorë dosjen e Steele, menaxhonte edhe narrativën e hakerave rusë për mediat amerikane. Firma ligjore e fushatës së Hillary Clinton është krijuar në vitin 1981 nën drejtimin e Bob Bauer, i cili më pas u bë Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Presidentin Barack Obama. Sot, firma drejtohet nga Marc Elias, i cili është përshkruar si avokati i të gjithë demokratëve dhe si një figurë e rëndësishme e partisë. Elias mbikëqyr punën e 18 avokatëve që përfaqësojnë pothuajse çdo senator demokrat, si dhe Komitetin Kombëtar Demokrat dhe Hillary Clintonin dhe fushatën e saj.
Duke punuar pikërisht për këto dy klientët e fundit të tij, Elias punësoi Fusion GPS, një kompani me seli në Uashington që sipas faqes së saj zyrtare, ofron kërkime të standardit të lartë për individë, inteligjencë strategjike dhe shërbime të tjera sipas kërkesës. Fusion GPS ishte kontraktuar më parë nga Uashington Free Beacon për të bërë kërkime për disa kandidatë të mundshëm republikanë. Megjithatë, kur u bë e qartë se Donald Trump do të ishte kandidati zyrtar i republikanëve, kontrata me Fusion GPS u mbyll.
Sipas një letre të dërguar nga Perkins Coie tek Fusion GPS rreth muajit mars të vitit 2016, Glenn Simpsion, bashkëthemeluesi i kompanisë, u takua me Elias dhe diskutuan për punën e kërkimit për llogari të fushatës së Hillary Clinton. Në prill të vitit 2016, kompania e Simpsion u punësua nga firma ligjore deri në fund të zgjedhjeve presidenciale.
Perkins Coie është firma ku punon edhe Michael Sussman, një partner i Praktikës së Privatësisë dhe Siguisë së të Dhënave të firmës, i cili u punësua nga Komiteti Demokrat për të mbikëqyrur penetrimin kibernetik në serverin e tyre në pranverën e vitit 2016. Kur, në fund të muajit prill, komiteti zbuloi se serverat e tyre ishin hakuar, Debbie Wasserman-Schultz drejtuese e komitetit, kërkoi ndihmën e Perkins Coie dhe Sussmanit.
Sussman drejtoi takimet me Komitetin Demokrat në lidhje me hakimet dhe më 4 maj 2016, ai iu drejtua Shawn Henryt për ndihmë, një ish-agjenti i FBI-së, i cili kishte drejtuar njësinë e përgjigjes ndaj incidentit për firmën e sigurisë kibernetike CrowdStrike. Sipas CrowdStrike u bë menjëherë e mundur identifikimi i një hakeri dhe origjina e aktivitetit ishte Rusia. Sussman, pasi u koordinua me Wasserman-Schultz, iu afrua FBI-së dhe u përpoq ta bindë që të tregonte publikisht ndërhyrjen e Rusisë.
Kur FBI refuzoi, pasi kërkoi të kishte akses në serverat e komitetit përpara se të merrte një vendim, Sussman u tërhoq dhe përsëri me mbështetje të plotë të Komitetit Demokrat, koordinoi një fushatë publike për të lidhur Rusinë me hakimin e serverave të komitetit përmes një lajmi ekskluziv në “Washington Post”, i cili u publikua bashkë me raportin teknik të CrowdStrike të titulluar “Arinjtë mes nesh”.
Kjo fushatë e marrëdhënieve publike nisi edhe histerinë mediatike lidhur me hakerët rusë që kishin penetruar në serverat e Partisë Demokratike, duke lejuar që çdo pjesë e mëpasshme e historisë të përmbante edhe narrativëm ruse. Natyrisht, çdo histori sado e vogël, drejtohej dhe monitorohej nga afër nga një përfaqësues i Komitetit Demokrat ose i fushtës së Hillary Clintonit.
Kjo ishte kaq a shumë koha kur Elias vendosi të zgjerojë qëllimin e kërkimit të Fusion GPS kundër Trumpit, duke shkruar përtej qëllimit të thjeshtë të informimit që ishte edhe arsyeja e punës së firmës deri atëherë. Ai vendosi ta çonte kërkimin drejt mbledhjes aktive të informacioneve, duke përdorur metodologji më të denja për punën e një agjencie spiunazhi. Personi që Fusion GPS kontaktoi për të këtë detyrë ishte Steele.
Personat kyç në fushatën e Clintonit dhe në Komitetin Demokrat refuzuan se kishin pasur njohuri për vendimin e Perkins Coie për të punësuar Fusion GPS për qëllimin e mbledhjes së informacioneve, apo për të punësuar Steele për këtë qëllim. Elias thuhet se kanë përdorur paratë që fushata e Clintonit i kishte dhënë firmës ligjore për të financuar punën e Fusion GPS, duke krijuar kështu kushtet e mohueshmërisë nga ana e klientëve. Ky vendim tregon se, Perkins Coie kishte pronësinë e dosjes Steele.
Ndërkohë, dosja Steele nuk ka asnjë lidhje me produktet e zakonshme të inteligjencës. Është një përzierje ndërmjet një raporti të shkruar keq dhe thashethemeve të “Vanity Fair”, që flasin për “manovra të oligarkëve” dhe “disidentëvce politikë”. Këto janë pikërisht llojet e burimeve profesionale të inteligjencës që operonin në Rusi gjatë viteve 1990, pikërisht koha kur Steele punonte në Rusi. Këto burime prodhojnë gjithashtu informacione që analistët profesionistë zakonisht i trajtojnë me skepticizëm ose i injorojnë kur duhet të nxjerrim produkte inteligjence të nivelit kombëtar.
Raporti i parë i prodhuar nga Steele, i datës 20 qershor 2016, ishte i mbushur me detaje qesharake që justifikonin më së miri titullin eksploziv “Aktivitetet e kandidatit republikan Donald Trump në Rusi dhe marrëdhënia e tij kompromentuese me Kremlinin”. Akuzat e paraqitura në raport bazoheshin në tre burime anonime: një zyrtar i Ministrisë së Jashtme, një ish-oficer i lartë i inteligjencës ruse dhe një zyrtar financiar rus, me të cilët Steele kishte arritur të kontaktonte përmes “një bashkëatdhetari të besuar”. Në raport pretendohej se Rusia kishte ushqyer fushatën e Trump me “informacione inteligjence të vlefshme” mbi Hillary Clintonin dhe se përpjekjet e tij mbështeteshin dhe drejtoheshin nga Presidenti rus Vladimir Putin. Një raport i dytë i datës 26 qershor 2016 titullohet: “Operacione të sponsorizuara nga shteti rus dhe ofensiva të tjera kibernetike dhe kriminale”.
Këto raporte iu dorëzuan Eliasit në një kohë kritike, më 22 qershor kur WikiLeaks publikoi mijëra e-maile që mendohej se ishin burimi i hakerave të Komitetit Demokrat. Këto e-maile përmbanin diskutime të brendshme të Komitetit që turpëronin jo vetëm Hillary Clitonin, por edhe Komitetin, madje Wasserman-Schultz u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të përmbajtjes së e-maileve. Publikimet u bëra një natë para Konventës demokrate, kur Clinton do të zgjidhej kandidate zyrtare e demokratëve. Fushata e Clintonit fajësoi natyrisht Rusinë. “Aktorët rusë”, tha Robby Mook, menaxheri i fushatës së Clintonit, “i ushqenin hakerët me e-maile me qëllimin që të ndihmojnë fushatën e Donald Trumpit”.
Nëse Elias mendonte se publikimi i e-maileve të Komitetit do të shtynte komunitetin e Inteligjencës që të bashkohej me fushatën e Clintonit për të akuzuar Rusinë, atëherë është zhgënjyer shumë. Kur u pyet nga CNN nëse Drejtori i Inteligjencës Kombëtare kishte të njëjtin mendim me Shtëpinë e Bardhë se nuk kishte asnjë dyshim se Rusia qëndronte pas e-maileve të Komitetit Demokrat, Clapper u përgjigj: “Nuk mendoj se jemi gati të fajësojmë askënd. Nuk jemi gati të bëjmë asnjë akuzë publike”. Duke theksuar kishte ende pasiguri në lidhje me penetrimin kibernetik në fjalë, Clapper tha se ishte shokuar nga histeria mediatike mbi këtë çështje dhe se komuniteti i Inteligjencës nuk kishte njohuri të mjaftueshme për të drejtuar gishtin tek askush.
Më tej, ngjashmëritë ndërmjet informacioneve të ofruara nga dosja Steele dhe raporti i mëpasshëm i Inteligjencës që shtyu Brennan për të informuar Bandën e të Tetëve janë shumë të mëdha për t’u injoruar. Duhet theksuar mbi të gjitha “Burimi C” i Steele, një zyrtar rus i financës, i cili thuhet se ka dëshuar Putinin të flasë në dy raste të ndryshme. A bëhet fjalë për të njëjtin burim që Brennan përmendi kur foli për “udhëzimet e Putinit”? Arsyeja që shtyu Marc Elias për të informuar zyrtarët e Inteligjencës amerikane dhe aspektet e dosjes së Steele, bashkë me faktin që Brennan kishte në dorë informacione të ngjashme me ato të dosjes, nuk mund të injorohet.
E ardhmja e presidencës Trump do të përcaktohet nga shumë hetime të tjera që janë duke u zhvilluar. Këto përpjekje janë influencuar, në një mënyrë ose tjetrën nga raporte që Perkins Coie i ka marrë nga dosja Steele, e urdhëruar pikërisht nga fushata e Hillary Clinton. Këto janë informacione që do të influencojnë edhe vendimin përfundimtar, nëse Rusia ka ndërhyrë apo jo në zgjedhjet presidenciale.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Pse jam dakord me Trump për Iranin

Me vendimin për të braktisur UNESCO-n dhe decertifikimin e marrëveshjes lidhur me bërthamoren iraniane, Amerika e Donald Trump konfirmon se ka zgjedhur Izraelin si bashkëbisedues të privilegjuar në Lindje të Mesme. Në fakt, Tel Avivi i frikësohet avancimit të Iranit shiit, armiku i tij historik, nën egjidën e Rusisë së Vladimir Putinit. Për të pasur një çelës të interpretimit izraelian për skenarin e Lindjes së Mesme kemi bërë një bashkëbisedim me Yaakov Perry. Ministër i Shkencës, Teknologjisë dhe i Hapësirës midis viteve 2013 e 2014 dhe aktualisht anëtar i Knesset-it, karriera e Perry e ka arritur majën e saj në brendësi të Shin Bet, agjencisë së shërbimeve sekrete izraeliane e drejtuar prej tij midis viteve 1988 e 1994. Më poshtë bashkëbisedimi me të:

-Çfarë mendoni për vendimin e Trump dhe të Netanyahut për të dalë nga UNESCO?
UNESCO është një organizatë populiste që nuk ka respekt për të vërtetën. Nga momenti që ka një mazhorancë arabe, miraton në mënyrë të vazhdueshme rezoluta kundër Izraelit. Në korrik ka marrë një vendim fyes, duke pohuar se Jeruzalemi nuk është më baza e popullit hebraik. Donald Trump, që ka marrëdhënie të shkëlqyera me Netanyahun dhe mbështet Izraelin në Kombet e Bashkuara, ka premtuar që Shtetet e Bashkuara, që janë kontribuesit më të mëdhenj të UNESCO-s, do të pushojnë së financuari. Tani ka pasur një marrëveshje midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara për ta braktisur organizatën.

-Sipas jush, a ekziston një paragjykim antiizraelian në brendësi të Kombeve të Bashkuara?
Nga viti 1967, kur ka qenë Lufta e 6 Ditëve, Kombet e Bashkuara e akuzojnë Izraelin se refuzon paqen dhe dënon vendbanimet e politikat e tij mbi territor. Akoma më përpara 1967, kemi pasur problem akuza raciste e fashiste në brendësi të Kombeve të Bashkuara. E dimë të gjithë se Kombet e Bashkuara janë kundër qeverisë izraeliane, jo vetëm lidhur me problemin palestinez, por për çfarëdo lloj gjëje që ajo bën dhe kjo, sepse ka një mazhorancë arabe. Edhe shtete si Jordania dhe Egjipti, që me Izraelin kanë një traktat paqeje, votojnë gjithmonë kundër nesh.

-Ekziston mundësia që një të nesërme Izraeli ta braktisë të gjithë organizatën?
Nuk do të largohemi nga Kombet e Bashkuara: do të luftojmë dhe e dimë se në fund do të arrijmë që ta bindim se jemi nga ana e drejtë në shumcën e rasteve. Izraelianët vuajnë vazhdimisht për faj të aktiviteteve terroriste myslimane. Unë vetë e kritikoj shpesh qeverinë time për procesin e paqes, por nuk ka rëndësi, se cila është e vërteta. Në 90–95% të rasteve, Kombet e Bashkuara votojnë kundër Izraelit.

-Çfarë ka ndryshuar me administratën Trump krahasuar me atë Obama në raportet midis Uashingtonit dhe Tel Avivit?
Në fillim, Obama dukej sikur e kuptonte pozicionin tonë. Por në fund të mandatit të tij dukej se kishte ndryshuar ide. Ka kërkuar çdo lloj preteksti: për shembull kredon e tij myslimane apo simpatinë e tij për shtetet e Lindjes së Mesme. Obama besonte se gjërat në botë duhen ndryshuar gjithmonë dhe gjithsesi me negociata dhe jo me luftëra, nga marrëveshja e gabuar me Iranin lidhur me bërthamoren. Tani Trump rreshtohet kundër marrëveshjes dhe mbështet fuqimisht Izraelin: unë shpresoj që Trump të qëndrojë një mandat tjetër, por askush nuk mund ta dijë.

-Lidhur me marrëveshjen e bërthamores iraniane, pse izraelianët gëzohen për vendimin e Trump që ta braktisë?
Izraeli ka qenë vendi i parë në botë që i ka rënë këmbanës së alarmit për të paralajmëruar se Irani po zhvillon një plan bërthamor, edhe pse iranianët theksonin se qenë të prirur nga ruajtja e paqes. Kemi qenë të parët që kemi denoncuar nevojën e sanksioneve kundër regjimit iranian. Nga momenti që i kemi paraqitur, Irani ka vuajtur: nuk mund ta shesë më naftën, të gjitha vendet perëndimore i kanë ngrirë llogaritë e tij bankare. Kur Obama dhe Bashkimi Europian kanë përfunduar marrëveshjen me Iranin, i kanë eliminuar të gjitha sanksionet. Ka qenë një gabim trashanik: nëse bota perëndimore do të donte të bënte një marrëveshje me Iranin, atëhere sanksionet duhet t’i hiqte ngadalë, një e nga një, jo të gjitha bashkë.

-Nuk besoni se braktisja e marrëveshjes do t’u jepte zë forcave ekstremiste në Iran?
Besoj se situata e brendshme politike në Iran është shumë interesante. Ka një opozitë të fortë kundër qeverisë, por jo të fortë sa duhet për ta rrëzuar regjimin. Disa shtete europiane po kërkojnë që të inkurajojnë opozitën e brendshme në Iran për ta zëvendësuar regjimin, por për momentin nuk po funksionon.

-Atëhere pse këto shtete nuk i ndërpresin marrëdhëniet me qeverinë Rohani?
Nuk është aq e lehtë të ndërpresësh marrëdhënie: për shembull, pjesa më e madhe e kapitaleve iraniane gjendet në banka amerikane dhe europiane. Nga ana tjetër, Irani është prodhuesi më i madh i naftës dhe vendet perëndimore janë të varura nga eksportet iraniane. Nuk është rastësi që qysh ka hyrë në fuqi marrëveshja të gjitha kompanitë perëndimore janë kthyer në Teheran. Ne izraelianët besojmë akoma se mund të ketë një ndryshim regjimi në Iran, një afrim me koalicionin perëndimor, por nuk do të ndodhë nesër.

-Pse Irani përbën kërcënim për Izraelin?
Iranianët pothuajse çdo ditë pohojnë se nuk ka ekzistencë të mundshme për hebrenjtë në Izrael, që duhet të eliminohen dhe të fshihen nga harta gjeografike. Teherani ka një influencë të madhe mbi organizatat terroriste dhe në kufijtë tanë veriorë, në Lartësitë Golan, ka shumë ushtarë iranianë. Së fundmi, Irani është i përfshirë rëndshëm në Liban, në Rripin e Gazës me Hamasin, në Siri përkrah Assad me Hizballahun. Është një kërcënim real, jo vetëm mediatik, ndaj sigurisë izraeliane.

-Çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet midis Izraelit dhe Iranit qysh kur në Teheran ka ardhur Rohani?
Izraeli kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Iranin gjatë regjimit të Shahut. Kur atë e kanë përzënë dhe Khomeini ka marrë pushtetin, marrëdhëniet janë ndërprerë. Qysh nga ai moment kemi mbetur armiq për 40 vjet: sot nuk ekziston asnjë marrëdhënie diplomatike dhe Irani është armiku ynë më i keq.

-Si shikohet influenca në rritje iraniane në Siri, Liban dhe Irak?
Ndiqet me shumë vëmendje në Izrael. Gjatë takimit të fundit me Putinin, Netanyahu i ka kërkuar Rusisë që të pengojë forcat iraniane të dislokohen në Siri. Putini nuk ka bërë asgjë. Irani synon hegjemoninë në Lindje të Mesme dhe po Lufton për ta siguruar bashkë me Turqinë dhe me Egjiptin. Të gjitha lëvizjet Shiite të terrorit marrin armë, financime dhe logjistikë nga Irani. Hezbollahu posedon sot 120 000 raketa, pjesa më e madhe e të cilave e prodhimit iranian. Vijnë nga Sudani, kalojnë nëpër Gadishullin e Sinait, deri në Rripin e Gazës.

-Për këtë arsye keni bombarduar në muajin shtator në Siri?
Bombardimet që po bën Izraeli janë kundër armëve që vijnë nga Irani nëpërmjet aeroportit të Damaskut dhe të çuara në Liban kundër Izraelit. Po kërkojmë që të presim zinxhirin e prodhimit nga Irani deri në Siri dhe tek Hezbollahu.

-Tani që Irani përbën një kërcënim të përbashkët, a është në zhvillim një afrim midis sauditëve dhe izraelianëve?
Kohët e fundit marrëdhëniet konfidenciale midis Arabisë Saudite dhe Izraelit po përmirësohen. Arsyeja e parë është kërcënimi i përbashkët iranian. E dyta është lufta kundër islamit radikal.

-Jemi në dyert e një stine të re midis botës arabe dhe Izraelit?
Një mundësi për të ardhmen është që Shtetet e Bashkuara të vihen në drejtimin e një lloj ombrelle që bashkon Izraelin, Jordaninë, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe vendet e Gjirit. Me mbështetjen e vendeve arabe, nën këtë ombrellë mund të rinegociiojmë situatën në Palestinë. Është në interesin izraelian, në atë amerikan dhe saudit që të bashkohen forcat dhe të krijohet një rend i ri në Lindje të Mesme.

-Është e vërtetë se Princi Mohammed bin Salman ka qenë për vizitë në Izrael në muajin shtator?
Unë nuk e di të vërtetën. Di se disa media kanë referuar për një mision sekret. Është diçka që mund të ndodhë në Izrael dhe në Lindje të Mesme. Patjetër që ka zëra në Izrael sipas të cilave marrëdhëniet zyrtare midis zyrtarëve sauditë dhe izraelianë po përmirësohen me shpejtësi.

-Pak ditë më parë në Kajro është nënshkruar një pakt midis Hamasit dhe al Fatahut për një qeveri palestineze pajtimi kombëtar. Është një hap përpara për paqen në Tokën e Shenjtë apo janë vetëm takticizma?
Ajo që ka ndodhur është pozitive për Izraelin. Është një shenjë e mirë që siguria në Rripin e Gazës të kalojë nën kontrollin e Abu Mazen. Ka mundësi të jetë vetëm një hap taktik. Hamasi gjendet në një situatë ekonomike të dëshpëruar. Qeveria e re do të fillojë më 1 dhjetor, do të shikojmë nëse do të funksionojë. Unë shpresoj që të funksionojë, pasi ardhja e Autoritetit Palestinez në Rripin e Gazës do ta largojë përplasjen midis Izraelit dhe Hamasit. Por jamë dyshues, pasi në të kaluarën kemi parë shumë herë të formohet në qeveri dhe më pas të zhbëhet shpejt.

-Pakti është bërë i mundur falë ndërmjetësimit të Egjiptit. Si është parë Presidenti Al Sisi nga izraelianët?
Al Sisi është një udhëheqës shumë i fortë, është në marrëdhënie mjaft të mira me Netanyahu dhe ka interes që midis Izraelit dhe Palestinës të kthehet qetësia. Izraeli e di që Al Sisi nuk po vepron kundër interesave të tij: në fakt, nganjëherë interesat egjiptiane dhe ato izraeliane janë të njëjtat.

-Çfarë interesash?
Për shembull, në këtë moment Egjipti po vuan rëndshëm prej sulmeve të fraksioneve islamiste dhe nuk e do Hamasin, pasi janë myslimanë dhe të lidhur me Vëllazërinë Islamike egjiptiane.

-Ju rezulton se ISIS ka lidhje me disa grupe terroriste palestineze?
Ekzistojnë lidhje, por jo me të gjitha organizatat. ISIS-i është sunit dhe nuk ushtron asnjë influencë të drejtpërdrejtë mbi organizatat Shiite si Hezbollahu. Megjithatë, mund të perceptohet sharmi që Shtetet Islamike dhe atentatet e tij në Europë kanë mbi të gjitha organizatat terroriste në Lindje të Mesme.

-Si funksionon sot parandalimi antiterrorizëm në Izrael?
Izraeli është shteti me më shumë përvojë në luftën kundër terrorizmit në botë. Për të luftuar terroristët duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë në mbledhjen e inteligjencës, nuk mund t’i besohet fatit. Në shmangim 85-90% të sulmeve terroriste përpara se të zbatohen dhe kemi 10 000 njerëz që punojnë në inteligjencë.

-Sipas jush, në çfarë pike është luftimi i terrorizmit në Europë?
Për të mundur terrorin, Europa duhet të jetë e gatshme–dhe sot akoma nuk është–që të lërë mënjanë privatësinë dhe disa të drejta civile. Duhet të jetë e gatshme të luftojë 24 orë në ditë, 365 ditë në vit. Edhe popullsia duhet të bëjë pjesën e saj: në Izrael kur futesh në autobus kontrollohet më parë që nuk ka pako të braktisura nën sedile apo individë të dyshimtë.

-Cilat vende europiane po luftojnë më mirë kundër terrorizmit?
Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia kanë një përvojë të madhe nga e kaluara me terrorizmin politik. Por nuk është e mjaftueshme kundër valës aktuale të terrorit, që vjen edhe nga refugjatët dhe nga komunitetet myslimane. Për këtë, midis masave parandaluese, është e nevojshme që të kontrollohet më mirë fenomeni migrator.
(nga Formiche)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Miniti në Tiranë; “Peshqit e mëdhenj” do të arrestohen

Televizioni afër qeverisë “Top Channel” e hapi dje edicionin informativ me një lajm që kishte siguruar nga burimet e veta qeveritare mbi vizitën e ministrit të Brendshëm të Italisë në Tiranë, Minniti. Sipas këtij televizoni ministri i Brendshëm italian kishte marrë garanci nga Tirana zyrtare për arrestimin e “peshqve të mëdhenj”. Pa dhënë emra, kuptohet qartësisht se cili ishte në të vërtetë misioni i ministrit të Brendshëm italian në Tiranë.

Në krah të Minnitit ambasadorët e SHBA e BE

Një takim i zgjeruar është zhvilluar dje në sallën e Pallatit të Kongreseve ku të pranishëm kanë qenë si ministri i Brendshëm italian, Minniti, homologu i tij shqiptar dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Ajo që ka rënë në sy ka qenë prezenca e dy ambasadorëve të SHBA dhe BE në krah të ministrit të Brendshëm italian. Përse do të duhej të ishin këta dy ambasadorë në një takim ku do të fliste ministri i Brendshëm italian? Natyrisht që politika ndërkombëtare flet me simbolikat e veta. Dy ambasadorët nuk kanë qenë thjesht dhe vetëm për të dëgjuar ministrin e Brendshëm italian në mesazhin e tij se duhet të arrestohen të “paprekshmit”. Ata kanë qenë në krah të Minnitit për të mbështetur misionin italian në Shqipëri në goditjen e grupeve të krimit të organizuar me lidhje të forta politike dhe qeveritare. Ka pasur shumë pikëpyetje në lidhje me qëndrimin e ambasadorëve në rastin e skandalit të fundit të implikimit të Tahirit në trafikun e drogës dhe prezenca e tyre dje në krah të Minnitit ishte një tregues për pozicionin e tyre.

U takua me të gjithë, por jo me Ramën

Vizita e ministrit të Brendshëm italian është paraprirë nga lajmet në media edhe për shkak të hetimeve të nisura nga drejtësia italiane për trafikun e drogës të grupit të Habilajve në rrjetën e përgjimeve të të cilëve ka rënë edhe ish-ministri i Brendshëm, Tahiri. Axhenda e tij ka qenë mjaft e ngjeshur në vetëm pak orë qëndrimi në Shqipëri. Ai ka mbërritur në mëngjes në Tiranë për t’u larguar pak pas mesditës. Minniti është takuar fillimisht me homologun e tij në Tiranë, Xhafaj. Më pas është pritur në takim nga Presidenti i Republikës dhe ajo që ka surprizuar ka qenë takimi jashtë axhende me kreun e opozitës, Basha. Surpriza tjetër e takimeve të ministrit të Brendshëm italian ka qenë fakti që ai nuk ka patur asnjë takim qoftë edhe kortezie për shtrëngim duarsh me kreun e qeverisë. Vështirë të besohet më se lideri global nuk ka dashur të takojë ministrin e Brendshëm italian, gjithsesi ky takim i munguar është një kambanë alarmi për atë që pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ramën po e takojnë gjithnjë dhe më pak partnerë të Shqipërisë, ndërsa ka takime të shumëfishuara me sekserët e krimit si në rastin e Gaz Demit, për të cilin dera e kryeministrisë dhe ajo e Kodrës së Diellit vazhdojnë të qëndrojnë të hapura.

Çfarë deklaroi Minniti?

Marco Minniti deklaroi fort dhe prerë se vizita e tij në Shqipëri kishte një qëllim të vetëm, atë të luftës ndaj organizatave kriminale me lidhje politike. “Duam të godasim organizatat e mëdha, duhet të godasim të paprekshmit, pasi në Itali e Europë nuk ka të paprekshëm”.
“Guardia di Finanza ka kryer një punë të jashtëzakonshme dhe për këtë e falënderoj. Bashkëpunimi ka çuar në rezultate të jashtëzakonshme. Ne kemi përballë një operacion të suksesshëm, që prej vitit 2013-2017 kemi parë një rritje progresive edhe të rezultateve dhe sidoqoftë në momentin që theksojmë se kemi të bëjmë me operacion suksesi unë nënvizoj: Operacionet e suksesshme duken në kohë, këto rezultate duhet t’i mbajnë edhe në vitet e ardhshme. Në luftën kundër krimit të organizuar, në këtë objektiv strategjik do të keni bashkëpunimin e plotë të qeverisë italiane. Ne duam të godasim organizatat e mëdha, duhet të godasim të paprekshmit, pasi në Itali e Europë nuk ka të paprekshëm, për këtë objektiv duhet të punojmë së bashku. Në këtë projekt dhe objektiv është angazhuar i gjithë sistemi italian që kanë bashkëpunuar me Shqipërinë dhe këtë e tregojnë edhe të dhënat. Ky raport, kjo marrëdhënie përfshihet në një marrëdhënie edhe më të gjerë mes Shqipërisë, Europës dhe vendeve të Ballkanit”, tha ministri i Brendshëm i Italisë, Minniti. Në këtë deklaratë të Minnitit ka një detaj që nuk mund të kalojë pa u vënë re. Ai thotë se në goditjen e të paprekshmëve është angazhuar i gjithë sistemi italian. Ai direkt ka përfshirë këtu edhe drejtësinë italiane, e cila në fakt ditët e fundit ka patur dhe ka një dosje mjaft të rëndësishme, atë të hetimeve të grupit të Habilajve të lidhur me ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri.

Arben SHAHINI

1945 qe Viti Zero i botës?

Keith Lowe

Lufta e Dytë Botërore qe një prej evenimenteve më të mëdha të historisë njerëzore. Midis 1937 dhe 1945 më shumë se 100 milionë burra e gra u mobilizuan në forcat e armatosura në të gjithë sipërfaqen e globit, pa llogaritur qindra milionë civilët e përfshirë në konflikt si punëtorë, robër, skllevër dhe shënjestra. Çdo cep i planetit, edhe më i largëti nga frontet ku luftohej, u përfshi në këtë katastrofë çnjerëzore. Kështu që pyetja që shtrohet është: në çfarë mënyre kjo përvojë e përbashkët na ka influencuar pas përfundimit të saj? Sigurisht, që ka krijuar një mentalitet të përbashkët për të gjithë: atëherë si është manifestuar? Ose, më mirë, në çfarë mënyre kujtimi i Luftës së Dytë Botërore e ka ndryshuar botën? Shpesh momenti i përfundimit të luftës kujtohet në mënyrë fuqimisht të idealizuar. Festohej në mënyrë të shfrenuar në Londër e në Paris në VE Day (Victory in Europe Day, Dita e Fitores në Europë, 8 maji 1945) dhe në VJ Day (Victory over Japan Day, Dita e Fitores mbi Japoninë, 15 gusht 1945), ndërsa në qiejt mbi Kremlin shpërthenin fishekzjarret dhe në Times Square të New York marinarët puthnin infermieret. Presidenti amerikan Truman, ia përsëriti shumë herë popullit të tij se ishin “në pragun e një bote të re” dhe se pas vdekjes së “një bote në luftë” do të lindte një “botë në paqe”. Me 16 gusht 1945, të nesërmen e dorëzimit japonez, Truman shpalli se ajo në të cilën po asistohej ishte “një fillim i ri për historinë e lirisë në Tokë”. Por, për sa autentike në momentin kur shpreheshin, këto ndjenja përfaqësojnë një vizion shumë të anshëm të valës emotive që shoqëroi mbarimin e luftës. Përkrah haresë dhe festimeve pati reagime të çdo lloji: në shumë anë të globit emocionet predominuese në 1945 qenë turpi dhe zemërimi. Në Europën Perëndimore pamja e gruas me kokën tullë, që ia kishte dhënë trupin e saj armikut, u bë një simbol i fuqishëm kolaboracionizmi dhe kundër kolaboracionistëve, si në Europë, ashtu edhe në Azi, shpërtheu një valë e dhunshme hakmarrjeje. Në shumë prej zonave më të shkatërruara, sidomos në vendet e mundura, njerëzit ju dorëzuan dëshpërimit, asaj që korrespondentja e luftës Janet Flanner e quajti “vetmia e disfatës së plotë fizike”. Por edhe në vendet fituese, ndjenjat nuk qenë aq të qarta e të prera siç është zakon të kujtohen sot: “Provova vetëm një ndjesi të çuditshme humbjeje”, kujtoi John MacAuslan, ish-zyrtar i inteligjencës britanike. “Gjithçka që kisha njohur prej shumë kohë sapo ishte zhdukur dhe dukej se nuk kishte asgjë për ta zëvendësuar… Ishte zhdukur çdo gjë”. Domethënë, është korrekte të pohohet se kujtimi i 1945, si agimi i një ere të re shprese është patjetër i anshëm, pavarësisht se përfaqëson vetë zemrën e mentalitetit të pasluftës. Motivi i vazhdimit duhet kërkuar pjesërisht në faktin se është kështu që mjetet e komunikimit të kohës e paraqitën fundin e konfliktit, pakashumë kudo. Ato që drejtuan korin qenë Shtetet e Bashkuara, fitues të padiskutueshëm të luftës, që në 1945 kishin Marinën dhe Aviacionin më të madh të planetit dhe një ushtri me të cilën vetëm ajo sovjetike mund të rivalizonte. Përveçse ishte në atë moment fuqia e vetme bërthamore në botë. Konflikti i kishte edhe pasuruar jo pak: midis 1939 dhe 1945, ekonomia amerikane ishte pothuajse dyfishuar në vëllim dhe në fund të konfliktit përfaqësonte pakashumë gjysmën e PBB-së e të gjithë botës. Kur në Amerikë figurat publike lajmëronin fillimin e atij që po fillohej të quhej “shekulli amerikan” nuk është se vetëm po uronin: edhe po tentonin që të përqaseshin me përgjegjësinë e madhe të re me të cilën ishte ngarkuar vendi i tyre. Në një goditje të vetme Shtetet e Bashkuara e shikonin veten se qenë bërë polici i racës njerëzore, financieri i votës dhe përfaqësuesi më i afërt me një Samaritan të Mirë që planeti ynë kishte patur ndonjëherë: në dritën e kësaj, nuk është çudi që amerikanët do të donin të bindnin si vetëveten, ashtu edhe të tjerët, se bota do të bëhej një vend më i mirë falë përpjekjeve të tyre.

Një valë e kuqe

Fituesi tjetër i madh i konfliktit qe Bashkimi Sovjetik dhe, për pasojë, Partia Komuniste. Komunistët e kishin ëndërruar gjithmonë revolucionin dhe Lufta e Dytë ua kishte shërbyer në një pjatë të argjendtë. Deri në rënien e Perdes së Hekurt, në Europën Lindore është vazhduar të përkujtohet mbarimi i kësaj lufte si “një prej evenimenteve më të mëdha të historisë njerëzore, që i ka dhënë një goditje vdekjeprurëse kapitalizmit” (me fjalët e ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Prokop Murra në 1985). Është jashtë çdo dyshimi që falë luftës komunizmi përjetoi një rritje të jashtëzakonshme popullariteti: në 3 vite nga përfundimi i konfliktit, ju bashkuan Partisë Komuniste më shumë se 900 000 francezë, mbi 1 milion rumunë, 1 milion e 4000 mijë çekosllovakë dhe 2 milionë e 200 mijë italianë. Një situatë e ngjashme u verifikua në Kinë (ku pak më vonë komunistët do të merrnin pushtetin), në Amerikën Latine (ku anëtarësimet në parti u pesëfishuan midis viteve 1939 e 1947) dhe në vetë Bashkimin Sovjetik (ku partia u rrit me pothuajse 50% midis viteve 1941 e 1945, pavarësisht të gjitha humbjeve të shkaktuara nga lufta). Siç komentoi filozofi franko–lituanez Emmanuel Levinas në vitet ’50, rritja eksponenciale e komunizmit në atë periudhë “na mësoi që të ndjenim në ecjen përpara të kësaj lëvizjeje hapat e vetë Fatit”. Ka mundësi që zërat, të cilat bënin thirrje për ardhjen e një “bote të re të shkëlqyer” u ngritën më fort nga vendet që kishin vuajtur shkatërrimet më të mëdha. Qeveritë e pjesës më të madhe të Europës nuk mund të lejonin ndjenja zemërimi apo dëshpërimi: detyra e tyre tani ishte që të merrnin kontrollin e vendeve respektive, të vendosnin stabilitetin dhe të rindërtonin. Në të gjithë kontinentin u spastruan forcat e policisë, u arrestuan kolaboracionistët dhe u nisën procese, por ishte edhe e nevojshme që t’u ofrohej popullsive ndonjë shpresë që të kundërbalanconte zemërimin dhe demoralizimin: kështu që nuk është aspak për t’u mrekulluar nëse në Francë, Charles de Gaulle premtonte që “të fillonte udhëtimin drejt shpëtimit”, nëse në Jugosllavi Marshalli Tito ofronte “vizionin e mrekullueshëm e një jete të re” të përbërë nga “bashkim vëllazërimi” dhe nëse në Britaninë e Madhe qeveria laburiste e pasluftës premtonte krijimin e një “Jeruzalemi të Ri”. Nga ana e tyre, edhe vendet e mundura duhej t’i rezistonin tundimit për t’ju nënshtruar dëshpërimit. Në Gjermani, 1945 u shpall “Viti Zero”, jo vetëm për të treguar se bombardimet e kishin çuar vendin në Epokën e Gurit, por edhe për të shprehur shpresën që popullit gjerman t’i jepej mundësia të niste nga fillimi. Ndërkohë Japonia i përsëriste vetes dhe të gjithë botës se kishte rilindur në flakët bërthamore të Hiroshimës dhe Nagasakit. Në një diskutim të famshëm, i mbijetuar i bombës atomike, Takashi Nagai e paraqiti qytetin e tij të lindjes si një martir që kishte dhënë jetën e vet jo vetëm për Japoninë, por për gjithë botën: “Duhet të jemi mirënjohës që Nagasaki është zgjedhur për këtë holokaust”, tha në nëntor të 1945. “Duhet të jemi mirënjohës që nëpërmjet sakrificës së tij, bota ka mundur të ketë paqen”.

Etje për ndryshim

Edhe vende të qëndruara larg nga dhuna efektive u prekën nga atmosfera revolucionare dhe rilindja e pasluftës. Amerika Latine u përpi nga një valë demokracie: diktaturat ushtarake nisën të bien një e nga një si birila në Ekuador, Venezuelë, Guatemalë e Bolivi dhe Peruja mbajti zgjedhjet e saj të para të lira të historisë së saj në 1945. “Vitet 1944 dhe 1945”, referoi një raport vjetor i botuar pak pas përfundimit të konfliktit, “kanë çuar në më shumë ndryshime demokratike në vende të ndryshme latinoamerikane se çdo vit përpara qysh nga luftërat për pavarësi” e shekullit të XIX-të. Edhe pjesa më e madhe e Azisë u kap nga një etje e pabesueshme për ndryshim. Kryeministri indian Jawaharlal Nehru e tregoi shpesh Luftën e Dytë Botërore si një prej faktorëve kryesorë për rilindjen e vendit të tij si shtet i pavarur: “Sapo kemi dalë nga ajo luftë dhe njerëzit tashmë flasin në terma të vagullta dhe po aq të rastësishëm për luftëra të tjera që do të vijnë”, tha përpara Parlamentit indian në dhjetorin e 1946. “Dhe është në këtë moment që India e Re po lind, vitale dhe e privuar nga frikërat”. Presidenti i ardhshëm indonezian arriti sa të falenderojë Qiellin për vitet e fundit të dhunës që kishin mundësuar lindjen e “një Indonezie të lirë, e farkëtuar në zjarrin e luftës”. Domethënë, në këto vende dhe në shumë të tjera në Azi e në Afrikë, 1945 u paraqit vërtet si agimi i një ere të re. E gjitha bota e adoptoi këtë mentalitet idealizmi dhe ndryshimi radikal, sepse u vinte për mbarë pothuajse të gjithëve: brenda një kohe të shkurtër, çdo lloj projekti në shkallë të gjerë filloi të prezantohej si vizioni i një të ardhmeje ideale. Mbështetësit e planifikimit të centralizuar flisnin me tone entuziaste për të shtetëzuar industritë, kolektivizuar bujqësinë, rregulluar sistemet financiare dhe organizuar shoqëritë në pritje të një ndarjeje më të barabartë të begatisë, shëndetit dhe arsimit. Dhe nuk qenë vetëm socialistët ata që i propozoni këto skenare, por edhe kristian–demokratët, në Europë, si edhe në Azi, Afrikë e Amerikë Latine. “Planifikimi po bëhet një fenomen pothuajse universale”, shkruante gjatë luftës sociologu austriak në mërgim Otto Neurath. “Planifikimi si masë lufte, planifikimi si ilaç kundër depresionit ekonomik, planifikimi si kënaqësi për arkitektët dhe si tipar i ri themelor i shoqërisë tonë”. Midis vizionarëve më entuziastë qenë projektuesit urbanë që morën detyrën të rilindnin nga gërmadhat qytetet europiane. Në 1945 arkitektët flisnin shpesh pa kurrfarë ironie për shkatërrimin si një e “mirë” dhe shikonin qytete si Coventry, Hamburg e Varshavë të ngriheshin drejt qiellit si feniksat nga hiri i tyre, më të bukura, më moderne, me një fjalë më të mirë se ato plot degradim që qenë shkatërruar në konflikt. Në Britaninë e Madhe entuziazmi i kujt merret me rindërtimin arriti maja të tilla sa të ngjallte zilinë e fshehtë të kolegëve amerikanë: “Nëse e gjitha kjo është vepër e Blicit”, arriti të shkruajë në 1944 ekspertja amerikane imobiliare Catherine Bauer, “atëhere kjo shpjegon se pse kaq shumë liberal në Shtetet e Bashkuara kultivojnë fshehurazi hidhërimin e nuk kanë mundur ta përjetojnë në vetë të parë këtë përvojë”. Për të tjerë, shpëtimi i njerëzimit do të vinte nga shkenca: mrekullitë teknologjike e lindura gjatë luftës – në mënyrë të veçantë shpikja e energjisë bërthamore – ushtruan mbi gjeneratën e pasluftës një efekt që vështirë se mund të imagjinohet sot. Gazetarë si Gerald Wendt i Times nisën të fantazojnë për një të ardhme në të cilën “shkenca do ta çlironte racën njerëzore jo vetëm nga zija e bukës, nga sëmundjet dhe nga vdekjet e parakohshme, por edhe nga varfëria dhe nga vetë nevoja e të punuarit”. Në të gjithë botën nisën të qarkullojnë histori imagjinare “makinash me energji bërthamore” dhe “burime energjetike jo të ezaurueshme”. Një revistë nga Berlini parashikoi ardhjen e një mjeti hapësinor në gjendje që t’i transportonte njerëzit në Hënë për 3 orë e 27 minuta, ndërsa “Illustrated Weekly of India” në 1946 botonte pamje trenash futuristë që do ta mbulonin largësinë midis Bombay dhe Calcutta në pothuajse 1 orë, bashkë me ilustrime shkretëtirash të transformuara në oazë dhe të Polit të Veriut të shndërruar në një vend turistik.

Lindja e institucioneve të mëdha

Projekti më i madh nga të gjithë që ka mundësi ai i globalizimit. Duke u nisur nga bashkëpunimi i vendeve aleate gjatë luftës, në mbarim të kësaj të fundit u ngritën dhjetëra institucione të reja. Mjaftoi një konferencë 3 javëshe në lokalitetin turistik amerikan të Bretton Woods, në pranverën e 1944, për të krijuar si Fondin Monetar Ndërkombëtar, ashtu edhe Bankën Botërore: thjesht fakti që kaq shumë vende (44 në total) arritën që të bien dakord lidhur me një rishikim të plotë të sistemit financiar të planetit në një kohë kaq të shkurtër e dëshmon mjaft mirë sesa e rëndësishme do t’i jetë dukur secilit prej tyre formimi i një ekonomie globale të integruar e të rregulluar. Një vit më vonë, kur në horizont po dukej përfundimi i luftës, në San Francisco u krijuan Kombet e Bashkuara, pasuar nga institucione të tjera të shumta: Organizata e Shteteve Amerika, Komuniteti Europian, NATO, Traktati i Varshavës, Lëvizja e të Paangazhuarve, GATT-i dhe shumë të tjera, në një listë dukshëm të pafundme. Projektet madhështore qenë në rend të ditës dhe nënshkruheshin marrëveshje ndërkombëtare për çfarëdo gjëje, nga aviacioni tek sistemet globale të postës, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë lançonte një seri fushatash planetare për të zhdukur “vrasësit e mëdhenj” të botës si tuberkulozi, lija dhe malarja. Në pothuajse totalitetin e rasteve këto institucione paraqiteshin si organizata të “lindura nga flakët e Luftës së Dytë Botërore”: vetë Kombet e Bashkuara kanë një feniks të madh që ngrihet nga flakët e luftës të pikturuar në një mur të sallës së Këshillit të Sigurimit. Domethënë, pavarësisht ndjenja kontradiktore të shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore, në 1945 popullsitë nga çdo anë e botës zgjodhën që të përqafonin këto ide, por edhe ato që nuk e bënë gjithsesi qenë të gatshëm që të bashkëjetonin me to. “Nuk mund të kthehemi prapa në strukturën ekonomike e sociale të 1939 edhe sikur të donim”, shkroi me hidhërim historiani ultrakonservator britanik Arthur Bryant, “pasi ky sistem nuk ekziston më”. Dhe shumë historian të sotëm bien dakord: “Bota nuk do të mund të kishte qenë e njëjta pas luftës”, thotë Ian Buruma. “Kishin ndodhur shumë gjëra. Qenë ndryshuar shumë gjëra”. Pavarësisht kësaj, pati shumë vijueshmëri. Përtej retorikës lidhur me spastrimin e institucioneve të Europës nga fashistët e nga kolaboracionistët, qeveritë e pasluftës nuk patën sukses të veçantë: për shembull, shërbimi civil i Gjermanisë së pasluftës ishte plot me ish-nazistë, përfshi personazhe që kishin qenë përgjegjës për masakra e mizori si Wilhelm Hauser, kreu i policisë së Renani – Palatinatit. Në të gjithë Europën, nevojat ekonomike të rindërtimit kaluan përpara atyre të drejtësisë: qysh në 1946 thuajse kudo proceset ndaj kolaboracionistëve u ndërprenë pa shumë bujë dhe shumë prej të arrestuarve u amnistuan. Në fakt është mbi këto themele që u ndërtua mrekullia ekonomike e viteve ’50. E njëjta gjë ndodhi në Japoni, ku asnjë prej udhëheqësve industrial të vendit nuk e pa kurrë sallën e ndonjë gjyqi, pavarësisht nga krimet e luftës me të cilat qe njollosur. Për pasojë, përgjegjësia e tyre në ngjarjet e luftës nuk u përball kurrë në terma të hapura dhe, akoma sot, në shekullin e XXI-të, kompani si Mitsubishi, Mitsui dhe Nippon Steel u gjendën të përfshira në çështje ligjore për veprime të supozuara që i takonin Luftës së Dytë Botërore.

Zemërim, turp, frikë

Për më tepër, institucionet e reja globale nuk qenë pastaj edhe kaq të reja sa donin të dukeshin: vetë Kombet e Bashkuara qenë pak të ndryshme nga një riedicion i Lidhjes së Kombeve, nga e cila kishin trashëguar një pjesë të mirë të personelit, të statuteve dhe të agjencive (për shembull, Organizata Botërore e Punës). Në 1945, idealistët më të pastër i shikonin Kombet e Bashkuara jo si një shprehje të shpresave të pasluftës, por si një tradhëtim të tyre. “Nuk ekziston një hap i parë drejt një qeverie botërore”, shkroi në 1945 gazetari Emery Reves. “Qeveria botërore është hapi i parë”. Më magjepsëseve midis “flluskave” të periudhës së pasluftës nuk ju deshën shumë që të plasnin. Shkencëtarë atomike si Otto Frisch bënë të ditur se, ëndërrat si ajo e makinave me energji bërthamore qenë në fakt të parealizueshme: “Do të mjaftonin pak minuta në një makinë të këtij lloji për të vrarë”. Pastaj, në vitet ’60 vdiq besimi ndaj planifikimit urban, kur shkrimtarë si Jane Jacobs dhe Oscar Newman përshkruan sesi këto projekte kishin përfunduar për të krijuar padashje qytete distopike me qasje antisociale. Dhe në vitet ’80, shumë projekte madhështore centralizimi, si shtetëzimi i industrive, u përmbysën të gjitha, ndërsa politikanë si Ronald Reagan filluan të mendonin se, “qeveria nuk i zgjidh problemet: i subvencionon”. Sot shumë projekte ndërkombëtare të lindura në 1945 kanë filluar që të shkërmoqen, i pari nga të gjithë sistemi financiar global i themeluar në Bretton Woods, i kolapsuar qysh në vitet ‘70 me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga sistemi i arit. Kombet e Bashkuara rezistojnë akoma, me brekë nëpër këmbë, megjithëse për ditë e më shumë të injoruara nga po ato vende që janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të tyre. Deri Bashkimi Europian, ndoshta institucioni ndërkombëtar me sukses më të madh “i lindur nga flakët e Luftës së Dytë Botërore”, kohët e fundit ka nisur të lëkundet. Në kohën tonë ndjenjat e lidhura më rëndom me luftën nuk janë ato tipike të mentalitetit të pasluftës, domethënë idealizëm, ndjenjë komuniteti, besim tek ekspertët dhe tek institucionet. Nëqoftëse duam t’u japim të drejtë titujve të gazetave të të gjithë botës, ndjenjat e sotme janë në fakt ato që në 1945 u bë përpjekje që të shtypeshin: zemërim, turp, frikë.

Keith Lowe është historian dhe shkrimtar britanik. Midis veprave të tij përmendim “Kontinenti i egër. Europa në përfundim të Luftës së Dytë Botërore”

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Nis zhdukja e provave të trafikut të drogës në Ministrinë e Mbrojtjes

Drejtorët e ish-ministres Mimi Kodheli po fshijnë të gjitha informacionet dhe dokumentacionin për radarët. Denoncimi është bërë nga një oficer, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Oficeri shkruan se, drejtorët e Mimi Kodhelit që kanë marrë peng dikasterin po fshijnë gjithë korrespondencën që lidhet me informacionin e ardhur për radarët.
“Ndrikull Kodheli me narko-ushtarakët e vet po fshijnë gjurmët e krimit! Lexoni mesazhin e oficerit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Doktor Berisha ju uroj shëndet. Në Ministrinë e Mbrojtjes drejtorët e Mimi Kodhelit që kanë marrë peng dikasterin dhe nuk përfillin as ministren e re për të cilën shprehen jo në sy se “kjo nuk di”, po fshijnë gjithë korrespondencën që lidhet me informacionin e ardhur për radarët. Dhe në Shërbimin Informativ të Ushtrisë po ndodh e njëjta gjë. Duan t’ia lenë fajin drejtorit të QNOD, gjeneral Dushku. Prokuroria duhet të fillojë hetimet menjëherë, duke nisur nga bllokimi i celularëve, pasi në Ministrinë e chatit ka dokumenta, foto, informacione deri te biseda intime që shërbejnë për promovim, kalojnë në Whatsapp, viber etj. Këtë lloj trendi e futi Mrika”, shkruan oficeri në mesazhin dërguar ish-Kryeministrit Berisha.
Mimi Kodheli gjatë kohës që ishte ministre e Mbrojtjes e vendosi infrastrukutrën e ushtrisë në shërbim të trafikantëve të drogës. Me porosi të ish-ministres Kodheli, radarët e ushtrisë nxirreshin jashtë funksionit kur kalonin skafet e Habilajve me drogë. Ky skandal është denoncuar nga opozita, por jo vetëem që nuk pati asnjë reagim nga Rama, por përkundrazi radarët vijonin të nxirreshin jashtë funksionit për skafet me drogë të Habilajve. Skandali mbi mosfunksionimin e radarëve ka nisur që nga viti 2013, periudhë që përkon dhe me nisjen e përgjimeve të autoriteteve italiane mbi Habilajt. Në përgjime zbardhet se si Ministria e Brendshme bashkëpunonte me Ministrinë e Mbrojtjes në lehtësimin e trafikut të drogës drejt Italisë.
Skandali i radarëve është denoncuar edhe nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Në një raport për radarët, të dërguar nga oficerët e grupit të punës gjeneralit të Forcave Detare, Ylber Dogjani, dëshmohej qartazi se ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në katër vitet e para të qeverisjes Rama injoroi totalisht shqetësimet e ngritura mbi mosfunksionimin e radarëve e për rrjedhojë, krijimin e terrenit të përshtatshëm për trafikantët e drogës. Por përgjimi në fjalë zbardh se si me dijeninë e plotë të Ramës, dy nga ministritë më të fuqishme të një shteti, ajo e Brendshme dhe e Mbrojtjes, të dyja të lidhura me sigurinë e vendit janë shndërruar në mjetet kryesore ndihmëse të trafikut të drogës dhe pushteti i tyre është tërësish në duart e bandave. Ashtu siç funksionojnë kartelet, në këtë përgjim dëshmohet se shteti ka rënë tërësisht në duart e krimit dhe drogës, dhe janë pikërisht këto dy të fundit, që sot mbajnë Ramën në krye të kartelit që ka ngritur.
Skandali mbi mosfunksionimin e radarëve dhe mbajtjen fikur të tyre nis që nga viti 2013, periudhë që përkon dhe me nisjen e përgjimeve të autoriteteve italiane ndaj Habilajve. Në bisedat e përgjuara nga autoritetet italiane, Habilaj konfirmon se ai dhe banda e tij zotëron tërësisht nën kontroll sallën e radarëve në Durrës. Ky i fundit dihet tashmë që është shndërruar prej katër vitesh në portën kryesore të drogës nga Shqipëria drejt Europës.
Nga përgjimet e realizuara nga policia italiane, rezulton se, Habilaj kontrollonte radarët e ushtrisë në Durrës përmes një personi të tij të angazhuar pranë shërbimit të radarëve, i cili i jepte direktiva. “Kam njeriun tim në sallën e radarëve”, i drejtohet Habilaj trafikantëve të tjera. Gjithashtu, në një moment tjetër, Habilaj i tregon trafikantëve italianë se, ai ka në dorë edhe punonjësit e policisë.

R.POLISI

Lukaku: Më e mira nuk ka ardhur

Sulmuesi i Manchester United, Romelu Lukaku, beson se është shumë shpejt për ta gjykuar, sepse ai ka ende kohë për t’u përmirësuar. Lukaku e ka bërë këtë deklaratë në prag të përballjes me Chelsea, skuadra që e solli në Premier League. Lukaku kaloi nga Everton te Manchester United, gjatë merkatos së verës, për 90 milionë euro, dhe shënoi 11 gola në 10 ndeshjet e para për “djajtë” në të gjitha veprimtaritë, por nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në gjashtë ndeshjet e fundit. Jose Mourinho e mbrojti dy herë qendërsulmuesin e tij në konferencat e fundit për shtyp, duke e mbajtur larg kritikave që kanë nisur të vërshojnë…
“Unë mendoj se shumë njerëz kanë filluar të më gjykojnë, sepse mendojnë se jam ky i tanishmi, – tha Lukaku për “Sky Sports”, i intervistuar nga Thierry Henry. – Megjithatë unë jam vetëm 24 vjeç dhe besoj se kam ende shumë për t’u përmirësuar. Në vend që të jetë viti im i gjykimit dhe analizave, unë po mendoj vetëm për t’u përmirësuar më tej. Ende nuk kam arritur aty ku synoj. Ende nuk kam kapur maksimumin tim. Vetëm më pas mund të më analizoni. Më e mira ime ende nuk ka ardhur.” Edhe pse nuk ka shënuar vetë, Lukaku ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin, si në ndeshjen e fundit ndaj Tottenham ku dha asist për golin e fitores të shënuar nga Anthony Martial.
“Unë e di që kam shumë talent. Mund të bëj shumë gjëra në fushën e lojës. Të shënoj me të majtën, me të djathtën dhe me kokë, por unë mund të jem edhe një “krijues”. Dua të jap sa më shumë asiste, si në ndeshjen e kaluar ndaj Tottenham. Unë dua t’i jap shokëve të skuadrës sigurinë se që sa herë janë në vështirësi mund të bazohen te unë. Jam në etapën perfekte në moshën ideale. Unë dua të bëhem një futbollist fitues te Manchester United dhe ta çoj karrierën time në një nivel tjetër”. Manchester United do të luajë të dielën në fushën e Chelsea, atje ku nuk fiton që nga viti 2012.

2 “finale” në 3 ditë

E ardhmja e Vincenzo Montellës si trajner i Milan mbetet në dyshim serioz pas barazimit në Europa League, kundër AEK në Athinë. “Strategu” kuqezi nuk mund ta shtyjë më tej takimin me fitoren dhe ndaj Sassuolo është i detyruar të marrë tri pikët. Transferta në Reggio Emilia do të jetë vendimtare, teksa Sassuolo ka qenë një “mace e zezë” për trajnerët kuqezi në vitet e fundit. Kundër Sassuolo u ul në stolin e Milan për herë të fundit Masimmiliano Allegri, i shkarkuar në janar 2014 dhe Clarence Seedorf, i shkarkuar në maj të po atij viti.
“Prej kohësh po shoh për së gjalli varrimin tim”, deklaroi Montella pas barazimit në Greqi, teksa Sassuolo përbën një ogur të zi. Në 12 janar 2014, Milan po udhëhiqte 2-0, por Sassuolo fitoi 3-2 me tre gola të shënuar nga Berardi dhe kjo i kushtoi vendin e punës trajnerit aktual të Juventus, Max Allegri. Në vend të tij u morr Clarence Seedorf. Për ironi të fatit, në ndeshjen e fundit të kampionatit, në maj 2014, holandezi fitoi 2-1 ndaj Sassuolo, por duke qenë se Milan u rendit në vendin e tetë të Serinë A, klubi vendosi ta shkarkojë. A do të ketë Montella të njëjtin fat?!
Montella vijon të rezistojë në pankinën e Milanit, edhe pas rezultateve negative në Serinë A, ku ka humbur çdo përballje me skuadrat që renditen në 10-shen e parë të renditjes, por duket se edhe durimi i drejtuesve të kuqezinjve, e ka një kufi.
Këtë e paralajmëroi edhe Fassone, pas ndeshjes së humbur përballë Juventusit, kur iu përgjigj Montellës me fjalët: ‘Dakord, kemi luajtur mirë, por ka ardhur koha të marrim pikë, sepse vetëm loja e bukur nuk mjafton për të arritur objektivat’.
Mediat italiane pranë kuqezinjve, raportojnë se dy sfidat e ardhshme të Milanit, ajo e sotmja ndaj AEK-ut dhe ajo e të dielës ndaj Sassuolos, do të jenë deçizive për të ardhmen e trajnerit Montella.
Drejtuesit e Milanit duket se e kanë përgatitur edhe terrenin për të zëvendësuar teknikun aktual, pasi kanë kontaktuar me Gatusson, Souzën, por edhe Mazzarrin, që së fundi ka refuzuar një ofertë nga Anglia, për të pritur kuqezinjtë. Deri të dielën, janë 2 sfida, që do të jenë si 2 finale për trajnerin Montella, sepse çdo hap fals do t’i kushtonte atij vendin e punës.
Vincenzo Montella vijon ta marrë me sportivitet mungesën e rezultateve te Milani. Edhe pas barazimit 0-0, ndaj AEK-ut të Athinës, trajneri i kuqezinjve i është përgjigjur me një batutë, pyetjes mbi shkarkimin e tij. “U bë disa kohë që shoh për së gjalli funeralin tim dhe kjo ka një avantazh, sepse kupton shumë gjëra. Shoqëria më qëndron pranë dhe më mbështet, por se çfarë do të ndodhë më pas, nuk di të them”, u përgjigj Montella pas barazimit pa gola në kryeqytetin grek. Sfida e të dielës, mes Milanit dhe Sassuolos mund të rezultojë deçizive për të ardhmen e Montellës, pasi fitorja është rezultati i vetëm që e shpëton.
Arlind Rama

 

Bonuçi kthehet nga skualifikimi

Rikthimi në fushë, me shiritin e kapitenit të AC Milan në krah, nuk ka qenë ashtu si e kishte ëndërruar për Leonardo Bonucci. Kuqezinjtë nuk kanë fituar edhe pse në Athinë kanë marrë një pikë që i mban në vendin e parë të grupit dhe i afron me kualifikimin për në 1/16-t e finaleve. Paraqitja e skuadrës së Vincenzo Montella ka qenë shumë poshtë pritshmërive në këtë fillim sezoni. “Skualifikimi dy javor ka bërë që të punoj shumë në aspektin fizik dhe psikologjik gjatë këtyre ditëve, deklaroi Bonucci. Jam shumë i kënaqur për mënyrën si kanë shkuar gjërat dhe e ndjej se jam në formë të mirë. Kisha që më 14 korrik që doja ta thosha diçka të tillë dhe më në fund arrita atje ku mendoj se mund të shpreh maksimumin tim”.
“Kalova dy javë të çuditshme pa ndeshje. vazhdon Leonardo Bonucci. Në Athinë, gjatë pjesës së parë nuk ishim shumë të shpjetë në qarkullimin e topit dhe në këto raste janë individë të caktuar që duhet të marrin përgjegjësinë. E dinim që do të ishte e vështirë, ndërsa tani duhet të mendojmë për ndeshjen e kampionatit kundër Sassuolo. Në çdo ndeshje luajmë për reputacionin tonë. Gjatë verës kishte shumë entuziazëm, por tani duhet të jemi të përqendruar në fushën e lojës dhe të japim maksimumin. Unë shoh shumë cilësi te skuadra jonë. Na mungon disi paparashikueshmëria kur e kemi topin në zotërim, por mendoj se në të ardhmen do t’i japim vetes dhe tifozëve shumë kënaqësi në kampionat dhe Europë”.