15.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Taksë biznesit të vogël në Rajon kur kalon 66 mijë euro xhiro, këtu kur kalon 2 mijë euro

Nëse do të miratohet plani i qeverisë për të hequr fare kufirin ku bizneset fillojnë e paguajnë TVSH, duke e çuar në zero, Shqipëria do të ishte ndër të paktat vende në Europë, që nuk do të kishte incentivë për bizneset mikro dhe të voga, që në fakt janë zemra e ekonomisë vendase me mbi 40% të të punësuarve.
Shqipëria aktualisht ka një nivel të ngjashëm pragu me Bashkimin Europian për aplikimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar tek bizneset.
Në vendin tonë, një biznes përfshihet në pagesën e TVSH kur realizon një xhiro vjetore mbi 5 milionë lekësh ose 36 mijë eurosh në vit, por me ndryshimet e shpallura nga Rama, kjo xhiro do të ulej në 2 milionë në vit. Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se, mesatarja e xhiros vjetore për aplikimin e TVSH-së në vendet e BE është 25- 35 mijë euro, por me ndryshime të dukshme ndërmjet vendeve. Italia taton me TVSH bizneset me qarkullimin vjetor mbi 25-50 mijë euro, ndërsa Bullgaria aplikon një kufi prej 25 mijë eurosh.
Edhe në Rajon ka një nivel të ngjashëm qarkullimi vjetor që tatohet me TVSH. Kroacia e ka pragun e tatimit me TVSH 30 mijë euro, sipas të dhënave të vitit 2017 të azhurnuara nga KE. Bosnja e aplikon TVSH në bizneset që qarkullojnë më shumë se 25 mijë euro në vit. Ndërsa shihet se pragun më të lartë e ka Serbia, e cila e nis të vjelë TVSH në bizneset që kanë xhiron vjetore mbi 66 mijë euro. Në Maqedoni, kufiri i përfshirjes në TVSH aktualisht është 15 mijë euro. Maqedonia e uli pragun në vitin 2015, teksa para këtij viti pragu ishte 30 mijë euro. Në Mal të Zi, pragu është 18 mijë euro. Në Bosnjë, kufiri është 25 mijë euro.
Nga shtetet e BE-së, vetëm Spanja dhe Holanda nuk kanë kufi të regjistrimit në TVSH. Një tjetër shtet që e ka aplikuar këtë praktikë është Turqia, që e ndërmori këtë lëvizje pas një reforme gati 10-vjeçare në sistemin e administrimit fiskal.
Dy janë arsyet kryesore se pse qeveritë vendosin kufij për pagimin e TVSH-së, sipas teorive ekonomike. Së pari, kjo është një nxitje për biznesin e vogël, që nga ana e tij është i rëndësishëm për gjenerimin e punësimit, duke qenë se, biznesi i vogël në ditët e sotme po krijon pjesën më të madhe të vendeve të punës në botë. Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, mikrondërmarrjet (me 1 deri në 9 punonjës) krijojnë 42% të vendeve të punës, ndërsa pesha që ato kanë në shitje neto është vetëm 24% e totalit.
Argumenti i dytë lidhet me vështirësitë në kontrollin dhe kontabilizimin e pjesës së fundit të zinxhirit të shitjeve, teksa pjesa e fundit e zinxhirit bie pre më lehtë e abuzimit, keqpërdorimit dhe korrupsionit, si dhe kërkon përqendrim të lartë burimesh njerëzore, që nuk është eficient, duke pasur parasysh nivelin e të ardhurave që mblidhen. Kjo çon në një rezultante futja e bizneseve pa kufi në TVSH më tepër dëmton sesa krijon të ardhura.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi së fundmi se TVSH do të shtrihet deri tek bizneset me qarkullim nga zero, por theksoi se kjo nuk ka rritje të kostos. “Ka rritje të kostos për ata që punojnë në informalitet. Për ata që janë formalë kjo ska kosto”, tha ministri.

Schäuble paralajmëron krizën e re

Shefi i Financave gjermane që është në prag të largimit nga ky post ka deklaruar se politikat e Bankës Qendrore rrezikojnë të formojnë “flluska të reja” dhe se nivelet spirale të borxhit global dhe likuiditeti paraqesin një rrezik madhor për ekonominë botërore.
Në një intervistë të dhënë për “Financial Times”, eurofili, i cili ka drejtuar një nga ekonomitë më të mëdha të botës gjatë këtyre tetë viteve të fundit, tha se ekzistonte rreziku i formimit të “flluskave të reja” për shkak të triliona dollarëve që bankat qendrore kanë hedhur në tregje. Z. Schäuble paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që i kanoseshin stabilitetit në eurozonë, veçanërisht ato të paraqitura në bilancet bankare pas krizës së kredive me probleme.
Ai do të mbahet mend si një avokat i fortë i drejtësisë fiskale dhe kryesisht si politikanit më pro-europian në kabinetin e kancelares gjermane Angela Merkel, shumë i aftë në shitjen e përfitimeve të euros dhe të integrimit më të thellë europian në një publik skeptik gjerman. Ai u shpreh për FT se, votimi i Brexit vitin e kaluar kishte treguar se sa “budallallëk’” ishte të dëgjonin “demagogët që thonë. . . ne po paguajmë shumë për Europën”. “Në këtë drejtim, ata dhanë një kontribut të madh për integrimin europian, edhe pse në një afat të shkurtër që nuk e ndihmon vërtet Britaninë”.
Z. Schäuble do të zhvendoset në një detyrë të re, në atë të kryetarit të Bundestagut gjerman në mes të shqetësimeve në lidhje me legjislaturën e re, e cila do të ndikohet nga ardhja e 92 deputetëve nga partia “Alternativa për Gjermaninë” një parti populiste e djathtë që tronditi krijimin politik, duke fituar 12.6 për qind në zgjedhjet gjatë muajit të kaluar.
Z. Schäuble, i cili do të marrë pjesë në takimin e tij të fundit të ministrave të Financave të eurogrupit këtë të hënë, kërkoi të risigurojë aleatët e Gjermanisë se suksesi i habitshëm i Aleancës për Gjermaninë nuk do të ndikonte aspak në angazhimin e vendit ndaj demokracisë liberale. Nuk ka asnjë mundësi, që Gjermania të përkeqësoshet akoma më shumë.
Reagimi i votuesve të partisë Alternativa për Gjermaninë, vjen pasi ata ishin të pakënaqur, ndiheshin të përjashtuar, dhe ishin të zemëruar për padrejtësinë e perceptuar dhe të shqetësuar për mënyrën se si bota po ndryshonte. “Por nuk ka asnjë arsye për të besuar se demokracia dhe sundimi i ligjit janë në rrezik”, tha zoti Schäuble.
Megjithatë, ai paralajmëroi se bota rrezikohej nga “inkurajimi i krijimit të flluskave të reja”. “Ekonomistët në mbarë botën janë të shqetësuar për rreziqet në rritje që vijnë nga akumulimi gjithnjë e më shumë likuditeteve dhe rritja e borxhit publik dhe privat. Unë vetë jam i shqetësuar edhe për këtë, vazhdoi ai më tej. Komentet e tij vijnë një ditë, pasi Christine Lagarde, drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, tha se bota po shijonte kulmin e saj më të mirë që nga fillimi i kësaj dekade, por paralajmëroi për “kërcënimet e mundshme” nga nivelet e larta të borxhit dhe marrjen e rreziqeve të shumta në tregjet financiare.
Pikëpamjet e zotit Schäuble janë gjithashtu në sintoni me ato të Bankës për Rregullimet Ndërkombëtare, e cila ka argumentuar gjatë se, lehtësimi agresiv i parasë nga bankat qendrore ka nxitur në krijimin e flluskave në çmimet e aseteve. Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare paralajmëroi muajin e kaluar, se bota ishte mësur aq shumë me përdorimin e kredive të lira saqë normat më të larta të interesit mund të pengonin rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Zoti Schäuble mbrojti masat shtrënguese, duke përshkruar sipas një mënyre anglo-saksone se një politikë e qëndrueshme financiare, nuk i shikon më defiçitet e larta si një gjë e mirë.
Ai tha se, bumi ekonomik i tanishëm i Gjermanisë, me rritjen e kërkesës së brendshme dhe investimeve dhe shkallën më të ulët të papunësisë që nga ribashkimi, ishte justifikim i një politike ekonomike, që i dha përparësi “zbatimit të rregullave të caktuar” gjithashtu edhe duke shmangur deficitet. Nën administrimin e tij vendi ka drejtuar buxhetet e balancuara që nga viti 2014. “Britania e Madhe gjithmonë e ka tallur kapitalizmin e Rhinelandit”, tha ai, duke kundërshtuar modelin e tregut social të drejtuar nga konsensusi gjerman, me tregjet e lira anglo-amerikane dhe derregullimin.
Por ne kemi parë se mjetet e ekonomisë së tregjeve sociale ishin më efektive në trajtimin e krizës financiare… sesa në vendet ku ajo u rrit. Zoti Schäuble vlerësoi “iniciativat e fuqishme” të Emmanuel Macron për rishikimin e BE-së, pa iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë propozimeve të presidentit francez për reformën e eurozonës.
Ai tha vetëm se, detyra kryesore në të cilën përballet zona e përbashkët e monedhës është që “të zvogëlojë rreziqet, të cilat janë akoma shumë të larta. Ne duhet të sigurohemi se do të jemi mjaftueshëm elastik nëse do të përballemi ndonjëherë me një krizë të re ekonomike, shtoi ai. “Ne nuk do të kemi gjithmonë një situatë kaq pozitive sa tani”.

(Monitor)

Çi lipset Skënderbeu Edi Ramës?

Fatmir GUDA

Është bërë fakt vendimi i qeverisë për ta shpallur 2018-ën, vitin e Skënderbeut. Madje rrugës ju sajua dhe termi “mbarëkombëtar”, për t’i dhënë nismës atë që kryeministri e ka më shumë kompleks, sesa ndjesi.
Teksa rrekem të gjej motivet që mund ta kenë shtyrë Edi Ramën të bëjë një propozim të tillë, më vjen nëpërmend se pikë reference ndaj Skënderbeut kanë marrë kohë më parë edhe rilindasit shqiptarë. Natyrisht që ata të vërtetët, rilindasit me pushkë dhe me penë për mëmëdhenë, të cilët në fillimshekullin e kaluar pikërisht për të ngjallur ndjenjën kombëtare në veprat e tyre vunë në epiqendër heroin kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeun. Evokimi i figurës së Skënderbeut pas një sundimi 500-vjeçar të otomanëve bëhej për të rritur frymën kombëtare ndër shqiptarë, për t’u pararendur kryengritjeve anë e mbanë trevave shqiptare, që u finalizuan me aktin e pavarësisë më 1912. Pas këtyre vijave le të themi paralele, lind apriori pyetja: Këta “rilindasit” e Edi Ramës në fakt po u referohen metodave të rilindjes kombëtare për rindërgjegjësimin e ndjeshmërisë patriotike apo thjesht politikisht po aplikojnë një taktikë të njohur, sipas të cilës nën strehën e pseudopatriotizmit duhet strukur maskarallëku i ditës?
Të gjithë preçedentët mbi të cilat qeveris Edi Rama të shtyjnë drejt së dytës. Pra, identifikimi sistematikisht i kryeministrit, si përgjegjësi kryesor në vend për gjendjen mizerabël ku gjendet ndjeshmëria e patriotizmit për shkak të mbizotërimit të fenomeneve më negative politiko-socialo-ekonomike, sigurisht që ja rrëzojnë kredencialet Edi Ramës, i cili drejtpërdrejt është edhe anunçuesi i kësaj nisme. Që të ketë një vit kalendarik ku aktivitetet të fokusohen rreth figurës së heroit tonë kombëtar, kjo është padyshim pozitive. Madje edhe sikur ta zgjasnin në kohë, gjatë të katër viteve të mandatit qeverisës së “rilindjes”, absolutisht nuk do ishte gjë e keqe. Sepse në fund të fundit, Skënderbeu me dimensionet përtej kombëtare ka shërbyer në të gjitha kohërat si institucioni kryesor në Shqipëri, pikë reference për cilindo shqiptar, që i është dashur të shpalosë krenarinë kombëtare.
Sikundër çdo tentativë për të abuzuar duke krijuar një patriotizëm të remë apo fasadë prej emrit të Gjergj Kastriotit, nuk do t’i ngjiste kujdo, qoftë ky dhe profilit të parit të qeverisë, i cili gjithsesi, më shumë do të shihej si përfitues prej figurës së heroit kombëtar, sesa si evokues i lavdisë që Skënderbeu përfaqëson.
Ndërsa nisma për shpalljen e vitit 2017 ka marrë trajtën institucionale të një VKM-je, pikëpyetjet e publikut mbi motivet e saj do mbesin qartësisht pa përgjigje, ashtu siç ndërgjegjja kombëtare ka gjasa të mbetet një ndjesi, që s’do të mundet dot të kapërcejë prapambetjen social-ekonomike ku ndodhen shqiptarët, të cilët edhe në optikën ndërkombëtare nuk gëzojnë ato konsiderata që më kot po tentohen t’u vishen me zor. Dmth, njëlloj si fasadat e pallateve, që bojatisen vetëm në pjesë ballore për të kuruar imazhin e shëmtuar të tyre, pa u marrë aspak me problemin që mund të ketë pallati në brendësi të vet, pritet të ndodhë, që të tregohet kujdesi deri në detaj për t’u shkaktuar mjaftueshmërisht zhurrmë, aq sa dhe do mund të arrihet deri aty, sa me doza njëtrajtësisht të barabarta, të glorifikohet njëlloj prijësi legjendar Gjergj Kastrioti me liderin “global” Edi Rama. Kësaj këmbane ka nisur t’i bjerë vetëm disa muaj më parë deputetja e “rilindjes” Elisa Spiropali, e cila pa u menduar dy herë se do merrte riskun e shndërrimit në një person qesharak do ta etiketonte Edi Ramën si Skënderbeun që do ta integronte Shqipërinë në BE.
Megjithatë për t’i vënë kapak vendimit si aspak i konsultuar në mënyrë kolegjiale, i cili mban ekskluzivisht ideimin dhe vulën personale të kryeministrit, është e pamundur të shmaget paqartësia e opinionit mbarë shqiptar, fillim mbarim të këtij eventi: “Edi Ramës për ç’i lipset Skënderbeu”?

 

Hajdutë, larg duart nga Shtypshkronja “Demokracia”!

Mafia e ndërtimit ka zgjatur duart ditët e fundit tek një objekt që për vite ka qenë simbol i shtypit të printuar në Shqipëri. Bëhet fjalë për Shtypshkronjën “Demokracia”. Kjo është shtypshkronja e parë e shtypit të lirë në Shqipëri, e cila është një donacion i qeverisë amerikane në majin e vitit 1992 kryesisht për gazetën “RD” dhe tre gazeta të tjera të vogla të asaj kohe, që sot janë jashtë tregut. Investimi amerikan kapte shifrën e 1 milion dollarëve në atë kohë dhe përfshinte koston e shtypshkronjës dhe të truallit.
Shtypshkronja ndodhet pranë rrugës “Jordan Misja” dhe shtrihet në një zonë që kohët e fundit është bërë mjaft e frekuentuar për ndërtuesit për shkak të shtrirjes së Bulevardit të Tiranës deri në zonën e Paskuqanit. Prej kohësh ndaj shtypshkronjës janë ndërrmarë sulme duke e dëmtuar atë. Qëllimi ka qenë që të nxjerrin jashtë funksionit të plotë makineritë e shtypshkronjës dhuratë e qeverisë amerikane. Ky ka qenë hapi i parë i mafies së ndërtimit. Prej javësh, kjo shtypshkronjë ka rënë pre e gjuetisë së këtyre banditëve që kanë koperturë politike. Muret janë dëmtuar dhe po ashtu edhe shtypshkronja.
Qëllimi për ta përfituar shtypshkronjën në mënyrë të njëanshme nga një bandë me koperturë politike vlon në fakt prej kohësh. Pjesë e këtij plani ka qenë edhe plani për ta falimentuar atë kohë më parë. Autorët kanë pasur si qëllim që të ndjekin strategjinë e tokës së djegur, duke shkatërruar gjithçka dhe më pas ta përvetësojnë për të ndërtuar mbi atë truall. Ditët e fudit janë vënë në lëvizje disa individë që kërkojnë ta përvetësojnë në mënyrë të paligjshme.
Gazeta “RD” e cila është pjesë e pronësisë së kësaj shtypshkronje me të gjitha dokumentat nuk do të lejojë këtë mafia të ndërtimit të tjetërsojë këtë pronë që është një investim amerikan dhe që për kontributin në kohën që ka pasur duhet të ishte kthyer në një monument të lirisë së shtypit.
“RD” paralajmëron këta hajdutë që ditën shesin moral politik dhe natën zhvasin pasuritë, ku “RD” është pjesë se do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë dhe denoncimet publike dhe penale ndaj tyre. Nuk mund të lejojë kurrsesi që këta grabitqarë politikë dhe minj të tjetërsimit të pronave në hipoteka të livadhisin me Shtypshkronjën “Demokracia”. Eshtë koha të kuptojnë se “RD” ka përfaqësuesit e vet ligjorë dhe se loja me mafien e ndërtimit do t’i diskretitojë akoma më shumë përpara opinionit publik.
“RD” do të ndërmarrë po ashtu hapa ligjorë për të kuptuar kushdo se përse ata që e kanë administruar deri tani në mënyrë të njëanshme këtë objekt e kanë degraduar në këtë pikë dhe do të vihen para drejtësisë.
Askush nuk do të mund të shpëtojë nga kjo katrahurë që kanë ndërmarrë disa individë me këtë investim amerikan prej 1 milion dollarësh. Do të denoncohet e gjithë skema e tyre, si e ushtarëve ashtu edhe e ustallarëve që qëndrojnë pas tyre. Mjaft keni abuzuar. Ka ardhur koha të mbani përgjegjësi për atë që keni bërë dhe më tepër akoma për atë që po kërkoni të bëni.

“RD”

SHBA kërkon arrestimin e “peshqve të mëdhenj”

Ambasadori amerikan ka kërkuar sërish arrestimin e peshqve të mëdhenj të krimit dhe të drogës në një koment në rrjetet sociale. “Të lumtë, Skënder Minxhozi! Të gjithë nxitojnë ta shohin këtë betejë si kundër PS-së apo PD-së. Ne amerikanët, duam veprime vendimtare kundër peshqve të mëdhenj të krimit. Ne duam që të gjithë shqiptarët të ndalojnë grindjen dhe të fillojnë punën drejt një synimi të përbashkët: këta gangster të futen në burg. Mjaft u zutë dhe futjuni punës”, shkruan ambasadori Donald Lu.
Pak ditë më parë ambasadori amerikan, tha se në Shqipëri janë disa familje mafioze, të cilat komandohen nga 4 klane kriminale.
“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihet trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë si trafikanti i drogës, Emiljano Shullazi për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik nga qelia e paraburgimit, apo Lul Berisha, kreu i bandës së Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarë të burgut, kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit po në mënyrë të mistershme është i lirë. Së fundmi, Klement Balili, trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA e SHBA po që ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ka dhe shumë shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri”, tha Lu.
Duke shtuar se ka një duzinë trafikantësh të lirë, ambasadori parashikoi një luftë të egër.
“Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Me gjasë do jetë luftë e egër, në vitin 2014 pati 72 bomba në makinë, shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze”, u shpreh ambasadori i SHBA.

Si mblidhte vota për Sejdinin Suel Çela me kallash në dorë

Ngjarja e 18 shtatorit në Elbasan, ku u godit makina e policisë nga një “Audi” i blinduar ka detyruar Prokurorinë të hapë edhe dosje të vjetra mbi bandat e qytetit. Një prej emrave më të lakuar është ai i Suel Çelës, djalit të biznesmenit Petrit Çela, që administron Tregun Agroushqimor të qytetit. Emri i tij ka qenë i njohur për Policinë e Elbasanit, pasi është i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por që forcat e policisë ishin të pafuqishme për ta arrestuar për shkak të mbështetjes publike, që ka nga kreu i Bashksisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe vetë kryeministri Rama.
Suel Çela me bandën e tij i kanë sigurar votat Sejdinit për t’u zgjedhur kryetar Bashkie nëpërmjet presionit dhe kërcënimeve me armë të votuesve. Dy vjet më parë, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, Suel Çela me bandën e tij ushtruan terror me armë tek komuniteti rom që të votonin për Sejdinin. Suel Çela u akuzua me emër dhe mbiemër nga komuniteti rom i qytetit se i armatosur me disa persona të tjerë po kërcënonte qytetarët për të mbledhur vota për kandidatin e PS-së, Qazim Sejdini.
“Ishte Sueli që më kërcënoi. Ishte bashkë me të vëllain dhe ishin të armatosur me kallashnikov”, tha një nga dëshmitarët. Ai tregoi atëherë se në këtë zonë të tillë personat afrohen vetëm kur ka zgjedhje për të terrorizuar banorët dhe për t’i kërcënuar ata që nuk votojnë PS-në. Në atë kohë, kjo ngjarje u mohua nga deputeti i PS, Taulant Balla, që sipas të cilit, bëhej fjalë vetëm për një incident mes dy familjeve të varfëra pa prapavijë politike.

Ushtari i bandës së Suel Çelës ruante qytetin me kamera

Ushtari i bandës së Suel Çelës, Enea Bekteshi, kishte instaluar në qytetin e Cërrikut katër kamera sigurie, të cilat monitoronin të gjitha lëvizjet e Policisë dhe Forcave Speciale. 31-vjeçari dyshohet se drejtonte makinën e blinduar që goditi më 18 shtator makinën e Policisë në Elbasan. Sipas burimeve nga organi i akuzës, në gjendje pune kanë qenë katër kamera. E para ishte vendosur te rrethi i konviktit të qytezës, e dyta pranë Medresesë, e treta tek rrugica që të dërgon te banesa e kunatit të tij dhe e katërta ishte vendosur poshtë një pallati pesë katësh.
Serverat e këtyre kamerave u sekuestruan nga Policia e Elbasanit dhe u dërguan për veprime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë mënyrë, ai ruante lëvizjet e policisë dhe ishte gjithmonë i gatshëm të lëvizte në rast se pikaste një tentativë për të mësyrë në banesën ku fshihej.
Sipas burimeve, hetimet kanë zbuluar se, Bekteshi kishte lënë gjurmë gishtërinjsh te makina ‘Audi A8’ që goditi policinë. Pavarësisht këtyre provave, i prangosuri Bekteshi vijon të mos flasë gjatë marrjes në pyetje. Ai ka kërkuar më shumë kohë dhe procesin e marrjes në pyetje kërkon ta zhvillojë në prani të avokatit.
Emri i Enea Bekteshit ka qenë më herët i skeduar për disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në qytetin e Elbasanit. Organi i akuzës së rrethit, kishte kërkuar që ai të mbahej nën mbikëqyrje nga forcat e operacioneve speciale, pasi kishte dyshime se ishte përfshirë në atentatin me antitank ndaj banesës së familjes Çapja. Kjo ngjarje e pazakonte ndodhi në fillim të gushtit të këtij viti, por fatmirësisht pa viktima. Sipas burimeve nga Prokuroria, 31-vjeçari Enea Bekteshi dyshohet se ka qenë në drejtim të automjetit të vjedhur në Durrës, tip BMW X3, që u dogj në periferi të qytetit të Elbasanit, pasi goditi me antitank ndërtesën e Çapjave. Për atë ngjarje u kërkua që të mbaheshin nën përgjim edhe dy persona të tjerë, por deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Vazhdon masakra në Butrint, lejen e lokalit e dha Ministria

Parku Antik i Butrintit vazhdon të masakrohet me beton. Për këtë skandal ka patur një debat të ashpër edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës, ku këshilltarët e djathtë kanë kërkuar spjegime se përse nuk ndërhyhet për të ndalur betonizimin në Parkun e Butrintit, por këshilltarët socialistë janë përgjigjur se, “ndërtimi në Park po bëhet me leje nga Ministria e Kulturës dhe nuk mund të ndalohet”. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar që të ngrihet një komision nga Këshilli Bashkiak për të ndaluar këtë masakër, por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga të majtët.
Pas reagimit të mediave për këtë skandal, Parku i Butrintit është rrethuar dhe nuk lejohet të futen as gazetarët dhe as qytetarë të thjeshtë. Në Park futen vetëm kamionët me beton dhe tulla. Sipas banorëve të zonës, në mes të Parkut po ndërtohet një lokal me pronar nga Tirana. Po ashtu është planifikuar që të ndërtohet edhe një lokal tjetër mbi shkallët e Amfiteatrit antik të Butrintit.
Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. Ditën e djeshme punëtorët kanë marrë urdhër për ta mbuluar me barriera jeshile vendin në mes të Parkut ku tashmë janë hedhur themelet e betonit të lokalit. Ndërtimi i lokalit po bëhet ngjitur me murin prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në këtë kantier nuk ka tabelë për punimet, ndërsa punëtorët nuk kanë frikë të flasin. As ata nuk e dinë se çfarë po ndërtohet. Punëtorët hedhin tulla e beton dhe kyçin gojën për çfarë po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit.
Një zyrtar nga Bashkia e Sarandës bëri të ditur se, lokali që po ndërtohet në Butrint është i një njeriu të afërt të kryeministrit Rama ndaj dhe e gjithë zona është rrethuar me policë dhe nuk lejohet askush të futet në Butrint. Pak ditë më parë, një qytetar nga Saranda i dërgoi një mesazh ish-Kryeministrit Berisha dhe fotot e ndërtimit të lokalit në mes të Parkut, duke shkruajtur se ndërtimi që po ngrihet është i Kryeministrit. Sipas UNESCO, brenda Parkut Arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë për dhënien e lejes së ndërtimit në Parkun e Butrintit.
Të gjitha qytetet, parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar jo vetëm turistik, por edhe historik. Por ndryshe ndodh në Shqipëri me Parkun Antik të Butrintit. Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në ketë Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO, punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton.
E gjithë zona rreth qytetit antik të Butrintit në Jug të Shqipërisë është strehë e një sërë speciesh globalisht të rralla dhe ka një histori kulturore të pasur që justifikon njohjen e saj si të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Tashmë në këtë zonë jo vetëm që po rrezikohen speciet e rralla, por edhe vetë Parku i Butrintit. Me një leje të firmosur dhe vulosur nga Ministria e Kulturës, Parku i Butrintit po shkon drejt rrënimit. Të gjitha parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar historik, por Ministria e Kulturës as që sdo t’ia dijë. Babëzia e pushtetarëve nuk njeh limit.

R.POLISI

Banda që ka lidhje me drejtorin e policisë merr peng 19-vjeçarin

Një 19-vjeçar është marrë peng nga një bandë në Fier para tre ditësh dhe është torturuar, ndërsa ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Fieri, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Qytetari i shkruan Berishës se, banda ka lidhje me drejtorin e Policisë së Fierit, nëndrejtorin dhe kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi. “Narko-bandat e Fierit të lidhura me pushtetin marrin peng dhe torturojnë 19-vjeçarin, ndërsa çunat e krimit me uniformë mbulojnë krimin! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Zoti Berisha po denoncoj një ngjarje shumë herë më të rëndë nga ajo e Elbasanit. Në Fier, 3 ditë më parë është marrë peng një djalë i ri, 19 vjeç, është torturuar 24 orë nga një bandë kriminale me lidhje të drejtpërdrejta me drejtorin e Policisë Fier, nëndrejtorin dhe kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi. Policia po mundohet të fshehë ngjarjen. Ju lutem verifikojeni. Djali është i shtruar në spital me inicialet F.L.
E kanë masakruar me thikë nga këmbët. Policia ju tha familjarëve; shkoni dhe e gjeni vetë se do jetë i fshehur. Mbas 30 minutave peng, pasi e kanë torturuar e kanë liruar të riun.

Betonizohet Gryka e Këlcyrës për të çuar ujin tek fabrika

Në vendin më piktoresk të Grykës së Këlcyrës, atje ku rrjedhja e Vjosës bëhet fantastike, prej disa ditësh po hidhet beton. Megjithëse Bashkia e Këlcyrës pohon që nuk ka dhënë leje pronari i fabrikës që prodhon ujin Trebeshina, vazhdon punimet duke ndërtuar një kullë betoni që mbledh ujërat e ujëvarës dhe një urë që kalon mbi Vjosë për të çuar ujin në fabrikë.
Organet e rendit kanë mbetur të paralizuara, pasi siç thuhet në zonë, për këtë ndërtim, janë futur në sherr drejtuesit socialistë të pushtetit lokal me pronarin e firmës ndërtuese që pohon se ka marrë lejen nga kryeministri për këtë investim. Dhe situata është aq absurde sa askush nuk ndërhyn, ndërkohë që betoni shkatërron rrjedhën e Vjosës.
Ndërkohë, fshati Mursi në Sarandë, prej disa ditësh është në protestë për mbrojtjen e shkollës 9-vjeçare, e cila daton prej 176 vjetësh. Shkak u bë një njoftim që kjo shkollë, e cila është në territorin e Bashkisë Konispol do të mbyllet. Banorët kërkojnë ta ndalojnë këtë akt si e vetmja mundësi për të parandaluar analfabetizmin ne fshat. Komuniteti i Mursisë, fajëson bashkinë Konipol se favorizon ndërtimin e një shkolle në një fshat tjetër dhe mbylljen qëllimisht të shkollës së Mursisë. Por Kryetari i bashkisë Konispol, Shuaip Beqiri u tha atyre se do ndikojë që shkolla të mos mbyllet. Ky fshat ngelet ndër më të populluarit në jug të Shqipërisë e favorizuar kjo nga industria e agrumeve dhe bujqësisë.