23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Ministri i Brendshëm italian: Do të godasim të paprekshmit

Ministri i Brendshëm italian, Marco Minniti nënvizoi se qeveria italiane do të jetë gjithmonë në krah të qeverise shqiptare për të luftuar trafikantët dhe të paprekshmit.

“Ne duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që menaxhojnë këto trafiqe. Duhet të godasim të paprekshmit, sepse në Europë, Itali, Shqipëri nuk ka të paprekshëm. Ky është objektivi i rëndësishëm për të cilin duhet të punojmë së bashku”, u shpreh Minniti.

Karteli dhe mbreti i ri i drogës në Europë me 1.3 miliardë euro në vit

Për vite me radhë, pjesa më e madhe e kanabisit që hynte në tregun e BE kishte një prejardhje nga vendet e Magrebit, kryesisht Marok. Megjithatë, vitet e fundit raportohet një ndryshim për trafikimin e marijuanës dhe vajit të marijuanës nëpërmjet rajonit
të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërisë, fakt ky i lidhur me rritjen galopante të kultivimit të kanabisit në këtë vend

(E plotë në versionin print të gazetës)

Një revolucion popullor, e vetmja rrugë për të çliruar Shqipërinë nga krimi

Një kryengritje mbarëpopullore sipas ish-Kryeministrit Berisha është e vetmja zgjidhje për shkuljen e krimit nga pushteti dhe kthimin e tij në duart e qytetarëve. Berisha reagoi dje ashpër në lidhje me dorëheqjen e detyruar të kreut të SHISH Visho Ajazi, ndërsa solli në vëmendje dosjet e SHISH që dokumentojnë lidhjet e qeverisë me bandat dhe trafikun e drogës.
“Në kulmin e krizës, në një kohë kur çështja e kanabis u ndërkombëtarizua në mbarë botën, në një kohë kur shqiptarët dhe bota mori gjithë dokumentacionin e antimafies italiane, se trafiqet në Shqipëri i drejtonte vetë ministri i antitrafikut, pra Saimir Tahiri, në një kohë kur në ekzekutivin shqiptar kishte vetëm një zë të fuqishëm kundër kanabisit, trafiqeve dhe krimit të organizuar dhe ky ishte Shërbimi Informativ Kombëtar, në vend se të qërrohet Haki droga, largohet nga detyra shefi i SHISH për fajin e vetëm sepse, në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës i raportoi me dhjetëra dhe qindra herë kryetarit të shtetit, por dhe vetë Noriegës, për narkoshtetin dhe zhvillimin e tij në Shqipëri. Kjo lëvizje in ekstremis përbën revanshin më të fuqishëm të narkoshtetit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur tek skandali i radarëve, Berisha kujtoi se nga shtatë radarë në të gjithë vendin katër prej tyre u bllokuan për t’u lehtësuar rrugën bandave të trafikut të drogës. “Qeveria e Noriegës bllokoi radarët. Nga shtatë radarë vetëm tre në funksion. Dhe nga e gjithë ajo që kemi denoncuar, ditën që narkoministri fliste këtu, trageti nga Durrës nisej i shoqëruar para dhe mbrapa nga dy skafe, të cilat kapeshin për bukuri në radarë, por nuk shiheshin nga sytë e mendjes të atyre që ishin përpara, sepse urdhri ishte ‘t’i lëmë të kalojnë’. Njëri u kap në brigjet italiane, ai që kishte tre tonë nuk dihet se ç’u bë”, tha Berisha.
Berisha i kërkoi Ramës të japë llogari para shqiptarëve për të gjitha megaaferat në katër vitet e qeverisjes së tij, ndërsa ngriti gjithashtu shqetësimin për rritjen e borxhit në nivelin stratosferik prej 85%.
“Jep llogari para shqiptarëve për vjedhjet monstruoze që bën me check up-in. Praktikë unike hajnie kjo. Jep llogari për borxhin që e ke ngritur në 85% dhe po e çon në 90%. Sot po diskuton për buxhetin, ky është buxheti më diskriminues në historinë e popullit shqiptar, që kur është bërë buxheti i parë e deri sot. Nuk ka një buxhet që të përjashtojë pothuajse totalisht shqiptarët nga Miloti deri në Tropojë, nga një urrejtje patologjike racore e njeriut që thotë se po më akuzojnë prokurorët tropojanas. A ka racizëm më të shpëlarë e më primitiv se sa ky? Sipas tij, origjina krahinore është përcaktuese nëse mund të hetojnë apo jo Noriegën e shqiptarëve dhe të akuzojnë zyrtarët e tu të korruptuar. Çfarë fryme sjell ti me këto qëndrime dhe fjalë? Ti me buxhetin tënd mbjell përçarjen më të madhe”, tha Berisha.
Gjithashtu ish-Kryeministri Berisha theksoi se ajo që ndodhi 2 javët e fundit në Shqipëri u paralajmërua 4 vite me radhë nga opozita shqiptare në Parlament, në platformën e saj në Partinë Demokratike, në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë.
“Ajo që ndodhi 2 javët e fundit në Shqipëri u paralajmërua 4 vite me radhë nga opozita shqiptare në Parlament, në platformën e saj në Partinë Demokratike, në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë. Por çdo fjalë, çdo kritikë, çdo fakt i paraqitur këtu për ministrin e Brendshëm që drejtonte trafiqet, kryeministrin që e mbronte dhe e mbulonte atë me të gjithë fuqinë e pushtetit ekzekutiv, nuk patën efektin që duhej të kishin në çdo vend të lirë. Përkundrazi, revanshi i krimit vazhdoi. Në Shqipëri u mbollën në vitin 2016, 8 milionë rrënjë kanabis, në Shqipëri u magazinuan në tunele, magazina shtetërore e vila mbi 10 mijë tonë kanabis. Dhe ajo shifër që thuhet, 1.3 miliardë është vetëm dora që ka dalë në qarkullim. Shqipëria kishte plantacionet më të mëdha të kanabisit në Europë dhe në botë, ndërsa Adriatiku ishte autostrada kryesore e trafikut të kanabisit në një flotilje të përgatitur që shkon gjatë këtyre viteve në dhjetëra e dhjetëra gomone, skafe dhe mjete të tjera transporti”, u shpreh Berisha.

Edi Rama po prish shtëpitë e himariotëve, që të ndërtojë vëlla Olsi

Berisha ka reaguar ashpër dje edhe në lidhje me prishjen e banesave të qytetarëve të Himarës, ndërsa e ka cilësuar situatën atje si një agresion mafioz pas të cilit fshihen interesat e Olsi Ramës për ndërtime.
“Ajo që ju shihni në Himarë është një agresion mafioz i turpshëm ndaj qytetarëve krenarë që kanë qenë dhe mbeten bastion i shqiptarizmit. Duhet të dini të dashur qytetarë se aty ka pasur një studim të njërës prej kompanive më serioze në botë të Britanisë së Madhe, masterplan për Himarën dhe gjithë Bregun, sipas të cilit përcaktohej se ku gjeologjia nuk lejonte ndërtimin. Dhe ky studim përmbysi një studim të mëparshëm të qeverisë suaj, që përcaktonte ku klientela duhej të ndërtonte.
Çfarë bëri ky zotëria? Përmbysi studimin britanik. Pse nuk pati asnjë sherr tetë vjeçar për probleme urbanistike? Sepse ligji ishte i qartë. Atëherë bëri studimin tjetër, sipas të cilit aty do të ndërtojë Olsi, aty do të ndërtojë klani, atje tjetri, me radhë dhe u vënë drurin qytetarëve të Himarës. Ja pra, të dashur qytetarë ky atdhetar që përdor si strofull të fundit nacionalizmin….”.

Çudia e Zonjës “Narcos”: Radarët nuk janë për të kapur drogën

Ish-Ministrja e Mbrojtjes ka habitur sonte me deklaratën e bërë në media duke deklaruar se radarët nuk janë vendosur për të kapur drogën. Sipas Zonjës “Narco” radarët nuk i kapin gomonet plastike, por vetëm metalike. Kodheli ka deklaruar se programi i radarëve është bërë vetëm për të identifikuar objektet që hyjnë në Shqipëri, por jo për ata që dalin nga Shqipëria, pra gomonet e drogës së Habiljave të Ramës dhe Tahirit.

Ndryshimi, njeriu i Trump, Wess Mitchell nis zyrtarisht punën me Ballkanin si numri dy i Departamentit të Shtetit

Të enjten, Wess Mitchell, mori zyrtarisht postin e ndihmës sekretarit të shtetit dhe nga ky post ai do të jetë përgjegjës për marrëdhëniet me 50 vende në Evropë dhe Euro-Azi si dhe e NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.
Zoti Mitchell, i cili nga zyrtarët e lartë amerikanë cilësohet si ekspert për NATO-n dhe marrëdhëniet transatlantike, kishte themeluar në vitin 2005 Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, që u shndërrua në një prej grupeve kryesore me zyra në Ëashington dhe Varshavë.
Zoti Mitchell kishte shërbyer edhe në disa institucione amerikan e evropiane përfshirë edhe institutin për gjeostrategji Zbignieë Brzezinski, Komisionin Atlantik të Sllovakisë, Qendrës së Pragës për Marrëdhënie Transatlantike. etj.
Zoti Mitchell është autor i shumë artikujve dhe raporteve mbi marrëdhëniet transatlantike dhe sigurinë ndërkombëtare dhe bashkautor i dy librave mbi gjeopolitikën. Zoti Mitchell është doktor i shkencave politike, Ai flet gjermanisht dhe ka studiuar për holandishten dhe çekishten.
Në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2012, zoti Mitchell kishte shërbyer në ekipin e sigurisë kombëtare të kandidatin republikan Mitt Romney.
I lindur në vitin 1987, Ëess Mitchell, nuk ka ushtruar ndonjë detyrë qeveritare, por gëzon autoritet në qarqet politike. I martuar në vitin 2006 ai është baba i dy fëmijëve.
Në postin e ri ai mbulon edhe vendet e Ballkanit.
Betimi i tij të enjten mbushë postin që kishte mbetur bosh që nga 20 janari kur Victoria Nuland, që ishte emëruar nga presidenti Barack Obama, u largua pas përurimit të presidentit Donald Trump. Zonja Nuland mbulonte edhe çështjet që lidheshin më konfliktin në Ukrainë. Për shkak që posti mbeti bosh, sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson emëroi diplomatin Kurt Volker, ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO përgjatë dy administratave amerikane si të dërguar të posaçëm amerikan për Ukrainën.

Gjykata e Katanias lë në burg Moisi Habilajn

Gjykata e Rivlerësimit e Katanias vendosi dje mosndryshimin e masës së sigurisë dhe qëndrimin e Moisi Habilajt dhe 9 bashkëpunëtorëve të tjerë të tij, duke i lënë në burg. Mësohet se vendimi u depozitua dje në mesditë në Sekretarinë e Gjykatës së Katanias nga gjyqtarët; Iarato, Benanti si dhe Catena, pasi kanë dëgjuar për 48 orë pretendimet e 10 prej të arrestuarve në kuadër të dosjes “Habilaj”. Organi i akuzës së Katanias ka parashtruar në seancën e sotme gjyqësore prova që kanë qenë bindëse për Gjykatën, e cila ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për shqiptarët.
Duhet të theksojmë faktin se, Moisi Habilaj dhe 9 bashkëpunëtorët e tij gjatë seancës gjyqësore të së martës mohuan kategorikisht akuzat, ndërsa apeluan për lirim. Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë u arrestuan pas disa kohësh hetime si dhe përgjime, ndërsa u kapën teksa trafikonin 3.5 ton hashash. Në përgjimet e grupit “Habilaj” përmendej edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili sipas tyre ishte favorizuesi i trafikut të drogës Shqipëri-Itali.

Dëshmia e Nezar Seitit: Lidhja me Habilajt dhe takimet në Itali

Nezar Seiti, një prej 8 personave të akuzuar si pjesëtar i grupit kriminal “Habilaj” ka shpjeguar përpara oficerëve gjyqësorë se me familjen Habilaj ka lidhje krushqie. “Me shtetasit Artan, Moisi dhe Florian Habilaj, kam lidhje krushqie, pasi bashkëshortja ime i ka kushërinj. Moisiu më vizitoi kur kreva një ndërhyrje në Itali. Vëllezërit i kam takuar kur jam kthyer në Shqipëri. Me Moisiun dhe Florianin takohem rrallë, ndërsa me Artanin më shpesh”, u shpreh Nezar Seiti.
40-vjeçari Seiti, i arrestuar mbrëmjen e 19 tetorit, ka rrëfyer para prokurorëve se prej vitesh jetonte dhe punonte në Itali, por vinte shpesh në Shqipëri, për të vizituar prindërit në fshatin Gjorm. Për këtë shkak u gjend në Vlorë, ku dhe u arrestua për llogari të Prokurorisë së Katanias, me akuzën e trafikut të drogës në bashkëpunim. Fill pas arrestimit, Nezar Seitit, i është ofruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, por ai mësohet se ka refuzuar.
I arrestuari tjetër në Shqipëri, infermieri Armand Koçerri, edhe ky, i dyshuar për përfshirje në klanin kriminal, nuk ka dhënë shpjegime, ndërsa motra dhe nëna e tij kanë mohuar të kishin dijeni për lëndën narkotike që u gjet dhe u sekuestrua në shtëpinë e tyre. Sa iu përket komunikimeve telefonike, rezulton se pjesëtarët e familjes Habilaj, ishin shumë të kujdesshëm, pasi në dosjen e Prokurorisë bie në sy fakti se për biseda, ata përdornin numra të regjistruar në emra të personave të tjerë.
Oficerët e policisë po verifikojnë lidhjet e Habilajve me personat në emrat e të cilëve rezultojnë të jenë regjistruar numrat e telefonit. Sakaq, në Ministrinë e Drejtësisë vazhdon përkthimi i dosjes voluminoze të mbërritur nga Italia dhe vetëm në përfundim të saj, prokurorët e çështjes do të vendosin se kur do ta marrin në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ndaj këtij të fundit po zhvillohen hetime pas dyshimeve për përfshirje në grupin Habilaj, që sipas autoriteteve italiane ka trafikuar sasi tonelata hashashi nga Shqipëria në Itali.

Pajisi me armë njeriun e Lul Berishës, lihet i lirë nënkomisari i Durrësit

Nënkomisari Gjergji Azisllari është lënë i lirë nga Gjykata e Apelit në Durrës, e cila dha dje për të masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Specialisti për Hetimin e Krimeve në Plazh-Durrës, Gjergji Azisllari u arrestua më datë 18 tetor me akuzën se pajisi me armë shtetasin Genti Nderjaku, e cila u gjet në makinën e Mariel Fierzës, kur u arrestuan nga Policia e Durrësit.
Ndrejaku u arrestua në Durrës bashkë me Mariel Fierzën, i dyshuari si anëtar i bandës së Lulzim Berishës, ku deklaroi para trupit gjykues se armën, të cilën ia bllokoi policia, e mbante me leje.
Arrestimi i Genti Nderjaku dhe Mariel Fierza (njeri i Lul Berishës). Shtetasi i mësipërm u arrestua nga Policia e Durrësit gjatë një operacioni të zhvilluar në fillim të tetorit, në kuadër të operacionit policor “Vjeshtë 2017”.
Në këtë operacion u arrestua edhe Mariel Fierza, si dhe u sekuestruan 2 armë zjarri, një makinë dhe disa telefona celularë. Pas veprimeve proceduraiale të SHÇBA-së rezultoi se i arrestuari është person me rekorde kriminale, por kishte ndryshuar gjeneralitetet. Punonjësi i Policisë Azisllari nuk ka kryer verifikimin në sistem sipas procedurave standarde të punës.
Gjatë hetimit ka rezultuar se po ky punonjës policie kishte përpiluar të njëjtin lloj vërtetimi edhe për shtetasin A.M., i cili gjithashtu rezulton me rekorde kriminale në të dhënat e Policisë së Shtetit.
SHÇBA ka nisur një inspektim në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë për procedurat e ndjekura nga strukturat përgjegjëse, për pajisjen me leje për blerje dhe mbajtje të armëve të zjarrit. SHÇBA ka në dispozicion numrin falas 0800 90 90 për denoncime për çdo qytetar, kur konstaton shkelje apo abuzime nga punonjës të Policisë.