23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Droga në burgun e Brescias, furnizuesit ishin shqiptarët

 

Pas arrestimit të një polici të burgut të Brescias L.P., 30 vjeç me origjinë kalabreze, policia italiane zgjeron hetimet pas dyshimeve për përfshirjen e policëve të tjerë. Gardiani 30-vjeçar akuzohet për shpërndarje droge, korrupsion dhe abuzim me detyrën. Për zëvendës/prokurorin Ambrogio Cassiani është tërhequr një hallkë e një zinxhiri të tërë të aktivitetit të shitjes së kokainës brenda mureve të burgut, në bashkëpunim edhe me të dënuarit. Në dosjen e të hetuarve janë përfshirë edhe persona të tjerë. Një tjetër gardian burgu dhe dy të dënuar, edhe ata të akuzuar për shpërndarje.
Hetimi, shumë delikat nuk ishte aspak i lehtë. Për rreth dy vjet ka qenë vetë policia e burgut që e ka hetuar. Ajo që startoi nisjen e hetimeve ishte denoncimi i një të dënuari që pretendonte se ishte mashtruar. Polici që ka përfunduar në pranga i kishte marrë një makinë të përdorur, por pa i bërë as pagesën dhe as kalimin e pronësisë.
Kjo gjë ka bërë që ish-pronari, (por formalisht ende kështu) kishte marrë gjoba të papara asnjëherë. Pasi policia e burgut nisi hetimet, zbuloi gjëra krejt të tjera për gardianin 30-vjeçar. Ai kishte më shumë se një vit që kishte drejtuar blerjen dhe shitjen e kokainës në burg. Brenda kishte bashkëpunëtorë disa të dënuar. Jashtë furnizuesit ishin shqiptarë. Por për hetuesit rrugët e furnizimit kanë qenë dy.
Kush blinte mallin paguante paratë me rrugë postare, falë ndihmës së atyre që qëndronin pas hekurave. Policia ka gjetur dëshmitarë për të konfirmuar këtë. Nesër në Gjykatë pritet dëshmia e një të paraburgosuri që kishte blerë drogë. Agjentët e tjerë, konsumatorë të mundshëm mund t’i nënshtrohen analizave, duke rrezikuar masa disiplinore të rënda. Për momentin të hetuarit janë katër.

Biznesmeni nga Elbasani kapet “mat” me kokainë

Pronari i një lokali në Elbasan, Arzen Dehari, 46 vjeç është arrestuar dje nga policia, pasi në biznesin e tij u gjetën 11 gramë kokainë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në lokalin “Lloto Sporti” u gjet dhe sekuestrua përveç kokainës edhe një peshore elektronike. “Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: Arzen Dehari, 46 vjeç banues në Elbasan”, shkruhet në njoftimin e policisë.
Arrestimi i tij, u bë pasi në Lagjen “Brigada 17 Sulmuese” gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij “Lloto Sporti” janë konstatuar 11 gramë lëndë narkotike e dyshuar me atë të llojit kokainë dhe një peshore elektronike. Lënda narkotike dhe peshorja elektronike, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gazetari italian: Në përgjime flitet për Tahirin, Prokuroria ka prova

Gjatë një lidhje telefonike për ‘News24’, gazetari i ‘Meridionews’, Dario De Luca që publikoi dosjen e përgjimeve të grupit “Habilaj”, i pyetur nëse bëhet fjalë për një Saimir të dytë apo për ish-ministrin Saimir Tahiri, i cili përmendet në përgjime, gazetari italian tha se, nga hetimet e deritanishme bëhet fjalë për ish-ministrin e Brendshëm.
De Luca, i pyetur për besueshmërinë e Prokurorisë tha se, hetimi zgjat prej shumë kohësh dhe ka shumë prova. Lidhur me arrestime të tjera, ai tha se duhet arrestuar Florian Habilaj dhe do duhen muaj të tjerë për mbylljen e hetimeve.
-Çfarë ndodhi sot me këtë proces?
Sot u zhvillua gjyqi i rivlerësimit dhe u konfirmua masa me burg për të gjithë të arrestuarit.
-Mbrojtja tha që nuk ka prova?
Mbrojtja refuzoi masën e arrestit për të pandehurit, pasi pretendoi se nuk ka prova për t’i mbajtur në burg.
-De Luca këtu në Shqipëri flitet shumë për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm se ai emri “Saimir” që figuron në dosje është ish-ministri i Brendshëm apo është një kamionist, siç del pak më vonë…ju vazhdoni t’i mbeteni mendimit se bëhet fjalë për ish-ministrin e Brendshëm?
Sipas asaj që është shkruar në aktet e Prokurorisë së Catanias, Saimiri për të cilin flitet në përgjime duhet të jetë ish-ministri i Brendshëm. Është shënuar në raportet dhe aktet e hetimit të Guardia di Finanza.
-Një grup prokurorësh shqiptarë janë atje duke biseduar me kolegët, keni dijeni për bisedat e tyre?
Përmbajtja e këtyre takimeve është e fshehtë. Mund të flitet për thellime të tjera, por përmbajtja është e rezervuar.
-Sa konfidente është Prokuroria italiane për provat që ka dhe për vazhdimësinë e procesit?
Mendoj shumë. Është një hetim që zgjat prej shumë kohësh. Ka shumë prova. Mbi 12 të hetuar nga fashikujt.
-Përveç Nezar Seitit a pritet kërkesë për arrestime të tjera?
Hetimet nuk janë mbyllur do të duhen muaj të tjerë. Duhet të kujtojmë që duhet të arrestohet ende Florian Habilaj.
-Ne dimë rëndësinë e grupit në brigjet shqiptare, ata që janë arrestuar atje sa të rëndësishëm janë në botën e kriminalitetit?
Nuk janë të rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për persona që janë ndërmjetës.
Gjykata e Rivlerësimit të Katanias ka vendosur dje mosndryshimin e masës së sigurisë për 10 të arrestuarit e dosjes ‘Habilaj’ të akuzuar për trafik droge. Gjykata la masën e sigurisë e “arrest në burg” për të pandehurit, duke përfshirë edhe kreun e bandës, Moisi Habilaj.

Rama nuk e mohon lidhjen e Olsit me kokainën e Xibrakës

Ish-Kryeministri Berisha i është drejtuar direkt dje në Parlament kreut të qeverisë, duke e pyetur për lidhjet e vëllait të tij, Olsi Rama me grupin e kokainës të laboratorit të Xibrakës, i cili është hetuar nga prokurorët gjermanë. “Jep llogari këtu se, çfarë donte vëllai yt pesë herë i dokumentuar, duke lëvizur me makinën e kokainës të grupit të trafikantëve të Xibrakës”, i është drejtuar Berisha-Ramës.
Berisha e ka denoncuar në disa seanca radhazi kryeministrin për transport droge jashtë shtetit me makinën e bandës së kokainës së Xibrakës, por Rama në asnjë rast nuk i ka mohuar akuzat. Edhe dje, Rama hezitoi t’i përgjigjej pyetjes së Berishës për lidhjet e vëllait të tij me grupin e kokainës. Në të gjitha rastet Rama ka heshtur, por në asnjë rast, ai nuk i ka mohuar lidhjet e vëllait të tij me grupin e trafikantëve të kokainës dhe vazhdon të heshtë për këtë skandal.
Berisha disa herë ka deklaruar në Parlament, se Olsi Rama ka lëvizur me makinën e Gentian Gjonajt, i arrestuar para tre vjetësh si kreu i klanit të kokainës që prodhohej në laboratorin e Xibrakës në Elbasan. Kjo makinë me të cilën lëvizte jashtë shtetit vëllai i kryeministrit ishte e përshtatur për transportin e kokainës.
Ish-Kryeministri Berisha ka deklaruar se, Olsi Rama ka udhëtuar jashtë vendit, duke paraqitur në Kuvend edhe dokumentin e TIMS. “Sipas regjistrimeve në TIMS, Olsi Rama ka udhëtuar jashtë vendit më dt. 13 korrik 2014 dhe herë të tjera me automjetin e krimit të përshtatur, sipas Prokurorisë, nga klani i drogës për fshehjen e kokainës. Me këtë automjet me targa AA 653 DM kanë udhëtuar shpesh herë edhe kreu lokal i klanit të Xibrakës, Gentian Gjonaj, Ermal Hoxha, Genci Xhixha!”, deklaroi Berisha para pak kohësh në Parlament. Sipas Berishës, kjo makinë është gjetur nga Prokuroria e shtetit si një makinë e përshtatur me vende të fshehura për transportin e kokainës.

5 udhëtimet e Olsi Ramës me makinën me drogë

Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se zotëron fakte që vëllai i tij ka kaluar kufirin me makinë me drogë, në mbështetje të grupit të arrestuar dhe të dënuar të kokainës, të njohur si “Xibraka”.
Në seancën parlamentare të 13 tetorit ish-Kryeministri Berisha publikoi datat, ku Olsi Rama kishte kaluar me makinën e trafikantëve me drogë jashtë shtetit. “Ftoj shqiptarët le të gjykojmë bashkërisht lidhjet e tij me krimin dhe korrupsionin. Sapo erdhi në pushtet dhurata e parë që iu bë Shqipërisë ishte uzina e kokainës në Elbasan. Mund të më thoni ju mua, po ai ishte kryeministër, por i vëllai i tij që quhet Olsi Kristaq Rama është gjetur në sistmin tims të kalojë kufirin me makinën e përshtatur për transportin e kokainës nga trafikantët Ilir Hoxha, Gentjan Gjonaj dhe Genci Xhixha, u shpreh Berisha në Kuvend. Olsi Rama ka kaluar kufirin me makinën me targa e AA 653 DN më datën 6.6.2014; 8.6.2014; 11.7.2014; 13.7.2014, dhe 8.8.2014. Me këtë makinë ka kaluar kufirin për transport droge. Unë i them këtij zotërisë, a është kjo një akuzë konkrete? Dil dhe jep shpjegime. Pse yt vëlla në makinën e kokainës? Yt vëlla ka ardhur me një bandë nga Bostoni që merrej me trafik droge, por kjo ishte një akuzë do thotë një socialist. Unë e kisha në burime të sigurta. Është yt vëlla Olsi Rama? Çfarë do ai me makinën e drogës. Ai ishte një nga kryesorët e Xibrakës. Po do thuash siç thotë Xhafa: Ç’më duhet mua ç’bën im vëlla?”, deklaroi Berisha.
Udhëtimi i vëllait të kryeministrit Rama me makinën e bandës së kokainës është bërë pak muaj, pasi ishte ndërtuar laboratori i prodhimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Ky laborator u zbulua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda më 14 janar të vitit 2015, pas hetimeve disa mujore të kryera nga Interpol dhe Europol. Më 2 shkurt të këtij viti, ish-Kryeministri Berisha paraqiti në Parlament me data dhe me fotografi daljet jashtë vendit të Olsi Ramës me makinën e kreut të grupit të kokainës.
“Ka një komunikim konstant me këtë bandë nga vetë kryeministri. Kreu i qeverisë është dhe kreu i banditokracisë, është kryebanditi, sepse kësaj radhe, jo unë, por një ministër për hir të së vërtetës i përgjegjshëm e akuzon se falsifikon mbledhjet e qeverisë. E akuzon se ka mbledhur qeverinë, duke i patur shumicën e ministrave jashtë shtetit. Vetëm një bandit mund t’i lejojë vetes të thyejë Kushtetutën, që përcakton se si funksionon qeveria, të thyejë ligjin organik të Këshillit të Ministrave”, deklaroi ish-Kryeministri Berisha në Parlament.

Vëllai i kryeministrit, garant i bandës së kokainës

Vëllai i kryeministrit ishte garant i bandës së kokainës në laboratorin e Xibrakës që të vijonte veprimtarinë kriminale pa patur asnjë problem nga autoritetet shqiptare. Lëvizja e tij me makinën e kreut të bandës së këtij trafiku, Gentian Gjonaj bëhej për t’i hapur rrugën kreut të bandës që të trafikonte lirisht drogën e prodhuar në Xibrakë drejt vendeve të Bashkimit Europian, ku sipas Interpolit, gjatë kohës së veprimtarisë prodhuese në këtë laborator është trafikuar jashtë shtetit një sasi e madhe kokaine. Policët jo vetëm që nuk guxonin ta ndalonin makinën e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, por e nderonin atë sa herë kalonte nga Elbasani drejt Tiranës dhe anasjelltas. Po ashtu, kjo makinë lëvizte lirshëm edhe kur drejtohej nga kreu i bandës, Gentian Gjonaj, pasi dihej se me këtë makinë lëvizte vëllai i kryeministrit.
Laboratori i kokainës në Xibrakë është ngritur me bekimin e vëllait të kryeministrit prej nga ai përfitonte shuma kolosale parash dhe për pasojë, ai nuk prekej nga autoritetet shqiptare. Në Elbasan e dinin të gjithë se kapanoni i ushtrisë në Xibrakë ishte kthyer në laborator droge. Madje ky laborator ruhej nga Policia e Elbasanit dhe nëse nuk do të kishte hetuar Interpoli dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ai do të vijonte të funksionte edhe sot.

Si u zbulua nga Interpol laboratori i kokainës në Xibrakë

Laboratori gjigant i përpunimit dhe prodhimit të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit, u zbulua më 14 janar të vitit 2015, falë hetimeve të kryera prej disa muajsh nga Interpol dhe Europol. Gjatë operacionit të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u sekuestruan 100 kg kokainë e pastër si dhe 4 tonë përzierës kokaine si dhe përfunduan në pranga 13 persona, 11 shqiptarë dhe dy kolumbianë që ndodheshin në laborator në momentin e aksionit.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Hoxha, Saimir Batku, banues në Tiranë, Gentian Gjonaj, banues në Elbasan, Arjan Dalipi, banues në Elbasan, Ilir Hyseni, Klement Dalipi, banues në Elbasan dhe shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Walser Moreno. Operacioni antidrogë u inicua nga shërbimet e posaçme të huaja si Interpol dhe Europol, pasi një shqiptar i arrestuar disa muaj më parë në Gjermani, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë e këtij shteti. Ai ka treguar të dhëna për personat e përfshirë në prodhimin e lëndëve narkotike, të cilët më pas janë vënë në përgjim dhe janë kapur në flagrancë, ndërsa përpunonin drogën.
Laboratori i vendosur brenda një ish-reparti ushtarak të braktisur në fshatin Xibrakë të rrethit të shërbente për prodhimin e përpunimin e kokainës. Gjatë hetimeve u zbulua se kjo bandë kishte transportuar një sasi të konsiderueshme kokaine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Kush ishte garanti i 22 milionë eurove investim?

Hetimet e Interpolit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuluan se, investimi i bërë nga karteli i drogës për të ngritur aktivitetin në Shqipëri përmes transportit të vajit të palmës kapte shifrën e 22 milionë eurove. Në këtë shifër futet edhe blerja e drogës, si lëndë e parë nga Kolumbia për të mbërritur në Shqipëri për përpunim dhe eksportim drejt vendeve të Bashkimit Europian. Të bësh një investim të tillë, natyrisht që kërkon edhe garanci të mëdha nga qeveria.
Trafikantët e ishin bërë përzgjedhjen e Shqipërisë me kujdes, duke studiuar nga afër të gjithë infrastrukturën e aktivitetit të tyre. Është mëse e qartë, se askush nuk mund të hidhte 22 milionë euro kot pa pasur një siguri nga autoritetet e qeverisë.
Laboratori i kokainës në Xibrakë të Elbasanit, sipas hetimeve të Interpolit dhe Europolit e kishte nisur aktivitetin që në janar të vitit 2014, pak muaj, pasi kishte ardhur në pushtet “Rilindja”. Nëse nuk do të ishin kryer hetimet nga Interpol, ky laborator do të vazhdonte ende të prodhonte kokainë, pasi kishte mbështetje nga qeveria dhe mbrohej nga policia.
Goditja e kartelit të kokainës u bë nga Interpoli dhe Europoli dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nxitjet e para për këtë hetim kanë ardhur nga Gjermania. Falë shkëmbimit të informacionit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me shërbimet gjermane, disa persona të përfshirë në këtë rrjet u identifikuan dhe u mbajtën nën vëzhgim nga Prokuroria. Kështu nisi operacioni i koduar “Xibraku”, ku rolin e dorës së parë e ka luajtur Prokuroria shqiptare e Krimeve të Rënda.

PD në Himarë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve

Deputeti i PD, Tritan Shehu ishte i ftuar në emisionin “45 Minuta” të gazetarit Denis Minga në “Report Tv”. Ai deklaroi se PD ishte në Himarë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, të cilat po shkelen nga qeveria, pasi ka interesa të disa personave.
“Nuk është hera e parë që PD është në krah të banorëve, kundër dëmtimit të pronës private pa kriter në funksion të ca interesave të grupeve financiare. PD është renditur edhe më parë në krah të qytetarëve, si në rastin e Shkozës. Qytetarët po keqtrajtohen.
Himara është Shqipëri, banorët e Himarës janë qytetarë të Shqipërisë, është detyra e PD që të shkojë kudo të mbrojë interesat e qytetarëve. Në Himarë kërkohen të merren nëpërkëmbë interesat e qytetarëve në kundërshtim me ligjin, pa kompensimin financiar, në mënyrë të shpejtuar. Janë interesat e atyre që duan të marrin me koncesion një pjesë të zonës atje.
Kryeministri që bëri pyetjen sot denigroi një pjesë të shqiptarëve, i ndau nga pjesa tjetër, kërkoi t’i kompleksojnë opinionin ndaj një veprimi të drejtë. Ajo që ne bëmë është demokratike. Nuk ka pse të ngatërrojmë qëndrimet këtu me qëndrimet në Greqi. Nuk varemi nga Greqia, mbrojmë interesat e qytetarëve. Në Himarë ka shkelje të shqiptarëve, me apo pa etni greke.
Integrimi nuk ka lidhje me Himarën, por me drogën. Por çdo veprim arbitrar që kryet nga shteti dëmton edhe procesin e integrimit. Edhe në Shkozë ishte një ndërhyrje arbitrare”, deklaroi ai.
Deputeti i PD theksoi në “Report Tv” se marrëveshja e detit me Greqinë është e rregullt dhe se do të qëndrojë. “Marrëveshja ka qenë e rregullt, edhe sot i qëndroj. Brenda të gjitha standardeve dhe të drejtave ndërkombëtare, normale. Vendimi i Gjykatës ishte për procedurën se mungonte dekreti a nisma e Presidentit. Të jeni i bindur se kjo marrëveshje do të rrijë, mund të lëvizë 2 cm këtu apo aty, por do të rrijë, ishte lojë e Ramës”, deklaroi ai.
Duke u ndalur të marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, Shehu u shpreh se ato janë në pikën më të keqe të mundshme. Ai theksoi se qeveria ka mungesë vizioni në politikën e jashtme. “Marrëdhëniet me Greqinë janë në pikën më të keqe të mundshme për faj të Ramës, të aventurizmit politik”, deklaroi ai.
Deputeti i PD komentoi edhe largimin e kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika. “E kam njohur si nëpunës të mirë, të devotshëm dhe korrekt, ka punuar me mua, në sektorin e zbulimit të Ministrisë së Jashtme. Për drejtorin e ri nuk është diskutuar fare”.
Emërimi i 11 prefektëve nga radhët e ish-ushtarakëve, Shehu thotë se përçon një mesazh negativ. “Jep një mesazh të keq dhe të gabuar, do të perceptohet keq edhe nga ndërkombëtarët, pasi tingëllon si militarizim i administratës. Është një koncept arkaik. Jam i bindur që do të falimentojë.

Talibanët dhe Rama furnizojnë Europën me drogë

Përpjekjet e panumërta të Edi Ramës për të mbuluar me shoshë diellin e të vërtetës kanë vazhduar e do ta vazhdojnë deri sa ai, tashmë i rënë moralisht, politikisht dhe “de facto”, t’i dorëzohet edhe ligjërisht destinit që ka përcaktuar historia dhe qytetarët, largimi nga karrigia që ka uzurpuar me të padrejtë.
Aty ku ka korrupsion dhe krim, aty nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie. Aty ku kultivohet droga është e kotë të mbajmë interpelanca për karrotën e Divjakës, se nuk ka as karrota, as mollë, as patate. Aty ku sundon krimi nuk ka as ligj, as drejtësi.
Ky është mësimi i historisë në çdo kohë dhe për çdo popull. Gjithmonë, vendet që kanë rënë nën pushtetin e drogës janë zhytur pa përjashtim nën humnerën e varfërisë, mjerimit dhe dëshpërimit, nga Afganistani në Burmë, nga Laosi në Nigeri, nga Bolivia në Kolumbi, kudo ku droga është lejuar si alternativë ekonomike, ka pasuar shkatërrim dhe mjerim ekonomik dhe shoqëror, degradim politik.
Droga dhe varfëria janë vëllezër siameze. Nuk është rastësi që Shqipëria është sot njëkohësisht edhe prodhuesi më i madh i drogës në Europë edhe vendi më i varfër në Europë.
Sapo Edi Rama filloi zbatimin e projektit të tij kriminal e shkatërrues për kanabizimin e vendit, në Shqipëri filloi rënia e investimeve të huaja.
Dy vitet e fundit, Shqipëria ka vendosur një rekord historik. Eshtë i vetmi vend në botë që për dy vite rresht, nuk ka asnjë investim të huaj, asnjë. Ekonomia shqiptare u kthye nga një ekonomi e investimeve të mëdha në energji, në rrugë, në teknologji informacioni, në ekonomi të drogës.

Dy furnizuesit kryesorë të Europës me drogë

E vetmja mundësi ekonomike që ka sot vendi është risia e klaneve mafioze të drogës dhe krimit.
I vetmi inovacion që ka prodhuar vendi në këto vite është inovacioni i trafikantëve që ka përsosur mjetet dhe mënyrat e kultivimit dhe trafikimit të drogës që nga farërat e reja të kanabisit deri tek përdorimi i avionëve dhe mjeteve të ndryshme të transportit për transportin dhe trafikun e saj.
E vetmja konkurencë sipërmarrjesh sot në Shqipëri është konkurenca mes bandave me mbështetje politike për kontrollin e rrugëve të trafikut.
Në vend të investitorëve të huaj, sot Shqipërinë e vizitojnë prokurorë të Antimafias, ministra të Brendshëm dhe ushtarakë të vendeve të tjera, të tmerruar nga pasoja ndërkombëtare e projektit të drogës të Edi Ramës.
Në fakt, Shqipëria po hyn në historinë e krimit botëror me një vend të veçantë. Historia njeh vetëm dy lloje regjimesh që sundimin e tyre e mbështetën ekskluzivisht tek kultivimi, prodhimi dhe trafikimi i drogës.
Talebanët me heroinën në Afganistan dhe Edi Ramën me marijuanën në Shqipëri.
Eshtë konfirmimi i kësaj veçantie fakti që Shqipëria dhe Afganistani janë sot dy furnizuesit kryesorë të drogës në Europë dhe për Europën, Afganistani me heroinën dhe Shqipëria me marijuanën.
Edi Rama erdhi në pushtet si rilindas dhe po ikën si taleban.
Shqipëria e Edi Ramës po i ngjan më shumë shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë. Vetëm në një vend si Gunea mund të ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës.
Vetëm në një vend si Nikaragua mund të ndodhë që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale drejtpërdrejtë me milionat e drogës.
Vetëm në Afrikën e Jugut ndodh që ministri i Policisë të jetë edhe i pari i trafikut të drogës. Vetëm në Venezuelë mund të ndodhë që shefi i Mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës.
Vetëm në Afganistan mund të ndodhë që vëllai i kreut të ekzekutivit të vendit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës.
Në mënyrë revoltuese, Shqipëria i ka arritur të gjitha këto bashkë. Parti politike, qeveri, polici, ushtri në shërbim dhe në përfitim nga trafikimi i drogës.
Prokurori i famshëm i Antimafias së Spanjës Hose Gonzales, duke përshkruar disa nga stanet e ish-republikave sovjetike të kalbëzuara nga autokracitë postkomuniste, u shpreh para pak kohësh se në këto vende nuk kanë më asnjë dallim mes aktiviteteve të qeverisë dhe atyre të grupeve të krimit të organizuar.
Kjo është gjendja e Shqipërisë sot. Mjafton të hedhësh vështrimin në këtë sallë dhe e kupton se përshkrimi i prokurorit të Antimafias spanjolle është mëse i vërtetë për Shqipërinë.

Droga, projekti më antikombëtar i Ramës

Kjo sallë që duhet të përfaqësonte interesat dhe pushtetin e popullit, sot përfaqëson dhe mbron interesat e krimit të organizuar.
Në vend të një forumi ku bëhen ligje, kjo sallë i ngjet kupolës së krimit.
Në krye të sallës kemi një kryetar Kuvendi, i cili cilësohet nga partnerët ndërkombëtarë strategjikë si me lidhje të hershme me trafikantët e drogës dhe krimit të organizuar. Në vend të babait të ligjeve, ai është babai i drogës.
Në karriken para tij është ulur arkitekti dhe zbatuesi i projektit antikombëtar dhe antipopullor të kthimit të vendit në zonë të lirë për prodhimin dhe trafikun e drogës.
Poshtë në sallë kemi një deputet, ish-ministër i Brendshëm që është një nga kryetrafikantët e drogës, i cili e ktheu Policinë në prapavijë të organizatave kriminale.
Vendin e tij, në karriken e ministrit e ka zënë vëllai i njërit prej trafikantëve më të kërkuar të drogës që ka nxjerrë ky vend, i kërkuar nga gjysma e policive të botës, por që e mbulon dhe e mbron vëllai, ministri i Brendshëm që kontrollon policinë dhe drejtësinë.
Në ato karrike është ulur dhe ministri që e ktheu Beratin nga qytet të UNESCO-s, në garnizon të kriminelëve të drogës. Në këtë sallë ka madje dhe deputetë që kanë ardhur direkt nga fushat e drogës në fushën e ligjvënies. E dini fare mirë, por përveç këtyre që shihen e dëgjohen në këtë sallë vijnë vërdallë hijet e krimit, hijet e Habilajve, hijet e Balilajve, hijet e Shullazit, Durim Keçit dhe kriminelëve të tjerë.
Jashtë kësaj salle kemi kryebashkiakun e Durrësit, tani është kapobanda e vërtetë e bandave të Durrësit. Kemi kryebashkiakun e Elbasanit që është vetë në krye të krimit dhe trafikut të drogës që po shkatërron qytetin dhe po ashtu, të tillë janë dhjetëra kryetarë bashkish e zyrtarë të tjerë të lartë.
Kjo është klasa e re politike që Edi Rama i dha Shqipërisë në krye të Partisë Socialiste.

Shqiptarët po ikin si një vend i prekur nga lufta civile

Ndikimi i krimit i prek të gjithë. Krimi nuk ekziston në vakum.
Viktima e tij janë njerëzit e thjeshtë dhe fëmijët e tyre punëtorë, në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët po përpiqen të largohen nga vendi i tyre, me të njëjtën urgjencë dhe këmbëngulje që largohen njerëzit nga luftërat civile dhe nga konflikti.
Droga dhe krimi shkaktojnë viktima njësoj.
Por Edi Rama dhe shërbëtorët e këtij në këtë sallë, po përpiqen me lajle-lulet e propagandës së tyre dhe me paturpësinë që kalon çdo limit njerëzor, të krijojnë idenë se gjërat po shkojnë normalisht. Të pranosh për normalitet gjendjen ku ne jemi do të thotë të kesh pranuar si normalitet krimin dhe kapjen e shtetit nga krimi.
Javën e shkuar Edi Rama dhe shërbëtorët e tij, vendosën që Sajmir Tahiri të vazhdojë të vijë në këtë sallë dhe të japë kontributin e tij për shtetin ligjor dhe madje edhe për Reformën në Drejtësi dhe pse jo dhe për Vettingun.
A ka tallje më të madhe për një popull? A ka tallje më të madhe për idealin e demokracisë të shtetit të së drejtës dhe të vlerave europiane?
Në cilin vend demokratik, në cilin vend perëndimor mund të ndodhë që një trafikant në vend që të dalë para ligjit, lejohet të bëjë ligj.
Në asnjë!
2 mijë e 500 vjet më parë, në këtë zonë të botës ku është dhe Shqipëria, lindi demokracia e bashkë me të edhe ajo që Tuqididi e quajti “barazia para ligjit”.
Ky parim i ligjit i zbatuar njësoj për të gjithë, frymëzoi demokracitë perëndimore nga Amerika në çdo cep të botës, dhe u vendos në themel të kushtetutave dhe bashkëjetesës shoqërore të kësaj bote.
Po ky parim është i huaj dhe i papranueshëm për Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij në këtë sallë, të cilët në vend të vlerave europiane besojnë në kodin mafioz të heshtjes dhe mospranimit të tij.
Si në një skenë të përsëritur nga lashtësia deri më sot nga autokratët, edhe Edi Rama po abuzon me durimin e shqiptarëve.
Alarmi dhe pasiguria e njerëzve, ankthi dhe dëshpërimi i tyre për të nesërmen nuk kanë asnjë efekt mbi të dhe shërbëtorët e tij.
Vazhdon të sfidojë shqiptarët, demokracinë, drejtësinë, të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Nuk ka gjë më të neveritshme dhe më cinike se krekosja që ish-ministri, trafikant droge shpalos para tyre drejtpërdrejt nga shtëpia e tij.
Trafikanti Saimir Tahiri u thotë atyre me arrogancë, unë jam ligji, unë jam shteti dhe s’keni çfarë të më bëni.
Këto ditë më shumë se kurrë, Edi Rama, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj dhe shërbëtorët e tyre të verbër në këtë sallë e kanë vërtetuar konkluzionin e Hoze Gonzalesit, se lufta kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit të drogës, nuk ka të bëjë më me drogën, por ka të bëjë me qeverinë.
Për të ndalur krimin, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç se, ndalja e qeveritarëve të kapur nga krimi dhe të zhytur në krim.
Ky është misioni ynë!
Kjo është beteja jonë, nuk do t’i ikni dot, derisa beteja të vendoset në favor të qytetarëve!

1.3 miliardë euro nga droga në 2016

Shifra të frikshme denoncoi dje kreu i PD në Parlament, të cilat dëshmojnë për qarkullimin stratosferik të parave të drogës në xhepat e Ramës, pushtetarëve të tij dhe bandat e lidhura me të. E megjithatë, Basha deklaroi se beteja për shtetin ligjor dhe demokracinë nuk ka marrë fund, por vijon deri në rrëzimin e regjimit narkotik që ka ngritur Rama dhe klika e tij në qeveri.
“1.3 miliardë euro! Ky që bilbilos këtu, kaq ka nxjerrë me drogën Shqipëria, 1.3 miliardë euro.
A e kuptoni ju o shqiptarë se sa janë 1.3 miliardë euro?!
Sigurisht që nuk e kuptoni dot, është një shifër astronomike. Mendja nuk e kupton dot, nuk ka lidhje, nuk mund ta përkthesh dot as me kaq shtëpi, as me kaq apartamente, as në kaq vakte për të ngrënë, nga ato që i kanë rralluar shumica e shqiptarëve, 30% e të cilëve nuk paguajnë dot ushqimet e shportës.
Krye mashtruesi, krye përfituesi i drogës.
Keni parë si vjen këtu, i thahet pështyma, patrioti.
30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot për bukën.
1.3 miliardë euro ky dhe Habilajt e këtij dhe flet për patriotizëm ky që rrënoi Shqipërinë, ky që çon 260 mijë shqiptarë në 4 vite në azil politik, eksod njësoj si në vitet ’90. Ky është patrioti i madh, po mbron shqiptarët dhe fëmijët e tyre, duke iu pamundësuar 43% të familjeve që të ngrohin shtëpitë.
Ky patriot i madh.
Eshtë thënie e vjetër, nuk iu ikën dot.
Streha e fundit e maskarait është pseudopatriotizmi.
Po të ishe patriot ti, kishe dhënë dorëheqjen ditën kur t’u kapën mushkonjat e para. Sepse, ti që nuk lije një tjegull pa leje, tregove se e kishe vënë gjithë territorin në funksion të bandave. Në një sistem normal demokratik ti duhej të ishe shkarkuar dhe proceduar para drejtësisë.
Por beteja për demokracinë dhe shtetin ligjor nuk ka marrë fund në Shqipëri. Ti nuk mund ta fitosh kurrë këtë betejë, as të justifikohesh para shqiptarëve për faktin që ta ka mbyllur derën Europa, si kryetrafikant, si i kapur në bashkëpunim me bandat, si njeriu që e mbrojte ish-ministrin tënd të Brendshëm nga drejtësia, e cila veproi jo në bazë të akuzave të opozitës.
Po, i kemi bërë ne ato akuza, dhe u vërtetuan se janë të gjitha të vërteta. Por jo nga ne, por nga Antimafia italiane që nuk ka autoritet në botë ta vejë në diskutim, as ti, as homologu yt në Itali, askush tjetër. Aty është e transkriptuar e zezë mbi të bardhë se si trafikantët, miqtë e tu, tregojnë me gisht punonjësit e policisë dhe thonë këta janë tanët. Ku tregohet qartë se si vendoset infrastrukturën e vendit, portet dhe aeroportet e vendit, dhe radarët, në funksion të trafikut të drogës 1.3 miliardë euro.
Jo këto që the, por ti e ke për borxh të vish këtu dhe të zhvishesh lakuriq para njerëzve, të bësh gjithçka, vetëm që të heqësh vëmendjen nga 1.3 miliardë euro, që minimumi i ke gllabëruar ti dhe një grusht kriminelësh, në kurriz të një vendi të shndërruar në delen e zezë të Europës, të një ekonomie të rrënuar, të një imazhi të shkatërruar. Kjo është vepra jote. Kjo është trashëgimia jote për vendin. Ti ke mbaruar si kryeministër. De facto, ti e di fare mirë që qeveria jote ka mbaruar punë me shqiptarët.
Ndaj, teatrin e shëmtuar mund ta vazhdosh edhe pak kohë. Në fund të fundit, zgjedhja të takon ty dhe askujt tjetër nëse do ta pranosh rrëzimin e qeverisë tënde ilegjitime institucionalisht, ose me popullin përpara dhe rreth teje” u shprej kreu i PD.

Do të japësh llogari për krimin e drogën

Kryetari i PD, Basha paralajmëroi Ramën se ai do të japë llogari para drejtësisë shumë shpejt për lidhjet e tij me krimin e drogën. Basha e akuzoi Ramën për bllokimin e integrimit të vendit në BE për shkak të kanabizimit të vendit, ndërsa i kujtoi atij implikimin e të gjithë njerëzve pranë tij nga ministrat tek kryebashkiakët me bandat e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
“Kryeministri përpiqet t’i ikë pyetjes fondamentale. Përse e zhyte Shqipërinë në krim, përse e zhyte Shqipërinë në drogë, përse e mbushe këtë Parlament me të dënuar nga e gjithë Europa për trafik droge.
Përse i bëre kryetarë bashkish?
Ç’punë ka kryebashkiaku yt në komisariatin e policisë, kur arrestohet Durim Keçi?
Ç’punë kanë kryebashkiakët e t’u në tavolinat e kriminelëve. Ç’punë ke ti me kriminelët?
Ç’punë ka ministri yt me ata që kërkohen për ekstradim.
Po të them ty, Edi Rama! Nuk i ikën dot kurrë kësaj pyetje ti.
Je bërë karikaturë e përkufizimit që njeh i madh e i vogël, se streha e fundit e maskarait është pseudopatriotizmi.
Ti patriot? Po ti ke tre vjet që i bllokon Shqipërisë hapjen e negociatave.
Ne tregohemi me gisht prej teje si vendi me eksportin më të madh të drogës.
E ke në kushte, lufto krimin, lufto korrupsionin. Çfarë bën ti?
Ta thotë raporti i Bankës Botërore. Korrupsioni është kthyer në kapje shteti. Sepse ti merr milionat me kërbaç nga xhepat e të varfërve për të shpërblyer pesë miqtë e t’u oligarkë që kanë shtënë gjithçka në dorë në këtë vend.
Sepse ti, drekon dhe darkon me kriminelët, me të cilët ndan pushtetin dhe i përdor për të mbajtur pushtetin tënd ilegjitim.
Ja ku e ke eksportin, o më i madhi i kastravecëve.
Ja ku e ke eksportin tënd. Këto nuk janë shifrat e opozitës, janë shifrat e botës. Ja, ky është eksporti yt, droga!
Droga është eksporti yt!
I ke vënë kazmën vendit. Ti nuk duhej të ishe aty.
Ti nuk mund të ishe aty në një sistem demokratik. I gjithë investimi yt është që ky sistem të mbetet në duart e kriminelëve. Nuk do të jetë kështu për shumë gjatë. Do të vijë ora që do të përgjigjesh. As batutat, as megafonët, siç e ke nisur traditën tënde të mashtrimit, nuk do të bëjnë më punë. Do të japësh llogari, herët a vonë. Unë besoj më shumë herët, se sa vonë” tha Basha.

43 mijë familje nuk do ngrohen dot këtë dimër

Familjet shqiptare po jetojnë ditë të errëta në skamje e varfëri ekstreme, papunësi e pamundësi për të rritur fëmijët e tyre. Duke replikuar në Parlament, Basha solli në vëmendje dje vështirësitë dhe situatën e rëndë në të cilën përballen sot shqiptarët dhe familjet e tyre.
“Kushdo që e ka ndjekur këtë gjysmë ore në Parlament e kupton fare mirë sikletin e madh të Edi Ramës.
Eshtë i njëjti siklet që ka, që kur është rifutur në këtë sallë. Prapë me paratë e krimit, prapë me lekët e drogës, prapë me banditët në krahë, në mendje, në shpirt, në kuletë, në parti dhe në tabulatet e shërbimeve të huaja.
Ky që nuk duronte dot aleatë politikë në prehër, sot nuk e ka krimin në prehër, është vetë në prehrin e krimit.
Asnjë vendim nuk merr dot ky njeri, pa krimin dhe kriminelët.
Asnjë vendim nuk merr dot ky njeri për qytetarët e këtij vendi që po largohen si asnjëherë më parë nga sytë këmbët.
Nuk thotë një fjalë. Një fjalë të vetme nuk arrin të shqiptojë. Për ata 30% të shqiptarëve që natë për natë, jo vetëm kur kemi ne Parlament, jo vetëm kur flet opozita, por natë për natë, nuk paguajnë dot bukën e fëmijëve të tyre.
Moti po ftohet. 43 mijë e 100 familje, anembanë vendit nga Himara në Shkozë, atyre që nuk ua ke prishur shtëpitë, nuk i ngrohin dot, atyre që ua ke prishur, i ke lënë në mes të katër rrugëve.
43 mijë e 100 familje. Miliona shqiptarë që nuk ngrohin dot shtëpitë e tyre, po a i bëhet vonë këtij?
Ky ka mënyra, forma, sporte dhe substanca të tjera për t’u ngrohur. Dhe mbi të gjitha, 1.3 miliardë euro në vit, edhe po të digjeshin si letër, mjaftojnë për ta ngrohur Edi Ramën.
Të tjerat janë bullshit, bullshit, bajga. Vjen këtu dhe ndot ambientin, se njeri nuk të beson më, ta kanë pirë ujin shqiptarët. Nga Himara në Shkozë, nga Konispoli në Vermosh, ta kanë pirë ujin.
Ti je shkaktari dhe përgjegjësi kryesor që 56% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, sot që flasim.
Dyfishim në raport me katër vite më parë. Ti je përgjegjësi dhe autori i një ekonomie në krizë që nuk prodhon asgjë, përveç drogës.
Ti je përgjegjësi dhe autori i marrjes peng të demokracisë, përmes marrjes peng të votës, duke marrë peng qytetarët me kriminelët që janë partia jote e vetme.
Nuk kam dalë këtu të them që PS është një parti antikombëtare dhe nuk mund ta them kurrë, sepse njoh dhe kam miqësi me socialistë që janë po aq të dëshpëruar sa unë.
Të gjithëve u ke vjedhur Shqipërinë me krimin, atyre u ke vjedhur edhe partinë me krimin.
Je ti Edi Rama, askush tjetër. Dhe të gjithë ata njerëz, të cilët kanë dorëzuar dinjitetin dhe kanë vendosur të bëhen sharlatanë të shfaqjes tënde makabre, që i lë shqiptarët pa bukë, pa drita, pa ujë, pa të ardhme, pa rend, pa siguri, që ti dhe krimi të keni 1.3 miliardë të ardhura në vit.
Nuk ka asnjë arsye tjetër, për moshapjen e negociatave, përveç faktit që vendi sundohet nga krimi, që qeveria jote është e zhytur në krim dhe e kapur nga krimi.
E di unë, e di ti, e dinë këta këtu, e di e gjithë bota.
E kjo do të jetë e do të vazhdojë të jetë arsyeja e bllokimit të negociatave për Shqipërinë, deri ditën kur shumica e heshtur, por e ndershme e shqiptarëve, përfshirë të socialistëve të ndershëm, do të të tregojnë ty një herë e përgjithmonë derën, si episodi më i zi, në 27 vite të vështira të tranzicionit shqiptar.
Me zig-zag-et e tyre, me sfidat e tyre, me të mirat dhe të këqijat e tyre, vendi eci përpara.
U fut në NATO, u hoqën vizat, u ndërtua infrastruktura, derisa erdhe ti.
Çfarë bëre ti? Solle kriminelët. Kush i solli kriminelët në Parlament? Kush i solli banditët e drogës, përdhunuesit në krye të bashkive të vendit?
Kush i ul pushtetarët e sotëm në një tavolinë me krimin, ku planifikojnë para zgjedhjeve, dhe festojnë pas zgjedhjeve? Je ti Edi Rama. Ti, je përgjigjia e të gjitha të zezave. Ndaj largimi yt nuk është thjesht dhe vetëm kërkesa ime. Zgjidhja që unë parashtroj para çdo shqiptari, që do të vazhdojë të jetojë këtu, e mos t’ia mbathë nga sytë këmbët, por është zgjidhja që bashkon çdo shqiptar të ndershëm, demokrat dhe socialist.
Mund të vish këtu, mund të dridhesh dhe spërdridhesh, mund të vishesh dhe të zhvishesh, të shpikësh justifikim pas justifikimi për faktin që ke dy muaj në këtë Kuvend, që nuk jep përgjigje, për përgjegjësinë tënde akute dhe supreme për kthimin e Shqipërisë në delen e zezë të krimit dhe të drogës.
Por përgjigja është prapë, je ti Edi Rama! Je ti!
Për ta perifrazuar me një fushatë amerikane: You can take a pig, you can dress him up, you can call him Edi, but he is still a pig” tha Basha.

Habilajt shitën në Itali armët që mblidhte Tahiri

Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament bandën e Habilajve se, në bashkëpunim me Tahirin kanë organizuar trafikun më të madh të armëve që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Në mënyrë të beftë dy vite më parë, Saimir Tahiri, asaj kohe ministër i Brendshëm, nisi një aksion në të gjithë vendin me qëllim mbledhjen e armëve pa leje. Një aksion që u përshëndet në veçanti nga ndërkombëtarët. Por sipas të dhënave të denoncuara dje nga ish-Kryeministri Berisha, Tahiri përmes Habilajve dhe bandës së tyre i trafikonte armët e mbledhura drejt Italisë. Berisha i kërkoi Prokurorisë që të zgjerojë hetimet mbi aktivitetin kriminal të Habilajve dhe drejtimin e këtij aktiviteti nga Tahiri.
“Qeveria organizoi trafikun e armëve. Burime, të cilat duhet të hetohen, bëjnë të ditur se Habilajt kanë transportuar dhe shitur në Itali armët që mblidhte në popull kusho Tahiri. A ju kujtohet juve kur ndërmori nismën ‘dorëzoni armët’ se keni lehtësira dhe nuk ju kap ligji? A e mbani mend? Ku shkuan armët që iu morën dibranëve? Iu shitën në Itali trafikantëve. Do të hetohet kjo.
Problemi është se të gjitha ato që kemi denoncuar ne këtu fatkeqësisht janë faktuar të vërteta. Jemi ne opozita përgjegjëse për bllokimin e integrimit?! Është ky zotëri, i cili 300 herë që u tha shqiptarëve se negociatat hapen pas zgjedhjeve, u tha se ka vetëm një kusht dhe ai kusht janë zgjedhjet, u tha se nuk ka kusht tjetër, por në të vërtetë ato do të hapen vetëm atëherë kur tha opozita, jo se opozita është profetike, por asaj i thanë miqtë e saj se negociatat nuk hapen para 2018 për shkak të krimit të organizuar, për shkak të drogës, të korrupsionit dhe mureve të mëdha që ajo po ndërton dhe lartëson çdo ditë me Europën”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha akuzoi drejtpërdrejt Ramën si kokën e bandës së drogës në vend, ndërsa denoncoi edhe një herë lidhjet e faktuara tashmë me prova të pakundërshtuara të vëllait të tij Olsi Rama me trafikun e drogës. “Edi Rama është direkt kreu i tyre. I vëllai i Ramës, thuaju shqiptarëve, çfarë donte Olsi Rama me makinën e grupit të Xibrakës jashtë shtetit 5 herë? Njëri i jep targën tezakëve për të bërë trafik me makinën e shtetit, tjetri i jep vëllanë makinës që transporton kokainën. A ka ndonjë dallim midis atij që i jep targën shtetërore dhe këtij që jep vëllain? Këto duan të dëgjojnë shqiptarët, se janë të regjistruara në TIMS, me orë, me ditë, me çdo ditë. Të garantoj se ti edhe 20 mijë herë, çdo gjë që të bësh, ty për patriot nuk të pranon njeri. Ndaj dhe jep llogari për këto një herë”, u shpreh Berisha.

8 milionë rrënjë kanabis të mbjella në një vit

Në Shqipëri u mbollën në vitin 2016, 8 milionë rrënjë kanabis, në Shqipëri u magazinuan në tunele, magazina shtetërore e vila mbi 10 mijë tonë kanabis. Berisha tha se shifra prej 1.3 miliardësh është vetëm dora që ka dalë në qarkullim. “Shqipëria kishte plantacionet më të mëdha të kanabisit në Europë dhe në botë. Noriega, për të fshehur krimin e tij monstruoz ndaj shqiptarëve, shndërrimin e Shqipërisë në një narkoshtet, bllokimin nga ky narkoshtet, për herë të parë në historinë e pluralizmit, të drejtësisë, një javë më parë me urdhër të tij, tmerrin që i ka hyrë deri në palcë se mos e ndjek fati i Viktor Pontes, mikut të tij të ngushtë, që përfundoi për 1/100 e vjedhjeve dhe abuzimeve në birucë nga drejtësia rumune, mesa duket për të gjitha këto, në stilin mafioz u vërsul drejt banorëve të Himarës për të krijuar atje një vatër dhe të çirret e lebetitet këtu si patriot i madh, si shqiptar i madh, por në fakt si Noriega dhe drogmen i vërtetë”, tha Berisha.

Shtatore përjetësore heroizmi

Nga Niko GJONI

E ëmbël dhe e bukur
Është të vdesësh për Atdhe
Dhe të lirë të lësh pas vetes
Fëmijët, shtëpinë dhe çdo gjë tjetër…
Homeri

Emocione të shumta përjetuan demokratët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve, në përurimin e shtatores së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Sa herë kemi kaluar para memorialit, në vendin ku ra dëshmori dhe kemi lexuar fjalët e tij që tronditën diktaturën komuniste në vend: “Sot deklaroj para jush shpalljen e pluralizmit politik dhe lindjen e demokracisë në Shqipëri”, Dhjetor 1990.
Liria e vërtetë është më e çmueshme se ari dhe argjendi dhe jeta s’vlen aspak kur mungon liria. Këto i shikojmë të skalitura në veprën e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Ai flet hapur dhe trimërisht para të gjithëve në Parlament, duke thënë: “Nuk largohem nga pikëpamjet e mia antikomuniste”…
Ishte 12 shtatori, ajo ditë që hapi lajmin ogurzi të vrasjes në pabesi të deputetit, trimit, vizionarit të paepur. Një natë me shi, kur nga mbledhja e PD, del pasi e njoftuan se e kërkonin disa “Miq”. Ishin ata që e kishin frikë trimin dhe kërkonin eliminimin fizik të tij me çdo kusht. Por vrasja nuk e shuajti dot jetën e Azemit. Trimi nuk vdes…
Njeriun e drejtë dhe me karakter nuk mund ta thyejnë as kryelartët e as tërbimi i tiranëve. Karakteri është energjia konstante e vullnetit dhe Azemi ishte një i ri me karakter. Inteligjent dhe trim i sprovuar tashmë në rrugën kilometrazhe të historisë në të cilën po ngjitej. Sekreti i jetës nuk qëndron në të jetuarit, por edhe që të dish përse jeton.
Këtë Azemi e tregoi me zerin e tij të fuqishëm kudo dhe kurdoherë. Në Parlament, ai mori disa pozicione drejtuese dhe fjala e tij digjte rutinën komuniste, vemjet e mbetura nga diktatura më e egër 50-vjeçare.
Po kush ishte Azem Hajdari?
Në vitin 1993, përfundoi studimet në degën e Filozofisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1995 diplomohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Studenti Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik.
Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare, dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë, që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998. Në vitin 1993, Azem Hajdari diplomohet në degën e Filozofisë në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 1995, ai merr diplomën e dytë atë të jurisprudencës në po të njëjtin universitet. Nga viti 1993-1994 studioi gjuhën angleze dhe Filozofi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1996 ka studiuar për politikën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Garmish, Gjermani. Aktiviteti i tij politik nuk ka qëndruar asnjëherë në heshtje.
Nga shkurti i vitit 1991 deri në shtator të vitit 1993, deputet dhe kryetar i Partisë Demokratike, anëtar i komitetit drejtues. Jeta e tij parlamentare ka qenë aktive. Kështu, për katër vite me radhë pas rënies së komunizmit, Azem Hajdari ishte kryetar i Komisionit parlamentar për Rendin dhe SHIK-un. Ishte një ndër oratorët më të fuqishëm të Parlamentit shqiptar. Në nëntor të vitit 1996 ka qenë President i Unionit Tregtar të Pavarur.
Në janar të 1997 u zgjodh kryetar i Komisionit parlamentar të Mbrojtjes. Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1997, Azem Hajdarit iu bënë disa atentate përpara se të vritej në shtatorin e vitit 1998. Atentati i pari ndodhi në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit. Azem Hajdari tentohet të vritet me bombë, por atentati dështoi.
Dy muaj më vonë, atij iu zu pritë në Qafën e Buallit në Sarandë, ndërsa në 18 shtator 1997 mbetet i plagosur i qëlluar me pesë plumba nga deputeti i Partisë Socialiste, në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë.
Më 14 shkurt 1998, iu organizua një pritë në Milot, ku makina e tij e blinduar u qëllua me breshëri. Së bashku me Azemin në makinë ishte edhe djali i tij 14-vjeçar në atë kohë, Kiri. Atentati i fundit përpara se të vritej, Azemit iu bë më 3 qershor 1998 në Tropojë, ndërkohë që mbeti i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Më 12 shtator 1998, vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike.
Për të gjitha këto do të flas historia kombëtare dhe përherë e më tepër vemjet e mbetura komuniste s’kanë çfarë të thonë. “E vërteta ndrin dhe tregon. Azemi jetoi dhe luftoi për të vërtetën. E vërteta, virtyti, liria janë tri gjërat e vetme për të cilat duhet ta duam jetën. Dhe Azemi i përjetoi të trija këto prandaj mbeti në pjedestal të luftës për lirinë e fjalës, të luftës kundër rregjimit më të egër komunist, të luftës për të këputur zinxhirët e robërisë të burgosurve politikë, të cilët s’bën gjë tjetër veçse kërkuan një botë të lirë, një jetë të vetën, pa diktaturë.
Jetën e jetoi me qëllimin e lartë për të hapur kufijtë e Shqipërisë, për t’u lidhur me botën perëndimore, ëndërr dhe shpresë për intelektualët shqiptarë, për të gjithë. Azemi krijoi në Parlament të folurin ndryshe, jashtë kuadrateve të sfondit komunist, jashtë frikës dhe imponimit. Fjala e tij lëshonte shkëndija jete dhe tregonte hapësirat e reja që i përkisnin Shqipërisë sonë. Nëse Azem Hajdari nuk do të vritej atë shtator, ai do të ishte lider i Partisë Demokratike, lider i Demokracisë. Megjithatë vepra e jeta e tij flasin se ai i tillë do të mbetet përjetësisht.
Shtatorja flet. Shtatorja do të flasë ndër breza për këtë hero legjendar që bëri histori me jetën e tij, që solli epokë të re. Çdo gjë të madhe dhe me vlerë e bëri në emër të detyrës, sepse ai e dinte mirë se çdo gjë e vogël dhe e zymtë bëhet në emër të interesit. Ai e shikonte të dielltë rrugën e zhvillimit të demokracisë në vend. Jo vetëm shokët e tij deputet, por gjithë që e njohën dhe patën rastin të bisedojnë me Azemin tregojnë me nderim për fjalën e tij miqësore, për vërtetësinë e tyre. Ai dinte si fliste me të gjithë, bindte për atë që ishte e drejtë dhe e duhur. Vështrimet e brezave kryqëzohen në vështrimin e shtatores së Heroit, duke dhënë forcë dhe frymëzim për të nesërmen edhe më të mirë.
Shtatorja e trimit është vendosur në qytetin e tij Bajram Curri, në krah të trimave të tjerë që luftuan për liri dhe demokraci. Vështrimi i tij do të mbetet frymëzim për brezat dhe fjala e tij lehonë që nuk do të shuhet kurrë. Në këtë rrugë do të shikojmë zhvillimin dhe lumturinë tonë për të cilat dha jetën Heroi.

 

Nga tespia në tepsi

Edison YPI

I pari shqiptar që nisi të numërojë mendueshëm tespiet, qè Skënderbeu. Duke vërvitur shpatën dhe rrotulluar tespiet, i madhi Skënderbe provoi ta bënte Shqipërinë Mbretëri. Nuk mundi. Pas vdekjes së tij, gjithçka u zhbë. La pas një eksod nga më të mëdhenjtë dhe më të trishtët, hordhira çallmash, dhe tespiet, të cilat ja kishte dhuruar në Stamboll një Dervish turk që kishte qenë disa vjet në fshatrat e Skraparit si përhapës i Bektashizmit, bashkë me porosinë; Me idetë që mësohen nëpër libra në Shqipëri mund të bëhen punët, ndërsa me idetë që vijnë në mendje kur rrotullon tespie, shqiptarët qeverisen.
Pas Skënderbeut tespiet shqiptare i mori ndër duar Sulltani, i cili, Shqipërinë nga Zonjë e katandisi hyzmeqarkë. Sulltani e bëri Shqipërinë një “peqe-lepe” të turpshme, së cilës pasi i xhvati lirinë dhe i imponoi besimin, i fali prapambetjen shekullore.
Ali Pasha, gjakatari me tespie dhe nargjile, Shqipërinë, apo një pjesë të saj, e bëri si e deshte, principatë kaçakësh, ku vetë Pashai ishte i pari vjedhës-vrasës. Diplomacia e tij folklorike prej vrasësi lokal, banal, të pashpirt, qesharak, është stisje.
Ismail Qemali, diplomat perandorak i klasit të parë me grua greke, të cilit pak ja ninte për Islam e Kuran dhe tespiet i rrotullonte e i numëronte me virtuozitet të pashoq, ju nis ta bënte Shqipërinë shtet modern. Ide gjeniale. Por hesapet i bëri gabim. Shqipëria turkoshake Shtetin e Ismail Beut e mbyti në djep.
Princ Vidi, i vetmi që pa rrotulluar nëpër duar tespie, u nis ta bënte Shqipërinë Gjermani, Austri, Zvicër. Nuk ja arriti qëllimit të lartë. Çallmat e bënë synet.
Esat Pashë Toptani, vizionari që vazhdimisht rrotullonte tespie dhe pinte lëng shege, u përpoq ta bënte Shqipërinë të ndërmjetme, perëndimore nga jashtë, turçelie nga brenda. Nuk e kuptuan. Paguan një komunist vrasës ta paloste në Paris.
Fan Noli, që për tespie solli një fyell nga Amerika, provoi ta bënte Shqipërinë mesjetare shtet të sofistikuar me magjistrica profetike, hezitime hamletiane. Gjenialit Noli që i binte fyellit në orët e pasditës te selviet e Namasgjasë, Shqipërinë artistike ja vranë që në ngjizje.
Ahmet Zogu dëshiroi dhe arriti ta bëjë Shqipërinë si e pat nisur Skënderbeu dhe si shqiptarëve u shkonte për shtat, pa tespie, pa femra të mbuluara, Mbretëri liberale, me administratë moderne, me hoxhallarë dhe priftërinj secili në hesap të vet. Gjeniu i Matit nuk bëri asnjë gabim. Rrethanat ndërkombëtare nuk mundësuan që Mbretëria të mbijetonte.
Italia fashiste, e cila tespie kishte rrotat e topave, e bëri Shqipërinë ëndërr imperiale, koloni. Si çdo kolonizator, bëri ca punë, dhe u kthye nga erdhi, si krokodili.
Kurvi me tespie prangat, e bëri Shqipërinë burg dhe kasaphanë që u finalizua me llaftarën e eksodit biblik. Doktori ju nis ta bënte Shqipërinë demokraci perëndimore si e kishte lexuar nëpër libra. Pa tespie. Pa hezitime. Pa ëndërra. Pa rrena. Me pasion. Me atdhedashuri idealistike. Por shpejt kuptoi se për ta bërë realitet këtë ëndërr, votat e antikomunistëve nuk mjaftonin. Të liruarit nga burgjet, internimet, dhe në përgjithësi të vuajturit, nuk përbënin shumicën e shqiptarëve, por një pakicë të spiunuar dhe përdhunuar në mënyrë të vullnetëshme nga shumica dërrmuese. Zbulimi tronditës u shoqërua nga një dukuri tjetër tmerruese; Pakica e stërvuajtur dhe e çorientuar, me t’u çliruar, vrerin e akumuluar gjatë dhjetëra viteve, nisi ta villte kundër Partisë Demokratike dhe vetë Doktorit, i cili, në këto rrethana u gjend para një belaje të pamerituar. Megjithatë, Doktori e kapi fillin. Kuptoi se problemi paradoksal kërkonte zgjidhje paradoksale, pra lypte tespie. Bëri bashkë ku ishin e ku s’ishin, kuçët, maçët, hajdutët, spiunët, oportunistët, pragmatistët, aventurierët. Duke mbajtur ndezur zjarrin e fanatizmit të kësaj hordhie me favore materiale, Doktori u prish deri-diku me bërthamën e idealizmit, qëndrestarët e vërtetë. Ashtu ja mori mendja, ashtu bëri. Falë talentit gjenial, energjisë së pashterrshme, sidomos karizmës së tij, Gërdeci piramidal elektoral me spiuna dhe hajduta, funksionoi. Shqipëria u mëkëmb. Ekonomia u ndreq. Autostrada u ndërtuan. NATO na pranoi. Shqiptarët nisën të udhëtojnë pa viza. Pas ca kohësh, shteti i Doktorit me vota të çfardoshme dhe bërthamë të paqëndrueshme, u shemb. Nuk mund të mos ndodhte. Edhe Dielli fiket një ditë. Pasardhësin e Doktorit, të cilit i duhet të përballi sfidën titanike të gjetjes së një zgjidhjeje tjetër paradoksale dhe funksionuese ndaj problemit paradoksal numerik të sipërpërmendur, me ose pa tespie, me ose pa spiuna dhe hajduta, Zoti e ruajt.
Provoi dhe Sorosi ta bënte Shqipërinë diçka. Vend plot me zyra sterile prej mermeri dhe qelqi, laptopa që i mbajnë hedhur në sup ca legena që mbahen për të qytetëruar dhe paguhen me euro për të vrarë miza. Shqipëria e Sorosit doli kreatura më bastarde që ka parë historia, një hordhi me rrugaçë dhe baxhella.
Edi Rama i është nisur ta bëjë Shqipërinë pa tespi, “pa zemër, pa ndjenja, fjalët e tij rrufena”, pra në stil niçean, migjenian, si supermen, si superstar. Edi Rama nuk i ka votat e pakicës së persekutuar, falë vuajtjeve të së cilës sot persekutorët shqiptarë kanë nga dhjetë biznese, tre shtëpi, katër “Toyota”, pesë “Benz”-a. Ka votat e shumicës dërrmuese. Nuk merakoset. Dallime të tilla demokracia nuk i përfill. Edi Rama do ta bëjë Shqipërinë diçka të pangjashme me përvojat e shkuara. Sofër ku rruazat e tespies janë zëvendësuar nga llokmat e tepsisë. Sistem ekonomik dhe social njëkohësisht mbretëri, demokraci, diktaturë, stadium, diskotekë, plazh, supermarket, makineri ku hyn derr e del sallam. Shtet me gjithçka në vendin e vet, ideologjitë nëpër libra, keqbërësat në burg, nëpunësat në zyra, hoxhallarët në xhami, priftërinjtë në kishë. Zoti e ndihmoftë.

Reagon Bashkia Kamëz: Ramës i është kthyer në makth Bathorja

Edi Ramës i është kthyer në makth Bathorja, pasi aty dhe në Kamëz në çdo palë zgjedhje humb në mënyrë dërrmuese zgjedhjet. Kjo ka bërë që ai, në cilësinë e kreut të ekzekutivit, ta diskriminojë politikisht Bathoren, duke mos financuar projektet zhvilluese të Bashkisë Kamëz, pavarësisht se aty jetojnë edhe socialistë. Aq makth i është kthyer, saqë kjo nuk e ka ndaluar Ramën të bëjë edhe diskriminim krahinor, duke bërë edhe deklarata publike për origjinën e qytetarëve.
Duke e bërë këtë gjë nga salla e Parlamentit, duke qenë se Ramës i ka ngelur ora mbrapa, nuk shkel në Bathore, Kamëz dhe Paskuqan për të parë ndryshimet e ndodhura, deklaroi se “Himarën nuk do ta lëmë Bathore!” Në fakt, Edi Rama i di shumë mirë ndryshimet që kanë ndodhur në Kamëz, por e përdor qëllimisht këtë deklaratë, duke qenë se ai i përbuz banorët e kësaj zone, meqenëse janë nga veriu i Shqipërisë. Sa herë ndihet keq, e shfaq këtë urrejtje, si sot në sallën e Parlamentit dhe madje e shfaqi edhe me një nga gazetarët ditën që mbrojti Tahirin nga burgu, teksa ai i foli me dialekt veriu para sallës së Parlamentit. Rama i përbuz banorët nga veriu i Shqipërisë.
I kujtojmë Ramës se Bathorja, njëra nga lagjet e Kamzës, është nga më të zhvilluarat, sa i përket infrastrukturës. Është bërë urbanizmi i plotë, me rrugë e trotuare, me ndriçim e gjelbërim, me ujësjellës e kanalizimeve, me shkolla e kopshte, me ambiente sportive, kulturore, çlodhëse etj. Bathorja është vite dritë larg së shkuarës e akoma shumë më larg perceptimit të Edi Ramës, i cili nuk shkel në zonë për t’u njohur me nevojat që ka zona, por duket vetëm në fushata, duke u përpjekur t’i mashtrojë, ndërkohë që kur largohet prej tyre, i trajton me fjalët më fyese si sot.
Edi Rama duhet të ketë guximin dhe të pranojë njëherë e mirë se ç’është Bathorja, të njohë qytetarët e mrekullueshëm të saj, të njohë ndryshimet totale që kanë ndodhur aty, zhvillimin që është bërë i mundur falë investimeve të Bashkisë me fondet e veta dhe mbështetjes së qeverisë “Berisha”, zhvillim i cili nuk do të ndalet.
Si gjithnjë, edhe sot, me deklaratat e tij, Kryeministri më i dështuar pas rënies së komunizmit dëshmoi se Kamza e Bathorja janë ëndrra më e keqe për të. Ai që kryeqytetin për 11 vjet të drejtimit të tij e betonizoi, tani flet për hapësirë dhe bukuri, të cilat nuk i gjen më në Tiranë, sepse i grabiti ish-kryebashkiaku me 20-përqindëshat e pallateve shumëkatëshe. Banorët e Bathores me mundin, djersën dhe vitalitetin e tyre, ndërtuan shtëpitë, vilat, bizneset e tyre.

Përgatiti: Adrian Mziu