Prokurori i Përgjithshëm, takim me Kryeministrin për ligjin “Për dekriminalizimin”
Prokurori i Përgjithshëm, zoti Adriatik Llalla, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama, me kërkesë të kreut të qeverisë.
Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, zotin Aqif Rakipi.
Zoti Llalla vuri në dijeni Kryeministrin se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin e thelluar ndaj deputetit Aqif Rakipi disa muaj më parë. Procedura e verifikimit për këtë subjekt është ende në zhvillim, pasi Sektori i Posaçëm për “Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme është ende në pritje të përgjigjeve nga ana e disa prej autoriteteve të huaja, të cilave u është kërkuar informacion.
Në takim, zoti Llalla shprehu garancitë e plota se Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë.
Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se, po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal.
Prokuroria: Rama na kërkoi takim për deputetin Rakipi
Denoncimi për Rakipin
Nga të dhëna të bëra me dije në rrugë informale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Aqif Rakipi ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të nenit 2 të Ligjit Nr. 138/2015, për shkak të rekordeve kriminale në shtetin italian. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana juaj që në zbatim të detyrimit të parashikuar nga neni 8 i këtij ligji, të bëni verifikimin e plotë të të dhënave. Kjo është kërkesa jonë, bëhet në kushtet kur pavarësisht fakteve të njohura botërisht, institucioni juaj nuk ka kërkuar verifikimin e plotë të të dhënave kryesisht, në përputhje me pikën 4 të nenit 8 të Ligjit nr. 138/2015.
Denoncimi për Gjetanin
Nga të dhëna të bëra me dije në rrugë informale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Gjetan Gjetani ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të nenit 2 të Ligjit nr. 138/2015, për shkak të rekordeve kriminale në shtetin italian. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana juaj që në zbatim të detyrimit të parashikuar nga neni 8 i këtij ligji, të bëni verifikimin e plotë të të dhënave. Kjo është kërkesa jonë, bëhet në kushtet kur pavarësisht fakteve të njohura botërisht, institucioni juaj nuk ka kërkuar verifikimin e plotë të të dhënave kryesisht, në përputhje me pikën 4 të nenit 8 të Ligjit Nr. 138/2015.
Si e mbuloi policia aksidentin e Qifes
Aqif Rakipi përveç deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e PDIU-së, nuk është emër i panjohur. Ai vetëm pak kohë më parë u përfshi në një ngjarje të rëndë, teksa aksidentoi me vdekje një person në autostradë në afërsi të Vorës. Policia e kapur dhe në shërbim të plotë të Ramës nuk ka referuar në Prokurori krimin tjetër të deputetit Aqif Rakipi, atë të ikjes nga vendi ku kreu aksidentin tragjik që i mori jetën qytetarit. Në dosjen e dorëzuar në Prokurori nga policia nuk figuron asnjë material për ikjen e Qifes nga vendi i krimit. Përse është bërë kjo? Është e qartë për të shpëtuar deputetin mik të Ramës dhe kapur në trafiqe. Mund të jetë një bast unikal, kur policia me urdhër të shefit në qeveri bëhet pjesë në një krim si në rastin e aksidentit të dy ditëve më parë.
Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, në lidhje me aksidentin e ndodhur tri ditë më parë, ku humbi jetën një 54-vjeçar. Akuzat e ngritura ndaj deputetit që po hetohet në gjendje të lirë, janë “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. Kjo akuzë e fundit mësohet se është shtuar e formuluar nga Prokuroria pas analizimit të provave e rrethanave të ngjarjes, edhe pse rezulton se policia nuk e ka referuar çështjen për një vepër të tillë.
Do të ketë ekstradime deputetësh të dënuar?
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot në Prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi dhe për deputetin Gjetan Gjetani, lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej t’i pengonte për të marrë poste publike apo për t’u zgjedhur.
Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike përbëjnë indicie për të verifikuar nëse të dy këta deputetë kanë fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera në Itali.
Partia Demokratike është e vendosur në betejën e saj për të luftuar krimin, dhe për të nxjerrë krimin nga Parlamenti dhe institucionet e shtetit. Në të kundërt, lidhur me këto dy raste, por edhe të tjera që po trajtohen nga Partia Demokratike, Edi Rama dëshmon se vazhdon të mbrojë dhe promovojë krimin, se nuk ka vullnet ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit, dhe nuk ka vullnet të shkëputet nga krimi dhe aleanca politike me krimin.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të veprojë menjëherë e të garantojë zbatimin e dekriminalizimit.
Ndërsa PD kërkonte një hetim të thelluar për dy deputetët, Rama ka thirrur menjëherë në zyrë kreun e Prokurorisë, Llalla. Eshtë e pakuptimtë se si kreu i qeverisë të thërrasë në mënyrë urgjente kryeprokurorin për një kërkesë për hetim që ka bërë PD, në një kohë që ligji është mjaft i qartë në këtë pikë. Një takim i tillë duket si një mjet presioni ndaj Prokurorisë për të mos zbardhur të vërtetën e deputetit Rakipi. Rama është i njohur për lidhjet me krimin dhe inkriminimin e Parlamentit si dhe për bllokimin e të gjitha institucioneve për të mos lejuar kapjen e këtyre kriminelëve nga ligji i dekriminalizimit. Të njëjtën strategji Rama e përdori edhe për kryebashkiakun e Kavajës, megjithëse dokumentat e gjykatave Italiane ishin të qarta si rrezja e diellit në atë rast.
Duket se Rama po përdor të njëjtën strategji edhe në rastin e deputetit Rakipi. Ai ka kërkuar sot shpjegime nga Kryeprokurori për rastin e Rakipit, por jo për deputetin tjetër të PS, Gjetani për të cilin PD po ashtu ka kërkuar një hetim të thelluar. Ndërsa Prokuroria ka lëshuar një deklaratë zyrtare për këtë takim, ajo që mungon është deklarata e Kryeministridë për takimin me Kryeprokurorin. Sikurse mund të konstatohet në deklaratën e Prokurorisë, Rama është interesuar vetëm për hallin e “Qifes”, por jo për deputetin tjetër të PS, Gjetani. “Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, zotin Aqif Rakipi”, thuhet në reagimin e Prokurorisë. Si është e mundur që kreu i qeverisë të thërrasë në takim Kryeprokurorin vetëm për njërin nga deputetët për të cilin opozita kërkon hetim të plotë? Eshtë e qartë se kemi të bëjmë me një ndërhyrje direkte të Ramës në hetimet e Prokurorisë dhe kjo do të ishte e dëshmueshme penalisht. Burime të hetimeve nga strukutura të specializuara kanë bërë të ditur se pritet që të ketë edhe ekstradime të deputetëve që mund të kapen nga ligji i dekriminalizimit dhe që janë të dënuar në vendet e BE. Për këtë kërkohet me forcë edhe një mbështetje e plotë e hetimeve të pavarura dhe pa ndikuara nga presionet e qeverisë dhe grupeve kriminale ndaj Prokurorisë.
Dhomat e Tregtisë kundër ligjit të ri për anëtarësimin me tarifë
Përfaqësues të Dhomave të Tregtisë e kanë kundërshtuar gjatë anëtarësimin në Unionin e Dhomave, e parashikuar kjo në projektligj. Në prezantimin e projektligjit pranë Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Industrisë, Alketa Uruçi, anëtare e Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se, kjo është një kosto për biznesin, i cili detyrohet të bëj një pagesë vjetore prej 25% të fondeve, duke e quajtur këtë barrë shtesë.
“Nuk është në pajtim me parimet e përgjithshme kushtetuese që një subjekt, apo qoftë edhe një individ të regjistrohet në shoqatën që ai dëshiron dhe ku ndihet i përfaqësuar. Dhe së dyti është një kosto shtesë për biznesin, i cili është i detyruar që të bëjë një pagesë për një dhomë tregtie ku është i detyruar të regjistrohet, pa vullnetin e tij”, tha Uruçi.
Por për Kryetaren e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, ky ligj i ri është një domosdoshmëri për ekonominë e vendit. Pro kësaj nisme ishin edhe organizatat e biznesit. “Mendoj që të gjithë personat këtu në sallë tashmë janë shumë të qartë për rëndësinë e një ligji të Dhomave të Tregtisë apo për organizimin e sipërmarrjes. Ne vetë si dhoma tregtie kemi kohë që mendojmë që organizimi i institucionit të sipërmarrjes është goxha i rëndësishëm për të gjithë ne, jo vetëm ne si dhoma tregtie, por edhe për të gjitha shoqatat apo dhomat mikse që janë këtu mes nesh”, u shpreh Muçostepa. Sipas projektligjit, dhomat transferojnë pranë bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë 25% të fondeve të mbledhura nga kuota e anëtarësimit brenda datës 15 prill të çdo viti.
Të fundit në botë për cilësinë e hekurudhës
Shqipëria u rendit e fundit në botë në Indeksin e Konkurrueshmërisë Globale për cilësinë e hekurudhave, sipas Forumit Ekonomik Global. Ndër vendet që kanë një sistem hekurudhor, Shqipëria u klasifikua e fundit në botë, në vendin e 101 për cilësinë shumë të dobët të transportit. Teksa bota po shkon drejt modernizimit të hekurudhës me linjat të shpejta të transportit, Shqipëria ende nuk ka trase funksionale.
Rrjeti hekurudhor i vendit dominohet nga investimet e periudhës së komunizmit dhe në pjesën dërrmuese të tij nuk është funksional. Për më tepër ky rrjet i zhvilluar në atë kohë në funksion të strukturës së ekonomisë së brendshme nuk i shërben më nevojave të kohës. Gjatë dy dekadave të fundit qeveritë shqiptare janë angazhuar të modernizojnë linjën e transportit hekurudhor Tiranë-Durrës me një degëzim nga Rinasi.
Është një investim që kushton në total 81.5 milionë euro. Pjesa më e madhe tashmë është siguruar nga institucionet financiare ndërkombëtare, ndërsa pritet që qeveria shqiptare të përmbushë edhe ajo detyrimin për pjesën e mbetur prej 11 milionë eurosh. Studimi i fizibilitetit ka treguar se ndërtimi i segmentit Tiranë–Durrës–Rinas do të zgjasë mbi 3 vjet. Parashikohet që të transportohen në vit rreth 1.4 milionë pasagjerë. Kjo nisur edhe nga fakti që në zonën industriale Tiranë–Durrës realizohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik. Sektori hekurudhor ka përjetuar rënie të vazhdueshme në 10 vitet e fundit. Ai mund të përshkruhet si sektori më pak i zhvilluar dhe më pak tërheqës në Ballkanin Perëndimor (së bashku me sektorin hekurudhor të Kosovës).
Rrjeti hekurudhor në Shqipëri është ndërtuar në periudhën 1946–1986, kryesisht për t’i shërbyer industrisë. Në total, rrjeti hekurudhor ka një gjatësi prej 420 km. Shërbimi i udhëtarëve financohet nga shteti. Mallrat kryesore të transportuara në rrjetin shqiptar janë: skrapi, sheqeri, vaji, lëndët e para për ndërtim dhe ato industriale. Investimet në këtë rrjet janë të papërfillshme dhe shpjegojnë edhe gjendjen në të cilën ndodhet sot. Hekurudha shqiptare është duke synuar zbatimin e një programi investimi për një periudhë 8 deri në 10-vjeçare, që do të rivendoste rrjetin në kushte normale pune, të krahasueshme me ato në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kapitali i sektorit privat nuk shihet si një alternativë e mundshme investimi në periudhën afatshkurtër, ndërsa skema koncesionare e tipit PPP do të kërkonte: një shpërndarje të balancuar të rreziqeve ekonomike; kredi dhe garanci nga BE-ja; mungesë të rreziqeve politike; kuadër ligjor dhe zbatim efikas; staf të trajnuar; projekte tranzitore.
Në fund të vitit 2016, të ardhurat e Hekurudhës Shqiptare ishin në total 564 milionë lekë, (të ardhurat e shfrytëzimit plus të tjera), apo rreth 4.1 milionë euro, me një rënie prej 27% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për shkak të vjetërimit të tejskajshëm të mjeteve, kompania ka një normë mjaft të lartë amortizimi, teksa zhvlerësimi i aktiveve afatgjata ishte 525 milionë lekë, pothuajse sa të ardhurat.
Duke i shtuar amortizimit të lartë edhe shpenzimet e personelit prej rreth 400 milionë lekësh (plus 27 milionë lekë shpenzime financiare), kjo ka bërë që kompania të rezultojë me humbje të mëdha, në 538 milionë lekë në vitin 2016 (rreth 4 milionë euro). Megjithatë, për shkak të reduktimit të shpenzimeve të personelit dhe rënies fortë të shpenzimeve për interesa, humbjet janë ulur me 32 për qind. Aktualisht Hekurudhat shqiptare konsiderohen një “gropë e zezë” në buxhet, pasi subvencionohet pothuajse çdo vit. Prej vitesh, ajo rezulton me humbje të mëdha dhe humbjet e akumuluara në kapitalin e kompanisë ishin 4.6 miliardë lekë, apo rreth 33 milionë euro./Monitor
Rritet numri i moshave të treta, ulet numri i lindjeve
Ndërsa numri i personave të moshës së tretë po rritet me ritme të shpejta dhe ai i lindjeve po ulet, Shqipëria po përballet me fenomenin e plakjes së popullsisë. Të dhënat tregojnë se nga viti 2000 e deri sot, popullsia mbi 80 vjeç është gati dyfishuar. Kur hyri mijëvjeçari i ri, në Shqipëri numëroheshin 38 mijë e 500 persona të moshës mbi 80 vjeç. Në ditët e sotme kjo grupmoshë thuajse është dyfishuar dhe sipas të dhënave të Institutit të Statistikave numërohen 69 mijë e 190 persona apo 2% e popullsisë së vendit. Plakja e popullsisë, një fenomen që po vërehet shumë kohët e fundit, ka pasoja ekonomike dhe jo vetëm. Së pari, me plakjen fillojnë dhe problemet me shëndetin. Rreth një e treta e popullsisë mbi 65 vjeç raportojnë se vuajnë nga një apo më shumë sëmundje. Gjatë periudhës janar – gusht 2017 importet e produkteve farmaceutike shënuan rritje vjetore 14% në vlerë dhe 7% në sasi. Shtimi i numrit të të moshuarve – shpjegojnë farmacistët – rrit sasinë e konsumit të ilaçeve për tensionin, zemrën, parkinsonin, etj. Moshat e thyera shpesh vuajnë më shumë se nga një sëmundje kronike, ndaj dhe ata janë kontingjenti më i madh i blerjes të medikamenteve. Së dyti, plakja e popullsisë ndikon në uljen e produktivitetit dhe rrit kërkesën për shërbime më të specializuara që mosha e tretë kërkon.
Më shumë shpenzime për pensione
Plakja e popullsisë sot është një fenomen botëror dhe një nga arsyet kryesore të reformimeve të skemave të pensionit. Vende të ndryshme e kanë adresuar në mënyra të ndryshme problemin, që nga krijimi i incentivave për rritjen e lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës, rritjes së moshës së daljes në pension ku disa vende po e rrisin deri në 70 vjet. Shpenzimet për pensione për vitin 2016 shënuan rritje vjetore me 5,6%. Në fillim të vitit 2017, popullsia e vendit sipas INSTAT ishte 2,876,591 persona, ndërsa numri i pensionistëve në këtë vit, sipas ISSH, ishte 611,544. Për rrjedhojë, të moshuarit në moshë pensioni, përbënin 24% të popullsisë së vendit.
Rritja e jetëgjatësia, faktor kryesor
Sipas studimeve më të fundit, një ndër arsyet kryesore të rritjes së kësaj grupmoshe është rritja e jetëgjatësisë. Me përmirësimin e kushteve të jetesës, përmirësimin e të ushqyerit, por edhe me një akses më të gjerë te shërbimet shëndetësore, është rritur dhe jetëgjatësia e popullsisë. Në vitin 2000, sipas të dhënave nga Banka Botërore, një shqiptar jetonte mesatarisht 74 vite e dy muaj, ndërsa sot mosha e pritur llogaritet të jetë 78 vite e nëntë muaj.
Fenomeni i plakjes në Europë
7.3 milionë njerëz të moshës mbi 80 vjeç përllogaritet se jetojnë sot në Bashkimin Europian, 7 milionë më shumë se dhjetë vjet më parë. Rritja e popullsisë së moshuar në BE nga 4.1 për qind në 2006-ën në 5.4 për qind në 2016-ën do të thotë se një në 20 persona që jetojnë në BE është mbi 80 vjeç. Plakja e popullsisë është, së paku, rezultat i rritjes së jetëgjatësisë. Jetëgjatësia e tetëdhjetëvjeçarëve u rrit nga 8.4 vite në 2005 në 9.2 vite në 2015-ën. Megjithëse numri i grave mbi 80 vjeç u tkurr nga 2006-ta në 2016-ën, ato ende përgjigjen për dy të tretën e popullsisë (64%) e popullsisë së moshuar në BE, raporton Eurostat në ditë e të moshuarve.
Më të moshuarit jetojnë në Itali dhe në Greqi
Përqindjen më të lartë të moshës mbi 80 vjeç e kanë shtetet në Jug të Europës, ku përqindjet më të larta janë regjistruar në Itali 6.7%, në Greqi 6.5%, Spanjë 6% dhe Portugali 5.9%. Këto vende ndiqeshin nga Gjermania me 5.8% të totalit të popullsisë mbi 80 vjeç. Popullsia mbi 80 vjeç ka shënuar vazhdimisht rritje në BE që nga 2006.
Pagat e ulëta lënë të pakënaqur 64% të punonjësve në Shqipëri dhe Kosovë
Një sondazh i publikuar të mërkurën zbuloi se vetëm 37 për qind e të punësuarve në Kosovë dhe Shqipëri ishin të kënaqur me punën e tyre, ndërsa paga, respektimi nga punëdhënësi dhe puna jashtë orarit ishin shqetësimet kryesore. Vetëm 37 për qind e shqiptarëve dhe kosovarëve janë të kënaqur me punën e tyre, zbuloi një sondazh mbi nivelin e kënaqësisë në punë, i realizuar për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë. Sondazhi zbuloi gjithashtu se 53 për qind e punonjësve ishin të pakënaqur nga puna që bënin dhe 11 për qind shumë të pakënaqur. Anketimi përfshiu 1,429 persona të marrë si shembuj studimi në qytete të ndryshme të të dyja vendeve dhe u krye nga EP & Partners Consultancy shpk (EPPC).
Synimi i studimit ishte të kuptohej perceptimi i kënaqësisë nga puna të të anketuarve, ku pjesëmarrësit u pyetën sa ishin të kënaqur nga puna aktuale dhe sa shanse kishte që brenda një viti të kërkonin punë diku tjetër. Pra, shqiptarët dhe kosovarët kanë 16 për qind më shumë pakënaqësi nga puna që bëjnë krahasuar me nivelin e pakënaqësisë në botë që është 48 për qind.
Punonjësit me përvojë dhe me paga të larta dhe të mesme përfitonin kënaqësinë më të lartë nga puna. Të rinjtë janë më të pakënaqur nga puna, si dhe ata me paga të ulëta. 52% e të anketuarve u përgjigjën se po peshonin të kërkonin një punë të re, ku pretendimi për një pagë më të mirë është faktori më i rëndësishëm.
Kjo shifër në shkallë botërore, është disi më e lartë, në 55 për qind. Ndërsa paga sipas sondazhit është arsyeja kryesore pse të anketuarit kërkojnë punë të re dhe njëkohësisht më të kënaqur nga puna që kanë, pesë aspektet më të rëndësishme të punës ishin gjithashtu: vlerësimi për punën për 71 për qind të të anketuarve; respektimi i punonjësve në punë, siguria si dhe atmosfera në vendin e punës. Studimi i tregut të punës nga EP & Partners Consultancy shpk (EPPC) në Kosovë dhe Shqipëri zbuloi gjithashtu pretendime nga punonjësit për mosrespektim të Kodit të Punës në të dyja vendet.
“Të anketuarit shprehen të pakënaqur për faktin se një numër i tyre nuk kanë kontrata pune dhe aty ku kanë, në disa raste nuk respektohen”, thuhet në sondazh. Shqiptarët dhe kosovarët janë gjithashtu të shqetësuar nga orari i zgjatur i punës (i papaguar) si dhe mungesa e pushimeve në fundjavë dhe në ditët e festave zyrtare.
Sistemi bankar dikton zhvillimin e sektorit privat
Sektori financiar në Kosovë vazhdimisht vlerësohet të jetë i qëndrueshëm. Por, përveç rritjes së kapitalit, përfitimeve për vetë bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, mbetet çështje debati se sa ka ndikuar ky sektor në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe fuqizimin e sektorit privat.
Zyrtarë të qeverisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit japin vlerësime të ndryshme rreth ndikimit të sistemit bankar në rritjen ekonomike.
Sistemi bankar në Kosovë përbëhet nga 11 banka komerciale dhe 14 institucione mikrofinanciare me kapital privat të huaj dhe vendor.
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, aktualisht ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha për Radion “Evropa e Lirë” se, sektori financiar ka qenë një ndër kontribuesit kryesor të rritjes ekonomike të vendit në vitet e fundit.
“Nëse kemi një rritje të kreditimit mbi 10 për qind, kjo nënkupton se çdo vit kemi pasur shtesë një lloj infuzioni në ekonomi me mbi 200 milionë euro. Dhe është një ndër kontribuesit kryesor. Unë uroj dhe besoj që do të vazhdojë të zhvillohet suksesshëm”, thotë ministri Hamza.
Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se kreditë e bankave, në një mënyrë dhe në një masë kanë ndikuar në zhvillimin e proceseve ekonomike, por edhe kanë penguar zhvillimin e tyre për shkak të normave të larta të interesit.
Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit tha për Radion “Evropa e Lirë” se 25 për qind e kompanive të shuara, si arsye i kanë potencuar kamatat e larta të kredive.
“Një nga pesë problemet rreth asaj se pse janë shuar bizneset në Kosovë vazhdimisht rezulton, se është interesi i lartë, profitet e bankave kanë shkuar në dëm të biznesit dhe ka ardhur deri tek mbyllja e tyre”.
“Krahasuar me vendet e tjera, sistemi bankar dhe politikat e tyre të brendshme ndaj bizneseve janë më të shtrenjtat në Ballkanin Perëndimor”, thekson Shahini.
Ai thotë se, bankat kanë paraqitur produkte të llojllojshme në treg, por politikat janë jo të favorshme për bizneset.
“Kjo është një sfidë për bizneset, të cilat nuk po zhvillohen në ritmin e dëshiruar. Po të ishte interesi bankar i ulët, sikurse në vendet perëndimore nga edhe vijnë bankat që operojnë në vendin tonë, ose një mbështetje më korrekte ndaj bizneseve, me siguri që edhe bizneset do të zhvilloheshin më shumë, por edhe bankat do të shtriheshin më shumë dhe qytetarët do t’u besonin më shumë atyre”, thotë Shahini.
Ndryshe, vitet e fundit kamatat për kredi në institucionet financiare në Kosovë kanë shënuar ulje nga dyshifrore në njëshifrore.
Aktualisht normat efektive të interesit në bankat komerciale sillen nga 6 deri në rreth 8 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.
Ministri Hamza, ndërkaq thotë se pritet që në të ardhmen të ketë ulje të normave të interesit.
“Normat e interesit kanë pas një zvogëlim bukur të madh, për katër vitet e fundit mund të them se ndoshta rreth 50 për qind janë zvogëluar këto norma”.
“Jemi në nivel me vendet e rajonit. Por, them se me eliminimin e disa pengesave ka një hapësirë për një ose dy pikë të përqindjes të ulen normat e interesit në favor të sektorit privat dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Hamza.
Në sektorin bankar për rreth 10 për qind ka pasur rritje të kredive. Vlera e kredive ka arritur në rreth 2.4 miliardë euro, mbi 1.5 miliardë euro janë kredi për ndërmarrje, kurse shuma e depozitave ka arritur në mbi 3 miliardë euro.