28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Shqipëria jashtë BE deri në vitin 2050

 

Vendi i fundit që iu shtua Bashkimit Europian ishte Kroacia në vitin 2013, por kur pritet të përmbushin kriteret e tyre kandidatët që duan të bëhen pjesë e BE-së?
Tina Freyburg dhe Tobias Böhmelt kanë prezantuar përfundimet e një studimi të kryer mbi mundësitë e vendeve kandidate për të përmbushur kriteret. Ata thonë se, vetëm njëri nga vendet kandidate dhe pikërisht Maqedonia parashikohet të përmbushë kriteret rreth vitit 2023, ndërkohë që Serbia dhe Turqia parashikohen të jenë pjesë e Unionit rreth vitit 2030. Për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, studiuesit nuk japin rezultate shpresëdhënëse. Ata mendojnë se këto dy vende nuk do të arrijnë t’i përmbushin kriteret para vitit 2050.
Studimi i tyre bazohet në mundësinë e secilit nga vendet për t’u përshtatur me ligjet, kapacitetet dhe kostot administrative të vendeve pjesë e Bashkimit Europian.
Tina Freyburg është profesoreshë e Politikave Krahasuese në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Universitetin St Gallen, në Zvicër, ndërsa Tobias Böhmelt është profesor në Departamentin e Qeverisjes në Universitetin e Essex-it.

Rekomandimet e OSBE/ODHIR për Reformën Zgjedhore, shkëputje politikës nga krimi

 

Autoritetet duhet të ndërmarrin Reforma Zgjedhore që janë gjithëpërfshirëse për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODHIR. Dispozitat për ligje të ndryshme lidhur me zgjedhjet duhet të harmonizohen, veçanërisht në lidhje me fushatën, financimin e fushatës dhe mediat.
Përpjekje të forta janë të nevojshme për të adresuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votave, nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi dhe ndjekjeve penale, në mënyrë që të rritet besimi në procesin zgjedhor.
Duhet angazhim konkret nga partitë politike për të luftuar praktikat e blerjes së votës.
Përveç kësaj, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me një të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.
Qeveria duhet të analizojë efektivitetin e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar abuzimin e burimeve shtetërore dhe presionet lidhur me punësimin për votuesit.
Qeveria duhet të konsiderojë krijimin e një organi transparent, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, me detyrën dhe kompetencën për të vepruar nëse raste të tilla vihen re në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Një strukturë e tillë mund të përsëritet në nivel rajonal dhe të krijohet në kohën e duhur para zgjedhjeve të ardhshme.
Ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin jopartiak të komisionerëve të zgjedhjeve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të ndaluar zëvendësimin e anëtarëve të KZAZ-së, duke nominuar palët.
Duhet gjithashtu të merret në konsideratë futja e mekanizmave alternativë për emërimin e KQV-së dhe anëtarëve të ekipit të numërimit, kur partitë politike nuk propozojnë kandidatët e tyre.

Spaho në Parlament: 64 milionë USD taksa të ardhura më pak në 2016

Me shifra konkrete i është përgjigjur deputeti i PD, Edmond Spaho spekulimeve të ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, mbi buxhetin e vitit 2016 dhe sistemin e dështuar të taksave. Sipas të cilit, në 2016 politika e rritjes se taksave rezultoi e dështuar, pasi u rritën taksat, por jo të ardhurat. “Gjatë këtij viti, sikurse në vitet paraardhëse, politika e rritjes së taksave rezulton e dështuar, sepse me gjithë rritjen e tyre, në buxhet mblidhen më pak të ardhura, kurse qytetarëve dhe bizneseve u shtohet barra financiare. Planifikimi i të ardhurave në vitin 2016 u bë me rezerva rreth 0.3% më të ulëta se sa viti 2015. Paralelisht me këtë qeveria vendosi të rrisë disa taksa si akciza e birrës, kontributi i sigurimeve shoqërore për profesionet e lira, taksën e qarkullimit për të ashtuquajtura makina luksi, primin e sigurimeve, taksën e truallit dhe disa taksa të tjera. Parashikoi që në buxhet rritja e taksave të sillte 2.6 miliardë lekë më shumë, por për shkak të korrupsionit, evazionit fiskal dhe mangësive në administrim viti 2016 u mbyll me një diferencë prej 6.4 miliardë lekë, ose rreth 64 milionë dollarë më pak, e shkaktuar kryesisht nga mungesa në mbledhjen e dy taksave kryesore, TVSH-së dhe akcizat me mbi 6% secila”, argumentoi Spaho. Buxheti faktik i vitit të shkuar shoqërohet edhe me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili analizon dhe nxjerr fakte dhe shifra se si janë menaxhuar fondet publike nga administrata shtetërore, qendrore dhe lokale.

Ndërtimi, rekord negativ, në tetor “zhduken” 28 kompani

Muaji tetor ka dhënë një tjetër provë se sektori i ndërtimit po kalon një moment aspak pozitiv. Gjatë këtij muaji është regjistruar një shifër rekord kompanish, të cilat kanë pushuar aktivitetin apo thjesht nuk gjenden më në adresat zyrtare. “SCAN” ka zbardhur 28 shpallje publike të bëra nga ana e gjykatave, për të njoftuar këto kompani se janë të përfshirë në padi gjyqësore. Gjykatat u drejtohen shpalljeve publike në rastet kur palët nuk kanë më një adresë zyrtare, ku t’u komunikohet thirrja për t’u paraqitur në proces. Në total, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, 9 kompani ndërtimi kanë shpallur falimentin. Në po të njëjtën periudhë, më shumë se 25 kompani të tjera rezultojnë të “zhdukura”, duke e çuar në mbi 50 numrin total të shoqërive që nuk ekzistojnë më në adresat zyrtare. Moment i vështirë nëpër të cilin po kalon ky sektor konfirmohet për “SCAN” edhe nga Shoqata e Ndërtuesve. Sipas saj, numri i lartë i kompanive ndërtuese të falimentuara apo që kanë mbyllur aktivitetin, i dedikohet investimeve të gabuara, bllokimit të lejeve të ndërtimit për një periudhë të gjatë, por dhe krizës ekonomike.

Investimet sot, më të ulëta se në vitin 2013

Investimet publike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2018 do të jenë më të ulëta se ato të vitit 1993, ku vendi sapo kishte rrëzuar komunizmin dhe ishte para një emergjence të furnizimit me ushqime.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në vitin 1993, fondet për investimet publike ishin sa 7.3% e PBB. Shuma në vlerë neto ishte 11 miliardë lekë, por duke marrë në konsideratë inflacionin e kohës, vlera konsiderohet e lartë.
Rekordi i investimeve publike është thyer vetëm në vitin 2001, ku vlera e tyre në raport me PBB arriti 7.4%. Në fillim të viteve 2000, pati një fokus të shtuar në investimet në rrugë. Në ato vite përfundoi autostrada Tiranë-Durrës dhe gjithashtu nisën punimet për autostradën Tiranë-Shkodër. Këto ishin dy projektet e para në infrastrukturën shqiptare, që vunë standardin e autostradës nga rrugët nacionale me dy kalime.
Pas vitit 2001, investimet publike në raport me PBB pësuan rënie sistematike, për t’iu rikthyer rritjes në vitet 2008-2009 me respektivisht 8.7 dhe 8.4% të PBB, për shkak se në këtë kohë u ndërmor investimi më i madh i njohur ndonjëherë në infrastrukturën rrugore, autostrada e Kombit që ka angazhuar që nga ajo periudhë mbi 1 miliard euro investime.
Pas vitit 2009 nisi rënia sistematike për të parë nivelin më të ulët në vitin 2016 që nga 1997 me vetëm 4.5% të PBB-së. Në presionin e krizës ekonomike dhe konsolidimit fiskal për shkak të saj, gjatë viteve 2012-2017 investimet publike performuan poshtë kufirit 5% të PBB-së, i cili është rekomanduar nga FMN si nivel dysheme për vendet në zhvillim. Por për herë të parë pas 5 vitesh, më 2018, investimet do të jenë mbi kufirin 5% e PBB më 2017.
Ministria e Financave ka pohuar se, investimet publike afatshkurtër dhe afatmesëm janë ruajtur në nivelin 5% të PBB-së dhe vlerësohen të rëndësishme për rritjen potenciale në afatmesëm dhe afatgjatë.
Banka Botërore lajmëron një ulje të konsiderueshme të Investimeve të Huaja në vendin tonë në vitet në vijim. Në një projeksion të fundit për Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019. Banka thotë se IHD këtë vit do të arrijnë në 8.3% të PBB nga 8.7% që ishin vitin e kaluar. Por vitin e ardhshëm, ato nuk pritet të jenë më shumë se 7% e PBB dhe më 2019 do të jenë 5.6% e PBB-së.
Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%. Banka thotë se vitet e fundit, Investimet e Huaja Direkte kanë qenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri ndaj dhe rënia e tyre do të gjenerojë një hendek. Ekonomia e Shqipërisë u rrit 3,4% më 2016 dhe kjo rritje u nxit më së shumti nga investimet private në dy projektet kryesore, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll. Banka thotë se remitancat dhe investimet e huaja financojnë pjesën dërrmuese të importeve. Sipas BB, tani, më shumë se kurrë thekson urgjencën e reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e saponisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet.

Vijon rënia e euros; ekspertët: Ofertë e lartë në valutë dhe pak lekë në qarkullim

Monedha e përbashkët prej ditësh ka vijuar zhvlerësimin në tregun vendas, ku sot është këmbyer në nivelin e 133.42 lekëve sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Pas datës 5 tetor, kur euro shënoi dhe nivelin më të lartë të muajit prej 133.86 lekëve, euro ka hyrë në një trend rënës edhe pse me diferenca të vogla. Ndërkohë në tregjet ndërkombëtare euro ka vijuar të mbetet e fortë duke u luhatur në nivelin e 1.165 dollarëve.
Mos-reflektimi i nivelit të euros në tregjet ndërkombëtare në atë vendas sipas ekspertëve të këmbimit valutor argumentohet me faktin niveli i këmbimit euro/lek në Shqipëri, kursi ndikohet vetëm prej faktorëve të brendshëm. Tradicionalisht, pas përfundimit të sezonit veror, vjeshta sipas tyre niveli aktual i këmbimit dhe rënia e euros është reflektim ofertës së madhe të valutës në treg dhe i qarkullimit të ulët të lekut në vend.
Ekspertët thonë se aktualisht ka një nivel të ulët të qarkullimit të lekut nga bizneset, ku sipas tyre muaji tetor dhe nëntor, por edhe shkurt njihen për rënien e konsumit. Transaksionet kanë qenë në nivele minimale dhe njësitë ekonomike nuk kanë bërë shpenzime. Megjithatë, ngurrojnë të shpjegojnë ofertën e lartë të valutës në treg. Monedha e përbashkët ka pasur një periudhë të dobët në tregun vendas, duke arritur nivelin më të ulët të nëntë viteve në 27 qershor, kur u këmbye 131.9 lekë.
Që prej fundit të vitit 2016, euro në tregun vendas po luhatet afër niveleve më të ulëta të 9 viteve, ku faktori kryesor mbetet oferta e lartë e valutës në tregun vendas, që ka ardhur kryesisht nga hyrjet e valutës nga aktivitete të paligjshme, por edhe si rrjedhojë e përmirësimit të dukshëm të bilancit të pagesave (shtimit të turistëve dhe rritjes së eksporteve të shërbimeve).

Euro e fortë në bursë mban dollarin në nivele të ulëta

Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare reflektohen në përgjithësi në monedhat e tjera, duke ruajtur kështu raportet e këmbimit midis monedhave, argumentojnë ekspertët. Dollari amerikan është këmbyer në nivelin e 114.59 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Euro, e fortë në tregjet ndërkombëtare, por e zhvlerësuar në vend, ka tërhequr dollarin në nivele më të ulëta të këmbimit se sa fillimi i vitit, ku ishte afër nivelit të 130 lekëve të këmbimit.

I përzgjedhuri i Trump për Bankën Qendrore amerikane

Jerome Powell, i cili thuhet se është i përzgjedhuri i Presidentit Donald Trump për të qenë kryetari i ardhshëm i Rezervës Federale, u vendos të marrë frenat e Bankës Qendrore më të rëndësishme në botë, në një kohë kur ekonomia e SHBA ka disa sfida.
Rritja ekonomike po përshpejtohet, inflacioni është i butë dhe papunësia është më e ulëta në 16 vjet. Një sfond i tillë duhet fillimisht t’i mundësojë kryetarit të ri të FED të rrisë gradualisht normat e interesit, nga nivelet më të ulëta historike aktualisht, me qëllim që të përmbushë atë që tashmë konsiderohet rritja e tretë më e gjatë e SHBA.
Rritje të tilla zakonisht rrezikohen nga shpërthimi i “flluskave të aseteve”, goditjeve si fatkeqësitë natyrore apo trazirat politike ose gabimet nga bankat qendrore. Rritja e normave më të shpejta mund të ftohë tregun e aksioneve, por rrezikon të mbajë inflacionin nën objektivin e Bankës Qendrore, ndoshta duke e çuar ekonominë në recension. Shtrëngimi shumë i ngadaltë mund të rrisë vlerat e aseteve edhe më tej, shkruan Bloomberg.
Powell ka shtuar dilemën se FED do të përballet me çdo rrezik që mund të sjellë rënie gjatë periudhës aktuale të rritjes, me anë të armëve të tij politikëbërëse. Ka pak hapësirë për të ulur normat menjëherë dhe plani i rezervës – lehtësimi sasior – tani është subjekt “inati” i ligjvënësve republikanë.
“Powell ka marrë disa letra në këtë lojë pokeri, që nuk janë të dobishme për zbatimin e politikës monetare”, tha Torsten Slok, ekonomisti kryesor i Deutsche Bank AG në Nju Jork. “Ekonomia botërore nuk ka qenë kurrë në formë më të mirë, por nuk është për t’u përgëzuar të jesh një bankier qendror në këto ditë”.
Trump sot pritet që të prezantojë Jerome Powell, 64 vjeç, si kandidati për të qenë shefi i FED, duke zëvendësuar kreun e mëparshëm Janet Yellen, kur në fakt, afati i saj në krye të kësaj detyre, skadon në shkurt. Powell është aktualisht një nga katër guvernatorët e përzgjedhur fillimisht për kreun e FED, të cilët Trump do t’i sjellë para Senatit sot, për miratim.

Ambasadorët: Reforma t’i japë fund shitblerjes së votës dhe lidhjeve të krimit me politikën

Shitblerja e votës dominoi diskutimet në tryezën e organizuar nga KQZ për adresimin e pritshëm të problemeve që u konstatuan më 25 qershor. Ambasadori i OSBE dhe kreu i KQZ thanë se duhet vullnet dhe reformë e plotë zgjedhore, ndërsa për demokratët, ndëshkimi i këtij krimi zgjedhor kërkon më shumë se kaq.
Reforma Zgjedhore ende nuk ka nisur, e ndërkohë nga gjithë diskutimet paraprake pikëpyetja kryesore që zë vend është se cili do të jetë kodi që do t’i mbyllë derën shitblerjes së votës. Ky është edhe rekomandimi kryesor ndër disa që OSBE-ODIHR ka dhënë për Shqipërinë pas 25 qershorit. “Në Reformën Zgjedhore duhet gjithëpërfshirje dhe transparencë, duhen shqyrtuar faktet se përse mbërritëm në këtë pikë. Është në detyrën e politikës shqiptare të marrë përsipër të shqyrtojë rekomandimet e ofruara. Në këtë proces duhet të jeni realist”, tha Peter Tejler, shef i Misionit të Vëzhguesve të ODIHR.
“Komisioni duhet të trajtojë me përparësi problematikën e kahershme të shitblerjes së votës. Aludimet e përhapura për shitblerje votash kanë dëmtuar besimin e publikut dhe partitë politike duhet të bëjnë përpjekje serioze për ta trajtuar këtë çështje. Njëri nga rekomandimet ka të bëjë me nevojën për të hetuar krimet zgjedhore. Jemi duke i kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurori dhe presim me padurim për rezultate konkrete”, tha Bernd Borchardt, shef i prezencës së OSBE-së. 20 vjet në KQZ, Klement Zguri, sot kryetar i tij, ka parë shumë nga proceset zgjedhore. Si organizator i kësaj tryeze, bëri thirrje për atë që e cilësoi si “nëna” e reformave. Bled Çuçi, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore shënoi një mungesë me arsye në tryezë, ndërsa homologu i tij demokrat, Oerd Bylykbashi theksoi se për t’i dhënë zgjidhje shitblerjes së votës duhet një veprim më i gjerë se Reforma Zgjedhore.
Para ambasadoërve opozita tha se e ka si prioritet tjetër përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ambasadori i OSBE-së paralajamëroi se në dhjetor do të ketë një tryezë pune pikërisht për këtë çështje. E ndërkohë, siç theksohet dhe nga përfaqësues të Komisionit të Venecias, të gatshëm për të ndihmuar me praktikën e tyre të mirë, ligji është dytësor në këtë përpjekje, pasi së pari u takon palëve që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe t’u japin fund praktikave të paligjshme. Venecia është për stabilitet të Kodit Zgjedhor dhe të sistemit po ashtu.
Në raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Misioni i Vëzhguesve OSBE/ODIHR thekson më shumë se sa vitet e shkuara problemet me sekretin e votës, presionin e partive politike dhe aftësinë e militantëve për të lidhur votën e hedhur me votuesin.
Mungesa e sekretit të votës së hedhur si pasojë e aftësisë së makinerive politike për të identifikuar votuesit dhe votat pothuajse një për një, qe një nga shqetësimet kryesore të shprehura në raportin final të zgjedhjeve të 25 qershorit të grupit të vëzhguesve ndërkombëtare të misionit të OSBE/ODIHR. Raporti 37 faqësh u publikua më 28 shtator në faqen zyrtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE dhe është produkt i Misionit të Vëzhguesve të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut.
“Njerëz të paautorizuar qenë të pranishëm në 10 për qind të qendrave të votimit të vrojtuar dhe vëzhguesit vërejtën ndërhyrje në proces nga vëzhguesit partiakë në 8 për qind të vrojtimeve”, thuhet në raport. Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit negativisht në 7 për qind të qendrave të votimit të vrojtuara. Zgjedhjet e 25 qershorit u zhvilluan pas një krize politike disa mujore të shkaktuar nga bojkoti i shpallur dhe protesta e vazhdueshme e opozitës në shesh, bojkot që u mbyll me një marrëveshje politike mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës më 18 maj.

PNUD: Me taksën e sheshtë shqiptarët do jetonin më mirë

Kryeministri Edi Rama, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtise dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Financave Shkelqim Cani, gjate nje takimi me strukturat tatimore te perfshire ne aksionin kunder informalitetit dhe evazionit fiskal./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, Minister of Economic Development, Tourism, Trade and Entrepreneurship, Arben Ahmetaj and Shkelqim Cani, Minister of Finance, during a meeting with tax structures involved in action against informality and tax evasion.

Një raport i PNUD Albania, i publikuar së fundmi, ka analizuar mënyrën sesi ka ndryshuar varfëria në vend, kush ka hyrë dhe ka dalë nga kjo kategori ndalet dhe si ka qenë në konsum efekti i taksimit mbi të ardhurat, i cili ndryshoi në fund të vitit 2013, duke kaluar në sistemin progresiv deri në 13% për pagat mbi 130 mijë lekë nga 10% që ishte më parë (në të dy rastet pagat deri në 30 mijë lekë kishin tatim zero).
“Ekuacioni i konsumit përfshin variablat mbi moshën dhe vitet e shkollimit për kreun e familjes, rajonin dhe statusin e punësimit me të ardhura të plotësuara nga burimet e të hyrave jashtë punës në të tilla si remitancat, të ardhurat nga kapitali dhe çdo transferim social që merr familja. Konsumi i parashikuar për vitin 2008 dhe 2014 u krahasua me konsumin e sotëm dhe shpërndarjen e familjeve sipas grupit të konsumit. Konsumi u vlerësua me dhe pa nivelin e ri të taksës mbi të ardhurat e aplikuara në vitin 2013”, thuhet në raport.
Rezultatet tregojnë se shpërndarja agregate e popullsisë sipas grupit të konsumit (të varfër, në nevojë dhe klasa e mesme) nuk ka ndryshuar shumë nga 2008-2014, ku familjet në nevojë janë tkurrur me 3.4%. Përqindja e kryefamiljarëve që jetojnë në varfëri në vitin 2014 u rrit me 1% krahasuar me vitin 2008, ndërsa klasa e mesme u zgjerua me rreth 2.8% gjatë kësaj periudhe. Nëse nuk do të kishte pasur një ndryshim nga taksa e sheshtë tek tatimi progresiv, konsumi i parashikuar në krahasim me konsumin aktual tregon se varfëria do të kishte rënë dhe klasa e mesme do të zgjerohej me 2.5% më shumë”.
Pra, nëse në fuqi do të ishte taksa e sheshtë dhe jo ajo progresive parashikimi tregon se do të kishim një rënie të varfërisë dhe një zgjerim akoma edhe më të madh të shtresës së mesme.
“Pavarësisht faktit se në përgjithësi nuk ka ndryshime thelbësore mes grupeve të ndryshme të konsumit, lëvizja nga 2008 më 2014 është e dukshme. Duket se shumica e kësaj lëvizjeje ka zbritur familjet në kategorinë e të qenët në nevojë ose të varfër më 2014. Gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit më 2008 kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri më 2014. Ndërkohë që 17% e familjeve me tendencë drejt varfërisë u bënë të varfër më 2014”, vlerëson PNUD.
Edhe një raport i fundit i INSTAT mbi matjen e nivelit të jetesës konfirmoi rritjen e pabarazisë në Shqipërisë.

Monitor

Ndikimi në ekonomi i të ardhurave nga emigrantët

Modelet e migracionit ka gjasa të ndryshojnë me progresin teknologjik dhe më tej ndërlidhja kufitare dhe konkurrenca për punë me cilësi të lartë do të bëhen më intensive. Këto ndryshime duhet të ndihmojnë migrantët dhe jomigrantët të përballen me rritjen e pashmangshme të fleksibilitetit në tregjet e punës-si rritja e sigurimit së të ardhurave për punëtorët dhe integrimin më të mirë të migrantëve në vendet pritëse. Kështu thekson raporti i fundit i Bankës Botërore rreth migracionit dhe lëvizjeve të popullsisë në vendet e Europës Lindore dhe atyre Aziatike.
Përparimi teknologjik, globalizimi i prodhimit dhe punës, kanë kontribuar në rritjen e ankthit publik, teksa numri i azil kërkuesve dhe emigrantëve pa dokumente në rajon u rrit, duke ngritur shqetësime rreth emigracionit në përgjithësi, nënvizon raporti.
Numri i refugjatëve në ECA (Europa Lindore dhe Azia Qendrore) nuk është i pashembullt, refugjatët përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të numrit të përgjithshëm të migrantëve–dhe se migrimi ka qenë prej kohësh thelbësor për rajonin, me ekonomitë e ECA-së që korrin përfitime nga lëvizshmëria ndërkufitare e punës.
Emigrantët shqiptarë si rezultat i krizës greke, e cila rriti fuqinë e forcës punëtore shqiptare me 5%, nga 2011 deri në 2014, gjë që pati një efekt pozitiv mbi pagat e emigrantëve me aftësi të ulëta dhe efekt të përgjithshme pozitive mbi punësimin e atyre që qëndruan në Greqi. Edhe emigrantët e rikthyer në atdhe gjithashtu gjetën forma vetëpunësimi, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në gjenerimin e punësimit dhe në rritjen ekonomike, citon raporti. Pjesa më e madhe e shteteve të Europës kanë zhvilluar politika për të inkurajuar kthimin e shtetasve.
Emigrimi gjithashtu mund të krijojë sfida, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Pavarësisht nga këto përfitime, në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, mbështetja në remitanca mund të zvogëlojë stabilitetin makroekonomik dhe konkurrencën e këtyre shteteve. Hyrjet e remitancave kanë një efekt pozitiv të të ardhurave në konsumin të mallrave të tregtueshëm dhe jo të tregtueshëm. Për ekonomitë e vogla të hapura, çmimet e
mallrave të tregtueshëm janë dhënë, ndërsa kërkesa agregate në rritje mund të çojë në çmime relative më të larta për mallrat e paluajtshme dhe paga më të larta. Efektet e tilla munden të dekurajojnë lëvizjet e investimeve dhe të punës, në orientim drejt eksportit ose importit. Si rezultat, sektori i jashtëm i ekonomive, duke u mbështetur në remitanca, mund të humbasin konkurrueshmërinë. Përveç kësaj, hyrjet e mëdha të remitancave mund të rezultojnë në vlerësimin real të kursit të këmbimit, si dhe paga më të larta të rezervës dhe nxitje e ulët për të punuar.
Shkalla e lartë e emigrimit në disa vende të ECA ka përkeqësuar rënien e popullsisë dhe plakjen, si dhe mund të ketë zvogëluar numrin e punëtorëve të kualifikuar. Pas zgjerimit të BE-së, kryesisht njerëz të rinj dhe të aftë u larguan nga vendet e Evropës Qendrore, shumica e tyre për në Evropën Perëndimore. Emigracioni i tyre përshpejton rënien e numrit të popullsisë, në disa vende ECA dhe mund të kenë ngadalësuar rritjen ekonomike, sikurse ka pohuar edhe FMN në 2016. Emigrimi i punëtorëve të kualifikuar, veçanërisht punonjës të specializuar në shërbimet publike kritike që ofrohen kryesisht në vend (shëndetësia, arsimi), mund të ulë produktivitetin dhe mirëqenien. Megjithatë, mundësia për të emigruar mund të rrisë gjithashtu stimujt për blerjen e kapitalit njerëzor.
Migrimi ndërkombëtar i prindërve mund të ketë efekte pozitive dhe negative për fëmijët që lënë pas. Remitancat mund t’u lejojnë fëmijëve të kenë më tepër mundësi për shkollim, për kujdesin shëndetësor dhe strehim më të mirë, si dhe për të rritur konsumin.
Megjithatë, mund të ketë edhe efekte të dëmshme të zhvillimit social dhe psikologjik të fëmijëve të lënë pas. Fëmijët gjithashtu mund të kenë nevojë të shpenzojnë më shumë kohë, duke ndihmuar familjen, pasi largohet një anëtar i familjes. Efektet negative duket të jenë më të mëdha, kur të dy prindërit largohen dhe fëmijët rriten nga gjyshërit e tyre ose nga të afërmit e tjerë. Rezultatet mbi ndikimin e edukimit në vendet e ECA janë të ndryshme, raporti tregon se ka një ndikim negativ afatgjatë të gjetur në ndjekjen e shkollës së fëmijëve të lënë nga prindërit në Shqipëri.