35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Nju Jork, policia në gatishmëri të lartë

Policia në Nju Jork vazhdon të jetë në gatishmëri të lartë pas sulmit me kamion që shkaktoi vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Autoritetet po përpiqen të gjejnë motivet e autorit. Ndërkohë Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha se nuk ka prova që autori që duket se ka shprehur besnikërinë ndaj ISIS-it, kishte pasur ndihmë nga organizata terroriste të huaja, por ishte radikalizuar brenda Shteteve të Bashkuara. Katër vetë, përfshirë dy fëmijë u plagosën kur autori i sulmit goditi me kamion një autobus shkollash.
Sipas njoftimeve të lajmeve, policia thotë se i dyshuari është një imigrant 29-vjeçar nga Uzbekistani, i quajtur Sayfullo Saipov.
Policia hapi zjarr ndaj tij, pasi ai doli nga kamioni me dy armë të rreme. Ai ndodhet në një spital, emri i të cilit nuk është bërë i njohur publikisht, në gjendje serioze. Ndërsa ai ishte në spital, policia punoi gjithë natën, duke grumbulluar prova nga kamioni që u përdor për sulmin.
Hetuesit zbuluan shënime në arabisht pranë kamionit që nënkuptonin besnikërinë e tij ndaj Shtetit Islamik, thanë dy zyrtarë të rendit. Por hetuesit nuk kishin zbuluar prova për lidhje direkte mes zotit Saipov dhe ISIS-it dhe po e trajtonin episodin si një rast ku sulmuesi ishte “frymëzuar” nga ISIS-i, thanë dy zyrtarë të kundërterrorizmit.
Policia identifikoi gjithashtu një automjet që besohet të jetë i të dyshuarit në parkimin e dyqanit Home Depot në Pasaik të Nju Xhërsit. Hetuesit kontrolluan gjithashtu një xhami në Paterson, një qytet aty pranë, ku mendohet se shkonte i dyshuari.
“Ai ka jetuar këtu për tre muaj dhe nëse pyet shumë vetë këtu, askush nuk e njeh. Askush nuk ia njihte fytyrën. Dhe unë besoj se kjo është një situatë personale. Është një fakt personal dhe më bën të ndjehem keq, sepse Islami nuk na mëson kurrë të vrasim”, – thotë Nazar Oudah që shkon në të njëjtën xhami.
Në Nju Jork, parade tradicionale e Hallouinit u mbajt nën masa të rrepta sigurie, por nuk pati ndonjë incident.
Zyrtarët fillimisht thanë se nuk kishte prova që të linin të kuptoje se sulmi ishte pjesë e ndonjë komploti më të gjerë, por prania e policisë do të shtohet nëpër rrugë:
“Do t’i shihni në aeroporte, do t’i shihni në tunele dhe kjo jo sepse ka ndonjë provë për ndonjë kërcënim të vazhdueshëm, por vetëm për arsye vigjilence dhe parandalimi”, tha guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo.
Pas sulmit, Presidenti Trump shkruajti në Twitter “Nuk duhet të lejojmë ISIS-in të kthehet, ose të hyjë në vendin tonë, pasi po i mposhtim në Lindjen e Mesme dhe gjetiu. Mjaft!”
Ai shtoi më pas “Sapo urdhërova Departamentin e Sigurisë Kombëtare që ta intensifikojë edhe më tej Programin për Kontroll të Hollësishëm. Nuk duhet të ruajmë korrektesën politike për një gjë të tillë”.
Presidenti Trump shkruajti gjithashtu në Twitter se i dyshuari kishte hyrë në Amerikë me një vizë diversiteti, ose siç njihet nga shumë vetë, lotaria amerikane.
Burimet e rendit i thanë medias se i dyshuari ka qenë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2010. Hetuesit ka gjasa që po përpiqen të gjejnë vendet ku ai ka qenë para dhe pasi ka hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Europa, ngushëllime Amerikës
Udhëheqësit evropianë kanë ofruar ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre për Amerikën, pas sulmit terrorist në Nju Jork, në të cilin u vranë tetë vetë. I dyshuari i këtij sulmi, Sayfullo Saipov, u plagos nga policia. Ai ka jetuar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2010, në kohën kur ai erdhi në vend nga Uzbekistani.
Kryeministrja britanike, Theresa May, në një postim në Twitter tha se ishte “E tmerruar nga ky sulm frikacak, mendimet e mia janë me të gjithë personat e prekur. Së bashku do ta mposhtim të keqen e terrorizmit”.
Por si mund të arrihet kjo?
Analisti i sigurisë Afzal Ashraf nga Universiteti Britanik i Nottingham-it thotë se, mbrojtja nga kërcënimet terroriste globale është e vështiurë.
“Ndryshimi që ka ndodhur në mënyrë graduale që nga sulmet e 11 shtatorit është se tani komplotet e mëdha janë duke u zëvendësuar nga këto të ashtuquajtura sulme nga persona të vetëm, duke përdorur makina”, thotë ai.
Sulmi i Nju Jorkut i ngjan incidenteve të kohëve të fundit terroriste në të gjithë Evropën. Në qershor, tre sulmues përdorën një kamion për të goditur këmbësorët në Urën e Londrës, pastaj sulmuan kalimtarët me thika.
Më pak se tre muaj më parë, një sulmues i vetëm goditi me makinë këmbësorët afër ndërtesës së Parlamentit britanik, para se ta godiste me thikë një oficer policie. Policia e Londrës ka vendosuar barriera në disa rrugë kryesore të qytetit, por analistët thonë se mbrojtja e plotë ndaj këtyre sulmeve është e pamundur.
Ministri i Jashtëm francez, Edouard Philippe tha të mërkurën se, sulmi në Nju Jork është një paralajmërim i fortë i kërcënimit global nga terrorizmi.
Franca ka vuajtur më shumë se të tjerët nga këto sulme terroriste, nga të cilat kohët e fundit janë vrarë qindra njerëz në Paris dhe në Nisë. Të martën, Presidenti francez Emmanuel Macron nënshkruajti një ligj që i jep atij komptenca të gjëra në luftën kundër terrorizmit.
Por, analistët e sigurisë theksojnë se është pothuaj e pamundur të krijohet një mbrojtje e plotë ndaj sulmeve që ndërmerren nga një terrorist i vetëm, që ka si pikësynim vrasjen, ose plagosjen e njerëzve.

Presidenti Trump i bën thirrje Kongresit t’i japë fund lotarisë amerikane

Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Kongresit që t’i japë fund programit të lotarisë amerikane. Ai i bëri komentet, pasi tha në Twitter se autori uzbek i sulmit të djeshëm në Nju Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë imigracioni të njohur si lotaria amerikane.
“Po filloj sot procesin e eliminimit të Programit të Lotarisë Amerikane. Do t’i kërkoj Kongresit që të fillojë menjëherë punën për t’i dhënë fund këtij programi, Lotaria e Diversitetit tingëllon mirë, por nuk është diçka e mirë. Nuk ka qenë diçka e mirë. Ne kemi qenë kundër”, tha zoti Trump.
Presidenti Donald Trump bëri thirrje për masa imigracioni, mbështetur në një sistem meritash, pasi shkruajti në Twitter se autori uzbek i sulmit të djeshëm në Nju Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë imigracioni të njohur si lotaria amerikane.
“Ne do t’i japim fund kësaj çmendurie”, u shpreh Presidenti, i cili ia atribuoi ekzistencën e programit të Departamentit të Shtetit për llotarinë amerikane, kreut të demokratëve në Senat, Chuck Schumer.
Senatori Schumer luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e legjislacionit për programin në vitet 1990. Ai tha të martën me anë të një deklarate, se “gjithmonë kishte besuar dhe vazhdonte të besonte se, imigracioni është diçka e mirë për Amerikën”, duke propozuar që zoti Trump të përqendrohej në një “zgjidhje reale” për financimin kundër terrorizmit.
Megjithëse zoti Trump ia atribuoi programin senatorit Schumer, kreu i pakicës në Senat ishte anëtar i një grupi dypartiak me tetë ligjvënës që në vitin 2013, hartuan një paketë Gjithpërfshirëse Reformash Imigracioni që do ta eliminonte krejtësisht lotarinë amerikane. Projekt-ligji u miratua nga Senati, por nuk u votua nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe si rezultat skadoi.
Zyrtarët thanë se, autori i sulmit është emigrant nga Uzbekistani që ka hyrë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010. Por Departamenti i Shtetit vuri në dukje se, informacioni për vizat është konfidencial sipas ligjit amerikan dhe se nuk mund të komentonte për aplikime konkrete vizash.
Presidenti Trump shkruante gjithashtu në Twitter:
“Ne po përpiqemi me të gjitha forcat për një sistem mbështetur në merita, jo më sistem lotarie demokratësh. Duhet të bëhemi shumë më të rreptë dhe të zgjuar”.
Zoti Trump ka përkrahur legjislacion që do ta reduktonte imigracionin e ligjshëm, në favor të një sistemi që do ta vinte theksin tek merita dhe aftësitë dhe jo tek lidhjet familjare.
Për ata që duan të bëhen shtetas amerikanë, por nuk kanë familjarë në Shtetet e Bashkuara, nuk gëzojnë sponsorizimin nga një punëdhënës, ose nuk janë refugjatë, viza e diversitetit, e njohur gjithashtu si lotaria e kartës së gjelbër, është alternativë e vetme. Që të kualifikohesh për të përfituar prej saj, duhet të kesh kryer të paktën shkollën e mesme, ose të kesh disa vite përvojë pune.
Para dy javësh, Departamenti i Shtetit njoftoi se të gjitha aplikimet për lotari të këtij viti, kanë humbur dhe duhet të ribëhen.
Para disa muajsh, senatorët republikanë propozuan eliminimin e programit.
Në vitin fiskal 2015, Shtetet e Bashkuara dhanë 48,097 viza për lotari amerikane nga 531,463 viza imigracioni gjithsej.

CIA publikon 470 mijë dosje nga bastisja e Bin Ladenit

CIA ka publikuar afro 470,000 dosje të sekustruara gjatë vrasjes së ish-udhëheqësit të Al Kaidës, Osama Bin Laden, në vitin 2011.
Materiali i ri përfshin ditarin e tij personal, dokumente dhe video.
Ky është publikimi i katërt nga CIA i materialeve të gjetura gjatë bastisjes së strehës së Bin Ladenit në Abotabad të Pakistanit.
Megjithatë, disa materiale nuk janë publikuar, sepse mund të dëmtojnë sigurinë kombëtare, tha Agjencia Amerikane e Inteligjencës.
Sipas deklaratës së CIA-s, dokumentet e publikuara “ofrojnë njohuri për origjinën e ndarjeve që ekzistojnë sot midis Al Kaidës dhe Shtetit Islamik (v.j. grup militant), si dhe “mosmarrëveshjet strategjike, doktrinare dhe fetare brenda Al Kaidës dhe aleatëve të saj”.

Ligji antiterror, Franca në gjendje të përhershme të jashtëzakonshme

Një ligj antiterror ka hyrë në fuqi në Francë, duke i dhënë fund gjendjes dyvjeçare të jashtëzakonshme në vend. Kritikët thonë se ligji përmban shumë elementë të gjendjes së jashtëzakonshme. E mërkura ishte dita e fundit e gjendjes së jashtëzakonshme në Francë. Ajo u vendos në këtë vend pas atentateve terroriste në Paris në nëntor 2015, që morën jetën e 139 vetëve. Tani dekreti i gjendjes së jashtëzakonshme zëvendësohet nga një ligj, që u jep autoriteteve fuqitë e nevojshme për “t’u përballur me kërcënimet terroriste, duke i respektuar të drejtat qytetare”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron shkroi në Twitter se po e mban premtimin e dhënë. “Një premtim i mbajtur: po i japim fund gjendjes së jashtëzakonshme në 1 nëntor, duke forcuar sigurinë e qytetarëve tanë”, u shpreh Macron. Pas nënshkrimit të ligjit nga Presidenti Macron, ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb tha se, “rreziku terrorist mbetet i madh”. Pas kundërshtimeve në Parlament, u vendos që gati të gjitha kompetencat e reja të ligjit të përfundojnë automatikisht në fund të 2020-ës.

Macroni me veprime të ashpra
I zgjedhur në maj të këtij viti në postin e Presidentit të Francës, Emmanuel Macroni deklaroi në fushatën e tij elektorale se dëshiron t’ shfuqizojë dispozitat e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai citoi si mbështetje një raport parlamentar që tregoi se zgjerimi i kompetencave të policisë kishte sjellë vetëm rezultate “modeste” që prej sulmeve të Parisit.
Por që kur ka ardhur në pushtet, Macroni e ka ndryshuar pozicionin, duke reflektuar, nga njëra anë presionin që ndiejnë autoritetet franceze pas sulmeve terroriste me sfond islamist, të cilat u kanë marrë jetën 239 vetëve në dy vitet e fundit. Dhe nga ana tjetër për të kundërshtuar një perceptim që ngadalë po zë vend në Francë, se Macroni është një president i dobët.
Qeveria tani deklaron se kompetencat shtesë që i janë dhënë policisë kanë ndihmuar që të parandalohen më shumë se 30 sulme. Nën gjendjen e jashtëzakonshme, janë mbyllur 11 qendra fetare “për nxitje për të kryer akte terroriste”, ndërsa 41 individë janë vënë nën arrest shtëpie, sepse ushqenin bindje ekstremiste.

Ligji kritikohet
Franca është në Perëndim një nga synimet kryesore të goditjes nga “Shteti Islamik”. 30 për qind e sulmeve të kryera ose të parandaluara në Francë kanë lidhje me këtë grup ekstremist. Këtë e bëri të ditur Qendra për Analizën e Terrorizmit me seli në Paris.
Kritikët thanë se ligji do ta mbajë vendin në një gjendje të përhershme të jashtëzakonshme. Grupe të të drejtave të njeriut, e majta radikale dhe Front National i ekstremit të djathtë argumentojnë se masat rrezikojnë që t’i bëjnë kompetencat e jashtëzakonshme pjesë të ligjeve normale. Projektligji shkaktoi një debat të fortë në Parlamentin e Francës. Kritikët thanë se do të përdoret për të persekutuar minoritetet, veçanërisht myslimanët. Dy ekspertë të OKB-së gjithashtu e kritikuan ligjin për “përcaktimet e paqarta” që përmban.

Jeta e rrezikshme e gazetarit

Të rrëmbyer, të torturuar, të vrarë: në të gjithë botën dhuna kundër gazetarëve është shtuar. Por vetëm një në dhjetë krime sqarohet. Armiqtë më të mëdhenj të gazetarëve shpesh janë shtetet ku punojnë gazetarët.
530 gazetarë të vrarë. Vetëm midis viteve 2012 dhe 2016. Këtë shifër e publikoi UNESCO në një raport paraprak për “Report World Trend in Freedom of Expression and Media Development”. Në bazë të rrjetit “Reporterë pa kufi”, në vitin 2017 kësaj shifre iu shtuan edhe 47 gazetarë të tjerë. Krahasuar me dekadat e mëparshme kemi një rritje të dukshme, “Jeta si gazetar po bëhet më e rrezikshme”, konfirmon Christian Mihr, drejtor ekzekutiv i “Reporterëve pa kufi”. Dhe vetëm një ndër dhjetë krime sqarohen. Për të tërhequr vëmendjen në këtë gjendje të rëndë, në vitin 2013 OKB-ja shpalli “Ditën ndërkombëtare kundër mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve”.
Veçanërisht të rrezikuar janë qytetarët që punojnë si gazetarë, të ashtuquajturit gazetarë qytetarë, të cilët përhapin informacione në mediet sociale si në Facebook dhe në Twitter. Ata raportojnë nga rajone dhe vende, në të cilat nuk guxojnë të shkojnë më gazetarët klasikë. Në një rezolutë të OKB-së të vitit 2014, pranohet për herë të parë roli dhe nevoja për mbrojtjen e gazetarëve qytetarë. Por megjithë rezolutat e shumta, të cilat duhet të garantojnë mbrojtjen e atyre që informojnë, numri i vrasjeve është i lartë.

Të drejtat e njeriut? Jo dhe kaq të rëndësishme
Shkak për këtë sipas Mihrit janë dukuritë e shpërbërjes në shumë shtete. “Në Afganistan, në Siri ose në Somali faktikisht pushtetin e kanë organizata, të cilat nuk ndihen të lidhura me marrëveshjet e miratuara të të drejtave të njeriut”, thotë Mihr.
Por shpërbërja e shteteve nuk është problemi më i madh, thotë Mihr. Në shumë raste shtetet vetë nuk janë fare të interesuara për sqarimin e një krimi. “Gazetarët shpesh raportojnë për gjëra, të cilat nuk u pëlqejnë anëtarëve të caktuar të qeverisë ose të administratës”. Për të gjetur një sjellje të tillë, nuk duhet të shkosh shumë larg, mjafton të shkosh deri në Maltë. Mihr-i dyshon që ekziston një interes i ndershëm shtetëror në hetimet për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.

Rrëmbime, arrestime dhe tortura
Jo vetëm numri i gazetarëve të vrarë është në rritje, në rritje është edhe numri i akteve të dhunshme. Arrestime arbitrare, rrëmbime dhe tortura janë vetëm disa nga krimet që numëron OKB-ja. Kësaj i shtohet dhuna në hapësirën digjitale përmes fushatave të nxitjes dhe sulmeve ndaj faqeve të internetit të gazetarëve jo të preferuar. Shumë ndiqen hap pas hapi me anë të përgjimit digjital. Ajo që tingëllon e padëmshme, përfundon jo rrallë në dhunë reale. “Në gjysmën e të gjitha rasteve, në të cilat Reporterët pa kufi japin ndihmë emergjente, njerëzit ndodhen në një situatë emergjente, pra janë arrestuar ose po torturohen, sepse janë përgjuar më parë në mënyrë digjitale”, thotë Mihr.
Prandaj Reporterët pa Kufi kërkojnë një të ngarkuar të posaçëm të OKB-së, sipas shembullit të të Ngarkuarit të Posaçëm për Fëmijë dhe konflikte të armatosura, të cilin e ka emëruar në vitin 1997 OKB-ja. Ky i Ngarkuar i Posaçëm mund të bënte kërkime në mënyrë të pavarur dhe të dokumentonte rastet e dhunës ndaj gazetarëve, në mënyrë që këto raste të ndiqen penalisht, thotë Mihr. Kjo ide ka shumë mbështetës, Bundestagu gjerman është Parlamenti i parë në botë që e ka kërkuar këtë vit të Ngarkuarin e Posaçëm.

Ministri britanik i Mbrojtjes jep dorëheqje

Ministri britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, dha dorëheqje pas publikimit të pretendimeve për “sjellje të pahijshme”.
Ministri Fallon shkroi në letrën e dorëheqjes dërguar kryeministres Theresa May, si “sjelljet e mëhershme … mund të kenë rënë më poshtë standardeve të kërkuara nga Forcat e Armatosura”.
Kryeministrja May e pranoi dorëheqjen të mërkurën, duke thënë se e vlerëson “mënyrën serioze” me të cilën zoti Fallon e kishte shqyrtuar pozicionin e tij.
Ngacmimet seksuale dhe pretendimet për sulme që u ngritën kundër producentit të Hollivudit, Harvey Weinstein, kanë inkurajuar gratë në disa vende që të flasin për përvojat e tyre.
Në Britani, kjo ka bërë që të shtohet numri i raporteve për ngacmime seksuale dhe abuzime në politikë. Kryeministrja May, ka thirrur një takim të udhëheqësve të partive për të diskutuar trajtimin e kësaj çështjeje.
Ministri Fallon kërkoi falje këtë javë që i kishte vënë dorën në gju gazetares Julia Hartley-Brewer, në vitin 2002, por ai nuk është hetuar për këtë incident.
Gazetarja Hartley-Brewer tha se ishte “tepër e tronditur” nga dorëheqja e ministrit Fallon dhe nuk mendon se vendimi i tij bazohej vetëm në incidentin e vitit 2002.
“Supozoj se do të dalin dyshime të tjera” tha ajo në “Sky News”. “Dyshoj shumë që kjo ka të bëjë me gjurin tim”.

Lideri suprem i Iranit: Amerika, armiku kryesor

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se SHBA-ja është armiku kryesor i Iranit dhe se Teherani nuk do të dorëzohet kurrë përballë presionit amerikan për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
“Amerika është armiku kryesor dhe i keq, në kuptimin e vërtetë të fjalës”, tha Khamenei në takim me një grup studentësh.
“Nuk do të pranojmë kurrë ngacmimin e tyre për marrëveshjen bërthamore”, shtoi ai.
Me marrëveshjen bërthamore, Irani ka kufizuar në mënyrë të konsiderueshme aktivitetet bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Në muajin tetor, Presidenti amerikan Donald Trump, ka refuzuar të çertifikojë nëse Irani është duke i përmbushur obligimet e marrëveshjes. Trump po ashtu e ka akuzuar Republikën Islamike për shkelje të “frymës” së saj.
Khamenei tha se, Trump po punon për shkatërrimin e marrëveshjes midis Iranit, SHBA-së, Rusisë, Kinës, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë.
Ai i bëri komentet përpara 4 nëntorit, përvjetorit të konfiskimit të ambasadës amerikane në Teheran, më 1979 – gjë që ka nxitur Uashingtonin të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Interi, dy alternativa për mbrojtjen në merkaton e janarit

Objektivi ishte që të riktheheshin në Champions League, por Interi i Spallettit po ecën me një ritëm të shkëlqyer, prej kampioni. Zikaltrit kanë vendosur mbrëmë rekordin historik të nisjes më të mirë të sezonit, me 29 pikë në 11 javët e para dhe ky fakt ka hapur oreksin e drejtuesve të klubit. Tani ata duken të vendosur t’i plotësojnë dëshirat Spallettit në merkaton e janarit, për të tentuar titullin që në vitin e parë. Repartet e mbrojtjes dhe mesfushës, janë ata ku trajneri i zikaltërve do të donte të kishte të tjerë futbollistë, për t’u ndjerë komod.
Sa i përket prapavijës, në stol qëndron vetëm Ranochia, që gjithsesi nuk ofron garanci dhe zikaltrit janë hedhur në sulm për të afruar mbrojtësin e Atleticos së Madridit, Jose Gimenez. Uruguajani 24-vjeçar ka prishur raportet me Simeonen dhe zikaltrit kanë identifikuar te ai, partnerin ideal të Milan Skriniar-it, në qendër të mbrojtjes. Gimenez ka një klauzolë prej 60 milionë eurosh, por zikaltrit shpresojnë për një ulje të madhe, për shkak se mbrojtësit i skadon kontrata në qershor të 2018-ës.
Në rast se nuk arrihet te uruguajani, drejtuesit e Interit po negociojnë edhe për huazimin e mbrojtësit belg Thomas Vermaelen, nga spanjollët e Barcelonës. 31-vjeçari nuk po gjen aspak hapësira te katalanasit dhe do të mirëpriste një huazim në janar, për të pasur më shumë minuta në këmbë, para botërorit ‘Rusi 2018’ .
Sa i përket mesfushës, zikaltrit nuk kanë ndërmend të shpenzojnë shumë në janar, por nga Kina mund të vijë braziliani Ramirez, i cili është pjesë e klubit Jiangsu, që ka për pronar, të njëjtin person që zotëron shumicën e aksioneve të Interit. Krahas brazilianit, nuk përjashtohet as një mundësi shkëmbimi mes Joao Marios dhe Pastores, në aksin Milano-Paris.
Borja Valero shënoi golin e parë me fanelën zikaltër, pikërisht ndaj një kundërshtari të preferuar, si Verona, të cilës i ka shënuar edhe herë të tjera. Spanjolli, thuajse 33-vjeçar u prit me skepticizëm në radhët e zikaltërve, por këmbëngulja e Spallettit, duket se është shpërblyer më së miri në këto 11 javë të para të Serisë A. Borja Valero po sillet si një lider i vërtetë në fushë dhe ndihmon shumë ekipin në qarkullimin e topit.
“E kisha kuptuar se koha ime te Fiorentina kishte përfunduar dhe po mendoja të luaja në Kinë, por telefonata e Interit më bëri të ndryshoj mendje. Zikaltrit më pyetën nëse isha gati të bëja edhe me Interin, të njëjtën gjë që bëj te Fiorentina dhe kjo gjë më bëri të ndërmarr një sfidë me veten time. Nuk kishte të bënte me pagesën, sepse nga Kina më ofruan 3 herë më tepër, por doja që të luaja për një ekip pretendent dhe Interi ishte një hap i rëndësishëm në vitet e fundit të karrierës time. Deri tani kemi bërë paraqitje të mira dhe shpresoj të ruajmë të njëjtin ritëm deri në fund të sezonit, për të kënaqur tifozërinë e mrekullueshme zikaltër”, tha Borja Valero.

Vidal nuk largohet

Arturo Vidal është objektivi i madh i Interit për merkaton e janarit, por ashtu siç dështuan gjatë verës gjasat janë që zikaltërit të dështojnë sërish për të firmosur me mesfushorin kilian. Drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamidziç ka nënvizuar se Vidal është një lojtar shumë i rëndësishëm për Bayernin dhe nuk do të largohet kurrsesi për asnjë arsye nga kampionët e Gjermanisë në merkaton e dimrit. Boshnjaku shtoi gjithashtu se trajneri i ri Jupp Heynckes e njeh shumë mirë Arturon që nga koha që drejtonte Bayer Leverkusenin dhe di si të marrë më të mirën nga mesfushori amerikano-jugor.
Robert Lewandowski pritet të jetë gati për përplasjen e të shtunës me ish-skuadrën e tij, Borussia Dortmund, për javën e 11-të të Bundesligës. I dëmtuar në fund të pjesës së parë në fitoren 2-0 me Leipzigun, ku shënoi golin e dytë, sulmuesi polak mungoi në përballjen e Championsit me Celtic, por do të jetë gati kundër verdhezinjve. Sipas trajnerit Jupp Heynckes, Lewandowski nuk po ndien dhimbje, çka e bën opitimist për ta hedhur në fushë. “Është stërvitur relativisht mirë dhe nuk ka shqetësime. Më duket sikur do të debutojë kundër Dortmundit”, tha trajneri.
Javën e kaluar Bayerni përfitoi nga humbja 4-2 e Dortmundit në fushën e Hannoverit, për t’u rrëmbyer vendin e parë “verdhezinjve”, që këtë sezon synojnë të thyejnë hegjemoninë e bavarezëve në Bundesligë.
Zëvendësimi i Robert Lewandowskit me Arturo Vidal në fund të pjesë së parë ndaj Liepzigut dha idenë e një dëmtimi serioz të sulmuesit polak, i cili sapo kishte realizuar golin e dytë të skuadrës së tij. Trajneri Jupp Heynckes vendosi ta ulte në stol menjëherë sapoi kuptoi problemin muskular që kishte lojtari më i rëndësishëm në vijën e parë të sulmit. Një masë paraprake kjo për të shmangur një dëmtim edhe më të rëndë, që mund të vinte nëse Lewandowski do të vazhdonte të qëndronte në fushë.
Heynckes qetësoi tifozët pas ndeshjes, duke u shprehur se “pret që sulmuesi të jetë i gatshëm për ndeshjen e të martës në Champions League ndaj Celtic Glasgow”. Lewandowski ka luajtur gjithmonë titullar të 10 takimet e Bundesligës, teksa ka realizaur 10 gola. Në dy raste ka sigluar dygolësh, duke mos e gjetur rrugën e rrjetës në vetëm dy sfida.
Bayern Munich synon të transferojë në “Allianz Arena” Edin Dzeko-n. Skuadra e drejtuar nga Jupp Heynckes ka shfaqur interes për sulmuesin e Romës, siç raporton “BeIN Sports”. Klubi bavarez e konsideron 31-vjeçarin si zëvendësuesin ideal të Robert Lewandowski. Bundesliga nuk është një kampionat i panjohur për Dzekon, përkundrazi, sulmuesi është aktivizuar në radhët e Wolfsburg, nga viti 2007 deri në 2011, teksa këtë sezon boshnjaku po paraqitet shumë mirë me fanellën verdhekuqe. Bayern Munich ka nevojë për një sulmues që t’i vijë në ndihmë Robert Lewandowskit dhe ta zëvendësojë në momentet që polaku do të ketë nevojë për pushim. Sipas mediave franceze, bavarezët po mendojnë për bomberin boshnjak të Romës Edin Dzeko.
Arlind RAMA

Xhixhi Bufon vë në shënjestër Leo Mesin

Gianluigi Buffon vazhdon të befasojë. Portieri i Juventus, pas ndeshjes të luajtur kundër Sporting në Champions, i është afruar akoma më shumë “top” 10-ës së futbollistëve që kanë luajtur më shumë ndeshje në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. Numri një i bardhezinjve ka shkuar në 112 ndeshje në Champions League, duke barazuar dy ish-kolegë të tij, si Thierry Henry dhe Philipp Lahm dhe duke kaluar një tjetër portier të madh, si Cech, i cili është ndalur në 111 dhe që këtë vit luan në Europa League me Arsenal-in.
Buffon, i cili do të mbushë 40 vjeç në janar, tani ka vënë në shënjestër “top” 10-ën. Në renditjen e veçantë të lojatërve me më shumë ndeshje të luajtura në Champions dominon Iker Casillas me 166 ndeshje, para Xavi-t me 151 dhe Ronaldo-s me 143. Në shënjestrën e Buffon, në vendin e 10-të, është Xabi Alonso, i tërhequr, Ibrahimoviç, afër rikthimit, dhe Mesi me 119 ndeshje. Portieri italian, para se të tërhiqet në fund të sezonit, siç ka bërë vetë të ditur, mund të ketë 9 ndeshje në dispozicion, nëse Juventus arrin në finale, që do ta lejonin të arrinte në 121 ndeshje.
10 lojtarët me më shumë ndeshje në Champions:
1.Iker Casillas: 166 ndeshje, 2. Xavi Hernandez: 151, 3. Cristiano Ronaldo: 143, 4. Raul Gonzalez: 142, 5. Ryan Giggs: 141, 6. Clarence Seedorf: 125, 7. Andres Iniesta: 126, 8. Paul Scholes: 124, 9. Roberto Carlos: 120, 10. Xabi Alonso: 119, 10. Zlatan Ibrahimoviç: 119, 10. Lionel Mesi: 119.