35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Pjaniç: Ne e dimë se si mundet Barcelona

Kriza e vogël, e përjetuar nga Juventus kundër Atalantas dhe Lazios, ishte tejkaluar në sajë të kthimit të Miralem Pjanic, i cili për “Zonjën e Vjetër” është gjithmonë e më shumë një lojtar kyç. Pas barazimit kundër Sporting Lisbonës, boshnjaku lë të kuptohet se edhe temperamenti i tij është një kontribut i veçantë. “Ne e kemi mundur tashmë Barcelonën dhe mund ta bëjmë atë përsëri, kur të vijë koha, kur ne do të luajmë në maksimum. Në fakt, ne duam të bëjmë gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit”, janë fjalët e Pjaniç për “Gazzetta dello Sport”. “Ju thoni se katër lojërat e luajtura deri më tani nuk janë justifikuese për një ekip nënkampion Europe. Unë ju siguroj se është e vështirë që të vish këtu dhe të fitosh 3 ose 4-0. Ndoshta ju nënvlerësoni kundërshtarët, sepse të dy, Olympiacos dhe Sporting, janë skuadra të mira, sidomos në aspektin mbrojtës”, përfundoi Pjaniç.

City shkëlqen, por kjo nuk mjafton për rinovimin me Guardiolën

Manchester City duket se e ka ‘përqafuar’ më së miri filozofinë e lojës së Guardiolës dhe po e tregon këtë në fushë. 9 fitore dhe 1 barazim në 10 javët e para të Premiere League-s, 35 gola të shënuar dhe vetëm 6 të pësuar, janë shifrat në këtë fillim sezoni, që bëhen edhe më të frikshme nëse shton edhe 3 fitoret në Champions League, në po kaq ndeshje.
Gjithsesi, drejtuesit e klubit anglez duket se ende nuk janë bindur që t’i ofrojnë rinovimin trajnerit katalanas. Kontrata e Guardiolës me City-n skadon në verën e 2019-ës, dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur të presin përfundimin e sezonit, për të diskutuar çështjen e rinovimit me trajnerin e tyre. Mesa duket, e ardhmja e Guardiolës do të përcaktohet vetëm nga trofetë e fituar dhe aspak nga loja e mirë dhe spektakli.

France Football: Gabriel Jésus dhe 11“përbindëshat” e rinj të futbollit

Revista franceze “France Football” e cila vlerëson çdo vit me trofeun e “Topit të Artë” lojtarin më të mirë të sezonit, ka publikuar një listë me 12 lojtarët e rinj më të mirë të panoramës europiane. Të 12 talentet e përzgjedhur kanë diçka që i dallon nga të tjerët dhe krijojnë idenë se do të jenë pikërisht ata që dominojnë skenën e së ardhmes.
Kryesohet kjo listë nga lojtarët e Manchester City-t, i cili këtë sezon duket sikur “ecën mbi ujë”. I pari është sulmuesi 20-vjeçar Gabriel Jesues, për të vijuar me shokun e tij të skuadrës Sané. Emrat e tjerë janë: Alli, de Light, Asensio, Dembelé, Mbappé, Mount, Viera, Vinicius jr, Maximiliano Romero, Donnarumma.

Gabriel Jesus: Pse zgjodha Cityn

Ishin të shumta klubet që e kërkonin, përfshi edhe Inter-in. Të gjitha kishin dalluar të ardhmen e futbollit te talenti i pastër brazilian. Por Gabriel Jesus më pas zgjodhi Manchester City-n, duke preferuar Premier League-n ndaj kampionateve të tjera të futbollit elitar europian. Përshtatja me kampionatin anglez ka qenë jashtëzakonisht mbresëlënëse: 19 prezenca, 13 gola vetëm në Premier League. Paraqitje të cilat i kanë bërë të interesuarit e tjerë të ndjejnë keqardhje. Ai që e ka zbuluar prapaskenën që e solli te City, ka qenë vetë Jesus gjatë një interviste për “Four Four Two”:
“Guardiola më mori në telefon dhe më tha se do të bëhesha pjesë e rëndësishme e projektit të tij. Kjo sigurisht më bëri të ndihesha i dëshiruar dhe ndikoi shumë në zgjedhjen time për Manchester City-n. Ishin të shumta klubet që më kërkonin, por vendosa të zgjedh Citizens. Kur mbërrita në Mançester nuk shkova as në hotel, por drejt e në fushën e stërvitjes. Ishte ora 6 e pasdites dhe Guardiola po më priste. Stërvitja ishte bërë në mëngjes, por ai ndodhej aty për mua. Në atë moment e kuptova se është një trajner i një niveli tjetër”, u shpreh Gabriel Jesus.

Simeone shënjestron yllin e Sampdorias

Diego Simeone ka hedhur sytë nga Seria A, për të përforcuar ekipin në merkaton e janarit, teksa ka piketuar yllin e Sampdorias Torreira. Sipas mediave spanjolle, Atletico Madrid ka ofruar plot 40 milionë euro për shërbimet e uruguajanit dhe duket se marrëveshja është pranë konkretizimit.
Torreira erdhi nga Pescara në vitin 2015, për 1.5 milionë euro, por edhe në këtë rast te Sampdoria po tregojnë se janë të aftë të rritin vlerat e futbollistëve. Simeone shikon te Torreira, futbollistin ideal për të luajtur në krah të Vitolos dhe Diego Costës dhe me afrimin e uruguajanit do t’i hapej rrugë edhe largimit të mundshëm të Antionne Griezman.

Dani Alves tregon prapaskenën

Dani Alves thotë se Barcelona gëzonte kur shorti e përballte me Arsenalin në Ligën e Kampionëve, gjatë kohës së tij në “Camp Nou”, sepse katalanasit i dominonin “topçinjtë”. Barcelona eliminoi skuadrën nga Premier League nga raundet e nokaut-it të konkurrencës më të rëndësishëm për klubet në Europë dy herë rresht. Skuadra e Arsene Wenger nuk fitoi dot në asnjë nga këto lojëra, pasi Barça dominonte Europën dhe Spanjën. Alves pranon se ata e pëlqenin kur viheshin kundër Arsenalit.
“E pra, patjetër që kemi pëlqyer të përballemi me Arsenalin, i tha ai ‘FourFourTwo’. Ata kishin një stil të ngjashëm të futbollit me tonin dhe kjo nganjëherë na ndihmonte për ta lehtësuar mënyrën tonë të lojës. Ne ishim tërhequr kundër tyre disa herë me një rezultat pozitiv. Ata ishin një ekip që dominonim dhe kishin një kontroll mbi topin. Sa herë që përballeshim me Arsenalin, do të kishim një rezultat të mirë apo një performancë të mirë”.
Me Lionel Messi, Xavi, Andres Iniesta dhe Dani Alves, Barcelona e Guardiolës është përshëndetur si një nga ekipet më të mira që ka ekzistuar ndonjëherë. Dhe braziliani e pranon: “Duke folur me disa ekspertë të futbollit, ata më kanë thënë se nuk kishin parë një ekip tjetër aq të pabesueshëm sa Barcelona. Ne përfaqësuam përcaktimin e një loje kolektive; hanim, pinim dhe frymëzoheshim sikur të fitonim Ligën e Kampionëve. Fitoret ishin shpërblime për të gjitha përpjekjet tona”. Alves fitoi gjashtë tituj të ligës spanjolle dhe tri kurora të Ligës së Kampionëve gjatë kohës së tij te Barça, përpara se të transferohej te Juventusi dhe PSG.

Shënjestrohet Zidane

Nga humbja në La Liga tek ajo në Ligën e Kampioneve. Nga tetë pikët e disavantazhit ndaj Barcelona-s kryesuese në Spanjë tek klasifikimi europian që nuk shqetëson në aspektin e kualifikimit, por shikon gjithsesi përpara Tottenham-in. Një tablo që flet për një fillim sezoni të keq për kampionët e Spanjës dhe Europës. Aq të keq sa vetë Cristiano Ronaldo, autori i golit të vetëm të shënuar në humbjen 3-1 ndaj Spurs-ave në “Wembley”, nuk e ka fshehur pakënaqësinë e madje ka ngritur akuza konkrete. “Të gjithë lojtarët që janë larguar, na bënin më të fortë. Nuk është një justifikim, por elemente si Pepe, James dhe Morata na bënin më të fortë. Të rinjtë janë e ardhmja jonë, por nuk kanë eksperiencën e duhur. Është një periudhë negative, por jam i sigurt se do të bëjmë kthesë. Nuk është momenti që do të dëshironim, por futbolli ndryshon. Kemi kohë të mjaftueshme për t’u përmirësuar. I shqetësuar? Llogaritë bëhen në fund”, tha Ronaldo.
Fjalët e portugezit janë një gisht i drejtuar ndaj trajnerit Zinedine Zidane, i cili ka përfunduar në shënjestër të kritikave të medias spanjolle.
Zinedine Zidane analizoi pas ndeshjes me Tottenham humbjen e skuadrës së tij në “Wembley”: “Pozicioni në grup? Duhet të mendoni që, kur jemi tri pikë larg vendit të dytë, ne do të mendojmë për ndeshjen e fundit. Loja e ekipit? Unë nuk mendoj se kemi qenë të humbur, ndoshta kemi nevojë për qetësi. Ne e përgëzojmë kundërshtarin dhe vetë duhet të reflektojmë. Nga humbja, pa diskutim, të gjithë jemi shumë të zhgënjyer. Shkaqet e humbjes? Ndoshta jo të gjithë janë në të njëjtin nivel, këto gjëra ndodhin në futboll. Kur ju humbisni dy ndeshje, nuk mund të jeni në më të mirën psikologjikisht. Kemi tre ose katër ditë për të pushuar dhe pastaj të rikthehemi te fitorja. Analiza që bëj është që ne humbëm kundër më të mirëve sot. Megjithatë, nuk jemi në krizë.
Ju gjithmonë më pyesni nëse jam i shqetësuar. Jo, sepse do ta tregojmë veten gjatë gjithë edicionit. Analiza është se ne luajtëm ndaj një ekipi më të mirë, ndaj duhet ta pranojmë këtë. Nuk kemi bërë një ndeshje të keqe. Kishim shanse të shënonim, por siç po ndodh kohët e fundit, nuk e kemi gjetur golin më tepër se një herë. Nuk mund të themi se nuk jemi në nivelin fizik të duhur. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të gjejmë golin, që po na mungon kohët e fundit. Dy humbje radhazi nuk janë pak, por unë kam një ekip me përvojë. Lojtarët e Real Madridit janë kampionë. Kjo situatë do të ndryshojë. Tottenham? Çdo ekip mund ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe Tottenham është një prej tyre”, përfundoi Zidane.
Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, nuk ka dyshim se skuadra e tij do ta kthejë sezonin në favor të tij pas humbjes 3-1 ndaj Tottenhamit, në Ligën e Kampionëve. Kampionët e La Liga-s pësuan “back-to-back” për herë të parë që nga janari. Cristiano Ronaldo shënoi një gol ngushëllimi për Real Madridin, i cili është tetë pikë prapa rivalëve dhe udhëheqësve të La Liga-s, Barcelona, pas humbjes 2-1 në Girona, të dielën. Por Ramos këmbëngul që skuadra e Zinedine Zidane, e cila është e dyta në Grupin H të Champions-it, do të rikthehet.
“Ne e kuptojmë që tifozët mund të zhgënjehen pas rezultateve të fundit, por Real Madridi gjithmonë lufton. Dhe nëse dikush mendon se jemi dorëzuar, e ka gabim”, tha mbrojtësi i Spanjës për gazetarët. Nga përvoja ime te Real Madridi, kur humb disa lojëra, njerëzit fillojnë të flasin për një krizë. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të jemi të bashkuar. Jemi gjallë në garën tonë të preferuar, Ligën e Kampionëve. Ne duhet të qëndrojmë të qetë, të mbetemi të bashkuar dhe të bindur se Real Madridi do të kthehet shumë shpejt”, tha Ramos.

De Rossi: Kemi avancuar shumë me Di Francescon

Kapiteni i Romës, Daniele de Rossi “ngre në qiell” trajnerin aktual të verdhekuqve, Eusebio di Francesco. Mesfushori evidenton përmirësimin e dukshëm të skuadrës në krahasim me vitet e kaluara, sidomos në aspektin psikologjik dhe të mentalitetit. “Me Di Francescon jemi përmirësuar shumë, veçanërisht për mënyrën se si sillemi në fushë. Tani nuk kemi më frikë dhe përballemi si të barabartë me çdo kundërshtar. Ia kemi dalë të zhvillojmë ndeshje shumë të mira dhe me shumë agresivitet. Besoj se këtë vit jemi në rrugën e duhur për të fituar trofe”, tha De Rossi.
Në këtë fillim sezoni, Di Francesco ka bindur të gjithë skeptikët, se është i aftë mjaftueshëm për të drejtuar skuadrën e Romës. Pas ndeshjes me Chelsea-n, trajneri shijoi edhe ndjesën e tifozëve për dyshimet e hedhura mbi të.
Ndërkohë, Manchester City ka fituar 4-2 në Napoli, duke siguruar kualifikimin për në raundin e ardhshëm të Champions League, 180 minuta para fundit të fazës me grupe. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola i ka fituar të katër ndeshjet e luajtura në Grupin F. Napoli kaloi i pari në avantazh me anë të Lorenzo Insigne, por pjesa e parë u mbyll 1-1, pasi miqtë barazuan me goditjen me kokë të Nicolas Otamendi. Në minutën e tretë të pjesës së dytë, City goditi sërish në të njëjtën mënyrë, teksa John Stones shënoi me kokë gjatë një goditje nga këndi.

Wenger i fiksuar pas mesfushorit të Napolit

Arsene Wenger nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pankina e Arsenalit dhe madje ka filluar të mendojë për përforcimin e skuadrës. Krahas Thomas Lemar, që është në krye të listës së dëshirave, një emër nga kampionati italian ka tërhequr vëmendjen e trajnerit francez të Arsenalit.
Bëhet fjalë për mesfushorin italo-brazilian të Napolit, Jorginho, që prej 3 sezonesh ka “gjetur parajsën” me Sarrin dhe po shkëlqen. Mesfushori i të kaltërve ka mesataren më të lartë të pasimeve për ndeshje, në këto javë të para, 92.8% e të cilave kanë qenë të sakta. Ende nuk dihet oferta e Wengerit, për 25-vjeçarin, por italianët vështirë se do të pranonin të hiqnin dorë nga Jorginho, pavarësisht shumës.

Torres gati të lërë Madridin

Fernando Torres duket se ka bërë valixhet gati për t’u larguar nga Atletico Madrid, që në muajin janar. Sulmuesi spanjoll rinovoi këtë verë kontratën e re, me vlefshmëri deri verën e ardhshme, por duket se do të lërë më herët kryeqytetin spanjoll.
33-vjeçari po luan gjithnjë e më pak në formacionin e Simeones dhe në janar, me ardhjen e Diego Costës, pritet që t’i mbyllen edhe më shumë hapësirat. Për këtë arsye Torres ka vendosur të vlerësojë ofertat e ardhura nga Kina dhe MLS-ja amerikane, si mundësi të mira për të nënshkruar ndonjë kontratë të majme, para se t’i japë lamtumirën futbollit.