30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Radio amerikane reportazh për kanabisin në Shqipëri: ‘Peshkut të madh’ askush nuk i afrohet

Radio publike amerikane ka realizuar një reportazh mbi kultivimin e drogës në Shqipëri. Gazetari Nate Tabak, ka marrë pjesë në një aksion policor antidrogë në Krujë, por teksa efektivët e policisë kanë gjetur dhe djegur një parcelë hashashi, nuk kanë arritur që ta përfundojnë aksionin. Zero të arrestuar!
Eltoni është oficeri përgjegjës i aksionit, por gazetari amerikan Tabak nuk e shkruan identitetin e tij të plotë.
“Adoleshentët, ata pinë shumë”, thotë Eltoni, i cili kërkoi që emri i tij të mbetej anonim për arsye sigurie. Ai pushon për një çast dhe fillon të më tregojë për një mik që ka pirë duhan në shkollë të mesme dhe më vonë filloi të përdorte heroinën. Ai u bë i varur nga droga dhe vdiq nga një mbidozë. “Është shumë e dhimbshme për mua, sepse ai ishte një djalë me të vërtetë i mirë”.
Një “xhiro” drejt një shtëpie të bukur pranë fushës ku u gjet droga nuk nxori në dritë asgjë, vijon më tej në reportazhin e tij gazetari. E kësisoj, në kthim, policia përballet me një surprizë të pakëndshme.
Një grup të rinjsh, të ulur pranë një kafeneje pranë zonës ku policia shkatërroi parcelën, ndalon makinat dhe uniformat blu me të bërtitura.
Ngjarjet zhvillohen në fshatin Noje të Krujës. Njëri nga të rinjtë i thotë policëve që tashmë kanë dalë nga makinat, se me këto aksione po i shkatërrojnë.
“Ne jemi vetëm fshatarë”, shton njëri nga djemtë e tjerë.
“Shkoni në Tepelenë, një qytet në Jug, atje ku qeveria akuzohet se mbron rritësit e hashashit”, thonë njëzëri të rinjtë e fshatit.
Por pas një tensioni në rritje që dukej se do të shpërthente, gjithçka mbaron. Policia shkon nëpër makina. Djemtë e “guximshëm” sërish në kafene.
Gazetari shkruan pak fjalë për oficerin, Eltonin. Ai tregon se Eltonit nuk i intereson aspak debati që është në vëmendje të të gjithëve (Saimir Tahiri dhe Habilajt).
“Ky takim me fshatarët i la banorët të frikësuar, por Eltoni nuk iu afrua zbulimit të ‘peshkut të madh”, e ka mbyllur reportazhin gazetari.

 

Prokuroria “ultimatum” Ministrisë: Të përkthehet dosja “Habilaj” deri të premten

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka lënë afat Ministrisë së Drejtësisë deri këtë të premte për të mbyllur përkthimin e dosjes “Habilaj” dhe për ta dorëzuar në funksion të hetimeve të nisura.
1800 fletët e fashikullit hetimor të një grupi kriminal që ishte përfshirë në trafik kanabisi, janë përcjellë përmes një letërporosie nga drejtësia italiane në datën 19 tetor.
Ndërkohë që vetëm pasi ky material t’i jepet në shqip akuzës, grupi i hetimit do të vendosë se kur do ta thërrasë për ta pyetur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili më herët ka dalë para prokurorëve me kërkesë të tij. Prokurorët presin përkthimin urgjent të dosjes edhe për një arsye tjetër që ka lidhje me vendimin e arrestit me afat 20 ditor për një tjetër të kërkuar nga drejtësia italiane, shtetasin Nazer Seiti për ekstradimin e të cilit gjithashtu janë lënë 20 ditë kohë.
Megjithatë siç është shprehur avokati i tij mbrojtës, Seiti preferon më tepër t’i dorëzohet Italisë sesa të gjykohet në Shqipëri. Ndërsa ngjan se prokurorët janë në pritje të përkthimit për veprimet e mëtejshme, për te zbardhur dosjen “Habilaj” dhe për të hedhur dritë mbi dyshimet, grupi i prokurorëve ka sekuestruar librin e takimeve nga viti 2013 deri në 2017.
Bëhet fjalë për periudhën kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri, të cilit do t’i rishikohen në lupë edhe emrat e personave që ka pritur në zyrë. Ky veprim hetimor po kryhet për të verifikuar përgjimet e italianëve të njërit prej të dyshuarve në grup, shtetasit Florian Habilaj.
I njohuri ndryshe si “Lolo”, ai tregon se do shkojë në Tiranë të takojë shefin e madh. Në funksion të këtyre hetimeve u janë kërkuar gjithashtu kompanive celulare që të dorëzojnë komunikimet telefonike të ish-ministrit të Brendshëm dhe të tre vëllezërve Habilaj si edhe qelizat e telefonave të tyre.

 

Shefi i Komisariatit Shkodër, korrupsion dhe gjobvënie deri në 2000 euro

Shefi i Komisariatit të Policisë së Shkodrës vendos gjoba nga 1500 deri në 2000 euro për çdo qytetar që bën ndërtim pa leje për të mos e shembur atë. Denoncimi është bërë nga një oficer policie në Komisariatin e Shkodrës, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Oficeri shkruan se, shefi i Komisariatit Hamdi Shullani bashkëpunon me drejtorin e INUK në Shkodër, i cili është vëllai i Arben Ndokës për vendosjen e gjobave.
“Korrupsion dhe gjobvënie nga shefi i Komisariatit të Shkodrës, INUK dhe çunat e krimit, vartësit e tij! Lexoni mesazhin e oficerit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Mirdita doktor. Të lutem më mbaj emrin anonim. Unë që po të shkruaj jam një oficer policie në Drejtorinë e Qarkut Shkodër. Dua të denoncoj një korrupsion që ka përfshirë Komisariatin e Policisë Shkodër me në krye shefin e Komisariatit, Hamdi Shullanin si dhe shoferin e tij sekser Gjergj Gjeloshi. Shoferi i tij, Gjergji me urdhër të Hamdiut kanë vendosur taksën e banesave për çdo ndërtim pa leje dhe shtesa që bëhet në Shkodër ka pjesë shefi i Komisariatit.
Shuma që paguajnë çdo shtetas që do të ndërtojë pa leje dhe i pa shqetësuar nga askush varion nga 1500 euro me mik deri 2000 euro pa mik. Këto shuma i merr sekseri i tij që e mban si shofer inspektori Gjergj Gjeloshi. Ka dhe hisen e vet po kështu dhe drejtori i INUK në Shkodër, vëllai i Arben Ndokës, Sandër Ndoka, i cili ka të dy djemtë e vet në kërkim për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim.
Nipi i tij, Damiani i kapur para 4 ditësh nga RENEA është i dënuar po ashtu për të njëjtën vepër penale si djemtë e Sandrit. Janë me dhjetëra banesa dhe shtesa, duke u ndërtuar dhe janë ndërtuar kohët e fundit në zonën e Rrethinave, Shkodër. Gjithashtu po të njëjtët persona kanë përqindje tek IFA-t me drunj që ulen nga zonat malore, Dukagjini. Çdo IFE që ulet me drunj dhe pa dokumenta paguan 100 euro tek shoferi i shefit të Komisariatit. Që të jetë i sigurtë në transportin e drunjve dhe i pa prekshëm. Me respekt zoti Sali Berisha”, shkruan oficeri i Policisë.

A do të arrestohet Zonja-Narcos?

Si dhe sa u pagua ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli që të lejonte trafikun e drogës, duke mashtruar për radarët detarë? Po Jeronim Baze? – Kjo është pyetja që ka ngritur sot, ish-Kryeministri Sali Berisha në denoncimin e tij më të fundit, duke marrë shkas nga mesazhi që përcjell prej vetë qytetarëve.
Ish-ministrja e Mbrojtjes është e dokumentuar në shkelje të hapur të sigurisë kombëyare të vendit duke vendosur infrastrukturën e suhtrisë në shrëbim të narko-trafikut. Ndonëse i gjithë hetimi është përqëndruar për momentin tek Tahiri dhe Habilajt si mekanzimi kryesor i trafikut , truri ishte kreu i qeverisë që përfitonte 20 milionë dollarët për të blerë votat në një fushatë elektorale, ndërsa Mimi ishte prapavija e mbështetjes së trafikut me ushtrinë.
Mimi Kodheli mund të konsiderohet Zonja-Narcos dhe është kapur në flagrancë me skandalin e radarëve, ndërsa përgjegjësia e saj është edhe përballë aleatëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Ish-Kryeministri Berisha ka postuar dje disa fakte skandaloze nga “qytetari dixhital” mbi rolin e Zonjës-Narco në trafikun e drogës.
Si mashtronin publikun për gjendjen e radarëve, Kodheli dhe ish-Shefi i Shtabit të Ushtrisë, mbi gjendjen e punës së radarëve, sikur të ishte e paguar nga narkobandat! “Kjo deklarate mashtruese dëshmon se në narko-shtetin e Noriegës, narko-bandat e partisë diktojnë edhe deklarata që lexojnë para mediave narko-ministrat”, thotë Berisha.
“I bëj thirrje Prokurorisë të nisë me përparësi hetimet për bashkëpunimin e Kodhelit-Baze me Saimir Tahirin dhe narko-bandat e qeverisë si dhe rolin e Noriegës në koordinimin e këtij bashkëpunimi”, bën apel në vijim, ish-Kryeministri i vendit në shënimin e tij në Fb teksa publikon mesazhin e plotë ardhur nga qytetari:

Afera me tenderin dhe fikjen e radarëve

Deklarimi i ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli para mediave më datën 19 shkurt 2014, gjatë vizitës në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) në Plepa, Durrës, me rastin e ngritjes së kapaciteteve të vëzhgimit të hapësirës detare, e cila shoqërohej edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Jeronim Bazo dhe Seks-eristi Kraja për “vendosjen në funksion të plotë pune të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare – SIVHD-së”, nuk ishte i vërtetë, sepse deri në atë datë ishin vendosur në gatishmëri pune vetëm 3 nga 7 radarë të sistemit.
Ky deklarim ishte një mashtrim spektakolar dhe shumë i guximshëm, veçanërisht përpara përfaqësuesve ndërkombëtarë, që monitorojnë këtë qendër, mashtrim i cila ka vazhduar edhe në sallën e Parlamentit shqiptar (ministrja Kodheli ka deklaruar që janë vendosur në muajin janar 2014).
Kushtet dhe faktorët që detyruan ministren të pranojë këtë llojë deklarimi jo të vërtetë, kanë qenë tepër dominues, imponues, detyrues ndaj/nga firma IDEA-TEL Sh.p.k. Firma (sepse kish marrë 20% esi “dhuratë për Krishtlindjet) duhet ta kishte realizuar kontratën për vendosjen në gatishmëri pune të sistemit deri në 15 shkurt 2014, kontratë e cila u zgjat edhe me 45 ditë të tjera edhe me një shtesë kontrate 20% tjetër (sepse Mrika u ëmbëlsu shumë nga hera e parë).
Njëkohësisht ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mashtroi gjithashtu me deklarimet si për kohën e mosfunksionimit të sistemit (sipas deklarimit të saj: “jofunksional prej mëse 3 vjetësh”- pra prej vitit 2011), sikurse “mashtron çdo herë për Radarët), sikurse edhe për kostot financiare për riparimin e sistemit. (Referuar deklarimit të saj: gjysmën e fondit të parashikuar nga qeveria e mëparshme).
Sistemi i radarëve ka patur defektim të dy radarëve gjatë vitit 2012, deri në muajin maj të vitit 2013, ka patur në gjendje pune pjesërisht katër radarë dhe prej shtatorit 2013 vetëm dy radarë në gjendje pune, por kur sistemi nuk ka qenë jashtë funksionit, pasi funksiononin nënsisteme dhe mjete të tjera evidentimi-zbulimi në hapësirën detare shqiptare”.

Si i kontrollonin radarët bandat e drogës

Përgjimet e drejtësisë italiane në dosjen e Habiljave kanë zbardhur një zinxhir ngjarjesh që faktojnë se si gjithë qeveria Rama me urdhër të këtij të fundit u shndërrua prej katër vitesh në urën kryesore të trafikut të drogës në Shqipëri. Skandali mbi mosfunksionimin e radarëve dhe mbajtjen fikur të tyre që nga viti 2013, periudhë që përkon dhe me nisjen e përgjimeve të autoriteteve italiane mbi çështjen Habilaj, zbardh se si Ministria e Brendshme bashkëpunonte me Ministrinë e Mbrojtjes në lehtësimin e trafikut të drogës drejt Italisë.
Faktet dhe provat janë të qarta dhe të pakundërshtueshme, ndërsa dëshmohen nga vet përgjimet e Habilajve. Nëse kishte mbetur edhe një hallkë pa u zbardhur mbi çështjen e bujshme të skandalit të mbajtjes së radarëve, fikur ishin vetëm emrat e personave që kishin lidhje dhe interesa në nxjerrjen e këtyre radarëve jashtë funksionit.
Edhe këtë pikë, është Moisi Habilaj që e sqaron në përgjimet e drejtësisë italiane. Në bisedat e interceptuara nga autoritetet italiane, Habilaj konfirmon se ai dhe banda e tij zotëron tërësisht nën kontroll sallën e radarëve në Durrës. Ky i fundit dihet tashmë që është shndërruar prej katër vitesh në portën kryesore të drogës nga Shqipëria drejt Europës.
Zbardhen të tjera detaje nga dosja e trafikantit të drogës, Moisi Habilaj, i arrestuar në Itali tre ditë më parë. Nga përgjimet e realizuara nga policia italiane, rezulton se, Habilaj kontrollonte radarët e ushtrisë në Durrës. Këtë, ai e kryente përmes një personi të tij të angazhuar pranë shërbimit të radarëve, i cili i jepte direktiva. Gjithashtu, në një moment tjetër, Habilaj i tregon trafikantëve italianë se ai ka në dorë edhe punonjësit e policisë. “Kam njeriun tim në sallën e radarëve”, i drejtohet Habilaj trafikantëve të tjera.

Hetimet ndaj Habilajve nisën pas zëvendësimit të Tahirit nga Xhafa

Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se, hetimet ndaj grupit kriminal të Habilajve kanë nisur një muaj pasi Tahiri është zëvendësuar nga Rama në Ministrinë e Brendshme nga Fatmir Xhafa. Procedimi penal ndaj Habilajve është regjistruar me 29 prill 2017. Ka patur një përplasje të fortë mes grupeve kriminale në qeveri. Tahiri ishte koka e bandës së Habilajve, ndërsa Xhafa është në anën e të vëllait të tij, Agron Xhafa, i cili është një grup rival me Habilajt në Vlorë për kontrollin e trafikut të drogës.
Mes Habilajve dhe grupit të Xhafës ka pasur një përplasje të fortë në fillim të mandatit qeverisës të PS dhe kjo dëshmohet edhe nga përgjimet e Antimafias italiane, ku Habilajt takohen në ministri me Tahirin dhe marrin udhëzimet se si duhet të sillen në lidhje me grupin e Xhafës. Edhe komunikimi mes Tahirit dhe Xhafës është jo vetëm inekzistent, por në pozita konflikti. I pyetur nëse kishte komunikuar me ministrin Xhafa, Tahiri u përgjigj ftohtë dhe prerë një javë më parë; “Jo nuk kam asnjë kontakt”.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se: “Në datë 29 prill 2017 Prokuroria regjistroi procedimin penal me nr.164 për veprën penale të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim, mbi bazën e informacioneve referuese të shërbimeve të Policisë Gjyqësore të seksionit kundër narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Sipas këtyre informacioneve rezulton se, Nezar Seitaj, Moisi Habilaj, Florjan Habilaj dhe shtetasi M.M. ushtronin aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”.

A u takua Habilaj me Tahirin në ministri

Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë sekuestruar në fundjavë librin e hyrje-daljeve në Ministrinë e Brendshme. Bëhet e ditur se, ky veprim hetimor është kryer, duke marrë shtysë nga një bisedë e përgjuar mes dy vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj, ku ky i fundit i thotë se kishte shkuar në Tiranë dhe kishte takuar shefin e madh.
Prokuroria dyshon se, “shefi i madh” për të cilin flasin vëllezërit Habilaj në përgjimet e Antimafias së Katanias është pikërisht kushëriri i tyre, me të cilin kishte lidhje të ngushta: i kishin blerë makinën, ia kishin dhënë disa herë kur e kishte kërkuar përsëri, e mbanin me emrin e tij dhe targat që kishte përdorur ministri i Brendshëm, përdornin emrin e tij kur kalonin në pikat kuftare dhe nëpër postbolloqe…
Provat që kërkohen, thotë një burim nga organi i akuzës, janë mbi një takim që mund të jetë zhvilluar mes ministrit të Brendshëm dhe Florian Habilajt në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”. Edhe në përgjime Florian e Moisi Habilaj përmendin lojërat e fatit, që ishin qëllimi i këtij operacioni.
Prokuroria dyshon se, takimi mund të jetë zhvilluar në zyrën e ministrit. Për këtë arsye, ajo ka sekuestruar në fundjavë librin e hyrje-daljeve pranë Ministrisë së Brendshme. Sipas rregullave, çdo person që hyn në këtë dikaster, duhet të lërë në hyrje kartën e identitetit, ndërsa emri i shënohet në regjistër.
Prokurorët shpresojnë tek ndonjë pakujdesi e Tahirit. Ai kishte pritur në zyrën e tij edhe një person që i kishte rrëfyer se ishte vrasës me pagesë, si Durim Bami. Dhe takimi me Florian Habilajn, i njohur si “Lolo” nuk përjashtohet që të ketë ndodhur po në zyrën e ministrit të Brendshëm.

Përgjimet, ja çfarë thonë vëllezërit Habilaj për shefin e madh

Florian Habilaj: Më kërkoi shefi i madh në Tiranë.
Moisi Habilaj: Çfarë donte shefi?
Florian Habilaj: Asgjë, për situatën.
Moisi Habilaj: Ah … a i fole me ti.
Florian Habilaj: Po, më priti në orën 11:30, edhe taksinë ma pagoi.
Moisi Habilaj: Çfarë tha.
Florian Habilaj: Më tha, ‘kush janë këto … çfarë kanë … si janë punët’ … e unë i thashë ‘kështu e kështu’.
Moisi Habilaj: Atëherë…
Florian Habilaj: Më tha ‘mos u shqetëso, mos u mërzitni … është çështje orësh.
Moisi Habilaj: Ah, mirë, ti duhej t’i thoje që ne nuk kemi faj, këtë duhej t’i thoje.
Florian Habilaj: Por unë i thashë që ne … për asgjë. E ai më tha që ‘ata e kanë bërë qëllimisht që unë t’i merrja në telefon’.
Moisi Habilaj: Edhe ne e kemi kuptuar. Ja pse nuk e shqetësuam (shefin).
Florian Habilaj: Edhe ne e kemi mësuar … dhe më tha…I mora në telefon dhe u thashë: ‘Nuk duhet të përfshiheni në lojëra, në çështje të fatit’.

Prokuroria, verifikim numrave të telefonave të Habilajve

Prokuroria e Krimeve të Rënda që po heton dosjen “Habilaj”, ku i përfshirë është edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, po verifikon të gjithë numrat e telefonave të Habilajve. Bëhet e ditur se, në fokus të punës së grupit hetimor janë numrat e telefonit që kanë qenë në përdorim të Moisi, Artan dhe Florian Habilaj. Është kërkuar nga kompanitë e telefonisë celulare tabulatet dhe qelizat e tyre, për të përcaktuar vendin ku ata kanë qenë në kohë të ndryshme.
Oficerët janë të fokusuar tek një përgjim që është kryer ndaj Florian Habilajt, i njohur ndryshe si ‘Lolo’. Sipas përgjimit ai ishte nisur në Tiranë për të takuar shefin e madh. Pikërisht mbi këtë përgjim, hetuesit kërkojnë të zbardhin lëvizjet që ka kryer Florian Habilaj atë ditë në Tiranë. Ndërsa në fundjavë, prokurorja e kësaj çështje Elisabeta Imeraj ka qenë në Itali për llogari të kësaj çështjeje.
Por Krimet e Rënda nuk japin asnjë detaj se çfarë është diskutuar me Prokurorinë e Katanias, e cila përgjoi për katër vite grupin e Habiljave. Grupi hetimor ka kërkuar të sekuestrojë nga Ministria e Brendshme librin e hyrje-daljeve në këtë institucion në kohën, kur në krye të tij ka qenë Saimir Tahiri.

Përgjimet italiane, mashtrimi i Tahirit! Shoferi i kamionit quhet Melo, jo Saimir

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi pak ditë më parë se në përgjimet e Habilajve nga Prokuroria e Katanias nuk është përmendur emri i tij. Tahiri tha se, Saimiri që përmendet nga Habilajt në përgjime është shoferi i kamionit. Gazetarja Alba Kepi në një lidhje telefonike nga Italia me analistin Artur Zheji në “Ora News”, sqaroi pretendimin e ish-ministrit Saimir Tahiri në lidhje me emrin e shoferit të kamionit. Kepi tha se, shoferi i kamionit quhet Melo dhe jo Saimir. “Në të vërtetë, shoferi i kamionit quhet Melo. Është ai që merrte sasinë e parave. Nuk ka një Saimir shofer kamioni. Paratë i transportonte në momentin kur grupi nisej nga Italia drejt Shqipërisë. Këto para i merrte personi Melo, i cili i sillte me kamion në Shqipëri. Habilajt nuk kishin para gjatë rrugës”, u shpreh Kepi.
Gazetarja Kepi tha më tej se, në dosjen e Prokurorisë së Katanias makina tip “Audi” që përdornin Habilajt cilësohet që është e ministrit të Brendshëm, Saimir Bashkim Tahiri. “Pozicioni i Moisi Habilajt është një nga më të rëndit në këtë hetim. Nuk janë vetëm përgjime ambientale, por edhe telefonike. Përgjimet janë bërë edhe në makina, por çuditërisht në ato materiale që kam kaluar nuk ka asnjë përgjim në “Audi”-n e ish-ministrit Tahiri. Kjo mbase se hetuesit italianë nuk kanë arritur të bëjnë përgjime në këtë makinë. Pse mbrohej nga imuniteti ose ka qenë e pamundur. Në këto materiale, cilësohet që kjo makinë është e ministrit të Brendshëm, Saimir Bashkim Tahiri”, u shpreh gazetarja Alba Kepi.
Emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë nga përgjimet ambientale të Policisë Italiane, e cila ka vënë në pranga rrjetin e bandës së “Habilajve” nga Vlora. Moisi Habilaj është kushëriri i Saimir Tahirit, i cili ka përdorur makinën e ministrit të Brendshëm të asaj kohe për të kaluar në Itali, makina “Audi Q8”, AA 003 GB, e cila u denoncua nga opozita.
Në dokumentin prej rreth 400 faqesh të Prokurorisë së Catanias, janë publikuar mesazhe të personave të arrestuar dhe përgjimet ambientale, të cilat janë bërë kryesisht kur kanë qenë në makinat e tyre. Emri i Saimir Tahirit ka dalë në përgjimin ambiental të 16.12.2013, në makinën e Moisi Habilajt dhe ortakut të tij, Sabaudin Çelaj, i njohur me nofkën “Sabi”.
Në këtë përgjim theksohet se Tahiri bën në muaj rreth 5 milionë euro fitim nga paratë që merr nga organizata e tyre. Habilaj, në bisedë, duket se rivalizon me Saimir Tahirin, për faktin se ai merr më shumë para se ata që bëjnë punën, por ortaku i tij, Sabaudin Çelaj, thekson se Tahiri do t’i humbë të gjithë ato para në fushatë elektorale. Ndërkohë që në një përgjim të dytë, Moisi Habilaj ka deklaruar se i ka blerë bashkëshortes së Saimir Tahirit një byzylyk që kushton mbi 4000 euro.
Ata sigurohen që emri i Tahirit të mos dalë te bashkëpunëtorët e tjerë, madje faktin që i kanë dhënë para ministrit, nuk duhet ta marrë vesh as nipi. Ndërkohë, që në një përgjim tjetër, Moisi Habilaj ka bërë llogaritë dhe ka thënë se 30 mijë euro për ngarkesën ia ka detyrim direkt Saimir Tahirit. Ndërsa në një përgjim Moisi Habilaj bën llogaritë që, Saimiri, në një muaj, fiton minimumi 5 milionë euro. Prokuroria Italiane, në materialin voluminoz, ka sqaruar në disa raste se Saimir Tahiri është ministri i Brendshëm i Shqipërisë, njëri me influencë në politikë.

Arrestimi “sekret” i financierit të bandës së Habilajve

Frika e dekonspirimit nga autoritetet policore shqiptare të operacionit për prangosjen e Nezar Seitit si anëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, solli në Shqipëri vetë oficerët e Policisë Gjyqësore të Katanias për të dorëzuar urdhër-ndalimet ditën e arrestimit të tij në Vlorë. Seiti konsiderohet nga Prokuroria e Katanias si personi, i cili kujdesej për financat e anëtarëve të bandës së Habilajve.
Edhe në komunikatën e bërë publike nga organi i akuzës së Katanias, thuhet zyrtarisht se, matarialet hetimore në ngarkim të 11 shtetasve të implikuar në Itali në rrjetin e narkotrafikut, u dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo shmangie e policisë, për arrestimin e Nezar Seitit, lidhet me frikën e rrjedhjes së informacioneve të klasifikuara nga zyrat e Interpolit shqiptar.
Ky është rasti i dytë që policia shmanget në mënyrë të drejtpërdrejtë nga operacionet, duke mos u njoftuar për arrestimin e personave të konsideruar të rrezikshëm nga vendet anëtare të BE-së. E njëjta mënyrë u përdor edhe me dosjen sekrete të mbërritur nga Belgjika për Mark Frrokun. Oficerët belgë nuk njoftuan Policinë e Shtetit, ose nuk dërguan letër-porosi në Ministrinë e Drejtësisë siç procedohet në shumicën e rasteve të personave me rekorde kriminale, por i dërguan ato dorazi në Prokurorinë e Përgjithshme.
Për 40-vjeçarin Seiti dhe për pjesën tjetër të grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, materialet në vendin tonë kanë mbërritur me dy “CD”, brenda të cilave ndodheshin rreth 1800 faqe materiale nga hetimi i çështjes. Të martën janë paraqitur në Gjykatën e Katanias për rivlerësim të masës së sigurisë pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, që u vunë në pranga në mes të muajit tetor. Ende nuk ka një vendim të trupit gjykues në Katania, nëse do të lërë fuqi arrestin me burg për të akuzuarit për trafik ndërkombëtar droge apo do të caktojë një masë më të lehtë.

Provat që fundosën mikun e “Habilajve”

Prokuroria për Krime të Rënda po hetonte prej muajit maj të 2016, një grup kriminal të drejtuar nga Taulant Haxhiraj, që dyshohej për bashkëpunim me Habilajt. Në dosje thuhet se anëtarët e grupit kriminal në fjalë, pasi kishin siguruar sipërfaqe toke në pyll apo kullota, në pronësi të shtetit ose të personave privatë, kultivonin në to bimë narkotike në sasi nga 4500 deri në 5000 rrënjë për secilën parcelë.
Sipas Prokurorisë, grupi kriminal kishte vendosur lidhje me punonjës të Policisë Vendore, të cilët kundrejt përfitimeve monetare u siguronin mbarëvajtjen e aktivitetit të paligjshëm. Zyrtarët e policisë jo vetëm nuk raportonin për vendndodhjen e parcelave, por informonin pjesëtarët e grupit kriminal për lëvizjet që bëheshin nga Drejtoria Vendore dhe kontrollet që ushtroheshin nga Policia.
Sipas materialit rezulton se parcelat ndodheshin në një zonë të pyllëzuar mes fshatrave Vezhdanisht e Treblovë. Jo shumë larg plantacioneve, grupi kriminal kishte ndërtuar kapanone për tharjen e lëndës narkotike.
Gjashtë muaj pas sinjalizimit nga Policia, Krimet e Rënda firmosën arrestimin e Armand Koçerrit, një prej njerëzve më të afërt të Habilajve, pasi në shtëpinë e tij në Babicë të Vogël u sekuestrua një sasi prej afro 4 tonë kanabis. Pas infermierit të Babicës në pranga ra edhe një tjetër bashkëpunëtor, Nezar Seitaj, që jo vetëm kërkohej nga Prokuroria e Katanias, por ishte skeduar dhe po hetohej edhe nga Prokuroria. Vetëm pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali, Prokuroria e Krimeve të Rënda çeli hetim ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me dyshimet për përfshirje në grupin e kushërinjve të tij.

A ka lidhje Trump me akuzat e ngritura ndaj bashkëpunëtorëve të tij nga Prokurori Special, Mueller?

Armin TIRANA

Trump “cicëron” furishëm: gjëja u takon shumë viteve më parë, çhyj unë këtu? Në kushte normale do të thuhej se kthesa e marrë në investigimin e ashtuquajtur RussiaGate nga Prokurori Robert Mueller nga njëra anë përfaqëson klasiken “u bars mali, polli një mi”, por, nga ana tjetër, ka marrë një drejtim që me idenë fillestare për të hetuar lidhur me Paul Manafort, që i është dorëzuar FBI-së, për rolin në fushatën e Trump në ujdi me Rusinë, nuk ka të bëjë aspak, ka marrë një drejtim tjetër me të cilin Donald Trump nuk qëndron aspak. Akuza e mundshme për konspiracion kundër Shteteve të Bashkuara deri më 2017 i referohet vetëm shkeljeve në pagimin e taksave. Nga evazioni fiskal tek riciklimi i parave të pista, tek shkelja e rregullave që disiplinojnë profesionin e lobistit, asnjë krim nuk është i lidhur me aktivitetin politik. Tashmë prej kohësh të dorëzuar së dëgjuari lajme dhe lexuari gazeta që thonë të kundërtën, po vazhdojmë më tej.
Një premisë paraprake. Një prokuror special në krye të një hetimi siç është Russia Gate mund të ndryshojë fare mirë drejtim investigimi. Edhe pse ky prokuror drejtimin e përfshirjes midis Hillary Clinton, Barack Obama dhe administratës së tij me Rusinë, nëpërmjet aferës Uranium One, nuk mund ta marrë pasi në kohën e ngjarjeve në 2010 ishte pikërisht ai, Robert Mueller, si Drejtor i FBI-së, dhe si shef i agjencisë komunikoi me Sekretarin e Drejtësisë, që ishte pjesë e komisionit që vendosi shitjen, bashkë me Hillary Clinton, rezultatet e një investigimi të vështirë që demonstronte sesa paraja e rusëve përdorej për të paguar shitjen e 1/5 të uraniumit amerikan nëpërmjet filiales amerikane të Rosatom, vinte nga riciklimi i parave të pista, gjobëvëniet dhe nëndheu kriminal. Ju tha që të heshtëte dhe të mos i referonte asgjë Kongresit, u bind. Vetëm për këtë, siç lexohet në një editorial të Ëall Street Journal, duhej të tërhiqet nga detyra e ngarkuar.
Le të vijmë tek Manafort, që rrezikon rëndë, dënim me dekada burg përveç gjobave milionëshe. Është deklaruar jo fajtor. Në 2012 ka bërë aktivitete lobimi për një qeveri të huaj, Ukrainën, ka transferuar para dhe pranuar pagesa në mënyrë ilegale, pa denoncuar gjithçka në agjencinë e ngarkuar me kontrollin e aktiviteteve të lobimit jashtë vendit dhe pa paguar taksat. Bashkëpunëtori i tij, Rick Gates, është akuzuar për të njëjtat krime. Paul Manafort ka hyrë në grupin e gjerë e konsulentëve të fushatës së Trump në fund të marsit 2016, në qershor është emëruar drejtor fushate, me 19 gusht është shkarkuar dhe zëvendësuar me Kellyanne Conëay, që tani është në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin. Ka gabuar ekipi i Trump që e ka punësuar qoftë edhe për pak muaj një personazh të diskutuar?
Ka mundësi, por Manafort kishte marrë pjesë në fushata elektorale të çdo lloji dhe me nivel të lartë edhe më përpara, studioja e tij përfshi 3 republikanë me orientim dhe 2 demokratë, ka punuar, sa për të përmendur një, me Fusion GPS, atë shoqëri lobimi dhe konsulence komunikacioni të lidhur me demokratët, nga të cilët është komisionuar dhe më pas shpërndarë dosja false që duhej të denigronte Trump dhe National Democratic Committee dhe fushata Clinton e kanë paguar me sa duket 12 milion dollarë, shpenzime asnjëherë të denoncuara, bile të mohuara deri në momentin e fundit. Alan Dershowitz, avokat dhe ekspert i shquar i çështjeve juridike që janë rreth një hetimi si ai Russia Gate, thotë: “Prokurori ka zgjedhur një qasje minimaliste, duke shpresuar që më pas të ketë një zinxhir rrëfimesh nga Manafort e nga Gates, ndoshta për të kursyer ndonjë vit burg. I penduari që bashkëpunon nuk mungon në asnjë vend të botës”.
Sikur të ishte kështu, pas huajsh hetime dhe mundësisë për të pasur akses në çdo dokument, e ka kapur vërtet nga larg. Flitet për shkelje të kryera nga viti 2005 në vitin 2011 dhe për një deklarim fiskal të Manafort të periudhës 2010/11. Pa i komunikuar kurrë sipas ligjit organit që mbikëqyr punën e lobistëve për qeveritë e huaja, Manafort dhe partneri i tij punonin për Presidentin e atëhershëm të Ukrainës Viktor Yanuckovich, më pas i rrëzuar në 2014 prej revoltës së Maidanit, dhe për oligarkët që dominonin ekonominë e vendit, si puna e Oleg Deripaska, nga të cilët Manafort do të merrte në të zezë një shpërblim prej 12.7 milion dollarësh.
Ka një radhë që mund të rezervojë supriza, por që sidomos do të ushqejë thashethemet e armiqve të Trump: George Papadopolous, ish bashkëpunëtor vullnetar i fushatës së Trump, është deklaruar fajtor pse ka dhënë deklarime false për FBI-në në kuadër të hetimeve “mbi afatet, shtrirjen dhe natyrën e raporteve dhe të ndërveprimit të tij me të huaj të caktuar që kishte kuptuar se kishin lidhje të ngushra me drejtues të lartë të qeverisë”.
Manafort dhe partneri do të paguajnë një kusht shumë të kripur prej 10 milion dollarësh dhe më pas do të fillojë një proces që do të zgjasë 6 muaj, tashmë thuhet se gjykatëse është një zonjë paturpësisht demokratë që qysh nga viti 1992 i jep para Bill Clinton dhe adhuron çiftin Clinton, do të priten avokatë të mahnitshëm, afera është e vështirë dhe rezervon surpriza. Doni të mësoni një?
I gjithë inkriminimi i Paul Manafort mund të hidhet në erë prej një arsyetimi juridik që quhet “Fruit of the Poison Tree Doctrine”, doktrina e frutit të helmuar, që përfshihet në Amendamentin e 4-ët siç përcaktohet nga Gjykata Supreme dhe ka të bëjë me prova të siguruar nëpërmjet sistemesh dhe kërkimesh ilegale. Nëse FBI-ja ka përdorur për të investiguar lidhur me Manafort qoftë edhe pjesërisht dosjen e famshme false Fusion GPS – që në fillim u komisionua nga republikanët kundër Trump dhe më pas përfundoi në duart e demokratëve dhe të Clinton që e paguan sa frëngu pulën, qarkulloi dora dorës sepse ishte aq false sa që askush nuk donte ta përdorte, FBI-ja e kishte, një ditë përpara inaugurimit të presidencës së re të përditshme të papjekura e botuan – ja që i gjithë hetimi shkon kot për shkak të kushtetutës nga çdo gjykatës. E shikoni sesi mbahet e gjithë zhurma e madhe, sesi ka drejtë Donald Trump që thotë se do të ishte rasti të invetigohej mbi të korruptuarën Hillary dhe miqtë e saj?

Kontaktet ruse të Papadopoulosit, Trump: Ai është gënjeshtar

Sipas dokumenteve gjyqësore të bëra publike këtë javë, George Papadopoulos, ish-këshilltar për politikë të jashtme i fushatës së Presidentit Donald Trump, tha se ishte në kontakt me zyrtarë rusë dhe i ishte thënë gjatë fushatës se, Moska ka “gjëra të pista” për kandidaten demokrate për presidente Hillary Clinton, dhe “mijëra emaile të saj”.
Këto dokumente të ndërlidhura me pranimin e fajësisë së zotit Papadopoulos, që është pranimi i parë i fajësisë i dalë nga hetimi i këshilltarit special amerikan, Robert Mueller, për përzierjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar dhe për marrëveshjen e fshehtë potenciale nga ana e ndihmësve të Trumpit, nuk i paraqesin emrat e kontakteve të Papadopoulosit.
Por, identiteti i dy individëve të këtillë duket se janë konfirmuar–një person i përshkruar në dokumentet e Gjykatës si “profesor” dhe një tjetër si “lidhje” me Ministrinë e Jashtme të Rusisë.
Emri i një femre, për të cilën Papadopoulos fillimisht kishte menduar se ishte mbesa e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, megjithatë mbetet e paqartë.
Më 5 tetor, George Papadopoulos e ka nënshkruar deklaratën e pranimit të fajësisë. Ai ishte arrestuar më 4 korrik lidhur me akuza se i ka gënjyer agjentët e FBI-së. Pra, kush ishin individët kryesorë me lidhje me Rusinë?

“Profesori”

Sipas dokumenteve gjyqësore, Papadopoulos e ka takuar këtë person së paku tri herë dhe kishte pasur kontakt me email me këtë person për disa muaj.
Takimi i tyre i parë në Itali, ka ndodhur në mars të vitit 2016, pasi Papadopoulos kishte mësuar se do t’i bashkohej ekipit të fushatës së Trumpit si këshilltar për politikë të jashtme.
“Profesori ka pretenduar se ka lidhje substanciale me zyrtarë qeveritarë rusë” dhe se Papadopoulos ka besuar se ai “mund ta shtojë rëndësinë e tij si këshilltar për politikë të jashtme në fushatë”, thonë dokumentet.
Papadopoulos ka thënë në pranimin e fajësisë se “profesori” i ka thënë atij në një takim në Londër, në fund të prillit të vitit 2016, se ai aktualisht ishte kthyer nga Moska dhe kishte mësuar se, Rusia kishte “gjëra të pista” për Hillary Clintonin në “formë të mijëra emaile-ve”.
Një numër i mediave perëndimore kanë konkluduar nga këto informacione, se personi i përmendur është profesor Joseph Mifsud, shtetas i Maltës dhe “drejtor nderi” i Akademisë Diplomatike në Londër.
Zoti Mifsud ka konfirmuar për “The Daily Telegraph” se, ai është profesori me seli në Londër, që është përshkruar në dokumentet gjyqësore në Shtetet e Bashkuara, por i ka hedhur poshtë pohimet se ka bërë gjëra të gabueshme.
“E kam ndërgjegjen e pastër”, e ka cituar atë gazeta britanike.

“Mbesa e Putinit”

Identiteti i kësaj femre mbetet i paqartë. Në dokumentet e Gjykatës, ajo është identifikuar si “shtetase ruse”.
Papadopoulos tha se ishte paraqitur te kjo femër më 24 mars të vitit 2016, në takimin së bashku me “profesorin” e përmendur.
Amerikani Papadopoulos, fillimisht kishte besuar se ajo ishte “mbesa e Putinit”, megjithqë kjo doli se ishte e rrejshme.
Pas këtij takimi, Papadopoulos u kishte shkruar zyrtarëve të lartë të fushatës Trump, duke u thënë se temë e diskutimit të tyre kishte qenë “aranzhimi i takimit ndërmjet nesh dhe udhëheqjes ruse për diskutim të lidhjeve SHBA–Rusi, nën Presidentin Trump”.
Në dokumentet gjyqësore theksohet se, Papadopoulos “kishte besuar se shtetasja ruse kishte lidhje me zyrtarët e nivelit të lartë të qeverisë së Rusisë dhe mund të ndihmojë në aranzhimin e një udhëtimi potencial të politikës së jashtme në Rusi”.
Në deklaratën për pranimin e fajësisë, Papadopoulos kishte pohuar se i ka gënjyer agjentët e FBI-së lidhur me komunikimin me këtë femër.

“Lidhja me MJ të Rusisë”

Në dokumentet gjyqësore amerikane, thuhet se në prill të vitit 2016, “profesori” i përmendur e kishte njoftuar Papadopoulosin nëpërmjet email-it me një “individ në Moskë”, i përshkruar si “shtetas rus i lidhur me Ministrinë e Jashtme ruse” dhe shkurtimisht ishte shënuar si “Lidhja me MJ të Rusisë”.
Derisa emri i këtij individi nuk është dhënë, detajet e kontakteve të tij me Papadopoulosin duket se sinjalizojnë se ky person ishte Ivan Timofeyev, drejtor i programeve në Këshillin për politikë ndërkombëtare ruse, që është institut i mbështetur nga qeveria e Rusisë.
Se Papadopoulos kishte kontakte me këtë person është ditur gjërësisht prej gushtit, kur e përditshmja “Washington Post”, ka raportuar për përmbajtjen e email-ve ndërmjet dy personave, ku ishte diskutuar për mundësinë e vizitës së Trumpit në Moskë.
“Washington Post” e ka cituar një email dërguar Papadopoulosit nga Timofeyev, në të cilin ky ekspert politik rus kishte thënë se zyrtarët në Ministrinë e Jashtme ruse ishin bashkëpunues për një vizitë të zotit Trump dhe se fushata e tij duhet ta dërgojë një letër formale për këtë çështje.
Disa ditë më vonë, në një intervistë për portalin rus të lajmeve, Gazeta.ru, Timofeyev tha se, korrespondenca ishte bërë me iniciativën e Papadopoulosit dhe se ata të dy “kishin folur disa herë me Skype, por kurrë nuk kanë hyrë në diçka specifike”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në Uashington e ka përshkruar Papadopoulosin si figurë të vogël në fushatën Trump dhe se ai kishte arritur të aranzhojë takim me kontakte ruse, por “asgjë nuk kishte ndodhur më tepër”.
Në një postim në rrjetin Twitter, Presidenti Trump ka shkruar: “Pak njerëz e kanë njohur vullnetarin e ri të nivelit të ulët me emrin George, i cili tashmë është dëshmuar se ishte gënjeshtar”.