Jon Huntsman, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Rusi, ka arritur në Moskë.
Zëdhënësja e ambasadës amerikane, Maria Olsen, ka mirëpritur ambasadorin dhe gruan e tij, në një postim në Twitter.
Më 3 tetor, Huntsman, në një ceremoni do t’i paraqesë kredencialet e tij te presidenti rus, Vladimir Putin.
Huntsman, 57-vjeçar, ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara, në Kinë nga viti 2009-2011, dhe ishte ambasador në Singapor në vitet 1992–1993.
Emërimi i Huntsmanit nga Presidenti Donald Trump, ishte aprovuar unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara, më 28 shtator.
Ambasadori i ri i SHBA-së arrin në Moskë
Ministri i Jashtëm gjerman bën thirrje për bisedime në mes të Spanjës dhe Katalonisë
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka bërë thirrje urgjente për bisedime në mes të Katalonisë dhe Spanjës.
Ai ka thënë se është jetike të shmangen ngjarjet që mund të dalin jashtë kontrollit, pas masave të dhunshme që ndërmori policia spanjolle në rajon, gjatë votës për pavarësi.
“Imazhet që kanë arritur dje nga Spanja, tregojnë se sa e rëndësishme është ndalimi i eskalimeve”, ka thënë Gabriel në një deklaratë, në të cilën ai nënvizoi thirrjet e Bashkimit Evropian për dialog në mes të Spanjës dhe Katalonisë.
Gabriel, tha se të dyja palët duhet të “ruajnë qetësinë” dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje politike që i përmbahet sundimit të ligjit, që është një ndër shtyllat kryesore që i bashkon vendet e Bashkimit Evropian.
Skandali me radarët, a do të arrestohet Mimi?
Zbardhja e një raporti për radarët, të dërguar nga oficerët e grupit të punës, gjeneralit të Forcave Detare, Ylber Dogjani, dëshmon qartazi se ministrja e Brendshme, Mimi Kodheli në katër vitet e para të qeverisjes Rama injoroi totalisht shqetësimet e ngritura mbi mosfunksionimin e radarëve e për rrjedhojë krijimin e terrenit të përshtatshëm për trafikantët e drogës. Raporti i është dërguar nga oficerët e punës gjeneralit të Forcave Detare, Ylber Dogjani. “Ja një nga informacionet periodike që i shkonin Komandantit të Forcave Detare, Ylber Dogjanit nga grupet e punës së FD në lidhje me mosfunksionimin e sistemit të radarëve, por sigurisht që Oficeri i Logjistikës në krye të Forcave Detare kishte ardhur me mision të dedikuar nga çifti Kodheli-Kraja, vetëm e vetëm për të mbuluar këtë aferë korruptive, duke mos marrë asnjë masë për radarët (sepse për specialistë në fushën e veprimtarisë detare thonë që sdi as not)”, shkruan Berisha në postimin e tij.
Raporti, radarët në të gjitha pikat jashtë funksionit
Lënda :Raport mbi kontrollin e shërbimeve/riparimeve në SIVHD të kryera nga Shoqëria “Idea- Tel” sh.p.k. Tiranë, për muajin janar 2016.
Drejtuar: Gjeneral Brigade, Ylber DOGJANI
Komandant i Forcës Detare
KETU
I nderuar Zoti Gjeneral,
– Komisioni për zbatimin e Kontratës me Nr. 233/3, datë 11.08.2015 me objekt “Shërbimi i Mirëmbajtjes Tekniko-Operacionale të Sistemit të Integruar të Hapësirës Detare (SIVHD) për një periudhë trevjeçare”, i ngritur me Urdhrin e Komandantit të Forcës Detare Nr.274, datë 24/08/2015 , i ndryshuar.
– Nga data 20 – 22.01.2016 realizoi kontrollin e shërbimeve/riparimeve në SIVHD të kryera nga Shoqëria “Idea – Tel” sh.p.k. Tiranë, gjatë muajit janar 2016.
– Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se nga shoqëria “Idea Tel” sh.p.k. Tiranë, nga data 01 – 22.01.2016 nuk ishin kryer kontrolle/shërbime në SITE-et e PRT-11 Ksamil, PRT-VQ Sarandë, PRT-13 Portopalermo, QO Pashaliman dhe PRT-19 Gur Lushnjë.
– Sipas Aneksit Nr.2 të Kontratës, Neni 1 Paragrafi I “Shërbimet e Mirëmbajtjes Parandaluese”, Pika B “Inspektimi mujor dhe eliminim i problematikave të konstatuara”, firma ka për detyrim të inspektojë në çdo vend- instalim “site”, pajisjet sipas moduleve të SIVHD.
– Anëtarët e komisionit të zbatimit të kontratës, pasi verifikuan/kontrolluan gatishmërinë e pajisjeve të SIVHD-së konstatuan edhe këto problematika:
– PRT- VQ Sarandë:
1. UPS i kompjuterit të postoperatorit ka probleme me bateritë,
2. Mikrofoni i radios IP 1616 ndodhet jashtë gatishmërie,
3. Kondicionieri i sallës së postoperatorit nuk kalon në ngrohje, ka nevojë për shërbime,
4. MG i pajisjeve të sallës nuk ndizet auto, por manualisht,
5. Dritat e sinjalizimit të kullës nuk ndizen.
– PRT-11 Ksamil:
1. MG 2 gjatë punës fiket, u kontrollua dhe ka të nevojshme ndërrimin e filtrave dhe vajit,
2. MG1 ndizet në mënyrë manuale, ka probleme me karikuesin e baterisë, duhet ndërruar.
– PRT-13 Portopalermo:
1. MG i dërguar nga Durrësi nuk është montuar dhe të vendoset në gatishmëri pune,
2. MG1 nuk ndizet auto, por manualisht,
3. Më datë 24.12.2015 në MG 1 është ndërruar skeda elektronike PÇ Control me 771 orë/pune dhe është instaluar skeda elektronike me 4561 orë/pune, e cila është marrë nga MG e hequr të PRT-17 Ishull Sazan,
4. Voltmetri tek paneli i ATS nuk punon,
5. Dritat e sinjalizimit të kullës nuk ndizen.
– Salla Operacionale Pashaliman Vlorë:
1. Paisjet e njërit prej postoperatori nuk punojnë,
2. Dy radiot IP 1616 nuk janë në gatishmëri pune,
3. Njëri prej telefonave Cisco ndodhet jashtë gatishmërie,
4. Rrjeti i ndriçimit në sallë ka nevojë për riparim.
– PRT-14 Maja e Thanasit Llogara:
1. Paneli i ATS në shelter ka nevojë për riparime/zëvendësime të disa prej automateve, pasi janë dëmtuar nga shkarkesat elektrike,
2. Ventilatori i shelterit duhet vendosur në gatishmëri.
– PRT-19 Gur Lushnjë:
1. MG1 ndodhet jashtë gatishmërie, duhet vendosur karta e kontrollit dhe dinamo,
2. Dritat e sinjalizimit të kullës nuk ndizen.
– Qendra Operacionale Durrës (QNOD):
1. Radio konsole IP 1616 (tavolina III), është marrë për riparim nga firma dhe nuk është instaluar radio tjetër,
2. Radio konsole IP 1616 (tavolina I), ka probleme në marrje,
3. Vija e kufirit në hartën e paraqitur në softin e ri të radarit PRT-14 dhe PRT-20, nuk është instaluar/konfiguruar.
– Pjesët dhe pajisjet rezervë më të domosdoshme të parashikuara në kontratë sipas paragrafit V (76 shtatëdhjetë e gjashtë artikuj), të cilat janë një kusht për të siguruar një ndërhyrje të shpejtë për riparimin e sistemit brenda kërkesave operacionale, nuk janë në gjendje në një makazinë të rakorduar midis dy palëve. Për këtë problem kemi bërë me dije edhe përfaqësuesit e shoqërisë “Idea Tel”, por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.
– Përsa i përket ndërtimit të sistemit Back-up të Softit të Menaxhimit të Trafikut Detar, Ju bëjmë me dije se:
– Implementimi i sistemit back-up duhej të ishte realizuar nga shoqëria “Idea Tel”, brenda 120 ditëve kalendarike nga hyrja në fuqi e kontratës dhe e instaluar në të gjitha SITE-et e SIVHD-së, sipas paragrafit (Implementimi i Sistemit).
– Aktualisht është instaluar sistemi back-up vetëm në SITE-et: PRT-14 Llogara, PRT-20 Durrës, Qendra e Serverave Plepa Durrës, QO Durrës dhe QBO MM.
– Gjithashtu specialistët e shoqërisë “Idea Tel” sh.p.k. Tiranë kanë instaluar në çdo SITE të SIVHD-së kamera vëzhgimi për ruajtjen e shelterave dhe pajisjeve të SIVHD-së, gjë e cila nuk është parashikuar në kontratën e shërbimit. Kërkojmë nga firma që serveri i këtyre kamerave të instalohet në QVD Plepa Durrës dhe të monitorohet nga QO Durrës. (Që do të thotë që firma kontrollonte aktivitetin e personelit ushtarak nëpër PRT se mos ngatërronin “misionin e marrë përsipër prej tyre”)
– Mbi këto probleme të konstatuara gjatë këtij muaji në SIVHD, i është dërguar e-mail në adresën zyrtare shoqërisë “Idea Tel” sh.p.k. Tiranë, për marrjen e masave dhe eliminimin sa më shpejtë të defekteve të konstatuara, në të kundërt do të procedohet me penalitete sipas Neneve të Kontratës së Shërbimit.
– Për sa më sipër, me qëllim ndjekjen dhe monitorimin më të mirë të punës së sistemit propozojmë:
– Të njoftohet Shoqëria “Idea Tel” sh.p.k. Tiranë lidhur me problemet e konstatuara dhe t’i lihet afat riparimi i tyre brenda datës 02.02.2016.
– Në muajt në vazhdim kontrolli i gatishmërisë së sistemit SIVHD të bëhet nga Komisioni në prezencë dhe të specialistëve të Shoqërisë “Idea Tel” sh.p.k. Tiranë.
– Rikontrolli i gatishmërisë së sistemit SIVHD do të kryhet nga data 03.05.02.2016”.
Shqipëria ende me radarët jashtë funksionit
Shqipëria edhe aktualisht rezulton të jetë pa radarë monitorimi. Duhet qartësuar se sistemi që kur është ndërtuar, nuk siguron mbulimin 100% të hapësirës detare. Komandanti i Qendrës së Vëzhgimit Detar ka zhvilluar disa herë seanca sqaruese, si për gatishmërinë dhe performancën e sistemit, ashtu edhe për zonat e pambuluara me sinjal nga Sistemi i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, me qëllim rritjen e kontrollit me mjete apo shërbime të tjera alternative. Skandali me radarët përplasi institucionet, por në fakt asnjë prej tyre nuk informoi, nëse do të merren masa për përmirësimin e sistemit, që sipas kryepolicit Çako do të rriste efektivitetin e policisë në luftën kundër drogës.
Basha: Vendi në prag të greminës, plani i PD, largimi i kartelit politik nis nga Rama
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar dje krijimin e një fronti të fortë opozitar bashkë me qytetarët me qëllim ringritjen e vendit dhe largimin e kartelit politik që sot qeveris vendin. Pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat, Basha tha se, largimi i kartelit politik në qeveri do të nisë me largimin e Ramës, ndërsa bëri të ditur se PD do të konkretizojë betejën e saj kundër krimit të organizuar përmes një plani politik të detajuar në hapat dhe aksionet që do ndërmerren.
“Partia Demokratike po përgatit një plan politik dhe ligjor për të nisur sëbashku me të gjithë shqiptarët e ndershëm, pa dallime politike, një luftë, e cila mund dhe duhet të ketë vetëm një përfundim: Mposhtjen e krimit të organizuar. Dhe për këtë duhet patjetër të mposhten mjeshtërisht dhe ustallarët e tyre politikë. T’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar, do të thotë t’i kërkosh të luftojë vetveten. Mendoj se kjo është e tepërt. Ndaj detyra jonë është të bëhemi së bashku në një front të gjerë opozitar dhe në një aleancë të vlerave me të gjithë qytetarët shqiptarë, e ardhmja e të cilëve, e ardhmja e fëmijëve të të cilëve cenohet rëndë nga krimi i organizuar me pushtet. Dhe t’i japim vendit zgjidhjen e vetme të kësaj gjendje, që është largimi i kartelit politiko-kriminal me në krye kryeministrin e votave të blera, të mazhorancës fiktive dhe të Parlamentit ilegjitim”, u shpreh kreu i PD.
Nga ana tjetër, Basha iu referua raportit të OSBE si dëshmia më e qartë e asaj që ndodhi me zgjedhjet e 25 qershorit dhe faktit se sot shqiptarët po i qeveris një shumicë e zgjedhur me vota të blera e të deformuara. Blerja e votave, tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve, influenca e bandave kriminale dhe ndikimi i këtyre fenomeneve në rezultatet e zgjedhjeve, e pranuar tashmë nga OSBE për kreun e PD, Basha janë fakte që kanë si përgjegjës Edi Ramën.
“Në qendër të vëmendjes ka qenë raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, çështja e ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe konfirmimi i të vërtetës së njohur botërisht nga shqiptarët, se sot Shqipëria nuk qeveriset, por sundohet nga bandat dhe nga klanet mafioze. Raporti i OSBE/ODIHR-it e thotë qartë. Fakti i parë është se vota në 25 qershor u ble, u dhunua, u tjetërsua. Fakti i dytë është se vota u ble, u dhunua dhe u tjetërsua nga Edi Rama dhe nga Partia Socialiste. Fakti i tretë është se blerja, dhunimi dhe tjetërsimi i votës nga Edi Rama dhe nga Partia Socialiste u bë përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe ndihmës së bandave kriminale dhe klaneve kriminale të krimit të organizuar anembanë Shqipërisë”, tha Basha.
Basha paralajmëroi se PD është duke ndërmarrë këtë plan masash për të shpëtuar vendin, i cili sot për shkak të krizës së rënduar sidomos, ekonomike dhe sociale është në prag të greminës.
“Qytetarët e kanë fare të qartë se, kur një qeveri del nga shitblerja e votës, kur një qeveri vjen në pushtet me votat e blera, edhe vetë qeveria është e blerë. Se kur përdoren kriminelët për të blerë, për të shantazhuar, për të dhunuar, për të mbledhur votat e qytetarëve, qeveria do t’i përkasë kriminelëve dhe jo qytetarëve. Vendi është në prag të një gremine, është një katastrofë totale përsa i përket shtetit ligjor dhe demokracisë dhe është në prag të një gremine të paimagjinueshme në këto 27 vite. Kjo është një këmbanë alarmi për çdo shqiptar të ndershëm”, u shpreh kreu i PD.
Sulmi me armë në Las Vegas, 50 të vrarë, 200 të plagosur
Të paktën 50 persona mbetën të vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi me armë në një koncert muzikor në Las Vegas.
Një person i armatosur, i identifikuar si 64-vjeçari Stephen Paddock, hapi zjarr nga kati i 32-të i Hotelit “Mandalay Bay” drejt turmës së mbledhur në Festivalin e muzikës contry në një ambjent të hapur.
Policia tha se i dyshuari, që mendohet të jetë banor vendas, u vra më pas nga policia.
Ata thanë se po kërkonin një shok që udhëtonte me 64 vjeçarin si një “person me interes”.
Sherifi, Joe Lombardo, tha se policia besonte se vrasja ishte një sulm i stilit “i vetmuar”, por konfirmoi se po përpiqeshin të gjenin një femër aziatike të quajtur Marilou Danely.
‘Shi plumbash’ mbi turmën në kocertin muzikor
Ngjarja u regjistrua rreth orës 22:30 sipas orës lokale kur në një ambient të hapur po mbahej një koncert muzikor ku ishin më shumë se 40 mijë të pranishëm.
Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se të shtënat kanë vijuar për më shumë se 5 minuta.
Sulmuesi mendohet të ketë qëlluar mbi turmën nga kati i 32-të i një pallati.
Sipas kreut të policisë së Las Vegasit MetroLombardo, oficerët e policisë kanë pasur shkëmbim zjarri me autorin e dyshuar të sulmit , duke e lënë të vdekur po në katin e 32-të të hotelit Mandalay Bay.
Po vazhdojnë hetimet dhe për të dyshuar të tjerë si pjesmarrës të sulmit, ku nga dyshimet e para është përfshihë dhe një grua aziatike.
“Tani për tani ne besojmë se është një autor i vetëm” tha Lombardo.
Emri i tij nuk është bërë ende publik, por besohet se mund të të jetë banor vendas.
Forca të shumta policore kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe janë duke mbajtur gjendjen nën kontroll ndërkohë që u bëhet thirrje njerëzve përqark të qëndrojnë larg zonës së kazinosë.
Në disa video që janë hedhur në rrjete sociale janë filmuar me qindra njerëz teksa mundohen të largohen nga vend i ngjarjes dhe në sfond dëgjohen dhe disa zhurma që ngjasojnë me të shtëna automatiku. Paniku dhe frika ka mbërthyer njerëzit perreth.
Qindra njerëz u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që zhurma e breshërive të automatikut dëgjohet lehtësisht në videot e postuara në mediat sociale.
Disa fluturime janë shmangur nga aeroporti i Las Vegas McCarran.
Ambasadori i SHBA: Lul Berisha u lirua qëllimisht, Shullazi vijon të bëjë trafik droge nga burgu
Ambasadori i SHBA, Donald Lu ka hedhur sërish deklarata të forta ndaj drejtësisë dhe policisë shqiptare. Në fjalën e tij në 20 vjetorin e Shkollës së Magjistraturës, Ambasadori Lu deklaroi sot se Lul Berisha u lirua qëllimisht nga burgu, ndërsa Emiljano Shullazi vijon të bëjë trafik droge nga burgu.
Po kështu ambasadori amerikan është shprehur hapur kundër lirimit të ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lul Berisha. Nuk kanë munguar as emra të tjerë të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi dhe Klement Balili në deklaratën e ambasadorit Lu. Ai tha se, Shullazi vijon të bëjë trafik droge nga qelia, ndërsa Balili prej 18 muaj i shpëton drejtësisë.
Ai tha se gjyqtaren Fildes Hafizi e kla në baltë sistemi i drejtësisë. “Sistemi i drejtësisë e la në baltë Fildez Hafizin. Lul Berisha u lirua gabimisht më herët nga burgu. Megjithëse u procedua drejtori dhe juristi burgut, Berisha është i lirë. Shullazi thuhet se, vijon të bëjë trafik droge nga qelia. Balili ia ka dalë prej 18 muajsh t’i shpëtojë drejtësisë. Shkak, paaftësia e policisë, prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë”, tha ambasadori Lu.
“Lufta kundër krimit të organizuar bëhet për peshqit e mëdhenj. Ka shumë Shullazë, Klemend Balili dhe Lul Berisha në Shqipëri që meritojnë burg. Vetingu nis javën që vjen dhe do të jetë një proces me profesionalizëm. Në 2016 u arrestuan 1940 persona, por më pak se 100 u dënuan. 20 familje kriminale dominojnë krimin në Shqipëri. Mes tyre veprojnë 4 klane kryesore”, është shprehur Lu, duke lënë të kuptohet se ambasada amerikane ka informacione të hollësishme për atë që ndodh në vendin tonë.
Bashkia Kamëz, luftë informalitetit dhe rritje të cilësisë së shërbimeve
Janë ngritur grupe pune me nga dy punonjës të administratës së Bashkisë si dhe një ndërlidhës me komunitetin, 38 në Kamëz dhe 12 në Paskuqan ku janë angazhuar rreth 70 punonjës për të monitoruar në terren
Bashkia Kamzës është e vendosur për të pasur zero informalitet në territorin e saj. Kjo për faktin se në këtë Njësi Administrative ende ka familje të cilat aktualisht kanë një ose më shumë ndërtime, të cilat për një ose disa arsye nuk e kanë lejen e banimit në Kamëz, kur shërbimet i kryen për të gjitha kategoritë kjo Bashki, ndërsa grantet për këto familje i merr një tjetër njësi administrative, e cila nuk u kryen shërbimet e përcaktuara familjeve në fjalë. Për këtë, bazuar në ligjin shqiptar, për të vendosur lejet e banimit në adresën e duhur, do të aplikohet taksa e luksit, e cila do të verifikohet në terren nga përbërësit e grupeve të punës dhe do të aplikohet në mënyrë të menjëhershme mbledhja e tyre. Kjo është një nga masat që do të ndërmarrë Bashkia Kamëz për të luftuar informalitetin dhe nëpërmjet kësaj për të ofruar edhe shërbime më cilësore për qytetarët.
Për këtë qëllim, është bërë edhe organizimi në grupe pune sipas ndarjeve administrative të lagjeve, të cilat janë 38 në Kamëz dhe 12 në Paskuqan. Grupet janë organizuar me nga dy punonjës të administratës së Bashkisë si dhe nga një ndërlidhës me komunitetin. Janë angazhuar rreth 70 punonjës për të monitoruar në terren të gjithë situatën debitore dhe atë të informalitetit dhe për të bërë të mundur realizimin e buxhetit të planifikuar.
Ndërkohë në mungesë të financimeve të projekteve dhe të granteve nga ana e qeverisë, Bashkia Kamëz në katër vite është përpjekur të shfrytëzojë çdo burim të ligjshëm për të realizuar investime shumë të nevojshme publike dhe për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët. Ndërkaq, një tjetër element tjetër që ka ndikuar në krijimin e një situate debitore në Bashkinë Kamëz është edhe taksa e infrastrukturës. Familje të tëra kanë përfituar procesin e legalizimit të objekteve. Në këtë kategori përfshihet edhe taksa e infrastrukturës, përgjegjëse për vjeljen e së cilës është institucioni i Bashkisë.
Edhe për këtë kategori do të bëhet verifikimi në terren, më pas pasqyrimi në sistemin e taksave si situatë debitore dhe do të merren masat e duhura për të vjelë pikërisht këtë mbetje debitore. E gjithë kjo situatë do të bëjë që Bashkia të vërë në funksion të gjithë mekanizmat e duhur për të bërë të mundur eliminimin e kësaj situate. Për këtë në bashkëpunim me ekspertët e IT-së, në Bashkinë Kamëz po përgatiten formularët me të gjithë elementët e duhur infrastrukturorë që do t’u shërbejnë grupeve të punës për të mbledhur informacionin e saktë në terren dhe për ta implementuar në sistemin elektronik të taksave vendore.
Atentati në Vlorë, makina e përdorur nga baanda gjendet e djegur në Fier
Një automjet tip BMW është gjetur i djegur rreth orës 10:00 në fshatin Kafaraj të Fierit, në rrugën që lidhet me autostradën Levan-Tepelenë. Policia thotë se, ka dyshime që ky automjet të jetë përdorur në atentatin e Vlorës. Brenda makinës së djegur është gjetur edhe një automatic. Mjeti u gjet poshtë një nënkalimi.
Atentat me armë zjarri që ka tronditur qytetin bregdetar të Vlorës ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën Transballkanike pranë një karburanti. Dy persona janë qëlluar me bershëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar. Të plagosurit janë Dritan Bega 52 vjeç, Ferdinant Llanaj 39 vjeç dhe djali i tij B.Ll 8 vjeç. Të tre janë dërguar në spital, por Bega dhe Llanaj ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se Dritan Bega dhe Ferdinand Llanaj ndodheshin në makinën Benz me targa VL 6368 C. Ndërsa djali i Ferdinand Llanaj ka qene ne afersi te makines dhe baneses ku ka ndodhur ngjarja dhe ka marrë plagë në krah nga xhamat e thyer të makinës.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një pistoletë, e cila dyshohet se është e një prej të plagosurve. Në momentin kur kanë filluar të shtënat mendohet se personi që ka pasur pistoletën ka dalë nga makina për të qëlluar por më pas është plagosur.
“Mendohet se autorët kanë dalë nga një makinë, kanë qëlluar dhe më pas janë larguar”, sqaron korrespondetja e Ora Neës. 39-vjeçari Llanaj është vëllai i Alëksandër Llanajt njërit prej të dënuarve për masakrën e Çoles në 7 prill 2015. Aleksandër LLanaj është dënuar nga Gjykata e Apelit e Vlorës me 35 vite burg. Ndërkohë mësohet se në vitin 2011 është vrarë edhe Baftjar Llanaj, babai i Ferdinand Llanaj.
Lotët e Gertës dhe mallëngjimi kolektiv i shqiptarëve
Nga Desada Metaj
Ka mjaftuar recitimi i një fjalimi në kufijtë mizorë të patetikes që sot në lajmet dhe rrjetet sociale të vërshojnë komentet mbështetëse për një zonjë të panjohur që përloti një sallë parlamenti. Madje aq prekës ishte fjalimi i saj, sa zyrtarë të lartë të qeverisë përfshirë dhe kreun e ri të kuvendit u përlotën duke dëgjuar sa e rëndë ishte situata në fshatin shqiptar.
Po si ka mundësi që një hallexhie nga fshati, nga ato që me zor takojnë njëherë në 4 vjet deputetin e zonës, ka gjetur hapur derën e parlamentit. Madje ka folur në mikrofonin ku njëherë në javë flasin dhe debatojnë ata që mbajnë përgjegjësi për situatën jo vetëm në fshat, por dhe në qytet. Si mundet që një shoqëri dhe media hesht kur shteti falimenton përpara krimit siç ndodhi në Elbasan, qurravitet pas një fjalimi që është po aq i thjeshtë sa hallet që të qajnë dhe fshatarët tek tregu i çdo lagjeje. Përgjigja për mua është shumë e thjeshtë. Në kohën dhe vendin e duhur, një show i tillë është mjeti më i mirë për të larguar vëmendjen nga ajo çka vërtet është problem në Shqipëri. Është mënyra që dikur Enver Hoxha zgjidhte për të kritikuar burokratët ndërsa vriste dhe burgoste intelektualët, është show i zgjedhur me kujdes nga skenaristët dhe regjisorët e shfaqjes : “Shqipëria ka vend për përmirësime”.
Jo! Shqipëria nuk ka nevojë për ato që zonjës Gerta i kishin shkruar në fjalim. Shqipërisë nuk i duhen rrugë por më parë i nevojitet që politika t’i shkëpusë lidhjet me krimin. Rrugë dhe ujësjellës mund të ndërtojë çdo kriminel që ka pushtet apo fije të forta me të. Por shteti dhe qytetaria vdesin kur krimi bashkëjeton me to. Jo zonjë! Ata që të kanë shkruar fjalimin dhe të kanë mësuar aktrimin e dinë më mirë se ty se nuk është rilindja e fshatit halli që përlot Gramoz Ruçin. Është show dhe roli që pushtetit duhet të të mësojnë për ta bërë këtë popull të besojë se problemi më i madh i fshatit qenka bujqësia. Jo Gerta! Të kanë gënjyer ty dhe ndoshta ti veten kur thua se nuk dinë si votojnë në fshatin tënd. Që atje nuk e njohin se kush është në opozitë dhe në pushtet. Unë jam nga qyteti por kam qenë në fshat në fushatë dhe ditën e zgjedhjeve. Dhe e di shumë mirë që votat në fshat janë kryesisht kolektive dhe për shkak të varfërisë ekstreme ato blihen, në shumë raste dhe lirë. Dhe a e di kush i blejnë? Këta “të fortët” e lidhur me pushtetin. Që më pas fitojnë tenderin e rrugës dhe ujësjellësit të fshatit tënd. Dhe e vjedhin. Po, po. E vjedhin dhe uji e rruga nuk vijnë kurrë tek ty, as tek fshati jot.
Se ti ke një Kristinë në fshat që qenka e mërzitur se nuk di të ardhmen e atyre që ka mbjellë. Por a ka mbjellë dikush hashash në fshatin tënd Gerta? Sepse dukeshe vërtet e informuar dhe ndoshta nuk e di që fshati jot dhe qyteti im janë prodhues dhe eksportues të frikshëm të hashashit. Që po formojmë një brez që ëndërron të jetë shpërndarës droge, dhe kjo e dashur Gerta është më e frikshme se mungesa e rrugëve në fshat. Ndaj sot, më shumë se ty që ndoshta ke ajrin e pastër, ushqim bio dhe hapësirë për të qarë hallet edhe në parlament, që ke shansin dhe të përlotësh Gramoz Ruçin që nuk i dridhet qerpiku dhe kur i thonë kriminel, mua më vjen keq për shqiptarët. Për këtë popull në kufijtë e mjerimit njerëzor dhe qytetar, që po humb çdo vlerë. Të rinisë që ka aspiratë pasurimin e shpejtë dhe me punë të “pista”. Ndjej më shumë keqardhje për një brez të tërë që po rriten dhe edukohen pa personalitet,marioneta në duar të politikës dhe krimit.
Më vjen më shumë keq për fëmijët që do vazhdojnë të rriten këtu, me sistem të paqartë dhe nivel të ulët arsimor. Më dhimbsen më shumë ata që përpiqen dhe punojnë për të ndryshuar diçka, që paguhen shumë mirë dhe i japin këtij shteti taksa për shërbime që nuk i marrin kurrë. Më dhimbsen prindërit e mi dhe pensionistët e tjerë që gënjehen me rritje qesharake pensionesh dhe nuk shkojnë dot kurrë në një spital privat edhe pse kanë punuar me ndershmëri gjithë jetën. Por më shumë se të gjithë këta Gerta, më dhimbsesh ti. Lotët e tu dhe aktrimi i tepruar që të mësuan të bësh. Sepse vetëm kur shoh shfaqje të tilla kuptoj që ndryshe nga sa the ti, Shqipëria nuk bëhet. Sepse kemi ende mungesë të theksuar dinjiteti trashëgim i hidhur i shtypjes 50 vjeçare të komunizmit. Sepse kemi ende njerëz të rinj në moshë si ty Gerta, që pranojnë të bëjnë show në emër të një pushtetit që s’ka rëndësi nëse siç thua ti i rreh zemra majtas apo djathtas. Ndaj për të gjitha këto unë mendoj se ky vend vështirë të bëhet derisa dinjiteti të rikthehet si vlerë e një shoqërie që ende përlotet me skenarët e telenovelave të shkruara nga ata që mbajnë përgjegjësi për llumin ku jemi zhytur.
Tjetër taksë 60 euro me detyrim për banesat, pagesë për borxhet e haremit të Ramës
Qeveria shpenzon çdo vit miliona euro për kompensime e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Për t’i dhënë fund këtij fenomeni Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën Botërore kanë hartuar një projekligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave për Tërmetet dhe Përmbytjet.
Është siguruar nga “klan plus” një kopje e këtij drafti konfidencial, i cili parashikon që sigurimi i detyrueshëm i banesave do të bëjë të mundur mbulimin e kostos në raste përmbytjesh dhe tërmetesh.
Bëhet fjalë për banesat e hipotekuara ose banesat që kanë një certifikatë pronësie. Draft ligji thotë qartë se kompensimi i dëmit mund të refuzohet nga kompanitë e sigurimeve për objekte që nuk kanë respektuar kushtet teknike të ndërtimit ose janë modifikuar ose dobësuar nga ndërhyrjet në strukturë.
Po ashtu, Kompanitë e Sigurimeve mund të refuzojnë zhdëmtimin edhe për ato që nuk është ofruar informacion i saktë.
Qytetarët, sipas ligjit, do të paguajnë një tarifë të përvitshme dhe kjo do të vendoset në bazë të zonës së banimit dhe riskut që mbart.
I gjithë ky proces nga lidhja e kontratës me qytetarët e deri tek mbulimi i humbjeve financiare, mendohet paraprakisht të menaxhohet nga Qendra Shqiptare e Sigurimit nga Katastrofat që do krijohet Tiranë.
Një entitet juridik publik jo-fitimprurës, i cili vetë-financohet nga primet e sigurimit, me menaxhimin e pavarur, e krijuar ekskluzivisht për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të detyrueshëm të banesave.
Qendra e sigurimeve nga Katastrofat sipas draftit është menduar të qeveriset nga një bord prej 5 anëtarë jo ekzekutivë.
Anëtarët e Bordit miratohen nga AMF dhe një përfaqësues duhet të jetë nga Ministria e Financave, i cili do të veprojë si kryetar i Bordit Drejtues. Një përfaqësues nga Drejtoria e Emergjencave Civile, një nga Shoqata e Sigurimeve dhe një përfaqësues nga Banka e Shqipëri.
Kjo qendër do të krijojë një bazë të dhënash elektronike dhe policat e sigurimit do të shiten online, nga kompanitë e sigurimit të regjistruara në këtë Qendër. Vërtetimi nëse një qytetar e ka kryer apo jo sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat do të kontrollohet në procedurat e aktit të pronësisë, abonimet e ujit dhe energjisë elektrike dhe procedurat e kredisë për strehim.
Sipas nenit 30, Sigurimi i Detyrueshëm do të jetë edhe kusht për hipotekimin e pronës. Drafti nuk parashikon shifra. Por aktualisht sigurimi i një vile me vlerë 100 mijë euro kushton 90 ose 100 euro, ndërsa për të siguruar një apartament me të njëjtën vlerë kushton 50 – 60 euro në vit.