23.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Çfarë shkoi keq me Korenë e Veriut?

Arthur Waldron

 

Tani Korea e Veriut është e armatosur me raketa të rrezes së gjatë dhe armë termobërthamore. Kjo është situata e re normale. Penjani nuk ka për t’i dorëzuar kurrë ato dhe askush nuk mund ta detyrojë. Pasojat e këtij zhvillimi do të tranformojnë politikën globale dhe atë të sigurisë. Pritet pa dyshim shpërthimi i një vale të re përhapjeje bërthamore dhe gare ushtarake. Kështu dikush mund të pyesë: Duke pasur parasysh njohuritë që kemi për Korenë e Veriut, e lamë këtë të ndodhë? Mbi të gjitha, çfarë mund të bëjmë për të reduktuar në minimum kërcënimin e luftës?
Në vitin 1994, presidenti Bill Clinton foli për krijimin e “kornizës së marrëveshjes” me Penjanin që pretendonte se mund të zgjidhte problemin. “Korea e Veriut do të ngrijë dhe më pas do të asgjësojë të gjithë programin e saj bërthamor. Korea e Jugut dhe aleatët tanë të tjerë do të jenë të mbrojtur. E gjithë bota do të jetë më e sigurtë teksa ne do të ngadalësojmë përhapjen e armëve bërthamore”, tha Bill Clinton.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se siguria do të ruhej dhe se Shtetet e Bashkuara ishin mëse të vendosura për ta penguar programin bërthamor. Këto në Amerikë i quajnë “kërcënime boshe” dhe koha tregoi se të tilla ishin. Brenda gjashtë viteve, CIA kishte mbledhur prova të mjaftueshme që vërtetonin vazhdimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Në vitin 2006, Penjani zhvilloi testin e parë bërthamor. “Ekspertët” theksuan se Korea e Veriut e kishte të pamundur që e vetme të zhvillonte sistemet e nevojshme për të rritur arsenalin në dispozicion. Atëherë u tha se vetëm në vitin 2020 mund të arrijë vërtet Korea e Veriut të përbëjë rrezik domethënës.
Çfarë shkoi keq? Natyrisht bëhet fjalë për dështime të njëpasnjëshme të inteligjencës. Kjo ishte paaftësia për të imagjinuar atë që mund të ndodhte, një dështim i politikës që pretendonte të përdorte negociata dhe inçentivat për të bindur Penjanin të luante sipas rregullave të lojës. Më e rëndëisishme ishte paaftësia për të marrë në konsideratë leksionet e historisë.
Në Luftën e Dytë Botërore, në kohën e Hitlerit, rangjet më të larta të ushtrisë dhe aparatit të sigurisë përmbanin shumë njerëz që e kundërshtonin luftën. Ata kishin në plan të zhvillonin një grusht nëse Hitleri pushtonte Çekosllovakinë. Kur planet e çekëve iu bënë të njohura ushtrisë, gjenerali Beck dhe delegatë të tjerë u dërguan në Londër dhe Paris. Nga ana e tij, kryeministri britanik, Neville Chamberlain dhe presidenti francez, Édouard Daladier arritën një marrëveshje me Hitlerin në Mynih në shtator 1938 duke sakrifikuar Çekosllovakinë dhe duke shkatërruar të gjithë planin. U bënë edhe plane të tjera, por ky ndoshta ishte rasti i vetëm.
Të arrije në Çekosllovaki do të thoshte të kaloje male të tëra dhe me municionet e famshme të Skoda Works, ushtria mjaft eficente çeke mund ta kishte thyer ushtrinë e Hitlerit. Me pak fjalë, ia vlente të provohej. Qeveritë britanike dhe franceze duhet të kishin reaguar me pozitivitet, por u frikësuan dhe u joshën nga ideja imagjinare e paqes përmes marrëveshjes me Hitlerin, me pak fjalë, duke e lënë atë të pushtojë shtete të tjera përveç tyre.
Leksioni historik në këtë rast është se zjarret e mëdhenj shpesh ndizen nga shkrepse të vjetra që duket se nuk bëjnë flakë. Në gjuhën gjeopolitike do të thotë se forca ose kërcënimi i përdorimit të forcës duhet të përdoren menjëherë sapo identifikohet kërcënimi. Njerëzit e civilizuar e vendosin forcën të fundit në listë pas bisedimeve, negociatave, inçentivave dhe embargove, të cilat nuk funksionojnë kur një shtet e ka vënë veten në rrugën e luftës. Ndoshta Lufta e Dytë Botërore mund të ishte parandaluar që në vitin 1938, por atë ditë Gjermania kuptoi se aleancat mund të prisheshin dhe se lufta mund të çohej deri në fundin më të përgjakur.
Po kështu, Korea e Veriut mund të ishte frenuar që vitin 1994 përmes kërcënimeve ushtarake apo operacioneve sulmuese kundër programit bërthamor, por administrata e atëhershme humbi kohë në mënyrën më naive. Askush nuk pati guximin të tregonte se sa serioze ishte situata dhe sa mund të përkeqësohej.
Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara ruanin edhe iluzione të mëdha në lidhje me bashkëpunimin e Pekinit për këtë çështje. Në fakt, një vit pas fjalimit të Clintonit, qeveria e Kinës bëri tentativën e parë për të nisur ekspansionin e saj territorial më të madh edhe se Rajhu i Tretë, me aneksimin e barrierës Mischief të Filipineve. Kështu ka ndodhur edhe më parë, nëse aleatët do të ishin përgatitur për të luftuar për Çekosllovakinë, Hitleri nuk do të kishte fituar famën e të pamposhturit që e shfrytëzoi me aq zgjuarsi gjatë fushatave të tij.
Tani, bota përballet me një situatë po aq të rrezikshme. Korea e Jugut dhe Japonia do të bëhen së shpejti fuqi me kapacitet të plotë bërthamor. Lufta ekzistuese e armatimeve në Azinë Lindore do të kalojë përmes Indisë, drejt kufijve të Rusisë, duke kërcënuar kështu Europën. Nuk ekziston më asnjë zgjidhje përveç shfaqjes së forcës. Mirë se vini në epokën përpara luftës!

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

 

Assad, armikja e betuar e 9 presidentëve amerikanë

Takimi i parë i sekretarit të Shtetit amerikan, Henry Kissinger me Presidentin sirian, Hafez al-Assad në vitin 1973 vazhdoi me të shtyrë deri në orën 11 të mbrëmjes. Vazhdoi aq gjatë, raportoi revista “Time”, aq sa mediat nisën të spekulojnë për faktin se mos kryediplomati amerikan ishte rrëmbyer. Assad “negocionte në mënyrë kokëfortë dhe të guximshme si lojtar pokeri për t’u siguruar se kishte nxjerrë edhe grimcën e fundit të lëshimeve të mundshme”, kujton Kissinger në kujtimet e tij “Years of Upheaval”. Maratonat qenë tipike. Në vitin 1991 sekretari i Shtetit, James Baker në mënyrë demonstrative ngriti flamurin e bardhë “të dorëzimit” pas pothuajse 10 orësh për shkak se kishte nevojë për një vajtje në banjo. Baker i quajti negocitatat me Assad si “diplomacia e fshikëzës”.
Qysh nga grushti i shtetit pa gjak më 1970 që e solli familjen në pushtet, dinastia Assad – babai themelues Hafez dhe trashëgimtari e djali i dytë i tij Bashar – ka frustruar 9 presidentë amerikanë. “Harxhues kohe, nerva gërricës dhe i çuditshëm”, u shpreh Kissinger pas një prej takimeve të tij me Hafez al-Assad. Administratat republikane dhe demokrate njëlloj i kanë marrë me të mirë dhe i kanë mikluar, stimuluar e lavdëruar dhe më së fundmi, konfrontuar dhe dënuar Assad-ët që të bëjnë ndryshime politike.
Kissinger bëri 28 udhëtime në Damask – 14 vetëm në 1 muaj – për të menaxhuar dështimin nga lufta arabo–izraeliane e vitit 1973. Më së fundi siguroi një marrëveshje me Assad në vitin 1974 për të larguar trupat siriane dhe izraeliane përgjatë Lartësive Golan. Më pak se një muaj më pas, Richard Nixon u bë Presidenti i parë amerikan që vizitoi Damaskun. Ai u prit me 21 të shtëna topi dhe udhëtoi me një makinë të hapur bashkë me Assad nëpër qindra flamujt amerikanë të valëvitura nga një erë e fortë. Një poster i madh përgjatë rrugës lexonte: “Damasku revolucionar mirëpret Presidentin Nixon”. Por as Nixon, që u detyrua të dorëhiqet vetëm 2 muaj më pas, as Gerald Ford nuk qenë në gjendje që ta kanalizonin këtë lidhje gjatë viteve të para të Assad në pushtet në një paqe më të gjerë në Lindje të Mesme.
Assad do të thotë “luan” dhe ai e luajti rolin e tij si “Luani i Damaskut”. Siria kishte qenë e dobët dhe e paqëndrueshme pas pavarësisë nga Franca më 1946. Kishte përjetuar 20 grushte shteti në 21 vjet. Ai i Assad ishte i fundit, në vitin 1970. Fillimisht, ai u duartrokit. “Times” raportonte: “Admirues të Gjeneralit Assad e mirëpritën marrjen e pushtetit nga ana e tij brenda Partisë Ba’ath si një fitore të parashikueshme të pragmatizmit ndaj ideologjisë”. Por në mënyrë që ta fuqizonte dhe ta bënte shtetin sirian një fuqi rajonale, Assad u bë gjithnjë e më shumë mizor me kundërshtarët e tij në vend dhe kokëfortë me botën e jashtme.
Jimmy Carter u takua me Assad në Gjenevë në vitin 1977 për të eksploruar perspektivat e një konference sovjeto–amerikane për paqe në Lindjen e Mesme. Assad ishte i palëkundur. Kërkonte kthimin e territorit të kapur nga Izraeli dhe barazi strategjike për botën arabe. Ishte i gatshëm, kujton Carter më vonë, që “më mirë përballej me konfrontime serioze politike dhe ushtarake sesa të braktiste parimin”. Bile Carter e ftoi liderin sirian që të vizitonte Uashingtonin. Optika e një fotografie në Shtëpinë e Bardhë nuk e joshi Assad. “M’u përgjigj se nuk kishte ndonjë interes për t’i vizituar Shtetet e Bashkuara”, shkruan Carter. Një vit më vonë, kur Carter ndërmjetësoi Marrëveshjen e Kemp Dejvidit midis Presidentit egjiptian, Anwar al Sadat dhe Kryeministrit izraelian, Menachem Begin, Assad u kundërpërgjigj me thellimin e lidhjeve me Moskën.
Në mënyrë të përsëritur Assad luajti rolin e prishësit të paqes gjatë administratës Reagan. Në vitin 1981 mbuloja samitin e Lidhjes Arabe në Fez të Marokut ku Princi Trashëgimtar saudit Fahd do të prezantonte planin e tij prej 8 pikash, të mbështetur nga Uashingtoni, për të njohur të drejtën e Izraelit që të “jetonte në paqe” në shkëmbim të kthimit të territorit. 21 delegatë arritën në Fez dhe pritën për Assad. Isha në aeroport kur avioni sirian që transportonte badigardët dhe stafin e tij mbërriti. Assad nuk u shfaq asnjëherë. Samiti dështoi.
Tensionet midis Reagan dhe Assad u bënë haptazi armiqësore pas pushtimit të Libanit në vitin 1982 nga ana e Izraelit, ku Siria kishte mijëra trupa të dislokuara. Sekretari i Shtetit, George Shultz ndërmjetësoi një traktat formal paqeje midis Izraelit dhe Libanit, por Assad praktikisht e hodhi në erë të gjithë marrëveshjen nëpërmjet refuzimit për t’i tërhequr forcat e tij – një kusht për largimin e Izraelit.
Assad lojëra të rrezikshme strategjike për të rritur peshën siriane në lojë. Gjatë pushtimit izraelian, ai mbështeti dislokimin e Gardës Revolucionare iraniane në Liban dhe krijimin e një milicie të re shiite që u rrit në atë çka njohim sot si Hezbollah. Në prillin e 1983 u akuzua për bombën në ambasadën amerikane në Bejrut, sulmi i parë vetëvrasës kundër një objekti amerikan kudo në botë. Kjo u pasua nga sulmet ndaj kazermave të forcave paqeruajtëse amerikane të vendosura në Liban, ku më shumë se 200 persona u vranë dhe nga një sulm i dytë ndaj ambasadës amerikane. Shtetet e Bashkuara bënë Assad përgjegjës po aq sa Irani dhe Hezbollahu për futjen e një lloji krejtësisht të ri të mënyrës së luftimit. 35 vite më pas, Hezbollahu është një prej milicive më të fuqishme në Lindjen e Mesme. Dhjetëra mijëra luftëtarë të tij po e ndihmojnë tani dinastinë Assad të qëndrojë në pushtet.
“Assad nuk hezitoi të përdorë dhunë apo terrorizëm për qëllimet e tij”, shkroi më pas Shultz tek kujtimet e tij “Turmoil and Triumph”. Megjithatë, administrata Reagan i mbajti marrëdhëniet diplomatike me Damaskun – dhe kontaktin me Assad. Shultz u rikthye në Siri më 1988 për ta takuar gjatë një raundi tjetër për paqen në Lindjen e Mesme. “Dija gjithashtu se ishte e rëndësishme për arabët e tjerë që konsultohesha me të”, shkruan Shultz. Sërish, gjithçka rezultoi e kotë. I pyetur nga shtypi që e shoqëronte në udhëtim nëse kishte ende ndonjëfarë shprese, Shultz u përgjigj: “Jam i habitur nga ndjenja juaj e humorit”.
Pushtimi i Kuvajtit nga ana e Saddam Hussein në gushtin e 1990 siguroi një ndërthurje të rrallë interesash midis Uashingtonit dhe Damaskut. Siria dhe Iraku qenë rivalë dhe Assad i bashkëngjiti mijëra trupa koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara në operacionin “Desert Storm” për ta larguar Irakun nga Kuvajti i pasur me naftë. Si pjesë të planit të tij për të modeluar një “rend të ri botëror” pas Luftës së Gjirit, Presidenti George H. W. Bush e takoi Assad në Gjenevë dhe fitoi dakordësinë e tij për një konferencë të përbashkët paqeje sovjeto-amerikane në Madrid. Por Assad nuk mori pjesë në të; gjithçka ngeci.
Rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991 i kushtoi Assad aleatin e tij më të rëndësishëm. Marrëveshjet e Oslos e 1993 midis izraelianëve dhe palestinezëve, pasuar nga Traktati i Paqes i 1994 midis Jordanisë dhe Izraelit, e bënë atë të dukej një njeri i çuditshëm në rajon. Presidenti Clinton u përpoq që ta shfrytëzojë aftësinë e reduktuar të manovrës së Assad. Midis viteve 1993 dhe 1996, sekretari i Shtetit, Warren Christopher bëri pothuajse 30 udhëtime në Damask, për të lidhur një marrëveshje për Lartësitë Golan. Unë qeshë në shumicën prej tyre. Shumë herë, Christopher i tregoi shtypit që udhëtonte me të se ai ishte afër, shumë afër. Clinton e takoi Assad në Damask- udhëtimi i parë presidencial qysh nga vizita e Nixon – më 1994. Por një marrëveshje nuk u arrit kurrë. Në një tentativë të minutës së fundit përpara se të largohej nga detyra, Clinton e takoi sërish Assad, kësaj radhe në Gjenevë. Assad e kaloi pjesën më të madhe të takimit duke i bërë leksion presidentit më të ri në moshë rreth historisë së kufirit të Sirisë me Izraelin dhe ripërsëritur kërkesën e tij për rikthimin e të gjithë Lartësive Golan si kusht për paqen.
Një i dërguar arab tha për “Times”: “Ai më mirë do të vdiste sesa të mos siguronte largim të plotë. Nuk kish ndryshuar mendje në 30 vjet dhe nuk do ta ndryshonte për disa orë në Gjenevë”. Assad vdiq vetëm 3 muaj më pas. “Ai ishte një njeri mizor, por brilant, që dikur asgjësoi një fshat të tërë si leksion për kundërshtarët e tij”, shkruan Clinton tek “My Life”.
Qëllimi i Assad ishte që djali më i madh i tij, Basil, do të merrte pushtetin, por ai humbi jetën në një aksident automobilistik. Bashar, që ishte oftamolog, zuri vendin e tij. Sipas të dërguarve amerikanë që e njihnin, babai dhe djali përfaqësonin një familje, por Assad plak ishte më i rrahur me botën reale dhe realpolitikë. I nënti i 11 fëmijëve, Hafez al-Assad vinte nga një fis malësor i egër dhe i varfër. Ai qe i pari në familjen e tij që ndoqi arsimin 8-vjeçar. Më pas shkoi në Alep – një qytet të cilin i biri më pas do ta shkatërronte – për të ndjekur Akademinë e Forcës Ajrore. Në moshën 35-vjeçare qe ministër Mbrojtjeje. Në moshën 40-vjeçare, falë dinakërisë, u bë president.
Djali i Hafez u soll në pallatin presidencial, në një kryeqytet kozmopolit, i mbuluar me privilegje dhe iu dhanë frenat e pushtetit. Fillimisht Bashar u portretizua si reformator, në pjesën më të madhe për shkak të pëlqimit që kishte nga ana e rinisë, një bashkëshorte plot stil që kishte qenë bankiere investimesh tek JPMorgan dhe interesit të tij ndaj internetit dhe teknologjisë së shekullit XXI. Megjithatë, pas pothuajse 2 dekadash në pushtet, Assad ka provuar se nuk i ka instinktet e zgjuara të të atit apo edhe shumë nga urtësia politike e tij.
George W. Bush eksploroi për mundësi me liderin e ri të Sirisë. Ai dërgoi 3 herë në Damask sekretarin e Shtetit, Colin Powell, por pas pushtimit amerikan të Irakut më 2003 Assad lejoi mijëra xhihadistë të huaj të kalonin kufirin e tij prej 375 miljesh me Irakun për të luftuar trupat amerikane aty. Më 2007, CIA konfirmoi një raportim të inteligjencës izraeliane se Siria, me projekte dhe teknikë koreanoveriore, po ndërtonte një reaktor sekret bërthamor në qytetin e largët Deir Ezzor. Avionët luftarakë irzaelianë e sulmuan pozicionin. “Durimi im ndaj Presidentit Assad u sos shumë kohë më parë”, tha Bush në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë më 2007. “Arsyeja është sepse ai strehon Hamasin, ndihmon Hezbollahun, ata që vetëvriten me bomba futen në Irak nga vendi i tij dhe destabilizon Libanin”.
Pak kohë pasi Presidenti Obama erdhi në detyrë më 2009, John Kerry, në atë kohë senator dhe bashkëshortja e tij Teresa darkuan me Assad dhe bashkëshorten e tij në një restorant shik në qytetin e vjetër të Damaskut. Në një konferencë për shtyp Kerry tha se administrata e re e konsideronte Sirinë “një lojtar thelbësor në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon”. Edhe pasi “pranvera arabe” u përhap në Siri në marsin e 2011, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi në emisionin “Face the Nation”: “Kemi një lider të ndryshëm tani në Siri. Shumë anëtarë të Kongresit nga të dyja partitë që kanë shkuar në Siri gjatë muajve të fundit kanë thënë se besojnë që ai është reformator”.
Nuk ishte i tillë. Teksa Assad lëshonte forcat e tij të sigurisë ndaj protestuesve paqësorë, duke vrarë mijëra, Obama ndryshoi kurs. Ju bashkua liderëve europianë që bënin thirrje për dorëheqjen e Assad. “E ardhmja e Sirisë duhet të përcaktohet nga populli i saj, por Presidenti Bashar al-Assad e pengon në rrugën e saj”, u shpreh Obama në një deklaratë. “Ka ardhur koha për Presidentin Assad që të largohet”. Gjithashtu, administrata alokoi dhjetëra milion dollarë për të armatosur dhe asistuar rebelët sirianë, të cilët deri më atëherë kishin pasur impakt të kufizuar.
Ashtu si tetë paraardhësit e tij, Trump erdhi në detyrë i gatshëm që të konsideronte një rol për Assad me qëllim që t’i jepte fund luftës më të fundit në Siri, pavarësisht faktit që Assad më i ri kishte vrarë, plagosur apo përzënë miliona sirianë më shumë nga sa kishte bërë babai i tij dhe në një kohë shumë më të shkurtër. U deshën më pak se 100 ditë për Presidentin Trump që të zbulojë se dinastia Assad mund të jetë gjithashtu armiku i përbetuar i tij.

(Robin Wright për “New Yorker”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Misteri i strategjisë detare të Kinës

Arthur Waldron

Pothuajse çdo ditë dëgjojmë lajme të përgatitjeve dhe aktiviteteve të ndryshme të ushtrisë kineze: një aeroplanmbajtëse të re, komunikimet kuantike apo fuqia ushtarake gjithmonë në rritje. Analistët seriozë, zakonisht e ngrejnë një pyetje të thjeshtë kur analizojnë zhvillime të tilla: cili është qëllimi i tyre?
Cila është strategjia dhe qëllimi madhor gjeopolitik që vizualizon vendi në fjalë pas çdo operacioni ushtarak të radhës? Në fund të fundit askush nuk ka ndërmend të pushtojë Kinën, ndaj mbrojtja nuk ka pse të jetë e këtij dimensioni të madh. A është duke menduar Kina seriozisht të pushtojë një vend tjetër? Me siguri, jo. Për më tepër, fqinjët e saj më të rëndësishëm tokësorë janë Rusia, Kazakistani dhe India.
Është pak të thuash se do të ishte pa kuptim që Kina të sulmonte një prej tyre, pasi do të ishte një lëvizje vetëshkatërruese. Për të arsyetuar këtë, mjafton të marrësh në konsideratë humbjen e madhe që i shkaktoi Kinës në vitin 1979 një vend i vogël si Vietnami me sipërfaqe shumë herë më të vogël se Gjermania dhe ky konflikt vazhdon akoma të sjellë pasoja. Për sa i përket strategjisë: Cila është politika ushtarake e Kinës? Ku ka ndërmend të arrijë?
Pyetjet në këtë kontekst mund të vazhdojnë pafundësisht, por me një analizë të thjeshtë, ndoshta edhe sipërfaqësore, arrin në të vetmen përgjigje të logjikshme: Kina kërkon të bëhet një vend “i jashtëzakonshëm” me çdo kusht. Por le të analizojmë për pak se çfarë do të thotë të jesh “i jashtëzakonshëm” për një shtet. Të renditesh në krye të listës së Freedom House për nivelin e demokracisë dhe lirisë? Të kesh normën më të ulët në botë të vdekjeve të foshnjeve? Të kesh nivelin më të ulët të ndotjes? Të kesh koeficientin më të barabartë Gini për shpërndarjen e pasurisë? Të kesh mjedisin më të bukur dhe më të pastër në botë? Numrin më të lartë të çmimeve Nobel dhe medaljeve olimpike? Të kesh numrin më të lartë të popullsisë së lumtur? Numrin më të lartë të bombave me hidrogjen?
Metrika që zgjedh në këtë rast për t’u krahasuar me vendet e tjera nuk ka asnjë rëndësi sepse sado i “jashtëzankonshëm” të jesh, do të renditesh me siguri keq në një prej listave të shumta të krahasimit. Për shembull, Shtetet e Bashkuara kanë një koeficient të dobët Gini dhe normë të lartë ndotjeje. Por qëllimi madhor i Kinës është të jetë e para në gjithçka. Kjo është ajo që kinezët dëshirojnë për shtetin dhe fëmijët e tyre, por kjo është e pamundur dhe tepër naive.
Ekzistojnë disa shkrime të njohura botërisht që duket se kanë influencuar së tepërmi politikën kineze në fushën ushtarake tokësore dhe detare. Puna e Alfred Thayer Mahan është përkthyer për herë të parë në gjuhën kineze gjatë shekullit 19, edhe pse në gjuhën japoneze dhe shumë gjuhë të tjera ishin përkthyer kohë më parë. Megjithatë këto janë shkrime që për qeverinë kineze kanë pasur rëndësi të veçantë për krijimin e politikës kombëtare.
Në vitin 1954 ka dalë botimi i parë i librit “Influenca e pushtetit detar mbi historinë” që në Perëndim është shfaqur që në vitin 1890. Këto studime kanë ndikuar së tepërmi në mënyrën se si shteti kinez shpenzon shuma të jashtëzakonshme në atë që ky shtet nuk ka poseduar kurrë më parë në histori: një flotë detare në det të hapur. Dyshohet se nuk janë veçanërisht të tërhequr nga specifika e teorisë së Mahan, por me nxitja të tilla si: “Jo përmes ndërmarrjes së operacioneve të mëdha ushtarake tokësore, por përmes kontrollit të detit dhe përmes detit botën jashtë Europës, Anglia arriti të sigurojë triumfin e vendit të saj”.
Një frazë si “kontrolli i detit dhe përmes detit, botën jashtë Europës” mund të duket si një politikë ose qëllim joshës për një vend ambicioz si Kina, e cila prej shekujsh me radhë ndjen se i është mohuar padrejtësisht statusi si superfuqi. Megjithatë kjo është një frazë e keqkuptuar. Mahan nuk thotë se pushteti në det mund të përdoret për të pushtuar botën, por se si mund të përdoret për të pushtuar një kundërshtar specifik.
Idetë që e bënë aq të famshëm ai i ka marrë gjatë Luftës së Paqësorit (1879-1883) kur qëndronte në Phoenix Club në Lima dhe filloi të lexonte rreth mënyrë se si Hannibal kishte sulmuar Romën duke kapërcyer Alpet dhe reflektonte mbi idenë se sa të lehtë do ta kishte pasur po të posedonte anije të mëdha luftarake në breg. Kjo e frymëzoi Mahanin të përdorë frazën “pushteti detar”, një frazë që në atë kohë nuk i njihej shumë rëndësia dhe nuk ishte përmendur kurrë më parë.
Si në Luftën e Napoleonit, ashtu edhe në Luftën e Dytë Punike, operacionet detare qenë kontribues direkt të humbjes së asaj që në fillim ishte kryesisht luftë tokësore. Duke marrë frymëzim nga historia dhe shkrimet e preferuara të Mahan, Kina mendon se marrja e kontrollit mbi detin mund të jetë një element, për të mos thënë elementi kyç, për përcaktim e saj si një vend i jashtëzakonshëm në të ardhmen.
Dyshohet në fakt se disa liderë kinezë, pasi kanë përftuar një njohje sipërfaqësore të teorive të Mahan, mendojnë se mund të realizojnë atë që në fakt nuk ka qenë tema kryesore e shkrimeve të tij: kontrolli i çështjeve globale përmes pushtetit detar. Një koncept i tillë nuk gjendet në asnjë vend në shkrimet e Mahan. Ai mendonte se kontrolli lokal i detit ishte i domosdoshëm përballë një kundërshtari të caktuar për të ngritur një bllokadë të padepërtueshme. Si mund të arrihet kjo, nuk shpjegohet në shkrimet e Mahan. Argumentet e tij në fakt nuk përfshijnë “teorinë e fitores”, madje thekson fakt se çdo shtet, sado i fuqishëm, në një pikë të caktuar mund të ketë një bllokadë të dobët përballë kundërshtarit. Kjo mund të jetë e vërtetë për shtetet e vogla, por nuk ka asnjë kuptim për superfuqitë si Kina, Rusia, India, Shtetet e Bashkuara etj.
E vërteta është që zgjerimi i influencës nuk mund të arrihet në ditët e sotme përmes pushtetit detar, por përmes aleancave të qëndrueshme të mbështetura nga forcat ushtarake të mëdha. E vërteta është që Kina nuk i jep rëndësi të veçantë aleancave të saj. Si mund të arrihet të ushtrohet hegjemoni e njëanshme mbi Azinë përmes detit, ashtu siç i paralajmërojnë kinezët fqinjët e tyre? Kjo është e pamundur.
Aeroplanmbajtësja amerikane “Reagan” do të vizitojë Gjirin Camh Ranh në Vietnam vitin e ardhshëm, jo përmes ushtrimit të dhunës apo paraqitjes së forcës, por përmes ftesës nga ana e qeverisë së Vietnamit. Një shtet mund të fillojë të pushtojë një tjetër përmes forcës detare apo forcës ajrore, por si mund të arrijë të dërgojë trupa të mjaftueshme atje me anije për të luftuar në tokë?
Një gjeneral kinez ka drejtuar një pyetje 2 mijë vite më parë: A mund të sundohet një shtet hipur mbi kalë apo në krye të një flote? Jo! Sipas një tjetër historie, kur gjermanët i pyetën përpara fillimit të Luftës së Parë Botërore se çfarë do të bënin sikur anglezët të zbarkonin anijet e tyre në bregun baltik, ata u përgjigjën: “Do të dërgonim xhandarmërinë dhe do t’i arrestonim të gjithë”.
Më shumë se çdo gjë tjetër, Mahan ka theksuar: “Kurrë nuk duhet të ndahet një flotë”. Kjo ka të bëjë kryesisht me strategjinë e mbrojtjes së një shteti, duke ditur se për shkak të kohës së udhëtimit, një flote i nevojiten dy muaj për të arritur një fitore. Kinezët duket se nuk e kanë lexuar këtë pjesë. Me përvetësimet e panumërta të bazave detare, për shembull, në Pakistan dhe ishujt koralorë të Detit të Kinës së Jugut, mbrojtja e territorit do të kërkojë detyrimisht ndarjen e flotës.
Nëse nëndetëset e huaja kërcënojnë me akses në një prej “stacioneve të qymyrit” të Kinës ose shkëmbinjtë e Detit të Jugut, shumë anije do të duhet të zhvendoseshin për t’u mbrojtur nga sulmi, gjë që nuk do të ishte aspak e lehtë për t’u bërë nëse marrim në konsideratë distancën e madhe që kanë këto territore me Kinën. E njëjta gjë ndodhi me nëndetëset amerikane që paralizuan japonezët në Paqësorin e Jugut, thjesht duke izoluar ishujt që kishin më shumë garnizone dhe duke i nxjerrë ato jashtë luftës.
Megjithatë, këto ishuj dhe porte ka shumë pak gjasa të jenë ndonjëherë fokus konflikti. Rusia, një fuqi detare me madhësi të konsiderueshme, nuk do ta tolerojë kurrë dominancën e Kinës në detet përreth Vladivostokut dhe Kamchatkas. Një luftë e filluar në det do të kthehej në një luftë tokësore që Kina nuk e fiton dot. Gadishulli korean rreth gjirin Bohai është e vetmja rrugë detare në Kinën Veriore. Më pas, le të mos harrojmë edhe Indinë, e cila është mëse e aftë të mbyllë ngushticën e Malaccas nga Andaman deri në ishujt Nicobar, duke rreshtuar anije dhe duke lënë të kalojnë vetëm ato që i drejtohen Kinës.
Por a po e neglizhon vërtet Kina pushtetin e saj tokësor? Për një periudhë kohe përpara Luftës së Parë Botërore, gjermanët shpenzuan shumë para në flotën e tyre të dështuar të krijuar për t’i bërë ballë rrezikut, një flotë e krijuar për të mbajtur Britaninë e Madhe larg duke kërcënuar forcën e saj detare, e cila ishte thelbësore për mbijetesën e ishullit. Nëse këto para do t’i kishin shpenzuar për ushtrinë, me siguri do ta kishin fituar luftën.
Në rastin e Kinës, asnjë prej katërmbëdhjetë vendeve të saj fqinje – përfshirë këtu edhe Pakistanin – nuk janë as të rrezikshme dhe as potencialisht të rrezikshme. Në këtë numër nuk përfshihen fuqitë përtej detit si Japonia, e cila ka burime të jashtëzakonshme. Pra, le të hamendësojmë se lufta shpërthen vërtet dhe siç ka parashikuar gjenerali kinez Liu Yazhou, një nacionalist i egër antiJaponisë, nëndetëset mashtruese të Japonisë e kanë fundosur flotën lindore brenda katër orëve. Kina në këtë rast do të ndihej e sulmuar dhe e turpëruar. Për të folur për pasojat politike brenda vendit nuk do të mjaftonte një muaj i tërë.
Marina e shkëlqyer e Singaporit kontrollon kanalin Phillip, pjesa më e ngushtë e Ngushticës së Malaccas, 1,5 milje e gjatë. Le të supozojmë se Kina, duke ndarë flotën e saj, do të dërgonte një forcë detare për të nënshtruar Singaporin me një sipërfaqe prej 2 mijë kilometra katrorësh. Nuk ka asnjë dyshim që Singapori do ta fundoste Kinën me lehtësinë më të madhe. Nëse këtë skenar e shumëfishojmë me të gjithë kundërshtarët që Kina imagjinon se mund të ketë, atëherë kemi në dorë një problem strategjik të pamundur për t’u zgjidhur.
Kur bëhet fjalë për destinaciome strategjike, mund të përdoret metafora e mëposhtme: Kina është një autobus, autobusi më i madh i historisë. Kina mban sipër më shumë pasagjerë nga ç’mund të mbajë çdo autobus tjetër në botë. Ecën më shpejt se çdo autobus tjetër. Në cilin drejtim? Drejt. Dikush ngrihet në këmbë dhe pyet shoferin: “Ku po shkojmë?” Shoferi i përgjigjet: “Nuk jam i sigurt, por teksa afrohemi më shumë, do ta kuptoj edhe unë”. Kjo është një strategji dhe politikë aspak e zgjuar dhe pa një vizion të qartë në mendje, por duket se është rruga që Kina është duke ndjekur për momentin.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Historia gjeopolitike e Turqisë moderne

“Storica”

Gjatë gjithë Mijëvjeçarit I të erës tonë, shtytja drejt Perëndimit, nga Mançuria Veriore në Liqenin Balkhash, e popullsive turko–mongole dhe proto–mongole kontribuon në rrëshqitjen e popullsive indoeuropiane drejt Europës Qendrore e Perëndimore. Nga kjo përplasje e parë atavike turko–europiane, ende e privuar nga konotacionet fetare, ka vazhduar për shumë shekuj përkufizimi i kartës së popujve të Europës. Kjo deri në momentin në të cilin hunët – prototurq të rinj të vendosur në rajonin e Vollgës së Poshtme – nisin marshimin e tyre drejt Perëndimit. Paso kalojnë Donin dhe Dnieprin, ata sulmojnë gjermanët dhe shkaktojnë tërheqjen e këtyre të fundit në drejtim të Perandorisë Romake. Në dimrin e vitit 451, Atila penetron në territoret e perandorisë në lartësinë e Magoncës. Politika e shkatërrimeve masive e kryer nga këto hordhi të ardhur prej stepave do të mbesë e pashlyeshme në kujtesën e kristianizmit. Më pas, kur do të shfaqet islami në shekullin VII, imperializmi territorial i turqve nomadë do të marrë ngjyrë fetare. Duke absorbuar atë që kishte qenë deri në atë moment feja kombëtare e arabëve, turqit futen në qytetërimin urban dhe i ofrojnë islamit fuqinë dhe dhunën e armatave nomade kundër kristianizmit dhe Kinës. Koalicioni turko–arab i shekullit VIII do të bëjë të tërhiqen kinezët – pas betejës së Talas – në Azinë Qendrore. Ndërkohë, në shekullin XI rritja e mongolëve e bën tribùnë turke të selxhukëve që të vendoset në rrafshnaltën anadollase, në dyert e Bizantit. E mbrojtur nga Perandoria Bizantine, Europa pëson një humbje të hidhur më 1701 në Mantzikert (Manziscerta): Bizantinët përzihen pothuajse nga e gjithë Azia e Vogël dhe turqit pushtojnë Jeruzalemin. Në këtë pikë, Perandoria reagon. Kryqëzatat, të realizuara në pjesën më të madhe nga feudalizmi (kalorësia) franko–gjermanike, ofrojnë një moment frymëmarrjeje dhe i ofrojnë një shtyrje 350-vjeçare jetës së bastionit bizantin. Pa to, turqit sigurisht që do ta kishin eliminuar Perandorinë Romake të Lindjes duke filluar nga shekulli XI, shumë përpara se të penetronin thellë në brendësi të trojeve europiane. Periudha e Kryqëzatave nuk qe gjë tjetër veçse një armëpushim, nga momenti që turqit në shekullin XIII – të pamundësuar që të zgjeroheshin në lindje dhe të eliminuar nga Anadolli për shkak të fuqisë mongole të Tamerlanit – do t’i dyfishojnë përpjekjet për ta rrëzuar portën europiane të Ballkanit.
Kësaj radhe ai që kryen funksionin e “dashit” do të jetë shteti osman (nga trashëgimtarët e Osmanit të Erthogrul). Në shekullin XIV, njëra pas tjetrës, bien ana jugore e Serbisë (që do të dojë 5 shekujt të gjatë sa ta rigjejë pavarësinë e saj), Maqedonia dhe Bullgaria. Më pas, në shekullin XV, do të jenë idetë greke, romake e kristiane që do të shkëputen njëherazi nga dera e Europës me rënien e Konstandinopojës më 1453 dhe të Athinës tri vite më pas. Perandoria Bizantine, historikisht e ngarkuar me kontrollin e Detit Egje dhe e kalimit të Dardaneleve, venitet, duke mos përbërë më pengesë në rrugën e turqve drejt Mesdheut Perëndimor dhe Danubit. Midis rënies së Bizantit dhe mbarimit të shekullit XV, do të jenë për pasojë Bosnja, Shqipëria, Hercegovina, Besarabia, Moldavia e Vllahia që do t’i “zhvaten” qytetërimit europian. Në shekullin XVI, nën mbretërimin e Sulejmanit të Madhërishëm, Perandoria turke i shumëfishon sulmet e saj, me jo më pak se 10 ofensiva tokësore drejt Europës dhe 3 në drejtim të Azisë. Në Mesdhe, përpjekja multikombëtare e Europës pëson një disfatë të madhe me rënien e fortesës së Rodit më 1522. Kalorësit xhertosimilitanë janë detyruar që të tërhiqen drejt Perëndimit, në Maltë, pikë kyçe e kontrollit të trafikut detar midis dy baseneve të Mesdheut. Të mbështetur nga fuqia detare e tyre, turqit kanë marrë gjithsesi në posedim litoralin e Afrikës Veriore (Tripoli, Tunizi dhe Algjeri). Përparimi perandorak islamo–turk në Mesdhe shoqërohet me një përparim drejt brendësisë së Europës. Humbja e Mohacs e 1526 dhe pushtimi i Budapestit më 1541, sanksionojnë zhdukjen e shtetit hungarez, nga ku pason rënia pasuese e Kroacisë dhe e veriut të Serbisë.
Midis viteve 1520 e 1566, Perandoria Osmane arrin shtrirjen e saj maksimale në Europë: Greqia dhe tërësia e rajoneve ballkanike e danubiane formojnë atë që në brendësinë e saj quhen “vendet e Rumit”, domethënë Rumelinë. Megjithatë, pas shekullit XV hapja e rrugës oqeanike e Kepit të Shpresës së Mirë drejt Indisë nga ana e vendeve iberike përbën një prej shkaqeve kryesore të rënies osmane (me humbjen e 60% të të ardhurave nga trafiku tregtar lindje–perëndim). Tashmë islami, i të cilit osmanët janë motori kryesor, nuk është më një ndërmjetës i pashmangshëm i tregtisë midis Europës dhe Indive. Padyshim, europianët e shekullit XVI dhe të pjesës së parë të shekullit XVII nuk marrin parasysh rëndësinë historike të këtij revolucioni gjeopolitik, që do t’i ndjejë efektet e tij në periudhën afatgjatë (rreth 2 shekuj). Në momentin në të cilin kushtet bazë të mbështetjes të fuqisë turke janë minuar nga iniciativat europiane, Perandoria Osmane vazhdon të rritet pavarësisht fitores së habitshme dhe vendimtare europiane të Lepantos të vitit 1571. Në fillim të shekullit XVII, madhësia e Perandorisë Osmane është e pamatë: ajo përfshin territoret e Turqisë moderne, të Kaukazit, të Krimesë, të Ukrainës Jugore dhe në Ballkan, atë që korrespondon sot me ish-Jugosllavinë, përveçse me Rumaninë, Bullgarinë, Greqinë dhe Hungarinë. Në Lindje të Mesme, në anën mesdhetare, osmanët shtrihen mbi Liban, Siri, Palestinë, një pjesë të Irakut dhe mbi gadishullin Arabik deri në Jemen. Në Afrikë, Perandoria Osmane përfshin Egjiptin, Libinë, Tunizinë dhe Algjerinë. Ajo osmane është padyshim fuqia e parë botërore. Megjithatë, marshimi drejt rënies ka filluar: rritja në fuqi e vendeve perëndimore, që e gjen bazën e saj në revolucionin teknik e fundit të Mesjetës, mbështet rritjen demografike europiane. Deri në këtë moment, osmanët kishin nga ana e tyre numrin dhe fuqinë e zjarrit, por këta faktorë themelorë tashmë kontestohen nga vendet e Perëndimit dhe për më tepër, rezistencën e popujve europianë në Europën Qendrore e në brendësi të Ballkanit nuk ka gjasa të zvogëlohet.
Padyshim, edhe nëse regjistrohen konvertime të shumta në islam, popujt e degës indoeuropiane dhe ugrofinike, në tërësinë e tyre, i rezistojnë islamizimit. Në shekullin XVIII fuqia turke osmane hyn në një cikël shpërbërjeje: një pjesë e territoreve të Perandorisë bëhen pjesë e perandorive europiane (në Afrikën e Veriut dhe në Lindje të Mesme), një pjesë tjetër, në Europën Qendrore dhe Lindore, nis marshimin e saj në rrugën e vetëvendosjes kombëtare, përplasja Europë–Turqi, me valencë të dyfishtë raciale dhe fetare, nxjerr në pah papërkulshmërinë e dy logjikave europiane dhe turke. Shumë përpara ardhjes së islamit, identiteti europian ishte farkëtuar në rezistencën ndaj shtytjeve të Azisë turke. Në islam, turqit kanë qenë një ndër motorët më të fuqishëm antieuropianë, më shumë sesa arabët, të përfunduar shpejt nën zgjedhën e turqve. Simetrikisht, thelbi i strukturës së popujve të stepave dhe më pas i Perandorisë Osmane ka konsistuar gjithmonë në etjen për pushtim të resurseve europiane (ar, gra dhe fusha pjellore).
Gjeopolitika e shtetit modern turk (rezultat i shpërbërjes së shtetit perandorak osman) duhet të vlerësohet paraprakisht në raport me 3 forca kryesore që ndërveprojnë në brendësinë e tij, duke u përplasur dhe duke u influencuar reciprokisht:
1) Panturkizmi apo panturanizmi (ideja për të bashkuar të gjithë turqishfolësit), laik dhe modernizues, popullor, historikisht antieuropian, por edhe antiarab, që shikon nga vëllezërit e racës turke të Azisë Qendrore (gjenetikisht edhe më të pastërtit e atyre të Stambollit).
2) Panislamizmi (aspirata politiko–fetare ndaj një kalifati të bashkuar islamik), e fortë sidomos në nivel popullor, tradicionalisht antieuropian dhe që shpaloset në vullnetin për ta pushtuar Europën që të hakmerret për Lepantin dhe Vjenën.
3) Oksidentalizmi elitar, trashëgimtar i sekteve ezoteriko–racionaliste si “dunmeh”-ët. Fuqimisht laik, proamerikan dhe prosionist, i pranishëm thuajse vetëm në nivele drejtimi dhe që mund ta udhëheqë vendin vetëm duke i menaxhuar shtytjet e ardhura nga korrentet popullore. Përgjithësisht futet në korrentin panturk.
Në aspektin e realitetit të popullsisë turqishtfolëse, bota turke peshon në realitet shumë më tepër se shteti turk. Demografikisht, në qoftë se mblidhen turqishtfolësit e republikave të reja të pavarura të Azisë Qendrore me ato të Kaukazit (Azerbajxhan) dhe të Federatës Ruse, sigurohet më shumë se dyfishi i Turqisë bashkëkohore. Nën Perandorinë Osmane, panturkizmi dhe panislamizmi kanë marshuar në thelb me hap të njëjtë në kuadër të osmanizmit. Pas revolucionit të Turqve të Rinj më 1908, ideja fetare ka kaluar në plan të dytë respektivisht panturkizmit.
Një prej linjave bashkëkohore të politikës së jashtme të Turqisë është për pasojë projektimi i saj drejt Azisë Qendrore turqishfolëse dhe forcimi i lidhjeve me vëllezërit e saj të “kolonizuar” nga rusët. Por në këtë përpjekje politike aksioni i saj përplaset me një aks të fortë Moskë–Erevan–Teheran, kështu që jo vetëm tradicionalisht me Rusinë, por edhe me gjeopolitikën armene (aleanca armeno–ruse e gjen arsyen historike të saj në gjenocidin turk të armenëve) dhe iraniane (bota persiane u ka futur në zonë elementë të qytetërimit urban kalorësve nomadë turq). Pak më tej Azisë Qendrore, më në Lindje, Turqia nuk ka harruar praninë e saj historike në fushat pjellore të Perandorisë së Hanëve. Në këtë mënyrë, Turkestani kinez dhe Ksiniangu janë bërë objekt vëmendjesh të mëdha nga ana e Ankarasë: separatizmi i armatosur i uigurëve turqishfolës sjell lehtësi strategjike në territorin turk. Dhe është pikërisht në këtë kontekst gjeopolitik që Turqia, duke u mbështetur në rivendikimet e popullsisë me etni turke që shtyhen deri në brendësi të Rusisë e të Kinës, mund të aspirojë një rol të mundshëm të ardhshëm si fuqi rajonale euraziatike. Në një perspektivë të tillë, integrimi i Turqisë në Bashkimin Europian përfaqëson sigurisht një mjet të destinuar që të favorizojë politikën e panturqizmit. Solidariteti turk, sot i frenuar nga struktura e ngurtë e shtetit komb me frymëzim jakobin të trashëguar nga kemalizmi, mund të gjejë në kontekstin e së drejtës europiane stimulin për një energji të rinovuar. E drejta e pakicave, kombinuar me ato të individit (të drejtat e njeriut) të kundërvëna me absolutizmin e shtetit, mund të bëhet (edhe pse në kontradiktë të fortë me problemet e brendshme të Ankarasë, të përfaqësuara nga populli kurd) një mjet i fuqishëm në shërbim të solidaritetit midis turqve të Turqisë nga njëra anë dhe turqve të Bashkimit Europian (të emigruar në Francë dhe Gjermani), të Azisë Qendrore dhe të Federatës Ruse nga ana tjetër, me rezultatin e pashmangshëm dhe fatal që të rrisë, kundër vetë interesave të Europës, tensionet midis Brukselit dhe Moskës.
Nëse solidariteti turkofon përfaqëson instrumentin e politikës së saj euraziatike, objektivi i vërtetë i politikës mesdhetare turke duket se është zgjerimi i sovranitetit dhe i popullimit. Një objektiv i parë i turqve është që të sigurojë një zbaticë të sovranitetit grek në Egje, që mbështetet mbi posedimin të pothuajse totalitetit të ishujve apo ishujve të vegjël të Cikladeve dhe të Sporadeve. Turqit shikojnë një pengesë ndaj qarkullimit të tyre midis Detit të Zi dhe Mesdheut. Praktikisht, Ankaraja dëshiron të marrë rolin prej aktori midis Detit Kaspik, Detit të Zi dhe Mesdheut. Një objektiv i dytë është kolonizimi, me shpresën që herët a vonë ta absorbojë, i ishullit të Qipros, pikë strategjike e Mesdheut Lindor, pse jo edhe trampolinë drejt botës arabe. Turqia kërkon kështu që të ndërtojë në periferinë e saj hapësirën e një Turqie të madhe, nëpërmjet Rusisë, nëpërmjet emigracionit dhe shtrirjes së sovranitetit drejt Europës (pakica të Europës Lindore, pushtim demografik të Qipros, Detit Egje). Në brendësi, instrumenti i unifikimit identitar ka qenë politika e turqizmit të pakicave etnike. Identiteti kurd, që përfaqëson çerekun e popullsisë së Turqisë bashkëkohore, ka qenë objekti i kësaj politike. Një politikë që nga ana tjetër shkon në të njëjtin drejtim me politikat e asimilimit etnik të konfederatave të mëdha tribale turko–mongole të shekujve të kaluar, që absorbonin elementë të shumtë etnikë ekzogjenë (indoeuropianë, kinezë, arabë apo persianë). Pavarësisht përpjekjeve represive të Ankarasë, turqizimi i kurdëve mbetet patjetër një dështim.
Padyshim që identiteti kurd ka mundur të mbijetojë falë divergjencave dhe grindjeve midis shtetit turk, arab (Siri, Irak) dhe persian (Iran), prej të cilave përfiton që të mbijetojë. Por nëse partia islamiste në pushtet sot në Turqi nuk i frikësohet asgjëje përveç një Turqie anëtare të Bashkimit Europian mund të dobësohet nga çështja kurde, kjo ndodh sepse Ankaraja, përveç kartës etnike, disponon një kartë të dytë në politikën e jashtme, kartën fetare.
Fatkeqësisht është një gabim i dyfishtë mbizotërues sot në Perëndim se ideja e turkofonisë është e orientuar kryesisht drejt Kinës dhe se Turqia kemaliste, pikërisht pse laike, e ka refuzuar panislamizmin në politikën e jashtme. Gabimi i parë ka të bëjë me faktin se Turqia moderne nuk ka qenë kurrë vend laik në kuptimin perëndimor. Regjimi i tij është një nacionalizëm jakobin (absolutizëm i shtetit) dhe mysliman (islam, besim fetar i nënshtruar shtetit, por gjithsesi besim fetar shtetëror). Ndërsa shteti republikan, sidomos në Francë, është ndërtuar në kontrast me katolicizmin dominues, duke u mbështetur në pakicat fetare (në ato kohë hebreje dhe protestante, sot islamike), shteti kemalist është ndërtuar mbi uniformitetin etnik (turk) e fetar (islam) dhe kundër idesë së komunitetit fetar apo etnik (pikërisht kundër bazave të shtetit otoman). Pasoja evidente ka qenë që numri i kristianëve nuk ka reshtur së rëni në Turqi duke filluar nga vitet ‘20 dhe se çrrënjosja e tyre, për nga gjerësia e fenomenit, nuk ka asnjë analogji me erozionin e ngadaltë të vërejtur në komunitetet kristiane në vendet arabe të Gjysmëhënës. Gabimi i dytë lidhet me faktin që, edhe pse një shtet rezulton formalisht laik, nuk është e thënë se politika e jashtme e tij duhet të jetë patjetër laike. “Antiklerikalizmi nuk është mall eksporti”, pëlqente të përsëriste një politikan i majtë i fundit të ‘800. Në praktikë, Turqia pasosmane nuk ka pushuar së mbështeturi panislamizmin. Pikërisht në Turqi është krijuar ai klub mysliman që është OKI-ja (Organizata e Komuniteteve Islamike). Turqia i konkurron Arabisë Saudite influencën e saj mbi lëvizjet sunite aktive të Federatës Ruse, në Kaukaz apo në Azi Qendrore (për shembull Yzbekistani). Në konkurrencë me Riadin dhe në të njëjtën mënyrë se Teherani për shiitët, Turqia moderne është paraqitur gjithmonë si pol referimi i islamit, duke u futur në vijueshmërinë e idesë kalifale osmane.
Praktikisht islamizmat turke, në ndryshim nga kemalistët tradicionalë, kanë kuptuar mjeshtërisht se Turqia ka gjithçka për të fituar nga armatura e ngurtë e jakobinizmit statalist për të veshur, në Europë, kostumin më të lehtë të një panislamizmit të “ojinsur” me panturanizëm. Në të vërtetë, hyrja në Bashkimin Europian nuk është për turqit një pikë mbërritjeje, por vetëm një mjet që mund t’u ofrojë avantazhe materiale dhe një prestigj, të cilin asnjë pol tjetër mysliman mund ta gëzojë. Nga një situatë e tillë atraktiviteti dhe autoriteti i saj do të rezultonte i rritur ndjeshëm, si përpara komuniteteve myslimane të Europës, ashtu edhe përpara atyre turke e afrikane, si edhe përpara popullsive turqishfolëse dhe persishtfolës të Kaukazit e të Azisë Qendrore dhe atyre të myslimanëve të Rusisë, fati i të cilëve qëndron në zemrën e pjesës më të madhe të opinionit publik anadollas. Shikohet mirë në këtë rast sesi ideja fetare (islami) mund t’i bashkëngjitet idesë së turanizmit (turkizmit) për një martesë interesash në perspektivën turke midis otomanizmit dhe europeizmit, bashkim i mbështetur mbi një demografi të fortë (një popullsi më e madhe sesa ajo gjermane në periudhë afatshkurtër) dhe shumë e re, saktësisht e kundërta e situatës europiane. Në gjithë këtë situatë asgjë duket se e shpjegon apo e justifikon prirjen aktuale të Europës ndaj Turqisë (sigurisht jo historia konfliktuale e të dy botëve) sikur të mos ekzistonte një forcë e fuqishme e jashtme që punon për ta shtyrë projektin europian drejt një projekti euraziatik. Për Shtetet e Bashkuara, ngrehina europiane duhet të futet, qysh nga fillimi, në një projekt transatlantik, nga ana e tij motor i një botërorizimi ekonomik dhe ideologjik amerikan.
Aleanca me Turqinë është imponuar në epokën ku Rusia sovjetike kërcënonte të unifikonte nën pushtetin komunist në gjithë Europën. Pas vitit 1990 ideja euroatlantike ka për kundërshtar kryesor Kinën dhe jo më Rusinë, fuqi emergjente që premton të bëhet, nga mesi i këtij shekulli, një gjigant ekonomik dhe strategjik. Për të ndërtuar këtë bllok transatlantik antikinez, Amerika ka nevojë për një bashkim euraziatik: guida e vërtetë e zgjerimeve europiane duket se është NATO dhe kështu që Turqia duket në të gjitha aspektet një prej kështjellave të saj, ndërsa vendet e Kaukazit dhe të Azisë Qendrore gjenden në një përgatitore të integrimit (Partneriteti për Paqen). Për shumë shekuj Azia turke, bota ruse dhe bota kineze janë ndeshur. Tashmë Shtetet e Bashkuara duan t’i vënë europianët, turqit dhe rusët nga ana e tyre përballë Kinës, duke luajtur rolin e arbitrit midis këtyre 3 qytetërimeve, robër në njëfarë mënyre të skemës transatlantike. Ky është edhe projekti i Izraelit, i cili që të mund të mbijetojë dhe të kompletojë ndërtimin e shtetit të tij, ka të gjithë interesin që, prapa krahëve të arabëve, të ketë një aleat si puna e Turqisë. Përfundimisht përballë Kinës, përballë arabëve dhe për të garantuar Izraelin e sidomos kundër një mirëkuptimi të mundshëm ruso–europian dhe për të anuluar mundësinë e një Europe fuqi e pavarur, bota turke si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, do të jetë nesër një prej çernierave thelbësore të politikës amerikane në Eurazi.
Në analizë të fundit, vështrimi në më shumë se 3000 vite histori të botëve europiane dhe turke tregon se deri në çfarë pike bota turke ka qenë – dhe është akoma sot – një kundërshtare e qytetërimit europian. Në të kaluarën ekspansionizmi turk e ka vënë në rrezik lirinë e popujve europianë, kurse sot projekti i integrimit të Turqisë në Bashkimin Europian duket se ka si objektiv të asgjësojë qysh në fillim projektin e lindjes së një fuqie europiane.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Nis rënia e call centerave, ndryshon strategjia

Eine Mitarbeiterin des Zentrums fuer Telemedizin Medgate in Basel haelt am 23. August 2010 das Magazin CallCenter in der Hand. (KEYSTONE/Martin Ruetschi)

Sektori i call center-ave vitet e fundit u kthye në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, teksa ai punësoi mbi 25 mijë punonjës, sipas të dhënave të deklaruara nga Tatimet.
Kostoja e ulët e të bërit biznes në Shqipëri në krahasim me Italinë, ku avantazhi kryesor ishte krahu i lirë i fuqisë punëtore dhe njohuritë e mira të italishtes nga të rinjtë, u bënë si magnet për shoqëritë italiane, që transferuan shërbimin e thirrjeve telefonike në Shqipëri. Transferimi i punës në Shqipëri nënkuptonte më pak vende pune në shtetin fqinjë.
Kjo rritje e shpejtë alarmoi autoritetet italiane, të cilat u gjendën nën presionin e humbjes së vendeve të punës në Itali dhe zhvendosjen e tyre në Shqipëri dhe filluan marrjen e masave drastike.
Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi Ligji “Për delokalizimin” e call center, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve joanëtare të BE-së. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.
Nisma e Italisë për delokalizimin alarmoi kompanitë call center në Shqipëri, të cilat penalizoheshin për shkak se operonin në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Jo në pak raste u ngrit shqetësimi i falimentit dhe riskut të humbjes së mijëra vendeve të punës. Qeveria në atë kohë pati një reagim të zbehtë përmes një shkrese drejtuar palës italiane, por që nuk arriti të merrte ndonjë përgjigje pozitive.
Nga ana tjetër, operatorët e tregut deklaruan se kompanitë mëmë po merrnin masa për të zhvendosur një pjesë të aktivitetit në vende të tjera në rajon si Rumania apo Bullgaria.
Tashmë duket se rënia e aktivitetit të call center është bërë realitet. INSTAT konfirmoi në raportin e Prodhimit të Brendshëm Bruto të tremujorit të dytë se grupi i aktiviteteve profesionale dhe shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 2,31%, i ndikuar kryesisht nga rënia në aktivitetin e call center. Është hera e parë që ky sektor raporton rënie, pas rritjes së vrullshme vitet e kaluara.

Call center diversifikohen në Forex

Në total, në sektor në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave zyrtare. Pas goditjes nga qeveria italiane, shumë kompani call center po diversifikojnë aktivitetin e tyre, duke u kthyer në ndërmjetës financiarë, çka do t’u japë mundësinë atyre të ndërmjetësojnë për investimin e parave të shqiptarëve në aktivitete me risk si veprimet me kurset e këmbimit apo të ashtuquajturat Binary option (një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë).
Shumë kompani call center tashmë kanë parësor aktivitetin në Forex, ku operatorët marrin në telefon qytetarët italianë (por shumë shpejt edhe shqiptarët) dhe përpiqen t’i bindin të investojnë në platforma online tregtimi apo në aktivitetet e kursit të këmbimit. Një pjesë e kompanive të vogla të mbyllura i kanë transferuar punonjësit në sipërmarrje të tilla.

Rreziku nga flluska e ndërtimeve

Ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 4.06% në tremujorin e dytë të vitit, sipas të dhënave të publikuar nga INSTAT, e nxitur nga ndërtimi, teksa Tirana duket se është kthyer tashmë në një kantier, por e nxitur edhe nga punimet për TAP, rrugë, stadiume etj. Ndërtimi u rrit me gati 23% me bazë vjetore në tremujorin e dytë.
Sipas INSTAT, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, industria, energjia dhe uji me +0,69 pikë përqindje, tregti hotele dhe restorante dhe transporti me +0,52 pikë përqindje, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me +0,43 pikë përqindje, aktivitete financiare dhe të sigurimit me +0,27 pikë përqindje, bujqësia, pyjet dhe peshkimi me +0,16 pikë përqindje, informacioni dhe komunikacioni me +0,05 pikë përqindje, pasuritë e paluajtshme me +0,05 pikë përqindje. Negativisht kanë kontribuar aktivitetet shërbime të tjera me -0,11 pikë përqindje dhe aktivitete profesionale dhe shërbime administrative me -0,13 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,29 pikë përqindje.
Aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit pati një rritje me 0,13%. Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit pati rritje me 6,05%. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë industria nxjerrëse, e cila ka ndryshuar trendin duke shënuar rritje me 16,93% dhe industria përpunuese, e cila pati rritje me 6,30%, ndërsa grupi energji elektrike pati rënie me 2,21%. Aktiviteti i ndërtimit pati rritje me 22,68%, influencuar kryesisht nga investimet private të lidhura me TAP, si dhe nga kompanitë që bëjnë vepra publike si rrugë, stadiume etj. Grupi i aktiviteteve tregti, hotele, restorante dhe transport pati një rritje prej 3,54%, i ndikuar kryesisht nga tregtia me shumicë dhe transporti tokësor dhe ujor. Grupi i aktiviteteve informacioni dhe komunikacioni u shfaq me rritje prej 2,04%. Aktiviteti financiar dhe i sigurimit ka shënuar një rritje prej 10,60%. Aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka shënuar një rritje prej 0,93%. Grupi i aktiviteteve profesionale dhe shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 2,31% i ndikuar kryesisht nga rënia në aktivitetin e call center. Grupi i aktiviteteve të administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë pati rritje me 4,27%, i ndikuar kryesisht nga shëndetësia, ndërkohë që arsimi shfaqet me rënie të lehtë. Grupi i aktiviteteve shërbime të tjera si arte dhe argëtim, aktivitete të tjera shërbimi, aktivitete të familjes, aktivitete të familjes për përdorim të vet, aktivitete të organizatave ndërkombëtare, pati rënie me 4,57%. Taksat neto mbi produktet patën rritje me 2,20%, përfundon raporti i INSTAT.

Sa e qëndrueshme është rritja nga ndërtimi (koment i Monitor)

Debatet për nxitjen e ekonomisë nga ndërtimi lidhen me faktin se sa e qëndrueshme është kjo rritje në afatin e gjatë dhe çfarë vlere të shtuar i jep ajo ekonomisë. Tremujori i dytë dha sinjalin se projektet e mëdha si TAP dhe Devolli janë afatshkurtër. Në 6 muajt e parë të vitit, Investimet e Huaja Direkte arritën në 380 milionë euro, me një rënie prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe mbi 20% në raport me 6-mujorin e dytë të 2016-s. Rënia e Investimeve të Huaja ishte e pritshme, për shkak se në pjesën më të madhe ajo ishte e nxitur nga punimet për ndërtimin e projektit TAP dhe HEC-in e Devollit. Komisioni Europian ka tërhequr vëmendjen për nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë në raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019. Sipas raportit, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.
Në Tiranë ka filluar një valë ndërtimesh, kryesisht për apartamente banimi, kulla e qendra tregtare. Por, ndërsa në afatin e shkurtër këto ndërtime rrisin qarkullimin e parasë në ekonomi dhe hapin vende të reja pune, në afatin e gjatë ato mund të kthehen në një flluskë të mbiofertës dhe fuqisë së dobët blerëse.
Në fakt do të ishte rritja që vjen nga industria përpunuese apo sektorë të tjerë me vlerë të shtuar, që do të ishte e qëndrueshme për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Rama i bën foto investimeve të Berishës dhe i vjedh autorësinë

Rama ka postuar në facebookun e tij pamje nga investimi gjigant i kompanisë norvegjeze 7Kraft punimet e së cilës janë inauguruar nga Berisha. Rama i ka bërë foto këtij investimi duke menduar se mund të vjedhë edhe autorësinë.

Masakra e pyjeve të Lurës

Foto e gazetarit Artan Rama

Politikanë të përgjuar për lidhjet me krimin

6 raporte të Shërbimit Sekret i janë dërguar ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministrit aktual, Fatmir Xhafa, ku janë denoncuar emrat e drejtuesve të lartë të policisë të përfshirë në krimin e organizuar dhe veçanërisht në trafikun e drogës. Gazetarja Klodiana Lala deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion” se bëhet fjalë për emra drejtuesish policie nga Vlora e deri në Tiranë. Gazetarja deklaroi se emri i një zyrtari të lartë të policisë konfirmohet në të 6 raportet.
Ajo tregoi se brenda Policisë së Shtetit, ekzistojnë dy klane të fuqishme kriminale, që zhvillojnë një luftë të egër mes tyre. “Duke pasur konflikte të kësaj natyre, emrat e politikanëve mbeten pezull në dosjet hetimore. Megjithatë ka biseda të përgjuara publike që i lidhin ata direkt me eksponentë të krimit”, deklaroi Lala.
Po ashtu Lala deklaroi se, ekzistojnë disa përgjime që lidhin emra të njohur të politikës me eksponentë të rrezikshëm të krimit. Lala tha se pavarësisht provave jo të plota që zotërohen, në disa dosje dalin emra të disa politikanëve të rëndësishëm, megjithatë hetimet kanë mbetur vetëm në këtë fazë, pa shkuar më tej. “Ka një sërë përgjimesh dhe prej kohësh në disa nga dosjet dalin emra të disa politikanëve të rëndësishëm. Por hetimet kanë mbetur në këtë fazë, pasi nuk ka prova të tjera që i lidhin drejtpërdrejt me këtë histori. Me sa duket, janë ca përgjime sporadike që mbesin në këtë fazë dhe është tepër e vështirë për Prokurorinë për shkak edhe të konfliktit që ka me Policinë, por edhe për shkak të tensionit politik. Si dhe të luftës brenda llojit, pra, brenda Policisë së Shtetit ka klane të fuqishme kriminale që luftojnë njëri-tjetrin. Po të shihet e gjithë kjo situatë, vihet re, një grup policor që lufton një grup tjetër. Duke pasur konflikte të kësaj natyre, emrat e politikanëve mbeten pezull në dosjet hetimore. Por ende nuk ka prova dhe fakte konkrete. Megjithatë, ka biseda të përgjuara publike që i lidhin ata direkt me eksponentë të krimit”, u shpreh ajo.

Policia ka fikur të gjitha kamerat në atentatet e Elbasanit

Gazetarja ka bërë publik një fakt tjetër skandaloz, sipas të cilit, policia ka fikur të gjitha kamerat e ambjenteve rreth të cilave kanë kryer katër atentate dhe masakrës ndaj familjes Çapja në Elbasan. Lala deklaroi se, në të katër ngjarjet e rënda kriminale që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit, të gjitha kamerat e sigurisë, si ato në varësi të Policisë së Shërbimit Rrugor, si ato në varësi të Bashkisë kanë rezultuar të fikura. Lala theksoi se, Prokuroria e asaj kohe, ka pasur dyshime të forta lidhur me një tjetër grup kriminal të fuqishëm, i cili vepronte në zonën e Mirditës dhe të Shkodrës, ku krerët e këtij grupi janë të vendosur në Spanjë dhe Holandë, por lidhjet e fuqishme me politikën kanë bërë të pamundur kapjen e tyre.
“Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë treguar se të gjitha kamerat e sigurisë jo vetëm ato që janë në varësi të Policisë së Shërbimit Rrugor, por edhe ato që janë në varësi të Bashkisë kanë rezultuar të fikuara, në të katër ngjarjet e ndodhura në qytetin e Elbasanit. Është evident fakti, që kamerat janë të fikura edhe në ngjarjen e shkurtit të vitit 2015, ku pati një masakër ndaj pjesëtarëve të familjes Çapja. Ajo që bën përshtypje është fakti se Prokuroria e asaj kohe, ka pasur një dyshim të fortë lidhur me një tjetër grup kriminal të fuqishëm, i cili vepronte në zonën e Mirditës dhe të Shkodrës, ku krerët e këtij grupi janë të vendosur në Spanjë dhe Holandë dhe që luajnë të gjitha fijet e trafikut të kokainës dhe heroinës, por për asnjë moment askush nga ata nuk është vënë në përgjim. E gjithë kjo duket si një qark i mbyllur, por që të gjitha ngjarjet janë të lidhura me njëra-tjetrën”, u shpreh gazetarja.

Video vërteton lidhjen e bandave me politikën

Ish-ministri teknik i Brendshëm, Dritan Demiraj komentoi në emisionin “Opinion” edhe videon e sulmit të makinës së policisë. Sipas Demirajt, veprimi i policisë në video është i pajustifikueshëm, pasi asnjë prej tyre nuk guxoi të ndiqte pas autorin, gjë që vërteton edhe njëherë lidhjen e bandave me politikën.
Ai vijoi më tutje duke u shprehur se është skandaloze deklarata e policisë se, nuk u lejuan nga rojet të futeshin brenda, pasi tregohet më së miri pafuqishmëria e policisë ndaj krimit. Kjo sipas Demirajt, personat e fshehur pas objektit në video, kanë mbështetje politike.

Pse s’arrestohet autori i ‘Audit’ që sulmoi policinë në Elbasan

Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, ka thirrur dje në takim dy prokurorët e çështjes, si dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit për sulmin që iu bë makinës së nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit më 18 shtator. Bëhet e ditur se në takim janë analizuar veprimet e deritanishme hetimore dhe masat e tjera të nevojshme.
Takimi në Prokurori për masa të tjera të nevojshme që mund t’i duhen hetimeve, konfirmon se grupi hetimor ka mbledhur prova të reja që identifikojnë personin që ishte në mjetin “Audi” të blinduar që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit.
Pas publikimit të pamjeve filmike të sulmit ndaj makinës së nëndrejtorit të Policisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për ngjarjen e Elbasanit, duke arritur në përfundimin se çështja është kompetencë e organit të akuzës në Elbasan. Krimet e Rënda rrëzuan akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të mbetur në tentativë.
Prokuroria ka krijuar bindje se nuk ka pasur sulm të drejtpërdrejt të forcave blu, ku makina e zv/drejtorit të Policisë së këtij Qarku, Gjergji Oshafi u godit nga një “Audi A8” e blinduar. Pavarësisht se fillimisht vepra u kualifikua si “vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësit të policisë”, kjo gjë u rrëzua poshtë pas publikimit të pamjeve filmike.
E gjithë skena zhvillohet përpara Tregut Ushqimor në Elbasan, pronë e biznesmenit Petrit Çela. Për Prokurorinë, në momentin që nisen makinat e policisë për të çuar në komisariat Klement Xhaferrin, “Audi” vjen me forcë për të hyrë në Tregun Ushqimor. Siç dukej në pamje, “Audi” godet makinën e policisë. Burime nga organi i akuzës pohuan se, nga ky incident efektivëve nuk ju është kërcënuar jeta, pasi ata ndodheshin në distancë nga vendi i ngjarjes dhe një pjesë e tyre ishin brenda në furgonin e Forcave Speciale “Shqiponja”. Por një ndër akuzat që mund të kualifikohet kjo vepër është, mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë dhe largimi nga vendi i ngjarjes, kompetencë kjo që e hetojnë prokuroritë e rretheve dhe jo ajo e Krimeve të Rënda. Ndonëse autori është identifikuar edhe nga Prokuroria, kjo e fundit ende nuk ka lëshuar urdhër-arresti ndaj tij.
Një verifikim po kryhet edhe për oficerët e policisë, të cilët kanë qenë në aksion natën e ngjarjes, pasi nuk kanë reaguar kur mjeti i blinduar ka hyrë në treg. Ndonëse personi që drejtonte “Audin” që goditi makinën e nëndrejtorit të policisë është identifikuar, policia nuk e arreston. Të gjithë në Elbasan e dinë se autori është Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, por policia nuk guxon as t’i përmendë emrin. Një ditë më parë avokati i Ramës, Eno Bushi, në emër të biznesmenit Petrit Çela, kallëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela. Avokati i Ramës ka paditur të gjithë zinxhirin e policisë që ndodheshin në operacion mbrëmjen e 18 shtatorit për dëshmi të rreme. Avokati i Ramës u pyet edhe për Suel Çelën, por ai deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arresti.
Marrja në mbrojtje e bandës së Elbasanit nga avokati i Ramës dëshmon, se kjo bandë që bën ligjin atje ka mbështetjen e kryeministrit. Me këtë veprim, vërtetohet se autorët që sulmuan policinë dhe mbajnë nën terror të gjithë qytetin nuk do të arrestohen, pasi ata kanë mbrojtjen e vetë kryeministrit. Biznesmeni Petrit Çela është i njohur për miqësinë që ka me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini.
Në ngjarjen e 18 shtatorit, automjeti i zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi, u godit nga një makinë e blinduar në momentin që po shoqëroheshin 3 persona në komisariat. Emri i drejtuesit të mjetit nuk bëhet i ditur ende nga policia edhe pse e kanë identifikuar se kush ka qenë në drejtimin e tij. Prokuroria ka të arrestuar për këtë ngjarje tre persona. Ledio Zabeli dhe Valmir Dedja ndodhen në burg, ndërsa Kelmend Xhaferri në arrest shtëpie.

Pse policia u bë pishman për ndjekjen e ‘Range Rover’?!

Gazetari Artan Hoxha, ka bërë një analizë të detajuar mbi atë se çfarë ka ndodhur në Tregun Ushqimor në Elbasan, ku ka zbuluar dhe disa detaje të reja. “Përmes një analize, ai shpjegon arsyet se përse Policia e Elbasanit u bë shumë shpejt pishman se pse i ishte vënë nga pas një makine “Range Rover”. “E mbani mend atë videon e 18 shtatorit me “Audi”-n e blinduar në Elbasan, dhe policinë që e kishte derën e tregut hapur dhe nuk e kalonte pragun se mos shkelte vijën ndarëse mes izraelitëve dhe palestinezëve në Jeruzalem?! Nga ajo mbrëmje deri sot kanë kaluar plot 10 ditë. Po në të vërtetë çfarë ka ndodhur këto 10 ditë në Elbasan?!
Policia, sigurisht është bërë pishman që iu sul atij “Range Rover”-it nga pas. Sot do ishte mirë e bukur në hallin e vet. Nuk është arrestuar as autori, as shefat e tij, as mbrojtësit e tij. Prokuroria e Krimeve të Rënda që bëri gjithë atë zhurmë, pasi e mori dosjen në dorë, e pa që ishte “patate” shumë e nxehtë dhe ia delegoi për moskompetencë Prokurorisë së Elbasanit. Prokuroria e Elbasanit që është përgjegjëse po aq sa policia për të vrarët e grupeve kriminale në qytet, i bëri një pyetje vetes! Kur nuk guxojnë ta hetojnë këtë çështje ata të Krimeve të Rënda nga Tirana që janë më të mbrojtur nga shteti, si ta hetojmë ne këtu që jemi në mes të luftës?!”, deklaroi Hoxha.
Ai tha më tej se, për këtë ngjarje është arrestuar vetëm roja i Tregut Ushqimor. “Pas 10 ditë hetimesh i vetmi i arrestuar VIP i kësaj historie është vetëm Valmir Dedja 44 vjeç, roja i Tregut Ushqimor. Nga pamjet në video, i vetmi njeri korrekt aty që ka bërë vetëm detyrën është roja. E kanë urdhëruar punëdhënësit hap derën, ka hapur derën. I kanë thënë, mbylle derën! E ka mbyllur. I kanë thënë, mos e hap derën! Nuk e ka hapur…Ç’të bënte më Valmir mavriu. Mban fëmijët me bukë me atë punë. Por në fund edhe pse është më i pafajshmi në atë histori, pikërisht atë e kanë futur në kokërr të burgut. Akuza zyrtare për të është: “ka kundërshtuar urdhërin e punonjësit të Policisë, duke mos lejuar hapjen e derës së tregut. Ndaj tij, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 236, 242, 302 të Kodit Penal”…
Besoj jam i qartë. I vetmi bos krimi i kapur deri tani nga lufta e përgjakshme për kontrollin e Elbasanit, është Valmir ditëziu, roja i Tregut Ushqimor që bëri detyrën si roje. Hajde qerrata shtet hajde! Nuk thonë kot se shteti e kap lepurin me qerre. Po kap lepurin që është në këmbë ama, se ujqërit me “Audi A8” të blinduar, e marrin shtetin zvarrë me gjithë qerre e fuoristradë bashkë”, përfundoi gazetari Hoxha.

Si u emërua shef policie një i dënuar me 10 vite burg në Itali

Një i dënuar me 10 vite burg në Itali është emëruar në Policinë e Shtetit. Dritan Xhindoli është emëruar në Polici dhe ka mbajtur disa poste të rëndësishme, si nëndrejtor i Policisë Kufitare në Vlorë, shef në Sektorin e Krimeve, Shef i Krimeve të Rënda në Tiranë dhe i Njësisë Operacionale të Policisë së Tiranës, etj. Edhe pse ai ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar me vite burg nga drejtësia italiane, ai vijonte të kryente funksione të rëndësishme në Policinë e Shtetit. Pas kërkesave të vazhdueshme të drejtësisë italiane, Xhindoli është arrestuar para një jave, por lajmi u mbajt i fshehtë nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme.
Xhindoli akuzohet nga autoritetet italiane për kryerjen e veprave penale si “vjedhje dhe falsifikim dokumentesh”. Ai është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Bolonjës, në Itali, por nga viti 2014 urdhëri për arrestimin e tij është mbajtur i fshehtë. Xhindoli ka mbajtur një sërë postesh drejtuese në Policinë e Shtetit. Nga viti 2014-2015, ai ka qenë shef në Sektorin e Krimeve. Ndërsa së fundmi, specialist në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Policia mbajti të fshehtë arrestimin

Arrestimi i oficerit të Krimeve të Rënda, Dritan Xhindoli e ka përfshirë policinë në një skandal edhe më të madh. Përveç mbajtjes së fshehtë të dënimit të Xhindolit në Itali me 10 vite burg, policia ka mbajtur të fshehtë edhe arrestimin e tij.
Dritan Xhindoli, i cili ka mbajtur kohët e fundit detyrën e oficerit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është arrestuar një javë më parë në Durrës për shkak të dënimit me 10 vite burg nga Gjykata e Bolonjës, por ky arrestim është mbajtur i fshehtë nga policia dhe vetë Ministria e Brendshme e drejtuar nga Fatmir Xhafa.
Dritan Xhindoli është i dënuar me 10 vite burg në Itali, për akuzat e ‘mashtrimit’ dhe ‘falsifikimit të dokumenteve’, por ka bërë një karrierë të suksesshme në Policinë e Shtetit në 4 vitet e fundit, duke nisur nga oficer në zv/drejtor i Kufirit të Policisë në Vlorë e deri në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Si u mbajt i fshehur ky skandal i madh dhe si arriti Xhindoli të merrte së fundmi postin më të lartë të karrierës së tij? Kjo është një pyetje për të cilën SHKB thotë se po heton dhe ka vënë nën hetim zyrtarët, por pa thënë asgjë lidhur me: Kush janë këta zyrtarë që po hetohen (?!)
Ajo që dimë me siguri është se, ndonëse vendimi është marrë nga autoritetet italiane tre vjet më parë, shpallja e Xhindolit në kërkim zyrtarisht është bërë më 9 qershor të vitit 2017, atëherë kur Xhindoli sapo ishte emëruar zv/drejtor i Kufirit të Vlorës.
Pikërisht në këtë moment, autoritetet italiane i kanë kërkuar llogari autoriteteve tona lidhur me faktin që një i shpallur në kërkim nga drejtësia emërohej në një post kaq të rëndësishëm. Në këto kushte, fill pas kërkesës zyrtare të 9 qershorit të vitit 2017, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar nisi punën për arrestimin e Xhindolit, i cili është vënë në pranga vetëm një javë më parë, ndërsa dy ditë para se të arrestohej, dha edhe dorëheqjen nga policia.

Xhindoli hetonte bandat?!

Si shef i Sektorit të Krimeve të Rënda e më pas si Specialist në Drejtorinë e Krimeve të Rënda, Xhindoli është zyrtari që është marrë me dosjen e bandës famëkeqe të Julian Sinanajt, bandës së tritolit, 7 anëtarët e së cilës kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke porositur vrasje jo vetëm ndaj rivalëve, por duke terrorizuar edhe qytetarët shqiptarë përmes shpërthimeve me tritol. E njëjta bandë, shpërtheu edhe në banesën e ish-deputetit Ardian Kollozi.
Tanimë, Julian Sinanaj është dënuar me 30 vite burg. Gjithashtu, trupi gjykues dha dënimin maksimal, burgim të përjetshëm edhe për Anton Mëhillaj, i cili konsiderohet si “kreu” i bandës, ndërsa Genis Mëhillaj u dënua me 10 vite burg. Krimet e Rënda i dënuan pjesëtarët e tjerë të bandës me përkatësisht 8 vjet Ndriçim Gjokonajn, 19 vjet Marjon Mitron, 8 vjet burg Albin Mexhajn dhe 5 vjet burg biznesmenin Ilir Karçini.