35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Fëmijët e periferive klithin në heshtje

Gjergj META

Kronika e emisionit investigativ “le Iene” të Mediaset-it, rreth fëmijëve që mblidhinin krom në Bulqizë, e shtoi edhe më shumë atë ndjesi negative që shpesh na kaplon kur shohim se në vendin tonë ende shumë gjëra janë duke ecur mbrapsht. Shumë punë bëhet për fëmijët nga shumë organizma qeveritarë dhe jo qeveritarë, por ka një kujdes të vogël ose aspak kujdes për fëmijët dhe adoleshentët e periferive. Duhet të ndodhë ndonjë kronikë e ndonjë TV të huaj, apo ndonjë aksident si ajo e Ardit Gjoklajt në periferitë e Tiranës, i cili punonte te plehrat, që të zgjohen antenat tona reaguese.
Është e patolerueshme që në zemër të Europës të shihen ato pamje. Unë e di situatën e shumë familjeve në zonën e Mirditës, Bulqizës, Burrelit e me rradhë, pasi jam ipeshkëvi i zonës, por konstatimi nuk mjafton. Pamjet e atyre fëmijëve janë të pajustifikueshme dhe, si thotë një shprehje biblike, thërrasin hakmarrje përpara Zotit. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë, ndryshe do të jemi bashkëfajtorë. Më së pari, shteti me ministritë përkatëse, Ministrinë e Arsimit dhe asaj të Punës e pse jo edhe me Tatimet e Policinë për të parë veprimtarinë e grosistëve të kromit e të prodhimeve të tjera e po ashtu edhe ne të tjerët, mediat dhe OJQ-të, organizmat fetare dhe jo fetare që kanë sadopak për zemër këtë vend.
Në këtë mënyrë po u vjedhim të ardhmen atyre fëmijëve. Nuk u lejojmë të jetojnë bukurinë e lojës dhe të moshës së tyre. Ua mohojmë ditën për diell, me indiferencën tonë dhe me pafuqinë e një shteti për t’i dhënë fund kësaj skamje e për të kontrolluar shfrytëzimin e të miturve. Diku kromi e diku lëndët narkotike, po traumatizojnë një brez fëmijësh dhe të rinjsh që do të jetë i plagosur në të ardhmen.
Pamjet e përcjella nga Mediaset-i edhe njëherë na vënë përpara përgjegjësisë të gjithë neve. Nuk mund të fshihemi e nuk mund të drejtojmë gishtin vetëm në njërën anë. Duhet të gjithë bashkë, të ulim, e përsëris, të ultim e të dorëzojmë armët e retorikës konfliktuale që nuk po çon asgjëkundi e të shkojmë drejt një aleance për të mirën e vendit dhe të fëmijëve që janë e ardhmja e vendit. Duhet tani dhe urgjentisht, të gjithë bashkë, pa humbur kohë. Këto probleme si varfëria dhe korrupsioni janë problemet e vërteta të vendit tonë, sepse aty luhet dinjiteti i qenieve njerëzore, i çdo banori të Shqipërisë. Nuk mund të lejojmë që pasurimi i pak vetëve të dëmtojë jetën e shumicës së njerëzve. Jo! Nuk është e mundur kjo gjë.
Unë si bari i kësaj zone nuk mund të hesht për realitetin e trishtë që pashë e që shoh shpesh kur vizitoj zonat e sipërpërmendura. Mundohemi të bëjmë shumë punë me fëmijët pas shkolle, duke i ndihmuar me anë të motrave dhe mësueseve vullnetare që të rekuperojnë mësimet, sidomos me fëmijët e varfër. Kështu bëjmë në Rrëshen e në Burrel e nganjëherë duke hasur edhe vështirësi nga jashtë. Nuk kemi asnjë interes fetar, por vetëm atë të fëmijëve e adoleshentëve që të kenë një të ardhme sa më të mirë.
Ndoshta edhe kjo video që pamë e të tjera shumë do të harrohen në krye të tre ditëve, pasi të bëjnë pak zhurmë, ose nuk bëjnë zhurmë aspak, duke qenë korja mediatike është aq e fortë saqë vështirë të përshkohet nga këto pamje. Megjithatë ne jemi këtu dhe nuk do ta ulim zërin sa herë që të jetë e nevojshme dhe jemi të gatshëm, me gjithë mundësitë tona, që të bashkëpunojmë për të mirën e fëmijëve dhe të ardhmes së vendit tonë.
Sidomos do të ngremë zërin nga dhe për periferitë e vendit, ato të harruarat nga shteti, OJQ, por jo nga Zoti, i cili nëpërmjet shumë njerëzve kujdeset. Nuk mund të harrohen fëmijët vetëm pse jetojnë në Bulqizë, a në Kurbnesh, në Pukë apo në Dibër e Burrel, në Miridtë apo në Tropojë e Kukës. Periferitë duhet të jenë në qendër, pasi nuk janë tepër.

“Ka punë, por nuk ka profesionistë!”

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Në shkurt të 2016-ës, Kryeministri Rama bëri një deklaratë, që vazhdon ende të përflitet gjerësisht, për nivelin e lartë të papunësisë në Shqipëri: “Vende pune ka, nevojë për punë ka, por nuk ka profesionistë që t’i përgjigjen kësaj nevoje”.
Kryeministri Rama vazhdoi më tej duke thënë:
“Ky është problemi: kemi mbjellë në vite të tëra një farsë, duke iu hapur autostrada për të hyrë në universitete me vend parkimi për të gjithë dhe diploma pa vlerë për të gjithë. Diploma thotë që je jurist, por dhe gjysëm-analfabet”.
E gjithë kjo retorikë u përkthye në një slogan të shkurtër: “Ka punë, por nuk ka profesionistë”. Një slogan i ngjashëm u përdor po atë vit në Panairin e Punësimit 2016: “Në Shqipëri ka punë, duhen profesionistë”.
Shkojmë në korrik të vitit 2017. Kryeministri Rama publikoi në Facebookun e tij një listë të zezë, duke “turpëruar publikisht” 100 zyrtarë të administratës publike, që nuk “ishin sjellë” mirë ndaj qytetarëve. Pak ditë më pas, Kryeministri Rama shkarkoi të gjithë drejtuesit lokalë të zyrave të Hipotekës, e më pas drejtuesit e gjithë spitaleve . Pak ditë më parë, ministrja e re e Drejtësisë, Etilda Gjonaj shkarkoi dhe drejtorët e burgjeve, ndërsa Kryeministri Rama njoftoi shkrirjen e Drejtorive Arsimore Rajonale.
Për të gjitha rastet e mësipërme, qeveria hapi procedurat e reja të aplikimit për të plotësuar këto poste, por shenjat janë se qeveria do ta ketë të vështirë për të gjetur “profesionistët” që janë të nevojshëm.
Dje ministrja Gjonaj njoftoi se do të zgjasë afatin e aplikimit për 35 pozicionet e disponueshme në Regjistrin e Pasurive, pasi shumë prej aplikimeve ishin të dobëta:
“Ministria e Drejtësisë para më shumë se 15 ditësh ka bërë shpalljen e vendeve vakante të zyrave të Hipotekës në gjithë Shqipërinë. Na ka rezultuar që ka pasur kandidatura të dobëta. 25 për qind e tyre nuk kanë plotësuar kërkesat formale ligjore. Nuk arrijmë dot të kemi profesionistët më të mrë të vendit që t’i sjellim në funksionim normal këto zyra që janë gangrena e situatës së krijuar me pronat.
Iu bëj thirrje profesionale të gjithë atyre njerëzve që duan të kontribuojnë, të gjithë profesionistëve të zotë, të konkurrojnë që t’i jepet fund problemit me pronat”.
Pra, përse nuk ka profesionistë?
Origjina e këtij problemi mjaft të gjerë duhet të kërkohet në dy fusha: sistemi arsimor dhe stili qeveritar i Edi Ramës.
Është e vërtetë se sistemi arsimor publik, i shtrenjtë dhe i pafinancuar njëkohësisht, po “hedh në treg”, vit pas viti, ekonomistë dhe avokatë të pakualifikuar. Raporti i fundit i akreditimit i Universitetit të Tiranës na tregon shumë. Pa reforma të thella e investime strukturore dhe të konsiderueshme në arsimin publik, kjo situatë nuk do të ndryshojë as në dekadën e ardhshme. Për fat të keq, Ministria e Arsimit nuk ka plane të tilla dhe universitetet private janë mjedise të pamundura për të kultivuar përkushtimin ndaj aparatit shtetëror – të diplomuarit, ata që vlejnë, ose hyjnë në tregun privat, ose thjesht largohen nga vendi.
Arsyeja e dytë është sërish e natyrës strukturore. Në momentin që të gjitha pozitat drejtuese të nivelit të mesëm në administratën publike janë nën kërcënimin e vazhdueshëm dhe personal të Kryeministrit, e çdo nëpunës civil “me përgjegjësi” mund të pushohet sipas dëshirës, bazuar në thashetheme apo ankesa që Rama lexon në Facebook, tërheqja ndaj këtyre vendeve pune për çdo “profesionist” është padyshim shumë e ulët.
Në një sistem të rregullt, kandidatët më të natyrshëm për t’u emëruar në krye të drejtorive do të ishin vetë nëpunësit civilë që dëshirojnë të promovohen në detyrë. Do të kishte një konkurrencë të natyrshme brenda vetë këtyre drejtorive ndërmjet drejtuesve të nivelit të ulët për promovim. Edukimi e trajnimi i brendshëm në këto institucione dhe ngritja e kapaciteteve nga vetë institucioni do ta lehtësonin këtë cikël natyror profesional.
Megjithatë, fakti që ministrja e Drejtësisë tani ankohet për nivelin e ulët të aplikantëve tregon që edhe brenda këtyre drejtorive nuk ka njohuri dhe aftësi të mjaftueshme për të mbushur pozitën e drejtorit. Problemi qëndron jo vetëm që nuk ka profesionistë jashtë qeverisë që duan të marrin vendin e punës. Nuk ka profesionistë as brenda tij. Ky është rezultat i një politizimi të thellë të administratës, e cila vazhdon të përforcohet nga vetë Kryeministri.

Kryemadhi: Koha për zgjim popullor

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me strukturat e kësaj force politike në Dibër, theksoi se shteti është kapur nga krimi. Ajo tha se varfëria sa vjen e rritet dhe e gjitha kjo për shkak se Kryeministri Rama ka zgjedhur të bëjë aleancë me krimin dhe jo me qytetarët. “Zgjedhjet e 2016-ës ishin një shembull shumë i shëmtuar që i hapi rrugën masterplanit të madh të vjedhjes së votës, në mënyrën më të tmerrshme, por edhe të shitblerjes së saj, të kërcënimit të votuesve apo përdorimit të strukturës së shtetit dhe të parave të krimit. U këmbyen votat e qytetarëve me parcelat e hashashit që mbaheshin dhe ruheshin nga kryepleqtë. U këmbyen votat e qytetarëve me paratë e drogës, u këmbyen votat e qytetarëve me vendet e punës dhe me kërcënimet për vendet e punës. Edhe pse Edi Rama dhe narkoshteti i tij e bënë këtë skemë, unë dua të falënderoj shumë strukturat e LSI-së së Dibrës, pasi në qytete ne patëm dyfishim të rezultatit. Dhe kjo erdhi pas punës së jashtëzakonshme që bënë strukturat. E them këtë, sepse Qarku i Dibrës ishte një nga qarqet më të dhunshme dhe të deformimit të votës që ka pasur ndonjëherë. Edhe në qarqet e tjera, por në Dibër kjo ka qenë më prezente. Ky falënderim sinqerisht vjen nga zemra, sepse votat e LSI-së në këtë qark, kanë qenë vota heronjsh, nuk janë as vota partie, as vota interesi, por janë vota bindjeje, vota zemre dhe vota shprese. Janë vota shprese, sepse njerëzit shpresojnë dhe besojnë që ne duhet të jemi një vend, i cili duhet të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Prej 27 vitesh jemi një vend në tranzicion dhe kjo për shkak të klasës politike, për shkak të konfliktit politik, për shkak të korrupsionit, për shkak të krimit të organizuar, për shkak të kapjes së shtetit nga mafia, nga bandat dhe nga kriminelët”, tha Kryemadhi. Nga ana tjetër, ajo tha se ekonomia në Shqipëri po vjen çdo ditë e më shumë, duke u përkeqësuar, duke polarizuar problemet sociale dhe duke varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët. “Besoj se pjesa më e madhe e juaja e dini mjaft mirë, që pensionet nuk janë rritur, pagat nuk janë rritur dhe mundësia për të blerë ushqimin është shumë e vështirë. Pra, inflacioni është rritur dhe ajo çfarë ka ndodhur është që situata sa vjen e përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Banka Botërore sapo konfirmoi se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket bërjes së biznesit, pra Doing Bussines, ku vihet re një përkeqësim të renditjes së Shqipërisë në këtë analizë, duke u pozicionuar 7 vende më poshtë. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që taksat e larta dhe korrupsioni qeveritar po e përkeqëson klimën e biznesit. Pra, investitorët e huaj nuk e shikojnë Shqipërinë si një vend potencial për të ardhur dhe për të investuar këtu. Duke pasur parasysh që fqinjët tanë, Maqedonia është në vendin e 11-të, Kosova në vendin e 40-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 65-të. Pra, investitorët e huaj e shikojnë Shqipërinë si Kolumbinë e Evropës, çka do të thotë se vendi ynë çdo ditë e më shumë do të varfërohet dhe përkeqësohet. Shqiptarët çdo ditë e më shumë do të jenë të varfër dhe besoj se ju e dini më mirë se unë se sa më i varfër të jesh, sa më i pashkolluar të jesh, aq më e lehtë është për të qenë viktimë apo peng i krimit dhe i bandave. Sepse nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të ushqejnë fëmijët e tyre, do të detyrohen të bëhen argatë në fushat e kanabisit. Nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të shkollojnë fëmijët e tyre, do të detyrohen të ngrenë plaçkat dhe të emigrojnë, duke e shpopulluar këtë vend”, tha Kryemadhi. Ajo tha se çdo ditë dhe më shumë qytetarët ndërgjegjësohen, edhe pse terrori kriminal është prezent kudo në zyrat e shtetit, në zyrat e Policisë, në rrugë dhe kudo. “Unë them se kjo gjë do të marrë fund, sepse këto janë edhe përpëlitjet e fundit të mostrës kriminale që ne vetë kemi instaluar, diku me votën tonë, diku duke mbyllur sytë, diku edhe duke mbyllur gojën. Prandaj, mendoj që sot më shumë se kurrë është momenti që të gjithë të zgjohemi, të sensibilizohemi, zërin tonë ta çojmë kudo, në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo derë për t’i zgjuar shqiptarët dhe për t’i trimëruar ata, sepse shqiptarët janë shumë më shumë në numër sesa disa banditë që kanë uzurpuar kupolën e shtetit. Unë ju falënderoj shumë. Ju jam mirënjohëse në përulje për gjithë angazhimin tuaj, për gjithë forcën dhe besimin që ju i keni dhënë, jo vetëm Lëvizjes Socialiste për Integrim, por të gjithë atij brezi që po kontribuon për ta ndryshuar realitetin këtu”, tha Kryemadhi.

Katër funksionarët e lidhur me drogën në Memaliaj dhe Tepelenë

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu me anë të një statusi në Facebook kërkon hetimin e disa zyrtarëve të lartë në Tepelenë e Memaliaj, të cilët sipas tij duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që e quan kultivim masiv të hashashit. Shehu thotë se grupet kriminale, si dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, të cilët mbuluan, stimuluan, mbrojtën, fshehën këtë veprimtari kriminale kanë marrë përfitimet e tyre kolosale. Shehu ka përmendur emrat e katër funksionarëve në Tepelenë e Memaliaj, të cilët janë të lidhur ngushtë me trafikun e drogës. Ai akuzoi dy kryetarët e bashkive të Tepelenës dhe Memaliajt, Tërmet Peçin dhe Durim Roshin për lidhje me trafikun, si dhe shefat e policisë së këtyre dy qyteteve, Emiliano Pashaj dhe Argernt Shyti, që të dy vijojnë të qetë në zyrat e tyre ndërkohë që janë protagonistët kryesorë të trafikut të drogës në këto dy qytete e zonat përreth. Sipas Shehut, Prokuroria duhet të hapë dosje për kryebashkiakët e shefat e komisariateve që siç thotë ai kanë dijeni e kanë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. “Në Tepelenë e Memaliaj asnjë masë ndëshkuese për kanabisin. Në këto dy bashki u kultivuan sasi kolosale kanabisi. Përfitimet i morën grupet kriminale, si dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, që e stimuluan, mbrojtën, fshehën këtë veprimtari kriminale, gjë për të cilën fshatarët u paguan një ‘haraç’ të lartë dhe sot vazhdojnë të jetojnë nën terror për sa kanë bërë. Ç’po bën Prokuroria që nuk ka hapur asnjë ‘dosje’ për ata, siç e kërkon qartë edhe Ligji 9559, neni 1, pika 3 i vitit 2006? Po shteti në tërësi? Asgjë, asgjë, asgjë. Dy kryetarët e bashkive, të Tepelenës e Memaliajt, z.Tërmet Peçi dhe Durim Roshi vazhdojnë të qetë në zyrat e tyre. Duhej që qeveria të fillonte procedurat e shkarkimit të tyre. Për më keq shefi i Komisariatit të Tepelenës, Emiliano Pashaj qëndron i patundur në postin e tij, ndërsa ai i Memaliajt Argernt Shyti i paprekur veçse ka kaluar në Dibër! Kështu nuk mund të luftohet krimi, droga e të vendoset ligji, si dhe të shpëtojnë qytetarët nga pesha e kriminalitetit. Me shumë të drejtë banorë të atyshëm më ngritën këto shqetësime, duke më theksuar se asgjë nuk ka ndryshuar në ato dy bashki”, shprehet Shehu.

Delawie: Shtetet ta njohin Kosovën, pavarësia është e pakthyeshme

Ministria e Punëve të Jashtme e qeverisë së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar nga Republika e Surinamit, nëse ky vend e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tash as nga qeveria e Surinamit, përderisa i vetmi që ka deklaruar këtë “tërheqje të njohjes”, është shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq. Por, a do të paraqisnin probleme tërheqjet eventuale të njohjes së Kosovës nga vendet e caktuara që tashmë e kanë njohur atë? Në këtë pyetje, me shkrim është përgjigjur për Radion “Evropa e Lirë”, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie. “Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”. “Ne u bëjmë thirrje vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur formalisht këtë fakt, ta bëjnë një gjë të tillë dhe duke vepruar kështu, të ndikojnë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe të ndihmojnë në ruajtjen e një Evrope të tërë, e cila do të jetë e lirë dhe në paqe. Të dyja, si Kosova ashtu edhe Serbia, duhet të përqendrohen në rezultatin final dhe të arrijnë marrëveshje mbi atë që njihet si normalizim i marrëdhënieve. Kjo kërkon kompromise në të dy anët”, ka thënë ambasadori Delawie. Ndërkaq, Jetlir Zyberaj nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë” se, “tërheqja e njohjes” së Republikës së Kosovës nga Republika e Surinamit, e cila nga autoritetet e Beogradit pretendohet të ketë ndodhur, nuk është konfirmuar nga autoritetet e shtetit të Surinamit. “Ne nuk kemi kurrfarë konfirmimi zyrtar nga shteti i Surinamit dhe as nga përfaqësuesit e këtij shteti në Uashington apo Nju Jork, për një veprim të tillë. Kështu që, përderisa nuk ka kurrfarë informacioni zyrtar, për ne ngelet vetëm një tendencë e Serbisë për të përfituar për nevoja të tyre politike. Por, të them të drejtën, këto përpjekje nuk i trajtojmë shumë seriozisht. Ne e shikojmë punën tonë dhe kemi agjendën tonë në fuqizimin e bërjes së shtetit”, ka thënë Zyberaj. Të martën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq kishte deklaruar për mediat në Beograd se qeveria e Surinamit e kishte informuar Serbinë se, “e ka tërhequr njohjen” e pavarësisë së Kosovës. Ai madje mediave u ka prezantuar një dokument, me të cilin, sipas Daçiqit, Republika e Surinamit e njofton Ministrinë e Jashtme të Serbisë, por edhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, se e “ka tërhequr njohjen për Kosovën”. Një dokument i tillë eventual, në adresën e institucioneve të Kosovës nuk ka arritur. Deri më tash, qeveria e Surinamit, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike, për të sqaruar nëse ka tërhequr ose jo njohjen për Kosovën. Kërkesën për një sqarim të tillë e ka bërë edhe analisti dhe publicisti i njohur britanik, Tim Judah. “Thirrje Qeverisë së Surinamit… a mund ta konfirmoni se keni tërhequr njohjen e Kosovës”, ka shkruar Judah, të martën, në rrjetin social Twitter.

Basha: Lidhjet e Ramës me krimin në mijëra faqe të drejtësisë italiane

Drejtësia italiane, përgjimet e saj në dosjen Habilaj rrëzojnë çdo alibi të Ramës e çdo përpjekje të dëshpëruar të tij për të dalë i pastër nga çështja Tahiri dhe zbardhja e lidhjeve të tij me bandat e trafikun e drogës. Përmes një deklarate për mediat, kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi se përpjekjet e Ramës për t’iu fshehur lidhjeve të tij me drogën janë të dështuara dhe se çdo akuzë e ngritur ndaj Tahirit për lidhjet me Habilajt si kreu i bandës së tyre të drogës janë të dokumentuara në mijëra fashikuj në dosjet e Antimafias italiane.
“Se cili është shteti i Edi Ramës, u pa qartë çdo ditë këto 4 vite, dhe e provuan në kurriz shumica e shqiptarëve. Sot shteti i tij i krimit është shpalosur dhe në mijëra faqe të drejtësisë italiane. Një shtet që funksionon i gjithi në shërbim të trafikantëve. Një shtet ku ministri i Brendshëm është shefi i madh i bandës. Një shteti, ku Rama vetë i bëhet pengesë drejtësisë, duke e mbrojtur Tahirin teksa bën gati gijotinën për të varfërit që skanë mundësi të paguajnë ujin”, tha Basha.
Në Shqipërinë e viteve të fundit, Rama instaloi dhunën dhe terrorin si model ndaj nënshtrimit të qytetarëve, duke çuar dhjetëra kryefamiljarë drejt vetëflijimin, duke lënë mijëra familje pa bukë e në mbijetesë, e duke i ofruar krimit dhe drogës gjithë pushtetin e mundshëm e duke mbajtur në këmbim prej tij karrigen e Kryeministrit.
“Edi Rama është i vetmi kryeministër që alternativë për qytetarët ka dhunën, presionin dhe burgun, ndërsa mbrojtjen, kujdesin dhe lehtësitë i ka për trafikantët me të cilët fiton dhe ndan pushtetin. Një kryeministër i përgjegjshëm s’do gjente qetësi derisa të krijonte mundësi për qytetarët e tij që s’paguajnë dot faturën e ujit. Ndërsa Rama i kërcënon me burg ata që nuk sigurojnë dot as bukën e gojës. Sigurisht që për ata që janë abuzuesit më të mëdhenj nuk do të ketë asnjë problem, siç ndodhi me aksionin famëkeq të energjisë, ku u shtynë drejt vetëvrasjes 12 kryefamiljarë, ndërsa oligarkët e lidhur me qeverinë vazhduan abuzime marramendëse me faturën e energjisë”, tha Basha.
Kreu i PD solli në vëmendje varfërimin e ekonomisë shqiptare si dhe largimin masiv të investitorëve të huaj, ashtu si edhe mungesën e lehtësimit të familjeve në nevojë me ndihmë ekonomike. Por ky tha Basha, i cili do të ishte modeli i shtetit për qytetarët nuk është modeli i Ramës, i cili sot bashkë me qeverinë e tij e kanë zhytur shtetin në krim dhe janë të kapur prej tij.
“Një kryeministër i përgjegjshëm do të orientonte investimet që hapin vende pune, do të ulte taksat për biznesin, do të rriste pagesën për familjet në ndihmë ekonomike dhe përmes buxhetit të shtetit, do të merrte përsipër faturën e energjisë dhe ujit për familjet në pamundësi ekonomike. Dhe ky do të ishte shteti për qytetarët, për hallet e përditshme të njerëzve. Por shteti i Edi Ramës është i gjithi në shërbim të tij dhe të kriminelëve të tij, ai i shkel me këmbë qytetarët, atij nuk i duhen qytetarët. Shteti i Ramës është i zhytur në krim dhe i kapur nga krimi”, tha kreu i PD.

Rama ndan pushtetin me kupolën mafioze

12 anëtarët e rinj të bandës i konsideroi dje kreu i PD, Lulzim Basha 12 prefektët e rinj të emëruar nga Rama përmes një show të përgatitur mediatik ku më parë u shkarkuan po në një vendim të vetëm të gjithë prefektët e mëparshëm. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Basha e ka cilësuar vendimin e Ramës si një mënyrë e ndarjes së pushtetit me kupolën mafioze. “Llustraxhiu doli sot me 12 shërbëtorë të rinj, në një përpjekje të dëshpëruar për ta çuar vëmendjen diku tjetër, i zënë siç është nga skandali i madh i narko-shtetit. Po çlidhje kanë ca të emëruar, që as nuk do të marrin frymë pa lejen e tij, kur pushtetin e vërtetë ai e ndan me kupolën mafioze e me oligarkët e tenderave. Siç janë punët, 12 prefektët janë 12 anëtarët e rinj të bandës. Ndoshta, ka prej tyre që nuk janë nisur me atë qëllim, por shpejt, do ta shohin veten si noterë e shërbëtorë të Habilajve e familjeve mafioze që janë realisht prefektët e Edi Ramës në 12 qarqet e vendit”, tha Basha në reagimin e tij.

Përsa kohë vendi do qeveriset nga Rama, investitorët e huaj larg Shqipërisë

Degradimin e ekonomisë dhe largimin e investitorëve të huaj, Basha e ka cilësuar si të dokumentuar më së miri nga raporti i fundit i Bankës Botërore “Doing Bussines”, sipas të cilit Shqipëria humbi 7 vende në lidhje me klimën e të bërit biznes. Përmes një reagimi për mediat, Basha renditi arsyet dhe mesazhin e qartë që i përcillet Shqipërisë përmes Bankës Botërore. Se për sa kohë që vendi do të qeveriset nga Rama, investitorët e huaj do t’i qëndrojnë larg Shqipërisë. “Banka Botërore konfirmon: Rritja e taksave po rrënon ekonominë shqiptare.
Shqipëria humbet 7 vende në vlerësimin e Raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2018”.
Faktori kryesor i këtij përkeqësimi është rritja e taksave dhe detyrimeve, duke humbur plot 28 vende për këtë arsye. Raporti shprehet se 37.3% e fitimit shkon për taksa dhe kontribute, ndërkohë që qeveria zvarrit pafundësisht rimbursimin e TVSH-së. Fqinjët tanë vazhdojnë të kenë një renditje më të mirë sesa Shqipëria, e cila renditet në vendin e 65. Maqedonia renditet në vendin e 11, Kosova në vendin e 40, Mali i Zi në vendin e 42, duke treguar përparësi krahasuar me Shqipërinë.
Edhe këtë vit, ashtu si vitin e kaluar, mesazhi është shumë i qartë: Investitorët e huaj që duan të investojnë në Ballkan, e shohin Shqipërinë si zgjedhjen e fundit. Janë vendet fqinjë (Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi) të cilat do të jenë më të afta për të thithur investitoret e huaj”, shprehet Basha.

Amendamenti i PD në ndihmë të 180 mijë familjeve, tekste falas për nxënësit deri në klasën e 9-të

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka depozituar në Parlament, amendamentin që parashikon tekstet shkollore falas për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
“Shpenzimet për tekstet shkollore dhe ato ndihmëse të nxënësve në arsimin publik, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, mbulohen plotësisht nga buxheti i shtetit”, ky është propozimi i depozituar në Kuvend, nga Partia Demokratike, me 30 tetor.
Tekstet shkollore të paguara nga shteti, ka qenë një propozim i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha prej kohësh. Qeveria vazhdimisht ka refuzuar ta marrë në konsideratë. Shumë vende të rajonit e kanë këtë model, si dhe një pjesë e madhe e vendeve të BE. Tekstet falas për nxënësit, do të ishin një ndihmesë për familljet e varfëra shqiptare, që kanë një prej shpenzimeve më të mëdha të vitit, blerjen e librave për fëmijët.
“Propozimi i bërë për ndryshimin në nenin 47 është me shumë rëndësi, pasi siguron mbulimin e të gjitha kostove nga ana e Buxhetit të Shtetit në lidhje me shpërndarjen e teksteve për të gjithë nxënësit në arsimin 9-vjeçar, në përputhje me nenin 2 pika 1/a dhe b/ të Ligjit 69/2012, që i takojnë nivelit me kod 1 dhe 2. Ky ndryshim do të mundësojë një produkt pozitiv në arsimin parauniversitar, duke i ardhur në ndihmë familjeve shqiptare në një moment shumë të vështirë ekonomik, që në të cilin ndodhet vendi. Vlen të theksojmë që kjo është një masë sociale, që synon lehtësimin e barrës financiare dhe krijimin e mundësive për rritjen e frekuentimit të shkollës nga fëmijët në moshë shkollore. Në kushtet e përhapjes së fenomenit të braktisjes shkollore, pamundësisë ekonomike, për shkak të varfërisë, dhënia e teksteve mësimore dhe atyre ndihmëse falas, do të ishte një masë që do të shërbente shumë në uljen e fenomenit të braktisjes shkollore si dhe në krijimin e një klime shumë më pozitive në lidhjen mes shkollës-nxënësit dhe komunitetit të prindërve”, thuhet në amendamentin e PD.

Amendamenti në ndihmë të 180 mijë familjeve

Mbulimi i kostove nga ana e Buxhetit të Shtetit të teksteve dhe mjeteve ndihmëse mësimore (fletore të modeluar për klasën e parë, fletore pune në lëndë të ndryshme, atlase etj), krijon mundësinë për të gjithë nxënësit të ndihen të barabartë si dhe një lehtësim për punën e mësuesit, pasi pajisja me mjete mësimore ndihmëse është kthyer në një makth për shkak të kostos më të lartë që ato kanë krahasuar me vetë tekstin shkollor.
Në vlerësimin e specialistëve dhe ekspertëve të arsimit, një nga shkaqet e rritjes së fenomenit të braktisjes shkollore, është edhe aspekti ekonomik, që do të thotë pamundësia e familjeve shqiptare për të mundësuar blerjen e librave shkollore.
Në vlerësimin e fundit të Bankës Botërore, rreth 180 mijë familje jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 3 USD në ditë, çka e bën një nevojë imediate miratimin e këtij ndryshimi në Ligjin 69/2012.
Dhënia e teksteve falas është një praktikë e zbatuar me sukses në vendet e rajonit tonë: Greqi, Maqedoni dhe Kosovë dhe ka krijuar prej vitesh një impakt pozitiv jo vetëm në aspektin mësimdhënës, por edhe në krijimin e një klime më bashkëvepruese në shkollë dhe në komunitetin e prindërve.

Mbulimi i kostove nga buxheti i shtetit

Mbulimi i kostove nga ana e Buxhetit të Shtetit të teksteve dhe mjeteve ndihmëse mësimore (fletore të modeluar për klasën e parë, fletore pune në lëndë të ndryshme, atlase etj) është në përputhje të plotë me Kushtetutën, e cila e përcakton të drejtën për arsimim një të drejtë kushtetuese të përcaktuar qartësisht në Nenin 57.
Neni 57
1. Kushdo ka të drejtën për arsimim.
2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.
3. Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë.
4. Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie.
5. Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.
6. Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit.
7. Autonomia e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.
Në ligjin aktual, në nenin 47 përcaktohet:
Neni 47
Tekstet shkollore
1. Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve, pas çertifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet.
3. Tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese, përmes një procesi konkurrimi të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
4. Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara, me çmime të vendosura nga botuesit e të vlerësuara nga ministria në procesin e çertifikimit të tekstit.
Në këtë nen propozohet të ndryshohet pika 4 dhe të formulohet në këtë mënyrë:
4. Shpenzimet për tekstet shkollore dhe ato ndihmëse të nxënësve në arsimin publik, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, mbulohen nga buxheti i shtetit.
Në kuadër të marrëveshjeve dy palëshe në fushën e arsimit, Ministria e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, bashkërendojnë punën dhe bashkë financojnë koston e teksteve shkollore për fëmijët shqiptarë nga 6-16 vjeç, të cilët marrin mësim në gjuhën shqipe në diasporë. Ministria nxjerr akte nënligjore për shpërndarjen e teksteve shkollore dhe ruajtjen e tyre, sipas dispozitave të nenit 47 të këtij ligji.
Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji, efekti financiar në buxhetin e shtetit përllogaritet në shifrën 8 milionë euro në vit. Duke qenë se jemi në prag të hartimit të projektbuxhetit, janë mundësitë që qeveria të mund të vendosë në një zë të veçantë mbulimin e kostove për tekstet mësimore dhe ato ndihmëse si dhe shpërndarjen e tyre për të gjithë nxënësit që ndjekin arsimin e detyruar nga klasa 1-9 në Shqipëri si dhe për fëmijët shqiptarë në diasporë. Vlen të theksohet se, kostoja financiare për hartimin dhe botimin e teksteve për fëmijët në diasporë, është një shifër që nuk i kalon 1-1.5 milion euro, pasi ata mësojnë vetëm gjuhën dhe disa njohuri në fushën e historisë dhe kulturës shqiptare.

Si militarizohen Prefekturat, ish-ushtarakët bëhen prefektë

Albania's Prime Minister Edi Rama, in a televised address in the capital, Tirana, on Friday.

Prefektët e rinj janë përzgjedhur nga radhët e ushtarakëve të lartë që nuk janë pjesë aktive e Forcave të Armatosura”
Ja kush janë prefektët e rinj:
Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana
Prefekti i Dibrës, Abedin Shehu
Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja
Prefekti i Lezhës, Gjergj Prendi
Prefekti i Elbasanit, Nasip Malaj
Prefekti i Fierit, Baki Bala
Prefekti i Vlorës, Flamur Mamo
Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari
Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj
Prefektja e Tiranës, Suzana Irollari
Prefekti i Beratit, Harilla Dafa

Vendimi i qeverisë për të përfshirë biznesin e vogël në skemë drejt “Kushtetueses”

Në Komisionin e Ekonomisë u diskutua projektligji për buxhetin 2018, e cila ndër të tjera parashikon që të përfshijë në skemën e TVSH-së edhe biznesin e vogël. Aktualisht bizneset që kanë një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë janë të përjashtuar nga TVSH-ja. Megjithatë, sipas anëtares së opozitës Jorida Tabaku, ky vendim pritet që të shkojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese. Ajo ka shtuar më tej se buxheti i 2018 vetëm do të rëndojë bizneset e vogla, sepse hotelet e vegjël në Jug të vendit do të vazhdojnë të paguajnë taksën 20 për qind, ndërsa shtoi se edhe FMN-ja nuk e rekomandon vendosjen e TVSH-së.
“Nuk sjell asgjë të re për sa i përket barazisë, vendeve të punës, sepse vazhdon preferenca e bizneseve nga ana e qeverisë”, shtoi më tej Tabaku. Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se, “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.
Më herët qeveria kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të përfshihen të gjitha bizneset e vogla, duke mbyllur kështu zinxhirin e transaksioneve. Mirëpo ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se pragu do të ulej nga 5 milionë në 2 milionë, duke lënë jashtë skemës fermerët, artizanët dhe një grup profesionesh.

Allegri kritikon lojtarët e Juventusit

Vetëm një barazim për Juventusin në Portugali. Në këtë mënyrë, bardhezinjtë shkojnë deri në 7 pikë në renditjen aktuale në grup të Champions-i. Pra, nuk mund ta arrijë kualifikimin matematikor në fazën eliminuese të Ligës së Kampionëve për momentin. Mikrofonit të “Mediaset Premium” iu përgjigj trajneri bardhezi, Massimiliano Allegri. Ai u shfaq krejtësisht i pakënaqur me atë që tha për ekipin e tij: “Më vjen keq, sepse kemi pasur një shans për ta mbyllur raundin e ardhshëm. Pjesa e parë ishte e keqe, më e mirë e dyta. Pashë shumë konfuzion te Juventusi. Edhe pas golit të barazimit ne nuk u riaktivizuam në detyrë. Le të mbajmë në mendje vetëm rezultatin, që është gjëja më e mirë e kësaj ndeshjeje për ne.
Në Europë patëm rastin ta mbyllnim çështjen e kualifikimit në grup dhe nuk e bëmë. Tani, për kualifikimin do të ketë ende djersitje. Për fat të keq, ne duhet të jemi të frikësuar për të bërë dy ndeshje të mira në vazhdim. Kualifikimi është ende në lojë, ne duhet të shohim se çfarë do të bëjmë me Barcelonën dhe se cila do të jetë situata, kur të shkojmë në Greqi. Do të jetë e nevojshme të marrim të paktën një pikë dhe të shpresojmë se Sportingu nuk do ta bëjë atë. Dybala? Duhet të qëndrojë i qetë, është në një moment jo të mirë, por jam i sigurt se së shpejti do të kthehet në maksimumin e tij”.
Takimi i zhvilluar në Portugali nuk ka nisur aspak mirë për bardhezinjtë, të cilët kanë pësuar gol pas 20 minutave të para. Cesar ka mposhtur Buffon me një goditje të shpejtë brenda zonës së rreptësisë. Reagimi i miqve ka ardhur 11 minuta para fundit të ndeshjes, me Gonzalo Higuain që ka realizuar një gol të bukur me të djathtën pas një pasimit të mrekullueshëm nga Cuadrado. Ky barazim lë Juventus-in në vendin e dytë të Grupit H me 7 pikë, 3 më shumë se portugezët dhe 3 më pak se Barcelona.
Paulo Dybala, i cili ka shkuar nga premtimi në realitet në një kohë shumë të shkurtër, do të bëhet, sipas disa raporteve, që përsëriten nga “Sport Bild”, një nga futbollistët më të shtrenjtë në botë. Sipas mediave të lartpërmendura gjermane, të cilat u referohet burimeve italiane, sulmuesi i Juventusit do të kapërcejë figurën e tepruar të verës së kaluar, që PSG i pagoi Barcelonës për Neymarin (222 milionë euro). Gjithçka tregon se Juventusi i Torinos dëshiron ta mbrojë yllin e vet dhe për këtë do të vendosë një klauzolë të asgjë më shumë dhe asgjë më pak se 230 milionë euro, duke e ripërtëritur marrëveshjen me argjentinasin deri në vitin 2022.