40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Conte rrezikon!

Pas një sezoni të parë fantastik, në drejtimin e Chelsea-t, i dyti po rezulton krejtësisht i kundërt për Antonio Conten. Skuadra nuk ka të njëjtën uri për të fituar dhe ka lënë shumë pikë në kampionat, duke qenë plot 9 pikë më pak sesa City kryesues, pas vetëm 10 javëve të para. Si të mos mjaftonte kjo, londinezët dështuan edhe në Champions, përballë Romës, ku pas barazimit 3-3 në ‘Stamford Bridge’, u shkatërruan keqazi në Itali, me rezultatin 3-0. Tani në Londër të gjithë kanë filluar të mendojnë se, Conte nuk është më i duhuri për të vijuar drejtimin e ekipit dhe fundjava e ardhshme mund të sjellë surpriza.
Chelsea do të presë në ‘Stamford Bridge’ Manchester United-in e Mourinhos dhe fitorja do të jetë detyrim për vendasit, që Conte të vijojë në krye të pankinës. Në rast se ‘djajtë e kuq’ ia dalin të marrin 3 pikët në Londër, atëherë Contes me shumë gjasa do t’i kërkohej të linte drejtimin e klubit. Kështu, pas polemikave të shumta mes të dyve, portugezi Mourinho do të ketë shansin këtë të diel, që t’i ‘presë kokën’ rivalit të tij më të urryer të kohëve të fundit në Premier League.
Chelsea doli me kokën ulur nga stadiumi “Olimpico” të martën mbrëma. Kampionët e Anglisë u gjunjëzuan 3-0 përballë Romës, e cila mori kryesimin e Grupit C. “Mendoj se pjesa e parë ishte pozitive edhe pse na mungoi fati. Ne patëm raste, por në pjesën e dytë, Roma ishte më e uritur dhe e vendosur, me një dëshirë të madhe për të na mposhtur, ata e merituan fitoren”, komentoi trajneri Conte pas ndeshjes.
Pavarësisht humbjes së rëndë, Blutë nuk rrezikojnë duke qenë se edhe Atletico Madrid barazoi 1-1 me Qarabag-un, duke mbetur në kuotën e tri pikëve. “Nuk më intereson ky rezultat. Më intereson të di se si mund të përmirësohemi dhe të rigjejmë dëshirën për të luajtur”, shtoi trajneri italian. Aktualisht, Chelsea pozicionohet në vendin e dytë të Grupit C me 7 pikë, një më pak se Roma.
Steven Gerrard akuzoi Antonio Conte për vlerësimin që i bëri Romës, pasi ekipi i tij i Chelsea u shpërbë në përplasjen e Ligës së Kampionëve, të martën. Dopieta e Stephan El Shaarawy dhe goli i Diego Perotti bënë që italianët të merrnin fitoren 3-0 në “Stadio Olimpico”, duke i vënë ata në “pole position” në grupin C, pas katër ndeshjeve. Conte kishte vendosur një linjë aventureske në Romë dhe Gerrard ka mbetur i shokuar nga shfaqja horror mbrojtëse e Chelsea. “Unë mendoj se Conte nuk e ka respektuar Romën sot”, tha ish-kapiteni i Liverpool për “BT Sport”.
“Blues” pranuan gjithsej gjashtë gola në dy ndeshjet e tyre kundër Romës, duke dëshmuar edhe një herë se ata humbën praninë e N’Golo Kante, duke ankoruar mesfushën. Kante i dëmtuar humbi një vend në skuadrën e Chelsea në minutën e fundit, por Gerrard beson se Cesc Fabregas nuk është zëvendësim për francezin. Chelsea e përmbledh fushatën e grupeve të Ligës së Kampionëve më 22 nëntor në Qarabag, ku pavarësisht rezultatit të së martës për të fituar, do ta shohë kualifikimin e sigurt për 16 vitet e fundit.
Roma ka shpartalluar Chelsea-n e Antonio Conte-s me rezultatin 3-0 në “Olimpico”, duke u ngjitur në vendin e parë të Grupit C. Ishte një mbrëmje fantastike në kryeqytetin italian dhe një fitore mjaft e rëndësishme për kryesimin e grupit. Megjithëse po të shohësh statistikat gjithçka duket e barabartë, Roma ishte më cinike në sulm, duke i shfrytëzuar në maksimum rastet e krijuara si dhe me fatin në krahun e saj, pasi dy nga golat janë shënuar nga dy super goditje nga distanca.
Ishte El Shaarawy ai që zhbllokoi rezultatin që në minutën e parë të ndeshjes me një gol fantastik nga distanca me të jashtme. Faraoni dyfishoi rezultatin në minutën e 36’ dhe Perotti në të 63’ vulosi gjithçka në ndeshjen e 100-të të Fabregas në Champions League. Roma shpreson për vendin e parë, që do t’i mundësonte një short më të mëshirshëm.

Perez bën gati 4 blerje për t’i “shpëtuar fytyrën” Realit

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka bërë një listë prej katër lojtarësh për t’u blerë në merkaton e janarit. Kampionët e Europës dhe Spanjës janë tetë pikë larg Barcelona-s në La Liga dhe kryesojnë Grupin H të Champions League me pikë të barabarta me Tottenham, skuadra me të cilën do të ndeshen të mërkurën në mbrëmje në “Wembley”. Të dielën, ka ardhur një humbje e papritur në 2-1 në fushën e Girona-s, me Real që ka bërë startin më të keq në kampionat në tetë vitet e fundit.
Sipas të përditshmes spanjolle “Diario Gol”, ka bërë të ditur se Perez është ndier “i turpëruar” nga ajo humbje dhe ka vendosur të vihet në lëvizje. I preferuari i tij thuhet se është sulmuesi i ri portugez i krahut Gonçalo Guedes, i cili është transferuar te PSG këtë verë, por që nuk po gjen shumë hapësira aty. Aktualisht, ai është i huazuar te Valencia dhe prania e Edinson Cavani, Neymar dhe Kylian Mbappe do të thotë se nuk do të ketë shumë hapësira për të as në sezonin e ardhshëm.
Një tjetër sulmues që pëlqehet nga Perez është Antoine Griezmann. Për të blerë francezin, Real Madrid, gjithmonë sipas shtypit spanjoll, do të shesë uellsianin Gareth Bale. Gjithashtu, Perez interesohet edhe për dy mbrojtës, edhe këta të Atletico Madrid. Jose Gimenez, 22 vjeç dhe Lucas Hernandez, 21 janë pjesë e listës. Vëllai i Lucas, Theo, u transferua te Real nga Atletico këtë verë.

Werder Bremen ëndërron Lucien Favre për stolin

Werder Bremen e ka nisur në mënyrë katastrofike këtë sezon të Bundesligës teksa pas 10 javëve të para pozicionohet në vendin e parafundit me asnjë fitore dhe vetëm 5 pikë të grumbulluara. Humbja e fundit ndaj Augsburgut bëri që drejtuesit e klubit bardhjeshil të shkarkonin nga detyra trajnerin Nouri. Për momentin drejtuesit ende nuk e kanë zgjedhur teknikun e ri, pasi ëndërrojnë që drejtimin e skuadrës ta marrë zvicerani Lucien Favre. Ky i fundit është nën kontratë me Nice deri në 2019, por ecuria jo e mirë e skuadrës franceze në këtë sezon ka bërë që Favre ta mendojë seriozisht largimin. Nëse pranon ofertën e Werder për zviceranin do të bëhej fjalë për një rikthim në Bundesligë, pasi më parë ai ka drejtuar Borussia Moenchengladbach.

Biglia humb AEK-un, në dyshim për Sassuolon

Krahas problemeve me paraqitjet në kampionat, Milani duhet të bëjë llogaritë edhe me dëmtimet. Më i fundit që i shtohet listës është mesfushori argjentinas Lucas Biglia, që do të mungojë në takimin e të enjtes ndaj AEK-ut të Athinës, por është në dyshim edhe për sfidën e kampionatit ndaj Sassuolos.
Mesfushori argjentinas ka vuajtur nga një infeksion në gju, por ka sakrifikuar, duke u vënë në dispozicion të Montellës, deri pas ndeshjes me Juventusin, kur mjekët vendosën që të ndalet për t’u kuruar.
Gjithsesi, nga infermieria vijnë edhe lajme të mira për Montellën. Trajneri i Milanit do të ketë në dispozicion mbrojtësin Calabria, i cili u dëmtuan në ndeshjen përballë Chievos, ndërsa pas ndërprerjes për ndeshjet e kombëtareve do të rikthehet në fushë edhe Bonaventura.

Borxhi rritet sërish, arrin në 69.11% të PBB-së

Stoku i borxhit publik shënoi një rritje të shpejtë në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 69.11 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 66.82% që ishte në fund të 6-mujorit. Për tre muaj stoku i borxhit është shtuar me 2,3 pikë përqindje të PPB-së sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Në fund të muajit shtator 2017 borxhi i qeverisjes qendrore vlerësohet në vlerën 1,074.9 miliardë lekë ose 69.11% e PBB.
Në muajt e fundit të vitit stoku i detyrimeve në raport me PBB rrezikon të jetë më i lartë, pasi parashikimi me PBB do të mbetet i njëjtë teksa borxhi në vlera neto do të rritet.
Në terma nominalë stoku i borxhit të qeverisjes qendrore është rritur me rreth 9.2 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2016, nga të cilat 13.4 miliardë lekë i korrespondojnë rritjes së borxhit të brendshëm dhe -4.3 miliardë lekë borxhit të jashtëm.
Ministria e Financave sqaron se, borxhi i jashtëm paraqitet me rënie kryesisht për shkak të mbiçmimit të monedhës vendase në raport me monedhën euro.
Ministria e Financave sqaron se, rritja e borxhit në terma nominalë është brenda kufijve të parashikuara në ligjin vjetor të buxhetit dhe në përputhje me objektivat afatmesme makrofiskale për uljen e nivelit të borxhit në raport me PBB.
Duke iu referuar deficitit buxhetor të planifikuar, parashikimeve të rritjes ekonomike dhe supozimeve të kursit të këmbimit, në fund të vitit 2017 borxhi i qeverisjes qendore në raport me PBB pritet të ulet me rreth 2.5 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar, duke vazhduar tendencën rënëse, e cila ka nisur që në vitin 2016.
Vitin e kaluar treguesi i borxhit sipas qeverisë shqiptare ishte 72.36% dhe sipas pritshmërive të fundit pritet të arrijë në fund të vitit në 69.86% të PBB-së.
Ndonëse në trajektore ulëse borxhi publik i Shqipërisë renditet nga më të lartët edhe në vendet e BE-së. Sipas një tabele krahasuese që publikoi Eurostat në lidhje me treguesit e borxhit, 16 vende të BE renditen me borxh publik më të ulët se Shqipëria.
Eurostat raportoi se në fund të tremujorit të parë të vitit 2017, borxhi i qeverisë ndaj PBB-së në zonën e euros (19 vende) qëndroi në 89.5%, krahasuar me 89.2% në fund të tremujorit të katërt të vitit 2016. Ndërsa në 28 vendet anëtarë të BE, raporti i borxhit është rritur nga 83.6% në 84.1%.
Borxh më të ulët se Shqipëria kanë vende të tilla si Estonia me 9.9% të PBB-së, Luksemburgu me 21.9% të PBB-së, Bullgaria me 29% të PBB-së, Danimarka me 39.4% të PBB-së, Rumania me 37.1% të PBB-së, Lituania me 39% të PBB-së, Lituania 39.3%, Republika Çeke 39.9%, Suedia me 41%, Sllovakia 53.5%, Polonia 54.0%, Malta me 59.0% etj.
Vendet me detyrimet më të larta në mesin e BE vijojnë të jenë Greqia me 176% të PBB-së, Italia me 132%, Portugalia me 130%, Belgjika me 107%, Qipro me 107%, Spanja me 100 të PBB-së, Franca me 98% të PBB, Britania e Madhe 88%, Kroacia me 86.4% të PBB-së etj.

Shkatërrimi mjedisor nuk ndalet, gati edhe katër HEC-e të tjera

Katër kërkesa të reja për hidrocentrale deri në 2 MW janë dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në dy ditët e fundit të tetorit. Ashtu sikurse e kërkon procedura aplikimet janë shpallur në faqen e ministrisë për të pritur reagimet nga ndonjë palë interesi ose kundërshtime në rast se ka. Kërkesat edhe pse të formuluara në katër aplikime përfshijnë në fakt ndërtimin e shtatë hidrocentraleve. Por kush janë në fakt subjektet që kanë aplikuar për zhvillimin e këtyre projekteve dhe zonat që parashikohen të ndërtohen në rast se merret miratimi.

Aplikimet

HEC “Empier” është aplikimi i parë i bërë nga “Anesti Jaupllari/Eralda Intimo” me një kapacitet prodhues deri në 2 MW, në pellgun ujëmbledhës të burimeve të Moglicës, degë të lumit Devoll, Bashkia Maliq, Qarku Korçë.
HEC “Agolli”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Goces, Gjyrasit dhe Bickës, degë të lumit Devoll, Bashkia Maliq, Qarku Korçë është projekti i dytë, aplikuar nga Ervin Kita/Taverna Agolli.
Aplikimi i tretë është për HEC “Emanueli”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Vomësit, degë e lumit Gjadër, Qarku Lezhë. Shoqëria që ka aplikuar është shoqëria “Gjoni Kalivac” sh.p.k., është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me objekt të aktivitetit: Ndërtime civile, industriale, turistike, bujqësore, rrugore.
Aplikimi i katër për tri hidrocentrale “Bena, Bena 1 dhe Bena 2”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Benës, degë e lumit Drin, Qarku Shkodër është i shoqërisë “Marjakaj” sh.p.k., është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me objekt të aktivitetit: Prodhimi dhe tregtimi i energjisë elektrike në H/C Bene, Komuna Shllak, Shkodër.
Ministria edhe më herët ka bërë të qartë se të gjitha kompanitë kanë të drejtë të aplikojnë, por kjo nuk i bën ato automatikisht kompani që mund të zhvillojnë projektin. Nëse propozimet e tyre nuk përmbushin kushtet ligjore atëherë ato refuzohen. Deri më 15 shtator të këtij viti në ministri janë paraqitur mbi 200 aplikime, por që kishin marrë miratim final vetëm 22.

Shqiptarët shpenzojnë 45.2% të të ardhurave për blerje ushqimesh

Familjet shqiptare përdorin pjesën më të madhe të të ardhurave mujore vetëm për blerjen e produkteve ushqimore. Raporti i INSTAT për 2016 tregon se grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” ka peshën kryesore në buxhetin familjar me 45.2%. Pavarësisht kësaj, në krahasim me një vit më parë, familjet shqiptare kanë ulur shpenzimet për ushqime me 3.5%, duke rritur ato për arsim. Gjirokastra dhe Elbasani janë qytetet me shpenzimet më të ulëta për konsum. Pjesa më e madhe e të ardhurave mujore në një familje shqiptare përdoren për blerjen e ushqimeve. Raporti i INSTAT për shpenzimet e familjeve gjatë 2016 tregon se grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” ka peshën kryesore në buxhetin familjar me 45.2%. Peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim e zënë artikujt si qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë, bukë dhe mish, ndërsa frutat dhe perimet renditen të fundit. Por nga të dhënat e INSTAT, konstatohet se shqiptarët po i kushtojnë gjithmonë e më shumë vëmendje arsimit pasi shpenzimet për këtë zë janë rritur me 2.3% gjatë 2016. Rritja e tarifave në sektorin e arsimit shpjegohet me faktin se gjatë vitit 2016 patëm një rritje të tarifave mesatarisht me 10 për qind për kategorinë master niveli i parë dhe i dytë. Në vitin 2016, shpenzimet mesatare mujore për konsum në një familje me 4 persona janë mbi 73 mijë lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum pas Qarkut të Tiranës, janë Durrësi dhe Shkodra, ndërsa me nivel më të ulët të shpenzimeve janë Qarku i Gjirokastrës dhe i Elbasanit.

Institucionet japin 7.2 milionë euro për makina me qira

Institucionet e Kosovës do t’i japin 7.2 milionë euro për shfrytëzim të 358 automjeteve me qira për 66 muaj. Për shfrytëzimin e një veture “Dacia SANDERO Ambiance” institucionet do t’i paguajnë 247 euro në muaj, derisa për shfrytëzimin e një automjeti “Renault Megan” do t’i paguajnë 347 euro në muaj, shkruan Gazeta “Zëri”.
Institucionet e Kosovës do t’i shpenzojnë më shumë se 7.2 milionë euro për 358 vetura, të cilat ata do t’i marrin me qira për 66 muajt e ardhshëm.
Në bazë të dokumenteve që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se përmes një tenderi publik të zhvilluar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kompania “Automita” ka fituar 4 lote të tenderit “Shfrytëzimi afatgjatë i automjeteve me qira”, e ku vlera e të gjitha loteve është mbi 7.2 milionë euro, derisa kontrata mes autoritetit kontraktues dhe kompanisë fituese është nënshkruar më 16 dhe 24 tetor të këtij viti.
Në bazë të dokumenteve të siguruara nga gazeta shihet se për një veturë “Dacia SANDERO Ambiance” institucionet që do ta përdorin atë do ta paguajnë një qira mujore prej 247 eurosh apo në total më shumë se 16 mijë euro.

Dyndje tifozësh zikaltër për ndeshjen me Torinon

Interi i Spallettit vijon të vendosë rekorde në fushën e lojës, ndërsa tifozët po tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë në shkallët e stadiumit. Zikaltrit janë skuadra më e ndjekur në stadium, me një mesatare prej më tepër se 55 mijë tifozësh për ndeshje, duke lënë pas Juventusin e Milanin, por kjo shifër premton të rritet edhe më shumë.
Tregues i qartë i këtij fakti është ndeshja me Torinon, ku drejtuesit e klubit njoftojnë se janë shitur tanimë rreth 70 mijë bileta dhe janë hedhur në shitje edhe ato për unazën e 3-të të ‘San Siro-s’.
I vetmi takim ku zikaltrit e mbushën stadiumin, ka qenë ai në derbin me Milanin, por aty u futën edhe shumë tifozë kuqezinj, ndërsa pjesëmarrja e madhe në ndeshjen që do të luhet mesditën e të dielës ndaj Torinos, ngroh atmosferën dhe motivon skuadrën zikaltër.

Bankat përballen me rritje të kërkesave për kredi

Bankat në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 2017 kanë shënuar rritje të kërkesave për kredi, krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga Raporti i Bankës Qendrore në Kosovë deri në tremujorin e dytë të vitit 2017, sektori bankar thuhet të jetë karakterizuar me rritje të përshpejtuar të aktivitetit kreditues 10.0 për qind, kryesisht si rezultat i lehtësimit të kushteve të kreditimit nga ana e bankave dhe rritjes së kërkesës për kredi.
Për të mbuluar kërkesat për kredi, sipas këtij raporti, rritja e këtyre kërkesave vazhdon të financohet qëndrueshëm nga depozitat e mbledhura brenda ekonomisë së vendit, të cilat në këtë periudhë shënuan një rritje vjetore prej 7.2 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar.
Krahas rritjes së kërkesave për kredi, është zvogëluar norma mesatare e interesit në kredi në 6.8 për qind, përderisa norma mesatare e interesit në depozita ka shënuar rritje të lehtë në 1.1 për qind. Ndërkaq, norma e kredive joperformuese ka vazhduar të përcjellë trend rënës, duke zbritur në 3.9 për qind deri në qershor 2017, përderisa raporti flet për nivele të kënaqshme të treguesve të shëndetit financiar.
Raporti i Bankës Qendrore nxjerr me rritje të aktivitetit edhe segmente të tjera të sistemit financiar, si sektori pensional, sektori i sigurimeve dhe sektori mikrofinanciar. Për sa i përket performancës, është sektori pensional që realizoi kthim nga investimet dukshëm më të lartë se periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Po ashtu, edhe sektori mikrofinanciar dhe sektori i sigurimeve u karakterizuan me rritje të profitit në qershor 2017 kundrejt periudhës së njëjtë të vitit paraprak.