8.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Rama-Ruçi duan t’i heqin fjalën Berishës, ai siguron 110 minuta

Në rendin e ditës së seancës së sotme maratonë, Panorama vëren se Sali Berisha e ka kërkuar fjalën në 6 pika të rendit të ditës përballë dy pikave që e ka kërkuar fjalën Lulzim Basha.
Ndërsa përsa i përket minutave të këtyre diskutimeve, kreu i PD-së, Basha do të flasë në 30 minuta, kurse Sali Berisha plot 90 minuta.
Koha që do marrin në Kuvend Basha dhe Berisha
Akti Normativ nr. 2, datë 16.8.2017 “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017”
Lulzim Basha 10 minuta
Sali Berisha 10 minuta
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, që plotëson Konventën Evropiane për Ekstradimin, të vitit 1957”
Lulzim Basha 20 minuta
Sali Berisha 20 minuta
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2016, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës energjetike, faza II
Sali Berisha 20 minuta
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i Policimit të Komunitetit në Shqipëri” (2017-2020)
Sali Berisha 20 minuta
Projektvendimet e Vettingut
Sali Berisha 10 minuta
Dekret nr. 7969, datë 18.10.2016, “Për kthimin e Ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, të ndryshuar”
Sali Berisha 10 minuta

Krimi dhe droga, këmbët e karriges së pushtetit që do priten

Kryetari i PD, Lulzim Basha replikoi ashpër me Ramën dje në Parlament, ndërsa e paralajmëroi rrëzimin e shpejtë të Ramës nga pushteti që sot ai mban përmes lidhjeve të tij me krimin dhe drogën.
Basha risolli në vëmendje urgjencën për Reformën Zgjedhore si të vetmen zgjidhje, e cila do t’i japë fund shitblerjes së votës dhe rezultateve zgjedhore nga deformimi i vullnetit të qytetarëve.
“Kjo nuk është lojë, s’do rrimë të bëjmë lojë këtu. Ti ke ardhur këtu me votat e krimit! Kjo është mazhorancë fiktive! Ky është një Parlament ilegjitim!
Ke vetëm një shans: të bësh atë që premtove në 18 majin e famshëm dhe nuk e bëre! Ti rikthesh sendin e vjedhur shqiptarëve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme!
Prandaj urgjenca është Reforma Zgjedhore. Jo për pakte e stërpakte që i hodhe në erë, sepse bëre krejtësisht të kundërtën e asaj. Por për të kthyer një herë e mirë qeverinë e qytetarëve, që të japin llogari para qytetarëve. Se sa kohë ti të kesh krimin që t’i mbush kutitë me vota, me blerje, me shantazhe, me dhunë, nuk do të ketë qeveri të qytetarëve.
Prandaj bëhu gati, se siç t’u rrëzua karrigia sot, shumë shpejt do të rrëzohen këmbët e karriges së pushtetit tënd që janë krimi i organizuar dhe trafiku i drogës”, u shpreh Basha.
Kreu i PD tha se për shkak të papunësisë, pasigurisë, fuqizimit të pushtetit të krimit dhe drogës, sot me mijëra të rinj, të cilat janë e ardhmja e vendit shohin si zgjidhje të vetme largimin nga Shqipëria.
“Prandaj çadra vazhdon e do të vazhdojë, meqenëse të është bërë obsesion. Po harroje se do të mbetet brenda çadrës. Çadër do të të bëhet gjithë Shqipëria ty shumë shpejt. Pavarësisht se po përpiqesh ta zbrazësh me të njëjtin pasion si Neroni për Romën, për vendin tënd.
Ti që e do kaq shumë Shqipërinë, o patriot i madh, ku i ke 10 për qind të qytetarëve të tu sot?! i ke çuar ti azilantë apo i kemi çuar ne, Partia Demokratike? Apo janë në tregun e punës siç thua zotrote?! Në treg të punës janë bullgarët, janë rumunët, janë polakët. Këta janë anëtarë të Bashkimit Europian.
Tanët ikin nga sytë këmbët, shumica prej tyre në kushte të mjerueshme. Por ti s’i sheh ato se ti udhëton në të tjera forma dhe mënyra. Nuk i sheh kur rrasen si sardele nëpër bagazhe për të kaluar në tokën e premtuar, ikin nga sytë-këmbët nga Shqipëria që ke ndërtuar ti, Shqipëria me krimin”, tha Basha.

Griselda, Rama hesht

Basha i kujtoi Ramës në Parlament lobimet skandaloze të tij në institucionet europiane kundër integrimit të Shqipërisë, ndërsa solli si shembull konkret rastin e turpshëm të përdorimit të skenarit të gënjeshtërt të gruas së Elvis Roshit në Parlamentin Europian, si një mënyrë për të bllokuar procesin e anëtarësimit.
“Jo e vërteta e tmerrshme e shqiptarëve, jo ankthi dhe tmerri i qytetarëve të Elbasanit, Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Shijakut, të Vlorës, të Fierit: teksa shohin policinë me uniformë të mpaket e të nderojë makinat e krimit, ku jo rrallë herë janë përfaqësuesit më të lartë politikë të mazhorancës tënde fiktive. Jo, jo, as raportet e Europolit dhe Interpolit që u shpallën sot nga ty armiq në këtë sallë, departamente të Partisë Demokratike. Po Departamenti i Shtetit çfarë është sekretariat i Partisë Demokratike?! Jo!
As 260 mijë shqiptarë që në katër vite të qeverisjes tënde kanë braktisur vendin, 125 mijë kanë kërkuar azil me letra, numri i mjekëve të ka rënë me 1/3-ën. Asnjë nga këto nuk qenka problemi!!!
Problemi është se pse themi të vërtetën, pse e themi këtu dhe pse u kërkojmë miqve të na ndihmojnë, të ndihmojnë Shqipërinë, jo mua, jo PD, por Shqipërinë. Janë të njëjtët miq që ndihmuan këtë vend për t’u futur në NATO, kur zotrote çove Griseldën në Bruksel. Kush e çoi? Unë e çova?! Kush e çoi?! Ti e çove, ti e çove. Për turpin tënd, nuk ke kërkuar një herë falje para shqiptarëve!
Inskenove një skenar të denjë vetëm për filmat horror. Sepse ti nuk mpakeshe as para filmave horror për të ndalur Shqipërinë të arrinte atë objektiv kombëtar, vetëm e vetëm që mos cenonte shanset që ti të vije në pushtet.
Kush e bëri këtë unë apo ti?! Partia Demokratike apo Partia Socialiste?! Lulzim Basha, Sali Berisha apo Edi Rama?! Kush e çoi Griseldën në Bruksel?! Na tromakse edhe zonjën e nderuar sllovene, Fajonin, që kishte dy muaj që se kishte marrë vesh gënjeshtrën tënde! Se nuk e përgënjeshtrove një herë të vetme. Një herë të vetme nuk dole të thoje: më falni o shqiptarë, u verbova nga dëshira për pushtet, nuk është se nuk e dua NATO-n, nuk është se jam bir sovjetikësh. Jo, jo u verbova nga dëshira për pushtet dhe hartova e gatova me Elvis Rroshin, apo Ervin Rroshin një skenar të tmerrshëm, vetëm e vetëm për të ndalur një sukses kombëtar, një aspiratë të çdo shqiptari të djathtë e të majtë nga frika, se mos do pakësonte shanset për të ardhur në pushtet”, tha Basha.

Boshtinaru, majmunë qesharakë në PE

Përpjekjet e Ramës për të bllokuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve përmes personaliteteve të korruptuara dhe të blerë, Basha i cilësoi dje në Parlament si përpjekje të dështuara, të cilat nuk patën asnjëherë sukses.
“Po pse vetëm kjo? Po boshtunarët e t’u u kthyen në majmunë qesharakë në Parlamentin Europian, rumunët e blerë me zhaget e korrupsionit, që nuk lenin gënjeshtër pa pështyrë kundër Shqipërisë. Por prapë se prapë vizat nuk i bllokove dot. Nuk i bllokove dot, nuk le gjë pa bërë, por nuk i bllokove dot.
Me këta partnerë që sot i deklaron racistë antishqiptarë, me Kristian Demokratët e Angela Merkel, me Kristian Demokratët e Sybrand Bumës, me partitë e djathta që ishin shumicë siç janë edhe sot në parlamentet e Europës, ne hoqëm vizat për shqiptarët. Sepse luftuam krimin! E luftuam me fakte dhe jo me fjalë. Me shifra. Të raportuara e të kontrolluara nga personalitetet e zbatimit të ligjit anembanë Europës. Jo nga mediat e kontrolluara dhe lobistët e paguar.
Erdhën këtu, Presidenti i Bundeskriminalambt (Policia kriminale gjermane) dhe e çertifikoi se Shqipëria ka tani prioritet konfiskimin e pasurive, se në fakt ka shkatërruar totalisht infrastrukturën kriminale; 206 në burg, pothuaj zero trafiku i drogës. I atij Lazarati që përmende ti, që Policia kur u fut kur ti ishte kryeministër, tha që gjetëm 100 ton. Se kishte 3 vjet që nuk dilte drogë”, tha Basha.

Ku janë trafikanët e mëdhenj të Lazaratit

Kanabizimi i Shqipërisë dhe mbrojtja e kokave të trafikut të drogës ishte gjithashtu pjesë e akuzave të ngritura nga kreu i opozitës, Basha dje në Parlament teksa iu drejtua Ramës për lidhjet e tij me krimin e drogën.
“Mirë dakord, ti u fute. Dhe pate mbështetjen time kur u fute në Lazarat. Dy gjëra deklarova: kujdes popullsinë civile, kujdes policët. Më thuaj pak, ku i ke ti bandat e Lazaratit?! Ku i ke trafikantët e mëdhenj të Lazaratit?! Nuk i kape dot se i kishe me vete. Se ndërkohë bëhej plani për ta bërë gjithë Shqipërinë, gjithë Shqipërinë Lazarat! Dhe ti e bëre gjithë Shqipërinë Lazarat. Ironikisht, i vetmi vend ku nuk mbillej drogë ishte Lazarati. Kudo tjetër, edhe në Dibër e çove drogën.
Kush e bëri këtë?! Partia Demokratike?! Opozita?! Imperalistët e huaj?! Ti e bëre Edi Rama! Dhe këtu erdhe me gjysëm zëri ditën e parë në Parlament dhe na njohe ne kredon që paskemi bërë luftën tonë, por ti në radhë të parë duhet t’u kërkosh falje shqiptarëve.
A u premtove në tetor të 2016-ës se në dhjetor të 2016-ës do të hapim negociatat. E ke me zë dhe figurë. A e premtove ti?! Sa herë i ke premtuar negociatat???
Nuk hapen negociatat! S’kam fuqi unë t’i bllokoj negociatat. Jo! Fuqinë për t’i bllokuar negociatat e ka vetëm qeveria dhe ti i ke bllokuar. Sepse ti qeveris me krimin dhe më akuzon mua se bëj politikë me krimin, ti qeveris me krimin.
Për çfarë do që të flas unë?! Për peshkun?! Për zogjtë?! Për farërat?! Kur ti qeveris me krimin, një opozitë e vërtetë, e ndershme ka për detyrë të përballet! Dhe unë këtë po bëj; po përballem, ndërsa ti po fshihesh si struci. Po fshihesh si struci!
Kështu që atdheut i ke vënë ti damkën e zezë. Prej teje shihemi sot si delja e zezë, jo prej meje dhe as prej Partisë Demokratike. Ne hoqëm vizat, ne futëm Shqipërinë në NATO. E gjete gati procesin e marrjes së statusit. T’u dha dhuratë dhe nuk ke bërë asnjë hap tjetër më në atë drejtim! Dhe nuk do bësh! Mbaje mend. Shënoje”, tha Basha.

Si i mbylli gojën Basha-Ballës

Me tone të ashpra, kreu i PD replikoi edhe me deputetin socialist, Taulant Balla dje në Parlament, ndërsa i kujtoi lidhjet e forta me bandat kriminale e me afera korruptive gjithashtu.
“Jo se ma thotë mua i pari apo i dyti i Bashkimit Europian, dhe jo se ata janë të Partisë Popullore Europiane, por se nuk ka dhe nuk mund të ketë Bashkim Europian që të pranojë një vend ku nuk dihet se ku fillon qeveria e ku mbaron krimi. Ku ministri i Brendshëm është në konflik interesi se vëllai i tij është një ndër figurat kryesore të trafikut të kokainës dhe se sot dikton në Vlorë.
Marr me dhjetëra mesazhe. Doni të filloj t’ua publikoj?! Edhe nga policë që tremben nga hija e vëllait tënd, Fatmir Xhafaj. Unë e krijova këtë problem?! Ti ke thënë që nuk mbaj përgjegjësi për vëllain. Ti qofsh! Se je ulur në atë karrige të ministrit të Brendshëm! Po si do ta zgjidhësh këtë problem?! Më thuaj si do ta zgjidhësh këtë problem?! Ti nuk e zgjidh dot sikundër nuk e zgjidh dot ai tjetri aty.
(I drejtohet Taulant Ballës). E di unë se në cilin drejtim flas. E të jesh me fat që nuk të drejtohem ty. Po të të drejtohem ty, kam edhe gjëra të tjera, se ke qenë me mision në Elbasan para dy netësh, dhe dihet se kë ke takuar.
Çështja është fare e thjeshtë. Prano sëmundjen e rëndë, “dhuratën” e vetme që i ke bërë këtij vendi, kancerin e krimit të bërë njësh me politikën.
Dhe padyshim është detyrë e të gjithëve bashkë të nisim kurën e rëndë për ta shëruar vendin. Por kjo kurë e rëndë nuk mund të kalojë nga gjë tjetër përveçse nga themeli i këtij sistemi të kalbur politik të bërë njësh me krimin, me përfaqësues të krimit këtu në këtë sallë, që ti i di fare mirë, dhe me të cilët rri nga mëngjesi deri në darkë.
Dhe me qindra të tjerë të padukshëm për sytë e qytetarëve nga kjo sallë, por me të cilët qytetarët përballen ditë për ditë, drejtorë hipotekash, kadastrash, drejtorë të përgjithshëm, pushtet lokal, njerëz që ndajnë emërimet, bëjnë tenderat, japin prona, marrin pronat, vrasin e presin.
Çfarë t’i kërkosh policisë?! Çfarë t’i kërkosh burrave dhe grave në uniformë?! Për të cilët kam nderimet më të mëdha, për ata të ndershmit që kanë shërbyer me mua dhe kam shërbyer si ministër i tyre i Brendshëm, kur e dimë që kur bën gjënë e duhur edhe Europa bën gjënë e duhur për ne.
Po, gjënë e duhur! Që hoqi vizat, luftuam krimin.
Ti e ke krimin karrige, dhe këmbë të karriges tënde dhe ky është problemi. Ti nuk do të ndahesh nga kjo”, u shpreh kreu i PD.

Masakra e betonit, çdo ditë jepet më shumë se një leje

Sektori i ndërtimit i është kthyer rritjes së shpejtë në dy vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT numri i lejeve të dhëna në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 ishte 298 në shkallë vendi me një rritje 82 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ritmin më të lartë e ka mbajtur kryeqyteti. Lejet e dhëna në pjesën e parë të vitit pësuan një rritje të fortë, me 183 për qind. Bashkia e Tiranës ka dhënë për periudhën janar-qershor 102 leje nga vetëm 36 të tilla të dhëna në të njëjtën periudhë të vitit 2016, apo gati tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Sipas INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8%.
Sipas INSTAT në gjashtëmujorin e parë 2017, rritje të lartë të lejeve të ndërtimit panë qytete të Vlorës, Dibrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës e Fierit.
Ndërsa u vu rënie e lejeve të dhëna për ndërtimet në qarqet e Beratit, Lezhës. Në Qarkun e Kukësit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi as në gjashtë mujorin e parë të 2016 e dhëna në gjashtëmujorin e parë 2017.
Miratimi i planit të ri urbanistik për kryeqytetin dhe zgjerimi i Tiranës nëpërmjet bulevardit të ri, është bërë shkak për orientimin e fondeve të lira të ekonomisë drejt ndërtimit. Teksa numri i lejeve të ndërtimit po pëson rritje nga tremujori në tremujor, projekte të tjera të mëdha janë prezantuar nga ndërtuesit dhe lejet për to pritet të merren në vijim.
Ndërtimet e reja në Tiranë janë përqendruar në sektorin e banesave kryesisht në blloqe të mëdha në periferi dhe në zonë afër qendrës me kulla të mëdha. Këto ditë nis nga puna ndërtimi i një kulle 35 katëshe (Down Town Albania) pranë European Trade Center (ETC). Ndërsa blloqe të mëdha banimi, si Turdiu, Fiori Di Bisko, Festial City janë në zhvillim.

Kthehet qetësia te PSG

Në fund të ndeshjes ndaj Bajernit, ylli brazilian Nejmar përfitoi nga rasti që përveç të tjerave të flasë edhe rreth polemikave me sulmuesin Edison Kavani. Neymar akuzoi gazetarët se shpikin shumë gjëra dhe flasim për shumë situata që nuk i dinë. Ai tregon se gjithçka është zgjidhur dhe situata në skuadër është mjaft miqësore.
“Gazetarët shpikin shumë gjëra, flasin shumë për gjërat që nuk i dinë. Tani gjithçka është zgjidhur. Kush do t’i gjuajë penalltitë në të ardhme? Nuk kemi folur. Njerëzit flasin për gjërat që nuk janë të vërteta. Është gjithçka në rregull, por është gjë që do të mbetet brenda dhomave të zhveshjes. Mbape? Ndihem i privilegjuar që luaj përkrah tij. Është një djalosh i ri, por në fushë lëviz si të ishte 30 vjeç. Ai së shpejti do të fitojë Topin e Artë”, deklaroi ylli brazilian.
Nasser Al-Khelaifi, presidenti i Paris Saint-Germain, i ka thurur elozhe Neymarit. Sipas presidentit të Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, Neymar është lojtari më i mirë në botë. “Neymar? Gjithkush e njeh atë, ai është një lojtar i mirë, më i miri në botë”, ka deklaruar Al-Khelaifi pas fitores ndaj Bayern Munichut me rezultat 3:0. Neymar, i cili u ble nga Barcelona për 222 milionë euro, ishte autor i një goli në ndeshjen ndaj Bayern Munichut në Ligën e Kampioneve.
Skuadra franceze, PSG ka shënuar fitore të merituar ndaj Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve, duke e mposhtur me rezultat të thellë 3:0. Golat për PSG-në i shënuan Dani Alves, Edinson Cavani dhe Neymar. Pas kësaj fitoreje PSG mban vendin e parë në Grupin B me 5 pikë, ndërsa Bayern dhe Celtic ndajnë vendin e dytë dhe të tretë me nga 3 pikë.
Ndërkohë, mediat shkruajnë se, drejtuesit e klubit parizien po mendojnë largimin e Cavanit dhe ndoshta një gjë e tillë mund të ndodhë që në merkaton e janarit. Është drejtori sportiv i PSG, Antero Henrique, ai që ka marrë një vendim të tillë. Në fakt, ky vendim ka bërë të dalin në skenë dhe kandidatët e parë që kërkojnë të kenë në dispozicion shërbimet e El Matador. Në Spanjë është Reali i Madridit. Formimi i dyshes Cavani-Ronaldo do të kënaqte jo pak tifozët madrilen, por edhe vetë teknikun Zidane.
Në Angli, tre janë pretendentët, Chelsea, Everton dhe Man.United. Transferimi tek Bayerni i Mynihut është një tjetër opsion i mundshëm, gjithmonë nëse në janar nga radhët e bavarezëve do të largohet bomberi polak, Robert Lewandowski. Napoli gjithashtu e dëshiron rikthimin e Cavanit, i cili gjatë kohës kur aktivizohej tek ekipi jugor arriti të realizonte 104 gola në 138 takime. Paga që përfiton momentalisht sulmuesi tek PSG është 12 milionë euro në sezon, por situata aspak e mirë që po kalon, e detyron 29-vjeçarin të pranojë reduktimin e shumës, vetëm për të nisur një aventurë të re larg Francës.
Arlind RAMA

Vlerësime pozitive për shqiptarët në Champions

NAPLES, ITALY - FEBRUARY 25: Elseid Hysaj of Napoli in action during the UEFA Europa League Round of 32 second leg match between SSC Napoli and Villarreal FC on February 25, 2016 in Naples, Italy. (Photo by Francesco Pecoraro/Getty Images)

Futbollistët shqiptarë që kanë zbritur në fushën e lojës në ndeshjet e mesjavës në Ligën e Kampioneve kanë merituar nota pozitive për atë që kanë dhënë në fushë, pavarësisht faktit nëse skuadrat e tyre fituan apo u mundën në duelet përkatëse. Në vijim janë notat e portalit “TMW” për katër lojtarët e përfaqësueses shqiptare që luajtën në këto dy ditë: Valon Ahmedi, Elseid Hysaj, Ansi Agolli dhe Taulant Xhaka…
Valon Ahmedi (Sevilja-Maribor 3-0) – 6,5 – Luan një ndeshje shumë të mirë, kur Maribori sulmon, mbështetet gjithmonë te këmbët e tij. Me shumë personalitet numri 7 i skuadrës sllovene.
Elseid Hysaj (Napoli-Fejenord 3-1) – 6,5 – Ndeshje me rregull, duke i lënë shumë pak kundërshtarëve në krahun e tij. Bie në sy me disa dalje, duke arritur në mënyrë të rrezikshme në fundore.
Ansi Agolli (Karabak-Roma 1-2) – 6 – Kujdeset sidomos për fazën mbrojtëse, duke kontrolluar me sy Defrel. Në pjesën e dytë shtyn më shumë dhe arrin shpesh në fundore. I tiji, në minutën e 90, pasimi për thuajse barazimin e Ndlovu.
Taulant Xhaka (Bazel-Benfika 5-0) – 6 – Shumë punë në fazën e mbulimit të hapësirave. Mundohet të shfrytëzojë një goditje dënimi në kufijtë e zonës, por nuk gjen portën.

Juve, Alex Sandro e Chiellini drejt rinovimit

Kohë rinovimesh te Juventus. “Zonja e Vjetër” dëshiron të “blindojë” kampionët e saj duke nisur që nga Alex Sandro dhe Giorgio Chiellini. Lojtari brazilian gjithmonë është pëlqyer nga Chelsea, por shpresat e “Bluve të Londrës” duket se do të shuhen, pasi bardhezinjtë mendojnë t’i ofrojnë kontratë deri në vitin 2022, me një pagë prej 5 mln rurosh në sezon. Kaq pritet të jetë edhe kohëzgjatja e kontratës edhe me Chiellini.

Las Palmas, Pako Ayestaran trajneri i ri

Klubi spanjoll i Las Palmas konfirmuan si trajner të ri Pako Ayestaran. Lajmin e bëri të ditur vet skuadra në faqen zyrtare, duke bërë të ditur gjetjen e akordit me 54-vjeçarin për 1 sezon, i cili zëvendëson në këtë mënyrë të larguarin Manolo Marquez. Ayestaran nuk drejtonte asnjë klub që pas shkarkimit nga Valencia vitin e kaluar. Ndeshja e radhës do të jetë e vështirë për Las Palmas, që të dielën do të përballet me Barcelonën.

Strakosha mund të bëjë gjëra të mëdha

Në historinë e futbollit botëror, janë të paktë emrat e portierëve që kanë lënë gjurmë të tilla aq sa kujtohen nga të gjithë. Një prej tyre është edhe legjenda italiane Dino Zof, një nga më të mëdhenjtë në këtë rol që është shpallur kampion bote me “të kaltrit” në vitin 1982. Ndaj një lëvdatë e tij, për një portier të ri, është diçka që duhet vlerësuar jashtëzakonisht shumë.
Portieri i ri në fjalë është Thomas Strakosha, i cili pak ditë më parë bëri vitin që nga momenti i debutimit me Lacion në Serinë A. Zof, si njohës i mirë i këtij klubi, ku ka qenë për disa vite trajner, ka dhënë mendimin e tij rreth paraqitjeve të deritanishme të shqiptarit.
“Që ai duhet të përmirësohet më shumë, kjo nuk ka dyshim. Por po bën gjëra të rëndësishme, duke e parë edhe moshën e re që ka. Ai është një garanci dhe nëse do të vazhdojë kështu, do të bëjë gjëra të mëdha”, ishin fjalët e Zof për mediat italiane. A mund të ketë më mirë se kaq…

Edhe Arsenali në garë për Pulisic

Arsenal është skuadra më e fundit që ka shfaqur interes për të firmosur me Christian Pulisic të Borussia Dortmund, raporton tabloidi anglez “The Sun”. 19-vjeçari ka tërhequr edhe vëmendjen e Real Madrid, Liverpool dhe Tottenham, pas paraqitjeve me ekipin verdhezi. Megjithatë asnjë nga ekipet s’do ta ketë të lehtë, pasi Dortmund e konsideron pjesë të rëndësishme të skuadrës amerikanin.

Benjamin Mendy mungon 9 muaj

Lajme të këqija nga infermieria e Manchester Cityt për Benjamin Mendy. I dëmtuar gjatë pjesës së parë në fitoren e thellë 5-0 ndaj Cristal Palace, mbrojtësi 23-vjeçar duhet të qëndrojë për 9 muaj jashtë fushave të blerta, pasi ka këputur ligamentin e gjurit. Në fakt menjëherë pas ndeshjes te Cityzens iu frikësuan një dëmtimi të rëndë të francezit, çka u konfirmua gjatë ekzaminimeve më të detajuara, por askush nuk e besonte se do të mungonte për një kohë kaq të gjatë.
Për Manchester City-n mungesa e Mendy është një problem i madh, sepse gjatë merkatos së verës nuk u ble asnjë futbollist për krahun e majtë të mbrojtjes. Në këtë rol formacioni i Pep Guardiolës ka mbetur i zbulur dhe duhet të mbështetet te aftësitë e Danilos apo të Fabian Delhp. Të paktën deri në muajin janar, kur dhe hapet merkatoja dimërore, Manchester City duhet të bëjë llogaritë në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë pa një të majtë anësor, duke qenë i detyruar të përshtasë futbollistë të roleve të tjera.