35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Barcelona tremb Interin

Milan Skriniar është surpriza më e bukur e këtij fillim sezoni në Serinë A italiane. Sllovaku i transferuar gjatë verës nga Sampdoria te Interi për 23 milionë euro është shndërruar në liderin e ri të prapavijës zikaltër. 22-vjeçari me paraqitjet e tij fantastike i ka dhënë një tjetër dimension mbrojtjes së Interit, ndërsa ka rezultuar deçiziv edhe me dy gola me peshë ndaj Crotones dhe Sampdoria. Skriniar ka qenë thjeshtë i pakalueshëm në këto 11 javë të para dhe këtë gjë e kanë provuar lojtarë të tillë si Mertens, Andre Silva e Edin Dzeko. Për sllovakun kanë nisur të interesohen shumë klube të mëdha dhe për Interin nuk do të jetë një mision i thjeshtë ta mbajë në ekip edhe vitin e ardhshëm. Barcelona po mendon seriozisht për sllovakun, të cilin e shikon si partnerin ideal të Gerard Pique në qendër të mbrojtjes edhe pse francezi Samuel Umtiti po paraqitet mirë në këtë sezon.

Dhoma amerikane denoncon: Draft buxheti, antikushtetues

Dhoma Amerikane e Tregtisë, në cilën janë të anëtarësuar të gjithë bizneset kryesore të vendit, ka bërë publike komentet e saj për paketën fiskale 2018 në Ministrinë e Financave, bën të ditur Revista” Monitor”.
Përveç komenteve teknike dhe mendimeve për mundësi ekonomike, si ajo e mungesës së stimujve realë për biznesin, ekspertët dhe anëtarët e Dhomës, kanë denoncuar metodën e papranueshme, dhe sipas tyre në kundërshti me normat kushtetuese, me të cilat qeveria ka vendosur të menaxhojë ndryshimet fiskale të lidhura me buxhetin, pra ato ligje të zbatueshme që ndryshojnë kriteret e taksimit dhe shpenzimeve për të arritur parashikimet e rritjes ekonomike.
Pa hyrë në teknicizma të ndërlikuara, koncepti është që qeveria, ka parashikuar në projekt vendimin e buxhetit të delegojë me një VKM të mëvonshme përcaktimin e shumë ndryshimeve në sistemin fiskal, si përcaktimin e “kritereve , kushteve dhe proceduarave për zbatim”, pa përcaktuar qartësisht principet që duhet të ndjekë qeveria në përgatitjen e një dekreti të tillë.
Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë një interpretim i saktë i Kushtetutës thotë se niveli i taksimit duhet të përcaktohet qartë në ligj.
Ndërsa në projektligjin e buxhetit 2018 parashikohet një delegim tek qeveria për të përcaktuar kufirin e zbatueshmërisë së TVSH-së dhe heqjen nga taksat të kategorive të caktuara ose për përcaktimin e subjekteve që mund të përfitojnë nga ulja me 5 për qind e taksës mbi të ardhurat mbi aktivitetin e prodhimit të software-ve.
Në fakt sipas nenit 155 të Kushtetutës “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj”, pra jo me një VKM.
Parashikimi i ndryshimeve thelbësore në sistemin e taksimit përmes një dekreti, në rast të një padie të pranuar nga Gjykata Kushtetuese, mund të ngjallë kaos në financat publike, duke krijuar hapësira të paqarta në zbatim, pra në pagesat ndaj shtetit.
Një sistem ekonomik ka nevojë për ligje të qarta, të zbatueshme në mënyrë koherente, dhe të qëndrueshme në kohë, ndërsa qeveria Rama gjatë legjislaturës së saj ka ndryshuar shumë herë sistemin fiskal, ndonjëherë në valën e nevojave urgjente të kasës dhe herë të tjera nën valën e protestave të gjeneruara nga ligjet e dobëta, duke shkaktuar një klimë paqartësie që në të vërtetë krijon më shumë dëm se sa një taksim i lartë.
Nisma për t’i kërkuar qeverisë vendimin se çfarë dhe se si të taksojë rrit rreziqet e diskrecionit në zbatueshmërinë e taksës, mjafton të mendosh për përcaktimin, mesa duket i deleguar tek Ministria e Financave (që mbulon edhe një pjesë të mirë të turizmit), të atyre që janë hotel me pesë apo katër yje sipas standardeve ndërkombëtare, të cilët përfitojnë nga përjashtimi nga të gjitha taksat për 10 vjet.

Trajtimi me fokus të veçantë i biznesit të vogël

“Në këtë paketë fokusohet sektori i turizmit në lidhje me TVSH dhe teknologjia në lidhje me tatim fitimin, të cilat si sektorë japin më shumë incentiva për të ardhmen. Ndërkohë që Shqipëria si vend i vogël që është mendojmë se duhet t’i kushtojë më tepër rëndësi bizneseve, të cilat japin ndikim në afatshkurtër siç janë profesionet e lira. Bizneset e vogla me këtë ligj që pritet të zbatohet vitin tjetër, do të kalojnë si subjekte me TVSH dhe do të duhet të paguajnë çdo muaj përveç sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, tatimit në burim edhe TVSH. Nga kjo nënkuptohet që këto biznese do të duhet të nxjerrin më shumë lekë nga xhepi i tyre. Mirë do ishte që të mendohej dhe për këtë fakt, pasi si biznese të vogla, me tërë këto shpenzime për një muaj, dihet fundi i tyre. Kjo nënkupton që duhet t’u kushtohej rëndësi edhe këtyre lloj subjekteve që të mos përfundojnë ciklin e jetës së tyre pa nisur akoma”, vijon drafti.

 

Propozimi për uljen e kufirit të regjistrimit të TVSH-së

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, ulja e kufirit të regjistrimit në TVSH duhet të ketë parasysh parimet e mëposhtme: lehtësimi i procedurave të deklarimit të TVSH nga bizneset e vogla me deklarime tre-mujore, heqje gjobash për vonesë në deklarim etj., si dhe mos futja në TVSH e bizneseve shumë të vogla. “Shqetësim për anëtarët tanë përbën kapaciteti i Administratës Tatimore (dhe sistemit e-tax) për manaxhimin e një numri të madh subjektesh në TVSH. Kostoja e administratës për menaxhimin dhe kontrollin e këtyre subjekteve duhet të justifikohet me të ardhurat që ata do të sjellin në buxhet. Shqetësimi tjetër ka lidhje me faktin se fokusi i Administratës Tatimore nuk duhet të zhvendoset tek tatimpaguesit e vegjël, pasi dëmi më i madh në buxhet shumicën e rasteve bëhet nga të mëdhenjtë”, evidentohet në dokumentin me propozime. Nga ana tjetër, iniciativa në uljen e kufirit të TVSH duhet të shoqërohet me masa të tjera në kuadrin e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo tatimin mbi fitimin. Ndërsa evidenton problematikën e deklarimit të xhiros nga bizneset, Dhoma sugjeron që, ministria të propozojë ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe atë për taksat vendore që të vendosë një mënyrë dhe masë tatimi që iu lejon këtyre bizneseve të vogla formalizimin e tyre pa barrë fiskale të ekzagjeruar. “Në këtë këndvështrim, duhet të trajtohen veçmas aktivitetet e shitjes se mallrave dhe ato të shërbimeve. Si rrjedhojë, Dhoma sugjeron se në këtë rast zgjidhja më e mirë do të ishte që klasifikimi i biznesit të bëhet në bazën e fitimit.

Propozime për ndryshime të papërfshira në Paketën Fiskale

(Ligji për tatimin mbi të ardhurat/Zgjatja e periudhës së mbartjes për humbjet tatimore) “Legjislacioni shqiptar, sipas Ligjit për “Tatimin mbi të Ardhurat” nr. 8438 datë 28.12.1998, i ndryshuar, parashikon që humbjet tatimore mund të barten dhe shfrytëzohen për një periudhë jo më shumë se 3 vjet. Duhet pasur parasysh fakti se vendet e BE-së, si p.sh Italia, u japin shoqërive një periudhë të pacaktuar kohore për shfrytëzimin e humbjeve tatimore të krijuara gjatë 3 viteve të para të investimit. Në këtë drejtim, si dhe me qëllim krijimin e një mjedisi tërheqës për investimet e huaja direkte që kryejnë investime Greenfield, rekomandohet së tepërmi që periudha 3-vjeçare e përcaktuar në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të zgjatet minimalisht 10 vjet”, propozon Dhoma
(Ligji për TVSH/Vonesat në rimbursimin e TVSH) “Për të shmangur shtimin e shumave të TVSH të parimbursuara nga Administrata Tatimore, sugjerojmë si më poshtë:
Të përcaktohet shprehimisht në ligj që në rast të kredive tatimore qoftë për TVSH apo tjetër tatim, pavarësisht se mund të jenë të pakontrolluara, të mund të përdoren për të kompensuar detyrime të tjera tatimore. Kjo gjë do të shfryjë efektin nga vonesat në kontroll dhe rimbursim të TVSH;
-të lejohet kompensimi me detyrime doganore (tarifë doganore, TVSH apo taksa kombëtare të pagueshme në doganë);
-interesi për rimbursim me vonesë të TVSH të përllogaritet automatikisht nga sistemi e-tax” sugjeron Dhoma.

Njohja e borxhit të keq

“Borxhi i keq duhet të njihet në momentin kur provohet pamundësia e këtij arkëtimi. Kjo pamundësi provohet nga shoqëritë përmbaruese, të cilave ligji iu ka dhënë atributin e mbledhjes së borxhit, ose të shpalljes së tij si të pambledhshëm në kushte të caktuara”, sugjeron Dhoma.

Ligji për taksat vendore
Taksat e Përkohshme

“Ligji për Taksat Vendore (Neni 33) parashikon që Këshilli Bashkiak, kur gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm, në interes të përgjithshëm të komunitetit, në territorin brenda juridiksionit të tij. Sidoqoftë, nuk jepet asnjë specifikim tjetër në ligj lidhur me kufizimet e këtij autoriteti, arsyetimin e domosdoshëm që duhet të mbështesë vendimin për vendosjen e këtyre taksave, si dhe qartësimin se çfarë do të ishte e domosdoshme për komunitetin, për qëllimet e vendosjes së këtyre taksave. Kjo e lë Këshillin Bashkiak një autoritet që tejkalon vetë ligjin dhe krijon pasiguri për të ardhmen”, sipas Dhomës. Ndaj rekomandohet që për të shmangur ekspozimin e paparashikueshëm dhe të pajustifikuar financiar të operatorëve të biznesit, Ligji duhet të përcaktojë qartësisht dhe Këshillat Bashkiakë duhet të përcaktojnë dhe parashikojnë qartësisht në vendimet e tyre, gjatë vendosjes së taksave të tilla të përkohshme, me arsyetimin e mjaftueshëm mbi: -nevojat përkatëse të komuniteteve për përfitimin e të cilëve aplikohen këto taksa; -kushtet dhe kriteret për llogaritjen dhe implementimin e këtyre taksave. Gjithashtu, këto taksa nuk duhet -të aplikohen më shumë se 2 vjet rresht dhe të mos përsëriten brenda periudhës 5- vjeçare, duke filluar nga viti i fundit i zbatimit të këtyre taksave; -të tejkalojnë në vit 50% të taksave të përgjithshme lokale vjetore në buxhetin e Bashkisë.

Heqja dhe ulja e tarifave doganore për disa produkte

“Ne e vlerësojmë faktin që Ministria e Financës dhe e Ekonomisë ka propozuar ndryshime të tarifave dhe taksave doganore në lidhje me produktet IT dhe kancelarike. Me qëllim që kompanitë IT në Republikën e Shqipërisë të jenë të konkurueshme në rajon do të sugjeronim uljen tarifore edhe për “42029219 42029298- Çantë për lap top.- Taksa doganore 15%”. Këto produkte kanë vlerë të vogël në blerje dhe ndërkohë në vendet e BE e kanë taksën doganore 2.7%. Kjo do të ndihmonte në një unifikim të taksave dhe tarifave doganore”, propozon Dhoma.

Njohja e shpenzimeve të zbritshme për individët

Sipas Dhomës Amerikane, përfshirja në shpenzime të zbritshme për qëllime të të ardhurave personale (vjetore) të më shumë shpenzimeve, përgjithësisht ato lloj shpenzimesh për të cilat të ardhurat zakonisht shkojnë të patatueshme nga ofruesit e këtyre shërbimeve (psh. shërbimet dentare dhe shëndetësore, riparimet e automjeteve, kurset trajnuese ose kurseve jashtëshkollore, qirasë së shtëpive etj) . “Rimbursimi i tatimit për këto lloj shpenzimesh do të zëvendësohej në buxhet nga tatimi që do u merrej furnizuesve”, evidenton Dhoma.

BB: Shqipëria në listën e 5 vendeve me pagat më të ulëta

Raporti më i fundit i Bankës Botërore të të bërit biznes vendos një fokus të veçantë te tregu i punës, pasi mban titullin: reformim për të krijuar vende pune.
Pjesë e raportit të Bankës Botërore është edhe një tabelë me të dhëna të ndryshme mbi tregun e punës në të 190 ekonomitë e botës që merren në vlerësim nga institucioni me bazë në Washington.
Këto të dhëna shërbejnë si një bazë e mirëfilltë krahasuese dhe tregojnë diferencën e theksuar mes ekonomive. Nga këto të dhëna, rezulton se, Shqipëria është një ndër 5 vendet me pagat më të ulëta në rajon.
Si referencë merret puna e një shitësi ose shitëseje, rreth 19 vjeç dhe me një eksperiencë 1-vjeçare pune. Rezulton se, për vendin tonë, kjo pagë fiksohet në 182.3 dollarë, çka përkthehet në 24 mijë lekë të pagës minimale ligjore në vendin tonë.
Kjo shifër e vendos Shqipërinë në listën e pesë vendeve me pagën minimale më të ulët në Europë, si dhe vendin e parafundit në rajon. Më keq se vendi ynë është Bjellorusia me 156.9 dollarë në muaj, Kosova me 150 dollarë në muaj, Ukraina me 133.8 dollarë në muaj, si dhe Moldavia me 110.5 dollarë në muaj.
Në rajon, Shqipëria dhe Kosova janë vendet me pagat më të ulëta, ndërkohë që në Mal të Zi, paga minimale fiksohet në 218.9 dollarë në muaj, Maqedoni, 242.5 dollarë, Serbi 212 dollarë dhe Bosnje-Hercegovinë 232.5 dollarë në muaj.

Me pagat më të ulëta

Përveçse kanë rrogat më të ulëta në rajon, punonjësit shqiptarë janë përballur me përkeqësimin e standardeve të jetesës gjatë viteve të fundit. Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë. “Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik”, thuhej në një raport të publikuar kohë më parë nga BB. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve.

Shkelje e të drejtave

Kodi i Punës i parashikon një sërë të drejtash për punonjësit që nga ditët e detyrueshme të pushimeve dhe deri tek pagesat shtesë, që ata duhet të përfitojnë për orët shtesë apo ditët e festave. Por këto të drejta duket se i gëzojnë vetëm punëtorët e shtetit, ndërsa pjesa më e madhe e atyre që punojnë në sektorin privat përballen me shkeljen e tyre. Sipas Kodit të Punës në Shqipëri janë 20 ditë pune leje vjetore apo 28 ditë kalendarike. Ndërsa festa zyrtare numërohen 12. Megjithatë në Shqipëri bizneset private nuk e respektojnë tërësisht Kodin e Punës dhe jo të gjithë punonjësit e marrin të plotë lejen vjetore prej 20 ditësh, ndërsa shumë prej tyre detyrohen të dalin në punë edhe gjatë fundjavës. Në ditët e festave dhe të pushimit punojnë dhe të vetëpunësuarit, që përbëjnë rreth një të tretën e totalit të të punësuarve në sektorin privat.

Drama e fëmijëve të Bulqizës

Gazetarët e emisionit “Le Iene” kanë ardhur në Shqipëri, ku kanë realizuar një reportazh për kushtet e vështira në të cilat jetojnë banorët në Bulqizë, ndërsa në fokus është varfëria e kësaj zone. Sipas “Le Iene”, fëmijët 10-13-vjeçarë lënë shkollën për të mbledhur krom dhe për të siguruar bukën e gojës. Frigoriferët bosh, infrastruktura që lë për të dëshiruar dhe fëmijët në kërkim të kromit janë ato që italianëve iu bëjnë më së shumti përshtypje. E sigurisht dhe fakti që vetëm nga miniera e Bulqizës nxirren çdo vit rreth 120 mijë tonë krom që kapin shifrën e 40 milionë eurove, por banorët e kësaj zone sërish jetojnë në skamje.
“Fëmijët që po shikoni nuk janë duke luajtur, ata punojnë që të ndihmojnë familjet e tyre. Ata kërkojnë krom. Janë fëmijë të moshës 10 deri në 13 vjeç dhe në vend që të jenë duke studiuar si të gjithë moshatarët e tyre e kalojnë kohën në këtë mënyrë”, këto janë fjalët e para të gazetares italiane për reportazhin e realizuar në qytetin e Bulqizës.
“Të gjithë banorët e Bulqizës punojnë me kromin. Kjo grua është nënë e dy fëmijëve që punojnë në mbledhjen e kromit. Ajo na tregon kushtet në të cilat jeton. Shtëpia është gati duke rënë dhe ajo mezi ia del të ketë me çfarë të ushqejë fëmijët. E vetmja gjë që ka në frigorifer janë disa bidona ujë, pasi uji vjen vetëm 2 orë në ditë dhe disa perime të konservuara. Gesti në vend që të shkojë në shkollë, mbledh krom”, vijon më tej rrëfimi. Duke u ndalur te familjet dhe frigoriferët bosh të tyre, gazetarja italiane ndalet për darkë në një prej tyre, madje ka gatuar për ta.
Timi tregon: “Unë kur të rritem dua të bëhem si babi. Ai i bën të gjitha, murator, elektriçist. Ai do të lumturohet shumë nëse bëhem si ai, e kam ëndërr. Në këtë qytet nuk ka shumë gjëra për të bërë, por ka edhe fëmijë që nuk shkojnë për krom. Atyre nuk u tregoj se shkoj për krom, por për të kaluar kohën. Po ta dinin do të më thoshin ‘i ky s’ka bukë për të ngrënë’”.
Timi është i lodhur ndaj e lemë të shkojë për të fjetur sepse nesër e pret ditë e rëndë. Është ora 7 e gjysmë dhe Timi duhet të zgjohet, prindërit kanë shkuar në punë dhe për mëngjesin e tij mendon e motra, Mia.
Vjen Blero dhe së bashku vendosin në cilin mal të shkojnë për të mbledhur krom. Ende pa mbaruar së ngrëni, veshin këpucët, marrin kovat dhe shkojnë të thërrasin mikun e tyre Gestin. Ai vonon pak, por në fund vjen dhe djemtë nisen drejt malit. Janë fëmijë dhe e kalojnë ditën në kërkim të gurëve që shkëlqejnë më shumë, në kërkim të kromit. Duart e këtyre fëmijëve tregojnë punën që bëjnë këtu çdo ditë. Kur kovat nuk kanë më vend, ata e marrin kromin në bluza.
Ndërsa pasi djemtë janë lodhur nga puna dhe duhet të pushojnë pak, gazetarja i pyet për sportin.
“Gazetarja: Ju pëlqen futbolli?
Fëmijët: Po.
Gazetarja: Për kë bëni tifo?
Fëmijët: Leo Messi, Barcelona.
Gazetarja: Shqipëri-Itali fituam ne.
Fëmijët: Po fituat, po mbrojtësi jonë Basha e kishte fajin, por ne prapë do të luajmë me ju dhe do u mundim.
Më pas nisemi për në shtëpi. Ne me kamera të fshehur shoqërojmë fëmijët kur shesin kromin. Ata paguhem me një çmim shumë qesharak. Nga dora e fëmijëve kromi kalon tek sipërmarrës më të mëdhenj dhe më pas shpërndahet nëpër botë. Fëmijët tanë nga e gjithë kjo kanë fituar disa qindarka. Ata me një ditë kaq të lodhshme pune mundën të çojnë në shtëpi një pako makarona dhe një kile miell…”.
E në fund kur ata shkojnë në banesë prindërit e sfilitur nga mundi i japin një buzëqeshje… tek e fundit ajo është e gjitha çfarë kanë.

Takaj: Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë!

Partizani i Beogradit, gjatë vizitës dyditore në Shqipëri, nuk hasi problemin më të vogël. Tani është koha për bardhezinjtë, që në kthim të bëjnë të njëjtën mikpritje për Skënderbeun. Presidenti i të vetmit klub shqiptar në “Europa League”, Ardian Takaj, në një intervistë me “News”, shpreh bindjen se çdo gjë do të jetë në rregull.
– A keni qenë ndonjëherë në Beograd dhe çfarë prisni nga vizita në kryeqytetin tonë?
Kam qenë disa herë në Beograd, kam qenë gjithmonë shumë komod këtu dhe kam një mendim shumë të mirë për kryeqytetin tuaj.
– Kampioni serb ishte shumë i mirëpritur në Shqipëri, nuk kishte as edhe problemin më të vogël. A prisni diçka të ngjashme tani?
Partizani është një emër i madh, të cilin ne e dimë nga ish-RSFJ. Ne u përpoqëm të fitonim ndaj këtij rivali në mënyrën që na duhej dhe bëjmë çmos që të ndiheshin si në shtëpi. Besoj se ishim në gjendje ta bënim këtë. Jam i kënaqur që presidenti i Partizanit, Milorad Vucelic, ishte i kënaqur të largohej nga Shqipëria me atë mikpritje. Shpresoj që edhe ne do të ndihemi ashtu.
– Cilat janë prioritetet tuaja para se të luhet ndeshja me Partizanin?
Është shumë e rëndësishme për ne që të sigurojmë kushte të mira përpara kësaj ndeshjeje dhe përparësia jonë është pikërisht që gjithçka të shkojë mirë, siç ishte rasti në Shqipëri. Rezultati i Elbasanit ishte i kënaqshëm për klubin tonë, sepse e dinim se po luanim kundër një ekipi shumë të mirë dhe të organizuar në çdo aspekt.
– Si mendoni për Partizanin si klub dhe për cilësinë e ekipit?
Partizani është ekipi i famshëm dhe rezultatet që ka arritur në rrjedhën e historisë. Me cilësinë që zotëron tani, e shikoj si një nga pretendentët kryesorë për kalimin e këtij grupi.
– Me çfarë rezultati do të ishit të lumtur të dilni nga Beogradi?
Besojmë se do të jetë një lojë e vështirë për ne dhe është e sigurt se do të jemi të lumtur me një pikë.
– Cilat do të jenë dy skuadrat që do të kenë pranverë europiane nga Grupi B?
Do të isha shumë i kënaqur nëse dy skuadrat tona do të shkonin më tej. Do të ishte bukur.
– Cilat janë ambiciet e Skënderbeut në të ardhmen e afërt?
Ka shtatë vjet që ekipi ynë dominon futbollin në Shqipëri dhe ambiciet tona po rriten çdo vit. Ne duam të arrijmë sa më shumë në Europë dhe të promovojmë lojtarët e rinj. Kemi bërë një qendër sportive në Korçë, në reputacionin e klubeve të mëdha europiane, dhe jemi të dhënë shumë në drejtimin e infrastrukturës.

Skënderbeu në Beograd

Klubi serb i Partizanit të Beogradit u ka bërë thirrje publike disa herë tifozëve të vet për të qenë tepër të kujdesshëm me sjelljen para, gjatë dhe mbas ndeshjes me Skënderbeun shqiptar, në Ligën e Europës. Edhe trajneri Miroslav Dukiç, në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, dërgoi një mesazh të mirë të paqes jo vetëm për tifozët, por për të gjithë rajonin. Përgjigjja e Dukiç erdhi pasi një gazetar shqiptar bëri pyetje në gjuhën serbe, nëse ai pret probleme sot.
“Jo, unë nuk pres ndonjë problem. Asnjë prej nesh nuk kanë nevojë për këtë, ne kemi nevojë vetëm për spektaklin e futbollit në mes të Skënderbeut dhe Partizanit. Ne duam të flasim vetëm për futboll dhe jo për ndonjë gjë tjetër. Nuk kemi nevojë për probleme, ne duhet të jemi miq. Ne të gjithë kemi vuajtur në këtë rajon për shkak të këtyre problemeve, ndaj duhet të afrohemi dhe të kthehemi te miqësia. Pas ndeshjes të flasim vetëm për bukurinë e futbollit”, tha Dukiç.
Trajneri serb iu përgjigj një numri pyetjesh për incidentet e mundshme, por edhe për incidentin e famshëm me dron, në ndeshjen mes dy kombëtareve: “Ju jeni pjesa më e mirë serbe dhe partizanase nëse shprehni dhe mbështetni ekipin tuaj dhe nuk e fyeni kundërshtarin”. Duke u fokusuar te prognoza e ndeshjes, te loja e të tijve dhe cilësia e kundërshtarit, trajneri i Partizanit të Beogradit shtoi: “Jemi të vetëdijshëm që ndaj Skënderbeut, nesër, luajmë një nga dy ndeshjet më të rëndësishme në grup. Na pret një duel i vështirë, sepse Skënderbeu është i fortë dhe mjaft agresiv.
Megjithatë, ne duam vetëm fitoren. Na duhet spektakël futbollistik në një ndeshje të madhe. Besoj dhe shpresoj që të jetë një ndeshje korrekte dhe e bukur. Duke iu rikthyer asaj që ndodhi para tri vitesh, them se e pësuan futbollistët dhe kombëtarja, që nuk pati mundësi për t’u kualifikuar. Do të mundohemi t’ua kthejmë mikpritjen shqiptarëve. Nuk do të jetë faktor lodhja fizike. Nuk kemi justifikime, do të luajmë në sulm. Stojkovic besoj se do të jetë gati. Kemi patur një dëmtim gjatë stërvitjes së fundit, por të shohim si do të jetë situata”.
Lojtarët e Skënderbeut kanë mbërritur në Beograd në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Një ekspeditë nga Shqipëria arriti në kryeqytetin serb për të luajtur ndeshjen e Ligës së Europës, ndaj Partizanit vendës. Ky ballafaqim do të zhvillohet sot, në orën 19:00, në kuadrin e raundit të katërt të fazës në grupe të këtij kompeticioni europian. Pas tri ndeshjeve të luajtura në Grupin B, bardhezinjtë e Beogradit janë të tretët, me dy pikë, ndërsa e fundit është skuadra e Skënderbeut, me një pikë. Young Boys është i dyti, me tri pikë, ndërsa Dynamo Kiev renditet e para, me shtatë pikë.
Arlind RAMA

Maradona sulmon sërish Sampaolin: Thërret Icardin për shkak të Wandës

Një ditë pas ditëlindjes së tij të 57, Diego Armando Maradona ka dhënë një intervistë, ku ka përfituar të sulmojë sërish teknikun e Argjentinës, Sampaoli. Ai ka akuzuar trajnerin argjentinas si mosmirënjohës, që para pak kohësh i kërkonte favore, ndërsa sot e mohon këtë në mënyrë të paturpshme.
“Para disa kohësh më kërkonte të bënim së bashku një projekt për Seviljen, ndërsa tani e mohon paturpësisht, sepse ka marrë drejtimin e kombëtares. Sampaoli është një njeri fals, që hiqet shumë më i aftë sesa është në të vërtetë dhe nuk do të doja kurrë të bashkëpunoja me të”, tha Maradona.
“El Pibe D’oro” nuk kurseu kritikat as ndaj përfshirjes së Icardit në listën e të grumbulluarve, teksa tha se Sampaoli është telefonuar nga Wanda Nara dhe është bindur ta bëjë këtë.
“Nuk e kuptoj se si mund të lihen jashtë Aguero dhe Higuain dhe të thërritet njëri që i ka marrë gruan shokut. E di mirë unë historinë e tyre. Icardi është një person që luan futboll me fëmijët e Maxi Lopezit, ndërsa gruaja e tij do të hyjë në botën e futbollit, duke u bërë menaxherja e tij. Më kanë thënë njerëz të sigurt se Wanda kishte telefonuar 3 herë Bauzën dhe 4 herë Martinon, për t’i bindur të thërrasin Icardin, por nuk ia doli. Sampaoli mesa duket nuk i rezistoi telefonatave të gruas menaxhere të tij”, tha Maradona.

Barcelona ofron 30 milionë euro për Nunez

Krahas objektivit primar, që është Philippe Coutinho, Barcelona është vënë në kërkim të dy qendërmbrojtësave, që do t’i bashkohen Pique-së nga sezoni i ardhshëm. Katalanasit dështuan të gjejnë një zëvendësues të denjë për Jeremy Matheiu këtë verë, ndërsa lajmëruan edhe largimin e Mascheranos në fund të sezonit, duke bërë që në klub të mbeten vetëm Pique edhe Umtiti.
Trajneri Valverde ka kërkuar afrimin e mbrojtësit 20-vjeçar Unai Nunez, të cilin e ka stërvitur të Atletico Bilbao. Ky i fundit sapo ka zgjatur kontratën e tij me baskët, deri në verën e vitit 2023, por te Barcelona janë të bindur se përkundrejt një oferte prej 30 milionë eurosh, mund t’i plotësojnë dëshirën Valverdes.

Danimarka, trajneri Hareide rinovon deri më 2020

Age Hareide ka pranuar ofertën e Federatës daneze të Futbollit për të rinovuar kontratën me përfaqësuesen skandinave deri në fund të vitit 2020. Lajmi për zgjatjen e bashkëpunimit me trajneri norvegjez është bërë i ditur nga vetë Federata daneze e Futbollit. 64-vjeçari te Danimarka ka marrë vendin e Morten Olsen në vitin 2016. Me Hareiden në stol Danimarka arriti të kualifikohej në fazën play off të Kampionatit Botëror dhe do të luajë kualifikimin në Botërorin rus në një përballje të dyfishtë me Republikën e Irlandës në muajin nëntor.

Hyka në garë për dy çmime

I kanë mjaftuar vetëm disa muaj për të spikatur në një kampionat pak të njohur në Europë. Bëhet fjalë për mesfushorin shqiptar, Jahmir Hyka, i cili u transferua te skuadra amerikane e San Jose Earthquakes në fillim të vitit duke lënë një gjurmë të madhe te skuadra kaliforniane, por edhe në kampionatin amerikan. Mesfushori i kombëtares është përzgjedhur në listën e lojtarëve kandidatë për “Golin e Vitit 2017”, por edhe në listën e çmimit “MLS Fair Play Award”. Përsa i përket çmimit Fair Play, ai është në garë me Damarcus Beasley të Houston Dynamo dhe Dave Romney të LA Galaxy. Finalistët janë përzgjedhur nga MLS në bazë të kritereve objektive si faullet e shkaktuar, kartonët e marrë dhe minutat e luajtura gjatë këtij viti.
Një peshë të madhe në vendim do të ketë edhe sjellja e tri lojtarëve në fushën e lojës. Hyka është aktivizuar në 30 nga 34 ndeshjet zyrtare të sezonit të rregullt me 1871 minuta ku numëron vetëm 6 faulle. Asnjëherë gjatë këtij sezoni, mesfushori shqiptar nuk ka shkaktuar më shumë se një faull për ndeshje, ndërsa gjatë gjithë vitit nuk është ndëshkuar asnjëherë me karton të verdhë apo të kuq. Fituesi do të shpallet në datën 7 nëntor në një ceremoni të veçantë. Përsa i përket kategorisë së “Golit të Vitit”, bëhet fjalë për realizimin e 20 majit kundër Dallasit. Votimi do të jetë i hapur deri në datën 14 nëntor. Hyka e mbylli sezonin aktual me 3 gola dhe 5 asiste.