24.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Avokati i Ramës tek banda e Lalës padit policinë

Banda e Elbasanit që sulmoi policinë më 18 shtator është marrë në mbrojtje nga avokati i kryeministrit Rama. Avokati i Ramës, Eno Bushi, në emër të biznesmenit Petrit Çela, ka kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela mbrëmjen e 18 shtatorit. Biznesmeni Petrit Çela është i njohur për miqësinë që ka me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini. Avokati i Ramës ka paditur të gjithë zinxhirin e policisë që ndodheshin në operacion mbrëmjen e 18 shtatorit për dëshmi të rreme.
Marrja në mbrojtje e bandës së Elbasanit nga avokati i Ramës dëshmon se kjo bandë që bën ligjin atje ka mbështetjen e kryeministrit. Me këtë veprim vërtetohet se autorët që sulmuan policinë dhe mbajnë nën terror të gjithë qytetin nuk do të arrestohen, pasi ata kanë mbrojtjen e vetë kryeministrit. Mjaft qytetarë të Elbasanit shprehen se, banda ka përkrahjen e Ramës dhe kryebashkiakut Sejdini, sepse kur vijnë fushatat ato dalin dhe mbledhin votat me dhunë.
Shteti ka angazhuar të gjitha strukturat dhe njerëzit më të besuar për të marrë në mbrojtje bandën e Elbasanit. Dy ditë pas ngjarjes së rëndë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hako Çako shkoi në Elbasan dhe darkoi me peshqit e mëdhenj. Ky veprim i Çakos indinjoi dhe irritoi qytetarët e Elbasanit, por jo organet e shtetit. Prokuroria e Krimeve të Rënda u tërhoq nga hetimet e bandës së Elbasanit. Pas darkës së Çakos, Prokuroria e Krimeve të Rënda u tërhoq nga hetimet e Elbasanit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për ngjarjen e Elbasanit, ku makina e blinduar goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë. Fillimisht nga Prokuroria, kjo vepër kriminale u kualifikua si “vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësit të policisë”, por më pas u rrëzua poshtë.
Nga pamjet filmike të publikuara në televizon dukej qartë se, makina tip “Audi” e blinduar në pronësi të biznesmenit Petrit Çela goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë para portës së biznesit të Çelës. Pasi ka parë pamjet filmike, Prokuroria ka bërë një këqyrje të hollësishme të tyre. Bazuar në to, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë, duke e dërguar për hetim në organin e akuzës së Elbasanit.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë të shfaqura në Televizionin “Klan”, Prokuroria ka krijuar bindje se, nuk ka pasur sulm të drejtpërdrejt të forcave blu, ku makina e zv/drejtorit të Policisë së këtij Qarku, Gjergji Oshafi u godit nga një “Audi A8” e blinduar. Pavarësisht se vepra fillimisht u kualifikua si “vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësit të policisë”, kjo gjë u rrëzua poshtë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
E gjithë skena zhvillohet përpara Tregut Ushqimor në Elbasan, pronë e biznesmenit Petrit Çela. Për Prokurorinë, në momentin që nisen makinat e policisë për të çuar në komisariat Klement Xhaferrin, “Audi” vjen me forcë për të hyrë në Tregun Ushqimor. Siç shihet në pamje, ky automjet godet makinën e policisë. Nga ky incident, efektivëve nuk ju është kërcënuar jeta, pohojnë burime nga organi i akuzës, pasi ata ndodheshin në distancë nga vendi i ngjarjes dhe një pjesë e tyre ishin brenda në furgonin e Forcave Speciale “Shqiponja”.
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një ndër akuzat që mund të kualifikohet kjo vepër është, mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë dhe largimi nga vendi i ngjarjes, kompetencë kjo që e hetojnë prokuroritë e rretheve dhe jo ajo e Krimeve të Rënda.

Kush është avokati i Ramës, Eno Bushi

Eno Bushi njihet si avokati mbrojtës i dhe PS-së dhe Edi Ramës, por edhe i familjes së tij në disa raste të rëndësishme për zgjedhjet dhe mbrojtjen e figurës së Ramës. Po përmendim disa nga rastet kur Eno Bushi është vënë në mbrojtje të Ramës, familjes së tij dhe PS-së.
Më 30 qershor të vitit 2009 ka paditur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në emër të PS për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Më 22 dhjetor 2009, avokatët e kryetarit të PS, Edi Rama, Arian Salati dhe Eno Bushi, kanë paditur Kryeministrin Sali Berisha duke iu referuar batutave të tij në Kuvend dhe Kryeministri ndaj Ramës. Më 27 maj 2011, avokati i Partisë Socialiste, Eno Bushi ka bërë një padi në Kolegjin Zgjedhor, për pavlefshmërinë e vendimit për numërimin e fletëve në kutitë e gabuara.
Në maj të viti 2014, avokat Arjan Salati dhe Eno Bushi paditën ish-Kryeministrin Berisha për “fyerje” ndaj Aneta Ramës, nënës së Edi Ramës.

Çfarë deklaroi biznesmeni Çela pas ngjarjes

Avokati i Ramës që ka paditur punonjësit e policisë në emër të biznesmenit Petrit Çela pretendon në padinë e tij se nga policia janë shtrembëruar faktet dhe dinamika e ngjarjes, pasi sipas tij, nga filmimet rezulton se veprimet e policisë janë të kundërta nga ato që kanë deklaruar kur janë marrë në pyetje. Biznesmeni Çela, një ditë pas ngjarjes kur në media doli lajmi se ai ishte shpallur në kërkim, në një lidhje telefonike me “News 24” ai deklaronte se nuk dinte asgjë për ngjarjen.
“Nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur. Mjeti im ka qenë në treg. Unë e kam një makinë të blinduar. E kam në emër të firmës, konform të gjitha rregullave dhe nuk kam qenë pranë tregut. Nuk di asnjë lloj gjëje. Asnjë tjetër nuk e përdor mjetin tim. Mjeti im ka qenë brenda në treg”, tha Çela në bisedën telefonike në “News 24”. Por pamjet filmike të publikuara në Televizionin “Klan” hedhin poshtë deklaratën e tij një ditë pas ngjarjes. “Audi” i blinduar, që sipas policisë është në pronësi të biznesmenit, duket në video se godet policinë.
Për ditë me rradhë është thënë se për sulmin ndaj policisë është shpallur në kërkim Suel Çela, i biri i Petrit Çelës, që sipas policisë dyshohet se ishte në drejtim të “Audit” që sulmoi policinë. Por, dje, avokati i babait të tij deklaroi se, kjo nuk është e vërtetë. Suel Çela është akuzuar shpesh herë si eksponent kryesor i një prej bandave më të fuqishme të narko-trafikut të Elbasanit.

Avokati i Ramës edhe tek grabitja e Bankës

Eno Bushi ka qenë avokat i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për disa vite dhe një nga juristët e kësaj force politike në Gjykatë. Pikërisht ky person është aksioner në kompaninë që fajëson Ministria e Brendshme për grabitjen e parave në Rinas. ICTS Albania është përgjegjëse sipas policisë për vjedhjen e parave që do të ngarkoheshin në avion. Kompania fajësohet për sigurinë e dobët në aeroport, pavarësisht raporteve të vazhdueshme për të rritur masat e sigurisë. Nga kërkimet në QKR, rezulton se 25% të aksioneve i ka në zotërim Eno Bushi, ndërsa 75% i përkasin ICTS Europe. Eno Bushi njihet si jurist i Partisë Socialiste dhe person i afërt me kryeministrin Edi Rama. Kryeministri nuk është prononcuar në asnjë rast për skandalin e grabitjes në Rinas, pavarësisht se ky është konsideruar një cënim i sigurisë kombëtare.

 

Rama duhet t’i shpjegojë Kosovës taksën 10 euro të lëvizjes së lirë

Rama foli dje në takimin me kreun e qeverisë së Kosovës, Haradinaj për heqje doganash mes dy vendeve. Kjo është për t’u përshëndetur, por nga ana tjetër Rama nuk foli për taksën e re të lëvzijes së lirë mes dy vendeve dhe se sa ajo do t’u kushtojë shqiptarëve. Bëhet fjalë për taksën 10 euro që shqiptarët duhet t’i paguajnë koncesionarit të Rrugës së “Kombit” që Rama e vendosi në kundërshtim me të gjitha ligjet, kjo pasi Rruga e “Kombit” nuk është ndërtuar me koncesion, por me paratë e shqiptarëve, dhe tani ata që e kanë paguar një herë këtë rrugë duhet ta paguajnë për së dyti për klientët e Ramës. Kjo taksë nuk i shërben lehtësimit të barrierave mes dy vendeve, por vetëm i shton ato dhe redukton lëvizjen mes dy vendeve. Çfarë do të ndodhë sikur këtë taksë 10 euro për dy kalime në këtë rrugë do të mund ta vendosë edhe Kosova? Ky ka qenë një projekt i qeverisë së mëparshmne Thaçi, por për të nuk u fol më. Nëse edhe Kosova do të vendosë një taksë të tillë, atëherë lëvizja e lirë mes dy vendeve do të vështirësohej akoma dhe më shumë. Rama duhet t’i japë një shpjegim shqiptarëve të Kosovës se përse u ka vendosur një taksë 10 euro për hyrjen në Shqipëri.

Takimi

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës deklaruan se kanë rënë dakort të përshpejtojnë hapat që do të mundësonin një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë mes dy vendeve. Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Tiranë gjatë së cilës, ai dhe Kryeministri Edi Rama u ndalën në tema konkrete. “Në mbledhjen e katërt mes dy qeverive, e cila do të mbahet më 27 nëntor në Korçë, fokusi do të jetë te fitimi i kohës së humbur”, deklaroi zoti Rama, duke shpjeguar më pas se vitin e ardhshëm “do të nisë shembja e murit absurd”, që hasin qytetarët e dy vendeve në kalimin e kufirit të përbashkët. Kryeministri Rama foli për “një kufi simetrik në ngjashmëri me kufijtë mes vendeve të BE, ku kontrollet nuk do të hiqen për fare, por do të jenë aq të rralla sa dikujt mund t’i bjerë të mos kontrollohet”.
Çështja e dytë e dakortësuar mes kryeministrave është ajo e unifikimit të tregut, e cila sipas zotit Rama “duhet t’i paraprijë si model unifikimit të tregut rajonal”, për të cilin vendet e Ballkanit ranë dakort në takimin e Triestes korrikun e shkuar. E në këtë kuadër përfshihet dhe konkretizimi i “një procesi të mirëstudiuar e programuar të bashkimit doganor në Portin e Durrësit, i cili nuk është vetëm porti i Shqipërisë, por dhe shqiptarëve të Kosovës dhe është porti që duhet të kthehet në doganë të njehsuar mes dy vendeve”, shpjegoi zoti Rama. Vendimi për këtë pritet të finalizohet në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.
Të dy kryeministrat ranë dakort gjithashtu për koordinim të përpjekjeve për të përfituar nga financimet e Procesit të Berlinit dhe Fondet IPA të Bashkimit Europian, ndërkohë që do të nisë konkretizimi për të patur seli të përbashkëta diplomatike e konsullore. “Kemi folur për një plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një fondi imobiliar shqiptar në Europë, duke nisur nga kryeqendra e diplomacisë për t’u shtrirë më tej. Do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve, që do t’u japin shqiptarëve një adresë”, theksoi zoti Rama.
Nga ana e tij, Kryeministri Haradinaj ritheksoi angazhimin e Kosovës për realizimin e të gjitha nismave të përbashkëta, duke nënvizuar se, “kemi pritur shumë vjet për t’u hapur me njëri-tjetrin. Tani është koha të mos presim më tutje”.
Një çështje e diskutuar mes palëve ka qenë dhe ajo e përcaktimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kryeministri Rama u shpreh se, “e shohim me shqetësim çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku është e domosdohme të gjendet rruga për zgjidhjen përfundimtare të një ngërçi që po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila mbetet garanti kryesor i Kosovës dhe një procesi ku Kosova duhet të ketë gjithnjë e më shumë miq, e nuk ka arsye të humbasë qoftë dhe një të vetëm”. Zoti Rama u duk se e nxiti homologun e tij kosovar të rishikonte pozicionin e mbajtur prej tij, kur në opozitë ishte kundërshtar i marrëveshjes. “Ka një proces të natyrshëm fiziologjik, kalimi nga opozita në qeveri dhe kryeministri kërkon dhe pak kohë besoj që të ndahet nga pozicioni i opozitarit ndaj këtij problemi”, u shpreh zoti Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin Haradinaj.

Pritje edhe në Familjen Mbretërore

Ramush Haradinaj ka takuar dje në Tiranë edhe princin shqiptar Leka, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri si kryeministër i Kosovës. Princi Leka e ka vlerësuar lart Haradinajn, duke thënë se kreu i ekzekutivit kosovar është “një atdhetar që e do Kosovën”. “Jemi krenar që kemi një kryeministër që po i shërben Kosovës me dinjitet dhe po punon për çështjen kombëtare”, ka thënë princi shqiptar. Ai i ka uruar Haradinajt sukses në detyrën e tij të re, duke i thënë se mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e tij.

 

Selami, mesazhe për bashkim në PD

Ngjarjet në gjirin e partisë kryesore të opozitës pas humbjes së thellë të 25 Qershorit kanë treguar një realitet që duket i pandryshueshëm. Lulzim Basha humbi zgjedhjet e 25 Qershorit thellë, por fitoi garën brenda Partisë Demokratike edhe më thellë sesa në vitin 2013.
Fitorja e tij duket se e ka përcaktuar fatin e Bashës në krye të partisë për së paku 4 vite të tjera, por shumë veta dyshojnë se jetëgjatësia e tij do të jetë edhe më e madhe, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, qoftë lokale të 2019, qoftë atyre të përgjithshme politike të vitit 2021. E megjithatë, kritikat ndaj tij vazhdojnë, madje në mënyrë të ashpër. Tashmë ka shumë pikëpyetje në opinionin publik lidhur me atë se çfarë realisht kërkojnë kritikët e tij, ata që s’morën pjesë në garë kundër tij në korrik, por edhe ndonjë prej tyre që riskoi gjithçka, duke u bërë pjesë e saj, si Eduard Selami.
I ftuar në “Top Story”, Selami theksoi se gara në Partinë Demokratike “nuk nisi si e barabartë, por ishte gjëja e duhur për t’u bërë”.
“Pavarësisht se kishte mangësi e manipulime dhe pavarësisht se Basha nuk është prononcuar ende për këtë fakt për turpin e tij, unë prapë i uroj suksese dhe shpresoj që PD të fitojë zgjedhjet e radhës. Unë i qëndroj asaj që nuk bojkotohet partia. Kritikët nuk i shërbyen as vetes dhe as Partisë Demokratike. Kam thënë që fushata ishte e pabarabartë dhe e padrejtë, por unë sërish e njoh legjitimitetin e zotit Basha, sepse mendoj se është në të mirë të forcës sime politike”, deklaroi Selami.
Në lidhje me kritikat e Sali Berishës mbi listën e PD-së, Selami u shpreh: “Nuk besoj se lista është bërë pa bekimin e Berishës. Kritikat që i ka bërë Bashës janë të vonuara, por të drejta. Por, për mendimin tim, nuk besoj se lista që paraqiti Lulzim Basha është bërë pa miratimin e Sali Berishës”.
Selami, i cili nënvizoi gjithashtu se “Partia Demokratike sot është më pak demokratike sesa në fillimet e saj”, theksoi se “është krenar” që është pjesë e kësaj partie.
Eduard Selami deklaroi nga studio e “Top Story” se ka ardhur koha që të ulet zëri kritik në Partinë Demokratike tani që Lulzim Basha u zgjodh sërish në krye të saj.
“Nuk jam dakord me bojkotin siç u bë. Tani duhet ulur pak zëri, sepse Basha u zgjodh tashmë. Edhe Basha dhe kritikët duhet të zbuten. Basha duhet të telefononte Patozin, Bregun dhe Topallin e të fliste me ta. Unë them që Basha duhet të mblidhte grupin e vjetër parlamentar dhe të bënte kalimin e stafetës. Këtu humbi një rast”, tha Selami, i cili sqaroi se nuk do të kandidojë për asnjë post në PD.
“Unë do të jap kontributin tim maksimal për Partinë Demokratike, por nuk do të kandidoj për asnjë lloj posti në parti. Basha më ka në dispozicion. Kontributi nuk janë vetëm funksionet apo postet”, tha Selami.
Në fund, Selami theksoi se “suksesi i Bashës është suksesi jonë i përbashkët”.

Haradinaj-Basha: PD, rol në zhvillimet pozitive në Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj zgjodhi Tiranën për vizitën e tij të parë jashtë vendit në cilësinë e Kryeministrit. Ai u prit në një vizitë zyrtare nga autoritetet më të larta të vendit bashkë me një delegacion ministrash, deputetësh e personalitete të tjera të rëndësishme që e shoqëronin. Forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, ecja e përbashkët në rrugëtimin europian dhe afrimi gjithnjë e më shumë i dy popujve e shteteve ishte kryefjala e Haradinajt në takimet me zyrtarët shqiptarë.
Në takimin me kryeministrin shqiptar Rama, Haradinaj vuri në dukje rëndësinë e angazhimit të Shqipërisë në mbështetje të Kosovës në sfidat që e presin përpara, siç janë integrimi në strukturat dhe institucionet shqiptare. Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e angazhimit për të forcuar më tej bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve.
Në një takim të veçantë, në selinë e PD, Haradinaj mori nga Kryetari Lulzim Basha mbështetjen e gjithanshme të Partisë Demokratike ndaj Kosovës. Basha dhe Haradinaj biseduan mbi politikat e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në të gjitha planet, krahas atij politik edhe ekonomik, social etj.
Basha i uroi suksese Haradinaj në detyrën e re dhe me shumë përgjegjësi në drejtimin e qeverisë së Kosovës. Kryetari i Opozitës e siguroi Haradinaj për mbështetjen e plotë e të gjithanshme të Partisë Demokratike në rrugën e integrimit europian dhe euroatlantik të Kosovës, dhe në përballimin e sfidave të tjera.
Integrimi europian dhe euroatlantik i Kosovës, është në interes të sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm të Kosovës, por të mbarë rajonit, u shpreh Lulzim Basha. Kryetari i PD, më tej theksoi se Partia Demokratike, ashtu siç ka qenë që në ditët e para të themelimit të saj, një mbështetje e fuqishme dhe konstante e aspiratave të popullit të Kosovës, do të vazhdojë të jetë gjithmonë një zë aktiv në familjen e partive simotra të PPE, dhe më gjerë, për të përkrahur me forcë interesat e Kosovës.
Gjithashtu, nuk do të mungojë asnjëherë edhe mbështetja konkrete për njohjen nga shtete të tjera, përmes kontakteve dhe raporteve që Partia Demokratike ka me forca të rëndësishme politike në Europë dhe vende të tjera. Nga ana tjetër, të dy personalitetet theksuan rolin që Partia Demokratike me autoritetin e padiskutueshëm që gëzon në Kosovë, mund të luajë në drejtim të zhvillimeve pozitive edhe të vetë politikës aty, në bashkëpunim me të gjithë spektrin politik kosovar.

Haradinaj: Kosova, mirënjohëse Presidentit Berisha për Rrugën e “Kombit”

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka falenderuar ish-Kryeministrin Berisha, “pasi në kohën që ai qeverisi Shqipërinë u bë realitet edhe Rruga e “Kombit”.
Prononcimi u bë për gazetarët pas takimit që ish-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku të pranishëm ishin dhe zëvendës/Kryeministri, Behgjet Pacolli, ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi si dhe i ngarkuari me punë i Kosovës në vendin tonë, Syle Ukshini.
Pas takimit, Berisha tha: “Pata kënaqësinë të takoj zotin Haradinaj, të cilin e kam takuar shumë herë, por sot pata kënaqësinë t’a takoj për së dyti si Kryeministër të Kosovës dhe t’i uroj shumë suksese në detyra jashtëzakonisht të rëndësishme që e presin përpara për të zgjidhur për Kosovën, por detyra që janë të rëndësishme për mbarë shqiptarët, sepse, pavarësisht nga kufijtë që kemi, interesat në shumë e shumë drejtime janë të njëjta dhe kam besim të madh që zoti Haradinaj dhe qeveria e tij do të realizojë një axhendë, e cila është në interes, do të thoja më të madhin të popullit të Kosovës, por dhe mbarë shqiptarëve. Edhe një herë suksese!!”
Ndërsa Haradinaj deklaroi: “Zoti President, se ne në Kosovë e kemi patur për nder dhe kënaqësi ta thërrasim president, pastaj kemi bashkëpunuar në çdo kapacitet tjetër si kryeministër i Shqipërisë, si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në Kosovë e kemi ndjerë dashurinë e zotit Berisha për Kosovën, e ndjejmë edhe sot. Po ashtu, jemi të nderuar që të ndajmë një kohë bashkë duke patur parasysh se ka udhëhequr Shqipërinë në procese demokratizuese, procese jetike si anëtarësimi në NATO dhe në procese të tjera. Po ashtu ne kosovarët do t’i jemi falenderues presidentit Berisha, pasi në kohën që ai qeverisi Shqipërinë u bë realitet edhe rruga e “Kombit”. Ju faleminderit shumë zoti President!”

Më mirë pa heronj, sesa keqpërdorimi i tyre!

Enver BYTYÇI

Ramush Haradinaj është për vizitë zyrtare në Tiranë. Dhe është për të, kjo vizita e parë që bën në postin e kryeministrit jashtë Kosovës. Për mua, kjo është gjithashtu një ngjarje. Dy kryeministra që nuk kanë nevojë për përkthyes, flasin, bisedojnë dhe rekordojnë me njëri-tjetrin. Eshtë një zhvillim ky shumë pozitiv nga pikëpamja formale, sepse në atë që i jepet publikut duket shija e një spekullimi, manipulimi dhe përpunimi të trurit të shqiptarëve në favor e pse jo në mbështetje të një qeverisjeje me shumë probleme, me shumë dështime. Ata rekorduan, por jo për projekte zhvillimi. Rekorduan për Vitin e Skënderbeut dhe Ditën e Flamurit!
Sapo jam kthyer nga Austria dhe një nga njerëzit prominentë të këtij vendi, me ndikim në Bruksel, më thotë: “Nuk e kuptoj pse Shqipëria është kaq prapa në integrimet europiane, kur Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar shumë”! I them se, “Vijmë edhe ne drejt integrimit, por pak më me ngadalë”! Nuk doja që jashtë kufijve të vendit tim të fajësoj dikë, qofshin këta dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj situate, pra, ata që na qeverisin keq.
Vizita e zotit Haradinaj u shfrytëzua mjeshtërisht për ta fsheh këtë qeverisje të mbrapshtë! Skënderbeu u bë përsëri simbol i keqqeverisjes. Megjithëse zoti Rama ia la këtë lojë manipuluese ta ekzekutojnë Presidenti Meta dhe Presidenti Thaçi, ata mblodhën grupet e punës për “Vitin e Skënderbeut”! Pastaj caktuan datën e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive në një ditë feste, më 28 nëntor. Diabolikët do të marrin daullet dhe do t’i krahasojnë këta të dy me Skënderbeun. Do t’i himnizojnë dhe mitizojnë dhe me këtë akt, politikanët tanë do ndjehen si në qiellin e shtatë! Entuziazëm, eufori, flamuj, protrete të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, diku mundet që të shfaqen edhe portretet e diktatorit Hoxha. Kjo do të jetë panorama e atmosferës së brendshme.
Do “hedhim vallen në gojë të ujkut”, thjesht për të mos vënë re varfërinë, hajdutërinë, krimin, trafiqet, korrupsionin, por edhe lëvizjet mbas perdes për të krijuar atë që quhet “Jugosllavi e Re”. Duke mitizuar Skënderbeun, qeverisjet e sotma na e ngushtojnë më shumë lakun në fyt dhe e lirojnë atë, sa për të na lejuar të marrim pak frymë. Ndërsa oksigjenin na e japin me komandë, patriotizmin na e shesin me okë, mjafton që të mos kuptojmë se na mungon frymëmarrja, mjafton të bëhemi rob të ireales.
Jo për kompromis, por nuk dua që për këtë ta fajësoj kryeministrin e Kosovës, zotin Haradinaj. Ai kishte nevojë për ndihmën e zotit Rama dhe është i detyruar si malësor të jetë mirënjohës ndaj tij. Ky është një princip njerëzor i patjetërsueshëm, nëse kemi të bëjmë me njerëz. Por zoti Rama nuk mundi që të njëjtën gjë ta bënte me Isa Mustafën, i cili mund të kishte njëmijë gabime, ndërkohë që duhet vlerësuar për ruajtjen e integritetit të tij përballë kërcënimit të kryeministrit shqiptar me paternalizëm klasik!
Në mungesë të rezultateve në ekonomi, në infrastrukrurë, në rritjen e të ardhurave për qytetarët, në kryerjen e reformave aq të bujshme, zoti Rama ka zgjedhur të luajë me mjeshtri muzikën e mitizimit të figurave historike e patriotike shqiptarë dhe t’i keqpërdor ato në funksion të forcimit të pushtetit të tij. Në këtë skemë ai ka bërë llogari të qarta. Në Ballkan mitet janë modë e nacionalizmit dhe nacionalistëve. Njerëzit jetojnë ende me legjendat religjioze dhe heroizmat, të cilat janë të pakapshme për trurin njerëzor, siç i definon ato shkrimtari britanik, Robert Graves.
Studiuesit e shkencës së mitologjisë venë në dukje gjithashtu se mitet dhe mitizimi i historisë bëhet me qëllim homogjenizimin e kombit. Të njëjtën gjë synon zoti Rama me fushatën e shpalljes së vitit të Skënderbeut. Serbët prej dy shekujsh e kanë homogjenizuar kombin e tyre përmes miteve të krijuara, me qëllim sundimin e kombeve të tjera në rajon dhe fatkeqësisht asgjësimin fizik të shqiptarëve. Prandaj, ata zgjodhën si model mitizimin e Betejës së Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389, ditë të cilën e shndërruan në festë fetare si dita e Shën Vidovdanit. Në këtë ditë janë kryer disa akte politike: U vra Fnaz Ferdinand në Sarajevë (1914), u publikua letra e Informbyrosë, Stalinit (1948), u bënë mitingje me një milion pjesëmarrës (1989), etj.
Ndërsa ne shqiptarët më së shumti i kemi përdorur heronjtë e vendit për të justifikuar keqqeverisjen. Diktatori komunist shpalli “Vitin e Skënderbeut” (1968), sepse dështoi me revolucionin kulturor të tipit kinez të vitit 1966-1967 dhe i mëkoi shqiptarët me mitin e heroit kombëtar. Një dekadë më vonë, kur Shqipëria ishe izoluar tërësisht dhe kishte dështuar në politikat e tij zhvillimore, pra vitin 1968 e shpalli vitin e Lidhjes së Prizrenit (100-vjetori).
Tani është rikthyer miti i Skënderbeut si një model jo për të krijuar një momogjenitet kulturor, etnik, fetar, por për t’i bashkuar shqiptarët rreth një elite politike, që fatkeqësisht me shumë gjasa është e lidhur me krimin, trafiqet dhe oligarkinë, duke rrënuar kështu shpresën e shqiptarëve për një jetë më të mirë, më cilësore dhe më të denjë. Askush nuk mund ta qortojë përkujtimin e ngjarjeve dhe figurave historike, nëse ato zhvillohen natyrshëm dhe thjesht si nevojë e kujtesës historike. Kjo mënyrë e trajtimit të ngjarjeve të tilla nuk ka nevojë për shpallje politike e qeveritare, aq më pak për impenjime në 365 ditët e një viti. Thjesht do të mjaftonte mbështetja e qeverisë për veprimtaritë që mund të zhvillojnë institucionet e specializuara.
Nga pikëpamja e shkencës moderne në studimet bashkëkohore, nuk është historia ajo që përcakton shkallën e nivelit të integritetit dhe dinjitetit të një kombi e të një populli. Përkundrazi, është suksesi politik zhvillimor, gjendja ekonomike dhe të ardhurave, situata sociale në të cilën jetojnë njerëzit e një vendi, shteti. Nëse do të ishin mitet historike prova e përparimit dhe progresit e për pasojë edhe integritetit dhe dinjitetit të një kombi, shqiptarët, ballkanasit, sidomos serbët, do të ishin shënuar në histori si vendi/vendet më të civilizuara në botë. Por nuk ndodh kështu! Janë kritere të tjera ato që përcaktojnë pozitën civilizuese të kombeve dhe popujve. Qeverisja e mirë është në themel të këtij civilizimi.
Ndërsa ne vazhdojnë të na i japin e ndërkohë t’i pranojmë mitet historike si nevojë e përditësuar për përceptimin e gradës identitare tonën. Sa kohë do të vazhdojmë me këtë logjikë, ne do të mbetemi peng i një politike të gabuar, nuk do të bëjmë hajër, e ndërkohë do të shënohemi në rendin e parë të refugjatëve e të pjesëmarrjes në kriminalitet e në veprimtari të paligjshme!

Emri, Greqia e Maqedonia në pikën zero

 

Zgjidhja e kontestit më të madh që ka Maqedonisë me shtetet fqinje, përkatësisht atij të çështjes së emrit që kontestohet nga Greqia, mbetet vetëm në deklarata politike, përderisa nuk ka ndonjë propozim konkret nga palët.
Ndërmjetësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic ka paralajmëruar se nga fundi i këtij viti apo në fillim të vitit 2018 mund të ketë lëvizje nga pozicionet e të dyja palëve. Ky paralajmërim i tij, ishte përcjellë më pas nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me deklaratën se nga mesi i vitit të ardhshëm mund të ketë ndonjë propozim konkret.
Por, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias ka thënë se konteksti nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por edhe me çështjen e identitetin dhe të historisë, duke e kthyer kështu procesin në pikën zero.
Duke komentuar deklarimet e këtilla optimiste të palës maqedonase, por edhe ato të palës greke, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se ky kontekst vështirë se mund të ketë një zgjidhje të shpejtë.
Mersel Bilalli, profesor në Universitetin “Fon”, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se pa një ndërhyrje serioze nga jashtë zgjidhje nuk mund të ketë. Ai thotë se do të ishte sukses sikur Maqedonia të merrte ftesë për anëtarësim në NATO si dhe datën për nisjen e bisedimeve me BE-në për anëtarësim dhe këto procese të përfundojnë paralelisht me zgjidhjen e kontekstit të emrit.
“Unë nuk jam i bindur se problemi është aq i thjeshtë. Besoj se ftesa për anëtarësim në NATO dhe një vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, janë hapa, të cilët do të ndodhin pa një zgjidhje përfundimtare të emrit, por me klauzola, të cilat gjatë procesit të ratifikimit apo zhvillimit të bisedimeve do të mund të kemi zgjidhje përfundimtare të emrit, por në etapa të ndryshme”, thotë Bilalli.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, lëvizje mund të ketë, por vetëm pas një muaji apo pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, periudhë kjo që sipas tij është e ndjeshme për t’u hapur debati për çështjen e emrit.
“Duket të kalojnë zgjedhjet lokale, që më lehtë të mund të hapet një debat për atë se çfarë do të ndodhë apo se çfarë duhet të bëjë Maqedonia për të arritur qëllimin e saj, anëtarësimin në NATO dhe BE. Qeveria nuk duhet të presë se çfarë do të bëjë Nimici, por edhe ajo duhet të punojë në arritjen e kompromisit, pasi ka kompromise të mira dhe të këqija dhe ajo duhet të angazhohet që të arrijë më të mirën e mundshme”, thotë Maleski.
Çështja e emrit po përdoret edhe nga partitë politike në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale më 15 tetor me akuza mes partive se cila prej tyre ka bërë më shumë për interesat kombëtare. Kryeministri Zoran Zaev në vazhdimësi shpreh gatishmërinë për mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura me fqinjët, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzon për marrëveshje që dëmtojnë interesin kombëtar maqedon.
“Unë këtë e shoh vetëm se tek pjesa e shumicës qeveritare se ky segment afirmohet kurse sa i përket opozitës, ajo vazhdon me akuzat për çështjet, të cilat nuk janë bërë për 100 ditë e që vet nuk i ka bërë për 11 vjet”, thotë analisti Mersel Bilalli.
Çështja e emrit me Greqinë daton që nga pavarësia e Maqedonisë 27 vjet më parë. Athina kërkon nga Shkupi të ndryshojë emrin e saj dhe maqedonasit të mos pretendojnë se janë pasardhës të maqedonasve antik. Ky kontest ka bërë që Greqia ta bllokojë tash e disa vjet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Raporti: Taksat dhe korrupsioni, pengesat për biznes në Shqipëri

Forumi Ekonomik Global ka publikuar raportin e konkurrueshmërisë globale 2017-2018, ku Shqipëria është renditur në vendin e 75 nga 137 shtete, me një përmirësim prej 5 vendesh në raport me vitin e kaluar dhe duke pasur pozicionimin më të mirë në rajon.
Nga analiza e detajuar e raportit konstatohet se faktori më problematik për të bërë biznes, i cilësuar si i tillë nga drejtuesit e sipërmarrjeve shqiptare, janë taksat, me 21.7 pikë. Shqetësimi i dytë është korrupsioni, me 16.4 pikë.
Më pas renditen aksesi në financë, rregullimi i taksave, qeverisje ineficiente dhe burokratike, forca e papërshtatshme e punës, inflacioni, etika e ulët e forcës së punës, për të vijuar deri te shqetësimet më të vogla si regjimi i monedhave të huaja dhe rregullat kufizuese të tregut të punës.
Një vit më parë, në renditjen e vitit 2016 kishte qenë korrupsioni shqetësimi kryesor, me 23.6 pikë, i ndjekur nga taksat me 21.3 pikë.
Nga një listë prej 16 faktorësh, drejtuesit ekzekutivë të anketuar nga Forumi Ekonomik Global u pyetën që të zgjidhnin pesë faktorët më problematikë për të bërë biznes në vendin e tyre dhe t’i rendisin ato midis 1 (më problematiku) dhe 5. Pikëzimi i korrespondon peshimit të përgjigjeve në bazë të renditjes.
Edhe në Serbi (në vendin e 78), që ka taksa të krahasueshme me ne, shqetësimi kryesor janë taksat, ndërsa në Mal të Zi është aksesi në financë, ndërsa taksat jashtë shqetësimi i shtatë. Në Bosnjë, që është në total në vendin e 103, shqetësimi kryesor është ineficienca dhe burokracia e qeverisë, teksa ky shtet vuan pasojat e ndarjes etnike dhe institucionale. Maqedonia mungon këtë vit në renditje.
Raporti i konkurrueshmërisë globale merr në konsideratë 12 shtylla kryesore: institucionet; infrastruktura; mjedisi makroekonomik, shëndeti dhe edukimi parësor; edukimi i lartë dhe trajnimi; eficienca e tregjeve; eficienca e tregjeve të punës; zhvillimet e tregut financiar; teknologjia; madhësia e tregjeve; sofistikimi i bizneseve; novacioni.
Shqipëria ka renditjen më të mirë në treguesin e shëndetit dhe edukimit primar, ku renditet në vendin e 36. Edhe edukimi i lartë dhe trajnimi kanë renditje pozitive, në vendin e 49.
Më keq Shqipëria paraqitet në treguesin e risive dhe sofistikimit, ku sidomos për novacionin është e 87-a. Negative është edhe renditja për madhësinë e tregut, në vendin e 2017, por kjo lidhet kryesisht me popullsinë e vogël të vendit.
Shteti më konkurrues në botë mbetet Zvicra, të ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Singapori, Holanda, Gjermania, Hong Kongu, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Japonia.

 

Votim elektronik për zgjedhjet e ardhshme

Partia Demokratike është e vendosur në objektivin kryesor të saj, që në zgjedhjet e ardhshme të mundësohet votimi elektronik. Deputeti demokrat Edmond Spaho theksoi dje se, puna për Reformën Zgjedhore duhet të fillojë sa më parë, në mënyrë që qytetarëve t’u mundësohet vota e lirë. “Objektivi ynë është t’i japim qytetarëve shqiptarë zgjedhje të lira e të ndershme. Në përgjithësi zgjedhjet në Shqipëri, 2013, 2015, 2017, kanë patur probleme thelbësore, veçanërisht shitblerja e votës. Këto probleme do të evidentohet edhe në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2017. Kur themi që duhet të kryhet Reforma Zgjedhore, përveç votimit elektronik, evitimit të shitblerjes së votës, është e rëndësishme që t’u mundësohet qytetarëve një sistem zgjedhor i ndershëm. Ndaj synohet të kalohet në një sistem të ri zgjedhor, i cili do të mundësojë të zgjedhurve dhe zgjedhësve votë dhe garë të ndershme. Sa i takon votimit elektronik do të them se e kanë aplikuar vende të tjera, dhe tashmë tek ne kërkon vetëm vullnet politik. Nëpërmjet votimit elektronik do të mund të bëhet identifikimi elektronik i votuesve, do të evitohet manipulimi i votës, apo që të manipulohet lista e votuesve, po kështu ka mundësi që të votojnë emigrantët.

Bashkia Kavajë nuk di asgjë për projektin prej 5 milionë euro të kanalizimeve

Vincent Van Gerven Oei

Exit.al, kohët e fundit ka raportuar gjërësisht mbi projektin e financuar nga Bashkimi Evropian për “Ndërtimin e Sistemit të Ujërave të Zeza dhe sistemit të Kanalizimeve në Vlorë, Ksamil, Kavajë dhe Shëngjin, Shqipëri”, me vlerë 14 milionë euro e nisur më vitin 2011. Analizimi i dokumentave të tenderit dhe raporteve mujore tregon se, Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë ka zgjedhur fitues një kompani, e cila falimentoi 6 muaj pasi fitoi projektin. Kjo kompani u zgjodh pavarësisht nga pyetjet dyshuese të ngritura nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të tenderit mbi mundësinë financiare dhe ekonomike të bashkimit të kompanive. Shembull është rasti i zbatimit të projektit në Ksamil, ku një vonesë kapi tjetrën. Pavarësisht se supervizori i punimeve në mënyrë të vazhdueshme i raportoi Delegacionit të BE-së në Tiranë për mungesën e fuqisë punëtore dhe keqfunksionimin e mjeteve të punë, BE nuk ndërhyri dhe nuk e rregulloi problemin. Si përfundim i bashkimit të këtyre dy avarive, në mos të keqadministrimit, projekti përfundoi 2 vjet me vonesë. Dhe disa muaj më vonë, këtë verë, në Sarandë dhe Ksamil plasën tubat e kanalizimeve dhe përmbytën bregdetin përreth me ujëra të zeza. Bashkia fajësoi BE-në, duke u shprehur se ato nuk ishin përfshirë në projekt, ndërsa BE-ja deklaroi se projekti u përfundua dhe zyrtarisht iu dorëzua autoriteteve shqiptare. Në të njëjtën periudhë, impjanti për trajtimin e ujërave të zeza në Kavajës i kryer nga e njëjta kompani, me vlerë rreth pesë milionë euro. Ndërtimi ka mbaruar në dhjetor të vitit 2015, por në raportin përfundimtar të supervizorit në dhjetor 2016, duket se “procedurat për pranimin provizor” ishin ende në pritje për të filluar. Pavarësisht se statusi aktual i projektit është i panjohur – Shërbimi i Jashtëm i BE-së nuk ka dhënë asnjë dokument – faza e ardhme duket se do të jetë një lojë fajësimi ndërmjet Delegacionit të BE-së dhe Bashkisë. Exit.al i bëri kërkesë Bashkisë së Kavajës nëse ishin ose jo në dijeni të ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve të financuara nga BE. Përgjigjia e Kyebashkiakut Isa Sakja ishte e qartë: Në Bashkinë e Kavajës nuk ka asnjë dokument për rinovimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza apo ndonjë projekt tjetër i financuar nga Bashkimi Evropian. Me fjalë të tjera, nuk ekziston asnjë dokument për financimin me vlerë 5 milionë euro të projektit të BE-së, i cili ka filluar më 2012 në Bashkinë e Kavajës. A njihni ju dikë që mund t’i thotë atyre për projektin?